• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

­MARREVESHJA E MUKJES, PORTA E MBYLLUR E HISTORISE SE KOMBIT

July 30, 2013 by dgreca

Në kuadër të 70 – vjetorit të Marrëveshjes së Mukjes (1 – 3 gusht 1943 – gusht 2013)/

Shkruan: ZYBA HYSAN HYSA/

Çdo marrëveshje që shkruhet e firmoset jashtë Shqipërisë, për shqiptarët, nuk është marrëveshje, por përqeshje… e fundit marrëveshje në dobi të Kombit, por që për fatin e keq, u prish nga tradhëtarët e interesave kombëtare, ka qenë ajo e Mukjes, marrëveshje midish shqiptarësh. Kush thotë që punoj për kombin, duhet të shkojë të trokasë në portën e historisë së kësaj Marrëveshjeje dhe të dëgjojë zërin e popullit me brohorima të forta sa u drodhën malet, më pas të shkojë portë më portë shqiptare dhe të shtërngojnë dorën njëri – tjetrit për t’u bërë bashkë dhe të ftojnë në bisedime shtetet që na coptuan dhe të këmbëngulin për zgjidhjen një herë e mirë të cështjes shqiptare, jo të hipin ballonës dhe të shkojnë nëpër botë sa për të dalë në foto, apo ne televizion duke qeshur me fatkeqësinë tonë.

Asnjëherë nuk u kuptuan marrëveshjet që janë firmosur nga “shqiptarë” për problemet e shqiptarëve kudo që janë bërë, por në këtë shkrim nuk do të zgjaten në këtë, por kerkoj nga lexuesit të nderojnë ata bij shqiptare që morën pjesë në këtë Marrëveshje dhe të mos flasim më me gjuhen e armikut: “Ti komunist”, “Ti ballist”, “Ti nacionalist”, “Ti demokrat”, “Ti…”,  por ta shohim njëri – tjetrin në sy si shqiptarë, si bij të një nëne, si zotër të vatanit, kush vazhdon rrugën e diskriminimit dhe urrejtjes mes njëri – tjetrit, dashje pa dashje punon kundër vetvetes, kundër zhvillimit dhe bashkiomit tonë kombëtar.

Lavdi firmëtarëve martirë të kësaj Marrëveshje!

Marrëveshja e Mukjes

Burime dokumentare, flasin për një përgatitje serioze të Mukjes. Çdo ngjarje, nuk ndodh spontanisht, ajo është fryt i një punë paraprake dhe lind si domosdoshmëri për të sistemuar arritjet dhe për të vendosur piketat e së ardhmes. Kështu për të shkuar në Marrëveshjen e Mukjes, ishte bërë një përgatitje serioze nga patriotët e kohës, qoftë ata që ishin me Ballin Kombëtar, qoftë me Partinë Komuniste. Këtë gjë e vërtetojnë dokumente të ndryshme që na i sjellin të gjallë edhe sot përpjekjet për të shkuar në një marrëveshje e të gjithë shqiptarëve për të organizuar luftën kundër pushtuesve. “Më 21 korrik 1943, zhvillohet një takim i përbashkët midis Mid’hat Frashërit dhe Hasan Dostit në njërën anë dhe Abaz Kupit e Mustafa Gjinishit nga krahu tjetër. Në këtë takim u vendos mbi kohën dhe vendin ku do të mbahej kuvendi, cila do të ishte platforma e përgjithshme që duhet të arrihej, njëherazi cilat mund të ishin parimet që i ndanin dhe i bashkonin të dy rrymat: po në këtë takim, Mid’hat Frashëri u kumtoi Gjinishit dhe Kupit, se ishte dakord me emrat e propozuara prej Shtabit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar në përbërjen e përfaqësuesve nacionalistë. Për më tej, ai i njohu këta atdhetarë, me traktin që rinia e Ballit Kombëtar kish shpërndarë ato ditë, ku pos të tjerave thuhej: “Nuk na besohet: Bashkim, Bashkim, Bashkim! O Zot i madh, po ne atë themi, atë kërkojmë, atë lusim, atë shpresojmë dhe atë po përpiqemi ta bëjmë, ai do të jetë fati më i lumtur i Atdheut. Dhe jemi ne, nacionalistët që po u themi komunistëve, të cilët, po e përsërisim, janë vëllezërit tanë, sepse janë bijë të njajtës nënë; Shqipërisë! Siç u shtrimë neve dorën e djathtë, ashtu shtrimani edhe juve dorën e djathtë, që t’jua shtrëngojmë me gjithë zemër” (Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë, Fondi 14, dosja “Trakte të Ballit Kombëtar ).

“Më pas takimi tjetër u zhvillua më 26 korrik 1943,në fshatin Tapizë, pak kilometra në veri të Tiranës, në shtëpinë e atdhetarit Ihsan Libohova. Në krye të delegacionit nacionalçlirimtar, në Tapizë ishin; Abaz Kupi, Myslim Peza, Mustafa Gjinishi dhe Ymer Dishnica. Ndërsa delegacioni i nacionalistëve përbëhej nga; Mid’hat Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Quku. Kryetar i këtij takimi, unanimisht u zgjodh Mid’hat Frashëri, i cili gëzonte reputacion në të dy krahët e pothuaj në gjithë Shqipërinë, ndërsa sekretar Mustafa Gjinishi. Gjithashtu me pëlqimin e të dy palëve, në këtë takim u lejuan si konsulentë për vendimet që do diskutoheshin: Ihsan Toptani, Kamber Qafëmolla, Gogo Nushi, Sali Vata, Et’hem Haxhiademi etj. Në rolin e kryetarit të këtij takimi, Mid’hat Frashëri u  përpoq të çonte mesazhin e madh të bashkimit të shqiptarëve, si i vetmi imperativ i ditës. Dhe kur prestarët e këtij takimi, murrën sihariqin e madh të rënies së Musolinit, atëherë ideatori dhe krijuesi i Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri, ftoi burrat e tjerë shqiptarë të krahut tjetër, të kërkonin menjëherë, përpara organizatave ndërkombëtare dhe sidomos përpara Fuqive Aleate, vetëvendosjen e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare, si dhe bashkimin e tyre me shtetin amë. ”Pamvarsisht se lufta ka mbaruar (u shpreh Mid’hati) ne duhet të jemi të bashkuar qysh tani në këtë kërkesë publike, që nesër ajo të jetë e vështirë për t’u manipuluar”(Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë, Fondi 14, dosja “Trakte të Ballit Kombëtar”), (Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë, Fondi 14, dosja “Trakte të Ballit Kombëtar“). Kështu nga këto takime dhe bisedime me krerët e ballit kombëtar dhe të Partisë Komuniste (Jo E. H se ai ishte përherë i shoqëruar me jugosllavët duke studiuar strategjinë antikombëtare), bënë të mundur që të realizohej me sukses organizimi dhe realizimi i Marrëveshjes së Mukjes, si kuvendi i fundit mbarëkombëtar, ku do e merrte në dorë pushtetin më vonë klika antishqiptare e Enver Hoxhës e më pas e pasuesve të tij pushtetarë, që nuk kanë marrë më një ndërmarrje tjetër me rëndësi të tillë Kombëtare. Për takimin, zhvillimin dhe vendimet e saj historike, ka shumë dokumente që flasin, kështu: “Më 3 gusht 1943, në lëndinat e fshatit Mukje, në veri të Tiranës, përqafoheshin të gjithë së bashku, nën emocionet e paharruara të asaj çfarë ishte arritur. Për të parën herë qysh prej vitit 1912, shqiptarët po merreshin vesh me njeri – tjetrin, madje nacionalistë e komunistë formuan dhe shpallën Komitetin Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë, i cili do të çonte shumë shpejt në krijimin e një qeverie provizore” (Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi 270, dosja 11, fleta 18 ).

“Pas tre – katër ditëve, me 2 gusht 1943, na komunikuan mbledhjen e Mukjes, ku kishin marre pjese Balli Kombëtar dhe Partia Komuniste. Nga ana e Ballit Kombëtar ishte Mit’hat Frashri, Isuf Luzi, Thoma Orollogai, nga komunistet: Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi” (P. Velo, “Një dritare burgu”).

“Tani le të shkojmë drejtpërdrejt në Konferenca e Mukjes (1 – 3 gusht 1943), në prag të kapitullimit të Italisë fashiste. Kjo është më e njohur nga lexuesi ynë i zakonshëm. Por ajo që meriton të theksohet është se Thoma Orollogai, me vota unanime (të nacionalistëve dhe të nacionalçlirimtarëve), u zgjodh për të drejtuar punimet e Kuvendit. Në një dokument kam lexuar se fillimisht u zgjodhën më shumë delegatë të nacionalistëve, për shkak të epërsisë së lëvizjes Nacionaliste në shkallë vendi dhe në sajë të shtrirjes së saj, në krahasim me lëvizjen Nacionalçlirimtare, deri në atë kohë. Atëherë dilte objektivisht nga n. çl. – ët kjo e vërtetë: se kolaboracionistët ishin tepër të rrallë. Kjo u tha edhe në Konferencën e Mukjes. Dokumentet konfirmuese janë të shumta, por nuk mungojnë edhe ditarët: ai i Haki Stërmillit, për shembull (por jo ai i manipuluari!). Këshilli i Përgj. N. çlirimtar e propozoi vetë Thoma Orolloganë si bashkëbisedues në Mukje dhe si kryesues të Kuvendit. Mustafa Gjinishi ishte ndër personalitetet më të shquara në Mukje” (“Historiografisë së përdhosur po i vjen koha të spastrohet”  (“Infoarkiv”, më 21 Mars 2013).

Kushdo që ka shkruar për problemin e vëllavrasjes shqiptare, nuk ka lënë pa u referuar Konferencës së Mukjes, që për fatin e mirë dhe të keq të kombit tonë, ishte ngjarja më e rëndësishme që vuri themelet e një bashkëpunimi të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, krahine e bindje politike, në luftë kundër pushtuesve dhe çuarja e vendit drejt zgjedhjeve të lira dhe demokratike pas lufte, por ishte dhe fati tragjik i shqiptarëve i prishjes së kësaj marrëveshjeje dhe fillimi i vëllavrasjes që për fat të keq, vazhdon edhe në ditët tona. Për këtë ngjarje kaq të folur e përfolur nga shumë studiues, historianë… dua të jap të plotë mendimin që ka shprehur Prof. Dr. Isuf Luzaj në intervistën dhënë Vehbi Bajramit, ku ndër të tjera thekson: “Konferenca e Mukjes, në vitin 1943, është ngjarja pa të cilën është vështirë të flitet për historinë e asaj kohe. Ata që morën pjesë në të, me të vërtetë ishin përfaqësues të popullit. Në të merrnin pjesë edhe kosovarët, edhe çamët, edhe komandantët e forcave të armatosura. 12 përfaqësues kishte Balli, e po aq kishte edhe Partia Komuniste. Idenë për mbajtjen e Konferencës e dha Mit’hat Frashëri me Ali Këlcyrën. Mit’hati më pat thënë se idenë e kishte diskutuar edhe me Lef Nosin e Fuat Bej Dibrën. Ky i dyti dikur kishte 5 restorante në Paris. I kishte dhënë Ismail Qemalit 30 mijë napolona floriri që të shëtiste botën dhe i paguante gazetat që të botonte artikuj në dobi të çështjes tonë kombëtare. Erdhi koha që kur u kthye në Shqipëri nuk kishte ku të flinte. Mori me qira një shtëpi në Tiranën e vjetër. Në Konferencën e Mukjes, përveç këtyre të dyve, mbaj mend këta persona nga ana e Ballit: Mit’hat Frashërin, kryetar, Ali Këlcyrën, nënkryetar, Hasan Dostin, sekretar, Hysni Lepenicën dhe Hysni Muçën. Nga ana e Partisë Komuniste ishin: dr. Ymer Dishnica, Abaz Kupi, i cili më vonë braktisi PK për shkak të çështjes së Kosovës, Mustafa Gjinushi dhe Mustafa Kaçaçi. Të tjerët nuk i njihja se kush ishin. Merrnin pjesë mijëra veta që rrinin nën ullinj, se aty nuk kishte shtëpi. Kishte vetëm një mulli atje afër ku flinte Mit’hat Beu i sëmurë nga kolla. Në shesh ishin vendosur 24 veta, ndërsa të tjerët rrinin anash. U bisedua tërë ditën çështja e Kosovës dhe më në fund komunistët dërguan kasnecin që merrte urdhra nga Enver Hoxha: u pranua Marrëveshja. Kur u mor vendimi i përbashkët nga përfaqësuesit e Ballit dhe PK, që Kosova të jetë pjesë e Shqipërisë etnike, jehuan kodrat e fushat nga duartrokitjet e turmës, së cilës nuk i shihej fundi. Gëzim më të madh në jetë nuk kam pasur. Më vonë, siç e dini, nga presioni i komunistëve jugosllavë, komunistët shqiptarë na e kthyen shpinën”.

“Të dy këto formacione luftarake, që deri asaj kohe kishin qenë protagonistë të luftës antifashiste kundër okupatorit italian, në Mukje u përfaqsuan nga këto burra:

Balli Kombëtar nga: Av. Hasan Dosti, z. Mid’hat Frashëri, Av. Thoma Orollogai, komandant Hysni Lepenica, profesor Isuf Luzaj, komandant Kadri Cakrani, major Rauf Fratari, prof Nexhat Peshkëpia, av.Halil Mëniku, komandant Ismail Petrela, prof. Vasil Andoni.

Dhe po sipas procesverbaleve të “Lidhjes së Mukajt”, delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, përbëhej nga: Major Abaz Kupi, nënkolonel Iahja Caçi, komandant Myslim Peza, dr. Ymer Dishnica, z. Mustafa Gjinishi, dr. Omer Nishani, dr. Sulo Bogdo, z. Stefan Plumbi, z. Shefqet Beja, z. Mehdar Shtylla, z. Haki Stërmilli dhe Gogo Nushi.

Kryetar i delegacionit të Ballit Kombëtar ishte Mid’hat Frashëri, ndërsa ai i nacionalçlirimtarëve, Ymer Dishnica. Ndërkaq, nga të dy grupimet politike, pati edhe përfaqsues me votë konsulltative, të cilët ishin; Ihsan Toptani, Zef Pali, Ramazan Jarani, Faik Quku, Et’hem Haxhiademi, Xhemal Herri, Neshat Kolonja, Osman Kazazi, Mid’hat Araniti, Spiro Koleka, Nonda Bulka, Patër Lek Luli etj.

Pasi u bë prezantimi i delegacionit, me votë unanime u vendos që z. Thoma Orollogai, ish kryetar i komisionit të përgatitjes së legjislacionit modern të shtetit shqiptar, të drejtonte Lidhjen e Mukjes, ndërsa sekretar u zgjodh Mustafa Gjinishi. Takimin e çeli Hasan Dosti, i cili, duke qenë ndër nismëtarët e Taipzës, ekspozoi projekt marrëveshjen e arritur atje, që ma parë, e më tej, ftoi të pranishmit, të diskutonin nen për nen, çdo gjë që lidhet me bashkimin e forcave politike si dhe vetë ardhmërinë e kombit tonë. Këtu duhet të them se, në shumë nene të projekt marrëveshjes së Tapizës, kuvendi madhor i Mukjes, i bashkoi përfaqësuesit e Ballit Kombëtar ma atë të lëvizjes nacionalçlirimtare. Në këtë rrafsh dy palët, për hir të fateve të Shqipërisë, pranuan të bashkëpunojnë pa kushte, duke u përpjekur të luajnë misionin e madh në vorbullën e luftës botërore. E vetmja pikë e akt – marrëveshjes, e konstatuar prej përfaqësuesve të lëvizjes nacionalçlirimtare, ishte padyshim çështja e Kosovës. Qëndrimi i nacionalistëve në këtë rrafsh, ishte sa i prerë aq edhe largpamës. Ata kërkuan që të vendosej për të luftuar më tej, për të shporrur okupatorin dhe për të zbatuar parimin e njohur të vetëvendosjes së kombeve, sipas Kartës së Atlantikut, dhe për të rifituar Shqipërinë Etnike. Sapo komunistët e nisën debatin lidhur me këtë pikë, e mori fjalën Mid’hat Frashëri, i cili shpjegoi marrëdhëniet e acaruara shqiptaro – serbe, si dhe faktorët e përhershëm që mbajnë  të ndezur këtë armiqësi. Ai u kujtoi të pranishmëve përpjekjet e mëdha të shqiptarëve,në vitet 1919 – 1939, për t’i treguar Evropës se kufijtë e vitit 1913, do ishin plagë kurdoherë e hapur. Mendimit të gabuar të nacionalçlirimtarëve se “Nuk e kërkojmë Kosovën, pasi atë e ka kërkuar edhe Mustafa Kruja që ishte i lidhur me okupatorin”, Mid’hati i kundërvuri arsyen e fortë sipas së cilës, ajo është një  e drejtë e ligjshme, ku emra të caktuar nuk mund të shpërfillin kërkesa të tilla madhore. Në “ndihmë” të Mid’hat Frashërit u hodhën në këtë polemikë edhe Hasan Dosti, Thoma Orollogai e Hysni Lepenica, fjala e të cilëve u dëgjua me vëmendje dhe u vlerësua. Por në krah të Mid’hatit, u radhitën edhe Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi. Ndërsa Gogo Nushi, një i “sëmurë proletar” i ndikuar nga miqësia “e përjetshme” me serbosllavët, këmbëngulte që “Ne do të përpiqemi që Kosova të vetëvendosë e të bashkohet me Shqipërinë” (Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi 270, dosja 11, fleta 18).

“Ditën e dytë m’u dha fjala mua (tregonte babai) si pjesë e delegacionit të Ballit  Kombëtar.  Fola për një Shqipëri Etnike, as të vogël as të madhe dhe mënyrën e votimit që do bëhej më vonë.  Në mes të fjalës sime u ngrit Mustafa Gjinishi i Nacionales dhe më ka puthur në ballë.  Ju e dini dhe duhet ta fiksoni se Mukja u sakrifikua vetëm që Enveri të rrinte në krye të Partisë Komuniste.  Ai s’kishte alternativë tjetër, ose të sakrifikonte Mukjen ose postin që i premtohej” (Kozeta Zylo). “Bisedë me poetin nga Vlora z. Dalan Luzaj”, gazeta “Dielli”, January 2012).

Prof. Dr. Isuf Luzaj kujton: “Kur u bë pajtimi mes ballistëve dhe komunistëve në Konferencën e Mukjes hartuam traktet; i hodhëm në Tiranë e gjetkë dhe së bashku me Mit’hat Frashërin, Fiqri Dinen, Fuat Beun dhe Lef Nosin vajtëm në Dibër. Më emëruan përfaqësues të çetave të Ballit Kombëtar. Unë duhej t’u jepja urdhër çetave sesi duhej të vepronin dhe t’i raportoja Komitetit. Hysni Lepenica u emërua komandant i çetave të Ballit në Jug të vendit, ndërsa Skënder Muço ndërlidhës i çetave të Ballit me Komitetin Qendror. Në atë kohë italianët dogjën pallatin e Fiqri Dines. Ai pallat i bukur, me katër kate, bëri dy javë derisa u dogj. Filluam luftën kundër italianëve. Me ne ishte edhe Cen Elezi, i biri i Isuf Elezit. U mblodhëm 180 bajraktarë dhe formuam “Besën dibrane”. Mbajti një fjalim Mit’hat Beu. Fola edhe unë. Dëshpërimin më të madh në jetë e kam pasur atje, kur e kuptova se ata që udhëhiqnin Ballin ishin bejlerë. Fatkeqësia më e madhe ishte se disa prej tyre kishin bashkëpunuar me qeverinë italiane, siç ishin Gjon Marka Gjoni, Pjetër Llaci, Mustafa Kruja… Dhe ata ishin këshilltarët e Ballit Kombëtar. Në Dibër gjetëm edhe një prefekt nga Kurveleshi që, po ashtu, kishte bashkëpunuar me italianët. Kështu, “Besa dibrane” u shua, ndërsa italianët vranë Qazim Koculin në Vlorë. Vdekja e tij ishte edhe vdekje e Ballit, sepse ai ishte si Perëndia i Labërisë. Kur i thosha popullit që të shkojmë në luftë, më pyesnin: “Ç’thotë Qazimi?”. Po të mos vritej ai, mendoj se nuk do të fitonte as Partia Komuniste”.

Prishja e Marrëveshjes së Mukjes:

Fill pas Marrëveshjes së Mukjes, me një ngazëllim të pa shoq në zemër, patriotët e vërtetë filluan të marrin kontakte për të koordinuar luftën e përbashkët kundër pushtuesve. Kështu (meqë Shtabi i Përgjithshëm i Nacionalçlirimtares ishte në Librazhd (Orenjë), u la që të bëhej një takim gjithëpërfshirës, ku do merrte pjesë, ndër të tjerë  edhe Isuf Luzaj.

“Në datën 8 gusht 1943, u la një tjetër takim midis komunistëve dhe delegacionit të Ballit Kombëtar, lidhur me vendimin e “Lidhjes së Mukjes” për të caktuar në mënyrë definitive, detyrat e Komitetit të Shpëtimit. Në 7 gusht, komunistët u kërkuan prijësve të Ballit Kombëtar që ky afat të shtyhet për gjashtë ditë. Vendi i takimit, u caktua fshati Orenjë i Çermenikës (Librazhd), afër të cilit ndodhej Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. E vërteta është se përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, Vasil Andoni, Isuf luzaj, Abaz Omari, Et’hem Haxhiademi dhe Halil Mëniku, që më 14 gusht shkuan në Orenjë. Ata pritën aty katër ditë me radhë të vetmuar, duke shpresuar më kot, kuvendimin e mundshëm. Për turp të komunistëve, ”Lidhja e Mukjes” ishte tradhtuar. Ç’farë kishte ndodhur në të vërtetë? Dy prej pjesëmarrësve në kampin komunist të asaj kohe, N. Kerenzhi dhe Ymer Dishnica, kanë hedhur dritë mbi ngjarjen. Ata tregojnë se si është turbulluar dhe çorrur Mugosha në sy të komunistëve shqiptarë, ashtu si kundër ka sharë poshtë e lartë Popoviçi. Të dy emisarët jugosllavë, duke pasur si vegël të bindur në duart e tyre, E. Hoxhën, mblodhën në fshatin Vithkuq të Korçës, në mënyrë urgjente klikën komuniste të Tiranës. Në këtë takim konspirativ dhe urgjent, Mugosha, i pari e dënoi marrëveshjen e arritur në Mukje, madje kërkoi të merren masa ekstreme për përfaqësuesit e delegacionit nacionalçlirimtar. Ndërsa serbi tjetër, Popoviçi duke folur mbi rrezikun që kishin teza të tilla si ajo e Shqipërisë Etnike, shkoi më tutje. Ai u propozoi komunistëve shqiptarë, luftë të hapur dhe të armatosur, ndërsa përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, prisnin në Orenjë, të diskutonin me komunistët, këta, prej Vithkuqi, më 8 gusht 1943, porositën veç të tjerave, komitetin qarkor të Vlorës, ku patën filluar luftëra të përbashkëta kundër italianëve: “Lajmërohemi se ju është dërguar nga Tirana një trakt për t’u shpërndarë, i firmosur prej Komitetit për Shpëtimin  e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur në mes të KNÇL dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt është në kundërshtim me vijën nacionalçlirimtare dhe nuk aprovohet nga K. Q. i Partisë. Prandaj në rast se nuk e kini shpërndarë, griseni dhe të mos flitet më, për të”. (Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi 14 , dosja 11, fleta 4 ).

“Ndërsa nga ana e tyre, emisarët jugosllavë, i dërguan një mesazh K. Q. të PKJ – së ku mes tjerash thuhet: “Kemi ndikuar fuqimisht tek udhëheqja e Partisë Komuniste Shqiptare dhe në përgjithësi tek Lëvizja Nacionalçlirimtare, që të prishin marrëveshjen e Mukjes” (R. Rajovi, ”Autonomia Kosovo” Beograd 1985 ).

“Sipas modeleve të shumta bolshevike dhe të udhëzuara në çdo moment nga Beogradi, klika komuniste shqiptare, nuk vonoi të nxjerrë “tradhtarët” nga radhët e saj, të cilët, në vend që t’i fusnin Ballit Kombëtar dy këmbët në një këpucë, ranë në ndikimin e tyre për Shqipërinë Etnike. Kështu Mustafa Gjinishi, i cili, kundërshtoi deri në fund, për kinse tradhtinë e Mukjes, u pushkatua një vit më pas, ndërsa Ymer Dishnica u kalb burgjeve, pa folur për Abaz Kupin që një vit më vonë u dënua me vdekje. Në fakt merret vesh lehtë nëse studion dokumentet e Mukjes, se këta assesi nuk mund të jenë “tradhtarët” e Mukjes, të tjerë ishin ata, të kryesuar nga kolaboratori i sllavëve Enver Hoxha dhe radha e atyre komunistëve, që filluan luftën vëllavrasëse, vetëm e vetëm për të siguruar pushtetin bolshevik në duart e tyre. Historia vërtetoi më së miri tradhtinë e “nacional – çlirimtarëve” shqiptar. Ata u puthën e përqafuan me sllavokomunizmin bolshevik, duke i ngulur thikën pas shpine nacionalizmit shqiptar, ndërsa Kosova dhe viset tjera etnike shqiptare për më se pesë decenie me radhë kulluan dhe kullojnë gjak të pastër shqiptari. Por ndërsa Kosova e pa ditën e bardhë më vitin 1999, atëherë kur gjaku vaditi lirinë, ndërsa viset tjera etnike  po përpiqen ta zënë atë, me trishtimin e historisë. Sidoqoftë mbetet vendosmëria, atdhetaria dhe patriotizmi i individëve për të dëshmuar se kufijtë e atdhetarizmit janë të padukshëm. Mukja ngel dhe më tej një mësim për gjeneratat e ardhshme se si luftohet e si fitohet por edhe se si dhe kujt duhet ti besohet (Shqipni e lirë, Gusht 1943), (Arkivi Qendror i Shtetit, Tiranë. Fondi 270, dosja 5, fleta 2 – 4 ).

E pse gjatë kohës së diktaturës nuk është përmendua asnjëherë ky bashkëpunim në luftë kundër Italisë fashiste, dokumentet vërtetojnë se luftimet vazhduan kështu derisa dolën hapur kundra Ballit Kombëtar, strategji kjo e serbëve që në Luftën Ballkanike, ku thirrja nuk ishte “Vrisni turq, por shfarosni shqiptaret!”, po kjo ishte thirrja e Partisë Komuniste përmes mësimeve të Dushan Mugoshës dhe Miladin Popovicit: “Vrisni sa më shumë ballistët!”

Kjo tregon qartë rolin tepër armiqësor të ndërkombëtarëve, ku përgjegjës kryesorë janë shtetet e mëdha evropiane që e përligjën taktikën e tyre skllavëruese ndaj kombit tonë që në vitin 1913, me copëtimin e trojeve etnike shqiptare. Sot më shumë se kurrë, pas 100 e ca vjet nën copëtim, këto shtete duhet ta tregojnë veten që janë demokratizuar dhe matës për to është dhënia e të drejtës për vetëvendosje të kombeve në bazë të Kartës së Atllantikur të Veriut, se ajo është e drejtë për të gjithë, jo vetëm për serbët e veriut të Kosovës që po” tunden” mediet për “bisedimet” frutdhënëse të Kosovës me Jugosllavinë. Ne hyjmë në bisedime, jo për të fituar, por për të humbur, apo për të fituar kohë për strategji të reja antishqiptare. Çështja shqiptare paraqitet përherë e vështirë, por ajo është çështje e zgjidhur, kufijtë dihen, vetëm duhet një takim botëror për të nënshkruar mëvetësinë dhe atëherë Ballkani do provojë për herë të parë paqe dhe mirëkuptim midis komeve dhe kombësive si njerëz të qytetëruar dhe Evropa do marrë një portret demokratik tashme të shpalosur e të vërtetë.

Prishja e Marrëveshjes së Mukjes, nuk mund të pengonte përkohësisht bashkëpunimin luftarak midis forcave të Ballit Kombëtar dhe Nacionalçlirimtares, se do të ishte me pasoja të rënda për komunistët, ndaj ata pezulluan marrëveshjen, por luftimet vazhduan të bëheshin së bashku. Ngazëllimi i Marrëveshjes i ngriti zemrat peshë patriotëve, të cilët ishin rreshtuar, si në Ballin Kombëtar, ashtu edhe në Nacionalçlirimtare, ku shumica e tyre, as që e kishin idenë se ç’është komunizmi, por të prirur për të vazhduar luftën për liri, gjë që komunistët ishin në një pikëpamje me nacionalistët në atë kohë, apo më mirë të themi, kjo u përdor si mashtrim për popullin, për t’u radhitur pas partisë Komuniste. Kështu ky bashkim i shumëpritur dha rezultatet e luftërave të organizuara duke i sjellë humbje të njëpasnjëshme fashistëve italianë.

Po të shfletojmë historinë në bazë të dokumenteve, vërejmë se luftërat e përbashkëta kundër pushtuesve vazhduan edhe pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes e pse kurrë në historinë e diktaturës nuk u përmendën. Mendoj se kjo luftë përsëri u shfrytëzua nga krerët e Partisë Komuniste dhe misionarëve jugosllave për dy qëllime:

I trembeshin humbjes ndaj pushtuesve pa nacionalistët që kishin edhe forca, edhe mjete financiare, por edhe besim në popull.

Ishte shpejt për të dalë hapur me popullin, ishte në kuadër të diskriminimit të kokave të partive akoma, pra të bëhej diskriminimi i udhëheqësve të nacionalizmit, më pas, të bëhej thirrja që të bashkoheshin me Partinë Komuniste.

Në librin “Sharrajt në Jetën e Kombit” faqe 103, në rrëfimet e Istref Mustafaraj ndër të tjera ai tregon vrasjen e Hazis Sharrës, vrasje që shënon vëllavrasjen, apo fillimin e luftës civile në Shqipëri. “Sipas vendimit të Qarkorit dhe të njësitit gueril, urdhrin me shkrim për vrasjen e Haziz Sharrës të nënshkruar nga Mihal Prifti (Prof. në Tregtaren e Vlorës) dhe P. RR, ma dorëzoi mua në dorë shoku ynë Miço Emini në mëngjesin e 6 tetorit 1943. Pas njohjes me urdhrin për vrasjen e Haziz Sharrës të cilin e njihja që nga prilli i 1939 kur së bashku me Mitaq Sallatën, Azbi Tepelenën, Nuri Arapin etj kishim shkuar për të kërkuar armë për të luftuar në Bestrovë, ne nisëm të mendonim vetëm për kryerjen e tij, sepse për ta diskutuar atë urdhër as që bëhej fjalë. Atë kohë në praktikën e njësitit gueril kur të ngarkohej ndonjë atentat apo aksion tjetër, kurrsesi nuk duhet të kërkoje shpjegime, por vetëm duhet ta zbatoje atë që të ngarkohej. Kështu pas marrjes së urdhrit për kryerjen e atentatit, në mëngjesin e shtatë tetorit 1943, unë së bashku me dy shokët e mi Elham Doçi dhe Jonuz Peja, të mbështetur dhe nga tre katër pjesëtarë të njësitit i zumë pritë Haziz Sharrës i cili pasi doli nga shtëpia e tij aty pranë Sheshit të Flamurit, u nis për në drejtim të Rrugës Muradie (sot Rruga Muze). Duke e ditur se Hazizi ishte një djalë trim e shumë i fuqishëm ku të gjithë mundoheshin t’i evitonin përplasjet me të, edhe ne kishim menduar që të mos përballeshim dhe pasi ta linim të kalonte, do ta qëllonim nga pas”, kjo qe edhe ndarja përfundimtare e luftimeve të përbashkëta të forcave nacionaliste me nacionalçlirimtaren. Kjo vrasje do ishte shigjeta e helmatisur nga jugosllavët dhe e hedhur me dorën e komunistëve shqiptarë, kështu u prishën përfundimisht ekuilibrat e patriotizmit shqiptar, këtu do ndërpritej aspirata e luftës së popullit tonë për pavarësi kombëtare, këtu nuk u lejua më të përdorej termi “Shqipëri Etnike”.

Për nga rëndësia e Marrëveshjes së Mukjes, nuk do rrinte pa shprehur opinion edhe vetë pjesëtari i kësaj marrëveshje, Isuf Luzaj: “Konferenca e Mukjes, më 1943, është ngjarja pa të cilën është vështirë të flitet për historinë e asaj kohe. Ata që morën pjesë në të, me të vërtete ishin përfaqësues të popullit. Në të merrnin pjesë edhe kosovarët e çamët dhe komandantët e forcave të armatosura. 12 përfaqësues kishte Balli e po aq kishte edhe PK – ja. Idenë për mbajtjen e Konferencës e dha Mit’hat Frashëri me Ali Këlcyrën. Mit’hati më pat thënë se idenë e kishte diskutuar edhe me Lef Nosin e Fuat Bej Dibrën. Ky i dyti dikur kishte 5 restorante në Paris. I kishte dhënë Ismail Qemalit 30 mijë napoleonë florinj që të shëtiste botën dhe i paguante gazetat që të botonte artikuj në dobi të çështjes sonë kombëtare. Erdhi koha që kur u kthye në Shqipëri, nuk kishte ku të flinte. Mori me qira një shtëpi në Tiranën e vjetër. Në Konferencën e Mukjes, përveç këtyre të dyve, mbaj mend këta persona nga ana e Ballit: Mit’hat Frashërin, kryetar, Ali Këlcyrën, nënkryetar, Hasan Dostin, sekretar, Hysni Lepenicën dhe Hysni Muçën. Nga ana e PK – së ishin: Dr. Ymer Dishnica, Abas Kupi, i cili me vone braktisi PK – në për shkak të çështjes së Kosovës, Mustafa Gjinushin dhe Mustafa Kacaci. Të tjerët nuk i njihja se kush ishin. Merrnin pjesë mijëra vetë që rrinin nën ullinj, se aty nuk kishte shtëpi. Kishte vetëm një mulli atje afër, ku flinte Mit’hat Beu i sëmurë nga kolla. Në shesh ishin vendosur 24 veta, ndërsa të tjerët rrinin anash. U bisedua tërë ditën çështja e Kosovës dhe më në fund komunistët dërguan kasnecin që merrte urdhra nga Enver Hoxha: u pranua marrëveshja. Kur u mor vendimi i përbashkët, nga përfaqësuesit e Ballit dhe PK – së, që Kosova të jetë pjesë e Shqipërisë etnike, jehuan kodrat e fushat nga duartrokitjet e turmës, të cilës nuk i shihej fundi. Gëzim më të madh në jetë nuk kam pasur. Më vonë, siç e dini, nga presioni i komunistëve jugosllavë, komunistët shqiptarë na e kthyen shpinën”.

Ne, shqiptarët, duhet të kuptojmë mirë besën, kujt ia japim dhe si ta ruajmë këtë besë. Për fat të keq, edhe sot më shumë dëgjohen dhe besohen të huajt se sa besojmë dhe dëgjojmë njëri – tjetrin. Nëse nuk do arrijmë të kuptojmë shenjtërinë e këtij virtyti të trashëguar ndër breza, ne kurrë nuk do ecim përpara, ne do mbetemi skllav i të huajve dhe armiq të njëri – tjetrit.

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: e Mukjes, marreveshja, Zyba Hysa

Edhe një përpjekje tjetër për paqe në Lindjen e Mesme

July 30, 2013 by dgreca

Nga Frank SHKRELI/

Ndërsa përveç turistëve nga e mbarë bota, në këto ditë vape të korrikut, Uashingtoni pothuaj është boshatisur për arsye të pushimeve verore të mijëra nëpunësve dhe zyrtarëve të ndryshëm të qeverisë federale dhe të tjerëve, administrata e presidentit Obama, nëpërmjet Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, njoftoi të hënën rifillimin — pas një ndërprejeje prej tre vjetësh — të bisedimeve për paqë në Lindjen e Mesme, midis Izraelit dhe Palestinezve. Sipas Departmentit amerikan të Shtetit, të dy palët kanë rënë dakort të vazhdojnë bisedimet për nëntë muajt e ardhëshëm.

Ashtu si pothuaj çdo president amerikan para tij, edhe presidenti Obama e ndjen jo vetëm të nevojshme, por edhe si detyrim, që të përpiqet të bëjë ç’është e mundur për të ulur të dy palët në tryezën e bisedimeve me qëllim që më në fund të vendoset paqa midis Izraelit dhe Palestinës, si kyçi për paqë në të gjithë Lindjen e Mesme. Duke njoftuar fillimin e bisedimeve midis dy palëve, si dhe emërimin e përfaqsuesit të posaçëm amerikan për bsiedimet iraelito-palestineze, ambasadorin Martin Indyk, Xhon Kerri tha se ishte vizita historike e Presidentit Obama në Ramallah marsin që kaloi, ajo që solli këtë moment të fillimit të bisedimeve. Kryediplomati amerikan njëkohsisht falënderoi edhe presidentin palestinez Abas dhe kryeministrin izraelit Netanjahu për udhëheqjen e tyre të guximshme, si dhe për gatishmërinë e tyre për të marrë vendime të vështira, “për një çështje aqë të vështirë, të komplikuar, aq emocionale dhe simbolike”, tha ai. Z. Kerri shtoi se procesi i negociatave do të jetë i tepër i vështirë, sepse po të mos ishte i tillë, paqa do ishte vendosur me kohë midis dy popujve. Por me vendosmërinë dhe me shpresën dhe optimizmin amerikan për suksein e bisedimeve dhe për një zgjidhje eventuale midis palëve, ai tha se pasojat për të mos bërë asgjë në këtë drejtim, janë shumë më të këqia.

Sekretari i Shtetit Kerri, duke paraqitur diplomatin e njohur Martin Indyk si përfaqsues të posaçëm amerikan në këto bisedime, tha se ambasadori Indyk “Është reaslist. Ai e di se paqa midis palestinezve dhe izraelitëve nuk do të vijë kollaj dhe se nuk do të ndodhë shpejt. Por, njëkohsisht, ai është i vetdijshëm se tani ekziston një rrugë e hapur përpara, dhe se këjo rrugë duhet ndjekur me urgjencë”, shtoi Xhon Kerri. Ndërsa, Ambasadori Indyk, duke falenderuar Sekretarin Kerri për emërimin e tij në këtë detyrë të rëndësishme, por me plotë sfida, citoi nga fjalimi i Presidentit Obama në Jeruzalem marsin që kaloi, se në Lindjen e Mesme, “Paqa është e nevojshme, paqa është e drejtë dhe paqa është e mundshme”, tha se pret të punojë ngushtë me Sekretarin Kerri, me Presidentin Palestinez Abas, me Kryeminstrin izraelit Netanjahu dhe me delegacionet e të dy palëve, për të bërë çdo gjë të mundur që të realizohet vizioni i Presidentit Obama për dy shtete, në paqë dhe siguri me njëri tjetrin”, që në të vërtetë ka qenë vizioni edhe i administrave të mëparshme amerikane. Xhon Kerri tha se, “Nëqoftse udhëheqsit e të dy palëve vazhdojnë të tregojnë udhëheqje të fortë, vullnet të mirë dhe gatishmëri për të marrë vendime të vështira dhe të bëjnë kompromise, atëherë paqa është e mundur.”

A është ky një ”mission i pamundur” që ka ndërmarrë Sekretari Kerri, pasi në fund të fundit, për dekada tani, përpjekjet amerikane për të sjellur paqën në Lindjen e Mesme kanë dështuar. Megjithse pala amerikane duket më entuziaste dhe më me shpresë për mundësinë e suksesit të këtyre bisedimeve dhe ndërsa Liga Arabe duke se i ka dhënë aprovimin e saj nismës diplomatike të administratës Obama për rifillimin e bsiedimeve, përfaqsuesit e të dy palëve, siç duket, janë më të rezervuar mbi ato që presin nga këto negociata, ndërsa shprehën qëndrimet e njohura të tyre. Ministri i jashtëm i Autoritetit Kombëtar Palestinez, Riyad Maliki u tha gazetarve të hënën se, “Objektivi i delegacionit palestinez në këto bisedime është që të theksojë faktin se ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara të veprojnë për t’i dhënë fund okupimit izraelit dhe të punojnë për krijimin e një shteti palestinez.” Ndërsa ambasada izraelite në Uashington, nepërmjet një deklarate pak si evazive tha se “Izraeli i konsideron Shtetet e Bashkuara si një partner jetik në përpjekjet tona për paqë me palestinezët. Ne mirëpresim një rol aktiv dhe krijues amerikan dhe njëkohsisht përkrahim përpjekjet e Sekretarit Kerri për të sjellur përsëri palestinezët në tryezën e bisedimeve.”

Por megjithëkëtë, Sekretari amerikan i shtetit Xhon Kerri duket se e ka marrë këtë nismë me seriozitetin më të madh. Ai ka bërë gjashtë udhtime në Lindjen e Mesme ç’prej kohës që është emëruar si kryediplomati i Shteteve të Bashkuara. Gjatë atyre vizitave në rajon, ai ndërmori atë që ishte bërë e njohur nga parardhësi i tij dekada më parë, Henri Kissinger si diplomacia vajtje-ardhje nga një kryeqytet i Lindjes së Mesme në tjetrin. Megjithë entuziazmin e Sekretarit Kerri, ka mundësi që përpjekjet e reja të diplomacisë amerikane të mos sjellin asnjë hap ose rezultat të mirë drejtë paqës në Lindjen e Mesme, mendime këto që në të vërtetë po shfaqen edhe nga disa ekspertë si dhe në editorialet e gazetave më të mëdha amerikane. Por Sekretarit amerikan të shtetit — megjithë përspektivat e paka për sukses — duhet t’i njihet kredia që të pakën ndërmori nismën për rifillimin e bisedimeve palestinezo-izraelite, duke shpresuar për një marrveshje që do të çonte në realizimin e vizionit për dy shtetete që do të jetojnë në paqë me njëri tjetrin. Përballë sfidash të mëdha, është më mirë të provosh të bësh diçka për të përmirsuar gjëndjen edhe nëqoftse më në fund dështon, se sa mos të përpiqesh të bësh asgjë.

 

Filed Under: Analiza

Turizmi kulturor –një dritare mbaje hapur për vendin tënd

July 30, 2013 by dgreca

*Gjashte monumentet prehistorike,7- monumentet e periudhës qytetare,10- objekte të kultit,4-veprat e artit,6- banesa popullore.

*Nëntoka e Vlorës dhe mbitoka kanë nxjerre , ndërkaq janë listuar numër i konsiderueshëm objektesh arkeologjike. Kjo si dëshmi e plotë e historisë duke ecur nga antikiteti deri në periudhat e fundit. Kjo pasuri e klasifikuar te turizmi kulturor mund dhe duhet të grish turistët.

Nga Gëzim Llojdia/

Ne Foto:Turistet ne qytezen e Orikut/

Diversiteti i pasurisë kulturore evropiane dhe dinamizmi i krijimit artistik paraqesin dëshmi të rëndësishme, ose le të themi, themelore të qytetërimeve të “identitetit evropian”, thotë Ëikipedia për turizmin kulturor në Shqipëri.Pasuria kulturore përkufizon identitetin e një bashkësie njerëzore dhe përben një resurs të çmuar i cili për vetë natyrën e tij të ndërlikuar, nuk është i rinovueshem dhe për këtë gjë ka nevoje të mbrohet dhe vlerësohet për t’i garantuar jetëgjatësinë dhe përfitimin në kohëzgjatje.Qytetet artistike ose historike, le të themi, janë gjithmonë e më të privilegjuarat nga pikëpamja e vëzhguesve dhe ruajtësve të artit dhe kulturës, duke qenë se janë ata pasqyruesit e saj të vërtete si auto-oferta turistiko-kulturaleDuke qenë se oferta historiko-kulturore sebashku me ruajtjen e ndërtesave dhe pasurisëarkeologjike/artistike/kulturore përkrah çilesise se këtyre ofertave, përforcojnë interesat e këtyre zonave urbane duke shtuar investimet dhe përfitimet ekonomike, si në kuptimin e investitorëve lokale ashtu dhe në atë të flukseve turistike.Turizmi kulturor (ose kultural) ka si qellim të japë kontributin e tij duke përqendruar vështrimin në aspektet ekonomike dhe të punësimit, duke nënvizuar vlerën e aktiviteteve kulturore dhe kontributin e saj në ndërthurjen dhe mbarëvajtjen e raporteve sociale, në identitetin rajonal dhe në zhvillimin e komunitetit në kontekstin urban.

Numri i atyre turistëve, që kanë dëshirë të eksplorojnë objektet kulturore si dhe ata, që kërkojnë të njihen me kulturën e një vendi është i vogël. Ndryshe nga turizmi i rërës dhe diellit ku drejt plazhe  rendin të gjithë ti frekuentojnë, tek turizmi kulturor numri i kureshtarëve mbetet i pakët. Arsyet mbi të cilat grishet ky gjykim janë:

 

1-Nga të dhënat e përgjithshme  vetëm rreth 10% e fluksit të turistëve vërshon drejt turizmit kulturor.

2-Një turist mbasi ka vizituar një herë një objekt kulturor,sit arkeologjik,muze,kala,objekt kulti, ai nuk kthehet më,por kërkon mundësi të reja eksplorimi kulturor. Numri i atyre, që rikthehen kryesisht në site arkeologjike është i vogël. Në një anketim te parqet arkeologjike të Vlorës me  turistë të kësaj fushe  ,rreth kësaj pyetje:A do të riktheheshin sërish?

Përgjigja e tyre ishte mohuese duke shpjeguar se ishin në kërkime të mundësive të reja. Një pakicë u përgjigj pozitivisht, ja vlen ti rishikosh nëse ka edhe zbulime të reja .Një kategori, që vjen për të eksploruar objektet kulturore kishte edhe mundësi të kufizuar kohe dhe sigurisht  financiare.

3-Nga numri i përgjithshëm i turistëve, që vijnë në vendin tonë vetëm një pakicë shpreh interesa  kulturore, që do të thotë:  dëshirë për të vizituar muzetë,sitet arkeologjike,kështjella,objekte kulti etj.

4-Destinacioni: Albani-Ballkan është fare pak i pranishëm nëpër panaire turistike me stenda gati modeste krahasuar me vendet fqinje. Konsujt,atashetë kulturore të vendit  në përfaqësitë shqiptare në botë,janë thjeshtë rrogëtarë.Punën e tyre  nuk e kanë konsideruar ndonjëherë të lidhur me zhvillimin e  turizmit të vendit të tyre.

Cilët janë turistët që frekuentojnë  turizmin kulturor?

Nxënësit e shkollave,studentet,intelektualët,shkencëtarët,studiuesit si dhe një pakicë kureshtarësh. Vendet nga të cilat vijnë turistët janë:Greqia,Italia,Franca.Turistë lindore shumë pak ndërsa s’bëhet fjalë për aziatikët. Shifrën më të madhe të vizitorëve, që kanë  parë objekteve kulturore në Vlorë  e përbëjnë  shqiptarët nga trojet shqiptare si :Kosova,Mali i Zi,Maqedonia.

Guidat: Dy fjalë të shkurtra mund ti përmbledh kështu:Cekët të cilët kanë frekuentuar Vlorën në guitën e tyre për Shqipërinë kishin në kopertinë një kalë të paraqitur si atraksion të veçantë. Mbetet i çuditshëm fakti:Në Orikum është ndërtuar një port jahtesh me pronarë italiane dhe izraelitë etj. Asnjë interesim nuk kanë shfaqur për të vizituar rrënojat në lagunën e qytetit .Çudia tjetër buron nga fakti  se  ky qytet ,pra Oriku në mesjetë ka mbajtur një emër  Jerico(,qytet  i sotëm me po këtë emër  në Izrael), vetëm 5 km distancë dhe asnjë kuriozitet. Një guit  e prodhuar në Romë për Ballkanin të cilët e kishin dy motorist italianë ,aty shtetet ballkanike përfaqësoheshin denjësisht,kurse Shqipëria vetëm me 10 rreshta. Ne prodhojmë brenda vendit dhjetëra guida, por sa prej tyre bien në duart e të huajve. Problemi është i qartë si drita e këtij dielli:Si do të mund të futen në guidat e të huajve njohurit për Shqipërinë?

Këtë duhet ta zgjidhin konsujt shqiptarë apo atashetë kulture të vendit tonë.

 Një turistë kur niset për destinacion jashtë vendit të tij, blen më parë një guit në shitoren e qytetit të tij. Kështu ai vjen i “armatosur “ dhe thuajse eksploron ato çfarë ka të shkruara në guitën e vendit të tij.

Disa aspekte të tjera që do të mund të përmirësonin punën e turizmit kulturor. Infrastruktura rrugore.

 Për të shkuar në qytetin Olympia- mungon rruga. Nuk ka guit. As një tabelë apo shënues në kryqëzimin e fshatit Mavrovë e sotme. Distanca 16 km nga qyteti i Vlorës. Po ndërtohet rruga për në Amantia,qytete ilir, 37 km nga qyteti. Mungon restaurimi i objekteve të cilat kanë parë dritën e diellit vetëm 60 vjet më parë nga ekspedita arkeologjike. Mungon infrastruktura rrugore për në Cerje, nuk ka guit për Shpellën e shkruar të Lepenicës dhe Velcës,nuk ka restaurime të reja në Orik . Përmirësimi i rrugës  për në kalanë e Kaninës, rregullimi i urës për në Manastirin e Zvernecit ,restaurimi i  i objektit.Infrastruktura rrugore,guitë,personel i kualifikuar shkencor për site arkeologjike etj.

Më çudit fakti që të gjithë ngrenë këto probleme,që nga punonjësi i thjeshtë,qytetari shtetari dhe zyrtari. Problemi është kaq i thjeshtë: kush duhet ti vejë në jetë ?

Cilat janë disa nga objektet arkeologjike, site,kala,kështjella,objekte regjionale të cilat shprehin interes për tu vizituar nga turistët në rrethin e Vlorës ?

Monumentet prehistorike

Vendbanimi paleolitik i Zvërnecit.

 Shpella e Himarës. vendbanim mezolitik.

Shpella e Velcës. vendbanim neolitik.

Shpella e Lepenicës. periudha e bronzit.

Kodër-varret Dukat-fushë. periudha e bronzit.

     6-Kodër-varret Vajzë. periudha e bronzit.

Monumentet e periudhës qytetare

Qyteti i Amantias (Ploca).

Qyteti i Kionina (Kanina).

Qyteti i Olimpias (Mavrova).

Qyteti i Orikut (Orikum).

Qyteti i Aulonës (Vlora).

Qyteti i Himaraj (Himara)

7-Mbishkrimet në Gramë-Karaburun

objekte të kultit

Kisha e Shën Kollit, Armenit.

Kisha e Marmiroit, Dukat.

Kisha e Shën Mërisë, Zvërnec.

Kisha e Shën Sotirës, Dhërmi.

Kisha e Ipapandisë, Dhërmi.

Kisha e Shën Mërisë, Dhërmi.

Kisha e Mesodhisë, Dhërmi.

Kisha e Shën Sergejit dhe Bakut, Himarë-fshat.

Kisha e Athalit, Himarë-mal.

Xhamia e Muradijes, Vlorë.

Veprat e artit

1. Ura e Bratit.

2. Ujësjelllësi i Vranishtit.

3. Ura e Frëngut, Gjorm.

4. Ura e Slapit, Drashovicë.

Banesa popullore

Kullat e Dervish Aliut, Dukat.

Kullat e Ali Tashë Tepelenës, Gumenicë.

Godina e muzeut të pavarësisë.

Godina e klubit patriotik “Labëria”

Kompleksi ndërtimor i rrugës Justin Godar”.

 Sahati i qytetit.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, mbaje hapur, nje dritare, per vendin tend, Turizmi kulturor

VËRTETË KEMI BAJRAM E PASHKË, POR SHQIPTARINË E KEMI BASHKË

July 30, 2013 by dgreca

Nga Dalip Greca/

Titullin e këtij editoriali ia kam marrë borxhAt Gjergj Fishtës. Mendoj se nuk ka shprehje më të gjetur se kjo për të shprehur realitetin e shkueshmërisëfetare mes shqipatrëve.Vetë Fishta ishte modeli praktik i asaj harmonie ndërfetare që shqiptarët e kanë fe’ e përmbi f’e. Është shumë dmoethënës akti i priftit franceskan, intelektualit erudit, politikanit kombëtar, letrarit të shkëlqyer-kandidat për çmimin Nobel, At Gjergj Fishta, kur me çlirimin e Shqipërisë nga perandoria Osmane, do të ngrinte Flamurin Kombëtar në Shkodër, dhe në bashkëveprim me myftiun e xhamisë pranë, do të lidhte me konopin, ku ishin vendosur dritëza ndriçuse, këmbanoren e kishës me minaren e xhamisë, ndërkohë që në të dyja, edhe në minare, edhe në këmbanore, shpalosej Flamuri Kombëtar. Ka një shekull që ka ndodhur kjo ngjarje dhe ende përcillet ndër breza si mesazh harmonie dhe bashkëjetese ndërfetare.

      Kjo harmoni ndërfetare është prezente edhe tek shqiptarët e Amerikës.Nuk është rastësi që në themel të bashkimit më solid të shqiptarëve të Amerikës, Federatës Panshqiptare, Vatra, qëndron pikërisht lidhja e fortë ndërfetare që e bëri atë rezistente të kohës. Po ashtu nuk është rastësi fakti që shqiptarët e kuptuan se “manovrat” dhe kurthet e fqinjëve për të na përçarë me fenë, kërkonin si kundërveprim shpëtues kombëtar- bashkim, dhe vetëm bashkim Kombëtar. Dhe u bashkuan këtu në Amerikë, fillimisht duke krijuar Kishën Orthodokse Autoqefale Shqiptare, e më pas Federatën Vatra, që i ndihu bashkimit Kombëtar. Kur Venizellosi i Greqisë shpallte botërisht se “çdo ortodoks ishte grek”, shqiptarët e Amerikës nën drejtimin e Vatrës firmosnin peticione , ku deklaronin se të gjithë ishin ortodoksë,veçse jo grekë, por shqiptarë (madje dhe myslimanët).(lexoje te plote ne Diellin e printuar)

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, e kemi bashke, e Pashke, por shqiptarine, vertete kemi Bajram

SKËNDERBEU, KY KOLOS I TË GJITHA KOHËRAVE

July 30, 2013 by dgreca

Nga Marjana Zeneli Bulku/

 Skënderbeu…ky kolos i të gjitha kohërave rishfaqet në ditët tona të mira si krenari kombëtare,por edhe në ditët tona enigmatike si shpresë, si modeli i nje lideri që sfidoi kundërshtarin jo vetëm me forcë,por edhe me strategji. Është pikërisht kjo ndjesi që lind dhe rilind tek une, kur historikisht shqiptarët bien dakort se vepra është ajo që lartëson heronjtë.Kur shqiptaret unanimisht pranojne se Ai është nje monument që ka vend te vecantë në historinë tonë të vjetër dhe të re,kur bota ,ky lëmsh i stërmadh përballe kontributesh të tilla heronjsh duket kaq e”vogël”,kur sheshe dhe muze botërore mbajne bustin e tij, shpatë,përkrenare ,,,vlera e Tij ridimensionohet duke na kultivuar krenarinë.

Nuk ka shqiptar nga ai me i vogli ne moshe e deri tek me i largëti në vendndodhje( të shpërndarë anembanëglobit ), që të mos njohë Heroin e madh që kombit të vogël i bëri emër duke kapërcyer kufinjtë që politika i caktonte shqiptarit duke ia bërë jetën si burg shekullor.

Dhe nuk është rastësi që folklori shqiptar ka vend të vecante për Heroin tonë kombëtar me vargjet legjendare dhe historike ka gdhendur përmasat e para të përmendores historike (ndoshta të vetmes) përballe të cilës shqiptarët unanimisht thonë :Faleminderit!

Kohët e vështira kërkojne Heronj të mëdhenj,prodhojnë heronj të mëdhenj që sfidave u përgjigjen me largpamësi e guxim për tu bërë më pas shembuj përjetësie!

Ky mendim më përshkon kur në bibliotekën e madhe shqip numëroj autorët që e shndërruan në Personazh Gjergj Kastriot Skënderbeun, që nga Barleti pothuaj bashkëkohës, deri tek N.Frashëri,Noli, Godo,K.Frashëri,,,dhe padyshim ky varg krijuesish është mjaft i gjatë, infinitivisht …

Ky mendim më përshkonte kur nxënësve shqiptarë u kërkoja të shkruanin për Laokoontin, Trojën, për Makbethin, Hamletin,etj…dhe përmasën e Heroit në ditët e sotme e konfiguronin me atë të një përmendoreje me ose pa kalë. Dhe në mendjen time ka një diskutim që nuk u shtrua kurrë me ta, për dhjetra arsye,por vetëm një dëshirë: Si ta gdhendim përmendoren e Lirisë dhe krenarisë duke e lexuar historinë me të gjitha dritëhijet e pa ptur frikë nga disidenca?! Një kënd botimesh për heroin, shkrime dhe esse për të, piktura e skica,inskenime, kërkime e reflektime ,debate dhe mendime ndryshe dhe kështu ”e sjellim heroin ”ne klasë,në shkollë,në muze,në librari në media…

Dikur tek Vatra këtu në SHBA në një promovim pata fatin të dëgjoj vargje kushtuar Skënderbeut ,të mrekullueshme si në konceptim, përkthim ,interpretim, por cfarë dua të vecoj është pikërisht fakti se autor i këtyre vargjeve ishte një amerikan(Ch.T. Erickson) që e donte dhe respektonte Shqipërine dhe shqipëtarët edhe falë heroit tonë kombëtar. Ja si shkruante ai ndër të tjera :

I flake tej nderet imperiale

dhe lavdinë ndër vite fituar

të mbroje folenë ë mëndit tënd trazuar,

si shqipe-shqipëtare gjoks zbuluar,

prej morisë së pafund të shigjetave i sulmuar. etj, etj.

Vargje që rrëfejnë historinë, dhe që dëshmojnë se për shumëkënd rruga për të njohur një popull kalon detyrimisht nga historia dhe ajo në asnje cast nuk duhet flakur e sulmuar,por duhet mbrojtur dhe ruajtur,për tu trashëguar e pasur ,e plotë.

Ndaj jo rastësisht m’u duk sikur pashë një tjetër përmendore fjale, gdhendur jo nga nje bashkëkombas,por një i huaj që njeh dhe don shqiptarët MIK i madh i tyre,mburojë sulmesh e goditjesh fqinjësh , një përmendore historike, që rrëfen hisorinë tonë, diku edhe në Amerikën e largët.

Kjo është vetëm jehona që shkakton historia,kur ajo shkruhet me vepra madhështore, nga njerëz që e duan vendin e tyre ,kjo është vetëm zanafilla nga ku nis studimi dhe rrëfimi për Shqipërinë dhe për shqiptarët,pikërisht aty ku lind krenaria kombëtare,,,historia e ka shtratin të sigurt dhe heronjtë parakalojnë me veprën që meriton memorie dhe nderim.

Nëpër histori nuk takon vetëm heronj, por edhe episodikë,enigmatikë, frikacakë,kolosë,endacake,,,,le ti gjykojmë ata mbi veprat,produktet dhe gjithcka shkakton trashëgimnia e tyre viteve që lartësojnë të mëdhenjtë ,bën të paharrueshëm KOLOSËT!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bulku, ky hero, Marjana Zeneli, Skenderbeu

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT