• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Këngët e Lefter Çipës, perla që nuk e humbasin kurrë shkëlqimin

November 30, 2023 by s p

Viron Kona/

Grupi polifonik i Pilurit, një grup yjesh që shkreptijnë pareshtur. Në krye Leter Çipa, famëmadh. Atje, në lartësinë 800 metra të Pilurit, shpirti dhe zemra e tij e bukur krijoi këngë ylberiane, teksa shushurimat e lisave shekullorë dhe valët lozonjare të Jonit i përhapën ato nëpër atdhe e nëpër botë: “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Këngët e atdheut tim, janë ilaç e janë shërim”, “Naim Shqipëria”, “Tundu bejkë e bardhë, tundu”, “Zoga kaçake në male”, “Vito Pëllumbesha”, “Moj unaza gur jeshile”, “Shqipëri flakë dyfeku”. “Për Kosovën prapë do ngrihem!”, “O shokë vdeksha nga kënga!”, “Shqipëri pse të qan syri?”, “Zonjë e bukurisë”, “Në të zënça moj manushaqe!”, “Himarë e bukur, Himarë!”…

Aso kohe isha thjesht një admirues i këngës së tij, kurse më pas puna e solli ta kisha mik dhe shokë të afërt, ndaj dhe sot portretin e Lefterit e kam gjithnjë përpara syve. Më vinte shpesh herë në shtëpi në Vlorë, edhe në Tiranë, edhe unë i kisha shkuar në shtëpi, në Himarë, por dhe në Pilur kisha shkuar…Ishim të dy miq e shokë të sinqertë, qanim hallet me njëri – tjetrin, mbështetnim njëri – tjetrin.

Mbaj mend që më erdhi një herë i gjithë grupi, në shtëpi, rreth orës 15.00. Mendova se bashkëshortja ime ishte kthyer nga puna, por jo, ajo ende nuk kishte ardhur, në shtëpi ishte vetëm nëna ime e moshuar.

Ajo sa i pa në derë, u hodhi duart në qafë si bijat dhe bijtë e saj.

-Po unë ju njoh vetëm të veshur me kostume popullore, po ja, syri s`po më gënjen, ti je Ermioni, të njoha, – i tha nëna duke buzëqeshur. -Na mbushët shtëpinë, gjithë Pilurin kam këtu, – u tha pastaj dhe nisi t`i gostit miqtë, por kafenë s`po e përgatiste dot, fitilat e furnelës ishin të lagura dhe s`ndizeshin, teksa duart e nënës dridheshin nga pleqëria, por edhe nga emocioni. I kishin ardhur miq e mikesha të shquara, ato vajza dhe gra, ata djem dhe ata burra që i shihte vazhdimisht në televizor të veshur me kostumet popullore të Pilurit e që këndonin aq bukur sa të ngrinin peshë e të drithëronin shpirtin. U ngrit Ermioni, pilurjotja e famshme me zë brilant. Ajo e bëri kafenë dhe e shijuam aq shumë duke bashkëbiseduar si miq të vërtetë që ishim…Më pas, nëna më thoshte gjithmonë, mua dhe të tjerëve që na vinin vizitë: “S`më ka shijuar ndonjëherë tjetër kafeja dhe muhabeti sa atë ditë…”

Pa shqetësim nuk kaloi ajo vizitë. Pasi unë e përcolla grupin dhe u ktheva në shtëpi, ime shoqe sapo u kthye nga puna. Ajo ishte shumë e zemëruar përse nuk e kisha lajmëruar që ta priste edhe ajo grupin e Pilurit. “Na mbajtën në mbledhje për planet ata të drejtorisë, uf, çdo ditë mbledhje, i gjeti një punë…! Po ti pse nuk më lajmërove?”

-Po s`kisha sesi të lajmëroja, ata erdhën krejt papritur…

-Të gjeje mënyrën të më lajmëroje, – vijoi ajo me ton kritik. Ai ton kritik vazhdon edhe sot. Por unë e qetësoj dhe e sjellë në humor duke vënë në laptop këngën: “Bejke e bardhë borë e malit,/ti je moj ilaçi çobanit…”.

Bashkëshortja ime është nga fshati Kosinë i Përmetit, që i bie të jetë vetëm disa kilometra larg në vijë ajrore me Frashërin…Dhe ajo ka të drejtë kur kërkon edhe këngën “Bilbil i vendeve të mia”, ku flitet për Naimin, të cilin poeti Çipa e quan “Naim Shqipëria” “…Gjuh` e zogjve nëpër djepe, /zgjove kombin, dritë derdhe, /bilbil i vendeve t` mia, /bilbil-o, bilbil-o, bilbil-o, /more Naim Shqipëria…”

V. Kona dhe një pjesë e grupit të Pilurit(Pilur, 1981)

Mbaj mend që, përpara festivalit të Gjirokastrës ai e bëri të njohur atë këngë aty, te Pallati i Kulturës në Vlorë. Pranë i rrinte mjeshtri i madh, i paharruari Haxhi Dalipi. Lefteri kërkonte diçka më shumë te vetja dhe te grupi. E ndjente thellë ç`do të thoshte ajo këngë, ishin dy emra të mëdhenj: Shqipëria dhe Naimi.

-Si thoni, e provojmë edhe një herë? – i drejtohej ai grupit. Ata e shihnin në sy dhe ia nisnin. Përsëri, përsëri, edhe një herë tjetër! Po, tani po, kështu do t`i këndojmë Naimit atje në Gjirokastër, do t`i këndojmë Shqipërisë për të cilën ai u shkri si qiri..

Tekstet e këngëve të Lefterit dhe melodia janë në zemrat dhe buzët e këngëtarëve, jo vetëm piluriotë dhe himarjotë, por të të gjithë shqiptarëve. Sepse edhe të duash t`i harrosh, nuk i harron dot; edhe sikur të duash t`i heqësh nga mendja, nuk i heq dot; edhe sikur të duash t`i redaktosh, s`ke çfarë t`u redaktosh, sepse ato janë unike në formë, në përmbajtje, në ritëm, plot bukuri, ndjenjë e figuracion. Ja, e harrojmë dot “Bejkën e bardhë”? E harrojmë dot “O shokë vdeksha nga kënga”!.. Në Labëri jo se jo, se të gjithë dinë t`i këndojnë ato këngë, por unë them se në të gjithë Shqipërinë, sot edhe nëpër botë, se shqiptarët janë shpërndarë si zogjtë shtegtarë nëpër botë dhe kanë mall për jetën dhe njerëzit, për gurët, për fijet e barit, për krojet, për dallgët e Jonit dhe Adriatikut, për fushat, kodrat, malet e Korabit e Tomorit…, për erën e manushaqes dhe trëndafilave, për bukurinë e lulëkuqeve në fusha, për stanet, për zilet e këmborët, për blegërimat e kecave dhe qengjave, për cicërimat e zogjve…; kanë mall edhe për këngët.. Ato burojnë nga kjo tokë, nga ky atdhe, nga këta njerëz me histori të lashtë sa veta jeta njerëzore…Aty me ta është edhe Lefteri me grupin piluriot brilant, me ato këngë që krijoi ai i thërret lashtësisë dhe genit shqiptar, heronjve dhe dëshmorëve, vlerave tradicionale e jetësore, gjuhës, folklorit, shpirtit dhe zemrave të sotme shqiptare, të ardhmes; ato janë si dallgët e Jonit, janë si erërat e Pilurit që lulëzojnë gjelbërimin dhe ngjyrat e pranverës piluriote, ato janë si fllade ndjenjash për shpirtrat dhe zemrat e njerëzve, ato sjellin gëzim, begati e bukuri, zgjojnë trimëri e krenari, ngrenë peshë zemrat e fëmijëve dhe të rinisë, prezantojnë historinë e trevave legjendare shqiptare. A nuk thoshte Sami Frashëri se: “Banorët e Labërisë dhe tërë Shqipërisë, kanë prirje dhe aftësi natyrore për poezi e këngë…”

Kujtoj një herë kur kam shkuar aso kohe në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”,Tiranë për një librin tim, dëgjova disa nga punonjësit e shtëpisë botuese që recitonin në korridore apo nëpër shkallë vargje të Lefterit nga poezia e tij “Preji ato gërsheta”!:” …Kur kalon në vreshta, /vreshtat plot lastarë, /me ato gërsheta, / shkoq rrushin e parë,/…Të kam thënë preji, /se i ke të gjata, /po s`i preve ngrei, /se vendi ka shkarpa. /Në s`i pret ti vetë, /vij e t`i presë unë, /se ato gërsheta, /na kanë hapur punë…”

Eh, more Lefter Çipa! Të ka lezet fjala dhe kënga, të ka lezet shpirti dhe zemra, je një margaritar i çmuar përherë vezullues në gjerdanin e këngës popullore polifonike…! Nuk harrohesh, jo! Nga ne jo se jo, por edhe nga brezat, nga të rinjtë dhe fëmijët sot, nga të tjerët nesër se kënga jote është si rreze dielli, si një yll, që edhe kur nuk është më, vazhdon të dërgojë në tokë dritën e tij…

Mbaj mend rrugën anës detit nga Jala në Spile që e kemi bërë në këmbë së bashku me Lefterin. Ecnim dhe bisedonim si dy miq të mirë. Sa gjëra mbaj mend nga ajo bisedë? Shumë. Ai fliste dhe ndizte e shuante cigaret, harxhoi vetëm një shkrepëse me të cilën ndezi cigaren e parë, të tjerat i ndizte me njëra-tjetrën. Flisnim për këngën e bregut, për traditat shqiptare. Herë –herë hidhte ndonjë gur në formë pllake mbi sipërfaqen e detit të qetë dhe guri rrëshqiste bukur deri ku e çonte fuqia e hedhjes. E shikon, si rrëshqet guri? Rrëshqet bukur, por kjo kërkon zotësi e mjeshtëri për ta hedhur. Kështu dhe kënga, krijoje dhe përpunoje mirë dhe hidhe në ajër, nëse është e bukur e shpërndan “era”, ku nuk e çon. Por, nëse nuk është e bukur, humbet në hapësirë. – Pastaj, më shihte në sy, ndizte cigaren me cigaren që kishte shkuar në fund dhe thoshte:

“-Ne nuk asimilohemi kurrë, sepse kemi rrënjët në shekuj, kemi fuqinë e këngës…; E pasurojmë grupin me të rinj, vazhdimisht, i japim freski dhe jetë; Kemi tradita të trashëguara dhe këngëtarë të mëdhenj. Sigurisht më i madhi është Neço Muko, ne i themi Neço Muko Himarjoti, e ka krijuar ai këngën “Vajza e Valëve” e shumë e shumë të tjera. Ai ngriti një grup që edhe sot i kujtohet fama. E nisi aktivitetin e tij në Paris. S`ishte vetëm, ishte me shokë, me Koço Çakallin, Andrea Balën, Panajot Kokaveshin. Me ata bashkëpunoi edhe Tefta Tashko Koço, Tulla Paleologu…Ndonëse mbylli sytë në moshë fare të re, vetëm 35 vjeç, Neçoja la një pasuri të madhe dhe hyjnore, la këngët e zemrës dhe të shpirtit të një populli. Dhe Lefteri i këndon bashkë me mua disa nga ato vargje, teksa era e detit sikur i përcjellë larg: “Vajzë e valëve,/Zëmra s’ ja mban./Mbi një gur anës detit,/Qan e zeza, qan e mjera, qan e zeza qan./Pret atë që pret,/Dhe një dhembje ndjen./Gjithë bota ven e vijnë, Por ai nuk vjen e mjera, por ai nuk vjen./…Ju te bukur zogj,/Te ju kam një shpresë./Ju që çani det e male,/Dua t’u pyes e mjera, dua t’u pyes…”

-Piktori i Popullit, i madhi Skënder Kamberi ka realizuar një pikturë fantastike kushtuar “Vajzës së valave”, – i them.

-Po, e kam parë edhe unë, një mrekulli është ajo. -E di çfarë, – tha ai pas disa çastesh, – do të ta tregoj edhe ty, unë kam një pllakë gramafoni me këngët e Neços të krijuara që në vitin 1924. I kam të shenjta ato këngë, janë më shumë se margaritarë… Ato e të tjera këngë, janë themelet e polifonisë.

Grupi polifonik i Pilurit. Lefteri i ulur.

Por edhe ne, duke ecur në gjurmët e tyre kemi këngët tona, kemi grupin me këngëtarë të shquar…

Lefteri m`i numëronte me radhë anëtarët e grupit polifonik të Pilurit, duke treguar aftësitë dhe talentin e gjithsecilit, edhe të atyre më të vjetër, edhe të atyre më të rinj: Vasilika Lapa, Katina Muço, Ermioni Mërkuri, Koço Gjiçali, Arqile Lapa, Sofo Gërdhuqi, Marika (Çipa) Bala, Margarit Kongjoni, Pavllo Bala, Qirjako Bala, Lene M. Bala, Vangjel Gjiçali, Vasillo Koka, Miltiadh Gjiçali, Leni L. Mërkuri, Eleni Mërkuri, Vitori Mërkuri, Polo Çipa, Katina Mërkuri, Athina Muço, Stavro Mërkuri…(V.K. Ndjesë nëse kam harruar ndonjë tjetër). -Dëgjo, – vijonte Lefteri,- s`është vetëm Piluri, është Himara me grupin e shkëlqyer me Dhimitër Varfin, me Katina Belerin…,me poetin Odise Goro; është Qeparoi dhe Kudhësi, është Vunoi, Iljasi, Dhërmiu, Palasa… Ka shumë këngë i gjithë bregu. E di ti që në Qeparo, lindi kënga:“Abdyl prishe pasurinë/Një barrë flori”? E di ti se ishte grupi polifonik i “Vajzave të Dhërmiut”, i cili në vitin 1965 theu zakonin që këngët polifonike të këndoheshin vetëm nga burrat? Shembulli i tyre u mirëprit, sot vajzat dhe gratë janë këngëtare të shkëlqyera dhe mbajnë peshë në grupet polifonike të Pilurit, Himarës, Iljasit, Vunoit, Qeparoit, Kudhësit…E di ti se ishte Nase Beni nga Vunoi ai që krijoi këngën: ”Kush është lule e Vilajetit, /që ja ka bota sevdanë”? Por ai krijoi edhe këngën për pavarësinë, aq të njohur për të gjithë shqiptarët: ”Njëzetë e tetë nëntori, /në këmbë u ngre Shqipëria”. E di se ishte vunjotasi Gaqe Trola ai që krijoi këngën: “Brenda në Tiranë,/afër një spitali,/ç’u vra Qemal Stafa,/një trim nga të malit..” Ka shumë gjëra që nuk i dimë, por duke i studiuar, duke qëndruar pranë popullit i mësojmë ato. Folklori duhet të kultivohet, edhe në shkollë, të mësohet edhe nga fëmijët… Kënga është pjesë e historisë, historia jonë është shkruar shpesh herë me këngë; Gjërat ndryshojnë, ndryshon jeta, zhvillohet. Ndryshon dhe kënga, zhvillohet, por tabani i saj mbetet. Rrënohen kështjellat dhe kalatë, rrënohen muret, por gurët ciklopikë të themeleve mbeten, ata tregojnë origjinën tonë ilire, tregojnë nga kemi ardhur, historinë tonë, ja si themelet e kalasë së vjetër të Himarës ku po kalojmë tani. Po kostumet tona, sa të bukura që janë? Do të ngjitemi në fshat dhe do të vishesh si piluriot, do ngjash bukur, do ta kesh kujtim nga ne. Ato kostume i japin vlerë, i japin bukuri gjithkujt që i vesh, qoftë vajzë apo djalë, burrë apo grua, hë si thua? Miqtë e mi janë i gjithë grupi, të vjetër dhe të rinj, të gjithë i dua njëlloj se unë jam me ata dhe ata janë me mua, gjithnjë”.

E dëgjoja Lefterin dhe mendoja: Qindra këngë të krijuara nga ai dhe të kënduara nga grupi polifonik i Pilurit, por dhe nga grupi i Himarës, nga grupe të tjera polifonike të Vlorës, madje edhe të rretheve të tjerë të Jugut, por edhe përpunime të këngëve nga kompozitorët më të shquar shqiptarë: Çesk Zadeja, Tish Daia, Limoz Dizdari, Aleksandër Peçi, Kujtim Laro…. Kishte shumë miq Lefteri, nuk numërohen, jo vetëm emrat e shquar të bregut, por dhe nga e gjithë Shqipëria, nga të gjitha trojet shqiptare, por miqtë më të afërt ishin kompozitorët, këngëtarët, poetët dhe rapsodët, ishte populli që ia pëlqente dhe ia pëlqen aq shumë këngët.

Lefteri bashkëpunoi me kompozitorët e njohur të Vlorës: me të paharruarit: Themistokli Mone (Liun), me Haxhi Dalipin, me këngëtarët e trios së famshme vlonjate: Meliha Doda, Reshat Osmani, Kostandin Thana…, por dhe me Pirro Cakranin, i cili përveçse këngëtar i njohur, ishte edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve vlonjatë dhe e respektonte shumë Lefterin. Sa herë vinte Driteroi në Vlorë, Pirroja i lajmëronte të gjithë krijuesit, edhe Lefterin, që vinte “i ngarkuar” me këngë nga Piluri. E donte Lefterin Driteroi, ashtu si dhe Petro Markoja e Fatos Arapi dhe të gjithë ata artistë e krijues të bregut dhe të Shqipërisë… Pak njerëz e dinë, por Lefter Çipa është autor i teksteve të shumë këngëve të njohura, që këndonte trioja qytetare vlonjate apo këndohen edhe sot. Kur e mësova për herë të parë këtë fakt, i thashë si me faj.

-Lefter nuk e kam ditur që je autor i shumë prej këngëve të kënduara nga trioja e famshme vlonjate. Edhe të tjerë s`e dinë. Disa krijojnë një vjershë dhe e trumbetojnë gjithandej, kurse ti, autor i kaq shumë teksteve të këngëve më të njohura qytetare vlonjate dhe s`më ke thënë një fjalë.

-E po, ç`të të them, e vërtetë është…

E dëgjoja Lefterin me nderim. Ndjenja e respektit më dhjetëfishohej përballë modestisë së tij. Për fat, edhe atëherë ia dinim vlerat, tani ia njohim akoma më shumë; më shumë do t`ia njohim në të ardhmen.

Lefteri mbetet yll i ndritshëm, emri dhe vepra e tij do të jetojnë. A nuk thoshte ai vet: “Nuk mungon njeriu kur është shpirti”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Lefter Cipa, Viron Kona

Va, pensiero

January 20, 2023 by s p

-Tregim-

C:\Users\viron\Desktop\Ne pune 7\5b388c6ce7248virona kona (1) (1).jpg

   Viron KONA

Në përkujtim të veprës së kompozitorit të madh italian Giuseppe Verdi

Sapo ne ushtarët e rinj, me kokat e qethura “zero”, mbërritëm në repart, ushtarët e vjetër na shihnin  me qesëndi e kureshtje. 

            -Hë, o “rrula”, erdhët!  Do hani dynjanë, po nuk na u bindët! Dhe, shikoni se, mos i thoni kapterit, se ju piu e zeza! 

           -Ej, ti, rrul, hidhi dru zjarrit! 

           -Ti tjetri, ti or rrul, o  veshgjatë më sill pakë këpucët! 

            -Hej ti, pinguin, fërkoje këtë tokëzën time që të shkëlqejë. Fërkoje mirë, hë, se do të të bëj t`i thuash derrit dajë! Hë, o mace e lagur, lëviz! 

        Më i tmerrshmi ishte Sela. Ai iu drejtua Baçit, një djali të shëndetshëm, që i shihte ushtarët e vjetër si me habi e frikë. 

            -Ej, ti buall kënete,  hajde m`i lyejë këpucët me bojë. Hajde, shpejt, mos më ecë si zonjushat në paradën e modës, por tundu! – Dhe, ndërsa Baçi i bindur nisi  lyerjen, ai i bërtiste: – Dëgjo, të më shkëlqejnë, hë! Kape mirë furçën dhe jo sikur mban në dorë një tigan me speca djegës!        

        Disa nga ushtarët e vjetër zgërdhiheshin me kënaqësi dhe sikur viheshin në garë se kush të na fyente dhe të na keqtrajtonte sa më rëndë. Mbase, sepse edhe atyre ashtu ua kishin bërë dhe kjo sjellje ishte një lloj hakmarrje që përcillej si stafetë. Pse, kështu do të vepronim edhe ne kur të bëheshim ushtarë të vjetër? 

        Ndërsa të vjetrit silleshin si kapo dhe bënin të fortët e repartit, ne  të rinjtë thuajse nuk flisnin. Unë zieja përbrenda. Më vinte çudi sesi oficerët dhe kapterat nuk ndërhynin. -E po, – thosha me vete, – kjo sjellje do të jetë kalimtare. Eprorët nuk e dinë sesi sillen këta të vjetrit, kurse ne nuk guxojmë t`u ankohemi. Se, ndryshe, pse duhej të vendoseshin ato lloj marrëdhëniesh mes nesh, që ndodheshim aty për të njëjtin qëllim, kryenim shërbimin e detyrueshëm ushtarak. 

        Në vazhdim po rrëfej edhe një episod apo një histori të vogël, e cila u bë nxitje për të shkruar këtë tregim. Nëse keni durim, lutem më dëgjoni:

        Atëherë, në Radio Tirana transmetohej një emision i titulluar “Program, sipas kërkesave të ushtarëve”. Edhe unë kisha bërë një letër – kërkesë në Radio Tirana, me anën e së cilës  përshëndesja familjen time e, veçanërisht njërin nga vëllezërit e mi, Llambin, inxhinier mekanik që punonte në Azotikun e Fierit. Azotiku ishte një uzinë e rëndësishme për vendin. Për të thuhej se mbante me bukë Shqipërinë, pasi bujqësia duke përdorur plehrat azotike, nitrat amoni dhe të tjera, e rriti disa herë prodhimin e grurit që ishte kultura kryesore. Uzina ishte moderne e prodhimit italian. Im vëlla më thoshte se në përbërje të plehut kishte 32 % azot, që ishte shumë i rëndësishëm për bimën bujqësore. Kështu që im vëlla, Llambi dhe kolegët e tij e meritonin plotësisht një përshëndetje dhe unë e bëra, aq më tepër që për ndërtimin e uzinës, bashkë me inxhinierët shqiptarë punonin edhe inxhinierë italianë. Kisha zgjedhur “Korin e  skllevërve” (pjesën Va, pensiero) nga opera “Nabuko” e Verdit.2)  I kisha lajmëruar që një javë përpara shokët e mi  ushtarë, se, edhe unë kisha bërë një kërkesë në Radio – Tirana. Java kaloi shpejt dhe erdhi dita dhe ora e emisionit. Ditë e  diel,  ora 13.00. Të gjithë, ushtarë të rinj e të vjetër, qëndronim nën hijen e një rrapi të madh dhe  mbanim sytë dhe veshët nga dy altoparlantë që ndodheshin sipër tij. Radioja ndodhej në zyrën e kapter Manes, kurse zëri, vinte deri tek dy altoparlantët nëpërmjet një kablli.

       Ndjeva emocion kur folësja në radio, tha: “-Tani i plotësojmë kërkesën ushtar Vironit, i cili me një pjesë muzikore nga opera “Nabuko” e Verdit, përshëndet familjen dhe vëllanë e tij, Llambin, inxhinier  në Azotikun e qytetit të Fierit”. 

       Të gjithë, ushtarë të rinj e të vjetër u bëmë gati të dëgjonin. Nisi pjesa muzikore e operës, e cila mua më tërhiqte shumë. Kisha lexuar disa libra dhe kisha parë filma që flisnin për kompozitorë të shquar si Bethoveni, Moxarti, Verdi, Puçini, Rosini, Belini, Donizeti, Vagneri e shumë të tjerë mjeshtra të mëdhenj të kompozimit të muzikës klasike botërore. Por, për Verdin kisha dobësi. Thuajse i dija përmendësh emrat e shumë prej operave të tij: “Nabuko”, “Rigoleto”, “Aida”, “Traviata”, “Othello”, “Falstaf”…, dhe, diku – diku edhe ndonjë pjesë që e merrja me fishkëllimë. Kurse im vëlla, Llambi ishte tepër i veçantë. Ai mund të konkurronte me këdo që pretendonte se i njihte mirë veprat muzikore operistike. Nga opera “Nabuko”, mua më pëlqente shumë, sidomos ajo pjesë kur skllevërit kërkonin lirinë dhe kori i tyre ngrihej i fuqishëm me fjalët: 

“Mbi krahët e ëndrrave u nisëm sot,

Atje ku shtrihen fushat, kodrat e përrenjtë,

Ku lulëzon çdo gjë e qesh mbi tokë,

Në pyje dhe liqej të atdheut tonë të shtrenjtë”. 

       Muzika që kisha kërkuar unë po transmetohej, ndërsa ushtarët e ulur nën hijen e rrapit, po dëgjonin. Ndonjërit prej tyre, që nuk  e kishte të edukuar veten me dëgjimin e pjesëve muzikore klasike dhe operistike, nuk po i rrihej. U ngrit pa folur. Pas tij edhe një tjetër, edhe një tjetër. Nga rreth 30 ushtarë, thuajse gjysma u ngritën dhe u larguan që në sekondat e para, të heshtur, pa thënë ndonjë fjalë. Muzika vazhdonte. Me tingujt e magjishëm e të  jashtëzakonshëm dhe me ndjenjat e thella që pasqyronte, ajo të shkaktonte drithërima dhe të  ngrinte peshë, teksa  kori buçiste dhe oshtinte: 

Atdhe, atdhe i bukur dhe i humbur!

Kujtim i shtrenjtë, kujtim i hidhur…

        Ndonëse kisha humbur mendjen pas muzikës, po ndihesha keq, kur shihja që, edhe disa nga shokët e mi më të afërt ishin gati të largoheshin.  Zani më shihte disi me keqardhje. Ai ishte nga malësia dhe do të preferonte të dëgjonte  një këngë me çifteli për ciklin e kreshnikëve; Eduardi, sigurisht që do të parapëlqente ndonjë këngë me iso të Jugut; Sadiku do të pëlqente më shumë Xhixhilenë; Kozi,  “Bijën e Tarres”; Letoja ndonjë nga këngët e bukura korçare si ajo: “Vajza të bukura, faqka pa puthura…!” Thuajse të gjithë kishin këngët e tyre të parapëlqyera. Por ja që unë kisha zgjedhur një muzikë që ata nuk  e kishin dëgjuar, ose më saktë, nuk ishin përqendruar ta dëgjonin kur Radio -Tirana e jepte herë pas here. E ndjeja se, me përjashtim të Ademit, që e pëlqente muzikën operistike, disa qëndronin aty sepse donin të më bënin qejfin, nuk donin të  më fyenin. Por, për habinë time po qëndronte edhe Sela, ushtari i vjetër, që, me sjelljen e tij të ashpër, na e merrte shpirtin ne “rrulave”. Ai dëgjonte me vëmendje dhe kohë pas kohe shihte nga unë.  Ndjeja djersë mbi ballë, por gjithsesi, përqendrimin e mbaja te pjesa muzikore. I ndjeja thellë në shpirt, edhe libretin e rrallë që kishte shkruar Themistokli Soleri, por sidomos muzikën drithëruese të Verdit të madh, që depërtonte gjer thellë në shpirt e në zemër dhe të rrëmbente drejt qiejve të kaltër dhe diellit të praruar… E, dalëngadalë po ndjeja se, ajo muzikë e rrallë po depërtonte si pa u ndjerë edhe tek ata ushtarë që, në fillim qëndruan aty te rrapi për të mos ma prishur qejfin. Ishte forca e magjishme dhe magnetike e atij arti të madh, që i kishte mbërthyer aty nën rrap, dhe ata dëgjonin tërë përqendrim, teksa në fytyrat e tyre shfaqeshin herë – herë pamje ëndërruese.

       Ata, vazhdonin të qëndronin si të stepur dhe me dëshirën që ajo muzikë, të zgjaste e të zgjaste e të mos përfundonte kurrë…Nuk e di pse, por po më dukeshin shumë të afërt ata shokë ushtarë. Emocionet m`u shtuan kur po shihja se, edhe disa nga ata që ishin larguar, ushtarë të vjetër dhe të rinj, po afroheshin dalëngadalë e si pa u ndjerë. Dukej sikur një forcë e mistershme, magnetike dhe magjike i tërhiqte  drejt trungut të rrapit, teksa më bëhej se, edhe fletët e drurit shekullor lëkundeshin lehtë – lehtë, si të ndiheshin pjesëmarrëse në atë kor hyjnor…. 

       Më në fund, muzika që kisha zgjedhur pushoi. Ngrita vështrimin nga shokët e mi ushtarë dhe këmbyem buzëqeshje të çiltra me njëri – tjetrin. 

       Sela u ngrit nga vendi dhe më shtrëngoi  dorën.

           -Të falënderoj, se më kënaqe! Nuk  kisha dëgjuar ndonjëherë si kjo lloj muzike. 

   Të gjithëve u bëri përshtypje sjellja e Selës, aq më tepër që ai nuk e përdori fjalën “rrul”.

    Edhe të tjerët më uruan dhe më dhanë dorën.

            -Ka shumë gjëra të bukura, por ne nuk i dimë, nuk i njohim, – tha Ademi.

           -E  Selë, – u dëgjua nga larg zëri ironik i Gajtazit, – ta morën mendjen rrulat, hë!

          -Ik ore, mbushu! – iu përgjigj Sela.

          -Ç`pate! – i tha tjetri duke iu afruar?

           -Iç, asgjë nuk kam. Vetëm, mos i jep shumë gojës se të futen miza! Ndonjëherë do të të futet edhe ndonjë zhapik dhe do të na hapësh punë!

    Të gjithë sa ishin aty qeshën. Gajtazi u bë xhind, por nuk u ndje. Veçse herë – herë, e shihte shokun tij të vjetër me habi, pa kuptuar dot se çfarë kishte ndodhur me të. 

     Ndërkaq, kapter Maneja doli nga zyra dhe nisi të hidhte hapat ngadalë drejt nesh. Barku i kërcyer përpara i lëkundej sa majtas – djathtas si  një patok i ushqyer mirë. Që nga dhjetëra metra larg, erdhi zëri i tij ironik.

           -Aty e keni atë ushtarin e operave?

           -Për kë e keni fjalën shef? – e pyeti Astriti që ishte më pranë tij.

           -Për atë mor, atë që na shet mend se  gjoja i kupton operat!

           -Urdhëroni shef! – i thashë dhe  u ngrita në këmbë.

            -Ulu, ushtar, ulu! – më tha ai, – por tjetër herë na bëj kërkesë për ndonjë këngë të bukur, jo si kjo që dëgjuam.

           -Edhe ajo e bukur është, – guxova dhe i thashë.

           -Ah, dashke të në bësh të kulturuarin tani? – më ironizoi ai përsëri dhe qeshi me të madhe. Edhe dikush nga ushtarët qeshi. Fajzoja, që ne të gjithë e quanim “servili” i kapterit. 

           -Servil, servil, – thoshim ne me njëri – tjetrin, – por, Fajzoja ka shkuar dy herë me leje brenda  tre muajve, kurse ne mund të shkojmë vetëm pas gjashtë muajve apo pas një viti. Edhe  atëherë, ku i dihet, shkojmë a s`shkojmë!

           -Hë, – më tha kapter Maneja, – pse s`flet, apo “të hëngri macja gjuhën”? 

           -Jo, – iu përgjigja, – jam mirë, dhe…nuk kam se çfarë fjalësh të tjera të them. Muzika që dëgjuam  tha shumë gjëra. 

           -E çfarë gjërash na tha ajo muzikë? – tha kapteri, duke rrudhur vetullat me qime si në ngjyrë të kuqërremtë, – muzikë e një gjermani ishte, nuk ishte e jona.

          -Verdi është italian, – tha Ademi.

           -Edhe gjermanët, edhe francezët, edhe rusët, edhe anglezët…, të gjithë kanë muzikën e tyre të bukur, – guxova i thashë kapterit.

      Ai heshti një çast dhe më hodhi një vështrim dyshues:

           -Çfarë, do të na japësh mësime muzikore tani, apo do të na bësh propagandë? 

      Sigurisht që kapteri po e tepronte. Situata dukej delikate.

           -Ç`thua, o kapter? – u dëgjua zëri i Selës. – Pse e ngatërron atë muzikë të bukur me ato gjëra të shpifura! Këtu po flitet  vetëm për muzikë. Po të ishte ashtu si mendon ti, Radio-Tirana nuk do t`ia plotësonte kërkesën këtij shokut tonë!

       Kapteri nuk foli më. I shtrëngova krahun Selës. Ushtarët, për shkak të vapës, po i drejtoheshin fjetores. 

          -Mos u mërzit, – më tha duke ecur Jani, kuzhinieri i repartit kur më pa të menduar, – ajo muzikë ishte shumë e bukur dhe mua më pëlqeu. Ja, shiko, edhe tani i kam krahët kokrriza – kokrriza, ngaqë drithërohesha kur e dëgjoja.

       Jani heshti një çast. Fytyra i mori një pamje të menduar, pastaj, si të zgjohej nga një ëndërrim, m`u kthye duke më parë drejt e në sy:

         -Ku të vajti mendja që kërkove atë muzikë! Dreq je, edhe ti! – qeshi kuzhinieri dhe më ra shpatullave ngrohtësisht.

      Mbaj mend se ajo muzikë e fuqishme e Verdit dhe diskutimet që u ngjallën në repart, sikur na afruan më shumë ne ushtarët me njëri – tjetrin. Fjala “rrula”, përdorej gjithnjë e më rrallë. Kjo më gëzonte. “Arti i lidh dhe i afron njerëzit”, – thosha me vete, – ashtu si ata skllevërit që, me atë muzikë të fuqishme, ngriheshin me vendosmëri të çliroheshin nga zgjedha e robërisë. Në një film, mbaj mend disa sekuenca, kur në Italinë e pushtuar nga austriakët, dy grupime të mëdha u gjendën përballë njëri – tjetrit: Popull kryengritës nga njëra anë dhe ushtarë në shërbim të ushtrisë austriake, që kishte pushtuar Italinë, nga ana tjetër. E, teksa dy grupimet ishin në prag të përleshjes, papritmas midis tyre u fut me shpejtësi një karrocë, ku ndodhej vetëm një njeri. Ai ndali karrocën, pikërisht në mes të dy grupimeve dhe u ngrit në këmbë.  Nga të dyja anët u shpreh habi dhe kureshtje. Kush ishte ai burrë i moshuar, që ishte futur mes  zjarrit  të armëve që priteshin të  shpërthenin nga çasti në çast? Dikush thirri:

           -Verdi! Ai është Verdi!

Dhe, teksa emri i kompozitorit të madh, kalonte gojë më gojë, një zë, e, më pas dhjetëra e qindra zëra nga turma e  luftëtarëve për liri nisën të këndonin  pikërisht atë muzikë:”Va, pensiero”, të operës “Nabuko”. 

https://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/6/66/Va%2C_pensiero.jpg/400px-Va%2C_pensiero.jpg

        Në krahun përballë kryengritësve, në fillim pati një stepje dhe hutim, e, pastaj, papritmas, të gjithë, nga të dy anët e përballjes, populli dhe ushtarët, nisën të këndonin me zëra të fuqishëm. Verdi u kishte kujtuar të dy palëve lirinë dhe, ata, duhej ta ruanin dhe ta mbronin atë si gjënë më të shtrenjtë: Jo duke vrarë njëri – tjetrin, por duke u bashkuar dhe  vëllazëruar me njëri – tjetrin. Të dy palët, kishin vetëm një armik: pushtuesin. 

        Nga leximet mbaja mend se, për “Marsejezën”, këngën – kushtrim për revolucionin francez, Viktor Hygoi patë thënë: “Gjysma e fitoreve franceze i detyrohen “Marsejezës”. Atëherë, batalioni çlirimtarë, duke kënduar:

”Përpara bijtë e atdheut!

Çasti i lavdisë po afron! 

        Dhe me refrenin:”Rrëmbeni armët, qytetar!”, marshonte i vendosur drejt Parisit, që kërcënohej nga pushtimi. Në atë marshim të zgjatur disa ditorë, të gjithë ata njerëz të atij batalioni, si një trup i vetëm marshonin pa u ndalur duke kënduar pa pushim “Marsejezën”. 

         Kurse, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kënga “Lili Marleen”, me tekst të një ushtari gjerman dhe e kompozuar po nga një kompozitor gjerman,  u bë kënga më e preferuar jo vetëm e ushtarëve gjermanë, por e të gjithë ushtarëve që luftonin në frontet e Luftës së Dytë Botërore. Këtë këngë, ushtarët gjermanë, anglezë, rusë, amerikanë, francezë…, e këndonin me lot në sy, secili në gjuhën e vet dhe shkonin të vdisnin duke menduar “Lilin” e tyre, që e kishin lënë kushedi se ku… Kënga “Lili Marleen” u përkthye në 48 gjuhë. Fashistët gjermanë, duke parë efektin e kundërt që po bënte kënga, dhanë urdhër ta ndalnin, por, përkundrazi, kënga mori përhapje akoma më të madhe. Suksesi i saj u motivua me këto fjalë: “Era, a mund të thotë përse u kthye në stuhi?”.

         Pas një jave, më erdhi një letër nga im vëlla. Ai e kishte ndjekur emisionin dhe përshëndetjen që i bëja unë me muzikën e Verdit dhe më falënderonte. Por ajo që më befasoi dhe ma shtoi gëzimin, ishte se  në atë letër  kishin firmosur dhe kishin shkruar fjalë  përshëndetëse për mua edhe disa nga shokët e tim vëllai, e, midis tyre, edhe dy inxhinierë italianë, që e donin dhe e  respektonin tim vëlla, Llambin, edhe për faktin se ai e njihte mirë dhe e pëlqente muzikën operistike të Verdit…

…………….

1.Va, pensiero! (Fluturo mendim!). Ky është përkthimi artistik. Fjala “va” (shko!) është zëvendësuar me “fluturo” sepse shkon më mirë me “krahët e  praruar…” (që vijon origjinali).

2.Opera “Nabuko”, me libret të Themistokli Solerit dhe muzikë të Xhuzepe Verdit u shfaq për herë të parë në Teatrin e njohur La Skala të Milanos më 9 mars 1842. “Va, pensiero” është ndoshta pjesa më e dashur e muzikës nga e gjithë opera, e cila shpesh kryhet dy herë. Ngjarja  e operas “Nabuko”, zhvillohet në Jerusalem dhe Babiloni në vitin 583 p.e.s. Tregohet  historia e Nabukodonosorit, Mbretit të Babilonisë dhe skllevërve hebrenj, të kapur dhe të burgosur në Babiloni. Kori i ‘Va, pensiero” ndodh në pjesën e tretë të operës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Viron Kona

Tufë me poezi: Për ty Kosovë

July 6, 2022 by s p

Viron Kona

C:\Users\viron\Desktop\vironietyde.jpg

Si feniksi i legjendave u ringjalle! 

Dëshiroj të të shpreh disa fjalë të ngrohta zemre,

Të ndiej gjakun e heronjve që në trup të vërshon,

Të puth brazdat në ballin e gjakosur nga plumbat, 

Të ledhatoj trupin tënd të plagosur që fërgëllon.

Të ndiej në çdo pore të trupit tim, e jona Kosovë,

Të shoh përherë në ëndrra, o fisnike famëmadhe, 

Të përfytyroj nëpër kroje, qumësht zane duke pirë,

Ngazëllehem! Si feniksi i legjendave ti u ringjalle!

            Luftëtarëve të UÇK-së

Hodhët pushkët supeve u bëtë flakadan, 

Me valë vetëtimash ju goditët mizorinë,

Heroizmi juaj rindezi ëndrrat çlirimtare,

Me flamuj kuqezi, përuruat lirinë!

                Në ditën e dëshmorëve

Lule t`freskëta pranvere sjellin nënat dhe fëmijët,

Shqipet përshkojnë qiellin,burrat shkrehin pushkë,

Krojet e ndalin rrjedhjen, flladet valëvitin flamujt,

Malësori thërret legjendat, ngre këngë me lahutë.

              Presidenti  Bill Klinton

Thuhet se ish testament nga Zhorzh Uashingtoni,

Të mbështetej e të ndihmohej populli i Kosovës,

E bëri vepër atë amanet të shenjtë, Bill Klintoni, 

Bashkë me Kosovën,mbrojti qytetërimin e  botës. 

Ai u shfaq liridashës dhe human si Nëna Terezë,

Kreu misionin që me ankth e priste bota mbarë,

Përcolli mesazhin: njerëzimi s`duhej t`tolerojë,

Gjenocidin mesjetarë dhe skllavërimin barbarë!

Të falënderojmë nga zemra, o presidenti Klinton,

Do t`mbahesh mend si një lider që vure drejtësi,

Ne shqiptarët do të t`jemi në shekuj mirënjohës,

Sepse na qëndrove pranë, kur kërkonim liri.

               Për ty Kosovë! 

Hordhitë barbare t`kanë dhunuar pareshtur,

Janë vërsulur mbi ty me pabesi dhe egërsi,

Kënga jote e lirisë asnjëherë s`ka heshtur,

O hyjnesha jonë e ëmbël,e lashta Dardani!

Klithmat tona për liri janë përhapur në glob,

Jetën ne ia kemi falur këtij dheu të shenjtë,

Gjaku ynë ka vërshuar lumë nëpër shekuj,

Për ty, Kosova jonë e shtrenjtë!

N`truallin tënd çdo gur e shkëmb – lapidarë, 

Çdo grimcë dheu nxjerr gjak ende t`patharë,  

Çdo dëshmor – kushtrim për mijëra luftëtarë,

Mijëra Shota e Azem, mijëra Adem Jasharë…

Kosovë: dheu, klithma, geni i pastër shqiptar, 

Me emrin tënd ne lindim, jetojmë  e vdesim,

Amanetin e vyer të lirisë të t`parëve dardanë,

E kemi besë e flamur e në breza e përcjellim…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Viron Kona

Pathyeshmëria dhe madhështia e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

November 6, 2021 by s p

 Viron KONA

vironietyde

                               Një përkthim i vyer nga suedishtja në shqip i të mirënjohurit Sokol Demaku.

“Këtu pushon Kastrioti, ai, SKËNDERBEU! Sa i shkathët ishte ai! Sa i drejtë ishte ai!…Çfarë modeli për mbretërit!”

                                                         Zannovich Stephan

Sokol Demaku, poet, shkrimtar dhe përkthyesi i njohur, bir i denj i Drenicës legjendare, një shqiptar i madh në mërgim, rrezident   në qytetin e tekstilit Borås të Suedisë dhe përherë befasues, kësaj here na ka dhënë një gëzim të ri, duke përkthyer nga suedishtja në shqip veprën madhore historike: “I madhi Castriot ME LLAGAP Skënderbeu – Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i Epirit”, të autorit Zannovich, Stephan, apo Stiepan, botuar në Stockholm të Suedisë nga Anders Zetterberg, 1788. 

Botimi në shqip është realizuar në Shtypshkronjën “Lena Graphic”, Prishtinë, në të dy gjuhët: shqip dhe suedisht. Një histori e padëgjuar deri më sot, shkruar nga të huajt për Kryetrimin Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

                                           Luftëtari i madh, 

                që ngriti në piedestal vlerat e lirisë së popujve

Janë shkruar qindra libra për jetën dhe bëmat e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, aq sa besoj që, edhe studiuesit e tij më të zellshëm nuk kanë arritur t`i lexojnë dot të gjitha. Kërkohet mbase grup studiuesish dhe historianësh, që duke i lexuar ato libra, të hedhin edhe më shumë dritë mbi jetën dhe bëmat e Heroit tonë Kombëtar, për të cilin, bota, që kur ai ishte në kulmin e madhështisë së tij e deri në ditët e sotme, ka folur e vazhdon të flasë me admirimin, pasi ai ngriti më shumë se kushdo tjetër në piedestal, vlerat e lirisë, shfaqi virtyte të rralla heroizmi, trimërie, dashurie dhe besnikërie për popullin e tij të vogël nga numri, por me përmasa të jashtëzakonshme për nga vlerat e shumfishta humane, për nga virytet e besës, mikpritjes, besnikërisë dhe dashurisë së pa krahasueshme për atdheun.

C:\Users\viron\Desktop\auto_dkkwke1610875897.jpg
C:\Users\viron\Desktop\albania.png

Ne dhe popujt e tjerë përparimtarë ndihemi gjithnjë vlerësues dhe krenarë me kryetrimin Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, me cilësitë e vyera dhe aftësitë ushtarake unike të tij. Emri dhe vepra madhështore skënderbejane, ka shekuj që qëndron e palëkundur  dhe e madhërishme, jo vetëm në monumentet, bustet e  shtatoret nëpër truallin shqiptar të copëtuar, por edhe në shumë e shumë vende të botës, në sheshe, rrugë, bulevarde, institucione dhe vepra historike, shkencore, kulturore e artistike. Mbi të gjitha, emri dhe vepra e tij është shkrirë  në zemrën e popullit shqiptar, është trashëguar dhe përcjellë në breza, duke u identifikuar përherë me lirinë. Në veprën unike të heroit tonë kombëtar, popujt e Evropës dhe të botës  kanë marrë mësimin e madh e të vyer se, sado i vogël qoftë një popull, kur ai është i bashkuar, kur është i motivuar dhe me një qëllim  të madh të lirisë, s`ka forcë dhe fuqi që ta kthej nga rruga, s`ka fuqi që ta nënshtrojë dhe ta mbaj nën sundim. Këtë mësim të madh historik, kryetrimi ynë legjendar e provoi  dhe e farkëtoi në betejat dhe luftërat e tij gjithnjë fitimtare me fuqinë më të madhe perandorake të kohës. 

Viron Kona: Një rrugëtim magjeps në Veriun e Largët me Sokol Demakun -  Albspirit

     Sokol Demaku, poet, publicist, përkthyes i njohur

                          Vepra më e re për Skënderbeun, 

                             kësaj here erdhi nga Suedia

Është një libër i përkthyer me një shqipe të qartë e të pastër, që plotëson e zgjeron më tej kulturën tonë rreth personalitetit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. 

Si fillim, duhet të themi se, vepra e Marin Barletit “Historia e Skënderbeut”, e shkruar në latinisht dhe  e botuar në Romë, midis viteve 1508-1510, jo vetëm e bëri Barletin të famshëm, por ajo u bë edhe burim i një literature të gjerë, të shkruar në gjuhë të ndryshme: portugalisht, spanjisht, gjermanisht, frëngjisht, anglisht, serbisht, greqisht, japonisht… Për këtë vepër Barleti u mbështet tek dëshmitë e të tjerëve, dhe nga shumë studiues, Barleti u cilësua edhe burimi kryesor i veprave të tjera kushtuar Historisë së Skënderbeut. Nga ajo vepër, ata morën frymëzimin, por edhe fakte e dokumente, që ndriçonin figurën madhështore të kryetrimit shqiptar.

Duket se, edhe autori i veprës “Skënderbeu”, për të cilën po flasim, e ka këtë frymëzim e mbështetje historike nga vepra bazë e Barletit, por, ai e plotëson kuadrin e  figurës së heroit tonë edhe me të dhëna të tjera të kohës, që vijnë nga dokumente dhe libra të tjerë të shkruar, ashtu dhe nga episode, rrëfime e histori të dëgjuara nga bashkëkohësit, kjo, sepse fama e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ka vazhduar me shekuj dhe me një përhapje të gjerë në të gjithë Evropën, madje edhe në kontinentin amerikan, ashtu dhe në Azi, Australi e në shumë e shumë vende të tjera. Ndërkaq,  libri ka “fytyrën”, mendimin dhe individualitetin krijues të Zannovich Stephan. 

Nëpërmjet përkthimit, Sokol Demaku na e pëcjellë Gjergj Kastriotin ashtu siç e ka përshkruar autori, të madhërishëm, me vlera që i kishte vetëm Ai dhe që ua trashëgonte trimave të tij përmes fjalës së mençur dhe shembullit e veprimit, duke i frymëzuar e nxitur ata drejt qëllimit të madh të mbrojtjes së atdheut, të lirisë dhe të pavarësisë. 

 

            Gjergj Kastrioti-Skënderbeu

Ne ndihemi kureshtarë kur Zannovich Stephan shkruan për familjen Kastrioti, për Gjon Kastriotin dhe përballjen e tij me një nga sulltanët më të fuqishëm të kohës, Muratin e  II, teksa ndjekim me emocion rrëfimin sesi ai la peng djemtë e tij te sulltani… “Gjergj Kastrioti, – shkruan autori: – nuk ishte më shumë se gjashtë vjeç kur u ekstradua nga Perdandoria turke, ai u bë synet në bazë të ligjeve të Muhamedit… E, ndërsa ai zotëronte të gjitha cilësitë e mendjes dhe të trupit…, Murati tregoi një simpati të veçantë për të, duke i dhënë një edukim mjaft të mirë”. 

Ndihemi krenarë kur lexojmë se ”Gjergji rritej e bëhej më i madh, edhe forca i rritej aq shumë, sa askush në vendet e lindjes nuk kishte një trup më të fortë, krahë më të mbushur dhe guxim më të patrembur, sa Ai. Atij iu vu në dizpozicion një mësues mjeshtër, i cili i mësoi Gjergjit turqisht, arabisht, greqisht, italisht, sllovenisht si dhe gjuhën latine…

Në shkollat më të mira turke ai mësoi të përdorte armët, të kalëronte, si dhe të bënte të gjitha ushtrimet e trupit, që janë të nevojshme për të pasur sukses në shërbimin ushtarak. Ai përfitoi njohuri për veten e tij aq mirë nga ata mësues të aftë, të cilëve iu ishte besuar edukimi i tij. Në të gjithë konkurset publike, ai fitoi të gjitha çmimet konkurruese, por gjithashtu, ai çdo ditë merrte çmime të reja dhe lëvdata nga Murati. Në moshën 18 vjeçare, Sulltan Murati II e emëroi Gjergj Kastriotin komandant të mbi 5.000 kalorësve dhe e dërgoi në Azi….

                     Me atdheun në mendje dhe në zemër

Dhe, kështu, nisin e marrin udhë e shfaqen përpara lexuesit aftësitë e mëdha luftarake, zgjuarësisia, trimëria dhe heroizmi i tij në sytë e Perandorisë së madhe Osmane dhe të vet Sulltan Muratit të II. Autori i “Skënderbeut” të shqipëruar nga Demaku, vë në dukje se, në betejat dhe fushatat që Skënderbeu udhëhiqte kundër kundërshtarëve dhe armiqve të Perandorisë Turke, ai në mënyrë të maskuar sillej butë dhe përpiqej të mos bënte krime në zonat e të krishterëve, ”ai kurseu gjakun e tyre aq sa mundi”. 

Ndërsa Gjergji ekspozonte çdo ditë jetën e tij, Murati ishte informuar se Gjon Kastrioti, regjenti legal i Shqipërisë, kishte vdekur. Murati i pabesë, mosmirënjohës menjëherë sulmoi dhe mori shtetet e tij… Gjergji ishte shumë i pikëlluar….Por ai nuk lejoi që  të vihej re…Sidoqoftë, ai po mendonte për mjete, si dhe për mënyrën për të rikthyer mbretërinë e paraardhësve të tij. Ai kërkonte një mundësi të favorshme: të linte oborrin mbretëror të Muratit, të merrte në zotërim Krujën, kryeqytetin e  shteteve të tij. Rasti erdhi kur Murati II ngriti në këmbë një ushtri prej 80.000 burrash, të cilën e dërgoi në Hungari.” Ndërkaq, urdhëroi Caram beun dhe Kastriotin të shkonin përpara me 25 mijë burra. Huniadi do t`u kundërvihej me 10.000 burra. Kur hungarezët bënë një sulm të shpejt kundër turqve, Kastrioti, menjëherë u tërhoq prapa me trupat e tij dhe pastaj ktheu shpinën duke ikur… 

Gjergji ishte nisur për në Shqipëri…Brenda tetë ditësh arriti në Dibrën e Epërme dhe hyri në Krujë, më 28 nëntor 1443. 

 

                                    Bir i denj i popullit shqiptar

 

Libri na rrëfen sesi Skënderbeu forcoi pushtetin, sesi iu drejtua popullit dhe princave shqiptarë, sesi thërriti Kuvendin e Lezhës, ku princat e zgjodhën Skënderbeun gjeneral për ushtritë e tyre, e pranuan gjithashtu atë edhe për Sovran të Shqipërisë. 

Atëherë Shqipëria ishte e ndarë në principata, ku konkurrenca mes fiseve për të mbrojtur interesat e tyre ishte e dukshme. E pikërisht Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në atë kuvend të 2 marsit 1444, duke formuar “Lidhjen e princave shqiptarë”, ia arriti t`i mbante ata të bashkuar deri në fund të jetës së tij. Nisi kështu ajo udhë e gjatë fitoresh të njëpasnjëshme, që do të tregonin aftësitë legjendare të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe taktikat e tij në luftime  mbrojtëse dhe sulmuese, zemrën e  tij të madhe, mençurinë dhe inteligjencën, besimin te bashkëkombësit e tij besnik deri në vdekje, besimin te qëllimi i lartë i misionit të tij çlirimtar dhe, pastaj, ato mësime të vlefshme që mori Evropa dhe bota prej veprimeve dhe atyre dhjetëra betejave të tij të guximshme. Ishte kjo famë, e cila bëri që mendjet më të shquara të kohërave të shprehen për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Kështu, në veprën e tij, Volteri shkruan se ”Sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Kostandinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin atë në maj 1453”. Kurse studiuesi gjerman Fallmeyrarer, shkruan se Gjergj Kastrioti paraqet “Udhëheqësin më të përgatitur, më të suksesshëm dhe mjeshtrin më të madh të luftës”.

Ky libër, në përkthimin mjeshtëror të Sokol Demakut, na bënë krenarë ne shqiptarëve për Heroin tonë Kombëtar, na frymëzon dhe na nxit më shumë për  dashurinë ndaj atdheut dhe besimin se, populli shqiptar ka një histori të pasur dhe të jashtëzakonshme, që bota duhet ta njoh më mirë. Për këtë duhet të jemi ne shqiptarët në radhë të parë prezantuesit e kësaj historie, jemi ne që duhet t`i tregojmë botës për heronjtë dhe për dëshmorët tanë, për qëllimet e tyre të larta, duke rrëfyer kështu të vërtetën dhe duke nderuar sakrificat dhe gjakun e tyre të derdhur për lirinë e vendit, por dhe për të mbrojtur Evropën nga egërsia e barbaria turke. Me veprën e tij heroike, Gjergj Kastrioti i dha më shumë shkëlqim historisë sonë, te figura dhe vepra e tij ne shqiptarët shohim portretin tonë, ndjejmë rrjedhjen e gjakut të të parëve tanë ilirë, tek ai janë edhe Bardhyli, Genti, Teuta, Glaukia…,janë heronjtë dhe dëshmorët që kanë vaditur me gjak këtë truall të dashur dhe të shenjtë. 

                   Neveri popullore ndaj shpifësve ordinerë

Edhe në këtë libër të Zannovich, sikurse edhe në shumë vepra të tjera që janë shkruar për Kastriotin, shfaqet madhështia dhe fuqia e  kryeheroit tonë në mbrojtje të Shqipërisë dhe të Evropës nga pushtuesit osmanë. Shkrimtari lartëson me fakte dhe dokumente rolin dhe shembullin unik  dhe vital të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, por, njëherazi duket se, në mënyrë të tërthortë, fshikullon ata individë, që u duket vetja “origjinal” dhe vënë në dyshim emrin dhe veprën madhështore të Skënderbeut. Doemos që keni dëgjuar, të nderuar lexues, për vaporët e mëdhenj transoqeanikë, që i bien tejpërtej deteve dhe oqeaneve, që përballojnë dallgë të fuqishme dhe stuhi të lemerishme, duke triumfuar mbi to e duke çarë gjithnjë përpara? E pikërisht, në pjesën fundore të tyre, ngjiten disa tipe midhjesh të zeza, që lundrojnë së bashku me ata vaporë, si të ishin pjesë e tyre. Po, atë tjetrën e keni dëgjuar, më duket e thotë Sigmund Frojdi (1856-1939) se “miza në kokë të kalit, kujton se e tërheq ajo karrocën!”. Kështu, edhe ata njerëz të neveritshëm, të “krahasuar” me midhjet dhe me mizat, duke sulmuar figurën madhështore të Heroit tonë Kombëtar, u duket vetja se mund të jenë edhe ata të lavdishëm dhe madhështorë. Populli ka ndjerë gjithnjë neveri ndaj atyre, që shfaqen nga llumi i zi i kënetave t`ndyra e  vjellin vrerë; ndaj atyre sahanlëpirësve, pehlivanëve, “hardhucave”, që nxjerrin kokat poshtë gurëve e pështyjnë, ndaj atyre “lepujve”, që bëhen trima dhe “kruhen” si luanë. Të gjithë kanë një synim të shpifur: të njollosin gjakun e pastër arbëror, t`ia nxjerrin popullit heroin nga zemra dhe të lëkundin besimin ndaj tij. Ata kritizerë, të huaj apo dhe ndonjë bukëshkalë shqiptar, bëjnë çmos ta nxjerrin Gjergj Kastriotin nga këngët e legjendat, nga librat e dokumentet e shkruara të historisë, duan t`i shuajnë gjurmët  e tij në gurë e kështjella, duan ta rrëzojnë nga kali e ta shkelin me thundra. Duke tentuar gjithmonë  ta paraqesin Heroin tonë të zakonshëm e të rëndomtë,  ata tentojnë ta  zbresin nga piedestali i lartë i lirisë! 

Libri i Zannovich, që kemi në dorë, mund të themi se nënvizon thuajse në çdo faqe të tij se,  Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, bir i denj i kombit arbëror, është njehsuar me kështjellat dhe flamurin, nderohet si prijësi dhe udhëheqësi më  popullorë i kohërave. Emri dhe vepra e tij ndritin në historinë  shekullore shqiptare, evropiane dhe botërore, duke shërbyer gjithnjë si një “Yll polar”, për  popujt që luftojnë për liri…

 

                                 Vepra e Gjergj Kastriotit 

           është e njesuar me popullin, me truallin, me kështjellat…

 

Milan Shuflai, albanologu kroat, që u sakrifikua për Shqipërinë, duke folur për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, mes të tjerash ka thënë: ”Është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri për Skënderbeun, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo gjë që ishte e shkruar, u dogj nga turku!”

Vepra madhështore e Skënderbeut, tashmë dihet, ajo edhe sikur të zhduket çdo dokument nga arkivat  e vendeve ballkanike e evropiane, është në zemrat e popullit, në mitet, legjendat, poemat dhe në rapsoditë e tij, në toponimet dhe rrëfimet që trashëgohen nga njëri brez në tjetrin; ajo është në malet, gurët e rëndë dhe kështjellat, grykat, kepat, kishat, luginat, burimet,  fshatrat e krahinat me emrin e tij; ai është në ligje, në emra ditësh të shënuara dhe festa, që mbajnë emrin e tij… Koha kur ai veproi, në fjalorin zyrtar e popullor merr emrin “epoka e Skënderbeut”, kështu dhe armët e tij, mjetet e luftës, vendet ku shkelte dhe ku banonte, ku organizonte mbrojtjen dhe sulmet kundër pushtuesve. Ne sot kemi flamurin me emrin e tij, kemi sheshe, bulevarde, rrugë, tituj nderi, qindra vepra historike, letrare, skulpturore, piktorike, deri dhe vepra muzikore operistike që i janë kushtuar atij, nga artistë shqiptarë dhe të huaj. Kemi qindra toponime me emrin e tij, rrëfenja dhe legjenda pa fund me emrin e tij. Por kanë edhe vendet fqinjë, kanë edhe shtetet e Evropës, që e patën shembull apo u frymëzuan prej tij. Sikurse, për emrin, veprën dhe famën e Gjergj Kastriotit janë shprehur dhe kanë shkruar dhjetëra personalitete të mëdhenj… Vepra e Skënderbeut është kudo e, mbi të gjitha në kujtesën e popullit shqiptar dhe zemrën e tij të madhe… 

Siç shprehet me të drejtë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare: ”Gjergj Kastrioti ishte prijësi më i madh i Ballkanit, absolutisht më i madh i epokës së vet. Ai ishte i pari që përpunoi me mendje të hekurt dhe vizion madhështor, rrugën e Shqipërisë, nga do të ecte ajo, nga Lindja apo nga Perëndimi… Ai… i dha vendit të tij një orientim drejt Evropës, deri në fund, sa vdiq! Ai ishte testamenti i parë i orientimit të shqiptarëve…” Dhe, si për ta mbyllur këtë tekst, po përmend fjalët e Papa Kaliksti III, i cili shprehej: ”Si një pendë e patundshme, Gjergj Kastrioti ndaloi furinë e sulmeve turke dhe i pengoi të zaptonin Evropën Kristjane!”

                       Luftëtar i madh, por dhe diplomat i madh

 

Nga ky libër i Zannovich përkthyer nga z. Demaku, del qartazi se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e tregoi veten jo vetëm si një kryeluftëtar të përmasave evropiane dhe botërore, por edhe si një diplomat i mençur, duke vendosur aleanca, marrëdhënie dhe veprime diplomatike në interes të vendit të vetë, gjithnjë duke qenë realist dhe i ndërsjelltë në mbajtjen dhe forcimin e këtyre aleancave, duke i dhënë drejtimin e qartë dhe të duhur vendit të tij, drejt perëndimit, drejt Evropës. Me “Beslidhjen e princave shqiptarë”, më 1444, ai krijoi një përvojë që do të shërbente në shekuj si një mesazh i madh për  bashkimin e popullit shqiptar, por dhe për  popujt që luftojnë për liri, me devizën: “Të bashkuar, s`mund ta na thyej askush”. 

Interesante  ishin aleancat dhe marrëdhëniet diplomatike që ai vendosi me shtetet evropiane, veçanërisht me fqinjët, por edhe më gjerë. Nuk duhet të harrojmë se, Evropa e asaj kohe ndryshonte shumë nga Evropa e sotme, kështu që edhe orientimi diplomatik ishte i ndërlikuar. Kjo, për faktin  se në atë shekull, siç shprehen historianët dhe studiuesit, Evropa përbëhej nga qindra shtete, nga qindra principata dhe mbretëri, që ishin shpesh herë në luftë dhe konkurrencë e konflikte të rënda me njëra-tjetrën. Në ato kushte, shteti i vogël shqiptar, as që i hynte në sy fuqive evropiane, por, me kohë, pas fitoreve të bujshme të Skënderbeut kundër turqve, interesi evropian ndaj Shqipërisë dhe vetë Skënderbeut si një strateg i madh, sa vinte e rritej. Këtë e tregojnë marrëdhëniet e tij diplomatike me Vatikanin dhe letërkëmbimet e shumta, ndërkohë dhe vizitat dhe ndihmat e ndërsjellta. Ai fitoi besimin e Vatikanit dhe të të katër papëve të Selisë së Shenjtë, të cilët  e mbështetën Skënderbeun dhe luftën që ai zhvilloi me Perandorinë Osmane. Kjo mbështetje ishte aq e veçantë sa, në vitin 1457 Papa Calixtus III e shpall Skënderbeun “Kapiten-Gjeneral të Selisë së Shenjtë, duke i dhënë atij edhe titullin “Atlet i Krishtit”…Madje ishte planifikuar që nga Papa Piu II, Gjergj Kastrioti të shpallej në mënyrë solemne mbret i Shqipërisë dhe udhëheqës i koalicionit të gjithë krishterë në mbrojtje të Evropës prej osmanëve…

Aleanca të forta dhe lidhje diplomatike ai mbajti me  Vladislavin e Hungarisë dhe gjeneralin e famshëm Janosh Huniadi, me Venedikun, me Raguzën (Dubrovnikun), me  Mbretërinë e Napolit dhe  me Alfonsin e Ferdinantin. Nga këto marrëdhënie dhe aleanca, Gjergj Kastrioti, krahas mbështetjes morale, pati edhe ndihma të vazhdueshme me ushtarë, me teknikë luftarake, ndihma në të holla.. Por, po aq interesante janë edhe marrëdhëniet që ai krijoi me mbretërit e Milanos, Firencës, Sienës, Burgonjës, por edhe me mbretërit e Francës, Polonisë, Spanjës etj. Sikurse, shprehin mençuri dhe diplomaci letërkëmbimet e Skënderbeut, deri edhe me armiqtë dhe kundërshtarët e tij, si ato me sulltan Muratin II, me të birin e  tij sulltan Mehmetin (Fatihu-Ngadhnjyesi), me mbretër e gjeneralë të fuqishëm të kohës etj. Me diplomacinë e tij, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu çeli edhe shtigje dhe krijoi fusha bashkëpunimi mes shteteve për të zhvilluar marrëdhënie tregtare, duke garantuar qarkullimin e lirë të tregtarëve dhe të mallrave në territoret shqiptare…Ai, si përherë, ishte i mprehtë, inteligjent dhe me aftësi parashikuese për veprimet që do të pasonin, sikurse shfrytëzonte çdo mundësi dobiprurëse, që i shërbente vendit e popullit të tij dhe qëllimit të lartë të lirisë. 

 

                        Davidi dhe Goliati një legjendë.

   Gjergj Kastrioti Skënderbeu një realitet i gjallë shqiptar

 

Libri “Skënderbeu” i Zannovich, i përkthyer nga suedishtja në shqip nga Sokol Demaku, të entuziazmon, sidomos kur përshkruan betejat e pabarbarta në numër ushtarësh mes ushtrisë së Skënderbeut dhe armiqve të tij. Ndonëse shikonte se përballë kishte forca të shumëfishta në numër dhe të armatosura me mjetet më moderne të kohës, Gjergj Kastrioti nuk tërhiqej, nuk frikësohej, ai dinte se ç`bënte, sulmonte në kohën e duhur, në vendin e  duhur dhe duke qëndruar vet trimërisht në ballë të betejës, duke dalë përherë fitimtar. Kjo metodë luftarake e tij, që, me një numër të kufizuar ushtarësh, sulmonte një ushtri gjigande, sigurisht të gjithëve në  botë u kujtonte legjendën e betejës mes Davidit dhe Goliatit, ku, ky i fundit, gjigand nga trupi dhe pamja, fodull, arogant dhe mendjemadh, mendonte se do ta copëtonte me një goditje të vetme Davidin trupvogël. Por, ndodhi krejt e kundërta. Ai u shtri sa gjatë-gjerë, vetëm nga një goditje mjeshtërore e Davidit… Kështu, betejat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, mund të themi se ishin “të ngjashme” me këtë legjendë, veçse këto ishin të vërteta, reale, të dokumentuara dhe me jehonë në të gjithë popujt e Ballkanit dhe të Evropës së asaj kohe. Parapëlqej të citoj këtu thënien e Aleks Budës, historian, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë: ”Veprimtaria e Skënderbeut nuk është “një balon i fryrë”, siç është thënë, por një fakt historik. Këtu s`kemi të bëjmë me operacione banditësh nëpër male, por me një luftë gjigandeske, me përpjestime evropiane, që zgjati më tepër se një çerek shekulli dhe vuri përballë forcave vigane turke, popullin tonë të vogël”. 

Sigurisht që, Gjergji kishte edhe një përparësi, kishte në ushtrinë e tij shqiptarët, arbërit, luftëtarë të dalluar dhe të rrallë për nga heroizmi, guximi dhe trimëria e tyre, por edhe nga aftësitë e mëdha luftarake. Ata preferonin një armatim të lehtë, krah dhe muskuj të fortë, kuaj të shpejtë dhe mjeshtëri në luftimet me shpatë, heshtë e shigjetë, por edhe trup me trup me forcat armike, ndërkohë që ndiqnin shembullin e prijësit të tyre të pathyeshëm e me pamje madhështore, që nuk iu druajt asnjë beteje, asnjë dueli, asnjë dyluftimi. I referohem përsëri Volterit, kur shkruan: “Shqiptarët janë ushtarët më të mirë të atyre anëve. Skënderbeu diti mirë të shfrytëzojë trimërinë e tyre dhe terrenin e ashpër malor të vendit të vet, prandaj me pak trupa ai ndali gjithmonë armata të shumta turke… Shqiptarët janë epirotët e lashtë, të cilët janë aq luftëtarë sa edhe stërgjyshërit e tyre…” Mund të themi se te Gjergj Kastrioti-Skënderbeu përmblidheshin cilësitë më të mira shqiptare, vlerësimet që bëjnë për shqiptarët personalitete të shquara të kohërave. Duke qenë se flasim për veprën “Skënderbeu”, që na vjen nga Suedia, më vijnë ndërmend thënia e albanologut të njohur suedez Johann Thunmann (1746 – 1778), i cili ndër të tjera shkruan: ”Qëllimi im nuk është që të shkruaj një histori të gjatë dhe të plotë. Përpjekjet e mia kanë qenë vetëm për të hedhur dritë mbi prejardhjen e shqiptarëve, ashtu sikurse shfaqet një numër i madh faktesh dhe dokumentesh të renditura në mënyrë kronologjike të cilat çjerrin errësirën, zhdukin konfuzionin dhe hedhin poshtë ato spekulime të paskrupullta mbi këtë popull, duke u përpjekur që ta bëj të njohur këtë vend përgjatë gjithë historisë së tij si një komb, i cili është ndër banorët më të vjetër të Evropës dhe që kanë ditur të mbijetojnë, me gjithë fluksin e grekëve, romakëve, gotëve, sllavëve, frëngëve, italianëve dhe turqve…” Kurse anglezi i madh Bajroni (1788 – 1824), përfaqësuesi më në zë i romantizmit evropian e botëror, shprehet se “Shqiptarët janë raca njerëzore më e bukur që ekziston, trima më të fortë se kështjellat e tyre”.

Është interesante gjithashtu të theksojmë se, kur zhvilloheshin betejat me osmanët dhe fitoret e Skënderbeut vinin radhë njëra pas tjerës, kronikanët e kanë pasur zakon që të ulin numrin e  të vrarëve në ushtrinë e Skënderbeut. Duket se, zvogëlimet apo zmadhimet fiktive të numrit të të vrarëve në luftime, jo gjithmonë të sakta, vijnë edhe nga vepra e Barletit, i cili edhe është kritikuar për këto “zvogëlime”, por, mbi të gjitha, faktet e fitoreve skënderbejane, pavarësisht numrit të të vrarëve, kanë qenë të dokumentuara dhe të pranuara edhe nga vetë kronikanët apo arkivat osmane. Ashtu si Davidi, në historinë epike të tre mijë vjetëve më parë dilte fitimtar mbi Goliatin, ashtu dhe  Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, me ushtri shumë herë më të vogla, arrinte të triumfonte mbi ushtritë gjigande të gjeneralëve osmanë të dërguar nga sulltanët e  tyre, ashtu dhe mbi ushtritë që drejtoheshin nga vetë sulltanët, siç ishte rrethimi i parë i Krujës nga Murati II (1450) dhe dy rrethimet e tjera nga biri i tij Mehmeti (1466 dhe 1467). Siç shkruan Fan Noli (1882 – 1965): “Skënderbeu ka mbrojtur me sukses Krujën, kundër tre rrethimeve të Muratit II dhe Mehmetit të II, dy pushtuesve më të tmerrshëm të kohës, që kishin në dorë ushtritë më të forta të botës”. Kurse vet historianët e kohës e pranojnë se, vet Mehmeti II (1432-1481) ka thënë për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun: “Kurrë s`ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë.”

Edhe në këtë vepër kushtuar Skënderbeut, që na vjen nga Suedia, mësojmë se Skënderbeu çdo veprim ushtarak, por dhe çdo veprim në përgjithësi, e bënte të menduar mirë dhe të bazuar në informacione të sakta, në fakte e deri në detaje. Ai, me besnikët dhe agjentët e tij të shpërndarë nëpër perandori dhe në zemër të sarajeve sulltanore, njihte gjithë planet ogurzeza, që thurreshin në kuvendet e sulltanit, njihte planet e gjeneralëve osmanë, lëvizjet dhe rrugën që ndiqte ushtria  e stërmadhe shumëkombëshe osmane dhe repartet e saj shumarmëshe drejt Shqipërisë. Por, ai, duke qenë në të njëjta shkolla, nga më të mirat e perandorisë,  me oficerët dhe gjeneralët osmanë, i njihte mirë ata, madje i kishte mundur qëkur ishin ende të rinj, në duele force dhe konkurse mençurie, ai ua dinte edhe trimëritë dhe aftësitë e fuqitë, por u njihte edhe huqet e dobësitë. Ndaj, duke i parë gjithnjë gjërat në kompleks,  duke studiuar tipin dhe llojin e ushtrisë që po e sulmonte, duke nuhatur lëvizjet dhe taktikat e tyre, duke njohur armatimin që ata kishin, ai pikaste pikat e tyre më të dobëta dhe, në rastin e kohën më të përshtatëshme  i sulmonte rrufeshëm dhe i shpartallonte, i detyronte të merrnin arratinë. Kështu e pësuan edhe gjeneralët më të  mëdhenj osmanë, madje edhe në prani të sulltanëve të tyre, por, e pësuan edhe ata që njihnin mirë taktikat dhe strategjitë e Gjergj Kastriotit si: Ballaban Pasha, Hamza Kastrioti e Moisi Golemi.

                                            Portretizimi i karakterit 

               dhe i pamjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Libri ka skena të shkruara mjeshtërisht dhe në mënyrë tërheqëse për lexuesin. Për shembull, kur Mehmeti II, me sygjerim të Ballaban Pashës vendosi ta sulmonin Skënderbeun njëherazi me dy ushtri të ndryshme dhe nga dy drejtime. Skënderbeu, duke nuhatur qëllimin e armikut, veproi guximshëm, duke u rënë atëherë kur ata s`e prisnin dhe i shpartalloi të dyja ushtritë, duke i detyruar të merrnin aratinë. 

Po aq interesante dhe  e padëgjuar  është edhe historia e dy obortarëve, që ndodheshin në oborrin e Skënderbeut, e që, duke qenë tradhtarë, informonin sulltanin për gjithçka ndodhte në kampin shqiptar. Atëherë, sapo e mori vesh këtë tradhti, Skënderbeu i thirri të dy spiunët dhe i pyeti:

-Çfarë dënimi meriton shërbëtori që tradhton zotërinë e tij?

-Duhet t`i pritet koka, – iu përgjigjën ata.

-Epo, kokat tuaja nuk janë të denja për atë nder. Unë di gjithçka. Unë ju fal. Ju jeni shumë të këqinj për t`i shërbyer një zotërie, i cili çdo ditë rrezikon kokën e tij për të ruajtur jetën tuaj. Shkoni te Mehmeti. Nga kjo ditë ai është Sovrani juaj. Ju mund t`i thoni atij: Se Zoti e ruan kokën e Kastriotit dhe se unë së shpejti dua të vijë dhe t`i marrë kokën atij, jo në një mënyrë të pabesë, si bën ai, por në mënyrë mbretërore dhe si një armik fisnik.”.

Libri ka një mbyllje origjinale, ku blerojnë këshilla dhe mendime të arta të Gjergj Kastriotit. Duket se, në këtë rast, autori Zannovich i ka vënë vetes detyrë të na e prezantoj Heroin tonë Kombëtar edhe si një dijetar, si një burrë shteti të mençur, që, siç ka qenë zakoni në kohët e vjetra, i jep të rinjve këshilla nga përvoja e tij. Edhe sikur vetëm ato këshilla të arta të kishte ky libër, do të ishte një vlerë e papërsëritshme, ndërkohë që libri është një pasurim i madh vlerash historike, shkencore, ushtarake e kulturore për bibliotekën dhe arkivin skënderbejan.

Mehmeti II, duke folur për Skënderbeun, u tha gjeneralëve të tij:

“-Unë do ta njoh gjithmonë Kastriotin në fytyrën e tij, por kurrë mbi supet e tij, sepse ai kurrë nuk më ka kthyer shpinën.” 

I veçantë është veprimi i fundit i Gjergjit, i cili kur dëgjoi se një ushtri turke po sulmonte Shqipërinë, ai, kërkoi të vishte uniformën e tij luftarake, ngjeshi armët në brez, i hipi kalit të tij besnik dhe u vërsul si rrufe në betejë. Turqit, që besonin se ai ishte duke vdekur, kur  dalluan përkrenaren e Kastriotit, duke u valëvitur, ia mbathën nga fusha  e betejës për të shpëtuar kokën…

“Ai njeri i madh  nuk ishte i tmerrshëm për askënd tjetër, përveçse për armiqtë e tij. Ai ishte një mik njerëzor, i këndshëm dhe i sigurtë për vartësit e tij. Ai ishte jashtëzakonisht bujar dhe i shpërbleu të gjithë ata që shkëlqyen në shërbimin e tij…I njihte emrat e pothuajse të të gjithë ushtarëve të tij…Gjithmonë i angazhuar në luftë, ai donte të lexonte. Komentet e Cezarit ishte libri i tij i preferuar. Ai dinte në mënyrë të përsosur gjuhën, zakonet dhe artet marciale të turqve. Ai gjithashtu fliste me lehtësi të madhe disa gjuhë evropiane…”

Na duket interesante në këtë vepër edhe portretizimi fizik që i bënë autori figurës së kryeheroit: “Gjergj Kastrioti kishte një ndërtim fizik trupi shumë të fortë. Njeriu mund të shihte kokën e tij  të ngrihej mbi ushtarët e tij. Ai kishte një hundë shqiponje, lëkurë të bardhë të spërkatur me tone trëndafili, ballin e gjerë… Portreti që i ngjan më shumë, ngjan me statujën që kanë në Shqipëri, pastaj është ajo që kanë në Galerinë e Madhe në Toskana. Ai ka një mjekër të plotë, kryqin e Shën Gjonit, të cilin e mbarti me përkushtim dhe çizmet e verdha, që ishin zbukurimet e  tij të zakonshme. 

Në kohën e pushimit, ai  pëlqente ta mbante kokën të zhveshur. Por, në fushëbetejë, ai ishte i kujdesshëm për të veshur një “shami” me shumë pendë struci, për t`u treguar para ushtarëve të tij, se atje ku është koka e tij, atje do të ishte armiku. Thuhet se kishte diçka të pazakontë dhe të veçantë në fuqinë e Kastriotit. Ai dukej se kishte një natyrë tjetër nga njerëzit e zakonshëm. Ai mund të jetonte ditë të tëra pa ngrënë ose pa pirë…”. 

Lexuesi i librit “Skënderbeut”, i shkruar nga Zannovich, me siguri do të ndjejë krenari edhe kur të lexojë fjalitë e fundit përmbyllëse të këtij libri: “Çfarë lumturie, që nderon reputacionin e një njeriu të madh, që pas tre shekujsh dhe më shumë, shikon sedrën e banorit, turkut udhëtar, të krishterit ose hebreut dhe iu shqipton bekimin e të njohurit, të relikeve dhe mbetjeve të tij të famshme; ata ngrihen, suprizohen, mahniten, mrekullohen me mbetjet e varrit të tij dhe thonë: Këtu pushon Kastrioti, ai, SKËNDERBEU! Sa i shkathët ishte ai! Sa i drejtë ishte ai!…Çfarë modeli për mbretërit! Çfarë angazhimi për atë që është pasardhësi i tij dhe shkrimtari i historisë së tij!

Faleminderit Sokol Demaku për përkthimin dinjitoz që na ke sjellë në shqip, për këtë përkushtim dhe atdhetarizëm të spikatur e frymëzues! 

…………………….
Shënim:

Nga kërkimet që ka bërë përkthyesi, z. Sokol Demaku, për të mësuar diçka më shumë rreth autorit të librit: “I madhi Castriot ME LLAGAP Skënderbeu Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i Epirit”, deri më sot del: Zannovich, Stephan ka lindur në Budva, Shqipëria veneciane, më 18 shkurt 1751 dhe ka vdekur në  Amsterdam, Republika Hollandeze, 25 maj 1786. E kanë quajtur edhe me emrin Hanibal, ishte një shkrimtar i “Letrave Turke”. Ai ka shkruar në italisht, frëngjisht, latinisht, gjermanisht dhe serbisht… Giacomo Casanova e përmend Stefano Zannovich, i cili “bëri një vizitë në Vjenë nën aliat e Princit Castriotto d’Albanie. Nën presionin e autoriteteve, ai u largua në fund të korrikut 1784 “për në Poloni dhe, më vonë për Hollandë (Provincat e Bashkuara). Zannovich ka bërë një punë të madhe dhe me përkushtim rreth Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit kur ishte në Holandë dhe në Gjermani, pasi nxori në dritë librin e tij kushuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Është interesant se si erdhi libri i Zannovich në Suedi, të përkthet nga Anders Zetterberg dhe të botohet në gjuhën suedeze, në vitin 1788, në Stockholm…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Viron Kona

Një libër vezullues në krijimtarinë e Sokol Demakut

September 11, 2021 by s p

Shkruan Viron KONA

Doli nga shtypi libri me i ri i autorit Sokol Demaku, me skica, ese dhe tregime “Skenderdaj i Skenderbeut” botuar nga “Shoiqata Sokol Demaku shtepibotuese” në Borås të Suedisë e shtyåpur në lena Graphick në Prishtinë. Poeti, publicisti dhe përkthyesi i njohur Sokol Demaku shfaqet kësaj here përpara lexuesit me vëllimin artistik me skica, ese dhe tregime të titulluar “Skënderaj i Skënderbeut”. Aty përfshihen 14 krijime me vlera, sa letrare – folklorike, aq edhe atdhetare, frymëzimin e të cilave, ai e ka marrë në trevën e vendlindjes së tij, në Drenicën legjendare dhe te populli i saj i mençur. Krijimet e paraqitura, autori i ka përpunuar mjeshtërisht në imagjinatën e tij krijuese, duke u dhënë atyre origjinalitet, formë të përkryer artistike si dhe vlera përgjithësuese, estetike dhe edukative.

Rrëfime impresionuese që të mbeten thellë në mendje


Ky botim i ri i Sokol Demakut është nga ata libra, që e nis dhe e çon deri në fund pa e ndërprerë leximin dhe, kur mbyll faqen e fundit vihesh në mendime. Shumë gjëra të rëndësishme të kanë mbetur në mendje, ndaj nxitesh nga dëshira ta marrësh përsëri librin në dorë, ta shfletosh, duke rilexuar, herë fragmente të veçanta dhe herë rrëfime të plota të tij.Nis libri me rrëfimin “Shpati”, ku autori zhvillon artistikisht dhe me një vizion disi ndryshe njërën nga legjendat apo rrëfimet popullore të Mujit dhe të Halilit. Duke përdorur një gjuhë plotë gjallëri, stil dhe mjete figurative tërheqëse, z. Demaku, ia arrin të na e sjellë këtë rrëfim me realizëm dhe me origjinalitet, por dhe me bukuri e vlerë, duke e nxitur edhe lexuesin drejt njohjes më të plotë të asaj pasurie të jashtëzakonshme, që përmban brenda tij shpirti dhe folklori i pasur i popullit shqiptar. Lexuesi i ndjen të natyrshme personazhet e rrëfimit për Mujin dhe Halilin, por edhe figurat mitologjike shqiptare të njohura me emrat zana e shtojzovalle, krijesa të padukshme me fuqi të mbinatyrshme, me bukuri të jashtëzakonshme, e që shfaqen shumë rrallë, duke kënduar e duke vallëzuar. Ato i japin fuqi të mbinatyrshme djaloshit malësorë, që ai të kryej vepra të mëdha e të dobishme për popullin. Sokol Demaku ia arrin që, mjeshtërisht, të bëj të njohura vlerat e vendlindjes së tij, Drenicës, duke e veçuar atë si njërën nga trevat më të spikatura e të përmendura në historinë shekullore ilire–arbërore-shqiptare. Aty, në hapësirën e asaj treve, ai hulumton, zbulon e përzgjedh episode dhe ngjarje, të cilat ia ofron lexuesit me freski e bukuri artistike, që të mbetet në mendje. Me kulturën e tij të gjerë z.Demaku bënë të njohura edhe një sërë toponimesh të krahinës, të cilat, duke i zbërthyer e paraqitur artistikisht, por dhe nga pikpamja etimologjike, nxjerr në sipërfaqe atë pasuri shpirtërore shekullore të popullit, atë trashëgimi që vjen nga shekujt, por dhe shfaq mësime dhe mesazhe me shumë vlerë, që i kanë shërbyer këtij populli për të mbijetuar, ashtu dhe për të zhvilluar në çdo situatë jetën dhe veprimtarinë e tij. Në mendjen e lexuesit ndiçohen disa nga vlerat më të vyera shqiptare si: karakteri, ndershmëria, besa, mikpritja, fisnikëria, bujaria, humanizmi etj., që populli shqiptar i ka përcjellë nga njëri brez tek tjetri. Në këtë drejtim, z. Demaku bëhet edhe një shembull për studiuesit, historianët, gjuhëtarët dhe arkeologët, për thellime të mëtejshme studimore e shkencore të toponimeve por dhe të trevave tona ku shpesh herë ngjarje me bukuri të jashtëzakonshme qëndrojnë të fshehura apo “humbasin” në gjirin e këtij populli dhe të kësaj toke të begatë. Duke i ndriçuar toponimet, me të cilat vendlindja e tij Drenica është shumë e pasur, ai zbulon kuptimet e tyre dhe prejardhjen, zbulon përmes tyre episode, histori, ngjarje, origjinën e disa emrave të përveçëm, emra fisesh, emra të mjedisit, të kodrave, maleve, fushave, lumenjve, livadheve, përrenjve, pyjeve, pemëve që shfaqen të thjeshta në dukje, por që në brendësinë e tyre shfaqin një pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore e folklorike. Shkrimtari Demaku, jo vetëm na i paraqet episodet, ndodhitë dhe rrëfimet popullore besueshëm, por edhe krijon te lexuesi vizione të reja, kureshtje për të ditur edhe më shumë për dukuri dhe fenomene të veçanta. Kështu ndodh me rrëfimin “Kodrën e Thatë”, e cila ka atë emër se atje nuk ka ujë, gjithçka është e shkretë, veçanërisht në periudha thatësire vere, kur shterr edhe pika e fundit e ujit në burime. Por, duke u thelluar më tej, ai arrin të zbulojë përse ajo kodër ka pikërisht atë emër dhe përse ka ndodhur që të jetë e atillë. Këtë, shkrimtari na e sjellë në mënyrë tërheqëse, duke na lënë mbresa të pashlyeshme por dhe duke na përfshirë në meditime, teksa na jep natyrshëm dhe si pakuptuar mësime të vlefshme rreth përmbajtjeve të shprehjeve frazeologjike, fjalëve të urta, rrëfimeve të njerëzve të urtë dhe të mençur drenicar, batuta, dialogë, që përdoren, shpesh herë dhe zkonshëm në fjalorin e përditshëm të krahinës së Drenicës. Është e njohur legenda e Bjeshkëve të Nëmura, por në krijimin e z. Demaku lexuesi përjeton një emocion të thellë dhe tronditës, duke përfytyruar deri në detaje elementët letrarë e historikë të legjendës si dhe rrënjët e saj sociale e filozofike. Në këtë atmosferë zgjon emocione të thella, të dhimbshme dhe të paharrueshme drama që rrëfehet për familjen e vogël drenicare, që ka në përbërjen e saj Metin, bashkëshort trim dhe punëtor; Buqen, burrëneshë dhe nënë të dy fëmijëve të vegjël, të cilët, familjarisht, për shkak të mizorisë së sunduesit të egër turk, përjetojnë një tragjedi të rëndë familjare, duke u shuar njëri pas tjetrit. Si në një skenë të dhimshme, përpara lexuesit shfaqen e portretizohen në atë familje fisnike të dy bashkëshortët e përkushtuar dhe me dashuri të madhe për njëri-tjetrin;ata i gëzoheshin rritjes së dy fëmijëve të tyre si pëllumba të bukur. Ndonëse në vështirësi, ata punonin dhe jetonin të lumtur, deri sa një ditë në fshatin e tyre pllakosi barbari mizor turk. Aty nis drama, që hap pas hapi shndërrohet në një tragjedi shqiptare, dhe që në kulmin e saj shfaqet edhe si një përgjithësim i vuajtjeve të mëdha shpirtërore e fizike të popullit shqiptar në shekuj. Buqja, heroina kryesore e rrëfimit, nuk mund të duronte provokimet dhe ngacmimet e ushtarëve osmanë, që për t`u argëtuar dhe poshtëruar një femër, i zënë rrugën dhe përpiqen të abuzojnë me të. Përballë qëndrimit të asaj burrneshe dhe virtyteve e ndershmërisë së femrës shqiptare, turqit e zinj tërhiqen përkohësisht, por nuk heqin dorë nga qëllimi i tyre i ligë. Të nesërmen i zënë pritë të gjithë familjes: Buqes, Metit dhe fëmijëve të tyre të mitur. Kur Meti, bashkëshorti i Buqes, si çdo shqiptar, me karakter të lartë nuk lejon që ata barbarë të abuzojnë me bashkëshorten e tij të shtrenjtë, ata e godasin me hanxharë dhe e lënë për tokë të vdekur. Atëherë, Buqja, kjo burneshë shqiptare, që është njëherazi edhe një Shotë, Tringë, Norë e Kelmenit, gjen fuqi dhe i asgjëson disa nga mizorët osmanë me drapërin e saj dhe mundi të arratiset me të dy fëmijët. Prej atij çasti, nis rrugën një tjetër tragjedi. Buqja kërkon të shpëtojë nga ushtarët turq, veçanërisht të dy fëmijët e mitur. Turqit i janë vënë pas dhe s`i ndahen. Ajo i ngjitet bjeshkëve, që për fatin e keq të të nxehtit, nuk kishte as edhe një pikë ujë. Pas shumë peripecive të udhëtimit dhe ndjekjes që u bëhet nga ushtarët barbarë turq, por edhe për shkak të mungesës së ujit dhe ushqimit, Buqja dhe fëmijët e saj nuk arrinë të mbijetojnë dot…Teksa autori, përmes saj, në kulmin e dhembjes e dëshpërimit duke përjetuar thellë atë dhembje dhe histori tronditëse, gjen rast edhe të shpjegojë përmbajtjen dhe kuptimine emrit Bjeshkët e Nëmura… Interesant është edhe tregimi ”Edhe krojet duhen tharë”, ku tregohet rezistenca e jashtëzakonshme e popullit të Drenicës për t`iu mos i bindur sundimit të Sulltanit. Pushtuesi përdorte të gjitha mënyrat e mundshme ç`njerëzore që populli të pranonte sundimin, por gjithçka ishte e kotë, shqiptarët nuk mund ta pranonin të huajin mbi shpinë, ata më shumë se gjithçka donin lirinë. Përballë kësaj qëndrese, Sulltani dhe pashallarët osmanë vendosën që të shkretonin gjithçka, madje të thanin edhe të gjitha burimet e ujit, që rridhnin në bjeshkët e Drenicës. E, aty, autori në mënyrë mjeshtërore, rrëfen se jo vetëm populli shqiptar, por edhe natyra, edhe gjithçka tjetër shqiptare ishte kundër armiqve dhe pushtuesve të egër e barbarë. Ata, krahas popullit të pamposhtur, nuk i pranonte as toka që u digjej nënë këmbë, as lisat, simbole të fuqisë së atdheut nuk i duronin dot, pasi ata ishin të shenjtë dhe nuk duronin zgjedhën e bajlozëve të zinj. Toka, lisat dhe gjithçka tjetër nuk mund të duronin mizoritë dhe të zezat që ata i bënin popullit dhe, ato, ashtu si dhe njerëzit, hakmerreshin në mënyrën e tyre kundër pushtuesve.


Art dhe histori, mesazhe të vyera artistike


Tregimete z.Demaku, janë të lidhura edhe me emrat e heronjve të vendlindjes, ku, në këtë libër vend kryesor zë figura e heroit legjendar dhe popullor drenicarë Milosh Kopiliqit, i cili me aktin e tij heroik, vrau njërin ndër sulltanët më të fuqishëm të Perandorisë Osmane, Sulltan Muratin I. Ai me një plan të studiuar mirë hyri në çadrën e Sulltan Muratit dhe e la atë të vdekur. Akti i tij trimëror përcillet ndër breza dhe ka hyrë në legjendë. Për të shkruhen libra, bëhen filma, ai është në rrëfimet popullore, në tekstet shkollore, në këngët e popullit,në skica dhe piktura. Akti i tij shquan si një histori rrëfimi heroik e dramatik, që tregon se shqiptari nuk pranon dhe nuk e lejon të huajin në truallin e tij, ai nuk pranon përbuzje, fyerje dhe arogancë. Sulltan Murati I, duke menduar se Milloshi kishte kërkuar që ta takonte, me qëllim që ta uronte për fitoren, duke dashur të tregoj madhështi dhe përbuzje, në vend që t`i jepte dorën trimit shqiptar, i zgjati këmbën që t`ia puthte, pra që trimi të tregonte përulje ndaj sundimit poshtërues e mizor të Sulltanit.Por, Milloshi, i cili e kishte përgatitur aktin e tij trimëror, ato çaste kishte ndjerë t`i rritej edhe më shumë përbuzja dhe zemërimi dhe, me një shpejtësi vetëtimë, kishte nxjerrë thikën e fshehur dhe ia nguli atë Sulltanit m`u në zemër…. Rrëfimi “Hakmarrja” është një përshkrim dhe meditim i autorit rreth krimeve të papërshkrueshme, që bënin ushtarët dhe jeniçerët osmanë në Drenicë, si hakmarrje ndaj aktit liridashës të heroit të madh drenicas Millosh Kopiliqit. Interesant këtu janë përshkrimet e autorit, kur rrëfen sesi shqiptarët detyroheshin të ndërronin fenë, që të mund të shpëtonin jetën dhe pronat e tyre. Po aq me realizëm dhe në mënyrë tërheqëse, autori përshkruan dhe argumenton nëpërmjet toponimeve se Millosh Kopiliqi ishte nga Kopiliqi i Drenicës, dhe, kësisoj studiiuesi dhe shkrimtari Demaku, i kundërvihet opinioneve, tezave dhe përrallave serbe se Milloshi ishte serb dhe jo shqiptar. “Kur fshatarët pyesin njëri-tjetrin se ku do të shkojnë sot për të bluar, ata përgjigjen: -Po ku tjetër more, po në ”Mullinin e Hyskut”(vëllai i Millosh Kopiliqit). Ose, ku ishe sot që herët: ”Po ja, kisha pak punë në mëhallën e Hyskëve”, në “Vreshtat e Miloshit” apo dhe te ”Kisha e Miloshit”. Po kështu, kaq interesant është rrëfimi i mbylljes së vëllait të Milloshit, Hillit, në kalanë e Vushtrisë dhe masat shtrënguese osmane ndaj tij, që ai të ndërronte fenë, se përndryshe, vajzat e tij do t`i çonin nën haremin e Sulltanit, kurse djemtë do t`ia dërgonin ushtarë në shërbim të Perandorisë Osmane.
Rezistenca popullore kundër pushtuesve osmanë, i detyronte shpesh ata, të linin kokat në këto treva. Ky fat ishte edhe për vartësit e tyre të bindur, oficerët dhe ushtarët turq, të cilët, duke mbajtur të rrethuar zona të tëra shqiptare, si për shembull Drenicën, gjenin vdekjen ose nga kryengritjet e trimave të Drenicës, ose nga vetë natyra. Ja sesi e përshkruan autori këtë dukuri: “Jeniçerët dhe ushtarët, që mbanin nën rrethim fushën e Drenicës, ndiheshin të lodhur, të raskapitur, pasi kishin javë që mbanin shpirtin e tyre vetëm me kunguj nga arat e fshatarëve. Flitej, gjithashtu, se shumë prej tyre, ato ditë ishin bërë ushqim për korbat dhe sorrat. Këtë e dëshmojnë edhe shumë topinime, të cilat edhe sot e kësaj dite janë gjallë dhe jetojnë në këto troje heroike si “Lugu i Korbave” apo edhe “Kodra e Kungujve”. Janë toponime që vijnë gojë më gojë që nga ato kohë kur barbarët osmanë vinin si pushtues triumfatorë,por linin eshtrat dhe varret e tyre në këto krahina.
Mjeshtërisht, autori sjellë në vëmendjen e lexuesit edhe luftën për fron e pushtet që bënin sulltanët, perandorët, mbretërit, njerëzit që pushtetin e konsideronin si një post e privilegj të tyre dhe jo si një vend për të drejtuar me ndershmëri jetën e një populli. Kjo luftë për fron e pushtet, jo vetëm ka ngrënë koka njerëzish, por ajo ka krijuar edhe trazira të përgjakëshme mes pasuesve të tyre. Rasti i vrasjes së Jakupit, nga i vëllai tjetër i tij, Bajaziti, e vërteton më së miri këtë luftë dhe konkurrencë barbare e të egër për pushtet, që bëhej veçanërisht në Perandoritë më të fuqishme të kohërave, atë Romake, të Bizantit dhe Perandorisë Osmane.Nga leximi i librit të mbetet në mendje gjithashtu edhe “Tyrbeja e Sulltan Muratit”, ku, autori, me një rrëfim të thjeshtë dhe me një penë të hollë, na tregon se cili është fati dhe fundi i çdo pushtuesi në tokën shqiptare. Sulltan Murati mendoi se korri një fitore të jashtëzakonshme kundër forcave të koalicionit Ballkanik, por ndërkaq pati edhe një fund të palavdishëm, sepse la kokën e tij në atë betejë. Është intrigues ky rrëfim edhe kur lexon se ajo Tyrbe, nga një pjesë e popullësisë, përkujtohej si një vend i shenjtë, mendohej se shkuarja atje të sillte mbarësi dhe të shëronte nga sëmundje të ndryshme. Kurse, në fakt, ajo Tyrbe është thjesht një objekt arkeologjik dhe historik, që, tek e fundit tregon se aty u zhvillua një betejë për jetë a vdekje.
Fakte historike që nuk i kemi njohur më parë
Duke i analizuar toponimet, por edhe duke shfrytëzuar dijet e tij të thella si rezultat i leximeve të dokumenteve të vjetra, z. Demaku na sjellë artistikisht por dhe të mbështetur me fakte historike ndalesën e Gjergj Kastriotit në Drenicë, bashkëbisedat me banorët, me fshatarët e zonës dhe prijësat shqiptarë, dhe, këtu, autori gjen rastin të shpjegojë edhe etimologjinë e emrit të qytezës Skënderaj të Drenicës, duke shpjeguar se Skënderaj është emri i Skënder-beut, emër që, siç del në libër, është venë nga vetë heroi ynë kombëtar gjatë mikpritjes që ai përjetoi në atë zonë, së bashku me 300 kalorësit e tij kur vinte nga beteja e Nishit dhe shkonte me shpejtësi drejt Krujës për të ngritur atje flamurin me shqiponjën me dy krerë. Me përshkrimin mjeshtëror të rrugëtimit të Kryetrimit tonë legjendar, autori Demaku rrëfen artistikisht gjurmët e marshimit të tij, që sot, duke qenë pjesë e legjendave skënderbejane, përmenden me nderim dhe natyrshmëri nga populli, madje edhe nëpërmjet toponimeve, që shquhen sot në Drenicë si “Kroi i Mbretit – Kroi i Skënderbeut” etj….Libri ka një mbyllje dinjitoze me përshkrimin që i bënë shkrimtari Demaku jehonës së madhe që pati ardhja e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut si një udhëheqës shpëtimtarë nga zgjedha e rëndë e Turqisë. “Sikur edhe në Skënderaj, që kishte mbajtur bisedë më banorët e atjeshëm, por edhe me krerët e vendit, edhe në Dibër me të arritur Skënderbeu ishin mbledhur krerët e këtyre trojeve në një Kuvend…Lajmi mori dhenë si rrufeja… Nga të gjitha anët, në agimin e ditës së re, njerëzit zbritnin nga të gjitha anët për të takuar dhe biseduar me Princin e tyre. Njerëzve u rridhnin lotë të ngrohtë gëzimi, shumkush i përkdhelte faqet, mjekrrën, kokën, këmbët, i puthinin duart dhe i dhuronin përqafime të panumërta. Të gëzuar pa masë i flisnin Kryetrimit për jetën, vuajtjet, atdheun, punën, familjet, fëmijët e tyre, për besimin në vetvete dhe vazhdimësinë e pandalshme të jetës në trojet arbërore… Po binin kambanat e lirisë për popullit shqiptar…
Urime poetit, shkrimtarit, publicistit dhe përkthyesit Sokol Demaku, i cili me këtë libër, pasuron më tej jo vetëm krijimtarinë e tij të vyer e shumëplanëshe, por përcjellë për lexuesit e të gjitha moshave mesazhe të rëndësishme e me rrezatim të gjerë, ku spikatin me bukuri të veçantë artistike vlera si: humanizmi, liria, pavarësia, por edhe dëshirat për zhvillime të reja shoqërore, kulturore dhe atdhetare…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Sokol Demaku, Viron Kona

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT