

Dr. Paulin Marku*/
Isa Boletini ishte luftëtari e atdhetari i çmuar që luftoi në mbrojtje të trojeve shqiptare gjatë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Isa Boletini frymëzonte dhe bashkëpunonte me bashkëkombësit tonë në epokën e lavdishme të betejave dhe luftërave të shumta për çlirimin e vendit, për një Shqipëri të Lirë dhe të Pavarur, ku një rol të rëndësishëm në historinë tonë kombëtare. Lëvizja kombëtare e shqiptarëve do të mbahet mend në histori si sfida më e madhe e ekzistencës së kombit dhe të trojeve tona etnike, si dhe të rrezikut të madh të copëtimit të territorit shqiptar dhe betejave të shumta për të ardhmen e Shqipërisë së lirë dhe të pavarur. Isa Boletini, së bashku me shumë patriot të tjerë, u përballen me beteja e kryengritje në viset shqiptare. Isa Boletini i lindur më 1862 në Boletin të Mitrovicës dhe rritur me vlera patriotike e atdhetarie. Pas vdekjes së vëllait të madh, Ahmetit, ai mbeti i pari i shtëpisë. Perandoria Otomane besonte se do t’i nënshtronte lehtë Boletinët por ata e kuptuan shumë shpejt se paskan gabuar me perceptimin e tyre për nënshtrimin e Isa Boletinit.
Në betejën e vitit 1895 u sulmua Mitrovica nga Hafiz Pasha dhe xhandarët turq nën komandën e Mehmetit, të cilët u përballën me rezistencë të ashpër, kryesuar nga Isa Boletini me 20 shokët e tij që gjendeshin dhe shumë shpejt iu bashkuan edhe atdhetarë të tjerë. Në vitet 1901-1902, Isa vihet në krye të qëndresës popullore në Kosovë dhe në viset tjera kundra ndërhyrjeve të sulmeve huaja. Veprimtaria e tij luftarake ishte gjithnjë e në rritje, i cili mblidhte rreth vetes trima e atdhetar të shumtë. Pasi Turqit e Rinj morën pushtetin, pati kryengritje kundra qeverisë xhonturke për shkak të mos zbatimit të premtimeve elektorale dhe të politikave centralizuese me përqendrim të pushtetit në Stamboll. Vlen të theksohet se gjatë viteve 1909-1912 pati beteja e kryengritje të mëdha dhe rezistenca e shqiptarëve ishte e madhe, ku një ndër prijësit kryesor të betejave kryengritëse ishte edhe Isa Boletini, i cili udhëhoqi betejat në Vilajetin e Kosovës dhe shtriu bashkëpunimin me shqiptarët nga vise të ndryshme shqiptare.
Viti 1912 shënon ngjarjen historike për shqiptarët dhe për ndryshimet gjeopolitike e ushtarake në Ballkan, dhe në Perandorinë Osmane. Mbledhja e disa intelektualëve shqiptarë në Taksim të Stambollit, e mbajtur në janar 1912 ishte dakortsuar që kryengritja e përgjithshme shqiptare të fillonte në pranverë të vitit 1912 për çlirimin e tokave shqiptare nga sundimi osman dhe t’i mbronin nga copëtimi i ekspansionizmit serb, malazez, grek etj…Isa Boletini ishte një prijës e lider ushtarak i dalluar, i dalë nga fryma atdhetare popullore me dukuri e veçori patriotike. Ai ka kontribute të çmuara, së bashku me krerë të tjerë kryengritës duke bashkëpunuar me intelektual e politikan të kohës, me në krye diplomatin Ismail Qemali.
Isa Boletini ishte figurë e shquar gjatë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe ka një rëndësi të veçantë në plejadën luftarake për plotësimin dhe jetësimin e idealeve të parëve tanë, një dëshmi e fortë dhe e vështirë në realizimin e aspiratave kombëtare shqiptare në luftën për Liri e Pavarësi. Duhet të themi me bindje se jeta dhe vepra e Isa Boletinit dhe bashkëkombësve të tij, si shumë personalitetet të tjerë të pushkës e të penës si, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Negjib Draga, Syrja bej Vlora, Preng Bib Doda, Idriz Seferi, Bajram Curri, Ded Gjo Luli, etj… , që jetuan në epokën e lavdishme të çlirimit të atdheut tonë kombëtar duke luftuar për të drejtat tona për Liri e Pavarësi, për mbrojtjen dhe ruajtjen e gjuhës e trashëgimisë shqiptare dhe për mbrojtjen nga copëtimi i tokave shqiptare. Shqiptarët u bashkuan në kauzën e përbashkët dhe triumfuan në çështjen kombëtare shqiptare, të dëshiruar prej shekujsh, të cilët arritën të shpallin Pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë dhe krijuan qeverinë e parë shqiptare. Ata i drejtuan telegrame ndërkombëtarëve për Shpalljen e Shtetit të ri modern të Shqipërisë dhe kërkonën mbështetjen e tyre.
Isa Boletini shkoi në Vlorë me një numër të madh luftëtarësh dhe ishte në mbrojtje të qeverisë së Ismail Qemalit. Për veprimtarinë luftarake në mbrojtje të tokave shqiptare shkruante edhe shtypi i kohës dhe relatuan diplomatë të huaj. Ata e cilësonin Isain si atdhetar e luftarak i epur për liri, si “shpirti i luftarak i kryengritjeve shqiptare” dhe e konsideronin si njohës i skemave taktike të luftimeve ushtarake që gëzonte përkrahje të madhe popullore, ku mendohet se ai udhëhiqte me mijëra veta, pra, ndër çetat më të mëdha të kohës. Mund të thuhet me bindje se Ismail Qemali i besonte dhe kishte konsiderate për Isa Boletinin dhe e konsideronte krahë të djathtë mbrojtës ushtarak të qeverisë së Vlorë. Ndaj, nuk është rastësore që në delegacionin që formoi Ismail Qemali për të shkuar në Londër nga fundi i marsit 1913, ai pati me vete Isa Boletinin, si pjesë të delegacionit që përfaqësonte Kosovën për peshën e atdhetarisë dhe të qëndrimit të palëkundur edhe për mbështetjen që i dha Qeverisë së Vlorës.
Ndaj edhe emërtimi i rrugës këtu në Staten Island, New York që sot po inaugurojmë me emrin Isa Boletini, pranë diplomatit e politikanit shqiptar Ismail Qemal Vlora, përurua më 3 qershor 2023 këtu në Staten Island dhe sot jemi mbledhur në përurimin e rrugës Isa Boletini, që i atribuohen tipare të njeriut që nuk reshti së luftuar si një prijës e luftëtar për shqiptari qysh prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në ditën e vrasjes më 16 janar 1916. Isa frymëzohej në pohimin e tij, se “Unë jam mirë kur është mirë Shqipnia”. Për veprimtarinë e Isa Boletinit janë mbajtur dhe botuar kumtesa e studime shkencore, simpoziume, monografi dhe zëra në fjalor historik-enciklopedik nga autor shqiptar e të huaj. Figura e Isa Boletinit meriton plotësisht vlerësim dhe nderim sepse është imazhi burrëror e luftarak, një figurë e fuqishme e kohës së Shqipërisë së trazuar.
Në mbyllje të këtij fjalimi me rastin e përurimit të rrugës Isa Boletini këtu në Staten Island, N.Y. uroj të gjithë ata që iniciuan dhe realizuan me sukses emërtimin e kësaj rruge, kryesuar nga Nazer Nika dhe të gjithë ata që mundësuan këtë emërtim rruge. Këtë ligjëratë po e mbyll me një thënje të shprehur në kujtimet e Tafil Boletinit për qëndrimin e Isa Boletinit në Londër, i cili shprehej, “nuk kam ardhur në Londër vetëm për Mitrovicën por për çdo pëllëmbë tokë shqiptare”. E gëzofshim rrugën Isa Boletini! Urime!
*Ligjërate e mbajtur me rastin e inaugurimit të rrugës Isa Boletini në Staten Island, New York, më 30 nëntor 2025.
(Isa Boletini lindi në Boletin Mitrovicë, më 15 janar 1864 dhe vdiq më 23 janar 1916 në Podgoricë)