• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Evropa kundër vetvetes?!

June 29, 2016 by dgreca

Nga Zeno Jahaj/

Gjysma e anglezëve ka votuar për të lënë BE-në.  Një makth a gjëmë e stërmadhe ka pushtuar mediat, fjalimet, liderët për një efekt të mundshëm domino: Bashkimi Evropian shkon drejt shpërbërjes. Kësisoj, tashmë evropianët do të enden secili për hesap të vet në xhunglën e re gjeopolitike që mund të krijohet nga një Evropë e copëzuar, e paorientuar, pré e fantazmave që e patën sfilitur atë sidomos në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Ky është pak a shumë skenari i gjëmës apo i makthit.

Për më shumë se dy shekuj Evropa ishte qendra e fuqisë, pasurisë, intelektit dhe e qytetërimit perëndimor. Si e tillë, ajo sundoi skenën botërore. Për rrjedhim, edhe formula e gjeopolitikës kishte vulën e saj. Natyrisht Evropa ka qenë dhe është një burim vlerash universale progresi me gjithçka që i ka sjellë dhe i sjell njerëzimit në politikë e shoqëri, ekonomi e financë, mendim e ide, teknikë e teknologji, në të gjitha fushat. Revolucione të mëdha e të rrjedhimeve globale ishin produkte Evropiane. Ashtu sikurse, për fat të keq, ishte Evropa për të cilën dhe në të cilën u zhvilluan dy luftëra të përmasave botërore. Dy ideologjitë më shkatërrimtare të njerëzimit, komunizmi e nazizmi hodhën rrënjë dhe u instaluan pikërisht në Evropë. Evropa ishte një Perandori edhe pa qenë e bashkuar: do ë ishte një nga vendet Evropiane do të mbante gjithnjë çelësat e botës, pavarësisht se quhej Britani e Madhe apo Holandë, Francë apo Spanjë. Kjo Evropë ishte që furnizoi me gjak dhe i dha jetë një kontinenti të tërë Amerikan, që krijoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’i besuar, pastaj, asaj, tërë çelësat e botës. Por, kur Evropa e kuptoi, më së fundi, se pushoi së qeni perandori; kur asnjë vend Evropian nuk mund të vendoste tashmë i vetëm fatet e botës; kur nuk do të mund të përdorte më instrumentet që kishte përdorur për më shumë se dy shekuj, atëherë ajo iu drejtua një zgjidhjeje tjetër: të organizohej dhe të vepronte si bashkësi, si Bashkim Evropian.

E vërteta është se kontinenti, një herë e një kohë i vetëm me treg botëror sundimi e influence, sot fuqitë Evropiane zor se shtrihen dot deri edhe brenda kontinentit. Vetëm 8 për qind e eksporteve Evropiane shkojnë në tetë ekonomitë e tregjeve më të zhvilluara siç janë ata të disa vendeve të Azisë, të cilat tashmë vlerësohen se janë gjenerues të rritjes së ardhshme të ekonomisë botërore. Dikur me popullsi sa 33% e asaj botërore, sot, popullsia e Evropës nuk përbën më shumë sesa 17% të saj – një ritëm rënieje që rrezikon madje edhe riprodhimin e vetvetes. Dikur Evropa jepte gjysmën e prodhimit botëror, në vitet 1980 një të katërtën dhe sot një të pestën. Parashikimet janë akoma më pesimiste.

Pikëpyetjet që ngrihen janë therëse: Do të varrosë Evropa të gjitha armët që i dhanë asaj privilegjin e të qenit truri politik i botës?  Do të varrosë Evropa rolin e vet si aktor kushtëzues gjeografik e ekonomik i zhvillimeve të ardhshme globale? Do të sakrifikojnë vendet evropiane identitetin e vet Evropian për hir të identiteteve kombëtare? A do të konkurrojë dot një Evropë e shpërbërë përkundrejt fuqitë të mëdha aktuale dhe atyre të reja që po afirmohen? Më në fund, por jo e fundit për nga rëndësia, a do të ndjehen më të sigurt vendet dhe qytetarët evropianë pa fuqinë unike gjeofinanciare të Evropës së Bashkuar?

Evropa e Bashkuar lindi si nevojë për t’i dhënë fund tragjizmit të saj që e çoi gjithë botën në dy luftëra shkatërrimtare, për t’i dhënë fund nacionalizmit të formës së nazizmit e të fashizmit. Edhe pse u quajtën luftëra botërore e përmasat ishin të tilla, fushëbeteja ishte Evropa dhe milionat e të vdekurve nga këto luftëra ishin tragjikisht vetëm evropianë.

Evropa e Bashkuar lindi si nevojë për t’i dhënë fund dobësisë së saj klasike – armiqësive shekullore, rivalitetit nacionalist, për të t’u riformësuar si një kontinent më të lirë dhe më me prospritet pikërisht nën kuadrin e integrimit ndërevropian, jo të lirisë për konflikt evropian. Pas dy luftërave shkatërrimtare të cilat “tëharrën” burimet e saj njerëzore, material e financiare, Evropa u ndërgjegjësua se shkaku i këtyre luftërave ishin pikërisht pengesat për tregtinë dhe lëvizjen e lirë të prodhimeve, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve nëpër të gjithë kontinentin.

Evropa e Bashkuar lindi si nevojë për të vërtetuar se e mira e përbashkët nuk sigurohet me struktura perandorake si ato të Ish Bashkimit Sovjetik, por me struktura të lira demokratike.  Dhe Evropa e fitoi këtë betejë.

Evropa e Bashkuar lindi si nevojë e rirregullimit të balancave gjeopolitike, për të mos i lënë këto balanca në dorë të fatit apo të fuqive autarkike a komuniste. Vetëm një Evropë e Bashkuar me vlerat e saj të lirisë e të prosperitetit demokratik do të kishte bërë të mundur të ndikoheshin zhvillime me peshë gjeopolitike si integrimi i shteteve post-fashiste si Spanja, Portugalia apo Greqia apo i atyre post-komuniste të pothuaj tërë Evropës Lindore. Vetë këto vlera universale do të mundësonin që madje edhe Serbia, e njohur për dyzimet e saj gjeopolitike e trajtat agresive të nacionalizmit të saj, të aspirojë për integrimin Evropian.

A mund të dalë, prandaj, Evropa kundër vetvetes?

Evropa – djepi i vlerave demokratike – kontinenti më i pësuar historikisht nga politikat e ekstremeve ultra të djathta,  ultra konservatore e ultra nacionaliste, nuk mund të lejojë të bjerë në duart e neonazizmit, neofashizmit, shovinizmit, ksenofobisë, racizmit, autoritarizmit, e regjimeve të korruptuara. Pësimi i hidhur, shumë i hidhur është shumë i afërt në kohë për ta harruar.

Evropa – rast unik i kulturës dhe strukturave të bashkëpunimit në nivel kontinental, nuk mund të lejojë të shpërdorojë armët e fituara në sajë të kësaj kulture dhe të këtyre institucioneve.

Një nga këto armë është siguria që prodhon BE përmes ekonomisë e financave të saj. Ishte dhe është BE-ja që ushtron politikat dhe armën gjeofinanciare përmes sanksioneve nga të cilat mund të tkurret aventurizmi ekspansionist i oligarkisë ruse. NATO, sigurisht është në gjendje ta trajtojë problemin aventuresk të Rusisë në Ukrainë, Estoni, Letoni apo Lituani, por jo pa BE-në.

Vetë Britania e Madhe nuk do të ndjehet e sigurt jashtë BE-së. Mjafton të kujtojmë se do të ishte një burrështetas britanik, Uinston Çërçill, të cilit Britania e Madhe i detyrohet shumë, i cili do të jepte i pari alarmin për një Luftë të Ftohtë, që promovoi me arsye idenë e Bashkimit Evropian kur ende Lufta e Dytë Botërore ishte në mesin e ashpër të saj kur shkruante: “Mezi pres të shoh Shtetet e Bashkuara të Evropës, në të cilat barrierat midis shteteve do të minimizohen së tepërmi dhe se udhëtimi pa kufizime do të jetë I mundshëm… Ka një ilaç, që nëqoftëse adoptohet përgjithësisht apo edhe spontanisht nga shumica dërmuese e popujve në shumë vende, do të ishte sikur një mrekulli për të transformuar tërë skenën dhe në pak vjet do ta bënte Evropën po aq të lirë dhe të kënaqur sa Zvicra sot. Çfarë është ky ilaç sovraniteti? Ai është të rikrijohet Familja Evropiane, sa më shumë që mundemi, dh eta sigurojmë atë me një strukturë nën të cilën ajo të mund të jetojë në paqe, siguri dhe liri. Ne duhet ta ndërtojmë një lloj Shtetesh të Bashkuara të Evropës. Hapi i parë në këtë rikrijim të Familjes Evropiane duhet të jetë një partneritet midis Francës dhe Gjermanisë. Nëqoftëse, nga ana tjetër, komuniteti tregtar i Evropës do të ishte përgjithmonë i kufizuar vetëm për gjashtë vende, rezultatet mund të jenë më keq sesa të mos bëhet asgjë…Kjo prirje nuk do bashkonte Evropën, por do  ta ndante atë dhe jo vetëm në fushën ekonomike…”

Vrasja alla naziste e Jo Cox, këshillat e udhëheqësve të tre partive kryesore politike, thirrjet e shumicës së kompanive lider në biznese, prononcimet dhjetëra njerëzve të famshëm, yjeve të sportit e ta artit, paralajmërimet dramatike nga ekspertë të ekonomisë folën për të qëndruar në Evropën e Bashkuar. Vullneti i kombinuar i kryeqytetit dhe rinisë angleze që votuan 75% për të qëndruar në BE si dhe ato të Skocisë, përkundër provincave dhe pleqve konservatorë, flet po kështu që Britania duhet të qëndrojë në BE.

Prandaj, Britania e Madhe, në thelb nuk ka dalë nga BE-ja, për më tepër po të kujtojmë se ajo nuk ishte pjesë e Eurozonës.

Impakti natyrisht do të jetë i madh. Britania e Madhe është fuqi e madhe, anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, një nga anëtarët më me peshë në NATO. Dalja e saj mund të ndërsejë nacionalizmin, ekstremizmin e separatizmin në të gjithë kontinentin. Të paktën për dy vitet që vijnë, BE-ja do merret me veten e vet, duke lënë kësisoj hapësira gjeopolitike boshe sidomos  në Ballkan, ku më pak Evropë e Bashkuar do të thotë më shumë Rusi e Turqi, domethënë një gjendje e vitit 1913…

E vërteta që nuk thuhet qartë nga e gjithë kjo zallamohi është frika nga dinamika e re e globalizmit: milionat e refugjatëve që i sulen Evropës. Një Evropë e Bashkuar e menaxhon sidoqoftë problemin, edhe pse bëhet fjala për shifra të llahtarshme masive refugjatësh, që jo vetëm prekin demografinë, por sidomos destabilizojnë Evropën. Sidoqoftë, një Evropë e Bashkuar mund ta menaxhojë që në origjinë problemin e miliona refugjatëve.

Po një Evropë e shpërbërë çfarë do bëjë? Italia e vetmuar, p.sh., edhe pse është fuqi e madhe, nuk e menaxhon dot këtë problem në origjinë. Si një shtet demokratik ajo nuk mund t’i lë ata të mbyten në det. Por nuk ka as fuqi për t’i absorbuar. Atëherë mbetet rruga e fundit: t’i hipë në trena e t’ia faturojë evropianëve të tjerë.

Evropa nuk duhet dhe nuk do të shthuret. Në çdo rast të gjithë evropianët janë të humbur e as anglezët nuk janë të fituar. Evropa vetëm do të reformohet, sepse është një nevojë e kohës, e zhvillimeve. Kombet demokratike nuk shkojnë në luftë, as në ndarje e izolim, por në reformë. Evropa nuk është një bashkim i dhunshëm, as artificial, por një bashkim vlerash e perspektivash të pakthyeshme.

Nuk jemi në kufijtë e shthurjes së Evropës, por në kufijtë e nisjes së reformimit të Evropës. Kjo është një betejë e re Evropës, beteja e riformimit e transformimit, jo e tërheqjes. Beteja dhe inati nuk është me Britaninë, por me të ardhmen e vetë Evropës. Evropa nuk mund të dalë kundër vetvetes.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Evropa kundër vetvetes?!, Zeno jahaj

Cfare zbulon Ukraina

February 19, 2015 by dgreca

Nga Zeno Jahaj/
Në një përpjekje të minutës së fundit për të evituar Luftën e Dytë Botërore, Kryeministri i atëhershëm anglez Çamberlein propozoi një konferencë të katër fuqive në Mynih për të diskutuar e pranuar një marrëveshje sipas një plani të “propozuar” nga Musolini për të ardhmen e zonave të diskutueshme, siç ishin, midis të tjerash, edhe Sudetet Çeke të pretenduara nga Hitleri. Kur anglezi u kthye në Londër, i kumtoi opinionit publik britanik se kishte arritur “një paqe me nder,” gjë që u sfidua menjëherë nga pasardhësi i tij Çërçill: “Ju patët shansin të përzgjidhni midis luftës dhe turpërimit. Ju zgjodhët turpërimin, por do të keni luftë.”
Tashmë rolet janë përmbysur: Gjermania, e cila atëherë duhet të menaxhohej, sot duhet të menaxhojë. Gjermania e atëhershme ishte një fuqi në rritje dhe arti i parandalimit të luftërave qëndron pikërisht në menaxhimin e fuqive në rritje. Në të kundërtën, sot duhet të menaxhohet Rusia, por jo se është fuqi në rritje. Përkundrazi, thjeshtë sepse është një fuqi në rënie.
Vite më parë Presidenti i sotëm rus do të konkludonte se shpërbërja e ish BRSS ishte “katastrofa më e madhe gjeostrategjike e shekullit të njëzetë.” Ndërhyrja ushtarake ruse për të bërë zap Gjeorgjinë tregoi se ky nuk ishte një konkluzion akademik, por një platformë veprimi për të sjellë botën në modelin dypolar apo shumëpolar. Në kulmin e zhvillimeve në dhe për Ukrainën ai e shpalli akoma më hapur: “Ka një përpjekje për të përmbysur rendin egzistues botëror…” dhe se ky rend botëror “kurrë nuk do t’i përshtatet Rusisë.”
Natyrisht Rusia është një fuqi dhe kjo lidhet me sipërfaqen e paanë, popullsinë relativisht të madhe, armët bërthamore dhe gazin. Ndaj sipërfaqes dhe popullsisë ruse dështoi Bonaparti, dështoi edhe Hitleri – dy fuqi të mëdha të atyre kohëve. Veçse do thënë: në luftëra konvencionale, ashtu siç do thënë se në botën e sotme nuk është më në fuqi rregulli i sipërfaqes apo i popullsisë si rregull fuqie. Prandaj zor se do të kemi këtu e tutje një luftë botërore apo edhe rajonale ku mizëritë njerëzore të ushtrive të zvarriten e kacafyten për të pushtuar hapësira tokësore e detare.
Fuqia ruse është arma bërthamore. Por fuqi do të thotë që të jesh në gjëndje të neutralizosh fuqinë e një tjetri – një mision që fuqia bërthamore nuk e njeh, sepse i shuan të gjithë. Pastaj, si çdo armë, edhe arma bërthamore e ka një kundërarmë. Ndërkohë, armën bërthamore e zotërojnë të paktën dhjetë shtete. Dhe më në fund, armën bërthamore mund ta përftojnë apo ta prodhojnë edhe persona e grupe terroriste. Por kjo nuk do të thotë se për këtë arsye, të gjithë këta këta duhet të përbëjnë klubin e të pyeturve për rendin e ri botëror.
Fuqia ruse është gazi rus. Por edhe kjo fuqi është me një efekt të dyanshëm: aq sa Rusia e mban atë si mjet presioni duke mos e shitur, po aq presion e nevojë ka edhe vetë për ta shitur. Siç dihet, sektori rus i energjisë përllogaritet të mbulojë afro dy të tretat e eksporteve dhe përbën rreth 30 përqind të GDP-së apo pothuajse gjysmën e të ardhurave të buxhetit federal.
Politika ruse e ka mbështetur kërcënimin pikërisht mbi faktorët e mësipërm të fuqisë. Po a janë të mjaftueshëm? Dihet se ka një marrëdhënie midis fuqisë dhe kërcënimit. Kërcënimi “pi ujë” vetëm kur mbështetet nga një fuqi proporcionale. Për më tepër që në kontekstin e rendit botëror të aspiruar nga Putini, kërcënimi duhet të jetë në koncert të paktën me një fuqi tjetër të botës. Kina do mund të ishte një fuqi e tillë, prandaj Rusia u kujdes aq shumë për të lidhur me Kinën një marrëveshje 30 vjeçare miliarda dollarëshe për furnizimin me gaz. Gjithsesi, zor se Pekini do të bëhej pjesë e një koncerti me Moskën. Nuk mund të harrohen mosbesimi dhe armiqësia historike midis Kinës e Rusisë. Në një reagim ndaj “referendumeve” të mbajtura kohë më parë në dy rajonet e Ukrainës Lindore, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, deklaroi qartazi se “Kina respekton sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës”.
Presidenti rus e ka “hapur lojën” duke akuzuar Perëndimin për “komplot ndaj Rusisë.” Në botën e komuniste të shekullit të kaluar shpikeshin patjetër komplote për të justifikuar dështimet që natyrshëm sillte ai rend social e ekonomik. “Komplot perëndimor” u quajtën revoltat e atëhershme në Hungari, Çekosllovaki e Poloni. Por çuditërisht kohët treguan se as Hungarinë, as Çekosllovakinë dhe as Poloninë nuk i tërhoqi askush me zor apo në mënyrë komplotuese të përzgjidhnin modelin perëndimor të zhvillimit. Ashtu si carët e dikurshëm të Perandorisë Ruse, as udhëheqësit e sotëm rusë nuk do të mund t’i ndalojnë as rusët, të cilët, me vullnetin e tyre të lirë priren të përzgjedhin shkollat perëndimore për të shkolluar fëmiijët, të përzgjedhin bankat perëndimore për të vendosur kursimet dhe vendet perëndimore për të emigruar.
Propaganda ruse thotë se lufta në Ukrainë bëhet për sigurinë e popullsisë ruse në këtë vend. Natyrisht që interesi dhe interesimi për popullsinë ruse në Ukrainë është një e drejtë legjitime ruse, por kjo nuk i jep askujt të drejtën të përmbysë rendin e pranuar ndërkombëtar. Precedenti i Kosovës (që e ka aq shumë për zemër ta përmendë Presidenti rus) nuk është në të njëjtin plan të së drejtës ndërkombëtare me të ashtuquajturën Republikë e Donetsk-Krivoy-Rog. Kjo e fundit, historikisht është vetëm e vetëpohuar por jo e pranuar, as kombëtarisht, as ndërkombëtarisht dhe ndaj popullsisë ruse të saj nuk është ushtruar spastrim etnik sikurse u ushtrua nga regjimi i Millosheviçit ndaj popullit të Kosovës. Përkundrazi, janë pikërisht formacionet hibride të orkestruara nga Moska që kryejnë spastrim etnik ndaj popullsisë ukrainase. Praktikisht, ushtria ukrainase është inegzistente, ndërkohë që ushtria ruse e ka kthyer Ukrainën në një poligon ku eksperimenton llojet e luftimit, të armëve e mjeteve sipas mësimeve të nxjerra nga operacionet e demoduara në Gjeorgji.
Për të arritur “misionin” e tij Presidenti rus ka përzgjedhur dhunën dhe jo garën paqësore të zhvillimit, duke injoruar kësisoj faktin se ndryshimin në Luftën e Ftohtë nuk e bëri dhuna e Perëndimit ndaj Lindjes por efektiviteti i demokracisë si vlerë politike dhe ai i tregut si vlerë ekonomike. Dhuna është thjeshtë një instrument, një gjëndje psikologjike, një përzgjedhje personale, jo fuqi, as forcë. Përkundrazi, fuqia, në radhë të parë, është legjitimitet dhe, mbi këtë bazë, kërkon edhe mbështetje. Zor se dikush që pretendon të ndryshojë rregullin ndërkombëtar t’ia dalë vetëm me dhunë apo pa aleatë. Nëse këtë e arriti me Krimenë, kohët do tregojnë pse u hesht e po heshtet ndaj saj.
Për arritjen e këtyre qëllimeve nga pikëpamja ushtarake Putini ka përzgjedhur formën hibride të luftës, domethënë luftën në bazë të së cilës qëndron kaosi i mbajtur nën kontroll nëpërmjet gërshetimit të formacioneve të fshehta me uniformë ushtarake, zbulimit, informacionit e terrorit, të gjitha të bashkërenduara nga një qendër e vetme për të arritur qëllime strategjike. Në rrafshin gjeopolitik synimi është shkatërrimi i shtetit viktimë, përkatësisht i Ukrainës, neutralizimi i peshës së saj gjeopolitike, sakatimi i përmasave të saj shtetërore, i territorit, popullsisë, ekonomisë, fuqisë luftarake, statusit të saj në botë, degradimi i prestigjit të saj, etj. Gjithsesi, luftërat hibride mund të sjellin, e shumta, rezultate hibride.
Përhapja gjeografike dykontinentale dhe kompozita shumëkombëshe e detyron Rusinë ose të përzgjedhë një qeverisje e ekonomi rreptësisht të centralizuar, ose të rrezikohet të shpërbëhet nga tendencat nacionaliste. Shteti pothuajse sundohet nga vetëm një parti politike ku udhëheqësi bën ligjin dhe jo politikat e programet, ku oligarkia shtetërore, ekonomike e financiare transferon pushtetin në dy-tre individë të përjetshëm. Ndërkohë, një ekonomi e padiversifikuar, e mbështetur kryesisht në eksportin e gazit, veçse fuqi nuk është. Për më tepër, gjysma e GDP së Rusisë bashkëshoqërohet si produkt i drejtëpërdrejtë i korrupsionit, prandaj edhe vlerësohet se korrupsioni në Rusi nuk është thjeshtë një problem, por një biznes.
Në këto kushte, ndërmarrja e një lufte në terma klasikë do mund të kishte pasoja të paparashikuara në radhë të parë për vetë Rusinë. Gjeopolitikisht Rusia ndihet gjithnjë e pasigurtë dhe e izoluar në pikëpamje tregëtare për shkak të mungesës së aksesit në oqeane. Për më tej, Rusia nuk i ka aleancat dhe as mundësitë për aleanca të qëndrueshme, si për nga vlerat, ashtu edhe për nga numrat. Si rrallë ndonjë shtet tjetër, Federata Ruse, në jo pak raste, ka qenë e detyruar të shtypë me luftë vetë pjestarët e saj. Kësisoj nuk është fuqia, por rënia e saj që e shtyn klasën politike ruse drejt autoritarizmit në politikën e jashtme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Prandaj kursi i Putinit nuk mund ta çojë Rusinë shumë larg. Prandaj ka pak gjasa që i dyti Minsk të dështojë me sukses si i pari.

Filed Under: Analiza Tagged With: Cfare zbulon, Ukraina, Zeno jahaj

KUJT I INTERESONTE KATRAURA E BEOGRADIT?

October 21, 2014 by dgreca

Po kush, si dhe pse foli Europa dhe bota? Kush heshti dhe pse?/
Nga Zeno Jahaj/
Ngjarjet e datës 14 Tetor në stadiumin e Partizanit të Beogradit gjatë përgatitjeve,fillimit, ndërprerjes dhe pas ndërprerjes së ndeshjes së futbollit midis skuadrave përfaqësuese kombërtare të futbollit midis Serbisë vendase dhe Shqipërisë vizitore tronditën të gjithë botën sportive të Europës e të Amerikës e, për për shkak të trajtave që morën, u amplifikuan tëpërcillen akoma më me shqetësim edhe nga bota politike e të dy kontinenteve. Në këtë mjedis të tronditur u identifikuan dy kampe: ata që vlerësojnë se fajin e ka Shqipëria dhetë tjerët se fajin e ka Serbia.
Bota sportive, më e paqtë, akuzon mikpritësit serbënëse i morën apo jo masat e duhura organizative përkundrejt detyrimeve tëUEFA për sigurinë e lojtarëve, për raportin etik të shikuesve me lojtarët, për parandalimin e racizmit në sport, për parandalimin e dhunës nga ultras të sëmurë si të tillë apo të organizuar si të tillë, për të mos cënuar fushën prej tyre, etj., etj. Po kjo botë fajëson edhe vizitorët shqiptarëse mos janëautorë të mjetit fluturues që bartëte flamurin kombëtar të Shqipërisë të inkuadruar në një mozaik provokativ nacionalist si dhe për mospranimin për të vijuar ndeshjen e ndërprerë.Mëtej, ankthi i botës sportive përfundon në hamendjen se kujt do t’i akordohen tre pikët, duke përfunduar kështu historinë dhe verdiktin për fajin apo fajet.

Ndërkaq, bota politike lëviz pista të tjera.
Pritësit politikë, të cilët sipas të gjitha ligjeve tradicionale, zakonore, të civilizimit dhe tëakteve juridike ndërkombëtare mbajnë përgjgjegjësi për sigurinë e kujtdo shtetasi të huaj që kalon ligjërisht në vendin e tyre e ca më shumë për përfaqësuesen kombëtare të një shteti tjetër, e transferojnë fajin absolutisht te të tjerët, jo te vetja. Kryeministri Vuçiçia faturon Shqipërisë jo vetëm fajin për ndeshjen, por shkon edhe më tej për destabilizimin e krejt Europëse madje të të gjithënjerëzimit! Nuk mungoi ta cilësojë balonin si një provokim të tmerrshëm dhe të mirëmenduar, i cili, sipas tij, synonte rrënimin e stabilitetit në Serbi dhe në rajon dhe se paska paralajmëruar përfaqësuesit e Bashkimit Europian tri orë para ndeshjes për një provokim të mundshëm, duke e cilësuar edhe delegacionin shqiptar “një bandë zyrtarësh”. Me këtë logjikë dhe me delirin e mesisë, ai siguron Europën dhe njerëzimin se Beogradi do të bëjë gjithcka që ka në dorë për ta parandaluar këtë destabilizim! Për Kryeministrin serb, incidenti ishte përgjegjësi vetëm e palës shqiptare. “Unë shpresoj se ne do të arrijmë ta kapërcejmë këtë situatë, që është përgjegjësi e palës shqiptare. Unë nuk shoh asnjë gabim në gjuhën serbe”- tha Vuçiç, sipas të cilit pala shqiptare duhet të kërkojë falje ndaj asaj serbe për gjithçka ndodhi.
Në këtë rrjedhë, Presidenti Tomislav Nikoliç e cilësoi ngjarjen atë si një provokim të hapur politik, me qëllim destabilizimin e rajonit, si një akt terrorist, duke e lidhur këtë, sipas tij, edhe me shqiptarët që janë bërë pjesë e luftimeve në Irak dhe Siri!I pranishëm në stadium kur tridhjetë mijë vetë kënduan në kor ‘Vrisni shqiptarët” e sheh urrejtjen tjetërkund,duke thënëse Shqipërisëi duhen dekadaose edhe shekuj të bëhet një vend normal, pa urrejtje ndaj serbëve.
Si për ta vulosur verdiktin dhe për të marrë flamurin e shpëtimtarit të Europës, Ministri i Jashtëm Daçiç vlerëson qëShqipëria e meriton dënimin më të fortë, për provokimin me “Shqipërinë e Madhe”.“Kjo mund të jetë dëshira e politikanëve shqiptaro-mëdhenj, por për BE, SHBA dhe të gjitha vendet e rajonit është rrezik për destabilizimin dhe për konflikte të reja në Ballkan”, tha Daçiç.
Nga ana e politikës së vizitorëve, Kryeministri Rama u shpreh se larg zonës së nxehtë të urrejtjes, larg zonës së nxehtë të historive të së shkuarës, askush nuk u ndje i provokuar nga shfaqja e këtij flamuri në atë moment, por fatkeqësisht, deri dhe autoritetet më të larta serbe thonë se janë ndjerë të provokuar. Keqardhje që shfaqja e një flamuri në fushën e futbollit, në një fushë ku kishte mijëra flamuj serbë, të mund të përdoret si një alibi për gjithë atë që ndodhi, që nga minuta kur u këndua himni ynë kombëtar dhe gjithë stadiumi ulërinte “vritini shqiptarët” deri në minutën kur djemtë shqiptarë dolën nga stadium nën një trysni të madhe psikologjike përveçse edhe nën një dhunë të pashembullt anti-sportive. Serbia Normale do të jetë realitet veç kur Serbia Reale do kuptojë se Shqipëria e Madhe është makthi i tyre, jo projekti ynë. Nga njëra anë jemi duke u përballur me të kaluarën e mbushur me urrejtje, me fjalor të pakontrolluar plot me akuza dhe me gishtat e drejtuara tek tjetri si fajtor i kësaj situate të pakëndshme dhe nga ana tjetër, me shpresat dhe ëndrrat që ky ndryshim fantastik në Ballkan ka krijuar dhe që ka bërë realitet përpara syve tanë një horizont mundësishnë horizontin e Bashkimit Europian.Kjo duhet dhe kjo do jetë rruga jonë, rruga e Shqipërisë. Problemi ynë është që të sigurojmë që nuk duhet të humbasim këtë mundësi fantastike që ne kemi, dhe ne mund t’i tregojmë botës, mund t’i tregojmë Europës, që ballkanasit janë në gjendje të ecin përpara dhe se ballkanasit nuk e meritojnë të izolohen siç ata kanë qenë të izoluar. E, duke u kapur të gjithë në kurth nga një ndeshje futbolli, ne mund ta dëmtojmë më shumë veten tonë, vetë, duke e vetëizoluar sërish Ballkanin dhe duke bërë që bota të thonëse ballkanasit janë të gjithë njësoj.

*****
Nga dytë pleksurit në këtë faj, Ministri i Jashtëm serb kërkon qëEvropa dhe bota nuk duhet të mbeten të heshtur mbi një kërcënim të tillë të hapur (të Shqipërisë!!!) për stabilitetin e rajonit, për shkak se “heshtja mund të shihet si mbështetje.”

Po kush, si dhe pse foli Europa dhe bota? Kush heshti dhe pse?

Kryeministri i Britanisë, David Cameron u shpreh qartazi se është i tmerruar nga skenat e incidentit në ndeshjen e së martës Serbi-Shqipëri. Për këtë arsye ai i ka dërguar një letër presidentit të UEFA-s Michel Platini-së përmes së cilës i ka kërkuar të dënojë Serbinë për racizëm. Në letër shkruhej që të merren sanksione të ashpra kundër Serbisë për fyerje, dhunë dhe racizëm, sepse pas ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri do të vinte radha e ekipit të futbollistëve të rinj britanikë të bëheshin pré e sharjeve raciste në kor gjatë ndeshjes së të martës në qytetin serb Krusevaç.
Ndërkaq deputeti gjerman Shtefan Schwarz ka shkruar se ngjarjet nuk ishin për flamurin; se ishte një racizëm i dukshëm dhe urrejtje lakuriqe; në stadiumin thërrisnin dhjetëra e mijëra, “Vrisni shqiptarët!”, “Masakrojini, vritini, rrjepini derisa të mos mbetet asnjë!”, ndërkohë që në stadium nuk kishte tifozë shqiptarë; se Ministri i Jashtëm serb, Daçiç, thotë se gjoja flamuri ishte një provokim i planifikuar nga shtetet perëndimore, por dua të vij në përfundimin se një Serbi e tillë nuk ka ç’kërkon në Bashkimin Evropian; se ne nuk duam të importojmë në Europëasnjë urrejtës dhe asnjë racizëm; se mjafton me Miloshevicin e nuk duam pasardhës të tillë në Bashkimin Evropian.

Ka folur ndërkaq edhe Departamenti Amerikan i Shtetit,i cili ka shprehur keqardhje për ndërprerjen e ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd për shkak të dhunës. Zëdhënësja e Departamentit Jen Psaki ka thënë se është fatkeqësi e madhe që kjo ndeshje futbolli u ndërpre nga dhuna; se sportet kanë një potencial shumë të madh dhe të vërtetuar për të bashkuar njerëzit kudo, edhe përtej kufijve; se kur dhuna dhe mungesa e tolerancës shkelin një potencial të tillë, është zhgënjyese për të gjithë, sportistët, spektatorët, tifozët dhe vendet e tyre.

Politika franceze, çuditërisht ka heshtur, edhe pse do të jetë mikpritësja e këtij kompeticioni të madh futbollistik në vitin 2016! Ndoshta ështëndjerëe përfaqësuar me deklaratën e bashkëkombësit të saj në krye të UEFA-s, i cili bëri përgjegjës dhe të frikshëm mjetin ajror flamurmbajtës se mos kishte lëndë kimike!E kush, pikërisht ai zyrtar i cili paguhet nga taksapaguesit europianë për të dhënë garanci zhvillimit të këtij aktiviteti edhe nga ajri!Mos vallë edhe në Francë kanë rifilluar të fryjnë erërat e vjetra të xhelozisë ndaj forcimit të tregut apo influencës Gjermane?
Politika italiane nuk u ndje fare edhe pse në rastin më tragjik mund të ishte vrarë edhe vetë trajneri italian i kombëtares shqiptare De Biazi! Mos ndoshta nuk donte të prishte humorin e Presidentit Rus, i cili pas Beogradit do të vizitonte Italinë për rubinetat e gazit?
Nga ana e vet, Bashkimi Europian, nëkaosin ku është përfshirë prej të paktën pesë vjetësh, nuk ka aq shumë kohë apo tagër për të folur për futbollin, por këtë radhë bëri përjashtim, duke u përfaqësuar nga sllovenja Koçijançiç, e cila mori atributet e UEFA-s duke deklaruar se autoritetet serbe kishin treguar profesionalizëm në situatën e tensionuar të ndeshjes Serbi-Shqipëri! Pas reaksionit që shkaktoi kjo deklaratë, BE-ja, për të treguar se është një organizatë serioze, autorizoi zotin Eduard Kukan, kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin tëthotë se sporti nuk duhet përdorur, apo keqpërdorur, për arsye politike dhe se dhuna nuk duhet të përdoret në ndeshje sporti; se lojë e ndershme është rregulli që duhet zbatuar kur organizohen të tilla gjëra; se i erdhi shumë keq sepse kjo ka për të sjellë shumë tensione në marrëdhëniet reciproke mes të dy vendeve; se kjo dëmton dhe prish atmosferën, si dhe tërheq vëmendjen nga agjenda e integrimit në Bashkimin Europian, që duhet të ishte agjenda më e rëndësishme për qeveritë në të dy vendet. Më në fund Kukan, u rezervua tëpërcaktojë racionin e fajit, apo të përgjegjësisë, duke ia lënë UEFA-s që ka nisur hetimet.

*****
Atëherë kush e ka fajin?

Latinët, ata që i lanë botës njëtrashëgim madhështor, ndër të tjera pasurinëe jashtëzakonshme të sentencave-aksioma sidomos të fushës juridike, kur nuk kishin dot një përgjigje ndaj një ngjarjeje apo krimi pa asnjë dëshmitar e pa asnjë provë, këshillonin hetuesit e njgjarjes apo të krimit që fillimisht ta nisnin me pyetjen “Cui prodest scelus, is fecit” (“Krimin e ka bërë ai qëpërfiton prej tij”). Pas zbulimit se kush fiton, kujt i intereson ngjarja apo krimi, atëherë shkohet në pistën e kërkimit të të dhënave të tjera, të dëshmive, të fakteve e deri në zbulimin e autorëve.
Atëherë, kujt i interesonin ngjarjet e datës 14 Tetor në stadiumin e Partizanit të Beogradit gjatë përgatitjes, zhvillimit, ndërprerjes dhe pas ndërprerjes së ndeshjes së futbollit midis skuadrave përfaqësuese kombëtare të futbollit midis Serbisë vendase dhe Shqipërisë vizitore?
A është e interesuar Shqipëria që klima e marrëdhënieve me Serbinë, apo me çdo shtet tjetër të marrë rrjedhë përkeqësimi? Natyrishëm jo. Këtë e dëshmon edhe mirëpritja e ftesës për një vizitë të Kryeministrit Shqiptar në Beograd – një zhvillim që, jo larg në kohë, por vetëm para pak vitesh do mund të quhej blasfemi. Dihet ku i çoi Shqipërinë dhe shqiptarët izolimi thuajse njëshekullor. Për çdo mendje normale, interesi themelor kombëtar shqiptar është nxitja e urave të komunikimit me shtetet fqinjë dhe jo ndërprerja e tyre. Ndërprerja e komunikimit me shtetet e tjera i kushtonshumë Shqipërisënë piëkpamje ekonomike, por në radhë të parë e kryesisht ajo humbet jashtëzakonisht shumë në kuadër mbarëkombëtar, duke u izoluar si me trevat shqiptare tej kufijve shtetërorë, ashtu edhe me emigracionin relativisht më të shumtëqë për shkaqe të njohura punon e jeton në shtetet fqinjë e më tej. Për këto arësye Shqipëria e ka dëshmuar dhe realisht ka punuar si promotore në orientimin e integrimit rajonal e europian si rruga e vetme për të shkrirë kufijtë e varfërisë që e ndajnë nga Europa, e bindur tashmëse vetëm perspektiva e integrimit në Bashkimin Europian i ofron paqen, sigurinë, stabilitetin, prosperitetin dhe kohezionin kombëtar.Çfardo kuptimi apo inisiative e ndryshme nga kjo perspektivëvetëm se i përkeqëson interesat shqiptare. Prandaj Shqipëria ajo nuk mund dhe nuk është aspak e interesuar të nxisë zhvillime si ato që ndodhën gjatë ndeshjes dhe për këtë arësye nuk mund të jetë shkaktare e atyre ngarjeve.
Një politikë vizionare na thotë se e njëjta logjikë qëndron e duhet të qëndrojë edhe për Serbinë. A ka interes Serbia të mos komunikojë me Kroacinë, Bosnjën, Malin e Zi, Kosovën apo vende të tjera ku jeton popullsi serbe? Natyrisht që jo. Në këtë kuptim, ështëe duhet të jetënë interesin e Serbisë gjithashtu që proceset integruese dhe urat e komunikimit rajonal të mos ndërpriten.
Do të ishte ky vizion dhe ky interes shumëpalësh një arsye themelore që Gjermania, në emër të Bashkimit Europian, ndërmori inisiativën që, nën udhëheqjen gjermane, të zhvillohet një treg i përbashkët rajonal i cili do të lehtësonte krejt natyrshëm si vendet e rajonit, e po kaq natyrshëm edhe investimet gjermane në këtë rajon.
Por pikërisht këtu fillon makthi serb. E ndodhur historikisht në udhëkryqin midis interesave ekonomike perëndimore me interesat identitare që e lidhin me Rusinë për shak të bashkësisë në familjen sllave dhe fenë ortodokse, Serbisë, gjeopolitikisht i duhet të mos jetë dakord as me vetveten. Në këto kushte ambiguiteti e udhëkryqesh, ajo përpiqet e do të përpiqet të luajë një lojë të tretë, duke shfrytëzuar avantazhet gjeostrategjike për të përfituar si nga Lindja, ashtu edhe nga Perëndimi e duke u shtirur njëherësh as me Lindjen, as me Perëndimin. Kur Lindja –përkatësisht Rusia bën përpara, siçështë edhe rasti sot, atëherë në Serbi zgjohen demonët lindorë.
Rusia, pasi i pati zënë për gryke disa vende europiane duke i shantazhuar me armën e gazit dhe duke përfituar nga fakti që Europa nuk po merret dot as me veten, bëri si deshi duke pushtuar një pjesë të një vendi sovran si Ukraina, këtë radhëjo me agresion ushtarak, por me subversion ushtarak. Nën këtë presion, dëgjojmë, siç shkruan Jackson Diehl, qëkryeministri i Hungarisë të deklarojë se Rusia e Putinit është një model që duhet imituar; ose anëtaren e NATO-s, Sllovakinë, kryeministri majtist i të cilës e krahasoi mundësinë e dërgimit të trupave të NATO-s në vendin e tij, me pushtimin sovjetik të vitit 1968; ose një tjetër vend anëtar të NATO-s, Republikën Çeke, ku ministri i mbrojtjes bëri një krahasim të ngjashëm dhe qeveria e të cilit u bashkua me Sllovakinë dhe Hungarinë, për t’iu kundërvënë sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj Rusisë.
Në këtë kuadër, Serbia u duk e vonuar për të dhënë një“provë” tëtillë besnikërie, prandaj duhet ta jepte pikërisht atë përpara pritjes sëPresidentit rus Putin në festën kombëtare të70 vjetorit tëçlirimit të Jugosllavisë. Platforma dhe momenti më i mirë ishte ndeshja me Shqipërinë. Por, ndërsa avioni me oligarkun rus po linte Beogradin për në Itali, Kryeministri Vuçiç do të vraponte për të rivendosur menjëherë simetrinë teksa do të zhvillonte një bisedë telefonike me Kancelaren gjermane Angela Merkel, së cilës do t’i deklaronte “zotimin e Serbisë se pavarësisht incidenteve të ndodhura në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, vendi i tij do të vazhdojë të kontribuojë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, se Serbia “do të bëjë gjithcka që ka në dorë për të ruajtur stabilitetin politik dhe ekonomik, jo vetëm brenda kufijëve të saj, por në gjithë rajonin”.
*****
Dikush pra, nëBeograd apo në Moskë, e pse jo edhe në ndonjë kryqytet tjetër të Europës Perëndimore i trembet shumë integrimit në mes popujve ballkanikë dhe këtyre të fundit nëEuropë. Dikush i trembet vizitës së Kryeministrit shqiptar në Serbi si sinjali më kuptimplotë rajonal për këtë integrim. Dikush ka interes që Europa të vijojë të grindet me vetveten, me nacionalizmat dhe euroskeptikët, me racizmin dhe përbuzjen, me qëllim që të tjerët të kenë dorë të lirë ta nëpërkëmbin.
Një orientim proeuropian të vendeve satelite të saj Rusia e lexon se është kundër interesave të saj dhe, për këtë arsye, oligarkia ruse paguan çdo çmim, edhe me jetën e qindra të vrarëve në Ukrainën Lindore, edhe me jetën e pasagjerëve të një aeroplani transporti. A u përllogarit edhe jeta e kombëtares shqiptare në këtë skenar ogurzi? Koha do të vërtetojë, por një gjë duket se është pothuajse e sigurtë: vendimi i ekipit shqiptar të futbollit për të lënë lojën dhe për të mos dalë më në fushë ishte shpëtimtar.
Çka u tha më lartë mund të mos jetë pamja e plotë e problemit. Por mediat e huaja referojnë senë stadiumin e Beogradit më 14 Tetor u përgatit për t’u futur edhe një benzine – një mister i madh për nga kapacitetet, qëllimet dhe objektivat diametralisht të ndryshme nga një balonëflamurmbajtëse. Kush dhe pse u suall ajo fuçi? Mos e sollën edhe atë shqiptarët?
Kush,pra, ka interes për t’u vënë zjarrin proceseve integruese tëvendeve të Ballkanit? Kush e ka fajin? Latinët na ndihmojnë: krimin e bëjnëvetëm ata që u intereson.

Filed Under: Analiza Tagged With: e Beogradit, KUJT I INTERESONTE. KATRAURA, Zeno jahaj

Udhëkryqet e Serbisë

February 4, 2014 by dgreca

Nga Zeno JAHAJ/

Një vend udhëkryq është një mundësi fati e po aq ndoshta edhe për sfida. Serbia është një vend i tillë. Nëse udhëkryqet gjeografike e historike kanë një emër, ata me siguri do të quheshin Serbi. Çka dihet me siguri është se udhëkryqet gjeografike, si për këdo, edhe për Serbinë, mbeten të përjetshme. E pasigurt është nëse do të ndodhë kështu edhe me ata që janë formësuar nga gjeopolitika, historia, interesat apo orientimet strategjike. 

Udhëkryqi gjeopolitik

E shtrirë në qendër të Ballkanit , pikërisht aty ku lidhen vendet e Europës Qendrore me ato të Europës Juglindore, si dhe ato të Europës Perëndimore me Turqinë e Lindjen e Afërt, Serbia gëzon kështu të gjitha mundësitë e lehtësitë për shkëmbime të gjera vlerash, njerëzish e mallrash. Dy rrugëkalimet e vetme strategjike veri-jug kalojnë pikërisht përmes Serbisë: njëri përgjatë luginave të lumenjve Velika dhe Juzna Morava dhe tjetri paralel me të që kalon Beograd – G. Milanovac – Kraljevo – Prishtinë – Shkup. Falë vendvendosjes strategjike, Serbia mban nën kontroll korridoret e rëndësishme të transportit të lumit Danub dhe lumit Morava. Ndërkohë, fakti që ky vend nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me dete, e detyron të kërkojë e të krijojë patjetër rrugë komunikimi me vendet e tjera.Historia do t’i rezervonte Serbisë gjithashtu një hapësirë ndoshta unike, duke e përfshirë në qendër të zhvillimeve me rrjedhime rajonale e më gjerë. E ndodhur midis dy perandorive më të mëdha të kohërave, Perandorisë Austro-Hungareze dhe Perandorisë Otomane, fati i të cilave do të ishte shpërbërja pikërisht në prag dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, Serbia nuk mund të mos ishte pothuajse në të njëjtën masë sa molla e sherrit, aq edhe e fituara e kësaj lufte. Këtë terren e kishte përgatitur me agresivitet që në luftërat ballkanike.

Pozicioni i saj gjeostrategjik, si dhe zbrazëtitë që u krijuan nga shpërbërja e dy perandorive, do ta nxisnin Serbinë të kërkonte hapësira edhe më të mëdha për të krijuar të ashtuquajturën “Serbi e Madhe”. Brenda këtij koncepti, me përfundimin e Luftës së Parë Botërore do të shpallej Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, e cila më 1929 do të ri-pagëzohej me emrin “Jugosllavia” dhe do të sundohej përsëri nga serbët. Një regjim politik mbretëror në një hapësirë ku ishin përzier gjithfarë kombesh, popujsh, fesh e gjuhësh e ku predominonin serbët, nuk mund të ishte gjë tjetër veçse legalizimi i sundimit të Serbisë.

Kur për herë të parë e të fundit në Luftën e Dytë Botërore Perëndimi u gjet në aleancë me Lindjen në luftën kundër nazizmit e fashizmit, Serbia – Jugosllavia e atëhershme, u gjet edhe ajo për herë të parë e të fundit në aleancë, si me Anglo-Amerikanët, ashtu edhe me Rusët, madje me një kontribut veçanërisht të vlerësuar.

Lufta e Ftohtë do ta rikthejë Serbinë në rrugëkryq. Pas formulës së famshme të Çërçillit, ajo do të mbetej përsëri në rolin e sfungjerit, duke e përcaktuar 50% nën influencën perëndimore dhe po aq nën influencën lindore. Në këto kushte, Serbia-Jugosllavia e atëhershme do të luante lojën e vendit të paangazhuar, por duke përfituar gjithsesi mbështetje të jashtëzakonshme financiare nga Perëndimi, sidomos nga SHBA, për të mos lejuar rritje të influencës sovjetike në Ballkanin Perëndimor. Ky kuadër “asnjanës” do t’ia linte duart të zgjidhura për të mbajtur nën kontroll të hekurt popujt e popullsitë heterogjene që përbënin Jugosllavinë, pavarësisht se në krye të Federatës do ishte një katolik kroat si Tito e, madje, për një kohë relativisht të gjatë.

Në kohët moderne, Serbia do të rikthehej në qendër të zhvillimeve e të konfrontimeve. Me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe me ardhjen e ultra-nacionalistit Millosheviç në krye të Serbisë, Jugosllavia u përfshi nga luftëra të ashpra ndëretnike, të cilat sollën fillimisht pavarësimin e Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë më 1991 e pastaj, të Bosnjës më 1992. Pjesa e mbetur nga Ish Jugosllavia (Serbia dhe Mali i Zi) në prill 1992 u deklarua si “Republika Federale e Jugosllavisë”. Ruajtja e emërtimit “Jugosllavi” s’ishte gjë tjetër veçse një mburojë politike për fushatat e egra ushtarake të regjimit të Millosheviçit për të krijuar e mbajtur me dhunë “Serbinë e Madhe.” Këtij qëllimi do t’i shërbenin gjenocidi në Bosnjë e, më pas, spastrimi etnik në Kosovë. Por fushatat e saj do të ndeshnin në vullnetet dhe në forcat e bashkërenduara të komunitetit ndërkombëtar, si dhe të popujve që ishin bërë pré e dhunës serbe, me qëllim që të parandaloheshin trajtat e rrezikshme dhe rrjedhimet e rënda për sigurinë kombëtare të popujve të Ballkanit Perëndimor që mund të merrnin ngjarjet e veçanërisht, të evitoheshin shkëndijat e një konfrontimi të mundshëm në një shkallë më të gjerë. Menaxhimi i një fuqie qendrore të Ballkanit Perëndimor, sikurse ishte Serbia, e cila vijonte të luante rrezikshëm lojën me kungulleshkat e përqindjeve të influencave të përcaktuara në Konferencën e Jaltës në funksion të orekseve të saj nacionaliste, do të detyronte Europën e SHBA-në për të bërë ndërhyrjen e parë ushtarake jashtë zonës formale të përgjegjësisë së NATO-s, por brenda vlerave dhe përgjegjësive morale të kësaj organizate.

      Drejt tregut Perëndimor

Kohët e kanë prurë tashmë që Serbia, ashtu si tërë Ballkani, të gjenden, për herë të parë në histori, brenda zonës së sigurisë e prosperitetit të dy organizatave më autoritare perëndimore, përkatësisht të NATO e BE. Në këtë kuadër, rreth dy të tretat e kufirit shtetëror të Serbisë kufizohet me vende anëtare të NATO-s e të BE-së. Nëse do të shtonim edhe faktin tjetër se, si NATO-edhe BE pritet ta zgjerojnë edhe më thellë në Ballkan anëtarësinë e tyre, duke pranuar, hë për hë, edhe Malin e Zi e Maqedoninë, atëherë në këto kushte, Serbia s’mbetet veçse si një ishull brenda detit të madh politik, ekonomik e të sigurisë perëndimore. Ky fakt, tej paragjykimeve apo përdredhjeve diplomatike të klasës politike serbe, përbën një mjedis sigurie e prosperiteti vendesh demokratike nga ku rrjedhin vetëm përfitime edhe për Serbinë. Mjafton të përmendim se mbi dy të tretat e volumit të eksport-importit të Serbisë realizohen me vende anëtare të NATO-s e BE, kryesisht me Gjermaninë e Italinë.Pasi ka lënë pas trashëgiminë mbretërore e atë komuniste, sot Serbia është shndërruar në një republikë parlamentare, ku pushteti politik i nënshtrohet rregullave të lojës demokratike dhe atyre të ekonomisë së tregut. Brenda këtyre vlerave, ajo është shprehur politikisht për pranimin në BE duke bërë edhe hapat e nevojshme në këtë drejtim derisa ka arritur tashmë të marrë statusin e vendit kandidat në këtë organizatë. Serbia merr pjesë në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, duke u deklaruar se do të kufizohet vetëm me statusin e vendit partner dhe jo të vendit anëtar. Ndërkohë, trupa të Forcave të Armatosura Serbe marrin pjesë në disa misione paqeruajtëse shumëkombëshe nën flamurin e OKB-së, si në Liban, Qipro, Bregu i Fildishtë, Liberi, etj. Angazhimet politike e ushtarake si më sipër krijojnë një kuadër që e përafron Serbinë me vlerat perëndimore, duke ndikuar njëherësh, për t’u shkëputur nga politika e saj tradicionale shoviniste dhe për të hyrë në rrugën e bashkëjetesës paqësore e të prosperitetit me vendet e tjera të rajonit.

  Me vështrim nga Lindja

Në të vërtetë, udhëkryqi historik e ka gjetur Serbinë të afruar më së shumti me Rusinë, aq sa kjo e fundit në qarqe diplomatike pranohet si padroni e mbrojtësi i Serbisë, apo aleati tradicional i saj, për shkak të bashkësisë në familjen sllave dhe fenë ortodokse. Fuqizimi i lidhjeve me Rusinë shprehet qartazi në fushat politike, ekonomike e ushtarake. Rusia, duke u bazuar në lidhjet tradicionale me Serbinë, ka shfrytëzuar e shfrytëzon çdo hapësirë që të ruajë këto lidhje sidomos përmes investimeve.

Në pikëpamje tregtare, Serbia përpiqet të ruajë një balancë midis Europës e Rusisë, duke u kushtëzuar nga kjo e fundit sidomos në fushën e importeve. Por Rusia ka fituar avantazh ndaj Europës në garën e vet për ta përfshirë në sferën Serbinë në sferën e saj, duke i hapur rrugë liberalizimit tregtar me Bashkimin Doganor Rus, si dhe me ndërtimin e Gazsjellësit South Stream. Serbia është i vetmi vend jashtë Komonuelthit të Shteteve të Pavarura që gëzon Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Rusinë, ku specifikohet zyrtarisht se mallrat ruse të prodhuara në Serbi konsiderohen si të origjinës Serbe dhe eksportohen si të tilla në Rusi të lira nga doganimi.

Ndërkaq, firmave Serbe u janë hapur të gjitha dritat jeshile për të investuar e punuar për Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Rusi (Sochi) gjatë vitit 2014. Përllogaritet që gazsjellësi South Stream të krijojë 2.5 mijë vende pune dhe do të sjellë rreth gjysmë miliardë investime të drejtpërdrejta në Serbi.

Në pikëpamje ushtarake, Serbia qysh prej fillim-vitit  2013 përftoi statusin e vëzhguesit të përhershëm në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive – një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia. Ndërkohë, në nivel bilateral, Rusia dhe Serbia kanë rinovuar në nëntor 2013 marrëveshjen trashmë pesëmbëdhjetë vjeçare të bashkëpunimit ushtarak. Në 2011, Rusia hapi në Nish një qendër infrastrukturore, e motivuar në dukje për raste emergjencash, por që rrezja e përdorimit të saj synon shumë më tepër se kaq.

    Në simetrinë Lindje – Perëndim

Duket se ka një simetri lëvizjesh, apo më saktë, një garë midis NATO-s e BE nga njëra anë dhe Rusisë nga ana tjetër për të kapur rrugëkryqin Serb. Në çastin që njëra palë është e lodhur apo e pafuqishme për të vepruar, atëherë iniciativën strategjike e merr pala tjetër. Një çast të tillë përbën, për shembull, e ashtuquajtura “lodhje nga e zgjerimi” e BE-së ndaj vendeve të Europës lindore. Sapo Europa ka dhënë shenja të tilla, në atë masë është vërsulur edhe Rusia për të mbushur zbrazëtinë. Në këtë kënd, Rusia e shikon mbështetjen ndaj Serbisë jo aq si mbështetje ndaj “vëllait të vet më të vogël,” por si mbështetje ndaj një vendi jo anëtar të NATO-s e BE-së. 

Sidoqoftë, asetet Ruse në Ballkan përgjithësisht e, për këtë arsye, edhe në Serbi e kanë humbur peshën që kishin në çastet e përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ballkani rrethohet tashmë nga një hark gjigant sigurie e prosperiteti Perëndimor që fillon në Detin e Zi e përfundon në Detin Baltik. Pothuajse të gjitha betejat ushtarake e politike të pasluftës së Ftohtë në rajonin e Ballkanit i fitoi Perëndimi. Ballkani e, respektivisht Serbia, nuk janë më sfungjeri i dikurshëm ku përplaseshin perandoritë e ideologjitë politike. Shumë-shumë, një status gare relativisht më të butë për influencë në këtë rajon e ruajnë vetëm fetë, të cilat, gjithsesi, nuk e kanë më mbështetjen politike, ekonomike e sociale që kanë pasur më parë.

Kësisoj, Serbisë i është dashur gjithnjë të luajë midis dy fuqive: midis gjeografisë dhe historisë, midis interesave dhe vlerave. Ky vlerësim ka edhe trajektoren e vet në kohë. Rusia doli e dobët nga Lufta e Ftohtë e, për më tepër, nuk është më në kontakt gjeografik me Serbinë sikurse ishte gjatë asaj kohe. Përkundrazi, partnerët kryesorë europianë të Serbisë, sidomos Gjermania, renditen ndër ekonomitë më të fuqishme kontinentale e globale dhe sfera e ndikimit të tyre është shumë më e afërt edhe gjeografikisht.

Pikërisht këtu gjenden arsyet e mëdyshjes serbe në politikat ndërkombëtare. Serbia, duke u ndodhur gjeografikisht midis dy sferave, si në pikëpamje vlerash, ashtu edhe interesash, është përpjekur e do të vijojë të përpiqet të bëjë sa lojën e Europës Perëndimore, aq edhe lojën e Rusisë.

Rusia është cilësuar apo vetë-trumbetuar si aleat tradicional i Serbisë, për shkak të lidhjeve të përbashkëta sllave e ortodokse. Por Serbia, ashtu siç është rreshtuar shpesh kundër  Perëndimit, jo rrallë herë në historinë e vet është rreshtuar edhe kundër Rusisë, sidomos përgjatë Luftës së Ftohtë. Prandaj, e vërteta është se lajkat që i bëjnë njëra tjetrës si aleatë tradicionalë duket se më së shumti kanë ngjyrën e interesave, sesa të klanit apo fesë. Por, më tepër se këto dy arsye të dukshme, interesi i Rusisë për Serbinë është ruajtja e me çdo kusht e një vend-bazimi në Ballkan, nga ku mbahet gjallë synimi i kahershëm për të depërtuar në Mesdhe e për të krijuar lidhje operacionale me bazat e tjera ruse në Siri e gjetkë e në këtë rajon.

Kësisoj, kemi të bëjmë më shumë me një fenomen gjeopolitik, se sa  me një dashuri bashkësie. Marrëdhëniet midis Serbisë e Rusisë përdoren më së shumti për të krijuar e mbajtur gjallë efekte politike e ekonomike, sesa marrëdhënie solidariteti. Kështu, për shembull, kur Millosheviçi erdhi në krye të shtetit serb, ai e përdori Rusinë për të demonstruar se nuk ishte i vetëm në aventurën e tij të ruajtjes me çdo kusht të “integritetit” të Jugosllavisë dhe, se pas shpinës së tij qëndronte një “Fuqi e Madhe.” Nga ana e saj, Rusia e atëhershme e përdori Serbinë për t’i demonstruar Perëndimit dhe botës se Rusia mbetej një Fuqi e Madhe pavarësisht se Ish Bashkimi Sovjetik ishte shpërbërë. Kësisoj, ndërsa Beogradi i përkëdhelte Rusisë egoizmin për t’u dukur se kishte mbetur ende në statusin e një superfuqie, Moska, nga ana e vet, shfrytëzonte imagjinatat e sëmura që ushqente Serbia për t’u shndërruar në një fuqi rajonale imperialiste.

     Drejt tregut ballkanik për influencë

E ndodhur në kushte ambiguiteti e udhëkryqesh, Serbia përpiqet e do të përpiqet të luajë një lojë të tretë, duke shfrytëzuar avantazhet gjeostrategjike për të përfituar si nga Lindja, ashtu edhe nga Perëndimi e duke u shtirur njëherësh as me Lindjen, as me Perëndimin, me synimin e vetëm për të zgjeruar influencën si fuqi rajonale. Serbia e ka kuptuar tashmë se lojës së ekspansionit për të kapur hapësira gjeografike i ka ikur koha. Për fatkeqësinë e saj, ajo e kuptoi e fundit në Europë vetëvrasjen e kësaj loje. Prandaj ajo i është drejtuar tani lojës për të fituar më shumë influencë. Këtij qëllimi i shërben edhe lëvizja e saj e fundit për të nxitur të gjitha vendet e ish Jugosllavisë për të krijuar zyra të përbashkëta diplomatike e konsullore, një iniciativë ndaj të cilës, jo çuditërisht, pjesa më e madhe e shteteve të shkëputura nga ish Jugosllavia i janë përgjigjur pozitivisht, gjoja për arsye kostosh e efektiviteti ekonomik. 

Sot ekonomia e Serbisë është një ekonomi ku predominon ekonomia e tregut, megjithëse ekonomia shtetërore akoma mban nën kontroll themelet e veprimtarisë ekonomike të vendit. Me asetet që zotëron, ajo është fuqia më e madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor, falë gërshetimit të popullsisë dhe ajo zotëron forcën më të madhe ushtarake në rajon.

Sidoqoftë, papunësia e madhe (25.9% në vitin 2012), të ardhurat relativisht të pakta për frymë (10.600 dollarë), reformat e papërfunduara strukturore, etj, kanë bërë që ekonomia të ketë vetëm një rritje simbolike prej 1.8% në vitin 2012. Borxhi publik ka arritur në 59.2 të GDP-së në fund të vitit 2012. In 2012, eksportet ranë 3.6% në krahasim me vitin 2011. Sfida të tjera që janë pamjaftueshmëria e sistemit juridik, nivelet e larta të korrupsionit dhe një popullsi në plakje. Të tilla problematika mund të shkaktojnë edhe më shumë makth ekonomik, ndarje politike e trazira sociale, sikurse kanë ndodhur jo pak herë në këta 10-15 vjetët e fundit. Si rregull, situata të tilla kanë shërbyer apo janë shfrytëzuar për të rritur dozat e nacionalizmit në politikën e jashtme.

    Tej udhëkryqeve

Fenomene të tilla siç përjeton Serbia, i kanë përjetuar më parë edhe vende të tjera të ngjashme në pikëpamje gjeostrategjike. Por e kanë gjetur rrugën e duhur përmes komunikimit e bashkëpunimit. Në këtë frymë, një dialog shpresëdhënës është nisur e po zhvillohet midis kryeministrave të Serbisë e Kosovës. Fakti që ky dialog zhvillohet nën kujdestarinë e BE-së do të thotë shumë. Në fund të fundit, rruga e prosperitetit ekonomik që frymëzohet e mishërohet nga BE-ja nuk mund të mos ketë rrjedhime edhe në fushat politike e të sigurisë, ku udhëkryqi serb është edhe më dyshues. Ndërkohë Kryeministri i Shqipërisë pritet të vizitojë Beogradin – një mesazh tjetër i frymës së re të bashkëpunimit që synon të lërë prapa sjelljen tipike ballkanase të përjashtimit e të konfrontimit.  

Problemi i Serbisë, por edhe i aktorëve të tjerë ballkanikë që lidhen me të, nuk janë udhëkryqet në vetvete, as zhdukja e tyre nga harta fizike, por krijimi i një harte mendimi e vlerash tej udhëkryqeve. Në të mirë të vetë Serbisë, ashtu si edhe të gjithë vendeve të rajonit përreth saj e më gjerë, është shndërrimi i udhëkryqit tradicional në një trafik sigurie e prosperiteti, në një nyje të shëndetshme komunikimi me tërë vendet e popujt e shumëvuajtur të rajonit. Ka ardhur tashmë koha që Serbia dhe ballkanasit përgjithësisht, të ndërgjegjësohen përfundimisht se ekuilibri i Ballkanit nuk mund të jetë monopol i askujt dhe se janë kufijtë e varfërisë që na ndajnë nga Europa, jo kufijtë politikë. Perspektiva e integrimit në Bashkimin Europian siguron si paqen, edhe sigurinë, edhe stabilitetin. Përpara sesa qeveritarët, këtë prirje të natyrshme e kanë kuptuar vetë popujt. Populli i Ukrainës p e dëshmon këtë. Pa kuptuar këto vlera, koha do të rezervojë vetëm udhëkryqe.

Filed Under: Featured Tagged With: udhekryqet e Serbise, Zeno jahaj

BE-ja midis vetvetes, Shqipërisë dhe Holandës

December 16, 2013 by dgreca

Nga ZENO JAHAJ/

Bashkimi Europian është përpara provave jo të vogla brenda vetes për të mbijetuar. Të tilla janë edhe zgjedhjet Parlamentare Europiane që do të mbahen në maj 2014, të cilat mund të bëhen një lloj arene, ku forcat ultra të djathta pritet të sfidojnë për të marrë më shumë inisiativë. Një pritshmëri e tillë, sipas shumë vëzhguesve, mund të çojë në rritjen dhe forcimin e nacionalizmave të ringjallura europiane, si dhe në krisjen e madhe të vetë Bashkimit Europian. Kësisoj, Bashkimi Europian është përpara një dileme më të madhe sesa t’i humbë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, apo t’i japë Holandës, më saktë gjysmës së djathtë të saj, fitoren e parë.

Holanda–dikur promotori i integrimit Europian dhe themeluesi i Bashkimit Europian, sot duket se kërkon të nisë një proces në kahje të kundërt. Udhëheqësia e djathtë e Holandës, saktësisht udhëheqja e Partisë së Lirisë, pasi ka lidhur aleancë me Frontin Kombëtar të Marine Le Pen në Francë dhe në kërkim të aleatëve të tjerë, ëndërrojnë që votuesit europianë të përmbysin raportet në këto zgjedhje me qëllim që të vihet në pikëpyetje vetë ekzistenca e Bashkimit Europian. Geert Wilders, udhëheqës kryesor i kësaj Partie, është deklaruar se Europa nuk është një shtet-komb, e si e tillë nuk mund të ndërtojë institucione të përbashkëta demokratike, sepse demokracia mund të ekzistojë vetëm në shtete- kombe. Ai nuk kërkon thjesht reformimin e Bashkimit Europian–një proces i natyrshëm për këtë organizatë, por një zgjidhje më radikale: zëvendësimin e tij me shtete kombe të lira nga zinxhirët e Brukselit.

Për të djathtën Holandeze, nëse Europa ka kuptim, ajo duhet të mos përzihet me myslimanët. Geert Wilders vlerësohet të jetë poltikani me fobinë më të pakontrollueshme antimyslimane në Europë. Me ç`ka vendosi qeveria e kryeministrit Mark Rutte-udhëheqës i Partisë Popullore për Liri dhe Demokraci, për të mos i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, tej standardeve që normalisht kërkohen e që drejtësisht justifikohen për rastin e Shqipërisë, duket se është në të njëjtat pozita me Partinë e Lirisë të Geert Wilders. Ky i fundit mendon se nuk ka vend për Islamin në kontinentin Europian, por nuk dihet se për cilin Islam e ka fjalën. Për mungesë informacioni, për paragjykim, por më shumë për shkaqe akoma më të thella, duket se renditet edhe Shqipëria si vend mysliman, duke rikrijuar kështu mure të rinj, pikërisht brenda Europës.

Plot njëqint vite më parë, pikërisht në 1913, Europa negocionte Shqipërinë për të ruajtur vetveten. Më 19 Dhjetor 2013, Bashkimi Europian nuk negocion më Shqipërinë, as Holandën, por vetveten. Në ato kohë, Europa kishte bindjen se pavarësimi i Shqipërisë do të mënjanonte burimin e trazirave në Ballkan. Prandaj Europa kërkoi me çdo kusht zgjidhjen: krijimin e një shteti shqiptar, sido që të ishte, në fakt një gjysmëzgjidhje, duke i mbetur borxh, sidoqoftë, kombit shqiptar për gjysmëzgjidhjen tjetër, ç`ka e detyroi t’i rikthehej gjysmëzgjidhjes tjetër plot pas 100 vjetësh. Europa, duket se e kishte një brengë për vendin dhe kombin me identifikimin më europian të gadishullit Ballkanik, që kishte kishte shkruar historinë e qëndresës në mbrojtje të kontinentit.

Shqiptarët janë pjesë e organizmit europian, e fatit të Europës, e gjeografisë, kulturës, civilizimit dhe vlerave të saj. Identiteti shqiptar është identitet europian. Ruajta e identitetit kombëtar ka qenë arma kryesore jo vetëm e mbijetesës shqiptare, por shumë më tepër sesa kaq. Identiteti kombëtar shqiptar ka shërbyer, njëherësh, për të mbajtur gjallë rrënjët e Europës, pikërisht aty ku Europën kanë synuar ta ç`rrënjosin. Shqiptarët janë ndjerë europianë jo vetëm me identitetin e tyre, por në radhë të parë me shpirtin, qëndresën dhe besimin e tyre në vlerat europiane, me historinë, gjuhën dhe me të gjithë panteonin e tyre. Europianët mund të konstatojnë fare lehtë se në ç’masë e aplikojnë Islamin shqiptarët apo emigrantët shqiptarë në Holandë ose në çdo vend tjetër të Europës. Me siguri do të gjejnë se shqiptarët në Shqipëri e në Europë identifikohen krejt natyrshëm si qytetarë, si shqiptarë e si europianë, madje edhe në besimin e hershëm të të parëve të tyre.

Bashkimi Europian ka të drejtë të kërkojë nga shqiptarët standarde europiane të sjelljes, shtet ligjor, ç`rrënjosje të korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve, drogës, etj. Por Bashkimi Europian e ka për detyrë gjithashtu të mos fshihet pas gishtit, për të pranuar se droga, trafiku, krimi i organizuar, etj, as nuk fillojnë e as nuk përfundojnë në Shqipëri.

Europa e di se një Shqipëri e lënë mënjanë nuk është në të mirën as të Shqipërisë, as të vetë Europës. Përkundrazi. Duke pranuar Shqipërinë me statusin e vendit kandidat, Europa ve në provë vetveten për të kryer jo vetëm një akt civilizimi, por edhe një vepër të madhe shpëtimi: shëmbjen e mureve artificiale brenda saj. Europa nuk është Europë pa Shqipërinë, Kosovën apo Bosnjë-Herzegovinën.

Më 19 Dhjetor Europa mund të japë ndoshta edhe një gjysmëstatus për Shqipërinë. Por gjysmëstatusi nuk është zgjidhje. Është thjesht një gjysmëzgjidhje. Shqipëria dhe vetë Europa kanë vuajtur më shumë pikërisht nga gjysmëzgjidhjet. Europa, Holanda posaçërisht, duhet ta kujtojë sot këtë faj të saj të kryer në kohët moderne, pikërisht ndaj një populli europian si bosnjakët e Srebenicës, ku gjysmëzgjidhja kushtoi aq shtrenjtë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: BE-ja midis vetes, Shqiperise dhe Holandes, Zeno jahaj

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT