Zgjedhjet paraprake në SHBA zgjasin dhe janë të ndërlikuara. Megjithatë tani të dy kampet kanë kandidatët e tyre: Hillary Clinton do të luftojë kundër Donald Trumpit për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Dhe anasjelltas. Por fituesit, që futen në garën elektorale presidenciale me mbështetjen e qartë dhe të fuqishme të partive të tyre, duken ndryshe.
Armiku më i madh i Trupmit është: Trump
Problemet që kanë dy kandidatët janë krejt të ndryshme. Armiku më i madh i Donald Trumpit është vet Donald Trumpi. Një burrë i pasur në plakje, i cili me ekseset e tij plot urrejtje, narcizizëm dhe erupsion ka bërë mjaft armiq tek republikanët, duhet dhe do ta vazhdojë garën.
Hillary Clinton në të kundërt duhet të luftojë të paktën në dy fronte. Gjatë shumë viteve në postet politike ajo ka bërë një sërë gabimesh ose duhet të përgjigjet për to. Edhe ajo mund të numërojë shumë kundërshtarë. Kësisoj Hillary Clinton është për vetveten armikja më e madhe. Kësaj i shtohet edhe një person real, i cili edhe pas nominimit mund t’i shkaktojë asaj mjaft kokëçarje.
Revolucion në zonën e komoditetit
Bernie Sanders e ka sfiduar politikanen e pasionuar në një mënyrë që askush nuk e kishte pritur. Me fjalimet e tij të flakta për revolucion 74 vjeçari Sanders ka bërë që rivalja e tij 68 vjeçare të duket e moshuar. Të duket si një grua e pushtetshme, e cila në radhë të parë synon të ruajë sistemin, sepse në të ajo ka fituar pushtet dhe pasuri.
Kjo lirikë revolucioni ka joshur kryesisht të rinj e të reja amerikane. Por ai e ka bërë këtë i nxitur prej ëndrrave të shpërfytyruara të një revolucioni, që duhet të jetë i mundur pa u larguar nga zona e komoditetit vetiak.
Në këtë kontekst Sanders ka sjellë në këtë luftë të çuditshme elektorale temat e padiskutueshme ekzistenciale si drejtësia sociale, që do të kishin mbetur pasdore. Kjo është dhe mbetet merita e tij. Por kjo nuk do t’u mjaftojë simpatizantëve të tij. Këta njerëz të angazhuar kanë humbur. Clinton dhe jo Sanders, i ka grumbulluar votat e nevojshme. E kjo vijë e kuqe u përcaktua pikërisht nga shumë pak super të deleguar të pasur. Kjo ofron lëndë të mjaftueshme për krijimin e miteve. E kush është ai që nuk e di, se dashuria e parë e humbur dhemb më së shumti.
Terren i panjohur për Clintonin
Çfarë do të thotë e gjitha kjo për Hillary Clintonin, që do të jetë gruaja e parë në historinë e SHBA-së si kandidate për presidente? Me nomimin ajo do të shkelë në terren të panjohur. Kjo për faktin, se edhe pse ajo ka luftuar një herë për këtë, deri më sot ajo nuk ka qenë kandidatja e kurorëzuar.
A do t’ia dalë ajo që ta shfrytëzojë këtë si një goditje fitimtare? Si një shans për të hequr dorë prej frazave të nohura dhe për të folur e për të qenë ashtu siç është ajo, ashtu siç mundet ajo dhe ashtu siç ndien ajo? A do t’ia lejojë ajo vetes, që t’i pranojë gabimet dhe të tregojë një karakter, të cilit njerëzve i besojnë, sepse e perceptojnë atë si të sinqertë? E çfarë do të bëjë Bernie Sanders? A mund të jetë ai solidar në humbje? Apo ai do të çimentojë një përmendore për pretendimin e tij, se nuk mund të ketë një jetë të vërtetë në një jetë të rreme?
Bëhet fjala për autenticitet
Populizmi dhe premtimet e kanë karakterizuar këtë luftë elektorale. Nëse Hillary Clinton do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë pas të parit president me ngjyrë, ajo duhet të zhvillojë një armë, që të shfuqizojë argumentat e kundërshtarit. Për këtë ajo i ka aftësitë analitike. Veçanërisht ajo duhet t’ia dalë që të tregojë emocionet e përshtatshme, të një kandidateje të parë grua për presidente. E këto duhet të jenë emocionet e jetuara dhe jo të mësuara. E këtë ajo duhet ta bëjë bindshëm.Pikërisht kjo synohet në SHBA. Zgjedhësit edhe zgjedhëset duan autenticitet. Më shumë se sa programe dhe koncepte.