-Shenime në kohen e “Covid-19”-Nga Ramiz Lushaj/
1.- Harry Bajraktari- “Njeriu i salloneve diplomatike
Amerikane” për kombin shqiptar
1.
Të enjten e 9 prillit mbrrini në “Qytetin e Alpeve” ndihma humanitare me 25 tonë miell për 1 mijë familje ma në nevojë të Tropojës, dërgatë nga shqiptaro-amerikani i mirënjohur Harry Bajraktari- “Nderi i Kombit”, biznesmen humanist i shquar në Nju Jork, veprimtar i dëshmuar lartësisht i Çështjes Kombëtare Shqiptare. Kjo ishte ndihma ma e madhe në sasi, vlerë monetare e numër familjesh, e dërguar, e shpërndarë në Tropojë në kohën “Covid-19”.
Myftinia e Tropojës si kordinatore lokale, me komision mbikqyrës, sipas listave zyrtare të familjeve të rregjistruara në nevojë, i shpërndau ato me makina të porositura e përfaqësues të ngarkuar në të dy qytetet e shtatë njësi administrative të bashkisë veriore, ku më dijenojnë se të parat ndihma i paskan kanë nisë mirësisht në familje të besimit të krishterë si në Nikaj-Mertur, etj.
E gjithë ecuria e kësaj ndihme humanitare ka pasë përkujdesje dhe nga përfaqësuesi i z. Harry Bajraktari, nga av. Rasim Hasanaj, ish-kryetar i KSHK-teve, vllai i Azem Hajdarit- Heroit të Demokracisë.
Harry Bajraktari ndjehet e dëshmohet mjaft i lidhur me Malësinë e Gjakovës (Tropojën-Malësinë e Mirë): nga vet lidhjet genetike të origjinës së kahershme të tij nga Geghyseni- “Nderi i Kombit”; një nga rrugët kryesore ma të bukura të qytetit Bajramcurri e mban emrin e tij; është i vlerësuar e shpallur “Qytetar Nderi” i Tropojës; si dhe ka dhënë kontribute të herë pas hershme, ndër vite, për Tropojën.
Harry Bajraktari është i pari shqiptaro-amerikan, që në këtë kohë të kësaj gjendjeje emergjence, fatkeqësie natyrore, dërgoi ndihma humanitare në Tropojë. Së shpejti, iu thashë, do të vijnë ndihma të ndryshme ushqimore dhe nga të tjerë shqiptarë në Amerikë, të cilët i kanë lidhjet e tyre me Tropojën e historisë, kulturës, turizmit, me këtë bashki kufitare me Kosovën e Malin e Zi. Ndaj me të drejtë fotoreporteri i “Gazeta e Alpeve” në Tropojë, Dedë Harusha, m’i thoshte në telefon vargjet e njohura noliane: “Mbahur nëno mos kie frikë/se ke djemtë në Amerikë”.
2.
Kjo ndihmë humanitare në kohë të vështirë pandemike ishte me randësi të shumëfishtë e të shumanshme: pasi i dergonte një personalitet i shquar shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, “njeriu i salloneve diplomatike amerikane” në të cilat ai ka lobuar në dekada për Kombin Shqiptar; i Derës së Bajrakut të Vranocit të Pejës së Kosovës, i origjinës së kahershme prej Tropoje në Shqipëri; i cili duket se ka lindur për të qënë i tillë, i sprovuar e dëshmuar i tillë: atdhetar kombëtar i shquar, biznesmen humanist i përkushtuar, shqiptar i formatit të madh…
Ilir Meta- President i Shqipërisë, shkruan: “Falenderoj personalitetin e shquar të diasporës tonë, z. Harry Bajraktari, i cili në këto ditë sakrificash ndihmon një nga komunitetet më në nevojë si ai i Bashkisë Tropojë”. Yuri Kim- ambasadore e SHBA në Shqipëri lëshoi në Twiter një lajm informues e urim përgëzues:“…Faleminderit për bujarinë tënde!”.
Teuta Sahatqija, ambasadore e Misionit Diplomatik të Kosovës në Nju Jork, komenton: “Ju lumtë! Gjithmonë në krah të atyre që kanë nevojë për ndihmë!”. Dr. Islam Lauka, ish-ambasador i Shqipërisë në Kosovë, shkruan: “Ashtu siҫnuk i harron kontributet e tij tё mёparshme, Malёsia e Gjakovёs nuk do ta harrojё as kёtё ndihmё qё i jepet nё kёto çaste tё vёshtira tё pandemisё nga biri i vet…”. Ambasador Flamur Gashi- këshilltar për Rajonin e Diasporën i dy Presidentëve të Shqipërisë, cilëson: “Këto ndihma të humanistit Harry Bajraktari…për bashkëvendasit në nevojë në këto ditë që po kalojmë, janë shprehja më e mirë e patriotizmit dhe atdhedashurisë”.
Elmi Berisha- Kryetar i Federatës PanShqiptare “Vatra” në Amerikë: “Mirënjohje e respekt për Harry Bajraktarin”. Besnik Dushaj- ish deputet e ish-kryetar i Bashkisë Tropojë, shprehet në një status të tij në FB: “Falenderim dhe mirënjohje për Z. Harry Bajraktari që tregon edhe një herë që gjendet pranë njerëzve të Malësisë së Gjakovës, duke treguar përmes veprave si këto që solidariteti dhe bamirësia janë akte që të lartësojnë. Në një periudhë të tillë kur njerëzimi po përballet me një armik të padukshëm, që po sjell vështirësi të pashëmbullta për shumë njerëz, ne kemi nevojë për vepra të tilla shpresëdhënëse”. Ismet Smajli, Sekretar i Përgjithshëm i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare: “Respekt për Bajraktarin e Vranocit! Ju lumtë z. Harry !”. Avni Krasniqi, atdhetar, humanist, biznesmen, në Kosovë: “Ju lumtë z. Harry, zemërbardhë e shpirtgjerë si gjithmonë!”. Halil Ahmeti, kryetar i Shoqatës “Drini”, Gjakovë-Shkodër: “Respekt dhe mirënjohje zt. Harry Bajraktari për ndihmen e dhënë Malësisë së Gjakovës në këto kohë të vështira me Covid-19. Zoti ia shpërbleftë!”. Elisabeth Milicaj, në Amerikë, uron: “Zoti e bekoftë Harry Bajraktarin dhe Familjen e Tij!”. Shaqir Salihi, ish-gazetar i “Zëri i Amerikës”, vlerëson: “Gjest fisnik e vëllazëror! Shembull për të gjithë!”
2.- Ram Geci, “Njeriu i Autostradave”
1.
Në dy ditët e para të prillit, duke punue deri në 12 orë, u shpërndanë 300 pako ndihma të biznesmenit humanist Ram Geci në Tiranë, të planifikuara shpirtërisht e materialisht për të gjitha shtëpitë e vendlindjes së tij, Bytyçit. Rreth 250 pako u shpërndanë në të paren ditë në Pac, Veliq, Vlad, Çorraj, Zherkë, Kepenek, Zogaj e Prush dhe të nesërmen në Berishën e Brigjeve, në krejt Njësinë Administrative të Bytyçit. Disa sish, të tjerat, dhe për një numër familjesh ma në nevojë në Tropojë.
Pakot nuk ishin sa për t’u shënue si ndihmë, por për të dhanë ndihmë: secila prej pakove kishte një kuotë financiare 4 mijë lekë të reja, me artikuj të ndryshëm ushqimorë si miell, vaj, sheqer, oriz, makarona, etj. dhe me produkte të kujdesit shtëpiak.
Shpërndarja e tyre u krye zyrtarisht nga Bashkia e Tropojës, shoqërue nga zyrtarë të lartë të saj, nga policia bashkiake lokale, nga komisionet vendore të Bytyçit, pasqyrue me listat përkatëse, në një kohë rekord.
Komisioni kryesor, më thonë se, e çmoi që pakot të mbanin etiketën “Dhuratë nga Ram Geci”. Kjo, mesa duket e dëshmohet se ai nuk i çonte ato pako thjesht si ndihmë në këto ditë të vështira të fatkeqësisë natyrore. Mbi të gjitha, ato, ishin dhurata në nderim të dy prindërve të tij, Alia e Raza- zemërmirë e bujarë; ishin në vazhdimtari të traditës sojnike të fisit të njohur të Bytyçit; ishin një mirënjohje për dashurinë e pamatë të tij ndaj vendlindjes së vet dhe bekimet e vlerësimet e vendlindjes ndaj tij; ishin në emër të humanizmit genetik, njerëzor e fisnik të tij, bashkëshortes së tij, djemëve të tij, të biznesit të tij.
Kujtim Hajdarmataj, një nga djemtë e mirë të Tropojës, më zëthot’ në telefon e më fjalashkrue: “Si çdo herë tjetër, burri i mirë i Bytyçit…,miku im i çmuar, iu gjend afër bashkëvendasve të vet…Më bie telefoni prapë e më porositi që t’ua çojmë pakot në çdo familje që jeton në Bytyç e Berishë. Dhe ashtu vepruam… Të gjitha familjet na dhanë një urim të përbashkët: Faleminderit Ram Geci! Zoti të bekoftë e të lartësoftë, që nuk po e harron Bytyçin ku ke lindur e je rritur… T’u shtoftë Ndera, Burrnia e…Begatia në Familjen Tande!…Qofsh i nderuar gjithmonë, o Ram Geci!”
Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi, shkruan në faqen e tij zyrtare në Facebook, se biznesmeni Ram Geci është “shembull model suporti financiar dhe humanizmi…”. Avokat Agron Isa Gjedia, kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare Bytyçi”, Tiranë-Prizren, i drejtohet faleminderues në Portali Limit.al e rrjete sociale, me urimin përfaqësues e nderues: “Ta shpërbleftë Zoti, o Ram Geci!”!
2.
Biznesmeni humanist Ram Geci ka një zemër të madhe e të gjerë, ka traditë bujarie, ka norma fisnikërie, ka atribute bamirësie. Ai është dëshmuar i tillë. Ai është me inteligjencë të lartë në biznes. Një punëtor i madh në biznes. Ai nuk ka aq shumë nevojë për fjalë të mëdha e të shumta, sepse i flet vet puna e tij: Tirana International Hotel në qendër të kryeqytetit, një nga ma të mirët në Rajonin Mesdhetar. Autostrada/autorrugë nga Jugu në Veri të Shqipërisë, të ndertuara prej tij si në “Udhen e Kombit”, drejt Shkodres, Unaza e Tiranës, etj. Përndryshe, është dhe “Njeriu i autostradave”. Flet formati i tij i madh si një ndër biznesmenët më elitarë në Rajonin Ballkanik Shqiptar.
Humanizmi i Ram Gecit i tejkalon kufijtë e vendlindjes, pavarësisht se aty i merr fuqitë si Anteu, i ban gjithato ndera për vendlindjen, për ekonominë e kulturën, për arsimin e shtypin, për letërsinë e artet, për turizmin, për mjekësinë, për njerëzit në nevojë. Ai ban ndera të tilla gjithandej në Tiranë e në gjithat vende të tjera të Shqipërisë, në Kosovë e në Malin e Zi, në Luginën e Preshevës e në Diaspora Shqiptare në Botë.
Ram Geci ka gjithandej e gjithkund ka e merr vlerësime e nderim popullor për vlerat e larta të jetës e punës së tij me sakrifica të motivuara e arritje të merituara, me kontribute ekonomike, shoqërore, humanitare. Në këto ditë prilli 2020, me aq sa munda, i veçova disa mirënjohje popullore ndaj tij lidhur me kontributet me ndihma humanitare në Tropojë, Mat e gjetkë: “Një shqiptar atdhetar i madh. Na ban krenarë bujaria e tij” (Halil Farruku). “Njeri fjalëpak e punëshumë” (Vladimir Kalemi). “Krenar me Ty…”(Agim Januzi). Burrë zotni…”(Sebije Hajdini Sylaj). “Sojnik i Bytyçit…”(Zyra Ahmetaj).“S’ka gja ma të madhe se t’iu gjendesh njerëzve në këto ditë të zeza”(Gjerovica Haxhiaj Myrtja). “Ti shtoftë Zoti!” (Besa Ademi). “Të ketë jetë e shendet, bashkë me njerëzit e tij të zemrës. Përgëzime nga ana ime, edhe pse nuk e njof personalisht” (Andrea Avelina). ”Zoti ta shpërbleftë në jetë se shumë halle kanë sot njerëzit, po pak kush ua qan ato. Ju batë punë të madhe. Nderuat veten e ata prindër të mirë që ju rriten. Zoti qoftë me Ty e me fëmijët e Tu” (Shkurte Hysenaj). “Ram Geci është një shembull që duhet ndjekur…”(Kristaq Janushi)…
Një fakt i kësaj të vërtete: humanisti Ram Geci, me kompaninë e tij “Geci” Sh.p.k., i dha edhe 100 pako ndihmë për njerëzit ma në nevojë në territorin e bashkisë së Matit, që u shperndanë nga kjo bashki, me përkujdesje direkte të kryetarit të saj.
Në listnimet falënderuese që i paraqet kjo bashki, përgjatë kësaj fatkeqësie natyrore, deri në këto ditë prilli 2020, renditet i treti ndër të gjithë, sëbashku me Kadri Morinën e Kukësit, të EuroSig e INSIG-ut, të UBA Bank. Biznesmen humanist Ram Geci, me ndihmat e tij në Mat, vjen pas Fondacionit “Fundjava Ndryshe” i Tiranës dhe pas Fondacionit “Mirësia” i Kuvajtit.
Ram Geci, megjithëse nuk e ka drejtim të vetëm të veprimtarisë së tij bamirësinë, sikurse fondacionet bamirëse, ai në drejtim të humanitetit punon sikur të ishte një fondacion duke dhanë kontributet e tij të shumta e të vazhdueshme në të gjitha fushat e jetës shqiptare, në të gjithë Rajonin Ballkanik Shqiptar.
3.- Sabit Bytyçi, u rrit me “Vatren”, tani kryetar i Këshillit të saj
1.
Edhe kjo kohë pandemike, e fatkeqësisë natyrore “Covid-19”, i ka dëshmue dhe një herë tjetër atdhetarët e humanistët e vërtetë, si shqiptaro-amerikani i njohur Sabit Bytyçi në Nju Xhersi – kryetari i Këshillit të Federatës PanShqiptare “Vatra” në Amerikë, donator me 3 mijë litra vaj për rreth 1 mijë familje ma në nevojë në Tropojë, në vendlindjen e tij.
Kjo është e dyta dërgesë humanitare e Shqiptarëve të Amerikës për Tropojën e tyre, pas asaj shembulldhënës të biznesmenit humanist Harry Bajraktari, personalitet i shquar shqiptaro-amerikan (me origjinë të hershme tropojane, nga Geghyseni- “Nderi i Kombit”) me 25 tonë miell për 1 mijë familje.
Këto ndihma ma shumë se vlerën e tyre monetare e gjendjen përkrah në këtë fatkeqësi natyrore globale, sjellin e përcjellin dhe një mesazh të madh që vjen nga Amerika- mike e aleatja ma e madhe e shqiptarëve, që bijtë e saj në brezni genetike e të larguem me dekada e shekuj, në mbi 7 mijë km. largësi tokësore e oqeanike, në kontinent tjetër, mendojnë e ndihmojnë në kohë e raste të ndryshme vendlindjen e tyre e të të parëve të tyre.
2.
Shqiptaro-amerikani Sabit Bytyçi (Bitici), donatori i 16 prillit 2020, me 3 mijë litra vaj për rreth 1 mijë familje ma në nevojë në Tropojë, është nga Veliqi i fisit e i krahinës së sojshme të Bytyçit, djali i tretë i një burri të fismë e zemërmadh- i të ndjerit Adullah Avdia, është një nga “Katër Vllaznit Bytyçi” në Amerikë, janë të shquar për atdhetari kombëtare e bujari shqiptare, të mirënjohur në komunitetin shqiptaro-amerikan, në Rajonin Ballkanik Shqiptar. Dr. Ibrahim Rugova i cilësonte Vllaznit Bytyçi, si “miqtë e mirë të Kosovës” (1991), dr. Sali Berisha si “një krenari shqiptare…” (2017), Azem Hajdari thoshte shpesh “janë si shqiptarët e mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit”, etj.
Sabit Bytyçi është një shqiptar me tradita e vlera të larta njerëzore. Është një vatran i kahershëm dhe i gjithkohshëm, i rritur bashkë me “Vatren” për një gjysëm shekulli jetë, që për aktivitetin e kontributet e tij me devotshmëri vatrane e zgjodhen tani së vonit në detyrën e lartë të Kryetarit të Këshillit të Federatës PanShqiptare “Vatra”.
Sabit Bytyçi, prej nga dekada ’80-’90 e shekullit të kaluar, njihet e çmohet si një ndër miqtë e mirë të Presidentëve Shqiptarë dr. Rugova e dr. Berisha dhe i personaliteteve të tjera shqiptare në Amerikë e në Rajonin Ballkanik Shqiptar.
Sabit Bytyçi, ndër vite e dekada, i ka miq të afërt disa senatorë e kongresmenë amerikanë, shumë zyrtarë të lartë të DASH, etj. tek të cilët, sëbashku me miqtë e tij shqiptaro-amerikanë, kanë lobuar mirë e shumë për Kosovën, për Shqipërinë, etj.
Familja e atdhetarit e biznesmenit humanist mbi 70 vjeçar, Sabit Bytyçi në Nju Xhersi të Amerikës, sëbashku me bashkëshorten e tij, Hatixhe Bytyçi, me dy djemtë Ilirin e Mentorin e vajzën Doruntina, kanë dhanë në vazhdimësi dituni, kohë e pasuni të tyne monetare e materiale për kombin shqiptar, për çështjen kombëtare shqiptare, për kulturën, letërsinë, artin e shtypin shqiptar, etj., shpesh herë dhe për vendlindjen, siç është dhe ky donacioni ma i fundit me 3 mijë litra vaj për rreth 1 mijë familje ma në nevojë në Bashkinë e Tropojës, në këtë fatkeqësi natyrore “Covid-19”.
***
Mirënjohje për këta tre humanistë të shquar që dërguan ndihma humanitare në vendlindjen e tyre dhe për të gjithë ata që po i gjenden pranë Tropojës, pranë Shqipërisë e Kosovës, pranë shqiptarëve trojenik në Mali i Zi, Maqedoni, në krejt Ballkanin, në këto kohë të vështira të kësaj pandemie të rëndë globale, kur kërkohet mbrojtja e jetëve njerëzore dhe sigurimi i ardhmërisë kombëtare e planetare.
Ramiz LUSHAJ