• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

KERKOHET PËRKUSHTIM TË JESH VEPRIMTAR I DIASPORËS SË AMERIKËS

July 21, 2013 by dgreca

Opinion nga ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA/

Nuk është pak të jesh veprimtar i Diasporës së Amerikës. Nuk është e thënë  vetëm të jesh i anëtarësuar në ndonjë shoqatë shqiptaro-amerikane. Rëndësi ka vizioni për të cilin punon, mënyra se si e mbështet dhe e ndihmon me kthjelltësi Çështjen Kombëtare Shqiptare.

Ka shumë veprimtarë që shquhen në Amerikë. Janë me mijëra. Dikush ndihmon financiarisht, dikush lobon, dikush organizon, dikush shkruan një artikull për Diasporën, dikush bën një emision për Diasporën a për ngjarje kombëtare që festohen në Amerikë, dikush punon për mësimin e Gjuhës Shqipe për fëmijët e shqiptaro-amerikanëve, dikush boton një studim historik me temë Identitetin Kombëtar Shqiptar, dikush krijon lidhje me amerikanët e qeverisjeve vendore, shtetërore dhe federale, dikush krijon lidhje me shoqatat shqiptare të Amerikës, dikush hedh një ide përbashkuese për të gjithë Diasporën e Amerikës, dikush me të zgjedhurit në Kongres dhe Senat, dikush krijon kontakte me Shqipërinë, Kosovën dhe trojet shqiptare e shumë arsye të tilla.

Disa punojnë privatisht,disa janë punësuar në zyrat e të zgjedhurve amerikanë, disa të organizuar në shoqata shqiptare a institucione fetare. Këta veprimtarë janë nga e gjithë Shqipëria natyrale e trojeve në Ballkan sipas atyre trojeve që u thirrën në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Kanë lindur në trojet shqiptare në Ballkan, Europë, Australi dhe Amerikë.

Familjet e tyre apo ata vetë kanë rrënjë apo kanë ardhur nga Arbëreshët e Italisë, nga shqiptarët e Ballkanit apo dhe nga mërgata shqiptare e pas Lidhjes së Prizrenit. Kanë bindje politike të kundërta ose të njëjta, por mbi të gjitha edhe bashkohen në një pikë për Çështjen Kombëtare Shqiptare më shumë në teori se sa në praktikë. Shumë pak veprimtarë janë vërtet të pozicionuar me përkushtim në raport me shifrën gjysmë milionëshe të shqiptarëve të Amerikës, e cila nuk është zyrtare, sepse ne shqiptarët e Amerikës nuk na e ka vërtetuar Censusi qoftë dhe ky i fundit. Kjo më shumë për fajin tonë, apo të shoqatave shqiptare që nuk e kanë shndërruar në faktor Diasporën e Amerikës, kur bëhet fjalë për regjistrimin zyrtar të shtetasve amerikanë, siç jemi edhe ne.

Problem është vërtet puna udhëheqëse me shoqatat shqiptare. Sepse është punë vullnetare e deri diku njerëzit shohin interesin e ngushtë personal. Edhe kur organizon një veprimtari ka siklet të madh, se duan të flasin të gjithë.

Arsye tjetër, është se shqiptaro-amerikanët kanë bindje dhe kapacitete intelektuale të ndryshme, edukime të ndryshme, sepse disa u rritën dhe u edukuan në regjimin komunist të Shqipërisë, disa në regjimin titist të Jugosllavisë dhe të Millosheviçit dhe disa në regjimin demokratik të Amerikës.

Në shoqata apo degë të tyre disa anëtarësohen me fis dhe disa me shoqëri më shumë. Janë dukuri shqiptare që shfaqen dhe këtu në Amerikë.

Ka edhe që vdesin të bëjnë një foto me liderët shqiptarë të shqiptarëve të Ballkanit edhe pse këta të fundit nuk kanë hyrë të gjithë në Shtëpinë e Bardhë!Sepse nuk e kanë drejtuar mirë Shqipërinë apo Kosovën e le më të ndihmonin Diasporën.

Historikisht vetëm Noli, Konica dhe DioGuardi për më shumë se 25 vjet lanë gjurmë lobizmi në Amerikë për Çështjen Kombëtare Shqiptare. DioGuardi edhe pse me rrënjë Arbëreshe është sot për sot misionari i vërtetë i Çështjes Kombëtare Shqiptare. Dhe e kemi për krenari ta dëgjojmë e mbështesim atë.

Diaspora e Amerikës është në vendnumëro përsa i përket ndërgjegjësimit kombëtar për një bashkëkuvendim mbarëkombëtar të shoqatave aktive të qyteteve amerikane. Dhe veprimtarët në tërësi pak bëjnë për këtë. Ose u duket si  i pamundur! U duket i tejkaluar Bashkimi ose i bërë kur nuk në fakt nuk është real! Le që disa nuk duan ta zënë me gojë, fare! Dhe hiqen si atdhetarë të mëdhenj se u botohen fotot në gazeta apo dalin në intervista televizive.

Të përkushtuarit me veprimtarinë atdhetare e kulturore me komunitetin shqiptar do kujdes e sakrificë. Edhe pse shoqatat shqiptaro-amerikane nuk kanë ditur të bashkëkuvendojnë zyrtarisht. Të paktën me ardhjen e shqiptarëve pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri dhe me prishjen e Jugosllavisë, me luftën për Çlirimin e Kosovës nuk është bërë asnjë përçapje për Bashkimin e Dytë të shqiptarëve të Amerikës në këtë shekull të Dytë të pas Pavarësisë së Shqipërisë.

Duket si i bërë Bashkimi i shqiptarëve të Amerikës njëherë me Nolin dhe Konicën.

Ka një heshtje varri. Duket sikur çdo gjë shkon vaj. Më shumë shkruhet për të shkuarën dhe shumë rrallë për të ardhmen e  Diasporës së Amerikës. Por në fakt, gjeografia e organizimit të komuniteteve shqiptare në Amerikë tregon se organizimet shqiptare janë të vendosura sipas qyteteve ku banojnë. Pa ndonjë orjentim nga lart si 100 vjet më parë.

Shqiptarët e Amerikës nuk kanë nevojë sot për sot të kenë një ombrellë përfaqësimi pa bashkëkuvenduar qytet më qytet amerikan ku banojnë shqiptaro-amerikanët. Ata kanë nevojë të kuptojnë se Diaspora e Amerikës nuk ka sot një platformë të përbashkët organizative. Nuk ka një kuvend mbarëkombëtar jo thatë, por me një Draft-Strategji se cilat janë nevojat e komunitetit shqiptar për të mbajtur gjallë Identitetin Shqiptar, cilat janë mundësitë e bashkëpunimit me qeveritë shqiptare të Tiranës dhe Prishtinës a të qeverisjeve vendore të shqiptarëve të Maqedonisë, Preshevës dhe Malit të Zi, cilat janë përparësitë e organizimeve shqiptare në Amerikë, cilat janë modelet e këtyre organizimeve, cilat janë pikat e përbashkëta, cilat janë mundësitë financiare, cilat janë projektet studimore, shkencore, kulturore a çdo gjë tjetër që kërkon ndihmën e komunitetit shqiptar të Amerikës etj.

Sepse ka udhëheqës si Joseph DioGuardi  i Lidhjes Qytetare New York, që na këshillon të punojmë së bashku se ” Gur-gur bëhet mur”. Ndaj ka edhe veprimtarë, funksionarë vullnetarë të shoqatave shqiptaro-amerikane si Programi Unik Shqiptar, New York, Shoqata Ana e Malit, New York, Shoqata KOMBI e Worcester,MA, Shoqata Atdhetare Rilindasit e Boston, Shoqata Kosova e Boston apo edhe veprimtarë të tjerë shqiptaro-amerikanë që mendojnë se është e domosdoshme të bashkëkuvendojmë me të gjitha shoqatat pa përjashtim! Dhe sot a nesër kjo do të ndodhë në Amerikë, sepse vërtet me tërë këtë vendnumëro që shohim do të dalë dikush nga ne që do ta ngrejë zërin në mos këtu në Amerikë edhe në Shqipëri a Kosovë, sepse ne nuk duhet të heshtim pa e përmbushur misionin kombëtar të Rilindasve për ta bërë Çështjen Kombëtare. Në këto rrethana në të cilat na ka ndihmuar Amerika më shumë dhe liderë si Noli, Konica dhe DioGuardi!

Si mund të flesh gjumë duke qënë veprimtar i Diasporës së Amerikës e të lësh pa përmendur përdhosjen e historisë kombëtare me sanksionimin e vendvarrimeve greke në Shqipëri! Dhe themi në Amerikë sipas Nolit:” Mbahu nëno mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë”!

Ku janë djemtë shqiptarë të Amerikës kur shtetarët shqiptarë përuruan me shtetarët grekë varrezat greke të Këlcyrës që kanë edhe eshtra të shqiptarëve të Kosinës? Po kur Janullatosit që i bekon këto varreza ju dha Urdhri i Skënderbeut nga Presidenti Bamir Topi që harroi në sirtaret e Presidencës të nderonte At Stath Melanin me Urdhrin Nderi i Kombit, sepse nuk e kishëroi se nuk deshi Janullatosi!Sepse kështu kishte vendosur Kisha Greke nga vjen Janullatosi!

Shtetarët shqiptarë vijnë me vrap në Amerikë, sepse i presin mirë veprimtarët e Diasporës së Amerikës si për qoka shtëpie! Sepse klasa politike shqiptare e Tiranës e di se nuk u kërkon kush llogari në Amerikë nga Diaspora as për katrahurën e 1997-ës, as për Shkëmbin Barketa, as për shitjen me tendera skandalozë të pasurisë kombëtare, as për Gërdecin, as për 21 Janarin, as për djegien e të përndjekurve politikë në sy të botës në Tiranë, as për moshapjen e dosjeve të komunizmit, as për ndryshimin e ligjit 7501 për pronësinë e tokës, as për rigjallërimin e mësimit të Gjuhës Shqipe në Amerikë etj. Ja këta jemi si në Shqipëri dhe në Amerikë! Njëlloj, qejfembetur për bindje politike që u ka dalë boja. Dhe ka militantizëm pa vënd dhe këtu në Amerikë! Fatkeqësi. Ju vjen keq më shumë disa veprimtarëve që u humbet partia e zemrës se sa Shqipëria që është në hall, sepse me atë tranzicion u përndoqën mbi një milion shqiptarë nga Shqipëria pas 1990-ës!

Dhe Diaspora vetë këtu as që e di se u abuzua me shqiptarët e pas 1990-ës në Greqi njëlloj si me Çamët në Luftën e Dytë Botërore. Një ksenofobi e paparë! Po Diasporës së Amerikës nuk ju dëgjua zëri! Sepse nuk ishte e organizuar! Ose ishte çalë-çalë! Siç ngjet edhe sot në disa raste.

Daullen e disa veprimtarëve të Diasporës së Amerikës në New York se në Shqipëri ishte rrezik kthimi i komunizmit pas 23 qershorit nuk e dëgjon më kush. Nuk i hanë më këto parrulla shqiptarët e Shqipërisë, le më këtu në Amerikë jo e jo! Por duhet që disa nga veprimtarët që kanë ikur nga Shqipëria e nuk janë kthyer më, është mirë të shkojnë e shohin realitetin.

Shqipërisë i ka mbetur e hapur rruga të bëjë përpara! Në BE. Si dhe Kosovës në OKB, NATO dhe BE! Ka fat Shqipëria sot se ka një mbështetje ndërkombëtare më shumë se me regjimin e Berishës që po ikën si e fundit praktikë komuniste e të drejtuarit të shtetit të shqiptarëve në Ballkan! Sepse Amerika dhe partnerët Europianë dinë të vlerësojnë aspiratën e popullit shqiptar që i ka shkuar tek nuk mban më. Sepse institucionet shqiptare janë tërësisht të varura nga pushteti i sotëm me klane e krushqi e krahinizma e nepotizma që kërkund në bot nuk i gjen.
Edhe shteti i kapur i Berishës u shkërmoq, sepse u bë oborr si i Zogut dhe i Enverit! Dhe Diaspora me fare pak veprimtarë u mundua me shkrime kritike për ta çmontuar regjimin autokratik të Berishës.

Po kush guxon sot në Amerikë veç DioGuardit dhe Forumit për Demokraci të deklarojë gjendjen skandaloze të keqdrejtimit të shtetit dhe shoqërisë shqiptare! Askush! Sepse u mbetet qejfi në Shqipëri atyre që sot po bëjnë gati valixhet apo edhe këtyre që po formatojnë qeverinë e re.

Ka edhe veprimtarë të kthjellët dhe bashkëkohorë, sepse kanë shkollim shqiptar dhe amerikan apo edhe europian. Por është e pafalshme që Diaspora e Amerikës ka përqafuar krahë të politikës shqiptare të Shqipërisë hapur ose ka bashkëpunuar qorrazi pa e ndihmuar atdhetarizmin dhe kjo është parë sheshit edhe në kohën e regjimit komunist edhe tani në Tranzicion. Bile, edhe me një thirrje që ju bë popullit shqiptar për zgjedhjet e 23 Qershorit 2013 mundi shkoi dëm, sepse populli shqiptar nuk i dëgjoi disa veprimtarë që më shumë nuk e njihnin realitetin dhe kjo thirrje tingëllonte më bukur më 1945-ën se sa më 2013-ën! Dhe për këtë kuptohet nuk jep kush llogari as këtu, as në Shqipëri.

Rëndësi ka reflektimi i veprimtarëve të Diasporës së Amerikës për Çështjen Kombëtare Shqiptare! Bindjet politike janë vetëm për në shtëpi. Ato nuk hanë bukë po qe se je në tryezën e bashkëpunimit ku vendoset për veprimtari a organizime të komunitetit shqiptar.

Të bëhemi një për një program të përbashkët kombëtar të Identitetit Kombëtar.Kjo është Çështja! Nuk kemi sot një dokument përbashkues të firmosur nga të gjitha shoqatat aktive shqiptaro-amerikane! Një dokument vizionar për ardhmërinë nuk e kemi! Punë e madhe!,- do thotë dikush!Po si mund të themi që bëjmë veprimtari atdhetare pa një program të përbashkët të Diasporës?

Kam shkruar disa shkrime rresht për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare të Diasporës së Amerikës për një Vizion për ardhmërinë e Diasporës së Amerikës, sepse RiBashkimi është i nevojshëm ose do rrëshqasim shumë shpejt siç jemi edhe në disa raste, në folklorizëm! Sepse nuk po celebrohen ngjarjet kombëtare nga të gjitha shoqatat edhe pse këto herë-herë kanë probleme organizative, financiare apo edhe zhvendosje të veprimtarëve për banim nga një qytet në tjetrin.
Vetmburrja nuk ka më vend. Ka kuvende të thata pa një platformë përbashkuese. Askujt nuk i hahet haku për çka të mirë ka bërë për shoqatën aktive ku është anëtar, pak rëndësi ka mosha e shoqatës, sepse të gjitha shoqatat deri diku kanë gati-gati një hall të madh – përbashkimin! Ndaj lindin edhe probleme, sepse shohin që në qytete amerikane ku ka shoqata të vogla me pak kontribut financiar ka aktivitet të gjerë atdhetar dhe kulturor.

Vërej domosdoshmërinë e ngritjes në nivel përfaqësimi të Diasporës në rang Ministrie në Shqipëri për të bërë me themel Regjistrin e Diasporës si dhe forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin institucional me Shqipërinë, sepse deri tani ose ka qënë i pakët, i planifikuar ose nuk ka egzistuar fare në disa komunitete shqiptare të qyteteve amerikane. Sepse shqiptarët e Amerikës, Tirana zyrtare i ka përkufizuar me New York-un. Po shqiptaro-amerikanë nuk ka vetëm New York!

Më vjen mirë që veprimtarë si Sali Bollati, Xheladin Zeneli, Emin Egriu, Bashkim Klloboçishta, Ismet Kurti, Petrit Alibeaj e dhjetëra të tjerë janë përkrah vizionit përbashkues me të gjitha shoqatat aktive për një bashkëkuvendim të të gjitha shoqatave.

Vetëm kështu Diaspora e Amerikës do të jetë vërtetë në shërbim të kombit. Sepse siç jemi sot të parcelizuar në qytete vështirë se do bëjmë më shumë. Prandaj, kemi nevojë për bashkëkuvendim me moton: Një Vizion- Një program kombëtar.

Ndryshe misioni ynë, i veprimtarit të Diasporës së Amerikës do të plotësohet pjesërisht. Ose do venitet siç ka ndodhur në disa dekada!

Kemi më shumë nevojë të shohim përtej pragut tonë, për të ardhmen e Identitetit Kombëtar dhe Çështjes Kombëtare Shqiptare!Pra, le të përbashkohemi me përkushtim!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Artur vreka, kerkohet perkushtim, per veprimtaret e Diaspores

Liria dhe kapadait e vendit

July 21, 2013 by dgreca

Në gjithë tonet e kapadaive politik ndaj Lubonjës u vërejt se është instaluar “makineria e ndalimit, të mendimit dhe të shkrimit të lirë shqip”./

Nga Bekim Rexhepi/

Është mbase e vërtetë se thjeshtëzimet nuk lënë shqyrtimin të pathemel – po supozojmë se në këtë debatin që është ngritur nga Lubonja, ka dy lloje simpatizantësh  të kapadaive, ato të fushës së politikës dhe ato të fushës së shkrimit. Po e marrë për vështrim kategorinë e dytë. Nëse është e thënë se duhet të ekzistoi edhe shkrimtaret, aherë pse të mos ekzistojnë. Jo më sa për sy e faqe të ekzistojnë, ata duhet të ekzistojnë edhe për faktin se duhet të shkruajnë më shumë se të tjerët për të vërtetën. Në të shumtën e rasteve e vërteta duket pa gjasa e shpresa, por kur ekzistojnë shkrimtaret ajo duket më fatlume në vetvete. Ambienti shqiptar për dekada të tëra ka pak vend për të vërteta, madje për të vërteta sublime nuk mund as të flitet. Pse? Garda e shkelmimit duket se gjithnjë ia ka dalë ta zotërojë pozitën e të vërtetës dhe atë e ka kthyer në gëzof. Prandaj nuk duhet të na çudisë fakti se të vërtetat tona janë prej gëzofi. E vërteta prej gëzofi, tek ne duket se ka edhe histori, historia e saj rrokulliset mbi dhimbje dhe fate tragjike e kombëtare. Megjithëkëtë më mirë të ketë disa të vërteta prej gëzofi se sa të mos ketë fare hiq. Përpjekjet për të pasur të vërteta nuk duhet të ndalen kurrë, edhe përkundër sakrificës dhe rezistencës. Më mirë një pikë uji në det, se sa deti një pikë uji. Më mirë një e vërtetë në shumësin e gënjeshtrave, se sa shumë gënjeshtra brenda një të vërtete.

Për këtë – të vërtetën, nuk duhet vetëm një luftë e shkrimtarëve, e artistëve, të tjerëve, por edhe e politikanëve. Por kur politikanët të thonë të vërteten ne do të jemi në “fundin e botës”!. Dikush do të thoshte më mirë të mos e thonë politikanët kurrë të vërtetën, se sa të vije “fundi i botës”. E në fakt nuk vije fundi i botës nëse të vërtetën e thonë edhe politikanët. Shkrimtaret tanë për të vërtetën kanë bërë përpjekje më të mëdha dhe ndofta për këtë ata janë më të rrallët qe kanë bërë përpjekje ta dëmtojnë atë. E kanë dëmtuar të tjerët më shumë se shkrimtaret ndaj unë mbetem një adhurues i shkrimtarëve dhe jo i politikanëve.

A është edhe shkrimtari një kapadai ashtu siç është edhe një politikan? Në parim duket se ka edhe shkrimtar “kapadai”. I tillë është edhe Fatos Lubonja, shkrimtar (gazetar, analistë, publicistë, e etj). Jo më pa të drejtë ai ka marrë një itinerar të vështirë dhe ndofta më të vështirin të, vështroi objektin nga këndi i suficitit. Pse e them kështu, sepse vet Lubonja di të shpenzoi këtë materie të shqetësimeve tona pa pasur atë frikën e reagimit të nacionit egoist qe mbase e kanë edhe popujt e tjerë po edhe ne shqiptaret nuk i shpëtojmë.

Shqetësimeve që ka opinioni shqiptar me rastin e letrës që Lubonja publikoi në mediat e huaja dhe reagimet me tone militantësh, mbase do të bëhej edhe për mua një shqetësim dhe s’ka se si të mos reagoi dhe unë. Në gjithë tonet e kapadaive politik ndaj Lubonjës u vërejt se është instaluar “makineria e ndalimit, të mendimit dhe të shkrimit të lirë shqip”.

Është e Lubonja është padyshim një intelektual dhe një mekanikë i vërtetë, i ndërtimit të mendimit të lirë në demokracinë shqiptare. Në zgjidhjen racionale të këtyre shqetësimeve, unë do të mbishtesa gjithsesi një shkrimtar para një kapadaiu politik.

Po ta shikosh gjendjen e rëndë në Kosovë, të vije mbase jo për të sharë politikan, e kapadai të shumtë që ka vendi. Disa prej tyre ne emër të luftës kanë përvetësuar pasuri të paimagjinueshme. Pasuritë e tyre s’iu bëjnë dot ballë atyre që japin si ndihmë për shtetin-klient. Shkaqet e veprimeve të dyshimta nuk mund të qojnë akoma më shumë pezmatimin e artereve historike. Sepse del kuptueshëm që bartësit e pushtetit në një politikë të tillë kanë fare pak interes për nxitje të “zhvillimit”.  Përfitimet e tyre varen nga pushteti nga rezistenca e tyre mbi shtetin-klient, monopoli i tyre brenda shoqërisë dhe jo nga produktiviteti i shoqërisë si tërësi.

Le ta kuptojmë jo më ndryshe se kaq se shkrimi i Lubonjës, është një shtytës i jashtëzakontë qe mbase përpiqet të heq vëmendjen nga pasuria, nga ajo pasuri që u bë ne emër të luftës dhe të heroizmit. Të ndihmohet populli dhe të shtohen vlerat e shtetit mbi shoqërinë. Kështu ditë më parë u sulmua edhe një veprimtar tjetër Veton Surroi, po ashtu nga një kapadai qe udhëheq me neveritshëm më shtetin.

Ky kapadai i shtetit, ndërton autostrada dhe populli i “tij” ikën rrugëve të botës – azil. Kështu është kur edhe turpi flet moral, apo kur morali flet vetëm turp! Të ndërtosh autostrada kur brenda pak muajsh pjesa më vitale e popullit merr rrugët e huaja, sepse rrugët “tona” si gjithnjë janë bosh.

Në shtetin-klient edhe vëllazëria e kapadaiut numër 1, majmën me pasuri dhe ligji nuk guxon as ti shoh me sy.

 

21-07-13

Filed Under: Analiza Tagged With: Bekim Rexhepi, dhe kapadait e vendit, liria

Ngjarjet më të bujshme të shqiptarëve në Selanikut

July 21, 2013 by dgreca

Shkruan Arben LLALLA*/

 Ne Foto: Gazeta Greke me foton e Hasan Prishtines te vdekur dhe portreti i vrasesit Ibrahim Telo/

SELANIKU, është qyteti i dytë më i madh në Greqi për nga numri i banorëve. Ndodhet në rajonin e Maqedonisë Qendrore dhe në këtë qytet funksionon Ministria e Maqedonisë dhe e Trakisë. Sot në Selanik banojnë rreth 1.000.000 njerëz. Pas shpërnguljes së banorëve mysliman pas vitit 1923 në këtë qytet u vendosën mijëra refugjatë të ardhur nga Azia e Vogël. Pothuajse 2/3 e banorëve të këtij qyteti dhe të  prefekturës kanë ardhur pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Lozanës.

Gjatë viteve që kalova në Selanik jam takuar me shumë grek me origjinë shqiptare. Në Selanik shumë qytetar grek kanë mbiemra të fjalës shqipe si Albani. Rrugës për në spitalin Shën Nikolaos, gjendet një Tavernë pronari i së cilës quhej Mihal Allvanosi i cili kishte origjinë shqiptare. Në rrugën Politeknou nr. 45 ato vite gjendej zyra e një avokati me emrin Orestis Albanis. Në Selanik jetojnë edhe nipat e Avni Rustemit, djemtë e motrës, njërin prej të cilëve (Theodhor G) e kam takuar disa herë. Ai, ishte rreth 70 vjeç, më tregoi saktë ku kanë qenë varrezat myslimane të shqiptarëve sepse atje ndodheshin varret e mëmës dhe atit të tij. Në qarkun e Selanikut ndodhen tre fshatra që banorët janë me origjinë shqiptare dhe janë vendosur aty pas vitit 1922 si popullsi e këmbyeshme të ardhur nga Mandrica e Bullgarisë dhe Trakia Lindore e Turqisë.

Shqiptarët në Selanik në fillim të shek. XX kanë zhvilluar aktivitetet politike dhe kulturore. Në këtë qytete kanë pasur shtëpi të tyre shumë tregtar nga Korça si dhe ish-kryeministri i Shqipërisë Hasan Bej Prishtina i cili u vra në 1933, po në këtë qytetet. Në rrugën Vasilis Ollgas, ku ndodhet ende shtëpia – pallat e Hasan Prishtinës, pak metra më tutje janë dy shtëpi-vila të tregtarëve shqiptar Mehmet dhe Ahmet Kapandzit. (Për familjen Kapandzi, shpeshherë shkruhet se ishin hebrenj mysliman që njihen me emrin Donme, por në disa shkrime thonë se janë shqiptar. Sot familja Kapandzi është e vendosur në Turqi). Këto dy Vila u ndërtuan në vitin 1893-1895 në një hapësirë prej 4 hektarësh të cilat shikonin nga deti. Njëra është e modelit zviceran e projektuar nga Piero Arigoni me një dekorim të bukur të tavanëve me piktura. Ndërsa vila tjetër në vitin 1912 u bë rezidenca e princit të Greqisë, Nikollës. Në këtë vilë në vitin 1917 qëndroj disa muaj Esat Pash Toptani i cili komandonte disa forca ushtarake shqiptare të cilët shërbenin në ushtrinë franceze gjatë Luftës së Parë Botërore. Fotografitë që do sjellim të Esat Pash Toptanit janë bërë pikërisht në vilën ku ai qëndroj disa muaj në Selanik dhe gjatë  dekorimit të tim me Kryqin e Luftës nga gjenerali francez Sarrail(Te plote e lexoni ne Diellin e printuar) 15.8.1917.

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, ngjarjet e bujshme, te shqiptareve te Selanikut

GJIROKASTRA KA NDERUAR PRESIDENTIN E NDERIT TË VATRËS

July 21, 2013 by dgreca

–Kryetarit të degës së Vatrës të Jacksonvill, z. Adriatik Spahiu, i dorëzohet nga kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, z. Flamur Bime,  çertifikata “ Agim Karagjozi-Qytetar Nderi i Gjirokastrës”./

Nga Lek Gjokaj/ Florida/

Megjithese jetojme një oqean larg Shqipërisë mendja e zemra udheton çdo çast drejt Atdheut.Malli i përzier me kujtimet udheton në të njejtat shina.Sigurisht qe edhe Shqiperia nuk i harron  bijtë e vet, nuk harron punën e palodhur te tyre në shërbim të Mëmedheut.Ndaj Bashkia e qytetit të gurtë të Gjirokastres para pak ditesh organizoi një pritje zyrtare për kryetarin e deges se Vatres në Jacksonville Florida zotin Adriatik Spahiu.Në kete pritje merrte pjese stafi i bashkise si dhe mediat lokale.Pas një bisede te ngrohte kryetari i bashkise se Gjirokastres zoti Flamur Bime i dorezoi zotit Spahia çertifikaten ” Qytetar Nderi”  për zotin Agim Karagjozi me motivacionin “Për kontribut të çmuar në organizimin i diaspores në sherbim të Shqiperise.”
Sigurisht që jo vetem zoti Karagjozi që ka një jete të tëre në sherbim të shoqates Pan Shqiptare Vatra por e gjithe shoqata dhe diaspora shqiptare e Amerikes ndihet shpirtërisht e gezuar për vleresimin e madh qe bashkia e Gjirokastres i beri zotit Karagjozi dhe tere diaspores.
Zoti Flamur Bime duke i dhene titullin tha se do të kishte pasur shumë dëshirë qe t’ia dorezonte direkt zotit Karagjozi por largesia oqeanike e bën të pamundur një gjë të tillë ndaj zoti Spahiu si qytetar i qarkut të Gjirokastres dhe si pjesmarres aktiv në shoqaten Vatra do të kete nderin që në emrin e bashkise dhe në emrin personal të tij t’ia direzoje zotit Agim Karagjozi kete çertifikatë nderi dhe vleresimi.
Zoti Adriatik Spahiu duke e marre çertifikatën në emer të Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”,  falenderoi bashkine e qytit për kete vleresim të madh për zotin Karagjozi dhe tere diasporen shqipare të Amerikes.Gjithashtu ai u zotua se perseri Vatra dhe diaspora do punoje me plot përkushtim më të tëra forcat në sherbim të kombit shqiptar që Shqipëria të perparoj dhe të jete një zë i fuqishem në botë në sherbim të komuniteteve shqiptare dhe më gjere..

 

Filed Under: Komente, Kronike Tagged With: Adriatik Spahiu, agim karagjozi, Lek Gjoka, Nderi i Gjirokastres

Kush i vrau Aristidh Kolën dhe Luka Çiçipin?

July 20, 2013 by dgreca

Ne Foto: Aristidh Kola/

Biri i Arbrit i njihte thellë dëshirat e heshtura të saja që flinin me shekuj në ëndrrat e dëshirës për një të vërtetë; sepse vuajtjet, vdekjet dhe zhdukjet na e kishin rënduar gjithmonë shpirtin. Biri i Arbrit shpresonte në lindjet e bardha mbi errësirën verbuese, të lagura me gjakun e nxehtë të vrasjes së të vërtetës. Edhe pse ishim të pafjetur, në netët e gjata të ankthit, në pritje të llahtarisë, vullkani i përvëluar i brendisë shpirtërore së Birit të Arbrit e prishte heshtjen e së paarritshmes. E njihte Kosovën edhe në valët e Drinit dhe kërcimet e tija mbi ujin e pafajshëm, jepnin shenjën e dallëndyshes në kërkim të lirisë; lirinë që aq guximshëm e kërkonte me vargjet e tija të mbushura me thjeshtësi, me të rima e padukshme dhe simbolet e papritura. Poeti nuk vdes sepse Drini ushton nga dhembja që ia dha vlerën valëve të tij nuk është më Poeti nuk vdes, sepse Biri i Arbrit, në qiellin tonë i ka skalitur vargjet që i bëjnë dritë po atij Drini edhe në netët më të errëta të vërtetësisë sonë. Do ta lëmë të prehet i qetë shtatë pash lart në qiellin arbëror

“Vritmëni, po gjakun ma mblidhni… se do t’u duhet nipave e mbesave për të shkruar gjuhën shqipe”- Petro Nini Luarasi

Kush i vrau Aristidh Kolën dhe Luka Çiçipin?/

Fahri Xharra/

Por, edhe bijtë e mëdhenj të kombit, Aristidh Kolën dhe Luka Çiçipin, do t`i lëmë të qetë të prehen diku lart në qiellin arbëror, të prehen të qetë për punën e tyre të madhe se edhe këta shpresonin në lindjet e bardha mbi errësirën verbuese të mohimit dhe stërmohimit të një pjese të madhe të Arbërisë dhe arvanitasve mu nga ata, nga të cilët e panë dritën dhe kulturën aty ku e vodhën me themel.

Vdekje nga sëmundja e përgatitur në laborator

Që të dytë, si Aristidhi ashtu edhe Luka, vdiqën në mënyrë të njëjtë, nga e njëjta ”sëmundje” e përgatitur në laboratorët antishqiptare, nga një ”sëmundje”, e cila e sjell heshtjen e të tjerëve për të mos u dëgjuar zëri i së vërtetës së mbyllur me shekuj në shtatë pashët e thellësisë së harresës; duhej patjetër të harrohej se: “Ka pak njerëz në Greqi që nuk e kanë gjyshen apo gjyshin arvanitas” dhe duhej që të mos përmendej se ”Greqia sot i ka 695 fshatra shqiptare ku jetohet shqip, frymohet shqip”, duhet që të mos përmendur kurrë që:”Çamët dhe arvanitasit që jetojnë në Greqi përbëjnë një komunitet prej afro 3 milionë banorësh, ndonëse sot jo të gjithë flasin shqip”.

Duhej që të vdisnin, sepse e kthjellonin ujin e turbullt të historisë; duhej të vdisnin se pastaj në ujin e pastër do të rriteshin troftat të cilat do ta ndërronin emrin e habitatit dhe në atë ujë të pastër të gjithë do ta shihni valën e së vërtetës. Aristidhi dhe Luka e dinin se kur shkruanin nëpër gazeta dhe dilnin në TV shkonin në shtigje me rreziqe të mëdha, por i kishin marrë parasysh të gjitha si edhe dhe gjënë më të keqe…! E ajo i gjeti, se u munduan dhe patën sukses në rrugëtimin e tyre.

Plot akuza dhe “shigjeta me helm” do të hidheshin kundër tij. Më 24 maj 2000, një ditë përpara prezantimit të librit të tij, kushtuar arbëreshit të njohur uratë Antonio Belushit, me titull “Antonio Belushi dhe magjia e traditës popullore”, Aristidh Kola do të shtrohet urgjentisht në një spital të Athinës i sëmurë rëndë. Më 11 tetor të vitit 2000, në spitalin Evangjelizmos në Athinë, vdiq arvanitasi i shquar Aristidh Kola, i cili rënkonte prej një muaj.

Mos-heshtja ndaj së vërtetës

Aristidh Kola ishte studiues, shkrimtar, publicist dhe ka botuar disa libra për çështjen e arvanitasve dhe të Kosovës. Ai gjatë viteve 1995-2000 ishte njëri nga zërat më të fuqishëm në Greqi që mbronte çështjen e Kosovës duke denoncuar masakrat serbe në shtypin grek. Shërbimet dhe kujdestarët e heshtjes ia arritën qëllimit.

E njëjta ”sëmundje” do ta ”gjejë” edhe Luka Çiçipin, i cili po ashtu nuk deshi të heshtë ndaj në të vërtete të madhe; dhe në mënyrë shkencore e shpërndante polenin e kulturës së lashtë arvanite në mënyrë që bletët e së ardhmes të dinë saktë për emrin e luleve polendhënëse.

Luka Çiçipi, profesor i Antropologjisë dhe i Gjuhësisë në Universitetin Aristoteli të Selanikut (Greqi) vdiq të dielën, 14 shtator 2008. I lindur në Athinë në vitin 1946, ai u doktorua në antropologji nga Universiteti i Uiskonsinit, pas përfundimit të dy magjistraturave, një në antropologji dhe një në gjuhësi, në të njëjtin universitet (1981). Ka shkruar librin “Antropologjia gjuhësore e praktikës dhe ndryshimit (dyndjes) gjuhësor: arbërishtja (shqipja) dhe greqishtja në kontakt’ ‘A Linguistic Anthropology of Praxis and Language Shift: Arvanitika (Albanian) and Greek in Contact’ (Clarendon Press, Oxford 1998) dhe dy libra në greqisht: “Hyrje në antropologjinë e gjuhës: Gjuha ideologjisë dhe performansa’ (Gutenberg, Athens 1995) dhe “Nga gjuha si objekt në gjuhën si veprim ‘(Nissos, Athinë 2005), ndërsa një libër nën titullin “Gjuha, praktika, dhe ideologjia: Një qasje dinamike e proceseve sociolinguistike’ ishte në punë e sipër në kohën e vdekjes së tij sipas kontratës me Palgrave Macmillanin. Ka publikuar gjerësisht në revista të tilla si, Word, Language in Society, Journal of Pragmatics, Semiotica, International Journal of the Sociology of Language, Anthropological Linguistics, Journal of Sociolinguistics, Journal of Linguistic Anthropology, Pragmatics etj., mbi çështje të tilla si ideologjitë gjuhësore, teoria politike dhe gjuha, aspektet performuese të gjuhës, teoritë e veprimit shoqëror dhe gjuhësia antropologjike. Ishte anëtar i shoqatave të ndryshme të Greqisë dhe ndërkombëtare (duke përfshirë edhe Shoqatën Antropologjike Amerikane, Shoqatën Ndërkombëtare Pragmatike dhe LSA).

Ai ishte pionier në studimin e gjuhëve të pakicave në greqishte, në kontaktin gjuhësor. Si e gjeti vdekjen, që nuk e deshi, por ia sollën? Sot në Greqi, ata që flasin në publik në lidhje me marrëdhënieve të hegjemonisë, rreth arbërishtes apo cilësdo gjuhë tjetër të pakicave është në shënjestër nga kërcënimet e stilit të Agut të Artë, i cili veçohet dhe në fund të eliminohet fizikisht kudo ku është e mundur. Për fat të keq, kjo është Greqia e sotme dhe e gjithhershme kur janë në pyetje Arvanitasit. Ç`bëri Luka Çiçipi? Në një prej teksteve të tij të fundit mbi gjuhën si një ‘praktikë’, Luka huazon nocionin e’ nënshtrimit të mbarështuar nga shkencëtarët politikë (Laclauja, Mouffeja) për të përcaktuar hapësirën e mjegullt (të paqartë) në të cilin një subjekt është në vartësi nga vendimet hegjemonike të ‘tjetrit’. Vendimet hegjemonike të tjetrit: Harroje!

“Luka, me punën e tij, na tregoi se si mekanizmat e hegjemonisë arrijnë të mbajnë larg nga arena politike debatin e një çështjeje që nuk artikulohet fare: Cila është ajo çështje? Mos fol shqip. Mos e trego se nga lindi shqipja. Mos e përmend të kaluarën tënde se me te e merr vesh bota se unë jam i ardhur pas teje. Mos…mos…mos.

“Ne këtu flasim vetëm greqisht” thuhet në Greqi e referencat e tij të shfaqen në kontekstin komunikativ ku ironia është mbizotëruese – ku arbërishtja po i humb folësit e saj amtarë të fundit, aktivë dhe pasivë. Lluka Çiçipi vdiq me kancer, mundet me të njëjtit lloj si Aristidh Kolias, dhe vdiq në kulmin shkencor.

Ecja kundër rrymës

Pse duhej te vdiste Aristidh Kola në Greqi? Sepse “Arvanitet të këndomi/ Gluhenë të mos harromi” – nuk lejohet. Nuk guxon të jesh arbëror dhe nëse je autor i veprave “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, “Gjuha e perëndive”, “Deklarata e Bashkimit Arvanitas”, “Fjalori korrigjues i fjalëve arvanite”, “Fjalori krahasues i gjuhës shqipe”, “Greqia në kurthin e serbëve të Milosheviqit”, “Kënga e mercenarëve, prejardhja e grekëve”, “Mithi dhe e vërteta”, “Varrimi i tretë i Marko Boçarit”, atëherë të pret vdekja.

“Pse ia sharrojmë vetes degët që kemi nën këmbë. Me fustanellën tonë krenohen fqinjët duke e quajtur pjesë të etnografisë së tyre kombëtare. Pasi na zvogëluan gjeografikisht të tjerët, pse për fajin tonë, vazhdojmë të zvogëlohemi shpirtërisht. E kryepseja: pse pra ne e kemi humbur shansin historik për t`u bërë qendra e mbarë botës arbërore-arvanite-shqiptare?” – pyetet Kolec Tromboini dhe vazhdon: ”Parë në këtë sy, mund të them se diku përtej gardhit tonë, në Greqi, patëm fatin të njohim Aristidh Kolën, personalitetin më të madh arvanitas të shekullit XX dhe një nga njerëzit më të ndritur të kombit tonë.” Vetëm pse mbronte shqiptarët e Kosovës në të drejtën e tyre për liri, u kërcënua publikisht në një emision televiziv nga një gazetare. Për këtë ngjarje skandaloze në median greke, shkruante:

“Shumë miq më telefonuan për të shprehur indinjatën për baltën që hodhi mbi mua zonja Liana Kaneli gjatë emisionit televiziv në “Skaj”, 5 maj 1999, dhe më pyetën përse e përballova me qetësi, kur duhej të kundërsulmoja… Miqtë e mi, mos u mërzisni e mos u hidhëroni për këtë, sepse “e drejta del, vjen kur t`i vijë ora …(Nga rrënjët tona janë në Arbëri).

Aristidh Kola me krenari, me guxim dhe me vetëdije të plotë thoshte:“Kam preferuar gjithmonë të shkoj kundra rrymës e jo të shkoj nga shkon rryma dhe fryjnë erërat. Nuk jam lëpirë e nuk kam puthur kurrë këmbët e përmjerra dhe për këtë e paguaj shtrenjtë dhe në mënyrë të përditshme me nderin, dinjitetin dhe lirinë time…”

Studiuesi arbëresh, Antonio Belushi, në një akademi, u shpreh: “I madhi Aristidh Kola është i pavdekshëm. Ai ndodhet shumë lart në pavdekësi.

Filed Under: Analiza, Histori Tagged With: Aristidh Kolen, Fahri Xharra, kush i vrau, Luka Cicipin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT