• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2013

SHQIPNIA E TUNELEVE DHE BUNKEREVE…

June 6, 2013 by dgreca

Ne Foto: Marrshon Shqipnia e 700.000 bunkereve… !

Nga Fritz RADOVANI/ Melbourne/

Shqipnia ishte “një shkemb graniti në brigjet e Adriatikut”…na ishte ngulitë në tru dhe as nuk na shkonte mendja se ndonjëherë do të xirrnim koken me pa driten e diellit apo me veshtrue se çka bahet pak ma këndej apo andej Adriatikut tonë. Rrethimi i vendit nga kapitalistët dhe revizionistët nuk na lejonte me shikue askend sepse të gjithë jetonim “si në rrethim”!..Me siguri shumica e rinisë nuk i kuptojnë këto shprehje, ndersa, pjesa që perjetoi atë periudhë historike porsa lundroi ose fluturoi mbi Adriatik, filloi “me harrue” se Populli Shqiptar ishte betue që “bar do hanë po idealet nuk i shkelë!”…

Ky vetizolim i Shqiptarëve erdhi në një kohë pa u kuptue fare, madje në kohë “paqe”, në vitin 1961… në roje të një pabesije të injektueme në gjak.

Të gjithë mendonin “kunder nesh e si me na zhdukë né”.

Aq e fortë ishte drita e Lirisë sa askush nuk mund ta shikonte drejtë me sy!

Një ditë… aty ku mendohej me u vue automatiku e ku…veç, kur një grupi të rijshë në Shkoder, iu mbushë mendja se duhej hjekë monumenti i Stalinit, e ishte 14 janar 1990.

Edhe njëherë filluen arrestimet… Rinia Shqiptare nuk mbahej ma nen fre…

Turmat u versulen drejtë ambasadave, anijeve, kufijëve, piramidave, gomoneve dhe sejcili pa kuptue ku ven kambën veç kerkonte me dalë nga tunelet e bunkeret ku ishte ngujue gati një gjysë shekulli, tue pritë me padurim “diten” mbas natës pafund të robnisë komuniste.

Ata që thonë se “unë kam pa me sy ku po eci…” vetem genjejnë! Sytë ndoshta i kishim në ballë por me pa me ta nuk shihte asnjeri, veç ai që do me rrejtë… Marrakotja na kishte molisë dhe verbue. Na dukej se të gjithë ishim në shullanin e diellit e rrezet e tij na binin saç mbi kokë e na pervlonin si në ditët e para, kur njeriu çveshet e del në ranen e ngrohtë të plazhit mbas një acari të një dimni me ngrica, borë, ortiqe e rrëshina akulli…

E si mund të mendojnë ndryshej një shkodranë që nuk mund të shkapercente as andej urës së Bunës pa leje “qarkullimi” të degës së punëve të mbrendshme, kur edhe ajo mund të jepej nga sigurimi vetem mbasi ata bindeshin se ti nuk do me ikë jashta Atdheut.

E durrsakët apo vlonjatët si mund të kujtohen se të gjithë ata bunkera të ngulun në ranë nuk kanë ma asnjë vlerë!? Butrinti dukej sikur asht mbushë me statuja edhe pse pat edhe nga ata që me qellim të keq aty – këtu edhe vune dorë… filluen edhe i vodhen me i shitë. Korça e Pogradeci filloi me marrë frymë nga miqtë e ardhun mbas sa dhjetra vjetësh që gati u ishte harrue edhe pamja e fëtyres, që ishte tiposë nga fotot bardhë e zi me stergjyshat e kalbun në Maliq… Jo larg Kukësit flitej se ka edhe andej Shqiptarë! Asht kot me vazhdue me folë se gati askush nuk e beson se Shqiptarët, rretherrotull me Trojet e veta ishin ngujue nder tunele, bunkera dhe strofulla ujqish, aq sa kishin humbë shpresen se ndonjëherë mund të dalin jashtë nga telat me ferra që i rrethonin strehen dhe mendjen që nuk i lejonte me andrrue Lirinë.

Kur pashë në Fushen e Çelës në Shkoder, një djalë me një Flamur Shqipnije në një shtizë të shkurtë, me një “vrimë” që i kishte pré yllin dhe po ecte drejtë e nga sheshi mu në qender të qytetit, ku njerzit mblidheshin ndër mitingje tue brohoritë deri pak ditë ma parë për partinë… ”parti Enver, jemi gati kurdoherë!”, pse me rrejtë? Nuk i besova syve! A thue edhe Shqiptarët e perdhosen yllin e kuq që u pat zhigatë mbi shtrojen e kuqe të Flamurit të Kastriotit?!

Mendova me vete por nuk i tregova askujt se shka kishe pa nga frika se do të më thonin “jé çmendë!”. Mu kujtue në çast Kryengritja e Spaçit…Qafë Barit…Vlashuku, që Nana ime ishte kenë me pa ndër tela të rrethuem vllaun, dajen, e mendja fluturonte sa andej këndej kur kambët ecnin mbi trotuarin e asaj pjace ku dikur, Luigj Gurakuqi, ecte tue mendue si mund të bahet aty afer një lulishtë ku mund të argëtohen fëmijët e shkodranëve?!…

U kujtova se kishe humbë!..

U ktheva me vrap në shtëpi dhe fillova me bisedue kot me pa çka po më thonë të tjerët se jam apo nuk jam në vete!?… Të gjithë çka takova rrugës mu dukën si vetja!…

Vetem kerkonim Lirinë! A kishte që kerkonin ma shumë? – Nuk besoj!

Edhe dyertë e shtëpijave nuk na epej me i mbyllë ma me çelsa…

Po hajnat a binin me fjetë me né?! – As këte nuk e besoj! Thohej se disa prej tyne vazhdojnë me vjedhë dhe mbas perëndimit të diellit mblidhen ndër disa bunkera e tunele dhe atje naten vonë ndajnë “qarin” e hajnisë së ditës… Kishte edhe nga ata që flenin ndër tunele me ruejtë mallin e vjedhun…e kishte edhe nga “ata”, që vazhdonin e vrojtonin me kujdes kush po i afrohet derës së blindueme të atyne labirinteve ku kushedi sa vetë me “një plumb kokës” kishin humbë jeten në lule të Rinisë…e kafka e Tij, ishte pak meter ma andej ku hajnat, vazhdonin me numrue stivat e dollarëve…të fitueme nga trafiku i gomoneve…

Vetem dera u dukej atyne tuneleve…po fundi i tyne ishte fare i panjohun!

Një Popull në kambë tue thirrë: “E duam Shqipninë si gjithë Europa!”…

E turmat që nata i zente në kerkim të Asaj rruge qindvjeçare, padashje humbnin drejtimin nder ata tunele e labirinte që në pritje të “Dritës së Diellit”, perfundonin dikund ka Lindja… gjoja tue pritë “Driten e ditës së ré” që do t’ agonte.

Të vjetrit tregonin se Gjergj Kastrioti e kishte vue në Flamurin e Tij me Shqipen me dy krena, se njena kokë veshtron nga Perëndimi, ndersa tjetra, veshtron nga Lindja…

Që në vitin 1925 një kasap nga Mati u mundue me i vue një litar kokës Shqipes nga Perëndimi…Në se Shqipja do të fluturonte andej “litari” kryente punen e vet…

Në 29 Nandor 1944 një kasap tjeter nga Gjinokastra, djal i një bulykbashit turk, mori një sopatë nga ata të fashizmit dhe ia këputi koken Shqipes nga Perëndimi…me dorë të vet e zhigati kuq dhe thirri: “Vdekje Fashizmit, Liria e Popullit”…e shumica i “besoj”!

Në vitin 1991 – 92 nuk u dukën se janë kasapë edhe pse ishin me bluza të bardha!

Ishin disa “mjekë” që i bane një operacion në zemer Shqipes, po gjatë operacionit u asht dashtë me i dhurue gjak…Kur Shqipja erdhi në vete nuk shihte fare nga Perëndimi!

Pyeti ku jam!? – Ata që ishin aty i thanë: “Jé me né, mos kij frikë!”…

Kur i pyeti të dyten herë po, ku jam?! – Ata u detyruen dhe i treguen të vertetën:

“Jé me né, né jemi vëllezër gjaku me turqit, jemi në “konferencen Islamike!… Mos u merzit, se jemi tue u mundue me u kthye atje ku ishim para 22 vjetësh…me yje e drapen, i thirri tjetri, mbas shpine…dhe me çekana…Po, po, me “yje e hana”, thrret ai hamshori…ja, 23 qershori!

Shqipja vazhdon n’ agoni…

I sollen një pasqyrë e porsa pau veten me një krye nga Lindja… e trupin e lamë me gjak:

“Kuq e zi”… nga “gëzimi”, i ra të fikët!..

Melbourne, 2013.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, marshon, Shqiperia e bunkereve dhe tyneleve

Guvernatori David Paterson mbështet Ken Biberajn për në Këshillin Bashkiak – Qarkut 6-të në New York

June 6, 2013 by dgreca

Ish Guvernatori i New Yorkut David : Paterson: “Jam duke mbështetur mikun tim të ngushtë Ken Biberaj, sepse mendojë se Ken Biberaj beson në një rrugë më të mirë për qytetarët, miqtë e tij, anëtarët e familjes dhe fqinjët, mbasi ai përfaqëson një zë të freskët, të ri, e të etur për të u angazhuar në proceset qytetare.”/

Nga BEQIR SINA, New York/

New York City – Zyra e shtypit e fushatës në një dekleratë për shtypin njujorkez, sot njoftoi se Ish-Guvernatori i New Yorkut, David Paterson, natën e fundit ka deklaruar se ai do të mbështes kandidatin demokrat Ken Biberaj për në Këshillin Bashkiak të qytetit të New Yorkut, Zona elektorale numër 6 -të. Sipas dekleratës për shtyp të shpërndar nga zëdhënsia e shtypit të fushatës KenBiberaj 2013, znj. Mediha Kosovrast, thuhet se Guvernatori Paterson njoftoi miratimin e mbështetjes së tij për Ken Biberajn në një darkë fondembledhëse e organizuar nga partia Demokratike në New York, Kristie Stiles dhe aktivistia demokrate Susan Horsfall.
Ish Guvernatori i New Yorkut David Paterson, citohet të ketë thënë në dekleratë se : “Unë jam i kënaqur të shoh se ka një numër të kandidatëve të shkëlqyer në këtë garë për në Këshillin e Bashkisë të Qytetit të New Yorkut, për Distriktin e 6-të, e cila do të garantojë një shërbim më të mirë në zonën që ata kan për të përfaqësuar.”

Andaj thotë Paterson “Jam duke mbështetur mikun tim të ngushtë Ken Biberaj, sepse mendojë se Ken Biberaj beson në një rrugë më të mirë për qytetarët, miqtë e tij, anëtarët e familjes dhe fqinjët, mbasi ai përfaqëson një zë të freskët, të ri, e të etur për të u angazhuar me të gjitha kapacitetet në proceset qytetare.” .

Paterson tregon se në diskutimet e tij të shumta rreth çështjeve që ndikojnë në këtë pjesë të qytetit, Ken i ka ka shfaqur një pikëpamje pragmatike, realiste të ekonomisë së qytetit, në koherecën që ne jetojmë, e cila thotë ai është unike dhe e rrallë, mbasi Ken sipas tij ka provuar të jetë një njeri me një vizion të madh për të ardhmen e komunitetit të tij dhe cilësinë e tyre të jetës. “Unë jam i ngazëllyer për të mbështes Ken Biberaj për të zënë një vend në Këshillin Bashkiak dhe do të shikojë në vijim për të bërë fushatë me të në javët e ardhshme dhe muajve. ” shprehet Ish Guvernatori i New Yorkut David Paterson,

Kurse, kandidati demokrat për në Këshillin e Bashkisë së qytetit të New Yorkut, Ken Biberaj, thotë në dekleratën e tij për shtyp shpërndar nga stafi i fushatës, se :”Gjatë kësaj fushate, kam kërkuar rregullisht këshilla dhe do të këshillohem me Guvernatorin Paterson në lidhje me çështjet që përballet Zona elektorale në pjesën e qeytetit të New Yorkut – Upper West Side, si pjesë e rëndësishme e qytetit tonë. Është, një nder që të kemë mbështetjen e Ish Guvernatorit të New Yorkut David Paterson në garën time për Këshillin Bashkiak, të qytetit të New Yorkut ” pohon Ken Biberaj teksa shtonë se fushata ime është e përqendruar në sjelljen e një energjie të re dhe një perspektivë të freskët për sfidat me të cilat përballemi dhe do të vazhdojë të punojë shumë për të bërë çdo gjë për banorët e mi që jetojnë në anën perëndimore të Nju Jorkut,Upper West Side. ”
Ken Biberaj – është një kandidat nga partia Demokratike për Këshillin Bashkiak të qytetit të New Yorkut,Zona Elektorale numër 6-të në Upper West Side, në një garë që është hapur për të zënë një vend për herë të parë mbas 12 vjetëve, ku si anëtare aktuale e Këshillit të Bashkisë, është Gale Brewer, e cila ka arritur kufirin e afatit limit- dhe dorzon mandatin e saj.

Ken aktualisht punon si Vice President i lokalit më të njohur në New York Russian Tea Room dhe ka një Master në Politikat Publike nga Shkolla Kennedy në Harvard, si dhe një JD nga Shkolla Juridike në New York. Para se t’i bashkohej firmës të pasurive të patundshme që zotëron Russian Tea Room, ai shërbeu si Drejtor i Kërkimeve në Florida për fushatën presidenciale të John Kerry.

Filed Under: Kronike Tagged With: ken biberaj, merr mbeshtetje, nga ish Guverantori Paterson

JULIA GJIKA- Shoh një lajmëtar në këmbë, në diell-Apokalipsi XIX, 17…

June 6, 2013 by dgreca

VARGJE NGA JULIA GJIKA/

Shoh një lajmëtar në këmbë, në diell./

Apokalipsi XIX, 17/

Në sa e sa shtëpi lavdërohet emri i tij /

edhe i atyre që ecin me të./

Sa hapet dita, deri vonë kur mbyllet,/

Kur cdo gjë e gjallë shkon në gjumë të thellë./

Ata si lehonat që ruajnë foshnjat, nuk flenë. /

Në sa e sa shtëpi luten për ta, e në sa të tjera u hidhet balta./

Një tifozllëk i cmëndur ndodh në atë vend.

Të ecësh në rrugë të reja, në bulevarde të gjëra e të gjata

dhe të mos kujtohesh se kush i shtroi?

Të quash rrugë vdekje autostradat?

Aksidentet kanë ndodhur mbi glob,

duke ndenjur duarkryq ndodhin, do tëndodhin.

Garancitë janë përalla!

Të shpenzosh ditët për të lyer me furcë të zezë të mirën,

t’a mohosh atë,

kur ajo shkëlqen si diamanti në diell, në mes të ditës,

mosmirënjohje është, cmirë e mendjeve boshe,

T’i ngrehësh kurthe atij që kalëron në udhën e drejtë

Të mos dëgjosh këngën që këndon,

ai që është nga zemra e dheut,

ai që transplatoi zemrën e re për vendin.

Eshtë njësoj si të mos duash vehten.

Le ti bashkohemi këngës!

Atyre që ferrat dhe macet i gricin në bark

Ata që dinë të numurojnë vetëm humbjet,

Po digjen në ujra liqenesh të zjarrta zilish, pabesish,

Ata po vdesin, po humbin.

Në sa e sa shtëpi lavdërohen ata,

sepse mbajtën besën në udhën e sakrificave.

Tanimë dihet, nga i madh e i vogël ëndrra e tyre.

Ata s’kishin sekrete për atë vend që priste në agoni,

Ata i treguan të gjitha kur u nisën.

Ne i shohim gjurmët e shpresës, ecim në to.

Zogjtë e qiellit janë mblodhur për të festuar.

Bashkë me ta fëmijët, bari më i njomë, i dëndur.

Pranvera shpërtheu perfekte nën qiellin e hapur,

Vaditur nga ujra të pastra kristal të jetës.

Shohim një lajmëtar, në këmbë, në diell,

Si në një natë me re shohim yjet kur cfaqin shkëlqimin

ndricojnë udhën kalorësit dhe ushtrisësë tij

për të mos e ngatëruar udhën e dritës.

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Julia Gjika, Shoh nje lajmetar ne kembe, vargje

PERKUJTOHET BEKIM FEHMIU NE NEW YORK

June 6, 2013 by dgreca

KONSULLATA E KOSOVES DHE KOMUNITETI I ARTISTEVE SHQIPTARE PERKUJTUAN NE NEW YORK AKTORIN HOLLIVUDIAN ME ORIGJINE SHQIPTARE, BEKIM FEHMIU/

Nga BEQIR SINA, New York City

EW YORK CITY : Tre vite nga vdekja, dhe 77 vite nga ditëlindja aktori Bekim Fehmiu kujtohet në Amerikë, në një mbrëmje përkujtimore. Me rastin e ditëlindjes së tij (1 qershor 1936), dhe përvjetorit të tretë(15 qershor 2010) të ndarjes nga jeta të aktorit me famë botërore Bekim Fehmiu, Konsullata e Përgjithëshme e Republikës të Kosovës në New York, në bashkëpunim me komunitetin e artistëve shqiptaro-amerikanë organizoi një mbrëmje përkujtimore në nder të aktorit të madh. Kjo mbrëmje për jetën dhe veprën e këtij artisti shqiptar, u mbajtë mbrëmë në Studion Fadil Berisha, vetëm një bllok larg nga Broadway – bulevardi i “Hollivudit” të Nju Jorkut, ndërsa e moderojë bashkëshortja e aktorit të njohur të komunitetit Luan Bexheti , zonja Rejhan Ismani-Bexheti

Shumëpersonalitete të nderuara të komunitetit tonë, diplomatë, artist, aktor, muzikant, gazetar, biznesmen, veprimtar dhe aktivist të shquar, televizionet e komunitetit shqiptaro amerikan, gazetat e komunitetit, u mblodhën së bashku për të kujtuar jetën dhe veprën e këtij gjiganti të kinematografisë, përmes diskutimeve, video klipeve dhe filmave në të cilat artisti magjik Bekim Fehmiu ka aktruar magjishm.

Në këtë “Mbrëmje Homazh” për aktorin shqiptar me famë botërore ka qenë i pranishëm edhe Ministrii për Kulturë Rini dhe Sport (MKRS), zoti Memli Krasniqi, i shoqëruar nga Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, të cilët gjenden në New York në kuadër të pjesëmarrjes së Kosovës në Forumin e Tretë Ndërkombëtar mbi Sportin për Paqe dhe Zhvillim, që po mbahet në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, nën organizimin e OKB-se dhe KON-it. Uran (Selimi) Fehmiu nipi i aktorit Bekim Fehmiu, dhe aktoria Leze Qena, të cilët e përshëndetën shkurtimisht me kujtime këtë mbrëmje kushtuar legjendës së kinemasë Bekim Fehmiut.
Përvjetori i tretë i vdekjes së Bekim Fehmiut dhe shtatëdhjetë e shtatë, vjetori i ditëlindjes së tij, u shoqërua me një Koktejl në Studion Berisha me verën Stone Castele e pronarit Rustem Geci , ku muret e së cilës përreth kanë qenë të mbushura me fotografi të skenave të filmave në të cilët ka luajtur ylli i kinematografisë. Ndërkohë që në ekranin e madh me vido-projeksion shfaqeshin insrete nga filma ku aktori me nam ka qenë protagonist, përgatitur nga producenti Adem Belliu.

Ambasadori Bekim Sjediu, Konsulli i Përgjithëshëm i Kosovës, tregojë qëllimin se përse ata kishin zgjedhur qershorin për të përkujtuar artistin tonë të madh, sepse, tha ai në këtë muaj ai ka lindur (1936) dhe ka ndërruar jetë (2010) .

“Kjo mbrëmje përkujtimore, tha ai është modeste, kundruall gjurmëve të pashlyeshme që personaliteti i Bekim Fehmiut ka lënë, jo vetëm në kinematografinë, por edhe në jetën dhe krenarinë kombëtare të secilit prej neshë .” Këtë mbrëmje e bëjnë edhe më domethënëse, sipas Sejdiut, prania e shumë personaliteteve të shquara, ku ai veçojë familjarët e Artistit Bekim Fehmiu, nipin Uranin dhe, sigurisht, Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të RKS, z. Memli Krasniqi dhe Kryetarin e KOK-së, zotin Besim Hasani, dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë Dritan Mishto
“Ne kemi poashtu, tha ai një privilegj të veçantë që kemi ne mesin tonë , përveç familjarëve edhe disa personalitete të spikatura të artit, kulturës dhe gazetarisë shqiptare, në Kosovë dhe diasporë , do veçoja artisten tonë me nam znj. Leze Qena, të cilët kanë patur fatin e madh të njihen dhe bashkëpunojnë personalisht me Bekim Fehmiun.”

Ambasadori Sejdiu, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, në fillim të fjalës së tij ka treguar një histori personale shumë interesante nga fëmijëria tij me Artistin Bekim Fehmiu,

” Emri i Bekim Fehmiut, tha zoti Sejdiu tejkalon përmasat kombëtare dhe rajonale. Ai ka bërë emër që nuk do e shlyel asnjëherë pluhuri i harresës, në botën e filmit dhe kinematografisë. Ai ka aktruar në shtatë gjuhë të ndryshme, në vende të ndryshme dhe së bashku me aktor të njohur si: Ava Garnder, Irena Papas, John Huston, Claudia Cardinale, James Coburn dhe të tjerë. Por për ne, emri i Bekim Fehmiu ka një vlerë dhe simbolikë edhe më të madhe, sepse ai ka lartësuar emrin dhe krenarinë tonë kombëtare në përmasa globale. Në vitet e 1960′ dhe 1970’ta, kur në kinematografinë e ish-Jugosllavisë filloi të ngritet furishëm ylli i quajtur Bekim Fehmiu, emri shqiptar asoconte me stereotipin e sharragjiut apo furragjiut. Ishte Bekim Fehmiu që theu keto klishe paragjykuese dhe i tregoi, së pari fqinjëve e pastaj edhe botës se ne jemi një komb i madh, pikërisht sepse kemi dhënë dhe mund të japim artist të mëdhenjë . Dhe nuk ishte vetëm preardhje e tij shqiptare, por edhe fakti se ai ka mbrojtur identitetin e tij shqiptar me këmbënguljen e një artisti dhe krenarinë e një shqiptari; siç patë dëshmuar në vitin 1987 kur në shënjë proteste për shkak të politikës disktriminuese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, barktis teartrin e Beogradit dhe karrierën artistike përgjithësisht.” tha Ambasadori Bekim Sejdiu.

Në fund të fjalës së tij Ambasadori Sejdiu, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, falënderoj pjesëmarrsit dhe një falënderim të veçantë për fotografin Fadil Berisha, për faktin se vendosi në disponim falas studion e tij për organizimin e kësaj mbrëmjeje. Zoti Sjediu falënderoj edhe aktorin Luan Bexheti dhe bashkëshortën e tij, Rejhanën, për përkrarhjën organizative dhe stafin e Konsullatës, sidomos Konsullin Zajmi që kishte bartur barrën kryesore organizative.

Ministri i Kulturës së Republikës së Kosovës Memlin Krasniqi tha se Kosova së fundmi ka akorduar çmimin me emrin e Bekim Fehmiut dhe ishte kënaqësi që në edicionin e parë të këtij çmimi trofeu ti jepej një miku të Bekimit një njeriu që e kishte ndjekur hap pas hapi dhe të cilin e kishte dhe shok edhe mik edhe model , Faruk Begollit.

“Fehmiu ka patur një vlerë të madhe në skenën tonë kulturore përkundër faktit që shpesh përmendet se ai veproi në të shumtën e kohës jashtë Kosovës dhe në kinematorgrafinë e vendeve të ndryshme, porse ai me të vërtetë krijoi një model të artsitit rreth të cilit për vite me rradhë në Kosovë janë edukuar breza të tërë të artistëve para së gjithash në Akademinë e Arteve të Kosovës. Prandaj unë mendoj se ne të gjithë si shoqëri duhet ta nderojmë jo vetëm në datat e caktuara por gjithmonë. Janë të shumtë ata të cilët në Ballkan do kishin dëshirë ta kishin Bekim Fehmiun të vetin por ai parasëgjithash është i yni, e më pas është i të gjithëve sepse ai me punën e tij ishte një njeri universal.”

Folësi kryesorë, gazetari Hys Shkreli, vëllai i Azem Shkrelit, poetit të madh të letërsisë shqipe të shekullit XX, tha se:” Bekim Fehmiu aktrojë jetën, aktrojë edhe vdekjen. Simolikisht, ai gjatë jetës vdiq shumë herë dhe gjithnjë u ngritë. Me vdekjen, ai shkojë, mirëpo ne e takojmë çdo ditë, nga faqet e gazetave revistave, librave e deri tek ekrani dhe çdo ditë flasim me të. Fehmiu, nuk vrau vehten, siç u tha, Bekimi nuk e vrau Bekim Fehmiun: Atë e vrau koha e ligë.”

Shkreli u shpreh se vdekja e Fehmiut, nuk ishte ndarje, nuk ishte vdekje, por ishte një protestë, ishte revoltë, vullkan. Mbasi, disa vite para vdekjes, ai zgjodhi heshtjen si armë, mirëpo edhe heshtja e tij fliste. Filmat e tij flisnin për një talent të pashëmbult, kurse heshtja për një mllef, pakënaqës e pezëm në ngjarjet që zhvilloheshin rreth tij, si në jetën personale ashtu edhe në ambientin e rrethin ku jetonte.

Bekim Fehmiu lindi e vdiq ne Qershor, tha Shkreli, shpirti i tij shkojë lartë në qiell, tek pushojnë yjet, kurse trupi rrodhi lumit shqiptar të Prizrenit për të u bashkuar me det e detra të kulturave të botës, ashtu siç rrjedhte filmi i tij dikur.

Në fund Shkreli konkludoi duke thënë se:”Në Kohën kur në Kosovë e Shqipëri po përpiqemi të hyjmë në Evropë, kariera e Bekim Fehmiut nxitë e inspiron në këtë udhëtim. Sepse, në Europë nuk hyhet vetëm me nënshkrime marrveshjesh, traktatesh,e liberalizim vizash. Në Europë, më së pari hyhet me kulturë. E Bekim Fehmiu, na bëri europjanë atëhere kur Europën e kishim shumë larg. Atëhere kur Europa na kishte harruar tërësisht” theksojë gazetari dhe poeti Hys Shkreli..

Aktrimi si një ‘mision dhe bekim’

Gazetari i RTK në Amerikë, Sulejman Gashi, duke folur për aktorin shqiptar me prejardhje nga Kosova, Bekim Fehmiu, i cili në kulmin e karrierës së tij do të konsiderohej si aktori më i njohur në Perëndim nga ish Jugosllavia dhe Evropa juglindore, me disa projekte mjaft të suksesshme filmike në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, tha se ai do të mbetet edhe në historinë e Hollywood-it dhe kinematografisë amerikane.

“Në komentet e ndryshme në Kosovë, tha zoti Gashi, pastaj në hapësirën e asaj që dikur quhej Jugosllavi, në të gjitha republikat tani shtete të pavarura, fjalia më e dëgjuar ishte ‘aktori më i madh, më i suksesshmi, më i miri i hapësirës sonë.’

Shqiptaro-amerikanët, vijojë Gashi, e kanë ndjerë dhembjen e ndarjes parakohe dhe tragjikisht nga jeta të aktorit që ishte krenari e tyre kombëtare. Ashtu siç ka deklaruar me një rast Bekimi se ‘me punën time doja të fisnikëroj popullin tim’ ai e arriti këtë duke na bërë të mburremi me emrin e tij, ndërkaq për veten e vetë ai shkoi në përjetësi sublime kur thotë ‘për mua aktrimi ishte një punë misionare dhe një bekim.’ Ashtu edhe ishte.”

Skenografi e piktori Andis Gjoni, regjizor i njohur, në atdhe e komunitet, për gazetën tonë thotë:” Sa më tepër kalon koha aq më tepër vlera merr figura e aktorit të shquar shqiptar Bekim Fehmiu të cilin e kujtojmë sot në tre vjetorin e ndarjes nga jeta. Në të vërtetë artistët e mëdhej kurrë nuk ndahen nga ne, ata i kemi në mes tonë me filmat dhe veprat që na kanë lënë. Kur shikon morinë e filmave dhe roleve të realizuara nga ky aktor botëror emocionohesh dhe mbushesh me krenari për talentin e shpirtit shqiptar të cilin më së miri arriti ta përcillte ky kolos i skenës dhe ekranit. Eshtë e vërtetë që pothuajse të gjitha rolet ai i realizoi jashtë kufijve të trojeve shqiptare, kjo si pasojë e kushteve politike të kohës, por nëse kemi parasysh kontekstin në të cilin u zhvillua jeta e këtij artisti mendoj se do kishte qenë një humbje shumë e madhe sikur ai mos kish patur mundësi të shpërfaqte ashtu siç diti talentin dhe karakterin e një mjeshtri të madh kudo që ishte. Përpara figurës së këtij artisti ne sot përkulemi me nderimin më të madh. Ashtu siç e pati jetën Bekim Fehmiu e pati edhe vdekjen, me një largim sa të dhimbshëm aq edhe spektakolar, në fund të fundit gjeniu nuk mund të gjykohet ai vetëm mund të falenderohet” tha Gjoni.

Aktori shqiptar që i dha fund jetës në shtëpinë e tij . Në 15 qershor të vitit 2010 ai u vetëvra në moshën 74-vjeçare. Bekim Fehmiu lindi më 1 qershor të vitit 1936 në Sarajevë. Ka jetuar në Shkodër dhe Prizren, për të vazhduar studimet dhe karrierën në Beograd. Ai ka aktruar në 41 filma deri në vitin 1998. Ka pasur role në shqip, serbokroatisht, spanjisht, anglisht, në gjuhën frënge, italisht dhe maqedonisht. Fehmiu ka lënë një përshtypje të madhe me stilin e tij prej një intelektuali të madh dhe një aktori që ka ditur ta bëjë edhe jetën e tij një lojë.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Bekim fehmiu, nga Konsullata e Kosoves, perkujtohet ne New York

SHSHA i thotë Ilir Dedës se çështja shqiptare ende nuk është zgjidhur në Maqedoni

June 6, 2013 by dgreca

Nga Skënder Karaçica-Chikago/

Përkitazi me çështjet aktuale shqiptare në Ballkan,këso kohe sikur është bërë modë e ditës që nga qarqet e (analistëve)me tonet bulevardeske po dalin me ,,vlerësime,,të ngutshme dhe herë-herë jashtë kontestit politik,historik dhe shkencor të kohës,kështu e nis reagimin SHSHA-ja në Çikago që ka të bëjë me paratijen e tij publike të Ilir Dedës(Instituti për hulumtime politike-KIPRED).
Në vlerësimet hulumtuese politike që i kushtohen çështjes shqiptare në Maqedoni,Ilir Deda rreshqet mbi tezat e tij dhe mundohet të krijojë opinion kur thotë,,Shqiptarët do të themelojnë bashkësinë e komunave të tyre në Maqedoni,,.Nuk e dimë se a është në dijeni (analisti)i KIPERD-it në Prishtinë se populli shqiptar me 40 për qind të përberjes kombëtare nuk është pjesë shtetformues me Kushtetutën e këtij vendi si dhe statusi i komunave të pushtetit lokal sipas standardeve të Konventës Europiane.Sa për komentin tonë të SHSHA-së,fjala vjen,komuna e Strugës tash sa vjet ende nuk e ka të definuar statusin e vet (me ligjet e pashkruara)për pushtetin lokal,ndërkaq I.Deda duke mos e njohur mirë aktualitetin politik ndër vite të çështjes shqiptare në Maqedoni,del me kësofarë tezash që fund e krye janë,,modeli,,i regjimit serb në Beograd për pakicën serbe në Kosovë.
Tutje,ky asociacion politiko-kombëtar i SHSHA-së ia sheh për të madhe Ilir Dedës që bënë krahasime kuturu dhe që janë jashtë kontestit të kohës shqiptare.Si është e mundur,e pyesim I.D.që sipas tij kryeministri aktual(Nikolla Gruevski)nuk dëshiron që ta çojë vendin e tij në NATO,ndërsa shqiptarët dëshirojnë anëtarsimin në NATO(!).Kjo nuk i qendron kohës Ilir Deda,thotë SHSHA-ja në Çikago,
ndonëse populli shqiptar i ka problemet e veta të pazgjidhura kombëtare e sa për dëshirën për anëtarsim në NATO këtë po e thonë pajada disa nga udhëheqësit politik shqiptar sa për konsum të vagës politike!
Analisti Ilir Deda del para opinionit sa për të thënë diçka ashtu si e ka zakon ,,rrallë e për mall,,(!)dhe kur flet për marrëveshjen Beograd-Prishtinë,këtu ironia e tij kalon çdo kufi dhe shkon aq larg sa na kujton kohën kur regjimi serb i S.Millosheviqit tregonte,,rrezikun,,që u kanosej pakicës serbe me rastin e shpërnguljes (pa dhunë)nga Kosova.Paqartësitë e marrveshjes në Bruksel e kemi thënë publikisht Ilir Deda,do të jetë sherri të pragu i shtetit të Kosovës edhe për njëqind vjet.Mos u merakosni shumë se serbët nuk do të braktisin Kosovën Ilir Deda,kështu i thotë SHSHA-ja në Çikago.

Filed Under: Komente Tagged With: cehtja shqiptare en Maqedoni, e pazgjidhur, i thote Ilir Dedes, SHSHA, Skender Karacica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT