• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

Intrigat politike të Kishës Greke

July 16, 2013 by dgreca

Nga Agim Bacelli /

Noli nuk veproi vetëm në shpalljen e pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Vërtetë ai ishte Ylli i Mëngjesit, që paralajmëroi një ditë të bukur shqiptare, por para tij, në natën e errët shqiptare, qindra yje do të paralajmëronin ardhjen e tij. Çdo gjë e keqe e ka një të mirë. Do të ishin intrigat e Kishës Greke ato që do të përshpejtonin lindjen e Kishës Autoqefale (Vetëdrejtuese) të ortodoksisë shqiptare.

Është folur e shkruar shumë që prej vitit 1907 kur ajo lindi, por materialet më interesante janë shënimet e z. Vangjo Miller të asaj kohe, që gjenden në arshivën e Zyrës Civile të qytetit Hudson Massachusetts, së bashku me materialin e regjistruar nga dita e varrimit të djaloshit 22-vjeçar shqiptar, Kristaq Thimi Dishnica, nga e cila po shkëpusim këtë fragment: “Name, Christo Thimi; born, Turkey, Town, Koritza; occupation, Shoe Worker; Age,22 years old; Died, August 25th, 1907; Burried, Hope Cemetery, Worcester, Mass.; Funeral Director, Michael McNiff”.

Hudsoni është një qytet i vogël industrial, që gjendet në qendër te shtetit të Massachusetts-it, dhe në mes të dy qyteteve me koloni të hershme shqiptare, siç janë Boston dhe Worchester. Shqiptarët e parë të këtij qyteti kanë qenë nga Korça,Voskopoja, Dishnica, Drenova dhe Përmeti, që bëheshin gjithsej, në atë Kohë, nja 30 familje.

Sipas Vangjo Millerit, shqiptarët e vjetër rronin me mendimin se Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të jetonin dot pa Turqinë (mendimi i myslimanëve), pa Vatikanin (mendimi i katolikëve) dhe pa Greqinë (mendimi i ortodoksëve). Kjo ishte, sipas Vangjos, arsyeja e errësirës shekullore që i mbajti shqiptarët jo vetëm të pushtuar ushtarakisht, por edhe nën ndikimet e kulturës vatikano- turko-greke, etj.

Këtu duhet të kërkojmë edhe një nga arsyet më të forta të shkëputjes me shumë vonesë nga robëria e huaj dhe shpalljen e pamvarsisë së vendit tonë. Ne jemi mësuar gabimisht me një propagandë, sikur shqiptarët ishin prijësit e lirisë dhe yjet e patriotizmit në Ballkan! Le të themi dy fjalë se kush ishte Vangjo Miller.

Ky ka qenë i pari shqiptar, sekretar i Kishës sonë Kombëtare Ortodokse dhe i pari inspektor i Federatës “Vatra”. I pari shqiptar që na ka lënë të shkruar në shqip dhe anglisht të gjithë dokumentacionin kishtar në Mass. Mendoj se të gjitha botimet e mëvonshme për themelimin e Kishës Ortodokse

Shqiptare, i janë referuar Imzot Nolit dhe jo Vangjo Millerit, që ishte i pari shqiptar që vendosi krijimin e kishës sonë ortodokse autoqefale.

Sidoqoftë, Noli ka vlerat e veta të mëdha në këtë drejtim, pasi ai, me iniciativën e Vangjos u bë prifti i parë shqiptar i Kishës Ortodokse dhe na dha dhe meshën

e parë, që është më 22 mars. Por, le të tregojmë shkurt historinë, sipas Vangjo Millerit.

Më 25 gusht 1907, papritur vdiq djaloshi 22-vjeçar, Kristaq Dishnica. Kisha Greke që kishte marrë përsipër gjer atëherë të bënte ritet fetare të varrimit, nuk pranoi ta varrosë të ndjerin, sepse ai, si shumë shqiptarë të tjerë të rinj që u ishte zgjuar patriotizmi i flaktë shqiptar, nuk pyesnin më për kishat greke dhe bënin luftë me prindërit e tyre, që të mos shkonin në kishën e armikut.

Trupi i të ndjerit po rrezikohej që të ngelej pa varrosur me ritet e kishës. Më në fund, një shqiptar nga Worchester-i, që quhej Risto Koki, shkoi dhe bisedoi me kishën siriane në këtë qytet dhe ja arriti qëllimit.

Trupi u transportua nga Hudson-i në Worchester, po as atje ata nuk jepnin priftin e tyre, sepse u trembeshin presioneve të grekëve dhe kishës së tyre! Shqiptarët e indinjuar dhe të fyer, erdhën në këtë varrim si asnjëherë tjetër. Ata erdhën nga Boston, Hudson, Marlboro, Natick dhe disa qendra të tjera të Mass.

Shumë prej të rinjve e kthyen këtë varrim në një protestë të fuqishme kundër Kishës Greke dhe u kërkuan prindërve që në mënyre urgjente të shkëputeshin nga kjo kishë. Për herë të parë, pleqtë mes lotëve, u dhanë të drejtë fëmijëve të tyre dhe u ndjenë krenarë për ata dhe u betuan se do të punojnë për këtë gjë.

Të gjithë prisnin më kot priftin që nuk vinte. Më në fund, vetë Vagjo Miller i drejtohet Kozma Angellos, një besimtari të vjetër të kishës, që të bëhej prift, pasi ai e fliste edhe greqishten. (Nuk mund të imagjinohej që fjalët mortore të priftit të thuheshin shqip!) Ai pranoi dhe e këndoi shërbesën e varrimit në greqisht. Varrimi u bë pa kishën. Në fjalën mortore që mbajtën shumë shqiptarë, u theksua me të madhe trajtimi djallëzor i Kishës Greke për shqiptarët, që kurrë nuk kishin pranuar ta quanin veten grekë.

Bile, aty u përmend dhe vrasja barbare e Spiro Kosturit dhe u tha hapur se e ka vrarë Fanari Grek. Zëra të fuqishëm u ngritën mbi varrin e Kristaqit se, “Kisha Shqiptare do të fitojë pamvarsinë nga Kisha Greke” dhe se, “Ne jetojmë në një vend të lirë, me demokraci të madhe, që na e jep këtë të drejtë që nuk u jepet vëllezërve tanë në Shqipëri”.

“Rroftë Shqipëria”! “Rroftë Amerika”! Menjëherë, nën iniciativën e Vangjo Miller, Rako Katundit, Kozma Angellos, Mitkë Dishnicës dhe Pandi Kristos, u thirr mbledhja e parë e shqiptarëve, për të themeluar Shoqërinë Kishtare Shqiptare.

Në mbledhjen e saj të parë u zgjodh një pleqësi, që përbëhej prej këtyre anëtarëve: Vangjo Miller, Mitkë Dishnica, Rako Katundi dhe Pandi Maliko. Puna e parë që bëri kjo pleqësi, ishte lajmërimi i të gjithë shqiptarëve të Bostonit, Hudsonit, Marlboros, Natickut, që të japin ndihmat e tyre materiale dhe morale për fillimin e ngritjes së kishës së parë shqiptare.

Të gjithë shqiptarët, pa dallim feje, iu përgjigjën thirrjes dhe dhanë shumë ndihma. Pas një jave u mbajt mbledhja tjetër e pleqësisë dhe aty u zgjodh prifti i parë shqiptar. Kandidatë ishin dy; Fan S. Noli i Bostonit dhe Petro Luarasi, i Klintonit. Fitoi Noli.

Anëtarët themelues të Kishës së Parë Shqiptare

Nga Hudson:Ilo Naum Qirani, Sotir Nano, Dhori Mitaçe, Dhori Koli, Zisi Ligor Kalo, Kozma Angelo, Koçi Bratko, Janaq Stefani, Kostë Papa, Vasillaq Jançe, Pandi Dishnica, Ndreçi Miller, Taq Miller, Nuçi Miller, Kristaq Puçi, Andrea dhe Anton Mullixhiu, Thoma Qafzezi, Ilo Kristo, Petraq Baze, Kostë Melçani, Vangjo

Minka, Jorgji Keçi, Paskal Aleksi, Stavro Aleksi, Mihal Dioni, Vani Koto, Ilo

Plasari, Zoi Petra, Vangjel Voskopoja, Thimi Gregor Përmeti, Loni Peristeri dhe

Vangjo Minka.

Nga Marlboro:

Perikë Kreshpani, Ndreko Kreshpani, Miçe Qiriako, Gaqi Koli, Kostë Rrapi

Dini, Ndreko Stavri, Koli Rodhe, Gaqi Qafzezi dhe Thoma Dishnica.

Nga Natick-u:

Pando Opingari, Dhori Bardhi, Miçe Bardhi, K.Ziko, Vaske Laze, Goni

Perçini, Kristaq Bratko, K.Xhindi, Nikollaq Sëndykçiu, Andrea Kristo

Qëndro, Kristo Kirka, Nick Dishnica, Nasi Aristidhi, Vani Ziko dhe Dh.Stathi.

Nga Boston:

Z.Ziko, Koli Kristofori, Sotir Peçi, Thimaq Naçi, Gaqi Iftica, Goni Katundi, Sotir

Lezi, John Ktona, Kozoja Josif Pani, Miçe Çikozi, Llambi Çikozi, Tasi

Çikozi, Gaqo Dushi, Nisi Ikonomi, Thanas Bodi, Aleks Bullgari.

Komisioni:

Komisioni që vajti në New York për dorëzimin e FAN NOLIT si prift, përbëhej

nga këta anëtarë:VANGJO MILLER, KRISTO KIRKA, SOTIR PEÇI, SPIRIDON ILO dhe GAQO DUSHI.

 

Lotët e Nolit*

Kryeshqiptarit dita i ngryset

në të gëdhirë,

Shpirtkëputur

përdhe përmbyset

Kur Kristaqin e Dishnicës

sheh të shtrirë.

Para Zotit qan, lutet,

lyp mëshirë:

“Pse kaqë gjatë, Zot,

na harrove,

Pse na përplase, na përpëlise,

kuturru?

Pse shpresën për tek ty,

na i degëdise

Dhe sot djalin na i le

pa varr këtu?!

•Sipas motiveve të poezisë së Nolit “Moisiu në mal”.

Filed Under: Histori Tagged With: agim Bacelli, intrigat politike, te Kishes Greke

Ju tregoj 67 ballistët e pushkatuar nga Mehmet Shehu, parathënia e luftës vëllavrasëse në Shqipëri

July 16, 2013 by dgreca

Homazh me rastin e 20 vjetorit të rivarrosjes së të pushkatuarve të pafajshëm në Matjan të Lushnjës/
Nga  Esat ÇOKU/
Ne Foto: Ish deputeti i PD Esat Coku, duke u intervestuar nga gazetari Beqir Sina, ne pervjetorin e perkujtimit te Abaz Kupit, prane varrit te tij ne Queens, NY/
…Masakra që kreu Mehmet Shehu në fshatin Matjan të Lushnjës(disa e quajnë masakra e Garunjasit, disa e Golemit) në tetor të vitit 1943, është ndër më të egrat në historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe kundërshton historiografinë komuniste, e cila pretendoi për 50 vite se Lufta Nacional Çlirimtare nuk kishte karakter vëllavrasës, por ishte lëvizje për çlirim Kombëtar. Masakra i paraprinë luftës civile, ku marrja e pushtetit ishte qëllimi kryesor i Partisë Komuniste, e cila në vend që të luftonte pushtuesin, nxiti urrejtjen dhe u ktheu pushkën vëllezërve nacionalistë.
20 vjet më parë/Ajo ditë nuk më hiqet nga kujtesa, edhe pse kanë kaluar 20 vite. Ngjiteshim me vështirësi drejt Majës së Shkujkës për të shkuar tek vendi ku kishte ndodhur masakra, në fshatin Matjan (në fakt si vendbanim i “armiqve” ai kurrë nuk u quajt fshat sepse e lanë anonim për hir të biografisë.) E përpjeta është e thiktë dhe këmbët të rrëshqasin nga që vend është shkëmbor. Edhe pse nuk i kalon të 200 metrat, Shkujka të duket e paarritshme, po të kesh parasysh ngjitjen e saj nga niveli fushor në atë kodrinor. Kjo quhet ndryshe edhe Kodra e Shënjimit, e marrjes shenjë. Në fakt është një kodër dominante e Darësisë së Lushnjës, ka qenë strategjike në përplasjet e ushtrive pushtuese ose kalimtare. Është një emërtim që mund ta ndeshësh në topografinë ushtarake. Ndërsa vendasit e zbërthejnë ndryshe toponimin “Shkujka”- Shkoji uji; uji shkoji. Fshati që është në këmbët e kodrës, Shegasi ka shegë shumë, por jo ujë. Dikur uji pat shpërthyer majë kodrës, por barinjtë sipas legjendës, e mbushën pusin shpërthyes me delet dhe leshin e tyre dhe që atë ditë uji shkoi nga ato kodra. Pikërisht në vjeshtën e largët të vitit 1943, në rrugën gjarpërore që përdridhej mes masiveve shkëmbore hiqej zvarrë edhe kolona e djemve të Myzeqesë, që patën pranuar thirrjen e Ballit Kombëtar për të çliruar Atdheun. Ata ishin çarmatosur në fshatin Golem dhe ashtu duarlidhur mezi çapiteshin në atë të përpjetë që të merrte frymën. Ku po i çonin? Askush nuk e dinte. Përshpëritej se atje po i priste Mehmet Shehu i tmerrshëm, komandanti i Brigadës së Parë Partizane. Ata që i shoqëronin nuk u treguan gjë, veç u thanë se do t’i çonin atje në shtabin partizan.Kur dolëm në majën e kodrës, dhe hodhëm sytë poshtë, në fushën e paanë të Myzeqesë, na u duk se qëndronim në një ballkon gjigand, ku syri dallonte pas fushës dhe kodrave të Gërmenit, kaltërsinë e detit Adriatik. Atë kohë drejtoja Shoqatën e të Përndjekurve Politikë të Lushnjës. Isha edhe pjesë e Komitetit Ekzekutiv Pluralist. Bashkë me mua ishte edhe sekretari i komitetit Pluralist, gazetari Dalip Greca. Ai ishte pjesë e asaj zone dhe e njihte mirë edhe terrenin, edhe njerëzit, edhe ngjarjen tragjike që kishte ndodhur. Fshati i tij ishte fqinj me Matjanët. Kontributi i tij në atë rivarrim, u vlerësua nga shoqata e të përndjekurve.Banorët e Matjanëve u mblodhën shpejt sapo zbritëm në fshat. Met Matjani me Faikun na japin mikpritje. Kishin ardhur dhe fqinjë të tjerë sapo kishin dëgjuar për qëllimin e vizitës tonë atje. Një zonjë e vjetër në moshë na tregoi: Isha nuse e sapo ardhur atëherë kur ndodhi masakra. Netëve ulërinin qenët dhe ujqërit nga gjaku. Fshati ishte i rrethuar me pyje. Ishte një vjeshtë e ngrohtë kur u vranë ata të gjorë. Aso kohe ne i sillnim bagëtitë për të pushuar në shtëpi deri pasdreke dhe i lëshonim sërish nëpër pyje e lëndina. Edhe unë po përcillja bagëtinë së bashku me kunatin. Ata e kishin kryer masakrën, por ne dëgjuam një rënkim të zgjatur, që na e sëmboi në zemër. Të gjorit nuk i kishte dalë shpirti dhe ai, komandanti i egër kishte urdhëruar një çupë partizane, po ma prish gjumin ai rënkim. Ç’pret? Një breshëri arme ishte dëgjuar dhe zëri qe mekë… Një nga të moshuarit na tregoi: Ishin më shumë se 200 robërit ballistë, që kishin sjellë partizanët para komandantit Mehmet Shehu. Disa nga ata që kishin të njohur në radhët e partizanëve shpëtuan; të tjerëve iu bë thirrje: Kush bashkohet me ne, i falet jeta. Në radhët e ballistëve kishte edhe të rinj të moshës 16-17 vjeçare, kishte edhe të moshës 65 vjeçare. Shumica ishin mbi 20 vjet. Disa prisnin ditën e dasmës, disa kishin lënë nuset në shtëpi, të tjerët fëmijët. Shumica e ballistëve kishte kthyer sytë nga Rakip Xhepa. Mehmeti i qe drejtuar atij: Bashkohu me ne? -Derr bëhem dhe komunist Jo!- i qe përgjigjur Rakipi. Kaq ishte dashur dhe krismat kishin korrë jetë shqiptarësh të pafajshëm. 67 jetë të pafajshme u shuan. Për 45 vjet të gjitha familjet e të vrarëve u trajtuan si familje të armikut të klasës, ku biografia shkatërroi jetë të tjera, la pa arsimuar qindra të rinj, dhe shërbeu si kontingjent për të mbushur burgjet.

Nderimi i viktimave

Shoqëria shqiptare nuk ishte çliruar ende nga makthi i komunizmit kur Shoqata e të Përndjekurve Politikë të Lushnjës së bashku me Komitetin Pluralist morën vendimin që të nderonin viktimat. U desh një përplasje e fortë me shoqatën e Veteranëve të rrethit, të cilët vazhdonin që t’i quanin armiq të pushkatuarit. Debate deri në mesnatë, por ata nuk lëshuan rrugë. Madje paralajmëruan se qytetin do ta kishim kundër në ditën e varrimit të eshtrave dhe se ata do të punonin kundër. U përpoqëm t’i bindnim, por kur e pamë se gjithçka ishte e kotë, u përcollëm edhe vendimin e Komitetit Ekzekutiv Pluralist të rrethit se varrimi do të bëhej përbri parcelës ku ishte varreza e dëshmorëve të rrethit. Ky vendim i zemëroi edhe më shumë. E braktisën takimin që u organizua në zyrën e sekretarit të Komitetit ekzekutiv, detyrë që atë kohë e kryente Dalip Greca. Nuk u tërhoqëm. Ekipi i shoqatës i drejtuar nga Esat Çoku, kryetar dhe i mbështetur nga Vasil Sylari, Hajdar Xhafa, Naim Stravecka, Sherif Kaloshi, Njiazi Bylykbashi e të tjerë, nuk u tërhoqën, edhe kur veteranët paralajmëruan se do të bënin gjithçka që ky aktivitet të dështonte. Në debat me ta mbaj mend se u thashë: Ju nuk po pranoni pajtimin e të vdekurve, po si do të pajtoheni me ne të gjallët, që na keni burgosur e persekutuar? Pasi i mblodhëm eshtrat e të pushkatuarve, i futëm në arkivole, i zbritëm në qytet, nga të gjitha anët vërshuan kërkesa nga të afërmit e viktimave: Na i lini një natë t’i qajmë në shtëpitë tona! Shumica ishin nga Divjaka dhe Çerma. Ua dhamë. Ishte një takim i dhimbshëm mes të gjallëve dhe të vdekurve. Një solidaritet i jashtëzakonshëm i qytetarëve të Lushnjës, Divjakës, Çermës dhe zonave përreth. Ata shkonin dhe ngushëllonin dhe i qanin me ligje sipas zakonit. Nuk i kishte qarë njeri në kohëvdekjen e tyre. I kishin groposur si kafshë në një faqe kodre duke hapur një gropë të madhe atje tek Matjanët. Një miting i përmortshëm me një pjesëmarrje të madhe u organizua në qendër të Divjakës nga Shoqata e të Përndjekurve, mbështetur nga Partia Demokratike dhe Partia Republikane. Në krye ishin; mjeku antikomunist Ihsan Çabej, Seit Prishta, Jovan Rudha, Llazar Sako, Perikli Sota, Xhevit Çela, Gëzim Hajdari, Ilir Zhiti, Hajdar Qerreti, Ylli Sefa, Fred Haxhiu, Liliana Beçka e shumë të tjerë. Një montazh letrar i përcjellë nga Perikli Sota e bëri trumën të përlotej. Telekronisti Viktor Davidhi e filmoi të plotë procesionin. Gazeta “Ora e fjalës” shkroi reportazhin e ceremonisë. Dua të veçoj kontributin dhe mbështetjen e kryesisë së Komitetit Ekzekutiv ët rrethit, Fetah Elezi – kryetar, Seit Prishta-zv/kryetar dhe Dalip Greca – sekretar. Ata ishin njësh me shoqatën e të përndjekurve në të gjitha fazat e ceremonisë, caktimin e vendvarrimit, nxjerrjen e fondeve dhe gjithçka tjetër. Dita e 11 shkurtit dhe mungesa e kërkimit të faljes/Dita e 11 shkurtit ishte e veçantë në qytetin e Lushnjës. Sheshi kryesor i qytetit ishte i vogël për ta mbajtur gjithë atë turmë. 67 arkivole i prinin marshimit drejt kodrës së varrezave të dëshmorëve, ku do të varroseshin edhe ata që qenë konsideruar “armiq”. Lushnja e fiseve të përndjekura; Sefajt, Korreshët, Çelajt, Xhindolët, Murrizët, Sinajt, Kërçit, Matjanët, së bashku me banorët e persekutuar të ish kampeve të internimit të Gradishtës, Grabianit, Savrës, Gjazës, Pluk, Çermë, kishin zbritur atë ditë në shesh, jo për hakmarrje, por për dinjitet dhe nderim të viktimave. Sa shumë lule kishin sjellë lushnjarët atë ditë morti! Nga altoparlantet e vendosura nëpër shtyllat e rrugës, dëgjohej apeli emër për emër i 67 burrave që nga tradhtarë të shpallur padrejtësisht, po ktheheshin në shtratin e lavdisë së munguar për 48 vite.Mbaj mend se në fjalimin përcjellës, u kërkova ndjesë të pranishmëve se për të nisë atë fjalë përcjellëse, kisha marrë hua një shprehje të Patër Anton Harapit, tek po përcillte eshtrat e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit në vitin 1936, “Ndalni burrat e Gjirokastrës, Shkodra e ka një fjalë me Ju!”. Këtë thirrje doja t’u drejtoja sot para se këto arkivole t’i fusim në dhe’ edhe atyre martirëve që u ndëshkuan me plumba pa bërë asnjë faj. Atë fjalë desha t’u përcillja edhe unë dëshmorëve tanë, që u ndëshkuan pse luftuan për Shqipëri etnike, ndryshe nga komunistët, që donin një Shqipëri pa Kosovë e pa Çamëri, në miqësi me sllavët.Dhe shpalosa para turmës që lotonte fjalë zemre. Ceremonia e varrimit ishte madhështore. Veteranët na vëzhgonin nga larg. Nuk u ndjenë mirë që armiqtë e shpallur nga ata u varrosën pranë e pranë dëshmorëve. Ne në fakt kishim pajtuar të vdekurit, por jo të gjallët. Ne as sot s’ndjehemi të pajtuar. Si do të ndjehem unë i tillë, kur në Parlamentin Shqiptar, bashkë me mua si deputet i PD ishte edhe ai i PS, ish-hetuesi im? Si do të ndjehej familja ime që për 45 vjet u burgos e syrgjynos burgjeve dhe bëri jo pak por 70 vite, babai, dy vëllezërit dhe unë? As hetuesi im nuk më tha një herë”më fal”, qoftë edhe për formalitet a kortezi njerëzore. E prita këtë ndjesë që ai ta shqiptonte nga foltorja e Kuvendit, por jo, nuk e pati kurajon. Madje as kur ia kërkova unë. Si do të ndjehemi të pajtuar ku të gjithë ishët dhe bijtë e bllokut kërkojnë ende revansh në radhët e Partisë Socialiste? Si do të çlirohet Shqipëria nga e djeshmja e tmerrshme, kur Ministri i Brendshëm i fundit të kohës së diktaturës, është 20 vite aktiv në politikë?

Lista e 67 ballistëve që u pushkatuan nga Mehmet Shehu: Ndoni Miti Sako, Fani Zoi Trungu, Gori Siku Todi, Jani Spiro Gjeka, Jorgji Spiro Gjoni, Jorgji Xhovan Lala, Kozma Andon Zhuka, Nasi Spiro Zhuka, Koli Xhovan Tashi, Kristo Joti Shkoza, Loni Naun Bita, Llazi Llambi Prifti, Liti Nasi Shkoza, Mihal Tasi Bita, Nasi Llazi Janko, Nasi Simon Sako, Nasi Leksi Zaho, Perikli Kozma Prendi, Pali Teni Zaka, Ristan Gjergji Bani, Simon Nuni Gjini, Stefan Ndoi Prendi, Trifon Leksi Gjeka, Trifon Kozma Gjoni, Todi Spiro Gjyrgji, Vasil Koci Përboti, Myslym Haxhi Bedalli, Ram Koci, Bajram Jeshili, Medi Pirra, Bajram Pepa, Rako Nako, Hysen Dupi, Arif Muço, Rakip Xhepa, Shaqir Sula, Elmaz Xhepa, Çaush Xhepa, Latif Karafili, Shaban Sina, Asllan Vrapi, Hysen Ismaili, Murat Meshani, Bajram Bilbili, Ismail Koçiu, Muhamet Kasmi, Alush Kasmi, Shemsi Arapi, Skënder Arapi, Ymer Bullari, Sabri Bullari, Beqir Cani, Haxhi Sina, Tafil Lluzha, Ibrahim Lluzha, Arif Halili, Kadri Murrizi, Ismail Murrizi, Hysen Murrizi, Haxhi Murrizi, Gaqi Ndoni, Ndini Ndoni, Isuf Buzi, Shyqeri Leka, Ramazan Kofsha, Shefik Tata, Gori Lala.(Dielli –arkiv)

Filed Under: Histori Tagged With: 67 ballistet, Esat Coku, ju tregoj, mehmet Shehu, qe pushkatoi

Vazhdon gara Basha-Olldashi per zevendesimin e Berishes

July 16, 2013 by dgreca

Olldashi: PD rrëzon Ramën në 2015-ën, Basha: Klika marksiste erdhi në pushtet përmes mashtrimit/

Kandidati për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi vlerësoi procesin e zgjedhjeve brenda formacionit më të madh të së djathtës në Shqipëri, si një garë vlerash dhe që i jep anëtarësisë peshë në vendimmarrje. Në prezantim të platformës së tij për drejtimin e Partisë Demokratike pas dorëheqjes së liderit historik të demokratëve Sali Berisha, Olldashi foli edhe për avantazhet që e sjellin atë më konkurrues në këtë proces. Këto deklarata Olldashi i bëri në takimet që zhvilloi me strukturat e PD-së në Krujë, Fushë-Krujë dhe në Vorë. “Besoj se në këtë garë kam avantazhe: së pari, e njoh këtë strukturë më mirë, sepse kam një kohë më të gjatë dhe e kam njohur në kohë dhe nivele të ndryshme. E kam njohur pra gradualisht dhe jo menjëherë në drejtim. Së dyti, kam avantazh eksperiencën opozitare, unë e di çfarë është Partia Demokratike në opozitë, sepse kam qenë pjesë e saj në opozitë, sepse unë e di se çfarë është opozita, është një gjë krejt tjetër nga partia në pushtet, është një betejë krejt e ndryshme dhe që kërkon patjetër një ekspertizë dhe një eksperiencë. Së treti, avantazh është fakti që jam në Parlament dhe beteja mes mazhorancës dhe opozitës zhvillohet në Parlament dhe e katërta, që e kam të gjithë kohën në dispozicion për t’ja përkushtuar betejës politike që duhet të bëjë Partia Demokratike”. Në analizë të potencialeve të Partisë Demokratike dhe të historikut të saj në veprimet opozitare, Sokol Olldashi garantoi se demokratët kthehen në shumicë politike më 2015, në betejën e parë elektorale, në zgjedhjet lokale. “Detyra jonë si opozitë nuk është që ne të presim që ata të bien, detyra jonë është që t’i rrëzojmë. Ky është misioni ynë dhe këtë ne duhet të bëjmë në Parlament. Ne nuk kemi kohë të rrimë në opozitë, nuk kemi kohë të presim zullumet e këtij koalicioni që ka ardhur në pushtet. Partia Demokratike ka mision t’i rrëzojë një ditë e më parë, me të gjitha mjetet demokratike që njeh sistemi. Në vitin 1992, ne kemi fituar vetëm. Në vitin 2005 kemi fituar vetëm, më 2009 fituam vetëm dhe ne do të fitojmë në përballjen e parë elektorale me ta, që nuk është 2017, por zgjedhjet lokale 2015. Ne duhet të fitojmë pas dy vjetësh”. Në takimet në formatin e bashkëbisedimeve me aktivistë të PD-së në Krujë, Fushë-Krujë dhe në Vorë, Olldashi zbërtheu në detaje projektin e tij për rikthimin e Partisë Demokratike në destinacionin e përhershëm të saj, në forcë të parë politike. Platforma Olldashi synon rikthimin e vëmendjes tek militanca, që siç e quan ai është palca e një force politike. Ndërsa kërkon që paralelisht të ndërtohen mekanizimi i rezultatit, mekanizmi i karrierës dhe inventari i kontributeve për të vënë në punë motorët e jetës politike brenda Partisë Demokratike.

Ta rrëzojnë kundërshtarin në përballjen e parë elektorale
“Partia Demokratike e rrëzon Edi Ramën në zgjedhjet e 2015-ës”. Kështu deklaroi Sokol Olldashi, gjatë takimeve me aktivistë dhe drejtues politikë në Librazhd, Rrogozhinë dhe Kavajë, në vijim të fushatës së tij për t’u votëbesuar si kryetari i ardhshëm i Partisë Demokratike. Sokol Olldashi tërhoqi vëmendjen se, demokratët nuk mund të presin që kundërshtari i tyre të bie vetë, por duhet ta rrëzojnë atë në përballjen e parë elektorale. Olldashi tha se, Partia Demokratike me një strukturë të balancuar, të vënë nën stimul dhe përgjegjësi dhe me një njohje të pangatërruar të kontributeve, kthehet në një makineri politike dominuese në terren, që nuk mund ta ndalë asgjë dhe askush. “Ne nuk mund të presim që ata të bien vetë nga pushteti. Ne nuk mund të presim të humbasë Edi Rama. Jo, ne nuk do të presim. Ne do ta rrëzojmë Edi Ramën. Por, që të rrëzojmë Edi Ramën, duhet domosdoshmërit të bëjmë disa ndërhyrje: Duhet një betejë e tmerrshme opozitare në Parlament, por me një strukturë të balancuar, të vënë edhe nën përgjegjësi, edhe mbi stimul dhe të inventarizuar me kontributet e gjithsecilit, në mënyrë që partia të jetë e drejtë me gjithsecilin. Këto ndërhyrje e bëjnë Partinë Demokratike dinamike, e bëjnë dominante në terren, e bëjnë absolutisht një makineri që nuk ka asgjë që ta ndalë. Dhe në qoftë se mekanizimi do të funksionojë dhe ne, që në ditën e parë do të bëjmë një betejë të jashtëzakonshme opozitare në Parlament, unë jam i bindur që ne rikthehemi fitues në përballjen e parë elektorale që kemi me kundërshtarin tonë, në zgjedhjet lokale të vitit 2015”, theksoi Olldashi. Në bisedë me strukturat e Partisë Demokratike në Librazhd, Rrogozhinë dhe Kavajë, Sokol Olldashi foli për paketën e ristrukturimit të institucioneve të PD-së dhe për aksionin opozitar. Duke përforcuar qëndrimet për një konfigurim të qartë të poleve politike në vend, Sokol Olldashi tha se, në politikën shqiptare nuk mund të ketë më lojtarë mesfushorë. “Kundërshtari ynë në bllok është ish-Partia e Punës, ndërsa Partia Demokratike është shtëpia e opozitarëve”, deklaroi Olldashi.

PD duhet t’ia kthejë partinë, militantit
Sokol Olldashi, kandidat për postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë deklaroi në Elbasan se, ringritja e Partisë Demokratike nuk fillon nga kryetari i ri, por nga institucionalizimi i marrëdhënies me qelizën bazë, militantët. Në referencë të paketës për ristrukturimin e PD-së, Sokol Olldashi kërkoi të përcaktohen me statut: mekanizmi i rezultatit dhe mekanizmi i karrierës. “PD duhet t’ia kthejë “partinë” militantit!”, deklaroi zoti Olldashi për të vënë në kohë të plotë pune, të gjithë motorët e kësaj force politike, gjigante. “Ringritja, fillimi i ri i Partisë Demokratike nuk fillon nga kryetari i ri, fillon nga institucionalizimi i marrëdhënies me qelizën bazë të partisë, asnjë organizëm nuk mund të funksionojë nqs nuk funksionon qeliza bazë, nqs nuk funksionon AND-ja. Dhe ADN-ja e Partisë Demokratike nuk është kryetari, nuk është Kryesia, nuk është Këshilli Kombëtar, është demokrati i thjeshtë. Partia Demokratike duhet të ndërtojë me shpejtësi inventarin e kontributeve për secilin anëtarë të saj. Vetëm kështu do të jemi në gjendje që t’i japim gjithsecilit meritën që ka”, tha Olldashi. Në bashkëbisedimin me demokratët e Elbasanit, Sokol Olldashi theksoi rëndësinë e një veprimi të fortë opozitar për të kthyer Partinë Demokratike në një kohë sa më të shkurtër, në destinacionin e përhershëm të saj, fitoren. Piramida e gënjeshtrave të Ramës ka nisur të rrëzohet, tha Olldashi dhe PD ka përpara një mur që shembet lehtë. “Shikoni, çfarë po ndodh me administratën. Kanë deklaruar për vite me rradhë që ky vend ka 1 milion të papunë dhe sot deklaruan që ka vetëm 5 mijë e 300 aplikime në Partinë Socialiste. Ku janë 1 milion të papunët?! E gjithë piramida e gënjeshtrave elektorale të Edi Ramës do të fillojë të çmontohet një e nga një. Ne duhet të vazhdojmë dialogun më intensiv të mundshëm me qytetarët shqiptarë për të rrëzuar çdo skemë, çdo premtim, çdo politikë të shpallur, gjoja prej tyre”, përfundoi Olldashi. Kandidati për drejtimin e partisë më të madhe të së djathtës në vend, Sokol Olldashi, në vijim të takimeve në Qarkun e Elbasanit, për prezantimin e platformës së tij për t’u votëbesuar si kryetari i ardhshëm i Partisë Demokratike, u takua edhe me anëtarët e kësaj partie në Cërrik dhe Gramsh.

 

Basha: Erdhen në pushtet përmes mashtrimit

 

Kandidati për kryetar të PD, Lulzim Basha, ka prezantuar platformën e tij të drejtimit të kësaj partie, në Njësitë Bashkiake Nr. 5, 6 dhe 7 në kryeqytet. Zoti Basha ka theksuar se, në platformën e tij, çdo anëtar i PD do të vendosë përmes votës, për drejtuesit e partisë dhe kandidatët për zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme.“Të garantojmë jo vetëm që të dëgjohet zëri i çdo anëtari, por të respektohet zëri i çdo anëtari. Çdo anëtar të ketë të drejtën që të ketë një zë të barabartë, pra një votë, në çdo vendimmarrje të rëndësishme të PD, nga niveli i organizimit deri në nivelin e përzgjedhjes së kandidaturave tona, për përballje lokale dhe qendrore”, theksoi Basha. Gjithashtu kandidati për kryetar, ka theksuar se PD duhet të jetë në qendër të një fronti opozitar, i cili të përfshijë përveç aleatëve historikë të kësaj partie, të gjithë të mashtruarit e mazhorancës së re. “Duhet të jemi të gatshëm të nisim që sot aksionin tonë opozitar, me të gjithë aleatët tanë shoqërorë, me të persekutuarit, pronarët, me rininë, me botën akademike, me shoqërinë civile, me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe të fillojmë t’u faktojmë ditë për ditë zullumqarëve të 23 qershorit, se kanë përballë një forcë të gatshme për t’u përballur çdo çast me zullumin e tyre, por po kështu për të ofruar alternativën e së nesërmes”, theksoi Basha. Mazhoranca e 23 qershorit është e vetmja në botën demokratike, e ndërtuar mbi mashtrimin dhe shitblerjen e votës, ku misioni i saj, siç po faktohet çdo ditë nuk është zhvillimi, por zhbërja e arritjeve të këtij vendi. “S’ka asnjë shtet, asnjë shoqëri në historinë e Evropës, që të jetë ndërtuar mbi dy vlera, mashtrime piramidale dhe shitblerje votash. U kemi lënë një vend me rrugë të reja, u kemi lënë një vend me rini të mirëarsimuar, u kemi lënë një vend me administratë funksionale. Në vend që të mendojnë se si të ecin më përpara, në raport me dëshirat e problemet e qytetarëve, mendojnë në mënyrën më absurde se si të zhbëjnë arritjet tona”, përfundoi Basha.

Klika marksiste erdhi në pushtet përmes mashtrimit
Në fundjavë, kandidati për kryetar të PD, Lulzim Basha, ka prezantuar platformën e tij të drejtimit të kësaj partie, në Bilisht, Tepelenë dhe Ersekë. Zoti Basha ka theksuar se mazhoranca e re, ende pa ardhur në pushtet ka filluar të tërhiqet nga premtimet e saj, duke u faktuar shqiptarëve, se projekti i saj ishte thjesht dhe vetëm mashtrim. “Asnjë forcë demokratike, vetëm klikat marksiste vijnë në pushtet me mashtrime dhe premtimet e tyre, çdo ditë po faktohen që janë mashtrime, nga të cilat po fillojnë të tërhiqen akoma pa u zhdukur boja nga gishti i votuesve të mashtruar të 23 qershorit. Premtuan heqjen e taksave për 95% të shqiptarëve dhe kritikuan taksën tonë të sheshtë, por pardje thanë se, taksa e Sali Berishës qenka taksa më e mirë për ekonominë. Premtuan shëndetësi falas, por tani na thonë që: “jo, s’kemi marrëveshje koalicioni, do të jetë falas apo jo”. Premtuan 300 mijë vende pune, por kanë filluar me konkurse në faqen zyrtare të Internetit të Partisë Socialiste, çka paralajmëron pushime masive të administratës dhe zëvendësimin e tyre me militantë, mendësi kryekëput e partisë-shtet”, theksoi zoti Basha. Kjo mazhorancë e premtimeve piramidale, sipas Bashës duhet të përballet çdo ditë dhe çdo orë me mazhorancën morale të shumicës së shqiptarëve. Zoti Basha ka theksuar se, PD ka qenë që në krijim të saj dhe mbetet edhe sot, e vetmja shpresë e shqiptarëve për zhvillim dhe integrim. Partia Demokratike, e cila bëri realitet ëndrrat shekullore të shqiptarëve, sipas Bashës do të jetë e gatshme që nesër t’u kthejë shqiptarëve shpresën për të ardhmen. “Përballë na kanë ne, Partinë Demokratike të Shqipërisë, Partinë Demokratike të Sali Berishës, Partinë Demokratike të Azem Hajdarit dhe Gramoz Pashkos, që shembën komunizmin, eliminuan pasojat e tij, vunë bazën e parë të ekonomisë së tregut. Jemi ne që krijuam trashëgiminë e mirëqenies përmes punësimit, punësimit përmes investimeve, investime përmes një klime biznesi të paparaleltë në stimuj dhe lehtësira. Për këtë, jemi dhe duhet të jemi në çdo moment krenarë, kokëlartë dhe dinjitozë!”, theksoi Basha.

Mirënjohje ndaj anëtarësisë së PD
“Si kryetar i PD, do të mbaj një kontakt të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, me çdo anëtar e militant”, ky ishte zotimi që kandidati për kryetar të PD, Lulzim Basha, mbajti gjatë prezantimit të platformës së tij në Leskovik, Përmet dhe Paskuqan. Zoti Basha e ka konsideruar si një nga arsyet e humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit, mungesën e vëmendjes dhe mirënjohjes ndaj anëtarësisë së PD si dhe garantoi se si kryetar i PD, do të mbajë një kontakt të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, me çdo anëtar e militant të PD. “Një gjë mund t’ua them sot, jo si konkluzion, por si mendimin tim personal, si zërin tim individual, si anëtar i PD, se një ndër arsyet e humbjes ka qenë mungesa e vëmendjes dhe mungesa e mirënjohjes ndaj anëtarëve dhe militantëve të PD, ndaj dhe pika e parë e asaj që duhet të bëjmë si parti politike është të korrigjojmë këtë gabim dhe ta nisim, duke bërë të mundur, që në bazë të kontributit të çdo anëtari nga dita e parë e themelimit të partisë e deri më sot të vlerësohen edhe meritat, sot në opozitë dhe nesër në pushtet. Personalisht angazhohem, nëse më besohet kjo detyrë e lartë, që të mbaj një kontakt të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, me çdo anëtar e militant të PD”, deklaroi zoti Basha. Sipas Bashës, mazhoranca e re ka nisur që sot të zmbrapset nga premtimet e saj, me pretendimin se projekti i saj është për 8 vjet dhe jo për katër. “Partia Demokratike, tha Basha, duhet të jetë gati të rikthehet si mazhoranca e shpresës, për ëndrrat dhe aspiratat e shqiptarëve”. “Që sot kanë filluar të zmbrapsen si akrepi dhe të justifikohen në mënyrën më të paturpshme, se objektivat me të cilat morën pushtetin, mashtrimet e rilindjes së mashtrimit i paskan bërë për 8 vjet, por shqiptarët i votuan për 4 vite. Sot, na lind detyra të bëhemi gati, në mënyrë që duke i shkurtuar ditët kësaj mazhorance të mashtrimit, ne të jemi gati një orë e më parë, për t’u rikthyer si mazhoranca e shpresës dhe si forca e vetme, ku mund të mbështeten shqiptarët e ndershëm për ëndrrat e aspiratat e tyre”. Po ashtu, Basha ka theksuar se, Partia Demokratike do të jetë në qendër të një opozite të gjerë, përballë rilindjes së mashtrimit. “Që sot, ne duhet ta vendosim veten tonë në qendër të një fronti të gjerë opozitar, me të gjithë faktorët shoqërorë, të përndjekurit, pronarët, rinia, biznesi i vogël dhe i mesëm deri tek faktorët e tjerë shoqërorë, bota akademike, shoqëria civile, të cilët e kuptojnë se, mazhoranca e zullumit të 23 qershorit është në konflikt interesi me interesat e tyre dhe kanë shpresë që PD do të jetë mbrojtja, avokatja e interesave të tyre”, theksoi Basha.

Filed Under: Komente Tagged With: basha-Olldashi, Gara per te PD

Sikur t`ishte Dija gjallë?

July 16, 2013 by dgreca

Nga Fahri Xharra/

“Edhe un dojsha me i vazhdue mësimet, por s’më lanë. Eme njerkë, herë mbas here, i flitte t’im et mbi kotësin e mësimit për femna dhe mbi nevojën e mbulesës s’eme. Por ai deri atëherë nuk i a pat vu veshin. E- nashti vonë pat nisë me u ndrydhë nën ndikimet e saj. Nji mbasdarke, pak para se të fillonte vjeti shkolluer, ndigjova se po i thoshte njerka:

– Ajo lypset të mbulohet ma. Asht turp prej botës që t’a nxjerrim gocën jashtë si nji kaureshë të llastueme e të pafrenueme.

– Mirë, moj grue, por ajo ende asht e vogël – përgjegji ai?!

– Kush asht e vogël? A nuk shef se asht bamë sa nji pelë?

– E shof se ka dhanë shtat, por nuk më duket se asht bamë për t’u mshefë.

– Ndigjo burrë! Ajo duhet mbulue dhe lypset hjekë nga shkolla ma. Ç’i lypset shkolla asaj? Mos i mësojnë në shkollë Kuran e punë Ahireti? M’u verbofshin syt n’u mësojnë ndonji punë të mbarë. Ajo mbas sodit duhet të rrijë në shtëpi, të stërvitet me gatue, me qepë e me arnue dhe me la e me lye. “(Haki Stërmilli, 1936)

Po Dije duhet të mbyllesh se je  ende në vitin 1936. E , ke për të kaluar vite të tëra të jetës ,nëse je gjallë që të shohësh që edhe stërmbesave tuaja po iu propozohet e njejta gjë .

Babai i Dijes s`e  ka ditur që :” duke e pasur një vetvete me një pajë shpirtërore të madhe dhe të shumanshme, si mundemi të luftojmë që ta shëmtojmë vetvetën.”

Por Dija duhej të mbyllej përkundër asaj që i takonte : “Prej elementeve të ndryshme të popullsisë, asnjë nuk tregon tipare më karakteristike se shqiptarët, një racë që shfaq  kapacitetin kafkor më të madh në Europë ”(Rudolf Virchow 1878).

Po pse duhej atëherë të mbyllej Dija ,po pse duhej hjekur nga shkolla ,sepse në shkolla nuk ”mësojnë në shkollë Kuran e punë Ahireti” Sepse në shlolla nuk ”mësohej ndonjë punë e mbarë”. Shtëpia ka nevojë për femër , që të rritë fëmij ,”të stërvitet me gatue, me qepë e me arnue dhe me la e me lye.” E hiq më tepër.

Babai i Dijës nuk e dinte asokohe se çka shkruante Tursun Beu i Sulltan Fatihut:” Me ndihmën e Zotit, më të Lartit pushtuan çdo strehë që mësynë dhe grabitën e plaçkitën kaq shumë pasuri të frymore e jofrymore, saqë djelmosha me tipare engjëllore dhe vasha me pamje hyrish, që vlenin tre a katër mijë aspra, krijesa të këndshme me tipare të tilla që mjaft që t’i shihje në fytyrë që të të ikte mendja, shiteshin veç për vetëm tre apo katërqind aspra. Të tilla hyri që kushdo që i sheh në tendë kujton se është përnjëmend në Parajsë. T’i shihje kur mbi gjoksin tim dergjej, do besoje se në një trup dy shpirtra qenë. Te tillë djelmosha që, për atë Zot, në thonë Se ka dhe më të bukur, gënjeshtra thonë. (Kronikat e Tursun Beut) ”

Dija në ditarin e saj vazhdon: ” Të nesërmen në mëngjes shkova ke Xha Sadiku dhe e lajmova Hamitin mbi sa kisha ndigjue. Ai u nxë e u ba prush. M’u zotue se do të përpiqesh me i a kthye mendjen t’im eti. Me të vërtetë ai u mundue, por nuk bani dobi. Em atë më ndaloi nga shkolla dhe më mbylli në shtëpi…. Mbas dy ditësh më mveshën nji çarçaf të zi dhe më vunë në fytyrë nji peçe të zezë e të trashë.”

Po Dija nuk guxonte t`a thoshte babait këto:” “Popujt që kanë patur të bëjnë me Ilirët gjatë shekujve kanë qenë kolonizatorë,pushtonjës ushtarakë ose migrantë endacakë.Këta nuk kanë patur kontakt të barabartëme të gjithë turmën ilirike të përhapur në një trevë kaq të madhe.Por,ndërsa,ndrydhja e tyre ka qenë më forte për disa fise e vise,ka qenë shumë me dobët ose nuk është ndier aspak nder fise e vise të tjera.Disa nga këta popuj,nuk kanë lënë gjurmë veçse në qytetrim: kurse disa të tjerë kanë lënë shumë gjak ndër fiset e pushtuara.Vetëm ai grup i Ilirve që më vonë u quajt me emrin Shqiptar,qëndroi m’i pastërti dhe,me gjithë se e ndjeu mjaft ndikesen e qytetërimit të huaj,mbeti gati krejt i paprekur për nga raca.”

.Po si të mbyllet ,një popull krejt i paprekur nga raca?

E kërkoja Dijen e Haki Stërmillit dhe të bisedoja me te që ti tregoja se ç`po ndodhë me ne kohëve të fundit,  porse thoshja  ose ishte mplakur shumë ose kishte vdekur ( kishte lindur ne vitin imagjinar 1919) . Deshja të bisedoja me  të dhe ti spjegoja se si po mundohen sot ,të na i mbyllin gocat e racës shqiptare  së pari me shami (faza e parë disa vjeqare) dhe pastaj “ të mveshën me  nji çarçaf të zi dhe në fytyrë nji peçe të zezë e të trashë.”( faza  e vazhdimit).  Sikur t`ishte Dija gjallë !

Sveta Protiq ( 1913) shkruan “ Që kur  qështja shqiptare ka filluar të ngritet e posaqërisht në kohën e fundit ( Koha e Konferencës së Londrës) , ka hyrë në modë që shqiptarët të paraqiten me disa karakteristika të posaçme dhe karaktreri i tyre shumë tërhjekës dhe simpatik. Por Matej Protiqi shkruan duke e cituar Dr. Kurt Hassert-in”(1989: “ Shqiptarët janë në atë nivel të zhvillimit në të cilin ishin të parët e tyre para mijëra vjetësh.” kurse një farë Chopeni sipas Protiqit paska pas shkruar’”Shqiptarët i kanë vetit dhe zakonet e njerëzve të egjër , dhe ata nuk kanë mundur të ndryshohen as edhe nga pushtuesit “( “Albanski problem, 1913”) –

Por edhe sot kur qështja shqiptare u ngrit në nivelet më të larta botërore “ kur hyri në modë që shqiptarët të paraqiten me karakteristika të posaçme dhe  me karakter shumë tërhjekës dhe simpatik” ,filloi lufta e errësimit , së pari me femrën shqiptare Kërkohet një “despotizëm familiar me normat e moralit sundues që e ndrydhin personalitetin e femrës shqiptare.”

Por edhe atëherë e edhe sot ,mos ishte/ është  kjo një: I tillë është rasti i “bamirësit” musliman Hajredin Hoxha, i njohur si Dine Hoxha, me emrin e të cilit njihet xhamia që është në fillim të Rrugës së Kavajës në Tiranë, për shkak se ai dhuroi truallin për ndërtimin e saj në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Studiuesi shqiptar nga Kosova, Halim Purellku, vitin e kaluar ka botuar një libër, për të cilin ka përdorur ndër të tjera edhe të dhëna të nxjerra nga arkivat e Beogradit. Në këtë libër jepen fakte se Dine Hoxha ishte agjent i paguar i Beogradit. Sipas arkivave serbe Dine Hoxha ka marrë para dhe armë nga serbët në disa raste. (Halim Purellku, “Zona e pushtimit jugosllav në Shqipëri: 1918-1921”, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Tiranë 2012, f. 118-120) Halim Purellku jep edhe referencat e plotë nga arkivat e Beogradit në serbisht. Referencat që dhashë më lart janë vetëm disa prej atyre që jep Halim Purellku. Në 1920, kur dibranët i dhanë ultimatum duke e kërcënuar me asgjësim, Dine Hoxha bëri sikur i shkëputi lidhjet me serbët, por koha tregoi se kjo nuk kishte qenë e vërtetë. Është sa ironike aq edhe domethënëse që xhamia e njohur si më radikale islamike në Shqipëri, çka është ajo e Rrugës së Kavajës, është vepër e një agjenti serb! Kështu i donte dhe i do demonologjia e Serbisë shqiptarët, radikalë islamikë, ashtu që serbët t’ ia paraqesin shqiptarët Europës si rrezik të madh. Dine Hoxhës tashmë i kanë bërë edhe një këngë lavdëruese, por që nën dritën e të dhënave arkivore fiton një konotacion sarkastik: “O kush është Dinia gjithkush e di e/Burrë i mençur zemërstuhi e”.  Tashmë gjithkush e di se cili është Dine Hoxha: agjent i Serbisë, falë pareve të së cilës u tregua bamirës dhe na la në mes të Tiranës xhaminë radikale.( Kastriot Myftaraj )

Por Dija nuk është gjallë , stërmbesat e saja do ta përjetojnë kohën e saj.O sa do të vajtonte e shkreta!

 

Fahri Xharra ,14.Korrik 2013

Gjakovë

Filed Under: Analiza Tagged With: Dija gjalle, Fahri Xharra, Sikur te ishte

Rilind Valbona Mema! Stari i muzikes popullore risjell ne jete kengen “Tirane-Prishtine

July 15, 2013 by Administrator

Nga Albano Kolonjari.

E buzeqeshur si gjithmone, me nje look krejtesisht te ri, dhe me ca kilogram me pak, Valbona Mema, ne nje interviste eskluzive per gazeten “Dielli”, rrefehet mbi kengen e saj te re:”Tirane-Prishtine”. ..Tre vite me pare, Valbona Mema solli per publikun shqiptar kengen “Si ke qen e si je bo”, kushtuar Kryeqytetit te Shqiperise Tiranes. Pas nje pauze te gjate, Super Stari i muzikes shqiptare shperthen duke kthyer ne hitin e veres kengen “Tirane-Prishtine”. “Gjate kesaj periudhe nuk kam qendruar pasiv, por shume aktive me koncerte te ndryshme si brenda ashtu edhe jashte Shqiperise. Gjithmone kam menduar te sjell dicka krejt ndryshe per repertorin dhe fansat e mi dhe arrita ta realizoj kete fale bashkepunimit me Ervin Gonxhin ”. Ne fakt kenga ka nje rryme ndryshe nga ato qe Valbona Mema ka kenduar me pare. Producenti i kenges Ervin Gonxhi ka realizur nje gershetim midis muzikes popullore dhe asaj ritmike. Vete Valbona Mema ka nje lidhje shpirterore me kengen. Tirane-Shkoder-Prishtine! “Ne Prishtine ka lindur vajza ime Marsa-thote Valbona. Ishte viti 1996, vajza ime erdhi ne jete gjate nje koncerti ne Prishtine. Shkodra eshte vendlindja e njeriut tim te zemres, ish bashkshortit tim qe realisht me mungosh shume. Dhe natyrisht Tirana, qyteti ku kam lindur, rritur dhe qe me dha famen qe kam sot”. Dhe pse ka vetem pak jave ne tregun muzikor, kenga po kthehet ne hitin e veres ne Shqiperi. Video klipi eshte realizuar nga kompania “Pro Video” dhe ka pushtuar ekranet televise ne Tirane dhe Prishtine. Valbona thote se:”Per klipin eshte punuar shume. Kenga eshte nje ripunim i kenges se vjeter Tirane-Prishtine dhe eshte rishkruar nga poetja Ronela Hajati“. Persa i perket look te ri Valbona thote se:”Nje merite te vecante ka stilistja ime Aferdita”. Persa i perket kg te humbur, ylli i muzikes shqiptare tregon se ka qene A. Kalleshi, ajo qe ka ndikuar ne linjat e reja trupore”.

“Gjithmone kur vij ne New York ndihem si ne shtepine time. Dhe fansat e mi qe jetojne atje me mungojne shume”, thote Valbona, e cila ka ne planet e saj disa koncerte ne fundin e ketij viti ne New York.

Valbona Mema
Vendlindja: Tirane
Mosha: 46 Vjeç
Ditelindja: 28 Qershor 1967
Shenja e Horoskopit: Gaforrja

E lindur ne nje qytet i cili te ofron te njihesh me shume kultura, e sidomos me muziken e vertete shqipe. Nje kengetare me taban, e njohur kahera si trumbuese e muzikes se vertete tiranase, eshte Valbona Mema. Paraqitet ne skenen shqiptare qe prej vitit 1985, dhe qe nga ai vit ajo nuk ka rreshtur se punuari per t’i rruajtur traditat autoktone shqiptare. Ka realizuar me se 8 albume, videoklipe, bashkepunime me shume kengetare, mijera koncerte ne mbare trevat shqipfolese etj. Valbona i ka kenduar dashurise, gezimeve familjare, gjithashtu edhe ka perpunuar shume kenge te bukura tiranase e te vendeve tjera. Ka nje djale e nje vajze. Jeton dhe vepron ne Tirane.

 

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT