Të Dielën me 5 Mars, në prag të Kuvendit të Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”, që do të zhvillojë punimet me 10 Qershor 2017 në Nju Jork, zhvilloi Kuvendin e saj dega e Vatrës në Washington. Të pranishëm në këtë Kuvend ishte edhe Kryetari i Federatës Vatra dr. Gjon Bucaj dhe anëtari i Kryesisë, arkëtar i Vatrës, Marjan Cubi.
Kryetarja e deritanishme Merita B McCormack, anëtare e Këshillit të Vatrës, informoi për veprimtaritë mes dy Kuvendeve.
Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Bucaj përshëndeti në emër të Kryesisë së Vatrës dhe e përgëzoi degën për veprimtaritë e zhvilluara. Më pas ai informoi për veprimtaritë e Qendrës dhe për Kuvendin, që do të nisë punimet me 10 Qershor 2017. Ky Kuvend, tha dr. Bucaj, do të jetë Kuvend zgjedhor dhe pune. Kryesia e Vatrës do t’i ndjekë nga afër Kuvendet e degëve. Së shpejti një përfaqësi e Kryesisë, do të udhëtojë edhe në katër degët e Floridës.
Pas diskutimeve u bënë zgjedhjet e reja për kryesinë e degës dhe u zgjodhën delegatët për në Kuvendin e Vatrës. Kryetar i ri i degës së Washingtonit u zgjodh anëtari i Këshillit të Vatrës, z. Armin Zotaj.
Gazeta “Dielli” falenderon zonjë Merita B McCormack për kontributin e dhënë në drejtimin e degës dhe i shpreh urimet më të ngrohta kryetarit të ri, z. Armin Zotaj dhe Kryesisë së re. (Informacion më të zgjeruar do të lexoni në Diellin e printuar)