• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2013

GJITHNJË, “ME ZEMËR NË VENDLINDJE”…

June 22, 2013 by dgreca

Shënime për librin me mbresa nga Suedia, të prof.Murat Gecaj/

Nga: LUMTURI YMERI-BERSAVA/

Ne Foto: Lumturia dhe Bersa, e bija, me Muratin (Tiranë, 2013)/

1.

“Me zemër në vendlindje” titullohet libri i dytë, pas atij “Dorela”, që autori, miku dhe profesori i nderuar Murat Gecaj, m’i ka dhuruar me dorën e tij.
Kam patur kënaqësinë e takimit dhe e kam parë vërtetë që zemra e “Babushit”, siç i thotë mbesa Dorelë, por tashmë dhe mjaft kolegë e miq të tij,  merr me vete një “copë vendlindje”, kudo që shkon, nëpër Europë ose në Amerikë, të cilën e ka vizituar dy herë. E kam parë këtë gjë në sytë e tij të lotuar prej mallit, në fjalët e tij, sa të thjeshta aq edhe të ngrohta.
Them, gjithashtu, “Me zemër në vendlindje”, sepse jeta e tij aktive, kryesisht në Shqipëri dhe në shumë vende të botës, si në trojet shqiptare të Ballkanit, por edhe kudo në diasporë, të frymëzon.

I ftuar nga miq të shumtë, pra edhe në Suedi, të cilët e duan të pranishëm, që e respektojnë dhe i shprehin dashamirësi të plotmerituar, duket mjaft qartë dhe në këtë libër të tij më të fundit. Por, edhe nga ana e tij, Babushi rrezaton mirësi e dashuri të ngrohtë për gjithëkënd, që e rrethon, e njeh ose e takon edhe për herë të parë. Këto cilësi të tij pasqyrohen, duke filluar nga fëmijët, të cilët i quan “pëllumba”, mbartës të gjakut tonë shqiptar, që do ta çojnë më tej traditën, kulturën shqiptare dhe vijojnë deri te studentët, intelektualët e veprimtarët e shumtë. Ata janë yje të përçimit të fjalës shqipe, si në poezi, në këngë e në prozë, për t’i treguar botës që ne jemi një popull liridashës, përparimtar e artdashës dhe gjuha jonë është e gdhendur në historinë shumëshekullore.
Në këto veprimtari, që tregohen më së miri në libër, në mjedisin e emigrantëve shqiptarë në Suedi,  profesori na e sjell shumë pranë edhe dashurinë e ndërsjelltë, shprehur në falënderimet e mirënjohjet pafund, të kushtuara atij. Gjithashtu, pasqyrohet edhe me fotot e panumërta, ku duken qartë sofra e bujaria shqiptare edhe përtej kufijve tanë, ashtu si në Suedi, ku fjala shqipe jehon e bukur në veprimtaritë kulturore e artistike ose në mënifestimet, që bashkatdhetarët tanë organizojnë atje.

2.

Është një “valixhe” plot me çertifikata mirënjohjeje, falënderime e letra të dashamirësve të shumtë të autorit, të cilët ai kurrë nuk harron t’i pershëndesë dhe t’i përshkruajë në libër bukur, me nderim e respekt, duke sjellë edhe analizat rreth librave të autorëve bashkëkombës, të cilët e përçojnë në gjuhën e Mëmës, fjalën dhe ndjenjën poetike.
Ndër ta, është edhe përshkrimi i librave të mikes sime të dashur, Zyrafete Kryeziu-Manaj, “vasha e valëve”, e cila noton “mbi uraganin e dhimbjeve”. Për atë, ai shkruan se është “Vasha, që doli me guxim në breg, me forcën titanike të shpirtit të saj”.
Mua më duket vetja se jam vetëm “një pikë ujë”, në këtë “det” të madh falënderimesh e mirënjohjesh, buzëqeshjesh, vlerësimesh maksimalisht dhe urimesh lumturimi, që e mbushin jetën e Babushit tonë, plot gjallëri e optimizëm për jetën. Por është një pikël ujë, që i bashkohem këtij deti-dashurie shqiptare, me urimet më të mira dhe të përzemërta:
Shëndet dhe jetë, sa bjeshkët, Miku im i nderuar, Mik i gjithë shqiptarëve, me zemër të madhe e të pastër!
Urojmë nga shpirti: lumturi pa fund, për ju e familjen tuaj dhe një përqafim të ngrohte përcjellim edhe për mbesën tuaj të bukur e të mençur, Dorelën e dashur!
Faleminderit e mirënjohje për ju, miqësisht, nga zemra!
Tiranë, 22 qershor 2013

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: libri, Lumturi Bersava, me zemer ne vendlindje, te Murat Gecaj

Në vend të reagimit

June 22, 2013 by dgreca

Për ngjarjen kulturore të Monodramës,,Unë Jam Adem Jashari,,botuar në gazetë Dielli online,,(më datën 20 qershor 2013)nga gazetari Beqir Sina është përvjedhur një gabim mbase pa dashje të autorit kur thuhet,,Janë gati tre vjet që punojmë me regjisorin Xhevat Limani dhe djalin tim Lebit Murtishi(!),,në vend që të thuhet (lexo:djali i aktori Jeton Murtishi),është përmendur emri i autorit të manodramës Lebit Murtishi!Për hirë të rëndësisë dhe peshës që pati ngjarja kulturo-kombëtare në Nju Jork dhe për autorin Lebit Murtishi,i cili më dekada kaloj një pjesë të jetës nëpër burgjet sllavomaqedonase për çëshjtjen e kauzës sonë kombëtare dhe për monodramën për heroin e Drenicës Adem Jashari,sikur e pati pjesë të amanetit të brezave që ranë në altarin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës,përmes këtyre rreshtave (në vend të reagimit)ti kërkohet falje autorit dhe lexuesve të nderuar të gazetës,,Dielli,.

Me respekt,
Skënder Karaçica,
Çikago

Filed Under: Featured Tagged With: Adem Jashari, ne vend te ragimit, per monodramen, per shkrimin, Skender karcica

A DONI “TEK A ÇIFT ?!”…

June 22, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Kush di me luejtë cilendo prej lojnave din me hjedhë edhe shortin…

Shumica e lojnave kanë arbitra, të cilët hjedhin shortin para fillimit të lojës. Zakonisht ata pyesin njenin nga dy lojtarët se çka kerkon “çift a tek”? Zgjedhja e njenit i jep të drejten tjetrit me kenë fitues i anës tjeter të monedhës që albitri hjedhë me percaktue të drejten “me zgjedhë”… mbas ramjes monedhës në tokë. Ky asht shorti. Deri këtu arbitri asht i paanshem…

Në politikë nuk pyesin kurrë “a doni çift a tek ?!”, ata perdorin tjera fjalë që janë marrë nga ato që perdornin të huejtë kur na sundonin në shtëpinë tonë, p.sh. “a do turrë a jazë?”…ose kur në të shumten e rasave ata ishin arbitrat tonë, që drejtonin “lojen e vet” me lojtarët tanë.

Në kohen e osmanllinjëve nuk e kam idenë se çka mund të na kenë pyet ata ne. Dij se në këta 100 vjet të shkueme, pothuej askush nuk e ka pyet popullin as per qeverisje as qeveritarë.

Pleqtë tregonin se kur e kanë pyet Luigj Gurakuqin një rreth miqësh pse nuk martohesh, Luigji u ka thanë: “Per me u marrë me politikë dhe me kenë i drejtë në Shqipni, politikani nuk duhet kurrë me u martue!” Pra, duhet me kenë “tek”, që mos me lanë familjen rrugash…

Edhe Ahmet Zogut kur i hodhi “shortin” Pashiq në Bristol të Beogradit, në gusht të 1924, Ahmet Zogu i tha: “Due turrë” dhe i ra “turra”… E filloi me Luigj Gurakuqin, Bajram Currin e Hasan Prishtinen…e shkoi “turra” deri në fund të Shqipnisë…e besa, edhe të Dardanisë.

