• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Edhe përfaqësuesit e “ Vendlindja thërret” keqpërdorën mjetet

September 24, 2014 by dgreca

Përse mërgata shqiptare nuk organizon aksione të mëdha humanitare?/
NGA XHAVIT ÇITAKU/
Duke u munduar të gjejë përgjigje në këtë pyetje në mesin e mërgimtarëve tanë, kuptova se shkas kryesor për këtë është keqpërdorimi i Fondit të Trepërqindshit dhe atij “ Vendlindja Thërret”,nga persona përgjegjës të cilët në vend që të gjenden në burg tash sorollaten rrugëve, bizneseve por edhe në institucione shtetërore, duke bërë jetë luksoze me djersën mërgimtare
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Mërgata shqiptare e shpërndarë në shtete e kontinente të ndryshme ishte njëra ndër mbështetësit kryesor i të gjitha proceseve të rëndësishme që u zhvilluan në Kosovën e okupuar nga regjimi fashist serb, por edhe jashtë saj. Aktivitet më të qartë dhe konkret ata treguan sidomos gjatë viteve të nëntëdhjeta atëherë kur populli kishte nevojë më së shumti, atëherë kur situata ekonomike ishte aq e rëndë sa që pa ndihmën e bashkatdhetarëve tanë vështirë se do të mund të përballohej. Nuk kursyen mund e djersë që t’iu dilet në ballë gjithë atyre kërkesave të shumta që vinin nga Kosova. Forma më e përshtatshme, më e dobishme, por edhe më e besueshme që do të prodhonte rezultate e efekte të mira në gjithë hapësirën kosovare ishte mënyra organizative në vijën shtetërore, kërkesë kjo që doli nga shumë aktivistë dhe veprimtarë të devotshëm të çështjes shqiptare. Së këndejmi,, ndonëse ishte duke vepruar qeveria në ekzil doli propozimi që të formohet një fond i cili do të udhëhiqej dhe do të kontrollohej nga ministria përkatëse e kësaj qeverie, përkatësisht nga Ministria për Ekonomi dhe Financa. Pas shumë bisedave dhe kontakteve të organizuara u mor vendim që të formohet Fondi i Trepërqindshit, i cili u përkrah dhe u mbështet nga shumica e mërgimtarëve tanë. Ishte i njohur edhe krijimi i Fondit të Ahenit në Gjermani , por ai më vonë u shkri në këtë formë tjetër më organizative që filloi punën mbarë.

Grumbullimi i mjeteve në Fondin e Trepërqindshit ishte impozant

Para se të formohet ky fond vlen të përkujtohet se në shumë shtete u organizua edhe aksioni i ashtuquajtur i Tridhjetpërqindshit, që ishte trilluar kinse për një luftë eventuale që do të mund të fillonte në Kosovë, nga i cili i grumbulluan miliona marka gjermane. Ndërkaq, në fondin e Trepërqindshit, që u zgjerua në të gjitha mjediset ku kishte komunitet shqiptar vazhdoi derdhja e mjeteve për çdo muaj. Thënë konkretisht, bashkatdhetarët tanë ndaninë nga tre përqind të të ardhurave të realizuara në familje, ndërsa nëse nuk ishin të punësuar nga tre përqind të të ardhurave të ndihmave sociale. Rezultatet e arritura në grumbullimin e mjeteve ishin inkurajuese fal angazhimit të madh të anëtarëve të komisioneve, të cilët këtë punë e bënin vullnetarisht. Vullnetarët e këtij Fondi aq mirë e kryenin punën sa që nuk përtonin që të sakrifikojnë edhe shumëçka vetëm e vetëm që populli në Kosovë të mos ndihet i pasigurt për shkak të mungesës së parave. Ashtu siç ishte paraparë me rregullore, anëtarët e komisioneve bënin grumbullimin e mjeteve në ato mjedise ku punonin e jetonin dhe më pastaj ato i derdhnin në llogarinë e Fondit Qendror të shtetit përkatës dhe i vetmi që ishte i autorizuar për t’i tërhequr ato mjete ishte Kryetari i Komisionit Qendror, i cili ato i dërgonte në xhirollogarinë e qeverisë në ekzil. Për çdo pagesë jepej dëshmia për secilin dhurues të këtyre mjeteve. Vite të tëra këtë obligim atdhetar e kryen mbi 70 për qind e mërgatës shqiptare dhe me të drejt mund të konstatohet se nëse dikush mund të pyet se si duhet atdheu atëherë lë të shijoj kurbetin, i cili hap rrugën e mbarë për të punuar e kontribuar për vendlindjen. Nuk është vetëm pagesa e Trepërqindshit që e karakterizoi zemërgjerësinë e bashkatdhetarëve tanë, por janë edhe shumë e shumë shembuj të tjerë që ata sakrifikuan dhe ndihmuan atdheun. Me një fjalë, ata pos pagesës mujore, organizuan edhe shumë aksione të tjera humanitare ku u grumbulluan shuma milionëshe, pastaj ndihmuan familjet e tyre, të sëmuret, ndërtimin e shkollave, të xhamive dhe shumë e shumë raste të tjera që u kërkuan nga mërgata jonë.

Kontribut i madh edhe në Fondin “ Vendlindja thërret”

Me fillimin e luftës në Kosovë u shtrua domosdoja që çlirimtarët të ndihmohen materialisht në mënyrë që liria e synuar të fitohet më shpejt dhe sa më me pak pasoja. Dhe ishin prapë mërgimtarët ata që iu përgjigjën pozitivisht thirrjes për të ndihmuar luftën çlirimtare dhe kësisoj pa ngurrim derdhen mjete të mëdha në Fondin “ Vendlindja thërret” që ishte formuar “ enkas” për këtë qëllim nga LPK-ja. Për dallim nga Fondi i Trepërqindshit ku mjetet derdheshin në xhirollogari, në Fondin “ Vendlindja thërret” parat në të shumtën e rasteve iu dorëzoheshin veprimtarëve të autorizuar dhe më pastaj ato i “ dërgonin” në Fondin qendror. Kjo formë e dhënies kesh të parave ishte aplikuar për shkak se qeveritë e shumë shteteve në fillim nuk lejonin që të “ zyrtalizohet” ndihma për UÇK-në nëse kështu shkurt mund të thuhet. Me shuma të mëdha të grumbulluara, ku nuk kursehej edhe paraja e fundit e bashkatdhetarëve tanë, u bë e mundshme që të sigurohen armë aq të nevojshme për UÇK-në. Pavarësisht se kjo temë e shtjelluar në mënyrë bukur shumë të përgjithësuar nuk ka për qëllim që të flitet për luftën e zhvilluar në Kosovë, doemos do përmendur se shumë mërgimtarë tanë pos ndihmës materiale, lanë jetën “ luksoze” në perëndim dhe ia mësynë vendlindjes dhe së bashku me pjesëtarët e UÇK-së luftuan deri në çlirimin e vendit. Shumë prej tyre dhanë edhe jetën në altarin e lirisë e besa shumë të tjerë u plagosën dhe mbetën edhe pa gjymtyrë të trupit.

Mosmarrëveshjet e pakuptimta e të dy fondeve

Pa asnjë hezitim mund të konstatojmë se mërgata shqiptare ishte aq mirë e organizuar, në rend të parë, se në mesin e saj mbretëronte një entuziazëm, vullnet e krenari për të ndihmuar atdheun, për të fituar lirinë, për t’i dhënë mbështetje kombit që ishte në rrezik të zhbëhet. Ishte e çuditshme, e pakuptueshme dhe e pafalshme sjellja e përfaqësuesve të të dy fondeve që ia kishin vënë “ lakun në fyt” mërgatës shqiptare duke e shtrënguar për herë e më shumë që të ndaj mjete për këto fonde që kishin të njëjtin qëllim: çlirimin e vendit. Fatbardhësisht, edhe pse komuniteti shqiptar në diasporë kishte obligim të madh për të mbajtur edhe familjet dhe të afërmit në vendlindje, këto “ lojra” të përfaqësuesve të Fondit të trepërqindshit dhe “ Vendlindja thërret” nuk i zmbrapsen, përkundrazi ata me të njëjtin ritëm kryenin edhe obligimin atdhetar e patriotik. Megjithatë, mërgimtarët ishin të zhgënjyer me dallimet që ekzistonin ndërmjet faktorit ushtarak dhe politik të vendit, ndërsa në anën tjetër ishin po këta mërgimtar që ua kishin bërë të mundshëm të funksionojnë të dyja palët. Dhe ç’është edhe më keq për këtë as që pyeteshin ata që i mbanin gjallë këto dy subjekte.

Qindra miliona marka gjermane u “ avulluan” pa dhënë askush përgjegjësi

Fondi i trepërqindshit kishte funksionuar mbi një dekadë dhe shi për këtë në të u grumbulluan qindra milionë marka gjermane, të cilat u menagjuan kryesisht nga Kryeministri i qeverisë në ekzil Bujar Bukoshi dhe Ministri për Ekonomi dhe Financa Isa Mustafa . U grumbulluan aq shumë para sa që patën “ luksin” këta menagjerë të parasë mërgimtare që të hapin edhe Bankën e emërtuar “ Dardania” në Tiranë, për të cilën as sot e kësaj dite nuk dihet se çka u bë me të, apo më mirë më thënë humbi pa gjurmë si e tërë. Po t’i kthehemi edhe njëherë mjeteve qindra milionëshe të derdhura nga djersa dhe mundi i bashkatdhetarëve tanë, të cilët edhe tash shtrojnë pyetjen se çfarë u bë me ato para që me mund e djersë i kishin fituar duke punuar edhe punë jashtëzakonisht të vështira vetëm e vetëm që të ndihmohet populli në Kosovë dhe lufta çlirimtare. Çuditërisht nga askush ama nga askush nuk ka përgjigje se ku u tretën ato mjete, në xhepin e kujt përfunduan dhe cili ishte ai që fitoi më së shumti në dëm dhe në kurriz të mërgimtarëve tanë. Pas përfundimit të luftës u mbajt edhe mbledhja e parë e Kuvendit të LDK-së ku ishte i pranishëm edhe Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, ku edhe unë mora pjesë nga mediat, dhe ndër të tjera një kuvendar pati pyetur se çfarë u bë dhe çfarë do të bëhet me mjetet e trepërqindshit, pyetje kjo që iu shtrua direkt Bukoshit. Mirëpo, Bujar Bukoshi as që u “ kuq” të kthej përgjigje dhe kështu kjo temë nga atëherë kaloi në margjina të interesimit, sidomos të organeve më të larta partiake të LDK-së, si bartëse e të gjitha aktiviteteve në këtë drejtim por edhe të organeve shtetërore të Republikës së Kosovës. Me një fjalë, këtu ka vend për përgjegjësi jo vetëm morale por shumë më shumë penale, ngaqë ato para do të duhej të derdheshin në arkën e shtetit e jo të përfundojnë në duart e atyre që ishin përgjegjës që me nikoqirllëk t’i përdorin e t’i shpenzojnë. Do të jetë e pafalshme për këto gjenerata mërgimtare që të mos thirret askush në përgjegjësi dhe që aq keq të përbuzet ajo e mirë e tyre që u dha me vite të tëra.

Edhe përfaqësuesit e “ Vendlindja thërret” keqpërdorën mjetet

Edhe pse nuk kishte jetë të gjatë, Fondi “Vendlindja thërret” arriti që të “ vjel” po ashtu miliona marka gjermane, franga zvicerane e dollar amerikan. Ndonëse nuk mund të krahasohet ky fond me atë të trepërqindshit përkah shuma e mjeteve, megjithatë keqpërdorimi i djersës së punëtorëve tanë ishte shumë më i pranishëm, në rend të parë, se në fillim parat dorëzoheshin në duar të katër pesë individëve të Komisionit Qendror të shteteve përkatëse, që nuk “ përtonin” natë e ditë të shkojnë nga një qytet në tjetrin për të marrë parat e grumbulluara nga mërgata shqiptare. Kjo formë e grumbullimit të mjeteve ishte aplikuar për shkak se shtetet perëndimore në fillim nuk e njihnin UÇK-në dhe nuk lejonin që parat të derdhën në bankat e tyre. Se sa marka e deviza tjera kanë derdhur këta aktivistë në Fondin qendror, që thuhej se ishte në Zvicër, kjo lë të mbetët në nderin dhe moralin e tyre. Pa fije dyshimi mund të thuhet e konstatohet se nderi e morali i shumë prej tyre ishte i kufizuar për shkak të lakmisë që kishin. Edhe këtu ka vend për Prokurorin që të hap rrugë të hetimit ndaj të gjithë atyre që tash nga ato mjete janë bërë multimilioner, që kurrë nuk do t’ia shohin hajrin. Këtë e pret tash e 14 vjet më parë mërgata shqiptare. Ndaj edhe njëherë me anë të këtij shkrimi po i drejtohemi organeve të drejtësisë, policisë e të prokurorisë që të aktivizohen dhe të veprojnë konkretisht aq më shumë për t’iu dalë hakesh mërgimtarëve tanë. A ishte përgjegjësi kryesor Xhavit Haliti me të tjerët nuk mund të definojmë konkretisht sepse parat grumbulloheshin në emër të UÇKsë. Por ky emër përflitet si personi që ishte përgjegjës për këtë Fond. Dihen përgjegjësit e të dyja fondeve vetëm duhet guxim dhe ndjekje penale për të gjithë ata që keqpërdorën mjetet aq të mëdha të mërgatës shqiptare duke aplikuar ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe pikë.

Njëherë u mashtruan

Duke u nisur nga këto mashtrime që iu bënë bashkatdhetarëve tanë, është për të ardhur keq se më nuk po organizohen aksione të mëdha e aq të nevojshme humanitare që aktualisht i duhen sidomos familjeve të varfëra që nuk janë të pakta e posaçërisht të atyre që nuk kanë kulm mbi kokë. Kam kontaktuar shumë mërgimtarë në Gjermani, Zvicër e Suedi më të cilët kam biseduar pikërisht për këtë temë të rëndësishme dhe jam munduar që me ta dhe të tjerët të gjejmë një “ zgjidhje” të pranueshme për mënyrën e grumbullimit të mjeteve që do t’iu dedikoheshin familjeve në nevojë. Përkundër gatishmërisë së tyre për të kontribuar materialisht në këtë drejtim ku do të përshiheshin shumica e mërgimtarëve tanë, përgjigja e tyre ishte negative. Ata thanë: Një herë na mashtruan bile shumë keq, kurrë më. Ja, pra se çfarë bënë këta kriminel që i morën ato qindra milionë para në deviza të ndryshme dhe pa fije turpi tash sorollaten rrugëve, bizneseve e brenda institucioneve të vendit, duke shitur mend se sa patriot ishin . Dorën në zemër, humaniteti i bashkatdhetarëve tanë nuk ka pushuar as sot e kësaj dite ngaqë ata individualisht e në grupe po ndihmojnë vazhdimisht qytetarët e vendit tonë, mirëpo organizimi i ndonjë Fondi të madh hëpërhë është i parealizueshëm. Mallkuar qofshin ata lakmitarë e kriminel që tash me djersën e mundin e mërgimtarëve bëjnë jetë luksoze.

Filed Under: Opinion Tagged With: Edhe përfaqësuesit e “ Vendlindja thërret”, keqpërdorën mjetet, Xhavit Citaku

ISIS bënë spastrim etnik sistematik

September 23, 2014 by dgreca

Bëhet e qartë se intervenimi me trupa tokësore nuk është aktual, por me bomba nga ajri do të jetë vështirë të arrihet një zgjidhje afatgjatë, për më tepër nuk mund të zgjidhet katastrofa humanitare që po ndodh atje/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Ajo e paimagjinueshmja po ndodh përsëri. Këtë e dëshmon Amnesti Internacional në raportin e saj të paraqitur javën e shkuar, duke konstatuar se ajo çka po ndodh në Irakun Verior është spastrim etnik sistematik i grupeve minoritare të vendit. Raporti për spastrim dhe ndjekja sistematike e shtetit islamik ndaj pakicave është përmbledhur në një verë të përgjakshme, ndërsa në anën tjetër tregon vështirësinë e Komunitetit Ndërkombëtar për të parandaluar këtë lloj të tragjedisë.
Të mbijetuarit dëshmojnë për vrasje masive e martesa me dhunë
Të mbijetuarit dëshmojnë për vrasje masive të qindra, ndoshta mijëra, burrave dhe djemve edhe të moshës 12 vjeçare, të cilët janë dërguar në drejtime të panjohura dhe të rreshtuar janë vrarë në mënyrën më brutale. Disa i kishin mbijetuar masakrat pasi që ishin mbuluar nga të vrarit dhe pasi ishin larguar vrasësit ata ishin larguar nga zona dhe më pastaj kishin ikur nëpër male, ku as atje nuk janë të sigurt.
Dëshmia tjetër mjaft trishtuese e përfshirë në raportin e Amnesti Internacional është së gra e fëmijë të shumtë kanë qenë të shtrënguar për të braktisur shtëpitë e tyre, por që janë kapur nga IS që i ka dërguar nëpër shkolla e objekte të mëdha. Të dhënat nga disa që kanë arritur për të siguruar telefona celular tregojnë se femrat janë martuar me xhihadistë, ndërsa ato që nuk kanë pranuar ta bëjnë këtë janë shitur si skllevër. Ka raporte edhe të abuzimit seksual dhe të përdhunimit të grave dhe fëmijëve.
Edhe në mesin e atyre që kanë arritur të shpëtojnë nga egërsia xhihadiste, situata është jashtëzakonisht e vështirë. Nga qershori i këtij viti mbi 830 mijë veta ishin të detyruar të largohen nga zonat që i ka okupuar ISIS, gjë që ka rezultuar me një katastrofë humanitare, vlerëson OKB. Ndihma që duhet ofruar këtyre njerëzve absolutisht është e domosdoshme, por në të njëjtën kohë politikisht e parealizueshme. OKB nuk do të jetë në gjendje të dakordohet për një veprim më të fuqishëm kundër terroristëve të pamëshirshëm.
Ushtria irakiane u shemb si një shtëpi kartoni
Meqë ushtria irakiane u shemb si një shtëpi kartoni, ISIS u duk shumë shpejt në rajon dhe mbrojtja e popullsisë e në veçanti e pakicave dhe grupeve civile ishte jo- ekzistente. Shi për këtë, të shpërngulurit ishin lehtë të kapen dhe po të mos ishin ushtarët Peshmerga të pjesës kurde atëherë terrori shkatërrues do të merrte më shumë viktima. Ndërkaq, në anën tjetër Amensti International vlerëson se marrja e vendimit të qeverisë irakiane për të armatosur milicinë shiite vetëm sa e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën. Në një aksion të këtoditshëm të terroristëve të ISIS u pushtuan edhe 16 fshatra në Siri dhe shi për këtë ishin të detyruar që më së 70 mijë sirian të kapërcejnë kufirin dhe të kalojnë në Turqi.Hëpërhë, nevojat janë të qarta: ndihma humanitare, mbrojtja e civilëve nga terroristet e shtetit islamik.
Me bombardime vështirë se do të këtë zgjidhje afatgjatë
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka qenë i qartë se intervenimi me trupa tokësore nuk është aktual. Megjithatë, sulmet ajrore amerikane, por edhe ato franceze dhe të aletatëve tjerë po vazhdojnë në përpjekje për të kufizuar ambicien e shtetit islamik për një Kalifat të zgjeruar. Por do të jetë vështirë që me bomba nga ajri të arrihet zgjidhje afatgjatë. Për më tepër nuk mund të zgjidhet katastrofa humanitare: furnizimi me ushqime thjesht nuk arrinë të refugjatët, i cili është aq i nevojshëm. Me një fjalë, me gjithë të vërtetën e frustruar është se edhe pse ka ekzekutime mizore dhe vrasje masive, që sigurisht se ngjall neveri, siç duket nuk pritet ndonjë veprim më i fort. Kjo është më të vërtetë tragjedi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Etnik, Isis, spastrim fetar, Xhavit Citaku

ARMET DHE UDHEZIMET RUSE SOLLEN REBELIMIN E SEPERATISTEVE

September 16, 2014 by dgreca

*Putini ka treguar se sa i neveritshëm është karshi lirive dhe të drejtave të njeriut si dhe parimeve demokratike/
*Aktori kryesor në tryezën e bisedimeve në Minsk të Rusisë së Bardhë ishte padyshim Rusia, pavarësisht nga fakti se Putini refuzon të pranoj rolin e saj në konflikt/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Përvoja po tregon se në Ukrainë po mbretëron një armëpushim i brishtë, por në anën tjetër, megjithatë, qeveria në Kiev dhe separatistët pro- rusë nënshkruan një marrëveshje. Aktori kryesor në tryezën e bisedimeve në Minsk të Rusisë së Bardhë ishte padyshim Rusia, pavarësisht se Putini refuzon të pranoj rolin e saj në konflikt. Faktikisht armët dhe udhëzimet ruse krijuan rebelimin dhe kur ushtria ukrainase ndërmori një ofensivë që konsiderohej si e suksesshme, Putini i dërgoi trupat profesioniste dhe të pajisura mirë për ta kthyer luftën. Pas një seri humbjesh ndoshta Presidenti ukrainas Petro Porosjenko u detyrua të përkulet para fuqisë së armëve lakuriqe.
Esenca është që Ukraina të heq dorë nga rajonet lindore
Esenca e pretendimit të Putinit është që Ukraina të heq dorë nga rajonet Donetsk dhe Luhansk, që bie dhjetë për qind të popullsisë së përgjithshme të vendit. Formalisht, rezultati mund të quhet një Federatë, por “ vetëqeverisja” në lindje do t’i takoj Rusisë. Nuk ka një plan paqeje nga Kremlini, por populli i Ukrainës është mirë të veproj dhe ndikoj me një mendje. Në ndërkohë BE ka përshkallëzuar sanksionet të cilat do të hyjnë në fuqi në momentin kur vlerësohet se Rusia nuk po i përmbahet armëpushimit dhe nuk i tërheq ushtarët nga territori ukrainas. Edhe samiti në Walles të Britanisë së Madhe debatoi për kërcënimin rus ndaj vendeve fqinje dhe u zotua se do të formoj një forcë të reagimit të shpejt për t’iu dalë në mbrojtje shteteve lindore. Pas aneksimit të Krimes nga Rusia imperialiste BE dhe SHBA ndërmorën disa masa ndëshkuese, që ishin të turpshme karshi mizorive brutale që u kryen atje.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia është një vepër e keqe sa do që Putini këtë e refuzon. Një armëpushim mund të quhet një progres në kuptimin e asaj që njerëzit të mos vdesin në luftë. Nëse ajo në mënyrë efektive konfirmon një ndryshim të kufijve me forcë, është një turp, megjithatë, një shpërblim i një sulmi që ka kërkuar një jetë të disa mijëra ukrainasve.
BE duhet të zgjeroj sanksionet
BE dhe SHBA-të duhet t’i zgjerojnë sanksionet. Nuk asnjë arsye të heq kërkesën që Rusia të tërheq dy ushtarët e fundit nga territori ukrainas dhe të mbështetjes së saj ushtarake ndaj separatistëve. BE me sanksionet e saj do të godet në kufizimet jo vetëm të bankave, por edhe në aftësinë e kompanive të mëdha të qeverisë ruse për të marrë hua në tregun evropian. Mbi të gjitha ka të bëj me naftën dhe industrinë e armëve. Eksporti i teknologjisë të llojeve të ndryshme, po ashtu, mund të jetë i mbytur. Këto janë masa më të arsyeshme të cilat sigurisht se do të lënë vend edhe për shumë më tepër. Ende nuk dihet se sa do të ndikojnë këto masa dhe të tjerat që po aplikohen. Por një gjë dihet dhe është e sigurt si dhe e pamundur që Putin të pendohet dhe të vendos gjërat në vendin e duhur. Ai është duke kaluar në një ëndërr të vjetruar të superfuqisë ruse dhe për të nuk ka rëndësi që kapitali rus po i ikë jashtë vendit dhe investimet po dështojnë. Sanksionet mund të cenojnë dhe vështirësojnë shumë një rënie ekonomike, mirëpo kjo deri me tani nuk po ia prek sedrën këtij njeriu.
Humbja eventuale e rajoneve lindore duhet të këtë një kosto të lartë
Është e mundshme që Donetsk dhe Luhansk të jenë humbur, por çmimi për këtë duhet të jetë i lartë dhe i mjaftueshëm që t’ia kthej mendjen Putinit për të mos hyr më në aventura të ngjashme. Nëse nuk bëhet kështu atëherë trupat ruse mund të mësyjnë edhe vendeve tjera si për shembull Kazakistanit apo Rusisë së Bardhë. Përveç kësaj NATO duhet t’iu qëndroj përkrah të gjithë anëtarëve të saj dhe të garantoj mbrojtje reciproke. Një sulm në shtetet baltike ose një e ashtuquajtur kryengritje separatiste në mesin e pakicave rusisht- folëse nuk do të pranohen. Ndërkaq, që Ukraina të pranohet në Aleancën Veriatlantike akoma nuk është aktuale. Mirëpo, Kremlini nuk ka veto në vendimet e NATO-s.
Putin ka treguar se sa i neveritshëm është karshi të drejtave dhe lirive të njeriut dhe parimeve demokratike në Rusi, por edhe në Ukrainë. Ai gjithashtu nuk është më i interesuar për marrëdhënie normale me Evropën dhe ai në këtë mënyrë duhet të trajtohet në përputhje me rrethanat. Çfarë efektesh të menjëhershme mund të këtë në politikën e sanksioneve ende mund të këtë pasiguri, por një gjë dihet se ato janë një investim i gjatë. Megjithatë, më mirë është që t’i vihen kufijtë “putinizmit” tash se sa më vonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: ARMET DHE UDHEZIMET, E SEPERATISTEVE, RUSE SOLLEN REBELIMIN, Xhavit Citaku

Blloku i partive të majta fitues i zgjedhjeve në Suedi

September 15, 2014 by dgreca

Menjëherë pas publikimit të rezultateve Kryetari i Partisë Moderate, Frederik Reinfeldt dhe njëherit Kryeminister aktual i vendit, tha se ofron dorëheqje nga posti i të parit të partisë për shkak të humbjes që pësoi në këto zgjedhje /
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Geteborg- 15 shtator- Zgjedhjet e djeshme nacionale, rajonale dhe komunale në Suedinë e largët përfunduan me një rezultat pothuajse të balancuar ndërmjet dy blloqeve për shkak se fituesi është në përparësi me vetëm rreth katër për qind. Sipas rezultateve të deritashme dhe pothuajse përfundimtare blloku i partive majtiste i fitoi zgjedhjet pasi që mori mbi 43 për qind të votave të përgjithshme. Këtë bllok e udhëheq Partia Socialdemokrate që fitoi 31.3 për qind të votave, pastaj partia për Mbrojtjen e Ambientit 6.8 dhe Partia e Majtë që fitoi 5.7 për qind. Ndërkaq, Aleanca e partive konzervative që udhëhiqej nga Partia Moderate dhe që ishte në pushtet tash e tetë vjet arriti që marrë 39.4 për qind të votave. Shikuar nga ky rezultat paszgjedhor asnjeri koalicion nuk e ka shumicën për ta formuar qeverinë dhe shi për këtë blloku fitues duhet ta gjejë një partner nga aleanca. Sipas disa informacioneve të para deri me tash Partia Demokristiane ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me Partinë për Mbrojtje të Ambientit, mirëpo është në pikëpyetje se sa stabile do të mund të jetë qeveria me këtë parti e cila ka fituar vetëm 4.6 për qind të votave.
Befasi e këtyre zgjedhjeve është renditja në vendin e tretë të partisë më të madhe në vend të Demokrateve Suedezë SD, e cila fitoi 13 për qind të votave. Megjithatë, për shkak të orientimit dhe programit të saj kundër të huajve asnjëra parti nuk dëshiron të bashkëpunoj dhe të krijoj farë koalicioni me këtë parti ekstremiste.
Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve lideri i Partisë Socialdemokrate, Stefan Lofven, do të jetë Kryeminister i ardhshëm i Suedisë. Ndërkaq, Kryetari i Moderatëve, Frederik Reinfeldt, dhe njëherit Kryeminister aktual, në një konferencë për medie që dha menjëherë pas konfirmimit të rezultateve të zgjedhjeve tha se ofron dorëheqje nga posti i të parit të partisë për shkak të humbjes që pësuan në këto zgjedhje. Edhe pse elektorati dëshiroj të bëj ndryshime në formën e qeverisjes, megjithatë, moderatët dhe partitë tjera në koalicion, pos tjerash, arritën që me sukses t’i bëjnë ballë krizës financiare që pati përfshi të gjithë Bashkësinë Ndërkombëtare.

