Të ftuar në këtë publikim të Sofrës poetike të Diellit janë: Julia GJIKA- Massachusetts, Vullnet MATO, Shqipëri, Gani Qarri-Zvicër/
JULIA GJIKA/
MUZGU THEPISET/
Qielli zbras me shtamba shiun e dëndur./
Brenda meje, curg rjedh një tjetër shi trishtimi./
Muzgu thepiset./
E harruar, si një spirancë e vjetër buzë detit,/
mes tokës e qiellit, diku buzë ujrave frymoj/
duke pritur diten e re, qe vjen monotone/
si ajo qe dje shkoi./
Bota hesht rreth meje, përvidhet./
Varg valësh përparojnë, tërhiqen.
Pastaj marin vrull të paparë, përparojnë
për t’u ngritur lart dallgë perceshkumë.
Lëkundem mes tokës dhe dallgësh, me sy nga qielli.
Zogjve të detit u kam lënë supin tim.
Të shplodhen në këtë braktisjen time.
Takohem kështu me mirënjohjen,
që ecën në kah të kundërt me botën e shurdhër.
Muzgu thepiset.
Tingulli që përhap sqepi i zogut të shpresës, më përmend
se në këtë gjithësi ka njerës,
që si kulprat e egra, i ngjiten trungut të shëndetshëm të pemës,
për t’i marë frymën.
Sopata e druvarit nuk arin dot në kohën e duhur.
Nuk gjej dot me mendjen time arsyen, pse?
Borxh të kërkoj një tjetër mendje, nuk më përgjigjet.
Kaq e errët errësira që ndehet para meje!
Dhe duket kaq e qetë.
Ka qenë errësirë për kohë të gjatë
dhe nuk e paskam vënë re.
Cudi si errësira është kaq e qetë,
ndërsa mendja zhurmon, bluan, bluan si një mulli.
Përpiqem t’a thyej, por është kaq e madhe.
Nuk mund të nxjer zë, më duket se do të më trembë zëri im.
Fjalët më mbeten në grykë,
të burgosura, nuk kanë fuqi të luftojnë për të drejtën e tyre.
Sa shumë hije lëvizin përreth.
Zgjaten në forma të papara,
afër kaq afër, para fytyrës, me ngjiten në lëkurë,
ashtu si kulprat e egra që u përdridhen trungut të pemës,
më marin frymën.
Muzgu është thepisur.
Po shkon mesnata. Edhe pak do të agojë. Shiu ka pushuar.
Ditë e re zgjohet, me nuanca të reja shumë ngjyrëshe
sekondë pas sekonde, njëra tjetrën do të mohojnë.
Ashtu si bejnë gratë kur ndrojnë ngjyrat e shalleve
për të qënë në harmoni të reme me stinën .
***
Vullnet Mato/
O NËNA IME, MOJ !…/
(Elegji në përvjetorin kur mbylli sytë)/
Kam ardhur sot të thërres: O nëna ime, moj!…
Siç thërrisja kur ishe gjallë te pragu i portës.
Të derdh petale malli mbi mermerin ku lotoj,
siç lotoje, kur kthehesha nga largësitë e botës.
Te kjo varrezë e pikëlluar, buzë detit me valë,
ku mbylle sytë e prehesh, si në sënduk nusërie,
më vetëtiu kujtesën, ajo ditë kur kishe dalë,
më prisje te porti, të kthehesha me anije…
Më kish zënë deti dhe ti faqet ngjyrë vrer,
më puthje si nizamin e kthyer nga Qabeja.
Ndonëse kishe nën pupla pesë zogj të tjerë,
të digjej shpirti për zogun e ikur nga foleja.
Doje kurdoherë të na kishe të gjithë pranë,
dhe s’na lije kurrë të na rrëmbenin zënkat.
Na thoshe,“Sa herë grindet vëllai me vëllanë,
nënës suaj i shkulen copa nga zemra”…
Na ushqeje urtësi dhe në pjatën e racionuar,
me atë barazi, që s’na lije fjalë për të thënë.
Ah, sa të ëmbla dilnin nga buzët fjalët e tua,
kur me to dhe të uritur, na bëje të ngrënë.
Ti mbretëroje deri ku zienin sherret e mëhallës,
dhe me zërin tënd u vije kapakun e pajtimit.
Më duket sikur dhe këtu afër, ku grinden dallgët,
dëgjoj zërin tënd, që u lutet të zbutin zemërimin.
Fjalët e tua ishin më të buta nga çdo butësi,
por me një fortësi magjike, aq të fuqishme,
sa matrapiku që thyen gurët e malit përbri,
s’do i thyente dot si ti, hallet tona të përditshme.
Na mëkove, si çdo nënë me qumësht perëndie,
por dhe me oksigjeni e mirësisë që kishe në gji.
Ndjesitë na i thure me frymë dhembshurie,
sikur ishe motra e vogël e shenjtores Mari!…
Oh, ajo dorë e shenjtë, kur më lëmoje kokën!
Ndjeja sikur gishtat e tu, më bëheshin flatra
dhe ëndërroja të fluturoja në të gjithë botën,
të sillja atë begati që s’të erdhi kurrë te vatra.
Të ndriste dielli fytyrën, kur vija nga mërgimi,
dhe të breronte shiu, sa herë ndaheshim bashkë.
Tek më përcillje, në çastet kur afrohej largimi,
puthje xhamin e ftohtë të autobusit nga jashtë.
Sikur të isha bërë miliarderi më i pasur i botës,
dhe paraja të kish fuqi të çonte njeriun nga varri,
do falja të gjitha miliardat, si kokrrën e mollës,
të ndizej prapë ai syri yt me vezullim margaritari.
Por meqë jeta dhurohet veç një herë për çdo njeri,
dhe unë dhuratën tënde gjer në fund po e harxhoj,
do vij të trokas sërish, te porta e qiellit, ku je ti,
të thërres me zërin e shpirtit: O nëna ime, moj!…
***
GANI QARRI/
TË FITOJË SHQIPËRIA /
Shqipëri o Nënë e madhe
Paske pasur shumë Hambare
Të kullosnin grek e sulltana
dhe do nga djemët, që lindi nëna
Eh, sa të kullosnin osmanlia
dridhej populli nga uria
hanin grekët e romakët
të pacipët matrazapët
se që i ngrisnin turinjët
meshtarët, priftërinjët
helmuesit, gjarpërinjët
të ndëshkonin me tatim e fe
të rrëzuan për dhe
Shqiptari nuk pranoj kurrë robërim
Por i duhej prirës dhe kushtrim
E fati qëlloj me ne
ishte një prijës i zjarrt për Atdhe
I madhi Skënderbe
kokat turqëve ua pati pre
Pas tij prinë djalë pas djali
pushtuesëve kurrë luftën súa ndali
deri te Ismail Qemali
Për bashkim luftën se ndali
Pas këtyre sakrifica e vlerash
lindi një shtet bunkerash
i veshur me petk të varfërimit
me ide të carit e Stalinit
Lavde thurnin nga nëntoka
Shqipërinë e ndanë në copa
e kurthe i bënin vëllaut
për hirrë të grekut e shkjaut
Kështu lëngoj Shqipëri nënë shkreta
deri në vitet e 90-ta,
të ngrirë nga ndarjet, skamja e uria
thanë po vjen demokracia
U hodhën në këmbë shumë sorollap
me gënjeshtra mbi popullin bënë jotak
thonin jemi demokratë
Premtuan parajsë, vend pa të meta
nuk kishin ndryshuar, veç ndërronin xhaketa
ato xhaketat me yll, në dry i kishin mbyllë
vishnin xhaketa të kuqe, rrinin nëpër kolltuqe
populli i uritur, disa refugjatë, tjeret në burgje
Betoheshin do të ndërtojmë Shqipërinë
e së bënin as ndonjë uzinë
popullit nuk i ndaleshin haraqet
krerët vazhdonin mandatet
Shaheshin në parlament e kuvend
popullit i shitshin mend
rraheshin si kalamajt
të ndarë në të djathtë e të majtë
Eh Shqipëri, nënë Shqipëria
populli vuan, e gëzon paria
thuaj djemave, prekne kokën
kush gënjen, mos i jep votën
Njëqind vjet, shtet po kremtohesh
mbete e vockël, nuk po shtohesh
nëse don të ndritësh e të rritesh
zgjidh më të mirët, bijët e shqipes
Veq kërkoj, se shumë i ke
Si ka ditë me lindë ky dhe
si të madhin Kadare
Ke do të mira, që gufon trolli
mund i gjenë te Devolli
që si trembi as Anadolli
shumë të tjerë sikur Agolli
burra të shejtë, koka intelektuali
ka Shqipëria djalë pas djali
janë të rrebtë sikur shkëndija
me ta do fitojë Shqipëria
LAMTUMIRË NËNË
Lamtumirë nënë
po iku, unë biri yt
sa më vjen rëndë
Po shpirti më ka ardhë në fyt
Lamtumirë vëllezër
e të dashur miq
për hirrë të kafshatës
duhet të ikim të ligj
Idashuri atdhe
kurrë nuk të kthyam shpinën
Ishim përbetuar ne
të ndjekim katilen
Të zinjët e ullirit e hoqëm
e kurrë nuk u ngopëm
Qëndruam në skamje e uri
vetëm për pak Liri.
Gjaku i të rënëve gufoj
ja lirinë ua pruna
asgjë nuk ndryshoj
na mungon buka e puna
shpirti na ka ardhë te hunda
nuk na ndihmoj shkolla,as grykëholla
sdi çka po ndodhë
nga skamja jemi lodhë
Digjemi si urnë
për një vend punë
për një kafshatë
ikim refugjatë
Eh, jemi të fortë si lisa
kalojmë kufij pa viza
me ne tregëtojnë sllav e rumun
nuk na duan askund
Jemi një grumbull Rini
botën e kemi marrë në sy
shkojmë, s´dijmë nga jemi nisur
na shpërndau, kjo varfëri e krisur
Edhe sa kohë
edhe sa vjet?
I duhen shqiptarit
të mos braktisë vendin e vet!