Në vitin 1941 erdhi në Tiranë një tjeter “trajner” politik nga Beogradi, njëfarë Dushan Mugoshet, të cilit nuk besoj se do t’ia harrojnë emnin Shqiptarët edhe nja 250 vjet tjera… Edhe ky i pat hjedhë “short” Enver Hoxhës, i cili i kerkoj “turrë”, ndersa “jaza” i takoi Qemal Stafës, Vasil Shantos, Zef Malës me “mbarë” Shkodren, e pak ma vonë edhe grupit Korçës… Edhe kur ndokush e pyeste Enverin “a do çift a tek?”, ky i pergjegjej “turrë”, pra kerkonte “çift” se me “tek” as nuk u ulte me fillue lojen e vet… Edhe në vitin 1948, vazhdoi me “çift” kur luejti me kokat e Koçi Xoxes e kompani… Prap vazhdoi me “çift” kur hodhi shortin per Tuk Jakoven dhe Bedri Spahiun… Prap me “çift” kur erdhi Hrushovi, me Liri Belishoven e të shoqin Maqo Çomo.

Në vitet 1970 – 74 nuk e perdori ma fjalen “çift”, po thonte “turrë”…e kriste turra nga ministria e mbrendshme e deri naltë në Byro politike, prej Kadri Hasbiut, Feqorr Shehut, Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Beqir Ballukut dhe turrës gjeneralave…derisa, vetem njëherë i tha Nexhmijes, dua “çift” dhe ajo ia plotsoi dëshiren me “çiftin” Mehmet e Fiqrete Shehun… Kur u plak e nuk mujte me hjedhë ma as shortin, i la porosi Ramizit, që para se me thanë “turrë a jazë”, gjithmonë shiko në sy Nexhmijen, mbasi ai kurrë nuk kishte hjedhë short pa shikue ate. Asht kenë qefli taullet, aqsa kur dilte në balkon kur ishte budallosë dhe i bante rojeve të bllokut me dy pllambët e veta te vendosuna tek hunda, thërriste me të madhe “haps”; i dukej si taullë ambjenti perrreth…e kur vriste ndonjë njeri dhe harronte, i thonte Nexhmijes, “më ke fshehur gurin!!”

Ramizi ishte mjeshter i vjeter në hjedhje shorti. E pat fillue lojen me kosovarë në 1944, dhe njihej si mjeshter i zhdukjes së “turrave” të Shqiptarëve… Vetem njëherë kur iu desht me sigurue “t’ardhmen” e postit PPSh, kerkoj “tek” dhe na solli Hysni Kapon në arkivol nga Parisi.

Edhe në vitet 1990 – 91 kur lojen e fitoi Regan, dhe komunizmit i erdhi fundi… Ramizi, mbasi kishte vra Djelmët fatzezë nder kufinjë, në fjalen e vete në Byro politike tha: “Dua çift!” dhe zgjodhi “çiftin” Nano – Berisha… I çoi në Venecia…Atje një trajner italian, i hodhi shortin… Nano kerkoj “turrë” dhe i ra “turra e komunistëve”, ndersa Berisha, kerkoi “jazë”, dhe i rane të gjithë agjentët e sigurimit dhe të “persekutuemit politik ‘antikomunistë”…

***

Tashti, sigurisht, që koha e ka ba të veten… Jo vetem arbitrat, po edhe lojtarët janë shumë të specializuem dhe komunikues me grupet “turrë” të atyne, që shumica kujtojnë se me të vertetë janë kundershtarë me njenitjetrin. Sigurisht, kanë ndonjë keqkuptim kur bisedojnë per “turrat” e eurove apo të rrezervave nder banka, por shpejtë i pajton qellimi dhe prejardhja e vjeter…

Asht gja e bukur me i pa kur bajnë sikur janë zemrue…E mandej…i pajtojnë gratë! Sa të jetë gjallë Nexhmija nuk kanë nder mend me u prishë per gjana të vogla. As këta asnjeni nuk ia prishin as qejfin as zemren asaj… I ka dashtë fort qyshë të rijë…i ka rritë vetë (edhe si veten).

Tashti në zgjedhjet e vitit 2013, shorti do të hidhet mes Berishës dhe Ramës… Tashti nuk ka ma as Berisha “jazë” se gati – gati janë ba të dy grupet “turrë”…”të persekutuemit” u harruen!

Shqiptarët mundohen me hjedhë “short” po sa herë hjedhin monedhat nalt…u bijnë “jazë” se nuk janë mësue me lujtë me pare…vazhdojnë me kujtue se po lozin me “letrat me vlerë”…

Prap si dikur…kur të shkoni me votue hidhni shortin…kujt ti bijnë “turra” jepni voten!

Ka shkue puna; si ka turra si ka jaza… “qeverinë e ka n’ dorë masa…”!

Kam harrue si asht ajo fjala… a thohet: “Turrë, turrë, bahesh mur…”?

Uuuuuuaa…si i binte “turra” gjithnjë atij…!?

 

Kam vetem një shpresë: “Në dorë të Zotit”, se mjaft me dreqin!

Melbourne, 2013.

Filed Under: Featured, Opinion Tagged With: Fritz radovani, tek apo cift

Shtypi amerikan për zgjedhjet e 23 Qershorit në Shqipëri !

June 22, 2013 by dgreca

Kongresisti Eliot Engel : “E gjithë Bota është duke shikuar SHQIPËRINË!”/

Shkruan: BEQIR SINA, New York/

NEW YORK : Nё disa artikuj tё botuar këto ditë, nё shtypin e amerikan duke iu referuar mediave në Shqipëri, flitet për zgjedhjet nё Shqipёri dhё parashtroheshin disa probleme qё dinamika e zgjedhjeve sjell. Mё poshtё po paraqesim njё pёrmbledhje tё disa pikave kryesore, marrё me shkurtime nga mediat në online.

Zëvendës ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, zoti Filip Riker, ka thënë për Zërin e Amerikës se: “të gjitha palët duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve”.
Këtë deklerat, të cilën e publikoi dhe Associated Press, duke iu referuar në një intervistë me Zërin e Amerikës gjatë vizitës në Shkup, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Filip Riker, thuhet se zoti Riker foli në lidhje me zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri. Ai tha se “është e rëndësishme për të gjitha palët e interesuara që të respektojnë rezultatin, dhe se Shqipëria duhet të veprojë në përputhje me statusin e saj si një anëtare e NATO-s, duke mbajtur zgjedhje të rregullta”.
Ndërkohë, që kongresisti demokrat nga New Yorku, Eliot Engel kryetar Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan, ka deklaruar, për zgjedhjet e ditës së nesërme në Shqipëri, duke thënë se : “E gjithë Bota është duke shikuar SHQIPËRINË!”
Kongresmeni amerikan Eliot Engel në një intervistë për gazetën kombëtare Bota Sot, muajin e kaluar tha se reputacioni i vendit do të varet mbi organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, zgjedhjeve të qershorit 23 në Shqipëri..
“Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, të mos ketë asnjë mashtrim apo manipulim dhe që procesit zgjedhor të jetë i pastër. Shumëkush është duke i monitoruar dhe ndjekur nga afër zgjedhjet në këtë vend. Mbasi Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe unë mendoj se zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të ndihmojnë Shqipërinë në anëtarësim e saj në Bashkimin Evropian, e kundërta nuk do të jetë lajm i mirë, për shkak se tërë bota është duke shikuar nga Shqipëria nesër “, ia patë deklaruar Bota sot, kongresisti Engel, një demokrat i rangut të lartë në Komitetin e Punëve të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve, Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan
Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të punojnë për të arritur standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve dhe demokratike.”Mua nuk më intereson se kush është në KQZ, për mua është e rëndësishme që komisioni të bëjë punën në përputhje me ligjet në fuqi në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike”, ka thënë kongresisti amerikan.

Kurse, Kongresmeni demokrat amerikan, nga Michigani, Gary Peters, i cili është edhe bashkëkryetar i Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan, dje në një intervistë për Bota Sot, deklaroi se ” Zgjedhjet e së dielës përfaqësojnë një mundësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Është, shumë – shumë e rëndësishme që këto zgjedhje të bëhen pa kundërshtime ose parregullsi pasi Shqipëria kërkon të vazhdojë rrugën e integrimit drejt Europës. Kur u takova me deputetët e Parlamentit gjatë vizitës time në Tiranë, unë dëgjova me veshët e mij angazhimin e tyre ndaj praktikave demokratike transparente. Unë kam shpresë të madhe se këta udhëheqës do të vijojnë me angazhimin e tyre në dobi të të gjithë shqiptarëve si dhe të marrëdhënieve Amerikë – Shqipëri. Shqiptarët me të vërtetë e kuptojnë rëndësinë e përfshirjes në zgjedhje demokratike.”

Rruga drejt Bashkimit Evropian, tha kongresmeni Peters, mbetet e rëndësishme për rritjen ekonomike për të ardhmen e Shqipërisë por edhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të domosdoshme për të, për të përparuar në rast se dëshiron t’i bashkohet BE -së. Shqiptarët duhet të presin prej drejtuesve të tyre që këta të demonstrojnë respekt të plotë ndaj principeve bazë të demokracisë të cilat dy kombet tona i kanë aq të shtrenjta.

Në zonën time elektorale në juglindje të Miçiganit, unë kam parë me sytë e mi përkushtimin e shqiptarëve ndaj bashkësive të tyre, familjeve si dhe ndaj SHBA -së dhe Shqipërisë.

Ai tha gjithashtu se:” Unë jam duke i ndjekur nga afër ngjarjet që kanë të bëjnë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në një demokraci është e rëndësishme që populli të ketë besim tek institucionet siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Zbatimi i ligjit duhet të sundojë në një mënyrë politike. Megjithatë, është e rëndësishme që KQZ po funksionon dhe rezultati i konsensusit politik. Unë jam i shqetësuar për kundërshtitë që janë krijuar, por mbetem me shpresë se situata do të zgjidhet me sukses.”
Ndërkaq, kryesocialisti Rama, kryetari i opozitës në një intervistë me Bugajski në programin – “ORA e BUGAJSKIT”: ka deklaruar se “Unë nuk besoj në monitorimin e zgjedhjeve” Në show-n “Bugajski Hour” lideri i opozitës Edi Rama ka thënë se ai nuk beson në monitorimin e zgjedhjeve. “Shumica e vëzhguesve duket për mua si spektatorë në një funeral,” i ka deklaruar Rama gazetarit amerikan që punon për televizionin Albanian Screen – Janusz Bugajski.
Kur u pyetë nëse ai mendonte se Shqipëria, ishte duke ecur përpara në këto zgjedhje në krahasim me ato të mëparshme, ai tha se, “Unë do të citoj një ndryshim pozitiv. Ka një larmi të transmetimit televiziv të drejtpërdrejtë dhe të mbulimit të drejtpërdrejtë, më shumë hapësirë ​​për njerëzit që të shprehin veten e tyre dhe për të dëgjuar alternativa. Për pjesën tjetër, institucionalisht, ne nuk jemi edhe aty ku ishim më parë, por ne kemi ndërmarrë hapa mbrapa, sepse ne kemi humbur institucionin qendror i zgjedhjeve dhe KQZ-ja ka bërë një organizimi partiak nga partia në pushtet. ” ka deklaruar zoti Rama.
Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian Eduard Kukan në ABC News, është shprehur se: “Është shumë e rëndësishme që humbësi ka për të pranuar disfatën”
Këtë dekleratë ai e ka bërë në një intervistë me ABC News, më 19 qershor, Eduard Kukan, kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian, që do të monitorojë nga afër zgjedhjet në Shqipëri, nënvizoi rëndësinë e zgjedhjeve të 23 qershorit, dhe çështja e plotësimit të vendeve vakante në KQZ. “Jam i inkurajuar nga informacioni që kam, se fushata zgjedhore e këtij viti nuk ka qenë negativ, por ishte më i civilizuar dhe nuk ka pasur sulme agresive personale ndërmjet liderëve politikë. Unë shpresoj se kjo do të ndiqet edhe në ditën e zgjedhjeve dhe pas votimit. Është shumë e rëndësishme që humbësi pranon humbjen dhe nuk krijojnë probleme për funksionimin e Parlamentit të ardhshëm. Pra, zgjedhjet duhet të shihet si një mundësi për vendin për të avancuar drejt Bashkimit Evropian “.
Ne kemi një deklaratë të përbashkët nga Stefan Füle dhe Catherine Ashton shpreh shqetësim për KQZ-në. Në fakt, ajo që është e vërtetë shqetësim në Bruksel, se KQZ-ja si institucion nuk është optimale apo se ajo mund të përdoret nga humbës në zgjedhjet e konkursit?
Eduard Kukan: Pyetja juaj nxit komente. Në deklaratën e Stefan Füle dhe Catherine Ashton, dhe deklarata e ambasadorit amerikan, ajo është e deklaruar qartë se KQZ-ja është një problem. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë të Shqipërisë të gjejnë konsensus për KQZ. Ne jemi të vetëdijshëm se koha po mbaron dhe e di se kjo është një çështje e komplikuar, për shkak se ajo ka nevojë për votën e Parlamentit nëse anëtarët e KQZ-së do të kthehen në Komision. Por edhe nëse kjo ndodh në orët dhe minutat e fundit, të gjithë do të vlerësojmë këtë. Nëse kjo nuk ndodh, siç keni thënë në pyetjen tuaj, kushtet mund të jetë krijuar për të vënë në pikëpyetje rezultatin e zgjedhjeve. Kjo është për shkak se KQZ-ja nuk mund të marrë këto vendime, të cilat kërkojnë një shumicë të cilësuar. Edhe OSBE-ja ka shprehur në mënyrë të qartë këtë në raportin e saj. Nëse kjo nuk ndodh, ajo do të jetë një minus i panevojshëm për vendin. Pavarësisht se sa të qetë dhe të ndershëm zgjedhor mund të jenë, nuk do të ketë kritika për funksionimin e KQZ-së. Kjo është arsyeja pse unë theksoj se sa e rëndësishme është për të dyja palët për të shmangur këtë pikë negative për KQZ.
Kurse, Kryeministrit Berisha në Agjencinë Austriake APA ka deklaruar thekson shtypi amerikan se :” Ne do të pranojmë rezultatin e zgjedhjeve”
Kryeministri i Shqipërisë këtë deklerat e bëri disa ditë më parë në një intervistë me Agjencinë Austriake për Shtyp (APA). Kryeministri Sali Berisha i tha gazetarit Martin Richter se ai ishte mjaft komod se PD do të fitojë zgjedhjet. Kur u pyetën se çfarë do të ndodhë nëse ai humbet, ai deklaroi: “Sigurisht që ne do të pranojmë vullnetin e popullit shqiptar.” Ai vazhdoi duke shtuar se ai ende ka aq shumë energji, dhe nuk e ka vendosur ende se çfarë do të bënte ai. “Ne do të presim për verdiktin e popullit,” tha ai.
Kryeministri është pyetur rreth mundësisë së një koalicioni të ri në mes PD-së dhe LSI, nëse rezultatet e thirrjes së zgjedhjeve për një në mënyrë që të formojnë qeverinë. Berisha tha se kjo çështje duhet të kërkohet pas zgjedhjeve. Ai shtoi, megjithatë, se lëvizja e Metës ishte “një veprim shumë befasuese dhe të papritura. Kjo ishte koha e gabuar për të marrë një vendim të tillë dhe për të vënë vendin në një situatë të tillë të paqëndrueshëme, vetëm para zgjedhjeve. ”
I pyetur në lidhje me sjelljen e tij politike, nëse ai humbet zgjedhjet, nëse ai do të reagojë me protesta dhe bojkot të Parlamentit, Berisha dha një përgjigje të një fjalë: “Kurrë”.

 

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Eliot Engel, per zgjedhjet shqiptare, shtypi amerikan

President Nishani’s Address to the Nation: Voting is a civic duty!

June 22, 2013 by dgreca

* Mesazhi i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani drejtuar qytetarëve për ditën e votimit të 23 qershorit/

President Nishani gave an address to the nation this morning, urging every citizen to vote. Below is a rough translation:

“Tomorrow we will vote. So we shall do what comes most naturally in a free society.

It is the most important political, civic and social action, that contains in itself the essence of democracy.

As such, this day and this act, require from all of us, consideration, seriousness and responsibility for everything that is related to these polls.

By voting we show responsibility for our destiny, we show that we know how to use our freedom, for ourselves and for others, for the present and the future.

Not voting is inexcusable and unjustifiable. Let’s not forget even for a moment the exceptional importance that tomorrow holds for jobs, problems and other prospects.

We need to appreciate the importance that tomorrow’s polls have for the relations of the country with the world, with which we share the freedom, prosperity, our current fate and the future.

We should all vote out of respect for the rule of law, especially the voting procedures, both us as voters, as well as the authorities charged with the implementation of those procedures.

On election day we must be careful and act out of civic duty.

We should all vote in confidence that others who vote for different parties, vote differently because they think differently, but inwardly we are all the same and the difference in our choices for party or individuals does not divides us, but it is that difference that unites us.

We should properly understand the main concept: that the parties and ideologies for which we vote are many, but Albania and its future are one.

Let’s enable more young people to vote, especially first time voters, so that we have a beautiful day tomorrow.

Let’s all go and vote.”

 

Mesazhi i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani drejtuar qytetarëve për ditën e votimit të 23 qershorit

Tirane, 22 qershor 2013

Të dashur dhe të nderuar bashkëqytetarë,

Nesër do të votojmë.

Pra do të kryejmë aktin më të natyrshëm në një shoqëri të lirë.

Që është veprimi politik, qytetar, shoqëror, më i rëndësishëm, që përmban në vetvete, thelbin e Demokracisë.

Si të tillë, kjo ditë dhe ky akt, kërkojnë prej të gjithëve ne, përqendrim, seriozitet, përgjegjshmëri, për gjithçka që ka lidhje me këto votime.

Të votosh provon se di të jesh i përgjegjshëm për fatet e tua, di ta përdorësh Lirinë, për vete dhe për të tjerët, për të tashmen dhe të ardhmen.

Të mos votosh, është pasivitet i pafalshëm që nuk justifikohet nga asgjë.

Të mos harrojmë për asnjë çast rëndësinë e jashtëzakonshme që ka dita e nesërme lidhur me punët, problemet, perspektivat e brendshme.

Të vlerësojmë si duhet rëndësinë që votimet e nesërme kanë lidhur me marrëdhëniet tejet të rëndësishme të vendit me botën, me të cilat liria, begatia, fatet tona të tashme dhe të ardhshme janë ngushtësisht të lidhura.

Të votojmë duke respektuar në përgjithësi rendin, veçanërisht procedurat e votimit, vetë ne si zgjedhës së pari, pastaj autoritetet e ngarkuara me zbatimin e atyre procedurave.

Të bëjmë kujdes për një sjellje sa më qytetare gjatë ditës së votimit.

Të votojmë me bindjen se të tjerët që votojnë parti të ndryshme, votojnë ndryshe sepse mendojnë në mënyra të ndryshme, por së brendshmi jemi të gjithë të njëjtë dhe dallimi se për cilën parti apo individ votojmë, nuk është dallim që na ndan, por dallim që na bashkon.

Të kuptojmë si duhet gjënë kryesore; Se partitë dhe ideologjitë për të cilat votojmë janë disa, por Shqipëria dhe e ardhmja e saj janë një.

Të mundësojmë sa më tepër të rinj të votojnë, posaçërisht ata që votojnë për herë të parë…që dita e nesërme të jetë një ditë e bukur.

Votim të mbarë!

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: mesazh shqiptareve, per 23 qershorin, presidenti Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT