• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2013

Elez Ndreu, patrioti që u dekorua dhe nga perandori Shtraus në vitin 1916

May 14, 2013 by dgreca

Busulla e identitetit/
Nga Halil RAMA/
Orientimi drejt vlerave, rikthimi tek etërit themelues, që anija e identitetit kombëtar të mos e humbasë busullën dhe të ecë përpara është domosdoshmëri e kohës. Pikërisht këtë domosdoshmëri evidentoi kreu i shtetit Bujar Nishani gjatë një takimi me elitën e intelektualëve dibranë. Vetëm në këtë mënyrë, sipas z. Nishani, shpirti i frymëzimit të gjithsecilit do të jetë kurdoherë i gjallë, do të gjejë dritë dhe eksperiencë, forcë dhe besim për të punuar për atdheun me përkushtim, ashtu siç bënë patriotët e Rilindjes Kombëtare. Gjatë një ceremonie në qytetin e Peshkopisë kreu i shtetit i akordoi Urdhrin “Nderi i Kombit” (as vdekjes) veprimtarit të lëvizjes sonë kombëtare Elez Isuf Ndreu, një rast fatlum dhe një detyrim për të si President i Republikës për të nderuar me mirënjohje të thellë kontributin patriotik dhe liridashës të njërit prej bijve të kësaj treve. Duke iu drejtuar qytetarëve dibranë Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu se mirënjohja shqiptare do të flasë përjetësisht për figura të tilla heroike si Elez Ndreu, të cilët u vetësakrifikuan për të ruajtur trojet shqiptare.
Mësim nga diplomacia popullore
Veprimtaria kushtuar patriotit Elez Isuf Ndreu vijoi me një dokumentar kushtuar kontributit të tij në lëvizjen kombëtare shqiptare dhe një program të pasur me këngë patriotike dibrane.
Mbresëlënëse ishte një foto e rrallë e Elez Isufit në Vjenë më 1917. Në këtë foto nga Pjetër Logoreci, marrë nga arkivi e Ministrisë së Jashtme të Austrisë, dallohen qartë Elez Isufi me dorën në kësulë dhe medalja në të majtë.
Në Vjenë, në takimin me kancelarin austriak ky i fundit i kishte futur krahun dhe e kishte marrë për të shëtitur në lulishten e tij gjeneralin me shajak. Ai kishte marrë edhe të shoqen. Përkthyesi shqiptar tregonte se Elezi ia hoqi krahun kancelarit dhe doli në krahun tjetër, duke futur në mes bashkëshorten e kancelarit, e nga kjo kancelari kishte mbetur i habitur. Në këtë takim ai i kishte kërkuar Elezit që populli shqiptar të mbante ushtrinë austriake me bukë e ushqime dhe përgjigjja e tij qe: “I thuaj perandorit se shqiptarët janë vrarë me turqit, se na kanë kërkuar nizamë e xhelepe dhe ne nuk ua dhamë. Jemi vra me Serbinë se na kanë kërkuar tokën, ushqime e veshmbathje e nuk ua kemi dhënë, prandaj pa u vra edhe me ju nuk do t’ju japim asgjë, sepse edhe në desha unë nuk më lanë 300 Elezat e tjerë që janë në Dibër.”
Diplomacia e Elez Isufit shkëlqeu edhe në takimin që pati me komisionin ndërkombëtar në Dibrën e Madhe. Elez Isufi u kishte thënë: “Ç’ashtë kjo ndarje e qytetit nga rrethi i vet?! A jeton njeriu pa kokë?!” Do të çuditej konsulli anglez Ajros, i cili qe ndërmjetës në takimin që kishte Elez Isufi me Ahmet Zogun në lëvizjen e marsit 1922. Në kujtimet e tij ai tregon se kishte mbetur i habitur se si ranë dakord këta dy burra, njeri 26 vjeç e tjetri 60, pa protokoll zyrtar, vetëm duke i dhënë dorën njëri-tjetrit. Në takim, që pati me Shefqet Durgut pashën, i cili kishte ardhur me hu të zjarrit në dorë për të djegur Dibrën, vetë pasha do të habitej që ky malësor i thjeshtë dinte gjithçka për Portën e Lartë, për opozitën turke, për deputetët e parlamentit turk, për xhonturqit e deri te kundërshtarët e vetë Turgut pashës.
Elez Isufi u shndërrua në simbol të trimërisë, besës, bujarisë, thjeshtësisë, fjalës së mençur e me peshë të maleve të Dibrës, karakter i paepur njerëzor, njeriu që dinte të respektonte mikun dhe të urrente armikun, pabesinë dhe tradhtinë. Shtëpia e Elez Isufit ishte shtëpi bujare. Aty do të hynin e dilnin burrat me emër, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Islam Spahia, Ismail Strazimiri, Murat Kaloshi, Dine Hoxha, Halit Lleshi, Sulë Shehu, Hysni Dema, Ali Maliqi, Fiqiri Dinia e shumë të tjerë. Do të vinin në këtë shtëpi edhe të huaj, duke filluar nga Fulci, zonja angleze Sibil Llojd, ambasadorë, konsuj, gazetarë, shkrimtarë etj.
Në këtë ceremoni mbresëlënëse moderatorja perfirazoi edhe Sabri Godon, sipas të cilit “sikur Elez Isufi me nipin e tij Suf Xhelilin e miqtë e tij Bajram Curri, Islam Spahiu, Ramiz Daci, Hoxhë Kadriu e të tjerë të mos kishin luftuar ashtu siç luftuan, sot kufiri i Shqipërisë mund të ishte përtej Drinit, ndofta te lumi i Matit”.
Këta burra të mëdhenj të kombit u bënë simbol i odës dibrane si askush tjetër. Populli i ka konsideruar si heronj legjendarë, janë shkruar dhjetëra libra nga autorë të ndryshëm, janë kënduar mbi 40 këngë para dhe pas vdekjes; janë mbledhur kujtime e mbresa nga analistë të vendit dhe të huaj. Elez Isufi u shndërrua në simbol të trimërisë, besës, bujarisë, thjeshtësisë, fjalës së mençur e me peshë të maleve të Dibrës, karakter i paepur njerëzor, njeriu që dinte të respektonte mikun dhe të urrente armikun, pabesinë dhe tradhtinë. Elezi dhe Sufa ishin si dy luftëtarë binjakë, frymëzues dhe udhëheqës për mbarë forcat kryengritëse dibrane në ballë të çdo lufte, duke qenë vetë heronjtë që luftonin përkrah luftëtarëve të tjerë.
Elez Isufi nuk shkonte sipas thënies “shtatë hile e një trimëri”, por “shtatë trimëri e pa asnjë hile”. Ai bëri një punë kolosale duke dhënë shembullin i pari në pajtimin e gjaqeve. I zgjati dorën e pajtimit Dacit, i dha besën Islam Spahisë për t’i shkuar në ndihmë në luftën kundër serbëve, të cilët marshonin drejt Lumës. Lidhi besën me Bajram Currin, Haqif pashë Elbasanin, Selim Petrelën, Hysen Krujën në lëvizjen e Marsit, por i vetëm hyri në Tiranë dhe tronditi regjimin e asaj kohe. Kapedani i Mirditës kërkonte të dorëzohej vetëm tek Elez Isufi, sepse e dinte që në besë të tij do të shpëtonte. Shtëpia e Elez Isufit ishte shtëpi bujare. Aty do të hynin e dilnin burrat me emër, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Islam Spahia, Ismail Strazimiri, Murat Kaloshi, Dine Hoxha, Halit Lleshi, Sulë Shehu, Hysni Dema, Ali Maliqi, Fiqiri Dinia e shumë të tjerë. Do të vinin në këtë shtëpi edhe të huaj, duke filluar nga Fulci, zonja angleze Sibil Llojd, ambasadorë, konsuj, gazetarë, shkrimtarë etj. Në odat ku ishte Elez Isufi e Sufë Xhelili këngëtarët nuk guxonin të këndonin këngë për trimëritë e tyre. Të thjeshtë ishin e pa shkollë, por ata kishin shkollën e madhe të odës dibrane, ku bëhej testi i mençurisë.
Populli i Dibrës i deshi me gjithë zemër Elez Isufin e Sufë Xhelilin, prandaj dhe u shkoi pas jo pak. por për dy dekada. Kur u rrethua nga serbët shtëpia e Elez Isufit, bashkëluftëtarët e tij për gjithë natën hapën një kanal nëntokësor dhe nxorën në heshtje të plotë 70 pjesëtarët e familjes Ndreu të rrethuar nga ushtarët serb, ku mbi 200 burra i përcollën nga Sllova deri matanë Drinit. Kur më 26 dhjetor 1924 u vranë në Peshkopi malësorët trima të Reç-e- Dardhës e Ujë e m’Ujës, si një vargan gjigant, sollën heronjtë legjendarë në vendlindjen e tyre.
Për bëmat e vlerat e patriotëve Elez Isufi e Sufë Xhelili folën shumë historianë e bashkëkohës. Pikërisht këto vlera u identifikuan si busulla të identetitetit tonë kombëtar.
Vepra e pasardhësve të patriotëve
81-vjeçari Jonuz Ndreu është djali i parafundit nga fëmijët e Cen Elezit, të birit të Elez Isufit nga Sllova e Dibrës, i cili edhe gjatë periudhës së regjimit komunist është njohur dhe vlerësuar si një nga patriotët më të mëdhenj përkrah Bajram Currit. Duke qenë se Cen Elezi ishte një nga nacionalistët dhe antikomunistët më të njohur në të gjithë Veriun e Shqipërisë, në marsin e vitit 1946 regjimi komunist e shpalli atë armik. Nisur nga kjo dhe për t’i shpëtuar arrestimit nga brigadat e ndjekjes, Cen Elezi u largua nga shtëpitë e tij në Sllovë të Dibrës dhe qëndroi i fshehur në male së bashku me disa nga vëllezërit dhe djemtë e tij. Pasi qëndroi për disa kohë në arrati, në vitin 1949 ai u arratis nga Shqipëria dhe doli në Jugosllavi. Aty vdiq nën tortura nga komunistët sllavo-maqedonas në burgun e Shkupit, ku u mbajt i izoluar për disa muaj me radhë. Që nga viti 1946, kur Cen Elezi doli në mal në arrati, regjimi komunist i Tiranës ia internoi familjen, me gra dhe fëmijë, në Kalanë e Beratit. Një nga ata fëmijë që u internuan në atë kohë në Berat ishte dhe djali i parafundit i Cen Elezit, Jonuzi, i cili në atë kohë nuk ishte më shumë se 14 vjeç.
Pas shumë peripecish në ish-Jugosllavi, në kampin e Gerovës në Kroaci, në Itali si azilant politikë, në Republikën Federale Gjermane, ku shërbeu për disa kohë në një nga bazat amerikane që ishin vendosur asokohe në atë vend, Jonuzi arriti të emigrojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u bashkua me disa pjesëtarë të tjerë të fisit të tij, të cilët prej vitesh jetonin aty si azilantë politikë.
Që nga ajo kohë e deri më sot ai vazhdon të jetë me banim në Nju-Jork, ku është njohur në të gjithë komunitetin e shqiptarëve që banojnë në SHBA, edhe si veprimtar e anëtar i kryesisë së shoqatës patriotike “Vatra” dhe për aktivitetin e tij në radhët e mërgatës antikomuniste që jeton prej vitesh në atë vend të largët përtej Atlantikut.
Por më krenarë se kurrë ai është ndier të shtunën e kaluar, kur arriti t’i përurojë përmendoren Elez Isufit në Peshkopi dhe kur në të njëjtën ditë mori Urdhrin “Nderi i Kombit”, që Presidenti i Republikës Bujar Nishani i akordoi (pas vdekjes) patriotit të madh Elez Isufi. Ky pasardhës i denjë i “gjeneralit me shajak” është kontribuuesi kryesor i kësaj përmendoreje, së bashku me nipin Eduard Ndreu. Është kjo vepra e pavdekshme e pasardhësve të patriotëve.
Në këtë ceremoni të organizuar në pallatin e kulturës “Haki Stërmilli” merrnin pjesë autoritetet vendore të qytetit të Peshkopisë, të qarkut, deputetë të zonës, qytetarë dibranë.
Më herët Presidenti i Republikës u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Peshkopisë Ilir Krosi, në prani edhe të prefektit të qarkut të Dibrës Genci Sharku; kryetarit të komunës së Dibrës së Madhe Ruzhdi Lata dhe kryetarit të Bashkisë së Bulqizës Roland Keta. Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, duke e falënderuar Presidentin Nishani për këtë vizitë, shprehu mirënjohjen për miratimin e propozimit për nderimin me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit” një prej figurave të njohura historike të Dibrës. Kreu i shtetit u shpreh se Dibra ka nxjerrë figura të shquara të historisë, ndaj me vlerësimin e një figure të tillë si Elez Ndreu nderohet edhe vlerësimi që qytetarët dibranë u bëjnë kontributeve të etërve të tyre. Presidenti Nishani vlerësoi se Dibra dhe dibranët përfaqësojnë një simbolikë në aspektin e qytetarisë, traditave dhe historisë. Në mbyllje të takimit kryetari i Bashkisë së Peshkopisë në shenjë mirënjohjeje i dhuroi Presidentit Nishani simbolin e Bashkisë, emblemën e qytetit të Peshkopisë.

Filed Under: Histori Tagged With: Elez Ndreu, Halil Rama, Jonuz Ndreu, perandori austrohungarez

Ambasadori Mal Berisha në Londër dekorohet për merita civile

May 14, 2013 by dgreca

LONDER : Diplomatët e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, Me 26 prill 2013, morën pjesë në një meshë të veçantë ceremoniale në Kishën italiane të Shën Pietrit në Londër të cilën e mbajti Eminenca e Tij, Kardinal Renato Raffaele Martino, Priori i Madh i Urdhrit të Shenjtë Konstantinian të Shën Gjergjit, Presidenti Emeritus i Këshillit Papnor të Drejtësisë dhe Paqes dhe Këshillit Papnor për Migrantët, një nga figurat më të shquara të Vatikanit. Kjo meshë organizohej nga Delegacioni i Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës i Urdhrit Kostantinian të Shën Gjergjit, i kryesuar nga z. Anthony Bailey OBE, me rastin e ditës së Saint George, shenjtorit protektor të Anglisë.
Gjatë kësaj ceremonie u dekoruan me tituj nderi disa figura të shquara që kanë kontribute e merita të veçanta në jetën civile ose fetare të Anglisë. Ambasadorit të Shqipërisë z. Mal Berisha iu dorëzua nga Kardinal Martino titulli “Commendatore” i Urdhrit Mbretëror të Franceskut I dhe dekorata kalorsiake përkatëse. Ky titull, i dyti në hierarkinë e Urdhrit të themeluar në 1829 nga Mbreti i Dy Sicilive Francesku I, nderon individë me merita në jetën publike, shkencore, artistike, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare dhe kombëtare.
Në Britaninë e Madhe janë dekoruar në të kaluarën nga Urdhri Mbretëror Francesku I figura si Baronesha Thatcher, Sir Gavin Arthur, ish-Lord Mayor i City of London, ish-Arqipeshkvi i Canterbury-it Dr Rowan Williams, Duka i Westminsterit, etj.
Ky dekorim vjen pas shumë veprimtarishë të spikatura që Ambasada Shqiptare në Londër ka organizuar duke e bërë të njohur Shqipërinë në këtë vend si dhe duke shtuar një interes më të gjërë rreth vendit tonë. Ajo përbën gjithashtu një vlerësim për vetë diplomatët dhe punën e Ambasadës aq sa edhe për progresin që Shqipëria ka bërë në të gjitha fushat, e veçanërisht për historinë e saj unike të tolerencës fetare midis qytetarëve të saj me besime të ndryshme.

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: Ambasadori Mal Berisha, dekorohet, ne Londer, per merita Civile

Rilindja dhe pseudorilindja elektorale (3)

May 14, 2013 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
Thamë në botimin e pardjeshëm se Rilindja rievokon një epokë qytetërimi të humbur e të shuar. Së paku rikthen në jetë një komb, të cilit i është venitur shpirti. Këtë gjë, rikthimin në jetë të kombit shqiptar e bënë rilindasit tanë të shekullit XIX. Tipari themelor i asaj periudhe ishin romantizmi dhe iluminizmi, dmth shprehja e besimit për të ardhmen, harmonia e fjalës, dashuria për kombin, atdheun, shoqëruar me platformën e Pashko Vasës «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur l’Albanie et les Albanais»), botuar në Paris më 1879 dhe veprës tjetër të Sami Frashërit “Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, botuar më 1899 në Bukuresht. Nuk ka Shqiptar që nuk i njeh këtta dy rilindas si dhe këto dy vepra që ata kanë shkruar e që mbeten në përjetësi si vepra monumentale të mendimit illuminist të rilindasve tanë.
Ndërsa pseudorilindja dhe pseudorilindasit e sotëm jo vetëm që nuk kanë një platformë të vetën për ndonjë ringjallje të vendit, por as kanë ndërmend t’i referohen në ndonjë varg veprave të rilindasve tanë të shquar. Mundet të konceptohet si pikë referimi “Kurbani” i kreut të skuadrës së ashtuquajtur “Rilindje”, por të gjitha të dhënat flasin se akademikë dhe emra të mëdhenj të letrave shqipe kanë shkruar libra dhe krijime shumë herë më të mira se kurbani i Ramës, çka e bën këtë libër e autorin e saj të paqenë në radhën e ndonjë grupi rilindasish qoftë dhe virtualisht të tillë. Këtë fakt duket se e njohin pseudorlindasit tanë, sepse nuk ka e nuk mund të gjesh asnjë referencë të librin “Kurbani” në paraqitjet e tyre. Kurbani mbetet kurban dhe nuk mund të përceptohet as nga budallenjtë e fanatikët si platformë zhvillimi e progresi, jo më si model për ringjallje, rimëkëmbje e rilindje, çfarë pretendon skuadra e mashtruesve me terma bombastikë.
Duke u rikthyer te argument i rilindave, ndoshta ia vlen të bëhen disa krahasime midis vizionit, ideve dhe koncepteve që janë shpalosur para më shumë se një shekulli me praktikat që bart politika e pseudorlindasve të sotëm. Them me praktikat, se vizionet, idetë dhe konceptet e këtyre të sotmëve mungojnë plotësisht.
Rilindasit hodhën idenë e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Kjo ide e tyre u lëvrua aso kohe me aq idealizëm sa çoi jo vetëm në bashkimin, por edhe në afrimin e vëllazërimin e tyre. Le të kujtojmë faktin se çfarë u arrit më 1878 në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Por të kujtojmë gjithashtu faktin se për hir të kombit e të gjuhës sonë Kongresin e Manastirit e drejtuan dy kolosët pasrilindas, Pater Gjergj Fishta dhe Mit’hat bej Frashëri. Ata u bashkuan jo vetëm në idealin kombëtar, por edhe për njësimin e alfabetit shqip dhe latinizimin e këtij alfabeti. Aso kohe nuk kishim të bënim me një Europë miqësore. Përkundrazi, Europën e asaj kohe Gjergj Fishta do ta quante mizore, për shkak të vendimeve të saj për shkërmoqjen e shqiptarëve. Megjithatë ata nuk lëvizën nga orientimi europian e perendimor dhe e panë atë si model e si stacion të kulturës, lidhjeve dhe marrëdhenieve tona.
Ndërkaq kreu u skuadrës së pseudorilindasve, pra Edi Rama, nuk mundi të ngrihet së paku në nivelin e qëndrimeve proeuropiane të rilindasve tanë. Ai e ka të vështirë t’u shpjegojë shqiptarëve pse u përpoq të bllokojë arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Të gjithë kujtojnë se aso kohe Rama mobilizoi të gjithë propagandën e vet dhe mediave që komandon kundër nënshkrimit të asaj marrëveshjeje. Studiuesit do t’i rikthehen kësaj kohe të vështirë dhe do të shohin se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Historianët dhe ekspertët do të evidentojnë faktin se si diplomacia shqiptare e kohës u vu në lëvizje si kurrë ndonjëherë më parë për të bindur çdo vend anëtar të BE-së për miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Ndërsa në anën e kundërt qëndronte kreu i opozitës.
E njëjta skemë u përdor nga Rama dhe pseudorilindasit etjerë edhe në rastin fatlum të pranimit të Shqipërisë në NATO. Kur ndodhi ngjarja e Gërdecit, kam shkruar e kam nënvizuar se ajo ngjarje nuk ishte e rastësishme. Në koshiencën time ajo ngjarje e pandriçuar ishte vepër e kundërshtarëve të pranimit të Shqipërisë në NATO. Fatkeqësisht në krah të këtyre kundërshtarëve u shfaq atë botë edhe kreu i opozitës, zoti Rama. Nëse kthejmë kokën pas, ngjarja dramatike e Gërdecit ndodhi vetëm 20 ditë nga dita kur Shqipëria do të merrte ftesën për në NATO. Dhe nëse Rama nuk do ta mirëpriste Gërdecin si ngjarje në dëm të antarësimit në NATO, së paku do të duhej të priste 20 ditë, sa të merrej ftesa e të mos e përdorte atë si karem të luftës politike të tij. Por ndodhi e kundërta. Aq sa media e Ramës me eufori e kënaqësi të manifestoi lajmin se “Kongresi amerikan ishte kundër ftesës për Shqipërinë në NATO”. Kur ndodhi e kundërta dhe presidenti Bush anashkaloi Gërdecin për ta ftuar vendin tonë në Aleancë, kreu i opozitës i shtoi përpjekjet e tij për politizimin e ngjarjes. Objektivi i tij ishte që një vit më vonë Shqipëria të mos e ngrinte flamurin e saj pranë selisë së NATO-s në Bruksel. Edhe nëse do ta bënin këtë analizë vetë fanatikët e Ramës, nuk do të mund t’i iknin argumentit se kreu i opozitës shqiptare, si në asnjë vend në Europë, ishte pozicionuar kundër Shqipërisë në NATO. Zoti Ngjela tha në një debat televiziv se pranimi në NATO ishte pasojë e vendimit të Xhorxh Bushit dhe jo e performancës së Shqipërisë. Ata që mbronin të kundërtën në atë debat nuk i thanë zotit Ngjela se “Amerika ka pasur president edhe në tetë vitet e qeverisjes së socialistëve, por asnjëri prej tyre nuk e mori një vendim të tillë”. Në politikë e sidomos në vendimmarrje të tilla, të cilat shënohen si ngjarje madhore të politikave e gjeopolitikave, nuk ka asnjë rol rastësia, siç përpiqen ta shpjegojnë procesin mbështetësit e zotit Rama.
Kur kthejmë kokën prapa në katër vitet që shkuan, përsëri precedentët antieuropianë janë të pranishëm në personin e zotit Rama. Liberalizimi i vizave ishte beteja e parafundit midis opozitës dhe pozitës për t’iu afruar Europës. Megjithëse interesi i qytetarëve ishte i jashtëzakonshëm për këtë, zoti Rama ndërtoi strategjinë dhe taktikën e bllokimit. Jam i detyruar të pohoj dhe njehëre atë çfarë kam shkruar kur çadrat e grevës së urisë qenë ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para selisë së kryeministrit. Atëherë shkruaja se Rama mund të dalë nga ngujimi, nëse BE-ja ia bën me dije liderit tonë të opozitës se çfarëdo që ai të bëjë, nuk e kthen mbrapsht procesin e liberalizimit të vizave. Kur kjo u bë me dije, atëherë u gjet formula e krokodilit në Strasburg, me qëllim që të kamuflohej sa të ishte e mundur prapësia antieuropiane e Ramës. Ndërkaq nuk është nevoja të qëmtohet në deklratat e “rilindasve” të kohëve tona, sipas të cilëve, “në rastin e liberalizimit të vizave një million shqiptarë do të merrnin rrugët e Europës”, një gjetje kjo e supozuar thjesht për ta trembur kontinentin e vjetër.
Dhe më së fundi vijmë te bllokimi i ligjeve, të cilat duheshin miratuar për t’i hapë rrugë marrjes së statusit të vendit kandidat. Nëse i dëgjojmë pseudorilindasit, ata thonë se përveç tri ligjeve, BE kishte vënë 7 ose 8 kushte të tjera. Dhe është e ditur se kishte e do të ketë kushte të tjera, veç përmirësimit të ligjeve. Por ata nuk duan ta pranojnë se të gjitha kushtet e tjera, si lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit, shteti ligjor e pavarësia e gjyqësorit, janë kushte permanente të të gjitha etapave të afrimit të Shqipërisë drejt BE-së, parasëgjithash janë kushte të procesit të negociatave për anëtarësim. Nga ana tjetër, opozita do të ishte krejt komode, nëse vërtet Shqipëria kushtëzohej nga moskryerja e detyrave të qeverisë, sepse dështimi për këtë shkak do ta penalizonte qeverinë e jo opozitën. Pse atëherë pseudorilindasi nuk e la topin në portën e kundërshtarit të tij politik?! Ai nuk i votoi tri ligjet, sepse kishte frikë se Shqipëria do ta kishte marrë statusin e vendit kandidat. Kështu I vetëquajturi rilindas u shfaq për një periudhë të gjatë si aplikues i doktrinave dhe teorive që shkojnë kundër parimeve themelore të rilindasve të vërtetë shqiptarë.
Në këtë përmbledhje nuk kam ndërmend të analizoj shkaqet e bllokimit që zoti Rama i bëri integrimit europian të Shqipërisë. Argumentin e lartshkruar po e përdor thjesht në funksion të dallimit thelbësor që ekziston midis pseudorilindasit të vitit 2013 dhe rilindasve të vërtetë të shekullit XIX. Ata të shekullit të rilindjes së vërtetë të kombit tonë ishin shkolluar në medreset, gjimnazet e universitetet e perandorisë osmane. Kjo do të nënkuptonte që ata të mbartnin kulturën orientale të perandorisë, së cilës i kishin shërbyer. Por jo. Ata dinin 5 ose 6 gjuhë perendimore. Ata mendonin, flisnin dhe vepronin me idetë, filozofinë dhe orientimin perendimor. Ata ishin idealistë dhe nuk kishin kurrëfarë agjende personale në dëm të interesave kombëtare. Prandaj të gjithë së bashku ata morën vendime shumë të rëndësishme e kapitale për orientimin europian të shqiptarëve. Pseudorilindasit e sotëm mbetën së paku deri më sot në anën tjetër të skuadrës antieuropiane e për pasojë antirilindje.
Dhe një fakt tjetër: Rilindasit tanë nuk menduan dhe nuk punuan asnjëherë që ta përçajnë Shqipërinë në veriorë e jugorë, në qytetarë e në fshatarë, në muslimanë, ortodoksë apo katilikë. Nuk ka nevojë të jap argumentin e njohur tashmë, se ata u dhanë shqiptarëve një emër të vetëm, emrin e shqiptarit. A ndodh këto kohë pas më shumë se një shekulli kjo që ka ndodhur atëherë? Nëse qëmtojmë thjesht në deklarimet e liderit të pseudorilindasve do të gjejmë shumë raste të mbjelljes së përçarjes dhe urrejtes. Në Vlorë zgjedhësit shqiptarë u njohën me një term të ri: “Bathorizimi”. “Nuk do të lejomë bathorizimin e Vlorës” – tha Rama. Nuk po hyj në berthamën e problemit, pse Vlora u rrezikoka nga një fenomen bathorizimi, kur qeverisja locale e saj i takon vetë Ramës. Por një vëzhgim i shpejtë bën që të mendosh se ky term i ri ishte planifikuar të thuhej pa kurrëfarë shkaku në Vlorë dhe pikërisht në Vlorë. Rama bënte diversionin e radhës, për t’i nxitë vlonjatët kundër atyre që ai I quan “malokë”, pasi në përceptimin e fansëve të tij Bathorja është një vendbanim i ri I krijuar nga lëvizja e popullsisë prej veriut në Tiranë. Diversione të tilla pseudorilindasi ka bërë në disa raste, edhe në Shkodër, edhe në Peshkopi, edhe në Kukës. Por Vlora duhej ngacmuar në plagën që e krijuan Rama, bashkëpunëorët si dhe paraardhësit e tij.
Në kohën e rilindasve nuk kishte ndarje të tilla, sepse rilindasit nuk e çonin ndërmend të punonin kundër bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Pseudorilandsit e sotëm duket se kanë një mision të ndryshëm nga ai i rilindasve. Në të vërtetë përçarjen nacionale të shqiptarëve e sollën në Shqipëri të majtët. Fatkeqësisht ndër ta ka kontribut edhe themeluesi i Kishës Autoqefale Shqiptare, Fan Noli. Themelet e kësaj ndarjeje i vuri Avni Rustemi. Jo pse bëri atentat kundër Esat Pashës, por se themeloi kulturën e atentatit dhe përçarjes krahinore në Shqipëri. Për këto shërbime përçarëse ai u nderua nga diktatura komuniste, por as në atë kohë nuk guxoi kush ta quante Avni Rustemin rilindas. Tani, pseudorilindasi Rama e bashkëpunëtorët e tij, në një anë imitojnë Avni Rustemin, Qemal Stafën, udhëheqësit e bllokut komunist e, nga ana tjetër, vetëquhen rilindas.
Përçarja, përjashtimi, armiqësia nuk janë attribute të rilindasve. Këto cilësi janë dhe mbeten e kundërta e vizionit, programit, idealit dhe ideve të rilindasve. Ballafaqimi i mëtejmë me rilindasit do të sillte defiçite të panumërta në sjelljen dhe mendimin politik të pseudorilindasve të sotëm. Por nuk do të zgjatem më, thjesht për të mos lodhur lexuesin e nderuar. Mjaftojnë këto dy elementë thelbësorë që të vemë në dukje atë çfarë përfaqësonte rilindja shqiptare kombëtare e shekullit XIX dhe çfarë përfaqëson shpura e sotme e kupolës së socialistëve, e cila spekullon me rilindjen dhe rilindasit.
Ngado që ta analizosh slloganin e socialistëve dhe koalicionit të tij për të ashtuajturën rilindje, shkon në përfundimin e patjetërsueshëm se ky slogan është thjesht një butafori, të cilit nuk i beson e nuk mund t’i besojë ndokush.

Filed Under: Komente Tagged With: Enver Bytyci, Rilindja 3

PD & PS, secila e sigurt për fitore në zgjedhjet e 23 qershorit

May 14, 2013 by dgreca

Vëzhguesit e parë të zgjedhjeve mbërritën ne Tirane/
Nga Ilirian Agolli/
Partia Demokratike paraqiti kandidatët për deputetë të Tiranës gjatë një tubimi në sheshin nënë tereza, i cili shënoi edhe hapjen e fushatës zgjedhore të koalicionit të djathtë që po kërkon me këto zgjedhje një mandat të tretë për të qeverisur. Para mijëra përkrahësve entuziastë, kryeministri Sali Berisha tha se ky është koalicioni më i gjerë që kish njohur politika shqiptare dy dekadat e fundit, dhe se kandidatët e PD për kryeqytetin janë personalitete që do të çojnë përpara zhvillimin e vendit.
Zoti Berisha tha se PD dhe aleatët nuk po kërkojnë një mandat të ri për sukseset e mandatit të kaluar, por për të bërë realitet projektet e reja të zhvillimit, sepse qeverisja e djathtë dha prova se i realizon premtimet e saj. Ai theksoi se ndryshe nga opozita, qeveria është përpjekur të zhvillojë vendin dhe tregun e lirë, duke mbështetur nismat e lira dhe hapësirat që jep demokracia. Ai u shpreh i sigurtë për një fitore të të djathtëve në 23 qershor, sepse ata ofrojnë ecjen përpara me reforma dhe rritje ekonomike.
Po aq të sigurtë në fitore shprehen edhe kandidatët për deputetë të opozitës socialiste, pasi sipas tyre, qeveria ka dështuar e menaxhimin e ekonomisë, duke sjellë papunësi, dhe tani është çasti që e majta të vërë në provë idetë dhe planet e saj të zhvillimit. Kryetari i PS, Edi Rama, ka zhvilluar tubime në Vlorë, Shkodër, Durrës e në Berat, nga ku tha për shtypin se kandidatët e opozitës janë një ekip i mirë për fitoren e 23 qershorit.
Dy aleancat kryesore konkurrente e kanë nisur kështu fushatën jo vetëm 10 ditë para, por madje edhe 10 javë para afatit të parashikuar me ligj, duke mbuluar gjithë interesin e opinionit publik me fjalime dhe tubime në çdo cep të vendit, dhe duke ftuar qytetarët të votojnë pro forcave respektive njëlloj me premtime për zhvillim, investime, luftë ndaj varfërisë dhe ndaj korrupsionit. Kështu do të vazhdojë buja deri në ditën e zgjedhjeve, kur qytetarët do të zgjedhin një fitues, nëse nuk do të ketë përsëri kundërshtim të rezultateve nga humbësit, dhe një seri të re procesesh gjyqësore, siç ndodh zakonisht në Shqipëri pas proceseve zgjedhore.

Vëzhguesit e parë të zgjedhjeve mbërritën

Përfaqësues të misionit ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve mbërritën sot në Tiranë për të parë nga afër përgatitjen e procesit zgjedhor të 23 qershorit. Komunikimi i tyre i parë me shtypin pritet të jetë të mërkurën.
Burime të besueshme të medias bënë të ditur se krahas një serie takimesh me autoritete të larta shtetërore dhe politike, ky delegacion i parë i ODIHR-it do të verifikojë së pari saktësinë e listave të votuesve për të cilat opozita ka shumë ankesa për dublime. Në qendër të vëmendjes mbetet edhe mënyra si po funksionon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Misioni i vëzhguesve, që drejtohet nga amerikania Conny B. McCormack, përbëhet nga 15 ekspertë të 14 shteteve anëtare të OSBE-së. Vëzhgimi i fushatës zgjedhore pritet të bëhet hap pas hapi, si edhe zbatimi i ligjeve dhe monitorimin e medias. Ditën e zgjedhjeve ODIHR do të jetë në terren me mbi 430 vëzhgues.

Ndërkaq zëvendës-ministri i brendshëm, Ferdinand Poni, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës për manipulime deklaroi sot se listat e votuesve janë të sakta, në përputhje me ligjin dhe se askush nuk mund të votojë dy herë.

Në mbrëmje Partia Demokratike pritet të hapë fushatën e saj zgjedhore, 10 ditë para ligjit, me një tubim festiv në sheshin Nënë Tereza”. Vëzhguesit vendorë u kanë tërhequr vëmendjen qeverisë dhe opozitës, që të organizojnë fushatën e tyre brenda 30 ditëve sipas ligjit.
(VOA)

Filed Under: Kronike Tagged With: Bersha, Pd e Ps, per zgjedhjet e 23 qershorit, Rama

MITING I MADH I PD NE TIRANE

May 14, 2013 by dgreca

Mbi 120 mijë qytetarë morën pjesë në mbrëmjen e se Henes, 13 maj, në çeljen e fushatës elektorale të Partisë Demokratike në sheshin “Nënë Tereza”.
Koncerti madhështor nisi rreth orës 19:30 ku flamujtë kuqezi dhe blu të Partisë Demokratike, NATO-s dhe BE-së, valëviteshin në duart e mijëra njerëzve.
Pjesë e kësaj feste madhështore ishin Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Eduard Selami, ministrat e kabinetit qeveritar, të gjithë kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike, si dhe qindra e mijëra simpatizantë të Partisë Demokratike.
Mitingun e hapi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha me një fjalim entuziazmues, i cili elekrizoi sheshin “Nënë Tereza”.

Fjala e Kryeministrit Berisha në prezantimin e kandidatëve të Partisë Demokratike, për zgjedhjet e 23 qershorit

Kryeministri Berisha, duke folur në një tubim elektoral në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku u prezantuan kandidatët për deputetë të Partisë Demokratë për qarkun e Tiranës, tha se katër vitet që vijnë janë vitet e projekteve gjigande për Shqipërinë, vitet e realizimit të një projekti të ri për punësimin, e marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe hapjes së negociatave, ndërsa garantoi se çdo deputet demokrat nuk do të jetë deputet i partisë, por i qytetarit.
Fjala e Kryeministrit Berisha në tubimin elektoral në Tiranë.
“Qytetare e qytetarë të Tiranës,
qytetare e qytetarë të mbarë Shqipërisë,
përshëndetje më njerëzore, më të ngrohta, nga sheshi “Nënë Tereza”. Një nderim të madh për ju, vajza e djem, gra e burra të Tiranës, që jeni sot në këtë shesh, për të çelur sëbashku fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit në Tiranën blu, në Tiranën e vlerave, në Tiranën zemrën e kombit, trurin e tij.
Zonja e zotërinj,
kam nder të madh sot, të paraqes para jush ekipin e parlamentarëve të ardhshëm të koalicionit të qendrës, qendrës së djathtë, të djathtës, koalicionit më të gjerë në historinë politike të pluralizmit shqiptar. Jam sot këtu, për t’u zotuar para jush se asnjëri nga këto gra e burra që qëndrojnë para jush nuk janë deputetë të partisë, por secili prej tyre është deputet i qytetarëve të Tiranës, të qytetarëve të Shqipërisë. Për ne, në çdo kohë, në çdo stinë, në çdo ditë, i pari është dhe do të jetë qytetari, interesat, aspiratat, idealet, problemet e tij.
Zgjedhjet e 23 qershorit janë për çdo qytetar shqiptar, zgjedhje e madhe për vitet që vijnë. Më 23 qershor, qytetarët shqiptarë, qytetarët e Tiranës janë të ftuar të vendosin për alternativën, për modelin e vokacionit të tyre perëndimor.
Shqiptare e shqiptarë,
gjithçka kemi realizuar të madhe në jetën tonë, gjithçka që kemi realizuar të madhe për veten tonë, për fëmijët tanë, familjet tona, kombin tonë, kanë qenë njëlloj, rezultat i përpjekjeve mbinjerëzore të shqiptarë, vokacionit të tyre perëndimor si filli shpirtëror i ekzistencës së tyre kombëtarë. Ne sot jemi të lirë të ndërtojmë një sistem demokratik, se për ne, nga gjenerata në gjeneratë, ky vokacion u mbrujt e u mbrojt në mënyrën më të fuqishme, me sakrificat më sublime. Kosova sot është e lirë, sepse çështja e shqiptarëve u bë çështje e perëndimit, sepse vokacioni ynë perëndimor triumfoi dhe ngadhnjeu.
Këta burra e gra që keni sot para, forcat politike të koalicionit “Të punësimit, mirëqenies dhe integrimit”, në asnjë ditë, asnjë orë, asnjë vit e nuk i lejuan kurrë vetes të ngrihen, të shkelmojnë e kundërshtojnë këtë vokacion. Në të gjithë morinë e kundërshtive, debateve, ata kanë qenë e mbeten demokrate të pamposhtura të këtij vokacioni.
Shqiptare e shqiptarë,
qytetarë të Tiranë e mbarë Shqipërisë,
23 qershori është zgjedhje e madhe. Alternativa tjetër ka faktuar se nuk është shkëputur nga trashëgimia e saj, nga ajo trashëgimi që bëri gjithçka për ta vendosur kombin jashtë hapësirës perëndimore. Në 20 vite, ajo alternativë bëri gjithçka për të bllokuar integrimin në Këshillin e Europës, bëri gjithçka për të bllokuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, bëri gjithçka për të bllokuar anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut, bëri gjithçka për t’ju lënë juve pa viza, për të mos lëvizur të lirë në Europë. Ajo alternativë bëri gjithçka për të privuar shqiptarët nga pasaporta e shkëlqyer e statusit të vendit kandidat. Sot, ajo alternativë, me cinizmin më ekstrem e quam veten Aleanca e Shqipërisë Europiane. E vërtetë kjo, sa ç’është i vërtetë zotimi i 1 prillit! Por ne të votojmë sëbashku për veten tonë, për fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë, për Shqipërinë në Europë, për Shqipërinë e integruar.
Qytetare e qytetarë të Tiranës e mbarë Shqipërisë,
23 qershori është dita e gjykimit tuaj historik, është dita e gjykimit tuaj të madh. Tek kutitë e votimit përballen dy filozofi, dy qëndrime. Përballet qëndrimi ynë, i cili ka në thelb dhe synon liritë tuaja, besim të pakufishëm tek iniciativa juaj e lirë, tek pasuria e saj. Ne besojmë se gjithçka ka arritur Shqipëria këto 20 vite, ju ka pasur juve, qytetarët e lirë shqiptarë, arkitektët e vërtetë, ka pasur liritë tuaja dhe ne qeveritarët, deputetët, zyrtarët nuk kemi bërë asgjë tjetër, por kemi menduar, kemi vendosur sesi t’i zgjerojmë ato. Është kjo iniciativë, është liria juaj që e ka ngjitur këtë vend dhe i ka dhënë atij një rritje 11 herë, që nuk krahasohet me asnjë vend tjetër. Është kjo iniciativë që besoi në një qeveri në shërbim të qytetarit, është kjo iniciativë që konsideron liritë e të drejtat e tij si të drejta tokësore e hyjnore të paprekshme.
Alternativa tjetër është alternativa që kërkon ta bëjë Shqipërinë që të punojë për qeverinë. Alternativa tjetër është alternativa e besimit tek diktati shtetëror, tek diktati qeveritar, e taksave të larta, e ngushtimit të hapësirave të iniciativës së lirë.
Vëllezër e motra,
Në 20 vite, në çdo rrethanë, ne kemi mbrojtur para jush parimet që besojmë. Çfarë bën zoti Rama? Sa qeverisi Tiranën dy e trefishoi taksat, tani kalon nga një qytet në një tjetër si hije e Nastradinit dhe ju thotë shqiptarëve se do të heqë taksat. Alternativa tjetër është alternativa e taksave të larta, alternativa e shkatërrimit të vendeve të punës, e largimit të investitorëve të huaj, alternativa e bllokimit të zhvillimit ekonomik.
Zoti Basha, demokratët e Tiranës dhe Shqipërisë të falenderojnë ty për rotacionin që i bëre zotit Rama, por, miqtë e mi, rotacionin e dytë ia bëri Koço Kokëdhima dhe të tretin do t’ia bëjë Tirana, do t’ia bëjë Shqipëria.
Qytetare e qytetarë të Tiranës e mbarë Shqipërisë,
këta burra e gra janë deputetët e qytetarit dhe ju garantoj se në axhendën e tyre, në përpjekjet e tyre do të kenë para së gjithash e mbi të gjitha, punësimin tuaj, krijimin e vendeve të punës, rritjen e rrogave tuaja. Ne kemi sot një plan të shkëlqyer punësimi, i cili përsëri ju ka juve në epiqendër, gjenitë tuaja krijuese, forcën dhe energjitë tuaja. Ne kemi sot një plan të ri punësimi, i cili bazohet në shumëfishimin e investimeve në këtë vend. Katër vitet që vijnë janë vitet e projekteve gjigande për Shqipërinë e shqiptarët. Sot filloi kaskada e Devollit, së shpejti TAP-i, kaskada e Vjosës dhe dhjetëra e dhjetëra vepra të tjera të mëdha. Ne do bëjmë çdo gjë që çdo shqiptar të ketë një jetë më të mirë.
Vëllezër e motra,
këto kanë qenë kohë stuhie, shtrëngate të madhe për Europën e botën, por anija jonë qëndroi, rezistoi dhe kjo jo për shkak të forcës së qeverisë, por forcës së pathyeshme të individit të lirë, të qytetarit të lirë shqiptar. Katër vitet që vijnë, Shqipëria do të kapë nivelet e vendit të zhvilluar. Ne garantojmë statusin, garantojmë hapjen e negociatave, do të bëjmë gjithçka për një jetë më të mirë për çdo shqiptar.
Qytetare e qytetarë shqiptarë,
le të vendosim të zhvillojmë kësaj radhe, fushatën më të civilizuar, fushatën e vlerave që ne u besojmë, fushatën që do të bindë çdo qytetar shqiptar, pavarësisht nga përkatësia partiake, se ne jemi ndryshimi. Përpara, Përpara, Përpara!. Fitore, Fitore, Fitore!”

Filed Under: Kronike Tagged With: ne Tirane, PD hap fushaten, Sali berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT