Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Gjiganti kosovar “ “Trepça” ishte eksportuesi më i madh në ish- Jugosllavi dhe në llogaritë e saj derdheshin mjete të mëdha devizore. Sado që prej tij mbetej pak në Kosovë ai ishte, megjithatë, boshti qendror i zhvillimit të përgjithshëm dhe sidomos të atij ekonomik të Kosovës. “ Trepça” me 21 mijë e 500 punëtorë ngriti një sistem të tërë objektesh pune dhe studimi. Objektet më të rëndësishme të saj në Kosovë, pos minierave në Stantërg, Kishnicë, Hajvali dhe Novobërdë, kishte arritur të ngriste edhe këto objekte: fabrikën e baterive industriale në Pejë, , “ Metalikun” në Gjakovë, “ Famipën” në Prizren, fabrikën NI CD të baterive në Gjilan, fabrikën e akumulatorëve në Mitrovicë, fabrikën e municionit të gjuetisë në Skenderaj, fabrikën e llamarinës së zinkuar në Vushtrri, fabrkën e bojërave dhe llaqeve në Vushtrri, , fabrikën e paisjeve për procesin e prodhimit në Mitrovicë, shkritoren dhe rafinerinë në Zveçan, Metalurgjinë e plumbit dhe të zinkut në Mitrovicë. Po ashtu, Trepça ka pasur institutin e vetë për zhvillim, Qendrën elektronike, Organizatën për furnizim të materialeve dhe shitjen e mallrave, laboratorë modern, Qendrën mjekësore dhe sistemin e transportit. Po ashtu pasuria e saj shtrihej edhe në pjesët tjera federale të ish- Jugosllavisë, si në Mal të Zi, Vojvodinë, Bosnje Hercegovinë e më së shumti në Serbi.
Në kulmin e prodhimtarisë serbët pushtuan “ Trepçën”
Siç mësuam unë dhe kolegu im Ymer Avdiu nga bashkëbiseduesit tanë Azizi Abrashi, Nysret Magjera dhe Dr. Safet Merovcinë nëntor të vitit 1999, gjatë vitit 1988, do të thotë në vitin e fundit kur punuan shqiptarët, ky gjigant shënoi kulmin e prodhimtarisë më të suksesshme, rrugë kjo që u ndërpre nga pushtimi klasik serb. Atë vit në Trepçë u arritë që të prodhohen dy milion e 100 mijë tonë xehe, koncentrat zinku 80 mijë, koncentrat plumbi 120 mijë tonë dhe pirit 120 mijë tonë. Plumb të rafinuar u prodhuan 103 mijë tonë, argjend 126 mijë kilogram, ari 242 kilogram, legura të plumbit 30 mijë tonë, bizmut 115 mijë kilogram dhe acid sulfurik 30 mijë tonë.
Metarlugjia e zinkut kishte realizuar 49 mijë e 500 tonë zink elektrolit, 6 mijë tonë legura të zinkut dhe 2 mijë tonë zink oksid, tre mijë tonë zink pluhur,145 mijë tonë acid sulfurik dhe 180 mijë kilogram kadmium. Kështu ishte në të gjithë kolektivat tjerë punues të këtij gjiganti që ia kishin lakmi edhe shumë partner të jashtëm me të cilët kishte kontakte afariste dhe bashkëpunim tjetër me interes. U bënë përpjekje të shumta që edhe në kushte okupimi kjo shtyllë e rëndësishme disi të shpëtohet. Kësisoj, në kuadër të mbrojtjes së kësaj pasurie të madhe që rrezikohej të gllabërohej, punëtorët e “ Trepçës”, sipas dispozitave të atëhershme në fuqi, këtë gjigant asokohe e shndërruan në shoqëri aksionare. Mirëpo, as kjo e as grevat nuk bënë punë, Sepse Serbia mu për shkak të pasurisë e pushtoi ushtarakisht dhe me akte arbitrare e shpalli pronë të Serbisë. Shqiptarët i largoi nga puna dhe pasi vetë nuk mund të prodhonte filloi eksploatimin e vrazhdë dhe krijoj situata të mjegulluara duke i futur kompanitë multinacionale në lojë.
Gjatë kohës së pushtimit serb prodhimi ishte katastrofik
Në të gjitha ndërmarrjet e Trepçës, deri në pushtimin përfundimtar serb më 1989, prodhimtaria dhe kapacitetet e saj përpunuese ecnin me hapa të sigurt drejt një të ardhme më të mirë të banorëve të Kosovës. Me kapacitet disponuese deri në vitin 1989 bruto- produkti vjetor ishte rreth v250 milionë dollarë, ndërkaq eksporti në pesë vitet e fundit ishte 140 milionë dollarë. Çmimi i metaleve të ngjyrosura ka qenë drejtpërsëdrejti i varur nga Bursa, mirëpo për shkak se Trepça kishte arritur të ngrisë kapacitetet përpunuese kjo dukuri jo e favorshme ishte eliminuar në masë të dukshme. Deri në këtë vit është arritur, bie fjala, që të prodhohen mbi 2 milionë e 100 mijë tonë xehe. Mirëpo këtë tempo të afarizmit të suksesshëm nuk arriti ta mbaj udhëheqja serbe, sepse ajo dëboi me dhunë të gjithë punëtorët shqiptarë. Thënë me gjuhën e ekspertëve shfrytëzimi i minierave pa punëtorë shqiptarë nuk ishte i mindur në masë çfarë janë frikësuar të gjithë, por ai eksploatim ka qenë shumë i vrazhdë.
Për dhjetë vjet kapacitet në Trepçë janë shfrytëzuar10- 18 për qind dhe ky ishte prodhim më karastrofik në gjithë historinë e saj. Është punuar vetëm me koncentrate të importuara ngaqë minierat kosovare nuk kanë qenë në veprim, por atje janë shfrytëzuar vetëm shtyllat mbajtëse që shërbenin për sigurimin e horizonteve, duke e rrezikuar në këtë mënyrë tërë xeheroren nga një shëmbje e përgjithshme që do të kishte pasur probleme të mëdha në riaktivizimin e sërishëm të saj. Prodhimi i dhjetë vjetëve mund të krahasohet me një vit prodhimi kur punonin shqiptarët.
Aventura që dëmtonin edhe shëndetin e banorëve
Më tej mësuam se duke mos pasur mundësi që pa punëtorë shqiptarë të aktivizojnë ndërmarrjet e Trepçës, udhëheqja e dhunshme serbe e kontrolluar drejtpërsëdrejti nga regjimi në Beograd, u hyri disa aventurave që ishin jo vetëm në dëm të këtij gjiganti, por edhe të shëndetit të banorëve të Kosovës. Sipas Dr. Safet Merovcit, kjo udhëheqje fantome ka lejuar firmën greke Militeanosit që të përpunojë koncentrat në rafinerinë dhe shkritoren e Zveçanit, dyshohet, me sasi jashtëzakonisht të lartë të zhivës dhe arsenit. Pos në Trepçë askund tjetër në botë nuk kishte mundur të ndodhte një gjë e tillë për të rrezikuar në masë aq të madhe banorët e një vendi e më së shumti shqiptarët që përbënin 95 për qind të numrit të përgjithshëm. Dyshohet që koncentrati që është përpunuar në Zveçan është importuar nga Kolumbia, të cilin askush në botë nuk e përpunon për shkak të sasisë së madhe të zhivës dhe arsenit.
Shkatërrimet e objekteve të ndërmarrjeve të Trepçës pas luftës u dukën kudo. Serbia plaçkiti më të madhe makineritë dhe paisjet më moderne. Ndërkaq edhe ato që mbetën ashtu siç i la okupatori shumica prej tyre u shitën dhe fatkeqësisht asnjera prej tyre nuk e pati fatin që të vazhdoi me prodhimtari për çfarë ishte e ndërtuar dhe e planifikuar. Dhe tash shtrohet pyetja se si do të funksionoj gjiganti ynë pa ato objekte të domosdoshme përcjellëse për t’i sjell dobi dhe zhvillim më të hovshëm vendit tonë. Edhe pas 15 vjetësh të përfundimit të luftës gjendja e Trepçës mbeti pezull, ndoshta bukur shumë me fajin e faktorit ndërkombëtar, mirëpo edhe institucionet tona nuk ishin të vendosura për ta kthyer këtë gjigant në gjirin e saj dhe kështu përfundimisht të përfundoi kjo odisejadë e panevojshme që u zhvillua deri me tash. Është e kuptueshme se çdo nguti mund të sjellë pasoja të paparashikueshme, mirëpo, a nuk mjaftuan 15 vite që i gjithë materiali i nevojshëm të përgatitet dhe prona që i takon me të gjitha dispozitat ligjore edhe të atëhershme edhe të tashme të kthehet në qeverisje të plotë të institucioneve kosovare. Dialog nuk mund të këtë në asnjë mënyrë me Serbinë për pasuritë e saj, por duhet të këtë bisedime për të kthyer gjithë atë që ka plaçkit dhe që ka investuar Trepça në këtë shtet fqinjë.
Miti serb për Kosovën ishte dhe mbeti pasuria e saj përrallore
Trepça zinte vendin e dytë në Evropë me prodhimin e metaleve të ngjyrosura, ndërsa të tretin në botë.- Në thellësitë e minierave të Stantërgut ekzistojnë 20 milionë tonë rezerva të xeheve, ndërsa sipas hulumtimeve të rralla ka trupa xeheror jashtë Stantërgut në Mazhiq, Zijaq dhe gjurmë tjera, po ashtu rreth 20 milionë tonë të tjerë
Shkruan:XHAVIT ÇITAKU/
Shqiptarët vazhdimisht kanë dëshmuar para botës se Serbia në Kosovë nuk lufon për “ djepin e serbizimit”, as për kishat e manastiret që i ndërtoi mbi themelet e faltoreve autoktone ilire-shqiptare, as për “ Ditën e Vidovdanit”, as për mbrojtjen e një grushti serbësh në Kosovë, por “ miti” serb për Kosovën ishte dhe mbeti pasuria e saj përrallore mbi dhe nëntokësore, që vlerësohet të jetë mbi 500 miliardë dollarë, e sidomos “ Trepça”, njëra ndër begatit më të mëdha të Evropës dhe të botës. Po dëshmia e shqiptarëve deri vonë hasi në vesh të shurdhër dhe se argumenti më i fortë për këtë është gjendja e sotme në qytetin industrial, Mitrovicën dhe në vetë “ Trepçën”. Dihet mirëfilli nga janë kufijtë e Kosovës, prandaj dihet mirëfilli se “ Trepça” është brenda Kosovës dhe rrjedhimisht dihet se ajo është begati dhe pronë e Kosovës. Qyteti i Mitrovicës padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare dhe artificiale u nda dhe tash e një kohë të gjatë po bëhet problem. Edhe pasuria e “ Trepçës” u nda në dysh, thënë figurativisht drithi u mbeti shqiptarëve, kurse mulliri serbëve.
Të uritur mbi ari
“ Trepça” është njëri ndër gjigantët më të mëdhenj në botë. Trepça” zinte vendin e dytë ne Evropë me prodhimin e metaleve të ngjyrosura, ndërsa të tretin në botë. Në thellësitë e minierave të “ Stantërgut” ekzistojnë 20 milionë tonë rezerva të xeheve, ose punë për 40 vjetët e ardhshme. Ndërkaq, sipas hulumtimeve të rralla, si quhen ato, ka trupa xeherorë jashtë Stantërgut, në Mazhiq, Ziajq dhe gjurmë tjera, me rezerva, po ashtu, rreth 20 milionë tonë xehe. Është arritur deri në horizontin e 11 në Stantërg dhe nuk ka shenja se rezervat po shtërzojnë, na patën thënë bashkëbiseduesit tanë Aziz Abrashi, Nysret Magjera dhe Safet Merovci në nëntor të vitit 2000. Pasurisë së madhe jo rrallë popujt e vegjël ia kanë pa sherrin. Përfundimisht “ Trepçën” Serbia e ripushtoi me 1989, duke i nxjerr nga puna të gjithë shqiptarët, pa përjashtim, ekspertë dhe punëtorë. Që nga ajo kohë e deri me sot, edhe pas çlirimit të vendit, popullata e këtij rajoni, që ekskluzivisht varet nga puna e “ Trepçës”, të mbesë në gjendje vëretë të rëndë dhe të mjerë ekonomike e sociale, apo siç tregohet ajo legjenda për të “ uriturit mbi dukat”.
Problemi i Mitrovicës është “ Trepça”
Menjëherë pas përfundimit të luftës, nisur nga rëndësia e madhe ekonomike dhe strategjike që ka miniera e “ Trepçës” unë dhe kolegu im Ymer Avdiu për gazetën Rilindja u munduam që sado pak të grumbullojmë të dhëna lidhur me këtë gjigant e sidomos rreth pretendimeve se kinse ka pasur investime nga firma të huaja. Gjatë vitit 1999 QPK kishte caktuar si udhëheqës të Korporatës Dr. Safet Merovcin i cili ndër të tjera na pati thënë se “ Trepça” nuk është problem i askujt dhe se çështjen e borxheve e konsiderojm të arsyeshëm vetëm deri në aplikimin e masave të dhunshme për të cilën gjë mund të bisedohet në kuadër të suksesionit të ish-Jugosllavisë. Thënë konkretisht, investimet greke e franceze ishin bërë në kohën e sanksioneve, pra kur “ Trepçën” e pushtuan arbitrarisht serbët, ndaj edhe investimi në tokë të huaj pa e pyetur të zotin është faktikisht uzurpim i padrejtë i një pasurie që nuk ka mbështetje ligjore, sepse “ Trepça” është e Kosovës dhe se vetëm kosovarët janë ata që do ta udhëheqin këtë gjigant, që do t’i gëzoj profitet dhe humbjet e saj. E kujt është “ Trepça” është një imagjinatë e atyre që pretendojnë të jetë e tyre. Ndoshta do të vjen koha që ne do t’i akuzojmë disa në gjyq që sot pretendojnë se kanë interesa në “ Trepçë”, pati thënë Merovci.
Ndërkaq, i ndjeri Aziz Abrashi, njëri ndër udhëheqësit më të suksesshëm të Trepçës” gjatë bisedës më të na pati thënë se edhe me Ligjin mbi ndërmarrjet të dalë nga Kushtetuta e vitit 1974 e Kosovës resurset ishin shpallur si pasuri të Kosovës dhe se tash mbetet loja e Milosheviqit që ka fut kapitalin e vetë përmes firmës së Rizanit dhe firmës greke, që tenton që me çdo kusht të mbaj “ Trepçën” Problemi i Mitrovicës nuk ekziston si problem, këtë e kuptojnë edhe fëmijët, por problemi është “ Trepça” dhe në momentin kur të zgjidhet ky problem dhe punëtorët t’ia nisin punës, Mitrovica më nuk do të jetë aktuale. Një pjesë të madhe të mjeteve që kanë dhënë kinse këto dy investitorë i kanë realizuar në formë të letrave pa vlerë, për të mbajtur qetësinë politike në Serbi, pa investime të brendshme, formalisht i kanë marrë paratë, kinse në Serbi kanë arritur pajimet e “ Trepçës”, që në të vërtetë kështu janë krijuar humbjet për ta shkatërruar atë. Edhe Nysret Magjera theksoi se Baza e kapitalit në fondet e Qipros, Greqisë dhe të Francës nëpërmjet të kompanive multinacionale të këtyre vendeve, edhe pse në nazë të Rezolutës së OKB-së Serbia ishte nën embargo, kapitali i “ Trepçës është bartur jashtë Kosovës. Këto kompani nuk kanë angazhuar kapital të vetin. Në mënyrë fiktive e prezantojnë kapitalin që Serbia e ka pasur në botën e jashtme, domethënë në mënyrë të kontrateve fiktive, llogarive fiktive, është paraqitur malli i shitur i “ Trepçës”, ndërsa paratë janë derdhur në kontot e jashtme që i ka pasur Serbia në emër të këtyre firmave dhe po ai kapital është dhënë në formë të kredive, apo formë investive në “ Trepçë”. Në këtë mënyrë “ Trepça” është obliguar të kthejë kapitalin e vet me interes të caktuar, pati thënë ai.
“ Trepça” punonte Beogradi ndërtohej
Miti serb mbi Kosovën, pra, ishte pasuria përrallore e saj. Ky konstatim dëshmohet më të dhëna konkrete që ashiqare i pa tërë bota. Pasi ish- Kryesia e RSFJ-së shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, udhëheqja serbe pa fije turpi të njëjtën metodë filloi ta aplikoj edhe në kolektiva punonjës në mënyrë që të përfitoj sa më shumë para për të mbajtur gjallë regjimin dhe qetësinë politke e shumë më tepër të derdhte mjete në fonde private, që ishin hapur, sidomos në Qipro. Cak i parë i këtij sulmi të vrazhdë në ekonominë kosovare ishte pikërisht “ Trepça”, e cila me kapacitet disponuese të vitit 1989 mbante primatin e prodhuesve më të mëdhenjë. Nuk diti udhëheqja serbe apo deshi që ti fsheh marifetlleqët e veta duke i dëbuar nga puna të gjithë shqiptarët, pa të cilët siç u pa më vonë nuk arriti të bëj asgjë , përkatësisht nuk mundi të eksploatoj minierat e pasura me xehe, pos disa shtyllave mbajtëse, që shërbenin për sigurinë e horizonteve dhe të vetë minierës së Stantërgut.
Deri në vitin 1989 Trepça ishte shtyllë më e rëndësishme në zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe të pjesëve tjera të ish-Jugosllavisë, ngaqë ky gjigant me 21 mijë e 500 punëtorë arrinte të krijonte mjete të mëdha për vete dhe të tjerët. Dhe nuk duhet harruar protestat e studentëve shqiptar nga viti 1968 kur thonin shtruar se “ Trepça punon- Beogradi ndërton”. Pra, pos ndërtimit të Beogradit me mjetet e Trepçës u ndërtua edhe fabrika e industri të tëra në Serbi, Mal të Zi dhe Vovodinë. Po përmendim fakte për pronësinë e Trepçës jashtë Kosovës:miniera me flotacion “ Rudnik”, Bobo Lubonja, industria e baterive në Sombor, ndër më modernet në Evropë, që janë të aktivizuara në Serbi dhe Vojvodinë dhe dy miniera në Mal të Zi. Vlera e këtij kapitali të investuar kap një shumë të madhe dhe shi për këtë do të ishte më së e domosdoshme që ato mjete të kthehen, sikurse që kontesti gjyqësor ishte duke u zhvilluar rreth minierës së Bllagodatit, e cila ishte shkëputur nga gjiganti kosovar me insistimin dhe mbështetjen e ish- kryetarit vtë Serbisë Dragosllav Markoviqit. Për të gjitha mjetet e investuara ekziston dokumentacioni përkatës, na patën thënë në “ Trepçë” dhe për të gjitha investimet që ka bërë Trepça jashtë Kosovës do të hapen arkivat dhe të dëshmohet qartë se edhe Kosovës do të duhej t’i ktheheshin pasuritë që me djersën e punëtorëve i kishte investuar pa u pyetur në pjesë të ndryshme të ish-Jugosllavisë e më së shumti në Serbi. Pra, Kosova nuk i ka asgjë borxh Serbisë, përkundrazi ky shtet grabitqar duhet të kthej gjithë atë pasuri të madhe që e ka fal gjigantit kosovar “ Trepçës”.
*XHAVIT ÇITAKU, eshte bashkepunetor i Gazetes “Dielli”
Më shumë vrau Boko Haram se sa që vdiqën nga Ebola
Nigeria ka arritur sukses që ta vë nën kontroll epideminë e Ebola-s krahasuar me shtetet tjera afrikane, mirëpo në të njëjtën kohë ky shtet është fuqishëm i prekur nga organizata terroriste Boko Haram/
Shkruan: XHAVITI ÇITAKU/
Fillet e para të sëmundjes vdekjeprurëse Ebola u raportuan në dhjetor të vitit 2013 në një vendbanim malor në Guine afër kufirit mes Liberisë dhe Sierra Leone. Më pas udhëtarët e bartën virusin përtej këtyre shteteve dhe në mars të vitit të kaluar në Liberi vdiqën tetë veta ndërsa në Sierra Leone gjashtë sish.
Nga Ebola vdiqën 8235 persona…
Në fund të muajt qershor të vitit që e lamë pas ishin të infektuar 759 veta, ndërsa kishin vdekur 467 nga kjo epidemi që përfshiu këto shtete afrikane. Ndërkaq, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2013 shifrat e të sëmurëve nga Ebola kishin shënuar rritje të madhe. Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë WHO që i dha për opinion me katër janar të këtij viti që sapo ka filluar, shihet se 20.747 njerëz janë të infektuar. Nga ky numër i të infektuarëve vdiqën 8235 veta në shtetet e Afrikës Perëndimore.
… Boko Haram vrau mbi dhjetë mijë persona
Nigeria ka arritur sukses që ta vë nën kontroll epideminë e Ebola-s, mirëpo në anën tjetër ky shtet afrikan po ballafaqohet me një problem shumë më të madh, të cilin po ia sjell organizata terroriste Boko Haram. Gazeta Nacional Post bën me dije se Boko Haram në këtë vend ka vrarë më shumë se dhjetë mijë veta vetëm gjatë vitit të kaluar. Po ashtu më shumë se një milionë banorë kanë qenë të shtrënguar të shpërngulën nga ky vend për të gjetur shpëtim në Çad dhe Kamerun. Dhe ç’është edhe më keq vrasjet ende po vazhdojnë.
Masakër e përgjakshme gjatë vikendit të shkuar
Me dhjetë janar, ditë e diel, shumë byro informative të botës raportuan se Boko Haram kishte kryer një masakër të përgjakshme. Ende nuk është e qartë se sa persona janë të vrarë, por thuhet se mund të jenë mbi dy mijë. Sulmi i kësaj organizate terroriste ishte koncentruar në qytetin Baga të Nigerisë që shtrihet afër kufirit me Çadin. Një dëshmitar i kësaj masakre të paparë që kishte arritur të shpetoj i kishte thënë Agjencisë AFP se duke ikur kishte shkelur në kufoma në një gjatësi prej pesë kilometrash.
Këto të dhëna kaq trishtuese duhet të zgjojnë ndërgjegjen e shteteve të fuqishme për të ndihmuar këtë shtet afrikan për të luftuar kundër kësaj organizate e cila po fut tmerr e frikë banorëve të këtij vendi. Nëse nuk ndihmohet Nigeria atëherë skenat e përgjakshme sikurse ajo e këtij vikendi që e lamë pas do të përsëritën, ndoshta, me një ritëm edhe më të shpejt.
Tregim i dhimbshëm nga QKUK
Më mirë do të ishte të emërohet nga një zëvendës minister se sa nga dy dhe ato para derdhën në Klinikën Onkologjike, në të cilën pacientët janë të shtrënguar që vetë t’i sigurojnë barnat që janë shumë të shtrënjta/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Sa keq. Për më tepër e dhimbshme. Shumë e dhimbshme. Pos sëmundjes këtë dhimbje edhe më shumë po ua shton shteti dhe institucionet përkatëse, të cilat nuk po janë në gjendje që një kërkesë elementare t’ia plotësoj qytetarit të saj në momentin më të vështirë të jetës së tij. Nuk ka mundësi apo nuk ka vullnet për t’iu dalë në ndihmë të sëmurëve rëndë që i ka kapluar kanceri. Vërtetë është tregim i dhimbshëm gjithë ai informacion që delë nga Klinika Onkologjike e QKUK: gjatë tërë vitit të kaluar pacientët janë përballur me mungesën e ilaqeve për të bërë terapin e domosdoshme për ta izoluar eventualisht shtimin e mëtejm të kësaj sëmundjeje vdekje prurëse.
Për darka, dreka e lukse tjera mjete ka sa të duash
Në mungesë të barnave në këtë Klinikë pacientët ishin të shtrënguar që ato t’i sigurojnë vetë, të cilat faktikisht mund t’i blej vetëm ai që i ka punët mirë ekonomikisht. Ndërkaq, të tjerët duhet të futën në borxhe apo edhe të shesin tokë e shtazët shtëpiake për të siguruar barnat që ua cakton mjeku përkatës. Pa këto barna është e pamundshme që të zhvillohet terapia e domosdoshme për ta izoluar sado pak apo edhe eventualisht për ta shëruar këtë sëmundje, së cilës fatkeqësisht u janë nënshtruar një numër i madh i pacientëve.
Drejtuesit e kësaj klinike më të drejtë fajin ia hudhin Ministrisë së Shëndetësisë e cila nuk ka ndarë mjete sipas kërkesave reale për furnizim. Dhe ç’është edhe më keq personeli thekson se ky trend i keq, përkatësisht i kësaj gjendjeje do të vazhdoj edhe gjatë këtij viti. Derisa këta pacientë vuajnë nga kjo sëmundje e rëndë kanerogjene dhe mungesën e parave për të siguruar barnat, në anën tjetër qeveritarët tanë për dreka, darka e lukse tjera kishin mjete sa të duash. Po ashtu, sipas disa informacioneve merret vesh se emërimi i dy zëvëndësminstrave për çdo ministri qeverisë do t’i kushtoj vetëm për të ardhura personale mbi 11 milion euro po aq sa i nevojitën Klinikës Onkologjike. Së këndejmi, më mirë është që ato mjete të derdhën për nevojat emergjente që ka ky institucion shëndetësor në mënyrë që kjo barrë e rëndë që iu është ngarkuar pacientëve jo vetëm të sëmundjeve koncerogjene të zgjidhet njëherë e mirë. Me një fjalë, nëse ka vullnet e dëshirë për të zgjidhur këtë problem të madh, mjetet mund të gjenden në çdo kohë. Ndryshe, një shtet që nuk është në gjendje të kujdeset për shëndetin e qytetarëve të saj, ai nuk mund të quhet shtet në kuptimin e plotë të fjalës.
U zgjua nga gjumi BSPK-ja
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Më në fund u paraqit para opinionit, duke e bërë me dije të mos kenë fort “ dert” punëtorët se, megjithatë, kreu i BSPK-së është gjallë, me shëndet të mirë e besa edhe me ndonjë kilogram të shtuar. Thonë edhe mjekët se qëndrimi ulur i tepruar shkakton rritjen e “ barkut”, por njeriu me këtë rast lëshon edhe peshë. Dhe kreu i sindikatës kosovare që dolën në skenë papritmas, si fantazma, i ka do zyre se me ba muhabet ndërmjet veti se “ tybe” gjë tjetër të hajrit nuk janë kah bëjnë. Apo thënë më mirë , ashiqare, po shihet e mund të kontatohet pa fije dyshimi se ata nuk janë kërkahë.
Protesta është mjeti i fundit që duhet të shfrytëzohet
Po të zgjaste edhe më tej ngërçi politik e të mos formohej qeveria e re, lirshëm mund të thuhet se përgjegjësitë e sindikatës do të vazhdonin me gjumin e rëndë që i kishte pas kapur, me shpresë se kah pranvera do të mund të zgjoheshin. Mirëpo, falë disa “ kujdestarëve, anonim që i ka ky organizëm, kreu i saj u informua se u ndërtuan institucionet e reja dhe se qeveria nuk do të bëj asnjë hap para sa i përket rritjes së pagave për punëtorët e sektorit publik. Pa një pa dy, ende në kllapi, përgjegjësitë sindikalist ngritën zërin se nëse nuk do të këtë rritje atëherë do të organizojnë protesta. Kjo nguti ka vetëm një qëllim që të arsyetohet para punëtorisë se ajo është në anën e tyre dhe se do të luftojë deri në fund për realizimin e kërkesave të drejta të tyre. Në demokracitë e zhvilluara protesta është mjeti i fundit që shfrytëzohet nga sindikata, sepse, në rend të parë, duhet zhvilluar debat dhe të jenë në kontakt të përhershëm me ata që kërkojnë rritje të pagave dhe të shohin deri në detaje burimin e të ardhurave buxhetore dhe mundësitë reale për realizimin e atyre kërkesave nga ana e punëtorëve. Kur të arrihet një përfundim i kapshëm edhe për sindikatën, sepse ajo duhet të ballafaqohet me qeverinë apo me ndonjë punëdhënës tjetër me tregues real se një gjë e tillë mund të bëhet, atëherë fillojnë bisedimet për zbatimin e një marrëveshje që mund të arrihet. Kështu duhet të veprohet dhe kështu duhet të gjendet zgjidhja e jo që menjëherë me kërcenime të bëhet presion mbi qeverinë dhe ndonjë punëdhënës tjetër. Në asnjë rast nuk pretendoj se punëtorët e sektorit publik nuk kanë të drejt në rritjen e pagave, por qëllimi im është që t’ia përkujtoj këtij asosacioni që i përfaqëson të ecën nëpër rrugën e duhur demokratike konform rregullave e normave të përcaktuara për raste të tilla. Premtimin për rritje pagash për 25 për qind e pati bërë partia fituese e zgjedhjeve, por për shkakun se tash qeverisjen e udhëheq një subjekt tjetër politik, vështirë do të jetë të bëj këtë gjë, aq më parë kur dihet se Kryeministri aktual e kishte kritikuar këtë premtim të dhënë edhe gjatë fushatës zgjedhore e më pas.
Përse asnjë fjalë për sektorin privat
Punëtoria shqiptare e Kosovës ka probleme të mëdha sidomos në shkeljen e të drejtave në vendet e tyre të punës dhe realizimit të kërkesave që rrjedhin nga kontratat e lidhura me punëdhënësit. Problem numër një është se në sektorin privat e posaçërisht në ndërtimtari punëtorët nuk i marrin të ardhurat personale me rregull, edhe ashtu të ulëta,.dhe ndodh që edhe pesë e gjashtë muaj të mos shohin asnjë euro t’iu këtë arritur në xhirollogarit e tyre nga firmat ku derdhin djersën e tyre edhe nga 12 orë në ditë. Problem tjetër është edhe puna e zgjatur dhe puna në vikende, të cilat janë të ndaluara më të gjitha normat e së drejtës që rregullon këtë materie, vetëm në ndonjë rast të veçantë kur për këtë të jetë pajtuar vetë punëtori. Ndërkaq, në praktik, fatkeqësisht, në këtë sektor jo vetëm për ndonjë rast, por punëtorët janë të detyruar që të punojnë çdo të shtunë e besa edhe shumë të dielave dhe askush për këtë “ detyrim” antiligjor nuk merret. E njëjta situatë mbretëron edhe në sektorin e tregtisë dhe të hotelerisë. Derisa për sektorin e ndërtimtarisë nuk kam informacione të bollshme sa i përket sigurimit dhe pagesës së pjesës nga të ardhurat personale për pensione të punëtorëve , kjo gjë në të shumtën e rasteve nuk bëhet nga punëdhënësit e restorantëve kudo në Kosovë. Kjo e dhënë jo që është për të ardhur keq, por kërkon angazhim maksimal të inspektoratit të punës që kjo gjendje të zgjidhet në favor të punëtorëve të këtij sektori, sepse ndryshe këta punëtorë do të punojnë deri në moshën kur duhet të punësohen dhe në fund të mos e realizojnë pensionin e merituar. Janë vetëm këta dy shembuj të pakëndshëm për këto dy kategori të punëtorëve ku ka vend të mjaftueshëm për të zhvilluar aktivitet të pandërprerë edhe sindikata e Kosovës e jo të mbyllen në zyrat e tyre e të marrin vetëm rroga të majme, që i realizojnë mu nga djersa e tyre. Punëtorisë i duhet punë konkrete e jo shtirje para tyre se kinse diçka po lëvizë nga sindikata. Pra roli i sindikatës duhet të jetë shumë më i fuqishëm, bindës e i pandërprerë në realizimin e të drejtave të punëtorëve që po shkilen kurdo e anëkënd Kosovës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- …
- 15
- Next Page »