• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRYETARI I VATRES TE “ZERI I AMERIKES”: Vatra, thirrje qeverisë së Kosovës të zbatojë kërkesat e Uashingtonit  

June 4, 2023 by s p

https://www.zeriamerikes.com/a/7121667.html?fbclid=IwAR0Zlc8CqStZ36H9UxKITj6wRk11HQ7LG-yysaMvQ6FLgroPuqEW-Itgges

03 qershor, 2023

  • Burim Goxhuli

Ndajeni

 Print

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetari i Shoqatës Vatra, Elmi Berisha thotë se po i ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Megjithatë, ai shprehet i bindur se kjo është një situatë e përkohshme dhe se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën nuk do të dëmtohen. Ai bën thirrje që qeveria e Kosovës të zbatojë në tërësi thirrjet e Uashingtonit, ndërsa thotë se zyrtarët perëndimorë duhet të tregohen më të ashpër me Beogradin zyrtar.

Vatra, thirrje qeverisë së Kosovës të zbatojë kërkesat e Uashingtonit

 EMBED SHARE

Vatra, thirrje qeverisë së Kosovës të zbatojë kërkesat e Uashingtonit

 EMBED SHARE

The code has been copied to your clipboard.


width  pxheight  px

  • Facebook
  • Twitter

The URL has been copied to your clipboard

  • Auto
  • 240p
  • 360p
  • 480p
  • 720p
  • 1080p

No media source currently available

0:004:060:00

Krytari i Shoqatës shqiptaro-amerikane “Vatra”, Elmi Berisha, mbështet përpjekjet e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, por shton se çdo lëvizje e qeverisë në Prishtinë, duhet të jetë në bashkërendim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Qeveria e Kosovës, kryeministri, presidentja, parlamenti dhe instuticionet në përgjithësi, duhet ta kenë të qartë se mendimet, qendrimet që vijnë nga Uashingtoni zyrtar duhet të respektohen në tërësi. Ua rikujtoj edhe shqiptaro-amerikanëve por edhe qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë në vendet e origjinës se nuk kemi asnjë mik më të mirë në botë sesa popullin amerikan dhe qeverinë amerikane. Prandaj ne nuk duhet të hedhim dyshime tek e ardhmja e Kosovës”, thotë ai.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës aktivisti Berisha thotë se Kosova duhet të nisë menjëherë me zbatimin e kërkesave të Uashingtonit, duke përfshirë atë për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Asociacioni duhet të ndodhë, por asnjëherë që të drejtat e serbëve të vijnë në nivelin e vetqeverisjes, ose qeverisjes, apo të drejtës për kushtëzim apo destabilizim të shtetit të ri të Kosovës”, thotë veprimtari.

Zoti Berisha shton se qeveria e Kosovës duhet të ketë besim se Shtetet e Bashkuara nuk do të kërkojnë lëshime që janë në dëm të shtetësisë së Kosovës.

“Asnjëherë nuk do të gabojë me Kosovën sepse është krijuar nga Amerika, është fëmija i Shteteve të Bashkuara. Nuk është vetëm Kosova, por edhe Shqipëria. 110 vite më parë Amerika formoi Shqipërinë, 110 vite më vonë e formoi edhe Kosovën. Prandaj, kjo nuk është dilemma që shqiptarët duhet ta kenë”.

Nga ana tjetër, kryetari i shoqatës panshqiptare “Vatra” thotë se të dërguarit amerikanë dhe evropianë në Ballkanin Perëndimorë, në vend të trysnisë ndaj Prishtinës, duhet të tregohen më të ashpër ndaj Beogradit zyrtar.

“Ndërkombëtarët nuk kanë qenë të drejtë dhe të barabartë gjatë dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk jemi shumë të lumtur me emisarët që po vardisen në Beograd, Prishtinë, Bruksel dhe Departament të Shtetit. Ne mendojmë që agresori, bota e di se është Serbia dhe Beogradi zyrtar, në veçanti Vuçiçi dhe Daçiçi”.

Sipas zotit Berisha, Presidenti serb Vuçiç dhe ministri i Jashtëm serb Daçiç, qëndrojnë pas akteve të fundit të dhunës në veri të Kosovës.

“Të gjitha protestat dhe zhvillimet në këto muajt dhe javët e fundit nuk janë të orkestruara nga qytetarët serbë, por janë organizatat kriminale që vijnë të përgatitura dhe të orkestruara shumë mirë nga Presidenti i Serbisë, zoti Vuçiç dhe ministri i Punëve të Jashtme, zoti Daçiç. Është për të të ardhur keq se bashkësia ndërkombëtare ende nuk e ka një qëndrim të fuqishëm drejt Beogradit zyrtar dhe nuk e ka vendosur në pozicionin ku duhet të jetë Serbia”.

Situata e fundit, në veçanti gjuha e ashpërsuar e Uashingtonit ndaj Prishtinps nxiti riaktivizimin e lobit shqiptaro-amerikan, thotë zoti Berisha.

“Konkretisht jemi duke biseduar me Kongresin, përfaqësuesit në Kongres dhe Senat dhe po angazhohemi që roli i tyre të jetë më i madh në procese. Ndikimi i Kongresit dhe Senatit duhet të jetë shumë më i madh në Departament të Shtetit, sepse ka një ngecje”, thotë ai.

Sipas zotit Berisha procesi i normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte më i sukesshëm, nëse do të udhëhiqej krejtësisht nga Shtëpia e Bardhë.

Filed Under: Vatra Tagged With: Elmi Berisha, zeri i amerikes

Gabova, kur si sot 29 vjet më parë lajmërova nga Tirana për Zërin e Amerikës përmbysjen e diktaturës komuniste

April 14, 2021 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Lajmin për përmbysjen e diktaturës komuniste e dhamë për edicionin e orës 7:00 të mëngjesit të Zërit të Amerikës. Direkt nga receptori i telefonit fiks. Atëhere nuk kishte ardhur ende koha e Steve Jobs, as gjeneratës të parë të iPhone-ve dhe Smartphone-ve

Gjithë natën Shqipëria nuk fjeti ndërsa po gëdhihej 23 marsi i 1992; ishte nata që do të ndryshonte sistemet, pas 44 vjet diktaturë mizore që edhe në grahmat e fundit kryente krime kundër njerëzimit.

Më 10 gusht të 1988, diktatura do të varte në litar në mes të Kuksit poetin Havzi Nela, ndërsa në verën e 1990 në kufirin shqiptar, në veri dhe jug, do të vriteshin me dhjetra të rinj që do të guxonin të kalonin territorin shqiptar, edhe pse Muri i Berlinit tashmë kishte rënë dhe sistemi totalitar kishte dhënë shpirt.

Pasi ndoqëm pothuaj gjithë natës të dhënat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vendosur në Pallatin e Kongreseve, së bashku me Xhevdet Shehun, që të mbeteshim në historinë e kësaj ngjarje të madhe, e ndamë lajmin dhe e lexuam një pjesë unë dhe një pjesë ai nga zyra e Skënder Buçpapajt, nëndrejtorit të përgjithshëm të RTSH. Në Washington DC ishte mesnatë kur na telefonuan gazetarët e Zërit të Amerikës, pasi as Xhevdeti dhe as ne nuk kishim telefon në shtëpi pa marrë parasysh se Skënderi kishte tre muaj Nr.2 i RTSH.

Kush e ka jetuar 22-23 marsin e 1992 nuk e harron kurrë pas shpalljes në mëngjes të fitores shpërthimin e ngazëllimit të detit njerëzor, klaksonët e pafund të veturave në bulevardin Dëshmorët e Kombit, një pjese e madhe vinin nga qyteti i Kavajës, ndërsa nga dritaret e tyre flatëronin nga era pranverore flamujt kombëtarë.

Sot pyes se ku janë gjithë ata njerëz dhe ku shkoi gjithë ai gëzim i asaj dite i kthyer i gjithi në zhgënjim pjesën tjetër të jetës.

Tirana atë ditë pranvere të 23 marsit të vitit 1992, që binte ditë e hënë dhe përkonte me kremtimet e Bajramit, festonte e gjitha! Liria na kishte vënë krahë, ne besonim se do të ishim të gjithë të lirë, të barabartë, pa luftë klasash, pa urrejtje klasore, pa burgje, pa vrasje, pa segregacion ideologjik brënda kombit, pa luftë civile.

Kështu besonim. Sidomos atë ditë pranvere kur u gdhi 23 marsi 1992. Midis 22 dhe 23 marsit të 1992 duke dëgjuar gjithë natën Radio Tiranën që lajmëronte fitoren e PD nëpër qendrat e votimit, nga qyteti në qytet, nga lumturia se agimi do t’i gjente në një Shqipëri krejt të re, i elektrizoi shqiptarët duke bërë dashuri e ngjizur fëmijët e pranverës 1992, të 22-23 marsit të 1992!

Sot ata fëmijë që u ngjizën më 22-23 marsin e 1992 janë 28 vjeçarë, ndofta pjesa më e madhe jashtë atdheut.

Asnjë nga shqiptarët që festuan 22-23 marsin e 1992 nuk do ta besonte se, pas 29 vitesh, kjo kastë politike do të kishte dëbuar nga Atdheu 3 milionë shqiptarë dhe se aktualisht Shqipëria do të kthehej në vendin ku Covidi19 i shuan shqiptarët, sepse shteti është në kolaps të plotë, me sistem shëndetësor të dështuar që i vret jetët e shqiptarëve!

Nga 22-23 marsi 1992 më ka mbetur ende relike një orë dore me logon e Zërit të Amerikës, që ma dhuruan për suksesin që patëm ato ditë të stuhishme, që përmbysi sistemin, por që u kthye mbrapsht sepse dështoi në ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Në Shqipëri nuk u krye dekomunistizimi dhe supertruktura komuniste, që trashëgoi institucionet e shtetit demokratik, nuk u konvertua por keqqeverisi. Për tre dekada rresht të njëjtat fytyra ricikluan pushtetin, u pasuruan, duke shpërdorur votën e popullit dhe sot Shqipëria është viktimë e kësaj klasa politike të pamëshirëshme, që i vret shqiptarët me varfëri esktreme, me sistem shëndetësor ne kolaps, me sistem drejtësie në kolaps, me sistem arsimor në kolaps, që trafikon diploma, mastera e doktoratura, tituj, grada, çmime, pa meritokraci, pa konkurencë të lirë, pa shanse punësimi, pasi të drejtën e punës e të privilegjeve e ka vetëm administrata, familjarët, enturazhi, dashnoret dhe, në mënyrë ciklike, Shqipëria vuan dhe shqiptarët vuajnë!

Krejt ndryshe nga sa u besua në 22-23 marsi i vitit 1992! Ishte aq bukur në 23 Marsin e 1992 sa për të besuar se ishte i vërtetë!

Ora e dorës e me logon e Zërit të Amerikës ka mbijetuar 29 vite jetë nëpër rrugët e botës, nëpër bagazhet e një familje refugjate politike, me plaçkat në krah e me fëmijët e vegjël në krahë; që do ta fillonim gjithçka nga zero dhe kur rrënjët na thërrisnin e na tërhiqnin si manjet pa marrë parasysh largësinë me mijra kilometra larg.

Ikëm, sepse tashmë Atdheu ishte kthyer në rrezik për brezin e tretë, kur kisha parasysh torturat që kishte provuar im atë, ime më dhe unë. Ikëm për të shpëtuar brezin e tretë, për t’i shpëtuar fëmijët tanë, nipat e gjyshit të tyre dhe fëmijët e mi, nga kthetrat e pinjollëve të diktaturës që ishin kthyer më të egër se të parët e tyre.

Në fakt, ata nuk u larguan asnjëherë. Askush nuk i shqetësoi. Shqiptarët naivë besuan se do të konvertoheshin, se do të kërkonin falje për krimet e etërve, por ata janë trashëgimtarë të denjë etërve të tyre sepse nuk i pranojnë ligjet e sistemit demokratik !

Ora e dorës me logon e Zërit të Amerikës, që e mbajta në dorë në ditët shpresëmëdha për të ardhmen e Shqipërisë, dikur, kur i mbaroi bateria, u fut diku në një sirtar, që të mbetej si kujtim. Dhe pastaj, nuk di se si, u bë refugjate e udhëtare bashkë me ne dhe sot është relikë e një dite historike të vrarë nga shpërdoruesit e lirisë, nga kjo klasë politike me në krye Kaligulën shqiptare Edi Rama.

Prandaj them se gabova atë 23 mars, kur lajmërova për Zërin e Amerikës rënien e sistemit totalitarist në Shqipëri. Sado absurde të ngjajë për një vend anëtar të NATO-s, i cili prej tridhjetë vitesh ka mbetur peng i së shkuarës. Ky është realiteti i hidhur që duhet të ndryshohet me çdo kusht. Me të gjitha mundësitë që ofron demokracia. Sikur në Kosovë më 14 shkurtin e 2021!

Këtë ndryshim 180 gradë, për vendosjen e shtetit të së drejtës po e presim të gjithë. Po e pret edhe kjo orë relike, e cila patjetër e ka ndjerë pulsin tim të shpejtuar kur kam lajmëruar, sepse aq shumë kam dashur që të ishte e vërtetë dhe jo iluzion, triumfi i lirisë atë 23 mars të 1992 dhe pastaj bashkë me ne, dikund në fundin e një çante udhëtimi, i ka përjetuar peripecitë tona si të 3 milionë shqiptarëve, të ikur nga Atdheu nëpër botë, atje ku balta nuk është kurrë e ëmbël si mjalta, si në Shqipëri.

Ndërsa sa i përket fëmijëve që u ngjizën më 22-23 marsin e 1992, me bindjen e plotë të prindërve se diktatura e theu qafën për të mos u kthyer kurrë më në Shqipëri, këtij brezi sot i bie detyra që ta realizojë atë çka mbeti ëndërr, sepse ky brez ka lindur prej asaj ëndërre. Ne prindërit e tyre dështuam!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Gabimi, Skender Buçpapaj, zeri i amerikes

QEVERIA E SHQIPËRISË KACAFYTET ME ZËRIN E AMERIKËS

January 17, 2019 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Para disa ditësh, “Zëri i Amerikës” në gjuhën shqipe transmetoi një kronikë mbi farsën e konkurseve publike në Shqipëri, ndërkohë që ekspozoi ndërhyrjet për punësime në sistemin e burgjeve nga zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe në një rast edhe nga kabineti i kryeministrit Edi Rama. Në kronikën e tij, “Zëri i Amerikës” thotë se ka siguruar të dhëna për një duzinë përgjime mesazhesh dhe telefonatash të shkëmbyera midis personave të ndryshëm, përfshirë, “Zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe të zgjedhur vendorë që janë përgjuar, ndërsa shkëmbenin trafik influence dhe kërkonin favore për punësime apo transferime, nisur nga lidhjet partiake apo personale dhe jo mbi bazën e meritës”. Sipas “Zërit të Amerikës”, “Përgjimet ekspozojnë gjithashtu se si një konkurs për rekrutime masive në policinë e Burgjeve u kthye në një fushatë punësimi për militantët socialistë apo njerëzit e lidhur me pushtetin – një fenomen ky i përhapur në administratën publike në Shqipëri”.

Ndaj këtij raporti të VOA-s, i pari reagoi ashpër kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama duke e cilësuar “Zërin e Amerikës” si pjesë e “kazanit” të medies në Tiranë: “Erdhi dita që “Zëri i Amerikës” të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë logjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie,” ka shprehur zemërimin e tij Z. Rama ndaj kronikës së VOA-s.  Pastaj, qeveria shqiptare duket se vendosi të caktonte në krye të luftës së shpallur kundër VOA-s, ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj – për të mbrojtur të pambrojtshmen. Ajo ka shprehur dyshimet e saj për të dhënat e transmetuara nga VOA dhe me këmbëngulje kërkoi përgënjeshtrimin e kronikës nga “Zëri i Amerikës”, lidhur me ndikimet e politikës për emërimet në administratën shqiptare. Në këtë ndërkohë, nga ana e tij, VOA u përgjigj duke thënë se, “Zëri i Amerikës” i qëndron raportimit të tij, i cili është i bazuar mbi faktet që burojnë nga një dosje hetimore me përgjime të një ish zyrtari të lartë të shtetit, aktualisht nën hetime për korrupsion.” Për më tepër, Dr. Elez Biberaj, aktualisht Drejtori për Evropën dhe Euroazinë i “Zërit të Amerikës” dhe ish-shef për një kohë të gjatë i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”, në lidhje me hetimin e kryer dhe me deklaratën e Kryeministrit Rama u shpreh përballë akuzave se, “Shërbimi shqiptar i “Zërit të Amerikës” ka siguruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme rreth zhvillimeve në Shqipëri dhe unë garantoj plotësisht integritetin dhe gjykimin e lajmit. Shërbimi shqiptar vijon me krenari misionin e prodhimit të gazetarisë së vlerave në mbështetje të demokracisë dhe lirisë dhe t’i sigurojë audiencës së tij lajme dhe informacione të sakta, objektive dhe të balancuara në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjet e duhura”.

Nuk është hera e parë që Kryeministri Rama – por edhe zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të tjerë shqiptarë në të kaluarën kanë reaguar në këtë mënyrë ndaj programeve të “Zërit të Amerikës”. Zoti Rama e ka filluar herët “dashurinë” e tij me VOA-n shqip. Në të vërtetë, ishte viti 2010 kur kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe njëherazi edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Zoti Edi Rama i ka dhënë një intervistë “Zërit të Amerikës” (VOA), drejtpërdrejtë nga New Yorku, ku po merrte pjesë në takimin e Internacionales Socialiste. Siç duket, Zotit Rama nuk i pëlqyen pyetjet e korrespondentes së VOA-s, Zonjës Laura Konda, në lidhje me gjendjen aktuale politike në Shqipëri, ndërkohë që atij nuk i munguan sulmet  ndaj këtij enti të besueshëm lajmesh e komentesh ndërkombëtare. Siç duket i zemëruar nga pyetjet që nuk i priste me atë rast, Z. Rama e pati cilësuar atëherë “Zërin e Amerikës”, si një “Radio e kafeneve të Tiranës”

Mua më habit fakti se si sot, 30-vjet pas shembjes së regjimit komunist, kur VOA cilësohej si “zëri i agjitacionit dhe i propagandës” dhe “zëri i imperializmit amerikan”, sot qeveria dhe udhëheqësit më të lartë të një vendi anëtar i NATO-s dhe pretendues për në anëtarësimin në Bashkimin Evropian – gjejnë kurajën dhe vullnetin politik për të kritikuar një kronikë të “Zërit të Amerikës”, i cili për më shumë se 75-vjet të ekzistencës së tij konsiderohet si një burim i mirë, objektiv dhe i besueshëm lajmesh ndërkombëtare. Besoj se një preokupim më i madh për Kryeministrin shqiptar dhe për qeverinë shqiptare – por edhe për shqiptarët në përgjithësi – duhet të jetë fakti që, si është e mundur dhe pse një shumicë dërmuese e shqiptarëve – në periudhën 30-vjeçare post-komuniste – ende detyrohen të dëgjojnë dhe të shikojnë me besueshmëri të thellë lajmet dhe informacionet e “Zërit të Amerikës”, përfshirë edhe ngjarjet që ndodhin në vendin e tyre. Si është e mundur që shqiptarët gjithnjë i kthejnë sytë dhe veshët tek një medie ndërkombëtare, gjeografikisht mijëra kilometra larg për kronika të tilla dhe për raportime të sakta, objektive e të paanshme rreth zhvillimeve në Shqipëri?! Kush e pengon medien shqiptare që të bëjë detyrën e një gazetarie të lirë?! Kjo, fatkeqësisht, flet shumë për gjendjen e përgjithshme të medies në Shqipëri, diçka që duhej të shqetësonte për së tepërmi, Kryeministrin dhe Ministren e Drejtësisë.

Por le t’i kthehemi VOA-s. Programi i parë i “Zërit të Amerikës”, në vitin 1942 ka filluar me fjalët e folësit Uilliam Hejl: “Po ju sjellim zërat nga Amerika. Sot dhe çdo ditë prej sodit, ne do t’ju flasim për Amerikën dhe për luftën. Lajmet mund të jenë të mira për ne. Ose lajmet mund të jenë të këqija. Por ne do t’ju themi të vërtetën.”  E vërteta është me VOA-n edhe me këtë rast, me gjithë pretendimet e Kryeministrit Rama dhe ministrave të tij! Për këtë arsye shqiptarët e kanë dëgjuar në mënyrë dërmuese “Zërin e Amerikës” për 75-vjet të ekzistencës së tij – në ditë të mira dhe në ditë të vështira – por më shumti në ditë të vështira dhe, jo vetëm pse shërben si zë i së vërtetës – për sa është e mundur nga pikëpamja njerëzore, sepse edhe VOA mund të bëjë gabime. Kjo ka ndodhur, sepse shqiptarët e kanë konsideruar “Zërin e Amerikës” gjatë dekadave, jo vetëm si një burim i së vërtetës, por për më tepër edhe si një “zë i lirë”, siç e ka quajtur Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara, republikani Xhorxh W. Bush, në urimin e tij dërguar VOA-s në 75-vjetorin e themelimit.  Ai ka shprehur respektin e tij për dëgjuesit e “Zërit të Amerikës”, anë e mbanë botës, përfshirë shqiptarët, të cilët sipas tij, gjatë viteve kanë rrezikuar shumë për të dëgjuar “zërin e lirë” të VOA-s, një zë që, shtoi ai, i është përgjigjur dëshirës së çdo zemre të njeriut për të jetuar në liri. Sepse, sipas tij “Liria nuk është një e drejtë amerikane, as nuk është një ide amerikane. Liria është një ide universale dhe “Zëri i Amerikës” është pjesë e këtij nocioni… “Zëri i Amerikës” na kujton këtë universalitet të lirisë”.  Presidenti Bush, në mesazhin e tij, e ka vlerësuar “Zërin e Amerikës” edhe si, “Një zë realist për paqe. Jo një zë idealist i pa shpresë”. Kam folur me shumë udhëheqës të ndryshëm botërorë gjatë mandatit tim, ka thënë ish-presidenti amerikan, duke shtuar se në takimet me ta u ka “Kujtuar atyre rëndësinë e rolit që luan shtypi i lirë, si një prej gurthemeleve”, të demokracisë.”

Si një ish-zyrtar i VOA-s gjatë dekadave, ju siguroj se edhe kronika e fundit e “Zërit të Amerikës” – mbi farsën e konkurseve publike në Shqipëri që ekspozoi ndërhyrjet për punësime në sistemin e burgjeve nga zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe në një rast edhe nga kabineti i kryeministrit Edi Rama – ashtu si edhe në të kaluarën, është transmetuar nga “Zëri i Amerikës” me të njëjtin përkushtim ndaj së vërtetës, ndaj lirisë dhe demokracisë, për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, pa asnjë qëllim të keq ndaj askujt. Është pra, në këtë frymë që kjo kronikë e “Zërit të Amerikës” duhet të shikohet, të analizohet dhe mbi të cilën të veprohet. Dokumentacioni i ekspozuar nga VOA në kronikën e tij disa ditë më parë, flet qartë dhe haptas për korrupsion në sistemin e punësimeve të administratës publike! Audienca javore e VOA-s shqip prej 60.5% e shqiptarëve dhe e 4 nga 5 shikuesve që e vlerësojnë këtë program si “shumë të besueshëm”, e dallojnë lehtë të vërtetën nga gënjeshtra, pa marrë parasysh shpjegimet zyrtare.

 

VOA Broadcasting in Albanian

VOA’s Albanian Service plays a crucial role in bringing the audience unbiased, objective and comprehensive news about the world and the region and in promoting U.S. foreign policy objectives in a region still vulnerable to internal and external destabilizing forces. The Service broadcasts to Albania, Kosovo and the Albanian-speaking areas of Macedonia, Serbia and Montenegro. In the politicized media markets of these countries, VOA plays a critical role as an unbiased, balanced and trusted source of news and information. VOA Albanian reaches more adults than any other international broadcaster in the region. The service’s programming is widely disseminated by local media on TV and on the web.

Established: May 1943 (broadcasts interrupted 1945; resumed May 1951)

Target Area: Albania, Kosovo and Macedonia

Weekly Audience: 60.5 percent in Albania

64 percent in Kosovo

9.3 percent in Macedonia

TV Programming: 3 hours, 40 minutes per week

Programs and additional features available at: www.zeriamerikes.com

Facebook:

ZeriAmerikes

Twitter:

@zeriamerikes

YouTube:

Zeriamerikes

Mobile Apps:

iOS – bit.ly/VOAios

Android – bit.ly/VOAandroid

Programs and Features

Ditari (Journal) – A daily 30-minute news and information television program. The show airs in 41 TV affiliates in Albania, Kosovo, Macedonia, Montenegro and Serbia. Each market and population has unique needs, and the service tailors its programs accordingly.

In addition to its regularly scheduled TV programs, VOA Albanian provides special reports (interactive) for two top-rated affiliates in Albania, News 24 and Top Channel. These largely focus on major political developments in the United States and provide U.S. perspectives on events affecting the region.

1 Voice of America 2

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, zeri i amerikes

Kryeministri Rama e quajti “Zërin e Amerikës” kazan, reagon Elez Biberaj

January 17, 2019 by dgreca

Drejtori për Europën dhe Azinë i “Zërit të Amerikës”, gazetari i njohur dhe drejtuesi emblematik i saj, Elez Biberaj, iu përgjigj kryeministrit Edi Rama, pas etiketimit prej këtij të fundit, si kazan edhe për Zërin e Amerikës./

1 Elez-Biberaj

Gazetari Biberaj garantoi se investigimi për implikimin e deputetëve dhe shefes së kabinetit të kryemsitrit shqiptar, në biseda përgjimesh, për punësime, është i saktë ashtu si të gjitha lajmet e publikuara nga kjo media.

“Shërbimi shqiptar i Zërit të Amerikës ka siguruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme rreth zhvillimeve në Shqipëri dhe unë garantoj plotësisht integritetin dhe gjykimin e lajmit. Shërbimi shqiptar vijon me krenari misionin e prodhimit të gazetarisë së vlerave në mbështetje të demokracisë dhe lirisë dhe t’i sigurojë audiencës së tij lajme dhe informacione të sakta, objektive dhe të balancuara në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjet e duhura”, u shpreh për Ora News, Elez Biberajn, Drejtori për Evropën dhe EuroAzinë i Zërit të Amerikës.

Denoncimi i Zërit të Amerikës zbuloi se si zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste përdornin vendet e lira të punës në administratën e burgjeve për të punësuar militantët e tyre.

Pas publikimit të këtij lajmi, Kryeministri reagoi në twitter, duke e quajtur këtë media kazan. “Erdhi dita që Zëri i Amerikes të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”, reagoi Rama.

“Zëri Amerikës” nxjerr korrupsionin, kryeministri e “shpartallon” si dikur Enver Hoxha

-“Bomba” e dytë e “Zëri i Amerikës” kundër qeverisë . Publikohen përgjimet që implikojnë deputetë dhe zyrtarë të PS në afera të jashtëligjshme në punësime.

-Kryeministri akuzon si “kazan” edhe radion zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që pret emërimin si ministër i jashtëm, por që duket paksa e vështirë të marrë dekret presidencial në vend të Ditmir Bushatit.

Një i investigim i “Zërit të Amerikës” për punësimet e jashtëligjshme në administratën e burgjeve vë nën akuzë ligjore dhe morale të paktën katër deputetë të Partisë Socialiste, si dhe zyrtarë në kabinetin e kryeministrit Edi Rama. Investigimi zë fill të hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e Burgjeve, Arben Çuko. Bisedat e zbardhura të Çukos, si deputetë dhe zyrtarë të qeverisë, tregojnë se në shumicën e rasteve emërimet në këtë institucione bëhen me ndërhyrje politike. Më flagrante në gjithë historinë e përgjimeve është se dhe një konkurs për vende të reja pune në këtë institucion rezulton të jetë një farsë e shëmtuar. Nga 270 vende të lira pune në konkurs, të gjitha aplikimet rezultojnë se janë bërë nga deputetë të PS dhe njerëz të qeverisë. Madje numri i konkurentëve ka qenë aq i madh sa seleksionimi duhet bërë mes emrave që kanë dhënë deputetët, pra jashtë kritereve, dhe jo sipas ligjit.

“Të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës përmes bisedave dhe mesazheve të përgjuara të Çukos tregojnë se mbajtja e këtij premtimi minohet gjerësisht nga një sistem i ngritur mbi bazën e shpërblimeve partiake si dhe nga ndërhyrjet e zyrtarëve të të gjitha niveleve. Përveç zyrës së shefes së kabinetit të kryeministrit Edi Rama, në përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dalin kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputetët socialistë Klodiana Spahiu, Blerina Gjylameti dhe Paulin Sterkaj. Trafik influence për punësime apo transferime rezultojnë të kenë ushtruar gjithashtu zyrtarë lokalë, punonjës të administratës apo të zgjedhur vendorë”,- thuhet në investigimin e “Zërit të Amerikës”, e cila është radio zyrtare e SHBA.

Skandali i publikuar dje me dokumente dhe përgjime, shërben dhe si model për institucionet e tjera, sipas analistëve. Kur deputetët kanë bërë namin te Drejtoria e Burgjeve, që nuk është një institucion i lakmuar për punësime, imagjinoni çfarë ka ndodhur me drejtoritë e tjera ku radha për punësime është disa herë më e madhe. Ajo që u shfaq dje në “Zërin e Amerikës” tregon se qeveria i ka kthyer të gjitha punësimet në shpërblime politike për militantët dhe njerëzit që janë afër kryeministrit Edi Rama. Në të vertetë ka ndonjë ministri apo institucione, që konkurset i zhvillojnë korrekt me ligjin, por akuzat e “Zëri Amerikës” e komprementojnë “bashkëqerisjen” dhe konkurset, pasi në jo pak raste konkurset janë me përzgjedhje politike.

Investigimi i djeshëm, veç korrupsionit dhe ndërhyrjes qeveritare në punësime, zbuloi dhe raportin e deformuar që tashmë kryeministri Edi Rama ka me median dhe të vërtetën. Pak pasi u publikua kronika e medias amerikane, kreu i qeverisë me një gjuhë jo etike sulmoi median zyrtare të SHBA, si të bëhej fjalë për ndonjë portal anonim në Tiranë, duke e quajtur “Kazan”! “Erdhi dita që Zëri i Amerikës të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë logjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”,- shkruan kreu i qeverisë.

Për të kuptuar qytetarët shqiptarë se cilën media ka quajtur kazan Edi Rama, mjafton të kujtojmë se “Zëri i Amerikës” financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe përcjellë qëndrimet zyrtare ose gjysmë zyrtare të qeverisë amerikane lidhur me çështje të ndryshme. Ajo që është e veçantë në programin e kësaj medie në gjuhën shqipe dhe që ka shqetësuar kreun e qeverisë, lidhet me faktin se gjatë muajve të fundit “Zëri i Amerikës” ka marrë karakterin e një media investiguese të temave të nxehta në Shqipëri, veç transmetimeve të qëndrimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit. Prej disa muajsh në këtë media janë thirrur gazetarë me përvojë në zbulimin e aferave dhe fakteve të korrupsionit e krimit qeveritar, të cilët kanë nisur hulumtimin e dokumenteve dhe fakteve për skandale të ndryshme.

Skandali i parë i trajtuar ishte ai për projektin e Unazës së Re dhe kompaninë që mori me letra false 30 milionë Euro. Për shkak se shumica e mediave vizive, me përjashtim të emisionit të Ylli Rakipit që zbuloi fillimisht skandalin, iu shmangën trajtimit të kësaj teme që prek shumë interesa, “Zëri Amerikës” e plasi vet bombën e korrupsionit në shqip dhe anglisht duke e detyruar qeverinë që t’i përgjigje direkt dhe të merrte masa. Sigurisht që investigimet janë mediatike, por kur dalin nga “Zëri i Amerikës” kanë kaluar dhe në filtra të tjerë që do apo nuk do kreu i qeverisë janë dhe qëndrime të politikës amerikane ndaj mënyrës sesi ai po qeverisë Shqipërinë. Pas bombës së parë me Unazën e Re, bomba e dytë e kësaj media ishte dje. Investigimi për mashtrimet me punësimet prek vetëm Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Është vetëm një drejtori e rëndësishme nga dhjetra të tjera që ka qeveria.

Dje investigimi i “Zëri të Amerikës” ndaj qeverisë Rama ishte në vazhdën e faktëve korruptive që kjo media amerikane po zbulon për publikun shqiptar. Me sa duket shërbimet intelegjente e dijnë mirë se në Shqipëri mbi 90 përqind të mediave, kryeministri i ka lidhur me interesa financiare dhe asnjëra nuk investigon, ndaj detyra e vështirë ka rënë mbi “Zëri Amerikës”.

Kur të kritikon “Zëri Amerikës”, radio me serioze dhe profesionte në botë, duhet të mendohesh mirë, pasi ditët në pushtet fillojnë e shkurtohen. Me sa duket edhe Presidenti nuk do ta dekretojë ministër të jashtëm, Edi Ramën.

Edhe për këtë sulm ndaj “Zëri të Amerikës”!

 

Filed Under: Politike Tagged With: edi Rames, Elez Biberaj, Kazan, pergjigje, zeri i amerikes

Dosjet e Sigurimit trazojnë ndjenjat e të dënuarve politikë

August 20, 2018 by dgreca

– URAN KOSTRECI: “Atje janë vrarë fëmijë, e nëse quhet Aushvic apo Buchenvald, apo kamp komunist, që ishte më i tmerrshëm se i gjermanëve, kjo nuk ka rëndësi. Por puna është këtu: po bëhet një propagandë nga komunistët për të amortizuar dhe për fashitur atë dëm, atë krim që ata kanë bërë atëherë. Ky institucion për hapjen e dosjeve po bën aq sa mundet dhe me ato dosje që kanë ngelur”…/

14269807_10209027548998633_66667938_n

Zeri i Amerikes- Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit hapi sot në Tiranë ekspozitën dokumentare “Persekutimi komunist në zonën e Tepelenës”.

FAFFBDD4-0242-4DE8-9663-243D7BBA1842_w1023_r1_s

Në të u shfaqën për herë të parë dhjetëra dosje e dokumenta që provojnë përndjekjen e ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit ndaj asaj krahine, ashtu si edhe në gjithë vendin. Uran Kostreci, një nga të dënuarit politikë më të vjetër, shprehu protestën e tij se si edhe sot komunistët shqiptarë propagandojnë shpifjet e tyre dhe mohojnë e fshehin krimet e diktaturës.

“Atje janë vrarë fëmijë, e nëse quhet Aushvic apo Buchenvald, apo kamp komunist, që ishte më i tmerrshëm se i gjermanëve, kjo nuk ka rëndësi. Por puna është këtu: po bëhet një propagandë nga komunistët për të amortizuar dhe për fashitur atë dëm, atë krim që ata kanë bërë atëherë. Ky institucion për hapjen e dosjeve po bën aq sa mundet dhe me ato dosje që kanë ngelur” – tha zoti Kostreci.

Ekspozita përmban dokumentet mbi përndjekjen e drejtuesve fetarë të krahinës, shkrimarë dhe figura të tjera të njohura të krahinës si Trifon Xhagjika, Selahudin Toto, Zenel Shehu, Naim Pasha e dhjetëra të tjerë, që morën pjesë në kryengritjen e Zhapokikës, apo që vuajtën nga Sigurimi i shtetit në kampin e internimit të Bënçës.

“Këto veprimtari janë shumë të rëndësishme për të zbardhur të shkuarën, por janë shumë më të rëndësishme për të ardhmen. Kjo është një mënyrë që brezat e rinj, e që nuk dinë ngjarjet, të shohin të keqen, të distancohen nga ajo dhe të mos e lejojnë të përsëritet” – tha Nebil Çika, përfaqësues i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë.

Nga ana tjetër, zoti Kostreci theksoi me dëshpërim se mos-hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit në afro 3 dekada e vonoi drejtësinë dhe e vështirësoi më shumë ndricimin e krimeve të panumërta të komunistëve gjatë diktaturës.

“Dosjet u duheshin hapur një herë atyre që i vranë njerëzit, atyre që masakruan fëmijët në Tepelenë, atyre që dënuan me gjyqe apo gjyqe. Ne kemi qenë të burgosur e nuk kemi dhënë asnjë shenjë në 27 vjet se jemi hakmarrës. Ky është ndryshimi mes nacionalistëve me komunistët. Por nevojitej një demaskim publik i këtyre autorëve, që të merrte vesh populli krimet e tyre, e të mos na bëjnë më llam llam llam nëpër gazeta” – tha zoti Kostreci.

Përfaqësuesi i shoqatave të përndjekurve politikë, Nebil Çika tha se propaganda e sotme e komunistëve po mundohet të fajësojë edhe tepelenasit si bashkautorë të krimeve të diktaturës, por kjo u provua me dokumenta, që nuk është aspak e vërtetë.

“Tepelena ka aq përgjegjësi për kampin aq sa matjanët për Burrelin, mirditorët për Spaçin. Dokumentat e dala sot tregojnë se tepelenasit janë poa q të ndëshkuar gjatë diktaturës sa edhe gjithë krahinat e tjera. Njerëzit e Tepelenës ishin internuar larg vendlindjes si bëhej edhe në krahinat e tjera” – tha zoti Çika.

Në tubimin kushtuar përkujtimit të viktimave dhe personave të mbijetuar nga regjimi totalitar komunist morën pjesë familjarë, studiues, përfaqësues të shoqatave të ish-të përndjekurve, të cilët po këmbëngulin te rehabilitimi me dinjitet i viktimave të diktaturës komuniste.(Kortezi- Ilirian Agolli-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Politike Tagged With: dosjet e sigurimit, Uran Kostreci, zeri i amerikes

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT