Shkruan: Marjana Bulku */
Akuza, sharje, rrënimi i godinës historike, lotë teatralë, lot të vêrtetë , aksione politike , politikanë të dështuar , të tradhëtuar , lider të pazbuluar, të mohuar.
Kjo është shfaqja që i serviret një populli që jeton me dilemën 80 -vjeçare të drejtësisë së munguar dhe me mungesat e shumfishta që derivojnë prej dhunimit të gjatë të lirive.
E ke të vështirë të dallosh fillin e hollë që e ndan dramën nga tragjedia , realitetin nga komedia, imoralitetin nga normat të cilat recitohen edhe nga aktorët e politikës por edhe nga politikanët që aktrimi nuk i bëri dot kurrë as politikanë , as aktorë, por vetëm skenaristë e regjizorë të cilëve edhe emri do t’ju harrohet pas shfaqjeve të dështuara.
Skena tensioni që të rrëmbejnë edhe përtej ekranit . I ngjajnë tragjikes antike ku e drejta nuk mundet të triumfojë kurrë sepse aktorë të pavërtetë kanë pushtuar institucionet nga ku lind besimi. Fundja ata nuk janë aty për tu dhënë jetë të drejtave, ata janë aty për ti dhënë jetë edhe pak, vetëm një mandat më shumë protagonizmit të tyre politik.Dhe populli është fatkeq, po aq fatkeq sa në 50 vitet kur duartrokiste me verbëri, kur gënjehej me dinakëri , kur spiunonte me uri, kur i vritej nderi, krenaria , dinjiteti , kur shpresat i lindte dhe i abortonte në tentativat për arratisje. Sa pak zgjedhje kishte dhe ka ky popull …
E në fakt drama e vërtetë ajo që çdo ditë luan akte pa skenar ndodh përtej ekranit, diku pranë gërmadhave të politikës teatrale e cila luan keq e nuk duartrokitet aspak edhe pse shikime të lashta shprese e ndjekin. Drama reale êshtë ajo në sytë e përlotur të një prindi të cilit iu prenë ëndrrat e tij dhe ato të fëmijëve të tij, është në zhgënjimet e një të sapodiplomuari, në pamundësitë e një të moshuari, drama e vërtetë është nëpër ato mijëra e mijëra hapa që hidhen kuturu rrugëve të atdheut tonë anemik lënë në duar të drejtuesve që trashëguan vetëm një vullnet prej liderit të fyre historik; atë për të qenë të përjetshëm . Si dikur me entuziazmin fiktiv të votës 100 për qind po ashtu edhe sot ”mbrojtja me sistemin dëzhurn” ( dëzhurn …kisha vitë që nuk e dëgjoja këtë fjalë ),,drama luhet mbi fatet e një populli fisnik që thirret të protestojë e të bëhet “protagonist” në skenën e dirigjuar nga rojtarë e oborrtarë dëzhurn të cilët ka 80 vjet që ruajnë vetëm një pushtet ;pushtetin e tyre . Ndaj teatri shembet, thërrmohet porsi ëndrrat dhe shpresat tona qindra vjeçare . Ndërsa drama , ajo e vërteta merr udhët e atdheut, shtegton nëpër shpirtrat që i shpreh fytyra e pashpresë e ku në gjoks godet revolta e heshtur për të padrejtën që lind nga e drejta që nuk jetëzohet dot . Shtëpitë e braktisura , janë teatri që do të shembet nesër, prindërit e vetmuar janë tragjedia që do na përlotë gjithë jetën, fushat e lëna djerr, diejt pranverorë që u japin ngjyra e jetë atyre hapêsirave boshe ku luhet drama e një populli që ikjen e ka lindje/abort shpresash sepse politika i ka harruar , ajo po bën dëzhurnin e rradhës duke ruajtur pushtetin e vet të përjetshëm.
- Autorja eshte anetare e Kryesise se Vatres