• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2013

Mirë se vini në Zvicër, edhe në gjuhën shqipe

February 26, 2013 by dgreca

Nga Bekim Dalipi, Bernë/

Duke parë se të ardhurit e rinj jo gjithmonë e kuptojnë mirë rregullimin shoqëror helvetik, institucionet zvicerane kanë lansuar një projekt të ri mikpritjeje, ku krahas gjermanishtës dhe gjuhëve të tjera zyrtare, kanë përgatitur broshura mirëseardhjeje edhe në 14 gjuhë shtesë, e ndër to edhe në gjuhën shqipe.Tash e tutje pothuajse në shumicën e komunave të kantonit St. Gallen të ardhurit e rinj shqiptarë kanë mundësinë të informohen edhe në gjuhën shqipe rreth organizimit të jetës politike, kulturore e sociale të vendit ku kanë vendosur për të jetuar. Kjo masë do të lehtësojë dukshëm komunikimin me të sapoardhurit dhe organizimin e jetës së tyre, shprehet në takimin e organizuar për media zyrtarja e lartë e qendrës së integrimit në kantonin e St. Gallenit, Ramona Giarraputo, e cila ndër të tjera tha se me këto broshura ne synojmë t’i informojmë të sapoardhurit për të drejtat e tyre, por edhe për detyrimet. Në mënyrë që të ardhurit e rinj të kenë një orientim që mundësisht shpejt t’i marrin vetë përgjegjësitë për t’u integruar.

Pasi që në Zvicër organizimi i jetës nuk është i njëjtë në çdo komunë, kush vjen i ri, u tha, duhet të ketë mundësinë të informohet për organizimin e jetës në vend: hedhjen e mbeturinave, shkollën, e të tjera.

Krahas mediave dhe dy zyrtarëve të Entit për integrim, në këtë takim për media të mbajtur në St. Galler Rheintal ri.nova Impulszentrum në Rebstein, ku u prezantua puna njëvjeçare e përgatitjes së borushrave të mirëseardhjes, prezentë ishin edhe përfaqësuesit e komunave që kanë investuar në këtë projekt.

Broshurat e përgatitura kanë përmbajtje dhe udhëzime të njëjta, duke nisur nga informacionet rreth punës dhe arsimit, kulturës, sportit e kohës së lire, pastaj shërbime këshilluese, përkthime, kurse të gjermanishtës, shërbime sociale, shëndetësi, mjeku dhe spitali, furnizimet me ujë dhe rrymë, hedhja e mbeturinave e deri te këshillat për persona në varësi. Sikurse janë kujdesur që edhe të prekurit nga dhuna, qofshin gratë, burrat a fëmijët të kenë qendër orientuese për të kërkuar ndihmë.

Pyetjes së albinfos se sa ka gatishmëri në mesin e migrantëve për të mësuar gjermanisht, zyrtarja kantonale, Ramona Giarraputo, u shpreh se interesimi është i madh. „Ne kemi momentalisht 4 mijë persona në kanton që janë në kurse të gjuhës gjermane, të cilët i mbështesim për ta mësuar gjermanishtën sa më shpejt”, tha ndër të tjera Giarraputo, duke kërkuar mirëkuptim që mos të presim qysh pas dy muajsh ata të flasin gjermanisht.

Anna Dietsche tha se broshurat nga ana grafike vijnë të njëjta, kurse në brendësi ndryshojnë sipas adresave dhe ofertave që kanë komunat përkatëse. Përzgjedhja e gjuhëve për t’i përkthyer broshurat është bërë në bazë të statistikave aktuale të 2011-ës, të të ardhurve të rinj dhe banorëve të komunave, u shpreh zyrtarja për integrim në St. Galler Rheintal.

Po kështu u shpreh edhe punëtori social i Komunës Altstätten, Roman Zimmermann, i cili tha se ne jemi krenarë që kemi përgatitur këto broshura. „Ne, tha ai, flasim ndoshta pak anglisht, pak frëngjisht e italisht, por për gjuhën tamile as që kemi idenë se nga t’ ia nisim“. Ne, shtoi ai, dëshirojmë gjithsesi t’ua sqarojmë të ardhurve të rinj, ta zëmë çka është Enti i tatimeve, ku mund t’i deponojnë mbeturinat, ku do të shkojnë fëmijët e tyre në shkollë, etj.

Të gjitha këto gjëra normalisht që janë të shkruara në gjermanisht, por tani i kemi dhe në gjuhët e tjera, gjë që është shumë më e thjeshtë sesa të komunikojmë me këmbë e duar.(Albinfo.Ch)

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Bekim Dalipi, Berne, Miresevini, ne gjuhen shqipe

PERCA E SUNDO…

February 26, 2013 by dgreca

“Gojet e keqija dhe birat e gardhit nuk myllen kurre”…/

 Sokol Drrasati /Ish i denuar politik/  

Kohet e fundit, dhe sidomos, ne disa shkrime te botueme, ose te shkrueme nga ana jeme, kam verejt me keqardhje nji fryme jo te mire, jo karakteristike, te qytetit tem, persa i takon komenteve te vizitoreve te faqes, te cilet per ne jane te mrekullueshem, por tuj perjashtu ata te cilet ne menyre sistematike dhe vulgare shajne e fyejne personat e cilesuar ne shkrime. Nuk du me ba censure se jetojme ne nji shtet demokratik, ku liria e fjales dhe shprehjes asht princip baze, pa te cilin demokracia nuk asht funksionale, por du me i kujtu disave te cilet komentojne “anonim” kishte ken e mira e te tanve, qe ne komentet e tyne ta rujn etiken qytetare. Kush ka diçka ne lidhje me dike, po ju them se ky nuk asht vendi i duhun. Kishe dashte me besu se jane thjesht mendime personale, por kur analizoj fymjet dhe shamjet qe bahen, sidomos ne drejtim te atyne qe gjate viteve te ndryshimit te madh kane dhane aq shume per kyt demokraci te brishte, qe shume prej jush “anonime” nuk e meritoni, me vjen natyrshem te mendoj se e gjithe kjo ka nji lidhje, ku per mendimin tim jane struktura te ish_sigurimit te shtetit, te cilat vazhdojne te vjellin vner kunder atyne qe ju prishen andrren e vjeter, ate te sundimit te shumices nga ana e pakices.

Me kujtohet viti 91’sapo bashke me shoket ishim lirue prej burgut te Spaçit dhe frekuentonim PD-ne, sepse ishte e vetmja force politike, e cila i ishte kundervene rregjimit komunist. Ne ate kohe nuk ishte e thjeshte te mendoje e veproje kunder, sot mas 23 vjetesh kush nuk e ka perjetu ate kohe e gjykon si te pa arsyeshme, por asht realitet i perjetum. Ne ate kohe neve qe vinim prej shtreses se ish denuarve e persekutuarve politk na thuhej se “shifni ma kush vjen te PD-ja, qe ku i keni spiunat me dosje” e gjithçfare gjanash te tjera, te cilat jo pa qellim perpunoheshin ne zyrat e sigurimit te shtetit. Me keqardhje konstatoj edhe sot mas 23 vitesh te njejten gja, ne nji kohe kur duhet te ishim ma te motivum, ma te pjekun politiksht, ma te pergjegjshem per aksionet e veprimet tona, ndodh e njejta gja, dhe jo pa lidhje. Du me ba me dije se ne lidhje me nji shkrim ku pershkruhej ngjarja e”13 dhjetorit 1990”, date e cila nuk ju shkon per shtat komunistave, disa komentuesa “anonim”shajne dhe fyejne nji nder aktivistat kryesor te levizjeve demokratike ne rrethin e Shkodres, zotin Alfons Grishaj. Me fymje dhe shamje banale komenton shkrimin. Du me theksu se ne web-sitin tone jane te lire te gjithe te shprehim mendimin e tyne te lira, por me etike nuk asht e bukur, e hijshme qe ne menyre sistematike dhe e theksoj “ANONIM” me sha e me fy njerez te cillet pa kontributin e pamohushem te tyne, ju pelqen apo jo, sot nuk do te kishim arrit ktu ku jemi. Du me theksu se zoti Grishaj ka marre pjese ne te gjitha levizjet antikomuniste te zhvillume ne qytetin tone, tuj fillu prej: 1- tentatives se rrezimit te bustit: 2-Demostrates se varrimit te heroit te demokracise Pellumb Pellumbi:3-13 Dhjetorit rrezimit per here te pare ne historine e komunizmit te bustit te diktatorit:4-2 Prillit 91’kur forca speciale te mberrituna ne Shkoder dhe te kamuflume ne mes te demostruesve bane masakren e asaj dite.Nuk pretendoj qe ata te cilet per 47vjet banen nji genocid naj popullit t’vet, te cillet i njofim mire kta dhe baballaret e tyne, me kerku falje, sepse nuk kane kurajon e duhun, sepse jane bisha dhe nuk e njofin faljen, por te pakten te marrin pak leksione demokracie . Tjetri edhe pse mendon dhe vepron ndryshe prej tejet duhet rrespektu, nuk asht armik, asht thjesht qytetar si ti, qe asht dhe ndihet i lire, me mendu , dhe vepru i lire. Noshta kishte ken ma mire qe 22 vite ma pare te kishim ba “Katarthisin” , por tuj besu ne vlerat e demokracise kena shpresu se komunistat e rinj dhe te vjeter te kerkonin falje per krimet e kryme, gja e cila nuk erdh dhe, jo vetem por me “krenari”, ne menyre sistematike e te pa burra, sepse “anonim” flasin veç k……Nji fjale e vjeter thote : “Gojet e keqija dhe birat e gardhit nuk myllen kurre”.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Perca e sundo, Sokol Drrasati

OKB-JA DHE TË DREJTAT E NJERIUT, VEPRA E JO FJALË!

February 26, 2013 by dgreca

Nga  Frank Shkreli/

Këshilli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara OKB) për të Drejtat e Njeriut filloi të hënën punimet në Gjenevë duke shënuar njëherazi edhe 20-vjetorin e miratimit të Deklaratës së Vjenës që çoi në krijimin e postit të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, qëllimi i të cilit është të mbështesë përpjekjet në mbrojtje të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës dhe të ritheksojë universalitetin e këtyre të drejtave, si edhe obligimin e shteteve anëtare për zbatimin e tyre.

Këshilli përbëhet nga 18 vende anëtare dhe  angazhohet të  “Zbatojë standardet më të larta në promovimin dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.”

Në këtë konferencë  që do të zgjasë katër javë, do të marrin pjesë udhëheqës shtetesh, diplomatë dhe personalitete të njohura botërore, dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe organizata jo-qeveritare  nga e gjithë bota, për të biseduar mbi çështje të ndryshme, që si bazë kanë të drejtat e njeriut — më konkretisht, respektimin ose jo të tyre anë e mbanë botës.

Në takimin e nivelit të lartë të Gjenevës, sipas burimeve të OKB-së,  përveç më shumë se 100-ministrave të jashtëm do të flasin edhe disidentë dhe persona që u kanë shpëtuar torturave dhe dëshmitarë të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe torturave në Rusi,  Kinë,  Iran,  Tibet,  Siri,  Korenë e Veriut dhe anë e mbanë  botës.   Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara  Ban Ki-moon, sipas njoftimeve të organizatës botërore, në një mesazh drejtuar konferencës së Gjenevës, tha se ”Ç’prej themelimit të Organizatës, vendet anëtare dhe partnerët nga shoqëria civile kanë punuar së bashku për të krijuar një numër programesh dhe marrveshjesh ndërkombëtare në mbështetje të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Deklarata Universale i përcakton të drejtat e njeriut si,  ”gur-themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqës në botë.”

Edhe Komisionerja e Lartë e OKB-ës për të Drejtat e Njeriut Navi Pillay në fjalën e saj drejtuar konferencës tha se, “është hera e parë që përfaqsues të qeverive dhe të shoqërisë civile flasin për të drejtat e grave në një konferencë kushtuar të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe jo të drejtave të grave në veçanti.   Por ajo shtoi se në këtë fushë mbetet shumë për t’u bërë pasi,”ashtu si edhe 20-vjetë më parë, gratë dhe vajzat vazhdojnë të jenë subjekte abuzimesh seksuale dhe fizike dhe se dhunuesit e tyre vazdojnë të jetojnë në liri”,   duke shtuar se anë e mbanë botës vazhdojnë dhunimet dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut dhe se, ”premtimi për respektimin e të drejtave të njeriut për të gjithë njerëzit kudo, është ende një ëndërrë për shumë njerëz anë e mbanë botës”, tha Navi Pilay.

Zonja Pilay i tha mbledhjes së  Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut se ndërsa mirëpret një angazhim më të madh të shoqërive civile në mbrojtjen e të drejtave të njeriut,  ajo ndërkohë  ka venë re një rritje të rasteve ku qeveritë e ndryshme përsekutojnë mbrojtësit e të drejtave të njeriut, për arsye të natyrës së punës së tyre në mbrojtje të këtyre të drejtave.   ”Unë vazhdoj të marr raporte”, tha ajo, ”në lidhje me kërcënime, dhunime, burgosje dhe vrasje të gazetarëve, dhe mbështetsve të të drejtave të njeriut, vetëm e vetëm sepse ata kryejnë punën e tyre.” Një gjë e tillë, kundër atyre që me të drejtë kërkojnë angazhimin e organizmave ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat e njeriut, shtoi Komisionerja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut — nuk duhet të tolerohet nga askush.

Punimet e Këshillit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut do të vazhdojnë deri më 22 mars dhe pritet që të diskutohet për një numër çështjesh.   Në krye të listës siç duket është lufta në Siri, ku sipas Kombeve të Bashkuara thuhet se rreth 70-mijë veta mund të jenë vrarë, me qindra mijëra të tjerë janë detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre,  dhe ku mbi 4 milionë banorë, në një mënyrë ose në një tjetër,  janë prekur nga dhuna dhe kanë nevojë për ndihma emergjente humanitare.

Gjatë kësaj konference shumë pjesëmarrës të nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara dhe të shteteve anëtare do të shprehin,  ”shqetsimet e tyre serioze” mbi shkeljet e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, do të bëjnë thirrje për paraqitjen e këtyre rasteve Gjykatës Ndërkomblëtare për ndëshkimin e individëve dhe të shteteve e qeverive që dhunojnë në mënyrë flagrante të drejtat themelore të qytetarëve të tyre, duke shkelur kështu edhe marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare që mbrojnë këto të drejta dhe që ato vet  i kanë nënshkruar.

Duhet thënë se gjatë 20-vjetëve të fundit, ç’prej miratimit të Deklaratës së Vjenës, janë bërë përparime aty këtu por jo të mjaftueshme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës.  Andaj lind pyetja.   A është me të vërtetë  serioz komuniteti ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara se mbrojtja e të drejtave bazë të njeriut është me të vërtetë një prioritet me rëndësi i politikave të tyre në arenën ndërkombëtare?   Fjalët dhe retorika  janë të mira për konsumim publik, por veprat e tyre venë në dyshim angazhimet e tyre serioze ndaj zbatimit dhe respektimit universal të këtyre të drejtave.

Dy shëmbuj ilustrues që e bëjnë edhe vërejtësin e pa-anshëm të dyshojë në sinqeritetin e këtyre deklaratave  në  Gjenevë nga udhëheqsit e ndryshëm të  OKB-së.

Punimet e Këshillit të OKB-ës për të Drejtat e Njeriut i hapi kryetari i Asamblesë së Përgjithshme dhe ish-ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiq.    Duke iu referuar situatës në Siri, ai tha se dëshironte të  ”shprehte shqetësimin e tij të thellë ndaj tragjedisë më të tmershme humanitare të ditëve tona”.

”Për dy vjetë tani”, shtoi  ish-ministri i jashtëm serb, ”komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në përpjekjet e tija për të ndaluar këtë maskër.”

Tani, për lexuesin shqiptar nuk është e nevojshme të shpjegohet se kush është Jeremiqi dhe çfarë politike anti-shqiptare ndjekë ai dhe shteti i tij në Ballkan.  Për më tepër, Jeremiqi nuk tha në fjalimin e tij se Rusia dhe Kina, aleate të Serbisë, me të cilat ai punonte ngushtë për të penguar pavarësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj — janë aleate të ngushta edhe të diktatorit sirian dhe të cilat në të njëjtën kohë kanë bllokuar vazhdimisht rezolutat e Këshillit të Sigurimit për t’i dhënë fund gjakderdhjes dhe dhunës në Siri, gjë për të cilën tani  Jeremiqi  shprehet gjoja tepër i preokupuar si zyrtar  i Kombeve të Bashkuara.

 

Kur e merr me mend se ç’bëri Serbia mbi Kosovën dhe në ish-Jugosllavi, dhe tani ish-ministri i jashtëm i saj që ishte njëri prej mbrojtësve më të zellshëm të asaj politike çfarosëse anti-shqiptare, fletë për të drejtat e njeriut, si njëri prej zyrtarëve më të lartë të OKB-së  — të pakën mua më  bën seriozisht  të dyshoj në seriozitetin   deklaratave të tij dhe në seriozitetin e OKB-së për të marrë ndonjë masë  për  të ndaluar  gjakderdhjen në Siri, apo kudo tjetër.

Një akt tjetër i turpshëm dhe absurd  i kësaj organizate, ndërsa filloi punimet në Gjenevë, ishte emërimi si nën-kryetar i Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për 12 muajtë eardhëshëm,  i një përfaqsuesi të Mauretanisë.    Mauretania, sipas organizatave ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut, por edhe sipas medias, ende praktikon skllavërinë.

Sipas Huffington Post, skllavëria praktikohet sistemakisht në Mauretani, ku afrikanët e pakicës me ngjyrë më të zezë, shërbejnë si skllevër për shumicën arabe.    Organizata  jo-qeveritare UN Watch me të drejtë   u shpreh e revoltuar se si është e mundur që Mauritania, një vend ky që mban në skllavëri me qindëra mijëra veta, mund  të  zgjidhet në detyrën e nën-kryetarit të Këshillit të OKB-së për te Drejtat e Njeriut?

Ky vendim, thotë UN Watch, përbën një mesazh të shëmtuar se, “organi kryesor i OKB-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut,  nuk zbaton  në praktikë ato që predikon vet”, dhe misioni i të cilit është ekzaktërisht  mbrojtja e të drejtave të njeriut.

UN Watch,  organizata jo qeveritare e të drejtave të njeriut me qëndër në Gjenevë, e cila monitoron zbatimin e parimeve të Kartës së OKB-së, tha se ka ardhur koha që organi më i lartë i organizatës botërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të kalojë nga retorika boshe në vepra konkrete dhe njëkohësisht, nënvijoi ajo, ”mbrojtja e të drejtave të njeriut në botë fillon në secilin vend më së pari”,  dhe shtoi se,  ”Antarësimi  në  Këshillin e OKB-së  për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut është një pivilegj që bart përgjegjësi, dhe këto vende kanë dështuar në zbatimin e standardeve  bazë”,  të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut,  thotë organizata UN Watch.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, OKB, te drejtat e Njeriut

FLLADE TË NGROHTA ATDHEDASHURIE E MIQËSIE, SHQIPTARE-SUEDEZE..

February 26, 2013 by dgreca

Nga: VIRON KONA, shkrimtar e publicist/inspektor në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës-Tiranë/

Vizitat në një vend mik, janë gjithnjë mbresëlënëse dhe cilido vizitor e ndjen detyrim që të shprehet për to, në mënyrën e tij, për gjithçka që sheh, për njerëzit që takon e për mjedisin. Ndërsa, më pas, si pa kuptuar, nis e “zhytet” në jetën dhe botën e atij vendi, më saktë të njerëzve që jetojnë, punojnë dhe  e zhvillojnë veprimtarinë e tyre atje.

Prof. Murat Gecaj, duke qenë i ftuar nga Qendra Kulturore Shqiptare  “Migjeni” në Boras të Suedisë, në festimet e 5-vjetorit të krijimit të revistës  “Dituria” dhe të 4-vjetorit të radios “Dituria”, është nxitur të shprehet ndjeshëm, me respekt  dhe me shumë dashuri, për ato festime dhe për aureolën, që i ka shoqëruar ato, në Shqipëri dhe në Suedi. Kur i lexon, varg njëri pas tjetrit, shkrimet e librit të krijojnë përshtypjen e një buqete me lule të shumëllojshme dhe  të freskëta, të lidhura me “fjongon” e miqësisë shqiptare – suedeze. Ato u dhurohen dhjetëra mijëra bashkëkombësve shqiptarë me banim në Suedi, por dhe mikpritësve suedezë, këtij populli me ndjeshmëri të lartë njerëzore, që iu gjendën pranë vëllezërve tanë nga Kosova, në ditët e tyre më të vështira, kur mbi ta veproi me egërsinë më të madhe gjenocidi  serb.

Në shkrimet e këtij libri, pasqyrohen dhe  vlerësohen dukuri, episode dhe ngjarje, veprimtari miqësore shqiptare – suedeze dhe ndjenja atdhedashurie, për vendlindjen Kosovë dhe Shqipërinë. Por shprehen edhe meditime rreth asaj çfarë prof.Gecaj ka përjetuar e ka ndjerë në ato ditë të qëndrimit dhe të vizitave në Suedinë mike. Gjithçka është parë dhe shkruar nga këndvështrimi i një publicisti të sprovuar, që nuk lë t`i shpëtojë gjë; që vlerëson, studion, analizon, shprehet me fjalën e sinqertë dhe mendimin e pastër e të çiltër dhe, e plotëson këtë, më tej, me imagjinatën krijuese. Me këtë libër,  mendoj se autori ia arrin t`i shprehë natyrshëm  mbresat dhe emocionet, që provoi në ato ditë të shënuara, por edhe t`i përjetojë dukuritë dhe ngjarjet me ndjenjën e thellë të atdhetarizmit, t`i vlerësojë ato si ngjarje të rëndësishme historike  dhe me theks njerëzor.

Me penën e artë të publicistit, autori gjen rastin të shprehet bindshëm, argumentues dhe bukur për Suedinë e zhvilluar dhe të përparuar, ndër shtetet dhe kombet europianë. Njëherazi, shkruan me një gjuhë zemre të ngrohtë edhe për ato vlera thellësisht njerëzore, që e shquajnë popullin suedez,  dashurues  të shpirtit të bukur e të lirë të njeriut.

Cilido lexues i vëmendshëm vëren  se ngjarjet, episodet, shënimet, përshtypjet, skicat, reportazhet dhe e tërë ngrehina publicistike e paraqitur mjeshtërisht në faqet e librit, ka një bosht, rrezaton një subjekt: jetën e suedezëve dhe të shqiptarëve me banim në Suedi; jetën aktuale, marrëdhëniet e natyrshme dhe tepër njerëzore e miqësore të krijuara mes tyre, për një ardhmëri të sigurt, për fëmijët, familjet dhe vazhdimësinë e jetës. Libri pikëzon dhe veçon episode dhe ngjarje, portretizon tipa dhe karaktere  njerëzish,  shqiptarë dhe suedezë, të moshave dhe profesioneve të ndryshme; vë në dukje dhe vlerëson e gjithçka  e bën në mënyrë tepër shprehëse, figurative dhe emocionuese. Libri nisë me lajmin e udhëtimit për në Suedi, nëpërmjet ftesës së veçantë të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Boras; me udhëtimin ajror drejt Veriut të Europës, në vendin e dikurshëm të vikingëve, kurse sot të suedezëve të zhvilluar, të përparuar dhe shpirtmirë, me botë të pasur njerëzore. Vijon libri me shkrime për brendinë e festimeve të  5-vjetorit të revistës “Dituria” dhe të 4-vjetorit të radios “Dituria”; me përqafime të ngrohta dhe të përmallshme mes vëllezërish dhe miqësh; me bashkëbisedime mbresëlënëse dhe fjalë të zjarrta, të mbajtura në kuvendin  e njerëzve të kulturës. Ndërsa shohim më tej fotografi të panumërta dhe autografe librash, me shprehje ndjenjash të respektit vëllazëror e miqësor…

E, në vazhdim, pasqyrohen vizitat në Borasin e njohur për tekstilin, për veçoritë dhe karakteristikat qytetare perëndimore të tij; për historinë dhe kulturën, për njerëzit e mirë, të dashur, të ditur dhe  mikpritës; për bukuritë dhe pastërtinë e mjedisit; kujdesin ndaj kulturës, traditës, librit, veprave të artit; respektin për vlerat njerëzore kudo, ku ato shfaqen dhe plot shembuj të tjerë, që përfaqësojnë, konfigurojnë  e paraqesin në mënyrë bindëse një qytet europian, me përmasa dhe  parametra modernë.

Shkrimet e librit, shprehin ngrohtësisht e mjaft bukur edhe vizitën në Goteborg, qytet i dytë i Suedisë për nga madhësia, i quajtur ndryshe dhe “Londra e vogël” ose “Amsterdam i ri”; vijojnë me përshkrimet mbresëlënëse të vizitave  dhe shëtitjeve në atë qytet-port, me histori dhe mjedise interesante e befasuese për cilindo vizitor. Libri ndalet në portretizimin e karaktereve njerëzorë, tregimin e ngjarjeve të llojllojshme, duke pasqyruar thellësinë e ndjenjave të atdhedashurisë së shqiptarëve, të cilët kanë gjetur strehë të ngrohtë dhe të sigurt në Suedinë mike, por që vazhdimisht mendjet dhe rrahjet e zemrave të tyre, përhapin në hapësirë fllade malli dhe dashurie të zjarrtë për vendlindjen e shtrenjtë, Kosovën dhe Shqipërinë.Prof. Murat Gecaj, si edhe në shkrime të tjerë të tij, zhvillon dhe vlerëson ngjarjet nisur nga ideja se, ajo që e bën të bukur dhe mbresëlënës një vend, një qytet, një shtet, një popull, është vlera shpirtërore e njeriut, sesi ai paraqitet në veprimtarinë e jetës së përditshme, çfarë qëndrimi mban  ndaj të resë, përparimtares; sesi ai ndërton “urat” e bashkëpunimit me popuj të tjerë, si nderon dhe respekton civilizimin dhe qytetërimin. Dëshiroj të theksoj me bindje të plotë, si bashkudhëtar dhe dëshmitar  i mjaft episodeve dhe ngjarjeve të përshkruara në këtë libër, që Suedia dhe banorët e saj, qofshin vendës, shqiptarë ose të ardhur nga kombe të tjerë, e manifestojnë cilësisht shkëlqyeshëm qytetarinë, mirësinë dhe dashurinë njerëzore.

Autori e respekton Suedinë dhe suedezët si komb, duke vënë në dukje se ata   i kanë  dhënë botës dhe njerëzimit personalitete të mëdhenj historikë dhe të të gjitha fushave: politikës, kulturës, shkencës,  artit, letërsisë. Por, ndërkohë, ky vend dhe ky popull emeton stuhishëm dhe me rrezatim gjithëpërfshirës, energji të pamata njerëzore, ashtu si dielli jetëdhënës shpërndan kudo, pa kursim, pa hatër dhe anësi, rrezet e tija të ngrohta, kusht kryesor  për ekzistencën e njeriut në planetin, ku ne  jetojmë.

Nëpër  faqet e librit kalojnë emra njerëzish të moshave e profesioneve të ndryshme, shqiptarë e suedezë, fëmijë, nxënës shkollash, mësues e mërgimtarë të thjeshtë, personalitete të artit e kulturës, miq dhe dashamirës të Shqipërisë e Kosovës, autoritete vendëse, gazetarë, shkrimtarë, artistë, studiues… Emrat e tyre bëhen të njohur nga autori me respekt e dashuri, ata portretizohen dhe paraqiten bukur me të veçantat e tyre, me vlerat dhe me mesazhet që përcjellin, nëpërmjet tregimeve, ndodhive, bashkëbisedave të ngrohta e të sinqerta. Nga njëra faqe në tjetrën, lexuesi miqësohet  me ta, si me miq që ka mall e dëshirë t`i takojë e t`i njohë më nga afër.

E bënë tërheqës librin, fakti se ai është  shkruar me një gjuhë të pastër letrare e drejtshkrimore, me larmi, ngjyrime e nuanca emocionale, me stil tërheqës e origjinal. Gjithashtu, e bën edhe më të plotë librin, pajisja me fotografi njerëzish, vendesh, peisazhesh dhe pamjesh, nga vizitat në  Suedinë  e bukur.

Kam bindjen  se, cilido që do ta lexojë këtë libër, jo vetëm do të marrë një informacion të pasur dhe të plotë për popullin suedez dhe shqiptarët me banim në Suedi, por edhe do të krijojë përshtypje, të atij lloji,  që të mbeten të ngulitura thellë në kujtesë dhe që pasohen me shfaqjen e  emocioneve, për çdo faqe dhe  shkrim të librit.

Një hyrje libri, ka për detyrë të japë natyrshëm një informacion, por edhe të nxisë dëshirën dhe kureshtjen e lexuesit për atë që, libri, përfaqëson, paraqet dhe trajton, për mesazhet që  përcjell dhe mënyrën, sesi i shprehë ato. Gjithësesi, sado pasqyruese që të jetë një hyrje, ajo nuk mundet kurrsesi të bëhet zëdhënëse e plotë dhe shteruese  e mesazheve, emocioneve dhe bukurive të një vepre të ndjerë publicistike. Do të jetë vetë lexuesi, ai që do ta bëjë vlerësimin. Por dëshiroj të nënvizoj me bindje se, te faqet e këtij libri, rrahin si krahë pëllumbash në fluturim, fllade të ngrohta atdhedashurie e miqësie, të çiltëra, transparente dhe të sinqerta, të atilla, që mund t`i krijojnë vetëm zemrat  e bukura.

Caption: Boras-Suedi (14 prill 2012). Nga e majta(lart): V.Kona, B.Latifi, M.Gecaj, P.Ketissen, S.Demaku; (poshtë, nga e majta): K.Hoxha e K.Gurmani

 

Tiranë, shkurt 2013

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Murat Gecaj, Viron Kona

KËMBANAT E ALARMIT PËR EUROPËN

February 26, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Zgjedhjet më të fundit në Itali dhanë alarmin që mesa duket nuk pritej, por që kishte kohë që po përflitej. Asnjë prej partive qoftë edhe koalicion nuk arriti të fitojë bindshëm në këto zgjedhje, pavarësisht parashikimeve pro koalicionit të majtë. Shpresat e Europës për një qeveri bis të Mario Montit, kryeministri që dha dorëheqjen pak kohë më parë, nuk u realizuan. Kjo votë ishte vota e protestës së italianëve ndaj sakrificave të panumërta që u është dashur të bëjnë dhe që bënë edhe në dy vitet e fundit. Bindja se politika do të zgjidhë problemet e shoqërisë italiane ka shkuar gati në zero, pasi protesta i dha një bum të paparë partisë së re, 5 yjet, të një njeriu që kurrë nuk kishte aspiruar për poltikë, por që arriti t’i bindte rreth 25 % të italianëve që ta votonin. Fitorja e tij në dhomën e ulët, është partia e parë me përqindjen më të lartë, ishte një tërmet i vërtetë apo si e quajtën analistë të shumtë tsunami në politikën italiane. Dhe kjo pritej, pasi kostoja e lartë e krizës që shkaktoi qeverisja e djathtë i kaloi limitet e durimit, pasi shtresa e mesme dhe e varfër i pagoi të gjitha pasojat e saj. Por protesta ka edhe një aspekt tjetër, se poltika e vjetër duhet ndryshuar dhe zëvendësuar me një poltikë të re dhe më sociale, pra për të gjithë. Votimi i djeshëm në Itali vuri në provë vetë ekzistencën e Europës, sepse një tronditje e dytë pas tërmetit Greqi, nuk do ta dëshironte askush, aq më tepër beniaminia e Montit, Gjermania. Fakt është se edhe bursat pas këtij kolapsi poltik në Itali reaguan shumë keq duke djegur rrth 20 miliardë euro, e vetëm në një ditë. Cuila është perspektiva e qeverisjes në Itali? Një pyetje që merr dy përgjigje të mundshme: një qeveri me bazë të gjerë, gjë qa ka gjasa të mos ndodhë dhe e dyta një qeverisje e mundshme e majtë me faktorin Grillo, por që sipas deklaratve më të fundit të liderit nuk ka gjasa të ndodhë. Në një deklaratë pak kohë më parë ai profetizoi të ardhmen se do të ketë zgjedhje pas 6 muajsh që mesa duket e shton % e votive në favor të partisë së tij. Vakumi istitucional ka rrëezik që të shkaktojë një krizë në republikën e dytë dhe që do të sillte si pasojë zgjedhje të reja të shpejta sin ë Greqi. Aktualisht ka disa skadenca të cilat nëse do të binin dakord për një qeverisje të përkohëshme, do t’i jepte një farë zgjidhje situatës: votimi i një kryetari të Parlamentit dhe senatit, dy institucione që nuk shprehin drejtpërdrejt vullnetin e popullit dhe më e rëndësishmja votimi për një mandate të ri të garantit të kushtetutës, presidentit të ri të vendit, mandate që skadon në datën 15 mars. E ndodhur në këtë situatë të pamundësisë për qeversije edhe dietë për një dalje nga kriza apo dhe rritje ekonomike të fuqisë së tretë të Europës duket se hyjnë në një stanjacion për të cilin është shkaktar ligji elektoral i votuar nga qeveria e djathtë dhe mangësia e një ligji të rëndësihsëm që do ta largonte përfundimisht shtresën e biznesit nga poltika, konflikti i interesit. Një populli mund t’i kërkosh sakrifica në emër të kombit, por kjo nuk mund të jetë e përjetëshme. Leksioni Italian është tepër i rëndësishëm në këtë vit zgjedhjesh europiane dhe për shqiptarët kjo këmbanë bën mirë që të jetë ajo e zgjimit përfundimtar që dinjiteti i vet i votës të mos përdhoset nga karakteri i paskrupullt i një poltike që deri më tash ka qënë tepër konfliktuale dhe e pazonja për një drejtim demokratik të një vendi si Shqipëria. Njeriu nuk lind i përjetshëm në poltikë, por duhet ta kuptojë se interesat e një vendi janë më të larta se të një individi. Fatkeqësisht Europa vazhdon të ruajë një lloj konservatorizmi poltik me njerëz dhe figura me një kohëzgjatje të pashpjegueshme në poltikë, për më tepër në këto vite të fundit me disa ligje elektorale tepër të dëmshme për një demokraci të shëndetëshme. Ngjarjet e disa vendeve edhe përreth nesh, ishin dëshmia më e qartë e një kolapsi institucional të paparë. Shqipëria dhe shqiptarët duhet ta kuptojnë se asnjë zgjidhje e problemeve të shumta në të cilat është zhytur vendi nuk vjen si një deus ex machina, por vetëm me një ndërgjegje të lartë qytetare dhe një përgjegjësi të madhe për të ardhmen.

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjan Th Kallco, kembana e alarmit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT