Nga Hart L. Wegner/
Poezia: fryt i dhimbjes sonë./
E moçme sa lotët tanë./
Edmond Jabès/
Libri i Pyetjeve, II/III, 114./
Unë nuk jam një teoricien. Së pari, flas si një lexues dhe së dyti si shkrimtar.
Numri i artikujve, librave dhe dizertacioneve kushtuar Celanit është kaq i madh saqë vepra e tij letrare duket si një liliput, kryesisht 800 poema. Kjo pafundësi shkrimesh të shkurajon të shkruash apo të flasësh për të, pasi mendon se s’ka mbetur gjë e rëndësishme pa u thënë. Por sipas Gëtes, “Çdo gjë e mençur është thënë, kështu që s’na mbetet gjë tjetër veçse të provojmë ta mendojmë edhe një herë.” Gëtja nuk na thotë që të përsërisim atë që të tjerët kanë menduar, por ta rimendojmë e ta ripërsiatim që të mund ta përjetojmë e ta kuptojmë poezinë e Celanit sikur askush të mos ketë shkruar e analizuar veprën e tij.
Ku qëndron rëndësia e saj? Ne nuk synojmë që përmes procesit të ripërsiatjes të krijojmë një kuptim të ri e përfundimtar të poezive. Poezia e Celanit e sfidon konceptin “përfundimtar” dhe “e mbaruar.” Ajo është e hapur për interpretime të ndryshme.
Gëte shkruan, “Kush dëshiron të kuptojë poetin/ Duhet të shkojë në tokën e poetit” (Artemis 3, 343) A do të na ndihmonte të kuptonim Celanin dhe poezinë e tij sikur të shkonim në Çernovicë? Po, por kjo gjë është e pamundur, sepse Çernovica, vendi ku ai u rrit, nuk është më. A mund t’i quajmë Çernovicën, Vienën, e Parisin, çdonjerën nga vendet ku valët e jetës e çuan Celanin “toka të poetit”? Çdokush në Vjenë do ta njëjtësonte Celanin me Austrinë e Vjetër, siç kishin njejtësuar më parë edhe Rilken e Kafkën, paçka që këta të dy kanë lindur në Pragë, e siç më njejtësojnë edhe mua me Silezinë, paçka se ajo iu shkëput me forcë Austrisë qysh në shekullin XVIII. Por Austria ka mbetur gjithnjë vendi i kujtimeve. Ashtu siç Celani thoshte për vetveten, “ajo që doja të arrja ishte Vjena.” (John Felstiner, Poema dhe prozë të zgjedhura të Paul Celanit New York: Norton, 2001) 395.
Çernovica ishte një provincë e largët e monarkisë Austro-Hungareze. Celani ishte një banor i saj, sipas Kafkës një “njeri nga fshati” që nuk arriti të gjendte portën për të hyrë në Vjenë.
Kur Celani mori çmimin letrar të qytetit të Bremenit, ai e përshkroi vendlindjen, tokën e poetit me këto fjalë:
Shumë nga ju ndoshta nuk e njohin vendin nga vij—nga çfarë shmangie rrugësh! por a ka vërtet shmangie nga rruga?— Është një vend i pasur me rrëfenja Hasidike që Martin Buberi i ka ritreguar për të gjithë në Gjermani. . . .Ishte një krahinë ku dikur banonin njerëzit dhe librat” (ibid.).
A e ka ndier ndonjëherë Celani veten si të mërguar? Nga ç’vend i mërguar?
Nga Çernovica? Në një farë mënyre, po. Në ligjeratën e tij, Celani thotë se Çernovica “më shfaqet tani përpara syve nga një distancë shumë e largët” (ibid). E largët, por ai e mban mend që kishte qenë një vend i rëndësishëm, e cila pas rënies të monarkisë Austro-Hungareze dhe gjatë sundimit kommunist “kishte mbetur pa histori” (ibid). Dhe kur thotë se “Ishte një krahinë ku dikur banonin njerëzit e librat,” na bie në sy forma e pakryer e foljes “banonin.”
Edmond Jabès një tjetër shkrimtar i periudhës së Celanit i mërguar në Paris, ngaqë e kishin përzënë nga Egjipti së bashku me çifutë të tjerë gjatë krizës së kanalit të Suezit në 1957, thoshte: “Çifutët kishin shekuj që kërkonin të ishin një shenjë, një fjalë, një libër. Shkrimet e tyre ishin shtegtime, dyshime, pritje, bashkërrjedhje, plagë, ikje, dhe mërgim, mërgim, mërgim.” Libri i Pyetjeve, 290
Ku ndodhet vendlindja e shkrimtarit që jeton në mërgim? Në gjuhën e tij. Celani e mbronte gjuhën e vet. Jetonte në Rumani apo Francë, por gjermanishtja ishte gjuha e tij, gjuha e nënës që kishte folur Gjermanishten letrare. Ja si e shpreh këtë ide vetë ai, “Atje, i rrethuar nga humbjet, mbeti gjallë vetëm një gjë: gjuha” (395). Në mërgim kjo gjuhë ishte “toka e vërtetë e poetit,” paçka se për të ajo ishte mëdyshja më e madhe dhe e pazgjidhur; gjermanishtja kishte qenë gjuha e atyre që ai fajëson për vdekjen e prindërve dhe të çifutëve të tjerë të vendlindjes së tij të “Menschen dhe e librave.” Celani shpjegon metodën e tij të pastrimit të gjuhës amtare, të të vetmes gjë që i ka mbetur: të gjuhës së nënës së vrarë:
Ajo gjuhë mbijetoi, pavarësisht nga rrethanat, nuk humbi. Por duhej të kalonte përmes pazotësisë së saj për të dhënë përgjigje (answerlessness), përmes memecllëkut të frikshëm, përmes mijëra errësirash të ligjeratës vdekjeprurëse. Kaloi përmes dhe nuk dha asnjë shpjegim për atë që ndodhi; megjithatë e kapërceu këtë ngjarjeje. Kaloi përmes dhe si rrjedhim erdhi në jetë sërish, “e pasuruar.” (395)
Paçka sesa e dhimbshme dhe e mundimshme ka qenë për Celanin procesi i dëlirjes së gjuhës, ai duhej kryer. Përse? Sepse atdheu i vërtetë i shkrimtarit të mërguar është gjuha e tij e cila bashkë me poezinë përbëjnë mjetin e orientimit të poetit.
Në këtë gjuhë kam kërkuar gjatë nëpër vite të shkruaj poezi: si të thuash që të orientoj vetveten, për të zbuluar ku isha e nga ishte udha që doja të shkoja të skicoja realitetin për vetveten.
Megjithëse në fillim të viteve 1950-të, Celani kërkoi të bëhej qytetar frances, fjala më e saktë që do të pasqyronte gjendjen e tij është “pa atdhe.” Diku ai është shprehur kështu, “. . .kur ndodhesh përbrenda gjuhës tënde, pikave të orientimit, midis librave e veprave që dashuron, ti ndodhesh në tokën tënde. Ndërsa unë ndodhem jashtë.” Qytetar i një vendi që pothuajse nuk ishte më, autor që shkruan në gjuhën gjermane, por që kurrë nuk jetoi në atë vend e kurrë nuk i zuri besë, banor i Francës, por i pavlerësuar atje, kështu që, gjuha amtare e Paul Antschel-Celanit ishte i vetmi vend që ai e quante të vetin. (Felstiner, Poet/Surv. 94)
Rrugëtimi i Celanit ka qenë drejtvizor— a ka vërtet shmangie nga rruga? kishte pyetur dikur ai—dhe as i jashtëzakonshëm po të kihet parasysh fatet e shumë të tjerëve në atë kohë. Ai lindi më 1920 në Çernovicë të Bukovinës, që i përkiste Rumanisë, tani quhet Chernovst e i përket Ukrainës. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore ai jetonte aty: një çifut nën regjimin e Hitlerit. Ndryshe nga prindërit e tij, ai mundi të mbijetojë. Ishte pikërisht ekzekutimi i së ëmës në 1943 që e nxiti t’i kushtohet seriozisht krijimtarisë letrare. Ai shkoi të jetojë në Bukuresht nën regjimin komunist, dhe më pas, kaloi në Vjenë ku qëndroi gjashtë muaj. Më pas, shkoi të jetojë përfundimisht në Paris e mbas disa krizash mendore, më 1970, vret veten duke u mbytur në lum.
Ai është poeti më i rëndësishëm gjerman i periudhës së pasluftës, paçka se asnjëherë nuk kishte jetuar në Gjermani. Ashtu si Vladimir Nabukov që shkruante se “historia e viteve universitare në Angli, është në të vërtetë histori e përpjekjeve për t’u bërë një shkrimtar rus,” po kështu edhe Celani shkoi në Francë për t’u bërë poeti i madh gjerman. (Speak, Memory, 261)
Cili është vendi i Celanit në poezinë gjermane?
Edhe pse poezia e tij hera-herës merr ngjyrat e një teksti surrealist dhe na shfaqet si poezi avangardiste ngaqë e ka çuar poezinë në kufijtë e skajshëm të gjuhës, Celani i përket traditës së shkëlqyer të poezisë lirike gjermane: Hölderlini i himneve, Rilke i Elegjive për Duinon dhe—do të shtoja—Trakl, në poezitë e tij më të mira, si p.sh. “Grodek.”
Xhorxh Steinër shkroi në faqen letrare të London Times njëzet e pesë vjet pas vdekjes së Celanit:
Nuk ka më asgjë provokuese e të çuditshme rreth tezës se Celani qëndron përbri Hölderlinit në majë të poezisë gjermane (ndoshta edhe të poezisë moderne evropiane). Sipas këtij vlerësimi, Rilke, (të cilin Celani e çmonte shumë lart) është një mjeshtër më i kuptueshëm, por më pak novator dhe në disa drejtime më pak i rëndësishëm. Është Paul Celani që ka shtruar për diskutim lidhjet e gjuhës me nevojat dhe shpresat njerëzore.”
Në fillimet e hershme të krijimtarisë së tij Celani shkroi poezinë “Fuga e vdekjes” që u bë e njohur në gjithë botën. Si lënda e vjershës po ashtu edhe suksesi i saj do të kenë qenë një barrë e rëndë për poetin. Siç shkruan Jabès, “Zbulimi i veprës që shkrimtari do të shkruajë është njëherazi mrekulli dhe plagë. (L. i Pyetjeve,1, 27)
Gjatë leximit të “Fugës së Vdekjes” të Celanit, momenti interesant është kur, mbas gjithë atij figuracioni tronditës, lexuesi vëren se vargut përfundimtar i mungon pika. “Fuga e Vdekjes” është e vetmja ndërmjet pesëdhjetë e gjashtë poezive të Mohn und Gedächtnis që mbyllet kështu. Kur e lexon për herë të parë, i emocionuar nga metaforat e fuqishme, recitativi, përsëritjet dhe variacionet tipike për strukturën e fugës, nuk të bie në sy mungesa e shënjave të pikësimit. Nuk ndodhet asnjë presje e vetme, asnjë pikë, vizë apo ndonjë gjë tjetër, përveçse fjalëve të fuqishme. Por kur arrijmë në vargun e fundit, “floku yt i artë Margarit/ floku yt i hirtë Sulamith” ne kërkojmë për pikën që ta plotësojmë e përfundojmë poezinë dhe të çlirohemi nga tensioni nën peshën e figuracionit, por poeti na e ka mohuar këtë çlirim. Në gjuhën origjinale të Celanit, rrokja e fundit e fjalës së fundit të poezisë—emri “Sulamith”— është e lirë dhe qëndron më lart se simotra e saj në variantin anglisht “Shulamite.” Në anglisht, rrokja e fundit, fatkeqësisht, tingëllon “might,” pra “fuqi” e “forcë” pikërisht cilësi që Sulamithi nuk i mishëron.
Si rezultat i mungesës së pikës në fund të poemës, lexuesi është lënë me fantazmën e Sulamithit me flokë të hirtë të gdhendur në tymin e krematorëve. Kjo fantazmë, e papenguar nga pika, vazhdon të mos na shqitet nga mendja. Një pikë në fund të poezisë do të kishte të njëjtën vlerë ashtu si perdet në fund të një opere. Pika do të na çlironte nga përgjegjësia për tmerret që poeti përshkruan. Ngaqë mungon pika, lexuesi ka ndjesinë se poezia nuk ka përfunduar e nuk duhet të kthejë faqe e nuk duhet të largohet nga fantazma e Sulamithit. Ne nuk duhet të mënjanojmë sytë nga ajo e cila në Këngën e Solomonit personifikonte Izraelin dhe nuk duhet të harrojmë tragjedinë që ka ndodhur.
Po kështu nuk kemi lehtësim kur lexojmë vjershën që Celani ka lexuar tek Kënga e Solomonit, i vetmi vend ku Sulamithi na shfaqet.
Ktheu, ktheu O Shulamite;
Ktheu, ktheu,
Që të mund të të admirojmë.
Çfarë shikoni te Shulamite?
(6:13).
Sulamith nuk është emër personi, por një toponim, Shunen, që i përkiste fisit të Issacharit. Ne nuk jemi çliruar nga fantazma, sepse, si në një procedure magjie, Sulamithit i luten katër herë, që të kthehet që të mund ta admirojnë edhe një herë.
Në një vjershë që nuk është shumë e gjatë, lexuesi vëren—dhe pikërisht pas leximit të parë—që në atë pakicë foljesh, folja “me pi” është përsëritur njëzet herë. Tre veprimtari bazë janë themelore për vazhdimësinë e racës njerëzore dhe për gjënë e gjallë: të pish, të hash dhe të shumëzohesh. Nga të trija këto, të pirët është padyshim më e rëndësishmja për mbijetesë. Lexuesit i bie në sy paradoksi: poezia ku në titull përfshihet fjala “vdekje” është e mbushur me foljen më jetësore “me pi.” Në Librin e Pyetjeve, Jabèsi shkruan kështu: “Etja realizon mrekullinë duke i dhënë botës privilegjin e ëndërrimit. Me pi. Me pi ajrin, errësirën, ditën.”
Duke lexuar “Fugën e Vdekjes” lexuesi ngaqë dëgjon vazhdimisht—kjo është një poezi veçanërisht për veshin—foljen “me pi” pyet veten sesa e madhe do të ketë qenë etja, një etje që qumështi i zi nuk e shuan kurrë.
***
Çdokush që përpiqet t’i caktojë vendin e të vlerësojë rëndësinë e Paul Celanit në letërsinë e kohës së tij, patjetër që mendja do t’i shkojë tek Franc Kafka. Vlera më e madhe e tyre qëndron në ndikimin strukturor, intelektual dhe emocional që kanë patur mbi letërsinë, shkrimtarët e lexuesit përmes përpunimit të aftësinë të tyre perceptuese. “Kolonia e internimit” e Kafkës dhe “Fuga e Vdekjes “ e Celanit kanë shumë pika takimi. Duke shkruar para periudhës së Holokaustit, Kafka parashikoi në mënyrë profetike ardhjen e makinerisë së vdekjes, por mbas 1945 detyra e shkrimtarit kishte ndryshuar. Nuk ishte më ajo e profetit. Profecia ishte bërë realitet.
Ka një ligj që është kaq i pandryshueshëm sa edhe ligjet e fizikës: domethënia e një poeme të mirë—dhe për rrjedhojë vlera e saj—është gjithnjë më e madhe sesa elementët përbërëse të saj, apo të asaj që poezia pretendon të jetë.
Cili mund të radhitet pranë Celanit? Më pranë tij fare mirë mund të qëndrojë Nelly Sachs, poetja emigrante që jetonte në Stokholm e që mori Çmimin Nobel më 1966. Dikur ajo i shkroi atij kështu, “Ndërmjet Parisit dhe Stokholmit kalon një meridian brenge dhe ngushëllimi.” (Felstiner, Poet, Surv. 156) Të dy ata mbanin mbi supe barrën e rëndë të Holokaustit. Një vjershë e saj nga libri Vendbanimet e Vdekjes, shkruar nga 1940-1944 ka disa pika takimi me “Fuga e Vdekjes.”
Oxhaqet,
Mbi vendbanimet e vdekjes të shpikura me mendjemprehtësi,
Kur trupi i Izraelit përmes ajrit
përhapet si tym.
Nelly Sachs, O the Chimneys (New York: Farrar, Straus, 1967) 3.
“Trupi i Izraelit” nga poezia e Sachs na sjell në mendje përsëri Celanin, dhe po ashtu Këngën e Solomonit ku trupi i gruas që përshkruhet me detaje përfaqëson Izraelin dhe marrëdhëniet me Zotin e tij.
Të tre shkrimtarët çifutë,Celani, Sachs dhe Jabès që sipas mënyrës së tyre u morën me temën e Holokaustit, kanë të përbashkët—edhe pse ata mund të ishin ose nuk mund të ishin besimtarë—lidhjet e thella me traditën mistike çifute.
Simboli është Çifut.
Fjala është Çifute.
Libri është Çifut.
E krijuesit e tij janë Çifutë.
(Libri i Pyetjeve, 290)
***
Kriza që prek qytetërimin tonë qëndron në atë që fjala, fjalia letrare dhe libri siç e njohim ne janë të kërcënuar të zhduken e të zëvendësohen nga numri, kodet numerike dhe figurat.
Gjuha gjithnjë ka qenë një mjet shpëtimi gjatë evolucionit të qenies njerëzore e zhvilluar ndoshta nga thirrjet që paralajmëronin rrezikun. Përsëri tani gjuha letrare është mjeti shpëtimtar që nuk mund të matet, të peshohet a të njehsohet, por që na bën njerëzor e të njerëzishëm.
Në këtë kohë të vështira, ne u drejtohemi poetëve tanë jo vetëm si pozicioni i fundit i rezistencës, por edhe si një forcë ripërtëritëse. Është pikërisht gjuha e tyre, përdorimi i përkujdesshëm i fjalëve që do ta shpëtojë gjuhën tonë për të mos u varfëruar e mbetur djerrë e të mos bëhet zhargon i doracakëve shpjeguese për teknologjinë e re. Celani përmbush detyrimin më të rëndësishëm që një poet ka për gjuhën: ta ruaj, të shterojë mundësitë e çdo fjale të veçantë, ta ripërtërijë e ta mbajë gjallë duke krijuar fjalë të reja. Pikërisht prej poetëve—të gjallë e të vdekur—ne duhet të rimësojmë të kemi respekt për fjalën, origjina hyjnore e së cilës po shkatërrohet nga teknologjia. Ne duhet t’u mësojmë brezat e ardhshëm të shkruajnë fjalë që jo vetëm kumbojnë nga zgjuarsia, por edhe që drithërojnë nga gjallëria emocionale. Ne duhet t’u mëkojmë atyre urrejtjen për fjalët e frazat boshe, fjalët e vdekura, shkurtimet, të folurën teknike, zhargonet profesionalë dhe nevojën për t’u qëndruar larg fjalëve të huaja. Ky është një peng që i kemi poetëve dhe një peng ndaj së ardhmes sonë.
Celani e jetoi jetën për poezinë, me poezinë dhe në poezinë e tij. Në një emisioin radioje për Osip Mandelstam, ai tha: “Poezitë janë skica për të jetuar. Poeti përpiqet t’i përmbush ato.” Hölderlini që 37 vjetët e fundit i kaloi në çmendi në fund u bashkua me Celanin. Një peshkatar zbuloi trupin e Celanit në Senë, ndërsa “në tryezën e tij ndodhej një biografi e Hölderlinit, e hapur në një faqe ku ishte e nënvizuar: ‘Nganjëherë gjeniu errësohet dhe zhytet thellë në pusin e hidhur të zemrës së tij.’” A ishte kjo vargu i fundit që Celani lexoi? Në curriculum vitae të Celanit, i cili e përshkoi jetën si Mensch dhe poet, Edmond Jabès mund të shtojë fjalën e fundit: “Jeta e shkrimtarit është një marshim i vazhdueshëm drejt një ylli. Yjet përgjigjen për veprën e tij. Yjet e zinj.”
Përkthyes
Pirro Dollani