• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2012

FESTA QE NA PERCANE

November 17, 2012 by dgreca

Pse është e pavend festa e çlirimit?/

NGA SAIMIR LOLJA  /

 Po bëhen mbi 20 vjet që vazhdon një ndarje midis njerëzve nëse dita e festës së ç/lirimit duhet të jetë 28 apo 29 Nëntori. Përçarja shtrihet që nga dy shqiptarë të kudondodhur në botë që diskutojnë për këtë “datë” e deri tek majat politike të shtetit zyrtar shqiptar. Vetëm fakti që kjo festë qeveritare (jo kombëtare, jo e përbashkët, jo e të gjithëve) sjell vetëm perçarje e grindje dhe aspak bashkim e respekt njerëzor, nënkupton që ajo “datë” nuk duhet të festohet; arësye të tjera renditen më poshtë.

            Fjalë për fjalë, nacional-çlirimtare domethënë se një komb, me këtë rast i yni, lirohet rrënjësisht (çlirohet) nga pushtuesit. Që këtu ky emërtim ngec, sepse kombi shqiptar nuk mbaron tek Ura e Shirokës, në Veri, apo në Kakavijë, në Jug, dhe të pranosh një ditë të tillë do të thotë të pranosh Shqipërinë e coptuar. Edhe në kohën e tanishme, regjizura dhe rolet e teatrit politik shqiptar s’kanë ndryshuar përveçse artistëve të rinj që i luajnë këto role. Njëra palë nga këta artistë thotë se ushtria gjermane kaloi Urën e Shirokës më 29 Nëndor 1944 në orën 00:15 të natës/mëngjez; pala tjetër e artistëve thotë se ushtria gjermane kaloi Urën e Shirokës në Shkodër më 28 Nëndor 1944 në orën 23:45, natën! Dokumenta të ardhura nga Gjermania në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë zyrtare tregojnë se forcat ushtarake gjermane të Luftës II Botëore ishin në Shqipëri edhe më tej se 29 Nëndori 1944 dhe kur u larguan [pa luftë] në Dhjetor 1944 ikën sipas planit të tyre të tërheqjes nga vendet e Europës Juglindore.

            Ç’do të thotë pushtues? Përgjigjen e jep vetë historia shqiptare që nga fundi i Nëntorit 1944: zbatimin mizor të “luftës së klasave”, përndjekjet masive të njerëzve, humbjen e të drejtave të tyre, internimet, burgosjet e pushkatimet, sidomos të ajkës së kombit, të shkollarëve, atdhetarëve e klerikëve të besimit të lirë fetar; grabitja e pasurive të tundshme dhe të patundshme: fabrika, dyqane, mjete prodhimi, sipërfaqe toke, mallra, sende me vlerë, vepra arti, monedha ari e bizhuteri, të tëra sipas një plani të paramenduar me etapa për zhdukjen e pronësisë private biles edhe në mendjet e njerëzve, dërgimi jashtë Shqipërisë i pasurive kombëtare; prishja e raporteve shoqërore dhe traditave qytetare; rrethimi me tela me gjemba i Shqipërisë (në bashkëpunim me të huajt); humbjen e plotë të lirisë së fjalës, shtypit, përfaqsimit politik dhe mendimit.

            Nëse Shqipërisë do t’i kishte ardhur liria pas Nëndorit 1944, atëhere luftimet dhe armiqësitë e lindura nga Lufta II Botërore në Shqipëri duhej të kishin mbaruar menjëherë pas Nëndorit 1944 dhe amnistia e përgjithshme duhej të ishte shpallur [ndonjëherë]. Nëse Shqipëria zyrtare do ishte e çliruar pas Nëndorit 1944, atëhere menjëherë pas Nëndorit 1944 do kishte parti politike që do përfaqsoheshin nëpërmjet zgjedhjeve të lira në Kuvend dhe shtypi do të përcillte fjalën dhe mendimin e lirë.

            Lufta II Botërore në Europë filloi më 7 Prill 1939 kur Italia fashiste, me pëlqimin nga qeveria britanike, sulmoi Shqipërinë. Si rrjedhim, Shqipëria u bë pjesë e teatrit luftarak botëror, donin apo nuk donin njerëzit e saj. Nëse hidhet vështrimi mbi shtetet e tjera që u përfshinë në Luftën II Botërore, mësohet menjëherë se nuk ka shtet që të festojë ndonjë ditë “të çlirimit”. Bie fjala, Bashkimi Sovjetik humbi mbi 26 milion njerëz në Luftën e Dytë Botërore dhe do i takonte atij në rradhë të parë të festonte një festë të tillë; por ai nuk ka patur ndonjëherë festë të tillë! Ajo që egziston dhe përkujtohet nga të gjithë në Europë është 8 Maji (9 Maji, me orën e Moskës), si dita e mbarimit të Luftës II Botërore dhe fitores kundër fashizmit. Shumë e thjeshtë dhe shumë thjesht, sepse më 8 Maj 1944 krye-komandanti i ushtrisë gjermane nënshkroi për palën gjermane kapitullimin e ushtrisë gjermane. Për sa i përket Shqipërisë, një dokument i ngjashëm kapitullimi nuk egziston dhe as kishte kushte të krijohej. Meqenësë Shqipëria zyrtare ishte pjesë e aleancës kundrafashiste gjatë Luftës II Botërore, po me ato aleatë dhe me të njëjtën mënyre duhej të festonte fundin e luftës botërore.

            Heqja e e “ditës së ç/lirimit” nuk do të thotë se mohohen luftimet apo shkatërrimet që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore. Heqja e “ditës së ç/lirimit” nuk do të thotë që të mos respektohen të gjithë luftëtarët që humbën jetën apo u plagosën në betejat ku shqiptarët morën pjesë, përfshirë edhe qindra partizanët shqiptarë që humbën jetën, si edhe të plagosurit, në luftimët matanë Hanit të Hotit e deri në Vishegrad të Bosnjes gjatë Luftës II Botërore. Heqja e e “ditës së ç/lirimit” nuk kërkon të harrohen të gjithë ato luftëtarë ose jo që u masakruan qëllimisht nga palët ndërluftuese të Luftës II Botërore. Si kudo, për një respekt madhor e të qytetëruar ndaj të Rënëve në luftra nevojitet dhe egziston një ditë përkujtimore e quajtur Dita e të Rënëve në Luftë. Për t’u kujtuar është 11 Nëntori që përkujtohet në Europën Qëndrore e Perëndimore si dhe në Amerikën e Veriut. 11 Nëntori përkujton dhe nderon humbjet e jetës të ushtarakëve dhe qytetarëve në kohë luftash. Kjo ditë e ka origjinën tek çasti i nënshkrimit të mbarimit të Luftës I Botërore prej ushtrisë gjermane në orën 11 të datës 11 të muajit të 11të (Nëntorit) të vitit 1918. Një gjë e tillë akoma po mungon në Shqipërinë zyrtare. Pjesmarrësit dhe të rënët ndër luftëra, ato që e përballuan luftën më forma e pasoja të ndryshme, pavarësisht se në cilën “anë” kanë qenë, pavarësisht se si ngjyrosen nga fituesit e luftës, i kanë pas marrë me vete dallgat e luftës të cilat nuk përcaktohen nga njeriu i veçantë. Të rënët dhe të plagosurit në luftra, ushtarakë dhe qytetarë, kanë qenë njerëz me të drejtën natyrore për të jetuar e për të mos u dëmtuar, prandaj është e domosdoshme me i përkujtuar pa dallim. Prandaj:

            Nuk mund të jetë festë mbarëkombëtare dhe e përbashkët një festim qeveritar që mbart në vetvete luftën dhe përçarjen midis shqiptarëve. Kjo nuk është për mburrje, por veçse për keqësi. Bashkimi, mirëqënia, bashkëjetesa, ripërtëritja, bashkëpunimi dhe përparimi kërkojnë mirënjohje e respket midis njerëzve, brezave e grupeve shoqërore. Që nga 1944, një “festë” e tillë nuk ka përcjellur nga brezat më të vjetër një mision të tillë për brezat e rinj. Një “festë” e tillë nuk e kryen një mision të tillë, në fakt e minon dhe e helmon një gjë të tillë. Një “festë” e tillë nuk ka patur patur ndonjëherë qëllim që të sillte armëpushim midis shqiptarëve dhe as të hamonizonte emocionet e njeriut të veçantë me respektin ndaj të gjithëve. Për më shumë, emërtimet (të mirët apo të këqinjtë) që rrjedhin nga kjo “festë” janë fare pa kuptim në kohën tonë.

            Nuk mund të festohet një ditë që i përket një “festë” e cila qëkur u montua vetëm Shqipërisë e kombit shqiptar nuk i ka shërbyer. Ajo “festë” i ka shërbyer dhe vazhdon t’iu shërbejë armiqve të Shqipërisë dhe në rradhë të parë të shteteve fqinje që akoma vazhdojnë t’i mbajë të pushtuara tokat shqiptare.

            Nuk mund të festohet një ditë që pranon një Shqipëri të coptuar dhe nga e cila rrodhën tradhëtitë ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, çarmatimi i shqiptarëve të Kosovës gjatë kthimit nga Vishegradi të dy Divizioneve shqiptare më 1945, lënia kështu e shqiptarëve të Kosovës të tradhëtuar dhe të pa armatosur përballë sulmit dhe masakrave të ushtrisë komuniste jugosllave, bashkëpunimi në masakrën e Tivarit, fashitja e çeshtjes çame duke i bëri qytetarë të Shqipërisë zyrtare çamët e përzënë nga grekërit, etj.

            Nuk mund të festohet një ditë e cila zanafillën e ka në tradhëtinë e madhe të PKSH duke prishur Marrëveshjen e Mukjes (Gusht 1943) dhe mosnjohjen e Kuvendit të Bujanit (fillim Janari 1944) nën udhëzimin e drejtpërdrejtë të emisarëve jugosllavë që themeluan e udhëhoqën PKSH dhe oficerëve britanikë që krijuan e mbajtën në këmbë ushtrinë partizane shqiptare. Marrëveshja e Mukjes bashkonte grupimet luftarake shqiptare duke patur në themel boshtin kombëtar shqiptar dhe Kuvendi i Bujanit vendosi që Kosova kishte të drejtën e vetvendosjes dhe të shkëputjes nga ish-Jugosllavia. Data 29 Nëntor u bë festë e Shqipërisë zyrtare që të përkonte në të njëjtën ditë me festën e Republikës së Jugosllavisë, festë e cila e përkujtonte 29 Nëntorin e vitit 1943. Në atë datë u mbajt në Jajcë të Bosnjes Mbledhja II e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë (AVNOJ) dhe u shpall organizimi i shtetit jugosllav të pas luftës. Vendimet dhe organizimet e AVNOJ-it u kopjuan tërësisht në Shqipëri pas disa muajsh në Kongresin e Përmetit më 24 Maj 1944.

            Nuk mund të festohet një ditë e cila qëllimisht, sidomos gjatë viteve 1945-1991, u propagandua aq më fort se dita e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë së Vërtetë më 28 Nëntor 1912, sa që historia para 8 Nëndorit 1941 (data zyrtare e krijimit të PKSH) u venit fare dhe u quajt e keqe.

            Nuk mund të festohet një ditë që shënon fillimin e diktaturës absolute, mbylljen e Shqipërisë ose lidhjen e saj me Lindjen, e më e keqja me ish-Jugosllavinë; rrënimin e deri në mbylljen e qendrave të besimit të lirë fetar; futjen e njerëzve për të banuar nëpër kapanone me kate, prishjen e qyteteve dhe trashëgimisë qytetare, ngritjen pa të ardhme të ndërtimeve të reja; fillimin e gënjeshtrës me lugën e florinjtë më 1945, pasuar me pesëvjeçarët e punës që ishin një hap drejt [fantazmës së] parajsës së barazisë; dhe që vazhdoi me çekun e bardhë më 1991 kur në pushtet erdhën të rinjtë.

            Nuk mund të festohet një ditë e cila shënon fillimin e plotësimit të dëshirës së akademikut serb Çubriloviç të shprehur në Memorandumin tij famëkeq “Përzënia e Shqiptarëve” të botuar më 1937: “…por më e keqja akoma është të mësuarit e Shqiptarëve me idetë Europiane perëndimore të pronës private….”. Shqiptarëve të Greqisë dhe atyre të Shqipërisë zyrtare iu ndodhi e njëjta gjë, kurse në ish-Jugosllavi kjo nuk qe e mundur të arrihej plotësisht.

            Nuk mund të quhet festë një ditë që shënon fillimin e shkatërrimit sistematik të trashëgimisë krijuese, shkollore dhe profesionale shqiptare; dhe njëkohesisht thellimin e turmëzimit mendor të njerëzve, pasojat e së cilës vazhdojnë ta dëmtojnë shoqërinë shqiptare edhe pse kanë kaluar mbi 20 vite nga “kthesa”.

            Nuk mund të festohet një ditë e cila ligjërisht është e paligjshme, sepse në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Neni 14, Pika 5, shkruhet se “Festa e kombëtarë e Republikës së Shqipërisë është Dita e Flamurit, 28 Nëntori”.

Filed Under: Opinion Tagged With: festa e clirimit, festa qe na percane, Saimir Lolja

Premiera e dokumentarit, për promovimin e bukurisë natyrore të Shqipërisë, në New York

November 16, 2012 by dgreca

“Shqipëria e bukur – Saranda”, u shfaq me një paraqitje të birlantë të asaj bukurie të rrallë natyrore të bregdetit të Sarandës, në 100 – Vjetorin e Pavarësisë”

Nga BEQIR SINA – Village – New York City
EAST VILAGE NEW YORK CITY : Në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në bashkëpunim me Organizatën “Motrat Qiriazi” dhe me mbështetjen e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë, organizoi të enjten në 15 nëntor në orën 6 e 30 të mbrëmjes në “Cinema Village” në Mahattan – New York, shfaqjen e dokumentarit televiziv “Beautiful Albania – Ionian Romance Saranda”.
Shfaqja e këtij dokumentari mjaft tërheqës, është bërë në kinema “Cinema Village” në qytetin e New Yorkut në zonën ku ndodhen një serë kompleksesh të kinemave të njohura të qytetit. Premierën e dokumentarit “Shqipëria e bukur – Romanca Joniane – Saranda”, me një paraqitje të birlantë të asaj bukurie të rrallë natyrore të bregdetit të Sarandës, u soll në vemendjen e dhjetra vetëve.
Në premierën e dokumentarit “”Beautiful Albania – Ionian Romance – Saranda”, ishin të pranishëm, disa nga personalitet më të spikatuara të kulturës dhe artit, veprimtarë të dalluara të komunitetit, përfaqësues organizatash dhe shoqatash – përfaqësuesit e shtetit të Kosovës : Ambasadori Bekim Sejdiu dhe konuslli Fatmir Zajmi nga Konusallata e Përgjithëshme e Kosovës në New York, përfaqësues të medias, biznesemen dhe afaristë, studentë e studente shqiptarë, të cilët studion në universitetet amerikane.
Ky dokumentar, i cili promovon “Parasjen – Paradise” e riverës shqiptare – bregdetin e detit Jone, është xhiruar në disa pjesë të ndryshme, përgjatë këtij bregdeti. Pamaje të cilat nisin me qytetin e bukur të Sarandës, për të vijuar me tej me:”Detin e Manastirit, mozaikët e lashtë në “dyshemen” e tij, Manastirët e Mesopotamit, Kostanin, Kishën ortodokse Saint Geroge, etj, qytetin e lashtë i Foinike, edhe kështjella e Ali Pashës, Kalaja e Lekuresi dhe ajo e Borshit si dhe kompleksit bektashian në Rusan.”
Pikiatë përgjatë rrugës së re, futesh menjëherë në ujin e kristaltë, ujë i pastër si “pika e lotit”, vënde vendë edhe rërë, plazh me guraleca, shkëmbinjë të “çarë” nëpër një mori galerish në formë “Jacuzzi” natyralë, në mes të shkëmbinjëve bregdetar që rihhen nga dallgët e detit Jone. Kamera vijon duke eksploruar nëpër kodrat buzë bregut, plot me ullinjë e protokalle, dhe furta tropikale, deri sa zbret në plazhet e madhështore të Kakomes, Bunets, Borshit, etj … nga pamjet e mahnitshme të Parkut Kombëtar të Butrintit( mbrojtur nga UNESCO), Plazhet e Ksamilit, burimi i “Syrit të Kaltër” Plazhet e Borshit, deri tek një vështrim i gjatë që “bie” më poshtë në jug, në vargun e plazheve shkëmbore, “përqafuar” me njëri tjetrin përmes një bukurie tjetër përrallërore – Plazhet e Qeparoit.
Kudo dallon nga ky dokumentar vlerat historike e natyrore, kuzhina, zakonet dhe traditat banorëve, të këtij bregedet të sillen në këtë dokumentar afor 60 minutash, përmes pamjeve vizive mahnitëse. Kryetari i Bashkisë së qytetit të Sarandës, e ka konsideruar këtë dokumentar, një kontribut të madh për promovimin e këtij bregdeti dhe një klimë joshëse për vizitorët – sidomos atyre të turistëve të huaj dhe nga e gjithë Shqipëria, Kosova, dhe trojet shqiptare e diaspora, në hapjen e sesionit të plazhit, e cila mbas rënjes së komunizmit, është një festë ku vitet e fundit marrin pjesë edhe Orkestrat Frymore nga e gjithë Shqipëria.
“Jemi mbledhur sot këtu, në këtë sallë kinemaje për të ndjekur një dokumentar, i cili në fakt, mbasi ju t’a shikoni patjetër që do të “fluturoni” për një moment “në mendjen” tuaj – të ngacmua nga ndjenja që ndoshta, edhe për t’a shijuar, qoftë edhe një sesion veror edhe ju atë mrekulli që e ka krjuara natyra Bregdetin e Sarandës” tha zoti Mishto. Ai më tej mbasi ka faleminderuar shikuesit tha se shfaqja e këtij dokumentari merr një vlerë të veçantë ngaqë po e shfaqim në New York – në kuadrin e aktiviteteve të 100 vejtorit të pavarësisë. Ky dokumentar, tha zoti ai; është një kontribut të madh për promovimin e Shqipërisë, një nderim që po i bëjmë ne së bashku Shqipërisë në këtë 100 – vjetor të Pavarësisë.” ka theksuar Konsulli i Përgjithëshëm i Shqipërisë zoti Dritan Mishto.
Presidentia e organizatës së gruas shqiptare në Amerikë ” Motrat Qiriazi” Dr. Anna Kohen duke hapur këtë veprimtari në kuadrin e festimeve të 100 – Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, tha se jemi të gjithë mendojë të nderuar, për të marrë pjesë këtë ngjarje të madhe të kombit tonë festimet të 100 vejtorit të pavarësisë. Jam e bindur, tha Dr. Kohen se ndonjeri prej jush do të grishet nga ky dokumentar, për të shkuar në Shqipëri, këtë verë dhe për të ndaluar një sesion pushimesh në në perlën e riverës së Jonit Bregdetin e Sarandës. Unë jam i lumtur për këtë, sepse ne kemi çfarë t’i tregojmë edhe Amerikanëve miqve tanë me këtë bukuri të rrallë, nëpërmjet filmit dokumentar “Beautiful Albania – Ionian Romance – Saranda”, tha ajo.
Dr. Kohen, theksoi më pasë ” Ju jeni të ftuar përzemërsisht të ndiqni këtë shfaqje të veçantë të një filmi dokumentar, veprimtari e cila është e oganizuar në kujdesin e Konusllit të Përgjithshëm zotit Dritan Mishto, Organizatës së Gruas Shqiptare në Amerikë Motrat Qiriazi “AAWO” , dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulutrës së Shqipërisë – Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori”, zonjës Floriana Paskali.
Zonja Floriana Paskali, drejtore e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori” e bija e skulptorit të madh Odhise Paskali, është shprehur keranare për punën e madhe artistike që ka bërë babai i saj për 100 – Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntorin 1912 , kontributin dhe rolin e tij – sidomos ajo përmendi statujën e Ismail bej Qemalit dhe shtizën e flamurit në qytetin e Vlorës, të cilat edhe sot mbas 73 vjetëve kur janë punuar nga babai im Odhise Paskali, ato – qëndrojnë ende të gjalla dhe të rëndësishme” – “Dua t’ju falenderoj të gjithëve, faleminderit shumë! dhe gëzuar 100 Vejtori i Pavarësisë!” theksoi Zonja Floriana Paskali.

Filed Under: Kulture Tagged With: Beqir Sina, bukurite, e natyres shqiptare, ne Nju Jork, okumentari

PËR FLAMURIN TONË: DY RRËFENJËZA!

November 16, 2012 by dgreca

-Në kujtim të tim’ eti që këndonte këngë për flamurin, dhe u varros në Ditën e Flamurit, 10 vjet më parë-/

Nga Shefqet Meko- Mineapolis/
Babai im i dashur, ishte njeriu i parë të më fliste për Flamurin Shqiptar. Ishte i thekur në dashurinë ndaj këtij simboli domethënës shqiptar. Nuk më jepte ndonjë leksion akademik, thjesht “mëkonte” tek unë dashurinë për simbolin e gjithëpushtetshëm të kombit. Më fliste për historinë aq sa dinte. Mi përsëriste bëmat e patriotëve shqiptarë. Ai burrë, nuk këndontë shumë, por kur kishim mysafirë dhe miq të nderuar, babai im, pasi kishte kthyer ndonjë gotë raki, këndonte këngën e parë për flamurin. Thellë memories sime vjen zëri dhe isoja e asaj kënge: “…39të mos ardhsh kurrë/… Që na rrëzove Flamurë… Ç’ke Falamur o’ që rënkon.. o…Jam plagosur brinjë më brinjë…” Eeeeee, vijonte isoja tradicionale poradecare.
Kjo iso më ka shoqëruar cep më cep të globit. Ka qënë kënga e babait tim për Flamurin, që si një ortek dashurie e përkatësie, ka lëvizur brenda meje e genit tim shqiptar,e me ka dhënë aq fuqi dhe frymëzim, aq pasion e krenari, aq virute e gëzime… Aq e aq gjëra të mira. Mbase, pikërisht kjo dashuri atërore, ky vargan dhimbjesh dhe sakrifica brezash, më ka bërë që edhe udhëtimin tim të parë drejt Shqipërisë 10 vite të shkuara, ta bëja në vigjilje të 90 vjetorit të Pavarësisë. Unë nuk e dija, se në këtë përvjetor të 9 dekadave të pavarësisë, do të përcillja në përjetësi babin tim, Feim Selim Meko. Ai iku atë ditë nëntori për të qënë i përjetshëm në memorien time familjare… Ishte 28 Nëntor 2002. Varrosej babai im që këndonte në çdo sebep këngë për flamurin…

******

Qershor 2012. Udhëtoj drejt Uashington DC. Miku im Sabah Sena (Prof. Dr.) vjen nga Tirana me një grup biznesmenësh për të përfaqësuar Shqipërinë në një Panair Ndërkombëtar. Kur shkoj në DC, bëj shumë plane. Pata dëshirë të takoja Dr. Elez Biberajn, dhe kolegun Fiqiri Shahinllari. Kisha dëshirë të vizitoja Dr.Lefter Dakun dhe Dr.Pavli Mykerezin në Blaksburg, Virxhinia. I telefonova gazetarit amerikan Bob Web për të kaluar disa orë së bashku në DC. Ai më ftoi në Klubin Kombëtar të Shtypit 14th Street NW. Dhe të gjitha planet u realizuan siç desha vetë. Me gazetarin Bob Webb kalojmë së bashku darkën në Klubin Kombëtar të Shtypit. Ai më tregon gjithshka dhe shkojmë tek salloni ku janë gjithë flamujt e kombeve. “Këtu i kemi të gjithë, edhe Falmurin Shqiptar….” më thotë Bob Webb. “Tregoma pak atë shqiptarin…” i them. Kërkojmë e kërkojmë, por nuk e gjejmë dot. “Po këtu ka qënë, Egla Kaloshi nga Kruja më tha se këtu është, unë edhe nuk mbaj mend shumë, por ajo vajza nga Kruja më tha…Dhe e besova. Por nuk qënka. Më fal…” përpiqej të shfajësohej Bob Webb, a thua ishte faji i tij. Natyrisht, më dhembi shumë që një vajzë e re krutane, nuk kishte mundur të njihte flamurin, por për të qënë i saktë kërkova të bisedoja me administratorin e Klubit. Ai erdhi dhe na konfirmoi që “Flamuri shqiptar mungonte…” Më dhembi aq shumë ai moment dhe babai im, që kurrë nuk ëndërroi Uashigntonin, erdhi me këngën e vet: “Ç’ke Flamur o’ që rënkon…o… Jam plagosur brinjë më brinjë…”
U zgjova nga kujtimet e mia dhe e pyeta sërish njëriun që menaxhonte Klubin Kombëtar të Shtypit në DC: “A jeni i sigurt që nuk keni një Flamur Shqiptar në këtë sallë”? “Po, zotni, jam shumë i sigurtë, dhe më vjen keq…” më tha njeriu i pafajshëm në DC. “Ok, i thashë, unë jam shqiptaro-amerikan që jetoj në Minesota. Dua t’u dërgoj një flamur nga Mineapolis ta ruani në këtë sallë, si simbol të një kombi të lashtë të Ballkanit dhe Europës… Do jetë dhurata ime për Klubin Kombëtar të Shtypit”. Bob Webb nuk mund ta mbante do gëzimin dhe kënaqsinë e atij momenti: “Shefket, ky është moment i bekuar nga Zoti… Unë të solla këtu, sepse zëri im i brendshëm më tha. Shiko se çfarë momenti gjetëm….” Me lot në sy falenderova mikun tim.
Shkëmbeva informacion me Peter Hickman në DC dhe i premtova se sapo të kthehesha në Mineapolis, gjëja e parë do ishte ta dërgoja një Flamur Shqiptar në DC. Ai e priti me shumë gëzim këtë gjest dhe u ndamë për t’u takuar sërish përmes Falmurit Shqiptar.

Kur i tregova këtë histori një mikut im më tha shkurt:” Kot nuk more në telefon Ambasadën, që të kishte çuar 10 flamuj…” Jo, i thashë, një flamur nga Mineapolis në DC ka më shumë kuptim se nje telefonatë në zyrat shurdhe të ambasadës…” Dhe bëra dërgesën më të bukur postare: Një flamur nga Minneapolis në DC. Duke shkruar adresën e marrësit në hollin e Postës në Aeroport, që ka qënë edhe vendi im i parë i punës në SHBA, gjëmonte kënga e babait tim: “Ç’ke Flamur o, që rënkon ooo…Jam plagosur brinjë më brinjë…oooo…39të mos ardhsh kurrë…Që na rrëzove flamurë…. eeeee…oooo”
Në më pak se dy muaj nga DC mora një letër. Zoti Hickman ish-zëvendës president i Klubit Kombëtar të Shtypit, njoftonte ambasadorin Galanxhi në DC se “Zoti Meko na dërgoi një flamur shiptar nga Mineapolis dhe tashmë flamuri shqiptar qëndron përkrah flamujve të tjerë në lobin e këtij Klubi”
Unë u ndieva mirë që Flamuri ynë mbërriti në Klubin Kombëtar të Shtypit në DC. Bashkëqytetari im amerikan më njoftoi dhe falenderoi, por unë nuk dëgjova kurrë ndonjë fjalë nga ambasadori i vendlindjes sime në SHBA. Por kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka që kënga e babait tim për flamurin buçet në qënien time: “39të mos ardhsh kurrë….Që na rrëzove Flamurë…Ç’ke Flamur o që rënkon…Jam plagosur brinjë më brinjë… ooooo…eeeee”

*****************

Këtë shtator që sapo shkoi, së bashku me bashkëshorten time, Alma Meko, njeriu që më ka falur fatet më të mëdha në këtë jetë, vizituam edhe Parisin. Shëtitëm cep më cep. Ime shoqe, kujtonte kohën kur në shtëpinë botuese “8 Nëntori” ku ajo punonte, Elena Kadare kthehej nga Parisi (në ato kohë të mbylljes sonë të madhe e të pashoqe) e u thoshte kolegeve: “Me Kadarenë pimë kafe tek kafe “Odesa”… Parisi është shumë i bukur…” Nuk e di por rastësia bëri të vetën. Ne ishim fqinjë me këtë kafe ku çifti Kadare pinte kafet në kohën e atëhershme të mbylljes sonë mëkatare… Ne shëtitëm dhe tek kafja pranë kopshtit Lukseburg, me dëshirë se mund të shihnim rastësisht çifitn Kadare, që banon aty pranë, por nuk qe e thënë. Nën shoqërinë dhe bujarinë Gjroksatritit-Tropojan, të gazetarit Artan Kutra, gazetar në Radio- Francë, shëtitëm shumë monumente dhe perla parisiane. Diku Tan Kutra na tregoi se një luftëtar i shquar shqiptar, ishte huazuar nga Italia për betejat e Francës, por kishte patur fatin tragjik të vritej. Ishte sherri më i madh mes Francës dhe Italisë, se kush do të varroste këtë luftëtar gjenial me origjinë shqiptare. Italia kërkonte gjithshka, sikurse francezët kërkonin ta mbanin në tokën e tyre. (Ai ishte ushtar legjendar, jo mbret). Së fundmi dy kombet fqinjë ranë dakord në një zgjidhje: Franca mbajti zemrën e luftëtarit, Italia mori trupin. Kështu të dyja palët gjetën qetësi duke nderuar shqiptarin luftëtar të lavdishëm…
Më dhembi dhe ma gjallëroi kjo rrëfenjëz e Artan Kutrës, ndërkohë krejt rastësisht kaluam në një rrugë që na përballi me Ambasadën Shqiptare. “Ja, o shqiptaro-amerikan, kjo është ambasada jonë…Atje në katin lart..Shikoje Flamurin tonë…”. Tek unë në mënyrë elektrike erdhën vargjet e këngës së babit tim: “39të mos ardhsh kurrë…Që na rrëzove Flamurë…. Ç’ke Flamur o që rënkon ooo… Jam plagosur brinjë më brinjë…ooo”
“Tani Kutra, a është ky famuri ynë zyrtar…?” e pyes. “Po ore, a nuk e shikon shqipen me dy krena..”… Më thotë gazetari shqiptar në Francë, Artan Kutra.
Më dhembi aq shumë ajo që pashë. Iu afrova Artan Kutrës dhe i thashë:”Jemi mbretëri apo republikë, o Tan Kutra…Flamuri ka shenjën mbretërore mbi krena… Duket qartë, e retushuar…Duket si njollë…. Të dhemb një flamur me njollë…A e shikon?” Ai nuk mund t’u besonte syve: “Vërtet, ashtu është. Po ku të vajtën sytë xhanëm…Unë kam kaluar 100 herë dhe nuk e kam vënë re…” “Po më ra në sy njolla o Kutra. Një Flamur me njollë të dhemb…” i thashë. “E pse mërzitesh, ja kanë fshirë përkrenaren e Skënderbeut.. Prap flamur është…” “Jo, Tano, nuk është flamur në shtëpi, është flamur në shtëpinë e shtetit. Dhe shteti seriozitetin e parë e ka tek simbolet. Në Amerikë nuk bëjmë shaka me flamurin…” Miku im, duke e ndjerë vete si ambasador u munda të justifikohej se lobi mbretëror është shumë i fortë në Paris e Francë dhe mbase është efekt i kësaj. Por mua më dhembi… Mbase në mes të Parsit ai flamur sërish valvitet i “retushuar” dhe masakruar. Ndaj më elektrizojnë vargjet e këngës së babait tim që u varros në Ditën e Flamurit 10 vjet më parë:” 39të mos ardhsh kurrë…Që na rrëzove Flamurë…Ç’ke Flamur o që rënkon heee…Jam plagosur o brinjë më brinjë…eeee”

******

Këto dy rrrëfenjëza më gufuan nga brenda në këtë vigjilje të 100 vjetorit të Flamurit Shqiptar. Dhe ndërsa kënga e babait tim për Flamurin lodron brenda shpirit tim, më poshtërojnë blegërimat e 1000 qingjave … që dikush do t’i bëjë kurban në Tiranë.
Vijoje atë këngë, babai im i dashur. Këndoje fuqishëm nga thellësia e varrit tënd ku u kalle më 28 Nëtor, 2002:
“…39të mos ardhsh kurrë/
Që na rrëzove Flamurë/
Ç’ke Flamur o që rënkon o..
Jam plagosur o brinjë më brinjë.ooo…”
Këndo babai im i dashur.Këndo në këtë 100 vjetor…Këndo për Flamurin. Unë të mbaj iso përmes lotësh…. Mbase jo vetëm unë..

“…39-të mos ardhsh kurrë,
Që na rrëzove flamurë…”

SHEFQET MEKO
Mineapolis, 17 Nëntor 2012

Filed Under: Kronike Tagged With: per Flamurin, Shefqet Meko

ISMAIL QEMAL Bej VLORA- DUART E SHENJTA QË NGRITËN FLAMURIN

November 16, 2012 by dgreca

 

 Shkruan Eugen SHEHU/FOTO: Oxhaku i madh i familjes Vlora

 Në panteonin e  lavdisë së kombit tonë,padyshim Ismail Qemali zë vendin e nderit.Vitet e historisë shqiptare përkulen me veneracion përpara këtij burri ashtu siç janë përkulur breza të tërë shqiptarësh,këto vite historie të fillimshekullit,posaçërisht e kanë nderuar trimin ngase në supet e tyre ka rrahur e lirë  flatra e shqipes tonë dykrenore.

  Ismail Qemal Vlora,ka lindur në qytetin e Vlorës,me 24 janar 1844.Në fakt,origjina e Ismailit, ka rrjedhur nga fshati Kaninë,nga ajo fortesë e mrekullueshme natyrore,nga ai shkëmb gjigant në këmbë të të cilit,shtrihet qyteti piktoresk i Vlorës.Në defterët e turqve është përmendur me mijëra faqe trimëria e Sinan Pashës i cili u vra në Vlorë në vitin  e largët 1503,duke luftuar kundër ekuipazhit të disa anijeve Raguziane që donin të pushtonin skelen.Sinan Pasha (ndër paraardhësit e Ismail Qemalit) u varros me nderime në oborrin e teqes së Kaninës pasi aty e kish lënë amanet. Nga generata në gjeneratë,dashuria për Shqipërinë jo vetëm që nuk u shua por erdh duke u rritur e zgjeruar ashtu siç rriten e zgjerohen shtratet e lumenjëve malore në prill kur shkrijnë borërat.Këtë të vërtetë historike pos të tjerave, e zbulon një pohim i thjeshtë i Ismail Qemalit në kujtimet e tij,shum më vonë,ndërsa shkruan ; “E vërteta është se katragjyshi ynë,Sinan Pasha,ishte shqiptar  njëqind për qind për këtë jemi krenar”.(Ismail Qemali,kujtime,Toronto,Kanada , faqe 11 ).

  I jati i Ismailit Mahmud bej Vlora,merr pjesë në luftimet e kaçakëve shqiptarë që kundërshtonin reformat turke të vitit 1847.Dihet se këto kryengritje popullore patën një jetë të shkurtër ndaj dhe u shuan me dhunë prej Portës së Lartë.Por sikur të mos mjaftonte dhuna,vrasjet e taksat akoma e më të rënda në shpinë të shqiptarëve,u deshën dhe burgimet e internimet.Kësisoj Mahmud bej Vlora u internua në Konje të  Azisë së Vogël,ndërsa familja u çua në Selanik.Jeta e Ismailit të vogël mori papritmas rrjedhë tjetër por kjo duket se nuk e ka penguar aspak djalin e Vlorës të mësojë në një shkollë turke të qytetit.Kohën  e lirë të tij,ai e kalon sidomos me të jamën Hedije hanmin, e cila ishte bija e Tahir bej Libohovës,ndër familjet më të pasura e të dëgjuara të Gjirokastrës. Sidoqoftë larg Vlorës së tyre,nënë e bir si edhe motra Bellkize do ta ndjenin veten të vetmuar.Por kanë qenë disa miq të familjes vlonjate që i ndihmuan.Ngase Ismail Qemali ishte nipi i Ibrahim Pashë Vlorës dhe ky dikur pat miqësi të ngushtë me Napoleonin e madh,këta ndërhynë në konsullatën fraceze të Selanikut. Sigurisht ka qenë ndikimi i francezëve pranë Portës së Lartë çka bëri që Ismaili me nënën dhe motrën e vogël të kthehen sërish në vendlindje.Natyrisht e jëma,Hedija,kërkonte me ngulm që biri i saj,Ismaili,një ditë të marrë rrugën sërish dhe të gjendet në qytetin e Janinës.Aty,sipas rekomandimeve të disa miqve të familjes,futet të studjojë në gjimnazin “Zosimea” ndër më të shquarit e kohës.Ndër të njohurit e parë aty është Naim Frashëri,poeti ynë i madh dhe dy bektashinjtë herë-herë,duke shëtitur buzë liqenit të qytetit,kanë kujtuar sigurisht teqet e Frashërit e Kaninës,këto vatra ku digjej pa u fikur askurrë prushi i shqiptarizmës.Pas mbarimit shkëlqyeshëm të “Zosimesë” Ismail Qemali shkon në Stamboll dhe ndjek studimet e larta në degën juridike.Tashmë është një djalosh i pashëm.Nëpërmjet Naimit njihet me Abdylin e Samiun dhe në shoqërinë e frashërllinjëve ndihet mjaft mirë.Padyshim,në kontaktet me ta janë ravijëzuar konturet e para të  ideve për pavarsinë shqiptare ç’ka mund të nisej së pari me përhapjen e dritës së diturisë.

  Gjatë kohës që ndiqte studimet në fakulltetitn e avokatisë,shkoi disa herë në Paris.Interesante është të dihet se pos të tjerave,aty Ismail Qemali u njoh me shkrimtarin e madh frances Viktor Hygo.Në bisedat me te,studenti shqiptar do të merrte njohuri të mëdha,në rrafsh të ideve iluministe. Pas mbarimit të studimeve të larta,Ismail Qemal Vlora,ngase zotëronte njohuri të mëdha në fushën e jurispondencës si dhe gjuhët greqisht,turqisht,frengjisht e italisht,u thirr të punojë në Ministrinë e Jashtme të asaj kohe në Stamboll.Në pak muaj pune,ra në sy jo vetëm disciplina e madhe e punës por edhe përkushtrimi i tij.Zgjidhet midis shumë kandidatëve për të punuar si kryesekretar i Ministrisë së Jashtme,dhe ishte vetëm 23 vjeç.

  Në vitin 1870,biri i vlorës,pas rezulltateve të mira të arritura në Ministrinë e Jashtme,emërohet guvernator në Varna të Bullgarisë.Këtu,Ismail Qemali ndërmerr reforma tepër liberale duke konstrukturuar në një farë mënyre një shpresë të re për popujt që rronin nën sundimin e Portës së Lartë.Gjatë qëndrimit të tij në Varna,pos të tjerave,Ismail Qemali do të kishte kënaqsinë e madhe të priste Perandorin Franc Josef.Më vonë në kujtimet e tij,ai do të shkruante për impresionet që i pat lënë kjo vizitë. Ndërkaq,në idetë tij,ravijëzohen shpresat për një të ardhme  tjetër të krejt popujve që përgjumeshin në natën osmane.Ndër prirjet e tij,tashmë shfaqet edhe ajo e gazetarisë.Ka punuar disa kohë si gazetar në “Da nube” dhe më vonë 1867 si drejtor i gazetës “Burimi i mendimeve”.Bie në sy,në shkrimet e tij,një mendim i qartë për autonominë e vilajeteve.Në fakt,pas kësaj autonomie,Ismail Qemali parashihte pjesën tjetër”të ajsbergut”,luftërat çlirimtare që mund të rridhnin si shkak i kësaj autonomie.Tashmë idetë dhe veprimet e tij kanë qenë diçka më të hapura dhe kjo nuk mund të kalonte pa u vënë re prej spiunëve të Perandorisë së madhe.Në vitin 1900, autoritetet e larta të Portës, e emërojnë Ismail Qemalin,si Qeveritar i Përgjithshëm i Tripolitanisë. Por nga burime shumë të fshehta,mësohet se ate e pret Syrgjyni ndaj miqtë e lajmërojnë dhe biri i Vlorës merr rrugën e ilegalitetit duke hequr dorë pa hezitim nga kariera e tij diplomatike.Mendohet se armiqësia e Portës së Lartë ndaj birit të Vlorës,mund të ketë lidhje edhe me Mid’hat Pashën. “Kur Mustafa Pasha u  emërua prefekt në Dobruke të Bullgarisë,Ismail Beu ish diplomuar dhe kërkoi të emërohesh nëpunës pranë tij.Në atë kohë Guvernator i Filipopalit ishte Mid’hat Pashai,i famshëm kryeministër liridashës,që më vonë u vra prej Sulltan Hamidit ! Mustafa Pasha e këshilloi të merrte si këshilltar Ismail Qemalin ngase ky njihte mirë frengjishten.Këndejmi rodhi miqësia e ngushtë me Mid’hat Pashanë që mbeti deri në vdekje.Ky bashkëpunim e bëri Ismail Benë të njohur në qarqet intelektuale dhe i dha nam.Por njëkohësisht i ngjalli edhe një hije dyshim edhe tek Sultani”.(Safa Vlora,”kujtime personale e familiare rreth Ismail Qemalit”Romë1968).

  Pas largimit nga Stambolli,Ismail Qemali shkon në Athinë.Natyrisht këtu nuk mund të gjejë do mjediset atdhetare të Stambollit por lidhjet e tija me patriotët shqiptarë nuk rreshtin me gjithfarë mënyrash.Në vitet e para të këtij shekulli,biri i Vlorës bashkëpunon ngushtë me Abedin Pashë Dinon,Shahin Kolonjën,Dervish Himën,Hasan Prishtinën etj,duke u rrekur në krijimin e një platforme ideore çka mund të nxiste që ato shkëndija të nacionalizmit,të bashkohen e të bëjnë zjarrin e madh të lirisë.Këtë platformë mbarëkombëtare,Ismail bej Qemali nuk mund ta arrinte kurrsesi me dy tri miq të tij në Athinë.Ngase e kupton këtë,ngase parasheh rënien e shpejtë të Perandorisë Osmane biri i Vlorës vrapon tashmë në Evropë.Disa dyqane që ja pat lënë i jati në Vlorë mundësonin një lloj jetese e çka i tepronte ai do ta përdorte vetëm për shpëtimin e kombit të vet.Të këtyre viteve janë një sërë veprimtarish të Isamil Qemalit  i cili intuitivisht parandjente rrezikun e kombit dhe përpara tij nuk mund të heshte.Përshtypje të thella la sinqeriteti dhe guximi i tij në rrethet e patriotëve shqiptarë,ndërsa ata merrnin në duar thirjen e shkruar në të cilën ftoheshin krejt ata që donin shqipërinë për të marrë pjesë në shpëtimin e atdheut.Në Egjypt,Ismail Qemali takohet me Mehmet Ali Pashën,një tjetër shqiptar në hierarkinë lartë turke që i dha shpresë për të ndihmuar në pavarsinë e vendit.Në Napoli dhe Sicili u prit mjaft mirë prej arbëreshëve dhe u përcolli atyre imazhin e bashkimit rreth një ideje kombëtare të vetme,asaj të pavarsisë së trojeve arbërore. Personalitete arbëreshe e italiane të kulturës, e nderuan birin e vlorës duke mbështetur e përkrahur në çdo rast mendimet e tij për autonominë e Shqipërisë.Vlen të thuhet se kur shkoi sërish në Romë më 1907,ai u thirr në takim të veçantë prej Ministrit turk në kryeqytetin Italian.Ky i fundit nuk vonoi t’i jepte porosinë e Sulltanit që të “mos mirej me politikë”.Por shpirti i birit të Vlorës ish ndezur prej prushit të shqiptarizmës dhe ai nuk mund të shuhej askurrë.

  Gjeneva,Parisi,Londra e Brukseli,do të ishin qytetet ku zëri i Ismail Qemalit do të dëgjohej i fuqishëm në mbrojtje të interesave të nëpërkëmbura të shqiptarëve.Ky zë do tu kujtonte Turve të Rinj,por edhe Evropës së qytetëruar se pos virtyteve të rralla e të vyera,shqiptarët ruanin në shpirt, të paprekur edhe ndjenjën e madhe të lirisë.Kësisoj,biri i Vlorës nderohej e respektohej nga rrethet përparimtare të këtyre vendeve,ndërsa në sytë e shqiptarëve porteti i tij lartësohej nga dita në ditë. Në shkrimet e tij,Ferid Vokopola,ish pjesmarës në ngritjen e flamurit në Vlorë,shkruan ;

“Për herë të parë pata fatin ta takoj Atë,në Korfuz,ku ishim në rrugë e sipër me dajën tim,të ndjerin Hasan Kodra dhe ishim nisur me anë të detit për të shkuar në Janinë.Dajua im e njihte fare mirë… Ishte një ditë prilli e 1908-ës,kur më prezantuan me Te.Mbas një përulje adhurimtare i putha duart dhe ai na urdhëroi të ulem afër.Kur ra fjala për veprimet e çetave të të ndjerit Riza Vleçishti,Cerçiz Topulli e të tjerë,pashë se i shkuan lot prej sysh,sy të shkëlqyer si të shqiponjës së maleve dhe tha : Liria merret e nuk falet… të marurit e saj nuk bëhet me anë të mëshirës por mjerisht me gjak.Këtë e kanë derdhur shqiptarët e shkretë gjatë shekujve pa e kursyer fare,por gjer më sot nuk kanë fituar kurgjë.Kemi luftuar e jemi sakrifikuar për të huajt… Tani koha po ja mbrin”.(F,Vokopola,revista “Njeriu “ faqe 3, Tiranë shkurt të vitit 1944 ).

  Ka qenë vjeshta e vitit 1908,kur disa miq të Ismail Qemalit në qytetin  e Vlorës,muarrën vesh se do të mbërinte në liman,me një anije italiane biri i tyre.Lajmi mori dhenë merenda pak ditëve dhe qindra vlonjatë shkonin çdo mëngjez në limanin e qytetit për të pyetur.Tashmë emri i Ismail bej Qemalit përcillej me respekt të jashtëzakonshëm ngase dihej veprimtaria e tij (së paku 8 vjeçare) në Evropë kur grinte zërin që Shqipëria të mos coptohej.Në mesditën e 18 shtatorit të vitit 1908,në drejtim të limanti të qytetit u shfaq lundruesja si një shpend i vogël,i bardhë,që sjell në krahët e veta ogure të mira.Dhjetra të rinj u hodhën në det dhe i prenë rrugën mjetit lundrues.Ata e muarën plakun e zbardhur mbi supe dhe e nxuarën në breg ndërkohë që qindra të tjerë aty thërisnin me forcë emrin e Ismail Qemalit.Për nder të birit të tyre,ate në mbrëmje,Vlora ngjante si të ishte në festë.Klubi atdhetar “Labëria” me ç’rast shtroi një darkë duke i propozuar birit të vet titullin e lartë të Presidentit të Nderit.Me lot në sy i emocionuar prej kësaj pritje gati familiare,Ismailbej Qemali u shpreh se”Jetën time s’mund ta ndalojë dot askush të shërbejë për vuajtjet dhe hallet tuaja”.Pas një vizite në shtëpinë e vjetër në Kaninë,ai shkon në oborrin e teqes ku preheshin të parët e tij.Aty plaku përshpërit disa fjalë që,vetëm ai dhe të parët e tij mund t’i kuptonin.Prej Kaninës,këtij shkëmbi gjigant natyror ai merr udhën nëpër fshatrat e lumit të Vlorës.Miq dashamirës të shumtë e presin birin e tyre duke i rrëfyer padyshim edhe hallet e mëdha të asaj jete të zezë shtypjeje e mjerimi.

  Vizita e Ismail Qemalit,koincidon me zgjedhjet që do të zhvilloheshin për deputet në parllamentin turk,me ç’rast plaku i urtë me porosinë e miqve të shumtë,vendos kandidaturën në Sanxhakun e Beratit.Një muaj më pas,me zgjedhje,Ismail Qemali mundi të fitojë anipse propaganda e turqve për te kishte qenë tepër banale.Ngase i druheshin frymës,demokratike dhe diplomacisë së zgjuar të Ismail Qemalit,turqit e rinj dhe veglat e tyre përdorën edhe rrushfete për të rrëzuar plakun e urtë.Por shqiptarët,përpara se të japin besimin,i patën falur shpirtin këtij burri të madh,këtij vigani liberator. Ajo vepër madhore,ajo luftë e paçmuar në shërbim të kombit shqiptar,ajo forcë vepruese me të cilën Ismail Qemali synonte të zgjeronte qeverinë e përgjumuar osmane,janë padyshim kapitujt më të çmuar të jetës së tij.E nënvizoj këtë ide ngase,në tribunën e parlamentit osman të vitit 1908,zëri i tij ishte jo vetëm një klithmë ndaj fatit të Shqipërisë por edhe një vetëdije me ate çka do të ndodhte në Ballkanin  e trazuar.Etnitë ballkanike patën nisur të zgjohen e forcohen duke paraparë edhe sulme të verbërta ndaj njera-tjetrës.Prandaj edhe deputetët e tjerë,nga viset ballkanike,në parllamentin osman askurrë nuk ja prenë fjalën plakut,përkundrazi çmuan çiltërsinë dhe zgjuarsinë e saj. Së bashku me Nexhip Dragën dhe Hasan Prishtinën (edhe këta deputetë në parllamentin osman) Ismail Qemali nuk kurseu energjitë e tij për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve.Këto të drejta,ai i pa kurdoherë të lidhura me zhvillimet ballkanike dhe Evropiane ngase e kish paraparë se në tokën e vet të bekuar, përplaseshin pa rreshtur interesat jo vetëm të fqinjëve por edhe të forcave të tjera të mëdha. Natyrisht ai kërkonte decentralizimin e Perandorisë Osmane por ishte tepër i matur në “autonominë e viseve të tjera”ngase,brenda kësaj lëvizjeje politike kërcënohej pa rreshtur fati i Shqipërisë së tij. Sipas të dhënave të dokumenteve arkivore të Turqisë,në vitin 1909,Ismail Qemali u thirr nga Sulltani dhe iu propozua detyra e Ministrit të Mbrendshëm të Perandorisë.Ne shqiptarët nuk duhet të harojmë se pos të tjerave,të huajt na kanë parë kurdoherë si modele karakteri të lartë e ndershmërie të thellë.Kjo ka qenë mbase shtysa e parë e Sulltanit mbi këtë propozim e mandej natyrisht edhe mund të largonte prej veprimtarisë së tij atdhetar.Por këtë funksion,plaku i urtë nuk e pranoi dhe kjo sigurisht që solli edhe zemërimin e Vezirit të Madh.

  Kur edhe në parllament u krijua një gjendje e rëndë,Ismail Qemali duke marrë,edhe mendimin e miqve të vet,më 1909,largohet përfundimisht nga parlamenti.Prej tribunës së tij,Ismail Qemali pat goditur rëndë jo vetëm diktaturën e vendosur prej turqve të rinj,por edhe sëmundjet e mëdha sociale që kalbnin Perandorinë e madhe.Tashmë ai largohet përfundimisht nga Stambolli i bindur se për fatin e kombit të vet nuk duhej menduar aty,por gjetkë.Sa për Turqit e Rinj,pas këtyre që shkuan grumbull i madh shqiptarësh të asaj kohe,në kujtimet e veta,plaku i Vlorës do të shkruante : “Turqit e Rinj që i quajnë shqiptarët thjeshtësisht një popull mysliman,që nuk kishin ide politike të vetat përveç dëshirës që të mos paguajnë taksa…Me këtë shpresë,brenda më pak se dy vjet,ata nisën kundra Shqipërisë katër ekspedita ushtarake shtypëse.Por shqiptarët që gjatë shekujve të kaluar kishin bërë ballë fuqisë së kaq shumë perandorive,dhe nuk kishin rënë në gjumë as në kohën e Abdyl Hamidit,nuk u tmeruan nga kjo përpjekje.Përkundrazi,politika sulmonjëse e Turqve të Rinj qe maja që bëri të ringjallen prapë ndjenjat tona kombëtare dhe të lulëzojnë me një shkëlqim të ri. Fitoret që ushtritë e Xhavidit dhe Shefqetit patën këtu e atje kundër Shqiptarëve,s’bënë gjë tjetër,veçse i dhanë flakë prushit të mbuluar të kryengritjes”.(Ismail Qemali,”Kujtime “ Toronto- Kanada faqe 248 ).

  Ndërkaq që plaku i Vlorës ndërmerrte udhëtime nëpër Evropë,ndërkohë që zëri i tij ndihej i fuqishëm në veshin e shurdhër të kancelarive perëndimore,në viset lindore të Shqipërisë,dhuna nuk kish të sosur.Trupat e Turgut Pashës kishin mësyer në drejtim të Kosovës dhe vrasjet,djegjet e grabitjet çonin shqiptarët përditë e më shumë në tragjedinë e madhe të mosegzistimit të tyre.Ismail Qemali,mbante kontakte të vazhdueshme me krerët kryesorë të rezistencës në Kosovë dhe përpiqej me ç’do mjet t’i tregonte Evropës se shqiptarët janë një popull autokton me historinë e kulturën e tyre. Por edhe Hasan Pristina e Nexhip Draga,filluan të denoncojnë këto krime në parllamentin turk.Zëri i tyre bubullues , gjëmoi ngahere duke nxjerë përpara atij parlamenti,të vërtetat ngjethëse mbi ngjarjet në Kosovë.Mandej,vlen të thuhet se protestat e tyre ndaj turqve të rinj,ishin të tilla saqë,shpesh kundërshtarët detyroheshin t’i dëgjonin kokëulur.Duke potencuar tragjedinë e atdheut të vet,Hasan Prishtina arriti deri sa të këcnojë turqit e rinj se “në të ardhmen vendi i juaj do të jetë në Gjygjin e Naltë (divan alij)”.Pikërisht në fund të vitit 1911,Ismail Qemali shkon sërish në Stamboll.Aty plaku i Vlorës takohet me personalitetet atdhetare shqiptare dhe hedh idenë e një kryengritjeje mbarëshqiptare e cila do të çlironte  krejtësisht shqiptarët nga zgjedha osmane pesë shekullore.Një prej tyre, e përshkruan bukur Hasan Prishtinën i cili thotë ;

“Mbledhja u mbajtë nën kryetari të Isamil Qemalit… Mbas mbarimit filloi kuvendi.U numëruen dhe u përmenden edhe një herë krejt mizoritë e turqve të rinj në Shqypni,si edhe politika e tyne në çështje të shkollave e të shkronjave që pat shkue gjithmonë tue u rreptësue.Kuvendi nuk zgjati shumë e të gjithë shokët u bashkuen në këtë pikë :Për me i dhanë fund politikës turke në çështje të kulturës kombëtare e për me sigurue disa privilegje politike për Shqypni,nuk ka tjetër mjet veçse me fitue me nji kryengritje të përgjithshme.Kështu pra u vendue që të organizohej kryengritja e biseda nisi me rrjedhë mbi ket pikë të dytë : Qysh do t’u organizonte kjo lëvizje e kur kishin me fillue veprimet ? Në këte mes rolin ma të çmueshëm kishte për ta luajt Kosova.Për këtë arsye u vendue me gjetë e me i futë nga Mali i Zi në Kosovë pesëmbëdhjetë mijë pushkë, e me majtë në urdhën tem,pos këtyre,edhe dhjetë mijë napoleona ari”.(Arkivi Qendror i Shtetit, fondi Hasan Prishtina, “shkurtim kujtimesh mbi kryngritjen shqiptare të vitit 1912 “ faqe 74 ).

  Besoj komentet janë të tepërta.Idetë dhe vendimet më kryesore të kuvendit madhor të Vlorës,janë marrë pikërisht në Stamboll prej burrave të tillë të shquar si Ismail Qemali,Hasan Prishtina,Nexhip Draga e dhjetra të tjerëve zemra e të cilëve rrihte veç për lirinë e trojeve tona arbërore.E ideuar aty,kjo kryengritje do të fillonte pikërisht në kullat e Isa Boletinit,për të zbritur më pas valë-valë deri në gjirin e bukur,në Prevezë të çamërisë sonë martire.Ajo do t’i zgjonte shqiptarët prej atij gjumi të zi dhe muaj më vonë,kur në Vlorë do ngrihej flamuri kuq e zi,atyre do t’u dukej si një ëndërr e llahtarshme.Në fillim të vitit 1912,Ismail Qemali shkon në Shqipëri.Ai pritet sërisht me madhështi dhe populli është i etur të dëgjojë si flet goja dhe zemra e burrit.Plaku i urtë e kupton dëshirën e madhe të tyre dhe nuk mungon në biseda e kuvende t’u thotë se liria vjen vetëm prej grykës së pushkës ngase ate nuk ta dhuron kush.Bën disa kuvende në Vlorë,Fier,Mallakastër e Berat ku populli i këtyre zonave i kërkon armë e udhëheqje për të luftuar.Nga maji deri në nëntor të vitit 1912,plaku i urtë niset sërish në Evropë.Ate s’mund ta mposhtë as sakrificat,as lodhjet,as rrugët e gjata dhe as  mosha ngase në shpirt i vlonte ideali i madh i lirisë.Kudo ku shkonte,bisedat e tij janë të pjekura,të zgjuara,emocionsjellëse.Politikanë e diplomatë të huaj,përkulen me respekt përpara ideve të tij,ndërsa shqiptarët e thjeshtë,mërgimtarët, e adhurojnë deri në dashuri.

Aleksandër Stare Drenava –Asdreni,ndër atdhetarët aktiv të kolonisë shqiptare në Rumani shkruan:

“Mbledhjet u mbajtën disa ditë radhazi në hotel “Kontinental” në të cilin ardhë edhe antarë të kolonisë së Konstancës.U bisedua gjërë e gjatë mënyra,udha dhe mjetet që lupeshin përdorur për të përballuar rrezikun edhe sa të mundet pa vonuar për të vajtur sa ma shpejt në Shqipëri,për të gjetur edhe aty anarë besnik të kësaj ideje të shenjtë,të ngitjes së flamurit të Kastriotit dhe të zbritjes së flamurit të gjysëmhënës… Të gjithë të mbledhurit e përgëzuan e iu falën nderit z.Ismail Qemal Beut”.( Gazeta “Shqipëria e Re “ – Rumani , 29 nëntor 1929 ).

  Kështu për të ardhur në nëntorin e lavdishëm të vitit 1912.Vetëm dy muaj më parë,Ismail bej Qemalit i ishte ofruar posti ministrit të punëve të jashtme të Perandorisë Osmane.Përpara këtij fakti,plaku i Vlorës u përgjegj pa hezitim se nuk pranonte ngase “ka ardhur ora që Shqipëria të shkunde zgjedhën e të bëhet komb i pavarur e mëvete”. Duke siguruar së pari mbështetje të plotë të atdhetarëve shqiptarë, e më pas disa mijëra armë e para,Ismail bej Qemali ndjente së thelli se momenti i duhur kish ardhur.Ora e historisë po binte,shqiptarët parashihnin lirinë e nesërme.Prej Bukureshti,me 5 nëntor 1912,Ismail Qemali u jepte miqve të vet në Shqipëri lajmin : “E ardhmja e Shqipërisë është e siguruar.Telegrafoni kudo,të kenë besim ndër fatin e atdheut”.(AQSH,Fo. 245/1 dosja 1 fleta 14).

  Odiseja e udhëtimit për në Vlorë ishte gati në kufijtë e një drame.Por shpirti i madh i Ismail Qemalit nuk u përkul askurrë.Brenda tij,si brenda gjoksit të një shkëmbi,kishte bërë folenë shqiponja e flamurit kuqezi.Në qytetin bregdetar e presin krahëhapur.Tashmë jo vetëm Vlora por krejt vilajetet shqiptare ishin njohur mbi çka do ndodhte.Tragedia qëndronte në faktin se nëse Vlora priste festën e madhe nën tingujt e këngëve,krahinat e tjera shqiptare përcillnin e prisnin krismat e pushkëve.Por anipse,përmes krismave e plumbave,delegatët erdhën nga krejt Shqipëria dhe në datën e lumë të 28 .Nëntorit. burrat e kombit vendosën një zëri shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë.Brenda këtij akti  të madh historik,ishin edhe luftërat shekullore të shqiptarëve për liri,edhe mijërat e të rënëve,edhe mijërat e shpresave të ardhme.Plaku i Vlorës,për këtë çast do të kujtonte :

“Kongresi i hap menjëherë.Në seancën e tij të parë,me 28 Nëntor 1912, u votua njëzëri ç’pallja e pavarsisë.Mbledhja në këtë kohë u ndërpre dhe delegatët lanë sallën për të ngritur në shtëpinë time,ku isha lindur dhe ku të parët e mij kishin jetur,midis brohoritjeve të mijëra njerëzve,flamurin lavdiplotë të Skënderbeut… Qe një çast i paharueshëm për mua dhe duart mu drodhën nga shpresa dhe kryelartësia që më vlonin në shpirt,në kohën kur po ngritja flamurin e Sovarnit të fundit të Shqipërisë.Mu duk sikur sopirti i heroit të pavdekshëm kaloi në ato çaste si një zjarr i shenjtë mbi kryet e popullit”.(Ismail Qemali “kujtime “ Toronto , Kanada , faqe 268 ).

  Natyrisht akti i ngritjes së flamurit në Vlorë,do të kumtonte një ardhmëri tjetër në trojet shqiptare.Tashmë ishte hedhur tej sundimit osman pesë shekullore e përmes rrezeve të shpresës shqiptarët mund të shihnin nëpër mugetirë pak dritë mbi fatin e tyre.Në cilësinë e kryetarit të qeverisë së përkohshme,plaku i Vlorës që në ditët e para u angazhua tërësisht me formimin e ministrive,organizimin dhe funksionimin e tyre.Vendi ishte i varfër,arkë s’kishte aspak dhe përmes këtyre vështirsive  Isamil bej Qemali do të punonte pa ndërprerje duke largura lodhjet e moshës. Natyrisht në shoqërinë tij tani ishin burrat e lavdishëm të kombit.Isa Bolentini,Mehmet Pashë Deralla,Sali Gjuka,Vehbi Dibra,Don Nikollë Kaçori,Luigj Gurakuqi,Mid’hat Frashëri,Murat Bej Toptani ,Ahmet Zogu,Myfit bej Libohova e dhjetra patriot të tjerë,do të ndanin kurdoherë hallet me plakun e Vlorës.

  Shpallja e pavarsisë,njëherazi vlente të shoqërohej edhe në një përpjekje madhore në rrafsh të diplomacisë perëndimore.Ismail Qemali,ai si diplomat i klasit të lartë u ul dhe përpiloi vetë një tekst të shkurtër e koncis ku njoftonte Fuqitë e Mëdha për këtë akt të shqiptarëve.Në këtë notë pos të tjerave,thuhej se :”Asambleja Kombëtare e përbërë nga delegatë të krejt visive shqiptare, e mbledhur në qytetin  eVlorës,spalli pavarsinë politike të Shqipërisë.Qeveria e përkohshme është e ngarkuar me mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar i cili kërcnohet me shuarjen nga ushtria serbe.Duke paraqitur këto fakte,vazhdonte nota në fjalë,kam nderin t’i kërkoj Qeverisë së Madhërisë së tij Britanike,që të njohë këtë ndryshim në jetën politike të Shqipërisë.Shqiptarët që hynë në familjen e Evropës Perëndimore,janë kryelartë të murren sepse janë këtu më të vjetrit,kanë vetëm një qëllim,të jetojnë në paqe me gjithë popujt ballkanik dhe të bëhen element i drejt peshimit.Ata janë të bindur se Britanna e Madhe,sikurse e gjithë bota e qytetëruar do t’i presin përzemërisht këto ngjarje,duke i mbrojtur kundër çdo sulmi që mund t’i bëhet qënies së tyre kombëtare ose coptimit të vendit të tyre”.Kjo notë e hartuar prej Ismail bej Qemalit natyrisht nuk do të kalonte pa vëmendjen e Fuqive të Mëdha.Pamvarsisht prej ekuilibrave politike të mëvonshme,këto Fuqi të Mëdha,zbuluan përmës ngritjes së flamurit në Vlorë të vërtetën e thjeshtë se Shqiptarët mund të vetqeverisen.Njëherazi ata siguronin se duke ruajtur pavarsinë aq shumë të ëndërruar,tek e mbramja ato do të mbeteshin kurdoherë simbiozë  paqeje në Ballkanin e trazuar.Por ndërsa plaku i Vlorës,me kabinetin e tij,ishin në ditët e para të asaj qeverisjeje aq të vështirë,fqinjët tanë nuk rreshtën nga synimet dhe kërcnimet e hapura.Disa luftanije greke qëlluan disa herë Vlorën duke shkatëruar ndërtesa  e shtëpij.Rreth 400 ushtarë grek që ishin në Himarë zhvilluan disa ditë luftime por “patriotët vlonjat i zbrapsën disa herë duke zënë pomicione në Dukat”.(AQSH,fondi 71, dosja 1 , dokumneti nr.11,4043 ).

  Nga fundi i djetorit i vitit 1912,në drejtim të Vlorës u drejtuan edhe nja 200 kalorës turq.Përballë tyre,në rrethinat e Vlorës,u vunë disa dhjetra burra të Shqipërisë të komnaduar prej Murat Bej Toptanit.U deshën vetëm dy – tri orë debate e mëndej kalorësit u larguan.Ndërsa serbët kishin kaluar prej kohësh Drinin,po bënin reprezalje në Dibër,Mat e Librazhd. Kësisoj,foshnja e porsalindur,qeveria e përkohshme  u gjend e vetmuar në tallazin e detit.Ismail bej Qemali duke paraparë vështirsitë e mëdha gjithfarllojesh ndërmerr pas kësaj një udhëtim në Evropë.Në krah të tij,rrijnë Luigj Gurakuqi e Isa Bolentini të cilët patën ndjekur njëri me pendë e tjetri me pushkë ngjarjet e mëdha të atyre viteve. Ata dukej se vinin tashmë t’i jepnin zemër plakut të Vlorës,por ky ndërsa largohej prej gjirit të bukur të qytetit pikëllohej edhe më tepër.Në bisedat e gjata diplomatike në Romë,Vienë,Paris dhe Londër,me të drejtë,nuk u arrit diçka konkrete.Ngulmimi i plakut të Vlorës ishte që të ruhej sa të ishte e mundur tërësia toksore e trojeve shqipatre ngase ngjarjet në Ballkan sa vinin e bëheshin më të koklavitura.Ato probleme po zgjoheshin tash me largimin e Turqisë prej skenës Evropiane duke ringjalluar mëri të vjetra e orekse të reja,sllavogreke. Veçmas në Londër,me personalitete të shquara diplomatike,Ismail Qemali u përpoq të nxirte në pah se Shqipëria ish një komb që paraqiste vlera të mëdha për shkak të lashtësisë,guximit dhe shërbimeve që i pat sjellë evropës.Ndërkohë,biri i Vlorës, përcolli në Londrën plot mjergull e prapaskena politike,mesazhin se shqiptari as këkonte tjetër veç lirinë e trojeve të tij.Ai natyrisht kërkonte të rronte në fqinjësi të mirë me çdo fqinj,pamvarësisht nga e kaluara e largët apo e afërt.

”Po simpathija qe mu shfaq ndaj misionit që kesh ndërmarrë,qe ngushëllimi i vetëm për zemrën e coptuar të Shqipërisë kur muarën vesh vendimet e marra nga konferenca.Më shumë se gjysma e tokës së vendit,u ish dhanë Serbisë,Malit të Zi dhe Greqisë.Qytetet më të lulëzuara dhe pjesët më të begatshme të vendit qenë shkëputur dhe Shqipëria qe rregjuar e mbetur vetëm me pjesët më të thata,mbushur me gurë e shkëmbenj”.(Ismail Qemali , “Kujtime” Toronto – Kanada ,faqe 271 ).

  Prej vitit 1913 e deri më 1919,jeta e plakut të Vlorës,rodhi kurdoherë me ate shqetsimin e madh për fatin e atdheut që e lindi.Edhe kur në Shqipëri vjen Princ Vidi dhe Ismaili largohet për në Francë,tok me familjen,ai sërish dërgon letra,telegrame,takon miq e diplomat të huaj,i bindur sidoqoftë se çdo tragjedi e shqiptarëve niste padyshim nëpër kancelaritë evropiane.Kështu derisa zemra e lodhur prej derteve të Shqipërisë,një ditë pushon së rrahuri.Ishte 24  janari i vitit 1919.

Trupi i tij u dërgua në Vlorë për t’u varrosur në teqenë e Kaninës.Ky ishte amaneti i fundit i plakut të mirë,i birit të Vlorës i krejt kombit e Shqipërisë.Varrimi i tij qe madhështor.Ullishtat e Vlorës u mbushën me mijëra njerëz që donin të flisnin për të fundit herë me burrin e madh.Era e ftohtë e janarit,tundete lastaret e ullinjëve që u ngjanin duarve të dridhura të plakut që ngriti flamurin.Një fjalë që mbajti në varrimin e Ismail Qemalit,professor Jani Minga ai shprehej ; “Popull i përzishëm,shumë të brengosur dhe shumë të vrejtur të shoh sot.Vallë ç’gjëme e tmerrshme të ka gjarë e që mandat të zezë ke dëgjuar ? Pyes me pikëllim shpirtin,pyes me zemër që dridhet.Po mjerisht kudo që rrotulloj synë,kudo që mbajnë veshët,një zë përgjigjet në çdo anë,nga çdo fytyrë e venitur dhe e shkëmbyer e juaja dhe del një zë i helmueshëm dhe i shëmtuar,dëgjohet se vdiq Ismail Qemali,vdiq plaku i Shqipërisë.HEU ! Thuaj më mirë,o i mjerë popull,vdiq burri më i madh i Shqipërisë,luftëtari ma i fortë i mendjes,i njenjave dhe i mendimeve kombëtare,vdiq mburesa ma e fortë dhe ma e madhe e kombit,vdiq politikani ynë më i madh,dhe diplomati ynë më i dëgjueshëm në fushë të politikës e të diplomacisë Evropiane… Po tikomb mos u dëshpro ! ka pjellë këjo tokë kaq e vjetër në Sinist të Ballkanit,Kastriotët e Qemalët,ka pjellë të tjerë burra,të cilët do të ecin kurdoherë pas gjurmëve të mëdha të këtyrevet e do ta mbajnë atdhenë e dashur e të shenjtë në mëvehtësi e në liri të plotë me emrin e At të madhit Zot”.(Gazeta “Kuvendi” – Romë , mars 1919 ).

  Shumë vjet më pas,me kërkesë të popullit të Vlorës,trupi i Ismail bej Qemal Vlorës u rivaros në qendër të qytetit.Lavdia ende prehet aty.Që gjeneratat e tjera shqiptare të mësojnë prej këtij Panteoni.

Bern.-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Ismail Qemali

LUKË KAÇAJ- SHKAMBI I DALTUEM, QË RA PREJ BJESHKËVE TË NÊMUNA

November 16, 2012 by dgreca

Në 100 vjetorin e Pavarsisë…/

Lukë Kaçaj diten e martesës me Anen…në Rrugen L.Gurakuqi, Shkoder./

Nga Nga Fritz RADOVANI/   Bajza e Kastratit të Shkodres, me 24 Shkurt 1924 i fali artit shqiptar një shkamb që pat daltue prej Atyne Bjeshkëve të Nêmuna, ku kanga me “Lahutë” nuk ka kurrë mort! Ky filiz i njomë i lemë në një shtëpi malesh kreshnike me emnin Lukë Kaçaj, do të rritet e do të bahet lis sa bota e qytetnueme me na e pasë lakmi. Lukë Kaçaj fëmijë i kushtohet Urdhnit të Fretenëve të Vegjel, dhe vjen në kolegjin e Françeskanëve të Gjuhadolit në Shkoder, ku do të ndjekin edhe mësimet në Liceun “Illyricum”… Mjeshtri i madh i muzikës At Martin Gjoka, asht Ai që i vuni shenjën e muzikës në ballë djaloshit të rij nga Alpet që me ujin e burimeve të tyne i sollen artit Shqiptar një nga figurat ma të spikatuna, që zani i Tij do të mrekullojë edhe Boten…

            Nen kujdesin e At Filip Mazrrekut, një tjeter frat i telentuem, Luka do të mësojë me luejtë në armonio, organo dhe vjolinë. “Ato vite Ai i kujtonte si kohen ma të bukur të jetes së Tij”, ka shkrue në një monografi të shkurtë nxanësi i Tij, muzikologu dhe artisti i njohun Loro Sata, të cilit i jam referue per me shkrue këta pak rreshta per të Madhin Lukë Kaçaj në këte 100 vjetor.

            Në vitin 1946, kur po permbytej mbarë Shkodra nga komunizmi, At Mati Prennushi thrret në Kuvend baben e Lukës dhe i thotë: “Koha sa vjen e bahet ma e rrezikshme per xhakoj ashtu si per ne, prandej merre Luken në shtëpi, sikur ai nuk do me ndejë ma këtu dhe mundou me i dhanë rrugen e muzikës, mbasi ka mundsi që Liceu i ynë të mbyllet nga komunistët..” (Dëshmi gojore e të Ndjerit Lukë Kaçaj, në prezencen e At Konrrad Gjolaj, në vitin 1996, në Shkoder).

            “Kjo këshillë e At Matisë dhanë babës tim, më shpetoi nga arrestimi i sigurtë që në 1946” thonte Luka me mirnjohje… Ndonse, veshtirsitë e jetës Lukës nuk iu ndanë asnjëherë.

            Luka niset per Tiranë porsa hapet Liceu Artistik. Komisioni i pranimit mbetë i habitun nga pergatitja kulturore muzikore e Lukës. Pranohet në 1947 në orkestren e Radio Tiranës, por mbas dy muejsh pushohet nga puna si “ish nxanës i françeskanëve”, dhe shkon hamall në një magazinë në Yzberish. E ndihmon kompozitori Kristo Kona, aso kohe deputet, tue e angazhue me korin e Filarmonisë. Luka fillon punen në Filarmoni. Sjellja e Lukës prej qytetari me njohuni si pak kush të disa gjuhëve të hueja, italisht, latinisht, greqisht dhe në mënyrë të persosun gjuhen amtare, tue i vue në perdorim të vazhdueshem me leteratyren botnore dhe kryeveprat e saja ma të njohunat, si pasojë e studimeve fillestare, në vitin 1951 i hapë rrugen per studime jashta shteti në konservatorin “P.I.Çajkovski” në B.S., me një grup muzikantësh shqiptarë.

            Luka paraqitet në konkurs dhe porsa perfundon së kënduemi, Drejtori i Konservatorit u çue në kambë tue thirrë: “Otliçno! (shkelqyeshem)”…E nuk do të vonojë kur Shaporin deklaron: “Ky bas asht një Shaljapin i ri, Shaljapini Shqiptar!” Luka i befasoi si artist i madh të gjithë. Ai ishte interpretues në disa gjuhë, tue mësue atje edhe rusishten, frengjishten dhe gjermanishten.

Në një turne në shtetet “demokratike” të Europës Lindore, Luka kishte një repertor të gjanë mbi 100 pjesë në 5 gjuhë të hueja. Me 28 Nandor 1958, ishte në “Balshoj Teater” të Moskës dhe ka interpretue Don Bazilion nga “Berberi i Seviljes” i Rosinit, ku populli moskovit e pershëndeti “tue e krahasue të një niveli me interpretimin e Shaljapinit, po në atë skenë”.

Në vitin 1966…Ramiz Alia, në kuadrin e “Revolucionit Kultural” e largon nga skena!

Luka gjithnjë shihej tue i ba një pyetje vetes: “Mos vallë… ky asht fundi im…!?”

Parandjente até që do të ngjiste me 28 Maji 1973…kur sigurimi i shtetit do ti vinte hekrat në prani të studentave dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura, me etiketen e njohun të “rrezikshmërisë shoqërore, dhe në emër të popullit arrestohet si armik i tij…”

Lukë Kaçaj, djali Fisnik i Bajzës së Kastratit, asht para xhelatëve shpifës e terroristë, kur Nana Tone me lot perfaqe i lutej “trupit gjykues” per djalin e pafajshem të vetin, por denimi i tij asht i pashmangshem. Luka u dënue me 5 vjet heqje lirie…Luka ishte “armik i popullit” se kishte recitue vargjet e At Fishtes, mësuesit të vet, dhe nuk kishte “harrue endè” me i ra në gjuhen e Tij “Lahutës së Malësisë”, të cilen e adhuroi deri në vdekje. Nuk munguen as dishmitarët…

Ana, zonja e Tij e nderueme nuk mungoi as nder telat rrethues me gjema të kampeve.

Luka u lirue nga burgu i “vogel” në vitin 1978, per të vazhdue dënimin e Tij në burgun e “madh” me të gjithë popullin shqiptar. Artisti i Madh ishte pa punë. Dyert ishin të mbylluna! Një ditë një shef kuadri “zemermirë” i ofroi punë: “Kemi punë edhe per ty, vetem hamall…”

Luka tregonte: “Vetem në ngarkim shkarkim të makinave, të karrocave mund të fitojshe buken per vete dhe per Anen…Lodhja fizike po, por ajo shpirtnore më dermonte shpirt e zemer!”

Vazhdoi disa vite hamall tek Pazari i Ri në Tiranë… Në vitin 1988, e bukra Ana, që nuk kishte kursye me shitë edhe “gjakun” per me mbajtë gjallë burrin besnik të saj në burg, mbylli vuejtjet e jetes e mbeshtetun per gjoksin e basit të njohun në Botë, me sy të ngulun tek Luka!

Me 7 Shtator 2001, Luka nuk këndoi kurrma! Komunizmi kerkoi me e varrosë “hamall” të Madhin Lukë Kaçaj, basin e njohun nga të gjitha skenat botnore që e dishruen praninë e Tij.Luka me të vertetë që interpretonte rolin e Gjinit tek opera “Mrika” e Prenkë Jakovës, tue i dhanë edhe vlerat e veta malësorit të Veriut, po rolet që luente Luka ishin pjesë nga jeta e Tij.

Në kjoftë se arti botnor krenohet me artistët e Mëdhej Xhino Beki, Nikola Rosilomeno, Kolja Giaurov, Boris Kristov, Fjodor Shaljapin, edhe arti Shqiptar “një ditë” ka me rreshtue me ata kolosë, një shkamb të daltuem me kulturen shqiptare Europjane, që ra e u ba ortek nga majet e Atyne Maleve e që na i thrrasim Bjeshkët e Nêmuna, e …

Ky vigan i pavdekshem ishte Lukë Kaçaj…

 Melbourne, 12 Nandor 2012.

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Fritz, Luke Kajcaj, Radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT