
Analizë nga Rafael Floqi/
Kur shteti largohet nga fshati, fshati fillon të largohet nga shteti. Reforma territoriale premtoi administrim më të mirë, por Shqipëria përballet me një pyetje që nuk mund të zgjidhet duke ndryshuar kufijtë në hartë: kush do të mbetet për të jetuar në territoret që bashkohen? Shqipëria ka një problem që nuk zgjidhet me vizore, me laps e me hartë. Ka një problem që nuk matet vetëm me numrin e bashkive, me drejtoritë që bashkohen apo me zyrtarët që transferohen nga një ndërtesë në tjetrën. Ky problem është zbrazja e vendit. Dhe ndërsa politika diskuton se si të bëjë bashki më të mëdha, pyetja që mbetet pa përgjigje është shumë më dramatike: çfarë vlere ka një bashki e madhe, nëse brenda saj nuk mbeten njerëz?
Pas mesnate u votua ligji i ri për Hartën e re Territoriale, ku pas shumë polemikash, kundërshtish dhe debatesh, 85 deputetë votuan pro. Por me çfarë konsiston kjo hartë e re Territoriale? 28 Bashki konsolidohen në 13 bashki të reja duke bërë që struktura e re të përbëhet në total nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative.
Modeli i propozuar ruan Bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill, një administratë dhe një buxhet të vetëm. 13 Bashki me një popullsi të përgjithshme prej rreth 225 mijë banorësh, bashkohen me bashkitë fqinje.
Madje Partia Socialiste i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, ku parashikohet rishikimi i funksioneve, kompetencave dhe financave të pushtetit vendor.
Faza e dytë e reformës synon të trajtojë organizimin dhe mënyrën e funksionimit të pushtetit vendor, përtej ndarjes territoriale, me fokus te kompetencat, shërbimet dhe burimet financiare të bashkive.
Kavaja dhe Rrogozhina: Kur reforma territoriale bëhet kirurgji elektorale
Kavaja, qyteti që për dekada u identifikua me revoltën kundër komunizmit dhe me votën demokratike, rrezikon të zbulojë se në Shqipëri nuk është e nevojshme të fitosh zgjedhjet për të ndryshuar ngjyrën politike të një territori. Mjafton të ndryshosh kufijtë e tij! Përse duhet të bashkohet Kavaja, tradicionalisht demokrate, me Rrogozhinën, përgjithësisht socialiste? Mos vallë deti i Kavajës ka nevojë për lumin e Rrogozhinës, apo vota blu për një transfuzion të kuq? Nëse bashkimi propozohet pa argumente bindëse ekonomike, demografike dhe administrative, dyshimi lind vetvetiu: reforma nuk synon të afrojë shërbimet me qytetarët, por të afrojë rezultatin elektoral me dëshirat e pushtetit. Dhe kështu, ajo që nuk arrihet dot me bindje politike, mund të tentohet me vizore, kompas dhe hartë.
Në laboratorin e alkimisë elektorale, Kavaja mund të shndërrohet në eksperimentin e radhës. Nuk ke nevojë ta mundësh bastionin demokrat; mjafton ta tretësh në një njësi më të madhe administrative, derisa pesha e tij politike të zbehet. Një lloj gerrymandering-u me kostum reformatori, ku kufijtë administrativë rrezikojnë të kthehen në instrumente të inxhinierisë politike.
Por ironia më e madhe është se një reformë që premton zhvillim, decentralizim dhe efikasitet mund të përfundojë duke prodhuar centralizim politik dhe fshirje të identiteteve vendore. Sot mund të jetë Kavaja me Rrogozhinën; nesër një tjetër bastion opozitar mund të zbulojë se është bërë papritur pjesë e një bashkie ku votat e tij nuk peshojnë më si dikur. Por pushteti ka detyrimin të shpjegojë përse kjo formulë u shërben qytetarëve dhe jo partive. Sepse, nëse qëllimi i vërtetë është çmontimi i bastioneve të Partisë Demokratike, atëherë nuk kemi reformë territoriale, por një operacion politik me anestezi administrative.
Dhe në fund, Kavajës nuk do t’i kenë ndryshuar vetëm kufijtë: do të kenë tentuar t’i ndryshojnë peshën e historisë me matematikën e pushtetit.
Kur qendra rritet dhe periferia shuhet
Reforma territoriale e miratuar në vitin 2014, që hyri në zbatim në vitin 2015, e ndryshoi rrënjësisht organizimin vendor të Shqipërisë. Nga 373 njësi të qeverisjes vendore, vendi kaloi në 61 bashki. Premtimi ishte i qartë: më pak administratë, më shumë efikasitet, më shumë investime dhe shërbime më cilësore. Në teori, bashkitë më të mëdha do të kishin burime financiare dhe njerëzore më të fuqishme, ndërsa qytetarët do të përfitonin nga një qeverisje më profesionale.
Por një dekadë më vonë, bilanci nuk mund të lexohet vetëm në tabelat e buxhetit. Duhet lexuar edhe në fshatrat që kanë humbur banorët, në shkollat ku nuk dëgjohet më zilja, në shtëpitë me dyer të mbyllura dhe në tokat që mbeten pa u punuar.
Sepse një reformë administrative mund të jetë e suksesshme në letër, ndërsa territori që administron vazhdon të humbasë jetë.
Bashkimi i njësive vendore u mbështet në idenë se përqendrimi i burimeve do të përmirësonte shërbimet. Ky argument ka një bazë ekonomike: një administratë më e madhe mund të ketë specialistë më të kualifikuar, kapacitete më të mira planifikimi dhe mundësi për projekte infrastrukturore që njësitë e vogla nuk mund t’i përballonin.
Por Shqipëria nuk është një territor i njëtrajtshëm. Një bashki në ultësirë nuk përballet me të njëjtat kushte si një bashki malore, ku dhjetë kilometra rrugë mund të kërkojnë një orë udhëtim gjatë dimrit.
Kur qendra administrative largohet nga qytetari, shërbimi publik mund të bëhet më i kushtueshëm për atë që ka më pak mundësi ekonomike. Për të marrë një dokument, për të kërkuar ndihmë sociale apo për të zgjidhur një problem pronësie, banori i një fshati të largët mund të detyrohet të udhëtojë drejt qendrës së bashkisë.
Në këtë mënyrë, kursimi që realizon administrata mund të shndërrohet në shpenzim për qytetarin.
Dhe këtu fillon paradoksi: shteti kursen duke u përqendruar, ndërsa banori paguan për t’iu afruar shtetit.
Shpopullimi nuk filloi me reformën, por a u përshpejtua prej saj?
Do të ishte e pasaktë t’i faturohej reformës territoriale i gjithë shpopullimi i Shqipërisë. Emigracioni masiv nisi shumë më herët. Papunësia, varfëria, rënia e lindshmërisë, lëvizja drejt Tiranës e Durrësit dhe mungesa e perspektivës ekonomike kanë qenë faktorë vendimtarë. Megjithatë, kjo nuk e përjashton pyetjen nëse organizimi i ri administrativ i ka zbutur apo përforcuar këto prirje. Kur një komunitet humbet shkollën, ambulancën, transportin, shërbimet dhe aktivitetin ekonomik, largimi bëhet gjithnjë e më i mundshëm. Pakësimi i banorëve përdoret më pas si argument për të reduktuar shërbimet, ndërsa reduktimi i shërbimeve krijon arsye të tjera për largim.
Kështu lind një rreth vicioz: më pak njerëz, më pak shërbime; më pak shërbime, më shumë emigrim.
Ky mekanizëm nuk mund të shpjegohet vetëm nga kufijtë administrativë, por politika territoriale mund të ndikojë në mënyrën se si ai zhvillohet.
Mirdita, Dibra, Kukësi: territore që humbasin njerëzit
Në Mirditë, Pukë, Dibër, Kukës, Has, Tropojë, Mat, Skrapar, Gramsh e zona të tjera malore, shpopullimi nuk është më vetëm një çështje statistikore. Ai prek strukturën e familjes, vazhdimësinë e komuniteteve dhe mundësinë e zhvillimit ekonomik. Mirdita është një shembull domethënës. Me pasuri natyrore, histori, tradita dhe potencial turistik, ajo përballet me tkurrjen e popullsisë dhe dobësimin e disa vendbanimeve. Një fshat pa të rinj nuk humbet vetëm fuqinë punëtore. Humbet mundësinë për të mbajtur shkollën, për të zhvilluar bujqësinë, për të krijuar biznese dhe për të trashëguar kulturën lokale.
Një shtëpi e mbyllur sot mund të jetë një pronë e braktisur nesër. Një shkollë e mbyllur sot mund të nënkuptojë një komunitet pa familje të reja pas dhjetë vjetësh. Megjithatë, bashkitë nuk janë shkaktaret e vetme të këtyre ndryshimeve. Përgjegjësitë për arsimin, shëndetësinë, transportin dhe zhvillimin ekonomik ndahen ndërmjet pushtetit qendror dhe atij vendor. Prandaj edhe zgjidhja kërkon bashkërendim, jo vetëm ndryshim kufijsh.
Shqipëria jo bashki më të forta, por për territore të banueshme
Reforma territoriale duhet të lidhet me një strategji kombëtare kundër shpopullimit. Rrugët, interneti, transporti, arsimi, shëndetësia, bujqësia, turizmi malor dhe nxitja e sipërmarrjes nuk mund të trajtohen si çështje të shkëputura. Një bashki nuk bëhet funksionale vetëm sepse ka buxhet më të madh. Ajo bëhet funksionale kur qytetari ndien se shërbimi është i arritshëm, investimi është i drejtë dhe vendbanimi i tij ka perspektivë.
Për këtë arsye, suksesi i reformës nuk duhet matur vetëm me kursimet administrative, por edhe me cilësinë e shërbimeve, zhvillimin e zonave të largëta dhe mundësinë që familjet të vazhdojnë të jetojnë aty.
Përfundim: Harta nuk është atdheu
Shqipëria nuk po humbet vetëm banorë. Në shumë zona po rrezikon të humbasë vazhdimësinë e komuniteteve, kujtesën e vendbanimeve dhe potencialin e territoreve që për shekuj kanë qenë pjesë e jetës së saj. Sepse kufijtë mund të ndryshohen me një votim në Parlament. Por një fshat që zbrazet nuk mbushet me një vendim administrativ. Dhe nëse një ditë do të kemi bashki gjithnjë e më të mëdha, por gjithnjë e më pak njerëz që jetojnë brenda tyre, atëherë do të kemi arritur paradoksin më të dhimbshëm: ta kemi bashkuar Shqipërinë në hartë, ndërsa ajo vazhdon të zbrazet në realitet.