Opinion nga ZYBA HYSEN HYSA/
Takohen dy qeveri shqiptare në Prizren, në Tempullin e Patriotizmit Shqiptar, në atë tempull që u firmos lufta dhe përpjekja e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, më 10 qershor 1878, pra plot 135 vjet më parë me qëllim formimin e një shteti autonom shqiptar dhe menjëherë më vjen në mend 10 qershori i vitit të kaluar (2013), ku e ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, pata fatin të marr pjesë në ceremoninë përkujtimore të këtij përvjetori…
Emocionet janë të ligjshme, se të jesh shqiptar dhe të prekësh atë vend të shenjtë, nuk ka se si të mos pësosh tronditje të thellë shpirtërore e për një çast qëndron për të kulluar ndjesitë që vorbullojnë në hapësirën e shpirtit pa gjetur prehje, saqë nuk arrin të kuptosh, se çfarë ndjen saktësisht e kjo është tronditëse vëllezër e motra, se kur lexon dhe shikon fotot e disa prej anëtarëve të Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të drejtave të Kombësisë Shqiptare dhe pjesëmarrës të Kuvendit të Madh si: Pashko Vasa, Jani Vreto, Mehmet pashë Dërralla, Ymer Prizreni, Zija Prishtina, Sami Frashëri, Ali bej Gucia, Iliaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni, Avdulla pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuaip Spahiu, Abdul Frashëri, Mustafa Nuri Vlora… që edhe nga fotoja duken sikur gjallojnë e gëlojnë trishtim, një trishtim që të bën të rrish “gatitu” para tyre e të ndjehesh fort krenar e në të njëjtën kohë fajtorë… e të duket vetja sikur je dhe s’je, se ndjen një peshë mbi peshë, kur mendon këta burra e plot burra e gra shqiptare që kanë bërë heroizma për këto troje kaq shumë, deri në flijim të jetës së tyre, saqë po ta shtrydhësh çdo plis të kësaj toke, kullon gjak.
Kështu u ndjeva atë ditë qershori, kur u shkëputa nga turma dhe u drejtova nga hyrja e shtëpisë – muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku priteshin të vinin personalitete kosovare, por një polic më ndalon duke më urdhëruar të kthehem pas, se do vinin politikanët. Bëra sikur u ktheva dhe në një moment, kur polici doli, unë u futa brenda fill e vetme. Më besoni dhe më besoni, mezi i ngjita shkallët nga emocionet. Kalova para çdo fotoje, si të kisha pranë rreshtuar varret e familjes Jashari që më 17 shkurt 2008 bëra homazhe tek varret e tyre duke puthur dheun që ishte akoma i njomë dhe e njoma më shumë me lot.
Sa vitet shkojnë, ne u hapim varret, sa vitet shkojnë, ne kemi shtuar varre, sa vite shkojnë, kemi humbur nga një copë vatan… Nuk do ta harroj atë ditë… e vetme mes të vdekurve, që kanë luftuar për të mbetur gjallë si komb dhe nuk do ta harroj kurrë atë ceremoni me skenar, ku politikanët erdhën, ashtu siç vemi në një varrim tek një i panjohur, për kortezi, dhe ikën pa marrë me vete asgjë nga amaneti i të rënëve.
Kështu kaloi ajo ceremoni, ku nga Shqipëria nuk foli asnjë e pse unë i thashë drejtuesit për të përshëndetur se vij nga Vlora, por skenari nuk u prek. U trishtova, por s’e dhashë veten, por trishtimin tim e shëruan fjalët e mbesës së Mehmet pashë Dërrallës, zonjës Valdet Dërralla, e cila foli me mallin e gjyshit, Mehmet Dërrallës, me krenarinë e kujtimit të veprës së tij dhe bashkëkohësve, që 135 vjet më parë u mblodhën jo vetëm shqiptarët e trojeve etnike, por edhe nga shtete tjera që ishin me origjinë shqiptare. Ajo fliste, unë gëzoja dhe gëzimin e përcillnin lotët që u mblodhën që kur hyra në atë tempull krenarie dhe kur dëgjova këtë grua – burrë shpërthyen nga lumturia, se mendova që historia jonë është gjallë dhe historinë tonë, nuk mund ta fshije njeri, se ajo është shkruar me gjakun e bijve tanë në themelet e këtij kombi. Asnjë skenar politik, apo turbofolk politik, nuk mund ta errësojë këtë dritë që shekujt sa më shumë shkojnë, aq më shumë e lartësojmë.
E, të dashur lexues, këto kujtime kam dashur t’i hedh shumë kohë më parë, bile , kur përqafova atë zonjë të madhe, i mora dhe një cidi, ku flitej për Mehmet pashë Dërrallën, por nuk u krijua mundësia për ta takuar, ndaj lajmi i takimit të dy qeverive tona në Prizren dhe spektakli i tyre tek ky tempull krenarie, më nxiti të shkruaj, të derdh kujtime dhe mendime e nuk di se pse, por edhe sot shoh skenar politik që veshin qeveritë tona për të mbuluar mjerimin e thellë të popullit tonë, mjerim migjenian të shekullit XXI për shqiptarët, në një kohë që bota moderne ka arritur majat e zhvillimit…
Duke qenë prezent në një ceremoni politike në Qershor, as që mendoj ndonjë të mirë për këtë takim, se të bashkëpunosh për të mirën e kombit sot brenda sekondës lidhen shqiptarët nga të gjitha kontinentet përmes internetit dhe jo nga Kryeministria Shqiptare, në Kryeministrinë Kosovare, por këto lloj shfaqjesh të parapërgatitura me pikësynime të hidhura, kërkojnë të lëshojnë tym mediatik, që të mos dallohet rrjedha e ujit që shkon në bacën e Serbisë…
Të dashur lexues,
Kurrë në shkrimet e mia nuk zbraz “helm” politik, se unë nuk kam teste partie as në xhep e deri më sot, as dhe në ndonjë cep zemre, se asnjë parti, asnjë qeveri nuk është shëruar nga tërbimi komunist dhe bashkëpunimi me shtetet antishqiptare.
Unë kam qenë në Preshevë në maj 2011 dhe do ta ruaj si ditën më të shenjtë dhe e quaj fat që pata mundësi të takoj njerëz të mrekullueshëm, të marr pjesë në mbledhje me mësuesit e gjimnazit “Skënderbeu”, të dëgjoj një takim poetik në pallatin e Kulturës që nisi me poezinë e Ali Asllanit dhe vetja m’u duk se isha në Vlorë, se isha në Tiranë, se sha në Shkup, se isha në Librazhd… shkurt, isha në Shqipëri! Por kurrë nuk do e harroj udhëtimin për në Preshevë, që nga dogana e deri atje, miqtë që na pritën, rrugës thoshin: “Ky fshat është populluar me serbë… ky tjetri, me shqiptarë… ai atje, me serbë,… ky këtu, me shqiptarë….”, ndërsa në Preshevë, vetëm 3 – 7 %, në mos gabofsha ishin serbë. E them këtë që shqetësimi i qeverive shqiptare nuk është materniteti i Preshevës, se nënat shqiptare kanë traditë për të lindur edhe në shtëpi, ato kërkojnë jo vend për të lindur fëmijët, por liri për bijtë e tyre, kërkojnë bashkim me Shqipërinë dhe zhvillim të gjithë shqiptarëve, se kështu do vazhdojmë të lindim fëmijë për t’i bërë shërbëtorë të botës.
Me këtë vendim të qeverive i thënçin shqiptare, duke “ndihmuar” Preshevën dhe serbët e Kosovës, largojnë nga Kosova dhe Shqipëria lekët e taksapaguesve dhe taksat e Preshevarëve ua dhurojnë serbëve, kështu me lëmoshën që japin u mbyllin gojën që serbët të kollofitin rehat fitimet nga Lugina e Preshevës. Me këtë arsyetim, sigurisht me dritën time të mendjes, çdo gjë është bërë e po bëhet për të kënaqur Serbinë, por ajo kur kënaqet, fryhet si bollë dhe të thith si lepur. Bukur! Qeveria e vjetër ndërtoi rrugën e “Kombit”, por për fat të keq aty kalojnë mallrat e serbit e në mend më vijnë fjalët e Ilir Ikonomit në librin “Pavarësia – Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit”, në faqen 120 thuhet: “Ishte mëngjesi i datës 9 nëntor 1912, kur në Prizrenin me borë një kolonel serb, i quajtur Dimitre Bulic, iu drejtua me këto fjalë ushtarëve të rinj: ‘Djema! Divizioni ynë i Shumadijes duhet të kryejë edhe një detyrë tjetër të vështirë, por të rëndësishme… Kemi pushtuar mjaft lugina pjellore dhe qytete të bukura, por tani na ka mbetur të dalim në Adriatikun serb për t’i hapur atdheut tonë rrugë të lirë drejt botës…’ Ushtarët iu përgjigjen me thirrje dhe pllaja ushtoi. Batalionet e Shumadijes e nisën marshimin nga Prizreni, kaluan nëpër krahinën e Lumës, pak a shumë në ato vise, që sot përshkohen nga Rruga e Kombit dhe ku udhëtarët modernë kanë një rast të mirë për të reflektuar mbi historinë…” Pra në këtë rrugë të projektuar që para Shpalljes së Pavarësisë nga Dimitre Bulic u sigurua dalja e Serbisë atje ku ka dashur pa cak, pa bam, vetëm me kalem, që ashklat e mprehjes së këtij kalemi i morën firmëtarët tanë, ata morën rrugën. E do ishte gjysma e së keqes të kalonin ata këtej e ne andej, por jo, vetëm ata këtej mallrat shqiptare dhe Kosovare jooooo, në asnjë mënyrë në Serbi. Dhe në mendje më vjen Isuf Luzaj, kur për 53 ditë i shkel me këmbë gjithë fshatrat e malësisë, Dibër, Gjakovë e deri në Prishtinë në vitin 1943 dhe disa nga personalitetet e Ballit Kombëtar vetëm për pak orë arritën me makina në Prishtinë dhe shkruan në “Ditarin e Përpjekjes”, ndër të tjera i zhgënjyer: “Ah, mendje… o mendje!” dhe unë me dhembje them: Ah, fat, o fat i zi për shqiptarët! Zoti e bëftë mirë këtë punë! AMIN!