


Sokol Paja/
New York, 3 Dhjetor 2022 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Teqen Bektashiane Shqiptare të Amerikës, me rastin e 100 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, promovuan librin “Lincoln” të ish-Editorit të Diellit Xhevat Kallajxhiu.
Me pjesëmarrjen e vatranëve të veçantë e veprimtarëve të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë, ky promovim ishte nderim e mirënjohje mbi të gjitha ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin jubilar 1 shekull miqësi, figurës historike të Abraham Linkoln, dhe punës së Xhevat Kallajxhiut si editor i Diellit. Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA ku u ndal në kontributin e Xhevat Kallajxhiut në kohën kur ishte Editor i Diellit. Frank Shkreli në fjalën e tij theksoi se Xhevat Kallajxhi ishte patriot i madh, njeri i penës dhe adhurues dhe mbrojtës i të vërtetës. “Ai mishëronte, si rradhë kush, atdhedashurinë e tij me gazetarinë, duke përdorur gazetarinë në mbrojtje të Atdheut, të interesave dhe të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor. Xhevati i përkiste atij brezi antikomunist, si një veteran i vërtetë i luftës së ftohtë kundër komunizmit ndërkombëtar por edhe të atij regjimi komunist të Enver Hoxhës dhe krimeve të tija anë e mbanë Shqipërisë. Xhevati përveçse ishte një patriot shqiptar, ishte edhe mirënjohës i madh ndaj Amerikës” theksoi ndër të tjera z.Frank Shkreli. Studiuesi Idriz Lamaj lexoi për të pranishmit një parathënie të librit “100 anektoda” të Xhevat Kallajxhiut të botuara në gazetën Dielli. Dr. Paulin Marku në fjalën e tij tha se Xhevat Kallajxhiu meriton vëmendje të veçantë për rolin dhe kontributin e tij si një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dr. Marku u ndal te veprimtaria e Xhevat Kallajxhiut si patriot, gazetar, veprimtar i çështjes kombëtare. Ai u ndal dhe te libri “Lincoln”, rëndësinë e Presidentit Linkolnit në historinë e shtetit amerikan. Drejtuesi i Teqesë Bektashiane Shqiptare të Amerikës në Michigan Eliton Baba Pashaj në fjalën e tij tha se Xhevat Kallajxhiu është ndër njerëzit e rrallë të Shqipërisë, i cili sikundër disa nga personalitetet më të njohura të dijes shqiptare e ndau jetën e tij mes dy kontinenteve, Shqipërisë dhe Amerikës. Duke qenë një shqiptar i vërtetë, një atdhetar i lidhur fort me vendin e tij, me historinë e hershme të Shqipërisë dhe me vendlindjen, ai kudo dhe kurdo mbajti lidhje të forta me atdheun, me njerëzit, me fatet e kombit. Një njohës i mirë i historisë në thelbin e saj, një histori që është e lidhur fort me sakrificat njerëzore ndër shekuj, me gjakun dhe djersën e mijërave që kanë vënë jetën e tyre në kurbanin e mbijetesës së Shqipërisë, Xhevat Kallajxhi e ktheu në një mënyrë jetese këtë sakrificë dhe njohjen e madhe që ai kishte për njerëzit dhe ngjarjet madhore të atdheut të tij. Kjo lidhje e fortë, ky përjetim i thellë i një morali prej luftëtari dhe intelektuali dijeplotë, e bënë Xhevat Kallajxhiun të gjente gjithmonë një rast, një mundësi, një detaj dhe një formë të komunikimit me atdheun. Dhe jeta e tij mbeti e tillë, një luftëtar i skalitur në të gjitha mënyrat e sakrificave që kërkon atdheu dhe që mund t’i bëjë një njeri i denjë shpirtërisht dhe moralisht” tha ndër të tjera Baba Pashaj. Më tej ai shtoi se ky libër është nderim dhe respekt ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në përfundim të promovimit Baba Pashaj i dhuroi Vatrës një portret të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit të shtypur në vitin 1954. Ceremonia kulturore dhe patriotike u përmbyll me një koktejt të shtruar nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha.





See Insights and Ads
4848
2 comments
11 shares
Like
Comment
Share