
Irena Dragoti/
Tre dekada në udhë, Atdhe, por ti pa lëvizur nga vendi.
Atdhe, sa herë duhet të dalim në rrugë për të të kërkuar atë që duhej të na e kishe dhënë si të drejtë, jo si mëshirë? Sa herë duhet të ngremë zërin që të na dëgjosh, pa u bërë borizanë që ia prish qetësinë pushtetit? Kanë kaluar më shumë se tri dekada dhe ne ende kthehemi te të njëjtat sheshe, me të njëjtat ankesa, me të njëjtat shpresa të plagosura, sikur historia të ketë ngecur në një rreth vicioz.
Kohët kanë ndryshuar, Atdhe, por ti ke mbetur peng i vetvetes.
Kanë ndryshuar brezat, teknologjia, lëvizja e lirë dhe mënyra si komunikon bota. Janë hapur dyer që dikur dukeshin të pakapërcyeshme. Kemi ndërtuar jetë të reja, me të cilat të krahasojmë e kthejmë sytë nga ti, me pyetje të vjetra.
Ku është drejtësia, dinjiteti apo ai shteti që nuk të detyron të lutesh për atë që të takon?
Pse qytetari duhet të bëhet protestues i përhershëm si kusht për të jetuar me ndershmëri në vendin e vet?
Dhe kështu, pas më shumë se tridhjetë vitesh, jemi përsëri në rrugë. Në rrugë babai im, në rrugë unë e tani në rrugë fëmija im. Jo sepse besojmë se dikush do të na dëgjojë, por sepse heshtja rrezikon të na bëjë bashkëfajtorë.
Pushteti na ofron shpjegime për dështimet e veta e kur i kërkojmë të ardhmen na përgjigjet me të kaluarën e dhunshme. Kërkojmë përgjegjësi dhe na servirin emra të rinj, të cilët, sapo ulen në karriget e vjetra, fillojnë të ngjajnë çuditërisht me ata që zëvendësuan.
Atdhe, ti ke një uri të çuditshme për heronj.
Prej dekadash nuk po ngopesh së kërkuari shpëtimtarë. Heronj të rinj për të zgjidhur plagët e vjetra, për të na çliruar nga dobësia e institucioneve, për të mbuluar vogëlsinë e një sistemi që nuk ka mësuar ende t’i shërbejë njeriut.
Por një vend që ka nevojë për heronj çdo mëngjes duhet të pyesë veten a ekziston???
Dhe ndërsa ti kërkon heronj, ndodh paradoksi që do të duhej të na turpëronte të gjithëve. Ata që duhet të ishin ende duke studiuar, duke lexuar, apo duke u formuar janë në rrugë të vendosin për fatin e etërve.
Ata nuk e falin padrejtësinë edhe kur ju leverdis, që të mos habiten kur ajo u troket në derë.
Atdhe, çfarë fytyre kemi para teje kur nuk kërkojmë lavdi, por një jetë të ndershme, drejtësi të barabartë dhe mundësinë për të mos u larguar nga vendi që duam???
Pse duhet të bëhemi heronj për të fituar të drejtën tonë?
Mbi tri dekada, Atdhe, që dalim në rrugë për të zgjidhur hallet tua, që në të vërtetë janë hallet tona. Kemi pritur që të ndryshosh, kemi ndërruar stinët e historisë, por nuk e di sa dekada të tjera do të na duhen për ta kuptuar se një atdhe nuk bëhet nga numri i heronjve që nxjerr, por nga numri i qytetarëve që duan të jetojnë me dinjitet.
E ndjej se shumë shpejt ti do të pushosh së kërkuari heronj për të kërkuar llogari. Do të pushosh së duartrokituri premtimet pa prekur veprat. Nuk do të matesh madhështinë e një njeriu nga sa njerëz e ndjekin, por nga sa të lirë mbeten ata që nuk e ndjekin.
Atdhe nënkupton cilësi jete që u ofron njerëzve të vet, drejtësia që u garanton, dinjiteti që ua mbron dhe e ardhmja që u jep arsye të qëndrojnë.
Dhe nëse, pas më shumë se tri dekadash, ne ende duhet të dalim në rrugë për të kërkuar këto, atëherë ndoshta pyetja më e dhimbshme nuk është pse nuk kemi arritur të ndryshojmë atdheun, por mos vallë kemi lënë vetëm heronjtë??
Mbi tri dekada në rrugë, Atdhe, pa mundur të të bëjmë vendin ku dashuria për ty të mos na kushtojë kaq shtrenjtë.