Zonja me perla
Dehje dallge – buzëqeshja e saj,
Fërfërim’ e flokëve – fushë me grurë,
Krahë që imitojnë përqafime fluture,
Që pres të kthehen e s’mbritën kurrë!
Ajo s’mbante në qafë bizhu të çmuar,
Sytë blu i kish përmbytur krejt perla!
Misteret dhe magjin e saj enigmatike,
I ngarkojn’ marinarët anijeve në skela!
Po s’di nga cila galaktikë ajo u arratis,
Ra tek unë rastësisht apo erdhi vet’?
O Zot, po pse m’dha puthje t’Nefertitit…
Dhe më detyron të rrëkëllej një det!?
Spirancë e fundosur tani heshtje saj,
Po unë si guask’ mos kam vdekur vetë?!
Mjafton të shoh një anije në horizont,
T’gjallërohem, që kjo s’është e vërtetë!
Po ti një ëndërr, rrëmbeja Luther King
E dashur, shtroje krejt urë përmbi det,
Pastaj, në djall le t’ikin vitet e vetmisë,
Dhe e gjithë bota le të ik në dreq!
S’po ngazëllehem se larg feks një vel,
Që ngjet me udhëtimin tipik surreal,
Në ritualin e përditshëm pres zonjën,
Me perla, me mjekrën time të bardh’!
****************************************************
Letër nga New York-u
Mbi rrasën e pusit pran’ shtëpisë,
ulur rri e mendoj;
për kujtimet e fëmijërisë,
që m’trokasin fort’ në portë.
Ç’rastësi!
Një mesazh në celular më befasoi,
vjen nga im kushëri,
që banon në New York!
A e mban mend motër, më thotë;
– Kur ishim fëmijë,
kur luanim me porta,
me topin tonë prej lecke?!
Sa herë ti më bëje hile
në gjuajtje penalltije,
edhe hëna mërzitej
e ndukte faqet si rrecka!
Kur gjarpëronte
makina – postë tej në xhadetë,
në barkun e saj të bardhë,
zienin; lajme, mall,
derdheshin n’ato letra;
hallet, brengat, dashuritë,
ne e ndiqnim me sy,
atje, rrëz’ një pllaje në mal!
Kur ngjiteshim,
ndër degët e manit në avlli,
me gjethe na puthte
në gushë e faqe!
A e di? Për ato perëndime
t’purpurta m’ka marr malli,
për të bukurat vashëza,
që binin erë manushaqe!
A të kujtohet motër,
kur laheshim te gjoli,
dhe një ditë mendova
t’i bija me not n’bregun tjetër?
Porse në mes të gjolit,
shkuma më doli,
ndërsa ti qeshje,
perëndimi digjte shallin e vjetër!
Këtu më zihet fryma,
nga rrëmuja molisëse…
Rrokaqiejt,
pronësojnë kaltërsirën an’ e kënd.
Për aty m’rri mendja,
nën kuben e drurëve në harlisje,
pezull si mjegull e tejdukshme,
e avullt, e ergjendtë…!
************************************************
Kam parë heshtje…
Kam parë heshtje dramatike me britma,
Derdhur në kanavacë, në një kryevepër!
E kam parë në një shtëpi të braktisur;
Memece dhe maskuar syrin e verbër!
Heshtja ime i ngjet një melodram-e,
Nga të qeshurat, brinjët lidh me shall,
Pastaj rebelohet, i bie me grusht ajrit,
Dhe duket, sikur më çon në djall!
Ndodh, që heshtja rri tek unë mërzitur,
Lamtumirën më lë, ngritur dorën shtizë!
Por në muzg, kthehet sërish tek unë,
Ka pasaportë, po nuk ka vizë!
Ajo seç ka ca gjëra të çuditshme, etruske;
Sytë e saj të dashur me kod i deshifroj
Me të qeshurat e saj, ndërtoj mëngjeset
Dhe gjithë botën, ndërtoj!
Unë gëzohem, kur ju shoh kaq të heshtur,
Në heshtje rrin’ dhe yj’t e ndrijn’ një botë,
Kësaj bote të heshtur që lëngon në borë,
I falni dashuri dhe klimë të ngrohtë!
Kam parë heshtje dramatike me britma,
Derdhur në kanavacë, në një kryevepër!
E kam parë në një shtëpi të braktisur;
Memece, dhe maskuar syrin e verbër!
*****************************************************
Casa di Giulietta
Mëngjesi më çoi në shtëpinë e Zhuljetës,
Muret, rëndojnë nga letrat: – Të dashuroj!..
Me to unë poeti, mund të ndërtoj mijëra libra
Dhe mijëra librari mund të ndërtoj!
Në oborr kumbonin vringëllima shpatash,
Romeo, dashurinë e marrë e kish bër’ litar,
Dhe kacavirrej në ballkon si Robinsoni,
U çmendën yjet, kush të ik më parë!
Po se po dhe hëna, krejt jeshil u fsheh,
Në një çast tragjik u mbytën serenadat,
Befas, Zhuljeta e përqafoi me ato krahë,
Të rën’ nga qielli, si prelude të kristalta!
Derën, ma hapi Zoti Uiliam Shekspir,
Natyrisht, në studio do e gjeja gjithsesi;
Tok me Hamletin dhe kafkën e të atit,
A mund të mendohet Shekspir pa tragjedi?!
Hyra në dhomën – marroke të Zhuljetës,
Atje, në fund të shtratit me harqe – gotike,
Këmish’ e natës dukej ende e ngrohtë,
Përzier me aroma lulesh ekzotike!
Ika në panik, se Shekspiri nuk të kursen,
Po sikur t’i ngjasoja me personazh të vet?!
Dhe vendoste, të më vrisnin Montague-t
A ndoshta, të fisit Capulet?!