• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2012

NJOFTIM PER MEDIAN SHQIPTARE NE NEW YORK

November 25, 2012 by dgreca

Njoftohen redaksitë e gazetave shqiptaro-amerikane dhe Televizionet se ditën e Martë, 27 Nëntor, në ora 12 e 30, në Bashkinë e Shtetit të New Yorkut, zyra e majorit, organizohet ceremonia e nderimit të veprimtarëve të Komunitetit Shqiptar me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo është një inisiativë  e NYC Council Speaker Christine Quinn, edhe NYC Council member James Vacca. Gjatë një takimi që u organizua në Shtëpinë e Vatrës, ku ishin ftuar edhe shoqatat e tjera, u përzgjodhën disa nga veprimtarët më përfaqësues të trevave etnike shqiptare, Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni, Camëri, Lugina e Preshevës.

Është e mira që e gjitha media shqiptare ta përcjellë këtë ngjarje, e cila në këto përmasa organizohet për të parën herë .(Dielli)

Filed Under: Kronike Tagged With: dalipi, dielli, Njoftim per media

MARTY MAGZ, I FAMSHEM NE BOTEN E HIP HOPIT

November 24, 2012 by dgreca

Marty Magz merr nominimin e dytë prestigjioz ‘Reperi me Premtues 2012′ në UMA/

Shkruan: Nora Kalaja, New York/Prishtinë/

Biografia: Marty Magz/

Zëri i veçantë dhe karizmatika e tij e kanë ndihmuar Marty Magz të bëhet MC-u më ndikues në botën e hip hopit. I famshëm për kreativitetin e tekstit të këngëve Marty ka bërë një karrierë të një artisti të ri të suksesshëm në Amerikë dhe Evropë. Si themelues i grupit “Mob Type” ka shtyrë lëvizjen e hip hopit underground duke krijuar një interest të veçantë për kulturën e hip hopit në mes të viteve 2000.

Marty Magz njihet për stilin e tij Evropian të 1920-tave në hitin “Not Adding Up”, një bashkëpunim me reperin e famshëm Gem Belushi. Gjatë karrierës të tij të suksesshme, Marty ka lëshuar hite të tjera si “Make it Happen” ft. G-Jon, “Mob Type” ft. R-Mean dhe “They Don’t Want It” ft. Niko. Dhe në solo ka patur një karrierë me sukses me hite si “Money Days“, “Road to Myself” dhe “Patiently Waiting“.

Në 2012 Marty u bë pjesë e kompanisë muzikore “Eagles Up”(Shqiponjat lart) Entertainment, ku arriti dhe famë botërore. Marty Magz ka marrë dy nominime prestigjioze nga Underground Music Awards (UAM’s), shfaqja çmimi më famoze dhe më e shikuar në MTV: “Most Promising Male Rapper in 2011″ (Reperi më premtues në 2011) dhe “Most Original Artist in 2012” (Reperi më origjinal në 2012). Reperi i famshëm është shfaqur dhe në revistat më të njohura të hiphopit amerikan si XXL Magazine, World Star Hiphop, All HipHop, The Source, si dhe në media të njohura në Shqipëri, Kosovë, Angli, Gjermani, Suedi, Zvicër dhe Itali. Gjithashtu është ftuar disa herë për intervista eksklusive tek radio e reperit famoz Eminem, “Shade 45” në New York. Këngët e Marty Magz kanë arritur majat e toplistave të muzikës brenda dhe jashtë Amerikës.

Fillimet: Krijimi i Identiteit Artistik të Marty Magz

Lindur si Martin Berishaj në Queens, New York. Në 1992 lëvizi në Detroit, Michigan. Familja e tij është me origjinë shqiptare nga Malësia e Madhe, e cila emigroi në Amerikë gjatë viteve 1970-të.

“E vlerësoj prejardhjen time. Më jep identitet. Për mua është me rëndësi të mos ta harrosh nga ke ardhur. I ndjek traditat shqiptare edhe pse jam amerikan. Unë besoj që identiteti im kulturor më veçon nga persona të tjerë nga mënyra se si i trajtoj të tjerët, jap respekt dhe ruaj vlerat e familjare,” u shpreh Marty Magz.

Që kur ishte fëmijë Marty performonte para kameras dhe u apasionua pas muzikës. Ëndrra e tij për të bërë muzikë u realizua në vitin 2005 kur bleu studion e tij të inçizimit. Në studion e tij të parë Marty eksperimentoi me aftësitë e tij teknike dhe kreative ku zbuloi dhe identitetin e tij artistik.

“Hip Hopi më ka thirrur. Nuk e mbaj mend kur ndodhi, por kur erdhi më befasoi dhe jam magjepsur pas tij. Nganjëherë ndjehem i shumëanshëm me muzikën; disa ditë më vjen të shkruaj për gabimet në jetë dhe herë të tjera për të harruar të kaluarën. Muzika ime influencohet nga ato ndjenja që po kaloj në ato momente. Çdo ditë e re zgjon një ndjenjë dhe një stil të ri tek teksti dhe muzika ime,” tha Marty Magz.

Rritja e Suksesit: Nga shfaqjet legjendare të ‘Shelter E Shows’ tek Seria ‘Shady 45’

Në 2006 Marty Magz themeloi grupin underground hip hop “Mob Type” në bashkëpunim me G-Jon dhe Niko në Detroit. Si themelues dhe drejtor i grupit Marty kishte në përgjegjësi zbulimin e talenteve të reja dhe menaxhimin e tyre. Grupi “Mob Type” u bë i njohur në konkurimet e hip hopit underground të quajtura ‘rap battles’. Grupi ka performuar në vendin legjendar të hip hopit me emrin ‘Shelter’, të cilin repri Eminem e bëri legjendar në filmin e tij “8 mile”.

“Shfaqjet dhe‘open mics’ (mikrofoni i hapur) në Shelter më kanë lançuar karrierën time. Aty arrita të shfaq stilin tim dhe vetveten para botës. Besoj se kam një histori për të treguar dhe dua ta ndaj këtë me fansat e mi. Si një MC kam respekt për skenën muzikore të hip hopit underground dhe gjithmonë synoj të zhvilloj vlerat e mia personale dhe artistike. Vlerësoj mbi të gjitha vërtetësinë në muzikë. Koncepti im për të arritur sukses në këtë biznes duhet të kesh origjinalitet, ndershmëri dhe individualitet. Kam kuptuar që vlerat e vërteta të hip hopit janë të jesh sa më i vërtetë me veten dhe me patur një vizion që afron fansat me muzikën dhe me artistin,” tregon Marty Magz.

Marty Magz adhurohet nga shoqëria dhe fansat e tij për repin e tij të zgjuar dhe shfaqjen e ndjenjave në muzikën e tij. Ka arritur të ruajë lëvizjen klasike të hip hopit underground nëpërmjet tekstit të tij. Në 2007 grupi lëshoi të parin mixtape “Chapter 1” dhe pati sukses për 3 vite si grup. Në 2007 Marty lëshoi singlin hit “Pretty Ladies”. Në 2010 Marty Magz dhe G-Jon lëshuar videoklipin “Make it Happen”, prodhuar nga Kings Sage dhe xhiruar nga Pine Grove.

Karriera ‘Solo’

Gjatë kësaj kohe Marty zhvilloi imazhin e tij artistik dhe ndërkohë jeta profesionale u rrit. Vazhdoi solo për 2-3 vjet ku i la përshtypje komunitetit të hip hopit. U bë i njohur për hitet “Road to Myself“, “Anymore“, “Who is Next” dhe “Money Days” (www.youtube.com/user/MobTypeMusic).

Shumëllojshmëria është tipar që ia ngren vlerat Marty-t si artist të madh. Secila këngë që ai shkruan shfaq një stil dhe kreativitet të ri. Muzika e tij prezanton stile të pandëgjuara më parë, me tekste dhe rrjedha më të mirat, repin më të mirë me një prezantim të shkëlqyer. Influencat e hershme nga konkurset ‘battle raps’ e kanë ndihmuar Marty Magz të bëjë të njohur personalitetin e tij të veçantë, aftësitë dhe stilin e tij. Që nga koncepti te përmbajtja, nga rrjedha në prezantim, aftësia dhe teksti i Marty Magz i japin kuptim të ri identitetin të hip hopit. Duke u bazuar në një muzikë të frymëzuar nga përvoja personale dhe ndjenjat e tij, Marty Magz afrohet shumë shpejt me fansat, të cilët nuk i zhgënjen.

Marty Magz bën një muzikë që vlerësohet në një shkallë botërore. Ai përmend Notorious B.I.G. dhe Nas si influecat e tij kryesore. Si një MC me një mëndje gjithmonë në kërkim, Marty Magz nuk ka frikë të jetë vetëm vetvetja. Prodhon muzikë me tekste origjinale me mesazh pozitiv ku shfaq dhe preferencat e tij muzikore. Mesazhi i tij është respekt për veten, vendosmëri, dashuri për hip hopin dhe tolerancë.

“Kam respektin më të madh për muzikën legjendare të Notorious B.I.G. dhe Nas. Kam studiuar muzikën e tyre dhe dua të mësoj nga ata. Ka shumë repera të talentuar sot, por kemi nevojë për MC. Fatkeqësisht, artistët sot në hip hop lavdërojnë vrasjet, krimin, dhunën, keqtrajtimin e femrave, tradhëtinë bashkëshortore dhe ‘kurvat’.Për mua hip hop duhet të ketë një mesazh pozitiv. Është e lehtë për gjeneratën e re sot të bie kurth nga presionet negative të shoqërisë dhe duan të bëhen të këqinj për të patur një imazh të një të forti. Nuk dua që të rinjtë të mësonjë këto gjëra. Unë mundohem të jap një mesazh pozitiv dhe t’i jap shpresa të rinjve për një të ardhme të mirë për veten e tyre” rrëfen Marty Magz.

Marty Magz ngren hip hopin në një nivel me lart. UMA’s nderon vizionin e tij artistik

Gjatë viteve Marty Magz ka transformuar tingullin e hip hopit me rrjedhat emocionuese dhe një zë të ri që ai sjell. Secila këngë e tij është një bukuri artistike. Marty Magz është shfaqur në disa nga revistat më të njohura të hip hopit si XXL Hip Hop Weekly, Eminem Radio, “Shade 45” Series, Urban Buzz Factor, AlwayzTherro dhe Yo Raps. Revista “Source” e vlerëson si një artist “dinamik dhe mbresëlënës”, i cili po “ndërton një lëvizje të madhe” në hip hop.

“Marty Magz është një ‘Rebel’ me shkak. Magz përcjell një flou dhe një përformancë vokale të shkëlqyer. Ky MC i shumëanshëm vazhdon t’i tregojë vlerat si artist. Muzika e tij ndërlidh një intensitet origjinal dhe origjinalitet me tinguj fantastik. Stili i shumëllojshëm dhe pamja e tij unike e ndajnë Magz nga kompetenca e tij” (The Source, 2011, “S.I.H.H.N. – Marty Magz”).

Shfaqja përvejtore Çmimet për Muzikën Underground (The annual Underground Music Awards – UMAs) e kanë nderuar Marty Magz me dy nominime prestigjioze rradhazi. Marty Magz u nominua me çmimin “Reperi më Premtues i 2011-tës” (Most Promising Male Rapper) dhe “Artisti më Origjinal i 2012-tës” (Most Original Male Artist). Shfaqja “The Underground Music Awards” është shfaqja më e madhe kombëtare në Amerikë për artistë të pavarur, organizuar nga MTV. Nominues të tjerë në këtë shfaqje kanë qenë Ice-T, Run DMC, Nickey Minaj, etj (www.yo-pr.com, www.undergroundmusicawards.com).

“Është një nder i madh të nominohem në 2011 dhe 2012 nga Underground Music Awards. Më vjen mirë kur nominues të kësaj shfaqje prestigjioze kanë vazhduar në gjëra më të më mëdha në muzikë. Është kënaqësi ta përjetoj këtë mbrëmje me Drake, Nicky Minaj, Lil Mama dhe artistë të tjerë të respektuar dhe të njohur. Hip hopi dhe veçanërisht lëvizja underground nënkupton për mua rrëfimin e një histrije, e cila flet për jetën dhe ralitetin që përballojmë çdo ditë. Për mua hip hopi nuk ka rregulla. Është jetesa në mënyrën më të mirë dhe të lesh pas një trashëgimi për të tjerët për ta vlerësuar,” tha Marty Magz.

Projektet e Tanishme: Lidhja me Eagles Up dhe fillimi si sensacion internacional

Në korrik 2012 Marty Magz u bashkua me kompaninë muzikore Eagles Up Entertainment (EU), themeluar nga Gem Belushi. (www.eugang.com )

“Bashkëpunimi me Gem në EU ishte një lidhje e duhur. Gem Belushi punon shumë dhe ne të dy kemi të njëjtin vizion, motivacion dhe qëllim në jetë. Kam lidhje dhe njohje me persona që janë mjaft lart në fushën e muzikës, por për këto dy vite jam munduar të gjej personin e duhur. Besoj se Eagles Up po hap tregun për komunitetin shqiptar dhe ne do jemi të parët që kemi cekur hip hopin. E di që shqiptaro-europianët dhe shqiptaro-amerikanët do na përkrahin,” tha Marty Magz.

Në korrik 2012 Marty Magz lançoi mega-hitin “Not Adding Up” me Gem Belushi në radiot dhe valët më të famshme të Nju Jorkut si dhe në Radion e Eminem-it, Shade 45. Kënga mori vlerësim të lartë nga Miss Mimi dhe Dj K Black, që para kamerës thanë që ‘ky rekord është i pabesueshëm’ dhe e luajtën për të dytën herë këngën në radio, pas prezantimit. (Videoklipi ‘Not dding Up’: https://www.youtube.com/watch?v=8M4shBx1JTU)

“Kam një respekt të jashtëzakonshmë për Miss Mimi dhe Dj Black që janë zëra të fuqishëm dhe përkrahje e forte e lëvizjes underground hiphop. Është një nder i madh të jesh i ftuar special në Shade 45 sepse radio orgjinale e Eminemit e ka mbajtur hip hopin gjallë dhe sjell me muzikë të vërtetë te fansat,” tregon Marty Magz.

Në gusht 2012 Eagles Up lançoi videoklipin “Not Adding Up“. Singli dhe videoklipi u bënë hit i menjëhershëm.

Në nëntor 2012 Marty Magz lançoi videklipin e ri “Droppin Heat“. Singli “Droppin Heat” është një bashkëpunim me artistin e talentuar shqiptar Niko (Niko Ulaj). Lajmi i xhirimit të videoklipit në Detroit u bë një lajm ndërkombëtar me publikime në New York, Shqipëri, Kosovë, Angli, Gjermani. Videoklipi u xhirua me 10 nëntor 2012 nga drejtori i famshëm Jynx, i cili është më i njohuri dhe më i preferuari për vipat amerikan si Big Sean, Dusty Mcfly, etj. (Videoklipi ‘Droppin Heat’: http://www.youtube.com/watch?feature=player_embedded&v=m_S457cDLlM)

“Plani im është që të performoj live në Miçigan dhe një turne në Europë. Kam patur një përkrahje të jashtëzakonshme nga Kosova, Malësia, Shqipëria, Detroiti dhe New York. Malësorët dhe shqiptartët më kanë përkrahur që nga fillimi dhe i jam shumë mirënjohës për këtë. I uroj të gjithë shqiptarëve gëzuar festën e flamurit kudo që janë,” tha Marty Magz.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ermira Babamusta, Marty Magz. nominohet

MBRINE NE SKELE ISMAIL QEMALI – PËRURIMI I SHTATORES, NË 27 NËNTOR SHESHI “PAVARËSIA”

November 24, 2012 by dgreca

Nga GËZIM LLOJDIA/

Ka mbritur në sheshin e Skelës me synim të qëndroj aty përherë ,Ismail bej Vlora. Përurimi i shtatores do të kryhet në 27 nëntor në sheshin “Pavarësia”.Shtatorja e Ismail beut u realizua nga skulptori Zeqir Alizoti në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare .Monumenti i plakut të Vlorës,që ngriti flamurin dhe krijojë qeverinë në vitin ‘12 u financua nga bashkia Vlorë dhe u vendos në një nga sheshet kryesore të qytetit të Flamurit në sheshin e njohur me emrin :”Pavarësia”.Skulptori ka gdhendur plakun e Vlorës në këmbë me një vështrim në thellësi të shekujve .Në njërën dorë mbanë xhaketën dhe në dorën tjetër por të përkulur mbanë mesazhin. Një pamje ballore mjaftë e gjetur e cila të tërheq dhe të ngjall emocion. Mesazhi i skulptorit është i qartë. Në të tre variantet skulptori ka menduar edhe për flamurin. Ai shfaqet dukshëm pas figurës të plakut të Vlorës. Shtatorja e plakut të Vlorës themeluesit të shtetit, është vendosur në sheshin përpara universitetit të Vlorës në shpinën e tij monumenti ka një fushë pamje nga deti.

Ismail Qemali është njeriu që ngriti flamurin por deri më sot nuk ka një monument të tij .Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë shqiptarë u përjetësuan në një monument në qendrën e sheshit historik të Flamurit. Studiuesit e shumtë kanë përkrahur idenë se aty është ngritur flamuri në ditën e pavarësisë. Aty është vepra me dinamike, një monument punuar me bronz i njohur si Monumenti i Pavarësisë. Një masiv bronzi ,17 m e lartë,përfunduar në 28 nëntor 1972.

Në të njëjtin vend ku është Lulishtja “I.Qemali”, është varri i patriotit I.Qemali,

obelisku me luftëtarin e lirisë. Ndërtuar në vitin 1932. Në këtë zonë kanë ekzistuar disa shtëpi,por u prishën me vendim të bashkisë së Vlorë në vitin’32,për të ndërtuar lulishten “I.Qemali”.Ka qenë një interesim i kryebashkiakut të Vlorës Ali Asllanit. Eshtrat e plakut të Vlorës u sollën nga Kanina,ku ishte varrosur në 1919 sëbashku me dy kryeministrat e tjerë në kopshtin e teqesë së Kaninës dhe tyrben e kësaj teqeja,që është shpallur monument për kohën dhe rëndësinë e saj.

Monumenti i skulptorit Zeqir Alizoti,do të jetë i pari ku figura e patriot të shquar të përjetësohet në një monument të vetën në sheshin e Skelës .Lidhja që krijohet këtu është edhe historike.Duke qenë se në sheshin e Flamurit gjendet pjesa kryesore e kompleksit muzeal në Skelë gjendet muzeu kombëtar i Pavarësisë,selia e Qeverisë së parë të I.Qemalit. Ndërtesa e Muzeut të Pavarësisë Kombëtare është autentike,që ruan vështrimi e asaj kohe. Materialet këtu janë të sistemuara si në kohën kur punoi qeveria e Vlorës me Kryeminsitër I.Qemalin.Ajo gjendet në rrugën Vlorë-Skelë,afër detit,por pamja e saj,fytyra e saj vështron nga hapësira e detit, kryesisht nga gjiri i Vlorës. Eqrem bej Vlora, e ka përshkruar në këtë mënyrë këtë vajtjen e I.Qemalit në këtë ndërtesë:”Në fund të marsit Ismail beu u kthye nga Londra,vecse nuk erdhi më për të banuar në shtëpinë e Xhemilit,por zuri në Skelë atë vilën e vogël,por shumë të këndshme të karantinës,që administrohej nga Komisioni Ndërkombëtar i Shëndetësisë…”

Kryeministri I.Qemali

Kryeminstri Ismail Qemali punoi 40 vjet në administratë deputet,vali.17 vjeç ishte përkthyes në Ministrinë e Jashtme,guvernator në Varna,Tripoli.U internua nga perandoria osmane në Anadoll në një mungesë prej 7 vjetësh.1900 arratiset në Greqi me një anije angleze.Kryeminstri kishte 10 fëmijë.6 djem, 4 vajza.Në zyrën e kryeminstrit në muzeune Skelës është një foto e tij me 6 djemtë e tij. Më 1864, siç shkruan edhe veë, Ismail Qemali u martua me një grua nga Konica, e cila vdiq në vitin e parë të martesës, së bashku me vajzën (ndoshta gjatë lindjes). Më 1867, duke qenë me punë në Rusçuk (Bullgari), Ismail Qemali u dashurua me Kleoniqi Surmeli, e bija e Antonit, një fisnik grek nga Edirneja, nga familja e Vezirit të Madh, Ali Pasha Surmeli (Vezir i Madh 1694-95). «Martesa ime,- shkruan Ismail Qemali,- me gjithë zhurmën që kishte shkaktuar, më dha shumë prova simpatie nga ana e miqve të mi». Me Kleoniqi Surmelin pati lumturinë, siç do shprehej edhe vetë, të kishte 10 fëmijë: gjashtë djem: Mahmud bej Vlora(1871-1920), Tahir bej Vlora (1875-1932), Et’hem bej Vlora(1885-1937), Xhevdet bej Vlora (1888-1910), Qazim bej Vlora (1893-1953), Qamil bej Vlora (1895-1950) dhekatër vajza: Mevedet (1873-1954), Alije (1955), Ylvije (1934), një vajzë vdiq pas lindjes

Skulptori Z.Alizoti është mare gjatë me punimin e figurës së Ismail Qemalit.Kur e pyeta gjashtë muaj më parë se cilat ishin veprat e tij krijuese ai më shpjegoi se po përgatiste vepra të llojit monumente për dy figura të shquara si Ismail Qemalin dhe Zenel Gjolekën prijësin e tradhtuar ,monumenti i këtij të fundit do të jetë të veçantë ai do të ngrijë në bonz prijësin në kalë. Dhe ky monument do të ketë vend në një nga sheshet e qytetit të Flamurit. Figurën e plakut të Vlorës ,skulptori ka vite që e bluan në mëndje ,një ditë derdhi në fonderinë e tij,tre maketet e vogla të cilët do të sjellin një ndër të përzgjedhurat për tu vendosur definitivisht në Skelë. Është puna e këtij skulptori për vizitorët e 100 vjetorit që do të zbresin në qytetin e Flamurit do të kenë mundësi të marrin një portrete të plakut të Vlorës ,punuar në shamot derdhur në fonderinë e tij ,mirëpo e vendosur në kornizë druri. Jo vetëm kaq po ky skulptor ka realizuar edhe shtizën e flamurit në mermer e realizuar artistikisht me mjeshtëri nga dora e skulptorit vlonjat Alizoti.

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Busti, Gezim Llojdia, Ismail Qemalit, mberrin ne Skele

SHQIPNIA:100 VJET SHTET DHIMBJESH

November 24, 2012 by dgreca

Nga Jozef Radi/

Tashma me orë pritet festa e 100 Vjetorit i Shtetit Shqiptar.

Nji festë e cila e ka ba flamurin dyngjyrësh të nji kombi të shpaloset gjithkund ndër shqiptarë, (si gjeografi pak e trishtë) e të dëshmojë se lidhja jonë me kuqezinë asht diçka e shkrueme në gjakun tonë, në shpirtin tonë, në vuejtjet tona, në krenarinë tonë ballkanase…

Ky flamur si kurrë ma parë e si kurrë ma hijshëm se sot asht jo vetëm në duart e çdonjenit prej nesh, po shpaloset edhe brenda nesh…

Fati gjithnji ban të vetën. Kët Kryefestë të Flamurit, fati ia ngarkoi ta organizojë Sali Berishës. Nji rastësi historike?! Sigurisht, po mund të mos jetë edhe aq e tillë…! Megjithatë organizimi asht diçka protokollare, e arsyetueme, e diskutueme, buxhetore, kurse festa asht tjetër gja, festa asht shpirt, asht frymë, asht gjendje që nis prej çdonjenit nga ne, ashtu si nji pikë shiu vjeshte dhe merr teposhtë bahet rrëke, përrua, lumë derisa shfaqet ashtu e plotë si nji det i ndezun, me gjithë madhështinë e vet; nji det kuqezi i dalë prej nji dhimbje të madhe historike, po si duket sa ma e madhe dhimbja e lindjes aq ma i madh shpirti i kësaj feste të ndjeme…

Nëse bajmë nji kthim mbrapa në histori ka me na rezultue se në ditë të Mëvetsisë dhe shpalosjes së Flamurit, ngrihet figura urtake e Ismail Qemalit; në të njizetepestin vit shfaqet figura mbretnore e Ahmet Zogut; në të pesëdhjetin vit peshon randë hija e Sekretarit të Parë: Enver Hoxhës dhe bash në mbyllje të shekullit Shtet Shqiptar, rri e përndezun lavdie figura e Kryeministrit Sali Berisha, duke na e ba fakt “volendo nolendo”, se nëpër kto katër simbole, ende të vuejtshme, kalon nji rreth, vetëm nji rreth dhe asnji tjetër: rrethi i Njiqind Viteve Shtet Shqiptar… pa shmangë këtu edhe at figurë që duket si jashtë këtij rrethi, po që historia shqiptare s’ka me e pasë kurrë të lehtë me e anashkalue: ajo e Ibrahim Rugovës!

Po Shqipnia e vërtetë, ajo që jeton në shpirtin e çdonjenit prej nesh s’asht vetëm Shqipnia e Prijsave Politikë, e këtyne “Duerve të Hekurta” të Pushtetit, po Shqipnia e Prijsave Shpirtnorë, nji Shqipni që vërtet ende s’po mundet me folë ashtu si duhet, por që askush s’do mundet me ia ndalë ma fjalën: e kjo asht Shqipnia e Fishtës dhe Konicës, e Mjedës dhe e Nolit, e Koliqit dhe Kutelit, e Lasgushit dhe Migjenit, e Mit’hat Frashërit dhe e Lef Nosit, e Merlikës dhe Merxhanit,  e Eqerem Vlorës dhe Krist Malokut, e Ali Asllanit dhe Anton Harapit, e Martin Gjokës dhe Vangjel Koçës, e Çabejt dhe e Rizës, e Kasem Trebeshinës dhe at Zef Pllumbit, e  Petro Markos dhe e Vilson Blloshmit, e Trifon Xhagjikës dhe e Havzi Nelës, e Qoses dhe e Kadaresë, e Musine Kokalarit dhe Drita Çomos, e Pipës dhe Malëshovës, e Tefta Tashkos dhe Vaçe Zelës, e Martin Camajt dhe Bilal Xhaferrit, e Padër Meshkallës dhe Arbën Xhaferrit dhe e shumë e shumë të tjerëve, të cilët Panteoni Shqiptar ende i pret dhimbshëm…

Historiografia shqiptare edhe pse ka mbi shpinë shekullin e trazuem të nji shteti, ende s’u ka dhanë qytetarëve të vet nji tekst si duhet, ku të lexohet pak ma qartë e të kuptohen pak ma mirë përpjekja dhe dhimbja e gjithë atyne që e deshën kët vend, secili në mënyrën e vet, e secili me kontributin e vet, nëpër kontekste historike e rrethana politike jo fort fatlume…

Gjithë figurat e sipërpërmenduna të Kryeshtetarëve kanë shfaqë konflikte të hapta interesash me paraardhësit e tyne, e ku gjithsecili asht përpjekë me ngritë lavdinë e vet mbi poshtnimin e tjetrit… secili prej tyne ka kërkue me e u ngjitë sa ma nalt në majën e quejtun shtet shqiptar, vetëm si pjesë e lavdisë së vet dhe pak kush asht shqetsue se gjithçka realizohej ishte sakrifica ma sublime e nji populli të vuejtun, i cili ende e ka qëndresën cilësinë ma primordiale të genit të vet…

28 nantori, asht ditë e kremte dhe secili prej nesh duhet me harrue diçka nga historia e derisotshkrueme! Ajo çka s’duhet harrue asht vendosja në vend e krejt atyne që luftuen me shpirt për kët vend dhe i dhanë gjithçka mundën, shpesh duke marrë mbi fytyrat e tyne të ndrituna edhe shumë baltë të pameritueme…

Asht e vërtetë se krejt figurat e këtyne Kryeshtetarëve qendruen gjatë në pushtet, bile edhe Plaku i Vlorës, edhe pse njeriu ma pushtetpakët i të katërtve, vinte nga pushteti në perandorinë osmane, prej ku zvarritesh edhe fati i trishtë i Shqipnisë… Dy të tjerët kanë pasë nga nji çerek shekulli, kurse ai ma jetgjati pothuaj gjysëm shekull Pushtet…

Sot, në çdo tavolinë shqiptare ku mund të ulesh me festue, asht e vështirë me i bashkue të Katërt këta Prijës dhe të ngresh nji dolli përbashkuese,  prej asaj fryme që ata kanë mbjellë në histori! Harrohet edhe ma i randomti fakt se ata mbeten historia jonë; janë e mira dhe e keqja jonë e përbashkët, e bukura dhe e shëmtuemja jonë, heroikja dhe tragjikja jonë…!! Do të mbetesh nji akt i madh paqtues, për secilin prej nesh, prej frymës së kësaj feste të kishim nji përcaktim ma pak randues në dam tyne, ose e thanë pak ma ndryshe, me u ndalë te secili te ajo çka asht ma pozitivja e thelbit të tyne udhëheqës… A nuk do të ishte ma e denjë fjala vjen që Ismail Qemali të përcaktohesh fjala vjen si Dipllomati, Andrrimtari, i Sakrifikuemi; a s’do të ishte denjsisht rigoroze që Ahmet Zogu, të quhej Reformatori, I Paepuni, Autoritari; a s’do të ndjeheshin ma mirë jo vetëm idhtarët e diktaturës nëse Enver Hoxha do të konsiderohej Qëndrestari, Kundërshtuesi, Komandanti; apo Sali Berishës a s’do t’i bahej nder nëse do të quhesh Shpresësjellësi, Ekuilibristi, Kuqebluja…

Këto janë ende andrra… ndaj mbetet e vështirë ndër ne me i respektue si duhet ata që e kanë drejtue Shqipninë e këtyne njëqind viteve! Prej sot duhet të na bahet e pamundun me i poshtnue edhe ma, e me vazhdue pafundsisht me urrejtjen… Veç kështu e kërkon  dinjiteti i këtij njiqindvjetori madhështor: me i respektue ata! Le t’i kthejmë me kurajo shumë prej këtyne të përbaltunve të mëdhenj në Panteonin e lavdisë sonë të brishtë; ta dimë ne së pari; mandej edhe fëmijët tanë se nga kemi ardhë, për ku po shkojmë dhe ku mund të mbrrijmë; duke e braktisë njiherë e përgjithmonë idenë e skajshme të heronjve dhe tradhëtarëve… sepse në politikë të gjithë janë nga pak heronj dhe nga pak tradhëtarë… mjaft që të mos jetë në shënjester vetëm e keqja e tyne, sepse vërtet ata qeverisin popullin e tyne po harrohet se ata vërtitën edhe rreth nji harte të madhe, ku koha dhe ngjarjet kanë provue shpesh se asht e vështirë të mos jesh edhe thjesht nji sferë bilardoje…

A s’është mirë që edhe Stoikut Rugova, t’i kujtohet fryma që solli në qëndresën shqiptare dhe jo t’i ciklohen egërsisht çastet e tija të vështira në histori, që shpesh të kujtojnë cejtnotet e shahut…

Po ne ende jemi larg kësaj fryme…

Përballë gjitha këtyne kundërshtive, ndryshe prej herëve të tjera, ky njiqind vjetor po flet si askurrë ma parë me nji gjuhë të pabesueshme bashkuese…!! S’ka as ma të voglin dyshim se sot shqiptarët e gjithë botës kanë vetëm nji kryefestë përbashkuese, gjithë të tjerat janë thjesht festa, Ajo asht Kryefesta Jonë, së cilës duhet t’i biem të gjithë në gjunjë dhe ai Flamur Kuqezi që vërvisim gjithë krenari në qiell ma shumë se ndër duer tona duhet t’na valvitet prej shpirti…

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 100 vjet shtet, dhimbjesh, Jozef Radi, shqipnia

TRASHËGIMIA E GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBE/ DEL EDHE NJËHERË E MBLIDHE KUVENDIN

November 24, 2012 by dgreca

Me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë/

Nga Frank Shkreli/

Të  Mërkurën më 28 Nëntor i mbarë kombi shqiptar feston me krenari 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë të shpallur në Vlorë më 28 Nëntor 1912, kur Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi me atdhetarë të tjerë ngritën Flamurin e Gjergj Kastriotit – Skenderbe — Fatosit të Kombit — duke bërë kështu realitet  ëndrrën e të parëvet, megjitëse fati i zi dhe armiqtë e kombit bënë që liria dhe pavarësia e shpallur në Vlorë të mos përfshinte të gjithë kombin.
Është pra, Flamuri i Gjergj Kastriotit, Flamuri i lirisë, i nderit, i burrënisë, dhe i besës, i asaj Besëlidhjeje që shënon historia në Lezhën e Gjergj Kastriotit dhe në Lidhjen e Prizrenit.   Me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit në Romë me 25 Prill 1968, duke u folur shqiptarëve që ishin mbledhur atje për të festuar këtë përvjetor në Vatikan, por drejtuar gjithashtu edhe shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre, Papa Pali i VI tha:  ”Ne ju shohim me kënaqësi, pse e dimë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë ditë është ai i Gjithëmonshmi i fisit tuaj,  i cili gjithëherë mbi çdo interes ka venë vlerat e trashëguara të besës, të nderit, e të burrënisë.   Fatosi Skënderbeu ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre cilësive.   Ai ua ka lënë trashëgim, bashkë me miqësinë e miqëve të vjetër të Atdheut tuaj, ndër të cilët këjo Seli Apostolike gëzohet se bën pjesë, pasi e konsideron veten ndër ata që kurr s’i dolën fjale. Këto virtyte Gjergj Kastrioti ua ka lënë në rojë e trashëgim të shënjtë në Atdhe dhe në mërgim”, përfundoi Papa Pali i VI.

Gjergj Kastrioti  ishte i madh sepse për një çerek shekulli udhëhoqi luftën duke korrur fitore pas fitoreje kundër osmanlijve turq, fuqisë më të madhe ushtarake që njihte atëherë bota.  Me të drejtë, armët e Skendërbeut po ekspozohen në Tiranë me rastin e 100-vjetorit, për t’u kujtuar vizitorëve aktet heroike dhe luftën e tij për liri e pavarësi të fisit ilir.   Por ai ishte dhe mbetet  më i madh për nga aftësitë e tij udhëheqëse si dhe për nga karakteri dhe morali i tij, cilësi këto që i njiheshin nga më të mëdhejtë e asaj kohe.   Kur botës shqiptare i mungojnë herojtë e vërtetë, Skenderbeu është heroi i të gjitha stinëve dhe i të gjitha kohërave.    Kombi shqiptar në këtë 100-vjetor ka nevojë për heroj kombëtar si Gjergj Kastrioti, por në mungesë të tij, atëherë ajo që mund të bëhet është, që kombi në përgjithësi, duke përfshirë klasën politike në veçanti, por dhe çdo shqiptar kudo qoftë, secili sipas mundësisë, përgjegjësisë dhe vendit që zë në shoqëri — të gjithë si pasardhës të Illyrisë së vjetër — të betohen në këtë 100-vjetor se mbi të gjitha do të punojnë për një Arbëri të lirë, për një bashkim etnik dhe për një angazhim historik për të zgjuar njëherë e mirë  cilësitë dhe virtytet e lashta mijëvjeçare të racës ilire.   Ky përvjetor është gjithashtu një rast për të forcuar konceptin e idesë  të interesave kombëtare – dhe jo atyre personale — duke marrë si shembull  trashëgiminë e Gjergj Kastriotit –Skenderbe, i cili si asnjë udhëheqës tjetër në historinë e kombit shqiptar, mundi të bashkonte të gjithë princat e asaj kohe nën një udhëheqje të vetme, duke forcuar kështu unitetin kombëtar moral e shpirtëror, por edhe atë gjeografik, duke i bërë ashtu të gjithë krenarë dhe të denjë të jenë pjesë e një trungu të përbashkët.   Ai adhurohej nga shqiptarët e çdo krahine, të çdo klase shoqërore dhe çdo besimi.  Skendërbeu i mblodhi të gjithë nën hijen e Flamurit Kombëtar.  Ishte këjo fuqi morale dhe kombëtare që i dha Gjergj Kastriotit dhe shqiptarëve të tij pothuaj fuqi mbi-natyrore për të përballuar dhe për të fituar kundër fuqisë më të madhe ushtarake të kohës së tij.

Ngritja e Flamurit në Vlorë 100-vjetë më parë dhe energjia ringjallëse që po tregohet anë e mbanë trojeve shqiptare në festimet e këtij 100 vjetori sot, më bindin se gjaku shqiptar ka ende fuqi përtritëse në shpirtin e vet dhe se edhe i Madhi  Zot nuk e ka harruar kombin shqiptar.  Lufta dhe fitoret e Skënderbeut kundër osmanlijve kan lënë, ndër shqiptarë, një trashëgimi lirie dhe shprese për një Shqipëri të pavarur dhe të bashkuar, ashtu siç do ta dëshironte vet Gjergj Kastrioti.   Në krahasim me sfidat me të cilat përballej  kombi në kohën e Skenderbeut, a janë më të mëdha sfidat dhe problemet me të cilat përballet sot kombi shqiptar?

Shpresoj që këjo brezni e 100-vjetorit të pavarësisë kombëtare të mos jetë një brezni e nemur, e papërcaktuar për qëllimet dhe interesat madhore të kombit shqiptar, por të jetë një brezni burim shpresash për liri dhe bashkim kombëtar,  bazuar në trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare të Gjergj Kastriotit — Skendërbe.  Gjithmonë sipas Skënderbeu,  ”Pra, ngrehni Flamurin përpara dhe tregohuni burra si gjithënjë.  Perëndia, si gjithnjë edhe pasketaj do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë.”

Në këtë 100-vjetor të pavarësisë kombëtare, të falemi  dhe të falenderojmë për trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare përfshirë edhe  karakteristikat më të çmueshme të trungut tonë arbëror: nder, besë e burrëni — Ty Gjergj Kastrioti –Skënderbe, Princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i Osmanlijve, Mbret i Epirit.

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: del dhe nje here, Frank shkreli, Gjergj Kastrioti, Skenderbe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT