– Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dekoron Gardën Kombëtare të IOWA-s nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Medaljen Presidenciale Ushtarake. Në emër të Gardës, medalja i është dhuruar Komandantit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, Gjeneralmajor Benjamin Corell /
PRISHTINË, 20 Maj 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në një ceremoni të organizuar në Presidencë, ka dekoruar Gardën Kombëtare të IOWA-s nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Medaljen Presidenciale Ushtarake për kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në emër të Gardës, medalja i është dhuruar Komandantit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, Gjeneralmajor Benjamin Corell.
Presidentja Osmani ka falënderuar Gardën Kombëtare të IOWA-s për mbështetjen e vazhdueshme ndaj FSK-së, duke e konsideruar këtë proces vazhdimësi të marrëdhënieve të shkëlqyeshme me aleatin e përhershëm të Kosovës, SHBA-të. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur edhe dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione për mbështetje të stabilitet rajonal dhe operacioneve paqeruajtëse, nën Komandën Qendrore Amerikane. Sipas Presidentes Osmani, pjesëmarrja e FSK-së në misionin e paqeruajtës u bë e mundshme në saje të ftesës nga Komanda Qendrore, ndaj aktualisht pjesëtarë të saj ndodhen në një mision paqeruajtës krahas ushtarëve amerikanë në Kuvajt.
“FSK-ja, po zhvillohet në forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s. Prandaj, anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tone”, ka theksuar Presidentja Osmani. Ajo ka shfaqur besimin për vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet të dy ushtrive në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit rajonal e më gjerë.
MINISTRI MBROJTJES ARMEND MEHAJ PRITI KOMANDANTIN E GARDËS KOMBËTARE TË IOWA-S U GJENERALMAJORIN BEN CORELL
Në 17 Maj 2021 ministri Mbrojtjes Armend Mehaj priti Komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës (Iowa-s) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) gjeneral Majorin Ben Corell.
Në takim ministri Mehaj e njoftoi, gjeneralin Corell mbi zhvillimet në Ministri të Mbrojtjes, për objektivat që ai ka parashtruar si ministër si për Ministrin ashtu edhe për FSK-në. Ministri Mehaj vlerësoi lartë bashkëpunimin e ngushtë të deritashëm në mes të Gardës Kombëtare të Ajovës dhe FSK-së, me theks të veçantë për misionin e parë paqeruajtës jashtë vendit të FSK-së përkrah Gardës Kombëtare të Ajovës në Kuvajt. Po ashtu më këtë rast ata biseduan edhe për agjendën e zhvillimit të ushtrimit “Defender Europe -21”, për rëndësinë e pjesëmarrjes së FSK-së si dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës si shtet.
Gjenerali Corell shprehu kënaqësinë që është në vizitë në Kosovë, duke vlerësuar lartë sukseset e FSK-së, sidomos ato aktivitet që janë zhvilluar në kuadër të programit të bashkëpunimit me GK të Ajovës, duke shpreh gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në të ardhmen.
Po ashtu edhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama priti në takim të ndarë komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës (Iowa-s) nga Shtet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) gjeneral Majorin Ben Corell. Të dy gjeneralët vlerësuan lartë shkallën e bashkëpunimit në mes të FSK-së dhe GK të Ajovës, duke vlerësuar lartë mundësinë që ju ka dhënë FSK-së të jetë në mision paqeruajtës në Kuvajt, ushtrimet dhe trajnimet e përbashkëta të deri tashme. U vlerësua si shumë e rëndësishme për FSK-në pjesëmarrja në ushtrimin fushor “Defender Europe -21”.