Në kujtim të Hysni Rexhep Totos, shërbestar i Vlorës/
Nga Enver Memishaj/
Gjithmonë duhen kujtuar ata burra që drejtuan dhe organizuan zhvillimin dhe përparimin e qytetit të tyre, të cilët punuan në kohë të vështira duke i dhëna vendlindjes gjithëçka dhe që nuk kërkuan për vete asgjë, veç një page shumë të ulët.
Një nga këta bura që duhet kujtuar e nderuar është edhe Hysni Totua, qytetar dhe shërbestar i Vlorës. Në kohë lufte Hysni Totua i shërbeu Vlorës me pushkë dhe në kohë paqie nga viti 1945, deri sa dorzoi shpirtin e tij të bukur, shërbeu me punë dhe përkushtim, në të gjitha frontet ku e hodhi koha. Kontributi tij për asnjëherë nuk u vlerësua si duhet, ai provoi edhe burgun.
Hysniu iku fare i ri nga kjo botë vetëm 49 vjeç, por la pas vetes tre djem, të cilët trashëguan vyrtytet më të mira të të atit, duke shkëlqyer në fushat e dijes ku u diplomuan dhe në shoqëri: Luani u bë artist i njohur, aktor, piktor dhe shkrimtar, po më shumë duhet vlerësuar për shërbimet e shquara si aktivist shoqëror, njerëz si Luani janë vlera të vërteta të shoqërisë.
Gudari u bë shkëncëtar i njohur, personalitet shoqëror. Mjergulloshi shkëlqeu në shoqërinë vlonjate, duke ngritur më lart emrin e babait të tij.
Ndaj këtyre personaliteteve që nuk kursyen asgjë, për vendin e tyre shoqëria ka detyrim t`i respektojë dhe nderojë. Ky artikull është një protestë, ndaj heshtjes së shoqërisë për vlerat njerzore.
* * *
Hysniu Totua ka lindur në Vlorë më 17 mars të vitit 1918. Në vendlindje mori arsimin fillor dhe të mesëm në Shkollën Tregtare, e njohur dhe e vlerësuar si vatër e dijes dhe vatër e kalitjes patriotike të djalërisë vlonjate dhe më gjerë.
Për nevoja ekonomike të familjes, e ndërpreu shkollën dhe me aftësitë dhe inteligjencën që e karakterizonte hapi në Vlorë një ofiçinë mekanike ku nxirrte të ardhurat për të përballuar jetën e familjes.
Megjithse në një gjendje jo të mirë ekonomike ai refuzoi propozimin e fashistëve italianë për të shërbyer në milici dhe për tu antarësuar në Partinë Fashiste.
Në këto rrethana u detyrua të largohet nga Shoqeria italiane Pini ku ishte i punësuar dhe punoi si mekanik ku të gjente punë, derisa, me një shokun e vet, mundi të rihapin një ofiçinë të vogël për riparim automjetesh.
Me ndjenjën e patriotizmit të trashëguar nga i ati, Hysniu, u inkuadrua në Lëvizjen Antifashiste, përkrah djalërisë më të mirë të qytetit të tij. I përkrahur nga i ati e ktheu shtëpinë në bazë të luftës për liri.
Për aktivitet të shquar antifashist, në vitin 1942, u arrestua së bashku me të atin, u torturuan dhe u kërcënuan por qëndruan si burra dhe nuk i dhanë bazat e luftës dhe shokët e tyre antifashistë. I ati,Rexhepi u internua në Porto Romano, Durës, nga ku u kthye vetëm pas kapitullimit të Italisë. Rexhepi dhe djali tij Hysni Totua pavarësisht kërcënimit të përditshëm të jetës tyre ata nuk u tërhoqën nga udha e lirisë së cilës i qenë futur me ndërgjegje të plotë. Gjat pushtimit gjerman ata e shtuan aktivitetin e tyre dhe për këtë arsye në nëntor të vitit 1943 i ati, së bashku me shumë vlonjatë të tjerë, luftëtarë lirie, u internua për herë të dytë tashmë nga gjermanët. Atë e shpunë në Mathausen – Gusen -Austri, nga ku nuk u kthye më, duke dhënë jetën për lirinë e popullit.
Gjatë veprimtarisë antifashiste, nën presion e përndjekje të pushtuesve italian apo gjerman Hysni Totua shërbeu me detyra të ndryshme në Myzeqe të Vlorës, por edhe në Durrës e Tiranë.Pas internimit të të atit, Hysniu nuk e ndërpreu luftën për liri. Bënte pjesë në Grupin Edukativ të lagjes Vrenes dhe, pas kapitullimit të Italisë, shërbeu si oficer teknik i bazës së Lëvizjes Antifashiste të Vlorës. Për nevoja të luftës, ai fali edhe ofiçinën e tij të vogël. Tashmë, Hysniu e kishte kthyer shtëpinë e tij, në një nga bazat e fuqishme të luftës kundër fashizmit.
(Në regjistër, Fondin e Luftës Nacionalçlirimtare, nr.17 prot. faqe 8, nr. rendor 205 për pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare, në brigadat partizane, komandat e vendit dhe aktivistë në terren, shënohet: Hysni Rexhep Toto, partizan nga muaji jenar 1943 deri më 29.11.1944 në Zonën Vlorë – Myzeqe.)
* * *
Pas çlirimit të vendit Hysni Totua punoi me të njëjtin hov dhe përkushtim si në kohë të luftës. Ai kreu me ndërgjegje shumë detyra të ngarkuara, për të rimëkëmbur ekonominë e vendit të shkatërruar dhe e djegur nga lufta. Ai ka meritën se në dhjetor të vitit 1944, ngriti Parkun Ushtarak të Automjeteve të Vlorës, ku u grumbulluan të gjitha automjetet private e shtetërore të Prefekturës.
Për tre muaj rresht drejtoi Autokolonat Shqipëri – Jugosllavi, të cilat çonin në Jugosllavi kripë dhe sillnin prej andej drithra buke. Më pas dha njohuritë e tij si teknik në organizimin e rrjetit automobilistik të Qarkut të Vlorës.
Duke parë rezultatet e arritura gjate ushtrimit të detyrës, aftësitë organizative dhe përkushtimin në punë si rezultat i dashurisë për Vlorën, autoritetet e vendit e emëruan në disa detyra të vështira si drejtor i Fabrikës së Lëkurëve, djetor i Minieres së Bitumit në Selenicë, drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimeve, dhe nga 1 dhjetor 1947 deri më 3 jenar 1949, ai ushtroi detyrën si kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Qytetit Vlorë, baras me detyrën e kryetarit të bashkisë në ditët e sotme.
Në këtë detyrë Hysni Totua, duke njohur hallet dhe problemet e qytetarëve të tij, falë shpirtit të tij humanitar, thjeshtësisë dhe përkushtimit, la mbresa të pa shlyera tek qytetarët e tij. Ai dinte të ndihmonte njerzit e varfër dhe të djegur apo të lënë fukara nga lufta. Qytetarët vlonjatë e respektuan dhe e kujtojnë sot me nderim për shërbimet e shquara që u bëri ai, në një kohë shumë të vështirë.
Pavarësisht nga shërbimet e shquara që Hysni Totua i kishte sjellë qytetit të tij me shpifje dhe cmira ai u arrestua në vitin 1949, dhe u mbajt nën arrest për tre muaj e gjysëm. U lirua nga salla e gjyqit.
Ky ishte shpërblimi që komunistët vlonjatë i jepnin një djali dëshmori, luftëtari lirije dhe një shërbestari të Vlorës.
Pas daljes nga burgu, u harruan shërbimet që Hysni Totua i kishte bërë vendit të tij duke e lënë gati një vit pa punë dhe më pas ai punoi si punëtor krahu apo teknik në disa ndërmarje të Vlorës. Vetëm në vitin 1952, me ndihmën e disa miqve të tij ai u emërua drejtor i Fabrikës së Xhveshjes së Orizit në Vlorë, por edhe këtej e shkarkuan shpejt dhe ai u detyrua të përballojë jetën në ndermarrje te ndryshme të qytetit si nëpunës ose punëtor, ndërsa vitet e fundit të jetës së tij, deri sa vdiq, ka qenë Kryetar i Kolektivës së Tregtarëve Vlorë .
Hysni Totua ishte shembulli i aktivistit shoqëror, duke qene vazhdimisht, i zgjedhur, si kryetar i Këshillit Popullor të lagjes Muradie, apo anëtar i Këshillit Popullor të Rrethit Vlorë.
* * *
Pasi kishte përshkruar udhën e vështirë të jetës, gjatë kohës së luftës dhe më shumë në kohë paqie, si dhe nga burgu, zemra e tij e bardhë, e lodhur pushoi së rrahuri në nëntor të vitit 1967, në moshën 49 vjeçare, duke lënë pas shembullin e një qytetari që mendoi më shumë për qytetin e tij se sa për shtëpinë e tij.