
Teza #7.
“Çamët kërkojnë ndryshim kufijsh”
Një ndër tezat më djallëzore që ka qarkulluar në diskursin zyrtar grek ndaj çështjes çame është se kërkesat e komunitetit çam përbëjnë një kërcënim ndaj kufijve të Greqisë. Kjo tezë është përdorur në mënyrë sistematike për të delegjitimuar çdo përpjekje për të kërkuar drejtësi dhe për të përhapur frikë në opinionin publik grek. Por ajo është tërësisht e pabazë, historikisht dhe juridikisht.
Asnjë kërkesë e komunitetit çam, as nga individë publik, as nga organizata, as nga shteti shqiptar nuk ka përfshirë ndonjëherë ndryshim kufijsh shtetërorë.
Nuk ka asnjë dokument, rezolutë apo deklaratë që të artikulojë pretendime territoriale ndaj Greqisë.
Pse përdoret kjo tezë nga Greqia?
• Për të frikësuar opinionin grek me idenë e një “kërcënimi të brendshëm”;
• Për të justifikuar mosveprimin diplomatik dhe refuzimin e dialogut;
• Për të delegjitimuar çamët si nacionalistë ekstremistë;
• Për të njollosur çdo zë që kërkon drejtësi si “revanshist”.
E vërteta është: Kërkesa për drejtësi nuk është kërkesë për kufij. Kërkesa për t’u kthyer në shtëpitë tona nuk është për ndryshim kufijsh por është një e drejtë legjitime për të jetuar secili në shtëpinë e vet.
Çamëria kërkon të kthehet në ndërgjegjen e Europës, jo në hartën e saj.
Alket VELIU