
Zef Ujkaj/
Illyricum Sacrum, një nga veprat më të rëndësishme të historisë së krishtërimit në trevat iliro-arbërore, zuri fill me jezuitin At Filippo Riceputi, u vazhdua nga Daniele Farlati e Jacopo Coleti dhe mori formën përfundimtare prej tetë vëllimesh në vitin 1819. Kjo ndërmarrje e madhe pati edhe mbështetjen e Papa Klementit XI Albani, i cili tregoi një përkujdesje të veçantë për historinë dhe jetën kishtare të trojeve arbërore. Riceputi mblodhi dokumente, dorëshkrime, libra dhe dëshmi historike nga qendrat kishtare të trevave arbërore, pasi udhëtoi përgjatë bregdetit të Adriatikut. Por kjo përpjekje e gjerë dokumentuese u përball edhe me vështirësi të mëdha, pasi një pjesë e materialeve të mbledhura humbi gjatë transportit, kur qerrja që i transportonte u mbyt duke kaluar lumin Drin në Zadrimë. Megjithatë, materialet që u ruajtën dhe u mblodhën më pas përbëjnë një bazë të rëndësishme për hartimin e historisë së kishave të Ilirisë, ku ruhen të dhëna të çmuara mbi historinë e krishtërimit, organizimin kishtar, ipeshkvijtë, kuvendet dhe zhvillimet historike të trevave arbërore. Në të trajtohen Dioklea, Tivari dhe Durrësi, së bashku me dioqezat e tyre sufragane.
Një rëndësi të veçantë ka sjellja e kësaj vepre në gjuhën shqipe. Përkthimi i vëllimit VII, i nisur nga Arqipeshkvi i Shkodrës, Monsinjor Frano Illia, dhe i vazhduar e përfunduar me kontributin e Dom Mikel Pllumaj, Frat Antonio Bozza, Giorgio Nalin dhe Lukë Hasaj, ka bërë të mundur që kjo pasuri historike të jetë më e qasshme për studiuesit dhe lexuesin shqiptar.
Në këtë temë do të ndalemi në historinë e Kishës së Dioklesë dhe Tivarit, së bashku me sufraganet e tyre: Arbënin, Balecin, Buduën, Ulqinin dhe Krajën, të cilat korrespondojnë me pjesën e tretë të vëllimit të VII, përkthyer në gjuhën shqipe.
I. Ipeshkvia e Arbënisë ose Arbnit
Vëllimi VII i Illyricum Sacrum nis trajtimin e sufraganeve të Kishës së Dioklesë dhe Tivarit me Ipeshkvinë e Arbnit, duke dhënë një përshkrim të gjerë të trevës së Arbërisë Ilirike, të ndarë në dy pjesë∶ Arbëria Dalmate, ndërmjet Drinit dhe Gjirit të Rizonit, dhe Arbëria Epirote, që shtrihej nga Drini drejt maleve Akrokeraune. Në këtë pjesë trajtohet edhe prejardhja e emrit Arbëria dhe Albania, duke u ndalur te përdorimi i emërtimit Albanitas nga perandori bizantin Leoni VI, të Albanopolis, i përmendur nga Ptolemeu në Epirin e Ri, si dhe te tradita mesjetare që e lidhi këtë qytet me arbërit. Kur flasim për Ipeshkvinë e Arbërit, duhet sqaruar se shtrirja e ndikimit të saj përfshinte berthamëm e Arbërit mesjetar, zonën mes Krujës dhe Mirditës dhe nuk përkonte me të gjithë hapësirën historike e politike të Arbërisë mesjetare.
Ipeshkvia e Arbnit, një nga selitë e rëndësishme kishtare të kësaj hapësire sipas burimeve të paraqitura në vepër, lidhej me Mitropolinë e Tivarit. Megjithatë, marrëdhënia e saj me qendrat e tjera kishtare nuk ishte gjithmonë e qartë, pasi në shekujt XII-XIII shfaqen raste kur ipeshkvijtë e Arbnit kundërshtonin autoritetin e Tivarit ose kërkonin lidhje me Durrësin, ndërsa dokumentet papnore dëshmojnë ndërhyrjet e Selisë së Shenjtë në përcaktimin e juridiksionit dhe ruajtjen e varësisë së saj nga Tivari. Është interesante se Ipeshkvia e Arbnit nuk përmendet në Koncilin e Dumnos/Delmitan të vitit 877, ndërsa në shekullin XI ajo ende nuk shfaqet në listën e selive të provincës së Tivarit. Vetëm pas shekullit XI, ajo fillon të dokumentohet rregullisht si pjesë e hierarkisë së Tivarit. Pas shuarjes së Ipeshkvisë së Krujës, një pjesë e madhe e territorit të saj iu bashkua Arbnit. Ipeshkvijtë e Arbënit dokumentohen kronologjikisht nga viti 1166 deri më 1635, përmes të cilëve do të ndjekim historinë e dioqezës dhe do paraqesim karakteristikat kryesore historike dhe kishtare të Arbënit gjatë periudhës në të cilën ata ushtruan veprimtarinë e tyre.
Ndër ipeshkvijtë e hershëm veçohet Lazri (1166), i cili u përfshi në çështjet e juridiksionit kishtar dhe me ndërhyrjen e Papës Aleksandri III, njohu autoritetin e kryeipeshkvit të Raguzës; pas një periudhe kur ipeshkvijtë e Arbënit kundërshtuan herë pas here autoritetin e Tivarit dhe kërkuan lidhje më të afërta me Durrësin. Ndërhyrjet e Papë Inocentit III synuan rikthimin e tyre në bashkësinë dhe juridiksionin katolik si sugrafane të Kryepeshkopatës së Tivarit.
Në shekullin XV, gjatë ipeshkvisë së Andreut II (1426), gjendja e Arbërisë ishte rënduar nga depërtimi osman, luftërat dhe pasiguria. Me përparimin e pushtimit osman, gjendja e dioqezës u rëndua gjithnjë e më shumë dhe shumë prej qendrave e kishave u dëmtuan ose u braktisën.
Në periudhën e fundit veçohet Gjoni IV (1615), i cili e gjeti selinë në Kurbin, pranë kishës së Shën e Premtes, të plaçkitur dhe të shkatërruar. Ai u angazhua për rindërtimin e saj dhe për rikthimin e 12 fshatrave që kishin kaluar në skizmën greke, në gjirin e Kishës katolike. Ipeshkvi i fundit, Marku (1635), administroi përkohësisht edhe Durrësin, Bendën, Krujën dhe Kunavinë dhe u përfshi në mosmarrëveshje për kufijtë dioqezanë me Ipeshkvinë e Lezhës. Pas vitit 1640, Ipeshkvia e Arbnit pushoi së pasuri një ipeshkëv të veçantë dhe administrimi i saj iu bashkua Kryeipeshkvisë së Durrësit. Në këtë mënyrë, historia e Ipeshkvisë së Arbnit, pasqyron edhe përplasjen ndërmjet juridiksioneve lindore dhe perëndimore, forcimin e autoritetit të Selisë së Shenjtë, ndryshimet e kufijve dioqezanë dhe, në fund, pasojat e pushtimit osman mbi organizimin dhe jetën e Kishës.
II. Ipeshkvia e Balecit (Ballezës)
Baleci, i njohur në burimet latine si Balesium, Balleacensis, Balacensis ose Balecensis, ishte një qytet mesjetar arbëror në luginën e Rrjollit, në Malësinë e Madhe. Ai përmendet si seli ipeshkvnore që në vitin 1062, në letrën e Papës Aleksandri II drejtuar Arqipeshkvit të Tivarit, duke u përfshirë në hierarkinë kishtare të kësaj province. Pas kësaj periudhe, emri i Balecit zhduket për më shumë se tre shekuj nga katalogët kishtarë, për t’u shfaqur përsëri në shekullin XIV si një nga ipeshkvitë e Provincës së Arbërisë Dalmate.
Baleci kishte edhe një kështjellë të rëndësishme, e cila, ndonëse ishte rrënuar, u rindërtua dhe u fortifikua nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në vitin 1448, gjatë luftës kundër Venedikut. Sipas Giammaria Biemmit, pak më vonë kështjella u shkatërrua nga forcat venedikase të Shkodrës. Me shkatërrimin e saj u dëmtua rëndë edhe kisha, ndërsa ipeshkvia u shpërnda ndër dioqezat fqinje. Kjo solli jo vetëm zhdukjen e institucionit, por edhe humbjen e kujtesës topografike dhe të kufijve të saj të dikurshëm.
Nga ipeshkvijtë e Balecit, disa prej të cilëve njihen vetëm nga dokumentet, veçohen Gerviku (1347) dhe Andreu (1351), ndërsa në shekullin XV përmenden Alfonsi (1420), Mikeli (1424) dhe Bernardi (1428). Pas tij përmendet Leonardi (1459) dhe, si ipeshkvi i fundit i njohur i Balecit, Danieli (1478). Pas kësaj kohe ipeshkvia nuk përmendet më si njësi më vete, pasi territori i saj u nda ndër dioqezat fqinje. Kështu, historia e Balecit është një shembull i qartë i fatit të shumë qendrave kishtare arbërore: nga një seli ipeshkvnore e dokumentuar që në shekullin XI, në një qendër të goditur nga luftërat e shekullit XV dhe më pas të zhdukur si institucion kishtar.
III. Ipeshkvia e Budvës
Budua (Budva) është një nga qytetet më të lashta të bregdetit dalmat, e cila përmendet që nga autorët e lashtë me emra të ndryshëm si Budua, Budva, Budoa, Butuam e të tjerë. Pas ndarjes së Perandorisë Romake, qyteti kaloi nën ndikimin e Perandorisë së Lindjes, ndërsa gjatë mesjetës u gjend nën sundime të ndryshme: bizantine, hungareze, serbe, të Balshajve dhe më pas venedikase. Në vitin 1450, përballë rrezikut osman, Budua, së bashku me Tivarin dhe Ulqinin, pranoi mbrojtjen e Venedikut, duke ruajtur statutet, privilegjet dhe një pjesë të vetëqeverisjes së saj.
Ipeshkvia e Buduës është e lashtë dhe, sipas Illyricum Sacrum, lidhet me organizimin kishtar të Metropolisë së Dioklesë, të vendosur në Koncilin e Dumnos të vitit 877. Më vonë, me zhvendosjen e qendrës metropolitane drejt Tivarit dhe ndryshimet në organizimin kishtar, Budua kaloi nën juridiksione të ndryshme. Monumentet më të rëndësishme të qytetit ishte katedralja e Shën Gjon Pagëzorit, kisha e Shën Marisë së Kalasë dhe kisha e Shën Marisë së Kepit.
Ndër ipeshkvijtë e hershëm përmenden Silvestri (1141), Sebarisi (1196), Ptolemeu (1245) dhe Inceleri (1276). Veçanërisht interesante është koha e Sebarisit, kur Vukan Nemanjiqi dhe Stefan Nemanjiqi kërkuan afrimin me Selinë Apostolike të Romës. Më vonë, në kohën e Gjonit (1326), gjendja politike u përkeqësua dhe presioni ndaj katolikëve në territoret serbe ndikoi edhe në Kishën e Buduës. Për rrjedhojë ipeshkvi Gjon u detyrua të largohej në Itali.
Një periudhë tjetër vendimtare filloi në shekullin XV. Ipeshkvi Jakobi (1447) dëshmon për lidhjen e Buduës me Provincën e Raguzës dhe për gjendjen e rëndë të qytetit pas sulmeve të vazhdueshme nga Nemanjiqët, Balshajt, Gjergj Brankoviqi, Stefan Lazar Hrebeljanoviqi. Me vendosjen e sundimit venedikas në vitin 1450, Kisha dhe qyteti filluan gradualisht të rimëkëmbeshin. Gjoni VII (1455) lidhet me këtë periudhë të rikthimit të pronave dhe të rindërtimit të jetës kishtare nga sundimtarët venedikas. Më pas, gjatë shekullit XVI, Selia Apostolike bëri disa herë bashkimin dhe shkëputjen e Buduës nga Tivari. Simoni (1518), Gundisalvi (1524) dhe Jakobi (1530) janë ndër figurat që lidhen me këto ndryshime. Një figurë e veçantë është Ludoviku (1541), i cili ishte njëkohësisht Ipeshkëv i Buduës dhe Arqipeshkëv i Tivarit. Pas tij, Gjon Bruni mori administrimin e kishës për disa vite. Antoni (1558) ishte ipeshkvi i fundit i Buduës i emëruar si ipeshkëv i veçantë. Ndërkohë, në 1571, Budua u pushtua dhe u plaçkit nga osmanët, ndërsa në 1573 Venediku e rimori qytetin dhe rindërtoi muret, kalanë dhe katedralen. Megjithatë, qyteti kishte humbur një pjesë të madhe të popullsisë dhe rëndësisë së mëparshme. Pas Antonit, Budua nuk pati më një ipeshkëv të përhershëm dhe administrimi i saj iu besua, në periudha të ndryshme, ipeshkvijve dhe administratorëve të dioqezave fqinje.
Pas ipeshkvit Antonio, kisha e Buduas u administrua nga qendrat kishtare fqinje, veçanërisht nga Kryepeshkopata e Tivarit, selia e së cilës u vendos përkohësisht aty në vitin 1579 nga kryepeshkopi Ambroz Kapiqi. Më pas, administrimi i kishës lidhet me Françesk Krutën, i cili rindërtoi selinë ipeshkvnore të Buduës, ndërsa në vitet pasuese ajo administrohej nga ipeshkvij të Shkodrës, vikarë apostolikë dhe arqipeshkvij të Tivarit. Gjon Markoviqi, në vitin 1649, i raportoi Kongregatës së Shenjtë për varfërinë dhe vuajtjet e mëdha të banorëve të Buduës dhe për nevojën e ndihmës për të krishterët e ardhur nga trevat shqiptare për shkak të përndjekjeve osmane.
Në gjysmën e dytë të shekullit XVII, Kisha e Buduës u lidh veçanërisht me Pjetër Bogdanin, atëherë Ipeshkëv i Shkodrës, dhe me Andrea Zmajeviqin, Arqipeshkëv i Tivarit, i cili mori administrimin e saj në vitin 1671. Më pas administrimi kaloi përsëri te figura të tjera kishtare të Kotorrit dhe më pas Metropolisë së Tivarit, nga e cila administrohet edhe sot (1791).
Kështu, historia e Ipeshkvisë së Buduës paraqet një vazhdimësi të gjatë, por edhe shumë të trazuar: nga një seli e lashtë e lidhur me Dioklenë, te Raguza dhe Tivari, nga sundimi serb e venedikas te pushtimi osman dhe rindërtimi i qytetit. Përmes historisë së ipeshkvijve, kishave, Zojës së Buduës dhe figurave si Pjetër Bogdani, Andrea Zmajeviqi dhe Ambroz Kapiqi, kjo ipeshkvi dëshmon rëndësinë e Buduës si një nga qendrat e vjetra të krishterimit në Adriatikun jugor.
IV. Ipeshkvia e Shasit
Shasi (Suacia, Svacia, Svatia) ishte një qytet i rëndësishëm i Dalmacisë së Sipërme dhe një nga qendrat e vjetra ipeshkvnore të kësaj treve. Sipas traditës së sjellë në Illyricum Sacrum, emri i qytetit lidhej me Shën Astin, martirin dhe Ipeshkvin e Durrësit. Që nga ardhja e sllavëve në shekullin VII, Shasi kaloi nën sundime të ndryshme serbe dhe më vonë osmane, derisa në shekullin XVI, pas pushtimit turk, qyteti u rrënua dhe u braktis pothuajse tërësisht. Fillimi i Ipeshkvisë së Shasit lidhet nga autori me Koncilin e Dumnos të vitit 877, ku Shasi paraqitet ndër qytetet që hynin në juridiksionin e Metropolisë së Dioklesë. Në periudhat e mëvonshme, kjo ipeshkvi kaloi nën varësi të ndryshme kishtare, duke u lidhur me Splitin, Tivarin dhe Raguzën, përpara se të rikthehej përsëri nën juridiksionin e Tivarit.
Një nga episodet më të veçanta të historisë së kësaj ipeshkvie lidhet me Ipeshkvin Dedë (1199). Ai u akuzua nga kleri dhe banorët e Shasit për përfshirje në një vrasje dhe u shkarkua pas një hetimi kishtar në Tivar. Deda, megjithatë, tentoi të rikthehej duke paraqitur një letër të falsifikuar, sikur ishte dokument i Papës që e shpallte atë të pafajshëm dhe i rikthente selinë. Vukan Nemanjiqi, duke dyshuar për vërtetësinë e saj, kërkoi që çështja të sqarohej në Romë. Mashtrimi u zbulua, Deda u arratis, ndërsa ipeshkvi me inicialin G. u rikthye në krye të dioqezës. Një tjetër moment i rëndësishëm lidhet me Ipeshkvin Benedikt (1307). Gjatë përkeqësimit të marrëdhënieve me pushtetin serb dhe veçanërisht pas qëndrimit më armiqësor të Stefan Uroshit II Milutin ndaj katolikëve latinë, Benedikti u detyrua të largohej nga Shasi. Ai shërbeu më pas edhe si Ipeshkëv i Bosnjës dhe administrator i Kishës së Shasit, ndërsa në vitin 1317 u zgjodh në Selinë Metropolitane të Raguzës.
Në shekullin XIV, Shasi u përfshi në zhvillimet politike të Balshajve. Ipeshkvi Pjetër (1360) luajti një rol të rëndësishëm në afrimin e kësaj dinastie me Kishën e Romës. Në vitin 1368, ai u dërgua në Romë nga Strazimiri, Gjergji dhe Balsha, sundimtarët e Zetës, për t’i paraqitur Papës dëshirën e tyre për të hequr dorë nga skizma dhe për t’u bashkuar me Kishën Romake. Me urdhër të Papës, ky qëndrim u shpall publikisht në katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër. Ky është një nga episodet më të rëndësishme të historisë së Ipeshkvisë së Shasit, sepse tregon rolin e saj në marrëdhëniet ndërmjet elitave politike të Zetës dhe Selisë Apostolike.
Në shekullin XV, gjendja e Shasit u përkeqësua nga luftërat dhe zgjerimi osman. Pjetri IV (1420) administroi për një periudhë të gjatë Kishën e Shasit dhe iu besua edhe administrimi i pasurive të Arqipeshkvisë së Tivarit kur ajo ishte pa titullar. Ndërsa Antoni II (1446) jetoi në një periudhë të trazuar nga luftërat e Skënderbeut kundër osmanëve. Në vitin 1467, me urdhër papnor, administrimi i Shasit kaloi te Arqipeshkvi i Tivarit dhe për një kohë të gjatë dioqeza u drejtua prej tij. Në fillim të shekullit XVI pati edhe përpjekje nga Selia Apostolike për ta shkëputur Shasin nga Tivari. Gjoni (1520) u vendos në krye të dioqezës nga Papa Leoni X, ndërsa në vitin 1530 Klementi VII e shkëputi përsëri Shasin nga Tivari dhe emëroi Tomën, i cili do të ishte ipeshkvi i fundit i njohur i kësaj dioqeze. Pas vdekjes së tij, Shasi mbeti pa ipeshkëv. Pushtimi osman i vitit 1571, që preku edhe Tivarin dhe Ulqinin, solli rrënimin përfundimtar të qytetit. Historia e Shasit është kështu historia e një prej qendrave të vjetra kishtare të trevave arbërore, e cila kaloi nëpër shumë juridiksione dhe përjetoi ndryshimet politike të cilat do ta çonin drejt shkatërrimit total si qytet dhe si ipeshkvi.
V. Ipeshkvia e Ulqinit
Ulqini, i njohur në burimet e lashta si Olcinium, Olchinium, Ulcinium, Helcinium e Dulchinium, ishte një nga qytetet më të lashta të bregdetit Adriatik. Pas luftës kundër mbretit ilir Genti në vitin 168 p.K., Ulqini hyri nën sundimin romak. Pas ndarjes së Perandorisë Romake, qyteti kaloi nën Bizant dhe më vonë u përfshi në ndryshimet e shumta politike të Dalmacisë së Sipërme. Në mesjetë Ulqini kaloi në periudha të ndryshme nën sundimin bizantin, venedikas, hungarez, serb dhe të Balshajve. Përballë rrezikut osman, Ulqini, së bashku me Tivarin, Buduën dhe Shkodrën, u lidh me Venedikun. Kjo periudhë solli një zhvillim të rëndësishëm të qytetit, por përfundoi me pushtimin osman të vitit 1571.
Historia e Ipeshkvisë së Ulqinit është po aq e vjetër sa historia e qytetit mesjetar. Dëshmia më e hershme lidhet me Koncilin e Dumnos të vitit 877, ku Ulqini paraqitet ndër selitë e përfshira në Metropolinë e Dioklesë. Pas dobësimit dhe shkatërrimit të Dioklesë nga car Simeoni i Bullgarisë, ipeshkvijtë e Dalmacisë së Sipërme, përfshirë Ulqinin, u lidhën me Arqipeshkvinë e Splitit. Pasi u mbytën në det ipeshkvi i Kotorrit, Tivarit, Ulqinit e Shasit, duke vajtur në koncilin provincial të Splitit më 1030, do themelohej Metropolia e re kishtare, në Tivar duke u shndërruar në qendër metropolitane për dioqezat përreth. Ulqini iu nënshtrua Arqipeshkvisë së Tivarit, por autoriteti mbi këto dioqeza u kundërshtua vazhdimisht nga Raguza. Në fund të shek. XI, gjatë vakancës së selisë së Tivarit, Ulqini dhe dioqezat e tjera iu bashkuan Metropolisë së Raguzës. Në vitin 1178 Tivari rifitoi statusin metropolitan, ndërsa konflikti me Raguzën vazhdoi derë më 1250 për juridiksionin e kishave të Dalmacisë së Sipërme.
Në vitin 1023 papa Benedikti ia atribuoi kishën e Ulqinit së bashku me kishat e tjera të Dalmacisë së Sipërme, Metropolisë së Raguzës, ndërsa në vitin 1062 ajo ishte ndarë mes ipeshkvijve fqinjë ndoshta për mugesë të ipeshkvit, për t̛u permendur sërisht si ipeshkvi në vitin 1076. Në fund të shek. XI Metropolia e Tivarit do t̛i bashkangjitej asaj të Raguzës, pasi kishte mbetur pa arqipeshkëv deri në vitin 1150. Ipeshkëv Natali (1199) lidhet me një nga momentet më të rëndësishme të historisë kishtare të trevës. Në atë vit, në kuadër të rivendosjes së autoritetit metropolitan të Tivarit, Kryepeshkopi Gjon i Tivarit, me delegatët e Selisë Apostolike, mori palliumin dhe njohjen e statusit metropolitan nga Papa Inocenti III. Në juridiksionin e tij përfshiheshin edhe një sërë dioqezash të Dalmacisë së Sipërme, ndër to Ulqini, Shkodra, Pulti dhe Drishti.
Një tjetër episod i rëndësishëm lidhet me Ipeshkvin Mark (1258), i cili në kohën e konfliktit të gjatë ndërmjet Raguzës dhe Tivarit për të drejtën metropolitane, u rreshtua kundër pretendimeve të Raguzës dhe u thirr përpara autoriteteve të Selisë Apostolike.
Në vitin 1288, një ngjarje e rëndësishme për jetën kishtare të Ulqinit lidhet me Helenën e Anzhuit, mbretëreshën e Serbisë dhe bashkëshorten e Stefan Uroshit I. Ajo themeloi manastirin e Shën Markut në Ulqin dhe ua besoi françeskanëve, duke e bërë një nga institucionet katolike më të rëndësishme të qytetit.
Në kohën e Ipeshkvit Tomë (1331), konfliktet ndërmjet pasardhësve të Stefan Milutinit sollën shkatërrime dhe rënie të të ardhurave të dioqezës. Më vonë, gjatë sundimit të Stefan Dushanit, marrëdhëniet me katolikët dhe me Selinë Apostolike mbetën të ndërlikuara. Ipeshkvi Gjon (1354) lidhet me përpjekjet e Dushanit për t’u afruar me Romën: përmes ambasadorëve të tij u kërkua ndërhyrja e Papës dhe dërgimi i legatëve apostolikë, por përpjekja nuk solli rezultat.
Gjatë shekujve XV–XVI, Ulqini vazhdoi të kishte ipeshkvijtë e vet, por varësia e tij nga Tivari u bë gjithnjë e më e fortë. Lorenci (1515) është një shembull i kësaj lidhjeje: në vitin 1517, kur u ngrit në Selinë e Tivarit si Arqipeshkëv, Kisha e Ulqinit iu bashkua administrativisht asaj të Tivarit për kohën që ai do të qëndronte në atë detyrë. Jakobi (1536) është gjithashtu një figurë e veçantë, pasi drejtoi njëkohësisht Ipeshkvinë e Ulqinit dhe atë të Buduës për rreth njëzet vjet.
Fundi i Ipeshkvisë së Ulqinit erdhi me pushtimin osman të vitit 1571. Qyteti u plaçkit, një pjesë e banorëve u vranë, ndërsa të tjerë u larguan. Kishat u shkatërruan ose u kthyen në objekte të tjera kulti dhe katedralja e Ulqinit humbi funksionin e saj të krishterë. Me këtë mori fund edhe tradita e emërimit të ipeshkvijve të Ulqinit si seli më vete. Pas shuarjes së dioqezës, kujdesi për të krishterët e mbetur në zonën e Ulqinit iu besua ipeshkvijve të dioqezave fqinje, veçanërisht Tivarit, të cilët administronin komunitetet e pakta të krishtera të shpërndara nëpër fshatra dhe u siguronin atyre katekizmin dhe sakramentet.
Historia e Ipeshkvisë së Ulqinit është historia e një prej qendrave më të lashta të krishtera të Adriatikut jugor: nga Dioklea dhe Koncili i Dumnos, përmes rivalitetit Tivar–Raguzë, marrëdhënieve me sundimtarët mesjetarë dhe zhvillimit të qytetit nën Venedik, deri te pushtimi osman i vitit 1571, që i dha fund ekzistencës së saj si ipeshkvi e veçantë.
VI. Dioqeza e Krajës
Kraja shtrihet në juglindje të Malit të Zi, nga Taraboshi deri në Malin e Rumisë, përgjatë bregut jugor të Liqenit të Shkodrës. Në burimet e vjetra ajo përmendet me emra të ndryshëm, si Craina, Creani dhe Crainae. Sipas një përshkrimi të arqipeshkvit të Tivarit, Mark Gjorgës, të dërguar në fundin e shekullit XVII Kongregatës së Shenjtë, Kraja dikur kishte qenë një qytet, ndërsa në kohën e tij ishte shndërruar në një fshat të vogël nën juridiksionin e Tivarit. Ai e përshkruan Krajën si një qytet mbretëror, ku kishte pasur selinë e tij Gjon Vladimiri, princi i Dioklesë, i cili nderohet si martir dhe shenjt. Sipas traditës, pas martirizimit të tij, bashkëshortja e tij, Kosara, i solli eshtrat në Krajë dhe i vendosi në kishën e manastirit kushtuar Nënës së Zotit. Kraja u bë një nga qendrat më të rëndësishme të kultit të Shën Gjon Vladimirit.
Organizimi kishtar i Krajës paraqet një veçanti. Drejtuesit e saj njihen si arqipeshkvij të Krajës, por juridiksioni i tyre duket se ishte i kufizuar kryesisht në qytetin dhe territorin përreth, ndërsa ata njihnin autoritetin e Arqipeshkvit të Tivarit. Kjo ndoshta ngaqë ishte qytet mbretëror dhe selia e princit Gjon Vladimiri, është nderuar me këtë titull nderi kishtar. Titulli i arqipeshkvit të Krajës shfaqet në burime në mesin e shekullit XV dhe emërimet bëheshin nga Selia e Shenjtë. Ndër arqipeshkvijtë e njohur përmenden Teodozi në vitin 1452, Pali më 1455, Andreu më 1476, Jakobi më 1482 dhe Françesku më 1495, ndërsa më pas përmenden Jeremia, Gjon Pagëzuesi dhe Jakobi II, i cili konsiderohet arqipeshkvi i fundit i Krajës.
Me kalimin e kohës, Kraja humbi rëndësinë e saj si qendër politike dhe qytetare dhe nga një vend që tradita e lidhte me oborrin e Gjon Vladimirit, u shndërrua në një vendbanim të vogël. Bashkë me këtë rënie u dobësua edhe rëndësia e saj kishtare dhe, pas arqipeshkvit të fundit, Jakobi II, nuk kemi më një vijimësi të qartë të kësaj selie. Për më tepër, vetë autorët e Illyricum Sacrum pranojnë se historia e Kishës së Krajës mbetet e paqartë dhe e mbushur me shumë pasiguri. Kjo e bën Krajën një rast të veçantë, ku tradita e lashtë, kulti i Shën Gjon Vladimirit dhe dëshmitë e pakta dokumentare ndërthuren, duke na treguar për një qendër të dikurshme me rëndësi politike dhe kishtare, e cila me kalimin e shekujve humbi gradualisht rolin e saj dhe u vu nën ndikimin e Tivarit.