Shkruan:Uran BUTKA/
Teza e parë: Lufta Antifashiste e popullit shqiptar-Kundërteza: Lufta Nacionalçlirimtare/
Me pushtimin e Shqipërisë nga okupatorët italianë e më pas gjermanë, lindi qëndresa dhe lufta antifashiste e popullit shqiptar kundër tyre, në krah të Aleatëve të mëdhenj Antifashistë. Në këtë luftë çlirimtare kanë marrë pjesë dhe kanë ndihmësuar gjithë faktorët antifashistë, ndaj edhe duhet të quhet saktësishht “Lufta antifashiste e popullit shqiptar”.
Enver Hoxha, ky manipulator madh i historisë, ngriti dhe lartësoi mitin e Luftës Nacionalçlirimtare, si luftë e vetme e popullit shqiptar kundër pushtuesve nazifashistë. Qëllimi i tij ishte që të monopolizonte luftën antifashiste, për të monopolizuar edhe pushtetin, që do të vinte pas luftës, pushtetin e vetëm absolut të tij dhe të PKSH.
Këtë qëndrim politik e përqafoi dhe u përpoq për gjysmë shekulli ta impononte e ta publikonte me të gjitha mënyrat e mjetet historiografia komuniste, për të justifikuar pushtetin monist. Këtë mit e mbrojnë edhe sot disa politikanë dhe historianë, që kanë lidhje të pashkëputur me ideologjinë e të shkuarës, por që kanë edhe synime që ta shfrytëzojnë ende potencialin njerëzor të Luftës Nacionalçlirimtare për interesa politike dhe elektorale.
Në fakt, Lufta Nacionalçlirimtare është pjesë e Luftës Antifashiste të popullit shqiptar, siç është edhe lufta antifashiste e çetave të Ballit Kombëtar, Legalitetit, lëvizjeve Kryeziu e Muharrem Bajraktari dhe të aktorëve të tjerë, për aq sa kanë kontriubuar.
Madje, Luftën Antifashiste e nisën së pari intelektualët dhe studentët shqiptarë, që demonstruan kundër pushtimit Italian. Pjesa më aktive e tyre, si Llazar Fundo, Safet Butka, Selman Riza, Faslli Frashëri, Hasan Reçi etj, u burgos dhe u internua në Ventotene dhe e vazhdoi atje rezistencën antifashiste. Luftën e armatosur e filluan atdhetarët jokomunistë si Abaz Kupi, Mujo Ulqinaku, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Nazif Mero etj. që i pritën pushtuesit italianë me armë në Durrës, Shëngjin, Sarandë etj. dhe e vazhduan nacionalistët Myslim Peza, Ismail Agë Petrela, Shyqyri Peza, Muharrem Bajraktari, Gani Kryeziu, Mestan Ujaniku e të tjerë antifashistë, përpara sesa të themelohej PKSH dhe të niste Lufta Nacionalçlirimtare, e udhëhequr prej saj, që nuk e mohon kush.
Po në këtë kohë u formuan edhe çetat luftarake të Ballit Kombëtar, të cilat nuk ishin inkuadruar në Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Abaz Ermenji shkruante: “Unë dhe Safet Butka, që ktheheshim nga ishulli Ventotene, mbasi biseduam edhe me patriot të tjerë, sidomos me Skënder Muçon dhe Hysni Lepenicën,( të cilët nuk kishin qenë të internuar në Itali), vendosëm të dilnim maleve për të krijuar çetat e para me armë kundër pushtuesve fashistë. Ky ishte vazhdim i përpjekjes shqiptare, që u fillua në prillin e vitit 1939. Për t’i dhënë një formë të organizuat kësaj përpjekjeje, u krijua Balli Kombëtar nën kryesinë e Mid’hat Frashërit…”.
Bile edhe betejat e para të mëdha kundër italianëve dhe gjermanëve i kanë bërë çetat e Ballit Kombëtar në atë kohë. Lufta e Gjormit, 29 dhjetor 1942, ishte organizuar dhe drejtuar nga Hysni Lepenica e Skënder Muço, në bashkëpunim me çetën Plakë të Vlorës. Forcat kryengritëse shqiptare, afër 1600 veta, përballuan sulmin e ushtrisë italiane prej më se 2000 vetësh, të komanduar nga Franko Klementi, në kuadrin e një operacioni spastrimi ushtarak, sipas urdhërit të kryeministrit kuisling Mustafa Kruja. Në ndihmë të pushtuesve fashistë ishin edhe forcat mercenare të Halil Alisë e të Selim Kaloshit, të dërguara në Mesaplik për të shtypur kryengritjen antiitaliane të qarkut të Vlorës. Në këtë betejë, që vazhdoi pesë ditë, u vra edhe komandanti italian Klementi me rreth 180 ushtarë, ndërsa ranë në fushën e betejës gjashtë nacionalistë dhe katër të plagosur.
Në këtë vazhdë, çetat nacionaliste të Safet Butkës, në bashkëpunim me oficerët britanikë B.Maklin dhe D.Smajl, zhvilluan betejën kundër pushtuesve gjermanë në Kthesat e Barmashit të Kolonjës, më 13 gusht 1943, duke u shkaktuar gjermanëve 25 të vrarë, disa autoblinda e topa të shkatërruar etj.
Nga ana tjetër, faktorët e tjerë nacionalistë si Muharrem Bajtaktari dhe forcat e tij, që luftuan edhe kundër italianëve edhe kundër gjermanëve, nuk pranuan të futeshin në Frontin Nacionalçlirimtar. Po ashtu edhe Lëvizja Kryeziu, refuzoi të inkuadrohej në Lëvizjen nacionalçlirimtare dhe luftoi kundër puahtuesve nazifashistë në mënyrë të pavarur, ndaj edhe u godit dhe u asgjësua nga forcat nacionalçlirimtare.
Të gjithë këta faktorë dhe lufta e tyre as nuk mund të mohohen, as të tjetërsohen, as të përbalten siç është bërë deri tani, sepse gjendet një dokumentacion i plotë arkivor shqiptar dhe i huaj, që i fakton. Si përfundim, Lufta Antifashiste e popullit shqiptar 1939-1944 është një kontribut i shquar i shqiptarëve në luftën për çlirim kundër pushtuesve nazifashistë. Ndërsa Lufta Nacionalçlirimtare, e udhëhequr nga PKSH, është një pjesë e rëndësishme e kësaj lufte. Nuk duhet ngatërruar e tëra me pjesën. Çmoj luftën e partizanëve kundër pushtuesve dhe dëshmorët e rënë, ashtu siç vlerësoj edhe luftën e faktorëve të tjerë antifashistë dhe dëshmorët e tyre. Por, përpjekja për ta mitizuar dhe paraqitur Luftën NÇ si luftën e vetme të shqiptarëve kundër nazifashizmit, është një mosnjohje e historisë, një tendencë ideo-politike, një spekullim ose një reminishencë e të shkuarës enveriste.
Mitet e luftës duhet t’i çmitizojmë, falsifikimet duhet t’i ndreqim, politizimet t’i mënjanojmë, që të jemi kemi një histori të vërtetë.
Teza e dytë: Marrëveshja e Mukjes bashkoi dy ekstremet e politikës-Kundërteza: Marrëveshja e Mukjes – një tradhti
Marrëveshja e Mukjes (1-3 gusht 1943) është një nga marrëveshjet më të rëndësishme, por edhe më të veçanta mes shqiptarëve në të gjitha kohët, sepse, ndryshe nga marrëveshjet e njëzëshme të mëparshme, ajo bashkoi për interesa madhore kombëtare dy organizatat politike dhe ushtarake të kundërta, madje armiqësore, Ballin Kombëtar dhe Frontin Nacionalçlirimtar, në luftën e përbashkët antifashiste.
Marrëveshjen kombëtare të Mukjes e kërkonte koha. Ishte një produkt shqiptar. E rekomandonin edhe Aleatët antifashistë. “Në konformitet me rekomandimet e bëra nga Misionet ushtarake Aleate, ne zhvilluam një takim me përfaqësuesit komunistë në fshatin Mukje, afër Tiranës Të dy partitë arritën mirëkuptim, që u prit me enthuziazëm nga populli shqiptar” – shkruhet në manifestin e Mid’hat Frashërit e Abaz Ermenit drejtuar Aleatëve.
Marrëveshja e Mukjes u kthye në një realitet, kur një ditë më pas u organizua nga Komiteti pluralist për Shpërimin e Shqipërisë, një betejë e përbashkët e nacionalistëve dhe partizanëve kundër italianëve në Qafë-Shtamë, më 4 -5 gusht 1943, e komanduar nga major Abaz Kupi. Në këtë luftë u vra kapiteni italian Scarpa, u zunë mjaft robër dhe armatime.
Prishja e njëanshme e Marrëveshjes së Mukjes për shkak të ndërhyrjes jugosllave dhe të luftës për pushtet e dominim, solli ndarjen e thellë mes shqiptarëve dhe luftën civile mes dy organizatave luftarake, por edhe të pjesëve të popullsisë që i mbështeste ato, duke i shkaktuar një dëm të pariparueshëm Shqipërisë dhe çështjes kombëtare.
Marrëveshjen e Mukjes udhëheqësit komunistë e quajtën tradhti. Po kush e tradhtoi atë? E.Hoxha dhe tutorët jugosllavë në Vithkuq dhe në Labinot. Madje edhe nënshkruesit komunistë të marrëveshjes Ymer Dëshnica dhe Mustafa Gjinishi, u akuzuan nga E.Hoxha për tradhti dhe u dënuan. Ndërsa firmëtarëve nacionalistë iu shpall luftë.
E.Hoxha u dërgoi një letër- qarkore gjithë komiteteve qarkore të PKSH: “Lajmëroheni se ju është dërguar nga Tirana një trakt për t’u shpërndarë, i firmosur prej Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur në mes të KNÇL dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt disaprovohet nga KQ i Partisë. Prandaj, në rast se nuk i keni shpërndarë, çirrini dhe të mos flitet më për të”.
Ndërsa M.Popoviç i shkruante Titos “Kemi ndikuar te PKSH dhe në Luftën NÇ, që gjithsesi të prishim marrëveshjen e Mukjes”.
Po mesazhi i Mukjes mbeti dhe është aktual: shqiptarë, e mira dhe interesi i Shqipërisë, i kombit shqiptar dhe i çdo shqiptari kërkon mirëkuptimin e bashkëpunimin për interesat madhore të Shqipërisë e të kombit dhe jo ndarjen, përjashtimin dhe armiqësinë. Mirëkuptimi është akti i parë i çlirimit të një kombi.
Mendoj, se tashmë, me ndonjë përjashtim të një pjese të politikës dhe të ndonjë pseudohistoriani, Marrëveshja e Mukjes është njohur, pranuar dhe vlerësuar si një kompromis historik i domosdoshëm dhe i nevojshëm, jo vetëm për atë kohë.
Ndërkohë në Mukje u debatua dhe u shtrua për zgjidhje çëshja e Kosovës mbi bazën e parimit të vetvendosjes së popujve, sipas Kartës së Atlantikut.
Teza e tretë: Lufta civile në Shqipëri, 1943-1945-Kundërteza: Nuk ka pasur luftë civile/
Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, nisi Lufta Civile në Shqipëri. Një luftë e brendshme e armatosur, e shpallur nga PKSH dhe e nxitur nga emisarët jugosllavë, që i rreshtoi shqiptarët, për herë të parë në historinë e tyre, në dy pjesë armiqsore dhe ndërluftuese. Ky konfrontim i brendshëm i armatosur për motive politike, ideologjike, pushtetore e kombëtare midis grupimeve kryesore politike e ushtarake shqiptare, si edhe rezistenca kundërkomuniste me armë dhe lufta e përgjakshme për shtypjen e saj, janë përbërësit kryesorë të luftës civile në Shqipëri në vitet 1943-1945.
Shpallja e luftës civile u bë në Konferencën e dytë të Labinotit të PKSH (4-8 shtator 1943), ku morën pjesë edhe emisarët e PKJ Në këtë konferencë u dënua zyrtarisht Marrëveshja e Mukjes si “marrëveshje që është në kundërshim me interesat e PKSH e të luftës” dhe u vendos që t’i shpallej luftë Ballit Kombëtar, si edhe çdo rryme apo tendence tjetër. Për këtë arësye Konferenca e Labinotit u quajt “momenti vendimtar drejt marrjes së pushtetit”. Nga ky moment, ky do të ishte prioriteti i politikës së PKSH dhe E.Hoxhës. “Tash që ne e hodhëm poshtë ujdinë e Mukjes, ata ( nacionalistët ) po përpiqen për të gjetur shtigje të tjera drejt pushtetit. Ne duhet tua mbyllim ato shtigje e mundësi dhe, ndër aktet e para e më kryesorë në këtë drejtim është vendimi që i propozojmë të marrë kjo konferencë: të shpallim pushtetin e vetëm të popullit në Shqipëri.”
Ky vendim i hapte rrugën e një sistemi njëpartiak dhe të një pushteti totalitar. Gjithasashtu, marrja e pushtetit qysh gjatë luftës ( jo në fund të luftës dhe me zgjedhje të lira, siç ishte vendosur bashkërisht në Mukje) dhe me grykën e pushkës, shkaktuan luftën civile në Shqipëri.
Data 1 tetor mund të konsiderohet si fillimi zyrtar i luftës civile, meqënëse në këtë datë urdhërohet nisja e saj. Në letrën dërguar më 1 tetor KQ të PK të Gjirokastrës, E. Hoxha urdhëronte: “ Bashkimi me Ballin Kombëtar tani është një punë e vdekur dhe s’bisedohet më për atë punë. Tani bisedohet shpartallimi i tij.”
Po më 1 tetor 1943, E.Hoxha i dërgonte një letër-qarkore Liri Gegës dhe për veprim gjithë komiteteve qarkore të PKSH, në të cilën urdhëron nisjen e luftës pa marrë parasysh asnjë rrethanë e pasojë kundër Ballit Kombëtar si armik kryesor. “Puna politike kundër Ballit nuk duhet të jetë e vetme në këto raste, ajo duhet të ndihmojë veprimet ushtarake të cilat duhet të jenë deçizive, nuk mjaftojnë mitingje e konferenca, por duhet menjëherë të merret pushteti..” – kërkonte me këmbëngulje E.Hoxha. Në këtë qarkore shpallet hapur synimi, mënyra dhe vendosmëria e patundur për të marrë pushtetin nëpërmjet luftës së armatosur dhe asgjësimit politik e fizik të Ballit Kombëtar dhe të çdo partie tjetër. Ky ishte fillimi i luftës për marrjen e pushtetit me mjete dhune, i kamufluar me luftën kundër pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të tyre. ”Neve jemi drejt likujdimit të Ballit, dhe jo bashkimit me të” – udhëzonte E.Hoxha.
Lufta civile e shpallur nga Fronti NÇ, vërtetohet edhe nga një dokument i Shtabit të Përgjithshëm NÇ “Në vjeshtë të vitit 1943 partia Komuniste dhe Fronti NÇ: Në vjeshtë të vitit 1943 Partia dhe Fronti NÇ u detyruan t’i shpallnin luftë për vdekje Ballit Kombëtar” ( Dok. i Shtabit P., volum i parë, 1965)
Rruga që zgjodhi PKSH për të marrë pushtetin ishte ajo e luftës me armë kundër kundërshtarëve politikë. Në emër të PK Hoxha lëshon thirrjen: “Me forcë dhe me armë të marrim pushtetin në duar”. Tashmë te PK zotëron tërësisht fryma, idetë e praktikat e revolucionit bolshevik dhe ushtria nacionalçlirimtare u kthye në një instrument të këtij revolucioni. Vetë Lufta Nacionalçlirimtare e humbi karakterin fillestar dhe mbeti si një togfjalësh i tëhuajëzuar, sepse komisarët me në krye E.Hoxhën e braktisën çështjen nacionale, ndërsa luftën çlirimtare e tjetërsuan në luftë civile, luftën e partizanëve, idealin dhe gjakun e dëshmorëve i shfrytëzuan për interesat e tyre pushtetore e ideologjike.
E.Hoxha urdhëronte “Të mos luftohet kunder gjermanëve, pot e ndiqet këmba këmbës dhe të asgjësohet Bazi i Canes”.
Një nga aktorët kryesorë të kësaj lufte, Koci Xoxe, në letrën që i dërgonte E.Hoxhës, më 3.10.1943, shkruante : “ Përveç goditjeve që u dhamë (nacionalistëve), po i ndjekim këmba-këmbës për shfarosje. Sa për luftën me gjermanët, pothuajse hiç!” Këto fjalë të thëna troç shprehin strategjinë dhe praktikat e PKSH: shfarosje të kundërshtarëve politikë, luftë civile ndërmjet shqiptarëve dhe shmangie nga lufta kundër pushtuesve gjermanë.
Komandanti i Korparma tës I, Dali Ndreu, udhëzonte “Na informuen se A. Kupi me një forcë prej 500 vetësh ndodhet në katundin Prezë dhe në Vorë. Zhdukja e këtij njeriu dhe shpartallimi e asgjësimi i forcave të tij ka një rëndësi të veçantë dhe do të jetë një fitore për ne… Duhet mbajtur parasysh se pranë Bazit ndodhet edhe Maklini. Për ndjekjen dhe asgjësimin e forcave të Bazit po ngarkojmë një batalion të Brigadës III dhe batalionin I të Brigadës I. Këta dy batalione do të jenë nën komandën e Hamit Keçit , nënkomandant i Brig.III dhe si përgjegjësit politik shoku Sadik Bocaj të Brig.I. Batalioni i Ishmit do të bashkëpunojë me të dy batalionet kundër Bazit..”
Lufta civile apo vallavrasëse mes shqiptarëve u interesonte edhe pushtuesve nazifashistë, që duke qënë shqiptarët në luftë mes vedi, dobësohej forca goditëse ndaj tyre. Më shumë të interesuar ishin edhe jugosllavët, të cilët i nxitën shqiptarët në luftë civile, që ta dobësonin faktorn shqiptar, për ta pasur më të lehtë ripushtimin e Kosovës dhe tërheqjen zvarrë të Shqipërisë pas qerres jugosllave.
Në luftën civile mes shqiptarëve, kanë marrë pjesë edhe kontigjentet e vetëdorëzuara të ushtrisë fashiste italiane, që u bashkuan me ushtrinë nacionalçlirimtare. Në formacionet kryesore të saj, duke filluar nga Brigada e Parë etj, gjendeshin edhe struktura të ushtrisë italiane, sidomos njësi altilerie, që godisnin me altileri nacionalistët shqiptarë, madje edhe fshatra e qendra banimi, mandej sulmonin partizanët. Thuajse në gjithë betejat kryesore kundër nacionalistëve, altileria italiane ka ndikuar në fitoren e komunistëve.
Edhe qenia britanike në Shqipëri, përveç ndihmës së pakontestuar në luftën antifashiste, në konteksin e brendshëm indirekt ndikoi në luftën civile, duke favorizuar njërën palë, komunistët dhe duke toleruar luftën e tyre të armatosur kundër nacionalistëve.
Mid’hat Frashëri dhe Abaz Ermenji, në apelin drejtur Aleatëve në korrik 1944, thoshin qartësisht: “Fakti që misionet aleate mbështetën me armë vetëm komunistët, solli gjakderdhje të padobishme te shqiptarët. Lufta civile vlen vetëm për armiqtë pushtues dhe këtë ata e dinë mirë, ndaj edhe nuk bëjnë përpjekje për shkatërrimin e lëvizjes terroriste, edhe pse mund ta bëjnë fare lehtësisht”.
Në librin voluminoz “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”, tezën e luftës civile e kam argumentuar katërcipërisht, duke u mbështetur në dokumentet e Arkivit të fshehtë të PKSH, por edhe në raportet e batalioneve, brigadave, divizioneve dhe korparmatave të Ushtrisë NÇ, që gjinden në Arkivin e FA si edhe në Arkivin e Shtetit, si edhe në dokumentacionin përkatës të arkivave jugosllave, italiane, gjermane, britanike dhe amerikane. Po të marrim vetëm raportimet e komisarëve dhe komandantëve të Ushtrisë NÇ, nuk ka nevojë për gjë tjerër, ata e pohojnë me gojën e tyre luftën civile ( betejat mes partizanëve dhe nacionaistëve, atje ku nuk kishte gjermanë). Po marr vetëm dy shëmbuj, një në jug dhe tjetri në veri:
Një betejën frontale të Grybecit në Gorë më 16 tetor 1943 ndërmjet forcave partizane të tre batalioneve “Tomorri”, “Gorë-Opar” e “Reshit Çollaku” kundër forcave balliste prej më se 600 luftëtarësh të komanduara nga Jani Dilo, Demir Staravecka e Maliq Dushari, u vranë mjaft partizanë e nacionalistë, midis tyre edhe komisari partizan Skënder Çaçi dhe komandanti ballist Demir Staravecka, të dy intelektualë dhe atdhetarë të njohur. Ja ç’thotë një raport i shtabit të batalionit partizan “Tomorri”: “Pas luftimesh shumë të ashpra, batalionet partizane “Gorë Opar”, “Tomorri dhe “Reshit Çollaku” i thyen keq armiqtë dhe vazhduan sulmin e papërmbajtur për të pushtuar “Gurin e Bletës”. Duke depërtuar brënda dispozitivit të armikut, forcat tona filluan një sulm të furishëm dhe vendimtar.. Komandanti i batalionit “Gorë-Opar”, shoku Teki Kolaneci, që udhëhiqte sulmin e batalionit të tij në krahun tonë të majtë, thirri: “Zjarr, shokë, zjarr të pamëshirshëm kundër krerëve të tradhëtisë!” Plumbat rrëzuan për tokë mjaft kriminelë, duke plagosur rëndë edhe tradhëtarin Demir Straravecka…Nga ana e forcave tona ra komisari i batalionit “Gorë-Opar”, shoku Skënder Çaçi…”
Siç shihet edhe nga kjo komunikatë e Shtabit NÇ, lufta e Grybecit ishte një luftë civile midis shqiptarëve. Në këtë dokument dhe në dokumentet e tjerë arkivorë si edhe në kronikën e betejës dhënë nga komisari Shuaip Panariti, nuk thuhet asgjëkundi që atje kishte forca italiane apo gjermane ose që forcat e Ballit luftonin së bashku me gjermanët kundër partizanëve, por për një goditje me armë e tre batalioneve partizanene kundër forcave balliste, që doli “ me sukses dhe përfitimi ynë politik qe i mjaftë”.
Paradoksi i sotëm qëndron në faktin, që Skëndër Çaçi është “Hero i Popullit”, ndërsa patrioti Demir Staravecka, një nga të parët luftëtarë antifashistë në Shqipëri (sipas dokumenteve arkivorë), konsiderohet ende sot armik, tradhtar dhe kolaboracionist.
Në Malësinë e Madhe lufta civile zgjati pa ndërprerje plot një muaj e gjysëm ( dhjetor 1944-shkurt 1945) dhe pati qindra vikrima nga të dy palët ndërluftuese. Nga forcat nacionalçlirimtare të Korparmatës III, u vranë 39 partizanë dhe 48 të plagosur, ndërsa nga forcat nacionaliste 137 të vrarë e të pushkatuar. Të gjithë bij nënash shqiptare! Vetëm nga Brigada I sulmuese e komanduar nga Mehmet Shehu ( i cili hyri në Kelmend nga ana e Jugosllavisë), u vranë 30 partizanë dhe u plagosën 34 të tjerë. Kujt i duhej kjo luftë mes shqiptarësh? Dihet se në Kelmend, ku u zhvilluan betejat kryesore, nuk kishte as italianë dhe as gjermanë, por një mësymje e forcave nacionalçlirimtare kundër atyre nacionaliste, përfshirë edhe banorët e malësisë. Kështu bie edhe kundërteza komuniste që Lufta Nacionalçlirimtare ishte luftë kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Lufta civile në Shqipëri është evidentuar dhe raportuar thuajse nga të gjithë oficerët britanikë dhe amerikanë, që kanë shërbyer në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu, edhe nga bashkwkohwsit e asaj lufte, tw majtw apo tw djathtw. Madje edhe nga studiues e historianw tw historiografisw komuniste, menjwherw pas luftws, por qw mandej kjo tezw u mohua pwrfundimisht. Ndërkohë, edhe historiani amerikan B. Fisher, nw cilwsin e anwtarit tw komisionit pwr rishkrimin e historisw, ka ritheksuar mw 27 nëntor 2014: “Di që kjo është një çështje me rëndësi në Shqipëri. Sinqerisht nuk e di pse duhet të jetë e tillë. Sigurisht që ka pasur luftë mes partizanëve dhe nacionalistëve. Këtë ne mund ta quajmë luftë civile ose mund ta quajmë thjesht një përleshje a betejë, por fakti është që ka pasur luftë mes partizanëve dhe nacionalistëve. E di se ka njerëz që sugjerojnë që është e vështirë të ketë një luftë civile në kontekstin e pushtimit, madje kuptoj gjithashtu edhe se ka çështje politike të përfshira në këtë pyetje, por ky është mendimi im”.
Por, Paskal Milo këtë pwrcaktim e ka cilësuar “si një atentat që duan t’i bëjnë luftës nacionalçlirimtare”.
”Ndonëse humbjet për frymë të Shqipërisë ishin më të vogla, krahasuar edhe me Jugosllavinë, shumica e të vrarëve u shkaktuan nga vetë shqiptarët në luftë më njëri-tjetrin.” – konstaton B.Fisher.
Sipas historiaografisë komuniste, numri i dëshmorëve është 28.000, edhe kjo shifër tejet e ekzagjeruar, për të glorifiluar e himnizuar Luftën NÇ. Numri i viktimave të luftës civile ende nuk është nxjerrë saktësisht, por është disa fish më i madh, rreth 30.000, sesa numri i dëshmorëve të Luftës antifashiste, që sipas hulumtimeve të mia arrin rreth 5.000 vetë. Ky konstatim u konfirmua edhe në konferencn shkencore të Institutit të Historisë, nëntor 2014, ku u publikuan të dhënat më të fundit për gjithsej 4744 dëshmorë ( të vrarë nga pushtuesit) .Kjo është e vërteta.
Kundërteza se nuk ka pasur luftë civile, sepse nuk mund të kishte luftë civile kur ishin okupatorët, nuk është argument që qëndron historikisht.
Teza e katërt: Terrorizmi i kuq dhe ai i zi-Kundërteza: Ata që mendojnë ndryshe meritojnë të zhduken
Tipari themelor i PKSH dhe i luftës që ajo udhëhoqi, ishte terrorizmi. E cilësuan të tillë edhe disa nga udhëheqësit kryesorë të kësaj lufte si Sejfulla Malëshova, Tuk Jakova, Manush Myftiu, madje edhe Enver Hoxha, në plenumin e Beratit, nëntor 1944.
« Terrorizmi në parti, në popull dhe në ushtri tregon dobësinë e vijës sonë politike.. Me terror i zgjidhnim të gjitha. Nuk u çudita kur meë thanë sesa më brutal e terrorist ishte njëri, aq më komunist ishte Kështu duken simptomat e degjenerimit nga një parti politike, në një bandë kriminelësh » – raportonte Maleshova.
“Shumë njerëz janë vrarë pa gjyq e pa faj… Këtë frymë e ka futur Dushan Mugosha. Kështu sot ushtria duket sikur ka dalë të mbysë popullin. Partizanët vrasin vetë, pa i vënë fare njerëzit përpara gjyqit.” dëshmonte Tuk Jakova.
Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve me pseudonimin sllav “Shulja”, thotë: “Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë…Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’ka fakte, të pushkatohen qysh tani…Veçse me i pastrue gjatë luftës , veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit… Janë vrarë edhe ata që janë dorëzuar”
Mid’hat Frashëri e konsideron terrorizmin e komunistëve në Shqipëri, terrorizëm të kuq, pjesë të terrorizmit ndërkombëtar të Internacionales komuniste. “Banditët e kuq furnizoheshin rregullisht nga misionet ajrore aleate… Të inkurajuar nga Internacionalja e Tretë, ata nuk hezituan që armët dhe pajisjet e Alleatëve t’i përdornin kundër nacionalistëve shqiptarë, për të imponuar bolshevizmin në vendin tonë e duke e kthyer në një banjo gjaku…Terrorizmi ndërkombëtar u shpall nga ne armiku kryesor i vendit tonë”
Nuk është fjala për element terroristë apo shfaqje terroriste, por për një vijë, një frymë, një praktikë terroriste të PKSH dhe të Luftës NÇ pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes.
E rrëfen E.Hoxha me gojën e tij: “ Vija terroriste është e fortë te Dushani. Ke Aliu ( Miladini) me hënë.Dushani ishte gjoja kundër terrorit, ishte kundër asaj që bëri Mehmeti në Dumre. Por kjo s’e pengonte gjëkafshë që të vriste pa gjë të keq më shumë se Mehmeti. Unë në këtë pikë isha pasqyrë e Miladinit, domethënë kur vinte ndonjë raport e thoshte se ky po bën kështu, atëherë vendosnim ta vrisnim…”
Vetë PKSH ishte një organizatë terroriste, me në krye një terrorist stalinist si Enver Hoxha, që orientohej nga terroristët jugosllavë Popoviç e Mugosha dhe mësimet e revolucionit bolshevik. E.Hoxha, i dominuar përherë e më shumë nga ambicja për pushtet, vihet në krye të kryqëzatës për të prerë kokat e kundërshtarëve politikë, edhe nëse këto, sipas shëmbullit të Leninit, do të bëheshin kodra, por edhe për të prerë kokat e shokëve e bashkëpunëtorëve të ngushtë me gjakftohtësinë kriminale të mësuesit të tij gjallë, Stalinit.
Metodat terroriste që zgjodhën komunistët, ishin vrasjet pa gjyq të kundërshtarëve politikë, por edhe të bashkëpuntorëve të dyshuar të tyre, vrasjet prapa krahëve, në prag të shtëpive, në prita, vrasjet politike të organizuara nga njësitet ndëshkimore guerilje, por edhe njerëzve të pafajshëm, torturat, djegia e shtëpive, grabitja (sekuestrimi) e pasurive, pushkatimi i robërve të luftës apo i të vetëdorëzuarve e të tjera.
“Parrulla “O me ne, o kundër nesh!” ishte gjithë politika e shokëve, por edhe kur shihej se kishte mundësi të punohej me njerëz, që kishin qëndruar jashtë Frontit, përgatisnim terrenin jo për marrëveshje, por për t’i zhdukur këta njerëz nga prapa. Në Lumë po vihen në plumb kot së koti dhe në mënyrë histerike katundarë, të cilët dorëzohen dhe shokët tanë i pushkatojnë. Po vriten në Tiranë me dyzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë të cilët, duke pasur besimin e plotë në drejtësinë dhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale , por është tërë toni që i është dhënë punës organizative të partisë dhe të ushtrisë. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit,të zhdukin edhe anëtarët e partisë, kokat e të cilëve bien pa i peshuar mirë”- deklaronte gjatë luftës E.Hoxha.
Masakra e parë pas prishjes së njëanshme të Marrëveshjes së Mukjes ishte ajo e Devollit, më 8 gusht 1943. Nacionalistët e shquar: Dr. Hadi Kasimati, mësuesi Hytbi Kulla,oficeri i kufirit kosovari Zija Gashi dhe këshilltarët Feti Jazxhiu, Adil Graca e Hilmi Perona u masakruan pabesisht dhe u therrën me thika nga komunistët terroristë në Ziçisht, ku kishin thirrur për bisedime dhe “marrëveshje” me komunistët.
Në afërsi të Lushnjës, M.Shehu urdhëroi pushkatimin e 63 fshatarëve të pafajshëm, vetëm se këta nuk pranuan të bashkoheshin me Brig.I. Ata që s’i zuri mirë plumbi, i preu thika e zv.komisarit politik Dushan Mugosha. Terroristët në Korçë nën drejtimin e Manol Konomit vranë dhe groposën në përroin e Shipskës 187 fshatarë që mbështesnin nacionalistët. Në Martanesh, në fshatin Peshk, M.Shehu urdhëroi për hakmarrje pushkatimin pa gjyq të 22 fshatarëve patriotë, një nga çdo shtëpi, tok me kryeplakun e fshatit. Në Lumë Shefqet Peçi pushkatoi 22 katundarë të pafajshëm. Në Fushë-Aliaj e Malësi të Madhe brigadat partizane dogjën tëresisht vendin e të tjera masakra në gjithë Shqipërinë.
Një nga aspektet e dënueshme të terrorizmit komunist ishte edhe pushkatimi i robërve të luftës, qoftë shqiptarë, qoftë edhe të huaj. Mjafton të përmendim pushkatimin e 130 karabinierëvë italianë të vetëdorëzuarnë mirëbesim, por që u masakruan nga njësitet nacionalçlirimtare. Këtë masakër makabre e pohon edhe Kadri Hoxha në dëshmitë e tij, e pranon edhe vetë Mehmet Shehu në raportin që i dërgon Shtabit të Përgjithshëm më 29.10.1943: “Në Labinot na lajmëruan se në Orenjë ndodheshin rreth 130 karabinierë italianë dhe oficerë të karabinierisë ( edhe koloneli, nënkryetar i shtatmadhorisë së karabinierisë italiane në Shqipëri). U këshilluam me shokun Baca, i cili pranoi propozimin tonë për ekzekutimin e këtyre.. I ekzekutuam që të gjithë në mënyrën më konspirative”.
Terrorizmi i kuq arriti kulmin në Tiranë nga data 28 tetor-16 nëntor 1944, realizuar nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kristo Themelko e të tjerë krerë komunistë. “Kur unë kam biseduar me Enverin, – pohon K.Themelko, – ai më ka këshilluar që kur të hynim në qytet, të spastronim elementët e rrezikshëm. Prandaj, kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata për këta elementë.”
Për këtë terror pohon me gojën e vet sekretari i qarkorit të PK të Tiranës, Gogo Nushi në relacionet e tij drejtuar E. Hoxhës: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga ata nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurtë se do të kemi edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100-tët”
Një nga arsyet që fituan komunistët është terrorizmi i ekstrem i praktikuar prej tyre. Ndaj edhe britaniku Hibbert e quan “fitore të hidhur”. Balli Kombëtar, me në krye Mid;hat Frashërin, përgjithësisht u tregua pacifist e tolerant ndaj aradheve komuniste ( nuk mund t’i vrasim se janë djemtë tanë ). Nga ana tjetër, nuk mund të mos përmendim terrorin e zi të ekstremit të djathtë në pushtet, si masakrat e 4 dhe 28 shkurtit 1944 në Tiranë kundrejt qytetarëve të pafajshëm, të kryera nga Xh. Deva, Xh.Staravecka e të tjerë si edhe masakra e disa ballistëve të Mallakastrës ndaj këshilltarëve të Hekalit, që u pushkatuan pa gjyq e pa faj, sepse mbështesnin Nacionalçlirimtaren.
Terrorizmi, nga çdo anë që të vijë, është shkatërrimtar për një popull, madje edhe për njerëzimin, siç ishte dje, siç është edhe sot.
Teza e pestë: Kontributi i aleatëve anglo-amerikanë/
Kundërteza: Rreziku anglo-amerikan/
Lufta e Aleatëve të Mëdhenj Antifashistë ndikoi që edhe në Shqipëri lufta antifashiste të ishte në kahun e duhur.
Misioni ushtarak britanik që u vendos në Shqipëri qysh në pranverën e vitit 1943, luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimet luftarake kundër pushtuesve nazifashistë. Oficerët anglezë u atashuan në Lëvizjen Nacionalçlirimtare ( Maklin, Smajl, Palmer, Smith, Lajën, Tilman etj), te Balli Kombëtar ( Fild, Kuejl etj), Legaliteti ( Maklin, Emer, Smajl, Nil, Sejmur etj) dhe tek krerët e Veriut ( Simkoks, Kemp, Hibbert, Ridell, Hends etj) nxitën dhe ndihmësuan ushtarakisht dhe materialisht luftën antifashiste të shqiptarëve, ndonëse në mënyrë të shbalancuar dhe pragmatike. Të shpërpjestuar, sepse ndihmuan shumë më tepër Luftën nacionalçlirimtare me armatime veshje e stërlina, për arsye të politikës globale të qeverisë britanike në atë kohë, por edhe sepse komunistët u treguan më aktivë në këtë luftë, ndërsa forcat nacionaliste u ndihmuan konkretisht shumë pak, ose aspak. Madje, armatimet, që merte Nacionalçlirimtarja nga britanikët i përdorte kundër forcave nacionaliste , edhe kur këto luftonin kundër gjermanëve. Ndërkohë, sa herë që forcat nacionaliste në të gjithë vendin bënin luftime kundër pushtuesve italianë apo gjermanë, ato sulmoheshin prapa krahëve nga forcat komuniste, që këto të siguronin monopolin e luftës dhe të pushtetit. Kjo është e dokumentuar gjerësisht.
Nga ana tjetër, britanikët u rrëfyen tejet pragmatistë, duke menduar vetëm për momentin, por jo për të ardhmen e një Shqipërie europiane. Duke mbështetur komunistët, madje duke toleruar edhe sulmin luftarak të tyre mbi nacionalistët ( me përjashtim të ndonjë note të komandës ushtarake britanike, por jo të qeverisë), ata ndihmuan në fitoren e komunistëve dhe vendosjen e regjimit të tyre totalitar.
Mid’hat Frashëri dhe Abaz Ermenji, në promemorien drejtuar aleatëve perëndimorë në muajin korrik 1944, shkruanin: “Ardhja e misioneve aleate vetëm në njërën anë, solli që të rritet fuqia e bolshevizmit në tokën tonë. Është e pakuptimtë se qysh nga fillimi ato filluan të paisnin vetëm komunistët, kur në fakt forcat nacionaliste ishin më superior ose në rastin më të keq të barabarta me komunistët dhe gati për të bashkëpunuar me Aleatët kundër pushtuesit fashist. Kjo mbështetje morale dhe materiale e misioneve aleate ndaj bolshevizmit theu ekuilibrin në dëm të forcave nacionaliste shqiptare”.
Oficeri britanik Toni Simkoks, i vendosur pranë forcave çlirimtare të Gani Kryeziut, shqetësohet nga kjo politikë e vendit të tij: “Duke i lejuar komunistët që me ndihmat tona të vrasin, të sulmojnë, apo të provokojnë kundërshtarët e tyre politikë, është më keq se sa ta kishim bërë ne vetë këtë gjë”. Këtë e pohojnë edhe britanikët Emer, Maklin, Smajl, Kemp, Hibert, të cilët kritikojnë qëndrimet e qeverisë britanike ndaj nacionalistëve antifashistë shqiptarë.
Atyre nuk iu njoh asgjë nga të drejtat dhe kërkesat legjitime kombëtare. Madje u vu në pikëpyetje ekzistenca e shtetit dhe e kufijve pas luftës. Britanikët u bazuan vetëm në interesat e ngushta ushtarake dhe politike të tyre dhe u kërkonin nacionalistëve shqiptarë të luftonin kundër gjermanëve, pa u dhënë thuajse asgjë në këmbim dhe asnjë perspektivë për të ardhmen. Ky diferencim dhe ky qëndrim miop ka pasur pasoja tepër të rënda politike në Shqipëri. Aq më tepër që edhe ndaj vetë oficerëve britanikë, por edhe qeverive perëndimore, E.Hoxha ka mbajtur gjithnjë qëndrim djallëzor dhe armiqëësor.
Ekstremizmi i tij shkonte deri atje sa ai t’i konsideronte armiq edhe parfaqësuesit e Aleatëve që ishin të akredituar tek nacionalistët “Ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi nëse, në luftën për asgjësimin e Abaz Kupit, do të gjejnë vdekjen edhe oficerët anglezë që rrinë me të. Ne do të bëjmë asnjë dallim midis oficerëve anglezë dhe banditëve si Abaz Kupi. Në rast se i zëmë rob oficerët tuaj, nuk jua dorëzojmë , do t’i mbajmë si robër lufte dhe do t’ia kalojmë gjyqit partizan si kriminelë lufte që kanë bashkëpunuar me armikun.” .
Pëtër Kemp shkruante: “Për sundimtarët komunistë të Shqipërisë, bashkëpunimi me britanikët ishte një krim shumë më i madhe se bashkëpunimi me gjermanët”.
Ndërsa nacionalistët shqiptarë vazhdimish, por edhe në kohën e Luftës, i kanë mbajtur sytë dhe antenat nga Perëndimi, sepse edhe krerët e tyre ishin properëndimorë, ndryshe nga komunistët që u lidhën me Lindjen komuniste.
Apeli i Mid’hat Frashërit drejtuar Aleatëve perëndimorë në ato çaste kritike të luftës, ishte një alarm për shpëtim: “Në lidhje me çështjet e brendshme të popullit tonë, është e qartë se populli shqiptar mirëprët prezencën e trupave anglosaksone edhe për një periudhë të gjatë, deri në një fazë, kur situata në Europë të jetë më normale. Në çdo rast populli shqiptar pret nga forcat aleate që ata të marrin hapat për një zbarim në Shqipëri, menjëherë pas tërheqjes së trupave gjermane. Përndryshe Shqipëria mund të kthehet në një vend masakrash dhe përgjegjsia morale do të bjerë mbi ata, që armatosën dhe mbështetën banditët terroristë, të cilët menduan të kënaqin vetëm ambicjen apo urrejtjen e tyre”.
Kjo profetësi e M.Frashërit u vërtetua plotësisht.
Teza e gjashtë: Kolaboracionizmi, një fakt i keqpërdorur
Kundërteza: Balli dhe Legaliteti – kolaboracionistë
Për mendimin tim kolaboracionizmi është një dukuri historike e dënueshme për çdo popull.
Unë i parkas një familjeje që ka luftuar brez pas brezi kundër pushtuesve të huaj, ndërsa personalisht kam një ndjeshmëri të lartë negative ndaj kolaboracionizmit të çdo kohe qoftë. Ndërkohë mendoj që ky fenomen historik duhet studiuar mirë dhe nuk duhet përdorur politikisht, siç është keqpërdorur nga PKSH dhe historiografia e saj.
Nuk është vendi këtu të trajtoj se ç’është kolaboracionizmi dhe historinë e tij shqiptare, sepse e kam bërë tek librat e mi, por do të argumentoj tezën: Balli Kombëtar e Legaliteti kanë qenë organizata dhe lëvizje nacionaliste jokolaboracioniste me pushtuesit, përkundër tezës komuniste se Lufta NÇ ishte luftë kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre kolaboracionistë.
Ky formulim poltik u përpunua nga emisarët jugosllavë Popoviç, Mugosha, Jovanoviç, Tempo dhe u hodh në Konferencën e Dytë të Labinotit, 4-8 shtator 1943, pra menjëherë pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, për të justifikuar sulmin e armatosur të forcave nacionalçlirimtare kundër atyre nacionaliste.
Deri në atë kohë, nacionalistët dhe partizanët kishin luftuar shpesh bashkërisht kundër pushtuesve nazifashistë dhe nuk kishin ardhur në përpjekje ushtarake me njëri-tjetrin. Në Mukje u bë edhe marrëveshja mes dy organizatave antifashiste e luftarake, Ballit Kombëtar dhe Nacionalçlirimtares për një luftë të përbashkët. Si ka mundësi që brenda natës, Balli Kombëtar të quhej organizatë kolaboracioniste me pushtuesit, kur deri atëhere konsiderohej organizatë partnere me Nacionalçlirimtaren?
Fakti që në këtë Konferencë Balli u quajt bashkëpunëtor me okupatorët, tregon se u vu menjëherë në përdorim formula e përgatitur nga jugosllavët kundër nacionalizmit shqiptar “si bashkëpunëtor i okupatorëve”. PKJ i interesonte përplasja midis dy formacioneve, veçanërisht asgjësimi i Ballit Kombëtar dhe i forcave të tjera nacionaliste. Sipas Tempos, kursi i vetëm që do të ndiqej, ishte që nacionalistët ose të detyroheshin të bashkoheshin si individë me Frontin NÇ, ose të shpalleshin bashkëpunëtorë të pushtuesit dhe të goditeshin njëlloj si ata. Rrugë tjetër nuk kish. S’mund të luftohej një forcë, pa e njollosur atë dhe pa e urryer si armik. Kjo ide djallëzore u kthye në platformë e në veprim të Frontit NÇ.
Hibbert, oficer anglez, shpjegon: “Strategjia politike e PKSH që punonte nëpërmjet Lëvizjes NÇ, ishte që nacionalistët të dilnin njëlloj, si bashkëpunëtorë të italianëve dhe të gjermanëve”
Vetëm në këtë mënyrë, duke shfrytëzuar patriotizmin e shqiptarëve e urrejtjen e tyre tradicionale kundrejt tradhëtarëve dhe duke i quajtur nacionalistët si bashkëpuntorë të pushtuesit, mund të neutralizohej e mandej të asgjësohej Balli Kombëtar e forcat e tjera nacionaliste e demokratike dhe vetëm kështu mund të fitonte terren e mbështetje Partia Komuniste dhe Lufta nacionalçlirimtare.
Deivid Smajl e konstatonte këtë tendencë djallëzore dhe përpjekje të gabuar të udhëheqësve komunistë: “Komunistët thoshin se ballistët bashkëpunonin me gjermanët. Taktika e komunistëve ishte t’i shpallnin armiq ata që s’mendonin njëlloj apo që nuk bashkoheshin me ta.”
Kjo situatë e rrezikshme i tronditi faktorët e vërtetë luftarakë dhe njerëzit e ndershëm e atdhetarë nga të dy anët e antagonizmit të imponuar.
Thirrja e Ballit Kombëtar “Jemi vëllezër, s’na ndajnë dot” në këto çaste dramatike ishte shumë domethënëse:
“Marrëveshja e Ballit me Çlirimtaren është vepra më e bukur, më e urtë dhe e dobishme për shpëtimin e atdheut, por kjo marrëveshje nuk është veçse fillimi. Nuk ka arsye që të mos bëhet më e fortë, më e sinqertë dhe më e përshtatur për kohët e sotme. Ata që mendojnë ndryshe, gabohen… Sot është koha për një Front të çeliktë kundër armikut okupator dhe kundër horrave që e pasojnë. Ky front i përbashkët është gatuar me gjakun e heronjëve tanë: Qemal Stafa e dha kushtrimin dhe i fali atdheut gjënë më të shtrenjtë që kish: jetën; Jashar Cakrani e dëgjoi edhe ai atë kushtrim, duke rënë martir për atdhenë. Me qindra të tjerë kaluan mbi gjurmët e gjakut të dëshmorëve dhe vaditën me gjakun e zemrës së tyre këtë tokë arbërore…Le të luftojmë të bashkuar rreth fjalëve që na lanë të parët tanë: Ja vdekje, ja liri! Jemi vëllezër s’na ndajnë dot!”
Kjo strategji perfide e PKSH u përdor edhe kundër legalistëve.
A mund të ishin kolaboracionistë legalistët, kur në shtabin e Abaz Kupit, gjendeshin tetë oficerë britanikë?
Britaniku Xhuliano Emer konstatonte: “E.Hoxha, që e kishte përdorur këtë taktikë me ballistët, kishte vendosur ta bënte këtë lojë edhe me zogistët dhe t’i sulmonte si “kolaboracionistë”. “Informatorët tanë na tregonin se E.Hoxha kishte bërë plane për të sulmuar zogistët me qëllim të caktuar që t’i hidhte në prehërin e gjermanëve dhe t’i diskretitonte kështu para aleatëve. Identifikimi i rivalëve me armiqtë ishte njëri nga mjetet efikase të arsenalit komunist. Edhe balli Kombëtar ishte shkatërruar me këtë taktikë.”
Dokumentet tregojnë qartazi, se Balli Kombëtar dhe Legaliteti ishin organizata nacionaliste, që e kishin nisur luftën antifashiste përpara komunistëve. Madje legalistët, ishin pjesë përbërëse e Frontit NÇ deri në Mukje. Abaz Kupi ishte anëtar i shtabit të Përgjithshëm NÇ dhe factor bashkues me nacionalistët.
Nuk ekziston ndonjë dokument arkivor shqiptar apo i huaj, që të provojë që Balli Kombëtar apo Lëvizja e Legalitetit të ketë bashkëpunuar me pushtuesit. I vetmi dokument është ai i datës 7 tetor 1943, me anë të të cilit M.Frashëri porosiste komitetet krahinore të Ballit Kombëtar për një pezullim të përkohshëm të veprimeve luftarake kundër ushtrisë gjermane për shkak të sulmit të dyfishtë, komunist dhe atij nazist. Ky dokument,së pari dëshmon se deri në atë moment (7.10.1943), kur është lëshuar ky urdhër pezullimi, ka vazhduar lufta e nacionalistëve kundër gjermanëve. Fjalët “të pezullohet” dhe “tash për tash” dëshmonin se ndërprerja ishte e përkohshme, ishte një taktikë. Asnjë mendje e shëndoshë nuk mund ta marrë pezullimin e përkohshëm si kolaboracionizëm. Mid’hati nuk lidhi asnjë marrëveshje me gjermanët. Ai i pezulloi përkohësisht , për t’i vazhduar më vonë aksionet kundër tyre, siç ndodhi realisht. Natyrisht, gjatë luftës civile, të vënë mes dy zjarresh, zjarrit komunist dhe nazifashist, disa elementë të këtyre organizatave si Kadri Cakrani, Jup Kazazi, Lef Nosi etj bashkëpunuan me okupatorët, ashtu siç bashkëpunuan edhe disa elementë të Nacionalçlirimtares me nazifashistët si Omer Nishani, Gjin Marku (kompromisi me gjermanët në Berat e Kuçovë), Xhelal Staravecka,komandant batalioni i Brigadës I S, që u bashkua me qeverinë kolaboracioniste etj. Sepse të dyja palët nuk ishin parti, por ishin lëvizje apo fronte patriotike, ku merrnin pjesë vullnetarisht njerës me bindje e qëndrime të ndryshme. Nuk mund të njolloset e të akuzohet Balli Kombëtar, as Legaliteti dhe as Lëvizja NÇ për kolaboracionizëm, pse disa individë apo pjesë të tyre bashkëpunuan me pushtuesit, në rrethana të caktuara lufte. Madje, PKSH e dënoi kompromisin e Beratit me gjermanët, ashtu si Balli Kombëtar mbajti qëndrim ndaj elementëve që morën pjesë individualisht në komitetin kolaboracionist të Ibrahim Biçakut:
“Organizata e Ballit Kombëtar proteston energjikisht kundër formimit arbitrar të Komitetit ekzekutiv të Tiranës, duke e quajtur nul çdo veprim të tij. Zoti Lef Nosi, ka marrë pjesë në këtë komitet si individ e, meqënëse me këtë akt ka dalë jashtë direktivave të Ballit, të cilat janë dhe do të jenë gjithmonë për një luftë të paprerë kundër çdo okupatori, organizata nacionaliste “Balli Kombëtar” vendosi dëbimin e z. Lef Nosit në mënyrë të prerë nga radhët e saj”.
Për të njollosur Ballin Kombëtar si kolaboracionist me propagandën e saj mashtruese, PKSH i futi në një thes të gjithë nacionalistët, duke i quajtur ballistë. Nuk kanë qenë kurrë anëtarë të Ballit Kombëtar Xhaferr Ypi, Mehdi Frashëri, Ibrahim Biçaku, Irfan Ohri, Halil Alia, Xhevat Starova, Anton Harapi, Ismail Vërlaci, Gjon Markagjoni, Rexhep Mitrovica, Xhaferr Deva e të tjerë. Këtë fakt e ngatërrojnë qëllimisht edhe sot pseudohistorianët apo enveristët.
Sa për pjesëmarrjen e ballistëve Bahri Omari dhe Kolë Tromara në qeverinë e R. Mitrovicës, që kishte një program kombëtar, theksoj se ata paraprakisht dhanë zyrtarisht dorëheqjen nga Balli Kombëtar dhe u larguan prej tij me motivin se ruajtjes së rendit e të gjindjes shqiptare, të mbrojtjes së jetës së popullsisë civile në gjithë hapësirën shqiptare, por edhe të mbrojtjes nga rreziku komunist.
Më duhet të theksoj gjithashtu, se Balli Kombëtar e ka shpallur zyrtarisht qëndrimin e tij kundër pushtuesve nazifashistë dhe ka luftuar kundër tyre, por njëherësh ka bërë diferencimin ndërmjet italianëve, që i ka konsideruar pushtues dhe gjermanëve, që i ka konsideruar okupatorë kalimtarë përgjatë luftës, që kishin njohur pavarësinë e Shqipërisë, asnjanësinë e saj dhe kishin ndihmuar gjysmën e kombit të hidhte poshtë zgjedhën serbe.
“Pavarësisht këtyre arsyeve të mira, – thuhet në apelin e M.Frashërit dhe A.Ermenjit në thirrjen drejtuar Aleatëve Perëndimorë në korrik të vitit 1944, – organizata jonë vazhdoi përpjekjet e saj kundër pushtuesit gjerman për tre muaj me të njëjtin impuls si ndaj pushtuesit fashist, pavarësisht faktit se ne ishim keq tq pajisur me armë dhe të sulmuar nga banditët komunistë të armatosur më mirë se ne… Ashtu siç mund të verifikohet lehtësisht me fakte të pakundërshtueshme të njohura edhe nga misioni aleat, kolonat gjermane u sulmuan në mënyrë të vazhdueshme e të suksesshme nga çetat nacionaliste në Shqipërinë e Jugut, në veçanti në zonën e Vlorës. Të gjitha propozimet e bëra ndaj drejtuesve të organizatës sonë nga autoritetet gjermane për të pasur një mirëkuptim, u refuzuan në mënyrë kategorike nga ana jonë”.
Kur politikanët dhe pseudohistorianët e djeshën e të sotëm akuzojnë të tjerët për kolaboracionizëm dhe e përdorin atë politikisht, harrojnë apo nuk duan të pranojnë faktet e dokumentuara tashmë se ishin komunistët ata që kolaboruan me jo vëtëm me emisarët jugosllavë në Shqipëri, por edhe me kontigjente të ushtrisë jugosllave që vepruan në Shqipëri kundër nacionalistëve shqiptarë , bie fjala, batalioni serb që vepronte në Peshkopi e Kukës bashkërisht me aradhet nacionalçlirimtare shqiptare dhe që komandohej nga krimineli serb Petar Brajoviç, si edhe bashkëpunimin ushtarak të ushtrisë NÇ të Shqipërisë ( Divizioni V dhe VI) me ushtrinë NÇ të Jugosllavisë (1944-1945) për të mposhtur rezistencën kombëtare në Kosovë e viset e tjera shqiptare, duke kryer masakra kundër popullatës shqiptare ( si masakra e Tivarit, e Dibrës, etj) si edhe për ripushtimin ushtarak të Kosovës.