Filed Under: Politike Tagged With: Blloku i partive, i zgjedhjeve, ne Suedi, të majta fitues, Xhavit Citaku

Ende ka vend për reflektim pozitiv të zgjidhjes së ngërçit politik

September 10, 2014 by dgreca

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Sa vjen e afrohet dita kur duhet të mbahet vazhdimi i mbledhjes konstituive të Parlamentit, ndarjet ndërmjet koalicionit të PDK-së dhe LAN-it vetëm sa po thellohen edhe më shumë. Kështu nuk do të duhej të ndodhte, përkundrazi nga vendimi i gjykatës e deri me tash secili është dashur të vënë gishtin në kokë dhe të mendoj mirë e fort se a është më me rëndësi një post udhëheqës apo mirëqenia sociale e popullit, siç kemi dëgjuar aq shpesh ta thonë këtë këta liderë. Por, fatkeqësisht këta udhëheqës partiak në asnjë rast , jo që nuk lëvizin nga pozicionet e tyre të ngurta, dhe nuk i përmbushin premtimet e dhëna për bashkëpunim e marrëveshje për të ndërtuar institucionet e shtetit në afatet ligjore e kushtetuese,por edhe më tej thirrën në të drejtën e tyre për zgjedhjen e Kryeparlamentarit dhe më pas edhe të qeverisë së Kosovës. Kjo nuk shkon kështu dhe nuk ka lidhje as me demokraci e as me parlamentarizëm , i cili pretendohej se po zhvillohej në vendin tonë.
Të mësuar me ndërhyrje ndërkombëtare
Qytetarët janë shumë të dëshpëruar me këtë cirk paszgjedhor dhe tepër të paknaqur me këtë gjendje të krijuar, përkatësisht me këtë krizë politike, e cila erdhi në shprehje, në rend të parë, për shkak të apetiteve të sëmura karrieriste të liderëve politik. Dhe me të drejt ata pyesin se athua di kush ta gjej fijen e lëmshit aq shumë të ngatërruar nga kjo grykësi për pushtet. Prapë përgjigja është e tyre. Përgjigje e drejt e dëshmuar edhe herave të tjera. Thonë: jena mësuar me ndërhy të huajt se sa për neve, siç po shihet, shkon dimri e vjen vera kush që mund të bëj diçka të hajrit kurrë. Është për të ardhur keq. Por kjo është e vërtetë, është edhe një argument i fort se qytetari tashmë e ka humbur besimin në shumicën e këtyre liderëve që nuk dinë tjetër pos të “ lidhin besën” se ose do të zgjedhen në postet e synuara, bile edhe duke shkelur rregulloren dhe Kushtetutën ose nuk bën ndryshe. Aq shumë iu ka dalë “ fala” këtyre lakmitarëve. Por që do se ata po bëjnë sehir se pari me vetë vetën e më pas po u hedhin hi syve elektoratit dhe në përgjithësi popullit kinse për të drejtën e tyre të “ patjetërsueshme ” se për këtë vendosi sovrani. Janë këto dokrra që tashmë nuk po pinë ujë se populli e ka kuptuar se cili është qëllimi i fundit i tyre. Përse faktori ndërkombëtar i instaluar në Kosovë nuk po e bën as edhe një hap të vogël për t’i ulur në një tryezë liderët tanë, kjo nuk po mund të kuptohet, por ndoshta lufta e filluar në Ukrainë, pastaj ballafaqimi me ISIS dhe të shumë problemeve tjera në tërë rruzullin tokësor, Kosova ka mbet në margjina të interesimit sepse tek fundit kjo për ta nuk është diçka që çon peshë aq të madhe. Megjithatë, mendoj se një ndërhyrje qoftë edhe e “ lehtë” do të ishte e mirëseardhur sepse edhe ata janë të bindur se liderët kosovar asesi nuk do të mund të merren vesh për shkak të, sidomos, urrejtjes së skajshme që është e pranishme ndërmjet tyre.
Deputetët nuk mund të bëjnë çka të duan
Në një intervistë për medie të një personaliteti të shquar ndër të tjera lexova të këtë thënë, sigurisht i revoltuar tej mase, se deputetët janë ata që vendosin për ndërtimin e institucioneve shtetërore pa u përzie as Gjykata Kushtetuese apo ndokush tjetër. Për këtë edhe unë pajtohem. Ata përfaqësojnë organin më të lartë legjislativ dhe në të gjitha demokracitë e zhvilluara kështu veprohet. Mirëpo nuk mund të pajtohem me konstatimin se ata mund të bëjnë çka të duan apo më mirë me thënë se duke shkelur rregulloren e bazuar edhe në aktin më të lartë, Kushtetutën, të ndërtohen institucionet e shtetit pavarësisht se a e ka dikush shumicën apo pakicën. Shi për këtë, është e formuar Gjykata Kushtetuese për të vepruar dhe për të mos lejuar të vjen në shprehje anarkia. Pajtohem, po ashtu, me konstatimin se ka shumë të meta edhe në rregulloren e Kuvendit të Kosovës, por edhe në Kushtetutë sa i përket sistemit zgjedhor dhe instalimit të institucioneve pas përfundimit të zgjedhjeve. Megjithatë, për shkak të këtyre të metave, që janë “ fryt” i përbashkët i të gjitha partive politike, rregullorja nuk bën të shkelet, por duhet të respektohet në tërësi. Kështu u shpreh edhe Ambasada amerikane se duhet të përfillet ligji, Kushtetuta dhe vendimi i fundit i Kushtetueses.
Për pushtet nuk duhet të “prishen” me aleatet kryesor të Kosovës
Nga krijimi i bllokut opozitar të inatit nuk kemi dëgjuar diçka të rëndësishme të thonë për vendin liderët e tij, pos që ata nuk heqin dorë për të ardhur në pushtet dhe pikë. Madje për t’i marrë postet e synuara liderët e këtij blloku as që qajnë kokën se mund të prishen marrëdhëniet ndërmjet aleatëve tanë pa ndihmën e të cilëve Kosova nuk do ta kishte fituar lirinë që kemi sot. Kjo u vërejt edhe tekstin e marrëveshjes me VV-në, në bazë të së cilës pos tjerash Albin Kurti do t’i udhëheq bisedimet me Beogradin e jo Kryeministri siç ishte praktikuar deri me tash. Për mua kjo nuk do të ishte aq e rëndësishme se kush dhe si do t’i udhëheq këto bisedime, këtë do të mund ta bëj edhe lideri i VV-së, por më e rëndësishme është se sa kjo marrëveshje do të ndikoj negativisht tek partnerët tanë strategjik, të cilët do të ndihmojnë në ecjen tonë përpara në të gjitha fushat. Gjithë ky “ lëshim” po bëhet vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet duke mos parë më shumë se deri të hundët se sa negativisht do të ndikoj për të ardhmen e Kosovës kjo grykësi aq e madhe për pushtet. Në vend të kësaj rruge të pakrye liderët do të duhej të kishin qasje konstruktive për një bashkëpunim të mirëfilltë me të gjitha subjektet politike, pavarësisht se a mund të lidhet farë koalicioni tjetër apo qeverisje tjetërfare që vendin do ta shpetonte nga zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në politik, së paku haptas, liderët nuk do të duhej që para popullit të shprehin tërë atë mllefin e urrejtjes që kanë ndërmjet vete, të xhelozisë, të inatit. Kjo nuk është e moralshme. Ka ende kohë për të menduar e punuar ndryshe dhe të zgjidhet ky ngërç politik në mënyrë demokratike duke ia dhënë rastin e mundësinë për të shkuar para në ndërtimin e institucioneve të shtetit aq të nevojshme aktualisht. Nëse këta liderë nuk ia arrijnë t’i marrin postet aq shumë të dashura për ta, vendi në asnjë rast nuk duhet të trazohet, kjo do të ishte porosia e popullit.
I ka apo nuk i ka votat PDK?
Partia fituese PDK edhe pse po bën përpjekje për të krijuar institucionet sipas rezultatit të arritur në zgjedhje, këtë nuk po mund ta bëj për shkak të bllokadës nga subjektet tjera politike. Është e natyrshme se secila parti që fiton zgjedhjet nuk dëshiron që në tavolinë të humb marrjen e pushtetit, të cilën gjë po e thotë edhe PDK. Mirëpo, në këtë situatë të krijuar apo më mirë më thënë të kryeneçësisë së liderëve tanë vështirë se do të mund të përfundoj ky cirk në mënyrë të rregullt dhe pa probleme gjatë seancës inauguruese të Parlamentit. Nëse PDK këmbëngul që Kryeparamentari i takon vetëm asaj bazuar edhe në vendimin e Kushtetueses, e në anën tjetër nëse nuk do t’i këtë votat atëherë vendi mund të shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Disa herë u deklaruan përfaqësues të partisë fituese se i kanë numrat për zgjedhjen e Kryekuvendarit, por sa do të jetë kjo reale pritet të shihet me 12 shtator. Mirëpo, nëse sërish blloku opozitar vepron ngjashëm sikur herën e parë atëherë Kushtetuesja prapë do të veproj. Dhe për këtë dikush do të duhej të merret në përgjegjësi. “ Ilaqii” dhe “ terapia” më e përshtatshme do të jetë ndërhyrja ndërkombëtare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ende ka vend, për reflektim pozitiv, politik, së ngërçit, të zgjidhjes, Xhavit Citaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT