• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2013

AKADEMIK KOPI KYCYKU, NJE PORTRET I VESHTIRE

February 16, 2013 by dgreca

Intervistoi: Ing.Ahmet Collaku/

-Talenti qellon cakun qe askush tjeter s’mund ta qelloje, gjeniu qellon cakun qe askush tjeter nuk mund ta shoh-

Arthur Schopenhaur

I nderuar Akademik Kopi Kyçyku,

Nuk e di me cilën valencë t’ju thërras më parë, me atë te profesorit apo të doktorit; me atë të akademikut apo me atë të shokut a mikut, apo me atë të gjeologut? Ju falenderoj shumë që pranuat të bëjmë këtë dialog, ku personi i parë jeni ju, shumë ndryshe nga unë. Eshtë një kënaqësi e papërfytyrueshme, një tundim i madh. Ju u përkisni fushave të studimeve akademike. Nëse pasuritë natyrore janë krijuar nga natyra dhe manaxhohen nga njerëzit, këto tuajat kryen dhe manaxhohen nga ju, me një punë intelektuale titanike. Në këtë drejtim ju i keni shokët të rrallë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej saj. Gjithsesi, bëni gjithçka për Shqipërinë. Jeni një mozaik brenda një perle. Akademiku Kopi Kyçyku i do njerëzit. Ai i qëndron fjalës së shenjtores sonë, Nënë Terezës: ” Nëse ndaleni të gjykoni njerëzit, nuk do të gjeni kohe t’i doni”. Personalitete si ju numurohen me gishta. Unë jam admiruesi juaj! Ka shumë si unë që ju admirojnë, sepse ju nuk shtireni; ju jeni si një orë e madhe qe kolaudon të gjitha orët e tjera, me qindra apo me mijra.

Ju keni kohë edhe të qeshni, të hidhni edhe romuze, se kështu ju i qëndroni asaj që thotë artisti: Dita më e humbur nga të gjitha është ajo në të cilën nuk kam qeshur”. Zakonisht për këto ju mbaheni mend më lehtë. Ku nuk e gjen akademikun Kopi, vetëm në fushën e futbollit të luajë me top nuk e gjen. Numuri i njerëzve që ai njeh është më i madh se i një qyteze.. Po t’i shtojmë edhe të huajt, nga e gjithë bota? Do të ngelemi pa mend!

Akademiku Kopi Kyçyku, për vlerat e mëdha vetjake, të testuara në veprimtarinë letrare dhe në zbulimet historike, është një pikë referimi, kurse citimet apo referencat janë ekuacione algjebrike të paderivuesheme. Mesa kam kuptuar, akademik Kopi nuk i është qasur politikës. Siç duket, ai i është përmbajtur me përpikmëri Albert Kamy-së, që shprehej: “Fatkeqësisht politika dhe fatet e njerëzimit merren në dorë nga individë mediokër dhe pa ideale. Njerëzit e mëdhenj nuk i futen kurrë politikës”.

Akad. Kopi Kycyku te cilin une e pashe i pari ne horizont, qe nga Bukureshti me poston kete perle, ndjere dhe shkruar ne dy gjuhe, ne shqip dhe ne rumanisht, simetri pa aks, ne pasqyre.

Me dysh

Në Bukuresht sërish,/Ky vend plot mall më grish,
Më shpesh t’i vij në gji,/Nga Mëma Shqipëri. I ndarë jam më dysh,/S’e di as si, as qysh:
Të parët kam atje,/Këtu – ëndrrat pa fre!
În două
La Bucureşti din nou,/Mă invită un ecou,
Din Ţara mea să vin,/Şi dorul să-mi alin. Sunt împărţit în două,/Ce să vă spun şi vouă?!
Acolo sunt ai mei,/Aici – visuri cu tei!

A nuk ndiejme edhe ne keto pak rreshta, parfumin e Lagush Poradecit? Parfumet e mira ikin me shpejte se zeri a plumbi, ato ne Pogradec shkojne dhe vine si valet e atij liqeni magjik. Lasgush, Kuteli, Kycyku!

Shkurt, shqiptari Kopi Kyçyku, në ekranet elektronike është një ikonë e madhe, ndërsa nëpër salla, rrugë e parqe, apo duke udhëtuar jashtë, është një “përbindësh”. Ai është “shkundur” dhjetra herë nëpër intervista të shkurtra dhe të gjata, nga të katër anët, por ai nuk mbaron kurrë së lëshuari fruta, ashtu si ritmet në Boleron e Moris Ravelit.

– Po e filloj me Pogradecin, me këtë qytet, jo larg fshatit tim, Rrajcës. Kur vij këtu ndihem gjithmone i drithëruar nga bukuria sublime. Këtu nuk ngopesh së vështruari rretheqark, së thithuri ozon, sepse bota përtej po mbytet nga smogu. Shkurt, si qëndron Pogradeci në shpirtin tuaj si ndjesi poetike dhe lirike?

Kopi Kyçyku: Duke ju shprehur mirënjohjen për nderin e madh që po më bëni përmes marrjes së kësaj interviste, lejomëni, miku dhe kolegu im i vyer, Ahmet, të huazoj karakterizimin, sa lakonik, gjithaq të saktë, që sapo i bëtë Pogradecit. Shqiptari i madh, Vasil Zhapa, pat thënë se vendlindja është pikëtakimi i shenjtë i njeriut me Zotin. Këtë të vërtetë të pakundërshtueshme e përjetoj, si kur ndodhem në Pogradec, ashtu edhe, – madje shumë më shumë, – kur jam larg tij. Pogradeci është pjesë e pandashme e krejt qenies sime fizike dhe shpirtërore. Ai është njëherazi realitet dhe poezi, truall dhe ëndërr.

– E mendoni kthimin një ditë në Pogradec? Kthim për t’u çlodhur, për të përsiatur për fëmijërinë në kontekst me familjen, fqinjët, miqtë, shokët; me qytetin, pasqyruar këto edhe në artin tuaj?

– Katër vitet e fundit, – jo vetëm beharet, por edhe dimrat, – i kalova pikërisht në Pogradec, me mendimin jo vetëm për t’u çlodhur, për të përsiatur e për t’u çmallur me banorët e tij – farefis, shokë, miq, fqinj, por për të ndenjur atje deri në fund të jetës. Rrethana gjithfarësh, që nuk është rasti t’i zbërthej këtu, më diktuan që, pas mbledhjes së një pasurie të madhe të dhënash, që do të përpunohen në laboratorin tim krijues, të marr sërish udhën e mërgimit. Por një gjë mund ta them me siguri: kur do të rikthehem përfundimisht atje ku pashë sëpari dritën, tani për tani nuk jam në gjendje ta përcaktoj, por uroj që ajo ditë të jetë sa më e afërt. Edhe elefanti, kur ndjen që po e lenë fuqitë, kthehet në strofkën ku është lindur!

– Përse zgjodhët Rumaninë për të shpalosur talentet tuaja, kur me atë bagazh mund të shkonit edhe në vende të tjera shumë më të zhvilluara, siç kanë vepruar mjaft të tjerë, para dhe pas jush?

– I dashur Ahmet! Unë e ti kemi studiuar në të njëjtën shkollë të lartë, në të njëtin fakultet, në kërthizë të Bukureshtit. Koha që kaluam atje ishte e shkurtër, por mbresat që na la mund të krahasohen me pirjen e vetëm disa gllënjkave ujë në shkretëtirë, të cilat ta fashitin etjen për një çast, ama pastaj ta shtojnë pa kufi. Kisha mall për Rumaninë, të cilën, mbase jo rastësisht, e patën parapëlqyer edhe kolosët pogradecarë e mbarëshqiptarë, Lasgushi e Mitrushi. Kështu, me të shkuar për studime në Bukuresht dy djemtë e mi e me të m’u krijuar mundësia për të dhënë mësim në Universitetin Shtetëror të kryeqytetit rumun, pranova pa ngurrim. Këtë vendim e mora edhe duke pasur parasysh se me rumunët kemi mjaft pika të përbashkëta e na lidh një miqësi e hershme, e pacënuar as sot e kësaj dite. Sa për vendet e tjera shumë më të zhvilluara, sapo ua zemë emrin në gojë, na kujtojnë, para së gjithash, mirëqenien lëndore. E, pra, unë paratë nuk i kam fetishizuar asnjëherë. I kam quajtur gjithmonë si një të keqe të domosdoshme. Në fund të fundit, hamë që të rrojmë, nuk rrojmë që të hamë.

– Jeni perfeksionuar në shumë gjuhë të huaja. Cilën gjuhë do të radhitnit pas gjuhës shqipe?

– Italishten, rumanishten, frëngjishten. Pasojnë të tjerat.

– A takohet arti me shkencat konkrete? Vjen fjala me gjeologjinë?

– Arti ka në themel fantazinë, shkenca – konkretësinë. Por, jo vetëm kanë lidhje mesveti, por edhe ndërplotësohen. Me gjeologjinë ilustrimin e kam më të lehtë: Që të jesh kërkues i mirëfilltë i thellësive, duhet ta dashurosh natyrën e vendit tënd, të kesh shpirt poeti.

– A keni ndonjë kujtim apo mbresë, që nuk e keni rrëfyer deri më sot me të madhin Lasgush?

– Miku ynë i përbashkët, i ndjeri Dhimitër Xhuvani, që na donte të dyve, ngulte këmbë që “të vilja” nga goja e Lasgushit sa më shumë “perla”. Mblodha jo pak, por ja që ma mori në kthesë arkitekti Petraq Kolevica, i cili botoi një libër aq të bukur për Lasgushin, saqë nuk mbeti gjë e madhe për mua. Gjithsesi, për t’i dhënë përgjigje pyetjes suaj, mund të përmend një bisedë me Lasgushin, në korrikut 1966, tek po dilnim nga Kisha e Shën Prokopit, në fshatin Vërdovë, jo larg Pogradecit. Ishte edhe i ndjeri profesor Dh.S.Shuteriqi, atëkohë në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, i cili na foli me minuta të tëra për ikonat e Konstandin Shpatarakut, të varura në muret e asaj kishe. Kur dolëm jashtë, Lasgushi më “mërmëriti” (fjalë e parapëlqyer për të!): “O kushëri, ky na mbajti një konferencë të tërë /për piktorin, pa thënë asnjë llaf për shënjtorin! Po shenjtori e frymëzoi Shpatarakun, ay ia bëri penelin shpatë!”

– Kohën me studimet dhe me punën ne gjeologji, e quani kohë të humbur, apo edhe kjo shkencë aplikative e pasuroi spektrin tuaj?

– Gjeologjia më hapi një dritare të madhe për ta këqyrur botën deri në thellësitë abisale. Por me të ka kohë që nuk merrem drejtpërdrejt. Natyrisht lexoj jo rrallë vepra të kësaj fushe dhe materiale të tjera që lidhen me të, përfshi artikuj shkencorë, si ata që boton ti herëpashere, me kompetencë dhe me dhemshuri atdhetare për çka po ndodh me pasuritë e nëntokës sonë, në veçanti me naftën – arin e zi! Jam anëtar i Shoqatës së Përgjithshme të Inxhinierëve të Rumanisë (AGIR) dhe në simpoziumet e përvitshme të saj marr pjesë me kumtesa, të cilat janë botuar në përmbledhjet përkatëse.

– Çfarë pasurie nëntokësore dhe rezerva ka zona e Pogradecit?

– Ka vendburime hekur-nikeli, kromitesh dhe qymyresh. Me sa di, rezervat industriale për të tre mineralet e mësipërm meritojnë të jenë në qendër të vëmendjes të qeverisë shqiptare. Por, mjerisht, siç e keni theksuar fort në shkrimet që keni botuar në shtyp, edhe gjendja dhe mënyra e trajtimit të problemit madhor të pasurive të nëntokës në rrethin e Pogradecit nuk është aspak më e mirë se në zona të tjera mineralmbajtëse.

– Ju keni qenë në malin e Shebenikut, që i përket Rrajcës. Çfarë mund të thoni për të?

– Në masivin ultrabazik të Shebenikut kam kryer praktikën e diplomës, të cilën e mbrojta me një temë që trajtonte daljet e kromiteve dhe praninë e mikroelementeve në to. Kam dëgjuar me kënaqësi se disa pjesë të temës sime janë konsultuar nga specialistët që janë marrë gjatë viteve të mëvonshme me zbulimin e detajuar dhe shfrytëzimin e kromiteve në Shebenik, konkretisht në Përroin e Govatës, në Përroin e Gobillës etj.

– Cilin vend të botës do të dëshironit ta vizitonit përsëri?

– Indinë, ku jam akademik nderi, qysh më 1997.

– Në një gazetë lokale kam lexuar një shkrimin tuaj brilant për elitën në përgjithesi. Si e gjykoni pozicionin dhe vetëveprimin e elitës së sotme shqiptare?

– Që ta meritojë cilësimin “elitë”, ajo duhet të sillet e të veprojë si e tillë në të gjitha drejtimet: dijet t’i verë me përkushtim atdhetar në dobi të kombit, pa u ndikuar as për nga larg nga erërat politike që fryjnë nga të katër anët duke ndrruar kah jo rrallë sipas interesave të ngushta, meskine.

– Cili është studimi juaj që e mendoni si më të mirin e që do t’ua rekomandonit edhe të tjerëve?

– Këtë e le tërësisht në dorë të atyre që kanë pasur mirësinë dhe durimin të më lexojnë. Theksoj se, në nivelin e punimeve të miat, janë shkruar e botuar edhe shumë të tjera nga kolegë të mi, në të gjitha fushat. Kështu që, duke lexuar ç’kam shkruar unë, jo medoemos kanë për të përfituar ndonjë gjë të madhe, sikurse edhe duke mos lexuar, nuk kanë për të humbur ndonjë gjë të madhe.

– Ju keni studiuar për gjeologji. Si e shpjegoni gjeologjikisht formimin e Liqenit të Pogradecit, të kësaj parajse që, hipsometrikisht ndodhet 695 metra mbi nivelin e detit?

– Ky liqen, me sipërfaqe 360 km2, me thellësi maksimale 286 metra dhe ku objektet mund të shihen me sy të lirë deri në thellësinë 100 metra, është me origjinë tektonike.

– Ju jetoni në Rumani prej disa vitesh. Çfarë fenomene negative të përbashkëta ka midis dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Rumanisë?

– Korrupsioni, papunësia, qëndrimi i papërgjegjshëm i klasës politike ndaj fateve të vendit përkatës, dobësimi i tri prej shtyllave të shoqërisë: arsimi, shëndetësia, drejtësia.

– Si e gjykoni procesin e privatizimit të pasurive nëntokësore të Shqipërisë? Më konkretisht të naftës?

– Si nga pikëpamja e konceptimit, ashtu edhe e mënyrave e mjeteve të realizimit, procesin e privatizimit të pasurive nëntokësore të Shqipërisë e quaj të dështuar dhe antikombëtar.

– Po shteti rumun, si e ka zgjidhur këtë problem?

– Diçka më mirë, por jo aq sa për ta marrë si shëmbull që do të duhej ta ndiqnim.

– Cilin shkrimtar rumun të të gjitha kohërave pëlqeni më shumë?

-Poetin kombëtar, Mihai Emineskun (1850 – 1889), dashamirës e simpatizues i shqiptarëve.

– A ka ndryshuar Parku Çishmixhiu, aty në qendër të Bukureshtit?

– Ka ndryshuar, por pa cënuar magjinë e dikurshme që ia ke njohur edhe ti, i dashur Ahmet.

– Po godina e Institutit tonë të Naftës e të Gazeve (IPGG), aty është apo ka ndrruar vend?

– Me përjashtim të Gjeofizikës, pra të fakultetit tënd, pjesa tjetër është mbartur gjetiu: Gjeologjia e Naftës, Shpim-Shfrytëzimi, Utilazhet e Naftës, Teknologjia e Prodhimit të Naftës kanë shkuar në Ploiesht, ndërsa minierat në Petroshan.

– Ju keni pësuar aksident të rëndë në një pus miniere, jeni shtruar edhe në spital. Si u përfshi në bisedë kjo ngjarje midis Dritëro Agollit dhe shkrimtarit turk Jashar Qemal?

– Kur po e përcillte Jashar Qemalin në aeroportin e Tiranës, pas një vizite dyjavore në vendin tonë, Dritëroi, për të cilin kam respekt të veçantë, i tha: “Kyçyku di gjuhë pa hesap ngaqë kur ra në një pus miniere, iu çlirua një vidë – burgjia e gjuhëve. Ishte një shaka që Dritëroi e përsëriste shpesh dhe me të cilën të gjithë të pranishmit, që ndrroheshin shpesh, shqyheshin së qeshuri. Por këtë radhë dikush nuk qeshi dhe ky ishte pikërisht Jashar Qemali. Dritëroi kujtoi se Stefan Vuçani nuk bëri përkthim të saktë dhe kërkoi t’ia përsëriste Jasharit pyetjen edhe një herë. “Anlladëm, anlladëm!” (E mora vesh, e mora vesh!) u përgjigj shkrimtari i madh turk. Pastaj shtoi me ironi miqësore: “Stefan efendi, thuaju se do ta anuloj nisjen. Do të qëndroj edhe ca ditë që të shkojmë të biem bashkë me kryetarin, Dritëro aganë, në pusin e Kyçyk beut, që të na vihet në lëvizje burgjia e gjuhëve”. Dhe nuk i qeshi buza deri sa u hipi shkallëve të avionit.

– Mësimi i gjuhëve të huaja, sipas jush është punë, aftësi apo proces metodik?

– Të tria bashkë.

– Ju bëni shaka, hidhni romuze. Humori është dhunti e njerëzve të zgjuar. A ka qëlluar ndonjëherë t’ju ketë sjellë telashe?

– Më ka ndodhur që të qesh ngaqë nuk kam qarë dot. Më ka ndodhur edhe të bëj shakara pa kripë. Rëndësi ka që asnjëherë nuk e kam bërë me qëllim të keq. Nuk kanë munguar as rastet kur ndonjë nga “të sulmuarit” e mi të ketë reaguar brutalisht. Por më pas është tulatur.

– Ju mbani Urdhërin e Kavalierit të Shën Silvestrit. Ç’është ky Urdhër?

– Shën Silvestri ka qenë papë, që u shenjtërua në fillimshekullin XVII, ashtu si Papa Gjon Pali II në ditët tona. Pata fatin që ky nder m’u bë krahas Rita Levi Montalçinit (e fesë mozaike), nobeliste në mjekësi, dhe gjeneral armate Roko Panuncit (katolik), komandant suprem i Forcave Logjistike të Ushtrisë Italiane.

– Ç’është Kongresi i Shpirtërimit Rumun?

– Është një forum ndërkombëtar, me pjesëmarrje të gjerë të personaliteteve rumune ose me prejardhje të tillë, nga të gjitha vendet e botës. Ky kongres, që ka në themel të tematikës trashëgiminë kulturore, traditat e virtytet e kombit rumun e lidhjet historike e tradicionale të tij me kombet e tjerë, mbahet përvit në kryeqytetin shpirtëror të Rumanisë dhe të rumunëve të kudondodhur, në Alba Iulia, ku më 1918 u bë bashkimi i të gjitha principatave rumune. Në të 16 edicionet e këtij kongresi, qysh në fillim e në vazhdimësi, jam zgjedhur një nga zëvendëspresidentët e tij. Ky është nder i pazakontë po të mbajmë parasysh se jam i vetmi i huaj në këtë post. Kongresistët kanë pranuar pangurrim që të më paraqitin ashtu siç jam, pra përfaqësues të intelektualëve shqiptarë.

– Në një intervistë të gjatë, që keni dhënë kohë më parë, ju shpreheni shumë qartë se gabimet në politikë janë krime. Keni gjë konkrete për politikën shqiptare?

– Natyrisht. Sa herë që bëhen gafa me pasoja të rënda, duke dëmtuar të sotmen dhe duke errësuar të ardhmen e kombit e të atmëmëdheut, kemi të bëjmë me krime. Përgjegjësia për këto veprime bie mbi politikanët, e të dy krahëve.

– Është një shqiptar “terrible”, do ta quaja unë: Kasem Trebeshina, i cili qëndron diku, si njeri i vetmuar. Çfarë mund të thoshit për vlerat që ka në fushat e artit?

– Për herë të parë e kam takuar në Prishtinë, ku ishim ftuar në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës Shqipe. Më pëlqeu modestia e këtij njeriu që ka vuajtur për shkak të vertikalitetit të tij në gjithçka që ka menduar e vepruar. Por kryesorja janë veprat e tij, sa të vëllimshme, gjithaq edhe cilësore.

– Po për Akademikun Rexhep Qosja?

– Një tjetër personalitet i mirënjohur në fushën e vet.

– Si e shpjegoni atë që thonë disa të tjerë se juve më shumë ju kuptojnë dhe ju çmojnë të huajt sesa shqiptarët?

– E kam konstatuar me dhimbje këtë të vërtetë, por nuk e shpjegoj dot, siç nuk e shpjegoj dot as qëndrimin e akullt ndaj tim biri, Ardianit, edhe ai akademik evropian, shkrimtar dygjuhësh, autor i rreth njëzet romaneve në gjuhën shqipe dhe i po aq të tjerëve në gjuhën rumune, i cilësuar nga kritika e specializuar si një nga tri penat më të shquara të letërsisë rumune. Njëkohësisht, Ardiani është i pari i huaj në historinë e arsimit të lartë rumun, që është zgjedhur rektor i një universiteti të rëndësishëm të Rumanisë, bash në Bukuresht.

– A do të ishte interesante sikur librin “Zinxhiri i anktheve” ta rishkruanit, për t’u hapur në ato situata ku mendoni se keni akoma për të thënë, akoma për të përshkruar situata, karaktere, aksione, dashuri dhe urrejtje? Me “Zinxhiri.”, mendoj se keni rastin më të mirë të shpalosni më me frytshmëri edhe artin tuaj, ngaqë njerëzimi është lodhur dhe mërzitur me formën pseudoklasike të të shkruarit. “Arti zbulon”, më duket se ka thënë dikush.

– Çka sapo thatë, është një grishje dhe nxitje që më bëni me dashamirësi prej miku të vërtetë, për t’iu rikthyer temave të rrahura tashmë, duke u dhënë frymëmarrje më të gjerë, sidhe qëmtimit e zhbirimit të të tjerave, që ende nuk i kam shtjelluar.

– Jeni besimtar?

– Po, Ahmet! U bëra besimtar “i thekur” sidomos pas kapërcimit të disa vështirësive, të cilat me kalem “tokësor” nuk ishin të mundura as të përballoheshin, pa le të kapërceheshin!

– Si vazhdon të vlerësohet revista juaj shumë simpatike “Haemus”?

– Përderisa vazhdojmë ta botojmë me çdo kusht, kjo vjen edhe si jehonë e vlerësimeve inkurajuese e dashamirëse që na bëhen nga lexuesit anembanë botës.

– Çfarë keni në shtyp, në dorë dhe në mendje?

– Dy monografi, një vëllim poetik, një përkthim, një tekst universitar.

-Miku im, mos jeni shumë i shpërndarë?

– Keni plotësisht të drejtë. Duhej që, si në luftë, “grushtin” kryesor ta jepja në mes të frontit, jo në gjithë gjerësinë e tij. Krahas temperamentit tim, këtu kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë, që lidhen me punët e ndryshme që më është dashur të kryej gjatë jetës. Tani, edhe sikur të desha të ndryshoj, është vonë, i dashur Ahmet!

– Çfarë do të ndodhte sikur emrat e identifikuar me rrokje në librin tuaj, “Zinxhiri.”, të shkruheshin të plotë?

– Siç mund ta keni vënë re, emrat “me zarar”, pra të politikanëve të të gjitha kahjeve e ngjyrave, i kam vënë të plotë, ndërsa disa të tjerëve, të fushave të ndryshme, ua kam “censuruar”. Këta kanë qënë dhe kanë mbetur të mbrapshtë ndaj meje, ndaj të tjerëve, por edhe ndaj vetvetes dhe jetës në përgjithësi. I kam emërtuar me rrokje, me emra të përgjysmuar, ngaqë i konsideroj gjysëmnjerëz. Nga ana tjetër synoj që këto kujtime të përcjellin një kumt mirësie: lexuesit të dënojnë veprimet e këtyre të paudhëve, pa marrë vesh se si quhen.

– Çfarë dini për pogradecarin Qani Çollaku?

– Ka pasur ide përparimtare, demokratike, që guxoi t’i shfaqte me zë të lartë pikërisht në vitet kur dikatura ishte ngjitur në kuotat më të epërme të egërsisë.

– Si e ndërtoni planin ditor?

– Në pajtim me kërkesat dhe detyrat që më ngarkohen ose që i ngarkoj vetes.

– Cili është pasioni juaj pas studimit?

– Leximi, dëgjimi i muzikës, i paraprirë nga Himni i Flamurit dhe nga kënga atdhetare: “Dragonjtë e Shqipërisë”.

– Çfarë do t’u thoshit Për Vitin e Ri 2013 shqiptarëve në përgjithësi dhe të rinjve në veçanti?

– Të gjithëve urimin tradicional: “Nga mot gëzuar!”, ndërsa të rinjve edhe këto: “Jini të drejtë e të ndershëm dhe mos harroni se, mbi ambicjet dhe intrigat, mbi lakminë dhe smirën, qëndron Përjetësia e Kombit, qëndron Dashuria për Atdheun. Aty duhet ta lini pikëpjekjen gjithmonë, paçka se heraherës nuk mirëkuptohemi me njëri-tjetrin!”.

– Nga do t’i vijë e mira kësaj Shqipërie, nga vetë shqiptaret, nga elita, nga të huajt, nga resurset natyrore apo nga rinia?

– I zoti e nxjerr gomarin nga balta, na mëson populli. Dhe ky zot jemi të gjithë: të rinj e të moshuar, qytetarë e fshatarë, punëtorë e intelektualë. Po nuk deshëm veten, si mund të presim të na duan të huajt?

-Si e mendoni Shqipërinë pas dy dekadave?

– Shumë më të pasur ekonomikisht e sidomos shpirtërisht!

FALEMINDERIT DHE SUKSESE

Faleminderit edhe juve

(Foto:Kopi Kycyku)

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Ahmet Collaku, Inteviste, Kopi Ktctku

Kontributi i patriotëve të Armenit në pavarësinë e atdheut

February 15, 2013 by dgreca

Nga Shpresim Kasaj/

 Fshati Armen është një fshat me peshë e me një zë të veçantë në historinë e luftërave për liri të krahinës së Vlorës e të gjithë Shqipërisë.Gjatë gjithë etapave të historisë, ky fshat ka nxjerrë nga gjiri i tij djem e burra të shquar, si për penë e mendje, ashtu edhe për dyfekë e trimëri, që janë radhitur me burra të shquar të Vlorës dhe i kanë dalë zot vatanit në stuhitë dhe rrebeshet e kohërave. Në ndonjë periudhë të historisë, ata kanë dalë edhe në udhëheqje e drejtim, si në Luftën e Vlorës më 1920, ku Osmën Haxhiu e Sali Bedini ishin: njëri kryetar e tjetri anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare që udhëhoqi këtë luftë.

Burra të shquar të Armenit e gjurmët e tyre në historinë kombëtare i gjejmë që shumë herët, por për të mos dalë jashtë objektit e temës së kësaj fjale të shkurtër, do të përqendrohem te periudha e pavarësisë.Lufta për autonominë dhe pavarësinë e vendit nuk filloi dhe mbaroi për një vit, as për dy, tre apo katër vjet. Për të arritur pavarësinë u deshën vite të tëra lufte e përpjekje me penë dhe me pushkë. Ajo është së pari lufta me penë e mendje e rilindësve tanë dhe, më pas e kryengritjeve me armë të popullit tonë trim. Siç dihet, rilindja filloi që në vitin 1845 me botimin e “Evetarit” të Naum Veqilharxhit e të gramatikës së Kristoforidhit, por ajo mori hov të madh pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Kjo lidhje ishte përpjekja e parë për të krijuar një shtet shqiptar në të katër vilajetet, pas 450 vjetësh robëri. Kjo lidhje krijoi degët e saj në të gjithë Shqipërinë Etnike. Kryetari i Lidhjes për Vlorën ishte Mustafa Pashë Vlora, xhaxhai i Ismail Qemalit me Musa Bodon, Odhise Kasnecin e Nikollë Konomin. Pas shtypjes së Lidhjes nga turqit, Lufta filloi të organizojë në fushë të librave shqip për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare që nga viti 1883, në Vlorë dhe fshatrat e saj filluan të vijnë libra shqip në mënyrë të fshehtë. Në vitin 1900 krijohet një plejadë e tërë me patriotë vlonjatë që lidhen me njëri-tjetrin e punojnë për mësimin e shkollën shqipe si: Musa Cakërri, Mulla Xhaferr Drashovica, Hamit Lumi, Koli e Kristo Karbunara, Dush Strati, Todi Lubonjari, Aristidh Ruci, Jani Minga, Elmaz Xhaferri, Leonidha Naçi, etj. Këta sillnin e shpërndanin libra shqip nga Shoqëritë Patriotiko-Kulturore të Stambollit, Bukureshtit, Sofjes e Kajroa dhe ua mësonin po fshehtas bashkëqytetarëve e bashkëfshatarëve të tyre.

Në këtë veprimtari patriotike u përfshinë edhe disa patriotë armenas si: Hasan Harizi, Hasn Sulo Skënderi, Muhamet Hasimi, Cane Durka, të cilët u burgosën në Kalanë e Beratit e më pas në atë të Janinës ku Hasan Harizi e Hasan Suloja vdiqën prapa hekurave duke u bërë martirë të shkronjave shqipe. Këta patriotë armenas u lidhën me Todi Lubonjarin, një karvanxhi korcar që banonte në Lubonjë të Armenit dhe transportonte me mushka qymyr nga dushqet e Tërbacit për në Vllahi e Rumani dhe sillte që andej libra shqip të shoqërisë së Bukureshtit. Në një letër, Jani Vruho e përgëzon atë për përhapjen e abetareve në Armen e Treblovë, gjithashtu ndikim te patriotët e Armenit pati Afëz Biçaku nga Drashovica që kishte qenë në Stamboll me Mulla Xhaferr Drashovicën, mësuesin e djemve të Ismail Qemal Vlorës. Afëz Biçaku jepte mësim fshehtas  në Peshkëpi, Penkovë, Lubonjë dhe Armen. Kjo punë, mori karakter më të organizuar, pas krijimit të dy klubeve patriotike “Lumi i Vlorës” dhe “Labëria”.

“Lumi i Vlorës” u krijua në vitin 1900 nga Hamit Lumi (Çela). Ndër anëtarët e parë gjejmë edhe emrin e një armenasi. Ja konkretisht lista e anëtarëve të parë të këtij klubi: Musa Çakërri, Dush Strati, Elmaz Xhaferri, Ali Radhima, Jorgo Koleka, Muhamet Armeni, Kristo Karbunara dhe Harun Panajaja.

Në tetor 1908 u krijua klubi “Labëria” me kryetar Xhemil Bej Vlorën, sekretar Leonidha Naçin dhe arkëtar Muhamet Çobon. Kryetar Nderi i këtij klubi u zgjodh Ismail Qemali që ishte në Stamboll. Këto klube u bënë vatra të atdhetarizmit, jo vetëm për përhapjen e librave shqip e zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, por dhe në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve që nëpërkëmbeshin nga nëpunësit turq. Kryesia e këtij klubi ndërhynte te kajmekami e qeveritarët lokalë për zgjidhjen e shumë problemeve që u dilnin bashkëqytetarëve të tyre. Në këto klube, përveç armenasve që përmendëm më lart si: Hasan Harizi, Hasan Suloja, Muhamet Armeni, Cane Durka morën pjesë edhe figura të tjera të shquara si Osman Haxhiu, Sali Bedini e Refat Aliu që patën një veprimtari të gjerë dhe u njohën nga afër e qenë bashkëpunëtorë të Ismail Qemal Vlorës. Le t’i marrim e të shohim një e nga një veprimtarinë e tyre:

  1. Osman Haxhiu – ish njohur me Ismail Qemalin në Stamboll kur vazhdonte “Robert Kolexhe”. I ati i tij, Haxhi Muhameti, ish mik i familjes Vlora, i Syrja e Xhemil bej Vlorës. Ai kish marrë pjesë si delegat në Kongresin e Dibrës në vitin 1909 bashkë me Mehmet Seit Mavrovën, Hasan Sharrën, Abaz Nurin e Ali Asllanin. Haxhi Muhameti bekoi flamurin më 20 nëntor 1912 bashkë me Dom Nikollë Kaçorrin dhe at Marko Moçkën. I biri i tij, Osmani ish anëtar i Klubit “Bashkimi” të Janinës dhe më pas i Klubit “Labëria” të Vlorës. Ai mori pjesë në shumë takime me patriotë të ndryshëm ku flitej për autonominë dhe pavarësinë endnit. Ai mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës së Korrikut më 1911 dhe mbështeti Memorandumin e Gërçes dhe hodhi idenë e luftës së armatosur kundër pushtuesit osman. Ai bëri fushatë për kandidaturën e Ismail Qemalit për deputet në Parlamentin Xhon Turk. Qe sekretar i prefekturës së parë të ngritur nga qeveria e Ismail Qemalit e më pas prefekt i Vlorës. Është i njohur aktiviteti i tij si organizator dhe udhëheqës i Luftës së Vlorës që është jashtë objektit të kësaj kumtese të shkurtër.
  2. Sali Bedini, ishte anëtar i Klubit “Labëria”, bile një nga anëtarët aktivë të këtij klubi. Ai mori pjesë në një dërgatë që priti në Korfuz Ismail Qemalin në vitin 1908. për këtë dërgatë na flet Kristo Karbunara, sekretar i Klubit “Labëria” dhe nipi i Babë Dudë Karbunarës, firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë dhe “Mësues i Popullit”. Ja si shkruan ai: Më 1908 morëm një kartë se duhet të prisnim Smail benë në Korfuz. Elmaz Xhaferr Kanina na mblodhi e caktuam një dërgatë për ta pritur. Në këtë dërgatë bënin pjesë: Ahmet Durmish Xhafa, Qazim Kokoshi, Ibrahim Abdullahu, Jani Minga, Elmaz Xhaferri, Hamza Isai, Dom Mark Vasa, Osman Haxhiu, Sali Bedini, Toto Hosi, Todi Lubonjari, Laze Malo… shkruam në Korfuz me navell. Atje ndenjën dy netë e pritëm Smail beun që erdhi me vaporin “Lloid” në Vlorë Smail beu u prit si Krishti. Ai ish drita që na ndriçoi udhën tonë për të bërë Shqipërinë.” Në fillim të pranverës së vitit 1909, Muharrem Rushiti e Spiro Bellkameni erdhën në Mavrovë ku bënë takim me patriotët vlonjate, ku mori pjesë dhe Osman Haxhiu e Sali Bedini. Ja disa nga pjesëmarrësit e këtij takimi: Ibrahim Abdullahu, Alem Mehmeti, Dhimitër Qypi, Laze Malo, Hamza Isai, Osman Haxhiu, Sali Bedini, Isuf Rustemi, Hajredin Danushi, Osman Muka, etj.

Sali Bedini ishte pjesëmarrës edhe në Kuvendin e Drashovicës dhe, pas këtij kuvendi, ngriti çetën me luftëtarë armenas dhe bashkë me 150 luftëtarët e komanduar nga Ibrahim Abdullahu u hodh në Selishtë të Mallakastrës dhe luftoi përkrah luftëtarëve të udhëhequr nga Bektash bej Cakrani. Me Bektash beun, atë e lidhte, jo vetëm ideali i përbashkët, por edhe gruaja e tij, Qamileja që ishte nga Veizajt e Cakranit, fis i Bektash beut. Ja si shkruan për këto luftime gazeta “Liri e Shqipërisë’, që botohej në Sofje të datës 1911 të atij viti: “ Në fillim të gushtit, çetat u përqendruan në Cakran, ku Bektash bej Cakrani kishte përqendruar një fuqi të madhe. Me kryengritësit u bashkuan mjaft ushtarë shqiptarë që shërbenin si redif në repartet xhonturke. Me ta u bashkua dhe mësuesi i Cakranit, Thanas Floqi dhe ai i Kurveleshit, Shuko Dalipi. Në Cakran u zhvilluan luftime të ashpra me xhon turqit.” Sali Bedini mori pjesë në ngritjen e flamurit me shumë bashkëfshatarë të tjerë, si dhe në shumë ngjarje historike të zhvilluara më pas si Lufta e Vlorës ku ai qe një nga protagonistët kryesorë të saj, për të cilën nuk do të flas, sepse del jashtë temës së kësaj kumtese.

  1. Refat Ali Kasaj. Është një patriot tjetër armenas, pjesëmarrës i ngjarjes së pavarësisë. Ai ishte mik i afërt i familjes Vlora. Ai, në vitet 1885 -1900 ishte qehaja “administrator” i familjes së Xhemil bej Vlorës dhe Syrja bej Vlorës, xhaxhallarë të Ismail Qemalit. Ky fakt është i konfirmuar edhe në kujtimet e Eqerem bej Vlorës, vëllimi 1 faqe 48. Kur flet për verimin që bënte familja Vlora në Bishan, buzë Vjosës, ai shkruan: “Aty, në Bishan, i ndihmuar nga mësuesi im, Don Luigji; unë kisha sajuar një kasolle me trungje që u ngjante atyre të udhëtarëve të parë. Atje kisha çuar pushkën, veshjet e kalorësisë, sallën e zagarët, të cilët në të vërtetë nuk ishin të miat, por të qehajait tonë, Refat Armenit.” Kjo familje fisnike e ndihmoi Refatin të mbaronte studimet e larta në Stamboll, të pajiset me dije shkencore e me një kulturë të gjerë. Përsëri është meritë e familjes së Vlorajve që ai punoi për dhjetë vjet në administratën e lartë të perandorisë ormane, në Stamboll.

Ai qe sekretar i Ministrit të Brendshëm, e më vonë i Kryeministrit të Perandorisë, Ferit Pashë Vlorës, bir i familjes Vlora dhe kushëri i Ismail Qemalit. Duke qenë në këtë pozicion, ai u njoh nga afër dhe u miqësua jo vetëm me Ismail Qemalin, por dhe me shumë personalitete të qeverisë dhe të parlamentit osman. Ai erdhi që nga Stambolli në javën e parë të tetorit 1908 për të përkrahur kandidaturën e Ismail Qemalit për deputet në Parlamentin Xhon Turk për Kazanë e Vlorës dhe Beratit. Së bashku me Osman Haxhiun, Sali Bedinin, Durro Shaskën, Alem Mehmetin, Ibrahim Avdullahun e Todi Lubonjari bënë takime nga data dy deri në gjashtë tetor në fshatrat e zonës sonë: Treblovë, Kocul, Armen, Karbunarë, Romës, Gorisht, Mallkeq e të tjerë. Kur ishte sekretar i Ferid Pashë Vlorës, ndikoi te kryeministri për të liruar nga burgu e amnistuar disa patriotë vlonjate të Klubit “Labëria” pas bastisjes së këtij klubi nga autoritetet lokale turke në qershor të vitit 1909.  Shumica e anëtarëve të këtij klubi u arratisën në Korfuz, Brindizi e Trieste dhe disa u fshehën fshatrave. Disa që u zunë u burgosën nga Gjykata e Janinës me nga dy deri në pesë vjet burg. Po kaq u dënuan në mungesë dhe ata që u fshehën dhe nuk u zunë.

Nga relacioni i konsullit austro- hungarez Kraus, dërguar Ministrisë së Jashtme në Vjenë, më katër qershor 1909, mësojmë se: “lista e banorëve të Vlorës në bastisjet e fundit është si më poshtë: Elmaz Efendi Kanina, Ibrahim Abdullahu, Duro Shaska, Ali Beqir Velça, Musa aga Sharra dhe tetë banorë nga katundet fqinjë të Vlorës. Personat në fjalë i shoqëruan për në Janinë me urdhër të Shefqet Pashës për të dalë para gjyqit ushtarak në Stamboll. U arratisën për në Korfuz, Brindisi e Triste personat e mëposhtëm: Hasan Sharra, Shahin Haruni, Hilmi e Petref Risilia, Hamza Isai, Hajri Kreshpa, Bektash Efendi Cakrani, Hajredin Danushi, Ahmet Durmishi e Xhemil bej Vlora. Shumë prej këtyre të arratisurve u lidhën me Refat Armenin e ky, ndërhyri te kryeministri për lirimin e tyre. Këtë fakt e gjejmë në kujtimet e Leonidha Naços, sekretar i Klubit Labëria, të botuara në librin e Pr.Dr. Bardhosh Gaçes: “Lëvizja Kombëtare në Vlorë, 1878 -1912”, botimet “Toena”, Tiranë 1999. Ishte e natyrshme që Ferid Pasha do të ndërhynte për lirimin dhe amnistinë e tyre se ai i kishte bashkëqytetarë, miq e shok të tij dhe xhaxhanë e tij, Xhemil bej Vlora. Ai, megjithëse ishte kryeministër i perandorisë ishte shqiptar dhe zemra patjetër, do t’i rrihte për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ibrahim Abdullahu që ishte një nga kryetarët e Klubit “Labëria” që ndërroheshin me rotacion, patriot i madh e bashkëpunëtor i Ismail Qemalit shkruan kështu në kujtimet e tij: Në Stamboll njoha mjaft shqiptarë që i shërbenin çështjes kombëtare si Feim Mezhgorani, Ferid Pashë Vlora, Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Shahin Kolonja, Azis Pashë Vrioni, Mehmet Pashë Tetova, etj.” Refat Aliu mori pjesë në ngritjen e flamurit së bashku me shumë bashkëfshatarë të tij si: Osman Haxhiu, Sali Bedini, Ramadan Armeni, Muhamet Hasimi, Halil Hodo, Mahmut Mersini, Cane Durkën, Meçan Tartarin, Brahim Harizin, Hamit Demën, Selim Xhaferrin e ndonjë tjetër. Ai mori pjesë e punoi në administratën e re të Vlorës të ngritur nga qeveria e Ismail Qemalit, në zyrat e prefekturës me prefektin Ahmet Durmish Xhafën e në zyrat e katundarisë me Ibrahim Avdullahun. Ai mori pjesë edhe në shumë ngjarje të tjera të rëndësishme që ndodhën më pas si në kuvendin e Βarçallasë, në Luftën e Vlorës, në Kuvendin Zakonor të Kuçit, etj, por nuk do të zgjatem të flas për to, pasi dal jashtë temës dhe objektit të përcaktuar, ngjarjeve të pavarësisë. Po kështu është i gjatë e pambarim aktiviteti atdhetar i shumë patriotëve të tjerë armenas, disa prej të cilëve u përmendën në këtë ligjëratë, por edhe i të tjerëve që nuk u përmendën dot sot, por do të jetë objekt i aktiviteteve të tjera të shoqatës sonë.

Lavdi paçin përjetë patriotët e Armenit, Vlorës e të gjithë Shqipërisë që kanë luftuar për pavarësinë dhe lirinë e atdheut në të gjitha luftërat!

Filed Under: Histori Tagged With: Patriotet e Armenit, pavaresia, Shpresim kasaj

NGA FONDI I REPLIKAVE TE DIASPORES NACINOALISTE

February 15, 2013 by dgreca

PERGJEGJET KOLË MIRAKAJ: DERI KUR NË SHËRBIM T’ ANMIKUT ?/

LETER E HAPËT Z. ABAZ ERMENIT/NEW – YORK, QERSHOR 1967/

Besoj se shprehi ndiesitë e mbarë Popullit Shqiptar, se po të jetë që fqijtë tonë e kuptojnë nevojen e bashkëjetesës paqësore e bashkëpunimin leal të fqijsisë së mirë, tue na kthye të Drejtat që na perkasin, Populli Shqiptar dishron miqësi të sinqertë edhe me Grekët dhe me Sllavët e Ballkanit.”

Kolë Mirakaj (1967)
     M’a beso z. Abaz Ermeni (dhe ju ndjeksat e tij) se bash po më dhemb zemra që më shternguet t’u ap ketë pergjegje botnisht, pse e dij që polemikat nuk i sjellin asnji dobi çashtjes së dhimbëshme e të vështirë që fati i randë na ka ngarkue të gjithë atyne që e quejnë veten antikomunista e atdhedashës.

Megjithse në ketë leter të hapët më duhet me dokumentue çeshtje të pergjithëshme të zhvillimit historik të ngjarjeve e veprimeve (sado shkurtimisht), pergjegjësinë e këtij dokumenti e ngarkoj mbi veten time, meqë nuk jam këshillue me askend, perposë ndergjegjes sime.

***

U mbushen 22 vjet në ketë mërgim të zi e nuk u mbushet mendjet se mosbashkimi i grupeve antikomuniste, sulmet kunder forcash të shndoshta kombëtare e sabotimet kundër atyne që dojshin e dijshin me veprue per shpetim t’Atdheut, kjene faktori kryesorë që e sollen kominizmin në fuqi, e jo forca e tyne vetë. Të njajtin veprim që batë në Shqipni, po bani tash 22 vjet edhe në mërgim, pa mujtë të merrni asnji mësim nga e kaluemja. Vazhdoni akoma edhe sot mbas 22 vjetësh që popullin Shqiptar e ka mbulue zija, perpiqeni me denigrue forcat kombëtare antikomuniste, tue sulmue vazhdimisht Blokun Kombëtar Indipendent dhe udhëheqësat e tij, e jo vetem Blokun po kedo që nuk i asht shtrue vullnetit tuej egoist.

Njizetedy vjet kemi heshtë para trillimeve e edhe fyemjesh personale që keni hjedhë kundra nesh paburrnisht, jo pse na ka mungue guximi ose argomentat, por vetem per hir të çeshtjes kombëtare; per të lanë shtekun hapët per bashkim të të gjitha forcavet antikomuniste tue perfshi edhe juve; per bashkim të shpirtnave të Shqiptarëve, pse jemi të vetdijshem se edhe po të zhduket regjimi komunist per nji shkak ose nji tjeter, ka me na u dashtë të perballojmë rreziqet që mund t’i kërcnohen Atdheut nga ndokush tjeter e sidomos Greqia, që ç’ prej 1913-tës e këndej, nuk hjekë dorë nga pretendimet grabitçare mbi Korçën e Gjinokastren.

E qé, edhe ndjesitë e mija n’ atë çeshtje:

E dini mirëfillit se komunizmi më ka tha loçken e zemrës; më ka mbytë në gjak e rroposë gjithçka asht e kandëshme per jeten e njeriut. Megjithkëte, po të jetë që Greqija o kushdotjeter sulmon Shqipninë për të grabitë Tokë shqiptare, unë edhe me Enver Hoxhen kishem me iu vu në dispozicjon, kështu në moshë pleqnijet e i gjymtuem si jam, per mbrojtje t’ integritetit toksor t’ Atdheut, si ushtar i thjeshtë e pa asnji konditë. E pra jam edhe i dënuem me vdekje nga ai regjim.

***

Tash 22 vjet edhe ma parë, na kemi kerkue bashkëpunim e vllaznim; ju perherë keni predikue mëninë e keni veprue per shkatrrim të forcave kombëtare. Këte e dokumenton edhe shtypi i të dy palëve. Kjo mënyrë veprimi e jueja dishmon, se ju dashtë o padashtë, jeni tue i sherbye anmikut të perbashkët KOMUNIZMIT e anmiqëve të tjerë të KOMBIT SHQIPTAR.

Kur tham ju, nuk të drejtohem vetem ty z. Abaz Ermeni, po njisoj edhe udhëheqësave të tjerë të Partisë Agrare Internacionale, që edhe Ty si të ndjemit Mit-hat Frashërin, duen të mbajnë rob të vullnetit të tyne të çaperdisun, me lajka per qellimet e tyne t’errta. Unë e dij që Ti je antikomunist e nuk t’a mohoj as ndjenjen patriotike, as guximin trimnor, po kishem me të këshillue të shikosh mirë çka ké per-rreth-e-qark. Rueju mos të bini viktimë siç ra i ndjemi Mit-hat Beu!

Sa me paknaqësi e mora vendimin me u pergjegjë njiherë e pergjithnji, e din ndergjegja e ime, por mbasi edhe tash mbas 22 vjet tragjedije të Vendit tonë, po vazhdoni rrugen e shpartallimit të forcave kombëtare me trillime e gënjeshtra që synojnë të fallsifikojnë historinë, ka ardhë koha që mërgata antikomuniste dhe opinjoni i pergjithëshëm shqiptar mos të mbeten

perherë tue ndigjue vetëm zanin shtremnues të fakteve, po të ndigjojnë edhe zanin e fakteve, zanin e së vertetës. Per të kjartësue gjithshka, nuk mjafton nji shkrim i kufizuem si kjo leter, po duhet nji liber i cili asht i pergatitun tash 16 vjet (i ruejtun nder tri kopje në vende të ndryshme) e që auktori nuk ka dashtë t’a botojë akoma, per të mos u ba pengim per bashkërendim të forcave kombëtare në një llogore të vetme antikomuniste, me që e verteta e dokumentueme, mund të dilte e hidhun per ndoken, e ndoshta ndonjë IDHULL, mund të rroposet perdhé.

Siç e shifni z. Abaz Ermeni, jam tuej u perpjekë të mbaj stil shkrimi si u ka hije njerzëve të qytetnuem e si lypë burrnija shqiptare me u sjellë ndaj kundershtarit, që luftohet, po njiherit nderohet, e jo me fjalë banale, siç e ka zakon ana e juej.

***

Erdha në Shtetet e Bashkueme t’ Amerikës mbas 22 vjet mërgim per me fitue buken me djersen time, pse nuk m’a lejonte ndergjegja t’u bije në qafë dashamirëve e atyne që më besojnë t’u hjekë kafshaten e bukës së fëmijëve. Natyrisht, me mundësitë e mija të vogla me u perpjekë edhe me dhanë kontributin tim modest per çeshtjen kombëtare per të cilen nuk kam kursye asnji therori që nga rinija gati fëmijë.

Që se erdha këtu, kam folë vetem fjalen e moderacjonit, fjalen e vllaznimit që synon t’ arrihet në vllaznim e bashkëpunim të Shqiptarëve antikomunista, të Shqiptarëve të vertetë atdhedashtësa. Këte kanë ndigjue nga unë miqë e kundershtarë, pse pa bashkim nuk mund të bahet forcë as morale as materjale, e pa forcë nuk mund të kryejmë misjonin e randë që fati i randë e zhvillimi historik na kanë ngarkue.

Njizetedy vjet mërgim, para se të vijshe këtu jetova si munda n’ Itali, tue fillue nder kampe per refugjatë, mandej nder komunitete fetare per sevapë e mandej me djersen time, kur mujta të gjejë ndonjë punë çfarëdo.

Mbasi kaluen gati tre muej mbas ardhjes time këtu e nuk ndigjova se morët ndonji qendrim ekstremist kundra B.K.I. as kundra meje personalisht o ndokujtë tjeter t’anës s’onë, dhe vizitat miqësore që më bane disa agrarista jo të rendit të dytë dhe hallet vllaznore e kombëtare që dertuem, mendova se edhe Partia Agrare, tashma paska arrijtë në kuptim të nevojës së bashkëpunimit kombëtar me tjerat grupe politike antikomuniste, e kjo më gëzoi mjaft, po edhe na ishim prap gati të harrojmë shpifjet e fyemjet personale e t’u shtrijshim doren vllaznisht edhe juve. Paskem pasë qenë gabue.

Po ka do kohë që CELULA (a si e queni?) e juej këtu në New York, ka fillue një fushatë t’ eger me anë të radios kundra B.K.I. e kryesisht, kundra prof. dr. Ernest Koliqit e meje.

Ku e keni hallin dhe synimin?

Në qoftë se mendoni se me ketë mënyrë i bani sylesha bashkëatdhetarët tuej t’u besojnë se tue denigrue patriotë që patriotizmin e kanë dishmue me therorina eprore e jo me fjalë demagogjike, kështu i sherbehet çashtjes kombëtare e kështu luftohet bolshevizmi, dinje se i nençmoni teper Shqiptarët dhe i fyeni randë, madje ma teper se askend, vetë ndjekësat tuej.

Po të mendoni se me sisteme të tilla ia doli Enver Hoxha, prandej me të tilla sisteme do t’ ua delni edhe ju, aq ma keq. Një pjesë e Shqiptarëve u gënjyen njëherë nga premtime që i sollen mjerimin, po nuk gënjehen ma. Kushdo që ti paraqitet popullit me të atilla sisteme e me mëni kundra vllaznish të gjakut, nuk fiton gja tjeter, veçse perbuzje.

Eh, lum bashkëatdhetari! Keni kalue çdo kufi.

Janë ndigjue disa herë agraristat tuej tuej thanë njerzëve se po nuk jé me Ballin Agrar, nuk jé Shqiptar! Deri në ket cak i keni fanatizue naivët. Në ketë ekstremizem nuk ka arrijtë as komunizmi. Komunizmi, kundershtarët i ka quejtë reaksionarë, anmiqë të popullit e tradhëtarë;

por cilësinë Shqiptare nuk ua ka mohue. E ju proklamoheni demokratë antikomunistë, po në anën tjeter vepra e juej pothuej se e shkapercen sistemin komunist n’ ekstremizëm e fatkeqësisht, dashtë e pa dashtë jeni tue i sherbye anmikut të perbashkët, martirizuesit të popullit Shqiptar, komunizmit e njiherit anmiqëve të tjerë të Shqipnisë.

Ti z. Abaz Ermeni dhe ju të tjerët udhëheqësa të Partisë Agrare, e dini mirëfillit se demokracija e ka burimin ték toleranca e respektimi i mendimeve të ndryshme. Në bazë të këtij mendimi askush prej nesh nuk ka të drejtë me gjykue o nençmue tjetrin, por vetem me ba kritiken korrekte, ndertuese. Kjo e drejtë i perket vetem Popullit Shqiptar kur të vehet në gjendje të shprehet lirisht dhe Historisë, mbasi të kenë kalue në jetë tjeter protagonistat e ngjarjeve. Ekstremizma e stilit të sistemit bolshevik që u thotë komunistavet (Lenin-i) “HUDHNJE GENJESHTREN” në qarkullim kundra kundershtarëve; persëritnje dy herë, dhjetë herë, njimijë herë, pse dikur ka per t’ia truellue trutë edhe atij që e din që asht gënjeshter, gati me e besue edhe ai të vertetë. Ky sistem u ka shti në rrugë të gabueme. Të krijoni çfardo lloj gënjeshtrash jo vetem kundra nesh të B.K.I. po kundra kujtdo që nuk i shtrohet kryengurrtësisë s’uej.

Këte verteton qendrimi që keni marrë edhe kundra patriotësh të ndritëshem si Nuredin Vlora, Ali Klisura, Koço Muka etj. udhëheqësa të Ballit Kombëtar që mbasi nuk munden t’ua mbushin menden ju të hiqnit dorë nga rruga rrenimçare, ata nuk ecen ma në rrugen tuej. Derisa u ndatë prej Tyne, mburreshit me naltësinë morale, politike e patriotike të Atyne VETERANËVE dhe jam i sigurtë, se njilloj do të kishi denigrue edhe të ndjemin Mit-hat Frashëri, po t’ mos ia kishit dalë me miklimet t’ueja t’i terratisni mendjen e t’i tharbëtoni zemren.

Sot që Mit-hat Frashëri ka kalue në Jeten e Amshueme, unë perulem para kujtimit të Tij e si biri i nji familje që ka lanë emen të lumnueshem në historinë kombëtare, e si Ai vetë që ishte atdhedashës i pa zhigla, i CILI, po per Atë emen që bante, ndofta ka qenë (e patën kujtue) personaliteti ma i pershtatëshem i kësaj mërgate që në bashkëpunim me të tjera mendje të ndituna do të kishte mundë me bashkue, me vllaznue e udhëheqë persëmbarit këte mërgatë.

Na të B.K.I. ua kemi ofrue ketë mundësi e vetveten në dispozicionin e Tij; pa kushte, mjaftonte që Ai t’ishte Babë i paanëshem. E Ai e çmonte dhe e pranonte këte inisiativë, por mbas takimit me rrethin e Tij e zmbrapte…

Dy heresh e ka thirrë historia në pikëpjekje Mit-hat Beun:

Në Shqipni mbas dorëzimit t’ Italisë, me bashkue të gjithë Shqiptarët në luftë kunder

komunizmit, me ia shporrë qafet këte kolonë të pestë të sllavizmit Kombit, per të muejtë me sigurue per kohen që pritej mbrojtjen e Atdheut në pergjithësi, gja që edhe unë personalisht ia pata sugjerue e ofrue në Gusht të 1944-ës. Nji veper e tillë, do t’a kishte shpetue Shqipninë pa ra nder kthetrat e tiranisë komuniste, e ndoshta, edhe Kosoven.

Gjatë viteve 1946 – 49 kur i kerkojshim të marrin Flamurin e Bashkimit, t’na printe!

Nder të dy herët ju ekstremistët që dominojshi vullnetin e Tij, e ndaluet pa i dalë në pikëpjekje Historisë! Historia vazhdoi rrugen e vet, e né Shqiptarëve, na la mbrapa në fatin që gjindemi sot. Ky asht shkaku që mërgata Shqiptare gjindet sot në këte gjendje! E ndofta, ky asht edhe shkaku që ç’ prej 1948, kur komunizmi i Shqipnisë i prishun me Jugosllavi e akoma jo i forcuem nga Rusia ishte nder grahma të fundit, po dhe na kishim nji rrezistencë t’armatosun nder Malet e Veriut mirë të organizueme dhe që kishte penetrue në ushtri e deri në polici per kryengritje të pergjithëshme, që po t’i kishim dhanë na të mërguemit pak shpirt’e ndihmë, ka fort gjasë që, ç’ atëherë, komunizmi në Shqipni do t’ ishte permbysë. E ju akoma sot vazhdoni të mburreni per çka i keni ba Bashkimit të Shqiptarëve e vrasjes morale të Mit-hat Frashërit!

(Shih fletoren “Flamuri”, 28 Shkurt 1966, nr. 148 – 151, kolona e gjashtë).

Jeni turrë kunder Mbretit Zog, simbol i sovranitetit të Shqipnisë, tue i ngarkue çfardo të keqje pa i njohë asnjë meritë. E pra, asgja tjeter mos me dashtë me i njohë Atij Mbret të Shqiptarëve në jeten e Tij politike që prej Kongresit të Lushnjes e deri në vdekje, e mandej si kryetar shteti, njerëzit e ndergjegjëshem (ndjekësa o kundershtarë) ashtu edhe historia: Ia njohin që kje Ai që mundi të krijojë nji Shtet Shqiptar me administratë të mbrendëshme politike e diplomaci të jashtëme, të njohun nga gjithë bota dhe rendin publik me qetësi shembullore.

Jeni turrë kunder Ernest Koliqit me mënyra shburrnore e banale çka nji nxanës i dikurshem i Tij si ju, z. Abaz Ermeni, nuk duhej kurrë t’a kishte lejue pse nuk e pranon as burrnia shqiptare, as moraliteti i njerëzëve të qytetnuem. Të tjerë ishnxanësa të Tij, e jo ma ultë me kulturë se z. Yte, dhe me ndjenja patriotike të flakta (si Isuf Luzaj), akoma sot e thërrasin MJESHTER. Ky shkrimtar i kalibrit të madh që në moshen e rinisë me novelat, artikujt e romanet e Tij, asht perpjekë vazhdimisht me vue në dukje (pah) virtytet e nalta të Fisit Shqiptar, tue predikue ruejtjen e tyne e shortimin e të mirave të kulturës moderne mbi cungun e atyne virtyteve e zakoneve të mira, pa të cilat Shqiptari nuk do t’ ishte mâ Shqiptar. Na nderon edhe sot me personalitetin e Tij të naltë që i sjellë kultura e shqueme edhe para botës së huej dhe prodhon gjithnji e mirë sa askush tjeter per kulturen e letersisë shqiptare.

Asgja tjeter mos të kishte ba Ernest Koliqi per çeshtjen kombëtare, mjafton me e vue në rend të parë të patriotëve vepra e Tij arsimore në pergjithësi e në veçanti, në tokat e çlirueme në PRILLIN FATBARDHË të vitit 1941.

***

Mbas bashkimit të Kosovës dhe të tjerave vise Shqiptare me Atdheun, vinte në rend të parë çeshtja e arsimit nder ata vende ku nen mbretninë e Karagjorgjeviqëve, nuk ishte lejue as ma e ulta shkollë Shqipe. Qeveria e Romës kerkonte me kambëngulje që të ndiqej shembulli i Italisë kur kjo kishte aneksue Alto – Adigj-e (Sud Tirol), pa u kujtue se mes dy rasteve nuk kishte analogji me që Sud Tirolasit ishin Austriakë të gjuhës gjermane, ndersa Kosova e të tjera krahina të lirueme ishin të gjuhës dhe të gjakut Shqiptar.

I deleguemi i qeverisë italiane, ekspert i Ministrisë s’ Arsimit t’ Italisë, kerkonte që të fillohej të vihej Gjuha Shqipe nder ato shkolla nga nji klasë në vit, tue fillue nga e para fillore e nga e para gjimnaz, kështu, vetem në krye të tetë vjetëve mund të shqiptarizoheshin të gjitha klasët. Qeveria e kryesueme nga Shefqet Verlaci e kundershtonte projektin e Romës, por Ai që i dha grushtin kje Ernest Koliqi, që nuk pranoi asnji kompromis, e si pergjegjës i Arsimit i paraqiti Mëkambësit të Mbretit dorëheqjen si protestim. Jacomoni, ndeshet nga njianë me urdhnat e Romës dhe nga tjetra anë me qendrimin pakompromis të Koliqit, të cilit ia refuzon dorëheqjen në formë konfidenciale tue e autorizue Koliqin me gjetë zgjidhjen e pabujëshme. Zgjidhjen e gjet Ernesti tue e ba faktin e krymë.

Mblodhi 250 arsimtarë (nder të cilët ishit edhe disa nga ju agraristët e mavonshem), i dergoi në Tokat e Lirueme, gjoja me mbledhë folklor, por me urdhen taksativ: Me pergatitë hapjen e shkollave në Gjuhën Shqipe per të gjitha klasët, që prej së pares fillore deri tek e tetëta gjimnaz per Shtatorin e atij viti, dhe ashtu u bâ. Fondet e nevojshme i kjene dhanë në tjetër formë nga Mëkambësi i Mbretit dhe nga kryeministri Verlaci. Ishte guximi e mendja e hollë e Ernest Koliqit që realizoi këte veper të madhe kombëtare, që nuk u zhduk as nuk mund të zhduket mâ. Këte e dini mirë edhe ju agraristët po nuk e thoni, kujtoni se errësohet dielli me shoshë.

Dobija e letersisë dhe e kulturës kombëtare u këshillon të gjithë intelektualëve të mblidhen rreth këtij kroni ditunije, e të punoni sëbashkut per kulturë e letersi Shqiptare.

Leni hujet (inatet) e ambicjet e vinju punës së mbarë. Me kohë, me mundim e inteligjencë edhe ju mund të baheni kroje të dobishme, gjigante si Ai.

Sot Kosovari nuk mendon si e mendonte shumica me u bashkue me Shqipninë, se atje do të gjente një Turki të vogel, po e ndiejnë se hyjnë në gjiun e NANËS, në gjiun e Atdheut. Kjo shqiptarizem e flaktë që asht ringjallë nder Shqiptarët e robnuem, asht meritë e shkollës Shqipe, e në këte meritë vendin e parë e nxen Prof. Dr. Ernest Koliqi.

E çka nuk keni lanë pa thanë kunder Mustafa Krujës, kunder asaj mendje të ndritun e zemre të pervlueme nga atdhedashunia e cila, e shterngoi të kalonte në mërgim ma shumë se 40 vjet ma të mirat e moshës së Tij, e së fundit në këte mërgim, po mos të kishin kenë puna e së motres së Tij dhe bujaria e Mbretit Zog, do të kishte mbetë me vdekë urijet. E pra, dihet se Mustafa Kruja, të kishte mendue per veten e Tij ka pasë mundësina me e sigurue jetesen dhe ekonominë në shkallen ma të kënaqëshme, por Ai, nuk pat mendue kurrë per vete, po per Shqipninë, t’ i sherbente me çdo therori.

Çka keni thanë e çka keni per të thanë kunder meje? – Se jam fashist, se paskam ardhë këtu me organizue grupin fashist. A e kam mohue ndonjiherë të kaluemen time? – As që kam nder mend t’a mohoj në çfardo rrethanet. E pohova edhe kur kjeshë arrestue në Brescia nga policia italiane, në Maji të 1945-ës, atë kohë kur më vrau nji “fashist” edhe pa proces, që t’i quhej “meritë”, e pohova edhe para oficerit amerikan që ishte i ngarkuem me kontrollue veprimet e policisë dhe pata proven se ata që ishin burra, respektoheshin! Ai porsa i tregova arsyenat kombëtare, urdhnoi kuestorin të më lironte menjiherë, dhe prej atij çasti më deklaroi nen protekcion të Armatës së V-të; ndersa do t’ ashtuquejtun bashkëpuntorë t’ Aleatëve, ishin të ndrymë me ia dorzue Enver Hoxhës, po të mos ndryshojshin rrethanat; pse nuk kishin dijtë të mbanin perherë nji rrugë qendrimi.

Fjala fashist sot asht krejt pa krypë e kot mendohet se damton kush kend me atë fjalë!

Fashizmi ka kenë nji fenomen historik i kohës së tij e që mbas mendimit tim nuk duhet të kthehet mâ. Këte e perfitoi nji ish-socialist që quhej Benito Mussolini, per të shpetue Atdheun e Tij, pa ra nder kthetrat e anarkisë e të tiranisë bolshevike e që me këte lëvizje, e me ndihmen që i dha nacionalizmit spanjol, shpetoi Europen! Ishte nji fenomen i lindun nga nevojat e kohës.

Në Shqipni, nuk ka pasë as fashizem as antifashizem në kuptimin e fjalës; ka pasë vetem korrente të ndryshme mendimesh, që të gjitha synonin me i sherbye Atdheut.

Na në hijen e fashizmit perpiqeshim të ruejmë e të forcojmë nacionalizmin shqiptar, dhe me atë veprimtari e lealitet nxorem mjaft koncesione në dobi të çeshtjes kombëtare, dhe patme vu bazat per Shqipninë Etnike e sovrane per t’ ardhmen.

Tham se nuk ka pasë fashizen e antifashizem në Shqipni, pse fashizmi tek na nuk erdhi as si lëvizje kulturore – propagandistike – politike, as me lëvizje armësh si n’ Itali e ngjetiu. U proklamue me nji dekret të Mëkambësit të Mbretit, per analogji me Italinë e prap u suprimue me nji dekret të Mëkambësit të Mbretit pa gjetë asnji kundershtim.

Ana e juej bashkëpunuet me neve, me italianë e edhe me komunistë njiherit, në të njajten mënyrë bashkëpunuet me Gjermanët e me Aleatët. Siç pohojmë na të t’onat, pohoni me guxim burrnor edhe ju të tuat!

SYNIM’ I SHTERPËT

Per të nda Shqiptarët në fashistë e antifashistë, nder tradhëtarë e superpatriotë, jeni kapë per verigen e kalbët të disa telegrameve të fallsifikuem që u shpallën nga agjensia “Stefani” dhe u botuen nga fletoret italiane njiherit me pushtimin ushtarak të Shqipnisë, se gjoja disa parësi të Shqiptarëve i paskeshin kerkue Duce-s ndihmë, që ta shpetojë Shqipninë nga regjimi i asaj kohë. Ata telegrame ishin të fallsifikueme e qé ku asht prova:

Në Mars të vitit 1940, fillova nji qarkullim fjalimesh që i vazhdova në gjithë Shqipninë, që prej kinema theater MAJESTIK në Korçë, rreth mardhanjeve italo – shqiptare në gjendjen e krijueme nga forcat e rrethanat historike; dhe deklarova:

ASNJI SHQIPTAR nuk e kishte dishrue as ftue pushtimin ushtarak nga Italia, as verbalisht, as me telegrame ose letra. Solla si shembull Kapidanin e Mirditës me veprimin e Tij në ato rrethana, i cili i kje vue në dispozicion Madhnisë së Tij Mbretit me 5.000 burra që pritshin armët per të vrapue në luftë.

Me 15 Mars, Kapidani kje thirrë n’ audiencë nga Mbreti Zog per të bisedue per gjendjen që po shihej e turbulltë me Italinë. N’ atë audiencë Kapidani i dha besen Mbretit se po të ngjiste gja per okupim të Shqipnisë nga Italia, Ai do të vihej në dispozicion me të gjitha fuqitë e Tija, vetem se i duheshin armë.

Në fund të Marsit, Mbreti emnoi Sul Kurtin rrethkomandant në Burrel, me porosi që të rrinte në lidhje telefonike me Kapidanin, per t’i transmetue porositë e Mbretit. Me 5 Mars, Sul Kurti me urdhen të Madhnisë së Tij, lajmëron Kapidanin të mblidhte menjiherë vullnetarët e t’i grumbullonte rreth Rrubikut ku do t’u shkonte armatimi. Menjiherë Kapidani qiti kushtrimin e mblodhi 5.000 burra Mirditas e Thkellas tek Kroji i Sh’ Lleshdrit, dhe me 7 Prill i telegrafoi Madhënisë së Tij, tue lajmërue se ishte i gatshem per luftë dhe kerkonte armët. Pokështu, ju vuna edhe unë në dispozicion me deklaraten që i bana prefektit të Shkodres Javer Hrushidit, porsa ndigjova në radio lajmin e tentativës së zbarkimit italian. Këto i thashë publikisht para elitës dhe popullit të Korçës, si edhe para autoriteteve civile e ushtarake shqiptare e italiane, në atë kohë kur Italia njihej potenca e tetëmiljon bajonetave dhe ishim nen okupacionin ushtarak të saj. E persërita që prej Gjinokastres në Kukës, në të gjitha qendrat kryesore të Shqipnisë. E thashë jo vesh në vesh po të MADHE e botnisht. Me fjalë të tjera i thashë “DUCE GËNJEVE !” Nuk u mjaftova ta them vetem me fjalë që i merr era e treten n’ eter, po i thashë edhe me shkrim që u botue nga Ministria e Kulturës Popullore “DISTAPUR”, fashikulli nr. 3.

Që unë i bana ato deklarata aq të guximëshme per atë kohë, nuk isha i interesuem aso kohe as sot personalisht, pse as emni i Ernest Koliqit as i imi, nuk figurojnë n’ ato telegrame.

Isha i interesuem kombëtarisht per Historinë. E shtoj, se asnji personalitet që ka ba ose ban pjesë në B.K.I. nuk figuron n’ ato telegrame të fallsifikueme, perveç nji BURRI, (që asht në Jeten tjeter), i Cili, me qendrimin e Tij patriotik të atyne ditëve, i pat pergënjeshtrue edhe vetë. Kjo asht e verteta lakuriq e atyne telegrameve. Asnji tjeter akt privat a zyrtar nuk ekziston i nenshkruem nga pergjegjësat e asaj kohë, perveç atyne protokolare t’ akordeve e mardhanjeve të karakterit nderkombëtar në mes të dy shteteve.

E kur unë aso kohe N.Sekretar i P.F.SH., pata guximin ti tham botës dhe Duce-s me fjalë e me shkrim çka u tha ma nalt, z. Yte, z. A. Ermeni e të tjerë, ndofta pershpëritëshit fjalë e ndjesi reaksionare kundra gjendjes s’ imponueme Shqipnisë (nënza) siç ishin në zemer të çdo Shqiptari, po n’ anen tjeter, vrapojshi kush po merr trisken e P.F.SH. sa ma parë. E keni vazhdue me veshë këmishen e zezë e të duertrokitni emnin e Duce-s, në mos ma teper, poaq sa unë e Ernest Koliqi.

Keni kalue n’ anen tjeter kur Boshtit filloi t’i rrjedhin kazani, e kur u pa se kazani po shterrej, per të muejtë me nxjerrë veten “puritana” filluet edhe të ndani Kombin në fashista e anti, kolaboracionistë, nen patriotë e tradhëtarë, tue cilësue veten superpatriotë.

Na akuzoni edhe per fashiot që iu vune Flamurit. E di shpirti ynë, e dishmojnë provat që kemi dhanë pastaj sesa plagë e randë ka kenë per neve ajo ditë! E mirë, na nuk mundem t’a ndalonim, e prap ishim na me në krye Mustafa Krujen, Terenc Toçin, Shefqet Verlacin, Ernest Koliqin, Ekrem Libohoven etj., që me takt e guxim e bame Duce-n të terheqin spatat e të na e dorzojnë Flamurin e Skenderbeut.

Pra më tregoni ju “superpatriotët”, ku ishit e çka keni ba atë ditë që ata ia vune spatat Flamurit? Pse nuk doli nji nga ju me i hjedhë Mëkambësit të Mbretit nobare nji vezë skllukë?

Né që na queni fashista, arrijtëm të bindim Duce-n me pranue edhe suprimimin e P.F.SH. dhe zevendsimin e saj me nji Lëvizje thjeshtë shqiptare.

Nuk ka as nuk ka pasë tjeter spjegim z. A. Ermeni, veçse frikën që në nji bashkim të pergjithëshem disa nga rrethi Yt, se mos po mbeteshin në hije e kështu o burra, na e vetem na të perpiqemi të marrim krejt pushtetin (kot t’ imagjinuem), qyshë se keni nda edhe pozitat që nga Kryetari i Republikës e deri tek Nenprefekti, e mandej (në mendjen tuej), me ushtrue Pushtetin absolut per të zhdukë kundershtarët. A nuk zbatoi të njajtin sistem komunizmi?

Dinje se mënyra e veprimit tuej sot i sherben vetem komunizmit: “NDAJ E MBRETNO” dhe se per t’ ardhmen ka per të pasë efektin e kundert t’ asaj që mendoni ju.

Historia cilëson veprimet e faktet dhe jo pallavrat as dëshirat.

Veprimet e faktet peshojnë në damin tuej si n’ Atdhe, ashtu edhe në mërgim.

Po ua kujtoj edhe nji gja me randësi kryesore:

KOMB E SHTET NUK MUND TË THEMELOHEN MBI MËNI (URREJTJE) E
RRESHTNA VLLAZNISH, siç mendoni ju dhe komunizmi!

Vetem me therorina të perbashkëta të të gjithë bashkatdhetarëve e vllaznim,

NDERTOHET SHTET E KOMB !

KARTAT NË SHESH

Na queni kolaboracionistë me të huejtë, me okupatorin. Nuk e kemi mohue as nuk e kemi nder mend të fshihemi mbas bekimit t’ Argjipeshkvit o të Kryemyftisë së Shkodres, siç po bajnë disa prej jush, se gjoja kishin “bekimin” e Mit-hat Frashërit me bashkëpunue me fashista e me “sabotue”(!), a nuk u duket qesharak ky lloj perligjimi? Na nuk e mohuem bashkëpunimin tonë me Italinë fashiste dhe per rrjedhim me Boshtin Romë – Berlin. Këte bashkëpunim e sollen rrethanat nderkombëtare të kohës e nevojat kombëtare, per të shpetue çka t’ ishte e mundun.

Kolaboracionistë në terminologjinë e ré quhet ai që bashkëpunon me të huejn në vendin e vet. Pra as ju, mos e mohoni pjesen tuej në këte kuptim! Edhe ju bashkëpunuet me të huejn, madje edhe jeni mburrë per atë bashkëpunim, pra kolaboracionistë kemi kenë të dy palët, na pa vullnet, shterngue nga rrethanat e interesi i Atdheut, ndersa ju, me krejt vullnetin e lirë.

Na me Boshtin, ndersa ju me Aleatët, per rrjedhim edhe me Rusinë Sovjetike!

FLASIN FAKTET, DISHMOJNë VEPRAT !

Me 7 Prill 1939, Italia filloi zbarkimin e ushtrisë në kater limane të Shqipnisë.

Shqiptarët e lanun në fatin e tyne nga e gjithë Bota e bane detyren që i perkiste nji kombi të vogel. Luftuen sa mundën e do gjak u derdh, sa me i dishmue Botës se Lirinë e mbrojnë me gjak. Nji tjeter shtet 15 miljonësh kishte kapitulue pa pushkë e të shtime, tue pasë edhe nji nder industritë ma moderne t’ Europës.

Shqiptarët që u gjendën në ball të luftës, ultimatumin e agresorit e pritën me ata plumba që patën. Burra si Kapidani i Mirditës u vunë në dispozicion Madhnisë së Tij Mbretit, të gatshem me shkue me luftue me trimat e tyne vullnetarë. Koha nuk priti të grumbulloheshin forcat shqiptare. Mbreti, me largpamjen e Tij e gjykoi se nuk ishte koha me shkatrrue Vendin me guerrilje nder rrethanat e kohës dhe e la Atdheun. Mbrenda tri ditësh ushtria italiane pershkoi Shqipninë anë e mbanë deri nder kufijë të Greqisë e Jugosllavisë. Ushtria italiane nder kufijtë e këtyne fqinjëve kje pritë me të dridhuna po edhe me lule e tjera gjeste miqësie.

2. Mbas largimit të Mbretit dhe qeverisë nga Tirana, me 8 prill u formue Komiteti Ekzekutiv i kryesuem nga Kryeinspektori i Oborrit Mbretnor, Shkelqësia Xhafer Ypi, e Sekretarët e Pergjithëshem të Ministrive. Ky urdhnoi pushimin e rezistencës e pritjen miqësore të ushtrisë italiane.

3. Ministri i Punëve të Jashtme t’ Italisë konti Galeazzo Ciano, që me 8 prill kishte ardhë në Tiranë, e në marrveshje me Komitetit Ekzekutiv ishte vendosë me mbledhë nji Asamble në Tiranë me 12 të atij muej. Parësia e krahinave të Shqipnisë bashkë me shumicen e deputetëve të seksionit t’ atëhershem, kishte arrijtë në Tiranë me daten 10 e 11. Vetem perfaqësia e Shkodres ngurroi t’i pergjegjej asaj ftesë, e mbas dy ditë bisedime në shtëpi të Kapidanit të Mirditës mbasi caktoi nji program veprimi, arrijti në Tiranë në mengjes të 12 prillit 1939 e prime nga At Gjergj Fishta, At Anton Harapi e Gjon Marka Gjoni. U ndaluen në hotel Internacional e kerkuen nga delegacionet tjera që të dilshin nga Parlamenti, per të ngulë kambë të gjithë sëbashku siç kishte vendosë dërgata shkodrane, “mos me pranue bashkimin e kunorës, por nji Princ të Shtëpisë Savoja mbret”. Nuk iu pergjegjen thirrjes sonë, me që ato dërgata e kishin pranue kerkesen e Ministrit Ciano. Dërgata shkodrane nuk pranoi të hynte në mbledhje pa u skjarue me perfaqsuesin e Italisë mbi fatin e Shqipnisë. Ngarkuem At Anton Harapin dhe Gjon Markagjonin per këte skjarim e kambëngulje në tezen tonë.

Dy perfaqësuesit tonë u gjetën para fakteve: a. Të gjitha delegacionet tjera kishin pranue formen e UNIONIT pa asnji kundershtim; para vendosmenisë italiane që o do të pranohej bashkimi i kunorëve, ose do t’ ishte diçka ma e randë. Para këtyne faktorëve të pakalueshem të ngarkuemit tonë prap nuk e kishin dhanë fjalen e pranimit e sëbashku me kontin Ciano, e me Jacomonin, erdhën në sallen ku pritshim na të tjerët. At Antoni na shpjegoi të gjithë bisedimin e çeshtjen, tue na vue në dijeni se Shkodra kishte ngelë vetem, pse delegacionet tjera të gjitha e kishin pranue kerkesen e Italisë pa hezitim. Erdhëm në nji kompromis: Konti Ciano, perfaqësues i Italisë, n’ emen të Mbreti Perandor dhe të Duce-s, të bante nji deklaratë publike per ruejtjen e sovranitetit e t’ integritetit të Shtetit Shqiptar, të pacenueshëm në ketë bashkim kunorash.

Ciano e pranoi dhe e bani deklaraten e kerkueme para popullit e perfaqësuesëve të tij të rastit. Këthyeme prap në hotel dhe e stilizuem deklaraten si vijon, të cilen, e lexoi në Parlament ish-antari i Këshillit të Naltë shkelqesa Ndoc Pistulli.

DEKLARATA

“Mbështetë mbi marrëdhanjet që na perfaqësuesat e krahinës së Shkodres, që para zhdukjes së regjimit zogist patëm me perfaqësuesit e Italisë fashiste, si edhe mbi besen e dhanun prej Ekselencës së Tij Konte Galeazzo Ciano, i cili njiherë privatisht i’ a dha fjalen Princit Mirditës z. Gjonit të Markut, e mandej publikisht edhe para dërgatës shkodrane se: INDIPENDENCA E SHQIPNISË asht e garantueme në mënyren ma absolute, me Flamurin e vet, me Gjuhë, shkolla e zhvillim të tyne, me administratë shtetnore të veten ushtarake e civile, me perfaqësina para shteteve të tjera dhe me gjithçka asht në natyrë të nji Shteti e nji Kombi, me rracë, gjuhë, histori, tradicione e tagre të veta.

Na Perfaqësuesit e krahinës së Shkodres, pranojmë, që Mbreti Perandor i Italisë fashiste, të jetë njiheri edhe Mbreti i Shqiptarëve.”

Ky dokument u nenshkrue prej të gjithë delegacionit të Shkodres me rradhë si vijon:

Kapidan Gjon M. Gjoni, Ndoc Pistulli, Don Mikel Koliqi, Pater Gjergj Fishta, Mark Kakarriqi, Kolec Deda, Daut Gjylbegaj, Zejnel Broja, Asllan Bekteshi, Kolë B. Mirakaj, Zef Boriçi, Shaqir Omari, Taip Hilmija, Gjyl Gjylbegu. Në të djathtë të dokumentit, figuron emni i At Anton Harapit, që ka shkrue dokumentin historik me doren e vet.

Po t’ ishin bashkue me këte qendresë morale edhe perfaqësuesit e krahinave të tjera të Shqipnisë, Italia do t’ ishte mendue shumë para se me shkelë disa nga këta kushte siç i shkeli, e që veprimi i mavonshëm i atyne që i queni tradhëtarë e bani prap Italinë t’ ia këthejë këto të drejta Shqipnisë.

Në nji libret të botuem në Washington në 1951, nga Cost A. Chekrezi, Ai thotë: “Ata që kundershtuan më rrebtësisht vendimin e Duces, ishin krerët katolikë të Shkodres.”

Kostë Chekrezi nuk ka kenë perkrahës i yni, por ka afermue nji të vertetë historike.

4.Na e konsideruem çeshtjen kështu: SHTËPIJA ka marrë zjerm; mbrenda kemi familjen, pasuninë e gjithshka asht e denjë per jeten e njeriut. Kush të jetë burrë duhet të hyjnë në zjarm me shpetue çka të jetë e mundun ose me u djegë edhe vetë. Nuk mujtëm me ndejë me duerkryq tue ba sehirë si disa “superpatriotë” (!). Gjithshka u ba aty, e ma vonë me protokole të karakterit të së Drejtes Nderkombëtare – Shtet me Shtet.

Në këto rrethana shternguese kombëtarisht filloi kolaboracionizmi ynë me Italinë fashiste e per rrjedhim me Boshtin Romë – Berlin, të cilit na të bindun se interesi i Atdheut n’ atë kohë e lypte t’ ishim leal, e ashtu qendruem deri në fund; edhe kur i mbrami ushtar gjerman po lente Shqipninë. I ndejtëm leal pse, mbas mendimit t’im, per të muejtë me ba politikë të dobishme per Kombin duhet me kenë dishka, e per me kenë dishka, duhet me pasë nji forcë.

Kjo forcë o perbahet nga fuqia e armëve, ose nga fuqia morale që vjen nga besnikija, nga lealiteti. Na si popull i vogel e i pa mjete që jemi, nuk mund t’ a mbështesim politiken në forcen e armëve e aq ma pak në demagogjina e dredhina, po vetem në Forcen Morale.

***

Tani miqë agrarista, duhet pa kolaboracionizmi i juej dhe mandej frytet e këtyne dy kolaboracionizmave, me që edhe ju keni kenë kolaboracionistë me të huejn, dhe frytet e këtyne dy kolaboracionizmave janë:

1.Ju e pranuet gjendjen de facto të imponueme nga rrethanat që u thanë; e pranuet qyshse pa farë hezitimi bashkëpunuet me neve dhe u batë antarë të P.F.SH.

Mbajtët nëpunësinë dhe fituet tjera të reja deri në shkallë të ministrave, madje edhe të Ministrit – Sekretar të Partisë Fashiste Shqiptare, po ashtu si unë. E pranoi edhe vetë Mit-hat Frashëri, perderisa lejoi të nipin Hysref Frashërin të bahej Federal i P.F.SH., e Ai vetë (Mit-hati) mori koncesionin monopol të furnizimit të të gjitha Ministrive me landë të shkresave.

2.Keni fillue me kalue në opozicion kur Boshtit filloi t’i rrëshqasin fati nder frontet e luftës, atëherë kur keni fillue me shty disa të rijë të ndezun në flakë atdhedashunije (po naivë), që të arratisen nder male, ku ju akoma nuk kishit nji udhëheqje të tuejen me i rreshtue në luften nacionale, e kështu perfundojshi të perpimë nga bandat komuniste, kolonë e pestë e sllavizmit.

3. Edhe mbasi keni fillue me formue çetat tueja keni vazhdue të bashkëpunoni me neve e me komunista njiherit, e me këta të fundit keni vazhdue me punue deri në mbledhjen e Mukajve e që, mbas asaj mbledhje u shternguen të ndaheni nga ata, me sulmet e drejta kunder jush.

4. Enver Hoxha, Mehmet Shehu e sa të tjerë i shpetuet disa herë pa mbetë në duertë e autoriteteve qeveritare ose të vriteshin nga nacionalistë, siç ngjau kur i pat rrethue Reis Agaj në Sevaster, e i shpetoi Skender Muço me shokë, dhe jo vetem këta, po edhe Miladin Popoviqin e Dushan Mugoshen i shpetuet disa herë, dhe patët bashkëpunim e raki me meze me ta, jo vetem njiherë…

5. Keni ba njifarë bashkëpunimi dredharak me Misjonet ushtarake Aleate (dredharak pse njiheri bashkëpunojshi me italjanë ma parë, e me gjermanë masandej…), pa asnji marrëveshje protokolare konditash per t’ ardhmen e Shqipnisë. Krenët tuej të mbrojtun nga qeveria, rrinin të qetë në kryeqytet e tjera qendra të Shqipnisë, tue ua ngarkue aksionet komunistëve kur keni vazhdue të mbanit pozitat “fashiste e naziste”, tue marrë edhe ndihma të posaçme nga qeveritë e kohës me premtime me luftue komunizmin. Ky lloj bashkëpunimi pa kondita protokolare me të huejtë në terminologjinë e së Drejtes Nderkombëtare, quhet mercenarizem.

Per hirë të së vertetes afermoj se nder ju ka kenë Prof. Isuf Luzaj, që ka ba opozicion që në fillim haptas dhe kje internue në Ventotene. Të tjerët të internuem ma teper kanë kenë në villegjaturë se sa në internim të kuptimit të fjalës, me që ishin të lirë nder qytete të ndryshme të Italisë. Rroga e nëpunësisë u paguhej tanësisht, familjet merrnin ndihmen e jashtzakonëshme e edhe ndihmen si të internuem.

Kemi nji personalitet që rrinte në hotel De Gasperi, në via Colina, në Romë, si i internuem, e perveç ndihmës që merrte nga qeveria italiane per atë cilësi, merrte edhe nga Mëkambësi i Mbretit dymijë fr. Sh. në muej pra, dyfish rrogen e nji Ministri në fuqi!

6. Nuk ishit të zotët të mbani nji pozitë të caktueme, të ndiqnit nji rrugë të vetme, po kujtuet se politika mund të bahej me akrobacina e demagogjina dhe nuk deshët të parashikoni rreziqet që po i kercënoheshin Kombit, siç i parashikonim na e ua thonim kryetarëve tuej.

7. Koha provoi se nuk kishit asnji plan per shpetimin e Shqipnisë, sido që të perfundonte ndeshja e gjigantëve, por edhe sabotojshi me veprimet tueja planin që kishim na n’ atë drejtim.

8. U mundëm nga nji anmik i perbashkët ju e na dhe dolem rrugëve të Botës, tue e lanë Popullin në fatin tragjik të tij, por me nji ndryshim: Na megjithse mundeshim me i shpetue me kohë, i lame me Popullin familjet e loçkat e zemrave tona dhe shumë të tjerë luftarë, per të mbajtë gjallë shpirtin e qindresës, me shpresë se do të vinte nji ditë që të kishim nji bazë të fortë per ndermarrje kryengritjeje per të Shpetue vendin nga tirania bolshevike.

Kjo bazë qendroi deri në Korrik të vitit 1951, tue na pritë neve të mërguemëve.

Ju me perjashtimin tand z. A. Ermeni e të vllazenëve Kazazi, ua dhatë kambëve tue i lanë shokët luftarë në fatin e tyne e që unë “fashisti”(!), i shoqnova nëpër Kalvarin u udhtimit në Jugosllavi, i nxora nga Tragjedia e Vjenës, dhe ua çila rrugen e shpetimit per Itali.

9. Tash 22 vjet mërgim, po sabotoni bashkëpunimin e forcave kombëtare tue u perpjekë me denigrue kedo që nuk u ndjekë juve në rrugen rrenimçare. A ka sherbim ma të çmueshem që mund t’i bahej regjimit komunist? Miljarda me pasë derdhë Enver Hoxha e Mehmet Shehu (siç duket se i kanë derdhë disa pare) nuk ishte dashtë t’ arrijnë me e rrëzue mërgaten antikomuniste në këte shkallë që gjendet sot! Ju ia dolët! Ua dhatë bishtin spatës n’ Atdhé e në mërgim!

***

E tani, më lejoni nji pyetje:

Ku ishit diten e 7 Prillit të Zi? Ku ishit diten e 12 Prillit 1939 ?

Pse nuk doli nji nga ju, që monopolizoni (me fjalë) patriotizmin, t’ia hjedhin gurin atij “BALILOS”, me shprazë ndobare nji fishek qorr atë ditë në sallen e Asamblesë per protestë para tribunës së Kontit Ciano?

VEPRIMET E FRYTET

E DY KOLABORACIONISTëVE

NA:

1.Nder ato rrethana që u permendën e dihen, na vepruem me squtësi e guxim sëbashku tue vu shumherë në rrezik personalitetin tonë, e me këte mënyrë shpetuem figuren juridike të Shtetit Shqiptar, që të vazhdonte jeten (nobare formalisht) si Shtet sovran – monarkist.

2. Patme Qeveri Shqiptare me Parlament që vepronte në bazë të Statutit që M. Tij Victor Emanueli (simbas traditës së Shtëpisë Savoia) ia dha Mbretnisë Shqiptare, siç ia kishte dhanë i ati Mbretnisë Italiane të bashkueme nen skiptren e Tij.

3. Ruejtem të pacenueme Gjuhën Shqipe jo vetem në Parlament, po në të gjithë administraten e Mbretnisë dhe n’ Arsim që e permirësueme me shtimin e shkollave, me programe kombëtare – edukative, me botime librash që ma perpara mungojshin, sidomos per klasët e nalta të gjimnazeve në Gjuhë Shqipe. Krijueme edhe Institutin e Naltë të Studimeve Shqiptare, drejtimi i të cilit i kje besue mendjes së ndritun të Mustafa Krujës.

4. Sollëm permirësim ekonomik aq sa Shqipnia nuk e kishte pasë prej shumë e shumë kohe, sa që nga pikpamja ekonomike, Shqipnia kje ba si në ishull lumnije në ngushtica që Lufta i kishte sjellë Europës mbarë, na kishim aq sa kemi shpetue edhe Greqinë pa vdekë urije.

5. I Bashkueme Atdheut tokët e robnueme, tue realizue të Drejten ma të Shejtë të Kombit mbarë.

6. Hapem Shkollen Shqipe në Kosovë e të tjera Krahina të Lirueme, shkollë që perveç perparimit e qytetnisë, ka ngjallë edhe ndergjegjen e vetëdijen (koshjente) kombëtare që nuk mund të shuhet kurrma!

7. Hoqem spatat e fashizmit në Flamur tue e kthye në pastertinë origjinale.

8. Nxorem mundësinë që pranë legatave e konsullatave italiane, ku Shqipnia kishte interesa, t’ ishin aty diplomatë Shqiptarë per të trajtue ata interesa.

9. Arrijtëm të ndrrojmë (shkembejmë) Perfaqësi diplomatike edhe me Italinë, në rangun e Legatave, ku ishin akreditue Ernest Koliqi, Perfaqësues i Shqipnisë pranë Qeverisë Italiane, me cilësi Minister Fuqiplotë; dhe Dr. Silenzi, Perfaqësues i Italisë pranë Qeverisë Shqiptare, po me të njajtin Titull si Koliqi.

10. Kemi nxjerrë pelqimin nga vetë Mussolini me suprimue P.F.SH., dhe me e zevendsue me Lëvizjen “BIR TË SHQIPES”.

***

JU:

1.Bashkëpunuet me neve n’ administratë shtetnore dhe në P.F.SH. deri diten që Mussolini kje arrestue në vilen private të Mbretit me 25 Korrik 1943.

2. Në të njajten kohë e deri në Mbledhjen e Mukajëve, bashkëpunuet edhe me komunistë, tue u dhanë atyne prestigj nacional.

3. Koha e faktet treguen se per atë lloj bashkëpunimi që patët me agjentët e Aleatëve, nuk kishit asnji marrëveshje protokolare me Aleatët per t’ ardhmen e Shqipnisë mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botnore, asnji plan veprimi per ruejtjen e asaj që ishte fitue nga kolaboracionizmi ynë, sidomos fitimi që solli Prilli fatbardhë i vitit 1941.

4. Nuk ishit të zotët të mbanit nji qendrim të caktuem e të perherëshem, siç e mbajtem né, po njiherit ishit me neve e me komunitë, me agjentët e Aleatëve, me Italinë e Gjermanë.

Ky sistem akrobacinash, u bani të humbni çdo konsideratë nga të gjitha anët, sa që edhe vetë Aleatët erdhën në perfundim që të perkrahin bandat komuniste ma teper se juve.

5. Fryti i këtij lloji bashkëpunimi tuej e sabotimi që i bajshit planit të tyne të mbrojtjes me aksione të pafrytëshme, solli realitetin tragjik që po dermishet Populli Shqiptar tash 22 vjet.

***

Këta janë veprimet e faktet dishmuese per të dy palët, të cilat kronika i ka rregjistrue e që Historia ka per t’i gjykue!

Prandej, z. Abaz Ermeni, as Ti as unë nuk kemi mandat, as nuk jemi të cilsuem me gjykue njanitjetrin!

Megjithate, unë personalisht, nuk mohoj atdhedashuninë tuej, as t’ atyne që u ndjekin në mirëbesim. Por jam i bindun, se ju krenëve ua ka terratisë arsyen e tha zemrat lakmia e ARRIVIZMËS.

Si e keni guximin para ndergjegjes suej t’ ua mohoni atdhedashuninë e patriotizmin Atyne që këta virtyte i kanë të zieme në furren e therorivet eprore?

Vetem egoizmi i verbët mund t’ i perligjin vetes nji qendrim të tillë.

***

APEL NDëRGJEGJEVE Të PASTERTA

Me gjithë që, tash 22 vjet na keni sulmue paburrnisht me çdo lloj intriget e shpifjet, na të BLOKUT KOMBETAR INDIPENDENT, jemi prap gati per hirë t’ Atdheut t’ iu shtrijmë doren lealisht edhe juve, pse dijmë që pa Bashkim të të gjithë Shqiptarëve nuk mund të bahet forca e nevojshme, dhe pa Vllaznim e therorina të perbashkëta, nuk mund të rindertohet Shtet e Komb!

Po kje se udhëheqësit e Partisë Agrare Internacionale e Blerët nuk doni të hiqni dorë nga rruga që asht vetem në dobi të regjimit gjaksuer komunist, atëherë u baj apel atyne burrave e sidomos djelmoçave që u kanë ndjekë në mirëbesim, të hulumtojnë ndergjegjmënisht me gjetë të verteten e dobisë kombëtare, të terhiqen nga rruga e juej antikombëtare, nga verbënia e juej dhe të kthehen në rrugen kombëtare, në rrugen e Vllaznimit Shqiptar!

Nuk i ftoj të hyjnë në rreshtat e B.K.I., ose të O.L.L., apo të ndonji grupit politik që nuk asht origjinalisht i tyne. I ftoj të kthehen në BALLIN KOMBËTAR të vertetë, që kerkon bashkëpunim e vllaznim me të gjithë Shqiptarët, në Ballin që udhëhiqej nga zemrat patriotike si, Nuredin Vlora, Ali Klisyra, Koço Muka, Rasim Babameto, Kolë Tromara, Isuf Luzaj etj.

Me këta Burra pata disa herë bashkëfjalime kur isha Minister i Punëve të Mbrendshme, kur akoma ishim në gjendje po t’ ishim të Bashkuem, t’a shpartallojshim komunizmin, po të kishit ndigjue ju të tjerët (me Mit-hat Frashërin në krye), zanin e këshillat e Tyne, jam i sigurt edhe sot, se Shqipnia nuk do të kishte pësue fatin tragjik që pësoi.

Ata Burra e patën kuptue se të perçamë do të humbëshin të gjithë!

E patën kuptue se po të bashkoheshin forcat nacionaliste me forcat e qeverisë, edhe këta nacionale, jo vetem që do të zhdukshim rrezikun komunist në pak kohë, po të kishim kenë në gjendje me vu në veprim edhe Planin e Mbrojtjes që kishte qeveria, e që ua kishim tregue këtyne Burrave, e fort e mundëshme ishte që Shqipnia, nuk do të kishte pësue as tragjedinë bolshevike, as coptimin e dytë që pësoi.

***

PLANI YNë I MBROJTJES

1.Me u armatosë sa ma teper e me u organizue ushtarakisht, per të perballue me sukses luften e vertetë që parashihnim se do të shperthente kunder Shqipnisë nga ana e fqijëve, në rasë se ushtritë e Boshtit do të shterngoheshin me u terhjekë nga Shqipnia, para mbarimit të Luftës.

2. Me këte plan, ishte perfshi edhe mbrojtja e Kosovës me të tjerat Vise të lirueme me 1941, që prej Ulqinit deri në Rozhajë, që prej Tetove deri në Diber.

3. Qeveria merrte pergjegjësinë e veprimit të këtij plani dhe të konseguencave personale ndaj Aleatëve.

4. Kur vendi të okupohej i tani nga forcat Aleate, qeveria i dorëzonte pushtetin korrentit të mbajtun proaleat.

5. Per të mbajtë këte korrent proaleat, mendojshim se disa personalitete nacionaliste të deklaroheshin me propagandë perkrahës të kauzes Aleate, por jo, me ba aksione sa me pengue armatimin e planit të tyne. Gjithshka duhej ba në marrëveshje konfidenciale dhe me pelqimin e qeverisë.

***

Se çfarë fryti do t’ epte ky plan, proven e kemi pasë në qendresen që bane kosovarët, tue pasë perkrah vetem nji regjiment të vogel ushtrije të rregullt të komanduem nga Heroi kolonel Fuat Xhaferaj Dibra, që jo vetem ndaloi sulmet e gjithanëshme t’ anmikut, po edhe shpartalloi dy divizione bullgare, tue u marrë edhe topat e që ajo rezistencë u shue vetem me tradhëti të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, që derguen divizionet e tyne, tue i gënjye kosovarët, se ata do të mbeteshin me Shqipni, kështu, mbasi i çarmatosi me besë edhe i masakroi, ua dorzoi ato Tokë Ilirjane – Dardane, Jugosllavisë.

Merret me mend se mbrojtja si mbas planit tonë me 200.000 luftarë, do t’ ishte e pathyeshme nga askush derisa t’ arrinin ushtritë anglo – amerikane, e merret me mend se tue pasë gjetë ato Tokë në dorë të nji ushtrije kombëtare antikomuniste, e vendosun me vdekë para se me i lëshue në dorë t’ anmikut, se çeshtjen kuptohet se e kishim të fitueme 90%, që mund të zgjidhej paqësisht me Jugosllavinë, me nji plebishit nen kontrollin e Aleatëve.

KUSHTET PER REALIZIMIN E PLANIT

Zhdukja e bandave komuniste, kolonë e pestë e sllavizmit, per t’ mos i pasë thikë mbas shpine.

Organizimi e armatimi i DYQINDMIJË Luftarëve që Shqipnia bashkë me Tokat e Lirueme, i nxirrte nga klasat ushtarake të zgjedhuna. Nji forcë e tillë, do të ishte e mjaftueshme per të mbrojtë kufijtë në Veri, Lindje e Jug, deri t’ arrijshin ushtritë anglo – amerikane, me që ishte parashikue (siç ngjau) se forcat jugosllave në shumicen e tyne, do t’ ishin t’ okupueme me ushtritë gjermane në terheqje nëpër Jugosllavi.

Per armatim e ndihmë organizimi, kishim premtim solemn nga Mussolini, jo vetem me na dhanë të gjithë armatimin e nevojshem, po edhe me na lanë teknikët që do të na nevojiteshin per armët ajrore e artilerinë e randë etj. Po na duhet t’ epshim proven se n’ asnji rasë ato armë nuk do të këtheheshin kunder ushtrisë italiane.

Marrëveshjen per Planin e Mbrojtjes e pata perfundue unë me Mussolinin, n’ audjencën që pata me Duce-n të Premten e Madhe të vitit 1943, në prani të kater kolegëve të mij Shqiptarë, nder të cilët Hilmi Leka, Hysref Frashëri, Vasil Alarupi, dhe (kujtoj) edhe nji që në këte rasë nuk më kujtohet emni. Ishte pranë edhe shefi i gabinetit të Duce-s, pranë Ministrisë së P. Jashtëme, ambasadori Babuscio Rizzo. Këte takim e di në hollësi edhe Profesor Namik Ressuli, të cilit, si shok që e kishim, ia tregueme po atë ditë.

Per të fillue vumjen në veprim të planit të Mbrojtjes, u vendos n’ atë takim rekrutimi i njizetë batalioneve shetitës, si hap i parë me uniformë të gjendarmerisë Shqiptare dhe me nji shej të ri dallues që do t’ ishte distiktivi i “Birëve të Shqipes”. Me këta batalione do të bahej spastrimi i bandave komuniste. Këta batalione do të liroheshin t’ armatosun e me divizat ushtarake, mbas gjashtë muej sherbimi, që kështu t’ ishin të gatshëm per çdo rasë nevoje.

Prap do të zevendsoheshin me njizetë batalione tjerë e kështu me rradhë, derisa të plotsohej numuri i parashikuem prej 200.000 vetësh.

N’ atë audjencë Mussolini pranoi perfundimisht edhe kerkesen e bame me kohë nga Mustafa Kruja e të tjerë (që kemi permendë) per suprimimin e P.F.SH., dhe zevendsimin e sajë me “LËVIZJA E BIRËVE TË SHQIPES”.

Këte emen të Lëvizjes së Ré thjeshtë Shqiptare e propozova unë n’ atë audjencë dhe Mussolini komentoi: “Il Movimento degli aquilloti, un nome degno per i figli del aquilla di Skanderbeg”.

FAKTORëT E DESHTIMIT

Unë si Minister i Punëve të Mbrendëshme, isha i ngarkuem që t’ a vije në veprim Planin e Mbrojtjes. Nji dekret i Mëkambësit të Mbretit (gjeneral Pariani), më autorizonte me zgjedhë oficerat nga çdo armë si dhe civila, e me i gradue e emnue deri në graden e nenkolonelit.

U sabotova nga të gjitha anët, jo vetem nga t’ ashtuquejtunit kundershtarë të regjimit, po edhe nga vetë personalitetet që ishin të regjimit. Nuk di a asht e vertetë, por lexohet në procesin që u pat dënue nji grup personalitetesh, se i ndjemi Hilmi Leka kishte deklarue n’ atë proces se kryesisht ai me Ekrem Libohoven, kishin sabotue tek Mëkambësi i Mbretit planin tim, të rekrutimit të njizetë batalioneve që u sipërpermenden.

2. Vazhdimi i bashkëpunimit të Ballit Kombëtar e i Abaz Kupit me komunistë, me aksionet e tyne, e vinin në dyshim Mëkambësin e Mbretit, se mos edhe nga ata batalione mund të dilte kush nga rradhë per të kalue në rradhët kundershtare.

3. Arrestimi i Mussolinit me 25 korrik 1943, i pamundun të parashihej, kje shkaku kryesor i falimentimit.

Megjithata sabotime, pata arrijtë që në qershor të regjistroj dymbëdhjetmijë vetë të inkuadruem në 20 batalione nga mosha 21 – 35 vjeçare, bashkë me kuadrot e tyne, dhe pata emnue Komandant të Pergjithshem të tyne kolonel Bilal Nivicen. Pritshim armët tjera dhe të tjera paisje per thirrje, që Mëkambësi i Mbretit i sigesttionuem nga sabotuesit akoma nuk i kerkonte. Nga gjysma e korrikut, mbas nji arsyetimi që i bana Mëkambësit, e vuna para dilemës: O me kerkue armatimin dhe çka ishte e nevojshme, o me pranue dorëhjekjen time. Më premtoi se deri me 15 gusht, do të më ishte dorëzue gjithshka, dhe do të më jepej autorizimi me thirrë edhe njerzit nën armë. Si u pa, Mussolini u arrestue. Italia ndrroi fletë e me 8 Shtator 1943 kapituloi.

4. Erdhi ushtria gjermane, komandanti i të parave reparte gjenerali Carchanico, më kerkoi bashkëfjalim me anë të të ndjemit major Lek Marashi. Më deklaroi se ushtria gjermane kishte ardhë vetem per nevojat strategjike të Luftës, per të nxanë zbraztinen që lente ushtria italiane në Adriatik, se e konsideronte Shqipninë vend mik e n’ atë kuptim, do të qendronte ushtria gjermane, se nuk do të perzihej në punët e mbrenëdshme dhe më premtoi ndihmen e Tij.

I premtova bashkëpunim per mbajtje të qetësisë me kusht që po të zbarkojnë ushtri anglo – amerikane, forcat shqiptare nuk marrin pjesë në luftim perkrah asnjenes palë, me që Shqipnia deklarohet neutrale. E pranoi edhe këte tezë, mjaft që mbajshim qetësinë mbas frontit. I tregova se per të mbajtë qetësinë pa trazime, duhen zhdukë bandat komuniste, e i tregova planin tim tue i kerkue armatimin që do të merrej nga ushtria italiane. Ma premtoi! I tregova se kjo qeveri duhet të bijnë, por unë gjithnji jam gati me dhanë të gjithë kontributin tim per çka u bisedue.

Mbas dy ditësh erdhi Ministri Neubacher bashkë me Xhafer Deven nga Beogradi.

Kundershtarët ia dolën t’ ua mbushnin mendjen Neubacher-it e Devës, që të rrëzojnë qeverinë tonë dhe ashtu ngjau. Gjeneral Carchanico kje largue menjiherë nga Komanda e Tiranës dhe vendin e Tij e zuni njitjeter gjeneral, që nuk kishte detyrim moral ndaj meje. Jo vetem kaq, po kjeshë lajmue nga njeni nga antarët e Komitetit Ekzekutiv, që u formue nen kryesi të Bedri Pejanit (tregue me besë), se Gjermanët, do të më arrestojshin dhe internojshin në Gjermani si badoljan (!). Kjo më shterngoi të lâ Tiranen menjiherë e në zbardhun të dritës së ditës 13 shtator 1943, bashkë me familje e me 25 djelmoça të vendosun me vdekë, t’ armatosun deri nder dhambë, lashë Tiranen e po atë ditë arrijta në Pukë.

Vetëm në gusht të 1944, munda të kjarohem me Komanden Gjermane. Gjenerali Fitztum dergoi tre oficera të vet n’ Iballe, të më ftonin me besë të shkoi në Tiranë. Shkova!

I bisedova gjeneralit haptas e më kuptoi se nuk ishe ashtu si më kishin paraqitë kundershtarët. I tregova Planin e Mbrojtjes (që atëherë i kishte dalë koha asisojt), e marrëveshjen që pata me gjeneralin Carchanico. U bind n’ argumentët e mija e më premtoi me më dhanë gjithshka ishte e nevojshme, por me konditë që forcat që do të mblidheshin mos të kishin karakter partinash, por vetem kombëtar – ushtarak. Kerkoi Besen nga Sylço Beg Bushati, Gjon M. Gjoni, Mit-hat Frashëri e timen, që armët tona nuk do të zbrazeshin kunder ushtrisë gjermane në asnji rasë.

***

Porsa dola nga audjenca e gjeneralit, (kje edhe këtu prezent major Lek Marashi), shkova menjiherë tek Ministri i Arsimit shkelqesa Koço Muka dhe i kerkova të më bante nji pikpjekje me Mit-hat Frashërin. Pikpjekja u ba po atë ditë në shtëpi të Koços.

Biseduem me Mit-hat Frashërin në prani të Koço Mukës situaten kritike të vendit.

I tregova fillë per fillë bisedimin me gjenaral Fitztum-in, premtimet dhe kushtet e Tija.

I thashë se Shkodra me Malësina të Veriut, do t’ishin gati me iu pergjegjë nji thirrjes së Tij. Këte ma kishin sigurue Sylço Beg Bushati, Gjon M. Gjoni e në pergjithësi Krenët e Maleve, dhe jo ma pak se 12.000 luftarë do të dilnin vetem nga krahina e Shkodres. I pelqej puna ime e u deklarue i gatëshem me marrë atë barrë, por m’u lut t’ ia propozojshe Mehdi Beut që t’ a merrte inisjativen si Kryetar i Regjencës e se perkrah Tij do t’ ishte edhe vetë Mit-hat Frashëri. “Po kje se Mehdi Beu nuk e merr inisjativen, atëherë – tha – e marr unë!”

Të nesermen u paraqita tek Kryetari i Regjencës, që më pranoi menjiherë e me shumë njerëzi. I shpjegova gjithshkafen si Mit-hat Beut. Pranoi të ftojnë në Tiranë Krenët e Malësive, me perjashtim të Gjonit M. Gjonit e të Sylçe Beg Bushatit. Pa këta dy Burra nuk bahej gja, e kështu nuk mbetem dakord me Mehdi Beun.

Iu drejtova prap Mit-hat Beut, po nuk e gjeta në enthuzjazmin e fjalët e ditës së parë. Edhe kjo ndermarrje u ba të deshtojë nga i ndjemi Mit-hat Frashëri në Tiranë, dhe nga nji tjeter personalitet në Shkoder, që nuk ishte i Ballit Kombëtar.

Per hir të së vertetes Historike, pohoj e dishmoj se në mbledhjen e “Besëlidhjes së Shkodres” që kje në shtëpi të Hafiz Ali Krajës, kur u referova rreth bisedimeve të Tiranës siç më kishin kerkue dy perfaqësuesit e Ballit Kombëtar: Lec Kurti e Omer Ruzhdija, n’ emen të Ballit të krahinës së Shkodres, u deklaruen të gatshem me qitë kushtrimin sëbashku pa karakter partishë, ashtusi kishte vu konditë gjenerali Fitztum, edhe po t’ishte se Komiteti Qendror i Ballit, nuk do t’ epte pelqimin. Kjé njitjeter personalitet që nuk hoqi dorë nga karakteri partiak i cili, deklaroi se ana e tij kishte vendosë të dilte ilegal që atë natë, e megjithkëte, pretendonte t’ i dergojshin pjesen e armëve, ushqim etj., që do të merreshin nga Gjermanët.

Ata ilegalë të deklaruem kunder Gjermanëve, dhe me marrë armët nga Gjermanët!

PSE I QENDRUEM LEAL BOSHTIT ?

Pse prej boshtit kishim premtim e siguri me pasë Shqipninë Indipendente nder Kufijtë e vertetë të sajë Etnikë. Ky premtim filloi të bahet realitet me bashkimin e Kosovës e të tjerave Krahina, që iu bashkuen Shtetit Shqiptar në vitin 1941, i forcuem edhe nga koncesionet që rradhë mbas rradhet po na i lëshonte Mussolini, në bazë të kerkesave të deklaratës së Shkodres, të datës 12 Prill 1939.

Këto premtime nuk i epshin Aleatët dhe nuk mund të priteshin prej tyne, me që ishin aleatë me Jugosllavinë e Greqinë; per ma teper, Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, shkelqesa Antony Eden, kishte deklarue zyrtarisht në Dhomen e Komuneve që me 1942: “Mbas kësaj Luftë me fitoren Aleate, Shqipnisë do t’ i njihet indipendenca e integriteti toksor nder kufijtë e 1913-ës, me nji rektifikim në kufijtë e Jugut.” Kjo per neve, do të thonte me ua lëshue Korçën e Gjinokastren Greqisë, pa të cilat nuk do të kishte mâ kuptim nji Shtet Shqiptar.

Donte të thonte që patjeter, duhej t’ i lëshonim Jugosllavisë Kosoven e të tjerat Krahina të Lirueme në Prillin e vitit 1941. Né, nuk mund të tradhëtojshim këto pjesë të shejte t’ Atdheut. Perveç kësaj, (e që vertetonte angazhimet e marruna nga Anglia në dam të Shqipnisë) ishte edhe fakti që Aleatët nuk pranonin formimin e nji Qeverije Shqiptare në mërgim nen Mbreti Zog, siç kishin veprue per të tjerat kombësi t’ okupueme nga ushtritë e Boshtit.

Me u vue në sherbim t’ agjentave Aleatë kunder Boshtit nder të tilla kondita, neve na dukej se i vejshim thiken me doren tonë NANËS !

Bindja e nevojës së lealitetit ndaj Boshtit ishte forcue në mënyrë të posaçme, mbasi patëm shti në dorë planin e gjeneralit serb DRAGUTIN MIHAJLOVIÇ (Drazha), aso kohe Komandant i Pergjithshëm i Çetnikëve në Jugosllavi, e Minister i Luftës në Qeverinë e M. Tij Pjetri II, me qender në London. N’ atë plan e në urdhënat per zbatimin e tij ai i epte udhëzime komandantëve të reparteve çetnike, që në diten që do të caktohej të marrshonin mbi Kosovë e Metohi dhe Sanxhak, të shfaroseshin çka ishte Shqiptarë e muslimanë. Të marrshonin edhe mbi Shkoder dhe t’ okuponin edhe portin e Shën Gjinit e që do t’ i aneksoheshin Jugosllavisë së ré.

Që Shqiptarët e Tokave të robnueme nuk u shfarosën, kjé fati që nuk fitoi Mihajloviçi!

DREJTë ALEATëVE

Na nuk bame akte anmiqësie veprimit kunder Aleatëve. Nuk i ndoqem me i kapë as vra misionet e tyne ushtarake që u zbritën në Shqipni per të ba turbullime në dobi të kauzes Aleate. Këte mund t’ a vertetojë majori i atëherëshem i RAF-it NEELL, që e shpetova pa ra në dorë të Gjermanëve në Truen të Pukës e që dy herë e pata mysafir per bisedime (kerkue nga Ai), por që perfunduen pa marrëveshtje bashkëpunimi, me që unë refuzova ofertat per perfitime personale, tue i kerkue kondita kombëtare që nuk kjé në gjendje të m’i apin.

Sot rrethanat historike kanë ndryshue, e me që politika nuk asht demagogji, po realitet, me ato fuqi Aleate t’ atëherëshme, na do t’ ishim leal e besnikë siç ishim me Boshtin, mbasi edhe ata si na Shqiptarët janë antikomunistë, po kjé se na sigurohen të Drejtat që i perkasin KOMBIT SHQIPTAR !

***

Ju z. Abaz Ermeni, per ma shumë se njizetë vjet, jeni krenue me fjalë dhe shtyp se keni vra ushtarë italianë e gjermanë, tue i dhjetëfishue numurat. Harroni se ata ushtarë nuk mund të konsideroheshin fashista e nazista, po Bijtë e dy popujve per miqësinë e të cilëve, Shqipnia ka pasë perherë nevojë e ka per të pasë, e se ju me ata kapadailleqe, i fyeni ata popuj.

Turkia na pat okupue e na mbajti në robni e errësinë per gati pesë shekuj, prandej e kishim anmike, por mbas vjetit 1912, kanë ndryshue rrethanat historike edhe me Turki. Sot Turkia e Ré e perkrahë Pavarsinë e Shqipnisë, prandej asht n’ interesin kombëtar të perpiqemi t’ a kemi mike e jo t’ a fyejmë vazhdimisht siç bani ju.

***

Kemi ba na e ju çka na ka marrë mendja se ishte e dobishme per çeshtjen kombëtare. Mirë o keq, dishka koha e ka tregue e Historia ka me dhanë verdiktin perfundimtar. Por mos harroni se dishka e randë ka ngja! Shqipnia u rrenue! Kush e ka fajin? Pergjegjen ka me e dhanë vetem ndergjegja e Shqiptarëve dhe Historia! Nji gja do t’ a kishit per detyrë: Nobare mos u perpiqni me i ba gjithkendin anmik të Shqipnisë!

Pa më thoni: Mbasi Lufta mbaroi si mbaroi me rrjedhimet e sajë fatzeza per vendin tonë, çfarë dobije i del Shqipnisë per t’ ardhmen me u tregue anmiqë kunder Italisë e Gjermanisë, me vazhdue tue perbuzë e denigrue Turkinë? E që këta janë sot të vetmit popuj që bajnë pjesë në aleancë me Ameriken në Paktin e Atlantikut! A e dini se në Paktin e Atlantikut asht edhe dikush anmik i Shqipnisë, e se Shqipnia zyrtare (jo Populli) asht anmike e kolegëve të atij Pakti; prandej, sot kemi nevojë per miqë mbrenda Paktit!

Mos harroni se sot Italia asht Shteti ma i interesuem per ruejtjen e Pavarsisë e integritetit të Shqipnisë! Ju kujtoj deklaraten e de Gasperit! Ju njoftoj se kur kishin në rrezik Triesten me ia dorëzue Aleatët Jugosllavisë, dhe Shqipnia me u perpi si republikë autonome nga Jugosllavia, Shtatmadhoria Italiane i pat thanë Qeverisë së vet: “Po të jetë se Italia nuk mundet sot të mbrojë njiherit Triesten e Shqipninë, lè të lëshojnë Triesten, po n’ asnji mënyrë me lanë të zhduket Pavarësia e Shqipnisë.”

Edhe Gjermanët kanë interesë të jetë shteti Shqiptar i pavarun në Ballkan, per të balancue influencën serbe. Perveç kësaj, ata kanë tregue perherë simpathi të posaçme per Popullin Shqiptar, sa që shkecëtarë albanologë na kanë quejtë “Herrenvolk” (Popull zotnishë), jo per pasuni e qytetnim modern po per karakter e traditë Fisnike, pa të cilat Shqiptari nuk do t’ ishte mâ SHQIPTAR !

Unë shtoj, e Besoj, se shprehi ndiesitë e mbarë Popullit Shqiptar, se po të jetë që fqijtë tonë e kuptojnë nevojen e bashkëjetesës paqësore e bashkëpunimin leal të fqijsisë së mirë, tue na kthye të Drejtat që na perkasin, Populli Shqiptar dishron miqësi të sinqertë edhe me Grekët dhe me Sllavët e Ballkanit.

New–York, Qreshor, 1967. Kolë Mirakaj

Shenim: Ky material nuk ka asnjë ndryshim nga origjinali.

Mbrenda kllapave janë shenimet e Autorit.

U kopjue besnikisht nga Fritz Radovani.

Melbourne, Shtator, 2012.

Studimi i këtij materiali historik duhet të vlejë per njohjen e së vertetes!

Botimi nuk duhet të ketë asnjë ndryshim prej origjinalit.

Me respekt, Fritz Radovani.

Melbourne, Shkurt 2013.

Filed Under: Opinion Tagged With: Abaz Ermenit, Kole Miraka, pergjigje

SHQETESIME DIPLOMATIKE DHE CESHTJA SHQIPTARE

February 15, 2013 by dgreca

NGA DORIAN KOCI*/

Ditët e fundit ka një shqetësim të diplomacisë ndërkombëtare të akredituar në Tiranë përsa i përket rritjes së retorikës nacionaliste, si i kanë vlerësuar një sërë deklaratash të udhëheqësve shqiptarë në rajon me rastin e njëqindvjetorit të pavarësisë. Ky reagim nuk ka mbetur vetëm në nivel deklaratash që mbulojnë vetëm muajin dhjetor por ka pasur një kurbë në ngritje, gjë që dëshmon se për komunitetin ndërkombëtar stabiliteti i Ballkanit përbën thembrën e Akilit të politikës ekulibruese në rajon. Dëshira e të gjithë atyre që presin që demokracia të funksionojë më mirë në Ballkanin Perëndimor, në fakt ka qenë që këtë zell të madh që po tregon diplomacia botërore për të frenuar pasionet nacionaliste ta kishte dhe për monitorimin dhe mirëfuksioninimin e institucioneve të pavarura duke u bërë në këtë lloj mënyre garante të një ndryshimi të qendrueshëm demokratik të shoqërive të vjetra e tradicionale të Ballkanit Perëndimor që vuajnë pothuajse të gjitha nga sëmundjet e përbashkëta të autoritarizmit e nepotizmit. Mirëpo pavarësisht se kjo gjë nuk po ndodh dhe kur është puna se diplomacia ndërkombëtare duhet të kishte një zë më të fortë për shumë çështje në Shqipëri, sërish shqetsimet e tyre janë të mirëkuptuara dhe të mirëpritura, por dëshirojnë që të kenë një sqarim më të detajuar për të shmangur çdo keqkuptim. Diku në prapaskenë ka interesa të dyshimta dhe faktorë politikë që fërkojnë duart nga kënaqësia në këtë të ashtë quajtur përplasje midis Shqipërisë zyrtare dhe perëndimit, kënaqësi që besoj se nuk do të zgjasë shumë pasi Shqipëria dhe klasa e saj politike është aq në gjendje sa të mos humbasë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar që në të shumtën e rasteve ka qenë bujar me të.

Kjo ndjesi bazohet në faktin e njohur se Shqipëria njeh dhe respekton faktin se çlirimi i Kosovës, krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës dhe mbarëvajtja e tij është një investim ndërkombëtar. Po ashtu si është në dijeni të faktit që stabiliteti i Maqedonisë është i rëndësishëm për SH.B.A dhe B.E, ndaj dhe shqiptarët kanë mëse se 10 vjet që durojnë me një përmbatje të madhe mosrespektimin dhe moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje për të cilën është garant Komuniteti ndërkombëtar. E njëjta gjë ndodhi pak ditë më parë dhe në Luginën e Preshevës, ku forcat serbe të sigurisë ndërhynë për të hequr memorialin e luftëtarëve të UCKPBM, dhe shqiptarët u ftuan sërish për të qenë të duruar dhe të vetëpërmbajtur, ndërsa komuniteti ndërkombëtar lau duar në formë alla Ponc Pilatiane nga përgjegjësia vetë duke deklaruar se heqja apo mbajtja e tij është një çështje e brendshme e Serbisë. Si shikohet situatat janë absurde, pasi ata që duhet të jenë garantë për marrëveshjet e nënshkruara midis shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni dhe shqiptarëve dhe serbëve në luginën e Preshevës nuk ndihen dhe nuk bëjnë zë, e për më keq ua këshillojnë këtë gjë dhe shqiptarëve. Mirëpo në gjithë këtë politikë vetpërmbajtje që i këshillohet Shqipërisë dhe klasës së saj politike, harrohet tu bëhet një analizë e thjeshtë që ti japë përgjigje pyetjes se deri ku mund të limitizohen të drejtat e shqiptarëve në rajon dhe ç’rol u është caktuar atyre në rajon. “Nuk ka miq në politikë, por interesa të përjetshme” ka thënë De Goli një nga mjeshtrit e politikës të shekullit të kaluar, e përderisa interesat e shqiptarëve hyjnë dhe në interesat e përjetshme të aleatëve tanë, ata duhet të kenë tagrin që të shijojnë lirinë politike të tyre të vetvendosjes.

 E vërteta është se në këtë shekull të ri është e papranueshme që të ketë qytetarë të dorës së dytë në Ballkanin Perëndimor, vend që tradicionalisht u është rezervuar shqiptarëve në krahasim me fqinjët e vet, prandaj  çdo qeveri shqiptare në vazhdimësi do të kërkojë respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe dinjitetit të shqiptarëve në rajon. Një përqasje e kujdeshme por këmbëngulëse e shqiptarëve drejt realizimit të aspiratave të tyre do ti bëjë miqtë tanë ndërkombëtarë të kuptojnë që procese që kanë nisur nuk mund të rikthehen mbrapsht. Në të kundërt, nëse vullneti i qytetarëve shqiptarë nga të gjithë trojet etnike shqiptare që u mblodhën në Vlorë, në këtë 28 nëntor do të tradhëtohet dhe do të trajtohet vetëm për interesa elektorale , atëherë do të jetë katastrofa më e madhe pasi jo vetëm që do të bëhemi gazi i botës por dhe partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë nuk do të na marrin më seriozisht. Pas njëqind vjetëve shtet, Shqipëria ka hyrë në periudhën e maturisë si shtet dhe shqiptarët duhet të dinë t‘ua dëshmojnë miqve të tyre këtë gjë, për të fituar me siguri dhe mbështetjen e tyre për të realizuar aspiratat e tyre kombëtare.

 * Falenderojme autorin e shkrimit qe e ndane opinionin e tij me Gazeten DIELLI

Filed Under: Opinion Tagged With: ceshtja shqiptare, Dorian Koci, shqetesime diplomatike

SHQIPTARJA E PALESTINES

February 15, 2013 by dgreca

Nga Namik SELMANI*/

Shtigjet e shkronjave, shumë herë janë më të çuditshme e më tekanjozë se shtigjet e rrugëve që ti i shkel në botë. Të rrugëve ajrore e të atyre që të marrin në detet mes jeleve të dallgëve shkumëbardha. Mes rrugëve gjelbërore apo mes rrugëve të shkretëtirave. Edhe pse një ditë bashkohen si miq të mirë. Ato, rrugët e largëta e të afërta, rrugët e mallit dhe rrugët e kureshtive bashkohen me shkronjat kur ti kërkon që të shkruash mbresat, motivet, të veçantat, gëzimet trishtimet, me të cilat janë mbushur të gjithë rrugët. Ky meditim më erdhi kur nisa të shkruaja për SHQIPTAREN E PALESTINËS, Suzana Kondi, ka 17 vjet që jeton mes ëndrrave dhe trishtimeve të popullit të Palestinës. Të krismave të luftës dhe ëndrrës së paqes. Si një shqiptare, si një besimtare e mirë e fesë islame, në namazet e ditëve i lutet Zotit jo vetëm për Shqipërinë, atdheun e saj, po edhe mbarësinë e Palestinës, me të cilën e lidhin tre fëmijët e saj të mirë. Lutet edhe për bashkëshortin e saj që në vitet e fundit, pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në burgjet izraelite. I sëmurë, pa parë as fëmijët e tij që po rriten pa përkëdheljet atërore.

Kur shkoja si gazetar në vitet ‘90 në Poliçan dhe shkruaja për jetën në këtë qytezë të vogël rrëzë Tomorit, as nuk e mendoja se një ditë një banore e saj e re që ishte vetëm 18 vjeç, vetëm pas pak vitesh do të bëhej pjesa e jetës së Palestinës.

Mbase është e vetmja ose ndër të rrallat shqiptare nëHebron. Vetë Suzana na thotë se nuk ka një shoqe shqiptare nëHebrontë Palestinës për atë informacion që ka ajo. Ka mall shumë për Shqipërinë, për Poliçanin e saj të vogël, midis Beratit dhe Skraparit. Të bukur si një grusht me shtëpi që rrinë në prehër të Tomorit të lashtë e të lartë. Ka një rrëfim shumë të bukur gati poetik kur tregon për jetën e saj. Shumë të dhimbshëm. Mos është vallë malli për familjen, për shkronjën shqipe, për shoqet? Mos është dhimbja shumë e madhe që ajo vazhdon të përjetojë, si të thuash, me një ndarje për së gjalli nga familja në këtë kohë kur bota po bën të gjithë përpjekjet që të bashkohet mes kufijve të saj, mes feve të ndryshme që ka ajo, mes kulturave, shpesh edhe të kundërta?

Tani ka mbushur moshën e 37 viteve jetë e ka tre fëmijë me emra të zgjedhur të fesë islame.

Rrjedha e jetës së saj e sidomos kthesa që ajo mori për ta lidhur pas pak vitesh me Palestinën ajo e tregon thjeshtë. Madje, nuk ngurron që të përdorë edhe vargjet e poezive të saj që mbase janë strofat që ajo i thotë përmendësh në këto vite të një ndarjeje të detyruar nga vendlindja e saj, nga Shqipëria ku nuk ka ardhur këtu që prej 22 vitesh. E nuk e di se kur mund të vijë si vajzë shqiptare si një qytetare e botës.

“Mes kodrave plot rrudha ndodhet qyteti im. Një qytet i vogël që quhet Poliçan. Qyteti në të cilin u linda dhe kalova fëmijërinë time. Kam lindur në vitin 1976 dhe e kam kaluar fëmijërinë time në një shtet komunist dhe as fjalën Zot nuk e dinim ç’do të thoshte. Në shkollë mësonim mësime që ishin kundër Zotit. Çdo gjë u krijua vetë nga natyra. Kalova kështu jetën time, derisa në 1991 u bë Shqipëria demokratike dhe janë lejuar të gjitha fetë në të. Çdo njeri në vetvete kërkon një fuqi të madhe që të mbështetet tek ajo, se pa të nuk është gjë. Kërkon, po nuk e di, nuk e gjen. Janë poezitë e mia të asaj kohe që e shprehin me qartë. Gjithçka kërkon një emër. Gjithçka. Gjithkush kërkon një emër/ dhe lulet kokën ngrenë nga qielli/ dhe pemët kërkojnë ta arrijnë atë/ dhe zogjtë fluturojnë në hapësirën e tij/ dhe malet të zhytur kokën mes resh/ dhe deti dallgët kërkon t’i ngrejë nga qielli/ gjithçka kërkon ta arrijë qiellin/ e njeriu me sy të verbuar kërkon në tokë/ a thua se ajo i duket qiell? Ka qenë 18 vjeç atë ditë kur po ecte në rrugët e qytetit të saj, Poliçanit. Një shoqja e saj e ndaloi dhe i tha që të shkonte me të se diku në atë qytet ishte hapur një kurs për të mësuar fenë. Suzana e pa pak e habitur. Ajo nuk e dinte se një ditë e tillë, një kërkesë e tillë do të ndryshonte të gjithë rrjedhën e jetës së saj. I premtoi ashtu pa dashje se do të shkonte me të.

Vajtën atje dhe i thanë që do ta regjistronin emrin dhe të shkonin po qe se kishin kohë të lirë. Koha e lirë nuk ishte vështirë që ta gjeje në atë qytet ku edhe aktivitetet nuk ishin të shumta. Mendoi se aty do ta kalonte dhe kohën e saj të lirë. Kursin e drejtonte një mësues arab nga Egjipti dhe një nga Tunizia. Kishte edhe një përkthyes që përkthente. U bë pjesë e këtyre mësimeve. Po merrte mësime për fenë islame dhe mësime për kuranin. Deri në atë kohë kjo vajzë kishte shumë pyetje për jetën, për të kaluarën e për të ardhmen e duke qenë në një vend ateist nuk kishte se ku ta mësonte fenë. Mbi të gjithë, dallohej një mësues nga Tuniza që i mësoi parimet kryesore të fesë islame, të praktikimit të saj në jetën e përditshme. Tani ajo kujton ditët e para dhe ndryshimet që mësoi ndërgjegjja e saj: “Feja islame është një fe e drejtë që s’ka dyshim. Ka shumë obligime. Ka qenë dhe e vështirë për ne në atë kohë që te faleshim 5 herë në ditë që të agjëronim Ramazanin që të visheshim me të gjata etj., por një njeri kur besimi i përforcohet, çdo gjë e shikon më të lehtë. Aty mësova që ato ishin urdhra nga i madhi Zot dhe nuk duhet ta kundërshtonim atë. Kam qenë dhe e re në atë kohë, por…”

Më tej, Suzana hap arkivin e saj poetik të poezive të para dhe na citon njërën prej tyre. Është poezia “Braktisja e ëndrrave”

I braktisa ëndrrat, i braktisa dëshirat/

I braktisa tekat e jetës,i braktisa i braktisa të gjitha/ më pëlqen të kërcej në melodinë e një kënge

më pëlqen që era të m’i valëvisë flokët

më pëlqen të vishem sa më sportive

më pëlqen ta jetoj rininë time më pëlqen,

por gjithçka është vendosur nga i madhërishmi Zot

përpara tij askush nuk del dot

prandaj i braktisa të gjitha ëndrrat dëshirat, tekat e jetës/

i braktisa të gjitha, të gjitha për të mos më braktisur ti, o Zot.

E pra, kjo poezi ishte edhe historia poetike e kthesës që kushedi se ku kishte mbetur deri tani pas 22 viteve kur ajo na e citoi sikur ta kishte bërë para një ore. Kështu që vendosi të vërë shami. Ajo dhe një shoqja e saj. U zgjodh ditëlindja për të vënë shaminë. Po mbushte 19 vjeç. E uronte veten: “Le të jetë e mbarë për mua kjo jeta tjetër tani kur po mbulohem…..” Nuk ka qenë një gjë e lehtë veshja e shamisë për të. Prindërit nuk donin. Nëna e saj që prej 10 vitesh është ndarë nga jeta (Zoti e mëshiroftë atë) qante dhe i thoshte: “Si do ta bësh të ardhmen tënde kështu me shami?”

Lotët e saj i shkaktonin shumë dhimbje shpirtërore, por mendonte se po e bënte për të përfituar nga zoti. Ata nuk dinin atë që ajo e ia thyente zemrën nënës për të përfituar nga mëshira e zotit…… Shumë njerëz nuk ju pëlqente kjo që kishte veshur dhe talleshin. “Ju që veni pas arabëve jeni të prapambetura!” Ishte e fortë. Nuk i interesonin mendimet e të tjerëve, sepse ishte e bindur që ishte në rrugë të drejtë. Ata qeshnin, qeshnin dhe vazhdojnë të qeshin dhe ajo ecën, ecën dhe vazhdon të ecë shpejt. Mendon se ata do të lodhen dhe do pushojnë së qeshuri, ndërsa ajo do të vazhdojë do vazhdojë të ecë.

Nga dita në ditë po merrte mësime në atë shkollë për fenë islame, por numri i nxënësve atje u zvogëlua shumë sa që mbetën vetëm 4-5 vajza. Familja e saj i kërkonte që ta hiqte shaminë, po për të kjo ishte një gjë e pamundur. Kurrsesi nuk mendonte të kthehej nga feja.

Pas 2-3 vjetësh, mësoi shumë gjëra për këtë fe. Tani ajo ka frikë Zotin dhe kjo e detyron që që të mos kthehet nga kjo rrugë që e ka filluar Mendon se ishte edhe urdhri i Zotit. Kështu donte Zoti, sipas mendimit të saj, që ta lidhte fatin e jetës me një myslimane nga Palestina Palestina është vend plot dhimbje dhe vend i bekuar nga Zoti Mesxhid al-aksa. E bekon dhe me shumë atë. Tani u krijua një situatë tjetër. Duhet të largohej nga shtëpia e saj. Ka qenë tepër e vështirë që të largohej nga familja dhe nga vendi i saj Shqipëria, Bindja e Suzanës ishte se për çdo njeri për të arritur qëllimin e tij në jetë duhet të bëjë shumë sakrifica duhet që dhe të mendojë me mendje dhe jo me zemër. Duhet të bëhet i fortë që stuhia e kohërave të mos ta rrokullisë atë në humnerën e saj. Ishte para një udhëkryqi: ”Duhet të vendosësh ose të jetosh këtu dhe pa shami dhe pa fe ose jetën në një vend tjetër me fenë tënde dhe veshjen tënde.”

Zgjidhja e saj ishte një dhimbje e re për familjen. Sërish ishte nënë Qelibarja që nuk e pranonte këtë largim. Edhe sot ajo mban mend lotët e saj të rrëkeshëm që i dilnin kur ajo vendosi që të ikte. Këtë largim ajo nënë e quante si një vdekje e vetë fëmijës që ishte ende shumë e re. Dhe vërtet nëna e saj nuk e pa më me sy vajzën Suzana se ka vdekur para 7 vitesh. Dhe Suzana nuk erdhi as ta varrosë atë e t’i hedhë një grusht dheu mbi varr, sepse nuk kishte dokumente. Babai i saj u tregua edhe më i matur duke i thënë: “Dëgjo, moj vajzë! Ti je e rritur dhe je e zgjuar për atë që do të ndodhin në jetën tënde të mëvonshme.” Edhe sot ajo kujton edhe vështrimet e motrave të saj të dashura që buronin kaq shumë dashuri. Secili vështrim kishte vetëm një kuptim: “Lamtumirë!” Vëllai i saj i vetëm e shkonte dhe ndryshe nga të tjerët mendonte se një largim i tillë për në Palestinë ishte thjesht një. . lojë

****

Kështu, më 1996, u martua me një palestinez Qëndruan në shtëpi një muaj sa bënë dhe dokumentet. U larguan për në Jordan (është një qytet në kufi me Palestinën ku jetojnë dhe shumë palestinezë të emigruar që në 1967). Qëndroi në Jordani 3 muaj te xhaxhai i burrit. Bëri pasaportën e përkohshme që të jetonte atje. Burri iku për në Palestinë që të bënte dokumentet. Erdhi vjehërri që të qëndronte me të aty. Pas shumë vështirësive, u bënë dokumentet që të futej në Palestinë, po vetëm si vizitë. Edhe pse ishte e martuar me një palestinez, organet e shtetit izraelit nuk ia nxjerrin dokumentet dhe nuk ia dhanë nënshtetësinë si palestineze. Qëndroi kështu 13 vjet pa nënshtetësinë, derisa më 2009 mori pasaportë palestineze. Bashkë me të e morën edhe shumë të tjerë që kanë pasur statusin e saj. Dhe vjen viti 2006. Një vit provë e forcës shpirtërore. Ajo merr vesh lajmin e vdekjes së nënës së saj Qelibares. Deri në atë kohë kishte gati 10 vjet që ishte larguar nga Shqipëria. Në këto 10 vjet ajo nuk kishte ardhur asnjëherë në Poliçan, në Shqipëri për arsye që i dhamë më lart. PO kësaj radhe duhet që të vinte. Ishte nëna e saj E kishte marrë malli aq shumë për nënën. Dhe ja, sot ajo nuk jetonte më, sa shumë donte ta shikonte. Tani ishte bërë vetë nënë e po e kuptonte nënën sa dikur ajo, ishte vajzë e mund të ishte pak më ndryshe.

“Ah, ah. Kështu ka qene fati im, – shpërthen ajo nga Hebroni i largët. Kështu, Zoti ma ka shkruar jetën time. Unë nuk mund të ndryshoj gjë, por duhet të them elhamdulilah (falënderimi i takon vetëm Allahut) Për çdo gjë në jetën time duhet të jem e fortë.”

Në atë kohë ajo s’kishte pasaportë që të vinte dhe ta përcillte nënën e dashur në banesën e saj të fundit. Në dorën e saj ishte vetëm që të falej për nënën dhe t’i lutej Zotit që ta mëshironte atë, nënën që ta fuste në parajsë (inshaallah) Qante dhe lutej për të që Zoti ta mëshironte.

Veç saj ajo është bërë prej kohësh pjesë e dhimbjes së popullit palestinez. Në Palestinë, kanë qenë dhe janë situata jo të qeta se është ende nën okupimin e shtetit izraelit. Në vitin 2002, situata u bë edhe më shumë e acaruar. Janë vrarë dhe shumë njerëz. U mbyllën dhe rrugët. Suzana kishte pasur djalin e dytë 2 muajsh shumë të sëmurë. I duhej që ta çonte në spital që të flinte atje. Kështu e kishte gjykuar edhe doktori para një dite. Ditën tjetër u mbyllën të gjithë rrugët dhe nuk lejohej që të shkonte në spital. Ato pak shërbime që mund të bënte si nënë ia bënte në shtëpi. Vetëm Zoti e di se si u shërua ai. Ka vuajtur shumë në atë kohë.

Në 2 janar 2005, në orën 2 ose 3 të natës me shumë se 20 ushtarë izraelitë e rrethuan shtëpinë. Me pushkët e tyre po i binin fort në derë. Thërrisnin: “Hapeni, hapeni derën!”

U zgjuan të frikësuar. Nuk po kuptonin se çfarë po ndodhte. Shumë shpejt, e kuptuan që ata kishin ardhur për të arrestuar burrin e Suzanës. E morën me vete në kërcënimin e armëve. I kishte fëmijët shumë të vegjël. Djali i madh ishte 5 vjeç. Qante për babanë e tij. Burri qëndroi në burg 6 muaj. Pastaj doli dhe qëndroi jashtë burgut vetëm 7 muaj. Përsëri erdhën dhe e morën prapë. Në burgje qëndroi dhe 4 muaj. Pas 8 muajsh erdhën përsëri. Kësaj radhe qëndroi në burg 1 vit e gjysmë. Pa asnjë akuzë të qartë. Akuza e tij, sipas vetë Suzanës, ishte vetëm se “Ishte pengesë për qeverinë izraelite.” Kështu i thonë atyre. “Ti je rrezik për stabilitetin e Izraelit” Kaq mjafton të burgoset çdo njeri. Ai punon si inxhinier ndërtimi. Pas 1 vit e gjysmë doli nga burgu dhe qëndroi jashtë tij 6 muaj. E morën prapë dhe e futën edhe 7 muaj të tjera. E liruan dhe pas një viti. E morën prapë dhe qëndroi 1 vit e gjysmë. Doli në shkurt të 2012-ës. Kështu ka qenë dhe jeta e kësaj shqiptareje të Palestinës, të fëmijëve të saj që po rriten pothuajse pa babanë e tyre. Vizita në burg lejohet vetëm një herë në muaj. dhe Lejohen vetëm 4 persona në vizitë. Koha e saj është vetëm 45 minuta. Ky takim bëhet vetëm prapa xhamit. Vetëm aty ke të drejtë që ta shohësh dhe të flasësh vetëm me telefon e nuk e dëgjon direkt. Vizita është shumë e lodhshme, që nga ora 5 e mëngjesit deri ne 8 të darkës. I burgosuri është shumë i lodhur në burg. Burri i saj është me diabet dhe me infektime ne kocka nga të ftohtët atje. Suzana vazhdon që të rrëfejë për këtë: “Herën e fundit e dërguan dhe në spital se ka vuajtur nga stomaku. I është bërë gjakderdhje e brendshme e stomakut. Nuk e di si është kjo sëmundje në shqip. Gjaku i tij u bë 8. Ju dëgjoni dhe sot për të burgosurit palestinezë. Janë më shumë se 7000 të burgosur. Shumë prej tyre po bëjnë grevë urie. Zoti i ndihmoftë ata!”

Suzana bën jetën e saj si nënë, si besimtare si një palestineze e re. Na tregon se në Hebron ka edhe gra të shteteve të tjera që janë martuar me palestinezë nga Rusia, nga Britania, nga Rumania etj. Disa prej tyre kanë veshur rrobën e myslimanes e disa jo. Vazhdon që të bëjë ritin e faljes së namazeve në Xhaminë Al Aksa. Një xhami shumë e bekuar. Për t’u futur në të duhet të marrësh leje të posaçme nga shteti izraelit. Një gjë e tillë lejohet vetëm në muajin e Ramazanit.

Që larg shpreh shumë dëshira si shqiptare. Kërkon që të vijë të takojë babanë e saj që nuk e ka parë që prej 17 vitesh. Të takojë motrat e vëllanë

O sa dëshirë ka që të vijë në Shqipëri tek babai i saj i moshuar, tek të afërmit, qoftë edhe tek malet që ishin djepi i parë i fantazisë dhe i dashurisë së saj për vendlindjen. Prej shumë vitesh, nuk sheh as në televizor Shqipërinë e saj të dashur. Koha moderne i ka dhënë asaj pak mundësi që të komunikojë me postën e elektronike me shoqet e saj, po shumë gjëra kanë ndryshuar në këto vite. Kanë kaluar 17 vjet dhe zjarri i kujtimeve rinore me këto shoqe ka nisur që të shuhet. Secila prej tyre është martuar ka fëmijë dhe kontaktet janë bërë edhe më të pakta, më të rralla.

Kjo gjë që duket shumë e thjeshtë, është kthyer në një tragjedi të re të vërtetë për të. Një kërkesë që, në pamje të parë, i takojnë një individi, një familjeje, por që mund të kthehet edhe në një objekt për Shoqatat e të Drejtave të Njeriut, e shtypit. Pse jo edhe e ambasadës së Izraelit në Tiranë. Ka 10 vjet që i ka mbaruar afati i pasaportës shqiptare me të cilën ajo u nis, Në Palestinë nuk ka ambasadë shqiptare e ajo nuk i ka se kujt t’i drejtohet për këtë gjë. Ka shkuar në organet izraelite për të marrë një pasaportë izraelite, po edhe atje i thonë se nuk janë të obliguar që të japin pasaportë për shqiptarët që banojnë në Palestinë.

I duhet që të shkojë te ambasada shqiptare në Egjipt. Edhe këtë gjë e bëri. Dërgoi dokumentet përkatëse për vete e për tre fëmijët e saj, por akoma nuk i kanë kthyer përgjigje. Ka kaluar shumë kohë e madje as nuk e di se kur mund të vijë një përgjigje e tillë. Pritja po zgjat, po zgjat shumë.

Për këtë thotë me shumë mall e dhimbje: “Po pres, po pres, po nuk e di sa do zgjasë pritja. Unë kam shumë dëshirë që ta vizitoj atdheun tim, vendin ku kalova fëmijërinë time, ku dhe dielli është tjetër diell, dhe hëna është tjetër hënë. Inshallah Zoti ma bëftë mbarë, se veç Zotit nuk kam kujt t’i lutem tjetër.” Fëmijë e saj, djemtë Thebit, Serjani dhe vajza Xhena (emra myslimanë) ende janë paksa të vegjël për të kuptuar këtë dhimbje të nënës së tyre. Suzana do t’ua tregojë kur të rriten, po nuk e quan një gjë të veçantë. Është shumë e sigurt se një ditë do t’ua tregojë nga afër se ku është vendlindja e gjyshërve të tyre nga nëna.

******

Hebroni i është bërë një vendlindje e dytë. Në këtë qytet është edhe Xhamia ku ka jetuar profeti Ibrahim. Ka jetuar në këtë qytet me tradita të lashta dhe me histori të madhe për gati 18 vjet po aq sa ka kaluar edhe në Shqipëri. Brenda kësaj jete, ajo duhet të shkojë herë pas here në burg të takojë bashkëshortin e vet. Atje në Hebronin e mbushur me histori, me vreshta me ullinj, por edhe me një dimër të ftohtë (një klimë shumë të afërt me Shqipërinë) shumë gra, miq e pyesin shumë herë për konceptin e lumturisë. Na thotë për të: “Njeriu është i lumtur kur gjen atë që kërkon. Unë erdha këtu për fenë islame dhe jam e lumtur për këtë. E di se njeriu në një mijë forma do kalojë vështirësi në jetën e tij, po kjo gjë nuk më intereson.” Shqiptarja e Palestinës vazhdon ende të jetojë ëndrrën më të madhe të tanishme, atë të prekjes së tokës së saj, të të parëve të saj. Një dëshirë që ende mbetet një ëndërr e parealizuar. E dhimbshme.

*E falenderojem shkrimtarin Namik Selmani qe e dergoi per DIELLIN

Filed Under: Reportazh Tagged With: Namik Selamani, Shqiptarja e Palestines

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT