Në mungesë të reformave zgjedhore, Kosova pritet të shkojë në zgjedhjet e ardhshme lokale me legjislacionin e vjetër. Përmbyllja e reformave zgjedhore, paraqet një nga kriteret që Komisioni Evropian i ka përcaktuar Kosovës në kuadër të studimit të fizibilitetit për negociatat e Stabilizim Asocimit.
Megjithatë, liderët e partive kryesore nuk kanë arritur ta përmbyllin ende reformën as për nivelin lokal dhe as për atë qendror.
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim i ka bërë thirrje presidentes së vendit, Atifete Jahjaga që të caktojë zgjedhjet lokale në fund të shtatorit apo më së largu në fillim të tetorit, për shkak të eliminimit të parregullsive.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka tërhequr vërejtjen se në periudhën e dimrit, kur dita zgjat më pak, mundësitë për parregullsi janë më të mëdha, ngase errësohet më herët.
Kryeziu ka kritikuar edhe qeverinë e Kosovës për ndërhyrje në procesin zgjedhor me vendimin e fundit për formimin e komunës së Hasit. Ai tha se nga 22 marsi, Kosova ka hyrë në kalendarin zgjedhor dhe më nuk mund të ketë komuna të reja.
Ndërkaq në mungesë të reformave, i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmerr disa hapa për përmirësimin e infrastrukturës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Kryeziu ka folur edhe në lidhje me sfidat kryesore që e presin Kosovën në pretendimet që për herë të parë të organizojë zgjedhje komunale edhe në veri të vendit. Sipas tij, shumëçka do të jetë më e qartë pasi që Prishtina dhe Beogradi të merren vesh edhe në lidhje me planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel.
“Sfidat kryesore sigurisht që do të jenë afatet kohore për zbatimin e marrëveshjes së arritur. Ne ende nuk e kemi një plan të zbatimit të kësaj marrëveshje dhe ende nuk kemi informacionet e duhura për të ditur se komunat e veriut a do të jenë pjesë e këtij procesi zgjedhor apo jo”, ka thënë Kryeziu.
Një çështje tjetër problematike që ka të bëjë me zgjedhjet në komunat veriore, është ajo e partive politike serbe në atë pjesë, të cilat janë të regjistruara në Serbi, por jo edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë. Kryeziu ka thënë se për të qenë pjesë e procesit, partitë serbe nga veriu duhet të regjistrohen në organet e Kosovës.
“Partitë politike serbe të cilat nuk janë të regjistruara në Kosovë nuk mund të jenë pjesë e procesit zgjedhor. Ato duhet të regjistrohen në organet kompetente në KQZ dhe ajo që ne kemi kërkuar si Demokraci në Veprim ka të bëjë me atë që KQ-ja duhet të luaj rolin e vet në përgatitjen dhe organizimin e procesit zgjedhor”, është shprehur Kryeziu.
Në përgjithësi, Demokracia në Veprim, që kryesisht merret me vëzhgimin dhe monitorimin e proceseve zgjedhore, ka vlerësuar se reformat janë zvarritur shumë edhe atë me fajin e liderëve të partive kryesore politike.
Shqipe Pantina, nga ky koalicion i OJQ-ve ka kritikuar edhe disa nga rezultatet që
kanë dalë nga bisedimet në kuadër të reformës zgjedhore. Sipas saj, liderët politik kryesisht kanë arritur disa konsensuse që bien ndesh me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, e cila kërkonte më shumë zona zgjedhore, listat e hapura si dhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit në të ardhmen, çështje këto që nuk janë përfillur nga partitë politike.
“Liderët tanë fillimisht duhet të respektojnë rezolutën e Kuvendit të Kosovës e cila kishte vendosur disa parime, siç ishin: Kosova të ndahet në më shumë zona zgjedhore e deri te zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit, parime këto që kohët e fundit janë lënë anash nga liderët politik”, ka thënë Pantina.
Demokracia në Veprim ka konfirmuar se është duke e zgjeruar rrjetin me organizata partnere lokalepër vëzhgimin dhe monitorimin e zgjedhjeve të ardhshme komunale.
Ky koalicion ka konsideruar se zgjedhjet duhet të mbahen këtë vjeshtë dhe se shtyrja eventuale e tyre do të përbënte shkelje të Kushtetutës, pavarësisht nëse një vendim i tillë eventual do të arsyetohej me përgatitjen e terrenit për zgjedhjet e para në komunat veriore(Kortezi Zijadin Gashi-Europa e Lire)
Archives for May 2013
TJETER REKORD: SHQIPERIA E DYZETETRETA NE BOTE
Tjeter rekord i Shqiperise, Rekordi duket si enderr.Shqipëria ka vendosur një tjetër rekord në renditjen e FIFA-s. Ajo tashmë renditet në vendin e 43, me 640 pikë, një pozicion historik ky.
Nëse për prillin vendosëm një rekord historik, duke ngjitur 16 vende njëherësh dhe pozicionuar të 48-t në botë, për majin kemi superuar edhe 5 vende të tjera. Një sukses i padiskutueshëm, sepse në vendin e 43-të Shqipëria nuk ka qenë kurrë në historinë e vet, ashtu sikurse nuk kishte qenë as në pozicionin e muajit të kaluar. Sipas përllogaritjes specifike të FIFA-s, kuqezinjtë tanë vlerësohen me 640 pikë, që “përkthehet” ndryshe me vendin e 43-të për muajin maj. Sa u përket rivalëve tanë në grupin kualifikues të “Botërorit 2016”, më lart qëndron Zvicra, në vendin e 14-të, me ngjitje një shkallë më tepër në krahasim me muajin paraardhës, ndërsa në vendin e 31-të është Norvegjia, që ka zbritur një pozicion krahasuar me prillin. Shqipëria lë pas Slloveninë në këtë renditje të FIFA-s, në vendin e 55-të, Islandën, në vendin e 73-të, dhe Qipron në vendin e 123-të. Të tria këto kombëtare kanë qëndruar në vend-numëro, pa lëvizur asnjë pozicion në renditjet mujore të prilit dhe majit 2013. Sikurse thamë edhe më sipër, në fakt kombëtarja shqiptare e futbollit kishte bërë një kapërcim rekord historik në renditjen e FIFA-s që në prill, duke ngjitur plot 16 shkallë. Vendi i 48-të ishte edhe arritja më e madhe e kuqezinjve tanë në këtë drejtim për momentin, por tashmë jemi edhe më lart.
Renditja:
1. Spanja
2. Gjermania
3. Argjentina
4. Kroacia
5. Portugalia
6. Kolumbia
7. Anglia
8. Italia
9. Holanda
10. Ekuadori
. . .
43 Shqipëria
44 Paraguaji
45 Turqi
46 Zambia
47 Australia
48 Kosta Rika
49 Uellsi
50 Burkina Faso
PA RESPEKTIN NDAJ TË PARËVE NUK MUND TË NDËRTOJMË TË ARDHMEN
Në kujtim të Hysni Rexhep Totos, shërbestar i Vlorës/
Nga Enver Memishaj/
Gjithmonë duhen kujtuar ata burra që drejtuan dhe organizuan zhvillimin dhe përparimin e qytetit të tyre, të cilët punuan në kohë të vështira duke i dhëna vendlindjes gjithëçka dhe që nuk kërkuan për vete asgjë, veç një page shumë të ulët.
Një nga këta bura që duhet kujtuar e nderuar është edhe Hysni Totua, qytetar dhe shërbestar i Vlorës. Në kohë lufte Hysni Totua i shërbeu Vlorës me pushkë dhe në kohë paqie nga viti 1945, deri sa dorzoi shpirtin e tij të bukur, shërbeu me punë dhe përkushtim, në të gjitha frontet ku e hodhi koha. Kontributi tij për asnjëherë nuk u vlerësua si duhet, ai provoi edhe burgun.
Hysniu iku fare i ri nga kjo botë vetëm 49 vjeç, por la pas vetes tre djem, të cilët trashëguan vyrtytet më të mira të të atit, duke shkëlqyer në fushat e dijes ku u diplomuan dhe në shoqëri: Luani u bë artist i njohur, aktor, piktor dhe shkrimtar, po më shumë duhet vlerësuar për shërbimet e shquara si aktivist shoqëror, njerëz si Luani janë vlera të vërteta të shoqërisë.
Gudari u bë shkëncëtar i njohur, personalitet shoqëror. Mjergulloshi shkëlqeu në shoqërinë vlonjate, duke ngritur më lart emrin e babait të tij.
Ndaj këtyre personaliteteve që nuk kursyen asgjë, për vendin e tyre shoqëria ka detyrim t`i respektojë dhe nderojë. Ky artikull është një protestë, ndaj heshtjes së shoqërisë për vlerat njerzore.
* * *
Hysniu Totua ka lindur në Vlorë më 17 mars të vitit 1918. Në vendlindje mori arsimin fillor dhe të mesëm në Shkollën Tregtare, e njohur dhe e vlerësuar si vatër e dijes dhe vatër e kalitjes patriotike të djalërisë vlonjate dhe më gjerë.
Për nevoja ekonomike të familjes, e ndërpreu shkollën dhe me aftësitë dhe inteligjencën që e karakterizonte hapi në Vlorë një ofiçinë mekanike ku nxirrte të ardhurat për të përballuar jetën e familjes.
Megjithse në një gjendje jo të mirë ekonomike ai refuzoi propozimin e fashistëve italianë për të shërbyer në milici dhe për tu antarësuar në Partinë Fashiste.
Në këto rrethana u detyrua të largohet nga Shoqeria italiane Pini ku ishte i punësuar dhe punoi si mekanik ku të gjente punë, derisa, me një shokun e vet, mundi të rihapin një ofiçinë të vogël për riparim automjetesh.
Me ndjenjën e patriotizmit të trashëguar nga i ati, Hysniu, u inkuadrua në Lëvizjen Antifashiste, përkrah djalërisë më të mirë të qytetit të tij. I përkrahur nga i ati e ktheu shtëpinë në bazë të luftës për liri.
Për aktivitet të shquar antifashist, në vitin 1942, u arrestua së bashku me të atin, u torturuan dhe u kërcënuan por qëndruan si burra dhe nuk i dhanë bazat e luftës dhe shokët e tyre antifashistë. I ati,Rexhepi u internua në Porto Romano, Durës, nga ku u kthye vetëm pas kapitullimit të Italisë. Rexhepi dhe djali tij Hysni Totua pavarësisht kërcënimit të përditshëm të jetës tyre ata nuk u tërhoqën nga udha e lirisë së cilës i qenë futur me ndërgjegje të plotë. Gjat pushtimit gjerman ata e shtuan aktivitetin e tyre dhe për këtë arsye në nëntor të vitit 1943 i ati, së bashku me shumë vlonjatë të tjerë, luftëtarë lirie, u internua për herë të dytë tashmë nga gjermanët. Atë e shpunë në Mathausen – Gusen -Austri, nga ku nuk u kthye më, duke dhënë jetën për lirinë e popullit.
Gjatë veprimtarisë antifashiste, nën presion e përndjekje të pushtuesve italian apo gjerman Hysni Totua shërbeu me detyra të ndryshme në Myzeqe të Vlorës, por edhe në Durrës e Tiranë.Pas internimit të të atit, Hysniu nuk e ndërpreu luftën për liri. Bënte pjesë në Grupin Edukativ të lagjes Vrenes dhe, pas kapitullimit të Italisë, shërbeu si oficer teknik i bazës së Lëvizjes Antifashiste të Vlorës. Për nevoja të luftës, ai fali edhe ofiçinën e tij të vogël. Tashmë, Hysniu e kishte kthyer shtëpinë e tij, në një nga bazat e fuqishme të luftës kundër fashizmit.
(Në regjistër, Fondin e Luftës Nacionalçlirimtare, nr.17 prot. faqe 8, nr. rendor 205 për pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare, në brigadat partizane, komandat e vendit dhe aktivistë në terren, shënohet: Hysni Rexhep Toto, partizan nga muaji jenar 1943 deri më 29.11.1944 në Zonën Vlorë – Myzeqe.)
* * *
Pas çlirimit të vendit Hysni Totua punoi me të njëjtin hov dhe përkushtim si në kohë të luftës. Ai kreu me ndërgjegje shumë detyra të ngarkuara, për të rimëkëmbur ekonominë e vendit të shkatërruar dhe e djegur nga lufta. Ai ka meritën se në dhjetor të vitit 1944, ngriti Parkun Ushtarak të Automjeteve të Vlorës, ku u grumbulluan të gjitha automjetet private e shtetërore të Prefekturës.
Për tre muaj rresht drejtoi Autokolonat Shqipëri – Jugosllavi, të cilat çonin në Jugosllavi kripë dhe sillnin prej andej drithra buke. Më pas dha njohuritë e tij si teknik në organizimin e rrjetit automobilistik të Qarkut të Vlorës.
Duke parë rezultatet e arritura gjate ushtrimit të detyrës, aftësitë organizative dhe përkushtimin në punë si rezultat i dashurisë për Vlorën, autoritetet e vendit e emëruan në disa detyra të vështira si drejtor i Fabrikës së Lëkurëve, djetor i Minieres së Bitumit në Selenicë, drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimeve, dhe nga 1 dhjetor 1947 deri më 3 jenar 1949, ai ushtroi detyrën si kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Qytetit Vlorë, baras me detyrën e kryetarit të bashkisë në ditët e sotme.
Në këtë detyrë Hysni Totua, duke njohur hallet dhe problemet e qytetarëve të tij, falë shpirtit të tij humanitar, thjeshtësisë dhe përkushtimit, la mbresa të pa shlyera tek qytetarët e tij. Ai dinte të ndihmonte njerzit e varfër dhe të djegur apo të lënë fukara nga lufta. Qytetarët vlonjatë e respektuan dhe e kujtojnë sot me nderim për shërbimet e shquara që u bëri ai, në një kohë shumë të vështirë.
Pavarësisht nga shërbimet e shquara që Hysni Totua i kishte sjellë qytetit të tij me shpifje dhe cmira ai u arrestua në vitin 1949, dhe u mbajt nën arrest për tre muaj e gjysëm. U lirua nga salla e gjyqit.
Ky ishte shpërblimi që komunistët vlonjatë i jepnin një djali dëshmori, luftëtari lirije dhe një shërbestari të Vlorës.
Pas daljes nga burgu, u harruan shërbimet që Hysni Totua i kishte bërë vendit të tij duke e lënë gati një vit pa punë dhe më pas ai punoi si punëtor krahu apo teknik në disa ndërmarje të Vlorës. Vetëm në vitin 1952, me ndihmën e disa miqve të tij ai u emërua drejtor i Fabrikës së Xhveshjes së Orizit në Vlorë, por edhe këtej e shkarkuan shpejt dhe ai u detyrua të përballojë jetën në ndermarrje te ndryshme të qytetit si nëpunës ose punëtor, ndërsa vitet e fundit të jetës së tij, deri sa vdiq, ka qenë Kryetar i Kolektivës së Tregtarëve Vlorë .
Hysni Totua ishte shembulli i aktivistit shoqëror, duke qene vazhdimisht, i zgjedhur, si kryetar i Këshillit Popullor të lagjes Muradie, apo anëtar i Këshillit Popullor të Rrethit Vlorë.
* * *
Pasi kishte përshkruar udhën e vështirë të jetës, gjatë kohës së luftës dhe më shumë në kohë paqie, si dhe nga burgu, zemra e tij e bardhë, e lodhur pushoi së rrahuri në nëntor të vitit 1967, në moshën 49 vjeçare, duke lënë pas shembullin e një qytetari që mendoi më shumë për qytetin e tij se sa për shtëpinë e tij.
“Daily Mail”: Bregdeti shqiptar, vendi për pushime familjare
Çmimet në bregdetin shqiptar sjellin buzëqeshje në fytyrën tuaj, është titulluar artikulli i “Daily Mail”-it/
Mediat dhe agjencitë turistike në botë vijojnë të kenë në fokus turizmin shqiptar, duke e renditur Shqipërinë si një nga vendet më të bukura në Evropë.
Gazeta britanike “Daily Mail”, ne rubrikën e saj “Travel” këtë herë ka vendosur Shqipërinë duke e përshkruar atë si një vend të përshtatshëm për pushime familjare, ku dhe kostot janë krejtësisht të volitshme.
Çmimet në bregdetin shqiptar sjellin buzëqeshje në fytyrën tuaj, është titulluar artikulli i “Daily Mail”-it, transmeton abcnews.
Kryeqyteti shqiptar është vlerësuar duke u nisur edhe nga gjërat elementare, si pikat e shitjes së ushqimeve, “fast foodet” madje edhe vetë gjuha, shprehitë e saj dhe kodet e mirësjelljes.
„Vitet e fundit Shqipëria ka pasur një zhvillim të bujshëm në fushën e turizmit, ku mijëra turistë vijnë për pushime çdo vit në vendin tonë. Bukuritë natyrore, plazhet, qytetet antike janë ndër preferencat parimore të turistëve“, shkruan “Daily Mail”. Por siç duket numri i atyre që do ta vizitojnë Shqipërinë do të rritet edhe për vitet e ardhshme si rezultat i promovimit që po i bëhet nga ndërkombëtarët.
Sipas ”Daily Mail”, shumë prej vizitorëve e cilësojnë Shqipërinë si një nga sekretet e fundit që po zbulojnë në Evropë.
Me këtë rast u rekomandohet turistëve që kanë kureshtjen për ta parë Shqipërinë të nxitojnë për ta bërë sa më parë udhëtimin.
Prishtina Europiane: Fesimet për Ditën e Europës
Nga Ermira Babamusta, Ph.D./
Prishtinë – Trevat shqiptare me një fizionomi të veten gjuhësore, kulturore dhe tradicionale, përmbajnë në vetvete sekretin historik të artit, kulturës dhe qytetërimit europian. Roli dhe kontributi i Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi në nivelin ndërkombëtar karakterizohet në ruajten e marrëdhënieve paqësore si dhe sjelljen e një qytetërimi të lashtë, historik me plot vlera. Këto vlera të artit dhe kulturës u festuan me rastin e Ditës së Europës. Manifestimi zgjat pesë ditë deri me 12 maj. Për nder të kësaj dite, rruga “Rexhep Luci” në Prishtinë u riemërua “Rruga e Evropës”.
Artistja e talentuar Festina Mejzini, e shoqëruar nga kitaristi i njohur Agron Peni dhe violinisti i shquar Festim Fanaj, janë angazhuar këtë javë për të performuar në projeketin e Bashkimit Europian enkas për festën. Organizimi u realizua nga kompania e marketingut në Kosovë “Zero Pozitive” me iniciativë nga Zyra e Unionit Evropian në Kosovë, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Integrimit Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme . Kafenetë në rrugën e kryeqytetit u shndërruan në një nga “shtetet” e Europës, duke shërbyer ushqimin karakteristik të vendit përfaqësues.
Në ditën e hapjes të pranishëm ishin përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian, Ambasadorë të pranishëm në Kosovë, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe personalitete të tjera të njohura të botës së kulturës dhe artit në Kosovë.
Festina Mejzini me stilin e saj, me percjelljen maestrale të Agron Penit dhe Festim Fanaj, solli një stil të veçantë të cilin mund ta hasësh në rrugët e Parisit, Londrës ose Berlinit. Për ambasadorët dhe të pranishmit Festina, një figurë e dashur jo vetëm për publikun shqiptar por edhe atë europian, solli shumë performime të bukura, duke përfshirë edhe stilin‘street jazz’.
“Për momentin jam duke planifikuar një udhëtim për në Skandinavi për t’u angazhuar në një projekt të ri. Kam marrë një ofertë bashkëpunimi si dhe njëkohësisht jam në përgaditje të një kënge të re me kompozitorin Agron Peni, kitarist i grupit Latino Band. Për në verë kam disa oferta për bashkëpunime për t’u angazhuar në bregdetin e jugut në Shqipëri por ende nuk i kam finalizuar planet,” tha Festina Mejzini.
Historikisht, “Dita e Evropës” u vendos të jetë 9 maji gjatë samitit të BE-së në Milano në vitin 1985 për të kujtuar deklaratën e Schuman, Babai i Bashkimit Europian. Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman me 9 maj 1950 dha para Komunitetit Evropian të Çelikut dhe Karbonit (European Coal and Steel Community – ESCS, sot European Union – EU/BE-ja) deklaratën e famshme për bashkim të produkteve midis Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera Europiane. Përveç 9 majit, 5 maji gjithashtu festohet nga disa vende, datë e cila shënon krijimin e Këshillit Europian (Council of Europe), me 5 maj 1949. Me këtë rast, Kosova solli një përpjekte kreative për ruajen e marëdhënieve paqësore europiane.
Ne Foto: Agron Peni, Festina Mejzini, Festim Fanaj
- « Previous Page
- 1
- …
- 35
- 36
- 37
- 38
- 39
- …
- 50
- Next Page »