• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vlora nën pushtetin e grabitqarëve dhe të varfërisë …Petullat e Kryeministrit

July 2, 2021 by dgreca

Nga Gezim ZILJA/ 

Kryeministri në piskun e vapës dhe të sezonit turistik me sejmenët e tij vizitoi ditë më parë punimet për rehabilitimin e segmentit rrugor Kulaçi i Skelës- Port (Kalata lindore) të kthyer në një kantier zhavori e gurësh.  Përmendi për të njëqindën herë Parkun Muzeal, që nuk ka asnjë lidhje me Shtëpinë Muze të Pavarësisë. Segmenti rrugor, Rrethrrotullimi Skelës (Kulaçi) – Port (Kalata Lindore) ishte për bukuri dhe  u rehabilitua me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë me rrugë të asfaltuara paralele, (hyrje-dalje) e trotuarë të gjerë shtruar me pllaka të kushtueshme. Midis rrugëve paralele u ndërtuan disa shatërvanë ku qindra banorë sidomos në verë, kalonin aty kohën ulur në stola, bordura dhe fëmijët luanin me skutera e biçikleta deri afër portit. Në qendër u vendos shtatorja e Isa Boletinit e punuar në bronz që të kujtonte se diku aty fshihej Shtëpiza Muze e Pavarësisë. Pamja e re pas rehabilitimit  përballoi me sukses festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë. Tetë vjet më vonë (viti 2021) fadromat e buldozerët e Rilindjes shkatërrojnë  e shkallmojnë nga themeli çdo gjë ( nuk dihet se ku është zhdukur shtatorja e Isa Boletinit) dhe fillon ri-rehabilitimi sipas planit rilindas, duke hedhur në erë paratë e shpenzuara tetë vjet më parë. Kjo rrugë të çon në port, pronë e dhënë me PPP për tridhjetepesë vjet. 

Në vitin 2018 në kuadrin e rehabilitimit të bulevardit Vlorë-Skelë (Edhe ky i rehabilituar në 2012) shqepet e shkallmohet nga themeli gjithë pjesa: kthesa e Lungomares-Rrethrrotullimi i Skelës (Kulaçi), Vlorë. Kjo pjesë u zgjerua, u shtruan me pllaka të reja trotuarët, u asfaltua rruga, duke u ndarë në dy korsi të ngushta (shpikje e rilindjes) por nuk u prish lulishtja nga ana e Universitetit me emërin simbolik: Lulishtja e Shkrimtarëve, një vend i këndshëm plot pemë e gjelbërim. Pa kaluar dy vjetë për të tretën herë brenda tetë vjetësh gjithë segmenti Kulaç-Port, shkallmohet sërish dhe sot fadromat e buldozerët e rilindjes vazhdojnë të punojnë  në këtë segment, duke fshirë nga faqja e dheut shatërvanët, me mjediset shlodhëse, pjesën më të madhe të pemëve e lulishtes plot gjelbërim të Shkrimtarëve, duke e mbathur me hekur e beton. Në vend të shatërvaneve janë ndërtuar tre rrathë betoni (petullat e kryeministrit thonë vlonjatët) nga të cilët në atë të mesit  me diametër 50 m, po mbillen pemë vendi (pisha) që do të mbushen me zogj këngëtarë të ardhur nga pyjet e Kolumbisë e të Brazilit. Nga kthesa e lungomares deri të Kulaçi po shfaqen në gjatësinë rreth pesëdhjetë metra ca kollona betoni ( jo pavijone për të plotësuar Shtëpinë Muze) që thuhet se do të ekspozohen pikturat e kryeministrit. Vlonjatët ndërkohë i kanë quajtur: Koçekët e Rilindjes. Pyetja e parë është: Pse shkatërrojnë atë që vetë kanë ndërtuar e inauguruar gjatë tetë viteve me projekte “madhështore,” duke harxhuar miliona euro? Tre vjet më parë Kryeministri inauguroi Bulevardin, Vlorë-Skelë e mburrej e mburrej duke hequr zvarrë brekushet e stilit otoman. Sot kryeministri me po ato brekushe por me sejmenë nga kryeqyteti, shkallmon atë që u ndërtua e inaugurua prej tij, dhe vjen shikon punimet e reja që po kryhen. Shkurt për të njejtin segment Kulaç-Port (250m) janë shpenzuar 70 miljon lekë të reja (shifër e saktë) në vitin 2012, shumën për vitin 2018 nuk munda ta gjej, dhe tenderi i vitit 2020, plot ( shifër e saktë) 615 miljonë lekë të reja. Po të mendosh që Vlora thahet për një pikë ujë në verë, dhe lagjet e zonat e fshatrat përreth e mbartin ujin me gomarë e karro si dikur, këto prishje e ndreqje janë vepër kriminale. Nëse flasim për Kontroll të Lartë të Shtetit ky duhet menjëherë të hetojë për këtë batërdi. Dukuri të tilla qep-shqep duke shpërdoruar e vjedhur miliarda lekë kanë ndodhur dhe në Berat, Tiranë, Durrës e gjetkë.

 Meqënëse jemi te porti, vlonjatët duhet të kujtojnë se për modernizimin e tij në gjashtë vjet janë harxhuar plot 15 milion euro. Tashmë aty po bëhen gati të hapen gropat për grataçielat që do të pushtojnë sipërfaqen prej 5ha që është tokë publike!? Tragetet e anijet e pakta tregëtare ndërkaq do të ankorohen e përpunohen në kalatat e Zvërnecit ku shkarkohen anijet e karburanteve me benxol avionash, naftë, benzinë e gasoil në rezervuarët gjigandë. Në këto kalata është e ndaluar me ligj të  ankorohen anije të çdo lloji tjetër për vetë rrezikshmërinë që paraqesin lëndët djegëse. Tjetra është se në gjithë botën e qytetëruar tragetet nuk ankorohen jashtë qyteteve po brenda tyre në të ashtuquajturat skela të trageteve. Po rilindasve as u kërcet fare për ligje kombëtare e ndërkombëtare. Ata po e shndërrojnë sheshin e portit në “piazza pulita” e presin me padurim të fillojnë ndërtimet e parashikuara që do të sjellin miliarda fitime. Nuk u shkon mendja që gjithë kjo sipërfaqe publike të vihet në funksion të Shtëpisë Muze  dhe të ndërtohet një Park gjigand si dikur Parku Rinia, plot vepra arti, fusha të vogla sportive, gjelbërim e pemë pa kufi. KJO SIPËRFAQE është shpresa e fundit për qytetin PËR TË PASUR NJË PARK që të prehen e shëtisin të paktën pesë mijë qytetarë njëherësh. Madje në krah të Kalatës Perëndimore duhet të kthehen e ankorohen anijet e peshkimit, krenaria e Vlorës dikur, tashmë të degdisura 20 km larg portit; aty të ngrihet një merkato moderne peshku si e kanë gjithë qytetet-port. Në akuariumin midis dy kalatave  kurrë nuk kanë për tu ankoruar 400 veliera e jahte, për njëmijë arsye, veç nja dhjetë-pesëmbëdhjetë anije pasagjerësh të lodhura, që hiqen osh e branë muajt e verës në intenerarin Port- Karaburun- Sazan e kthim. Kryeministri shqiptar herë me brekushe turke e herë me tirqe jugu, viziton Vlorën duke e paraqitur si një nga sukseset më të mëdha të tij. Në Vlorë janë hedhur miliarda lekë dhe shifra e saktë asnjëherë nuk është deklaruar. Pas nëntë viteve, duke u mbështetur në të dhënat e Institutit të Statistikave, Vlora është qyteti me papunësinë më të madhe në Shqipëri dhe të ardhurat për frymë të qytetarëve janë më të ulta se tetë vjet më parë. Largimi jashtë shtetit ( emigrim quhet) po ashtu është më i larti në Shqipëri dhe me këto ritme qyteti po rrudhet, mpaket e  plaket dita-ditës. Investimet e rilindjes në këtë qytet jo vetëm që janë vjedhur në përmasa të frikshme por nuk kanë dhënë përfundimin që trumbetojnë rilindasit. Qytetarët beçanërisht rinia vlonjate po e braktisin çdo ditë këtë qytet të bekuar për bukuritë e tij, për shkak të varfërisë, papunësisë e pasigurisë. 

PS. Petullat e Kryeministrit

Fillimisht vlonjatët i quajtën “rrutullamet” e kryeministrit. Tashmë që u shumuan i quajnë petullat e kryeministrit. E para një rreth i madh betoni me diametër 10m vendosur mbi një shtyllë qëndron në ajër, midis dy pallateve në Skelë. Petulla e dytë po prej betoni e hekuri u ndërtua si pjesë e lungomares brenda në det në distance rreth 30 m larg nga bregu, ku dukej në 3D i parkuar një helikopter ngjyrë bizhdollani. Mirëpo petulla prej betoni në ujë  nuk ndërtohen nga njerëz të paditur ( ndryshe injorantë), mburravec, e të babëzitur për para. Pas një viti e gjysmë petulla (pista e elikopterëve) u zhduk nën ujë dhe detyrimisht paratë e shpenzuara shkuan për lesh. Në gjithë harkun që inxhinierët budallenjë ndërtuan shkallë sinusoidale, deti e ka mbushur dhe aty është formuar një plazh i vogël rëre rreth 5.000 m2 i frekuentueshëm, që zgjerohet në drejtim të kanalit të ujrave të zeza. Tre petullat e tjera janë në ndërtim e sipër….

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja, Pushteti I grabitqareve ..., Vlora

VLORA NË STUDIMET E KATËR AUTORËVE TË HUAJ

April 14, 2021 by dgreca

Shkruan: MSc. Albert HABAZAJ/

Shkurtore. Natyra ia ka falur me bujari Vlorën Shqipërisë, në pjesën JP të vendit, si një kartolinë Mesdheu, një perlë mesdhetare, sikur ta kishte qëndisur vetë Zoti me dorë të artë! Vërtet është e bukur si nuse bregdeti, por kaq nuk mjafton për interesat që ka paraqitur tek të tjerët në rrjedhat e kohës. Për kontributin e dhënë në luftërat për liri dhe pavarësi Vlorës i është dhënë titulli “Qytet Hero” (1962). Vlora shtrihet në një hapësirë në l.m.d 6 m, që përbën një pozicion gjeostrategjik të favorshëm dhe automatikisht të lakmueshëm prej fqinjve, pushtuesve apo të mëdhenjve.  E banuar qysh në shek. VII p.e.r., ajo që në lashtësi ishte një qytet skelë dhe nyjë e rëndësishme e rrugëve detare dhe tokësore. Përmendet me emrin Aulona nga autorët antikë Lukiani dhe Plotemeu (shek. II të e.r.). Është emër tipi ilir dhe, sipas akad. Shaban Demiraj, emri i Vlorës është ndër të paktët emra gjeografikë të bregdetit lindor të Adriatikut dhe Jonit, që i kanë qëndruar kohës qysh nga periudhat e lashta”. Rilindasi Sami Frashëri shkruan: “Frengjisht e greqisht quhet Avlona, italisht Valona, por emri origjinal në shqip është Vlora”. Kemi vërejtur që në rrjedhat e kohës gjer më sot, Vlorën e kanë dashur dhe e duan shumë, e kanë lakmuar dhe e lakmojnë shumë, e kanë urryer dhe e urrejnë jo pak… Pse? Kushdo nga ne, natyrshëm kërkon të gjurmojë në kujtesën e shkruar apo gojore, në shkrimet e historianëve, dëshmitarëve, udhëpërshkruesve, antropologëve apo studiuesve të tjerë, vendas a të huaj. Po ndalojmë telegrafisht tek përshkrimet që i bëjnë Vlorës sonë katër autorë të huaj:

Johannes Georg von Hahn, (1811-1869), albanolog gjerman, diplomat në shërbim të Austrisë, i cili, qysh në vitin 1834, kur ra në kontakt me shqiptarët dhe filloi të mësonte shqip e deri sa mbylli sytë iu përkushtua fuqishëm Çështjes Shqiptare me histori, etnografi, gjuhësi folkor, statistikë etj,, aqsa  mendimi i tij u shërbeu përfaqësueseve të Rilindejs Shqiptare për kërkesat e tyre: të njiheshin shqiptarët si një popull më vete, me të drejtat e tyre dhe me rrugë historike të veçantë. Ai njihet si dijetari më i shumanshëm e më i thelluar i kohës së vet në fushën e studimeve shqiptare, konsiderohet si dekan i studimeve shqiptare të shek. XIX dhe babai i albanologjisë në kuptimin shkencor të fjalës. Në vëllimin e parë të veprës madhore “Studime shqiptare”, botuar në Jenë, në vitin 1854, ai i kushton Vlorës mbi 20 faqe shqyrtime, që përfshijnë imtësira deri edhe eksportin e vajit, leshit, lëkurëve të qengjit, misrit, valanidhit, kripës, serës, gurëve të strrallit, breshkave, shpendëve, deshëve, peshqëve të kripur, hajvarit dhe gjalpit. Ai shikon te Vlora më shumë pamjen e përparimit, sesa të amullisë, ndërkohë shkruan: “E ashtuquajtuna Arbëni, malsia midis lumit të Gjinokastrës dhe të detit, në veri e kufizueme prej Vjosës, përfaqëson vendbanimin kryesor jugor të kastës luftarake turko-shqipare dhe Vlona mund të quhet si kryeqendra e saj. Këtu ka qenë vatra e mirëfilltë e kryengritjeve të ndryshme të drejtuara kundër risive.. Si të ishte një gjeograf dhe meteorolog i devotshëm, Hahn u bën edhe një shërbim të vyer njerëzve të detit, dashamirësve, turistëve, lundërtarëve, tregtarëve dhe detarëve të rinj apo të panjohur me këto vise “Asnjë pikë në të gjithë bregun shqiptar nuk asht i pershtatshëm për nji vendqendrim flote si gjini i Vlonës, sepse ka nji pozitë gjeografike të mirë, asht i sigurtë, i gjanë dhe mund të furnizohet lehtë me ushqime… Gjini i Vlonës u shërben si strehë të gjitha anijeve, të cilat i zen furtuna në kanalin e Otrantos ose luftojnë me erna të kundërta…Kur fryn nji shirok i fortë, skela e Vlonës, që gjindet kundrejt kepit të Karaburunit, asht e rrezikshme për anijet e vogla. Këtyne u duhet me u tërhekë në brendësinë e gjinit, në Pasha Liman, të cilët italianët e quajnë Gjini i Raguzës; ky gjindet 10 mila në jug-perëndim të Vlonës. Atje ka qenë dikur qyteti i vjetër  Orikum, megjithëqë sot s’ka ma gjurma. Si duket, muret  e vjetra  janë mbulue me baltë dhe vendasit thonë se kur deti asht i qetë, shifen në ujë teprica muresh. Ai e quan skelë kryesore të rajonit dhe më tej shkruan … “i gjithë eksporti i Vlonës, që asht dy herë ma i madh se importi, shkon në Trieshe me vaporë austriakë dhe të huaj”. Hahn shkruan edhe për Kaninën që del në Mesjetë në vendin e qytetetve të vjetër të Bylisit, Aulonës dhe Orikumit dhe tregon interes për fortesën e Kaninës, e cila sipas tij, qe ndërtuar mbi rrënoja ndërtimesh helene, ku gjatë hulumtimeve janë gjendur vërte blloqe katërkëndëshe guri të Antikitetit. “Nga kodra e kështjellës hapet nji pamje e gjanë përmbi tokë dhe det; nga ana e detit prej aty duket krejt gjini, gjuhza e tokës, ishulli i Sazanit dhe pjesërisht edhe përvijimet e bregdetit ët rrafshët deri në Durrës, nga ana e tokës duket fusha e Myzeqesë, e rrethuem nga unaza madhështore e maleve, ku spikasin sidomos, për bukurinë e tyne, maja e Tomorit dhe e Kudhësit”. Në pjesën historike, ku trajton edhe luftrat e Skënderbeut dhe fatin e shqiptarëve pas vdekjes së tij, autori shkruan: “Turqit në fillim pushtuen vetëm fushat dhe vendet ku kishte rrugë, bile disa krahina malore mbetën krejt të lira dhe vetëm kur u kthyen në fenë muhamedane u banë të turqve. Madje, disa krahina të krishtena malore janë sot më vete. Njana prej tyne asht Himara, e cila përfshin pjesën ma të madhe të Akrokeraunies. Himariotët e mbrojtën lirinë e tyne me gjak dhe përballuen sulmet e Bajazidit II më 1492 dhe Sulejmanit më 1537 dhe fituen fermane nga sulltanët, në bazë të të cilave rronin të lirë dhe pa dhanë taksa nëpër malet e tyne, vetëm se ishin të detyrue me shkue në luftë kur i kërkonte Sulltani. Këto privilegje i hoqi Ali Pasha, i cili Himarën e shtiu në dorë ma shumë me dredhi sesa me trimëni”

Një ndër historianët dhe specialistët më të mirë të Mesjetës Evropiane, Jacques Le Goff (1924 -2014) shkruan: “Gjeografia nuk ekziston pa historinë, por edhe historia nuk shpjegohet pa gjeografinë. Historia e Adriatikut fillon në lashtësinë e hershme me origjinalitetin e saj detar, sipas ritmit të popullsive që vijnë nga brendësia dhe nga jashtë. Historia e tij është histori e një deti, e brigjeve, qyteteve bregdetare, anijeve të tregtisë, peizazhesh që shkojnë nga Alpet deri në zemër të Mesdheut”. Këtë thënie po e përshtas për Vlorën: Historia e Vlorës fillon në lashtësinë e hershme me trinitetin e saj origjinal: detar, fushor dhe malor, sipas ritmit të popullsive që vijnë nga brendësia (krahinat e Vlorës) dhe nga jashtë (krahinat e tjera të vendit, pse jo dhe nga jashtë Shqipërie. Historia e saj është histori e dy deteve dhe lumenjve, e ishullit dhe gadishullit, e brigjeve dhe qyteteve bregdetare, anijeve të tregtisë dhe peizazheve që shkojnë nga këmbët e zvërnecit deri në vargmalet Akrokeraune me kryemajë malin e Çikës e përkarshi Këndrevicën. Ta ngushtojmë në lokalitet vështrimin e autorëve të huaj për Vlorën:

Adriatiku përbën një gji të pellgut mesdhetar, që në pikën më të ngushtë ka kanalin e Otrantos 72 km/ 49 milje i gjerë (distanca nga porti i Vlorës në Otranto), që është një grykëderdhje shtratgjerë. Fati i detit Jon është i lidhur me atë të Adriatikut. Kanali i Otrantos paraqet interes strategjik: fuqitë kryesore bregdetare janë përpjekur sa e sa herë që t’i mbajnë nën sundim të dyja brigjet e e tij. Këtej vjen dhe vlera e ishujve që qëndrojnë si roje në dalje të kanalit. Pierre Canabes shkruan: “I ndoshur pranë brigjeve shqiptare, ku [Kanali i Otrantos, shën. im-A.H] e kyç Gjirin  Vlorës, ishulli i Sazanit, një shkrep i ngushtë pa ndonjë liman për të qenë, mori rëndësi vetëm në  shekullin XX, kur pas vitit 1920, Italia e ktheu në vegël të synimeve të saj ballkanike, si dhe më vonë, nga viti 1945 deri më 1960, kur marina ruse dislokoi atje disa nëndetëse”

Peter Bartl, (Cottbus, Gjermani, 1938 –) është studiues dhe historian gjerman, specialist i historisë shqiptare, njihet si një ndër studiuesit më seriozë e më të rëndësishëm të albanologjisë. Pas studimit të historisë së Europës Lindore, sllavistikës dhe turkologjisë, ka botuar një sërë studimesh historike rreth Europës Juglindore e më ngushtë Shqipërisë. Në vitet 1980-2004, ishte profesor për historinë e Europës Juglindore e Lindore në Universitetin e Munihut. Këtu drejtoi edhe Institutin e Shqipërisë, qendër studimore me bibliotekë të pasur që i kushtohej tërësisht vendit tonë. Vepra e tij e fundit është vepra madhore me disa vëllime “Albania sacra: Relacione të vizitave baritore prej Shqipërisë”. Vepra parashikohet të përshfijë pesë vëllime dhe paraqesin mundin e punës sëë tij shumëvjeçare në hulumtimin e përgatitjen e një serie të gjatë dokumentesh që hedhin dritë mbi periudha  dhe problemem të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Ndër të tjera, në monografinë “Shqiptarët: nga Mesjeta  deri në ditët tona” historiani gjerman shkruan: “Vlora (Valona). Paraardhëse e qytetit-port të sotëm ka qenë Aulona, e vendosur pak më në veriperëndim të Vlorës (vendbanimi dëshmohet të paktën që nga shekulli i 4-t p.e.s). emir Vlorë, si edhe italisht Valona dhe turqisht Avlonya, kanë rrjedhur nga Aulon. Duke i mbetur Bizantit gjatë ndarjes së perandorisë […], Vlora përmendet si seli peshkopale që në shekullin e 5-të. E pushtuar nga normanët në vitin 1081 dhe 1107, pas vitit 1204 Vlora përfshihet në despotatin e Epirit; në 1272 në Mbretërinë Anzhu të Shqipërisë; në 1343 i takon serbëve dhe në 1378 është në zotërim të Balshës. Në 1417 qyteti pushtohet nga turqit. Vlora u bë skela kryesore e Shqipërisë turke dhe pikënisje edhe e ekspeditës turke drejt Italisë në 1480. Reth viti 1537 turqit ndërtuan një kështjellë për sigurimin e qytetit, mbeturinat e së cilës u rrafshuan në 1906. Në 28.11.1912 në Vlorë u shpall pavarësia e Shqipërisë dhe u krijua një qeveri e përkohshme; për këtë arsye Vlora mund të quhet kryeqyteti i parë i Shqipërisë. Nga dhjetori i vitit 1914 e deri në gusht 1920 Vlora qe e pushtuar nga italianët. Ndër përmendoret janë ruajtur xhamia e Muradijes, [në Vlorë i thonë Xhamia e Plumbit (kryesorja tek stacioni autobuzit, Shkolla nr.1. Shën im. A.H] (mesi i shekullit të 16-të), shtëpia ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, [Sarajet e Vlorajve apo e Xhemil Beut. Shën im. A.H] si dhe një teqe bektashinjsh në kodrën Kusbaba (sot restorant)”. Po ashtu objekt kulti ka qenë Xhamia e Tabakëve (tek sheshi përballë Bashkisë, para ish – hotelit të Kinezëve), po ashtu sot është është Xhamia e Neshat Pashait, ose Xhamia e Kuqe (ku ka qenë konsullata italiane).

Duke shfletuar monografinë “Pena të arta franceze për shqiptarët (1332-2007)”, një antologji voluminoze me 764 faqe, që ka një shtrirje të gjerë kohore prej gati shtatë shekujsh, ku 120 autorëv francezë, ndër penat më të ndritura të letrave të Francës, dëshmojnë për virtytin, dinjitetin, krenarinë dhe fisnikërinë shqiptare ndër kohëra, krahas dhembjes, mjerimit dhe tragjikes që i ka shoqëruar, vështrimi u përqëndrua tek shkrimi i dijetarit Jean Claude Faveyrial [Zhan Klod Favejrial (1817-1893)].  Favejrial është i pari dijetar që ka shkruar historinë e Shqipërisë në shek. XIX ka qenë prift në Kongregacionin e Misionit Lazarist, u dërgua si misionar në Ballkanin e Jugut, ku kaloi një gjysmë shekull të jetës së tij. Studioi në thellësi historinë  e etnive të ndryshme evropiane dhe u bë mik i madh i vllehëve dhe shqiptarëve. Çeli shkolla në Berat, Korçë e Prizren. Dha mësim për gjuhën frënge e filozofinë. Vepra e tij “Historia e Shqipërisë” është zbukuar nga studiuesi i mirënjohur albanologu Robert Elsie. Shkrimi në fjalë i Zh. K. Favejrial titullohet “Grurë nga Vlora për popullin e varfër të Parisit”. Po sjellim për të interesuarit, dashamirësit dhe ndjekësit tanë disa fragmente: “Në vitet 1730-1740, sikurse dhe në epoka të tjera, pati në Shqipërinë Jugore, e veçanërisht në Thesproti, rrëmuja të mëdha dhe një anarki të pafund. Dhe kjo për dy arsye kryesore: politika venedikase dhe patriotizmi. Për të mbrojtur sa më mirë zotërimet  e veta ishullore dhe kontinentale, Korfuzin, Pargën, Buthrinton e Prevezën, Venediku jo vetëm nxiste kundërshtimin ndaj qeverisë turke, por furnizonte edhe armë, barut e municione të tjera të dollojshme për rebelët… Pukëvili na mëson se megjithë ndalimet e Portës, eksportoheshin nga Durazzo e Avlona me grurë, thekër, tërshërë e mil gjashtëdhjetë deri në njëqind anije tregtare, anije të destinuara një pjesë për Francën, të tjerat për Spanjën… Në vitin 1741, Z. Boulle, konsull i Francës në Avlonë, nisi nga ky port një sasi të madhe gruri që ndihmoi lehtësimin e urisë në Parisin e mbërthyer nga skamja. Por më pas, ai ra viktimë e dështimeve dhe falimentimeve. Duke mos mundur të shlyejë borxhet, atij iu desh të bëhej turk. Por me letrat që dërgonte nga Tenedo më 1762, shohim se ai është penduar. Si mbërriti në Kostandionopojë, shleu me gjakun  etij atë skandal fatkeq që kish shkaktuar. Më 1754, Mustafa Pasha hakmerret ndaj të krishterëve të Janinës për humbjet që i kishin shkaktuar suljotët”. Këto shënime të autorëve të huaj, personalitete të kohës që kanë jetuar dhe më vijimësi na njohin me këndvështrimin e tyre real për Vlorën tonë, si pjesë e së tërës Shqipëri. Ato s’kanë nevojë për komente, veç duhen mirëlexuar, sepse mesazhet që duhet të marrim ne janë të fuqishme, frymëzimtare e besimmbushur në asetet vlonjate e shqiptare (jo vetëm natyrore, tokësore e nëntokësore, por edhe burimet e pasura njerëzore në të gjitha fushat e jetesës sonë sotmërisht dhe për nesër.

Filed Under: Histori Tagged With: Kater autore te huaj, MSc.Albert Habazaj, Vlora

Kanina dhe Vlora përkujtojnë 567-vjetorin e dasmës së Skënderbeut me Donikën

April 23, 2018 by dgreca

Një festë-dasmë e rrallë dhe e pazakontë. Një improvizim që të çon thellë në histori për të njohur dasmën më të rrallë shqiptare/1 donika

Kanina dhe Vlora përkujtojnë 567-vjetorin e dasmës së Skënderbeut me Donikën/1 Gravura

Nga Albert Z. ZHOLI/1 KaninaNjë festë-dasmë e rrallë dhe e pazakontë. Një improvizim që të çon thellë në histori, për të njohur dasmën më të rrallë shqiptare  në themelet e kalasë së vjetër të Kaninës legjendare. Dje, në datën 22 prill 2018, ora 12:00, në Kalanë e Kaninës, Deputeti dhe djali i Kaninës, Fate Velaj, realizoi një ëndrrën e tij të vjetër. Në bashkëpunim me Shoqatën Patriotike “Kanina” , si dhe me Lëvizjen “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe Bashkinë e Vlorës, ai organizoi për herë të parë në histori, “DASMA E SKËNDERBEUT”, ashtu siç mund të jetë festuar në atë kohë. Në këtë festë merrnin pjesë, ministri Gjiknuri, deputeti i PS Vullnet Sinaj, kryetari BSHKISË Vlorë, Dritan Leli, Kryetari i KLSH, Bujar Leskaj, Kryetari i Shoqatës “Labëria” Prof. Ago Nezha, Prof. Sulejman Muça, historianë, shkrimtarë, studiues si dhe shumë grupe polifonike dhe grupe të ndryshme folklorike të ardhur nga Kosova  si dhe me pjesëmarrjen e një delegacioni special, prej 60 vetash, të ardhur nga Arbëreshët e Italisë, në përbërje të së cilëve ishte dhe Loris Castriota Scanderbeg – stërnipi i Gjergj Kastriotit. Kalaja e vjetër e Kaninës ishte zbukuruar si kurrë ndonjëherë. Rreth 100 flamuj kombëtare dhe 50 banderola me simbolet e flamurit kishin zbukuruar gjithë këtë kala me histori qindravjeçare. Në fjalën e hapjes së dasmë-festës, deputeti Fate Velaj theksoi rëndësinë e kësaj dasme, por mbi të gjitha përcolli mesazhin se pse duhet ta përkujtojmë këtë ditë dhe kush është rëndësia e saj ën ditët e sotme kur historia po deformohet. Një festim madhështor për të na kthyer plot  567 vjet më pas  për të festuar në mënyrë imagjinare  567-vjetorin e dasmës më historike të kombit shqiptar si dhe 590-vjetorin e lindjes së Donika Gjergj Arianitit në Kaninë. “Çifti  Skënderbe- Donika” hynë në kalanë e plot ngjarjeve mbi kuaj të bardhë të ndjekur nga dhjetëra “luftëtarë”. Me kurorat mbretërore, ata përcollën tek pjesëmarrësit ritet e dasmës së Heroit tonë Kombëtar Gjegj Kastriot Skënderbeu. Pas uljes së çiftit mbretëror në poltronet mbretërore filluan gëzimi, kënga, daullet dhe hareja.  Festimeve ju bashkua dhe grupi polifonik i Kaninës, ansambli i këngëve dhe valleve të Vlorës si dhe miq e dashamirës nga trevat shqiptare të Kosovës. Dje Kanina solli në kujtesë një ngjarje të madhe, një ngjarje që ka lënë gjurmë në historinë e Vlorës por edhe të gjithë kombit shqiptar. Dje Kanina e lavdishme përjetoi si asnjëherë  vendin e saj në historinë shqiptare. Koncerti me këngë të grupeve të ndryshme polifonike, këngët dhe vallet arbëreshe si dhe këngët dhe vallet e grupit Lëvizja “Foleja Kombëtare Shqiptare” gjatë gjithë kohës u ndoqën, u duartrokitën dhe u shoqëruan nga mbi 1000 pjesëmarrës. Pas përfundimit të koncertit, në shenjë kujtimi, përjetësimi dhe vazhdimi të traditës në themelet e hyrjes së kalasë u mboll një pemë ulliri, e cila do të vazhdojë të mbillet për çdo vit, për të nxitur respektin dhe vëmendjen e kësaj feste të rrallë. Brezat që do vijnë, do na jenë mirënjohës. Mbas festimeve të Kaninës, në orë 16:00, pjesëmarrësit në festë-dasmën u nisën për tek Manastiri i Ardenicës, aty ku Skënderbeu dhe Donika kurorëzuan martesën e tyre në kishë.

Kush ishte Donika Arianiti (Skënderbeu)

Andronika (Donika) Kastrioti ishte gruaja e Skënderbeut. Ajo ishte bija e princit të famshëm Gjergj Arianiti, njërit prej prijësve më të mëdhenj të luftës kundër pushtimit osman. Andronika ishte një dukeshë. Ajo lidhi kurorë me Gjergj Kastriotin, kryekapedanin e Lidhjes Shqiptare, pothuaj një mbret pa kurorë, dhe u bë princeshë. Në gjuhën e sotme protokollare Andronika Kastrioti ishte gruaja e parë e Arbërisë. Andronika lindi në Kaninë, më 1428. Ky vit i lindjes së saj del nga shumë të dhëna të historianëve të ndryshëm, të cilët thonë se ajo ka qenë 23 vjeç, kur u martua me Skënderbeun. Martesa u bë në vitin 1451; Skënderbeu ishte sa dyfishi i saj në moshë, 46 vjeç. Andronikes i thërrisnin dhe Donika. Ishte vajza e madhe e Gjergj Arianitit. Gjergj Arianiti ishte martuar dy herë.[1] Me gruan e parë, Marie Muzakën pati gjashtë vajza: Donikën, Gojsavën, Anën, Halenën, Dhespinën dhe Komitën. Me gruan e dytë, Pietra Franko, ai pati tetë fëmijë ndër të cilët mund të përmendim vajzat: Marie, Teodora, Katerina, Mara si dhe djemtë: Thoma, Kostandin, Arianit, pra gjithsej pati 14 fëmijë. Donika ishte e para e të gjithëve. Ajo lindi dhe u rrit në Kaninë të Vlorës. U martua me Skënderbeun më 23 prill 1451; dasma në Kaninë zgjati tri ditë, 21-23 prill. Për dasmën e këtij çifti të shquar të Arbërisë ka gojëdhëna, vargje popullore, të dhëna historike. Thonë se Skënderbeu erdhi me 500 kalorës. Kënga dhe vallja buçiti dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës, çiftit iu dha bekimi ungjillor. Më pas ceremonia vazhdoi në manastirin e Ardenicës, në afërsi të Lushnjes, dhe më pas në kalanë e Beratit. Populli buçiste e duartrokiste kudo ku shkelte çifti. Ja disa vargje folklori për dasmën e tyre:

“…Ç’dasmë që bë

Araniti /Atë natë kalaja ndriti, /Kënga dhe vallja

buçiti /Çelën llamba, ndezën pisha /Plot tryeza me të

gjitha,/ Mish dashi, Labërie, / Verë Parge Çamërie…”

Vargu i dasmorëve lebër e përcolli çiftin, deri tej

Vjosës. Më 26 prill 1451, atyre iu dha kurorëzimi në

Berat. Për bukurinë e këtij çifti kanë folur,

pikturuar e vargëzuar shumë njerëz të artit, midis

tyre dhe poeti i madh Naim Frashëri: “…Dhëndëri si

dielli ndriste,/ Edhe nuseja që prunë, / Porsi hëna

vetëtinte,/ Dritënë në dritë e shtunë…”

Filed Under: Reportazh Tagged With: Albert Zholi, daska e Skenderbeut, Donika, Kanina, Vlora

Shqipëria: Një bregdet si Karaibet

July 18, 2016 by dgreca

Një diamant ende në stadin e përpunimit, por me bukuri të rralla. Duket kjo pamja që i përshtatet më shumë Shqipërisë, një tokë akoma e paprekur mirë nga turistët, por që fsheh peizazhe shumë të bukura, plazhe që ngjajnë me ato të Karaibeve dhe një mikpritje të madhe.

Në shkrimin e publikuar sot nga websiti italian “Tgcom 24”, thuhet se është bregdeti i jugut të Shqipërisë, ai që të dhuron pamje natyrore të mahnitshme, që shtrihet nga Vlora në Sarandë, dhe në zonën e Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Male të gjelbër dhe shkëmbor, pas plazheve me rërë ose shkëmbinjve në detin e kristaltë, nga të cilat mund të zhytesh.

Deti në Shqipëri është sinonimi i pushimeve low cost. Zona bregdetare, edhe pse shumë e populluar në muajin gusht, është ende pak e njohur nga turizmi i masës dhe çmimet e hoteleve e restoranteve janë të larta. Ja disa nga vendet më të bukura për pushime në Shqipëri, që të jeni të sigurtë do t’iu surprizojnë.

Vlora, historia dhe plazhet–  Vlora është një nga qytetet më antike të Shqipërisë. U themelua në shekullin e VI p.e.s me emrin Aulona. Jo larg Vlorës është plazhi i Jalës që ndodhet në jug të qytetit pak kilometra nga plazhi i njohur i Drimadhës, afër fshatit të Vunoit. Një plazh i mrekullueshëm dhe i qetë, me rërë , i lagur nga ujëra të mrekullueshme ngjyrë turkuazë dhe transparentë. Drimadhës është një magji: me një rërë të artë ku është e mundur të qëndrosh dhe të shijosh një nga perëndimet spektakolare karakteristike të Shqipërisë.

Beautiful sandy beach Lukova (Lukove), Shpelle, Albania.

Shpella e piratëve- Plazhi i Livadhit, në këmbët e kështjellës së qytetit, është e rrethuar nga një bimësi e dendur dhe në të dy anët nga shkëmbinj : edhe këtu deti është transparent , dëshmi e një natyre ende të ruajtur.
Shumë restorante në Himarë ofrojnë ushqime shumë të shijshme dhe pjata me bazë peshkun , kallamarët dhe karkalecat. Pranë Dhërmiut , një bregdet antik dhe shumë tërheqës me plazhe të mrekullueshme, ndodhen edhe disa ishuj të vegjël si Shkambo, Jaliksari dhe Gjipea , që janë afër dy kilometra. Tek këta ishuj shkohet me makinë, varkë ose në këmbë për 15-20 minuta .
Për mos t’u humbur është shpella e piratëve që kohë më parë strehonte piratët e detit e sot e famshme per intimitetin e hapësirës së saj në rritje, me ngjyrën blu të fortë të ujit të detit.

Plazhet e bukur përballë Korfuzit- Saranda një gji i vogël, i hapur në jug dhe i rrethuar nga kodra, ka përballë ishullin grek të Korfuzit. Në zonën e Sarandës nuk është për t’u humbur Ksamili , një vend turistik mbi bregun e qytetit antik të Butrintit , 17 km larg nga Saranda dhe rrethuar nga disa ishuj të vegjël përreth plazhit të magjishëm. Për të përfunduar me plazhin Pulëbardhat, absolutisht ndër më të bukurit në Shqipëri, tek i cili mund të shkosh me varkë për të zbuluar dhe shijuar ishuj të tjerë të vegjël që rrethojnë bregun.

Filed Under: Komente Tagged With: Bregdeti, Karaibet, shqiperia, Vlora

Shkrimtari Çam që bëri emër në Vlorë dhe i dha emër qytetit

August 8, 2015 by dgreca

XHEMIL LATO, PIKTOR I SHPIRTIT TË DASHUR HUMAN/
Nga Albert HABAZAJ/
Novela “Kufitarja e ushtarit gjumëtrazuar” e shkrimtarit dhe poetit emblematik për Vlorën e Re Letrare është një prurje cilësore, që na bën ta mbajmë lart ballin krijues, ballafaquar me të tjerët, që dinë ta përdorin penën artistike.
Figurat dhe personazhet e librit më janë bërë të dashura. Është pranuar, që dhe në prozë, Xhemili është poet, është lëng artistik, është musht metaforash e similitudash, sepse vetë është një vreshtar i madh e i sprovuar në këtë “zanat”. Tema është e veçantë, gati e parrahuar, apo e rrahur jo mirë deri më sot. Subjekti zhvillohet pothuaj në një postë kufitare, ku një grup djelmoshash, në vrull të demit, janë të ngarkuar me ligj të kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe janë në roje të Atdheut, me gojën kyçur me një çelës të ftohtë. Ngjarjet janë të shtrira në kohë të caktuar, me persona realë të personazhuar artistikisht dhe në hapërisë konkrete, në pikën kufitare të Kovicës, mbi Gjirokastër, apo mbi qytetin e gurtë, në malin e Ganës, siç shkruan autori. Edhe pse të patrajtuar tërësisht, sepse kaq janë parametrat e lejuar të prozës së mesme, në novelën “Kufitarja e ushtarit gjumëtrazuar”, personazhet janë të gdhendur e mbresëlënës. Në libër na shfaqet jeta e vështrirë ushtarake e kufitarëve, dashuritë e tyre, dhembjet, ëndrrat, urrejtjet, marrëdhëniet eprorë – vartës në disa plane, një botëz njerëzore, që s’të shkulet nga truri. Po kujtoj disa nga ata personazhe, që do të rrojnë gjatë në kujtesën time: Ushtari Lotal Meçe, me atë emër me përzjerje lotësh apo lot shqiptari në kufi, lot albanezi, LOT – AL!…Sefer Bleta, njeriu me botë të madhe, ai komandanti i urtë, me atë fjalë të ëmbël si mjaltë për ushtarët, i përgatitur në shkencën ushtarake, trim e burrëror, asnjëherë s’i dëmtoi ushtarët, as kur vetë e pësoi, por me gjykim prindi dhe atdheu, me shpirt të pasur poeti i përmirësoi ata djem furtunë, që s’kishte zot t’i mbante. Dhe vertikaliteti i ububushëm e shpërbleu për Mirësinë e tij: nga skaji jug lindor, fiuuu, në skajin verilindor! Por vigani Sefer Bleta asnjëherë nuk ra, sespe me të qe e drejta. Po Lena, Lena Zhogo, e bukura Lena e Llogos, personazhi aq tërheqës, stoik e simpatik, me atë fytyrë “si ujëvarë në dritë të diellit”, që i mbush të 117 faqet e librit me erën e dashurisë kufitare, me aromën e saj të ngrohtë, të virgjër e besnike. Janulla që e çmendën ligësitë e kapter Istrefit; Halimi, që nxiu jetën e tij në lule të rinisë, që ia preu ëndrrat dashurore rrufeja në kullën e vrojtimit; Gëzim rrodhjaku; Zija Tahiri, ai kurrizua gjatosh i fiksuar…Po ai shejtani i përroit, ai, Jakovi, djalluc i heshtur, që ishte dhe burrë i martuar, që e mbanin si ujin e pakët e si “babanë e lezeteve”, por që qenkej bërë vegël e Istref kapterrit. E përse? Për ndonjë racion buke thatë e gur të ftohtë që i fusnin në xhepin e kapotës! Për pesë gram kothere jepte shokët. U bë spiun i poshtër. Galeria e personazheve të Latos është e pasur, por pa poetin bujar Namik Mesapi, nuk do të kishte rrezatimin vezullues që ndjejmë në këtë novelë. Dyzet vjet më parë. Ushtarët ishin të rinj, idealist, atdhetarë. Ata pinin cigare që helmonte derrin dhe nuk binin pre e provokimeve matanase. Rrëfimi ngarkohet me dramë, me dashuri e me dhembje, me personazhe realë të ngritur në art mjeshtërisht nga gjumëtrazuari për mirësi e për Atdhe, nga Xhemil Lato, brilanti ynë.
Në këtë novelë të autorit Xh. Lato, personazhet nuk janë ose vetëm pozitivë, ose vetëm negativë. Ata kanë edhe të mira, edhe të këqia. Edhe të mirët gënjejnë. Kujtojmë Lotalin, që i thoshte Lenës se qe djalë i vetëm e djalë qyteti, me vilë buzë detit në qytetin e madh…Por këto lajthitje mund t’i klasifikojmë gënjshtra të bardha, në kontekst, si anglezët. Edhe pse, në rastin tonë patën pasoja të pakonceptueshme për Lenën, që priti e priti, sa pret guri, e iku, në Gjermani… Lotali iku dhe ai me mësuesllëkun e tij…fshatrave, burgjeve…Personazhet e Xhemilit nuk janë fotografi bardhë e zi, janë kompleks, siç ndodh në realitet, nuk janë të kulluar, kanë edhe vlera, kanë edhe të meta; varet nga doza me të cilat i ngarkon autori ata, me virtyte ose me vese. Për hir të dashurisë ndaj vashës si vesa, kufitari 23 vjeçar i duron vuajtjet e këpucëve të shtrembëra, që i vrasin këmbët. Për hir të dashurisë që ka ndaj Atdheut, Lotali i duron ato dhembje, që i pikin në thelb të kockës. Kemi para syve, që me dialogë të thjeshtë, jo pompozë, zakonshmërisht, bindës e jo deklarativë na jepet dashuria e personazhit kryesor, Lotit, në dy linja: ndaj të Bukurës së Zemrës, Lenës dhe ndaj të Bukurës së Dheut, të Bukurës së Gjakut, të Ashtit të të parëve – Shqipërisë, Atdheut të patjetërsueshëm. Nuk po bëj skaner të librit, por dua të perifrazoj një fjali nga novela: “Dita ishte e bukur si për t’ia prerë këmishë për dashuri” – Shkëlqimtare, sa që më mbush me një zili të pastër, të ëmbël dhe admiruese është kjo fjali. S’po përmend emra, por sikur të mos e dinim që është shkëputur nga novella “Kufitarja e ushtarit gjumëtrazuar” do të hamendësonim se është ndonjë pasazh i pabotuar ende në shqip nga Gabriel Garsia Markes. Autori shfaqet fuqishëm e bukur si piktor portreti në prozë. Me lakonizëm na paraqet njerëzit: edhe kufitar Zijain, edhe Lefterin, edhe Halimin, edhe berberin, edhe Namik Mesapin e poezisë dhe të kapotës së ngrohtë. Nëpërmjet paraqitjes së tyre, shfaq botën e tij humane e mbi të gjitha e në vijimësi mirënjohjen, si virtyt kryesor qytetar të njeriut në përmasa universale. Kapota e Namikut që ngrohu Lotalin na duket se na ngroh edhe ne, aq bukur e gdhend autori, saqë e kthen në simbol të mirësisë, si metaforë të solidaritetit njerëzor. Ajo kapotë është, ndërkohë, një “piramidë kufitare”, e gjallë e garancisë për Dheun tënd, për Vatrën, për Zjarrin, me rrënjë në dashuri, në frymëmarrje të pastër, në liri njerëzore pa komplekse religjonale, veçse kurrë jo bllok a shtyllë e ulët prej guri, prej çimentoje etj., që vjen sipër më e ngushtë dhe që vihet si shenjë në vijën e kufirit midis dy shteteve (Shqipërisë dhe Greqisë). Është një urë njerëzore e mirësisë, e miqësisë, e dashurisë së ngrohtë e të çiltër njerëzore, që buis nga tiktaket e zemrës, jo nga buritë e makinës shtetërore. Ndërkohë, është shumë simpatik kontrasti atdhetar Lotal Meçe – Niko Stasi, dy krahinorë pargali. Si njohës i dialektit çam dhe përdorues korrekt i kësaj të folure lokale, duke e paraqitur në gojën e personazheve Lotal – Niko, autori e pasuron më bukur gjuhën e pasur shqipe. Në librin më të ri të Xh. Latos, ngopemi me densitet figuracioni, por jo me mbingarkesë të kërkuar. Kemi pasuri figurash gati në çdo faqe apo dhe në çdo paragraf. E kjo anije mbushur me figura rrjedh, noton në shtratin e saj, në shtratin e gurrës artistike xhemiljane, në shtratin e saj natyral, në përroin psikologjik të ndërgjegjes për të veshur hijshëm personazhet e tij. Ujëvarë në dritë të diellit. Fisnikëri ndjenjash të pastra, jo urrejte patologjike, jo bërtitje, shijojmë artistikisht dhe estetikisht me këtë letërsi të freskët të shkrimtarit çam që bëri emër në Vlorë, që i dha emër Vlorës letrare dhe që po i jep me çdo krijim, por, ndërkohë që edhe Vlora e vlerëson dhe e nderon me titullin më të lartë: “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës” me motivacionin: “Poet i talentuar i cili ka dhënë ndihmesë në zhvillimin e poezisë moderne shqipe”. Xhemil Lato guxon bukur. Ai, me krijimtarinë e tij, ngre ura bashkuese miqësie, jo mure ndarës urrejteje. Lena është minoritare, Loti është çam. Xhemili ishte kufitari i përkohshëm. Banorët e atyshëm janë kufitarët e përjetshëm, siç kanë qenë, siç dhe do të jenë gjithë jetën. Përvoja artistike e Latos arrin edhe në lartësinë e krijimit të aforizmave, që janë bijëza moderne të urtësisë popullore, gjithmonë në kahun human e solidar. Nuk shlyej dot situatën e dy pargalinjve në kufi dikur dhe pas njëqind stinësh në Pargë. Panoramë tunduese, njerëzore, si thirrje e gjakut të të parëve. Turbullim, mall e përballje, deri në zhgënjim e urrejtje. Degradim në neveri. Jo, Lotali, s’ka faj. Se, në kontekst, Atdheu është “të vraponte kufirit, të gremisej diku, të vritej aq keq apo dhe ndoshta të mos kthehej më”… Një pikturë poetike të llahtarshme shijojmë dhe me emocione të fuqishme në kthimin e Lotalit, gërryerjen ndërgjegjësore, kërkimin e palodhur e të paarritur të Lenës, telefonatat, letrat…Ato letra…Thesare të djegura shpirti. Kllapia deri tek klithma e Lotit për Lenën e kapotës nën dëllënjë, që jeta e fluturoi në Gjermani – janë skena sa prekëse aq tërheqëse të mbushura me jetë dhe me përshkrim prej artisti të kësaj jete të vërtetë, të kësaj drame njerëzore, si sa e sa të pathëna e të pashkruara dot. Me këtë libër, as me 1000 gjyqe s’ia marrin dot Xhemilit Lenën e ëndrrave të kaltra princore…

Filed Under: LETERSI Tagged With: shkrimtari cam, Vlora, Xhemil Lato

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT