• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FITËR BAJRAMI NË KOMUNITETIN SHQIPTAR MYSLIMAN NË ZVICËR

May 12, 2021 by dgreca

Mehas Alija, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, shpjegon rëndësinë e Fitër Bajramit në besimin Islam, organizimin fetar dhe atdhetar të shqiptarëve në Zvicër, muajin e Ramazanit në komunitetin shqiptar në Zvicër, aktet e bamirësisë së bashkësisë shqiptare myslimane të Zvicrës ndaj shqiptarëve në nevojë dhe funksionimin e riteve e ceremonive fetare në kushtet e pandemisë globale.   

FITËR BAJRAMI DHE RËNDËSIA NË BESIMIN ISLAM

Në fenë tonë islame kemi dy festa të mëdha dhe më kryesoret gjatë vitit: Festën e Fitër-Bajramit dhe atë të Kurban-Bajramit. Në popull njihen si Bajrami i madh dhe Bajrami i vogël. Festa e Fitër-Bajramit pason pas një angazhimi dhe ngjallje shpirtërore që përjetojnë besimtarët e fesë islame gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, ku, ndër të tjera, agjërojnë dhe abstenojnë nga të ngrënurit dhe pija për disa orë gjatë ditës, përkushtohen ndaj veprave të mira, kryejnë lutjet dhe adhurimet e natës, ndihmojnë dhe tregohen më shumë solidarë me të tjerët, etj. Fitër Bajrami është një emërtim që ka rrjedh prej dy fjalëve të huaja “fitër” që është arabisht dhe tjetra “bajram” që është turqisht, e që në shqip do të mund të përkthehej si “Festa e Fitrit”. Pse festa e Fitrit? Sepse, sipas një mendimi, gjatë Ramazanit besimtarët paguajnë në fund një shumë të hollash për të varfrit dhe të ngratët, e që është lëmosha e Fitrit, apo siç e njohim ne në terminologjinë tonë fetare, Sadakaja e Fitrit. Kurse, sipas mendimit tjetër, shikuar nga aspekti etimologjik, Fitër nënkupton kthimin në një gjendje të mëparshme, në natyrshmërinë që kishin besimtarët përpara muajit të Ramazanit. Bajrami si festë ka një rëndësi të posaçme, pasi besimtarët agjërues janë të lumtur për arritjen e plotësimit të një kushti themelor të fesë islame, siç është agjërimi, krahas namazit, zeqatit dhe haxhit, si dhe paraqet formën më ideale për përbashkimin dhe gëzimin familjar e shoqëror. 

RAMAZANI NË KOMUNITETIN SHQIPTAR MYSLIMAN NË ZVICËR

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër është organizata kupolë që përfaqëson mbi pesëdhjetë xhami dhe qendra islame në tërë teritorin e Zvicrës dhe, njëherësh është institucioni fetar që përfaqëson shqiptarët musliman në tërë shtetin e Zvicrës. Ne patëm shumë fat që me lehtësimet e posaçme që qeveria zvicerane lëshoi për komunitetet fetare në vend, respektivisht për adhurimet në objektet e kultit, nëpër xhamitë tona kishin mundësi të gravitonin dhe të falnin namazet ditore, ato të së premtes dhe të teravive, që janë namaze specifike të Ramazanit. Për dallim nga Ramazani i vitit të kaluar, ku aktivitetet dhe lutjet në xhami ishin të pezulluara, në këtë Ramazan patëm mundësi që të përjetojmë më shumë atmosferën e këndshme vëllazërore dhe të plotësojmë, sadopak, zbrazëtirën e krijuar në vitin e kaluar. Edhe në këtë vit, pos aktiviteteve brenda qendrave tona, komunitetin tonë e orientuam edhe në botën digjitale, ku imamët tanë prezantuan aktivitete të ndryshme në formatin online. Ndër to mund të veçojmë: ligjërata online, këndimi të Kur’anit fisnik, mesazhe dhe biseda ramazani para iftarit, emisione, kuize dhe gara të ndryshme, etj. Ky Ramazan e ka edhe veçantinë e vet, sepse, duke i pasur parasysh kufizimet, një pjesë e komunitetit atmosferën e Ramazanit e kanë kaluar në vatrën familjare. Pra, një Ramazan më shumë me familjen dhe me rrethin më të ngushtë të farefisit. 

RELIGJONI DHE CEREMONITË FETARE NË KUSHTE PANDEMIE 

Ndërmarrja e vendimeve nga organet kompetente shtetërore për të caktuar masa si preventivë ndaj përhapjes së koronavirusit Covid-19, ishte një gjë e pa përjetuar deri në këto dy vitet e fundit për komunitetin tonë, në tërë këto vite veprimtarie në shtetin zviceran. Mirëpo, si institucione që jemi, u munduam të tregojmë gatishmëri, guxim dhe përgjegjshmëri, andaj dhe konformë vendimeve, vendosëm që në fillim të pezullohet jeta aktive e xhemateve tona, përfshirë këtu faljen e namazeve me xhemat të namazeve ditore dhe të së premtes, si dhe mësim-besimin në mektebe, ndërsa nga qershori i vitit të kaluar na u dha mundësia që t’i rihapim xhamitë dhe të punohet me shërbimet fetare, por gjithmonë të kujdesshëm dhe me kapacitete të reduktuara. Kryesitë e xhamive dhe imamët tanë vazhduan të mbeten aktivë, 24 orë në shërbim të komunitetit, por duke i respektuar të gjitha masat e parapara dhe tanimë të njohura për të gjithë ne. Mendoj se kriza e virusit Covid-19, për shkak të mos aktivizimit normal të xhemateve tona, do të lë pasoja dhe do të ketë një ngarkesë për menaxhim të mëtejshëm të xhamive, sidomos në rrafshin financiar, por ne mbesim me shpresë se kjo gjendje do të kalojë shpejt dhe se xhematet tona nuk do të harrojnë t’i kryejnë obligimet e tyre që kanë kundrejt xhamive. Është një mirësi e qartë e mësimeve fetare islame, sepse ato në kushte të jashtëzakonshme dhe në kushte jonormaliteti dinë të përshtaten dhe të duken të lehta e të zbatueshme. Prandaj, feja nuk mendoj se është në krizë. Madje në kohën e pandemisë njerëzit më shumë janë afruar me fenë, ndërsa besimtarët edhe më shumë kanë forcuar lidhjet me Zotin. Kurse, kur është në pyetje teknologjia digjitale, do të thosha se ka qenë mjeti më i mirë i kohës për mbajtjen e lidhjeve me komunitetin, por jo vetëm. Përmes angazhimit online janë përçuar mesazhe shumë të fuqishme dhe janë zhvilluar emisione dhe debate shumë interesante mbi fenë dhe rolin e saj në kushte dhe rrethana sprovash. 

VEPRIMTARI BAMIRËSIE TË KOMUNITETIT SHQIPTAR MYSLIMAN NË ZVICËR 

Nën drejtimin tonë, Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër, pos tjerash, ndërmori dy aktivitete të rëndësishme humanitare: Mbledhja e ndihmave dhe mjeteve financiare për rindërtimin në Shqipëri, pas tërmetit shkatërrues në Nëntor të vitit 2019, ku shuma e mbledhur kaloi mbi gjysmë milioni franga zvicerane, si dhe aksioni tjetër humanitar për “Kryqin e Kuq” të Zvicrës, me mbi njëzet mijë franga zvicerane, dedikuar për qëllime humanitare dhe për zbutjen, sado pak, të krizës që shkaktoi pandemia e COVID-19. Mendoj se këto dy aktivitete bamirëse luajtën një rol shumë të rëndësishëm në përmirësimin e imazhit tonë si komunitet musliman shqiptar në shtetin helvetik, por edhe në të gjithë botën shqiptare. Nga ana tjetër, brenda muajit të Ramazanit, komuniteti ynë organizon nxjerrjen dhe shpërndarjen e lëmoshës së Ramazanit, të njohur tek si sadakaja e Fitrit, mjete këto që u dedikohen vëllezërve e motrave të kombit tonë, të cilët kanë nevojë për ushqim, pije, veshmbathje, apo gjëra të tjera elementare për jetën. Ramazani dhe festa e Bajramit luajnë një rol jashtëzakonisht të madh në ndjenjat tona dhe sublimojnë solidaritetin tonë me të tjerët. Festës së Fitër Bajramit i gëzohet edhe i varfri edhe i pasuri. 

NJË MESAZH PËRSHËNDETJEJE PËR DIELLIN, VATRËN DHE SHQIPTARËT NË USA

Ju falënderoj shumë për mundësinë që na dhatë, për t’u njohur dhe për të shkëmbyer përvojat tona. Kemi respekt për punën dhe angazhimin tuaj shumëvjeçar në shërbim të komunitetit tonë shqiptar në Amerikë. Amerika është botë më vete, por edhe bashkëkombësit tanë atje na kanë bërë shumë krenarë me arritjet dhe sukseset e madhe që kanë dëshmuar. Kemi nevojë të afrohemi edhe më shumë me njëri-tjetrin, të mësojmë prej njëri-tjetrit, sidomos tashmë me botën virtuale, bota nuk na duket edhe aq e madhe, si dikur më parë. Ju uroj shumë fat, suksese dhe punë të mbarë në misionin tuaj. Falë jush, Dielli juaj, tashmë nuk ngroh vetëm bashkëkombësit tanë në Amerike, por në të gjithë botën. Ju faleminderit shumë dhe urime festa e madhe e Fitër Bajramit. 

Filed Under: Featured Tagged With: Bajrami, Mehas Alija, shqiptaret mysliman, zvicer

SHQIPTARËT E ZVICRËS- SHKOLLAT SHQIPE DHE IDENTITETI KOMBËTAR

October 6, 2020 by dgreca

-RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË ZVICËR

Dr. Vaxhid Sejdiu mësues dhe veprimtar shumëvjeçar i L.A.P.Sh.-së në Zvicër dhe koordinator i Shkollave Shqipe në Zvicër, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Zvicër nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Dr. Vaxhid Sejdiu është mësuesi që e ngriti lart flamurin e shkollës shqipe në Zvicër. Gjithmonë dëshmoi se me punë dhe angazhim klasat e shkollave shqipe janë plot me nxënës, sepse gjuha shqipe është ajo, e cila ruan identitetin kombëtar. Ai dha një kontribut të çmueshëm në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe dhe në organizimin e aktiviteteve me bashkatdhetarë. Për nga numri i klasave edhe nxënësve me të cilat punoi dhe punon më se dy dekada, mund të merret si model i  mësuesisë në mërgatën shqiptare. Me Dr. Vaxhid Sejdiun bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SOKOL PAJA-

ORGANIZIMI I MËSIMIT NË “SHKOLLAT SHQIPE” NË ZVICËR

Gjatë vitit shkollor 2019/20 nga pamundësia për t`i hap shkollat shqipe në kuadër të LAPSh-së (sepse Kryesia e tanishme nuk na lejonte t`i  hapim këto shkolla) vendosëm t`i hapim si shkolla shqipe të pavarura. Nga angazhimi dhe puna e përditshme me veprimtarët, mësuesit dhe prindërit arritëm të hapim nga gusht 2019- deri në fillim të pandemisë mars 2020, tridhjetë e tri (33) shkolla. Edhe sivjet kemi filluar me të njëjtin intensitet, kemi hapur dhjetëra shkolla dhe vazhdojmë t`i hapim njëra pas tjetrës, edhe shkollat tjera, të cilat, sot përbëjnë rrjetin e shkollave shqipe në Zvicër. Në këtë rrugëtim vlen të përmendet se kemi një ndihmesë të madhe nga Ambasadat e dy shteteve tona Shqipëri dhe Kosovë, por veçanërisht një ndihmesë të vazhdueshme nga Ambasada e R. së Shqipërisë në Bernë.  

QYTETET KU MËSOHET SHQIP, NXËNËSIT, MËSUESIT DHE KURRIKULA MËSIMORE 

Tani, shkollat shqipe në Zvicër kanë filluar të hapen që nga viti 1990 dhe deri në ditët e sotme. Ato, funksionojnë diku më mirë dhe diku kanë pushuar së ekzistuari. Aty, ku ka veprimtarë, prindër dhe mësues të cilët punojnë dhe veprojnë edhe shkolla shqipe funksionon më mirë dhe në mënyrë më të rregullt. Shkollat shqipe funksionojnë më mirë në kantonin e Cyrihut, të St. Gallenit, të Argaut, por në shumë kantone nuk kemi asnjë klasë. Kemi punuar dhe punojmë me tekste shkollore, të cilat na kanë ardhur në ndihmë nga Ministria e Arsimit të R. së Kosovës dhe të Ministrisë së Arsimit të R. së Shqipërisë. Kohëve të fundit na kanë ardhur tekste shkollore dhe veçanërisht tekste plotësuese nga QBD-ë , nga Tirana, të cilat tekste janë më të përshtatshme, nga ato që kemi marrë deri më tani. Punojmë në bazë të kurrikulës së përbashkët Shqipëri – Kosovë. Siç thashë tani, aty ku punohet ka edhe klasa të reja, ka edhe nxënës të rijë, angazhohen edhe më shumë mësues dhe në këtë mënyrë sensibilizohen më shumë prindërit shqiptarë për rëndësinë e gjuhës amtare dhe i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe. Aty ku veprimtarët apo mësuesit kanë pushuar aktivitetin për arsye të ndryshme nuk kemi asnjë klasë.    

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR

Jo, njëherë, por mijëra herë  e kam thënë dhe e them se gjuha është elementi i parë që dëshmon identitetin kombëtar. Nuk mjafton të thuash “jam shqiptar” dhe të fillosh të flasësh në një gjuhë tjetër. Pastaj edhe pse larg atdheut të mos e ruash gjuhën amtare – gjuhën e nënës nuk është në rregull. Emrat e bukur të fëmijëve shqiptarë: Kastrioti, Gëzimi, Dardani, Teuta, Agroni, Ilirida, Shqiprina, Shqipe, Besa, Fitore, Albulena, Valmira, Saranda,

ROLI DHE PESHA E SHQIPTARËVE NË ZVICËR

Shqiptarët janë të vlerësuar si komunitet në shoqërinë zvicerane. Por, ne nuk duhet të kënaqemi me kaq, ne duhet të vazhdojmë dhe më tutje sepse në shoqërinë zvicerane mundësit janë shumë të mëdha veçanërisht për të rinjtë. Ne, si mësues vazhdimisht i informojmë nxënësit e shkollave shqipe, posaçërisht ata të ciklit të lartë, që të kenë kujdes, të vazhdojnë shkollimin e tyre, t`i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë sepse e ardhmja është në përpjekjet e tyre. Shkollimi është ai, i cili iu jep një vend më të lartë në shoqëri.  

SI PRITET NË ZVICËR MËSIMI I GJUHËS SHQIPE, SI REAGON SHOQËRIA ATJE 

Varësisht nga aktiviteti ynë. Në momentin që bashkëbisedojmë me prindërit, ua sqarojmë organizimin  e shkollës shqipe, mundësitë dhe përparësitë që ofron mësimi në gjuhën amtare suksesi nuk mungon. Por thjeshtë nevojitet më shumë punë, më shumë angazhim me prindërit, veçanërisht me prindërit e gjeneratës së dytë apo të gjeneratës së tretë. Në anën tjetër institucionet zvicerane na ndihmojnë shumë veçanërisht në shfrytëzimin  e klasave. Pra mësimi zhvillohet pasditeve nëpër klasat e mësimit të rregullt të shkollave zvicerane.  

MESAZHI  PATRIOTIK PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA   

Mërgata shqiptare është  njëjtë. Qoftë në ShBA, në Zvicër, në Gjermani… Shqiptarët janë pothuajse ata, të cilët kanë qenë dhe janë në vendlindje. Ata e duan shumë atdheun pavarësisht se nga vinë dhe ku janë vendosur, ata kanë sakrifikuar dhe sakrifikojnë shumë për atdheun. Tani është koha që të investojnë më shumë për fëmijët e tyre. Prandaj unë kam këtë mesazh për të gjithë mërgimtarët, që para se të jetë mesazh patriotik është mesazh njerëzor. Gjuha është shenjë e identitetit kombëtar. Pa njohjen e gjuhës amtare nipat dhe mbesat, që po lindin dhe po rritën larg atdheut nuk munden të merren vesh në gjuhën e nënës me Atdheun. A ka më keq si një shqiptar të mos mundet me u marrë vesh në gjuhën amtare me gjyshin, me gjyshen apo me farë e fisin. Dikur gjuhën shqipe e ruanim para syve të armikut, tani nuk kemi kurrfarë arsye për ta humbur.  Kjo plagë, e cila po përhapet me shpejtësi nga dita – ditës është shumë e rëndë. Ata të cilët humbin gjuhën amtare, e pranuam sot apo e pranojmë nesër do ta harrojnë edhe atdheun. Dhe një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë sepse ne që jetojmë në shtetet demokratike si në ShBA apo në Zvicër i kemi të gjitha mundësitë për ta ruajtur dhe mësuar gjuhën e nënës- gjuhën shqipe.  

VAXHID SEJDIU DHE KONTRIBUTI I TIJ PATRIOTIK PËR HAPJEN E SHKOLLAVE SHQIPE NË ZVICËR

Nuk e kam kursyer veten në këtë drejtim. Që nga ditët e para të formimit të shkollave të para shqipe jam munduar të jap ndihmesën time. Por, më konkretisht, më 1999 u zgjodha kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” për Kantonin e St. Gallenit. Që nga viti 2003 dhe deri me sot jam kryetar i Këshillit të Arsimtarëve të LAPSH-it “Naim Frashëri” për Kantonin e St. Gallenit. Kam punuar më se dy dekada në shkollat shqipe të Buchs-it, Sevelen-it, Unterterzen-it, Mels-it, Flumsit, Ëalenstadt-it, në pikat shkollore të kantonit të Glarusit: në Niederurnen, Mitlödi, Netstal dhe  Glarus, dhe në pikat shkollore të Birr-it, Neuenhof-it dhe të Spreitenbach-ut të kantonit të Argaut. Gjatë vitit shkollor 2019-2020 kam punuar dhe punoj në pikat shkollore në Flums, Neuenhof, Spreitenbach, si dhe në Uster,në Regensdorf, në Volketsëil dhe në Rüti, të Kantonit të Cyrihut. Gjatë vitit shkollor 2019-2020 dhe po me këtë intensitet edhe në këtë vit shkollor 2020/21, së bashku me mësuesit dhe veprimtarët e Shkollës Shqipe arritëm të hapim dhjetëra shkolla me mësim në gjuhën shqipe, në kantonin e Cyrihut, Luzernit, Schaffhausen-it etj., duke themeluar një rrjet të suksesshëm të shkollave shqipe në Zvicër.  

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Vaxhid Sejdiu, Sokol Paja, zvicer

SHQIPTARËT NË ZVICËR DHE MASAT SHTETËRORE NDAJ COVID-19

September 24, 2020 by dgreca

Dr. Fatime Berisha Imeri nga Zvicra rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e Covid-19 dhe shqiptarët që jetojnë në Zvicër. Sipas Dr. Fatime Berisha Imeri, efekti i Covid-19 në shëndetin mendor është i pamohueshmëm dhe përmasat e vërteta do të shihen më vonë. Ndikimi negativ në zhvillimin psikosocial të fëmijëve do të vërtetohet pas shumë viteve. Me Dr. Fatime Berisha Imeri bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

ZVICRA PËRBALLË COVID-19

Aktualisht vërehet rritje e numrit të të infekturave por stagnim i numrit të vdekjeve nga Covid-19  krahasuar me fazën e fillimit. Lëvizjet më të mëdha të njerëzve dhe udhëtimet në vende me numër më të lartë të rasteve me Covid-19 mendohet se janë shkaku kryesor i rritjes së numrit të të infektuarve. Autoritetet zvicerane kanë zgjeruar listën e shteteve nga të cilat udhëtarët duhet t`i nënshtrohen karantinës 10 ditëshe. Nga 14 shtatori qeveria zvicerane perveç zgjerimit të listës së shteteve nga të cilat udhëtarët duhet t`i nënshtrohen karantinës, ka futur edhe rajone të ndryshme të shteteve me të cilat kufizohet, siç është Franca. Një test negativ për RT-PCR nuk mjafton që individi të lirohet nga karantina. Qeveria ka vendosur qe një kohë të gjatë edhe të ashtuquajturin „Contact Tracing“ ku bëhet  identifikimi i të gjithë atyre individëve që kanë pasur kontakt me një person pozitiv për Covid-19. Varësisht nga intensiteti dhe kohëzgjatja e kontaktit përcaktohet edhe për ata individë karantina ose testi RT-PCR. Në konferencën për media në fillim të shtatorit,  qeveria zvicerane dhe ministri i shëndetësisë kanë deklaruar se me çdo kusht do të parandalohet një Lockdoën i nivelit të marsit 2020. Tash për tash maskat janë të obliguara në shitore dhe ambienete publike të mbyllura kurse në rrugë njerëzit nuk janë të obliguar të vejnë maska. Dua të permend faktin se Zvicra nuk e ka kufizuar lirinë e lëvizjes në asnjë fazë të Covid-it . Njerëzit kanë mundur të dalin dhe të lëvizin lirshëm edhe në kohën e Lockdown-it, atëherë kur nuk kanë punuar shitoret e mëdha të tekstilit dhe produkteve ndërtimore, restoranet, muzetë dhe kompanitë e tjera jashtë sektorit shëndetësor. Shumica kanë punuar nga shtëpia (home-ofice) apo nuk kanë punuar fare dhe kanë qëndruar në shtëpi. Për këtë arsye numri i njërzve në rrugë ka qenë shumë më i ulët se zakonisht edhepse nuk e kanë pasur të ndaluar të dalin.

PASOJAT E COVID-19 NË SHOQËRINË ZVICERIANE

Statistika zyrtare nga qeveria zvicerane ende nuk kemi, por  raportet e një studimi nga SRG Corona-Monitors thonë:

1. Nevoja e shtuar për kujdesin ndaj fëmijëve kishte efekte të ndryshme në punësim, sidomos në atë të gjinisë femrore.

2. Të anketuarit me të ardhura të larta dhe një nivel më të lartë arsimimi, treguan që kishin veshtirësi në punë dhe detyrimet e tyre familjare për kujdesin ndaj fëmijëve.

3. Puna nga shtëpia për kategoritë e caktuara, duke u kujdesur njëkohësisht për fëmijët e tyre: këto kategori deklaruan që ishin mjaft të mundimshme dhe kanë ndikuar negativisht në psikologjinë e tyre.

4. Dhuna në familje kishte një rritje prej 0.9%.

5. Divorcet  kishin një rënje prej 0.5% sipas ketij studimi, ndoshta edhe për arsye se gjyqet kanë punuar me orar të reduktuar. Mendohet se numri i kërkesave për divorc do të rritet, gjë që është parë edhe në shumë shtete tjera por nuk janë publikuar ende statistika të sakta zyrtare.

Mediat raportojnë shpesh për ndikimet negative të Covidit në shoqëri. Efekti në shëndetin mendor është i pamohueshmëm dhe përmasat e vërteta do të shihen ende më vonë. Se çfarë ndikimi afatgjatë do të ketë në zhvillimin psikosocial të fëmijëve do të vërtetohet pas shumë viteve. Për shkak të krizës ekonomike që do të ashpërsohet si pasojë e Lockdoën-it, ekziston         frikë e bazuar që numri i vetëvrasjeve do të rritet në mënyre masive viteve në vijim.

NDIKIMI I COVID-19 NË EKONOMI DHE TURIZËM NË ZVICËR

Ndikimi është i përmasave të papara deri më sot por ende nuk dihet shifra e vërtetë e dëmit ekonomik. Shumë kompani janë të rrezikuara dhe  kanë  probleme serioze të mbijetesës. Turizmi është një ndër sekoret më të prekura edhe për vetë faktin se liria e udhëtimit është ende shumë e kufizuar. Shumë pak njerëz kanë shkuar në pushime dhe shumë pak turistë kanë ardhur të kalojnë pushimin në Zvicër. Kjo ndikon negativisht në hotelieri, agjensionet turistike, kompanitë ajrore, aeroportet, restoranet, vendet e vizituara turistike dhe në shumë sektore tjera.

SHQIPTARËT NË ZVICËR

Jam pak e njoftuar me situatën e individëve mirëpo e di që sivjet shumica pushimin e kanë kaluar këtu dhe nuk kanë shkuar në Kosovë. Nga kriza ekonomike më së shumti janë të prekur pronarët e restoraneve dhe kompanive të vogla. Nëse dilni sot në vende publike nuk do të vëreni dallime të mëdha në krahasim me periudhën para Coronës. As në kohën e Lockdown-it rrugët dhe sheshet nuk kanë qenë  plotësisht të boshatisura siç i kemi në kujtime pamjet nga Kina, Italia dhe shumë shtete tjera që kanë aplikuar masat e rrepta të orës policore. Sot njerëzit mundohen të mbajnë distancën e referuar, kurse në mjetet e transportit publik mbajnë maska dhe mundësisht nuk ulen afër njëri tjetrit. Mbajtja e distancës sociale vërehet sidomos në ambientet publike të mbyllura ku maskat janë të obliguara. Pikat kryesore të qytetit janë të përmbushura si zakonisht, kurse në restorane ka më pak mysafirë si pasojë e rregullave mbi distancën minimale mes dy tavolinave në restoran.

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Njerëzimi ka përjetuar shumë epidemi dhe pandemi dhe të gjitha i ka mbijetuar. Kjo pandemi dallon nga të tjerat shkaku i  masave rigoroze të cilat i ka vendosur politika, gjë që bota asnjëherë më parë nuk e ka përjetuar. Mirëpo, edhe kjo gjendje patjetër do të kalojë. Në njërën anë shpresojmë që virusi të lë imunitet një kohë të gjatë. Në anën tjetër përvoja më e madhe në trajtimin medikamentoz të duhr do të ulë shkallën e vdekshmërisë. Kurse një vaksinë efikase dhe e sigurtë do të ndihmojë më së shumti në zhdukjen e virusit. I përshëndes të gjithë shqiptarët kudo që që janë dhe ata që jetojnë në SHBA, në mesin e të cilëve kam edhe familjarë me të cilët dëgjohem rregullisht dhe  jam e e informuar për së afërmi me situatën atje. Ju dëshiroj të gjithëve mbarësi dhe shëndet!

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Dr. Fatime Berisha Imeri, Sokol Paja, zvicer

A duhet të na shqetësojë zbrazja e shkollave shqipe në Zvicër & Shtimi i fëmijëve që frekuentojnë xhamitë e mësojnë arabisht?

January 24, 2020 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Ju ftoj që t’i shihni këto foto dhe këta fëmijë, këto vajza të vogla të veshura me soj hixhabi (hijab).

Ku janë bërë këto foto sipas mendjes tuaj?

Në Iran, Arabinë Saudite?

Përgjigjen po e jap unë.

Ata janë fëmijët tanë, emrat i kanë Erblina, Ermal, Diella, Shkumbin, Tomorr, Vesa, Shqiponjë dhe janë pjesë e gjeneratës të re të komunitetit shqiptar në Zvicër, të cilët marrin edukim fetar dhe në vend të gjuhës shqipe, mësojnë arabisht;

Skandaloze apo jo!

Për traditën shqiptare e kam fjalën!

Ata fëmijë të fiksuar në foto kanë lindur në Zvicër, në një vend sekular, që respekton besimin me kushtetutë, por që, në jetën publike të vendit, besimi i takon tërësisht sferës private, ndërsa ato vajza të vogla shqiptare që posa kanë filluar pubertetin apo jetën e bukur të adoleshencës janë të detyruara të mbajnë veshje të imponuar nga feja dhe flokët e tyre të bukura prej fëmije t’i lidhin me shami!

Ka një trend shumë alarmant. Ndërsa shkollat shqipe në Zvicër po zbrazen nga fëmijët e komunitetit shqiptar, po shtohet frekuentimi i tyre nëpër xhamitë shqiptare, frekuentim që nis prej moshës minorene.

Një mendje diabolike po i orienton prindërit e komunitetit shqiptar që t’i çojnë fëmijët e tyre të nxejnë mësime të fesë dhe t’ju binden rregullave të saj, sikur të jetë shtet teokratik në zemrën e një vendi laik si Zvicra që i bindet dhe respekton ligjet e Kushtetutës.

Besimi fetar në kushtetutën e Zvicrës është zgjedhje e lirë, pa cënuar sekularitetin e Konfederatës Helvetike. Seicili beson, pa prishur lirinë e besimit të tjetrit, në respekt të rregullave të një vendi të emancipuar dhe modern.

Zvicra po ashtu e ka të rregulluar me ligj edhe finacimin e institucioneve te kulteve te besimit kristian, që financohen zakonisht nga komunat ose nga taksa e fesë.

Mos harrojme se në një të shkuar jo të largët Zvicra i përkiste pothuaj e gjitha besimit krisitian. Ndërsa sot në përbërjen e saj ka edhe një komunitet mysliman, që mendohet se shkon rreth 700 mijë, por që praktikantë janë një pjesë e vogël.

Këtu është përfshirë edhe ajo pjesë praktikante e komunitetit mysliman shqiptar, që erdhi në Zvicër, jo si etnitet fetar, por si emigrantë, në kërkim të strehës, të sigurisë, punës dhe dinjitetit. Dikur, prindërit e këtyre fëmijëve që sot i çojnë nëpër imamë, ishin njerëz pa asnjë bazë ekonomike, në mëshirë të fatit, të larguar nga vendi i prejardhjes pasi aty nuk kishte asnjë shpresë. Kur erdhën në Zvicër fillimisht ata nuk e kishin mendjen tek feja por të gjenin punë, një pjesë tjetër gjetën strehë si azilantë politikë.

Për çudi vokacioni për të praktikuar fenë islame u lindi nga mesi i dhjetëvjeçarit të parë të milenarit të ri, kur papritmas një pjesë ateistësh shqiptarë bënë ndryshim drastik të jetës së tyre shpirtërore, u shpallën besimtarë të islamit, zgjatën mjekrat dhe i veshën gratë e tyre me hixhab!

***

Pak histori

Në konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve feja islame është me tipare thellësisht kombëtare, imamët shqiptarë kanë qenë njerëz të dijes, shkencës, mbrojtjes të gjuhës dhe veprimtarë politikë, të lidhur me Rilindasit.

Kujtojmë këtu Ymer Prizrenin, një nga organizatorët e Lidhjes të Prizrenit apo Hoxha Tahsinin nga Konispoli, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, apo Myderriz Ismail Ndroqin, një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjes më 1920, kur Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë dhe ai e emërua kryetari i parë i bashkisë. Institucionet fetare shqiptare, qoftë kristiane apo islame, i bashkonte dashuria për kombin, fe dhe atdhe, gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Në Medresenë e Tiranës kanë studjuar mendje të ndritura si Vexhi Buharaja, përkthyes i Hoxha Tahsinit, Sami Frasherit, Naim Frasherit, dokumenteve të Lidhjes të Prizrenit deri tek Firdusi apo shkencëtari i gjuhës shqipe Shaban Demiraj etj dhe programi i Medresesë miratohej nga shteti. Studentët pas Medresese mund te vijonin rrugën e fesë apo të ndryshonin drejtim.

Në Medrese ka studjuar edhe im atë, poeti Vehbi Skënderi. Aty e çoi im gjysh, kryemyftiu Demir Skënderi, ndërsa djalin tjetër të tij, xhaxhain tim Kadri Skënderi e regjistroi në Shkollën Amerikane të Kavajës. E kam përsëritur këtë fakt, për të treguar se cili ishte islami shqiptar. Gjyshja ime, gruaja e Demir Efendiut, falej shtatë herë në ditë në shtëpinë e saj, por vishej si të gjitha gratë, jo sikur sot këto vajza të vogla shqiptare, të lindura në mes të Zvicrës.

Sipas Prof.Ferit Duka, “Islami shqiptar menjëherë pas shpalljes të pavarësisë lujti një rol konstruktiv dhe paqëtues në jetën e shqiptarëve…Kongresi myslima i 1929 e shpalli gjuhën shqipe si gjuhë e vetme e lutjeve dhe predikimit.” Prej asaj kohe Kurani u përkthye shqip.

Pas Luftës së Dytë Botërore fati i fesë në Shqipëri ka qenë tragjik. Diktatura sapo erdhi në pushtet nisi burgosjen dhe vrasjen e elitës shqiptare, pjese e së cilës ishin edhe klerikët katolikë dhe myslimane dhe me 1967 e ndali me ligj, duke u kthyer në vendin e vetëm ateist në botë. Ishte kohë e tmerrit, kur shkaterroheshin objektet e kultit, pa marre parasysh se ishin pjese e trashegimisë kulturore dhe duke vijuar persekutimi i klerit. E megjithatë, shqiptarët nuk e humbën lidhjen me Zotin. Ata bënin pelegronazhe të fshehta dhe individuale nepër teqe dhe vende të shenjta që tashmë ishin kthyer në gërmadha dhe ku shërbimi fetar ndalohej me ligj.

Në 1991 posa në Shqipëri u lejua liria e besimit, më kujtohet se Profesor Shefqet Ndroqi, pasardhës i myderriz Ismail Ndroqit u përfshi në organizimin e fesë islame në Shqipëri, sipas traditës shqiptare. Ai vetë kishte studjuar mjekësi në Paris dhe ishte mjek i shquar, por u angazhua për të mbrojtur identitetin shqiptar të fesë islame. Në 1991 në Shqipëri u ribotua Kurani në gjuhën shqipe.

Me këtë rast pyes, ato fëmijë nga Komuniteti shqiptar në Zvicër nëse e lexojnë Kuranin në shqip? Jo, e lexojnë arabisht!

E pra, ky islam që praktikojnë këta fëmijë nuk është i njëjtë me islamin shqiptar.

***

Financimet e dyshimta të xhamive në Ballkan deri në Zvicër

Problemi i financimeve të dyshimta lindi në Shqipëri prej 1991, në Kosovë pas çlirimit, kur nga Arabia Saudite dhe vende islamike filluan të vinin ndihma, para dhe bashkë me të edhe islami ndryshe, me hixhab, burkë dhe në gjuhën arabisht.

Është e qartë se financimet lidhen me qëllime të mbrapshta.

Edhe në Zvicër vitet e fundit janë ngritur shpesh dyshime për financimin e xhamive, të cilat po ashtu janë denoncuar si frymëzuese të qendrimeve ekstreme deri edhe furnizuese të islamit radikal me rekrutë të ISIS. Midis tyre pati edhe të rinj shqiptarë të lindur apo rritur në Zvicër, që u vranë në Siri.

Po përse ? Islami në vetvete dhe islami shqiptar, si besim është paqsor.

Zvicra ka mbyllur xhami sepse ka patur prova të pakundërshtueshme se në vendin e kultit nxitej urrejtja dhe radikalizmi.

Kohët e fundit në gjithë mediat botërore u shpërnda lajmi se një hoxheshë shqiptare me emrin Ikballe Berisha Huduti u arrestua në Kosovë sepse bënte thirrje për hakmarrje ndaj SHBA dhe Izraelit për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Solimani. Kjo hoxheshë financohet nga Irani, ajo ka fondacionin e saj dhe në kushtet e varfërisë që mbizotëron në Kosovë, ajo përdor mjerimin e popullësisë për të afruar njerëz të cilëve u ofron “mëshirë” të helmatisur në emër të një islami agresiv, që nuk ka lidhje me islamin shqiptar.

Ka dyshime edhe për financimet e xhamive shqiptare që kanë ndikuar deri në organizimin e fesë islame në komunitetin shqiptar në Zvicër.

Por nëse për dyshimet e financimeve duhen prova, praktikimi i fesë, në arabisht bie ndesh direkt me rregullat e Islamit shqiptar.

Jemi duke folur për numër të kufizuar praktikantësh, por me tendencë rritje, ndërsa mësimi i gjuhës shqipe ka tendencë rënie.

Këtu marrin rëndësi të dorës të parë ata përfaqësues shqiptarë të fesë islame në Zvicër që janë trashëgimtarë të besimit Islam sipas traditës shqiptare.

Përpara tre dekadave, komuniteti shqiptar në Zvicër financonte për kauzën e lirisë dhe dije, sot për xhami dhe arabisht !

Kur kemi ardhur në Zvicër më 1992 dhe vendosur këtu prej fillimvitit 1996, komuniteti shqiptar jepte 3% të pagës për të financuar institucionet paralele të shtetit dhe arsimin në Kosovë pasi krimineli Milosheviç i mbylli të gjitha shkollat shqipe, në të gjitha nivelet deri edhe Universitetin e Prishtinës. Prej asaj kohe në Zvicër u krijua edhe LAPSH-i, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër dhe në të gjithë Konfederatën u hapën shkollat e para të gjuhës shqipe, të cilat prej asaj kohe frekuentohen nga fëmijët shqiptarë.

Deri sa ishte gjallë Ibrahim Rugova, komuniteti shqiptar në Zvicër kishte një orientim thellësisht Perëndimor. Vizioni i këtij komuniteti pati si kauzë lirinë, pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe po ashtu i kontribuonte edukimit të brezit të ri, duke krijuar kushte që fëmijët të mësonin gjuhën amëtare, historinë dhe kulturën.

Me vdekjen e Rugovës, komuniteti shqiptar në Zvicer është futur në qorrsokak. Për shkak të ndikimit shumë negativ që vjen prej politikave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, përfaqësitë diplomatike këtu në vend se të jenë unifikuese, përmes urave kulturore dhe gjuhësore, kthehen në instrumenta përçarëse.

Përpara 3 dekadave në Zvicër nuk kishte xhami shqiptare. Në dhjetëvjetëshin e fundit numëri i xhamive shqiptare ka arritur 85 dhe tendenca është në rritje. Ndërsa shkollat shqipe në zbritje. Ndërtimi i xhamive apo blerja e objekteve të kultit kanë kushtruar qindra milionë franga, të cilat mund të ishin investuar për shkollat shqipe, mediat, jetën kulturore dhe artistike në të mirë të interesit të komunitetit dhe sidomos brezit të ri.

Po pyetja legjitime vjen? Keto miliona franga nga vijnë? Nga komuniteti shqiptar apo nga vende islamike?

Nëse komuniteti shqiptar në Zvicër do të investonte  për një zhvillim normal të shkollës shqipe, për 30 vjet rrugëtim, sot shkolla shqipe dhe mësimi shqip do të duhej të ishte i përhapur në çdo komunë zvicerane dhe frekuentimi do të duhej të vinte gjithmonë në rritje. Vetë Zvicra është e interesuar duke vënë në dipozicion objektet e mësimit dhe shpesh herë edhe ka financuar vetë.

Por një dorë e zezë i orienton prindërit e fëmijëve shqiptarë jo drejt shkollave shqipe, por nga xhamitë ku fëmijët suret e Kuranit dhe lutjet i thonë në gjuhën arabe.

Kur kam biseduar me mësuesit e LAPSH-i, ata pohojnë faktet e trishta me zemër të plagosur, por nuk kanë fuqi të ndikojnë në komunitet; ndërsa përfaqësitë diplomatike shqiptare edhe pse kanë marrë sinjale të qarta nga shteti zviceran bëjnë shejtanin indiferent. Dhe dihet se indiferentët marrin anën e regresit dhe çallmave.

Kjo është situata e një pjese të brezit të ri të komunitetit shqiptar në Zvicër, (uroj të jetë sa më e vogël) që rrezikon të marrë një orientim dhe formim fetar krejt ndryshe nga tradita e tre feve shqiptare.

Imamët shqiptarë në Zvicër e (sh)përdorin Kushtetutën zvicerane dhe abuzojnë me lirinë fetare, sepse u imponojnë fëmijëve rregullat islame, jo vetëm brenda objekteve të kultit, por edhe jashtë tyre, duke krijuar barriera në integrimin e fëmijëve në jetën sociale, pasi vajzat janë të detyruara të mbajnë hixhabë.

Unë mendoj se kushtetutshmëria e shtetit sekular zviceran cënohet edhe në faktin se zgjedhjen fetare njeriu e bën në moshë madhore, kur vendos vetë se cilës fe i përket, të jetë monoteist, politeist apo ateist. Dërgimi i fëmijëve nëpër xhami dhe imamë për t’u edukuar me fe dhe mësuar arabisht bëhet nga prindërit, çka duket qartë si shkelje e lirive të individit, pasi fëmijëve u imponohen rregulla, që nuk i ka shoqëria ku jetojnë.

Natyrisht shteti zviceran është shumë i kujdeshëm dhe vigjilent për të mbajtur nën kontroll situatën dhe sigurinë kombëtare. Kur rrezikon të dalë situata jashtë kontrollit veprojnë mekanizmat demokratike, sikur janë referendumet dhe iniciativat që nëse marrin shumicën e votave kanë fuqi ekzekutive ligjore.

Sikur është vepruar në kantonet e Tiçinos dhe Sant Gallen ku prej disa vitesh është ndaluar me ligj mbajtja e burkës dhe nikab-it.

Kambanat e alarmit po bien edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër, që të organizojë forcat e veta, për t’u orientuar drejt rrjedhave që përkojnë me sistemin që ka Zvicra, ku shteti i së drejtës mbaron me kushtetutë plurikulturalizmin.

Mos harrojmë se feja e shqiptarit, sipas Vaso Pashës është shqiptaria;

mos harrojmë, poetin e Rilindjes, Naim Frashëri, që na e ka lënë amanet se vetëm drita nga dija e diturisë përpara do të na shpjerë;

mos harrojmë se orientimi i shqiptarëve si europianë është Perëndimi dhe vlerat e humanizmit.

Mos harrojmë se Zvicra na mikpriti, na dha strehë e dinjitet, na krijoi kushte për integrim dhe zhvillim, na bëri pjesën e saj, sepse pjesa më e madhe e komunitetit shqiptar është e natyralizuar dhe ne e kemi detyrë të respektojmë kodin e rregullave të mikpritësit me të cilin unifikohemi si europianë!

Por mos harrojmë kryesoren se fëmijëve u kemi borxh t’i edukojmë e t’i shkollojmë si qytetarë të ndershëm, në një shoqëri të lirë me sistem demokratik.

Gjeneratave të reja u takon e ardhmja, progresi, ata i ndriçon dija dhe vetëdija si qytetarë të një shoqërie Perëndimore, sekulare që kanë mision ta ndryshojnë botën për më mirë dhe kurrësesi ta kthejnë pas.

Fjalë kyçe: Elida Buçpapaj, komuniteti shqiptar, shkolla shqipe, Zvicër, Fëmijët, Islami, mësimi fetar

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, femijet, Islami, komuniteti shqiptar, mësimi fetar, Shkolla shqipe, zvicer

RRENJET NUK HUMBIN…

February 8, 2019 by dgreca

  • Rrënjët nuk humbin,ato kultivohen-Rreth koncertit të Grupit “Vëllezërit Arbëreshë” me Artisten e mirënjohur Mimoza Nazarko e grupin e saj drejtuar nga pianisti Gjon Guralumi/*

1 Arbereshet

Ështe ky titulli i koncertit te dates 16 shkurt ne Friburg per nder te 11 vjetorit te Pavaresise se Kosoves, nje bashkepunim ne mes grupit “Vellezerit Arbereshe ” dhe këngëtares qe jeton e zhvillon me shumë sukses prej shume vitesh aktivitetet koncertore ne Zvicer . E kemi fjalën për artisten shumë të mirënjohur Mimoza Nazarko dhe grupin e saj trion muzikore me drejtues pianistin Gjon Guralumi figure tashme e njohur ne rrethet muzikore zvicerane e jashte saj.

Ky koncert mbeshtetet nga komuniteti shqiptar i Friburgut me kordinatore znj.Mimoza Nazarko.

Koncerti po pritet me një padurim i madh nga gjithe artdashesit e bashkeatdhetaret tane ne Zvicer jo vetem per aspektin artistik por edhe per mesazhin tejet të fuqishem qe mbart ne vetevete ardhja e vellezerve arbereshe ne gjirin tone duke ditur dashurine, krenarine e punen e palodhshme qe bejne ata prej 600 vitesh per te ruajtur me dashuri e përkushtim të pakufishëm gjuhen, kulturen e traditat shqiptare. Emocioni qe ata percjellin nepermjet kengeve, melosit arberesh na bene aq shume t’i duam e t’i degjojme me endje e te jemi prane tyre per t’ju shtrenguar duart për dashurinë që ata derdhin për të transmetuar mesazhin e fuqishëm per ta dashur Shqiperine e per te bere shume e me shume per atdheun.

Brenda shoqates dallojne zera autentike e kjo ka bere qe grupi “Vellezerit Arbereshe” nga Frasnita(cs) e Kalabrise pergjate 30 viteve te jene prezantuar përmes koncerteve ne shume vende te Kalabrise, Shqiperi, Kosove, Kroaci, Maqedoni e Zvicer.

Midis tyre spikasin zerat historike te kengetareve te ketij grupi si :

-Michele Greco

-Domenico Imbrogno

-Soprano Maria Cristina-Imbrogno

-Backup Emiljana Oriolo

-Backup Francesco Durante

Mjeshtrit e Fizarmonikes

-Camillo Mafia

-Pasqualino Mitidieri

-Violine Daniela Fusha

Qellimi i shoqates ka qene i vetmi dhe gjithnje studimi, kerkimi dhe perhapja e traditave e gjuhes shqipe tek arbereshet dhe diaspores shqiptare kudo ne bote, ruajtjen e mbajtjen e gjuhes, transmetimin e kultures muzikore, të traditës të kostumeve arbereshe nder shekuj.

Shoqata “Vellezerit Arbereshe” jane pjese e Federates se Shoqatave Arbereshe f.a.a. ku te gjitha bashke keto shoqata bashkeveprojne ne Itali per te ruajtur e trasheguar kulturen arbereshe.

Me frymen e vellazerise qe i karakterizon, ky grup bashkepunon dhe me artiste shqiptare e me artiste te diaspores shqiptare ashtu si ne rastin e disa koncerteve te meparshme e gjithashtu edhe ne kete koncert te dates 16 shkurt ne Friburg

me artisten e mirenjohur Mimoza Nazarko,

pianistin e drejtuesin e trios muzikale Gjon Guralumi,

violinistin Edmond Basha dhe

flautisten Dori Sota.

Artistja e mirënjohur dhe e dashur aq shumë në diasporën shqiptare Mimoza Nazarko na tregon qe eshte prezantimi i tyre i katert se bashku në Zvicer, France, Maqedoni “por emocioni dhe permasat me te medha ne syte e mi thotë Nazarko do mbeten impresionet nga koncerti ne Kalabri ku jemi pritur me ovacione nga spektatoret arbereshe dhe italiane dhe ku jemi vleresuar me mirenjohje edhe nga kryetari i bashkise se qytetit Civita.”

“Ka vertet shume muaj qe po pregatitemi per kete koncert,vazhdon zonja Nazarko, por projektet mund te mbeten ne hije pa nje mbeshtetje e suportim qe te krijon infrastrukturen e duhur per te realizuar nje koncert me të tilla permasa. Gjej rastin te pershendes komunitetin shqiptar te Friburgut e ne veçanti mikun e dashamiresin e artit te mirefillte zotin Bajram Mehmeti i cili jo vetem qe nuk kurseu asgje per te na  bere qe te ndjehemi si në shtëpinë tonë si artistë te respektuar pasi na ka vënë gjithçka ne dispozicion. I shpreh falenderimet edhe nje here.”

“Michele Greco,presidenti i grupit “Vellezerit Arbereshe” dhe zevendespresidenti i F.A.A. ( Federata e Shoqatave Arbereshe ) ne Itali na tregon se programi do te jete i ndertuar me kenge arbereshe, me kenge qe variojne nga shprehjet e lashta te diaspores dhe kenge popullore te shekujve te mevonshem si dhe kenget nga me te njohurat tradicionale te Shqiperise, Kosoves e pjeses shqiptare te Maqedonise. Z.Michele falenderon komunitetin shqiptar te Friburgut dhe znj.Nazarko per ftesen e bere duke shfaqur gatishmerine e tij dhe te grupit per te bashkepunuar edhe me tej per inisiativa e ngjarje te rendesishme që duke kujtuar traditën e shkuar mbajnë gjalle te ardhmen dhe diasporen shqiptare neper bote.”

Persa i takon programit te trios muzikore ku soliste eshte zonja Nazarko ajo thote se “eshte nje repertor gjitheperfshires i trevave shqiptare ku pianisti Gjon Guralumi ka sjelle autorësinë dhe personalitetin e tij ne orkestrimin e disa kengeve te koncertit ku tashme dihet qe Gjon Guralumi eshte fondator i nje prej grupeve me te hershme “Guralumi Albanian Project Jazz” ku levrohet muzika shqiptare ne version jazz. Kenget jane te bukura e jane punuar me shume pasion nga te gjithe anetaret e grupit tone e besojme qe do te jene te pelqyeshme per publikun e me siguri do te duartrokiten fort.”

Zonja Nazarko nënvizon për evenimentin se “nuk do të jetë vetem nje koncert por edhe nje feste e madhe ku do të festojme bashkarisht 11 vjetorin e pavaresise se Kosoves por mbi te gjitha gjaku shqip eshte bashke per te treguar se kemi qene e jemi ndër shekuj nje e te pandare se ne shqiptaret kudo qe jemi, kemi kulture e tradita per te treguar e mund te mburremi me to çka është shembull konkret e i gjalle ky bashkepunim kaq i gjere si i ketij koncerti.”

Voal perfiton nga rasti për t’ju uruar suksese artisteve e komunitetit shqiptar te Friburgut ne kete koncert e mirupafshim ne te tilla koncerte perseri nëpër Zvicër, Europe e botë! Po kështu për t’ju uruar te gjithe shqipatereve kudo ku ata jane.

* KORTEZI- VOAL. Faleminderit Elida dhe Skender Bucpapaj per bashkepunimin me Diellin!

Filed Under: Featured Tagged With: "Vellezerit Arbereshe", Bajram Mehmeti, Fransita, Friburg, Gjon Guralumi, Kalabri, Michele Greco, Mimoza Nazarko, VOAL, zvicer

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT