• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESA E NJЁ DJALI ЁSHTЁ NЁ NATЁ

July 3, 2018 by dgreca

Sebastiano Grasso1 eugenio1nga Sebastiano Grasso/

Visar-Atjon-300x164

Gjatё Meshёs sё Papa Françeskut nё Vatikan – 5 qershor 2016 – poeti shqiptar Visar Zhiti shkon nё kёrkim tё “pёllumbit tё bardhё” tё fёmijёrisё sё birit Atjon. I kthyer nё Tiranё nga Milano pёr pushimet e Krishtlinjes, Atjoni nё njё aksident me motor ndërron jetë. Ёshtё 19 vjeç dhe studjon nё Universitetin Katolik. Rreth orёs pesё e ëma Eda telefonon nё Milano: “Atjoni… jo, jo…”. “Je e sigurtё? Do tё jetё duke fjetur. Do tё shohёsh se do tё mjaftojё njё pёrkёdheli pёr ta zgjuar”, i pёrgjigjen.

Sapo kishte hyrё nё vitin e dytё tё Filozofisё, pёrveçse shkrues esesh politike (mbi pёrmbajtjen e disa diskutimeve jo nё dobi tё qeverisё, ndokush shtrembёronte buzёt me qё i ati atёherё ishte ministёr i Kulturёs), Atjoni ishte edhe piktor. por “miqtё e çizmes”* do ta zbulojnё vetёm gjatё funeralit.

Pikёrisht njё vizatim të Atjonit mban edhe ballina e librit “Nata ёshtё atdheu im”, përmbledhja më e re me vargje e Visar Zitit, (Botimet “Pazzini”, 100 f. euro – 12), pёrkthyer nga Elio Miracco; me parathёnie nga Ennio Grassi. “Po ku ёshtё pёllumbi yt, Bir,/ pёllumbi i bardhё i fёminisё tёnde?” ngulmon poeti. “E nuk doje tё rriteshe,/ se ashtu as pёllumbat/ nuk trёmbeshin prej teje…”

Kaloi pothuaj njё vit e gjysmё nga ikja e Atjonit në Qiell dhe Visari – mbasi la detyrёn e ministrit tё Kulturёs nё Shqipёri dhe shkon  si ambasador pranё Selisё sё Shenjtё – vëzhgon pёrqark nё kёrkim tё çfardo shenji tё pranisё sё djalit. Shenja qё mundohet t’i gjejё dhe në natё: poeti arrin ose beson se mund ta bёjё, të lexojë madje dhe terrin. Si nё njё partiturё, libri nis me njё lentissimo (Marr dorёn e butё tё kёsaj mbrёmjeje,/ e ledhatoj, pastaj e hap pёr tё parё fatin”), pёr tё ndryshuar kohёn nё njё stringendo/ (“Do tё doja qё shpirti im/ tё dilte nga kraharori e tё vinte te ju/ si njё pelerinё e padukshme t’ju mbёshtillte,/ ku pёrsipёr tё ndiheshin fjalёt e mia/ si njё shi i magjepsur.”), pёr t’u mbyllur me njё doppio movimento (“E gjithё kjo ditё vetёm pёr tё kujtuar…/ Por tmerri ёshtё mё i madh, nuk e nxё kjo ditё,/ del pёrtej [….] Po unё dua ditёn time tё harresёs…/ “Si penё qё do tё doja tё shkruaj u bё lamtumira,/si çelёs i shtёpisё tёnde qoftё ora e kthimit,/ e ke varur nё qafё si njё fёmijё, / qё mos tё tё humbё gjatё lojёs, se e gjithё lojё qenkёrka, Bir.”)

Na vijnё nё mёndje dy poetё tё tjerё, tё goditur nё tё njёjtёn mёnyrё: Giosuè Carducci (Rima tё rejapёr Danten, tre vjeç) dhe Giuseppe Ungaretti (Dhimbja pёr Antonetto-n, nёntё).

E, nё tё njёjtёn kohё – na vjen të ripёrshkojmë biografinё e Visar Zhitit – njё histori dramatike, por me njё fund tё gёzueshëm. Se në fakt poeti, i burgosur pёr njё pёrmbledhje poezish Rapsodia e jetёs sё trёndafilёve– si i ati, aktor teatri e komediograf – mbas tetё vitesh burgimi nё kampet e punёs (miniera bakri e fabrika tullash), me rёnien e diktaturёs komuniste, rifitoi lirinё. Pastaj boton nja dhjetё libra (poezi, narrativё dhe eseistikё), duke u konsideruar si një lloj Ismail Kadareje tjetër, zgjidhet deputet nё Parlamentin shqiptar, kalon në karrierёn diplomatike (Itali, Shteti i Vatikanit, tani nё ambasadё në Washington) deri më tani . Por gjithshka shëmbet me ikjen e birit tё vetёm.

Po gjurma qё lë poeti me penёn e tij, zgjat njё stinё (si ajo mbi dёborё) e me kalimin e kohёs shkrihet nё kujtime ose shenjohet pёrjetё? Këtë pyetje të Anila K. zbulojmë se Visar Zhiti ia lë përgjigjen së ardhmes.

Marrё nga “Corriere della Sera”, 19 Qershor 2018

E pёrktheu nga italishtja Eugjen Merlika

         ______________

*) Miqtë e çizmes ka kupimin e miqve të ngushtë, që janë bashkë si dhuratat që futen në çizmen e festës së Epifanisë (shën. përkthyesit)

 *** 

VAZHDIMI IM PËR DY POETËT

1-Eugjen-Merlika-225x300-1

 Nga Eugjen Merlika

Sebastiano Grasso është poet dhe gazetar i njohur italian, kritik arti në gazetën më të madhe “Corriere della Sera”, ndërkohë dhe President i PEN Clubit italian që nga viti 2007, pas shkrimtarëve të njohur botërorë si Alberto Moravia, Mario Luzi, etj.

Ai u laureua për Letërsi Moderne në Modena, Siçili, nga dhe është dhe vetë, por që nga viti 1971 jeton në Milano.                                                                         Përveç disa librave me përkthime nga frengjishtja dhe spanjishtja, herët ka botuar përmbledhjet me vargje “Orizzonti lontani” (“Horizonte të largëta”), “Plaquette” (“Plaquette”), “Poesie fuori stagione” (“Poezi jashtë stine”), “Il giuoco della memoria” (“Loja e kujtesës”), “Pour Marie-Hélène” (“Për Marie-Helenën”), “Il poeta e il fantasma”(“Poeti dhe fantazma”).

Dhe pas një heshtje që zgjati 20 vjet, pati një shpërthim të ri dhe boton rresht librat e tij me poezi dashurie dhe përkthehet në shumë gjuhë, në Spanjë me parathënien e nobelistit José Saramago, në Rusi me të poetit Evgjeni Jevtueshenko, në Siri me të Adonisit, poetit më të madh arab sot, në Poloni, në Suedi me hyrje nga poeti Jesper Svenbro, antar i akademisë suedeze (që jep dhe çmimin “Nobel”), etj.

Ndërkaq ai ka marë disa çmime letrare si “LericiPea” (së bashku me amerikanin e  “Beat generation”, Lawrence Ferlinghetti, që më pas po ky çmim do t’i jepej dhe Ismail Kadaresë.                                                                                          Një nga librat e tij të fundit, “Tu, in agguato sotto le palpebre” (“Ti, në grackën nën qepalla”), botuar në Itali më 2009, u përkthye dhe në gjuhën shqipe  dhe u botua në 2011 nga “Uegen” në Tiranë dhe u nderua në Tetovë në 2014 me çmimin “Naim Frashëri në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë. Si përkthyes në këtë takim kishte marë studentin Atjon Zhiti.

Visar Zhiti, mbas tragjedisë me të birin e vetëm, Atjonin, student i ndritur i Universitetit Katolik tё Milanos, e tejkaloi heshtjen letrare me botime që lidheshin me djalin e tij duke sjellë ndjesi aq sa intime, po aq dhe përgjithësuese. Së fundmi në Itali iu botua pёrmbledhja me poezi, “Nata ёshtё atdheu im”. Titulli ёshtё simbolik dhe tronditës njëherësh dhe zbulon procesin e brёndshёm shpirtёror tejet tё vёshtirё tё poetit nё kёta vite. Janё vite tё njё pёshtjellimi shpirtёror krejtёsisht tё pazakontё, tё pakrahasueshme as me periudhёn e zezё tё arrestimit e të burgimit tё gjatё tё shkrimtarit nё kohёn e diktaturёs.

Po kështu dhe për bashkёshorten e tij, Edën, ka qёnё njё pёrmbysje me rropamё e njё bote qё ishte ndёrtuar, duke patur si ëndërr rritjen dhe brumosjen e atij djali të jashtazakonshëm, shpalosjen e dhuntive të tij për një të ardhme më të bukur.

Zakonisht tё tilla gjёndje shpirtёrore, mbas cunamit tё dёshpёrimit, rrisin vepra tё mёdha, do tё thosha tё jashtzakonёshme nё gjinitё e tyre. Mendoj se njё e tillё ёshtё kjo pёrmbledhje e vogёl poezish, qё kanё nё qendёr tё tyre Qiellin, yllësitë, hapёsirёn e pafund tё kёrkimit tё njё shenje tё prekshme vazhdimёsie tё jetёs së përtejme. Nuk ёshtё njё kёrkim, frut i dёshpёrimit asgjёsues, por i njё bindjeje tё rrёnjosur tashmё nga metamorfoza shpirtёrore e autorit qё ndjen “Njё dhёmbje… si ajo nё trupin / e sё Shenjtёs Mari, / kur po lindёte Jezusin./ Dhe unё jam pёrballё kёsaj dhёmbjeje / si njё tjetёr kryq i gjallё, / teksa muzgu pёshpёrit: Bir!”.

Autori e ka gjetur tё vёrtetёn e amshuar e ngushëllohet me ngjajshmёrinё e dhimbjeve me ato tё Shёn Mёrisё para Kryqit me Birin e saj, qё ёshtё pёrmbledhja mё e pёrkryer e dhimbjes njerёzore e hyjnore. Por dhimbja e tij nuk mbetet nё kornizёn e tragjedisё familjare, ajo i kalon caqet e kataklizmёs vetiake, e si shprehje e misionit tё pёrhershёm qytetar tё artistit, rrok problemet e pёrjetёshme, por veçanёrisht tё kohёs sё tij, nё tё cilёn poeti pohon: “Po ecёn historia, jo kundёrhistoria si pёrbindёsh!”

Fakti qё poeti kthehet, pëveç të tjerash dhe nё misionin e tij historik tё padisё tё sё keqes njerёzore, nё tё gjitha shfaqjet e saj, qё e hedh vёshtrimin rreth e pёrqark globit, na forcon idenё se roli i tij vazhdon tё jetё i njё rёndёsie tё dorёs sё parё, se prej tij, mund e duhet tё presim tё tjera kryevepra.       

Fakti qё gazeta mё e njohur e Italisё, njё Vend qё e njeh mirё shkrimtarin tonё, nёpёrmjet botimit tё veprave tё tij si nё poezi ashtu edhe nё prozё, nxjerr njё shkrim tё kritikut tё saj letrar, Sebastiano Grasso, kushtuar librit tё fundit tё Visar Zhitit, ёshtё njё sukses i padiskutueshёm e shumё fjalёmirё jo vetёm pёr Visarin tonë, tashmё t’afirmuar plotёsisht nё panoramёn letrare, jo vetëm shqiptare, por edhe më gjerë, por pёr gjithё letёrsinё tonё.

Dëshirojmё me gjithё zemёr qё Visar Zhiti, i cili pёrbёn njё krenari tё kulturёs e tё kombit tonё, tё vazhdojё tё ecё nё rrugёn e tij krijuese, duke na dhёnё vepra, pёr tё cilat kemi ende shumё nevojё si shoqёri e si komb.   

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugen Merlika, Sebastiano Grasso, Visar & Atjon Zhiti

“VALIXHJA E SHQYER”, ATË E BIR NË NJË LIBËR

August 30, 2016 by dgreca

 – tregime nga Visar  Zhiti me vizatime nga Atjon Zhiti -/….LIBRI SHPERNDAHET SOT, NE DITELINDJEN E ATJONIT, QE SOT DO TE ISHTE 21 VJEC….

Ballina e Valixhes se shqyer“Valixhja e shqyer” është libri më i fundit i shkrimtarit Visar Zhiti, tregime të shoqëruara me vizatime nga Atjon Zhiti, atë e bir së bashku, botim i porsa dalë nga shtëpa botuese “OMSCA-1”.                                                                                                     I veçantë dhe tërheqës për përmbajtjen dhe “historinë” e vet, album bardhë-e-zi ndërkohë, një mpleksje moderne, që përçon ndër të tjera kumtet dhe emocionet e bashkëpunimit dhe të dashurisë mes brezave.                             Gjuha metaforike e Zhiti që shkruan, me gjuhën metaforike të Zhitit junior që vizaton, harmonia e fjalës me linjën, e ritmit me hijen, një risi, një puzzle artistik jete senërtohen begatshëm nën një kopertinë domethënëse dhe të bukur si me shi yjesh.

NË KOPERTINË E PASME lexojmë:

“Valixhja e shqyer” është një libër për të gjithë, i lexuesit pa moshë ose i çdo moshe, pra ka arritur më të vështirën, ndërkaq personazhet e tij më së shumti janë fëmijë e të rinj dhe lexuesi i parë sigurisht janë “ata që rriten”, teksa diçka mbetet e njëjtë e misterioze.

Pikërisht këtë sjell dhe ky libër, ku, ndër të tjera, përziehen fantastikja e reales me lojën, ringjallje statujash e rrëfime gjallesash që nuk flasin, amfiteatro qiellorë me kërshërinë e së përditshmes, modernizime të legjendës shqiptare e origjinalitet i spikatur.

Sinqeriteti dhe humori, poezia dhe trishtimi janë ‘princërore’, aq sa duket se kemi të bëjmë me një libër ‘princ’ si te Oscar Wilde e Antoine de Saint-Exupéry, por të mjediseve tona.

“Valixhja e shqyer” nis me një ese, që ndërpritet, për të vazhduar si mbyllje tronditëse e librit, i cili mbart copëza kohe të një jete, që nga fillesat e saj shkrimore e deri më tani, i shoqëruar me vizatime të djalit të autorit, Atjoni, që është dhe personazh në 19 rrëfimet që përfshihen këtu, aq sa dhe mosha e tij.

Prandaj dhe u rishkrua ky libër për të qenë i tillë, fëminor deri në trill, me urtësinë e të mëdhenjve, magjepsës gjithsesi.

FATI I LIBRIT:

      “Valixhja e shqyer” ka brenda dhe “historinë” e pazakontë të këtij libri, ku gjejmë dhe parathënien-dëshmi të shkrimtarit të njohur, Bashkim Shehu, i cili ndër të tjera rrëfen:“Një ditë, vite e vite më parë, po ky libër, i saposhkruar nga Visari, m’u dha nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” për t’u recensuar, siç ishte rregulli asokohe… Por libri nuk u botua, ngaqë Visarin ndërkaq e futën në burg…

Sidoqoftë, një nga kopjet e dorëshkrimit të këtij libri mbeti tek unë. Vazhdova ta ruaja, duke e mbajtur të fshehur diku. E ruajta deri në ditën kur babai im, ndonëse me pozitë të lartë në pushtetin e asaj kohe, u shpall… armik. Meqenëse prisja kontroll nga sigurimi, dorëshkrimin e Visarit e dogja, duke menduar se ruajtja e tij tash e mbrapa do të kishte qenë e rrezikshme për të dy.

Por, ashtu si çdo përrallë, edhe kjo mbaron mirë, për Visarin e për mua, që jetojmë të lirë dhe, gjithashtu për këtë libër, i cili, sidoqoftë, nuk humbi.”  

Vërtet është një libër “që nuk humb”, që e përtërin dhe pasuron arkitekturën e vetvetes, rrëfime të reja dhe imazhe të reja, që krahas aventurës së krijimit, ka dhe aventurën e mbijetesës, tipike kjo për shkrimtarin Visar Zhiti.                                                                                                        Ai në fund të esesë së tij për “Valixhen e shqyer” si fati shpjegon:

“E nisa në Shkodër, student, e vazhdova në Lushnjë, ku banoja, pastaj në fshatrat e Kukësit, ku më çuan mësues, më priti nën tokë, derisa dola nga burgu, e rishkrova në Tiranë, u botua dhe e rishkrova të gjithin edhe një herë në Romë. Është po ai dhe i ri njëkohësisht…. Libër që më ka ndjekur gjithë jetën…”

Vizatimet e freskëta, që mbartin dhe ato “rrëfimin” e tyre të pavarur, duke iu bashkuar tregimeve që “vizatojnë” pjesë jete e kanë fill lidhës mes tyre si krerët e një romani, zbulojmë se dy fëmini e dy adoleshenca japin dhe marrin në mënyrë të ndërsjelltë në dy kohë, në dy gjini arti, ndërkaq duket sikur të shkuarës i është hijezuar e ardhmja, përvojës i është shtuar ngazëllimi, lojës mënçuria, me një horizont fantastik pritjeje dhe dy autorët shkrihen në një, si në përqafimin e tyre babai me djalin.

Një vlerë të re, një ngjarje mes ngjarjeve kulturore do ta quanim librin “Valixhja e shqyer”, të cilin Shtëpia Botuese “OMSCA-1” e shpërndan sot, në ditën kur Atjon Zhiti do të mbushte 21 vjeç, dhuratë që besojmë se do ta gëzojë dhe në Qiell. Ndërkaq kjo është dhe dhurata që i japet lexuesit dhe artdashësve, një trini moderne e atit dhe e birit dhe e shpirtit të tyre në një vepër.

KANË THËNË

për Visarin shkrimtar:

Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit mbase pasqyron më mirë historinë e kombit të tij…                                                                                                                                      Robert Elsie

…ai është Shkrimtar nga ata që ka fare pak, nga ata që fjalën e kanë krah, fluturojnë me të në ferr e parajsë, pa u tretur nga flakët, pa u verbuar nga drita.

Marisa Kërbizi

…ka forcën t’ia ndryshojë lexuesit vizionin për botën…

Kevin Higgins

për Atjonin piktor:

Atjoni i vogël e ka kuptuar dhe vizatimi i tij është një “strategji politike” e madhe, shumë më serioze dhe konkrete se ato të udhëhequra me forcën e armëve.

Giampaolo Mattei

Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar.

Gëzim Qendro

Kapja e universit në të gjitha dimensionet. Kjo është fabula e pikturës së tij. I mbërthyer nga ky detaj artistik… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…

Gëzim Tafa

_________________

         Përgatiti “Botuesi”

Filed Under: Featured, LETERSI Tagged With: “VALIXHJA E SHQYER”, ATË E BIR, NË NJË LIBËR, Visar & Atjon Zhiti

Artikujt e fundit

  • “Eposi i Kreshnikëve” dhe një përkujtim për Prof. Arshi Pipën e Prof. Stavro Skendin
  • “Columbia University Albanian Society,” organizon ekspozitën muzeale “Fëmijët e së Nesërmes”
  • VATRA VIZITOI “ZËRIN E AMERIKËS”
  • Mary Camaj: Celebrating Albanian Heritage through Dance and Advocacy
  • KRESHNIKË, LEGJENDA DHE MUZIKË…
  • TRAZIRA GJEOPOLITIKE ME TRYSNI BËRTHAMORE
  • VATRA U TAKUA ME KRYETARIN E PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Natyra dhe ne
  • TE VATRA SONTE NE ORA 6.30 PM, PROF.DR. ZYMER NEZIRI MBAN LIGJËRATË RRETH EPOSIT TE KRESHNIKEVE
  • “Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999”
  • Bektashizmi në Shqipëri dhe roli i tij në përhapjen e shkollave shqipe
  • Kryetari Glauk Konjufca në Samitin për Demokraci: Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm
  • Artisti shqiptar, Alfred Mirashi – Miloti, vendos në Piazza Mercato, Napoli, skulpturën monumentale “Çelësi i së sotmes”
  • VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS NË PROMOVIMIN E LIBRIT: “FËMIJËT SHQIPTARË NË KOSOVË-VIKTIMA TË GJENOCIDIT SHTETËROR TË SERBISË”
  • Për herë të parë në Amerikë, ribotohet “Albumi” i Fan Nolit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT