• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2013

MIHAL GRAMENO JETA DHE VEPRA

June 20, 2013 by dgreca

Vlerësim për monografinë MIHAL GRAMENO JETA DHE VEPRA të studjuesit Thanas L. Gjika./

Nga Prof. Dr. Klara KODRA/

Në vitin jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarsisë, studjuesi i mirënjohur Prof. Ass. Dr. Thanas L. Gjika, i dha lexuesit shqiptar studimin monografik Mihal Grameno – jeta dhe vepra 1871-1931(505 f.), botuar prej shtëpisë botuese DDS shtypshkronja MILENIUM I RI, Durrës, me redaktor gjuhësor Halim Malokun. Në fund vepra ka aparatin shkencor, një përmbledhje në anglisht, një album fotografik të pasur dhe vlerësimet e studjuesve prof. Jorgo Bulo dhe prof. Agim Vinca.

Mihal Gramenoja, Heroi i Popullit, është një ndër shkrimtarët dhe gazetarët e përkushtuar e të talentuar të letërsisë dhe gazetarisë shqiptare, ai është një ndër figurat e kulluara të atdhetarizmit shqiptar, i cili gjithë energjitë e veta ia kushtoi luftës për liri e demokraci të popullit tonë. Kjo vepër, me parashtrimin e biografisë së plotë të kësaj figure aq të përkushtuar ndaj atdheut e ceshtjes kombëtare, ka vlera aktuale, mbasi sot po mungojnë gjithnjë e më shumë atdhetarë të tillë. Jeta dhe vepra e tij janë studjuar e vlerësuar edhe para studjuesit Gjika, por po e themi që në fillim se ky studim e shpie këtë objekt studimi drejt shterrimit. Tiparet e një studjuesi e hulumtuesi të palodhur e të kualifikuar si z. Gjika shpalosen këtu përmes morisë së fakteve, argumentimeve, analizave, deduksioneve dhe konkluzioneve të drejta. Ky studjues ka botuar në vitet 70-të e 80-të të shek. XX-të një mori artikujsh shkencorë në revistënStudime Filologjike dhe monografinë MIHAL GRAMENO PUBLICIST DEMOKRAT me të cilën mbrojti gradën Kandidat i Shkencave Filologjike.

Jeta në emigracion (SHBA) që nga mesi i vitit 1996, nuk e pengoi këtë studjues të merret edhe me hartim artikujsh dhe studimesh shkencore. Janë mirëpritur prej lexuesve shqiptarë dhe te huaj kërkimet dhe interpretimet e tij të reja në fushën e biografisë së autorëve të Dhiatës së Re, përmbledhur në veprënKUR DHE KU U SHKRUA DHIATA E RE (v. 2007, 505 f.). Artikujt e botuar në vëllimin EVOLUIMI YNE KERKON NJOHJEN DHE DENIMIN E FAJIT (v. 2011, 308 f.) ngjallën interes të madh. Tani së fundi ai na dha studimin e plotë për jetën dhe veprën e MIHAL GRAMENOS, që është thellim dhe zgjerim i punës së tij të kryer në vitet kur punonte në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, lënë dorëshkrim i daktilografuar (310 f.) në arkivin e këtij Instituti.

Dëshira për t’ia dhënë lexuesit sa më të plotë e sa më shkencore jetën e atdhetarit Grameno dhe vlerat e veprës së tij letrare e gazetareske, e shtyu studjuesin Gjika që krahas punës së vështirë për të mbijetuar në emigracion, të realizonte dhe ripunimin shkencor të monografisë së hartuar në kohën e monizmit ku binin në sy interpretime të politizuara. Duke shfrytëzuar mundësitë e reja që solli instalimi i sistemit demokratik me ndryshimet rënjësore në strukturat politike, sociale e kulturale të vëndit, si dhe të vetë studjuesit, ky e thelloi dhe zgjeroi më tej shkallën e njohjes mbi Mihal Gramenon me dokumenta, shkrime e studime të reja, dhe e ndriçoi figurën e atdhetarit dhe të shkrimtarit e të gazetarit nën një këndvështrim të ri, më objektiv dhe jashtë kufizimeve apo paragjykimeve ideore të imponuara nga regjimi totalitar.

Vepra bie në sy për stilin dinamik, gjuhën e rrjedhshme, të pastër e të pasur, për analizat objektive, për frymën kritike, larg lavdërimeve e himnizimeve pa baza. Jetëshkrimi i familjes Grameno harmonizohet me një kompetencë të plotë brenda kontekstit historik e social-ekonomik qysh prej stërgjyshit të heroit, Papa Nastos, i cili u larguan prej fshatit Plasë dhe u vendos në qytetin e Korçës rreth vitit 1830.

Jeta e familjes Grameno ndërtohet e thurrur me jetën e vetë qytetit të Korçës si dhe të kolonisë shqiptare të Bukureshtit ku Mihali emigroi 15-vjeçar. Pikërisht në ambjentet atdhetare të një familjeje mikroborgjeze korçare dhe pastaj në ambjentet e emigracionit shqiptar të Bukureshtit, u rrit e u formua djaloshi Mihal, atdhetari, shkrimtari e gazetari i ardhshëm, i cili nisi veprimtarine e tij atdhetare se pari me kundërshtimet kundër grekomanizmit që në bangat e shkollës greke në Korçë, e më tej si anëtar në shoqatat atdhetare Drita e Shpresa të Bukureshtit. Kur mbushi të tridhjetat ai filloi të botonte krijimet e para poetike, të cilat i vijoi më tej si me poezi, komedi e tragjedi në vargje, me novela në prozë, me hymne luftarake, artikuj gazetash etj, të cilat ishin të frymëzuara kryekëput nga lufta e popullit shqiptar për ringjalljen kombëtare. Është kjo krijimtari letrare dhe publicistike tepër e angazhuar me rrjedhat historike të kohës që e vendosi Mihal Gramenon mes figurave më të shquara të kolonisë shqiptare të Bukureshtit e të mbarë letërsisë e të gazetarisë shqiptare të viteve 1900-1924.

Studimi ndahet në katër kapituj të mëdhenj: kapitulli i parë i kushtohet jetës dhe veprimtarisë atdhetare të heroit; kapitulli i dytë i kushtohet veprës së shumanshme letrare në prozë, dramaturgji dhe poezi të këtij autori; kapitulli i tretë i kushtohet krijimtarisë publicistike, që është arritja më e madhe e këtij krijuesi; kurse kapitulli i katër trajton vendin dhe rolin e Gramenos në historinë e letërsisë dhe të publicistikës shqiptare. Përmes analizave shkencore krijimtarisë së këtij autori i është dhënë me kompetencë vendi që meriton, brenda konteksit të letërsisë shqiptare të periudhës së Rilindjes e mbas saj në vitet 1900-1924. Shumë i goditur është vlerësimi i Gramenos si një nga shkrimtarët e rëndësishëm të letresise shqiptare te cerekut të parë të shek. XX-të me arsyetimin: Po t’i kishin munguar vepra e shumllojshme letrare e publicistike dhe jeta plot aktivitet e Mihal Gramenos, letërsia jonë dhe historia jonë kombëtare do të ndjeheshin më të varfra. Letërsia do të ndjehej më e varfër, sepse asaj do t’i mungonin tragjedia e parë historike Vdekja e Pirros, një nga komeditë e para Mallkim’ i gjuhës shqipe, novelat e para Oxhaku, Varr’ i pagëzimit dhe E Puthura, himnet kryengritëse Për Mëmëdhenë, Uratë për liri, Lamtumirë, etj, kënga dashurore Muaj’ i Majit, do t’i mungonin skicat realiste me të cilat ai u bëri autopsinë e përbërjes shoqërore të qeverive të para shqiptare, do të mungonte vepra memuaristike Kryengritja Shqiptare me bëmat e çetës së Çerçiz Topullit. Gazetaria shqiptare do të ndjehej më e varfër sepse do t’i mungonte sasia e madhe e artikujve, fejtoneve, pamfleteve dhe portreteve të pashoqe, me të cilat u vlerësuan drejt ngjarjet, klasat dhe veprimtarë të viteve 1908-1924. Historia jonë kombëtare dhe ajo demokratike do të ndjeheshin më të varfra, sepse do t’u mungonte poeti luftëtar i maleve, veprimtari ilegal i lëvizjes së armatosur dhe agjitatori demokrat. Shoqërisë shqiptare do t’i mungonte shëmbulli i njeriut të ndershëm, të ekuilibruar, i cili kritikoi me fakte dhe nuk feu e nuk shau askënd, njeriu që i priti me gjakftohtësi kritikat dhe u përgjigj me argumenta (f.434).

Mihal Gramenoja është shëmbulli më i spikatur i poetit luftëtar shqiptar që shkëlqen midis grupit të rilindësve tanë si L. Gurakuqi, H. Mosi, R. Siliqi etj, të cilët ndoqën shembullin e poetëve ballkanas Kristo Botev i bullgarëve, Mihal Eminesku i rumunëve, etj, të cilët luftuan me pushkë e penë për lirinë e atdheut të tyre nga zgjedha osmane.

Për gati 15 muaj (maj 1907- 25 korrik 1908) luftëtarët e çetës kombëtare të drejtuar prej Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos shkelën dhjetra e dhjetra fshatra, ku krahas agjitacionit për zgjimin kombëtar u ndesheshën edhe me armë kundra forcave policore e ushtarake osmane, si në Mashkullorë, Libofshë e në Vodicë të Kolonjës. Keto fakte tërheqëse Gramenoja i riprodhoi me detaje në portrete të ndryshme e sidomos në veprën Kryngritja Shqiptare, të cilën mundi ta botonte më 1927 në Vlorë.

Lufta e popullit shqiptar në vitet 1907-1912 zë vendin përkatës në veprën e Th. Gjikës, ku burimet për trajtimin e saj nuk kufizohen vetëm në memorialistikën e kohës por edhe në burime arkivore e studime monografike, të cilat venë në dukje efektet e shqetësimet e autoriteteve osmane, si dhe ato të huaja, duke theksuar se lëvizja e popullit shqiptar për liri e pavarsi zhvillohej jashtë diktateve e interesave të të huajve.

Në historinë tonë kombëtare, vitet 1908-1912, ashtu si vitet 1878-1881, janë ndër vitet më intensive në luftën për zgjimin kombëtar dhe në luftën për pavarësi të popullit tonë. Për herë të parë brënda në atdhe në mënyrë legale u krijuan shoqata e klube atdhetare, filluan të botoheshin gazeta në gjuhën amtare, u çelën e riçelën shkolla shqipe dhe mbi të gjitha u bë frymëzuese psikologjia e luftës për liri. Numëri i veprimtarëve të çështjes kombëtare në qytete e fashatra të ndryshme u qindrafishua.

Studjuesi sqaron përmes një materiali të bollshëm se kjo luftë u zhvillua si në planin legal dhe atë ilegal, ku Mihal Gramenoja luante një rol parësor si kryetar i Komitetit të Fshehtë të Stambollit për zonën e Korcës, fakt që sqarohet për herë të parë. Jepet e plotë lëvizja kulturale-arsimore dhe ajo e armatosur në zonën e Korçës ku u zhvillua një luftë shumë e ashpër kundër pushtuesit, si dhe shovenizmit të huaj dhe klerit të lartë grek, i cili prej vitesh i ishte kundërvënë lëvizjez kombëtare shqiptare.

Duke lënë mënjanë premtimet e pavlera të xhonturqve për barazi e përparim mes popujve të Perandorisë, atdhetarët më të shquar shqiptarë iu përveshën punës për organizimin e luftës së armatosur. Zbulohen e dokumentohen kontaktet e drejtpërdrejta të Gramenos me anëtarët e Komitetit të Fshehtë që vepronte në Stamboll, ku ai takohet e diskuton shpesh herë në vitet 1910-1912 me I. Qemalin, L. Gurakuqin, D. Himën, Hil Mosin, Baki Gjionokastrën, Hasan Prishtinën e shumë të tjerë.

Madhështia e figurës të Grameons në dobi të çështjes kombëtere është lidhur pazgjithshmërisht dhe me veprimtarinë e tij publicistike. Ai drejtoi personalisht gazetat Lidhja Orthodhokse(1909-1910) dhe Koha (1911-1926), të cilat me punën dhe talentin e tij kanë zënë një vend nderi në historinë e gazetarisë shqiptare të Rilindjes dhe të Pavarsisë. Vlerat e shquara të kësaj veprimtarie letrare e publiçistike Gjika i sjell para lexuesit përmes analizash shkencore që shquhen për objektivitet shkencor në zbulimin e vlerave ideo-artistike. Kjo vepër dëshmon qartë se shkolla historike dhe ajo sociologjike kur shfrytëzohen me profesionalizëm japin rezultate të sakta dhe të qëndrueshme.

Studjuesi nuk iu ndahet për asnjë momet rrugëve të ndjekura prej Gramenos në skakierën e mpleksur shqiptrae të shkaktuar nga armiqtë e shumtë që iu vërsulën trojeve arbërore edhe pas shpalljes të Pavarsisë së Shqipërisë më 1912.

E gjejmë Gramenon të lëvizë në trekëndëshin Korçë-Vlorë-Durrës, të hidhet në Shkodër e Pogradec, të kapërxejë Adriatikun e të veprojë në Itali e më pas të shkojë përtej Oqeanit Atllantik për tu vendosur në Jamestown NY të ShBA, ku vijoi botimin e gazetës së tij Koha (1915-1919) e të kthehet në atdhe më 1920. Qartë dhe me argumente jepet jeta dhe karakteri i këtij veprimtari, i cili për asnjë moment nuk u përkul nga vështirësitë ekonomike, nga rreziqet për jetën dhe as nga joshjet e majme për t’u shërbyer të huajve. Jane sqaruar me fakte të panumurta se si edhe në situatat më të turbullta që kalonte vëndi, Gramenoja nuk e humbi orientimin, duke ruajtur gjithmonë identitetin dhe personalitein e tij si mëmëdhetar.

Vepra në tërësinë e saj trasmeton jo vetëm vlera të mëdha njohëse dhe edukative, por është një dokumet i pakundërshtueshëm i përpjekjeve titanike të popullit tonë për çlirim nga zgjedha osmane, për liri e përparim shoqëror, ku Gramenoja gjithë jetën u reshtua në ballë të këtyre përpjekjeve.

Puna këmbëngulse e studiuesit Thanas Gjika me veprën monografikeMihal Grameo jeta dhe vepra ka dhënë frutet e dëshiruara jo vetëm për intelektualin e shkolluar shqiptar të të gjitha niveleve, por edhe për njerëzit e thjeshtë atdhedashës.

Veprës ia shtojnë vlerën përmbledhja konkluzive në anglisht, treguesi i emrave të personave dhe vendeve me të cilët e lidhi jeta heroin, fotografitë ilustruese dhe bibliografia e pasur.

Kjo vepër e re monografike me arritjet e saj të shumanshme shkencore dhe me realizimin tipografik me nivel të lartë, bashkë me veprën KUR DHE KU U SHKRUA DHIATA E RE, përbëjnë jo vetëm dy studimet më të mira të studjuesit Gjika, por dhe dy vepra me vlera të mëdha për shkencat tona albanologjike. Këto vepra tregojnë se ky intelektual e priti jubileun e 100-vjetorit të pavarësisë duke sjellë rezultate të reja me vlera kombëtare dhe botërore.

Arritjet e kësaj vepre të kompletuar shkencore kanë për të ndikuar në studimet e ardhshme historiko-letrare shqiptare dhe ballkanike për të sjellë vlerësime të reja për një varg dukurish dhe autorësh e veprimtarësh politikë të Rilindjes shqiptare e mbas saj.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Jeta dhe vepra, Klara Kodra, Mihal Grameno, Thanas Gjika

100-VJETORI I INAUGURIMIT TË PRESIDENTIT WOODROW WILSON

June 20, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

“Një zë do të kem në Konferencën e Paqës dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë.”   Presidenti Woodrow Wilson/

Ky vit shënon 100-vjetorin e inaugurimit të ish-presidentit amerikan Woodrow Wilson.   Ky përvjetor po shënohet anë e mbanë vendit me festime të ndryshme por edhe me diskutime akdemike dhe historike me qëllim për të vënë në dukje për brezat e rinjë, trashëgiminë e politikës të mbrendshme dhe të jashtme të presidentit të 28 të Shteteve të Bashkuara.   Në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit të tij, ai tha se, “Këjo nuk është një ditë triumfi.  Por këjo është një ditë dedikimi.   Këtu nuk ftoj forcat e partisë, por forcat e humanizmit.  Zemërat e njerëzve presin, shpresat e njerëzve kumtojnë dhe na kërkojnë të themi se çdo të bëjmë….U bëj thirrje të gjithë njerëzve të ndershëm, të gjithë patriotëve të më përkrahin.”

  Në detyrën e presidentit, Wilsoni e konsideronte veten si, një “përfaqsues perosnal i popullit.”    Ai ka thënë gjithashtu se askush tjetër përveç Presidentit, “nuk pritet që të kujdeset për të mirën e përgjithshme të vendit.”    Në këtë frymë, ai ndërmori një seri reformash të mbrendshme dhe çka është më e rëndësishme,  në fushën e politikës së jashtme, ai theksoi rolin ndërkombëtar  si një mjet për krijimin e një rregulli të ri botëror dhe shpalli hyrjen e Amerikës në Luftën e Parë Botërore, si një fushatë — sipas tij — për të bërë botën “të sigurt për demokracinë”.     Pasi kishte vendosur se ishte e pamundur që Amerika të qendronte neutrale në Luftën e Parë Botërore, Wilsoni i kërkon Kongresit miratimin e deklaratës së luftës kundër Gjermanisë.    Ndërhyrja amerikane bëri që lufta të përfundonte në favor të aleatëve dhe më Janar të viti 1918,  ai i paraqiti Kongresit objektivat amerikane të përfundimit të luftës duke njoftuar,  “Katërmbdhjetë Pikat”, njëra ndër të cilat do të krijonte një Lidhje të përgjithshme të kombeve…në bazë të së cilës, të gjitha kombet — të mëdha e të vogëla– do të gëzojnë garanci të përbashkëta për pavarësinë politike dhe integritetin territorial të tyre.”

Gjëndja politike në Shqipëri pas Luftës së Parë Botërore ishte tepër e paqartë. Fqinjtë e saj serbët, grekët dhe italianët mezi prisnin të ndanin mes tyre Shqipërinë copa copa.   Në të vërtetë, përfaqsuesit diplomatikë evropianë kishin rënë dakort që Shqipëria të ndahej duke i dhënë nga një pjesë Jugosllavisë, Italisë dhe Greqisë.   Këjo marrëveshje u arrijtë pa marrë parasyshë dëshirat e Shqiptarëve, por dhe në mungesë të negociatorit diplomatik amerikan.    Natyrisht se Kongresi i Lushnjës, në Janar të vitit 1920, vendosmërisht hodhi poshtë marrëveshjen e armiqëve të shqiptarëve për të ndarë Shqipërinë copa copa midis tyre sikurë të ishte plaçkë, dhe njëkohësisht paralajmëruan fqinjtë dhe Evropën se Shqiptalët do të luftonin në mbrojtje të integritetit territorial të vendit.    Në Mars të vitit 1920, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Woodrow Wilson ndërhyri për të bllokuar zbatimin e marrveshjes anti-shqiptare të Parisit dhe menjëherë vendosi të pranonte  përfaqsuesin diplomatik shqiptar në Washington, duke theksuar në këtë mënyrë përkrahjen e Amerikës për pavarësinë e Shqipërisë.   Nga fundi i atij viti, Lidhja e Kombeve njohu sovranitetin territorial të Shqipërisë duke e pranuar atë si anëtare të plotë të organizatës botërore, megjithëse me kufij të cunguar.

Siç dihet Peshkop Fan Noli kishte lidhje me  Presdientin Wilson.  Në një fjalim të vitit 1918 me titull, “Borxhi që Shqipëria i ka Amerikës”, Peshkop   Noli shpreh bindjen e tij se Shtetet e Bashkuara do të përkrahnin pavarësinë e Shqipërisë.   Duke shprehur besimin e tij se Amerika do të dilte fituese dhe se këjo do të ishte, sipas Nolit, edhe një triumf për demokracinë anë e mbanë botës, ai ishte i patundur në besimin e tij se kushtet e paqës do të të vendoseshin nga “një arbitër i botës, i cili është i drejtë, dmth presidenti Woodrow Wilson”, ka thënë Noli.  “Kushtet e tija njihen mirë prej të gjithëve… se secili popull duhet të ketë të drejtën të zgjedhi vet sovranitetin nën të cilin dëshiron të jetojë.”   Fan Noli pastaj vazhdon duke thënë se, ”Unë kam patur nderin të takoj këtë njëri të madh, me një rast historik.”   Noli thotë se Presidenti Wilson kishte ftuar përfaqsues të grupeve etnike, përfshirë edhe Nolin si përfqseus të komunitetit shqiptaro-amerikan, për të shkuar me vapor tek varri i Xhorxh Washingtonit në Mount Vernon, jo larg kryeqytetit amerikan.   Duke u këthyer  nga Mount Vernon për në Washington, Noli thotë se ai iu afrua presidentit Wilson për ti folur për hallet e kombit të tij duke i bërë apel Wilsonit që të shpëtojë një racë heroike por të pa-mbrojtur. Sipas Peshkop Nolit, Presidenti amerikan Wilson iu përgjigj pa hesitim: “Unë do të kemë një zë në Konferencën e Paqës dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë.”

Për fat të Shqipërisë,  dhe falë  Wilsonit, ishte këjo një politikë e re e jashtme e Shteteve të Bashkuara, pasi deri atëherë nuk kishte ndonjë interesim të madh nga ana e Amerikës për fatin e kombeve të tjera, duke qëndruar larg punëve dhe problemeve të vendeve të tjera.  

 Gjatë debateve  të kohëve të fundit ne kujtim të 100-vjetorit të inaugurimit të presidentit Wilson, në Qëndrën Wilson në Washington mbi trashëgiminë e tij   në politikën e jashtëme, folën ekspertë dhe historianë, pëfshirë edhe ish këshilltarin e Presidentit Bush, gjenerali Bret Scowcroft, i cili tha se Presidenti Wilson besonte se, ”është detyra jonë të ndihmojmë vendet e tjera të cilat dëshirojnë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë”.
Duke shprehur admirimin dhe falendrirmin e tij ndaj Wilsonit, Fan Noli ka thënë se Amerika kishte Presidentin Abraham Lincolnin, i cili nuk duronte një Amerikë gjysëm të lirë e gjysëm të skllavëruar.  Edhe Shtetet e Bashkuara,  tha ai, në personin e Presidentit Wilson, “kanë tani një president i cili nuk mund të durojë një botë gjysëm të lirë dhe gjysëm të skllavëruar.”   Noli ka thënë se Wilsonin,  “do ta njohë historia si çlirimtar i të gjitha kombeve, të mëdha e të vogëla.”

Woodrow Wilsoni njihet edhe sot për sukseset e tija në fushën e politikës së jashtme, si një idealist i cili besonte në paqën botërore, në vetvendosjen dhe në sovranitetin territorial të kombeve të mëdha e të vogëla.   14 pikat e tija të famshme  për paqën në botë, ishin një vizion i bashkpunimit ndërkombëtar për lirinë dhe demokracinë e vendeve, vision ky që më në fund çoi në krijimin e Lidhjes së Kombeve, përpjekje këto për të cilat ai fitoi Çmimin e merituar Nobel për Paqë në vitin 1920.

Në këtë 100-vjetor të inaugurimit president, le të kujtojmë këtë burrshtetas të madh amerikan, Woodrow Wilsonin, zëri i të cilit ishte vendimtar për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë,  duke kontribuar, sipas Fan Nolit, “sadopak për kauzën njerëzore dhe qytetërimin botëror, me aqë sa kemi mundësi.”

 

Filed Under: Histori Tagged With: 100 vjetori, Presidenti Wilson

Përpara drejt fitores…!

June 20, 2013 by dgreca

Nga RESHAT KRIPA*/

Në këto ditë të fundit të fushatës zgjedhore për Kuvendin e Shqipërisë, para syve më del ajo pamje e tmerrshme e atyre viteve të errëta të kaluara në periudhën e zezë të sundimit komunist. Mbi të gjitha më dalin para syve figurat e ndritura te atyre burrave te shquar, ajkës së kombit shqiptar, që shkuan para plumbit dhe litarit me thirrjen : “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi”. Më dalin figurat e papërsëritura të atyre që më mirë pranuan prangat e rënda të burgut se sa lirinë e dhunuar. Më dalin figurat e atyre mijra grave heroina dhe fëmijve të tretura thellë nëpër kampet e tmerrshme të internimit.

Më dalin këto pamje dhe nga zemra më shpërthen një thirrje: “Mos harroni”! Mos harroni të rënët tanë, por mos harroni edhe ata që i vranë, pasi pinjollët e tyre janë ata që sot duan të dalin në krye të shtetit për të ringjallur përsëri figurën e diktatorit të përmbysur dhe një nga këta është edhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ati i të cilit, Kristaq Rama, ishte ai që firmoste, pa nguruar aspak, dënimin me varje të poetit Havzi Nelaj në gushtin e vitit 1988, në një kohë kur komunizmi në botë kishte filluar të merrte rrokullimën. Mos harroni të burgosurit dhe të internuarit politikë, por mos harroni edhe ata që i burgosën dhe i internuan, pasi ata vetë dhe pinjollët e tyre sot janë mbledhur rreth Partisë Socialiste për t’i bërë gropën demokracisë në vendin tonë, për të restauruar kohën e përmbysur.

Mos harroni! Kujtojini dhe votoni për Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë, sepse ishte ky koalicion që në legjislaturën e parë të tij 1992-1997, realizoi përmbysjen e regjimit totalitar, që u dha lirinë ish të dënuarve politikë, që shkolloi me mijra bij tanët që regjimi i kishte lënë në errësisrë, që punësoi me mijra të tjerë në të gjitha rangjet e administratës, duke filluar nga drejtorët e institucioneve shtetërore dhe deri në krye të parlamentit dhe partive politike.

Mos harroni vitin e zi 1997 të organizuar dhe drejtuar nga falangat socialisto-komuniste. Mos harroni martirët e rënë në ato ditë të zeza. Mos harroni Bujar Kaloshin, Lekë Çokun, Besnik Hidrin, Bashkim Shkurtin, Fredi Shehun, Besim Manolin, Gëzim Shabanin, Gjergj Mehmetin, Azem Hajdarin, Besim Çerën, Adem Shehun dhe plot të tjerë bij nënash të familjeve të përndjekura politike dhe demokrate, një masakër e vërtetë që pasoi me nxjerrjen nga burgu të autorëve përgjegjës të dhunës komuniste dhe dëmshpërblimin e tyre, anullimin e ligjit të lustracionit të miratuar dy vjet më parë, i cili nuk i lejonte këta persona të merrnin pjesë në administratën shtetërore, pushimin nga puna të mijra të përndjekurve politikë e të tjera.

Mos harroni, por votoni për Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë, pasi ishte ky koalicion që i rezistoi me vendosmëri dhunës së kuqe dhe që solli, në vitin 2005, përsëri në pushtet Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë.

Mos harroni Partinë Socialiste dhe koalicionin e majtë por shikoni se si ka vepruar ajo gjatë këtyre viteve. A nuk ishte ajo që, me urdher të Edi Ramës, i nxorri jashtë nga parlamenti deputetët e saj kur votohej Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje të asaj të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës,  “Mbi ndëshkimin e krimeve të komunizmit”? A nuk ishte ajo që, kur votohej ligji “Për dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve politikë”, po me urdhër të Edi Ramës i nxorri deputetët nga salla? A nuk ishte ajo, kur diskutohej amendamenti mbi dëmshpërblimin e të pushkatuarve pa gjyq, përsëri me urdhër të Edi Ramës, i nxorri deputetët nga salla, madje pati edhe ndonjë, si ish kryeministri i zbardhur para kohe i socialistëve, Pandeli Majko, t’i quante ata “Plehra”? Cilët ishin plehra, zoti Majko? Mos vallë vullnetarët e batalionit 4000 të NATO-s që vinin në Shqipëri për ta çliruar atë nga thundra komuniste? A  jeni me NATO-n ju zoti Majko, pasi ajo qysh prej themelimit të saj në vitin 1949 deri më sot është e njëjta? Po patët ndopak kurajo në ndërgjegjen tuaj duhet të përgjigjeni për këto pyetje. A nuk ishte, më së fundi, Partia Socialiste ajo që, me urdhër të kryetarit të saj, Edi Rama, doli përsëri jashtë kur dikutohej ligji i ri i lustracionit që do të flakte jashtë politikës  më shumë se gjysmën e socialistëve të Shqipërisë.

Mos harroni, por votoni Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë  sepse  ishte  ky  koalicion

që e futi Shqipërinë në Këshillin e Europës qysh në legjislacionin e parë të tij, që e futi Shqipërinë në NATO dhe liberalizoi vizat me Bashkimin Europian, në legjislacionin e dytë. Që do ta fusë Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe do të liberalizojë vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në legjislacionin e ardhshëm. Votoni për Partinë :Dermokratike dhe koalicionin  e djathtë që ndërtoi Autostradën e Kombit, rrugën që bashkoi dy shtetet shqiptare me njeri-tjetrin, autostradën Tiranë-Elbasan, autostradat Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë, mijra kilometra rrugë rurale, që po ndërton rrugën e Arbërit dhe rrugë të tjera në të katër anët e Shqipërisë. Votoni Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë për ngritjen e mirëqënies së vendit tonë, për zhvillimin e bujqësisë moderne shqiptare, për rritjen e pagave dhe pensioneve. Së fundi, votoni Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë se është e vetmja forcë politike në Shqipëri që do të zgjidhë brenda një kohe relativisht të shkurtër problemet e të përndjekurve politikë duke filluar nga dëmshpërblimi deri në kërkesat e tjera të tyre.

Mos harroni! Nxirreni në pension të parakohshëm dështakun e artit, dështakun e sportit, dështakun e familjes, dështakun e politikës, karrieristin dhe anarshistin, Edi Rama, kopjen e diktatorit fashist, Benito Musolini, që në rininë e tij ishte një socialist i flaktë por që karrierizmi dhe anarshizmi e shndërroi në kryetar të partisë fashiste që u bë shkak i shpërthimit të një lufte botërore. Lereni të pushojë fatkeqin në plazhet nudo të Francës, ashtu siç ia lejon edukata e tij, ashtu siç e ka zakon.

Përpara drejt fitores! Përpara!

*Mbajtur në takimin e të përndjekurve politikë të kryeqytetit me kandidatët për deputet dhe përfaqesuesit e partive të koalicionit të djathtë të kryesuar nga Partia Demokratike në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit më 18 qershor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: perpara derjt fitoreve, reshat kripa

APPEAL TO THE ALBANIAN PEOPLE

June 20, 2013 by dgreca

For immediate release!

 During the June 15, 2013 meeting, the Board of Directors approved the following:

As the scheduled elections for 23 June are critical to the country’s near and long term future and for democratic institutions in Albania, VATRA calls on the people of Albanian to get out and vote en masse in the upcoming elections; to exercise their civic duty to vote peacefully and express their free will. Show the democratic world, of which we aspire to be part of, that we belong fully integrated in the European Union;

VATRA, as a patriotic organization that is intimately connected to Albania’s destiny and its long history of anti-communism, calls on the people of Albania to vote against any derivative form of the communist party, which is a real threat to the future of a fragile Albanian democracy;

Vote against reinstalling the dictator’s statue in the squares of Albania’s cities; such an act is an insult to the recent memory of the Albanian citizens and a provocation that jeopardizes stability in the country;

Vote against sham courts that decide the fate for the politically persecuted; don’t trust false promises passed down by communists that can only be realized through violence and tyranny;

VATRA reminds the Albanian people that the age of the second national renaissance actually began in December of 1990 with the overthrow of the enverist dictatorship, whereas the unification of the four original communist parties in November 1941 is not the renaissance of the Albanian people but of 8 November.

VATRA calls on the Albanian people, to not vote for political forces that do not distance themselves from and do not break ties with the “8 November renaissance”; instead  vote only for those which are against returning communists to power, that are for integration and democratic progress. Remember that the road to a bright future cannot be paved with banners and images from the past totalitarian regime.

Albanians, vote today, tomorrow may be too late!

 

Filed Under: Komente Tagged With: Appeal, to the albanian people, Vatra

QYTETARËT E SHQIPËRISË MË 23 QERSHOR DUHET TË VOTOJNË PËR EISENHOWERIN E TYRE, DR. SALI BERISHËN

June 20, 2013 by dgreca

NGA HARRY BAJRAKTARI*/

Në zgjedhjet e 23 qershorit, këtë të diele, historia e suksesit të Shqipërisë do të konfirmohet. Votuesit shqiptarë janë të vetëdijshëm se hapat që ka kapërcyer Shqipëria për 8 vjet me kryeministrin e saj Sali Berisha, mund të krahasohen me të arriturat e një shekull. Për tetë vjet Shqipëria arriti diçka masive që as optimistët më të mëdhej nuk kanë mundur ta parashikojnë. Dr. Sali Berisha, njeriu më karizmatik në përmbysjen e komunizmit në Shqipëri në vitet e 90-te hapi vendit të tij perspektivën evropiane dhe faktorizimin e shqiptarëve në rajon.

Sot, kryeministri Berisha, duhet ta vlerësohet në bazë ta asaj se çka ka bërë dhe çka mund të bëjë për Shqipërinë dhe shqiptarët? Nëse votuesit do t’ i hedhin një sy Shqipërisë para tetë vjetësh dhe do ta krahasojnë me Shqipërinë e sotme- projektet e tij në mënyrë masive duhet të mbështetën me votën qytetare të 23 qershorit. Një mandat i tretë i Berishës, për Shqipërinë, do të thotë një vazhdim i lulëzimit të saj nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim.

Të arriturat e Shqipërisë sot janë të pakrahasueshme. Nuk mund t’ i kontestojë askush, e aq më pak Partia Socialiste që i frikësohet shumë suksesit të saj. Ndërtimi i rrugëve moderne gjithandej vendit dhe lidhja e rajoneve në mes veti, që deri dje ishin të izoluara, është fitorja më e madhe për qytetarët e saj dhe për jetën e tyre.  Ideja e tij për ndërtimin e Rrugës së Kombit, si parakusht për afërimin dhe bashkimin fizik e shpirtëror të shqiptarëve të Shqipërisë me ata të Kosovës është kontributi më i madh që ka njohur historia shqiptare.

Gjatë një vizite me mikun tim të ngushtë, kongresmenin Eliot Engel në Shqipëri, vizituam pos tjerash, edhe Rrugën e Kombit, që ishte e përfunduar. Me këtë rast u ndalem edhe tek Tuneli i Kalimashit. Aty ishin tubuar shumë gazetarë shqiptarë e të huaj. I gëzuar nga puna që ishte bërë, jo vetëm në Rrugën e Kombit, por në gjithë Shqipërinë, Eliot Engel pat thënë: ” I vizitova disa pjesë të Shqipërisë, pashë rrugë të reja, ura gjigante, një zhvillim dinamik gjithandej këtij vendi Ballkanik. Kur i pashë të gjitha këto, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha më kujtoj Presidentin e SHBA Eisenhower, i cili porsa u zgjodh president, vendosi të ndërtojë autostrada për ta lidhur Amerikën me rrugë të reja, si parakusht për zhvillimin ekonomik. Për mua kryeministri Dr. Sali Berisha, është Eisenhoweri i Shqipërisë së sotme.”

Me Rrugën e Kombit kryeministri Berisha dhe me lidhjen e Tiranës përmjet tunelit të Qafë Krrabës me Elbasanin dhe pastaj me Maqedoninë dhe shqiptarët e atjeshëm, faktikisht ka realizuar projektin e bashkimit të shqiptarëve. Me votën e 23 qershorit- Berisha fillon ndërtimin e rrugës Malësi e Gjakovës- Shkodër, që do të afrohen edhe më shumë dy anët e Bjeshkëve të Nemuna dhe me shqiptarët e Malit të Zi. Gjatë kësaj periudhe të udhëheqjes së Berishës, papunësia në Shqippëri u zvoglua disa herë që ishte e keqja më e madhe. Të ardhurat kombëtare për kokë të banorit u rritën bashkë me standardin e përgjithshëm të qytetarëve.

Ai vendosi taksat më të ulëta të mundshme, në mbështetje të zhvillimit të bizniseve të shumta private. Rritja e vazhdueshme ekonomike e Shqipërisë, madje dyfishore në kohën kur Euro-Zona po përballet me krizën, flet për projektet makro-ekonomike, për planifikim real e të drejtë të këtij strateku të Shqipërisë moderne.

Kryeministri Berisha ishte shumë i sukseshëm në bashkëpunimin me vendet evropiane, me SHBA dhe me vendet tjera të botës. Në këtë kontekst, duhet theksuar posaçërisht tërheqjen e investitorëve të huaj brenda Shqipërisë. Në fakt Shqipëria ishte vendi më i sukseshëm në rajon, sa i përket investimeve të kapitalit të huaj. Një vend që kishte vuajtur aq shumë nga izolimi, sot u bë vendi më atraktiv për të huajt. Shqipëria po bëhet e njohur për zhvillimin e turizmit dhe, viteve të fundit, këtij vendi bregdetar ia mësyen mijëra turistë të huaj. Deti shqiptar, për të cilin Berisha, thotë se do të bëjë një mrekulli masive për të huajt dhe shqiptarët nga të gjitha trojet, është një shtytës më i madh që qytetarët duhet ta kujtojnë atë ditë kur ta hedhin votën e tyre në kuti.

Cilat janë sukseset tjera më të mëdha të Shqipërisë?

1. Hyrja e saj në NATO, është njëra ndër të arriturat më të mëdha historike në vendet e rajonit. Përfshirja në Aleancën Atlantike nuk është vetëm vlerë për Shqipërinë, por edhe për të gjitha vendet e NATO-s. Ushtarët shqiptarë sot marrin pjesë në ruajtjen e paqjes në anët e ndryshme të botës.

2. Shqipëria arriti, që për një kohë të shkurtër, të marrë liberalizimin e vizave, ku sot qytetarët e saj lëvizin lirshëm nëpër vendet e euro-zonës, duke menjanuar rreshtat e gjatë para dyrëve të ambasadave.

3. Nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim- Asocim, qe si parakusht për integrim në Bashkimin Evropian. Dhe, të mos ishin bllokadat nga Partia Socialiste, nga destruktiviteti i udhëheqjes së saj, ky proces integrues do të fillonte qysh në vitin e kaluar!

4. Rritja e sigurisë ka bërë që të shtohet edhe besimi tek investitorët e huaj dhe vizitat e të huajve në Shqipëri, që njihet për bukuritë e rralla natyrore.

Nën qeverisjen e Sali Berishës, Shqipëria arriti një zhvillim të mirëfilltë të demokracisë, ku u miratuan ligje të standardeve evropiane dhe, në këtë kontekst, u inkorporuan në të gjitha mekanizmat e sistemit demokratik e qytetar.

Ish Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld në vizitin e tij të përfunduar para pak ditësh në Shqipëri, kryeministrin Berisha e quajti aset të çmuar, jo vetëm për kontributin e tij të madh në zhvillimin e Shqipërisë, por edhe për energjinë që pat për tu përballur me të gjitha sfidat e mundshme.

Sukseset e Dr. Sali Berishës nuk janë të rastësishme. Ai nuk është vetëm udhëheqës e projektues i një Shqipërie moderne, por edhe një intelektual i rrallë që ka populli shqiptar. Qe çka thotë në një rast:” Në Shqipëri dhe në shumë vende, presidenti Reagan është një idhull për qëndrimet e tij antikomuniste dhe unë kisha librat e tij. Në vargun e tyre kisha edhe një libër të vogël për ekonominë.” Dr. Berisha ka shfletuar çdo gjë të vlefshme për të qenë ky që është sot.

E djathta përfaqëson vetëm progresin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Edhe këtë kryevepër, do ta çojë përpara kryeministri Sali Berisha me vizionin e tij për një Shqipëri Evropiane. Dr. Sali Berisha përmjet vazhdimit të reformave ekonomike do të bëjë të mundur që rroga mesatare në Shqipëri të jetë 350 dollarë. Në këtë kontekst përmenda vetëm disa nga sukseset e arritura të Shqipërisë për këto tetë vjet. Këto të mira materiale e demokratike të Shqipërisë po i ndjejnë të gjithë qytetarët. Për të gjitha këto që i theksova Dr. Berisha meriton të zgjedhet prapë kryeministër. Për të flasin veprat, e jo fjalët boshe të pretendentëve për ta marrë pushtetin.

Pra, më 23 qershor, qytetarët e Shqipërisë, jam i bindur se do të votojnë në bazë të asaj se çka ka bërë dhe çka mund të bëjë kryeministri Sali Berisha, që ta ketë edhe mandatin e tretë për një Shqipëri të begatshme, demokratike dhe të integruar në Bashkimin Evropian.

 

* Autori është biznesmen dhe veprimtar i njohur i komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 23 qershor, Eisenhowrin e tyre, harry bajraktari, shqiptaret, te votojne Berishen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT