• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2013

Horror ne Londer, ushtarit i presin koken me hanxhar

May 22, 2013 by dgreca

Ngjarja ishte e tmerrshme. Një ushtar u masakrua ne menyre cnjerezore dhe gjeti vdekje te tmerrshme;  pasi u vra nga dy persona të armatosur në një sulm të çmendur në një nga rrugët e Londrës. Qeveria angleze po e trajton këtë si një akt terrorist. Kryeministri britanik, David Cameron, ka thënë se ka indikacione të fuqishme se sulmi në Londër mund të jetë “incident terrorist”. Duke folur në një konferencë për gazetarë në Paris, Cameron ka thënë se sulmi është “absolutisht i neveritshëm”.Ai ka bërë të ditur se do të shkurtojë qëndrimin në Paris dhe se do të kthehet në Londër.Të mërkurën, policia britanike ka thënë se ka qëlluar dhe plagosur dy të dyshuar për vrasjen e një personi jashtë një objekti ushtarak në juglindje të Londrës. Disa media raportojnë se viktima ka qenë ushtar britanik.

Në një video që ka transmetuar televizioni ITV, njëri nga sulmuesit e dyshuar ka thënë: “Betohemi në Allahun e Plotfuqishëm se nuk do të ndalojmë kurrë së luftuari ndaj jush”. Dëshmitarët tregojnë për skena horror. Ushtari u godit me makinë dhe më pas trupin e tij e copëtuan me hanxhar në mes të rrugës. Mendohet se ata ia prenë kokën ushtarit.

Dy të dyshuarit u plagosën gjatë një konfrontimi me armë me policinë dhe janë dërguar në spital për trajtim. Një video e personit që kreu aktin ka nisur të qarkullojë online. “Betohemi për Allahun e plotfuqishëm se nuk do ndalojmë së luftuari me ju,” tha personi i akuzuar për sulmin. Ai kërkoi falje për femrat që ishin dëshmitare të kësaj

 

Filed Under: Kronike Tagged With: ne Londer, sulmi terrorist, ushtarit i pritet koka

NJU JORK:Krimet e urrejtjes janë ulje, por sulmet Anti-Gay janë në rritje

May 22, 2013 by dgreca

Komisioneri i Policisë Ray Kelly : “Ka pasur në përgjithësi që nga viti i kaluar, një rënie të madhe të krimeve dhe vrasjeve, të cilat kanë rënë deri në 30 përqind, ndërkohë, që krimet kundër homoseksualëve janë rritur me më shumë se 70 përqind”

Nga BEQIR SINA, New York City/

NEW YORK CITY : Dje pasëdite në selinë e stacionit qendror të poliicisë “Police One” në qytetin e New Yorkut – Mahattan, në një konferencë për shtyp Kryetari i Bashkisë Bloomberg dhe Komisioneri i Policisë Ray Kelly kan shpehur indanjatën e tyre; ndaj krimeve të urrejtjes, atyre anti-gay, të cilët kan marrë një përhapje kohët e fundit në qytet, ku këtë fundjavë përfshihej edhe vrasja e Mark Carson, në një lagje të populluar nga ky komunitet – Greenwich Village.

Numbëri 1 i policisë së New Yorkut, zoti Ray Kelly, u tha mbrëmë gazetarëve; sot se ndërsa krimet e urrejtjes në qytetin e New Yorkut, pesë lagjet e mëdha përfshirë Mahattanin, kanë pasur në përgjithësi që nga viti i kaluar, një rënie të madhe të krimeve dhe vrasjeve, të cilat kanë rënë deri në 30 përqind. Ndërkohë, pohojë ai që është për të ardhur keq – se krimet kundër homoseksualëve janë rritur me më shumë se 70 përqind.
Më poshtë zoti Kelly ka sqaruar se ” Ka pasur 29 sulme anti-gay deri tani për këtë vit(2013), krahasuar me 14 që kishin ndodhur në këtë kohë vitin e kaluar(2012). Kelly tha gjithashtu se këto sulme kishin ngjarë më shumë në Manhattan, dhe theksoi se sulmet me paragjykim ishin më pak të denoncuara nga qytetarët.

Dy më të “fuqishmit” e New Yorkut, Kelly dhe Bloomberg – mbasi dënuan këto krime kërkuan nga njujorkezët që edhe ata të i vijnë në ndidhmë policisë dhe të raportojë përpara se të ndodhin këto krime në polici, natyrisht në se konstatojnë ndonjë rast të këtillë.
Gjatë konferencës për shtyp, Kelly ka dhën më shumë detaje në lidhje me rastin më të fundit të sulmit ndaj homeseksualve në New York. Ai foli në lidhje me një sulm me paragjykim ndohur në lagjen East Side, natën e kaluar, që la një njeri të gjakosur dhe të goditur me mjete të forta. Hetuesit thonë, shtoi Kelly, se viktima, Dan Contarino, e dinte sulmuesin e tij për rreth një muaj më parë.

Më pasë në këtë konferencë shtypi e mori fjalën dhe Kryetari i Bashkisë së qytetit të New Yorkut, bashkisë më të madhe në vend Michael Bloomberg

Ai tha se “Të premten e kaluar, vrasja e një djaloshi, të quajtur Mark Carson ka tronditur qytetin tonë Ai u vra për shkak të orientimit të tij seksual -.. Dhe ska asnjë dyshim që është vrarë vetëm për shkak të orientimit të tij seksual. Ky rast ishte një krim gjakftohtë me motive urrejtje që i shkurtojë jetën e një të riu me të ardhme – dhe solli kujtime të tmerrshme në qytet, për njerëzit që dikur nuk kishin frikë të ecin nëpër rrugë me personin që ata donin, qoftë ky Gay” “Fatmirësisht, ne kemi bërë një rrugë të gjatë që nga ato ditë, – por vrasja e Mark Carson është një kujtesë tragjike, se sa mbrapa jemi kthyer dhe na tregon se kemi ende rrugë për të bërë për të shkuar përpara”, deklaroi Kryetari i Bashkisë zoti Michael Bloomberg.
Edhe Komisioneri i Policisë së New Yorkut, zoti Ray Kelly pohoi të njëjtën gjë: “Në javët e fundit, ka pohuar ai ka pasur një numër incidentesh, ku njerëzit ishin sulmuar, verbalisht dhe fizikisht, për shkak të orientimit të tyre seksual. Dhe vetëm në 24 orët e fundit, New York Police Department ka verefikuar dy incidente të tjera në qytetin e New Yorkut, ku sipas policisë u sulmua dhunshëm për shkak të orientimit të tyre seksual tre çifte gay”.
“Të dyja këto incidente u zhvillua në Manhattan – shtoi Komisioneri Kelly dhe fatmirësisht, në këto dy raste askush nuk u vra – por sjellin një moment në qytetin tonë të neveritshëm, apo as më pak të pranueshm në qytetin e New York i cili ka zero tolerancë për ata që fusin intolerancën”.
Numbëri 1 i policisë së New Yorkut, zoti Ray Kelly u tha gazetarëve dje në konferencën për shtyp, se: “Ne jemi një vend që feston diversitetin – një vend ku njerëzit nga e gjithë bota vijnë për të jetuar pa paragjykime dhe persekutimin. Krimet e urrejtjes si këto janë një vepër penale kundër të gjithë neve si qytetarë njujorkez,- dhe ne së bashku do të bëjmë çdo gjë të mundshme për të ndaluar këto lloj krimesh me motive të urrejtjes seksuale, por edhe ato në qoftë se janë për shkak të urrejtjes bazuar në racën, gjininë, orientimin seksual, religjionin, apo përkatësinë etnike.” tha theksuar zoti Kelly.
“Kjo është arsyeja pse ne punojmë shumë për të mbrojtur çdo komunitet që është viktimizuar nga krimet e urrejtjes, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi rritur patrullimet në zonat ku kanë ndodhur krimet e urrejtjes,” potencoi Komisioneri Kelly .
“NYPD, megjithatë, mund të bëj vetëm një pjesë të caktuar për të mbrojtur njujorkezët nga dhuna, por edhe qytetarët duhet ta ndihmojnë policinë duke denoncuar këto krime më parë se të ndodhin. Ne do të bëjmë çdo gjë që ne mundet të bëjmë dhe ne do të ndjekëm penalisht, në masë të plotë të ligjit, kushdo që kryen krimet e urrejtjes, të çfardo lloji qofshin ato. Por të gjithë ne mund të bëjmë më shumë, për t’i dhënë fund krimeve të urrejtjes dhe tolerancës në New York edhe: si prindër, si mësues, si miq, dhe si anëtarë të këtij komunitetit.

 

Filed Under: Komente Tagged With: gjendja e krimit, New York, sulme anti-gay

GJËNDJA E LIRISË FETARE NË BOTË

May 22, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

“Mbi të gjitha të drejtat që Amerikanët i konsiderojnë të shënjta, është liria për të ushtruar fenë sipas dëshirës….ne e dimë gjithashtu se liria e fesë nuk është një e drejtë vetëm për amerikanët,  por ajo është një e drejtë universale që duhet mbrojtur në këtë vend dhe anë e mbanë botës.  Këjo liri është pjesë e pandarë e dinjitetit njerëzor dhe pa ‘të, bota jonë nuk mund të ketë paqë të qëndrueshme.”    Presidenti Barak Obama

Të hënën, Departmenti Amerikan i Shtetit (DASH) botoi raportin vjetor mbi lirinë fetare në botë, bazuar në aktin e Kongresit Amerikan për Lirinë e Fesë në botë, ligj ky i miratuar 15 vjetë më parë.  Në përmbledhjen e raportit të këtij viti, DASH thotë se me këtë ligj, qeveria e Shteteve të Bashkuara bëri një deklaratë të guximshme në mbështetje të atyre që janë të shtypur dhe të përsekutuar, vetëm e vetëm se dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e praktikimit të fesë së tyre.  Raporti i DASH e bën të qartë se ky ligj, përveç se mbron të drejtën e individit të ushtrimit të fesë — ai mbron gjithashtu edhe të drejtën për të mos besuar — si një e drejtë universale e njeriut.   Ky ligj gjithashtu detyron DASH, që të botojë çdo vit një raport për të venë në dukje nëse qeveritë anë e mbanë botës e mbrojnë ose jo të drejtën universale të fesë.

Liria e fesë dhe e drejta për ushtrimin e saj, sipas dëshirës  së individit, plotëson një nevojë të madhe të njeriut, thuhet në raport, dhe se nevoja për lirinë e fesë bëri që pelegrinët e parë të largoheshin, për arsye të shtypjeve fetare, nga Europa për në Amerikë, shekuj më parë dhe këjo e drejtë njëkohsisht  është e vulosur në Kushtetutën amerikane si një prej të drejtave bazë të njeriut.   Mirëpo, DASH në raportin e tij  mbi lirinë fetare në botë thotë se këjo e drejtë nuk është aspak një e drejtë eksklusive amerikane, duke shtuar se të gjitha shtetet anë e mbanë botës janë angazhuar për të mbështetur lirinë fjalës, lirinë e ndërgjegjës dhe lirinë e fesë, që është gur themeli dhe standardi botëror për mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës ç’prej vitit 1948.

Por, megjithkëtë,  këjo e drejtë universale e lirisë së besimit, sipas raportit, është sfiduar  duke u abuzuar në shumë vende të botës, ndërkohë që qeveritë kanë krijuar një “atmosferë jo toleruese” që shpesh ka çuar në urrejtje dhe dhunë fetare.  Raporti thotë se ndërsa shumë shtete anë e mbanë botës, respektojnë dhe mbrojnë të drejtën e fesë, shumë vende dhe qeveri  të tjera, fatkeqsisht, nuk e mbrojnë këtë të drejtë bazë, duke kufizuar në mënyrë aktive këtë të drejtë nepërmjet  miratimit të ligjeve shtypëse, ndërsa pjesëtarë të shoqërisë sulmojnë bashkqytetarët e vet në bazë të urrejtjes fetare dhe nuk kërkohet llogari nga ata që kryejnë dhunë të tilla, sidomos kundër anëtarëve të besimeve minoritare.

Raporti i përgjithëshëm vjetor përfshinë kapituj për pothuaj 200 shtete dhe territore duke përshkruar për secilin vend ligjet, politikat dhe praktikat e qeverive të ndryshme, për vendet që mbrojnë dhe respektojnë lirinë fetare, dhe njëkohësisht dokumenton, edhe shtypjet, dhunën dhe urrejtjet  fetare për shtetet të tjera.   Në raport thuhet se, Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerri e ka bërë të qartë se këto raporte duhet “të jenë të sakëta, objektive, të hollësishme dhe të sinqerta.”   Kryediplomati amerikan tha se liria e fesë është një e “drejtë që çdo person gëzon që prej lindjes”, dhe konsideron se  “sulmet kundër lirisë së fesë janë një shqetësim jo vetëm moral, por përbëjnë shqetsim edhe për sigurimin kombëtar të Shteteve të Bashkuara”.

Ndër vendet kryesore abuzuese të lirisë së fesë, që renditë raporti janë, Kina, Korea e Veriut, Arabia Saudite, Siria, Rusia, Uzbekistani, Irani, Turkemenistani, Taxhikistani, Azerbajxhani, Kuba, Sudani,  Eritrea, Pakistani.   Në raportin vjetor mbi lirinë e fesë në botë thuhet se të “krishterët janë bërë objekti kryesor i abuzimeve dhe diskriminimeve shoqërore” në disa vende të botës dhe shton se edhe grupe minoritare myslimanësh kanë vuajtur abuzim e diskriminim, veçanërisht në ato vende ku ata konsiderohen nga shumica myslimane, si “heretikë ose të huaj”.

Në raportin mbi lirinë e fesë në Shqipëri thuhet se kushtetuta, ligjet dhe politika mbrojnë lirinë fetare dhe qeveria, në përgjithësi, respekton lirinë e fesë e të besimit, duke shtuar se nuk kishte raporte mbi abuzime ose diskriminime shoqërore, bazuar në praktikimin e fesë.  Qeveria, thuhet në raport, ka vazhduar të merret me kërkesat e grupeve fetare për këthimin e pronave komuniteteve fetare, por megjithkëtë,shumë prej këtyre kërkesave mbeten të pazgjidhura.

Edhe raporti mbi Kosovën thekson se kushtetuta dhe ligjet e vendit mbrojnë lirinë e fesë në praktikë,dhe në përgjithësi, qeveria respekton lirinë fetare.  Udhëheqsit fetarë, thotë raporti, kanë folur për një mungesë mekanizmi që do t’i lejonte ata të regjistroheshin dhe të merrnin status ligjor, gjë që ka krijuar një numër sfidash praktike në kryerjen e ativiteteve të tyre të përditshme.

Në përfundim, raporti citon Sekretarin amerikan të Shtetit Xhon Kerri i cili ka thënë në Berlin në Janar se, “si shtet,dhe si shoqëri, në jetojmë dhe ekzistojmë bazuar në idenë e lirisë së fesë dhe të tolerancës fetare, cilado fe qoftë…”   Qeveria e Shteteteve të Bashkuara, nepërmjet diplomatëve të saj, do të vazhdojë të tërheq vëmendjen ndaj abuzimeve të lirisë fetare kudo që të ndodhin dhe do të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion e tyre për të inkurajuar, për të mbështetur dhe për të mbrojtur të gjithë ata, liria fetare e të cilëve kërcënohet, përfundon raporti i DASH mbi Lirinë Fetare në Botë.

Filed Under: Komente

30 Tregime nga shkrimtari Vullnet Mato

May 22, 2013 by dgreca

Shkrimtari Vullnet Mato sapo ka botuar librin me tregime”Herbare Njerezore”. Libri përmban 30 tregime të shkruar nga autori kohët e fundit. Urime shkrimtarit!

Sipas njoftimit të ardhur nga Tirana libri është vënë në qarkullim në libraritë kryesore të  kryeqytetit si:”Agolli”, Adrion”, “Albania” etj. Ne i kërkuam shkrimtarit Mato që të përzgjidhte një nga të tridhjetë tregimet për lexuesit e Diellit dhe ai na e plotësoi kërkesën. Ndiqeni:

 SHPULLA E ËMBËL/

Tregim nga Vullnet MATO*/

Sapo dola në korridor, nga dera e klasës së katërt A, ku kisha mbaruar orën e mësimdhënies, më shkuan sytë befas te vendpushimi para kabinetit të biologjisë. Aty në gjysmerrësirë, Ermali i së katërtës B, tentoi atë çast të puthte me zor, Luljetën dhe ajo e goditi me shpullë rrëmbimthi. Kjo sjellje e pazakonshme e tij, më la pak sekonda të menduar, madje edhe të tronditur. Sepse ai nxënës ishte krijesa ime model, me të cilën kisha punuar veçmas katër vjet radhazi, për ta formuar si njeri dinjitoz, nga i cili mund të merrnin shembull të gjithë të tjerët.

E thirra Ermalin te shkallët, ku u nis të vraponte dhe i thashë, në fund të orëve të vinte patjetër të më takonte te kabineti im i letërsisë. Ai e kuptoi plotësisht që e kisha parë veprimin e tij të mbrapsht me shoqen e klasës dhe u skuq, aq sa nuk e deshi veten që kishte rënë padashur në lakun e syve të mi.

Qysh në ditët e para të ardhjes së tij nga fshati i largët malor, unë e kisha zgjedhur atë djalë të zgjuar, trupvogël, si një brumë njerëzor të pastër, për t’i dhënë formën e një njeriu me intelekt të zhvilluar, me kulturë të bollshme letrare dhe me edukatë të spikatur qytetare. Duke i ushqyer dijet e tij sistematikisht, me libra nga biblioteka ime, duke e mbajtur pranë më këshilla, deri edhe duke i dhuruar këpucët e mia të tepërta për këmbët e veshura keq. Më pas e kisha bërë “koleg” për matematikën, ku ai shkëlqente, t’u shpjegonte problemat e vështira nxënësve të klasës sime në kujdestari, gjatë orëve të studimit. Në fund të fundit, të gjitha këto i bëja, edhe për të matur veten time, se deri ku mund të arrinin aftësitë dhe mundësitë e mia njeri-formuese, si mësues me përvojë njëzetvjeçare. Por gjesti i tij i sotëm më la paksa të zhgënjyer për këtë segment të karakterit të tij të panjohur prej meje. Sepse në drejtime të tjera, ai shquhej për mirë dhe ishte bërë nxënës i dhjetës absolute në të gjitha lëndët.

U ndjeva mjaft i befasuar prej tij, jo se unë isha aq strikt e pedant, sa të mos merrja parasysh, se ai djalë, që tashmë kishte marrë pamje burrërore, me pushin e zi në mjekër dhe me shtatin e hedhur djaloshar, nuk do të lakmonte vajzat, madje edhe t’i puthte ato. Por kurrsesi pa dëshirën e tyre, të bëhej një dhunues, si ai që më kishin zënë sytë pak më parë.

Në fund të orës së gjashtë Ermali më priste kokulur te banka e parë, përballë katedrës dhe u ngrit në këmbë, sapo hyra në klasë. I thashë të ulej dhe mora karrigen time u ula përballë tij. Dukej paksa i turpëruar, por pa ndryshuar ngjyrën në atë fytyrën e njohur mirë prej meje, ku si në një ekran të ndritshëm, lexoja sesi ravijëzoheshin në ngjyra dhe shprehje të mimikës, gjithë ndjenjat e tij. Më erdhi ndërmend ajo fytyra e skuqur shumë nga turpi dhe pendimi, kur e kisha qëlluar me shpullë, si të parin dhe të fundit rast në jetën time prej mësuesi. Për shkak se kishte thyer xhamin e dritares së kabinetit të letërsisë, të kompletuar me paratë e rrogës sime, për mungesë fondesh nga drejtoria e shkollës. Mjedis, ku kisha krijuar të gjitha kushtet për të studiuar pasditeve klasa ime në kujdestari me konviktorë të ardhur nga fshatrat. Ai jo vetëm më kërkoi falje të sinqertë, për atë dëmtim pa dashje, por edhe me pendim të thellë, më qëndroi më afër se kurrë, me një dashuri, sikur të isha prindi i tij i vërtetë.

Në rastin e pazakontë të sotëm, si fillim i hodha vetëm një vështrim serioz të pjerrtë. Por ende pa arritur të hap gojën i pari, për ta akuzuar për sjelljen e tij të padenjë, ai me nuhatjen e mprehtë ku rrihte çekani i bisedës, nxitoi të më thotë:

-Më keni thënë prej kohësh, profesor, se sinqeriteti është e vetmja dhuratë që mund t’i falim njëri-tjetrit dhe unë e kam pasur këtë, si të vetmin postulat në të gjitha komunikimet e mia me ju…

-Këtë e kam konstatuar me kohë, – e ndërpreva kënaqësish që ma kujtoi atë kërkesë, – Prandaj dhe duhet të më flasësh sa më sinqerisht sot, pse ke filluar të bësh akte të tilla rrugaçërie me vajzat e klasës? Aq më keq, me Luljetën, me atë vajzë të urtë e të ndershme që nuk i pranon nga askush këto lloj sjelljesh?

Kur dëgjoi fjalën ”E ndershme” ai formoi në fytyrë një nënqeshje të lehtë paksa ironike.

– Më keni kapur mat, profesor, dhe ju lutem të më falni, por jam i detyruar të flas fare hapur, se nuk kam si të shpjegohem ndryshe. Unë Luljetën e kam dashur dhe kam shkuar me të…

Shqeva sytë mbi fytyrën e tij aq të qetë, sikur të kishte thënë thjeshtë, kam pirë një kafe me atë vajzë.

-Si the, more, si the, ma thuaj edhe një herë?

-Kam pasur marrëdhënie intime me dëshirën e saj…

Deri në ato çaste, dija se Luljeta ishte vetëm shembulli më i qartë, që na jep natyra me përsosjen e bukurisë femërore në moshën e adoleshencës, kur ajo piqet si e tillë. Madje me një pamje aq ekspresive, ajo vajzë fshatare, edhe me një fustan të thjeshtë, tregonte hire vajzërore, me të cilat mund t’i prishte mendjen çdo djali. Dhe padashur m’u kujtua, viti i parë, kur me një mikun tim që i binte organos, organizoja mbrëmje argëtimi me klasën time në kujdestari, për t’i qytetëruar fëmijët fshatarë, Luljeta e turpëruar, i hiqte duart nga supi i djalit, me të cilin kërkoja të mësonte vallëzimin në çift. Si ishte munduar tani, ajo vajzë me këtë djalë që kisha para syve, kishin shkuar deri në ekstremin fundor të formimit qytetar?!…

-Shkova me Luljetën, pas një mbrëmjeje që bëmë deri vonë në konvikt, dhe ajo ma kërkoi vetë. Duke më treguar edhe mendimin e shoqeve të saj, se ajo lloj ndershmërie, për të cilën flitej shumë, ishte vetëm një xham akulli që duhej thyer, për të mos penguar dukjen e anës femërore të një vajze. Dhe unë, që e kisha vuajtur shumë shpirtërisht thyerjen e xhamit të kabinetit, u stepa në fillim. Por duke kuptuar dëshirën dhe vendosmërinë e saj, nuk mund të mos i përgjigjesha me dashurinë time. Pastaj kur mbaruam, ajo më tha papritur, duke u përkulur për të veshur të brendshmet:

– Nuk të vij më. Kjo që bëra me ty sonte do të jetë e para dhe e fundit herë…

– Pse? – e pyeta i çuditur në kulm.

– Nuk më pëlqen ta bëj më këtë gjë.

– Po pse më erdhe, kur s’të pëlqente?

– Meqë e kishin bërë shoqet e ngushta, u bëra kurioze…

Atëherë u mendova pak, si mund ta bindja që të mos hiqte dorë prej meje.

– Do vish se s’bën, se ti më do mua!- i thashë duke qenë i sigurt për këtë.

– Nuk të dua kushedi se çfarë, kisha vetëm simpati për ty dhe kaq.

Më erdhi shumë inat nga ato fjalë, që nuk i prisja kurrsesi prej saj dhe u tregova egoist:

– Do më vish, se po nuk më erdhe, këtë që bëra sonte me ty, do ua tregoj të gjithë shokëve të klasës!…

Ajo ngriu pak sekonda, duke më vështruar me habi, pastaj tha me një zemërim tepër të madh:

-Po më hape namin, do u them edhe unë të tëra shoqeve, që t’u thonë pastaj edhe djemve të tyre, se ti e kishe sa çunat e kopshtit të kalamajve…

U tërbova, o profesor, nga ato fjalë të tmerrshme të dala nga goja e saj dhe menjëherë ia futa me shpullë turinjve. Ajo më vështroi me sy të shqyer dhe pasi u bë spec e kuqe në fytyrë, iku me vrap. Tani jo vetëm nuk më flet fare me gojë, po edhe ikën sa më larg nga unë. Po me thënë të drejtën, profesor, tani sepse kam filluar ta dua më shumë dhe i penduar për shpullën e asaj nate, që ishte një aksident i imi, desha ta afroj me puthjen që pikasët ju. Por mesa duket, ajo sot mori hakën. Dhe qoftë ashtu siç e kuptova unë, një shpullë e ëmbël, vetëm sa për hakmarrje…

E dëgjova Ermalin duke mbajtur frymën pezull nga habia dhe nuk gjeta frymë tjetër për të ndërhyrë me këshilla të panevojshme në intimitetet e moshës së tyre. Duke menduar se me ndryshimet e reja, që po u bënte koncepteve rinore faktori i jashtëm formues, me gjithë mjetet e fuqishme të kohës, unë kisha dalë jashtë lojës. Aq më tepër, atë çast ndjeva tamam, se tashmë, pak para mbarimit të shkollës së mesme dhe marrjes së dëftesës së pjekurisë, ata ishin bërë vetëveprues, sipas botëkuptimit të tyre për jetën dhe unë gjendesha veçse në pozicionin e një spektatori. Megjithatë, edhe disa kohë më pas, më mbeti një pikëçuditje e madhe në mes të trurit, si ai huri i vetëm i një gardhi të rrëzuar, nga i cili, qengjat e dikurshëm kishin fluturuar.

*Tregimi është marrë nga libri “Herbare njerëzore” të shkrimtarit Vullnet Mato, I sapo botuar në Tiranë.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: 30 tregime, Herbare Njerezore, nga shkrimtari, Vullnet Mato

Antoni Athanas – filozofia e një jete të suksesshme

May 22, 2013 by dgreca

Nga Anton Çefa*/

 Hapat e parë në jetë i bëri së bashku me Shqipërinë. U lind një vit më parë se ajo dhe dora-dorës eci mbi truallin e saj vetëm për pak vite. Sepse e la. Por eci gjithmonë dora-dorës me të. E mori me vete. E mori me vete si mall, e mori me vete si dhimbje, e mori me vete si amanet dhe si dëshirë të flaktë për ta ndihmuar dhe për ta nderuar, siç ndihmon e nderon biri nënën e vet.

 U rrit në varfërinë më të madhe dhe u urtësua para kohe. U urtësua jashtë bankave të shkollave dhe larg fjalës së mësuesve. U urtësua në punë.

            I pajisur me dhunti të pasura intelektuale e ndjenjësore, ai që heret e pati sendërtuar një filozofi jete, së cilës i qëndroi besnik tërë jetën. Çdo njeri ka një filozofi të vetën në jetë. Është  apo nuk  është i vetëdijshëm për të. Shkëlqen ajo tek njerëzit e shquar. Ata e kanë më të thellë dhe më të kthjelltë. Në filozofinë e tyre zotërojnë ideale të fisme si impulse shpirtërore, shkëndijojnë vizione të dritshme si nxitje drejt së mirës dhe përvijohet perspektiva e së ardhmes si formë e saj. Këmbëngulja është ajo veti e çmueshme vullneti, që u siguron atyre përmbushjen e qëllimeve dhe si rrjedhim suksesin.

            Në vitet e para të pleqërisë, kur mosha kishte bërë punën e vet, dhe pasi e pati arritur plotësisht suksesin, pra edhe kur nuk ia kishte më nevojën punës, Athanasi vazhdonte të punonte. Kështu shkurt e qartë, i qe përgjigjur një gazetari: “Çlodhem në atë që bëj. Shkurt çlodhem duke punuar. Po e lë punën, të lë jeta – kjo është filozofia ime.” 1)  Nuk di ndonjë filozof të njohur, as edhe ndonjë moralist të shquar, qoftë edhe ndonjë plak të urtë, që i takon aq shpesh në malet tona, që ta ketë shpjeguar e përcaktuar kaq saktë e qartë kuptimin e jetës si qëllim dhe si mjet për të arritur diçka; me një fjalë: vlerën e punës.

            Kjo filozofi e jetës së tij – padyshim – përfshin kahjen tokësore dhe atë qielloren; si stil i qartë jete që vendos marrëdhënie të drejtpeshuara mes dy botëve: asaj lëndore dhe asaj shpirtërore, asaj njerëzore dhe asaj hyjnore. Siç na e ka treguar i Përndershmi Atë Liolini : “Ka një parim thelbësor të besimit, të cilin Antoni Athanas e njihte dhe e besonte…Atë që Zoti na njeh në thellësi të qenies sonë, duke peshuar se sa e si kemi vepruar si nikoqirë të ditëve dhe viteve që na janë dhënë secilit.” 2). Vështirë të gjendet ndonjë mes nesh që t’i përshtatet më shumë se Athanasi këtij postulati biblik.

Me këtë filozofi, ai u ngjit në shkallët më të larta të suksesit dhe jetësoi atë që në këtë vend mrekullibërës quhet “American dream” (“ëndërrimi amerikan”).

            Më vjen nëpër mend – marr leje të bëj këtu një parantezë – filozofia e jetës e gjeneralit amerikan James Doottle, aq e përafërt me filozofinë e jetës së Antonit Athanas. Qe udhëheqës ushtarak i dalluar, Hero i Luftës II Botërore, këshilltar presidentësh, shkëncëtar, kampion boksi, pilot i njohur në garat e fluturimeve ajrore, sidomos për akrobacitë me aeroplanë, etj. Ai ka shkruar: “Çdo njeri në këtë botë ka ardhur për të ndihmuar tjetrin. Nuk ka rëndësi se si. Ai mund të ndërtojë një urë, mund të bëjë një pikturë, të shpikë një vegël pune ose të shesë në një stacion gazi. Çështja është që ai duhet të përpiqet ta lërë botën një vend më të mirë se e gjeti. Nëse e bën këtë, jeta e tij do të jetë më e vlefshme, nëse nuk e bën atë çka është i aftë të bëjë, ai është i destinuar të mos jetë i lumtur.” Athanasi bëri të gjitha ato që qe i aftë të bëjë dhe na e la më të mirë e më të bukur botën.

Sidoqoftë, enigma e suksesit nuk mund të shpjegohet vetëm me një filozofi, sado e epërme të jetë ajo. Është energjia ajo që e sendëzon filozofinë. Energjia si aftësi fizike, por më së tepërmi si atribut shpirtëror. Dhe është pikërisht kjo e fundit që e drejton të parën. Është pikërsisht kjo energji, që ai e pati si dhunti shpirtërore, e kultivoi që në fëmijëri dhe e seliti me filozofinë e tij të jetës. Tek Athanasi, ajo u ndriçua nga një vizion i kthjelltë. Një vizion plot nxitje që buronin nga një damar i fuqishëm i një zemre të gjerë plot pajë të fisme ndjenjash humane.

Në zyrën e tij, në restaurantin më të mirë të tij, “Anthony’s Pier 4”, – dritaret e së cilës shikonin nga oqeani, si për t’i kujtuar se pas atyre ujërave të pafund, rrallë të qetë e pothuajse gjithnjë të trazuar, ishte atdheu i tij i lindjes, i ëndërrave  dhe i dhimbjes, – kishte dy skulptura: atë të Skendërbeut dhe të Naimit. Shqipëria, më e afërt se kudo, më e çmueshme se kudo, më e mirë se kudo, ishte trupëzuar tek ato dy personalitete, ku rrezatonte vepra e bujshme luftarake që e formësoi dhe flakëza e ndezur apostullore, që e ndriçoi. Dashuria për Atdheun qe me siguri një nga dimensionet më të fuqishme të energjisë shpirtërore athanasiane.

            Një botë e pasur shpirtërore si kjo i gjen sheshet e jetës e të punës. Ideali i pastër për atdheun dhe dashuria e pakufishme për të e lidhën me “Vatrën”. E kuptoi atë që heret, e vlerësoi, e mbajti në kraharuar dhe e drejtoi për vite e vite. Dhe “Vatra” me shenjtërinë e idealeve e bëmave të saj iu bë shkollë, iu bë zyrë, iu bë qëllim. Po me atë përkushtim besimtari e atdhetari, ai u lidh me Kishën. Me atë Kishë Autoqefale Shqiptare, që krijoi Noli. Në atë tempull feje dhe kombëtarësie, u lut dhe gjeti prehjen shpirtërore. Punoi për të, e ruajti, e pasuroi.

            Në një botim të “Vatrës” për Skendërbeun, me rastin e 500-vjetorin të vdekjes, Athanasi ka shkruar: “Im atë e kishte bërë zakon të më merrte me vete në mbledhjet e degës 21 të Vatrës, në Bedford, Mass., sidomos kur ishte ndonjë mbledhje ku flisnin njerëz me rëndësi sikurse Faik Konitza dhe Peshkop S. Noli. Kështu ngjau që unë u rrita me idealet e Vatrës qysh në vjetët e para të moshës s’eme.” 3). Lidhja me “Vatrën”, sigurisht u ndikua po aq edhe nga një instinkt i fshehur në shtresat e nënvetëdijes së tij etnike: instinkti i vendlindjes dhe i çdo gjëje lëndore e shpirtërore që lidhet me të. Një manifestim i epërm i shpirtit etnik, që është i shquar, pikërisht se është i tillë.Tek të gjithë popujt dëshmohet ky instinkt; por kemi të drejtë të themi që tek populli ynë, ai është veçanërisht i theksuar. Historia e vërteton këtë. Hobhaus-i, shoku e shoqëruesi i Byron-it në udhëtimet nëpër trevat evropiane të Perandorisë Turke, në dekadat e para të shek. XIX, ka shkruar: “Asnjë vend i ri, asnjë pamje e re s’mund t’ua fshijë shqiptarëve kujtimet dhe dashurinë për malet, për miqtë dhe për fshatrat e tyre”. Dhe më poshtë: shqiptarët  e konsiderojnë ndjenjën e përkatësisë etnike si tiparin “më të theksuar në karakterin e tyre.” 4).

            Në gjirin e “Vatrës”, u rrëmbye nga dëshira e sakrifica vatrane për ta ndihmuar atdheun, jo vetëm në lehtësimin e varfërisë së tij fizike, por edhe për ta pasuruar atë shpirtërisht – duke filluar që nga kultivimi i vetëdijes kombëtare e deri tek mësimi i parimeve të demokracisë amerikane. E bëri të vetën kanunësinë e saj: “Të rritë në mes të shqiptarëve të Amerikës dhe me anë të tyre në mes shqiptarëve të Shqipërisë, shpiritën e ndihmës në mes të tyre edhe të dashurisë për kombësinë e tyre”, dhe “Të rritë në mes tyre nderimin dhe dashurinë për kanunet dhe institutet e Shteteve të Bashkuara dhe të forcojë marrëveshjet e miqësisë në mes të qytetarëve amerikanë dhe të shqiptarëve.” 5). Dhe këto dy qëllime të shenjta vatrane, Athanasi i shenjtëroi edhe më gjatë jetës së tij.

Vërtet nuk bëri shkollë, por arriti të bëhet mësues, bile një edukator i fuqishëm, që u mësoi bashkatdhetarëve këtu jo vetëm filozofinë e suksesit përmes punës, po edhe filozofinë e dashurisë për atdheun, përsëri përmes punës. Ai na mësoi të mos presim nga jeta, apo nga kushdoqoftë, të na japin shansin për punët e mira. Duhet ta kërkojmë atë nga vetja. Ai, milioneri i madh, na mësoi se pasuria më e madhe e njeriut nuk janë milionat; pasuria më e madhe e tij janë thesaret shpirtërore. Qenë pikërisht këto që e bënë atë të vlefshëm për shoqërinë, të lumtur për vete dhe të pashlyeshme gjurmën e tij.

            Si për të na vërtetuar me personalitetin e tij madhor që “errare humanum est”, ai gjithsesi, me jetën e tij na ka dhënë një mësim të madh: të kujdesemi për një edukim kombëtar të fëmijëve. Dhe edukimi kombëtar fillon te gjuha e vijon me historinë,  kulturën, duke u shtrirë në hapësirat shpirtërore të idealit, ndjenjës, vullnetit. Edhe pse, sidomos në këtë shtet të madh dhe në të gjithë botën, globalizimi po merr gjithnjë e më shumë përmasa të paparamenduara në të gjitha fushat e jetës; shpirti etnik, trashëgimia kombëtare mbetën vlera të pazëvendësueshme. Vlera jete, vlera identiteti, vlera krenarie, vlera çmimi e respekti. Po i referohem përsëri një interviste të tij. Kur një gazetar e pyeti nëse djemtë e tij e dinin shqipen, ai u përgjigj: “Sigurisht që ata nuk kanë patur një baba aq të mirë sa ç’e kisha unë…” 6). Në botimin e “Vatrës” që përmendëm më lart, Athanasi ka shkruar edhe këtë: “Unë isha tre vjeç kur ardha në këtë vënt. Im atë e kishte bërë zakon, në raste të veçanta, t’u lëçitte miqve të tij vargjet e kësaj historie epike (është fjala per “Historinë e Skendërbeut” të Naimit) dhe unë isha një nga ndëgjuesat e tij më të vegjël. Disa nga ato vargje më kanë mbetur të paharrueshëm në shpirt dhe më kanë inspiruar respekt të veçantë për Skendërbejnë si njeri dhe si hero.” 7). Çfarë mësimi i vlertë përmes pësimit!

Edhe politika – ky koc i fortë që më së shumti na mbetet në fyt ne shqiptarëve – gjet shprehjen e vet në jetën e tij. Ashtu siç e kuptonte ai. Priti e përcolli në “Anthony’s Pier 4” dhe, më thotë mendja, edhe në zemrën e tij, autoritete shqiptare të ngjyrave politike më të kundërta. Prej së bardhës te e zeza. Ndoshta edhe djallin po të qe shqiptar do ta përqafonte si engjull. Mall i gjatë e i thekshëm mërgimtari! Është kjo hise shpirti, siç duket, që bëri që në ndërgjegjen e tij politike të mos kishte barriera.

Gëzohemi që qe shqiptar. Jo aq për sa ndihmoi materialisht “Vatrën”, Kishën a edhe bashkësinë këtu dhe atdheun atje, por më së tepërmi për trashëgiminë shpirtërore që na la – një kapital mbi çdo pasuri për breznitë e sotme e të ardhme; por edhe për emrin e mirë që na la. Njerëzit e shquar janë ata që e paraqesin një komb para botës, bile që e identifikojnë atë. Një nga këto qe dhe do të jetë edhe Antoni Athanas. “Unë jam Antoni Athanas – shqiptar nga Shqipëria!” – u paraqitej ai personaliteteve më të larta amerikane. Kështu ka për të mbetur i skalitur gjithnjë emri i këtij personaliteti gjurmëlënës.

Po të ishte gjallë Lasgushi, do të vjershëronte: “Fluturoi dhe shtërgu i fundit”. Sepse ndoshta është i fundit nga bashkatdhetarët tonë që patën njohur për së afërmi dhe patën punuar me demiurgët e kombëtarësisë këtu: Konicën, Nolin, Çekrezin, Panaritin, etj. Le të shpresojmë dhe të punojmë që të mos jetë “i fundit” që eci në gjurmët e tyre, dhe të mos ketë kurrë  “të fundit”, sepse Shqipëria ka e do të ketë nevojë gjithnjë për bijtë e saj shtegtarë!(Dielli-Arkiv)

           Referenca

  1. Vehbi Bajrami, “Shqiptarët e Amerikës”, N. Y., 2003, f. 332
  2. Dalip Greca, “Lamtumirë Anthony Athanas…”, “Illyria”, 27-30 maj 2005, f. 18.
  3. Federata  Panshqiptare Vatra, “Skendërbeu 1468-1968”, përgatitur nga Edward Licho, Boston, Massachussets, 1968, f. 13
  4. Hobhause, J. C. “A Jorney through Albania and other Provinces of Turkey in Europe and Asia, to Constantinople during the years 1809 and 1810”, London 1813, p. 70-71 and 72.
  5. “Kanunore dhe Rregullore e Federatës Pan-Shqiptare VATRA”. Shtypur në shtypshkronjë të VATRËS në Vjeshtë të Dytë 1926; rishtypur në Dhjetor 1954, Shtator 1995, f. 1
  6. Dalip Greca, “Shuhet Anthony Athanas, i fundmi i vatranëve të kohës së Nolit”, “Illyria”, 24-26 maj 2005, f. 19.
  7. “Kanunore dhe rregullore e Federatës Pan-Shqiptare VATRA”, botim i cituar, f. 1.

* Poeti dhe studiuesi i Anton Cefa ishte Editor i Diellit nga viti 1994 deri ne vitin 2009. Me 29 prill 2013 ai u nderua me “Cmimin e Merites” nga Federata Vatra.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Anton Cefa, Antoni Athanas, filozofia e nje jete, te suksesshme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT