TIRANE – Eduard Toptani njëri prej dy pronarëve të SHQUP tha se përpjekjet për rikthimin e kësaj prone do vijojnë pa asnjë kompromis. Madje dhe ditën e djeshme, teksa ka parë se PD ka nisur tjetërsimin e godinës për ta përshtatur si seli, ka deklaruar se s’ka ndërmend të tërhiqet. “Unë erdha në Shqipëri për t’i thënë qeverisë shqiptare se kjo ndërtesë është e njohur si pronë e trashëguar e familjes time.Kam patur mundësinë të flas me shumë njerëz nga qeveria e më është thënë se ata e njohin këtë ndërtesë si pronën time, por s’kanë ndërmend të bëjnë asnjë veprim për të na e kthyer. Jam tepër i zhgënjyer. Ajo që po ndodh këtu me vendim e qeverisë është vijimi i politikave konfiskuese të ndërmarra nga Enver Hoxha shumë vite më parë. Sot jemi në 2013, jo në 1947. Kjo që po ndodh është një rikonfiskim i kësaj prone, tani në kohën e demokracisë, në mes të ditës.E gjitha nuk mund të qëndrojë askund”, shprehet ai për “TCH”. Ai tha se do kërkojë mbështetjen e autoriteve të SHBA. “Siç e dini ambasadoti Arvizu dha komentin e tij për këtë çështje. Unë po vijoj dialogun me autoritetet amerikane, por s’dua të jap detaje rreth këtyre bisedave, pasi janë konfidenciale dhe ky komunikim do të vazhdojë”, tha Toptani