• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2013

Partizani! 20 vjet ne kerkim te titullit. Presidenti Sallaku:” thirrje publike të gjithë ish-lojtarëve. Ejani!”

April 23, 2013 by Administrator

Partizani ka arritur të sigurojë ngjitjen në Superiore tri javë përpara fundit
të kampionatit dhe tashmë drejtuesit janë të përqendruar te ndërtimi i skuadrës
së sezonit të ardhshëm. Të gjithë e pranojnë faktin se duhen bërë përforcime,
pasi Superiorja ndryshon shumë nga Kategoria e Parë dhe në elitë gara është
shumë e fortë. Mirëpo duket se strategjia e presidencës gjatë merkatos së verës
do jetë rikthimi në skuadër i të gjithë futbollistëve që kanë dalë nga akademia
e kuqe, apo edhe e atyre që kanë luajtur për një kohë të gjatë me Partizanin dhe
janë benjaminët e tifozerisë.

Në një prononcim për “Panorama Sport”
presidenti Lulëzim Sallaku u ka bërë thirrje publike të gjithë ish-lojtarëve që
të afrohen pranë Partizanit, pasi dyert do t’i kenë të hapura.

“Kemi filluar të mendojmë që në këto momente për merakton, ndërsa kemi pasur kontakte
me shumë futbollistë të ndryshëm. Unë dua t’i siguroj të gjithë tifozët e
Partizanit se merkatoja do të jetë e studiuar mirë dhe se lojtarët që do afrohen
do të jenë mjaft cilësorë. Nga ana tjetër dua t’u bëj thirrje të gjithë
ishlojtarëve të Partizanit, që kanë dhënë kontributin te kjo skuadër ndër vite,
nëse kanë dëshirë të afrohen dhe të nisim bisedimet, pasi derën do ta kenë
gjithmonë të hapur për t’u ribërë pjesë e këtij ekipi”, – ka thënë
Sallaku.

Përveç merkatos së verës, te Partizani të gjithë janë të
përqendruar edhe te terrenet sportive, të cilat janë edhe baza e skuadrës. Vetë
Sallaku kohë më parë deklaroi se fushat do të jenë gati kur Partizani të nisë
përfaqësimin në Superiore dhe një premtim i tillë është drejt realizimit.
Federata Shqiptare e Futbollit ka miratuar edhe ndërtimin e një fushe për
llogari të të kuqve, ndërsa punimet po vazhdojnë me ritëm të lartë.

Pas arritjes së objektivit të ngjitjes në elitë, sigurimit të financave, por edhe të
një terreni stërvitor që pritet të përfundojë, tashmë ultrasit e kuq kërkojnë
një titull kampion, i cili u mungon prej 20 vitesh. Një premtim i tillë nuk
është bërë nga drejtuesit, ndërsa synohet që sezonin e ardhshëm të kuqtë të
renditen në vendet e para të klasifikimit dhe të sigurojnë një vend në Kupat e
Evropës. Por, për t’i arritur këto objektiva, duhet më parë të ndërtohet një
skuadër kompetitive.

Filed Under: Sport

“CA ÇIFLIGARË”, QË MËTOJNË T’I DALIN ZOT NJË HISTORIE TË LAVDËRUAR

April 23, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Mbaj mend vitet e gjashtëdhjeta kur atdhetarët a ikonat e ndërgjegjes kombëtare ktheheshin në Tetovë dhe përreth saj nga kazamatet “PETROVA RUPA” të Goli Otokut famëkeq. Para se të vazhdojmë ndërtimin e këtij paragrafi, le të themi se ne nuk do të bëjmë avokatinë e historisë së tyre, por edhe as që do mëtojmë t’i shtojmë a t’i heqim as një të vetme pikë a presje. Nuk do e bëjmë sepse na mungon teseri…, thjeshtë neve na mbetet ta lexojmë drejt dhe pa shtrembërime, në një kohë krejt tjetër fare. Kjo histori e kthimit ndalon në vendlindjen e tyre. Përveç familjarëve, ata nuk i priste asnjeri, nga frika se mos vallë nga pushtetarët e atëhershëm do të etiketoheshin si mbështetësit e tyre. Ata dukeshin si njerëz të humbur në hapësirë dhe në kohë, me zemra të thyera për rininë e humbur dhe të papërjetuar…, kalorës me mendje të “mashtruar” e të kllapitur. Komunikimi i tyre i cunguar të krijonte përshtypjen se ishin “jabanxhi” në familjet e tyre, në lagjen a në kasabanë e tyre. Kishte fare pak njerëz që i përshëndesnin…, po edhe ata që kishin “guximin” ta bëjnë atë, detyroheshin ta mbanin mënjanë kokën dhe shikimin, ndërkaq buzëqeshjet për ta ishin të ulëta, madje edhe të fshehura…, megjithatë ata kurrën e kurrës nuk lejuan që në hidhërimin e tyre të marrin pjesë njerëzit që nuk i përkrahën, që nuk i përshëndetën dhe që nuk thanë asnjë fjalë për ta.

Ata që janë dëshmitarë të gjallë të asaj vakie, sot mund të thonë se historia e tyre, gjegjësisht  “gramatika e retrospektivës së tyre politike”, ishte sa e lavdishme po aq edhe atdhetare, andaj sot e gjithë ditën e Perëndisë, pasardhësit e tyre nuk kanë nevojë për solidarësi morale, për solidarësi materiale (ndonëse ca kalorës të vonuar të çështjes kombëtare a më mirë të themi ca që u është ndalur ora, pandehën ta margjinalizojnë e ta materializojnë pandershmërisht) dhe as për solidarësi ideologjike. Sot historia e tyre nuk mund të pjesëtohet a të shumëzohet…, nuk mund të harrohet a të nëpërkëmbet, nuk mund të hiqen nga mbamendja jonë kolektive emrat si: shipkovicasi Sadudin Abdullah Gjura, tetovarët: Vehbi Ahmet Lushi, Raif Ali Maleziu, Qerim Ramadan Arifi,  Ismail Said Saidi, Sabri Ruzhdi Ramizi, Mehmetriza Gega, Rafi Halili dhe shumë e shumë të tjerë atdhetarë (u kërkojmë ndjesë familjarëve të atyre që nuk i përmendëm në këtë shkrim).

Dikur edhe ata kishin të “drejtën e votës së tyre”, një votë që kishte një ngjyrë, një mesazh, një urdhëresë…, thjeshtë ishte votë jovullnetare…, një votë që e numëronte kush tjetër,  pos diktatorit…, ai që ua mori “masën e samarxhiut”. (Kur jemi te vota jonë e sotme, Fjalori i gjuhës së sotme shqipe për këtë nocion e jep këtë shpjegim: E drejta e secilit për të shfaqur mendimin në kohën e zgjedhjeve ose kur vendoset një çështje bashkërisht në një organizatë politike, shtetërore a shoqërore; shprehja e mendimit a e vullnetit nga secili për të zgjedhur dikë në një organ…, ose për të vendosur për një çështje…,votë vendimore-deliberative, votë këshillimore-konsultative). Ti, i nderuar lexues imi i paanshëm, pa më thuaj se ç’dallim ka vota e sotme me atë të atdhetarëve!?

Sot edhe pas pesë a gjashtë dekadash, asnjeri nuk ka të drejtë morale që ndaj historisë së tyre të ketë botëkuptim, qëndrim a edhe sjellje çifligare…, asnjeri nuk ka të drejtë që historisë së tyre t’i bëjë “gojëtari të rreme”, nuk ka të drejtë që këtë histori ta riprodhojë (për hesapet e veta), ta abuzojë dhe në instancë të fundit edhe ta shtrembërojë. Mos vallë sot, pas pesë a gjashtë dekadash, këta emra që i përmendëm më lart, nuk janë shembuj të mjaftueshëm për një të kaluar tonën të dhimbshme…, mos vallë këta emra të atdhetarëve që i përmendëm më lart, nuk flasin diç më shumë për atë se si duhet të duket morali ynë kolektiv…, mos vallë këta emra nuk janë trashëgimi jona kolektive…, mos vallë bijtë, bijat dhe nipërit e tyre nuk duhet t’u referohen këtyre emrave. Mos vallë emrat në fjalë, nuk mund ta ndërtojnë atë kështjellën e pamposhtur të çështjes kombëtare. Mos vallë shqiptarët që frymojnë këtej pari trojeve të tyre autoktone, duhet të vazhdojnë që të mos i vlerësojnë virtytet e njëri-tjetrit…, pse gjithsecili mëton të hetojë a të zbulojë dobësitë e njëri-tjetrit, pse gjithsecili vazhdon ta “ushqejë” mosdurimin ndërvëllazëror, pse vazhdojnë ta harrojmë trashëgiminë po edhe retrospektivën e vuajtjeve shekullore.

Sot, një miku im i nderuar me profesion historian, më thotë se ne shqiptarët ishin të parët banorë të Gadishullit Ilirik, por fatkeqësisht qemë të fundit që shpëtuam nga sundimi a pushtimi i Perandorisë Otomane, ne shqiptarët ishim të fundit që shpëtuam nga diktatura dhe të fundit që e shembëm atë, ne jemi të fundit që ende rrugëtojmë atë “tranzicionin politik” të stërgjatë dhe të bezdisshëm… Ky miku im kosovar, që është më i mençur se unë, vazhdon të më thotë se “ju shqiptarët e Maqedonisë, jeni të fundit që ndërtuat a shpallët atë demokracinë parlamentare me ortakëri, të sakatosur dhe me paterica”!?

Ky “kosovari” im i nderuar, nuk pandeh të thotë se “… ju shqiptarët e Maqedonisë”, njëri-tjetrin e konceptoni vetëm si VOTA…, ju, edhe pas dy dekadash, ato vota i shikoni si tufë dhensh që e kanë humbur rrugën…, si qengja që nuk nuhatin erën e nënave të tyre…, si foshnjat të cilat nuk thithin qumështin e nënave të tyre biologjike…, si jetimë që jetoni në një lëkurë, në jetimoret e shtetit që u ka lënë pas dore…, si njerëz që ju është ndaluar t’i referoheni trashëgimisë suaj politike, kulturore, territoriale, arsimore…, që ju është marrë e drejta e të dalit zot pronës suaj intelektuale…, investimit shpirtëror e të tjera investime, qofshin ato individuale a kolektive…, juve që u kontestohet e drejta e të qenit aristokrat sa i përket bërjes së gjyqit moral. Dhe, pas dy dekadash, ju shqiptarët e hapësirës së Maqedonisë nuk keni “takatin” që të divorcoheni nga ai fjalori juaj fyes…, nuk divorcoheni dot “kollaj” nga urrejtja juaj e tërbuar dhe patologjike…, nuk mëtoni që edhe pas dy dekadash ta mësoni atë tabelën e shumëzimit politik, shumëzimin e vlerave, tabelën e ndërgjegjes kombëtare, atë tabelën e klasifikimit të vlerave…, ju, si duket, o keni flakur, o keni humbur atë tabelë nderi ku dikur kishit vendosur emrat dhe fotografitë e atdhetarëve që u nënvizuan në krye të këtij shkrimi”!? Pra sot, pas pesë e gjashtë dekadash, ne shqiptarët e Maqedonisë, “me një sy të verbër, me një vesh të shurdhër si dhe me një mendje të hallakatur”, nuk arrijmë dot të ndërgjegjësohemi sa i përket pështjellimit politik që na ka zaptuar. “Ndoshta kohërat e komunizmit ishin më të mira për solidaritetin kolektiv, për unitetin ndërshqiptar, për mendimit unik etj., etj.”!?

“Fatmirësisht”, që evropianët nuk dinë ta lexojnë, nuk dinë ta shkruajnë e ta flasin gjuhën shqipe, sepse po ta dinin këtë, atëherë me plotë të drejtë do ta parashtronin pyetjen se ç’kërkojnë shqiptarët.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: ca cifligare, Fadil Lushi, nje historie te lavderuar, qe metojne, t'i dalin zot

KËSHILLI KOMBËTAR SHQIPTAR-AMERIKAN VLERËSON MARRËVESHJEN E KOSOVËS-NAAC Praises Kosova on its Historic Agreement ME SERBINË

April 23, 2013 by dgreca

Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA): “Pranimi i marrëveshjes nga Parlamenti i Kosovës është një angazhim ngaudhëheqsit kosovar për të siguruar që populli i Kosovës të shkojë përpara me mirëqenjen e tyre, dhe i sjell ata më afërfamiljes Europiane BE-së dhe Kombeve të Bashkuara.”/

NGA BEQIR SINA, New York/

Këshillin Kombëtar Shqiptaro Amerikan  vëren se :”Marrëveshja e arritur afirmon pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial të saj. Kjo, sipas KKSHA-as, e bën të qartë se forca policore dhe sistemi gjyqësor, mbas kësaj marrveshje do të veprojë sipas ligjeve të Kosovës. Marrëveshja, gjithashtu thekson se Shoqatat e komunave serbe duhet të pajtohen me ligjet e Kosovës dhe mbas arritjes së kësaj Marrveshje, ato do të themelohen në bazë të njëjtë si ajo e statutit ekzistues të Komunave të Kosovës, me asnjë autoritet ekzekutiv.
Sipas kësaj deklerate të shpërndarë sot në Uashington, ku është edhe zyra qendrore e organizatës lobiste shqiptare Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA), thuhet se Marrëveshja kërkon gjithashtu që Serbia të mos bllokojë më përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE. Kjo, shprehet KKSHA  hap rrugën për vendet që të njohin Kosovën, sidomos njohjen e pesë vendeve të BE-së siç janë – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Përveç kësaj, mendon kjo organizatë shqiptare në Uashington si rezultat i marrëveshjes, BE ka treguar se Brukseli tash do të donte për të filluar diskutimet e menjëhershme mbi Akt Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Në fund të kësaj deklerate zyrtare Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA), është përkrahur plotësisht miratimi nga Kuvendi i Kosovës së marrëveshjes, mbasi sipas saj :” Pranimi i marrëveshjes nga Parlamenti i Kosovës është një angazhim ngaudhëheqsit kosovar për të siguruar që populli i Kosovës të shkojë përpara me mirëqenjen e tyre, dhe i sjell ata më afër familjes Europiane BE-së dhe Kombeve të Bashkuara.

***

NAAC Praises Kosova on its Historic Agreement

 The National Albanian American Council (NAAC) congratulates Kosova on its historic agreement with Serbia. NAAC would also like to thank the US government and Lady Catherine Ashton for their commitment and perseverance in bringing this landmark agreement to its conclusion.

The agreement affirms Kosova’s independence and territorial integrity. It makes clear that the police force and judicial system operate under Kosova laws. The agreement also states that the Association of Serbian municipalities must comply with the laws of Kosova and will be established on the same basis as the existing statute of Kosova Municipalities, with no executive authority.

 The agreement also calls for Serbia not to block Kosova’s progress toward EU membership. This paves the way for countries to recognize Kosova, especially the five EU non recognizers – Cyprus, Greece, Romania, Slovakia and Spain. Additionally, as a result of the agreement, the EU has indicated they would like to begin immediate discussions on the Stability and Association Agreement.

 The acceptance of the agreement by Kosova’s parliament is a commitment by the country’sleadership to ensure that the people of Kosova move forward with their lives, and brings them closer to the EU family of nations.

 

Filed Under: Kronike

Vetështrydhja e një kombit të ndrydhur

April 23, 2013 by dgreca

  “Shteti nuk është asgjë pa popullin dhe një qeveri e mençur  nuk e vendos shtetin mbi popullin, por popullin brenda shtetit” Fredrich Ludwig Jahn/…

–  Si u ndrydh historia e një kombi? Çka ka të ndrydhur ne Zip-in e mëshefur të historisë sonë? Çfarë është ky komb kaq interesant?

 Shkruan Fahri Xharra-Gjakove/

  Të ndrydhësh do të thot të ngjeshësh diçka për të zënë vend më pak.Brumi ndrydhet. Ndrydhet edhe ajri. Ndrydhja është kur nuk e  lë diçkafin  apo dikë të shfaqet apo zhvillohet lirisht duke i krijuar pengesa a vështirësi ,duke e ngushtuar,duke e penguar apo shtyp. Por, këtu e kam fjalën për kombin tonë të ndrydhur; të ndrydhur nga mëndimet ,nga ndjenjat dhe nga dëshirat.Të ndydhur nga hovi ,të ndrydhur nga personaliteti.

Një komb i ndrydhur , i mbyllur në vetvete , i ndrydhur nga ndrojtja e nga frika.Një komb, i vrenjtur ,i rrudhur,i ngrysur: i kufizuar e i penguar në zhvillim,në çfaqje të lirë të mëndimeve . Një komb, që jetuam në një mjedis ndrydhës me me ndjenjë të rëndë shtypëse:me një trishtim ndrydhës e që na dukej qetësi -e ajo ishte qetësi ndrydhëse.

Na mbanin të ndrydhur me dëshira të ndrydhura, me fuqi,vullnet dhe jetë të ndrydhur.

Edhe hapësirën na e ndrydhnin.Shikoni hartat  se ku ishim , se cilat detëra i lagnin brigjet tona . Duke u (na) ndrydhur u ( na) tkurrëm(n) në një vend  që na ofronte vetëm ndrydhje mendore,intelektuale dhe vetvepruse.

Me anë të ndrydhjes na e ndrynë edhe të kaluarën tonë; ashtu të mbyllur në një vend pa kreanari, të këputur nga lidhjet ndërveti  e me të tjerët.

Të gjithë , sot e njofin se ç`është Zip-i , një arkivë e formatuar  e cila mundëson që sa më shumë të dhëna të ndrydhen në një vend që mos të zënë vend në kompjuterin tonë. Zip-in e krijoi me 1989 Phil Katzi. Zip-i na mundëson që t`i ndrydhim(komprimojmë) shënimet tona të shumta duke përdorur metoda të ndryshme apo thjeshtë duke i magazinuar të dhënat tona.Çdo e dhënë e ndrydhur me anë të Zipi-t ruhet veçmas dhe shfletohet po ashtu veçmas., sepse ato duke u ruajtur veç e veç ,pa e trazuar terësinë nxirren jashtë ato që na duhen.Një shigjetë treguese është e vendosur në fundin e Zip-t.dhe ajo ne tregon se cilat të dhëna janë dhe ku janë . E lehtë a?

     Si u ndrydh historia e një kombi? Çka ka të ndrydhur ne Zip-in e mëshefur të historisë sonë? Çfarë është ky komb kaq interesant?

”Po, kush ishin këta pellazgë, që u “sorollatën” si zot të deteve (deti Jon) dhe iu dhanë atribute të Perëndive, Mbretërve të tyre të famshëm? (shiko Niko Stillo “Etruskishtja Toskërishte”).Këta banorë të parë europianë, që u shtuan në shumë “fise” dhe “fara”, i lanë jo vetëm një arkiv të pasur gjuhësor, por edhe të zbulimeve shkencore, kulturore dhe fetare, shoqërive të mëvonshme në Europë dhe bashkëkohëse në Afrikën Veriore, Azinë e Afërme dhe të Largët e deri përtej Oqeaneve. Gjithashtu, krijuan modele të drejtimit të shtetit dhe të edukimit të elitave të ardhshme, që frymëzuan edhe intelektualët e Rilindjes europiane të shek. 18-19. Një trashëgimi kaq e pasur e lashtësisë europiane, e krijuar gjatë 50 000 – 150 000 viteve, sepse gjuhët e njeriut të sotëm mendohet të jenë zhvilluar gjatë kësaj periudhe kohorenuk mund t’i mbanin vetëm shpatullat disa shekullore të Greqisë, që fillon me shek. 6 p.k. me botimin e poemave të Homerit.( Fatbardha Demi)

“Gabimi më i madh i kryer ka qenë, sepse Greqia është vendosur në qendër të të gjitha studimeve historike dhe gjuhësore”, megjithëse nga Homeri “Helenët nuk janë cituar kurrë si popull apo si komb”.

“Përkrenarja e famshme me brirë (cjapi apo dashi) që mbante Pirro II (319-272 p.k) ishte e ngjashme me atë të Aleksandrit të Madh. Të njëjtën përkrenare mbante edhe heroi kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti (1405-1468). Kjo vërteton zanafillën e përkrenares me brirë që mbahej nga sovranët, në veçanti nga ata me zanafillë thrako-ilire (Arif Mati)”

Ky ishte një Zip e ne nuk guxonim të flisnim.

Pastaj Zipi tjetër  nga Roma , Turqia dhe Serbia. . Ndrydhje e pashembulltë ndaj një populli me prejardhje të lashtë e super të lashtë.Neve na ndrydhën të kaluarën ( na e futën në Zip) : pa kurrëfarë mundësie që ta ç`ndrydhim dhe dualën me shënimet e tyre të cilat ia shpërlanë trurin botës e  për ne as mos të flasim. Na shanë, na anashkaluan sikur mos të kishim qenë kurrë këndej pari. Na bënë ”bisha” na ”ngjitën” bishtin e se ç`na thanë. Të gjitha duheshim t`i përpinim dhe besa filluam edhe t`i zënim besë se me të vërtetë ” ishim ”po ata  , ashtu si shkruhej për ne.

Një gjë interesante me këtë trenin e historisë i cili nuk ka të ndalur dhe në të hypin dhe zbresin nga më të ndryshmit , nga më të  … por të fundi i fundit  të gjithë janë udhëtarë ,dhe duhet të kryejnë një mision natyror . Neve ,natyra na i kishte pas pasë dhënë biletat për në vagonat e parë me numra të caktuar të ulëseve .. Dhe udhëtonim.

E fituam atë që nuk e kishim me mileniumedhe krijuam shtete por  kur filluan gjërat të ç`ndrydhen dhe Zipi filloi të hapët ; filloi gjiçkafi por  duke e harruar që Fredrich Ludwig Jahn, theksonte kuptimin politik të idesë kombëtare: “Shteti nuk është asgjë pa popullin dhe një qeveri e mençur, nuk e vendos shtetin mbi popullin, por popullin brenda shtetit”

Për kundër asaj që i kemi biletat për ato ulëset e vagonave të parë të klasit të parë;  ardhësit po mundohen që ato të na i shkyejnë ,dhe këto vende që memzi i kemi rujtur të na i zënë dhe të na gjuajnë ,të na hedhin poshtë nga treni i historisë i cili kurr nuk ndalet.

Kur filluam pak të shlirohemi , të marrim frymë më lirëshëm, të ngopemi me ujë se na mungonte edhe lagështira në ato ndrydhje të pamëshirëshme,filloi shtrydhja  e re mbi ne. Filluam edhe te vetështydhemi.Shtrydh ata ,shtrydh ne, dhe kend? Një popull të ndydhur.

”Dhe nga këtu e ke tepër zor me ia mbushur mendjen njeriut të fillimshekullit të ri, se, o krijesë e vetme me gjykim, vetëdije e të folme, sikur kot se koti je duke djegur çastet e jetës tënde për t’u bërë zot e për mbi zot mbi planetin e tokës, sepse, përvoja e jetës brezave u ka lënë porosi: Ti mund ta blesh shtratin, por jo edhe gjumin. Ti mund ta blesh orën, por jo edhe kohën. Ti mund ta blesh librin, por jo edhe dijen. Ti mund ta blesh ilaçin, por jo edhe shëndetin. Ti mund ta blesh gjakun, por jo edhe jetën. Ti mund të blesh tërë armët e botës, por jo edhe lirinë.” (Riza GREIÇEVCI)

Vazhdimësia iliro-shqiptare? Skënderbeu ? Nënë Tereza?  Ndërrimi i historisë?S`ka nevojë të futem në detaje.

Të përfundoj me shkrimin e Fatbardha Demit: Vetëm atëhere, kur historia e Arbërve, do të zëre vëndin që i takon në Historiografinë e Lashtë Europiane dhe atë Botërore, vetëm atëhere, historiografisë së lashtësisë, do t’ikthehet MORALI i saj shkencor.

Gjakove, Prill 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: e nje Kombi te ndryshur, Fahri Xharra, gjakove, vetshtrydhja

POEZI-SOFRA POETIKE E DIELLIT- POEZI

April 23, 2013 by dgreca

SOFRA POETIKE E DIELLIT/

NE MARATHONEN E BOSTONIT/

 NGA JULIA GJIKA/

 Ata ishin aty me Fitoren, e duartrokitën./

Edhe pëllëmbët e vogelushit 8 vjecar Martin./

I gëzoheshin me brohoritje sekondës vendimtare/

Që fija e flokut e ndau për ta kthyer në kasaphanë./

Djalli kishte punuar për të qënë preciz./

Flamujt e gjithë botës ulen koken,/

Te mbledhun tok si viktima s’pipetinin./

Djalli ishte bërë xheloz.

Kur pa botën në Boston bërë një shtëpi.

Amerika dhe engjëjt e saj,

Në një sekondë të pambrojtur.

U këputën balonat nga duart e fëmijve

në hapesirën e mbushur nga tymi e britmat ngriheshin trishtushem

I shtynte fuqia e zërave që pyesnin ajrin mes ngashërimit:

Kush e bëri, përse e bënë?

Dashuria nuk merte përgjigje.

Martini, kurrë s’do të kthehet në shtëpi

Të luajë me vellanë e madh dhe motrën e vogël 6 vjece.

Ajo ka humbur një këmbë

E ai kurrë nuk do t’a dijë.

Si bir të cmuar

Amerika e vendosi në mozaikun e zemrës.

Ky gjak i pafajshëm që u derdh në Prill

Si shirat që ushqejnë pranverën

Këto të qara që botën prekën

Nuk harrohen!

 

ILIR SPATA

 

Kur mblidhen vatranët

Kur mblidhen vatranët vijnë grimca atdheu
E vatrën me hi e mbushin me prush.
As rrugët e gjata, mërgimi, s’i theu
Po mbahen të fortë, s’i përkuli askush.
Ashtu kokë më kokë një kange ja marrin;
Lëndinës së lotëve a Fushës së korabit.

Kur mblidhen vatranët, të rinj, të moshuar
Një dritës atdheu shkëlqim kanë në sytë.
Qeleshet e bardha mbi ballet rrëzuar
Majëmale shqipëtare të lara me dritë.
Mbi ftyrat brazduar një brengë u lodron
Për motet që shkuan thellë malli trazon.

Larg, vatrat e lana, një nanë që qan;
Një rreze agimi që u ndriti një shteg
Një prag i braktisun me gurët kallkan
Si fat ogurëzi përmbrapa i ndjek.
Ke mall edhe digjesh t’i rrokësh, pushtosh
Si hije t’faniten s’të lanë të gëzosh.

Me vite, dekada, në pritjen e gjatë
Veç nana kujtohej, përmallej për ta.
U zbardh edhe floku që thinja nuk pat
E trupi fidan u thye e ra.
E shpirti zhuritun e priti këtë ditë
Rreth vatrës vunë prushin që kishin në sytë.

Trazuan në netët e ngricat, acar
Me andrrat ma të bukura një shpresë mikluan;
Se akujt do shkrijnë e Dielli do dalë
Të shihnin sërish ca gurë, përmalluar.
Të binin në gjunjë e puthnin atë Dhè
Me lotët për faqesh t’u rrjedhun rrëkè.

Kur mblidhen vatranët, bashkohet atdheu;
Veri edhe jug, gjithë gjaku i shprishë.
Nga Leka e burri e gjer Skënderbeu
Lanë vorret ku flenë e zgjohen sërish.
Zanë flasin me ne e hallet bashkë ndajmë
Rreth vatrës ku prushin të shuhet s’e lajmë.

Na mblodhën gëzimet e hallet sa herë
Atdheut matanë t’ja jipnim një dorë.
Njuë gja që s’e ke e din sa ka vlerë
Se larg na degdisi ky fati mizor.
S’na ngopën rrugnajat e vatrat në botë
Ndaj zumë një tonën t’na mbledhë, mbajë ngrohtë.

E mbajtëm një rreth me mund e me zor
Herë hapej, herë rrudhej në motet e ligë.
S’e lamë që të shuhej, qe shpresa e jonë
Që ruanim në zemrat lënduar me thikë.
Nga baltë e atdheut që gjatë s’na kuptoi
Në zgjimet e befta braktisi, harroi.

Ne kurrë nuk u sprapsëm, rreth vatrës bashkuar;
Nga ernat, stuhitë e mbajtëm atë zjarr.
Se gja jo nuk vlen, një vatër e shuar;
Një grumbull me hi i ftohët si varr.
Asnjeri nuk ngrohet, askush ma nuk vjen
Veç heshtjes si vdekje që shpirtërat përzen.

U mblodhën vatranët nga janë e nga s’janë
Rreth prushit të moçëm, të vjetër, të rinj.
Në kohë të reja prapë hallet t’i qajnë;
Të qeshin, këndojnë, si banin fëmijë.
Ca kangë atdheu t’i çojnë gojë më gojë
Që mallet t’i reshtin e prushet trazojnë.

Në sallat përplot kushdi sa nuk janë?
Në muaj e vite përcollëm pa kthim.
Një lule të kuqe mbi ndenjëse kanë lanë
Si copëz flamuri e ngelun jetim.
Mes heshtjes e mallit përcjellim ca fjalë
Pastaj e harrojmë se s’jeni ma gjallë.

Çfarë flas edhe unë, ju jeni aty
Në kangët e fjalët, në gotat që ngremë;
Fytyrat gjithë gaz e dritën në sy
Ne prushit të vatrës pa shuar e gjejmë.
E marrim nga pak e ndezim prapë zjarre
Që brezat që vijnë t’mos shohin acare.

E sa herë që të mblidhemi do vini dhe ju
Të ngremë ca gota e kujtojmë ndonjë çast,
Kërrusun nga motet, nga hallet randue
Sa frikem mos ikni e druhem t’u flas.
Ju kundrojmë ashtu, të qetë e të bardhë
Si andrrat me dritë që priten pa zbardhë.

Kur mblidhen vatranët, sa hoka e fjalë
Sa gaz edhe dritë u sheh nëpër sytë?
Në valle tek hidhen një çikë e një djalë
Qerpikë që rrëzohen shikimesh pa pritë.
Një iso e zgjatun trazon matanë,
Motiv i përjetshëm: “ Të lamë mor, të lamë!”

Të lamë, po të lamë, o i shtrenjti atdhe
Me vatër e gurë e nanën në prag.
Veç trupi ka ikun se shpirtin e ke
Aty ku jam lindur qofsha afër a larg!
Ndaj ngritëm këtë vatër ta kemi si Ty.
Që dritat e shpresës mos t’na shuhen në sy.

Kur mblidhen vatranët vijnë grimca atdheu
Nga bota e gjanë ku janë edhe rrojnë.
Një grusht me prush që zemrat ua shqeu
Trazojnë së bashku me sytë rrëmbushë.
U lamë vërtet ju o lisa e gurë
Po zemrës e mendjes s’u hoqëm jo kurrë!

Na e bani hallall dhe mundin dhe gjinë
Dhe ujin e gurrave që bjeshkëve pimë

 

AGIM DESKU

 

BASHKIMI KOMBTAR

Në çdo kohë
të kërkova
bashkë me nënat që linden
ushtarë atdheu.
Nëpër secilin lapidar të kërkova
edhe të gjeta.
Për pak liri të kërkova
deri në Shën Stefan e Berlin,
aty ku çdo vit mbledhja trupt e coptuar
të vendit tim.
Si ditar i rujta me vite kujtim
për brezat që pas vijnë.
Për emrat që i kërkoj
nëpër sa e sa luftëra
të rënë dëshmorë,
edhe në emër e zemër
të secilit shqiptar
që lind e rritë shqipe.
E ka si traditë të flasin shqip
denbabaden në Iliri,
ku zoti e krijoj vetëm Një Shqipëri
dhe Shqipet e maleve e ruajnë brezave të ri
e ruajnë nëpër këngë e lahuta
edhe nëpër oda me huta.
E shkruaj në vargun tim
edhe te secilit poet
që di të thurë fjalë
rreshta për Atdheun e Madh
që na fali zoti si dikur
të bashkuar njëhërë moti,
në Besën shqiptare e Lidhjen e Prizrenit,
në Verrat e Llukës, në Malësi e Çamëri.
Edhe sa herë të vdesim për të qenit shqiptar.
Më thuaj cilën kohë të pres e të vdes,
apo të pres prap edhe një traktat të Shën Evropës.
Të kërkoj të zhdukurit nëpër varrezat masive
si sot e dhjetë vjet si sot e njëmijë vjet.
Sonte e shkruani këtë fjalë
që e pritëm me mallë.
Me lotë nënash ,motrave e fëmijë bonjak
dëshmorë për atdheun e lirë.
Sot e shkruaj me këtë fjalë
Është më u çmuar se ari
E shkruaj BASHKIM
E shkruaj Agim
E shkruaj Shqipëri
E shkruaj Kosovë
e shkruaj liri
e shkruaj Çamëri.

 

VATRA

Gjon Kaçaj*

 

Me ngritë lisin ra për tokë

Lidhen besen, hiri i Zotit

Si stuhia që bie në New York

Pagëzuan “ Vatra” Nderi i  Kombit

 

Komb quhen vatrat tona

Rrënjët, trungu e kunora

Me dragonj e cicerona

Ku e thur folenë shqiponja.

 

Kush e thek buken si Vatra

Kush e ndanë në kafshata

Atë Fan Noli e Konica

Flakada nga Amerika.

 

PAJTORI

 

Nga varri i të gjallëve shpëtoi

Syrit-vampir, t’hafijeve skmanorë

I mpirë prej ftohjes, urisë e zinxhirit

Flakada shtrin dorën e pajtimit.

 

VULLNETARVE

 

E vështirë t’u shtrishë dorën e pajtimit!

Gjallë të dërgjen n’guacken e  kërmillit.

Leri të enden në tymnajat e ferrit;

Duke u jargosur, s’ka Zot, Lavdi Enverit!

 

Krimet s’i lanë deti as mbreti

E jo zhaba thithëlopë i “njëjti”

Leri kërmijtë e krimbat e kuq

Bindu Evropë dhe bindi në mundsh!

* Ish Nënkryetar i të Burgosurve Politik të Shqipërisë

 

Vjollca (Safa) Musa

 

AMERIKA, VENDI I ENDRRAVE RINORE

 

Kur te rinj ishim, nje deshire kishim

Ameriken te shifnim, pastaj le te vdisnim

Se e kishim pare ne filmat hollivudiane

Por donim t’a shifnim ne jeten reale.

Por ce do se kjo enderr mbeti pa u realizuar

Se ne ishim te rrethuar

Se monizmi fort na kishte izoluar

Dhe boten s’na linte per t’a shikuar

Se kishte frike nga demokracia

Dhe i ikte nga duart popullsia

Pastaj kerkonin edhe ata liri

Dhe vendosnin demokraci

Se na thonin, ec’nuk na thonin

Te qena e te pa qena!

Se ne bote ka mjerim, dhe ha njeriu njerin!

Por ne edhe pse I degjonim, kurre nuk I besonim

Se neper filma , fshehur I shikonim

Se si njerezit andej jetonin.

Pastaj, avash-avash, gjendja u trash

Kupa u mbush, dhe njerezit u ndezen si prush

Ne revolte u ngrit rinia dhe u vendos demokracia

Njerezit ishin te lire dhe jetonin me deshire

Por prape nga qe ishte fillimi, kishin frike nga rikthimi

Prandaj rinia edhe pse demokraci formoj

Ne vendet e enderruara emigroj

Ku ponojne me ndershmeri dhe jetojne ne liri.

Edhe une ne kohen e pleqerise, realizova nje enderr te rinise

Ne Amerike erdha per te jetuar dhe jeten per ta shijuar

Ketu me pelqen se jeta eshte e qete dhe se vertet ketu ka shtet

Ka ligje ne fuqi, qe denon gabimet qe ben cdo njeri

Ka shtepi, pune e siguri, qe s’le te vuaje njeri

Po te kesh vullnet te mire realizon cdo deshire

Ka pasterti dhe gjelberim, qe tem bush plot gezim.

Pra, kjo eshte Amerika e enderruar

Qe cdo deshire ke mundesi per ta realizuar

Se eshte vendi i lirise dhe demokracise se vertete

Qe te mos vuash kurre ne jete.

 

 

 

LIBRI ËSHTË DIELL

Poezi nga ALBERT ABAZI (HABAZAJ)*

 

 

Eduard de Ver, Lartësia e tij Shekspir

Vjen si shenjt e takohet me ne i qeshur,

i jep bibliotekës dritë e hapësirë

dhe shpresën në kutinë e Pandorës mbetur.

 

Vjen Shekspiri me frymën e hyjnorëve të tokës,

me të erdhën gjithë: nga Homeri te Sidorela,

herë si rruzuj të bukur me ylber rreth botës,

herë si në det anijet e bardha me vela.

 

Vjen Shenjtëria e Penës nga Parajsa shenjtërisht,

Na kujton thesarin e fluturon prapë në  Qiell;

Dhe me nderim të thellë e adhurojmë sinqerisht

Dhe ngrohemi nga rrezet e librit, se libri është diell.

 

Vlorë, 23 prill 2013

*23 PRILLI – DITA BOTËRORE E LIBRIT

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Agim Desku, e Diellit, Ilir Spata, Julia Gjika, Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT