• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2013

Kombi është akt besimi

February 11, 2013 by dgreca

Nga Ndue Ukaj/

Çfarë do të thotë të jesh pjesëtar i një kombi? E në këtë aspekt, çfarë do të thotë të jesh shqiptar? Një shpjegim domethënës, për pyetjet e më sipërme, gjithmonë sfiduese për personin, por edhe për bashkësinë njerëzore, e jep shkrimtari erudit, Jorge Luis Borgesi, te tregimi Ulrika në formën e një dialogu konciz.

Ajo më pyeti e menduar: Ç’do të thotë të jesh kolumbian?

-Nuk e di, -iu përgjigj. –Është një akt besimi.

Kombi është një akt besimi. Asgjë ma shumë e as më pak. Pjesëtarët e një kombi, bashkohen rreth idealeve të kombit, duke krijuar kulturën e përbashkët dhe kështu duke e shndërruar kombin në një akt besimi, rreth së cilit rrinë të bashkuar të gjithë pjesëtarët e tij. Vetëm duke besuar te e kaluare e tij, (që është traditë e përbashkët), pastaj te ambiciet e tij, e sidomos te gjuha dhe kultura, pjesëtarët e një shoqërie e ndjejnë kombin si një akt besimi dhe krijojnë kohezion e harmoni të brendshme. Pikërisht për këto arsye, shumë njohës të çështjeve shoqërore, mbrojnë idenë se kombet janë ma shumë unitet gjuhësore dhe kulturore, sesa unitet racore.

Nga kjo që thamë, del se kombin e ushqejnë marrëdhëniet e brendshme strukturore, që janë të fuqizuara sidomos nga kultura dhe gjuha, si shtyllat fundamentale mbi të cilat ngrihet dhe mbahet kombi. Këto elemente fundamentale, krijojnë heronjtë e një kombi, figurat eminente dhe etërit e tij, tek të cilat besojnë pjesëtarët e kombit, sidomos në çaste të vështira. Në këtë mënyrë, krijohet ndjenja e besimit dhe kështu kombi bëhet një akt besimi që vetvetiu i shuan dallimet e mundshme brenda vetes.

Për shqiptarët, kombi a është akt besimi? Çfarë do të thotë të jesh shqiptar, sot, në këto realitet të reja gjeopolitike që janë krijuar sidomos në dy dekadat e fundit? A kanë shqiptarët përgjigje unike për këto pyetje esenciale?

Po ta kërkonim një përgjigje në këtë pyetje, ajo do të varionte dhe do të varej nga kategorizimet që ekzistojnë brenda kombit. Kohezioni i brendshëm, te ne është prekur pikërisht në kohën kur shqiptarët jetojnë më të lirë se kurrë më parë. Në këtë kontekst, përgjigjen sigurisht s’e jep të njëjtë ai që e ndjen veten brenda identitetit europian të shqiptarëve, në raport me atë që s’e ndjen. Për më tepër, kjo përgjigje vjen e komplikohet, nëse merren për bazë figurat kryesore kombëtare, etërit e kombit, rreth të cilëve kohëve të fundit janë shfaqur jo pak dallime. Këto dallesa, shpeshherë ngrehin pikëpyetje sfiduese para shqiptarëve. E një nga ato sigurisht është edhe pyetja, nëse është kombi ynë, një akt besimi, rreth të cilit ne ushqejmë ndjenjat e përbashkëta të përkatësisë apo kombi është një arenë ku ne vringëllojmë shpatat e ndarjeve?

Këto pyetje të shumta, natyrisht kërkojnë analiza dhe interpretime të shumta e nga dije të ndryshme. Një gjë është më se e sigurt. Në këto pyetje, shqiptarët s’kanë qëndrime unike dhe kjo duhet ta shqetësoj çdo kënd që merret me çështje të kombit. Kjo sidomos duhet t’i shqetësoj elitat (nëse kanë mbet të tilla) dhe edukatorët e këtij kombi. Këto dilema, vazhdojnë ta rëndojnë jetën tonë kombëtare, sidomos viteve të fundit, prej kur brenda nesh kanë filluar të rihapen debate për identitetin kombëtar shqiptar dhe dilemat nëse ai është unik apo i fragmentuar. Ndërkaq, këto debate, kanë marrë kahe më dëshpëruese, sidomos pas shfaqjes së një fryme çoroditëse neootomane në jetën tonë kombëtar. Kjo frymë, e cila së pari është stimuluar nga qarqe turke, me kohë zuri vend te disa pseudo intelektualë shqiptarë, të përkrahur po ashtu nga disa pseudo historianë dhe në këtë mënyrë është ngritur mjerisht deri në nivelet e larta qeveritare.

Debatet për identitetin kombëtar dhe përkatësinë civilizuese të shqiptarëve, kanë rishfaqur prirje dhe orientime të ndryshme brenda jetës sonë kombëtare. Pikërisht këto debate, kanë stimuluar një klub të strehesave, siç i quan Ismail Kadare, ta çmitizojnë figurën e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotin e Nënë Terezës. E sulmet s’mbarojnë këtu, por vazhdojnë me teoritë për kombin kosovar e gjepura tjera, se gjoja perandoria osmane s’na paska qenë pushtuese, por administruese.

Rihapja e këtyre temave, edhe njëherë e ka parashtruar nevojën e qartësimit të raporteve tona me vetveten. Pikërisht për këtë, shkrimtari ynë më i afirmuar dhe një nga mendjet më të mbrehta, Ismail Kadare ka shkruar një libër testamentar,“Mosmarrëveshja-Shqipëria përballë vetvetes”, ku me një analizë të shkëlqyeshme e ve shqiptarin para përgjegjësisë kombëtare, që të qartësojë veten dhe ndërgjegjen e tij në raport me të shkuarën dhe kështu të hap shtigje për të ardhmen.

Derisa të krijojmë një kohezion të brendshëm dhe një harmoni kombëtare, që pyetjeve dhe dilemave idetintare t’iu japim zgjedhje përfundimtare, ne s’do të qetësojmë ndërgjegjen e trazuar kombëtare. Këtë sigurisht s’mund ta bëjmë pa e respektuar traditën e përbashkët, kulturën e përbashkët me shenjat e tiparet dalluese identitare. Kjo është mënyra e domosdoshme për t’i kultivuar ndjenjat e përkatësisë unike kombëtare. Vetëm në këtë mënyrë, krijojmë ndjenjën e përkatësisë së përbashkët për kombin tonë dhe flakim dallimet që janë rrit dukshëm viteve të fundit, por që janë artificiale.

Historia s’duhet lejuar të bëhet barrierë për të ndërtuar të sotmen tonë kombëtare. Atë duhet ta marrim si një pikënisje për rrugëtimet e ardhshme.

Andaj, është në ndërgjegjen e klasës intelektuale, t’ju jap përgjigje të qartë këtyre dilemave që për nga rëndësia, tejkalojnë gjitha debatet e pakuptimta që bëhen ndër ne për politikën dhe degradimet që ka pësuar ajo, për paaftësinë e klasës sonë politike me çua vendin përpara, ngase këto degradime e çoroditje, vijnë nga fakti se kombi ende s’është bërë akt besimi për gjithë shqiptarët.

Realitet e reja që janë krijuar nder shqiptar, çuditërisht s’na kanë unifikuar në pyetjet e lartështruara. Përkundrazi, sot më shumë se kurrë sulmohet heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, humanistja dhe nderi i shqiptarëve në botë, Nënë Tereza, e kështu me radhë. Pikërisht këtu ka filluar çarja e rrezikshme brenda nesh.

Do te ishte skajshmërisht e trishtueshme dhe fatalisht katastrofale, psh. të mendohet, se kombi kosovar është zgjidhja ma e mire për të tashmen e shqiptareve qe jetojnë në këtë pjesë të gjeografisë politike shqiptare. Kjo nëse s’është punë miopie politike e kulturore, është veprim qëllimkeq që shqiptarëve ju vë edhe një digë të rënd në rrugën e konsolidimit dhe avancimit.

Nga këto përsiatje, e shohim sa e domosdoshme është nevoja për një ripërtëritje shpirtërore, duke ju kthyer etërve të kombit, atyre që na formësuan dhe jetësuan idenë kombëtare. Krizat e shpërfaqura identitare, janë një sinjifikativ i qartë se ndër ne duhet një rilindje, që t’ju japim përgjigje përfundimtare këtyre dilemave të makthshme. Vetëm kësisoj mund t’i tejkalojmë barrierat e rënda të së sotmes, që shpeshherë ju detyrohen të kaluarës sonë dhe pastaj të hapim shtigje të reja, për t’u integruar brenda familjes perëndimore, me dinjitet dhe respekt.

Ma shumë se për këndellje politike, kemi nevojë për këndellje shpirtërore, që përgjumja jonë përballë këtyre dilemave të na zgjojë dhe ta shohim realitetin në sy.

Empiria na ka dëshmuar faktin se popujt që s’marrin mësim nga e kaluara e tyre, janë të destinuara të ripërsërisin gabimet e njëjta.

Faik Konica, eruditi i pashembullt dhe kritiku më i madh shqiptar, që fishkëllente pa kompromis plagët dhe cenet e karakterit shqiptar, thoshte se “…është nevoja t’i japin shpirt kombit shqiptar. Ky është problemi me i madh i Shqipërisë”. Pas kaq dekadash, qyshkur Konica pikasi me pedanteri prej eruditi këtë nevojë, që shkonte në drejtim të bërjes së shqiptarëve, pas bamjes se Shqipërisë, ne e shohim sesa aktuale është kërkesa e tij sot. Shqiptarëve ju duhet një ide e qartë për të ardhmen, një ideal i shëndoshë, për te triumfuar kundruall kësaj gjendje dhe mendësie jondërtuese. Për ta zhdukur te keqen, duhet krijojmë idealin e te mirës e këtë ideal duhet ta ndjejnë gjitha shtresat e kombit. E, që të ndodh kjo, duhet një shkollë e re kombëtare, që do të motivohej nga qëllime sublime dhe ideale të larta kombëtare. Kjo shkollë në viteve të indipedencës ka ekzistuar dhe dha fryte të dobishme. Tash duhet ta rifunksionalizojmë. Etërit e kombit, duhet t’i bëjmë pararojë për të sotmen dhe udhërrëfim për të ardhmen, ndërkaq filozofinë e pastër oksidentale, që e promovuan pa ekuivokë gjithë mendimtarët shqiptarë, në kohën kur u bë Shqipëria, duhet ta rikthejmë dhe ta vejmë në punë, në funksion të interesit të përgjithshëm kombëtar. Asnjë rruge tjetër, s’është e sigurt, veçse e shton agoninë tone te gjatë.

Përcaktimi kulturor dhe civilizues i shqiptareve vjen natyrshëm nga shtrati kulturor dhe gjuhësor perëndimor, ku bën pjesë edhe kultura jonë që nga fillesat e saj e gjer me sot. Devijimet neper kohë kanë qenë të shtrënguara here nga pushtuesit e here nga ideologjitë shtrembëruese, por shqiptaret asnjëherë s’janë shkëput kulturalisht nga perëndimi, prandaj gjitha ato ide që vijnë si barriera për të sotmen dhe përpiqen ta fragmentojnë të kaluarën, shqiptarët e ndershëm e kanë për detyrë t’i braktisin dhe t’i hedhin në koshin e mbeturinave kundërmuese. Në këtë mënyrë, kombi bëhet një akt besimi rreth së cilës rrimë gjithë të bashkuar.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: akt besimi, Kombi eshte, Ndue Ukaj

TE MARTEN, Z. MARK GJONAJ PARAQET REZOLUTEN PER PAVARESINE E KOSOVES NE ASAMBLENE E SENATIT TE NY

February 11, 2013 by dgreca

Ju njoftojmë se ne datën 12 Shkurt 2013, duke filluar ne oren 11:00 paradite ne sallën e Asamblesë dhe Senatit në Albany, të New Yorkut do te mbahet një ceremoni ku do të lexohet, si dhe do te aprovohet rezoluta e përgatitur nga Assemblyman i District 80th ne Bronx te New Yorkut, z. Mark Gjonaj me rastin e 5 vjetorit te pavarësisë së Kosovës.
Ne kete ceremoni do te marrin pjese titullarë, aktiviste, si dhe musafirë te komunitetit shqiptar ne SHBA.

Ceremonia do te zhvillohet ne ora 11:00 ne adresen:

The Capitol Building

State Street,

Albany, NY 12230

 

Filed Under: Kronike Tagged With: nga Mark Gjonaj, Njoftim

NJË YLL I RI I PARTISË REPUBLIKANE NË SHBA?

February 11, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Këtë të martë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, si çdo vit, mban fjalimin e tij mbi gjëndjen e kombit.   Gjatë këtij fjalimi, Presidenti Obama sigurisht që do të mburret me arritjet e administratës së tij gjatë vitit të kaluar dhe do të përpiqet të jap hollësi dhe të njoftojë popullin amerikan mbi programet dhe iniciativat që ai ka në plan t’ua paraqes ligjvënsve amerikanë për aprovim gjatë këtij viti.   Është gjithashtu traditë që partia në opozitë të paraqesë edhe ajo planet dhe programet e saj, të kritikojë politikën e administratës dhe t’i përgjigjet fjalimit të Presidentit. Partia në opozitë, zakonisht cakton një politikan popullor në nivel kombëtar, për  të mbajtur fjalimin dhe për t’ju përgjigjur pretendimeve të presidentit.

Këtë vit, Partia Republikane në opozitë ka zgjedhur Senatorin e ri republikan nga shteti Florida, Zotin Marc Rubio, popullariteti i të cilit duket se është në rritje, jo vetëm në shtetin Florida që ai përfaqëson, por edhe anë e mbanë Amerikës, sidomos pasi ky përqafoi kauzën për zgjidhjen e çështjes së imigracionit ilegal në këtë vend. Gazeta Washington Post citon udhëheqsin e republikanëve në Kongres, John Boehner, se Senatori Rubio u caktua t’i  përgjigjet fjalimit të Presidentit Obama mbi gjendjen e kombit,  sepse senatori republikan nga Florida, si rrallë ndonjë tjetër,  “është  bartës i parimeve të Partisë Republikane dhe  i vlerave të lirisë, mundësive dhe begatisë  që ajo promovon”.

Është një fenomen ky i politikës amerikane në përgjithësi që lejon dhe mundëson angazhimin e politikanëve të rinjë në jetën politike të vendit dhe në veprimtarinë e politikës brenda partisë të cilës i përkasin.   Kështu ndodhi edhe me Presidentin Barak Obama, i cili pothuajse nuk njihej aspak nga votuesit amerikanë, kur për herë të pare ai  iu paraqit amerikanëve me fjalimin që  mbajti me 2004 në Kuvendin e Partisë Demokrate, duke i hapur atij rrugën për zgjedhjen e tij president të Amerikës, katër vjetë më vonë.    Edhe Partia Republikane po vendos përballë Presidentit Obama dhe para popullit amerikan Senatorin Marc Rubio, një  ligjvenës të ri me prejardhje kubane duke i dhënë  atij rastin dhe mundësinë për të shpjeguar idetë e tija — dhe të partisë që ai përfaqëson — për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet sot Amerika.   Ai do të flasë në anglisht dhe spanjisht,  që është gjuha e prindërve të tij dhe të cilën ai e flet rrjedhëshëm.

Por kush është Senatori Marc Rubio, të cilin revista amerikane Tajms e quan si, ”Shpëtimtarin e Partisë Republikane”, ylli i të cilit duke se po rritet brenda kësaj Partie, dhe të cilin strategu republikan Karl Rove e ka quajtur atë si, ”komunikuesin më të mirë ç’prej Ronald Reaganit.”  Udhëheqsi i republikanëve në Senatin amerikan, Senatori  Mitch McConnell, tha se, “Marc Rubio mishëron optimizmin  që është në zemër të vizionit të Partisë republikane për të ardhmen e Amerikës.  Përvoja e tij si bir imigrantësh e ka bindur atë  mbi përfitimet që vijnë nga kufizimi i kompetencave të qeverisë si edhe në lirinë ekonomike.”

Z. Marc Rubio, i cili është 41 vjeç,  ka shërbyer në Dhomën e Përfaqsuesve të shtetit Florida nga viti 2000 deri në 2008, dhe është zgjedhur Senator i  Shteteve të Bashkuara nga ky shtet,  në vitin 2010.

Në biografinë e tij, Senatori Rubio thotë se besimi i tij në Amerikën u formua heret nga prindërit e tij të cilët emigruan nga Kuba më 1956 dhe pasi diktatori komunist Fidel Kastro soldifikoi regjimin e tij, ata nuk u lejuan të këtheheshin më në atdheun e tyre.   Ishte përvoja dhe kujdesi brenda familjes, thotë ai,  që e ndihmuan të formonte  jetën e tij si person dhe si politikan.  Ai falenderon prindërit e tij për punën e rëndë të tyre për të siguruar që ai dhe vëllëzërit e motrat e tij të kishin mundësitë për të shkuar përpara, mundësi të cilat ata nuk i patën kurrë në jetën e tyre.   Duke shprehur fillozofinë e tij konservatore të qeverisjes, ai shprehet se,  ”ishte angazhimi i Amerikës për një qeveri me kompetenca të kufizuara, si edhe liria ekonomike, që hapën dyertë e suksesit për mua” , thotë ai.   Ai shton  se si anëtar i Senatit Amerikan, ai ka përkrahur me krenari ata që kanë hapur vende të reja pune, dhe ka mbështetur prindërit amerikanë, misjoni i të cilëve në jetë është që — për fëmijtë e tyre — të ndërtojnë një Amerikë të fortë e të begatë.   Përsa i përket politikës së  brendshme, ai ndër të tjera është në favor të  balancimit të buxhetit federal dhe për shkurtimin e shpenzimeve të qeverisë federale.

 

Senatori Marc  Rubio, si bir imigrantësh nga Kuba, dhe si pjesëtar i një grupi senatorësh të cilët janë duke përpiluar legjislacionin për zgjidhjen e problemit të imigracionit ilegal në këtë vend ka thënë se, ”Shumica e Amerikanëve besojnë se kemi nevojë për një sistem imigracioni legal që funksionon, pasi ky që kemi tani nuk i përshtatet kushteve të shekullit 21.”   Ai, në të njëjtën kohë, ka marrë pjesë në debatet mbi politikën e jashtme amerikane, duke përmbledhur qëndrimet e tija  duke thënë  se, ”me krenari ka artikuluar qendrimin e tij në lidhje me interesat e Amerikës për të kundërshtuar tiranët e rrezikshëm,  dhe në mbështetje të luftëtarëve të lirisë”, dhe se ka ngritur zërin e tij në ”përkrahje të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut”, anë e mbanë botës. I vetdijshëm  për popullaritetin e tij në rritje, Senatori Rubio ka mbajtur një numër fjalimesh në të cilat ai ka prononcuar qendrimet e tija, duke dhënë hollësi, nga pikëpamja e tij, mbi një numër çeshtjesh aktuale për Amerikën dhe për  botën.  Ai ka theksuar qendrimet e tija konservatore mbi politikën e brendshme dhe të jashtme, përfshirë politikën ekonomike dhe financiare, që sipas tij, duhet të krijojë taksapagues të ri dhe jo të imponojë taksa të reja; dhe të merren masa mbarëkombëtare për të siguruar që shekulli 21, të jetë një  “Shekull tjetër Amerikan”.   Senatori Rubio  ka folur mbi rolin që duhet të luaj qeveria në Amerikë dhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë në botë.   Ai ka thënë se do të vazhdojë të jetë i angazhuar në politikën e jashtme, pasi shumë njerëz, anë e mbanë botës, “gjithnjë brutalizohen dhe skllavërohen nga qeveritë e tyre”.

E ardhëmja politike e Senatorit Marc Rubio është bërë tanimë një burim spekullimesh në qarqet politike dhe në median amerikane – dhe caktimi i tij për t’iu përgjigjur fjalimit të Presidentit Obama mbi gjëndjen e kombit, vetem do t’i nxisë edhe më tepër këto spekullime, duke e ngritur edhe më shumë profilin e tij si një kandidat i mundshëm iPartisë Republikane për president në vitin 2016.
Caption: Senatori Marc Rubio i shtetit Florida

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, i Partise Republikane, Nje yll i ri

NE 5 VJETORIN E PAVARESISE- $ 27 MIJE DOLLARE PER KATEDRALEN”NENE TEREZA” NE PRISHTINE

February 11, 2013 by dgreca

Kisha Katolike Zoja e Shkodrës në New York, kremtoi 5 – Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. U mblodhën 27 mijë dollarë kontribut për ndërtimin e Katedrales Nëna Tereze në Prishtinë. Synohet qe shifra e pergjithshme te shkoje1 milon e 500 mije Dollare/

Nga Beqir SINA New York/

BRONX – NEW YORK   Kisha Katolike Zoja e Shkodrës në New York, mblodhi mbrëmë në lokalin e njohur Eastwood – Manor disa dhjetra besimtarë në një mbrëmje solemne, për të festuar 5 – Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe për të kontribuar në përfundimin e ndërtimit të Katedrales Nëna Tereze në Prishtinë.

“Motra dhe vëllezer nga të gjitha trojet e shqiptarise, iu drejtua në fillim të fjalës së saj drejtuesia e kësaj darke, Etrita Ibroci, me ndjenjën e mallit për atdhe, me ndjenjën krenarisë – Gëzuar ! pesë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës!”

Më tej ajo tha se kan kaluar vetëm disa muaj më parë, kur ne të gjithë shqiptarët kremtuan 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe tani së bashku si në Prishtinë, Shkup, Tiranë dhe në diasporë po festojmë 5 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Për këtë vijojë Ibroci, vërtetë duhet të jemi të lumtur me progesin dhe zhvillimin që shënuan vendet tona të prejardhjes, edhe pse ende ka shumë për të bërë duke shtuar  se këtu ne New York dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, komuniteti shqiptar po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë përbërës i këtij vendi.

“Biznesët dhe ndërmarrjet shqiptare, u shpreh ajo janë ndër më të sukseshmit ku profesionistët dhe studentët tanë janë bër shembujë në mesin e kolegëve të tyre dhe po dallohen në mjekësi, në drejtësi, në financë dhe, së fundmi, edhe në qeveri. Mark Gjonaj është shembulli më i mirë i sukseit tonë në Amerikë, ai tashmë është zgjedhë në Asamblenë e Neë York-ut si udheheqësi i parë i zghedhur i komunitetit tonë në SHBA. Kjo, mendojë tha Ibroci,  duhet të na motivojë të gjithëve që të besojmë se vërtetë të gjitha mundësitë i kemi të hapura.” Mirëpo, sugjerojë ajo gjithsesi, është mirë dhe me rëndësi që ne njëkohesisht ti ruajmë lidhjet me trojet tona dhe me njeri tjetrin, duke shtuaar se dhe pikërisht për këtë arsye gjithmonë ajo ka pas dëshirë të marr pjesë në një organizim si ky, sot.

Ibroci drejtuesia e kësa darke u shpreh se :”Sot po takohemi edhe për t’i mbledhur fondet e për ta përfunduar Kishën e Nenës Terezë në Prishtinë, mbasi kjo kishë lartëson jetën dhe vepren e Nenës Terezë dhe ua kujton gjithë botës se ajo ishte pika më e lart e sakrificës dhe humanizmit shqiptar. Uroj që kontributi i të gjithëve këtu dhe kontribute tjera të ndihmojnë përfundimin e këtij vendi të shënjtë sa më shpejt.

Edhe njëherë, urime për pavarësinë e Kosovës! Kemi fatin që diçka që ishte aq vështirë për të arritur tashmë po kthehet në një festë e pervjetor i zakonshëm dhe i rregullt.” përfundojë fjalën e saj hyrse Etrita Ibroci

Mbas fjalës hyrëse të drejtueses së kësaj darke zonjushes Etrita Ibroci, intonimi i dy himneve të Shqipërisë dhe SHBA, u krye dhe bekimi i darkës  nga – Domm Pjeter Popaj famulitari i Kishes Katolike “Zoja e Shkodres”

Në bekimin e tij famullitari i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës, dom Pjetër Popaj, u lut për 5- Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: “Vëllezër e motra, tha dom Pjetri, sonte të bashkuar të përgëzohemi me njëri tjetrin për pesë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, dhe për këtë tha ai ; të falemnderojmë Zotin për datën historike të 17 Shkuriti 2008, ditën e shumë pritur, realizmin e ëndërrës tonë, i luftëtarëve trima, që kanë derdhur gjakun për liri e pavarësi, për truellin shqiptar, për Kosovën tonë kreshnike.” Në këtë bekim ai një nderim të veçantë i dha kujtimit të dëshmorëve që sakrifikuan veten për atdhe , dhe u lut që atyre lavdi u qoftë emri i tyre mos u harroftë!

“Të falenderojmë Zotin, vazhdojë Dom Pjetër Popaj,  që na ka ruajtur ndër shekuj sidomos kur ishim në kriza të mëdha kombëtare deri te pika e shkatërrimit. Kur armiqtë na sulmonin për t’na zhdukur, Zoti i lum la dërguar dashamir për t’na ndihmuar të qëndrojmë të fortë në këmbët tona. Kjo gjë është verteuar me ndërhyrjen e Amerikës për çlirimin e Kosovës. Gjatë historisë ne kemi pasur pak miq, por miqt i kemi pasur të fortë.”

Kosova trime, siç u shpreh ai ka kaluar rrugën e Kalvarit, të mundimit e të vuajtjes, të dhunës e gjakderdhjes, por urojmë që ta gëzojë lirinë e pavarësinë e merituar, të dëshiruar prej stërgjyshve tanë, tha Dom Pjetër Popaj.

Më pas ai lut për Kosovën dhe udheqjen e Kosovës; “Lutemi edhe për udheheqësit e Kosovës, që me urti t’a drejtojnë këtë popull në përparim duke ruajtur vlerat morale, në familje e në shoqëri. Të ruajnë të drejtat e njeriut, të përdorojnë paqen e mirëkuptimin dhe të kultivojnë gjërat që na bashkojnë.”

Duke i falenderuar etërit tanë, u shpreh Doma Pjetër Poaj ne kemi një histori të përgjakur por të lavdishme. Trojet tona janë larë me gjakun e dëshmorëve tanë. Besa në Zotin, burrnija, fisnikëria kanë qenë ndershmërija e krenaria e të parëve tanë. Dhashtë Zoti që edhe ne t’u përngjajmë baballarëve tanë duke përcjellur këto cilësi gjeneratave të ardhëshme, duke ndihmuar njeri tjetrin në nevojë, duke jetuar si vëllezër e motra, të një gjaku, të një tradite, të një historie, në paqe me Zotin e në paqe me njëri tjetrin.Gëzuar 5 vjetori i pavarësisë, lavdi herojve tanë e rroftë populli shqiptar, th në fund të fjalës së tij Dom Pjetër Popaj.   Raportin e dertanishëm të fushatës së mbledhjeve të ndihmave financiare për ndërtimine Katedrales në Prishtinë nga Kisha Katolike Zoja e Shkodrës e mbajti drejtori i Qendrës Nëna Tereze, zoti Mark Shkreli

“Komuniteti shqiptar i New Yorkut me rrethe, tha zoti Mark Shkreli, drejtori i qendrës kulturore Nëna Tereze, pranë Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në Neë York, është krenar për kontributin e madh dhe të rëndësishëm që ka dhënë për të nderuar emrin e Nëna Terezes me këtë tempull madhështor në mes të Kosovës, duke dhuruar deri tani 1 milion e 350 mijë dollarë”

Në vijim me një fjalim rasti u prezentuar edhe Ambasadori Bekim Sejdiu – Konsul i Përgjithshëm i Kosovës në New York

” Kombin tonë në shekuj e kan shquar vlerat e harmonisë, dhe të bashkëjetesës fetare, mirëkuptimit dhe përkushtimit dhe vizioni progresivë , tha Ambasadori Sejdiu, të cilat në raport me kombet e tjera dallohen nga një shpirti i madh , simbol i kombit tonë e cila është personaliteti i Nënë Terezes me të cilën ne të gjithë shqiptarët mburremi sot.” Ambasadori Sejdiu u shpreh se po shfrytëzojë rastin në emër të qeverisë së Kosovës, të falemnderojë të gjitha ata që kan kontribuar dhe po kontribojnë për Katedralen Nëna Tereze në Prishtinë, dhe per të gjithë atë që ka bërë e bënë diaspora shqiptare në SHBA për Kosovën dhe vendin tonë.

Mbasi, sipas tij ju fëmijët tuaj dhe nipat e mbesat tuaj duhet të jenë krenar me përkatësinë dhe indetitetin tuaj kombëtar. Gjithashtu duhet të mbeteni qytetar të ndërshëm dhe patirotik të SHBA, këtij kombi të madh i cili ashtu si me presidentin Uillson që shpëtojë Shqipërinë, dekadën e fundit përpkrahjen dhe mbështetjen që i dha Kosovës për liri e e pavarësi. Andaj do të them se çdo sukses i juaji është një sukses edhe për ne dhe jemi krenar që sot në mesin tonë kemi një sukses – i cili është anëtari i Kuvendit të Nju Jorkut Mark Gjonaj.

“Kjo darkë, tha më tej Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, Ambasadori Bekim Sejdiu koincidon me një datë historike të kombit tonë – 5 – Vjetorin e Pvarësisë së Kosovës, ndërkohë që ne ende mbetemi nën atë entusiasimin e madhe të festimve madhështore të 100 – Vjetorit të Shqipërisë, mendojë se këto janë momente që ne shqiptarëve duhet të na shërbejnë si një inspirim që të punojmë ditë e nate për vendin tonë me një përkushtim duke ruajtur edhe vlerat tona euro-atlantike. Në atë mënyrë që atë vizionin tonë t’a bëjmë një realitet në jetën tonë qoftë në një kuptim më të thjeshtë atë simbolik apo praktik.”

Me një mesazh pershëndetës në këtë darkë erdhi dhe Assemblymani shqiptarë në Asamblenë e New Yorkut, zoti Mark Gjonaj:”Është një kënaqësi e veçantë që kjo darkë ashtu si bashkon dy qëllimet e saj ; celebrimin e 5 – Vjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe darkën humanitare tashmë tradicionale për bashkim fondesh na bashkon më shumë edhe ne si shqiptarë., por do të theksoja se kemi shumë për të bërë përsëri së bashku dhe të bashkuar.

Megjithëse, se sot është një kohë shumë e keqe asnjërin prej juve nuk e ka ndalur, të mblidhemi së bashku të celebrojmë 5 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, mbasi kjo është dita që erdhi edhe me punën dhe kontributin tuaj, skarficën tuaj, për të ndihmuar edhe ju në këtë ditë të madhe, që së bashku me SHBA-ës, të beheni simbol i të gjithë shqiptarëve në botë..

Dhe të gjithë së bashku ashtu si kemi punuar deri tani lë të punojmë edhe në të ardhmen për të mirën e vendit tonë, Zoti e bekoftë Amerikën, Zoti i bekoftë shqiptarët dhe Zoti e bekoftë pavarësinë e Kosovës.”Një mesazh falënderimi për të gjithë kontribuesit dhe iniciatorët e kësaj darke  përcolli Kryetarit i Komisionit të Fushatës: Marjan Cubi. Duke vëlersuar dedikimin e pjesëmarrësve për këtë mbrëmje zoti Cubi përcolli një falemnderimtë veçantë si tha ai për këngëtarin Agim Gërbeshi, i cili me inisiativën e tij – dhe kolegëve Shqipe Kastrati, Alfred Popaj dhe Grupi 4 Yjet, falas organizoi këtë darkë për disponimin tuaj – me qëllim që mjetet financiare që do të mblidhen ti dërgohen Katedrales Nëna Tereze në Prishtinë.  Më tej në fjalën e tij zoti Cubi u shpreh se ky 5 – Vjetor i Pavarësisë së Kosovës dhe ndërtimi i Katedralesë në Prishtinë , dhe ky bashkim i ynë nuk do të ishin po të mos kishte qenë edhe artitekti i tyre – Presidenti i parë historikë i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Cubi ka nderuar me këtë rastë edhe punën e rolin e Ipveshkit të parë të Kosovës Imzot Mark Sopin dhe Imzot dom Gjergjin për përpjkejet tija.

“Një falenderim të posaçëm ai drejtohet komisionit organizativë, dhe të gjithë donatorëve prej ditës kur u çelë kjo fushatë, dhe pjesmarrjësve të kësaj darke, Dom Pjetër Poajt, si dhe argëtuesve të kësaj mbrëmje që kishin ardhur falas, duke i dhanë solemnitetin e duhur të kësaj mbrëmje. Profti i darkës, tha ai si dhe fonde tjera që grumbullohen sonte në këtë darkë do të shkojnë për katedralen e Prishtinës. Jam i sigurt se edhe kjo darkë me bujarinë tuaj do të dalin me sukses. Zoti jua shpërbleftë të gjithëve u shpreh Kryetari i Komisionit të Fushatës zoti Marjan Cubi duke deklaruar në emër të komisionit se u mblodhën 26.700 dollarë. Darka u shoqërua me një programi të pasur muzikor  me këngëtarët e njohur të komunitetit Agim Gerbeshi , Shqipe Kastrati, Alfred Popaj dhe Grupi 4 Yjet

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, mbildhen 27 miej dollare, ne 5 vjetorine pavaresise, ne Prishtine, Nene Tereza, per katedralen

ISH-PREFEKTURA E VLORËS –GODINA E VITIT 1919 ME VLERAT TË SPIKATURA ARKITEKTONIKE

February 11, 2013 by dgreca

Nga GËZIM LLOJDIA/
Godina e ish-prefekturës Vlorës ka një moshë 93 vjeçare. Sipas specialistëve  kjo godinë dallohet për vlerat të spikatura arkitektonike e ndërtimore. Përkarshi xhamisë “Muradie”,në të djathtë kur shkon drejt të Sheshit historik të Flamurit  të bie shpejt në sy kjo godinë karakteristike me arkitekturë të veçantë nga ndërtimet e viteve të fundit. E parestauruar nën peshën e  mbi 90 viteve jetë,godina thuajse kishte shkuar në limitin e fundit të ekzistencës së saj.Thuhet se Ugolini ne Vlore nuk dalloi ndonjë monument ne sipërfaqe përveç xhamisë se Muradies.Godina e ish-prefekturës së Vlorës është shpallur Monument Kulture i Kategorisë se Parë me vendim Nr. 654, datë, 09.11.2006.Në këtë listë u shpallën monumente kulture një sërë objektesh historike që ruante qyteti i Vlorës si : Ish-prefektura, ndërtesë e vitit 1919,banesë qytetare në lagjen “Hajro Cakërri” e shekullit XIX, ndërtuar me materiale të traditës gurë dhe dru. Shkolla “28 Nëntori” në vitet 1851-1908 ka shërbyer si mejtep. Në vitin 1908 u çel për herë të parë shkolla shqipe, sot vijon të shërbejë si shkollë 9-vjeçare. Ish-selia e Qeverisë Provizore të Vlorës në 1912, ndërtesë në lagjen “Hajro Cakërri”.Banka BKT,Muzeu historik,ish-galeria e Arteve në qyte,bashkia,sahati,kisha katolike,banesa të tjera të hershme karakteristike.Godina është një ndërtesë që i përket viteve 1919 me dy kate lartësi.
Në Vlorë foli prefekti – Labe (Dukat, Vlorë)
Në Vlorë foli prefekti O Vloro, Kanino (pas çdo vargu) Osman Haxhi Muhameti Të më mblidhenë mileti Se vjen Qemali nga deti
Pas largimit te Ibrahim Avdullahut si Kryekatundar u vendos qe administrimin e Vlorës ta merrte Osman Haxhiu ne emrin e prefektit. I biri i Miftiut te Vlorës Haxhi Muhametit dhe një nga familjet me te pasura te Vlorës. Shume aktiv qe ne fillim te shekullit, një nga mbështetësit kryesor te Ismail Qemalit. Me vone do te këtë një karriere te shkëlqyer, Kryetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” te Luftës se Vlorës, delegat ne Kongresin e Lushnjes, deputet ne parlamentin shqiptar.
sman Haxhiu –Armen–një nga mbështetësit e Ismail Qemalit, ish prefekt i Vlorës, një nga njerzit më të pasur në Vlorës, që e vuri pasurin e tij në shërbim të Atdheut. Kryetar i “Komitetit Mbrojtja Kombtare” Pas luftës deputet në Parlamentin e parë Shqiptar. Djali i tij Myhedin Haxhiu, Kryetarë i Bashkisë së Vlorës. Pas “çlirimit” u arratis jashtë shtetit së bashku me vëllanë e tij Galip Haxhiun.
Specialistë të IMK kanë bërë një përshkrimi arkitektonik dhe konstruktiv të kësaj godine e cila  ka vlera të thkeësuar ku thuhet se:Godina e Ish Prefekturës është ndërtuar rreth vitit 1919. Gjatë kësaj periudhe qyteti i Vlorës pati një zhvillim i cili pas caktimit të kufijve në vitin 1913 dhe ndërprerjes së rrugëve tradicionale të tregtisë u kthye në pikë e rëndësishme transite. Zhvillimi urbanistik dhe arkitektonik i kësaj periudhe  u kushtëzuan nga arritjet e periudhës pararendëse, nga kërkesat për të zgjeruar gamën e gjinive ndërtimore, si dhe nga zhvillimi i ri ekonomiko shoqëror. Ndërtimet e kohës, kërkonin eksperiencën e projektuesve të specializuar, si vendas ashtu dhe të huaj. Një nga rrymat veprimi i të cilës u ndje gjatë kësaj periudhe në vendin tonë ishte eklektizmi i cili mbizotëronte ende mbi qytetet e tjera të Ballkanit dhe Evropës. Manifestimet e para të kësaj arkitekture i ndeshim fillimisht në Angli, në shek. XVIII – XIX dhe në fillimet e shek. XX. Prirjet ndaj eklektizmit u shfaqën jo vetëm në disa ndërtime të projektuara nga inxhinierë të huaj, por edhe në ndërtimet e projektuara nga inxhinierë dhe arkitektë vendas. Manifestime të kësaj periudhe ishin kalimtare dhe nuk patën një shtrirje shumë të gjerë. Kjo arkitekturë u pasua me depërtimin e arkitekturës neo – klasike sidomos me ndërtimet e viteve 30’40’.Arkitektura e ndërtesës së ish Prefekturës është përfaqësuese e  arkitekturës me prirje eklektike dhe neoklasike. Ndërtesa të kësaj periudhe me elemente të ngjashëm arkitektonik në qytetin e Vlorës janë ndërtesat e Bashkisë, dhe Muzeut të Luftës.Suvatimi i jashtëm  shërben si një mjet shumë i përshtatshëm për  zbukurimin e godinës, i cili është, lehtësisht i zbatueshëm dhe krijon një shumëllojshmëri formash  e motive dekorative.  Një përpunim i tillë rit së tepërmi  plastikën dekorative të fasadave, dhe për të mënjanuar mbingarkesës janë  krijuar  plane të pastra  në katin përdhe të cilat ndihmojnë për daljen në pah të elementëve në reliev dhe bëjnë të efektshëm lojën dritë- hije.Kreu i dritares treshe  është  pjesa më e zbukuruar me kornizë, në formë vetullore sipër hapësirës së dritares. Në të dy skajet dalin pilastra me  kapitele të dekoruar. Elementët e aplikuar janë motive të ndërlikuara, si lule, stilizime gjethesh, imitime, të dentikulave (dhëmbëzave) antike. Vendosja kornizave dekorative  në reliev, poshtë hapësirës së dritares duke krijuar breza  horizontalë thyejnë shtrirjen vertikale të  fasadave.  Element i fuqishëm i përpunimit dekorativ  është streha  nën çati, me bishta të gdhendur, (testekë),  cila  vjen si përpjekjet për futjen e frymës kombëtare me stilizimin e elementeve të huazuar nga arkitektura popullore. Elementët dekorativ parapërgatiteshin  gjatë ndërtimit të muraturës, bëhej mbushja me suva dhe më pas  duke kaluar shabllonët mbi to u jepej  elementëve forma e profile sipas dëshirës. Zgjidhja planimetrike është mjaft e goditur, falë një grupimi të qartë funksional.Lidhur me përshkrimin e    konstruktiv të   objektit specialistja e IMK shkruan:Teknika e ndërtimit të kësaj godinë në raport me ndërtimet e mëparshme, pati jo vetëm një rritje cilësore, për sa i përket teknologjisë, por dhe një pasurim të strukturave konstruktive. Karakteristike e kësaj periudhe është suvatimi i jashtëm i ndërtesës përdorimi i brezave antisizmik, përdorimi  i tjegullave marselieze, përdorimi i muraturës tërësisht me tulla si i mureve mbajtëse ashtu dhe i mureve ndarëse. Përdorimi i tullave  krijoj një fushë të gjerë të  zbatimit të elementëve  dekorativ në suva. Themelet e godinës janë të ndërtuar me gurë të lidhura me llaç. E gjithë muratura si muret mbajtës ashtu edhe ato ndarëse janë ndërtuar me tulla, me material lidhës llaç gëlqere me çimento, (llaç bastard). Çatia është me konstruksion druri, mbuluar me tjegulla marseljeze.  Deri në vitin 1944 godina ka shërbyer si administrate lokale, ndërsa pas viteve 50’ si banese banimi kolektive. Edhe pse është në gjendje risku ndërtesës nuk i është kryer  asnjëherë rikonstruksion, por mirëmbajtje rutinë.Ndërtesa e ish Prefekturës paraqitet përgjithësisht në gjendje të mirë statike, me problematika të shumta të mirëmbajtjes dhe kujdesit që duhet të tregohet për një monument me vlera të spikatura.
 UNDP është pjesëmarrëse në këtë projekt përmirësimi shkruan në relacionin e saj:Projekti me titull “Rivendosja e Ish Prefektura Vlorë” ka për qëllim për të rivendosur një nga ndërtesat e bukura historike në Vlorë.Aktiviteti i planifikuar për të përmbushur restaurimin përbëhet nga ndërhyrjes në rivendosjen e fasadave dhe çatisë dhe disa përmirësime të tjera. Grupi i synuar është direkt përfituese e zbatimit të këtij projekti nuk është vetëm qendra e Vlorës në aspektin urbanistik, por edhe familjet që jetojnë brenda saj gjithashtu.
Ky institucion PNUD mbështet aspiratat e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe kontribuon në përpjekjet kombëtare për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZHM). PNUD përgjigjet prioriteteve kombëtare nëpërmjet qasjes ndaj zhvillimit njerëzor).ka realizuar një sërë projektesh në qarkun e Vlorësë midis të cilave në vitet e fundit janë të shënuarapunimet që janë kryer në këto site:
Restaurimi i “Kullat e Aliut e Dervish”, Dukat, Vlore. Restaurimi i. “Rruga hebre”, Vlore. Restaurimi i qendrës së vjetër Tragjas. Restaurimi i kishës “Shen Spiridhonit” etj.

Filed Under: Featured Tagged With: Gezim Llojdia, Godina e vitit 1919, Vlore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT