• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

Mbi 2500 gjuhë në zhdukje

July 15, 2013 by dgreca

Instituti Smithsonian njofton se mbi 2 mijë e 500 gjuhë do të zhduken deri në fund të këtij shekulli dhe për këtë arsye Smithsonian, që është muzeu dhe qendra më e madhe studimore në botë, i kushtoi një vëmendje të veçantë këtyre gjuhëve në Festivalin e vet vjetor Folklorik. Sapo dëgjoi muzikën, Patricia Joseph u ngrit menjëherë të vallëzonte.
“Gjithmonë më vinte të kërceja kur dëgjoja këtë lloj muzike, por diçka më frenonte. Por këtu ndjehem e çliruar. Është një vend i pazakontë dhe do të kalojmë këtu thuajse gjithë ditën”.
Edhe kënga është e pazakontë, me vargjet në një gjuhë që po shkon drejt zhdukjes. Është pjesë e Festivalit Folklorik Smithsonian, një aktivitet i përvitshëm ku nderohet kultura botërore në Parkun Kombëtar në Uashington. Këtë vit, një vëmendje e posaçme i është kushtuar 2 mijë e 500 gjuhëve nga gjithë bota që parashikohet të zhduken deri në fund të shekullit.
Përfaqësuesit e gjuhëve të ndryshme përdorën forma të larmishme arti për t’u shprehur në gjuhët e tyre, përfshirë muzikën ritmike të gjuhës Quechua të Amerikës së Jugut …të kënduarin e veçantë të gjuhës Tuvan në Siberi…dhe vallëzimin e veçantë të gjuhës havajane. Aaron Sala është një nga muzikantët e gjuhës në zhdukje të Havait.
“Është një përvojë e mrekullueshme që të njohim kultura të tjera që po punojnë për të ruajtur mbijetesën dhe zhvillimin e gjuhëve të tyre”.
Por përfaqësuesit e këtyre kulturave nuk po përpiqen vetëm të stimulojnë shqisën e dëgjimit. Përveç muzikës, festivali ekspozon shumë objekte artizanale autentike, si për shembull një mulli që bluan orizin.
Elisabeth Ostler nga Merilendi thotë se festivali me objektet e artit dhe muzikën u jep mundësi amerikanëve që të mësojnë për kulturat e ndryshme botërore.
“Në përgjithësi ne jemi të izoluar nga kulturat e tjera. Kemi kaq shumë gjëra që mund të vlerësojmë”.
Ajo shpreson që të rinjtë, siç janë shtatë fëmijët e saj të frymëzohen nga festivali dhe të sjellin ndryshim në botë.(Kortezi:VOA)

Filed Under: Kulture Tagged With: 2500 gjuhe, ne zhdukje

Protesta ndaj vendimit në çështjen Zimmerman

July 15, 2013 by dgreca

Protesta paqësore, por të ngarkuara me emocione kanë shpërthyer në një numër qytetesh amerikane pasi një banor i Floridës u shpall i pafajshëm lidhur me akuzat për vrasje me paramendim dhe vrasje aksidentale, në gjyqin që pasoi vdekjen e një adoleshenti afrikano-amerikan vjet. Presidenti Barak Obama bëri thirrje për qetësi dje, pas shpalljes së vendimit. Në një deklaratë me shkrim, zoti Obama e cilëson vdekjen e adoleshentit Trayvon Martin një tragjedi si për familjen ashtu edhe për Amerikën. Por ai bëri thirrje për reflektim paqësor duke shtuar, “ne jemi një vend ku sundon ligji, dhe trupi gjykues e tha fjalën e tij”.
Vendimet gjyqësore në çështje të ngarkuara me ngjyrime racore kanë shkaktuar në disa raste protesta dhe trazira masive. Në vitin 1992 disa policë të Los Anxhelosit u shpallën të pafajshëm lidhur me akuzat për rrahjen e një afrikano-amerikani. Vendimi u pasua me protesta të dhunshme, akte vandalizmi, plaçkitje dhe kaos. Dhjetra vetë gjetën vdekjen, qindra të tjerë u plagosën dhe dëmet materiale kapën shumën 1 miliard dollarë.
Në dallim nga trazira të tilla, protestat pas shpalljes të pafajshëm të të akuzuarit George Zimmerman kanë qenë relativisht paqësore. Të shtunën në mbrëmje, trupi gjykues i përbërë nga gjashtë gra, deklaroi vendimin në një ndër proceset gjyqësore që tërhoqën vëmendjen më të madhe publike gjatë viteve të fundit:
Një ndër avokatët e familjes së 17-vjeçarit të vrarë Trayvon Martin, dha komente në programin Fox News Sunday. Darryl Parks e cilësoi si të pabesueshëm vendimin, por tha se familja Martin do që publiku të reagojë pa dhunë.
“Ky është vendimi i trupit gjykues. Ne e pranojmë vendimin, por nuk jemi dakord me të”.
Në vitin 2012, George Zimmerman, gjatë një patrullimi vullnetar të lagjes ku banonte, pa 17-vjeçarin Trayvon Martin duke ecur nëpër lagje. Të dy ata u ngacmuan me fjalë, gjë që çoi në ballafaqim, si rezultat ata u përleshën dhe incidenti përfundoi me vrasjen e adoleshentit nga Zimmerman.
Seanca gjyqësore nxori në pah dëshmi kundërthënëse lidhur me personin që ishte nismëtari i konfliktit dhe me pyetjen nëse Zimmerman kishte reaguar në vetëmbrojtje.
Anëtari i Komisionit të Senatit për Gjyqësorin, republikani Orrin Hatch u shpreh se u dha vendimi i duhur. Ai i bëri komentet në programin This Week:
“Nëse procesi bazohet mbi kushtin se duhet provuar fajësia përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, duhet të pranojmë se kishte plot dyshime të arsyeshme lidhur me fajësinë apo pafajësinë e të pandehurit”.
Megjithëse është shpallur i pafajshëm në një gjykatë penale, Zimmerman mund të nxirret përsëri në gjyq, këtë radhë në një gjykatë civile nëse familja Martin ose Departamenti i Drejtësisë vendosin të ndjekin këtë pistë.(Kortezi: Michael Bowman)

Filed Under: Kronike Tagged With: antizimerman, Protesta

Presidenti Nishani uron mazhorancën e re dhe u jep kurajo institucioneve Kushtetuese

July 15, 2013 by dgreca

Presidenti Bujar Nishani mblodhi krerët e institucioneve të pavarura: Mos u stepni ndaj ndonjë revanshi të mundshëm!/

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka zhvilluar të hënën një takim të paralajmëruar me krerët e institucioneve kushtetuese të vendit.Të pranishëm të takim ishin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, Nënkryetari i KLD-së Elvis Cefa, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, Kryetari i KLSH-së Bujar Leskaj dhe Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP-së Zana Xhuka.Në fjalën e tij, kreu i shtetit ka kërkuar nga krerët e institucioneve të qëndrojnë larg politikës dhe të përballojnë me sukses periudhën e trazicionit të pushtetit.“Sapo kemi përfunduar zgjedhjet dhe jemi në procesin e trazicionit politik. Përballimi me sukses dhe me profesionalizëm i kësaj periudhe është qëllimi i takimit të sotëm. Zgjedhjet prodhuan një mazhorancë të re politike, të cilës i uroj suksese në përmbushjen e detyrave dhe misionit të saj. Prioritetet e kësaj qeverie mund të jenë të ndryshme nga maxhoranca e mëparshme, kësisoj dhe funksionet qeverisëse duhet të jenë të matura. Në shërbim të këtij mandati të kësaj mazhorance të re, vendimarrjet e institucioneve të tilla si Prokuroria, Gjykata e Larta, Banka e Shqipërisë, KLSH-ja, ILDKPJ-ja etj duhet të mos përfshihen nga perceptimi i inercisë së tranferimit të pushtetit. Tashmë, institucionet kushtetuese të vendit janë të kolauduar dhe funksionojnë për gjithë vendin pa marrë parasysh asnjë përkatësi, por vetëm në përputhje me ligjin” tha Nishani.Nishani u bëri thirri sot drejtuesve të disa institucioneve që të mos stepen apo frikësohen ndaj ndonjë revanshi që mund të mendohet në këtë periudhë të tranzitimit të pushtetit nga një maxhorancë në një tjetër.

“Qeveria dhe kryeministri i ri pavarësisht se mund të kenë pikëpamjet e tyre, por baza e këtyre institucioneve sipas tij është e përcaktuar ligjërisht dhe e pavarur institucionalisht. Askush nuk duhet të ndihet i sulmuar, i brishtë apo lehtësisht i goditshëm. Një periudhë e tillë tranzitimi është përdorur si kohë e mjegullt nga elementët e krimit, veçanërisht ata ekonomikë e korruptivë, ndaj është për t’u përshëndetur që institucione të caktuara morën para para disa ditësh duke krijuar një klimë sigurie se shteti funksionon. Do të donim që askush të mos e shkelte ligjin, të mos ndodhte asnjë krim, të kishim zero korrupsion, por kjo nuk është realiste. Le të jemi pra, realist, e të punojmë me devocion në përputhje me rrethanat reale dhe jo tek meskiniteti,” tha Nishani.

Nishani po ashtu bëri thirrje edhe për vazhdimin e reformave nga këto institucione pavarësisht ndërrimit të maxhorancës, dhe synimeve që ajo mund të ketë.

“Reformat strukturore që janë nisur dhe që janë në vazhdim e sipër, ato që janë të miratuara dhe të bashkërenduara me komunitetin ndërkombëtar, ato që kanë filluar të japin frute në trasnparencën e sistemit dhe sidomos në rritjen e konkurencës nuk kanë asnjë arsye të ndërpriten e të mbeten në pritje. Ato janë të destinuara të arrijnë objektivat e veta. Kjo do t’i sillte mundësi më të mëdha qeverisë së ardshme por do të krijonte një mundësi bashkërendimi të objektivave tona të përbashkëta.”- tha Nishani.

 

Në vijim, fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në takimin me krerët e disa insitucioneve të pavarura.

Të nderuar pjesëmarrës të këtij takimi,

Në radhë të parë dëshiroj t’ju përshëndes e t’ju uroj punë të mbarë në këtë periudhë kohe disi të veçantë, ku sapo kemi përfunduar zgjedhjet parlamentare dhe jemi në fillim të procesit të tranzitimit të pushtetit politik nga një mazhorancë në një tjetër të re të sapovendosur nga këto zgjedhje.

Pikërisht përballimi me suksesin më të madh të mundshëm demokratik e profesional i kësaj periudhe, është qëllimi kryesor i mesazhit tim sot me cilësinë e Presidentit të Republikës, për ju dhe për gjithë trupën institucionale që ju përfaqësoni .

Zgjedhjet prodhuan një mazhorancë të re politike, të cilës i uroj suksese në përmbushjen e detyrave dhe misionit të saj.

Prioritetet e kësaj qeverie mund të jenë të ndryshme nga mazhoranca e mëparshme.

Kësisoj edhe funksionet qeverisëse duhet të jenë të matura, në zbatim të ligjit, por edhe të moralit publik dhe institucional, në shërbim të këtij mandati që do fillojë së shpejti.

Por, ushtrimi i funksioneve, praktikat dhe vendim-marrjet e institucioneve të tillë si Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Guvernatori i Bankës, KLSH, ILDKP, etj, si institucione të pavarura duhet të mos përfshihen nga perceptimi i inercisë së transferimit të pushtetit qeverisës.

Qeveria dhe Kryeministri i ri mund të kenë pikëpamjet e tyre për raportin që do të vendosin me këto institucione, apo dhe për mënyrat e koordinimit që mund të kenë me ju, por baza e punës së përditshme të këtyre institucioneve është krejtësisht e përcaktuar ligjërisht, e pavarur institucionalisht, e mbi të gjitha duhet t’i përgjigjet zërit të profesionalitetit, që kërkon t’i shërbejë pa reshtje e pa ndërprerje qytetarit, shtetit dhe atdheut.

Tashmë institucionet kushtetuese të Shtetit tonë, janë mekanizma të kolauduara, që funksionojnë me rendiment të kënaqshëm, në të mirë të vendit, në të gjithë vendin, për të gjithë njëlloj pa marrë parasysh asnjë përkatësi të çfarëdolloji, në përputhje me Ligjin.

Funksionimi i mirë i institucioneve, në një vështrim të përgjithshëm, pa hyrë në detaje, ka dy anë;

Funksionimin e brendshëm dhe pamjen nga jashtë, apo perceptimin në publik.
Këto dy elementë shkojnë krahas njëri-tjetrit, e ndihmojnë njëri-tjetrin.

Nga njëra anë, funksionimi i mirë i institucioneve shton perceptimin e mirë real. Nga ana tjetër, perceptimi i drejtë nxit funksionimin e mirë.

Me fjalë të tjera, ajo që është qëllimi final i punës së institucioneve, shtimi i Lirisë, shtohet në përpjesëtim të drejtë, si me funksionimin e kënaqshëm të tyre, dhe me besimin gjithmonë në rritje që njerëzit kanë tek Institucionet.

Lodhjet e pandalshme për përmirësimin progresiv të punës së Institucioneve, janë pjesë e rëndësishme e çmimit të Lirisë. Çmim goxha i lartë, që arrihet vetëm me punë këmbëngulëse, punë e cila gjithmonë shpërblehet me rezultate.

Të nderuar të pranishëm,

Jemi në një kohë vërtet serioze për të ardhmen tonë europiane, e sfida të rëndësishme duhet të përballë shteti dhe shoqëria shqiptare.

Reformat strukturore që janë nisur e që janë në vazhdim e sipër, ato që janë të miratuara dhe të bashkërenditura edhe me komunitetin ndërkombëtar, ato që kanë të bëjnë me dixhitalizimin dhe informatizimin e sistemit të drejtësisë dhe prokurorisë, ato që kanë filluar tashmë të japin frytet në transparencën e sistemit dhe sidomos në rritjen e konkurrencës dhe vlerësimit të pjestarëve të sistemit tonë të drejtësisë, nuk kanë asnjë arsye të ndërpriten e të mbeten në pritje.

Ato janë të destinuara të arrijnë objektivat e veta, objektiva këto që janë në favor të së mirës publike.

Kjo jo vetëm që do t’i sillte mundësi më të mëdha qeverisë dhe mazhorancës së re, por do të krijonte një klimë më të përshtatshme bashkërendimi të objektivave tona të përbashkëta, që do t’i shtronte më pas rrugën një bashkëpunimi të frytshëm institucionalo-shtetëror.

Në momente të tilla, të tranzitimit të pushtetit politik, stabiliteti dhe qartësia profesionale e institucioneve tuaj merr një rol garantues.

Do të ishte e dëmshme dhe kundër-produktive, stepja, apo dhe frika ndaj ndonjë revanshi që mund të mendohet.

Kjo gjë s’duhet të ndodhë jo vetëm për dinjitetin profesional dhe shtetëror që ju dhe institucionet tuaja përfaqësojnë, por kryesisht për atë rol të madh të garantit ligjor, ekonomik e kontrollues që institucionet tuaja kanë në shërbim të qytetarit dhe demokracisë shqiptare.

Nuk duhet t’i krijohet asnjë pengesë apo mungesë shërbimi një qytetari apo biznesi që pret në dyert e një gjykate apo në derën e prokurorisë. Por po njëlloj, nuk duhet t’i mungojë institucioneve dhe organeve qeverisëse kontrolli financiar apo ligjor, informues apo koordinues, në raport me planet e miratuara për zbatim që në fillim të vitit.

Pavarësisht legjitimitetit moral apo ligjor, të gjitha kërkesat, deklaratat apo çdo ndërhyrje e jashtme që mund të vijë prej politikës duhet konsideruar vetëm si diçka së cilës i duhet përgjigjur korrektësisht, por jo si pengesë objektive për të kryer detyrat dhe objektivat që i ka vënë vetes secili prej institucioneve tuaja.

Askush nuk duhet të ndihet i sulmuar, dhe për më tepër i brishtë apo lehtësisht i goditshëm.

Një periudhë e tillë tranzitimi, është perceptuar jo shpesh në historinë e shtetit dhe demokracisë shqiptare si një kohë e mjegullt dhe e dobishme për t’u përdorur nga elementët e krimit të çdo lloji, por veçanërisht atij ekonomik e korruptiv.

Ndaj, janë për t’u përshëndetur institucione të tillë si Kontrolli i Lartë i Shtetit, që jo më larg se para disa ditësh ka publikuar masa të rëndësishme institucionale dhe ekonomike, për institucione të caktuara.

I njëjti ritëm duhet ruajtur edhe në institucionet e tjera kontrolluese, pasi kjo jo vetëm që krijon një ndjenjë të këndshme sigurie se shteti funksionon, por shërben si një mekanizëm i fortë frenues dhe parandalues për shkelje e keqbërje që mund të duken të padënueshme gjatë kësaj periudhe.

Do të donim që askush të mos e shkelte Ligjin, të mos ndodhte asnjë krim, të kishim zero korrupsion, të gjithë t’i deklaronin me saktësi të ardhurat, dhe të kishim para pafund që të mos na mbaroheshin kurrë. Por kjo nuk është realiste.

Të jemi pra realistë. Le të punojmë me sa më tepër devocion për një Shtet real. Gjithmonë bazuar tek Ligji. Në përputhje me nevojat reale, rrethanat konkrete, dhe jo bazuar tek meskiniteti dhe interesi.

Vetëm kështu mund ta përsosim Shtetin real. Që të kemi gjithmonë Drejtësi për të gjithë njëlloj, gjithmonë e më pak krime, çdo ditë e më pak korrupsion, gjithmonë e më pak shkelës të Ligjit, më tepër nëpunës që të deklarojnë me korrektesë të ardhurat dhe pasurinë.

Të kemi parasysh një gjë; Një njeri që nuk e dedikon plotësisht veten për detyrën që i është ngarkuar, nuk mund ta ketë kurrë besimin e njerëzve.

Duhet të mos frigemi nga shprehja e problemeve, por nga e kundërta, nga ndalimi i evidentimit të problemeve.

Në dinamikën e jetës sonë kohërat ndryshojnë, mënyrat dhe rrethanat ndryshojnë, por ne duhet të bëjmë çmos qe të mos ndryshojnë parimet.

Në këtë dinamikë, askush nuk është jashtë rrezikut për të gabuar. Por parimi është që prej gabimeve njeriu të rezistojë, të mos mposhtet, të mos deformohet por të përmirësohet gjithmonë e më shumë.

Por, parimi i parimeve është Liria.

Nëse institucionet dështojnë në shtimin e lirisë së shtetasve, atëherë kjo është fatkeqësia me e madhe që duhet ndrequr urgjentisht.

Në këtë kontekst të gjitha institucionet tuaja janë të lidhura drejtpërsëdrejti me lirinë e individit dhe në tërësi me lirinë e shoqërisë.

Ndaj në përfundim dëshiroj të theksoj rëndësinë e madhe që kanë për këtë, funksionimi i konsoliduar dhe i pandikuar i këtyre institucioneve.

Në mirëfunksionimin e tyre nuk ka krah politik, farefis, familjar, shok e shoqe. Ka vetëm Ligj.

Vetëm përmes këtyre parimeve do të mundësojmë që realizimi i ëndrrave të secilit shqiptar të bëjë të mundur realizimin e ëndrrës së madhe të Shqipërisë për të qenë një vend i lirë e i begatë, me dinjitet të vetin dhe të secilit shtetas.

Ju uroj punë të mbarë në përballimin me sukses të detyrave kushtetuese !

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: e instiucioneve kushtetuse, kreret, mblodhi, Nishani

TЁ LЁVDOSH PUSHTUESIN DHE TЁ MOHOSH SIMBOLET KOMBЁTARE ЁSHTЁ ANTISHQIPTARIZЁM

July 15, 2013 by dgreca

Shkruan: Rasim Bebo,  Addison Çikago/

Kryetari i Bashkisё Islame tё Kosovёs, myftiu Naim Tёrnava, nё njё bisedё me “Zёrin e Amerikёs”, nё ditёn e parё tё muajit tё ramazanit, ndёrmjet tё tjerave nёnvizoi:  “… nё Kosovё nuk ka pasur deri tash veprime qё do ta indetifikonin atё me vatёr tё rrezikut nga ekstremizmi fetar”,  dhe mё tej.  “Nё mungesё tё njohurive tё bollshme nё raport me islamin, kemi edhe debate tё panevojshme, tё tepёrta dhe debate tё pasuksesshme mund te them”. (1).

Nё gazetёn “Bota sot”, 15 qershor 2013, shkruhet: “Partia LISBA dhe disa imamё refuzojnё simbolet shqiptare, flamurin kombëtar. Kёta zotёrinj me paturpёsi kanё arritur tё thonё:  “se refuzojnё simbolet shqiptare, flamurin kombёtar. Dhe mё tej.  Injorojnё dhe mohojnё simbolet tё Kosovёs edhe ato kombёtare shqiptare. Nuk pёrdorojnё flamurin kuq e zi me shqiponjё e as tё Kosovёs. Nё vend tё tyre, nё zyrёn e partise islame “Bashkohuni” , LISBA valёvitet flamuri arab i sheriatit “flamuri i kalifatit” … mohojnё heroin kombёtar shqiptar Skёnderbeun, mohojnё edhe historinё mesjetare shqiptare, mohojmё indetitetin dhe kombin shqiptar.” (2).                            Ndёrsa ju Z. Myfti mё datёn 2 korrik 2013, nё Gazetёn “Bota Sot”  “Perkujtohet Sulltan Murati.  Nё njёrёn prej qendrave  mё tё njohura historike tё Ballkanit, edhe sivjet ёshtё pёrkujtuar Sulltan Murati. Nё ceremoninё e zhvilluar nё Tyrben e Sulltan Muratit nё afёrsi tё Prishtinёs kanё marrё pjesё udhёhёqёs tё komunes sё Osmangazit  nga Bursa, TIKA-s, komuna e Obeliqit si dhe delegacione  nga Maqedonia e Turqia .

Kreu i BIK-ut  Naim Tёrnava ka theksuar, se lutjet e bёra tani e 621 vjet, janё pranuar, dhe se tani pёrkujtohet  Sulltan Murati, i cili ka sjelle civilizimin islam nё Kosovё  dhe Ballkan” (3).

Ju Z. Naim Ternava, së pari jeni shqiptar i Skënderbeut,  me pas jeni mysliman. Ju i zutë vendin ndonjë turku, për të folur për Sulltan Muratin dhe kjo është fatkeqësia jonë.     Ndërsa lidhjet e mira me Turqinё e sotme, ne i duam dhe i respektojmё.

Fjalimi i juaj Z. Naim, a nuk ёshtё njё nxitje pёr Partinё “LISBA” dhe disa imamё, kur digjojnё nga goja e juaj fjalё tё mira pёr pushtuesin mё tё egёr sulltan Muratin dhe asnjё fjalё pёr Skёnderbeun, qё i gozhdoi turqit  pёr 25 vjet luftё dhe vetёm fitore?… Kёta zotёrinj me paturpёsi kanё arritur tё  “mohojnё heroin kombёtar shqiptar Skёnderbeun dhe flamurin KUQ E ZI.  Si ka mundësi, kur Kosova burrneshё edhe nёn sundimin sёrbo-jugosllav e mbante lart flamurin Kuq e Zi nё gёzime dhe hidhёrime, nё krye tё dasmorёve, kur merrnin nusen ose nё krye tё vargut tё varrimeve dhe nё çdo raste tё tjera.  Del pyetja: çbёn Akademija e shkencave, qeveria , kushtetuta, ligji pse nuk vepron?…

Ju  z. Myfti Tёrnava thoni:  “Nё Kosovё,  elhamdurilah prej Zotit, qё deri sot nuk kemi pasur raste, pёrmes  sё cilave do tё ishte identifikuar Kosova si nje vatër ku ka rrezik te ekstremizmit, ndёrsa  Gazeta “Bota sot” 12-6-2013 shkruan: “Mohuesit e Skёnderbeut, poshtёruesit e Shqipёrisё”.

“Ata qё mohojnё Skёnderbeun, sikur bёhen gati tё thёrrasin Turqinё pёr tu rikthyer,  ndёrsa u japin zёmёr projugosllavёve tё mbajnё vesh, edhe ndonjё dite tё thërrasin hapur sёrbinё, tё rikthehet nё Kosovё. Pasi e kanё shpallur Skёnderbeun pёr njё të huaj antishqiptar, duke kёrkuar madje rishikimin e historisё pёr Skёnderbeun, drejtuar zyrtarisht Ministrisё Arsimit e Shkencёs nga “LISBA” dhe tё tjerё. Tё mohosh Skёnderbeun, pёr historianёt dhe pёr kёdo qё e ndjen veten shqiptar, ёshtё njësoj sikur tё mohosh vetë egzistenёn e shqiptarёve”. (4).  Keta persona janё fundërrinat e kombit, që duhen pastruar.

Profesor Aleks Buda nё vitet 1950 na thoshte: “Ka luftuar ajo KOSOVЁ qё kemi Shqipёrinё sovrane, kosovari ёshtё shumё trim e patriot dhe atdhedashёs, duke pasur krdohere nё dorё Skenderbeun bashke me flamurin e tij Kuq e Zi.

Paraqes dy figurat: pёr tё lexuar kёta mohues tё vetё-vetes se sa poshtё qёndrojnё:     Pёr figurёn e Sulltan Muratit, na e paraqet Pukёvili, Konsull i Francёs nё oborrin e Ali Pashё Tepelenёs. Ndёr dokumentat e vjetra tё Janinёs, ai zbuloi ultimatumin e Sulltan Muratit si mё poshtё:        “Unё, Murati, Perandor i Lindjes dhe i Perёndimit, po ju drejtohem juve,  popull i Janinёs, duke ju ftuar tё vini vullnetarisht, qё tё mё jepni çelёsat e fortesёs suaj e tё mё pёrshёndetni si perandorin tuaj, nёse nuk doni qё tё nxisni zёmёrimin tim dhe tё mё detyroni tё vёrshoj kundёr jush me ushtrinё e time dhe tё pushtoj qytetin tuaj. Pastaj mbi kokёn tuaj do tё bien tё ligat qё kanё pёsuar tё gjitha vendet qё me janё kundёrvёnё dhe nuk kanё pranuar tё mё njohin si zotin e tyre, tё gjithё qytetet qё janё nёnshtruar nga shpata ime dhe janё gjunjёzuar para jataganёve tё ushtarёve tё mi, pushtues tё Lindjes dhe tё Perёndimit. Le tё betohemi sё bashku. Që unё nuk do t’ju dёboj kurrё nga fortesa dhe ju do tё jeni besnikё e do t’i nёnshtroheni pёrgjithmonё autoritetit tim.

Morёn nё dorё Kalanё e Janinёs nё emёr tё Muratit mё 9 tetor 1431. (5).                     Nё asnjё mёnyrё nuk duhet tё ekzistojё fjala mohim pёr Skёnderbeun, ёshtё turp tё dёgjojmё fjalёn “mohim” pёr  figurёn madhёshtore tё tij pas 535 vjetёve tё vdekjes,                   Merrni kёtё studim, për të parë se sa lartё e ngrinё njё ndёr historianёt e huaj Skёnderbenё. Historiani  anglez Harry Hodgkinson, hulumtoi nё arkivat e shteteve mё tё fuqishme tё mesjetёs … i dha dorё tё pasuronte librin Skёnderbeu me fakte e dokumenta tё panjohura. Gjykimi i tij i paanshёm prej hulumtuesi, mbeshtetet te faktet, pa u dhёnё hov ndjenjave dhe pёrsiatjeve personale. Ndёrkohё ai adhuron Skёnderbenё si burrё shteti, diplomat, strteg ushtarak, prijёs, atdhedashёs e liridashёs, princ parimor, me karakterё tё fortё dhe forcё trupore herkuliane … Nё tё ndihet admirimi i autorit pёr forcёn, taktikёn ushtarake dhe gjenialitetin e Skёnderbeut, strateg dhe komandant legjendarё, i cili nё krye tё njё ushtrie tё vogёl zbrapsi valёt e invazionit otoman, duke shpёtuar Arbёrinё dhe duke mbrojtur Italinё, Hungarinё, Austrinё, pra Europёn nga pushtimi osman. Ndёrsa Kostandinopoja ra 1453, Kruja qёndroi sa ishte gjallё Skёnderbeu. Madje edhe dhjetë vjet pas vdekjes sё tij.  (6).

Pak histori:  Tajar Zavalani nënvizon: Nё vitin 1354 turqit anashkaluan Koatandinopojen  dhe u hodhёn pёrtej Dardaneleve, nё Europё. Pas vdekjes sё parakohshme tё sulltan Orhanit, fronin e trashёgoi i vёllai Murati i I (1361-1389). Ai saktёsoi kryeqytetin nё Adrianopojё (ose Edirne).  Me 1371 Turqit kaluan lumin Marica dhe marshuan drejt Maqedonisë. Çdo strehё ku mёsynё dhe grabitёn e plaçkitёn kaq shumё pasuri  frymorё e jo frymorё.  Dervishi Begtashian, Ali Turabi, pranoi se turqit e sollёn fenё e tyre nё Europё  “me forё dhe luftё”. Kishte arritur puna, sa tё gjallёt me u pase lakmi tё vdekurve. (T. Z. 115.(7).

Mё 1389 u bё beteja e Kosovёs. Ishte njё luftё e pёrbashkёt e popujve tё Ballkanit tё kёcёnuar nga invazioni osman tё udhёhequra nga Sulltan Murati dhe kёtu ai gjeti vdekjen nga Kosovari Millosh Obeliqi.  Vendin  e zuri i biri i tij Bajaziti, qё u quajte Murati i II, tё cilёt mbushёn Fushë-Kosovёn me pellgje gjaku. Kёtё Sulltan Murat po kujton sot Myftiu i Kosoves  z. Tёrnava, te turbia e tij e ngrehur para 640 vjeteve.                                                       E. Jacques, Thote:  “Sa pёr Islamin, Ideali ose qёllimi i tij ёshtё krijimi i njё monarkie teokratike universale. Profeti Muhamet dhe pasuesit e tij, kalifёt, e shkrinё nё njё individ tё vetёm pushtetin fetar e politik. Ata e ndanё botёn nё dy kategori: Daryl Islaml  (fusha e islamit dhe  Daryl Harb  (fusha e betejёs). Shpata komandohej nga Kurani , si mjet pёr nёnshtrimin e botёs jomyslimane ndaj sulltanit, si njё autoritet politik. Pas 99 vjetëve,  mё 29 maj 1453 u pushtua Konstandinopoja që u bё kryeqyteti turk  dhe u quajt me emrin Stamboll. Gjysmёhёna zёvendёsoi Kryqin dhe katedralja e Shёn Sofisё u kthye nё xhami. Xhihadi (lufta e shёnjtё) ёshtё lufta e individit kundёr shpirtit tё tij. “Lartёsimi  i shpirtit nga poshtёrsitё shtazore nё madhёshtinё ёngjёllore”.  Qёllimi parёsor i Xhihadit mysliman nuk ishte as zgjerimi  i territoreve as rritja e tё ardhurave nga taksat, por pёrhapja e besimit. Shtrirja e islamizimit gjatё sundimit tё kalifit Omar, nga Pirenejtё deri nё Indi mbrёnda 12 vjetёve (632-644).

Kur  ndёrrimi i besimit bёhet me forcё,  gjatё sundimit tё Sulltan Muratit II-tё ai urdhёron ose tё bёhen sunet tё gjithё Epirotёt, ose tё lahet tradhёtia e tij (Skёnderbeut) me vdekje.  Ligji mysliman u jepte tri alternativa tё pafeve, ose jo myslimanёve: ndёrrimin e besimit,  pagesёn e haraçit ose luftёn. Nёse tё krishterёt pranonin tё paguanin haraçin, teorikisht ata kishin shpёtuar kёrkesёs pёr ndёrrimin e fesё. Mirёpo fanatikёt e bёjnё vetё ligjin. (8).

Aristidh Kola thotё:  “Sulltan Murati i IV, lёshon urdhёr sipas Kuranit dhe thotё: “Tё krishterёt qё kanё feude tё myslimanizohen dhe do t’i mbajnё  ato, nё rast tё kundёrtё do t’i humbasin, veç pasurisё u hiqet dhe liria”. Kёshtu shqiptarёt duhet tё zgjidhnin midis krishtёrimit dhe Lirisё. Shumё popuj tё Bizantit preferuan tё ruajnё fenё e tyre dhe tё humbasin Lirine.  Shqiptarёt gjithmonë, kur u gjёnden nё dilema tё tilla, kanё parapёlqyer Lirinё,  pasurinё dhe shpatёn…” (Avanitasit f.283). (9).

Qёndrimi i qeveris osmane ndaj krishtёrimit … kuptohet nё Kostandinopojёn e pushtuar.  Njё historian i hershёm i asaj periudhe  pёrshkroi dhunёn e pёrdorur kundёr istitucioneve tё krishtera nё qytet: “Nuk kam fjalё pёr t’ju treguar se sa pak respekt treguan turqit pёr vendet e shёnjta, duke i kthyer shёnjtorёt e kishat nё vende turpi e stalla kuajsh. Ata hynё nё manastiret e murgeshave tё pёrkushtuar ndaj Perёndise,  hoqёn nga muret pikturat e shёnjtorёve dhe i hodhёn pёrdhe. Pastaj mbi to pёrdhunuan murgeshat e blasfemuan kundёr Perёndisё duke thёnё: “Nё qoftё i mirё besimi i juaj, pse nuk bёn ndonjё mrekulli tani?”  Pushtuesit myslimanё tё Konstandinopojёs me sulltan Mehmet Fatihun (pushtues),  pas tri ditёve plaçkitje, nё qytet u vu sёrish regulli. f. 230).

Edwin Jacques, citon Sevasti Qirjazin: “Mund tё duket e çuditshme, por rezultati imediat i pushtimit turk me 1453 ishte nё dobi te Patriakanёs greke”. Sulltan Mehmeti i II-të, pushtuesi i Konstandinopojes, duke shfrytёzuar urrejtjen midis Papёs dhe Patriarkut, u ngazёllye nga fakti qё mund ta bёnte Kishёn Ortodokse tё Lindjes qё ta konsideronte atё si bamirёs dhe mbrojtes tё sajin. Ai i dha Patrik Genadit  gradёn e pashait dhe nxori njё dekret  qё e njihte atё dhe pasuesit e tij si krerё shpirtёror dhe civilё tё tё gjitha bashkësive ortodokse. Perveç  grekёve, juridiksoni i tij pёrfshinte tё gjithё shqiptarёt, bullgarёt, rumunёt dhe sllavёt. Me fjalё tё tjera, ky dekret perandorak e shndёrroi Kishёn Ortodokse tё Lindjes nё njё shtet brenda shtetit. Ai e vuri atё nёn kontrollin e plotё tё grekёve qё banonin nё Fanar (lagje nё Stamboll. Shёn. im). Qё prej asaj kohё, forcat e kishёs pёrdoreshin si armё politike  nё shёrbim tё “Idesё sё madhe” greke, d.m.th. helenizimit tё kombeve tё tjera. Pёr tё arritur kёtё qёllim, Fanarjotёt shpallёn gjuhёn greke tё plotёfuqishme . Alfabetin grek, shkollat greke, kishat greke u bёnё tipar mbizotёruese tё jetёs intelektuale tё popujve  krishterё tё Ballkanit, deri nё fillim tё shek. XX-te.

Despotizmi shpirtёror i Patriarkanёs ishte mё i keq se tirania e politike e turqёve. Ata qё guxonin tё ngrinin krye, braktiseshin, mallkoheshin, shkishёroheshin dhe paditeshin tek autoritetet turke si kryengritёs dhe rebelё. Kundёr qeverisё. Autoritetet turke bashkёpunonin haptas me peshkopёt grekё pёr shtypjen e shpirtit kombёtar tё shqiptarёve dhe pёrmbajtjen e tyre nёnzgjedhёn fetare tё Patriarkanёs.                                            Shkrimtari dhe politikani grek Jakovakis Rizo, është shprehur kёshtu:  “Pa marrё parasysh se si dhe sa e rёndё ёshtё tё thuhet, kjo ёshtё fakt se politika turke ka synuar gjithmonё pёr tё ndihmuar grekёt dhe sёrbёt kundёr shqiptarёve”.                                   I paraqitëm lexuesit me pak fjalё, se kush ishte sulltan mehmet Fatihu (pushtues) Kostandinopojёs). (10).                                                                                           Mё 4 nёntor 2010, nёn udhёheqjen e Myftiut tё Kosovёs u bё hapja i xhamisё sё Sulltan Mehmet (Fatihu) pushtuesit,  e ndёrtuar nё vitin 1461, qё njihet si Xhamija e madhe e Prishtinёs. Pas njё rikonstruksion tё gjithanshёm tё Xhamisё, i bёhet pёrurimi  me rasitin e vizitёs tё Kryeministrit tё Republikёs Turke nё Kosovё, Zotit Rexhep Taip Erdogan, i shoqёruar nga Myftiu i Kosovёs z. Naim Tёrnova.                                                                 Ne sot, pas Amerikës, duhet te kemi respekt pёr Turqinё, por duhet tё jemi tё matur pёr tё respektuar dhe lartёsuar heroin tonё legjendarё Skёnderbeu, se me Skёnderbenё kuptojmё Shqipёrinё. Duhet tё kujtojmё, kur sekretaria e shetit amerikan Magdalen Ollbrajt, nё muajin mars tё vitit 1997 i tha ministrit grek: ju doni tё pushtoni Shqipёrinё e Jugut, por ne nuk e ndalojmё Turqinё  qё t’u bjerё juve. Atёhere kur renegati Kiço Mustaqi kishte vёrshuar me forca greke dhe kishte piketuar flamurin grek nё qytetet e jugut tё Shqipёrisё  tё konsideruara tё pushtuara. Kryeministërja e Turqisё zonja Tansu Çiller i dha ultimatum qeverisë greke qё tё kthehet prapa.  Ashtu si ultimatumi i 5 prillit 1941 i dhёnё nga komanda gjermane,  forcave greke qё kishin pushtuar Shqipёrin, pёr gjatё luftёs italo-greke, deri në Pogradec-Karaburun, tё kthehen nё kufirin e 1913. Dhe ushtria greke u kthye  me 15 divizione e saj. Deri mё datёn 16 prill 1941 nuk mbeti nё Shqipёri  asnjё kёmbё tё ushtarit grek, duke lёnё ushtarёt  e vrarё harcave ,maleve e kodrave tё pagrumbulluar dhe sistemuar.

Nuk duhet tё harrojmё, kryeministrin e Turqisё Z. Rexhep Erdogan qё u tregua i gatshёm pёr tё na ndihmuar nё ribashkimin e Shqipёrisё Natyrale, nёse qeveria e jonё do ta kёrkonte ndihmёn ushtarake turke qё të ishte i gatshёm pёr veprim. Ne presim nga qeveria shqiptare, t’i kёrkojё qeveris turke, t’i tundi shkopin uzurpuesve tё kishёs sё Nolit pёr tё mbledhur leckat dhe tё largohen.

Referencat:                                                                                                 1. Myftiu Naim Tёrnava, “Gazeta Shqiptare”, 10 korrik 2013.

2. Gazeta  “Bota sot”  15 qershor 2013, “Partia LISBA dhe disa imamё…”.

3. Naim Tёrnava, “Bota sot”, 2-8-2913,  “Pёrkujtohet Sutan Murati”.

4. Gazeta “Bota sot”,  12 qershor 2013, “Mohuesit e kombit”.

5. Edwin Jacques, “Shqiptarёt” “Ultimatumi i gjetur..”, f. 197.

6. N. Prifti, gazeta “Dielli”,  “Skёnderbeu”, nёntor 2011, f. 40 & 82).

7. Tajar Zavalani, “Histori e Shqipёris”,  f. 115.

8. Edёin Jacues “Shqptarёt”,  f. 241, 230, 232.

9. Aristith Kola,  “Arvanitёt”,  f. 283.

Rasim Bebo,  Addison Çikago,Korrik 2013.

Filed Under: Analiza Tagged With: antishqiptarizem, i simboleve kombetare, levdimi i pushtuesit, mohimi, rasim bebo

DASHURITE E ILIRIANA SULKUQIT

July 14, 2013 by dgreca

Iliriana Sulkuqi e ftuar në Sofrën poetike të Diellit/

 Mështekna/

Buzët më humbën mes buzëve…/
Gishtrinjtë
Mbi tastierën e brinjëve…/

Trupi/
Si një grusht i mbledhur…./

Mështeknë/
më thuaj, moj,/
si e ruan kaq vjet virgjërinë?/
Më thanë…./

Më tha Era:
Qaj, lotët t’i fshij unë!….
Më tha Zoti:
Fli, ëndrrën ta përkund….
Më tha Zëri:
Zgjohu, të t’puth në buzë…

Po ti a më fole?
Të ndjeva në gjumë….
Kredo poetike….

Bëj të fshihem te jë natë,
Vjen një ag e sytë m’I hap…

Zë të fshihem tek një gotë,
Më kujton një tjetër botë…

Pa , kur fshihem te poetët,
Jam te Zoti me Profetët…

 Të vij sonte, apo? …/

 Të vij sonte,

apo nesër,
a pasnesër, duke gdhirë…
a me Hënën, në të mehur,
a me Diell n’perëndim?…

Të vij sonte,

në të ngrysur,
me qirinj në Galaktikë,
a me Yllin e Mëngjesit
që i bëhem Zgjim me zgjim?

Të vij sonte

apo sonte,
dhe me Hënë, dhe me Diell,
dhe me yjet në një shportë
dhe me zemrën sa një qiell?…

Të vij nesër

a nxitimthi,
me një shkronjë që më flet shqip,
dhe me Zotin që më lindi
dhe me zë – prelud- në shpirt?…

Të vij sonte
apo nesër,
a me ëndrrat që s’u prekën,
a me fjalët që s’u folën,
a pas – kurrë, në këtë shekull?

Të vij sonte,

apo sonte?
a, pas vetes së përdjegur?…

 Dashuritë e mia/

Një dashuri tepër e fshehtë,/
një dashuri pa fjalë e shëtitje/
më mësoi se bota për-rreth meje,/
ishte përrallë fëmije…./

Një dashuri, që s’e jetova,/
që më dha veç dhimbje…/
më mësoi se brenda vetes,/
bota s’paska vetëm lindje…

Jetova një dashuri,
që e jetoj për gjithë jetën,
dy herë vura kurorë-nëne,
që të jetoj të vërtetën…..
(Shkurt, 2000)

 Dhe pse u thinja/

 Dhe pse u thinja
për n jë natë
dhe pse një shekull
kam jetuar…

kam lindur sot
në orën shtatë,
në një mëngjes
të dielluar….

Unazat/

Unazë,
Në gishtin e katërt të ujnazës,
Në gishtat e tjerë-nga dy e nga tri…

Unazë,
varur gjer në çarje, te veshët,
rreth fytit, varësja- unazë,
unazë që të mbyt….

Unazë,
Byzylyku flori apo serm,
zinxhir prej unaze
Dhe rripi në mes…

Unazë,
perimetri i tryezës sime,
cikël unaze një jetë e tërë…

Po shpirtin?
(Oh shpirti!),
Si mund ta shpëtoj
Nga unazat?!

Dhe thotë një këngë…/

Për dashurinë jap shpirtin
Për urrejtjen-dashuroj

-autorja-

Dhe thotë një këngë e bukur brenge:

“çomë ku të duash taksixhi”
dhe ndal atje ku ndalet loti,
dhe lotin tim mos e rrëfe!…

Dhe ndal atje ku digjet heshtja,
ku shpirti flaket nga një trill,
ku mbyllen sytë, ku rreket zemra,
ku trupi preket nga një “xhind”…

Ku tokë e qiell të përndezur,
përdigjen si një Vetëtimë,
ku Zoti zbret, ngjallen të vdekur,
ku nata ditës i bëhet flirt…

Dhe thotë ofshama, dalë nga nata:
çomë, ku të duash Dashuri,
mbi shtatë palë qiej, me shtatë hëna
qëndisma trupin me qirinj!
(Nju Jork, Gusht, 2007)

Eseninit/

 Ku më gjete , që më zhveshe,
Gjer në palcë të trupit tim?
Me ty puthem, qaj me vete…
Unë jetime, ti jetim…

Të “rrëmbeva” një beriozë…
Për inat, më zhvirgjërove…
Kanë kaluar vite plot,
ende flas me muzën tënde…

 Poetëve/

Psherëtimat e kohës
lotojnë mbi vargun tuaj…
Pranverën,
ku e mërguat?

KUSH ESHTE ILIRIALANA SULKUQI

Iliriana Kadri Sulkuqi (Fejzullai) u lind lind në qytetin e Elbasanit në vitin 1951. Mbasi mbaroi gjimnazin “Dhaskal Todri” në qytetin e lindjes (1969), vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake të Forcave Tokësore në Tiranë. Është diplomuar në vitin 1971. 1971-1995: Oficere , në Akademinë Ushtarake, gazetare në shtypin ushtarak dhe në Shtëpinë Botuese të Ushtrisë. Gjatë kësaj periudhe ka mbaruar studimet për gjuhë-letërsi dhe filozofi. Së fundi ka punuar si gazetare në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë… Nga viti 2004 deri sot jeton në SHBA, New York.

KRIJIMTARIA

Botimet e para – rreth viteve ‘6o. Është vlerësuar disa herë me çmime të para Kombëtare dhe Ndërkombëtare. Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë si : italisht, greqisht, maqedonisht, bullgarisht, arumanisht, anglisht. Renditet në disa antologji si brenda dhe jashtë vendit, si dhe në Enciklopedinë Shqiptare të Gazetarëve, në “Leksikoni i shkrimtarëve Shqiptarë 1501-2001, me autor Hasan Hasani( Shtëpia Botuese Faik Konica, Prishtinë, 2003). Është anëtare Nderi e Organizatës Shqiptare Amerikane: ”Motrat Qiriazi”,( 15 janar 2006). Eshtë antare e Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve.( 5 janar 2006). Është Anëtare Nderi e Shoqatës së Ushtarakëve në rezervë-Dega Athinë (13.04.2008) Është anëtare e Klubit të Shkrimtarëve “Drita” dhe Kryeredaktore e Revistës Letrare Artistike “Pelegrin”.

Libra të botuar:

-“Më kërkojnë sytë e nënës”(1974)

– Ç’u fala stinëve që ikën?”(1988)

-“Të jesh grua”(1990)

-“Do të jetoj”( Rozafa-1996)

-“Trokit dhe zgjo”( “Egnatia”- 2000)

-“Kush ma vrau OFELINË” – italisht-shqip( Toena-2000)

-“Për një mollë që hëngri Eva…”( Prishtinë- gusht 2002)

-“(F) Shihemi në sy”(janar –shkurt 2002)

-“Pulëbardhë në det’ të zi”( “Ilar”-maj 2002

-“Lirika” (Medaur-2003)

-“Hajku”- bashkëautorë(“Egnatia”-2004)

-“…Më kërkon falje” (Arbëria-2004)

– “ Poezi” (dy libra në Një) (botimet “Snaj”-2007)

-Çmimet:

-Çmimi i tretë për vëllimin poetik ”Ç’u fala stinëve që ikën”, (1988), në konkursin me rastin e 45 vjetorit të Krijimit të Ushtrisë Popullore, organizuar nga Ministria e mbrojtjes dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë

-Çmimi i parë ( në poezi), në konkursin e shpallur me rastin e 45 vjetorit të revistës “Shqiptarja e Re”.(15.8.1988)

-Çmimi i tretë për vëllimin poetik dygjuhesh shqip-italisht “ Ma vranë Ofelinë!….Oiii…Oiii….! “, dhënë nga Ministria e Arsimit , Kulturës dhe e Sporteve si dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe e artistëve të Shqipërisë në Ditët e Poezisë Shqipe”Lulet e Verës”, maj 2001

-Çmimi i parë- për poezinë më të bukur për Dashurinë, në Ditët poetike ballkanike 2.06. 2002- Korçë.

-Çmim të veçantë në takimin ballkanik “Ditët e Asdrenit”-Shkup(2005)

-Çmimi i parë – për poezinë më të mirë në takimin poetik”Pëllumbat e Bashtovës”, akorduar nga Dega e Lidhjes se shkrimtarëve, Durrës, 4 tetor 2005.

-Çmimi “Migjeni” (2007) revista “Kuvendi”- Miçigan-SHBA

-Çmimi “Ali Asllani”-liriku më i mirë i vitit (maj 2008), akorduar nga Ambasada Shqiptare në Athinë dhe Klubi i shkrimtarëve shqiptarë të kundondodhur në botë “Drita”, për vëllimin poetik “Poezi”.

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Dashurite e iliriana Sulkuqit, e ftuar ne Sofren e Diellit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT