Shkruan: Hazir Mehmeti, Vjenë/
Prof.Dr.Musa Ahmeti: “ … hungarezët ishin në anën e shqiptarëve si gjatë luftërave ….njëra nga 64 katedrat e gjuhëve të huaja… Asnjëherë nuk është plotësuar numri i kërkuar i studentëve…”/
Lajmi, se para pak vjetëve ishte hapur Katedra e Albanologjisë në Budapest, na bënte kureshtar të takoheshim me njerëzit e saj të cilët na kishin ftuar muaj më parë në një mbrëmje letrare prezantuese. E dinim se dikur Katedra e Albanologjisë ishte në Vjenën e Norbert Joklit e Dr.Gjergj Pekmezit si themelues i saj e cila nuk ekziston më. Dhe, ja fatbardhësisht, Budapesti u kujdes në mundësinë për të studiuar gjuhën shqipe krahas dhjetëra gjuhëve që mësohen aty. Që në hapat e parë u ndeshëm me mikpritjen e përzemërt vëllazërore. Drejtoresha e saj Dr.Etleva Lala dhe Dr.Musa Ahmeti, profesor, krahas angazhimeve të tyre, kishin organizuar promovim të një vepre letrare me autor shqiptar i cili jeton e vepron në Hungari. Pas gjithë përjetimeve të këndshme nga forca e fjalës së një vepre të re, organizuam një bisedë me Prof. Dr .Musa Ahmetin, ligjërues.
Pyetje: Z.Profesor, çka mund të na thoni rreth Katedrës së Albanologjisë këtu në Budapest?
Dr.Musa Ahmeti: “Katedra e Albanologjisë ose më saktë “Programi i Studimeve Shqiptare” është themeluar në vitin 2012 nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me qeverinë hungareze, marrëveshje që e firmosën të dy kryeministrat dhe ministrat e kulturës. Pra, katedra jonë është pranë Universitetit Shtetëror të Budapestit dhe është njëra nga 64 katedrat e gjuhëve të huaja pran UN. Në fillim kishim numër të kufizuar studentesh, ndërsa ligji hungarez lejon 15 studentë për një departament. Ne jemi departament dhe momentalisht nuk jemi të akredituar, e presim që vitin tjetër të akreditohemi, atëherë do kemi mundësi të rrisim numrin e studentëve nga 15 në 30 student. Për momentin ne kemi më shumë kërkesa se sa ato që mund të ofrojmë. Ne jemi të gatshëm që edhe të tjerëve t’ju ofrojmë shërbime tona nga shkenca e albanologjisë, nga fusha e historisë kombëtare, etnologjisë, etnografisë, përditshmërisë dhe trashëgimisë kulturore. Si rezultat i punës konkrete, ne kemi 5 student të cilët janë në vitin e dytë të studimeve dhe kanë filluar të përkthejnë në hungarisht dhe e kundërta, nga hungarishtja në shqip. Njëri nga ata është edhe Robert Markus, i cili po e përkthen “Kanunin” e Lekë Dukagjinit në hungarisht, punë aspak e lehtë kur dihet shkrimi i tij në dialektin gegërisht. Është duke u përkthyer gjithashtu “Darka e Gabuar” e Ismail Kadares si dhe disa tregime. Janë përkthyer nga Katedra jonë poezitë e Prof.Sali Bashotës në hungarisht. Përkthimet do vazhdohen për sjellën e vlerave më të arrira nga autorë shqiptarë në prozë e poezi në gjuhën hungareze. Qëllimi ynë i vazhdueshëm është avancimi i kontakteve me organet përkatëse hungareze, në radhë të parë, për të qenë një urë lidhëse bashkëpunimi me institucionet përkatëse në Shqipëri dhe Kosovë”
Pyetje: Z.Profesor, Si është struktura e studentëve tuaj?
Dr.Musa Ahmeti:”Struktura e studentëve është nga kombe të ndryshme përveç asaj hungareze kemi student e gjithë globi bie fjala nga Argjentina, Brazili etj.
Një e veçantë programit tonë është se ne jemi të akredituar pranë programe ErasmusMundus dhe studentet certifikohen për pikë dhe vlerësime të mëtutjeshme nga UN nga ata vijnë. Kjo për studentët me gradë magjistër shkencave dhe doktor shkence PSD
Pyetje: Si janë rrethanat në shkëmbimet ndër shkencorë, ndërkulturore në mes Institucioneve shqiptare, kur dihet se shkencëtarët hungarez kanë kontribuar në gjuhësinë, historiografinë shqiptare? Ku jemi ne raport me hungarezet?
Dr.Musa Ahmeti: “ Një pyetje me shumë interes. Vet hapja e Programeve të Studimeve Shqiptare, e mbështetur nga shteti hungarez, nga politika zyrtare aktuale, është shenjë që hungarezët kanë një respekt dhe interes të veçantë për albanologjinë në përgjithësi si gjuhë. Studimet albanologjike në Hungari janë të kamotshme dhe të dokumentuara që nga shek. i 11-të. Unë jam medievist që do të thotë specialist i studimeve të mesjetës. Në arkivat hungareze ne kemi bërë hulumtime të vazhdueshme që nga viti 2008, kur jemi vendosur këtu, rezultatet janë fascinuese, ka një dokumentacion të jashtëzakonshëm mbi raportet hungareze-shqiptare, për raportet e fisnikëve shqiptarë me ata hungarez. Këto raporte janë të pa prekura dhe të pa studiuara. Bie fjala është letërkëmbimi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me Janosh Huniadin dhe disa gjëra të cilat nuk janë të botuara dhe presin fatkeqësisht akoma studiues, presin kohë dhe kërkojnë hulumtues me përgatitje të lartë profesionale nga poleografitë e kohës. Nga koha e mëvonshme në njërën nga bibliotekat kombëtare të Hungarisë e quajtur Seçeni, ruhen dorëshkrime origjinale të Shuflajt që kanë të bëjnë me shqiptarët, ruhet letërkëmbimi i Shuflajt-Taloci, ruhet letërkëmbimi Nopça me të tjerët e shumë tjera. Gjëra këto që janë të pa çmueshme për kohën. Ato tregojnë në mënyrë të veçantë një pasuri kombëtare të shqiptarëve të cilat studiues hungarez e kanë studiuar, mbledhur dhe ruhet e pa botuar. Interesimi i hungarezëve nuk është i pabazë për albanologjinë dhe shqiptarët. Dihet historikisht që hungarezët ishin në anën e shqiptarëve si gjatë luftërave, pushtimit turk dhe më vonë. Hungaria është njëra ndër tre vendet e para që ka njohur Kosovën. Problemi i kohëve të fundit me emigrantët është shumë i dhimbshëm, mirëpo e vërteta është prapë shumë e dhimbshme. Cilido shtet i cili do pranonte më shumë se 20 mijë refugjatë të pa planifikuar, të pa përgatitur, trajtimi nuk do ishte ndryshe nga ai që ishte në Hungari. Nuk dal në mbrojte se Hungaria është sjell në mënyrë korrekte, përkundrazi. Hungarezë po ofrojnë mundësi të ndryshme, janë të gatshëm t’i mbështesin në fushën e kulturës. Ata hapen Katedrën e Albanologjisë dhe janë në gjendje të hapin katedrën e hungarishtes në Tiranë dhe Prishtinë. Për fat të keq, edhe pse ish Ministrit të Diasporës, z.Ibrahim Makolli iu kërkua zyrtarisht, nuk u bë ndonjë veprim. Ju kërkua zyrtarisht Ministrit të Arsimit të Shqipërisë, duke e mbështetur plotësisht procedurat e duhura, por prapë konkretisht nuk doli gjë.
Në Kosovë tek vendi Kroni i Mbretit në vitin 1448 është zhvilluar beteja ku ka qenë Janosh Huniadi i cili del humbës. Lidhur me këtë është një iniciativë nga dy Institutet, të Albanologjisë dhe Historisë, Qendrës së Studimeve Shqiptare nga Tirana, që në atë vend të ngritët një Obelisk, nën mbështetjen hungareze. Rreth kësaj beteje do organizohet me 16 tetor një konferencë shkencor dyditore ku do marrin pjesë 22 studiues nga tërë bota. E veçanta është se tek hungarezet ka zgjuar një interesim ajo se banorët vendor të asaj ane, të njohur për traditën e mikpritjes, të ndershëm e besnik, të fjalës, ata morën dhe shëruan të gjithë të plagosurit hungarez, i varrosen të gjithë ushtarët e rënë hungarez.. Ato varre nga vendoret njihen si “Varret e të Huajve”.
Pyetje: Ka student shqiptarë në Universitet e Budapestit, keni ndonjë të dhënë?
Dr.Musa Ahmeti: “ Ka student nga trevat shqiptare në dy nivelet shkencore, në magjistraturë dhe doktoratë, ata janë studiues, pasi ata kanë mbaruar universitetin dhe tani janë në UN e Europës Qendrore në Budapest, ku çdo vit regjistrohen nga 5 student nga Kosova, 10 student nga Shqipëria, 4 nga Maqedonia dhe 2 studentë shqiptarë Mali i Zi dhe një student nga Presheva. Studimet janë në gjuhën angleze. UN i heq të gjitha shpenzimet. Mirëpo, problemi është se ne nuk kemi student nga trevat shqiptare të përgatitur që të studiojnë në anglisht. Asnjëherë nuk është plotësuar numri i kërkuar, kështu që këtë vit kemi vetëm një student nga Kosova dhe tre nga Shqipëria, kur dihet se u hiqen të gjitha shpenzimet, udhëtimi, vendosja në hotel me pesë yje dhe një para dite xhepi prej 400 Eu. Kurse për doktoratë u heqin të gjitha shpenzimet dhe u jepet një pagë prej 980 Eu. dhe kjo vetëm për studentët shqiptarë nga viset shqiptare.
Pyetje: Keni kontakte me strukturat e universiteteve shqiptare lidhur me sqarimin dhe informimin e gjithë këtyre mundësive, shfrytëzimin e tyre nga studiuesit tanë?
Ne kemi bërë kërkesë zyrtare UN Shtetëror të Prishtinës, unë personalisht, Prodekanes për Marrëdhëniet Ndërkombëtare zj.Edita Tahiri-Aliu. Sot e kësaj dite nuk kemi marr asnjë përgjigje konkrete dhe nuk kemi marr numër studentesh. Me ish Ministrin e Arsimit z.Ramë Buja, çdo vit i kemi dërguar kërkesë në formë të shkruar se UN me të cilin bashkëpunojmë, dhe UN Corvinus janë të gatshëm të pranojnë me këto kushte student nga trevat shqiptare. Studentet e përgatitur në UN e Prishtinës dhe UN e Tiranës nuk e kanë nivelin e mundësinë që në mënyrë të pavarur të botojnë, e them me keqardhje. Këtu ne iu ofrojmë mundësi të botimit në revista punimet e tyre shkencore të cilat i kanë bërë së bashku me pedagogët e tyre. Kërkime arkivore të formave të ndryshme.
Faleminderit, z. Profesor! Ishte kënaqësi.
Dr.Musa Ahmeti: Ju lutem, dhe unë ju falënderoj.
***
Prof.Dr. Musa Ahmeti u lind në fshatin Ponoshec. Shkollimin fillestar e kreu në vendlindje, gjimnazin në Gjakovë, kurse studimet në Prishtinë. Kreu specializime në Zagreb, Barcelonë, Vjenë, Athinë dhe në Moskë. Në vitin 1996 doktoron për periudhën e Mesjetës si specialist i paleografisë latine, greke dhe sllavo-mesjetare. Punoi në UN e Zagrebit. Kryen habitacionin në arkivin e Vatikanit dhe Parisit. Tani është ligjërues në UN-ELTE të Budapestit.
Mbrëmje kushtuar gjeniut Karl Gega
Shkruan: Hazir MEHMETI, Vjenë/
Organizua nga Shoqata Mbarëkombëtare e Gjeodetëve Shqiptarë “Karl Gega”, në St.Pölten u mbajt mbrëmje kushtuar gjeniut austriak me origjinë shqiptare, Karl Gega. Krahas përkrahjes nga autoritet vendor manifestimin e ndihmoi edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri. Që në nisjen e trenit nga Vjena për në qytetin e bukur të St.Pöltenit të kujtonte gjeniun me rrënjë shqiptare me pavdekësinë e veprës së tij madhore, ku ndër të shkëlqyerat mbeti hekurudha me urën madhështore të Semeringut e cila pushtoj lartësitë e maleve drejt Adriatikut. Ishte kjo një mrekulli kohe dhe sot krenari e zhvillimit njerëzor në gjithë globin. Salla në biblioteka moderne të qytetit me treqind e gjashtëdhjetë mijë tituj librash ishte e mbushur përplot vendor e mërgimtarë shqiptarë e nga kombe tjera. Tubimin e hapi Dr.Willibald Rosner, drejtor aktivi të qytetit. “Carl Ritter Von Ghega ka rrënjë shqiptare, u lind në Venedik si pjesë e bregdetit Mesdhetar, hapësirë me një kulturë të lartë e të zhvilluar. Nga Venediku e vazhdoi jetën dhe veprën e tij si qytetar austriak në Austri. Këtu gjeti mundësinë e shprehjes së dijes së tij gjeniale dhe në këtë kuptim sonte është me vlerë përkujtimi i rrënjëve të tij dhe prezantimin e librit me shumë të dhëna mbi jetën dhe veprën e Carl Ritter Von Ghega” Në fjalën e tij përshëndetëse z.Sami Ukelli, ambasador i R. Kosovës mes tjerash tha: “Ndihem i gëzuar në këtë mbrëmje ku flitet për një gjeni dhe librin kushtuar atij. Nga historia e afërt u fol negativisht rreth kosovarëve të cilët vërshuan Austrinë dhe sonte do flitet në kuptimin pozitiv. Ju e përmendet si austriak me rrënjë shqiptare, është folur se ishte austriak me origjinë italiane, por mendoj, se Karl Ritter Von Gega ishte një evropian i cili me përpjekjet e tij ka tentuar të lidh popuj, ndërton ura mes popujve”. Prof.Dr .Ismail Kabashi, përshëndeti në emër të kryetarit të Shoqatës, Dr. Gëzim Bisha i cili nuk ishte prezent.” Shoqata jonë u themelua në vitin 2011 në Shkup dhe qëllimi ynë ishte që të bëjmë shqiptarëve të mësojnë diç më shumë lidhur me Karl Gegën. Rreth tetëdhjetë për qind e shqiptarëve nuk dinin asgjë për Garl Gegën e as për origjinën e tij shqiptare. Veprimtarinë tonë në trevat shqiptare e kanë ndihmuar ambasadorët e Austrisë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, për çka i falënderoj. Rrugëtimi ynë në rikujtimin e Karl Geges do të vazhdoj me përkrahjen e organeve austriake deri në vendlindjen e tij, Venedik” Dr.Bashkim Idrizi (UN-Tetovë) prezantoj aktivitet e Shoqatës “Karl Gega” që nga fillimi i jetës së saj në Shkupin historik deri në mbrëmjen e sonte. Prezantimi i tij u bë në gjuhën angleze i shoqëruar me fotografi në monitorët e sallës shumë të bukur. “SHMGJSH “Karl Gega” është themeluar për të qenë ombrellë e të gjithë gjeodetëve shqiptarëve, duke i bashkuar ata në një pikë të përbashkët, duke shkrirë kufijtë ekzistues për të vendosur në një pikë profesionin dhe gjuhën, dy elementet që ata i bashkojnë” Dr.Günther Dinhobl, (ICOMOS) foli mbi jetën e Karl Gegës dhe veprën e tij në ndërtimin e hekurudhave me të cilat lidhen ekonomit dhe kulturat e popujve dhe ndërtohet e ardhmja. “ Karl Gega u lind në Venedik nga prindërit shqiptarë. Qe i ri tregoi interesim për matematikë dhe në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare regjistrohet në Universitetin e Padoves ku pas një viti diplomon duke marr titullin inxhinier, kurse një vit më vonë edhe titullin e Arkitektit. Pas një viti, pra, në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, merr titullin Doktor i Matematikës” Ai foli mbi tekniken dhe sfidat me të cilat u ballafaqua projekti i Karl Geges në ndërtimin e hekurudhave dhe urave me gurë në kohën e tij. Studiuesja Johanna Lachlehner në hyrjen e librit kushtuar jetës dhe veprës së gjeniut Karl Rither Von Gega mes tjerash shkruan: “Ndërtuesi i hekurudhës së Semeringut shquhej për gjenialitetin teknik dhe ndjenjën admiruese estetike të formës.” Pritej të flitet më shumë rreth librit biografik kushtuar Karl Gegës nga Wolfgang Straub, përkthimit dhe botimit të tij. Libri “Karl Gega” i përkthyer në gjuhën shqipe nga Prof.Sejdi Demiri u botua me përkrahjen e tre ambasadorëve austriak në tri shtet tona. Karl Gega, gjeniu austriak me rrënjë shqiptare, e ka merituar një libër me standardet tjera teknike. Në pjesën përfundimtare u dha një film rreth Karl Gegës i marr nga arkivi dokumentar Televizionit Shqiptar i kohës së diktaturës. Në mbrëmje ishin edhe Artan Hanku, sekretar në Ambasadën e Shqipërisë. Fitim Nuhi, Sekretari i dytë në Misionin e Përhershëm të Maqedonisë pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë. Vehbi Miftari (Min. Kult.), Mentor Burovci e Lorik Pustina (M. D.), Mag. Mathias Stadler, kryetari i qytetit të St.Pölten, Mag.Hans Joahim, drejtor Biblioteke, Imer Lladrovci, konsull. z.Faruk Ajeti, sekretar në Ambasaden e Repulikës së Kosovës. Në fund u dha koktej rasti. Në kalendarin e figurave historike, Karl Ritter Von Ghega renditet ndër njëqind figurat më të mëdha në historinë e kombit austriak, krahas Mozartit, Froidit, Maria Therzes, Franz Jozefit, Kafkes etj. Emri i Karl Gegës dhe Aleksandër Moisiut tani më janë ura lidhëse me dy popujve tanë.
Ne Foto: Referues dhe diplomate pas veprimtarise…
Takim informativ në Vjenë- Regjistrim i mërgimtareve një obligim kombëtar
Ministria e Diasporës: Regjistrimi i diasporës është gjithëpërfshirës i të gjithë mërgimtarëve pa marr parasysh nga cila trevë etnike shqiptare vjen, pa marr parasysh çfarë nënshtetësie ka. …linku për regjistrim: www.medrks-gov.net dhe info-med@rks-gov.net i cili është 24 orë aktiv. .”..regjistrimi është vullnetar, një obligim moral e kombëtar i secilit mërgimtar dhe është plotësisht sekret”/
Hazir MEHMETI, Vjenë/
Në lokalet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë u organizua mbrëmje informative lidhur me regjistrimin e mërgimtarëve dhe mbledhjen e materialeve e dokumenteve më qëllim arkivimin e tyre. Personeli i ambasadës Valbona Fazliu-Rrecaj, këshilltare; Zana Rugova, sekretare e parë dhe Imer Lladrovci, konsull e organizuan mbarëvajtjen e takimit. Nga Ministria e Diasporës ishin Prof.Dr.Muhamet Shatri i ngarkuar për materialët dokumentet arkivore dhe Xhevat Hulaj nga Enti Statistikor i Kosovës. Në mbrëmje prezantuan përfaqësues të shoqatave e veprimtarë nga Vjena, Linzi, Graci, Badeni etj. Takimin e udhëhoqi Zana Rugova, sekretare e parë në Ambasadë, kurës fjalën përshëndetëse në emër të Ministrisë së Diasporës e mbajti Prof.Dr.Muhamet Shatri. Ai mes tjerash tha:” Ministria e Diasporës tani ka dy projekte nga të cilët me përparësi është regjistrimi i diasporës, pavarësisht se edhe procesi i grumbullimit të lëndëve arkivore ka një rëndësi të madhe, me çka kontributi i diasporës del në shesh i dokumentuar. Është e njohur se diaspora ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën për çlirimin e Kosovës. Qe nga koha e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, po edhe më parë e deri tani, kjo na detyron të krijojmë bazë dokumentare. Kjo bazë është nga këta veprimtarë që janë jashtë, pra jeni ju dhe baza dokumentare do të shkon në Arkivin e Kosovës. Faktikisht, Ministria e Diasporës është vetëm një ndërmjetësues në përgatitjen e kësaj lënde. Ekzistojnë marrëveshje mes Ministrive, Muzeut të Kosovës dhe Arkivit të Kosovës rreth procedurave lidhur me materialet arkivore. Ato fillimisht grumbullohen në qendra të caktuara, ambasada e pastaj sistemohen nga ekspertët e Arkivit të Kosovës atje ku duhet. Sa për regjistrim të diasporës, ky është një propozim direkt nga vet Ministri z.Ibrahim Makolli. Ne besojmë se veprimtarët, përfaqësuesit e shoqatave e klubeve do të na ndihmojnë. Të gjitha përfaqësitë tona diplomatike në botë e kanë mbështetur këtë projekt”. Z.Xhevat Hulaj, udhëheqës i divizionit për regjistrimin e diasporës në fjalën e tij shtoj:” Ministria e Diasporës në bashkëpunim me Entin e Statistikës së Popullsisë dhe me disa ministri e agjenci, e ka filluar regjistrimin e diasporës. Kemi përgatitur infrastrukturën materiale për regjistrim dhe secili mërgimtarë mund të regjistrohet në formë elektronike përmes linkut i cili është 24 orë aktiv. Të dhënat vijnë në Databazë ku shënimet janë sekrete. Forma tjetër është përmes pyetësorit që janë të hartuar nga ekspertë të Ministrisë së Diasporës, duke e plotësuar faqen me shënimet tuaja dhe dërgimin e tyre. Pyetësorët janë të shkruar në 14 gjuhë të vendeve përkatëse ku jeton diaspora. Kjo është imponuar nga vet natyra e mërgatës sonë që nga mërgata e vjetër (Turqi etj.) deri tek mërgata e re në Evropë. Formularët janë të përgatitur për regjistrimin familjar, të biznesit, të shoqatave e klubeve. Të gjithë formularët mund t’i gjeni në pikat kufitare, në ambasada, konsullata dhe në komunat e juaja, ku edhe mund t’i dorëzoni kur ju i plotësoni pasi aty do jetë gjithmonë një zyrtar përkatës i cili do punon sidomos gjatë muajve të verës. Ai do merret vetëm me çështjen e regjistrimit tuaj. Ne shpresojmë se shoqatat, veprimtarët dhe secili mërgimtar do na ndihmon në përcjelljen e informatave në rrethin e tij. Regjistrimi i diasporës është gjithëpërfshirës i të gjithëve pa marr parasysh nga cila trevë etnike shqiptare vjen. Të drejtë regjistrimi kanë të gjithë mërgimtarët pa marr parasysh çfarë nënshtetësie kanë ” Nga të pranishmit u prekën disa detaje rreth teknikës së regjistrimit, gjithë përfshirja e trevave etnike, rreth të drejtës për votim etj. Aktivitet informative do të mbahen edhe në qytetet tjera të Austrisë.
Zëri shqiptar dy ditë në Volkstheatrin e Vjenës
Fatos Kongoli, Joachim Rohm, Andrea Grill, Stefan Çapaliku, Alfred Trebicka dhe aktorë e regjisorë shqiptarë u prezantuan me sukses dy ditë në skenën e njohur të Volkstheatrit të Vjenës. Shqipëria e 12-ta në “Die besten aus dem Osten”. Edhe pse ishte paraparë që Ismail Kadare të lexon nga “Piramida”, kjo nuk u realizua./
Hazir MEHMETI, Vjenë /
Në Volkstheatrin e njohur të Vjenës ku dikur u shijua zëri dhe loja e përsosur e Aleksandër Moisiut, për dy ditë me radhë u prezantuan shkrimtarë e aktorë shqiptarë. Përkrah tyre përkthyesit e njohur në gjermanisht Joachim Rohm e Andrea Grill. Ky aktivitet ishte pjesë e “Die besten aus dem Osten” i përkrahur nga Ministria për Çështjet Europiane, Ministria e Mësimit, Artit e Kulturës së Austrisë dhe traduki. Prezenti ishin edhe diplomat nga ambasada e Shqipërisë dhe ambasada e Kosovës, veprimtarë, student e intelektual. Shqipëria ishte pasuesja e 12- të e radhës së projektit. Organizatori prezantimin e fillon kështu:” Për “Land der Skipetaren” vendin e shqiptarëve si vend pasqyrimi në romanet e Karl-May-it, akoma mund të duken të fundit “njollat e bardha” në hartën e Evropës. Edhe pas shkatërrimit të vazhdueshëm prej 40 vjetësh nga diktatura staliniste e Enver Hoxhes, Shqipëria gjendet në një rrugë të mundimshme drejt normalitetit të saj si shtet me synime bashkimin me shtetet evropiane.” Pasditja e parë filloi me temën “Rruga e gjatë letrare në Shqipëri pas përmbysjes”. Për këtë temë foli përkthyesi të njohur gjerman Joachim Rohm i cili dha një pasqyrë të krijimtarisë letrare pas diktaturës, vështirësitë dhe sfidat aktuale. Ai është njohës i mirë i rrethanave në Shqipëri si përkthyes i veprave të Ismail Kadares, Fatos Kongolit etj. Ai njoftoi auditorin lidhur me literaturën dhe krijimtarinë letrare në gjuhën shqipe me theks të atyre krijuesve nga të cilët ai përktheu në gjermanisht. Shkrimtarja austriake Andrea Grill, e cila është njohëse e gjuhës shqipe, lexoi nga krijimtaria e saj. Trupa e “Teatrit Metropolit” nga Tirana dha komedinë “Tri mendje në ankand” nga dramaturgu Ferdinand Hysi me aktoret: Klodian Hoxha, Devis Muka, Alban Musa, Elona Hyseni, Lorenc Kaja, Doriana Çaushi. Udhëheqëse Suela Konjari. Regjia nga Elma Doresi, skena nga Beqo Nanaj, dritat nga Julian Llukani dhe kostumet nga Edlira Qyshka. Një komedi mjaftë e suksesshme e cilësuar nga Teatri Konvencional Europian si njëra nga paraqitjet e kohës në mesin e njëqind e njëzetë më të mirave në kontinent. Përkthimi në gjermanisht e bëri shkrimtarja Andera Grill. Salla anësore e Volkstheatrit- Hundsturm ishe e mbushur me spektatorë të shumtë për të cilët u dha koktej rasti. Në ditën e dytë lexoi nga krijimtaria e tij shkrimtari Fatos Kongoli nga romani i tij “Lëkura e Qenit”, kurse në gjermanisht nga “Hundhaut” lexoi përkthyesi Joachim Rohm. Ai dha para auditorit biografinë dhe rrugën letrare të shkrimtarit që nga koha e diktaturës deri në ditët e sotme. “Deri më tani Fatos Kongoli ka shkruar disa romane nga të cilat dy janë të përkthyera edhe në gjuhën gjermane dhe në disa gjuhë tjera”- tha mes tjerash. U zhvillua edhe një bisedë e shkurtër me publikun. Në vazhdim u dha pjesa teatrale nga zhurnalistja, politologia dhe përkthyesja gjermane Jonila Godole me titull “Der Sandmann” me të cilën e në vitin 2009 e fiton” konkursin europian “Talking About Borders”. Kur edhe prezantohet në Burgtheater të Vjenës me pjesën teatrale ku si subjekt ka fatin e Robertit, i riu shqiptar emigrant i cili fatin e kërkon në botën e jashtme. Një ditë kthehet në atdhe pas rrethanave konfliktesh të përmbysjes së kriminelit diktatorial Enver Hoxha. Babai e tij e kishte humbur kujtesën “Moskujtesa është e dhembshme sikurse kujtesa”, mendon babai i tij, kur tani shet trëndafila ku dikur kishte vrarë njerëz. Roberti kërkon të mëson për fatin e përgjakshëm të familjes së tij. Nisur nga ky motiv, aktorët e Volkstheatrit u prezantuan me një pjesë e zgjedhur nga aktori Hans-Joachim Lanksch në gjuhën gjermane. Regjia na Nicolas Charaux, aktorët: Hanna Binder, Erwin Ebenbauer, Anselm Lipgens, Roman Schmelzer dhe Günther Wiederschwinger. Loja e aktorë u përcoll me duartrokitje nga publiku i cili mbushte sallën.
Programi vazhdoi me monodramën “Fausti prej Tirane” një parafrazë nga Goette, e shkruar nga Stefan Çapalikut i cili bëri edhe regjinë bashkë me Alfred Trebickën. Aktori Alfred Trebicka, luajti me mjeshtri duke fascinuar publikun. Zëri i tij i fuqishëm dhe melodioz të kujtonte zërin e Aleksandër Moisiut dikur që tani ruhet i vlerësuar në fonotekën muzeore të Vjenës. Ai edhe vet i emocionuar nga duartrokitjet e pareshtura me lot suksesi prej aktori, falënderoi publikun artdashës. Drama si subjekt ka peripecitë e brezit të intelektualëve shqiptarë pas thyerjeve të mëdha të viteve nëntëdhjeta. Pjesa teatrale dha edhe një shtytje drejt kuptimi se Fausti i Goettes është një fenomen gjithëpërfshirës botëror, pra edhe shqiptar. Aktorë tjerë mbështetës ishin edhe Besmir Haliti e Julinda Emiri, muzika nga Agron Shala, skena e kostumet nga Adian Isufi. Animimin e punuan Elis Gjoni, Besmir Cani, Simon Dobërdaku e Albin Çifliku. Programi nga “Die besten…” përfundoj me koncertin e suksesshëm muzikor nga Orges – The Ockus-Rockus e Rrugëve. Grupi muzikor me përvojë u prit mjaft mirë nga publiku i cili e mbushte sallën. Projekti vazhdon me shfaqjet dyditore në qytetin e Gracit, qyteti i dytë në Austri pas Vjenës.(Ne Foto:Aktoret pershendesin publikun)