Olldashi: PD rrëzon Ramën në 2015-ën, Basha: Klika marksiste erdhi në pushtet përmes mashtrimit/
Kandidati për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi vlerësoi procesin e zgjedhjeve brenda formacionit më të madh të së djathtës në Shqipëri, si një garë vlerash dhe që i jep anëtarësisë peshë në vendimmarrje. Në prezantim të platformës së tij për drejtimin e Partisë Demokratike pas dorëheqjes së liderit historik të demokratëve Sali Berisha, Olldashi foli edhe për avantazhet që e sjellin atë më konkurrues në këtë proces. Këto deklarata Olldashi i bëri në takimet që zhvilloi me strukturat e PD-së në Krujë, Fushë-Krujë dhe në Vorë. “Besoj se në këtë garë kam avantazhe: së pari, e njoh këtë strukturë më mirë, sepse kam një kohë më të gjatë dhe e kam njohur në kohë dhe nivele të ndryshme. E kam njohur pra gradualisht dhe jo menjëherë në drejtim. Së dyti, kam avantazh eksperiencën opozitare, unë e di çfarë është Partia Demokratike në opozitë, sepse kam qenë pjesë e saj në opozitë, sepse unë e di se çfarë është opozita, është një gjë krejt tjetër nga partia në pushtet, është një betejë krejt e ndryshme dhe që kërkon patjetër një ekspertizë dhe një eksperiencë. Së treti, avantazh është fakti që jam në Parlament dhe beteja mes mazhorancës dhe opozitës zhvillohet në Parlament dhe e katërta, që e kam të gjithë kohën në dispozicion për t’ja përkushtuar betejës politike që duhet të bëjë Partia Demokratike”. Në analizë të potencialeve të Partisë Demokratike dhe të historikut të saj në veprimet opozitare, Sokol Olldashi garantoi se demokratët kthehen në shumicë politike më 2015, në betejën e parë elektorale, në zgjedhjet lokale. “Detyra jonë si opozitë nuk është që ne të presim që ata të bien, detyra jonë është që t’i rrëzojmë. Ky është misioni ynë dhe këtë ne duhet të bëjmë në Parlament. Ne nuk kemi kohë të rrimë në opozitë, nuk kemi kohë të presim zullumet e këtij koalicioni që ka ardhur në pushtet. Partia Demokratike ka mision t’i rrëzojë një ditë e më parë, me të gjitha mjetet demokratike që njeh sistemi. Në vitin 1992, ne kemi fituar vetëm. Në vitin 2005 kemi fituar vetëm, më 2009 fituam vetëm dhe ne do të fitojmë në përballjen e parë elektorale me ta, që nuk është 2017, por zgjedhjet lokale 2015. Ne duhet të fitojmë pas dy vjetësh”. Në takimet në formatin e bashkëbisedimeve me aktivistë të PD-së në Krujë, Fushë-Krujë dhe në Vorë, Olldashi zbërtheu në detaje projektin e tij për rikthimin e Partisë Demokratike në destinacionin e përhershëm të saj, në forcë të parë politike. Platforma Olldashi synon rikthimin e vëmendjes tek militanca, që siç e quan ai është palca e një force politike. Ndërsa kërkon që paralelisht të ndërtohen mekanizimi i rezultatit, mekanizmi i karrierës dhe inventari i kontributeve për të vënë në punë motorët e jetës politike brenda Partisë Demokratike.
Ta rrëzojnë kundërshtarin në përballjen e parë elektorale
“Partia Demokratike e rrëzon Edi Ramën në zgjedhjet e 2015-ës”. Kështu deklaroi Sokol Olldashi, gjatë takimeve me aktivistë dhe drejtues politikë në Librazhd, Rrogozhinë dhe Kavajë, në vijim të fushatës së tij për t’u votëbesuar si kryetari i ardhshëm i Partisë Demokratike. Sokol Olldashi tërhoqi vëmendjen se, demokratët nuk mund të presin që kundërshtari i tyre të bie vetë, por duhet ta rrëzojnë atë në përballjen e parë elektorale. Olldashi tha se, Partia Demokratike me një strukturë të balancuar, të vënë nën stimul dhe përgjegjësi dhe me një njohje të pangatërruar të kontributeve, kthehet në një makineri politike dominuese në terren, që nuk mund ta ndalë asgjë dhe askush. “Ne nuk mund të presim që ata të bien vetë nga pushteti. Ne nuk mund të presim të humbasë Edi Rama. Jo, ne nuk do të presim. Ne do ta rrëzojmë Edi Ramën. Por, që të rrëzojmë Edi Ramën, duhet domosdoshmërit të bëjmë disa ndërhyrje: Duhet një betejë e tmerrshme opozitare në Parlament, por me një strukturë të balancuar, të vënë edhe nën përgjegjësi, edhe mbi stimul dhe të inventarizuar me kontributet e gjithsecilit, në mënyrë që partia të jetë e drejtë me gjithsecilin. Këto ndërhyrje e bëjnë Partinë Demokratike dinamike, e bëjnë dominante në terren, e bëjnë absolutisht një makineri që nuk ka asgjë që ta ndalë. Dhe në qoftë se mekanizimi do të funksionojë dhe ne, që në ditën e parë do të bëjmë një betejë të jashtëzakonshme opozitare në Parlament, unë jam i bindur që ne rikthehemi fitues në përballjen e parë elektorale që kemi me kundërshtarin tonë, në zgjedhjet lokale të vitit 2015”, theksoi Olldashi. Në bisedë me strukturat e Partisë Demokratike në Librazhd, Rrogozhinë dhe Kavajë, Sokol Olldashi foli për paketën e ristrukturimit të institucioneve të PD-së dhe për aksionin opozitar. Duke përforcuar qëndrimet për një konfigurim të qartë të poleve politike në vend, Sokol Olldashi tha se, në politikën shqiptare nuk mund të ketë më lojtarë mesfushorë. “Kundërshtari ynë në bllok është ish-Partia e Punës, ndërsa Partia Demokratike është shtëpia e opozitarëve”, deklaroi Olldashi.
PD duhet t’ia kthejë partinë, militantit
Sokol Olldashi, kandidat për postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë deklaroi në Elbasan se, ringritja e Partisë Demokratike nuk fillon nga kryetari i ri, por nga institucionalizimi i marrëdhënies me qelizën bazë, militantët. Në referencë të paketës për ristrukturimin e PD-së, Sokol Olldashi kërkoi të përcaktohen me statut: mekanizmi i rezultatit dhe mekanizmi i karrierës. “PD duhet t’ia kthejë “partinë” militantit!”, deklaroi zoti Olldashi për të vënë në kohë të plotë pune, të gjithë motorët e kësaj force politike, gjigante. “Ringritja, fillimi i ri i Partisë Demokratike nuk fillon nga kryetari i ri, fillon nga institucionalizimi i marrëdhënies me qelizën bazë të partisë, asnjë organizëm nuk mund të funksionojë nqs nuk funksionon qeliza bazë, nqs nuk funksionon AND-ja. Dhe ADN-ja e Partisë Demokratike nuk është kryetari, nuk është Kryesia, nuk është Këshilli Kombëtar, është demokrati i thjeshtë. Partia Demokratike duhet të ndërtojë me shpejtësi inventarin e kontributeve për secilin anëtarë të saj. Vetëm kështu do të jemi në gjendje që t’i japim gjithsecilit meritën që ka”, tha Olldashi. Në bashkëbisedimin me demokratët e Elbasanit, Sokol Olldashi theksoi rëndësinë e një veprimi të fortë opozitar për të kthyer Partinë Demokratike në një kohë sa më të shkurtër, në destinacionin e përhershëm të saj, fitoren. Piramida e gënjeshtrave të Ramës ka nisur të rrëzohet, tha Olldashi dhe PD ka përpara një mur që shembet lehtë. “Shikoni, çfarë po ndodh me administratën. Kanë deklaruar për vite me rradhë që ky vend ka 1 milion të papunë dhe sot deklaruan që ka vetëm 5 mijë e 300 aplikime në Partinë Socialiste. Ku janë 1 milion të papunët?! E gjithë piramida e gënjeshtrave elektorale të Edi Ramës do të fillojë të çmontohet një e nga një. Ne duhet të vazhdojmë dialogun më intensiv të mundshëm me qytetarët shqiptarë për të rrëzuar çdo skemë, çdo premtim, çdo politikë të shpallur, gjoja prej tyre”, përfundoi Olldashi. Kandidati për drejtimin e partisë më të madhe të së djathtës në vend, Sokol Olldashi, në vijim të takimeve në Qarkun e Elbasanit, për prezantimin e platformës së tij për t’u votëbesuar si kryetari i ardhshëm i Partisë Demokratike, u takua edhe me anëtarët e kësaj partie në Cërrik dhe Gramsh.
Basha: Erdhen në pushtet përmes mashtrimit
Kandidati për kryetar të PD, Lulzim Basha, ka prezantuar platformën e tij të drejtimit të kësaj partie, në Njësitë Bashkiake Nr. 5, 6 dhe 7 në kryeqytet. Zoti Basha ka theksuar se, në platformën e tij, çdo anëtar i PD do të vendosë përmes votës, për drejtuesit e partisë dhe kandidatët për zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme.“Të garantojmë jo vetëm që të dëgjohet zëri i çdo anëtari, por të respektohet zëri i çdo anëtari. Çdo anëtar të ketë të drejtën që të ketë një zë të barabartë, pra një votë, në çdo vendimmarrje të rëndësishme të PD, nga niveli i organizimit deri në nivelin e përzgjedhjes së kandidaturave tona, për përballje lokale dhe qendrore”, theksoi Basha. Gjithashtu kandidati për kryetar, ka theksuar se PD duhet të jetë në qendër të një fronti opozitar, i cili të përfshijë përveç aleatëve historikë të kësaj partie, të gjithë të mashtruarit e mazhorancës së re. “Duhet të jemi të gatshëm të nisim që sot aksionin tonë opozitar, me të gjithë aleatët tanë shoqërorë, me të persekutuarit, pronarët, me rininë, me botën akademike, me shoqërinë civile, me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe të fillojmë t’u faktojmë ditë për ditë zullumqarëve të 23 qershorit, se kanë përballë një forcë të gatshme për t’u përballur çdo çast me zullumin e tyre, por po kështu për të ofruar alternativën e së nesërmes”, theksoi Basha. Mazhoranca e 23 qershorit është e vetmja në botën demokratike, e ndërtuar mbi mashtrimin dhe shitblerjen e votës, ku misioni i saj, siç po faktohet çdo ditë nuk është zhvillimi, por zhbërja e arritjeve të këtij vendi. “S’ka asnjë shtet, asnjë shoqëri në historinë e Evropës, që të jetë ndërtuar mbi dy vlera, mashtrime piramidale dhe shitblerje votash. U kemi lënë një vend me rrugë të reja, u kemi lënë një vend me rini të mirëarsimuar, u kemi lënë një vend me administratë funksionale. Në vend që të mendojnë se si të ecin më përpara, në raport me dëshirat e problemet e qytetarëve, mendojnë në mënyrën më absurde se si të zhbëjnë arritjet tona”, përfundoi Basha.
Klika marksiste erdhi në pushtet përmes mashtrimit
Në fundjavë, kandidati për kryetar të PD, Lulzim Basha, ka prezantuar platformën e tij të drejtimit të kësaj partie, në Bilisht, Tepelenë dhe Ersekë. Zoti Basha ka theksuar se mazhoranca e re, ende pa ardhur në pushtet ka filluar të tërhiqet nga premtimet e saj, duke u faktuar shqiptarëve, se projekti i saj ishte thjesht dhe vetëm mashtrim. “Asnjë forcë demokratike, vetëm klikat marksiste vijnë në pushtet me mashtrime dhe premtimet e tyre, çdo ditë po faktohen që janë mashtrime, nga të cilat po fillojnë të tërhiqen akoma pa u zhdukur boja nga gishti i votuesve të mashtruar të 23 qershorit. Premtuan heqjen e taksave për 95% të shqiptarëve dhe kritikuan taksën tonë të sheshtë, por pardje thanë se, taksa e Sali Berishës qenka taksa më e mirë për ekonominë. Premtuan shëndetësi falas, por tani na thonë që: “jo, s’kemi marrëveshje koalicioni, do të jetë falas apo jo”. Premtuan 300 mijë vende pune, por kanë filluar me konkurse në faqen zyrtare të Internetit të Partisë Socialiste, çka paralajmëron pushime masive të administratës dhe zëvendësimin e tyre me militantë, mendësi kryekëput e partisë-shtet”, theksoi zoti Basha. Kjo mazhorancë e premtimeve piramidale, sipas Bashës duhet të përballet çdo ditë dhe çdo orë me mazhorancën morale të shumicës së shqiptarëve. Zoti Basha ka theksuar se, PD ka qenë që në krijim të saj dhe mbetet edhe sot, e vetmja shpresë e shqiptarëve për zhvillim dhe integrim. Partia Demokratike, e cila bëri realitet ëndrrat shekullore të shqiptarëve, sipas Bashës do të jetë e gatshme që nesër t’u kthejë shqiptarëve shpresën për të ardhmen. “Përballë na kanë ne, Partinë Demokratike të Shqipërisë, Partinë Demokratike të Sali Berishës, Partinë Demokratike të Azem Hajdarit dhe Gramoz Pashkos, që shembën komunizmin, eliminuan pasojat e tij, vunë bazën e parë të ekonomisë së tregut. Jemi ne që krijuam trashëgiminë e mirëqenies përmes punësimit, punësimit përmes investimeve, investime përmes një klime biznesi të paparaleltë në stimuj dhe lehtësira. Për këtë, jemi dhe duhet të jemi në çdo moment krenarë, kokëlartë dhe dinjitozë!”, theksoi Basha.
Mirënjohje ndaj anëtarësisë së PD
“Si kryetar i PD, do të mbaj një kontakt të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, me çdo anëtar e militant”, ky ishte zotimi që kandidati për kryetar të PD, Lulzim Basha, mbajti gjatë prezantimit të platformës së tij në Leskovik, Përmet dhe Paskuqan. Zoti Basha e ka konsideruar si një nga arsyet e humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit, mungesën e vëmendjes dhe mirënjohjes ndaj anëtarësisë së PD si dhe garantoi se si kryetar i PD, do të mbajë një kontakt të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, me çdo anëtar e militant të PD. “Një gjë mund t’ua them sot, jo si konkluzion, por si mendimin tim personal, si zërin tim individual, si anëtar i PD, se një ndër arsyet e humbjes ka qenë mungesa e vëmendjes dhe mungesa e mirënjohjes ndaj anëtarëve dhe militantëve të PD, ndaj dhe pika e parë e asaj që duhet të bëjmë si parti politike është të korrigjojmë këtë gabim dhe ta nisim, duke bërë të mundur, që në bazë të kontributit të çdo anëtari nga dita e parë e themelimit të partisë e deri më sot të vlerësohen edhe meritat, sot në opozitë dhe nesër në pushtet. Personalisht angazhohem, nëse më besohet kjo detyrë e lartë, që të mbaj një kontakt të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, me çdo anëtar e militant të PD”, deklaroi zoti Basha. Sipas Bashës, mazhoranca e re ka nisur që sot të zmbrapset nga premtimet e saj, me pretendimin se projekti i saj është për 8 vjet dhe jo për katër. “Partia Demokratike, tha Basha, duhet të jetë gati të rikthehet si mazhoranca e shpresës, për ëndrrat dhe aspiratat e shqiptarëve”. “Që sot kanë filluar të zmbrapsen si akrepi dhe të justifikohen në mënyrën më të paturpshme, se objektivat me të cilat morën pushtetin, mashtrimet e rilindjes së mashtrimit i paskan bërë për 8 vjet, por shqiptarët i votuan për 4 vite. Sot, na lind detyra të bëhemi gati, në mënyrë që duke i shkurtuar ditët kësaj mazhorance të mashtrimit, ne të jemi gati një orë e më parë, për t’u rikthyer si mazhoranca e shpresës dhe si forca e vetme, ku mund të mbështeten shqiptarët e ndershëm për ëndrrat e aspiratat e tyre”. Po ashtu, Basha ka theksuar se, Partia Demokratike do të jetë në qendër të një opozite të gjerë, përballë rilindjes së mashtrimit. “Që sot, ne duhet ta vendosim veten tonë në qendër të një fronti të gjerë opozitar, me të gjithë faktorët shoqërorë, të përndjekurit, pronarët, rinia, biznesi i vogël dhe i mesëm deri tek faktorët e tjerë shoqërorë, bota akademike, shoqëria civile, të cilët e kuptojnë se, mazhoranca e zullumit të 23 qershorit është në konflikt interesi me interesat e tyre dhe kanë shpresë që PD do të jetë mbrojtja, avokatja e interesave të tyre”, theksoi Basha.
Jemi nga fshati Shtyllas i Fierit ish kamp internimi fati jone kalonte gjurma e rruges e bypass Fierit, na i vlersuan me 2990 te vjeter meter katrori,arritem takuam Ministrin Olldashi, na premtoj se do e shikonte kete padrejtesi qe na eshte bere duke ne thene mos kini merak se do merem vete me kete problem.Shpresuam shume por vetem na mashtroj me pa fytyrsi.Kemi 22 vjet qe ja japim voten vetem Partis Demokratike nuk na mbetet tjeter vetem i lutemi si ish te internuar ti lutemi zotit ti japi fatkeqesi te tmerrshme atje ku ti dhembi me shume per gjith jeten.