• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2013

KONGRESI I LUSHNJES-VLONJATET QE MORREN PJESE

January 21, 2013 by dgreca

NGA GEZIM LLOJDIA/

Xhafer Belegu në mesin e viteve 1934,verë qershor,u ka përcjellur,shqiptarëve dokumente me të dhëna nga historia e lidhjes së Prizrenit. Dritën,botimit ja ka dhënë botuesja “Kristo Luarasi”:”Lidhja e Prizrenit dhe veprimet e saj 1978-1881”.Nga veprimet e marsit 1878 faqe 148 shkruhet: Lidhja në jug…Lidhja shqiptare duke i parë këto veprime të Greqisë e duke marrë njoftime për kërkesën e saj në kongres vendosi me zhvillue një aktivitet të madh në jug. Organizoi këshillat krahinor dhe përgatiti një fuqi mbrojtëse kundër Greqisë. Mbledhja e parë si mbas dëshirës së Abdyl Bej Frashërit i cili ishte faktori më kryesor në jug,u ba në teqenë e Frashërit,nën kryesin e Baba Alushit i cili vuri në dispozicion të Lidhjes një shumë të madhe të hollash.Në këtë mbledhje të parë të jugut u bisedua organizimi i këshillave krahinor e masat,që do të merreshin kundër Greqisë Burrat me rëndësi të Lidhjes në Jug.Abdyl Bej Frashëri,Mehemet Ali bej Vrioni.Sulejman Ali Kuci, Myslim Vasjari,Mustafa Pashë Vlora,Muslim Gjoleka. Sheh Mahmuti nga Kolonja e Kurveleshit,Xhafer bej Vlora,Thanas Ekonomidhi prej Sopiku disa bejlerë prej Libohove,Vasil Hido,Petro Meksi prej Tepelene,Mihal Haritua nga Përmeti,Vasil Linavori e Eustrat Tasho Duka nga Berati Dhimitër Kolea. Lidhja në Jug u mbajt në 11 kallnuer 1878.Dhimitër Qypi Kolea ka qenë nënprefekt në Himarë dhe Lushnjë. Delegat i Vlorës në Kongresin e Lushnjes dhe financues.

Po citoj disa te dhena marre nga rilindasi Ibrahim Abdullai:“Kujtime te shkurtera nga Levizja kombetare ne Vlore ,viti 1947libri Rilindasi Ibrahim Avdullai ,Bardhosh Gace.Fati e solli qe pas manifestimit te dites se Flamurit disa perfaqesues te Vlores te thirren ne Lushnje ku disa atdhetare me ne ze organizuan Kongresin e Lushnjes.Organizmi I nje kongresi kombetare sic na thane :Dhimiter Qypi,Halim Xhelo,Jani Minga,Myqerem Hamzai qe u kthyhen prej andej na bene me krahe pasi atje shikonim shpresen tone per te fituar Shqiperine.Me 26 dhjetor 1919 ne shtepin e Osman Haxhiut me kthimin e perfaqesuesve te Vlores nga Lushnja u zgjodh nje Nenkomitet per te zgjedhur delegatet e Vlores.Anetare te ketij Nenkomiteti u zgjodhen: Osman Haxhiu, Abaz Mezini, Aristidh Ruci,Dhimiter Qypi,Beqir Sulo,Ymer Radhima,Myqerem Hamzarai,Hamza Isai,Eshref Dano,Ibrahim Abdullai.

Anetare te komisionit per organzimin e Kongresit te Lushnjes ishin caktuar edhe Halim Xhelo dhe Dhimiter Qypi.Vlonjatet zgjodhen per në Kongresin e Lushnjës 4 delegatë, 5 përfaqësues. Ja lista e plote:Dhimitër Qypi,Qazim Kokoshi,Myqerem Hamzai,Ymer Radhima,Osman Haxhiu, Ibrahim Abdullai,Jani Minga,Hamza Isai,Halim Xhelo.Këta përfaqësues morrën me vete edhe 5 shoqërues të armatosur. Pasë ditës së pare thote autori B.Gace ne librin Rlindasi Ibrahim Avdullai “ Mesapliku dhe Kurveleshi dërgoi 6 përfaqësues të tjerë në përkrahje të kongresit.Ne senat u zgjodhën nga Vlora: Qazim Koculi,Spiro J.Koleka,Sadulla Tepelena,Myqerem Hazmai.” Pra përfaqësues nga Vlora dhe krahinat ishin 9+6=15. Arsye ishte për një shpërndarje dhe përfaqësim të të gjithë krahinave.Lista e parë ishte e përfaqësuar vetëm nga delegatët e qytetit të Vlorës.Krahina e Mesaplikut dhe Kurveleshit dërgo I ditën e dytë, 6 përfaqësues të sajën.

Patrioti Dhimiter Qypi me një kontribut të rëndësishëm në kulmin e përndritjes tonë kombëtare , si dhe aktiviteti i mëvonshëm i tij ka ngecur nën rrotat e mullirit të kohës. Vetëm një shkrim dhe përmendje nëpër libra të aktivitetit të tij patriotik regjistrojnë një thatësirë,për këtë figurë historike. Ka prurje të madhe për figurat e rilindjes madje edhe ato vlonjate, që dhanë kontribute për pavarësinë tonë kombëtare. Ndërsa pritej, që pas çlirimit të Shqipërisë të merrte vlerësime ,harresa e historianëve u bë më e madhe dhe rëndesa e errësirës më e errtë.

Shtëpia Muze Kongresi i Lushnjes kryesisht,historiani Niko Ferro , na mundësoi një fotografi të këtij patrioti e cila gjendet aktualisht në muzeun e Kongresit të Lushnjës. Historiani në fjalë jep këtë shpjegim për foton e cila i përket atyre të viteve ’20 Kjo fotografi përbënë interes sepse është e vetmja foto që do të pasqyrojë figurën e këtij patrioti . Të afërmit e tij nuk disponojnë një foto as edhe në arkivat e qytetit historik nuk gjendet. Gjetja e një fotografie për të bërë portretin e patriotit Dh.Qypi sjell interes,edhe për faktin që ky muze ka bërë në ruajtje dhe dokumentimin e figurave që patën kontribute në Kongresin e Lushnjës. Ndërsa kemi prekur vitin e 100 vjetorit momenti për të zbardhur figurat e këtij përvjetori mbetet pikënisje për evenimentin kryesor.

 

Filed Under: Histori Tagged With: e Kongresit te Lushnjes, Gezim Llojdia, vlonjatet

LUSHNJA E KONGRESIT, MREKULLIA E DOKUMENTIT DHE E KUJTESËS NJERËZORE…

January 21, 2013 by dgreca

Nga Visar Zhiti/

Pavarësia e Shqipërisë dhe shpallja e shtetit modern shqiptar u futën në shekullin e dytë të jetës së tyre. Pas kremtimeve të 100 vjetorit kudo, që kulmuan në Vlorë, ku u mblodhën me mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat, madje erdhën nga Kosova dhe me kuaj e në këmbë ashtu si dikur Isa Boletini me luftëtarët e tij e pastaj në kryeqytet, në Tiranë, ku, mes të tjerash u përuruan shtatore e monumenti modern i 100 vjetorit, vjen Kongresi i Lushnjës i janarit të vitit 1920, i quajtur dhe Pavarësia e Dytë.
Për të folur për këtë Kongres jetik, për qytetin e vogël dhe qytetarët e tij të médhenj, me nismë nga lushnjarët, këngëtari Luan Manahasa na mblodhi dhe u organizua një bisedë televizive, e drejtuar miqësisht dhe me ngrohtësi nga gazetari i njohur Alban Dudushi. Historianë të njohur si Valentina Duka, pasardhës të kongresistëve, nga Sefallarët, etj, folën për Kongresin, ku u mbajt, si, në ç’kushte, çfarë u arrit, rëndësia e tij, etj. Në shtëpinë e patriotit lushnjar Kaso Fuga bujtën përfaqësues të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi ishte që të gjykonin dhe të vendosnin për gjendjen e vendit, kaotike nga brenda dhe agresive nga jashtë dhe të shiheshin aleatët, ata që të mund të ndihmonin në shpëtimin e Shqipërisë. Se gjysma e trojeve i ishin marrë dhe po kërkohej dhe kjo që kishte mbetur. Qeveria e Ismail Qemalit ishte penguar dhe shprishur. Kongresi i Lushnjës ribëri shtetin shqiptar, caktoi kryeqytetin, ku u vendos qeveria e re e dalë nga Kongresi me kryeministër Sulejman Delvinën, që i doli zot vendit me diplomaci e luftë. Rrugën për në Tiranë e hapi djaloshi nga Mati, që ishte caktuar Ministër i Brendshëm, Ahmet Zogu.
Për të mos hyrë në zejen e historianëve, do të desha të tregoj dukuri të tjera me interes që, sipas meje, nxori emisioni televiziv i Alban Dudushit për Lushnjën e Kongresit, me të ftuar të ndryshëm si këngëtari Hysni Zela e sportisti Kristaq Gogoni, gazetarja Anila Basha e analisti Mentor Nazarko, trajneri Bano e një fotomodele e re, kulinaristi Pilo Lala, etj. Të ftuarit po flisnin me adhurim për qytetin ku kishin lindur e banuar, tregonin për vete dhe kujtonin bashkëqytetarë të vjetër dhe të tanishëm dhe tregonin për vlerat e tyre njerëzore, bëmat. Po flitej mirë si rrallë herë për të tjerët. Emisioni mbaroi, madje drejtuesi i tij kërkoi ndjesë për ata që nuk folëm dot dhe kishin ngelur mjaft të tjerë pa u përmendur. Dola me një peng të tillë. Ndërkaq po më vinin telefonata nga miqtë, përgëzime, si dhe imazhet dhe bëmat e atyre që nuk arritëm t’i kujtojmë, jo se i harruam. Dhe po vazhdoj të tregoj.

LETËR NGA LUSHNJA PRESIDENTIT WILLSON

Kryetari i Katundarisë së Lushnjës gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 19.3.1920, dërgon një letër në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA, Wilsonit.
Letër e mrekullueshme, e thjeshtë në dukje, tejet e ndjeshme, e sinqertë, pa stërhollimet dinake kancelareske, emocionuese, e urtë dhe me dije, e bukur, me vizion të qartë për të ardhmen, aq sa të habit. Përfytyroj etërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që thoshin me zë, hiq këtë fjalë, shto këtë, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë. Kërkonin njohje të Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të copëtimit të mëtejshëm.
Hulumtuesi i saj, Niko Ferro në Muzeun e Lushnjës, lajmëron Olsi Lafen, drejtor i trashëgimisë kulturore në MTKRS. Ata më thonë se letra është e shkruar me dorë, me stilolaps mbase dhe pastaj është transkriptuar dhe gjendet në Arkivin e Shtetit. Letra meriton të shikohet me vëmëndje. Ajo të ngazëllen. Orientimi i drejtë i shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së. Ndjesia e fuqishme e atdhedashurisë, Shqipéria quhet Mëmë dhe dimbja therése për Kosvën dhe Çamërinë. Ja teksti i saj i plotë, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkrim:
Shkëlqesisë së Tij Wilson , kryetar t’Amerikes
I shteteve të bashuem Vashington
Shqiptarët që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e atdheut tyne.
I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të sh. s’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.
Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike.

Kryetari Katundaris së Lushnjës

Lushnjë, më 19.3.1920

Në nëntorin që sapo shkoi, në kryeqytetin që caktoi Lushnja, në Tiranë, u ngrit në një nga sheshet shtatorja e Presidentit Wilson me rastin e 100 vjetorit të Pavarsisë, por po atë broz meriton të derdhet dhe kjo letër dhe të vihet si memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit. Kujtoj dramën e vetme, kushtuar kësaj ngjarje të madhe, “Të mblidhemi në Lushnjë”, shkruar nga Hekuran Zhiti, i shpallur “Qytetar Nderi” tashmë i Lushnjës. Mes ngjarjeve që zhvillohen në skenë, personazhet që po përgatisnin kongresin, bisedojnë nën zë se Sheh Karbunara takohet me një amerikan andej rrotull, ndonjë misionar, por ai jepte kurajo për mbajtjen e atij kuvendi.
Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Shqip? Po kush e përktheu?
-Ç’do me thënë Kryetar i Katundarisë?
Dhe Niku Ferro prapë na shpjegon se është Kryetari i atëhershëm i Bashkisë, zoti Besim Nuri. Dhe më nis foton dhe biografinë e tij.
Besim Nuri lindi në Berat më 1885, nga një familje qytetare e varfër. Mësimet e para i mori në Berat. Studimet i vazhdoi në Stamboll. Në vitin 1907, vjen familjarisht në Lushnjë. Shquhet për veprimtari atdhetare. Mori pjesë në Komisionin Nismëtar për thirrjen e Kongresit në Lushnjë, ku u zgjodh dhe kryetar. Nga viti 1919 deri më 1925, ka qenë Kryetar Bashkie për nënprefekturën e Lushnjës. Ai ndihmoi shumë edhe në komisionet e tjera, si atë të strehimit, të mbrojties, te veshmbathjeve. Në vitin 1925, burgoset nga Ahmet Zogu. Si rezultat i protestave të popullit, lirohet nga burgu. Vdiq në Lushnjë, në mars te vitit 1935.
NDERIM QYTETARËVE. – atyre që shohin përditë shtëpinë e kongresit historik – Qyteti i Lushnjës, duke qenë i vogël, por i bukur, që vazhdimisht rritet, me kodrat në sfond nga ana e lindjes dhe me fushat e pamasa në perëndim, ka një qëndër tërheqëse me Bashkinë aty. Pak më tej ngrihet e madhërishme Shtëpia e Kongresit jetik. Institucion i historisë, themel i shtetit modern shqiptar, që ndali copëtimin e mëtejshëm të vendit. Ndodh që qytetarët ta shohin përditë atë ngrehinë hijerëndë, prandaj ajo rrugë jep kujtesë dhe porosira me heshtjen e saj të bardhë. Lushnja është qytet mikpritës, aty bujtën gjithë krahinat. Dhe kjo përcolli mikpritjen e mëtejshme, të dish të jetosh me dashuri me tjetrin, fqinjin, të ardhurin. Në emisionin televiziv “Lushnja e Kongresit”, të drejtuar e pasion nga gazetari Albna Dudushi, u kujtuan personalitete, qytetarë, artiste, sportistë, por dhe u lanë mjaft pa u kujtuar dot. Jo me qëllim. Janë shumë, tha drejtuesi i emisionit, dhe çudi kjo Lushnjë kështu, janë përzier vendasit mikpritës me të ardhurit dhe ata që i sillnin internimeve atje, buzë kënetës a Tokave të Vdekura. Natyrisht që lushnjarët mburren me vendasit e shquar, edhe pse kanë ikur e punuar larg Lushnjë, me Veçe Zelën, “Afërdita e këngës së muzikës së lehtë”, me shkrimtarin e njohur Vath Korreshi, me aktoret e njohura Margarita Xhepa, Pavlina Vogli, po edhe me Gjergj Lalën, Ilia Shytin, vëllanë e tij, piktorin e arratisur Zoi Shyti, Helidon Halitin tani dhe me të atin e tij, poetin Faslli Haliti, me grupin përreth tij, që dua t’i kujtoj tani, së pari Tahsim Demiri, regjisor, aktor, skenograf, poet, e kishte zgjedhur për të interpretuar dhe një regjisor i njohur rus a sovjetik, Çuhrai, por nuk e lanë, thoshin, se kishte patur babanë në burg. Ishin dhe poetin Sherif Bali, që nuk botonte dot dikur, prej biografisë, piktorin Besim Golemi, që iku shpejt nga jeta, prozatorët Halil Jaçellari, studiuesi Kadri Fishta, Fatbardh Rustemi, shoku im i klasës, që shkruante dhe poezi e drama, pastaj dhe poeti e gazetari Bujar Xhaferri, Vladimir Çuni, Ilir Levonja, etj, etj. Në Karbunarë ishte Izet Shehu, poet, nipi i Sheh Karbunarës, kongresist e të tjerë pjesëmarrës. Po edhe poeti Baki Nexha, punonte andej në gurore dhe shkruante vjersha. Edhe shoku im i klasës, Bashkim Shkurti, i urtë dhe i shkëlqyer, që u bë mësues, e vranë në ’97…

Por unë mbaj mend në fëmijëri dhe Xha Bamin, plak me qylaf të zi e pallto të zezë, që dilte rrallë e më rrallë nga andej, Lagjia e Stanit. Bajram Haxhiu, vendas, kishte punuar për Kongresin ai, thoshin. Kaq. Vetë banoja në rrugën “Kongresi i Lushnjës” dhe kujtoj me dhëmbje mësuesen time në shkollën “Kongresi i Lushnjës”, Liri Kazazi, e ditur, e dashur, që erdhi në Lushnjë pas motrës që i burgosën burrin e fëmijëve të tyre. Njëra nga vajzat, Eva, u bë violinist. Jetonin në një barakë që pikonte. Sot një shkollë mban emrin e saj, “Liri Kazazi”. Mësues im ka qenë dhe Hiqmet Nuri që e burgosën. Të parin fare kisha mësues Isa Mebellin, kishte qenë me Ballin Kombëtar, por ishte shumë i vjetër për ta burgosur. Në gjimnaz na jepte mësim dhe Murat Nexha, kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve, që na thoshte shpesh se kishte marrë çmim në një konkurs dhe Kadareja jo. E kundërta e tij ishte një mësues tjetër, Kapllan Resuli, që shkruajti romanin “Tradhtia” në fshatin Çermë, ku kishte qenë i internuar pasi u arratis nga Kosova, në fakt nga Ulqini, por ne atëhere nuk dinim t’i ndanim. Matematikën na i jepte Turdiu, i aftë, metodist i shkëlqyer, por se ç’kishte “në biografi”, thoshin, dhe Mite Guga, i dashur, i mënçur, moskokçarës për luftën e klasave, ja, kishte marrë një grua me “biografi të keqe”, por ishte e bukur Maria, edhe ajo mësuesja ime. E kundërta e Mites ishte njëri nga vëllezërit e tij, historiani Nase Guga. Si shok na u bë Minella Dani, mësuesi kujdestar, bir mësuesi dhe ai, me gjyshin prift. Edhe Llukan Kola, aktor, regjisor i Teatrit të Kukullave në Lushnjë, që e ngriti vetë atë teatër dhe e mbajti me përkushtim, e kishte patur gjyshin prift dhe kur u prishën tempujt e fesë e ata, priftërinjtë, u urdhëruan t’i hiqnin mjekrrat, ai nuk pranoi, u vetëburgos në shtëpi dhe la një mjekërr të gjatë qé e merrte zavrrë, thoshin, si kundërshtim e sfidë. Kurse prifti tjetër, Sotir Moni, u tha të gjithëve: s’ka asgjë. Se si ka thënë Naimi: “Feja s’është në kartë e shkruar,/ por brenda në krahëruar. Edhe prifti Irine Banushi punonte në ndërtim. Nuk patën fat më të mirë as hoxhallarët e dervishlerët. Në qytet vinte me biçikletë andej nga internimet dhe Eugjen Merlika, nipi i Mustafa Krujës, që tani boton libra të gjyshit kryeministër dhe të vetat. Në internim ishin dhe Pervizët, at e bir Leka me Leonardin, piktorë, biri tani është akademik në Belgjikë, at e bir Radët, shkrimtarët Lazri dhe Jozefi. Leka Tase, violinçelist. Andej ishin dhe djemtë e xhahxhait tim të vrarë, Sigfridi me Sazanin. Baltrave të Savrës ishte dhe ai që do të bëhej kardinali i parë shqiptar, Mikel Koliqi, vëllai i shkrimtarit themeltar Ernest Koliqi. Ishin dhe nga fiset e Kupëve, të atij që bëri qëndresë me armë kur u pushtua Shqipëria nga fashistët dhe ranë dëshmorë. Ato krisma në bregun shqiptar ishin të parat në Europë si prolog i luftës për çlirim nga kuçedra nazi-fashiste. Në internim ishin dhe nga Dinajt, Mirakajt, Butkat, Kaloshët, Çokët, Kolgjinajt, Staravecka, etj, etj, kundërshtarë të diktaturës, me një pjesë të të cilëve u miqësova dhe në burg. Aty na erdhi dhe Vasil Sylari, qytetar lushnjar. Po edhe poeti Pano Taçi ishte i internuar në Savër të Lushnjës, sapo kishte dalë nga njëri burg dhe përpunonte librat e shokut të tij, Nuçi Tira, kishin qënë bashkë partizanë e ai tani ishte Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme atje. Edhe kitaristi Mehdi Prodani, poeti Ferdinand Laholli, që boton poezi në Gjermani. Nga fshatrat e zonës kodrinore të Lushnjës iku dhe Gëzim Hajdari, që boton libra me poezi edhe italisht në emigracion, ku është bërë i njohur. Nga internimet vinin të luanin në estradën e Lushnjës parodisti i famshëm Gjosho Vasija e trombisti Fran Pali, me baba të arratisur. Shahini me kitarë, me babanë dikur në burg, Mehmet Hurshitin, i ditur, që kishte studiuar jashtë, në Stamboll, Paris. Kjo estradë u bë e njohur nga aktorët e talentuar e themeltarë si Hekurani Zhiti, Dhimitraq Nushi, Zana Aliçka, Jovan Bizhyti, Patraq Dhimitri dhe e shoqja, Athinaja e më pas e morën stafetën Hasan Dervishi e Robert Kamani, shoku im i klasës. Orkestrën e themeloi ai që doli nga burgjet politike, muzikanti i madh Fotaq Filipeu, për të cilin kam treguar dhe në librat e mi. Ai i dha dhe një opera Lushnjës. Krijoi bandën e parë, jo me hajdutë, bandën e orkestrës frymore të qytetit dhe rriti breza të rinj muzikanësh. Njëri prej tyre, Edmond Doko, është sot dirigjent në Teatrin e Operas. Pastaj erdhën fizarmoniçisti dhe kompozitori Rudak Ismaili e këngëtarë të tjerë të njohur. Lushnja ka patur agronomë, të shquar, ekonomistë, përkthyes mjekë si Juka, Dabulla, Ypi, Butka, Selfo, Çabej, Prenjoja, Vasil Kuli, Selfo, doktoreshë Mimoza, me baba të pushkatuar, etj. Dhe i shoqi i saj, inxhinieri-shkencëtar Mërgim Korça, projektues dhe realizues maqinerish bujqësore, patenta origjinale të tij, ishte i biri i Xhevat Korçës, studiues dhe patriot, cili i kërkoi duel një gazetari të huaj që kishte fyer Shqipërinë, u bë dhe ministër, por e futën në burg. I dha fund jetës me grevë urie, e para e këtij lloji në burgjet komuniste. Tani ata kanë emigruar në SHBA dhe Inxh. Mërgimi boton libra studimore me rëndësi historike, ndërkaq është shpallur Qytetar Nderi i Lushnjës, bashkë me mjaft të tjerë. Lushnja ka qënë edhe qyteti i grave të huaja, të martuara në Shqipëri. Burrat e tyre, edhe nga shkaku i kësaj martese, i shpërngulnin në Lushnjë, pasi shteti divorcohej me ato vende nga ato vinin. Dhe ato gra nuk divorcoheshin. Kishin kultin e dashurisë, të familjes. Rrugëve të Lushnjës shëtisnin gra të bukura ruse, Luiza, bullgarja Veliçka, të dyja mësuese të miat, kishte dhe rumune, polake, por dhe italiane, spanjolle, gjermane, austriake…

Pas ca kodrave ishte burgu i grave në Kosovën e Vogël, plot me martire. Meritojnë studim më vete, megjithëse kemi romane për to tani. Lushnja ka dhe skulptorë si Maks Bushi, autori i “buallicës së famshme” në një nga lulishtet, Arjan Bafa që ka emigrua në Kanada. Kemi punuar në fabrikë të tullave dhe me Ilir Priftin, fotograf i fotografisë artistike tani. Shok kishim dhe Gazmend Kapllanin, që iku në Greqi dhe ka botuar romane andej. Në Gjermani ka ikur dhe shkrimtarja Lindita Arapi. Miltiadh Davidhi në Itali. Emra, emra plot. Edhe fqinji im, Shaban Manahasa ishte gazetar, kurse Dalip Greca ka ikur në Amerikë. Kozma Gjini është… Janë shumë, shumë. Ndjesë përsëri për ata që s’i kujtojmë dot. Në Lushnjë endej dhe shkrimtari Jakov Xoxe kur shkruante romanin e madh “Lumi i vdekur”. Edhe shkrimtari Naum Prifti vinte nga Divjaka ku ishte veteriner. Ne Lushnjë sollën dhe kritikun Razi Brahimi, pasi redaktoi romanin e ndaluar “Tuneli” të Dh. Xhuvanit. Në Lushnjë janë xhiruar filma, madje edhe të huaj. Kanë ardhur dhe shkrimtarë e artistë të huaj, kanë bërë takime dhe spektakle. Ka patur gara hipizmi dhe ka një stadium me vlera që mban emrin e një futbollisti të njohur të saj, “Roza Haxhiu”. Lushnja është dhe qyteti i protestave të para për liri e demokraci. Shumë janë larguar prej andej dhe qyteti ka pësuar tkurrjen dhe dyndjen e mëpastajme. Edhe atje janë bërë ndërtime të reja e moderne, por dhe janë prishur shtëpi të vjetra, madje Lushnja e hershme, historike, është tjetërsuar. Ka prapë Lushnja, ka prapë, këngët dhe vallet myzeqare, begatinë e fushave, vreshtat e ëmbla, rrënoja arkeologjike ilire, vila, tempuj kulti dhe diellin më të bukur, kur perëndon si zjarr i shenjtë.

Filed Under: Histori, Reportazh Tagged With: Kongresi, Kujtesa, lushnja, Visar Zhiti

XHANDARMERIA SERBE E HOQI LAPIDARIN NE PRESHEVE, REAGON QEVERIA E KOSOVES

January 20, 2013 by dgreca

Qeveria e Republikës së Kosovës shprehet e indinjuar me veprimin e autoriteteve të Serbisë për heqjen me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës.
“Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Millosheviqit”, thuhet në deklaratën me shkrim të Qeverisë së Kosovës.
“Dështimi i Qeverisë së Serbisë që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje për vendosjen e Memorialit, tregon se dialogu ende nuk është pjesë e politikës qeveritare të Serbisë kur janë në pyetje shqiptarët”, thuhet në deklaratë.
Ky veprim i autoriteteve serbe, cilësohet si i shëmtuar dhe jocivilizues. Veprime të tilla, “nuk e ndryshojnë dot historinë dhe kujtesën e shqiptarëve kudo që janë, përkundrazi, vetëm sa e forcojnë atë dhe na rikujtojnë se Serbia dhe politikat e saj mbeten po ato të shekullit të kaluar”, vazhdon reagimi i Qeverisë së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij provokimi qyqar të Serbisë.
“Ne duhet të besojmë në vlerat civilizuese dhe jo në antivlera, të cilat i promovon Serbia, e që janë dënuar nga e gjithë bota perëndimore demokratike”, thuhet në këtë deklaratë.
Në fund të reagimit konkludohet se “ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë”.
Pjesëtarët e xhandarmërisë së Serbisë sot herët në mëngjes e kanë larguar përmendoren e luftëtarëve të rënë të UÇPBM-së, para Kuvendit të Komunës në Preshevë.
Afro 150 pjesëtarë të xhandarmërisë, pak para orës 7 të mëngjesit, e kanë rrethuar sheshin në qendër të qytetit, ku gjendej përmendorja, e kanë mbuluar me një thes të bardhë të plastikës dhe e kanë ngarkuar në kamion, i cili i përcjellë nga 20 makina të policisë, është larguar nga Presheva.
Gjatë këtij operacioni ishte i pranishëm edhe komandanti i xhandarmërisë së Serbisë, Bratisllav Dikiq, i cili nuk ka dashur të prononcohet për media.
Nga ana tjetër, në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, theksohet se “përmendorja e ngritur në mënyrë ilegale”, sot është larguar nga qendra e Preshevës dhe se aksioni ka kaluar pa incidente.

Filed Under: Kronike Tagged With: hoqi Lapidarin, Lugina e Presheves, qeveria e Kosoves, Xhandarmeria serbe

GËZIM NË FAMILJEN DIOGUARDI, KARA PRET DJALË, JOE PRET TË BËHET GJYSH

January 20, 2013 by dgreca

Kara DioGuardi :“Ne mezi presin lindjen e shëndetshme dhe të gëzuar të djalit tonë Greyson James Carroll McCuddy”, ka thënë Kara DioGuardi për revistën People, e cila tash do të bëhet nënë në moshën 42-vjeçare/ Nga BEQIR SINA, New York/

NEW YORK : Kara DioGuardi vajza e ish kongresmenit republikan mjaft i njohur, me prejardhje shqiptare(Arbëreshë- nga Katundi Greci në Jug të Italisë) dhe njëhereshit presidentit vullnetar të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane, Joseph DioGuardi, lobistit të parë dhe të vetëm të çështjes shqiptare në SHBA, dhe burri i saj Mike McCuddy, sipas revistës prestigjoze amerikane People shumë shpejt:”do të kenë në gjirin e tyre fëmijën e parë, e cila do të jetë përmes një nëne surrogate gjatë javëve të ardhshme” kan theksuar burime të besueshme të revistës rozë.

Ish anëtarja e jurisë në shoun e famshëm “American Idol”, amerikanja me prejardhje shqiptare (arbereshe), Kara Elizabeth Dioguardi, është e martuar me mësuesin e shndërruar në kontraktues Mike McCuddy, është e martuar në korrik 2009, por nuk kan pasur fëmijë deri tani. Andaj ky është një lajm i gëzueshëm për çiftin Kara Elizabeth Dioguardi, dhe bashkëshortin e saj Mike McCuddy, por edhe për babain e saj Joe DioGuardi i cili pret të bëhet bëhet gjyshë, njerkën e saj Shirly Cloyes DioGuardi dhe mbarë këtë familje.

Këtë gëzim të natyrshëm nuk e fshehë edhe vetë Kara DioGuardi, teksa ka deklaruar për shtypin amerikan se :“Ne mezi presin lindjen e shëndetshme dhe të gëzuar të djalit tonë Greyson James Carroll McCuddy”, ka thënë Kara DioGuardi për revistën People, e cila tash do të bëhet nënë në moshën 42-vjeçare,

Ish gjyqëtaria e “American Idol”, Kara DioGuardi ka deklaruar se” do të ketë fëmijën e saj të parë me burrin Mike McCuddy falë një zëvendësuesi gestational, ka konfirmuar revista People, duke shtuar se se çifti, i cili u martua në vitin 2009, kishte luftuar me çështjet e fertilitetit dhe procedurat IVF para se të përpiqej për një fëmijë nëpërmjet zëvendësimit gestational.

Martesa e Kara DioGuardit!

Nje dasme amerikane me tradita Arbereshe – Kara Dioguardi vajza e Joe DioGuardit, u martua me Mike McCuddy

Katër vjetë më parë u kurorëzua martesa e tyre kur burri i saj McCuddy, i vendosi ne gishtin e katert te dores se djathte nje unaze 30-karat me diamante dhe nje byzylyk me platinum dhe nje pale vathe llambadar 20 karat e diamante. Vlera e bizhuterites se saj sipas shtyit amerikan kushtonte 250,000 mije dollare amerikane.

Ish anetarja e jurise ne shoun e famshem “American Idol”, amerikanja me prejardhje shqiptare (arbereshe), Kara Elizabeth Dioguardi, pra është martuar më 7 Korrik 2009 me mesuesin e shnderruar ne kontraktues Mike McCuddy.

“Ndjehem mire! Ajo qe ishte me e pabesueshme per kete pervoje, ishte kur e pashe veten ne kishe dhe aty ishin te gjithe ata njerez aq te rendesishem per mua dhe Mike, te cilet ishin aty vetem per ne. Ishte shume energjidhenese. Isha shume emocionuese, edhe pse nuk jam dikush qe fillon te qaje”, ka deklaruar Kara për këtë martesë.

Kara, e cila eshte e bija e ish-kongresmenit republikan amerikan me prejardhje shqiptare, Joseph Dioguardi, para se te behet vleresuese ne shoun amerikan, kishte ndertuar karriere si autore kengesh dhe producente muzikore dhe ka punuar edhe me yjet si Celine Dion, David Archuleta, Kelly Clarkson, Carrie Underwood, Demi Lovato etj.

Kara DioGuardi, foli per here te pare per martesen, jo “shume te bujshme”, per revisten amerikane tabloide “In Touch Weekly”, duke quajtur kete martese e cila është bërë katër vjet më parë si “martesen e saj jo te lajmeve te medha”.

Ajo më tej ka sqaruar se “Si u lidhen me njeri tjeterin?

Kara tregonë : Qelloi rastesisht, ne te dy ishim ne Meksike me pushime ne te njejtin hotel, dhe qelloi qe ne nje nga lokalet e hotelit te jemi vetem ne dhome. Bile ishte mengjes dhe une isha me pixhama. Ne patem disa qirinje te ndezur ne tavoline dhe nje vazo te vogel me lule te fresketa. Kur ai, me tha , Kara!” You know I love you !? – “A e dini se une u dua Ju !?”. Kaq ishte e gjitha dhe me pas ai me tha ” Kam nje pyetje per ju. Ku jane kepucet e mia ? Une i thashe pse duhet t’a di une se ku jane kepucet e tua. Ai perseri me pyeti mirepo “A e dine se ku jane kepuce tuaj !?. Ne rregull, mu pergjigje ai me plote dashuri, atehere edhe ju do te martoheni me mua? Une i thashe “Po! Okay !

Martesa

Bekimi i marteses ne ceremonine fetare u krye ne nje Kishe e Bashkuar Metodiste ne shtetin Maine, dhe u udhehoq nga prifti katolik Scott Nurse Sr. Prifti qe ai qe e konfirmoj martesen e ciftit Mike McCuddy me vajzen me origjine arbereshe Kara DioGuardi, e cila u martua me dy fustane te bardhe te nuserise. Nusja Kara DioGuardi, shkruante ato ditë revista tabloide “In Touch Weekly”, pati nje veshje nuserie te firmes se fustaneve te bardhe per dasma “Vera Wang”. Dhe nje fustan antik te tradites se arberesheve te Italise, trashegim nga gjyshja e saj.

Fustani i nuserise qe veshi Kara DioGuardi thone banoret e provinces se Kozences “ka mbetur legjende jo vetem per familjen Argondica, por per te gjithe zonen e Vakarixo Albanese ne provincen e Kozences. Ai eshte i vetmi fustan i bardhe nuserie qe kjo familje trashegon, me shekuj. I vetmi informacion qe kane per te eshte se eshte sjelle ne Itali rreth 6 shekuj me pare nga familja e Argondicajve, nga Shqiperia”.

Burri i saj McCuddy , i vendosi ne gishtin e katert te dores se djathte nje unaze 30-karat me diamante dhe nje byzylyk me platinum dhe nje pale vathe llambadar 20 karatsh e diamante. Vlera e bizhuterites se saj kushtonte 250,000 mije dollare amerikane.

Kara DioGuardi tha se ishte ajo qe pat kerkuar dasmen t’a benin ne shtetin federal Maine. Ajo e sqaroi këtë ngase i pelqente ky vend per te bere nje dasme te thjeshte ne menyre natyrale, ne menyre te bukur, ne menyre te qete, ne menyre qe te pranojne te gjithe shpenzimet e dasmes” pati thënë ajo. duke shtuar se “Ne dasme moren pjese rreth 50 dasmore, kryesishte njerezit me te afert te dy familjeve te nuses dhe dhendrrit.”

Kara DioGuardi, eshte vajza e vetme e ish kongresmenit te njohur, republikan te Nju Jorkut, Joseph J. DioGuardi, presidentit vullnetar te Liges Qytetare Shqiptaro Amerikane.

Fati “i provuar” i Kara DioGuradi

E bija e kongresmenit me origjine shqiptare, Kara, ishte 12 vjece kur nje cerek shekulli me pare u ngjit ne skenen e salles luksoze te Grand Ballroom te hotel “Waldorf Astoria” ne Manhattan NY dhe kendoi ne Diten e Festes se Kolombit (Colombus Day). Kete here ajo mori cmimin “Honoree” (Nderi), qe u jepet nga fondacioni qytetareve te Kolombit. Duke shkruar per mbremjen e se shtunes, gazeta italiane “Oggi”, kujton ballon festuese te 1983-it, kur Kara e vogel, por guximtare, kendoi gjithe zjarr dhe beri qe aktorja e madhe me fame boterore, Sofia Loren qe ndodhej ne salle, te ngrihej ne kembe dhe te duartrokiste me zjarr duke thirrur: Brava, BRAVA! Kara, e cila ka marre cmimin si kompozitorja me e mire e vitit ne muziken “Pop” eshte nga me te kerkuarat ne skenen e muzikes Pop ne SHBA dhe bote.

Me 100 milione kopje te shitura nga albumet e saj, muzika e kesaj artisteje i ka dhene fame shume kengetareve qe sot ndiqen nga miliona adhurues ne te gjithe boten. ”Taking chances”(Te vesh fatin ne prove) eshte disku i ri me muzike te Kara DioGuardit e te kenduar nga Celine Dion qe del ne shitje me 13 nentor. Suksesi eshte i garantuar pas sukseseve qe DioGuradi ka arritur me Faith Hill dhe Christina Aguilera. Kara, ka bashkepunar suksesshem edhe me emra te tjere, si Enrique Iglesias, Kelly Clarkson, Gwin Stafani, Carlos Santana, Avril Lavigne, etj. Me firmen e saj te njohur “Art House Entertainment”, ajo eshte ngjitur ne 10 albumet me te shitur ne SHBA.

Eshte pikerisht Kara Elisabeth DioGuardi, e cila pasi u diplomua ne nje nga universitetet me prestigjioze Amerikane, vendosi t’i jape nje kthese te rendesishme jetes se saj, duke nxjerre ne pah talentin qe kishte te fshehur brenda saj prej disa vitesh.

Gjate viteve te fundit, Kara DioGuardi ka krijuar 50 kenge te cilat jane renditur ne vendet e para te klasifikimeve Amerikane dhe Europiane.

“E nominuara per fitimin e cmimit Grammy, kengetarja, kompozitorja dhe autore e teksteve te kengeve Kara DioGuardi e bija e ish kongresmenit me origjine shqiptare Jospeh J. DioGuardi, ishte gjyqëtare deri ne edicionin e vitit 2010 perkrah panelit te “gjyqetarve, te tjere me Simon Cowell, Paula Abdul dhe Randy Jackson, pra deri ne edicionin e tete te spektaklit me te famshem ne Shtetet e Bashkuara te Amerikes “American Idol” . Tash ajo ka një shoun e vetë në Broadway – Chichago

Kush eshte Kara DioGuardi?

Kara Elizabeth DioGuardi ka lindur me 9 dhjetor 1970 . U lind dhe u rrite ne nje krahine te Nju Jorkut, e cila thirret “Wilmot Woods” ne pjesen e lartme, te New Roshell-it . Pasi perfundoi studimet ne Duke University, u punesua ne sektorin e marketingut ne njeren prej revistave me te njohura te Nju Jorkut – Billboard Magazine. Kudo, ne biografine e saj shkruhet se Kara eshte Shqiptare (Albanian) (Arbereshe), duke qene e hijshme sepse eshte e bija e ish kongresmenit republikan te Nju Jorkut, Jospeh J DioGuardi.

Kara Elizabeth DioGuardi, nuk eshte e para nga disa prej atyre yjeve te artit ose emrave te famshem ne Amerike, qe publikisht jane duke treguar rrenjet e tyre. Keshtu ka ndodhur edhe me James Belushin, Phill Regis, Eliza Dushku, Sandra Bullock, Agim Kaba, Jim Biberaj, Stan Dragoti, Masiela Lusha, Pjeter Malota (Lulgjuraj), Fadil Berisha, Tony Dovolani, Elza Zagreda, Luan Behxheti e shume tjere. Kara Elizabeth DioGuardi, aq sa rritej, aq sa i rritej fama ne Amerike, aq dhe filloje te publikoje rrenjet e saja Shqiptare si vajza e Presidentit te Liges Qytetare Shqiptaro – Amerikane Joeseph J DioGuardit.

Ajo, ka pase nje gjyshe nenen e nenes, e cila vdiq në vitin 2008 e quajtur Mary Pizzutello, e lindur ne nje fshat shqiptar ne Itali, Barile. Ndersa gjyshi i saj, babai Joe DioGuardit e ka te lindur ne nje fshat Shqiptar, Greci afer Napolit, fshati i parë Arbereshë në Jugun e Italisë.

Kara Elizabeth DioGuardi, njihet tani nga nje pjese e madhe e shqiptareve te Amerikes, por edhe ne Shqiperi, Kosove e viset shqiptare, si nje talente me rrenjet e saja shqiptare, e cila ka lindur ne Shtetet e Bashkuara te Amerikes. Me teper emri i saj lidhet me shqiptaret, pasi cdo njeri nga ne e di se ajo eshte vajza e ish kongresistit te njohur Joseph DioGuardi, presidentit te Liges Qytetare Shqiptaro Amerikane, nje nga lobistet e parë dhe të vetëm dhe me te fuqishem te ceshtjes se shqiptarve ne Amerike.

Kara Elizabeth DioGuardi, e cila eshte duke korrur suksese te konsiderueshme ne Amerike, ka gjetur edhe kjo ne menyren e vet, ashtu si edhe artistet e tjere me rrenje ose gjak shqiptar ne Amerike, me famen e tyre dhe emrin qe kane bere, po kontribuon dhe lobon emrin Shqipetar, duke i treguar gjithe Amerikes, se kush jane dhe te kujt jane. Nderkohe ajo eshte pronare e nje kompanie botimesh (Arthouse Entertainment) dhe punon ne firmen Warner Brothers.

Kara DioGuardi ka sjelle edhe bestsellerin jetesor, mes emigranteve italiane dhe shqiptarve ne New York

Kara DioGuardi, e bija e veprimtarit te shquar shqiptaro-amerikan dhe ish-kongresistit Joseph DioGuardi Presidentit te parit lob shqiptare ne Shtetet e Bashkauara, Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, eshte duke mbajtur nje turne me librin e saj te titulluar “Nje note teper e larte: Si mbijetova ne jete, ne dashuri dhe ne American Idol”. Nje liber biografike, ky, i shkruar vetem me kujtime origjinale interesante nga jeta e saj, qe fillojne prej nga femijeria, shkolla, puna dhe majat e suksesit si nje artiste e njohur Amerikane.

Filed Under: Kulture Tagged With: Beqir Sina, Joe DioGuardi, Kara DioGuardi

SHFLETIME HISTORIKE: DUSHAN MUGOSHA, SHTYTËS PËR VËLLAVRASJE ME BALLIN KOMBËTAR

January 20, 2013 by dgreca

Ai propozoi Mehmet Shehun për komandant të Divizionit të parë, Enver Hoxha kundërshtoi/

 NGA GËZIM LLOJDIA/ Në udhëtimin tonë nëpër fakte dhe dokumente gjendemi në vitet 50 gazeta” Flamuri”,botohej në Romë.Viti 1950 gazeta,Nr unik faqe 6. Komenti saj është ky. Po këtu janë sjellë dokumente e fakte,letra që liderët e PK u kanë shkruar atyre që kanë vënë dorën e rëndë në drejtimin e saj .

.Përpara se të vinin Miladin Popovic dhe Dushan Mugosha për ta organizuar dhe udhëhequr komunizmin në Shqipëri aty s’ishte veç disa grupe të vegjël që s’ishin aspak të lidhur me masat që ishin larg nga veprimtarja komuniste vërtetë,që ishin në kundërshtim me njeri-tjetrin ,gjë që kjo ka shkaktuar luftë të ashpër dhe të paprerë midis tyre. Ndër ta sundonte shpirti i ngushtë i sektarizmës,i opurtinizmës dhe i lokalizmës”Sang.trad. f3,nxjerrë nga rezoluta e Konferencës së parë të përgj.PKSH mbajtur në Labinot ,në prill 1943).

Situatat që mbretëron midis grupeve në Shqipëri më 1941 u karakterizua kështu nga Miladin Popoviçi:

”Kemi gjetur një kaos të vërtetë. Ndodheshin grupe dhe grurthe(gjithsej tetë,ndër të cilët dy trockistë) Secili prej tyre tërhiqte nga ana e tij..Shpesh herë bënin edhe bashkime marrëveshje për të paditur tek ne njëri-tjetrin.Bënin nga këto marrëveshje deri me Fundon. Mund të kishte çdo gjë tek këto grupe,por asgjë komuniste…”(Sang.trad f 8 nga relacioni i Miladin Popovicit Komitetit Qendror të partisë komuniste jugosllave,21 maj 1942)Bisedimet me këto grupe vazhduan prej dhjetë deri në 20 ditë. Kalonim nga një pjekje ilegale ne tjetrën .Me grupin e “Korçës “i rrahëm çështjet në shtëpinë e Enver Hoxhës e të Koço Tashkos. Ky grup nuk donte të njihte gabimet e tij,kërkonte të shpallej si parti e pastaj gjithë grupet e tjerë të mblidheshin rreth tij,por arritëm ta bindëm me argumente të forta që të pranoje krijimin e partisë. Në grupin e Korçës ndihma më e fortë na erdhi nga punëtorët Koci Xoxe dhe Pandi Kristo…”(San.trad. f9 nga shënimet e Dushan Mugoshës mbi aktivitetin e tij në Shqipëri në vitet 1941-1944)

 

Komenti që bënë gazeta “Flamuri”.

 

Dushan Mugosha dhe Miladin Popovic duke u ardhur me vonë Blazo Jovanovic e Svetovar Vukmanovic Tempo përbënin 1-shtytjen,2-krijuesin,3-udhëheqësit,4-komandantët e vërtetë të PKSH.

Cili ishte roli i tyre në themel të kësaj qeli që ishte në formim?

1-zhdukën mosëmarveshjet,2- vendosën disiplinën,3-bënë mbledhjet,4-emëruan komandantët,5-ata organizojnë,6-ata urdhërojnë.7-ata shtyjnë të krijohet ushtria Nac-cl.

Me tu formuar brigada e parë Dushan Mugosha shkon këshilltar pranë Mehmet Shehut.Cili ishte qëllimi i tij:

1-urdhërues,2-shtytës për vëllavrasjen me Ballin Kombëtar.

Dushani cakton E.Hoxhën komandantë të Ushtrisë Nacional-çlirimtares.

“Para se të nisej për në Jugosllavi Dushan Mugosha u ftua u ftua në mbledhjen e KQ të PKSH .ku ishin prezentë disa anëtarë të komitetit dhe aty parashtroi mendimin se kumandari i përgjithsëm Spiro Moisiu nuk ishte në lartësinë e detyrës,dhe propozoi të emërohej në vent të tij Enver Hoxha deri atëherë komisar i komandës së lartë .K.Q i PKSH e pranoi këtë propozim të Dushan Mugoshës dhe në Konferencën e Përmetit nga fundi i majit 1944,Enver Hoxha u emërua kumandar i i përgjithshëm me gradën kolonel-gjeneral ( Sang.trad. f 61).

“Dushan Mugosha propozon propozonte emërimin e Mehmet Shehut si kumandar i Divizionit të parë,kurse Enver Hoxha nuk qe dakord. Por pas shpjegimeve të Dushanit,më në fund e pranoi këtë propozim..etj (Sang.trad f 61)

 

Letra e Mehmet Shehut drejtuar Mugoshës

 

”Nuk kishin parti,por kishin dhe ishim komunistë bashibozukë,ishim një “turli” me zarzavate të hidhura e me udhëzimet e Miladinit e të tuat,me ndihmat tuaja mundëm të seleksionoheshim,të formojnë partinë tonë komuniste,ta forcojmë.Na dhatë dorën,na mësuat,na ngritët si mëma foshnjën”.Në fund të letrës:”O Sale(pseudonimi i Dushanit)po për interesat e lartë të brigadës tënde,kë do të lesh pranë shtabit të përgjithshëm?Kujt do t’ia besosh këtë special special,or tu shoftë soji ve t’u bëftë na-a-a-a?!!!

Bedri Spahiu:”Ne mësuam nga ti o Sale,atë çka është e nevojshme dhe e dosmodoshme,që të mendojmë e të ndjemë vete ,besoje të gjithë ne,na duket sikur kemi diçka nga qenia joteJeta jonë si komunistë është e lidhur me ty..Unë ngushëllohem duke parë ndryshimin që kam bërë prej çastit të parë që jemi parë dhe se kam përfituar nga ti sa më ka qenë e mundur”.Letra të tilla i kishin shkruar E.Hoxha,H,Kapo,N.Hoxha,K.Xoxe,R.Citaku.

Pa le i shkreti Omer Nishani që është mbyllur në odë dhe qanë me ngashërime “duke kujtuar poshtërësit që ka thënë armiku për Dushanë…”(Sang trad,faksimale ku janë letrat të fotografuara).

Kulmi mund të quhet thuhet në këtë koment fjala e E.Hoxhës në Berat në mbledhjen e plotë të të K.Q të P.K,në nëntorin e 1944.

”Shoku Blazo(Blazo Jovanovic) delegat i KQ.të PK jugosllave pranë K.Q të PK shqiptare)ka dhënë ndihmën më të madhe në përgatitjen e konferencës dhe në përpunimin e relacionit Blazo-ja qe për ne si të kishte zbritur Zoti Nga qielli…Sang Trad f26,shënim f28)

Ardhja e Mesisë në gjirin e PK është e cituar me gjuhën e vetë udhëheqësit të saj. Dhe ky Messia nuk vinte diku nga vendet ku lindte Krishti por nga ajo pjesë e ngrysur e Ballkanit dhe ajo strofull shtrëngoi e solli pasoja në jetën e një populli që u vetizolua për dekada.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Dushan Mugosha, Gezim Llojdia, mehmet Shehu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT