• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2013

Thonjtë e Xhulit në atë Vit të Ri

July 6, 2013 by dgreca

Ne foto: Aktorja Xhuljeta Kulla dhe mjeshtrja e grimit Zhaneta Petushi në një fotografi të kohëve të fundit/

Nga Zhaneta Petushi*/Chikago/

Shkakun për këtë shkrim ma dhanë dy mbesat e mia, Linda dhe Dora. Ato kanë ardhur të mitura në ShBA dhe natyrshëm e ndjejnë veten të rehatuara në jetën amerikane.Të dyja janë studente kolegji. Edhe ngaqë i kane mundësitë, edhe disi të nxitura nga unë, e ndjekin modën e këtushme hap pas hapi.

Shkuan një ditë për manikyrim dhe të kënaqura, u kthyen e rendën të më tregonin thonjtë e tyre të zbukuruar mahnitshëm. I njoh prej vitesh format e trajtimit  të thonjve, me të gjitha ngjyrat, deri me ato më të egrat. Më më ra në sy  menjëherë se kishte ndryshuar forma nga prerje të drejta, në forma ovale që përfundonin pak me majë sikurse vite më parë. Dhe përsipër, si gjithmonë, nuk harrohej zbukurimi me gurë me ngjyra të ndryshme, por shtuar ca lule e flutura në miniaturë. Mbeskat ndiheshin të lumtura dhe një e dy, soditnin thonjtë e tyre.

E mua kujtesa më shpuri thellë, te thonjtë e Xhuljetës, mikeshës sime të vjetër. Është një ngjarje me artisten e talentuar e të mirënjohur të skenës dhe ekranit, dekoruar me Naim Frashërin e Artë,  e nderuar para ca vitesh me titullin Qytetare Nderi e Fierit.

Historia e pat zanafillën kur Xhulieta erdhi në televizion të interpretonte tok me fëmijët në koncertin e madh humoristik të Vitit të Ri 1988. Pasi i bëra grimin në përshtatje me rolin e saj, më ranë në sy thonjtë e prerë rrumbullak, e në rrënjët e tyre, në kufirin me mishrat, u shquhej një vizë e zezë, e hollë, por e dukshme, ama. Për të mos e lënduar i tregova Xhulit se tek lavamani kisha sfungjer, sapun dhe ujë të ngrohtë, që ajo të mund t’i lante duart. Ajo e kuptoi shqetësimin tim, por akoma më e shqetësuar ajo vetë, më tregoi se atë mëngjes i qe derdhur qumështi mbi furnellën e vajgurit. Fitilat e furnellës qenë shuar dhe ngallosur dhe asaj i qe dashur t’i pastronte, meqë do të gatuante drekën.

I kam larë thonjtë për një kohë të gjatë me ujë dhe sapun, – m’u qa

Xhuli, –  bile i kam fërkuar edhe me furçë, por siç e sheh, bloza nuk m’u zhduk. Kam frikë se mos më shquhen në ekran.

Unë e qetësova edhe i thashë se edhe unë nuk besoja të viheshin re, ngaqë duart ajo do t i kishte në lëvizje dhe syri i shikuesve nuk do t’i ndiqte dot. Vetëm në një plan shumë të afërt, kamera mund ta tradhëtonte dhe t’ia nxirrte në pah konturet e zeza.

Rreth  asaj kohe, Pëllumb Kulla, shkrimtari i mirënjohur, burri i Xhulietës, pat qenë thirrur në televizion për një intervistë në fushën e humorit. Ndër të tjera ai qe pyetur se nga i nxirte tipat dhe karakteret që i duheshin për krijimet e tij. Ai, pa një pa dy, zbuloi se karakteret e meshkujve që përqeshte, i merrte nga cilësitë e dukshme dhe të padukshme të vetë karakterit të tij. Por natyrisht, ato i frynte dhe i zmadhonte.

Servilët, frikacakët dhe trimat, –  pat shpjeguar Pëllumbi,  – i nxjerr nga

vetja. Pastaj i fryj se unë s’jam aq shumë servil, dhe sidomos nuk jam asnjëherë aq trim sa personazhet e mi! – e kish mbyllur ai rrëfimin për burimet e karaktereve të meshkujve.

Pastaj ai vazhdoi të rrëfente se të metat e grave i merrte nga ato që vinte re tek e shoqja. Edhe ato ai i fuste në avlemendin e ekzagjerimit.

Gruaja ime në orën gjashtë të mëgjesit, niset të ziejë një litër qumësht –

dha një shëmbull i shoqi i Xhulit.  – Harron kapakun e tenxheres mbyllur, aq sa të derdhet ajka dhe t’ia mpiksë fitilat e furnellës së vajgurit. Bën ajo të  pastrojë fitilat me koka të zeza, ndot rrobat! I fut rrobat e ndohtura në makinën larëse që të lahen, teksa ne, burrë e grua jemi në punë. Por ndërkohë, ajo e pakujdesëshmja, ka harruar jashtë mbi dysheme  tubin e shkarkimit të makinës dhe përmbyt shtëpinë me ujë e shkumbë sapuni. Natyrisht, kur vjen nga puna zgurdullon sytë kur sheh hatanë e përmbytjes. Dihet pastaj:  me thasë dhe lecka duhet hequr uji që ka pllakosur!…

Dhe së fundi atë intervistë ai pat mbyllur me gaz:

Vetëm në orën 11 të natës ime shoqe vjen në shtrat e rraskapitur, duke

thënë “ Shumë punë! Ah sa lodhemi ne gratë!” Lodhje? Atë ia besoj, pa sa për punë, atë ditë ajo kishte zierë vetëm një litër qumësht! Bile gjysmën e litrit, se gjysma tjetër pat qenë derdhur e pat shkaktuar zinxhir tërë punërat që kishte bërë ime shoqe radhazi!

Pikërisht ishte kjo intervistë  që m’u kujtua atë ditë kur Xhuli qe ulur para pasqyrës së grimit në studjon time për t’u bërë gati për shou-n e madh televiziv të fëmijëve dhe më shfaqte shqetësimin për thonjtë…

M’u kujtua gjithashtu se asnjë familje shqiptare nuk pat shpëtuar pa provuar regjimin e gatimit me atë lloj furnelle me vajguri. Asaj times unë ia kisha vënë epitetin “e mallkuara”. Ajo nxirrte gaz e blozë që helmonte fëmijët e tërë familjen, Gjithçka në shtëpi, sende dhe njerëz, mbanin erën e tymit të saj. E kisha provuar këtë edhe kur hipja në autobusët urbanë: sa i afrohesha ndonjë gruaje ndjeja se flokët e saj mbanin erë vajguri, edhe unë përfytyroja se të njëjtën gjë ndjenin dhe ato kur më afroheshin.

Furnella përbëhej nga 10-12 fitila të trashë pambuku që futeshin në po aq tuba të ngushtë e të gjatë metalikë, që gjatë përdorimit ato konsumoheshin, shkrumboheshin e forcoheshin kaq shumë nga bloza, hynin brenda tubave sa ishte shumë e vështirë edhe duke përdorur lloj lloj grepash e telash për t’i nxjerrë sipër, pa lere kur lageshin si në rastin e Xhulit. Bloza dhe tymi i vajgurit kishin aq forcë ndotjeje, sa muret e banjës bëheshin sterrë. Ler, pastaj,  enët që viheshin mbi to! Mjerë ne se ç’kemi hequr për t’i pastruar!

Mendova se nuk është keq që ti kujtojmë këto, që të vlerësojmë e të lumturohemi me ndryshimet në jetët tona, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Por edhe fëmijët, nipat e mbesat të bëhen me dije se si kanë jetuar gjyshërit e prindërit e tyre në ato dekada të vështira të shekullit të njëzetë.

E mora Xhulin në telefon që nga Chicagoja, sapo pashë që Pëllumbi e pat përfshirë intervistën që përmenda në shumëvëllimshin e tij “Teatri, kjo lojë magjepsëse”    I kujtova thonjtë e saj me mbetje të blozës në atë vigjilje të Vitit të Ri. Xhuli e solli ndërmend mënjëherë.

– Ti, Zhani, a e pe atë koncert të fëmijëve?

I thashë se fëmijët e mi atë kohë ishin të rritur dhe nuk shikonin emisione të tilla.  Aktorja  më çuditi kur tha se vizat e zeza te thonjtë e saj – dhe të zmadhuar bile! – patën dalë në ekran. Dhe i pat parë e gjithë Shqipëria në festë. Ata kishin dalë gjatë interpretimit në një plan portret të një fëmije që qante pa pushim në rolin e tij.  Xhuli e pat detyrën t’ia fshinte lotët dhe… hopa thonjtë!

Ti, Zhani, nuk arrite as të m’I hiqje as të m’i mbuloje vizat e mbetura.

Thonjtë e mi atë ditë ishin një bashkëpunim mes teje dhe furnellës!

Tek kujtonte Xhuli ndihej se si qeshte në telefonin e saj në Nju Jork. Tregonte se si kolegët e koleget e përgëzonin për interpretimin dhe në fund dilnin tek  thonjtë me gjurma bloze! Kudo ku pat shkuar, miq dhe të afërt, komshinj dhe të panjohur, i jepnin përgëzime, por ajo priste me frikë se mos i përmendnin thonjtë. Gëzohej kur ata nuk ia zinin në gojë, por ajo e shpjegonte këtë nga mirësjellja e tyre, ose nga fakti që ata nuk i patën vënë re.

Po nuk kish se si të mos e vuante ajo vetë. Qysh në atë kohë e deri tani, edhe kur takohemi edhe në telefon, ne e kemi bërë atë ngjarje temën tonë të preferuar.

Tallu ti, tallu, – thotë Xhuli në mes të së qeshurës së saj të bukur. –

Të të kishte ndodhur ty, pa ta shikoje!

Nuk ka njeri në planet, i çfarëdo lloj kombësie, race e gjinie, që të mos kujdeset për paraqitjen e vet estetike.  Sidomos gratë dhe vajzat i kushtojnë goxha kohë, mund edhe para kujdesit të trupit, fytyrës, flokëve, tualetit, manikyrit, pedikyrit. Sidomos tani që janë shtuar aq shumë teknikat dhe mjetet, të përhapura në tëra viset e globit. Femrat duan të jenë maksimalisht të bukura. Me ushtrime e operacione plastike korigjojnë trupin, hundën, sytë, heqin lëkurë nga fytyra për tu rinuar, pale pastaj trillet e tjera. Kam parë këtu vajza e gra që kujdesen për fytyrat aq sa duken perfekte, si kukullat e bukura.

Dhe nuk përjashtohen thonjtë, pjesë përbërëse e dorës e cila është një element shumë i rëndësishëm i bukurisë së gruas.

Aq më tepër që ne me duar flasim, – plotëson mendimet e mia

Xhuljeta. – Ka shumë njerëz e sidomos gra që, më shumë se për punët e shtëpisë duart u nevojiten për të folur! Vërtet, moj Zhani, si do të flisnim po të mos kishim duar, ëh?!…

*Zhaneta Petushi,  mjeshtrja duarartë e grimit, një nga artistet më të veçanta që gjeneroi ekrani shqiptar i  i televizionit dhe filmit në gjysmën e shekullit që shkoi.  Puna e saj e palodhur në kanalin televiziv kombëtar ka lënë gjurmë të pashlyeshme; në filmat artistikë dhe dokumentarë, në  koncertet e Viteve te Rinj, – ku ka qenë faktikisht udhëheqëse e punës me makiazhin e sa e sa artistëve në një varg të panumurt koncertesh zbavitëse në pallate sporti, koncerte të ndjekur nga mijëra e mijëra spektatorë. Petushi ka punuar në realizimin e gjithë llojeve të filmave,  të shkurtër dhe  të gjatë të gjinisë së komedisë dhe dramës. Dora e kujdesshme e Zhanit ka punuar me talent krijues përmbi fytyrat e artistëve më të mirë të skenës dhe ekranit shqiptar, që nga Kadri Roshi, Skënder Sallaku, Robert Ndrenika, Sandër Prosi, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Yllka Mujo e shumë të tjerë…

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ne ate vit te Ri, thonjte e Xhulit, Xhuli Kulla, Zhaneta Petushi

Natyra dhe Njeriu/ Pas nje shetitje me Helikopter nen qiellin e Manhattanit

July 6, 2013 by dgreca

Analizë psikologjike/

Shkruan: Prof. dr. Hazbi Shehu/ New York/

Syri i njeriut sheh gjithëthësinë; ndërsa mendja e studjon, analizon dhe arrin ne konkluzione ne lidhje me te.Në nje dite te bukur Vere, zbrita nga helikopteri në Manhatan, qendra kryesore e New Yorkut. U mahnita nga ndërtesat gjigande dhe  të larta. Më dukej, se ato, putheshin në drejtim të qiellit!  I habitur dhe i trullosur; fillova të eci, duke vështruar përpara, majtas dhe djathtas. Rrugët ishin të drejta,por dhe të gjata. Vazhdoja të ecja me ngadalë dhe  i hutuar duke parë këtë bukuri të rrallë. Koha kalonte, por kush e vinte re?! Unë isha i hutuar nga çudirat e botës së madhe. Ecja dhe vetëm ecja; duke kaluar nga një bukuri tek tjetra. Në krahun e majtë një park i bukur me lule, i rrethuar me pemë të larta më tërhoqi vëmendjen! Vendosa të pushoja. U ula tek një stolë pranë shatërvanit. Nxorra nga çanta një sandwich dhe fillova të hanja. Vështroja me kureshtje shatërvanin, me ujin e kulluar, që rridhte pa pushim përqark. Pa e mbaruar sandwichin; u ngrita dhe vazhdova të eci përpara.

Ecja dhe vetëm ecja, nuk ndjeja lodhje, sepse më tërhiqnin ndërtesat, njëra më madhështore dhe më e bukur se tjetra. Kur filloi dielli të perendonte; atëhere ndjeva se po errej. Ktheva kokën, për të parë helikopterin. Ai dukej si mizë në horizont. Thashë me vete sa larg paskam ecur! U ktheva dhe po ecja duke nxituar për ta arritur. Më kot, megjithëse ecja duke bredhur ai vazhdonte të largohej. U tremba dhe fillova të kërkoja njerëz për ti pyetur. Nuk shihja as njerëz as makina. Asgje nuk lëviste! U errësua. I trembur fillova të thëras “Ku jeni o njerëz? Ju lutem më ndihmoni!” Askush nuk përgjigjej. “O i madhi Zot! Si mund të jetosh pa njerëz!” I trembur në kulmin e frikës u zgjova. Isha në krevat. Gjjithçka ishte endërr!

Atëherë fillova të gjykoj:. Bukuria madhështore e ndërtesave gjigande shpreh prodhimin e mendjes njeriut. Eshtë kënaqësi, sepse kjo bukuri, lë gjurma në tru ; por mungesa e njeriut; brënda kësaj bukurie lind frikën e vetmisë. Pa praninë e qëniëve njerëzore shuhet ndjenja e dëshirës, për të parë bukurinë e krijuar nga vetë ai. Mos vallë bukuria është vetë njeriu; ndësa prodhimet gjigande të krijuara nga ai shijohen brenda shpirtit njerëzor.?! Në Amerikë ka ndërtime madhështore dhe vepra gjigande; por jeta zjenë atje ku ka njerëz. Njeriu krijon gjallëri! Në New York takon njerëz, të të gjitha racave, ngjyrave dhe kombeve; me të gjitha të mirat dhe të këqijat e tyre. Kur kalon nëpër rrugët e New Yorkut dëgjon të gjitha gjuhët e botës. Edhe sikur të njohësh disa gjuhë, rrallë do të kuptosh bisedat e tyre. I sheh dhe të shohin; nuk kupton gjuhën, por mund të gjykosh në bazë të veshjeve, lëvizjeve dhe sjelljes së tyre. Jeta paraqitet e gjallë. Këtu në New York, njerëzit e kombeve të ndryshme përqafohen, puthen, dashurohen bile dhe martohen. Ata lëvizin shpejt për në punë, ose ngadalë për shetitje, por rrallë ndodhin ofendime ose përplasje, jo të këndshme. Kjo tregon, se ata këtu kanë ardhur për punë,por njëkohësisht shprehin edukatën dhe sjelljen e vendeve të tyre.

Në një ditë të bukur me diell në Manhatan takova nje mikun tim, që jeton në New Jersey. U ulëm në një kafene për të biseduar. “Të shoh të qeshur; kemi ndonjë lajm të mirë?”, e pyeta. Ai vendosi filxhanin e kafesë në tavolinë dhe filloi të flasi.“Dëgjo i dashur mik: Unë jetoj në një vilë të madhe të bukur, me bahçe te zbukuruar nga lulet, e rrethuar me pemë frutore; kam disa makina luksoze, etj. Mua nuk më mungon gjë; megjithatë jam i mërzitur!”  “Përse”, i dashur mik, “kur i ke të gjitha këto të mira?” “Nuk e kuptoj as vet!u përgjigj ai. Kur vij këtu në New York, gjallërohem; ndihem i gëzuar; kërkoj t’i përqafoj njerëzit; megjithëse nuk i njoh. Atje ku jetoj, në mes të pyjeve dukem i vetmuar pa njerëz.” “Përse, ti ke familjen atje?” e pyeta unë. “Nuk është familja gjithçka.”

Bukuria e jetës është njeriu; takimi dhe pëplasja me njerëzit; këto të japin gjallëri. Njeriu, shoku, miku përmban në vetvete, jo vetëm bukurinë e të qenurit njeri, por dhe kontradiktat e jetës. Ligjet Amerikane i japin njeriut, të çdo kombi lirinë e fesë, të zakoneve, etj. Sjelljet e këqija të njerëzve të ardhur nga të gjitha anët e botës duket se janë harruar ose rralluar këtu në Amerikë?! Këtu ka rajone të veçanta qe përbehen vetëm nga një komb; ose përbejnë shumicën e popullsisë, si p.sh. rajoni “Flushing” që përbëhet kryesisht nga aziatike, etj. Jeta në përgjithësi këtu në Amerike ecën normalisht. Kjo është fitore e ligjit Amerikan. Përplasjet midis njerëzve janë të rralla; jo vetëm midis kombeve por dhe brenda një kombi! Këtu çdo njeri ka të drejtë të jetojë, të punojë, të studiojë duke arritur nivelet më të larta sipas aftësive personale. Nuk ka dallime raciale, feje, krahine apo ideje. Këtu të duket se jeton në gjithë botën, sepse takon në çdo kohë njerëz të kombeve të ndryshme. Po pate aftësi të spikatura mund të futesh dhe në botën e tyre. Duhet thenë se dhe këtu ka përplasje, vjedhje, mashtrime, vrasje, etj, por të gjitha këto kontrollohen vazhdimisht dhe shpejt nga policia. Kjo jetë, relativisht e qetë e ka burimin tek puna, mirëkuptimi, bashkëjetesa e kombeve në një qytet me ligje që veprojnë për të gjithë njesoj. Në këtë bashkëjetesë të mirë influencon jo vetëm zbatimi i ligjeve Amerikane, por dhe puna e vazhdushme e zhvilluar me të gjitha format të kryera nga organizatat, shoqatat, televizionet, etj. Edhe në SH.B.A. ka papunësi, por kjo është e lidhur kryesisht nga raporti prodhim-konsum brenda Sh.B.A-se dhe ne marredhenie me boten.  Ndersa pune te rendomtë ka vazhdimisht.

Çdo njeri këtu derdh lot hidhërimi ose gëzimi brenda kombit të tij. Këto lotë nuk demtojnë njerëzit e kombeve të tjera. Të gjithë njerëzit e çdo kombi, që jetojnë në Amerikë derdhin lot dhe për vendin ku jetonë. Në ligjet e shtetit Amerikan nuk shkruhet as diskutohet se cila racë është e para. Nuk ka racë të pivilegjuar; të gjithë njerëzit vlerësohen dhe dënohen njësoj para ligjit sipas Kushtetutës. Pra në përgjithësi në Sh.B.A., njerëzit jetojnë në kushte normale. Kryesisht kjo është meritë e njerëzve drejtues, që zbatojnë ligjet me dashamirësi dhe përpikmëri,  pa përjashtuar dhe edukimin e qytetarëve në një kohë relativisht të gjatë. Si rrjedhoj mund të themi, se në këtë vend njeriu jep shenjat për ta quajtur “bukuria e natyrës”.

Por a nuk është njeriu ai që krijoi armët, nga më të thjeshtat e deri tek bombat atomike dhe me hidrogjen?!, gjoja për tu mbrojtur! Kurse në fakt vret dhe vehten e tij. Kështu planeti ynë do të mbetet pa njeriun “e bukur”; pa qeniet e gjalla dhe do të dukej si shkretëtirë. A nuk është njeriu ai, qe mashtron, vjedh, vret të tjerë, por dhe veten?A nuk është njeriu ai, që krahas shpikjeve të mëdha, krijimeve dhe ndërtimeve gjigande, përdor trurin e tij, për të vrarë dhe zhdukur njeriun? Si ka mundësi, që  trui i këtij njeriu edhe të krijojë bukuri gjigande, por dhe ti zhduki ato? A është kjo një anomali trurore? Çfarë kontradiktë e pa imagjinueshme! Natyra e krijoi njeriun për ta zbukuruar ate. Pse duhet, që brenda trurit të njeriut të ndodhin qeliza të këqija, që përdoren për shkatërrimin e planetit dhe të qenieve të gjalla , të krijuara nga natyra dhe vetë njeriu? Cila fuqi brenda trurit e krijoi këtë të keqe? Cila fuqi është ajo, që kërkon të transformojë një pjesë të trurit për të prodhuar të keqen? Njeriu u lind ose u krijua i pastër.Truri i tij në kontat me erërat e këqija, herë të ftohta e herë të nxehta, kalbëzohet, ose bllokohet, nuk punon mirë, humb arsyen dhe vepron keq. Kjo është sëmundje që duhet kuruar! por nga kush?! Duhet vet njeriu të kuroi vetvehten! Truri i njeriut ka arritur të kuroi dhe të shëroi shumë sëmundje; por nuk po arrin të kuroi sëmundjen brenda trurit të tij?: EGOIZMIN, që këkon të dominoi  mbi vet njeriun ,duke ushqyer dhe sjellë grindje dhe fatkeqsi.

Truri i njeriut, kur lind,është  substancë,që nuk punon ,nuk gjykon dhe nuk arsyeton. Me kalimin e kohës , në kontakt me njerzit dhe lëvizjet e tyre ai transformohet;duke kaluar në një formë më të zhvilluar të materies dhe fillon të punoi .Ngacmimet e jashtme natyrale fillojnë me lindjen e foshnjes dhe vazhdojnë gjithë kohën deri sa njeriu vdes.Ngacmimet artificiale, në tru [ndërhyrjet mjeksore të të gjitha formave  kirurgjikale dhe medicinale,drogat etj.], i japin një zhvillim tjetër trurit: ndihmues ose negative shkatërrues.

Truri  foshnjes ,lindur në kohën e njeriut primitiv,binte në kontakt me njerzit e asaj kohe. Lëvizjet ,ngacmimet e tyre etj., ishin  në shkallën më të ulët të zhvillimit të trurit. Sot në trurin e foshnjes,  që sa po lind; ngacmimet e jashtme të lëvizjeve njerzore; janë në nje shkallë shumë më të lartë. Ky zhvillim i trurit të njeriut, me kalimin e kohës ; ka sjellë zhvillimin e natyrës të tokës tonë ku jetojmë. Ai ka transformuar në drejtimin pozitiv; rrallë dhe negativ; jo vetëm botën njerzore, por edhe materien e planetit. Ai gjithashtu ka studjuar, po studjon, zbërthen dhe do të zbërthi  sekretet e gjithësisë!. Faktet kanë treguar dhe tregojnë se në vendet e ndryshme të globit zhvillimi njerezor është i ndryshëm dhe si rrjedhoj truri i foshnjes nuk do të jetë i skalitur njësoj me rrudha. Vete zhvillimi njerezor tregoni se truri pëson ndryshime, zhvillohet dhe lëviz. Në disa raste, truri i foshnjes, ngelet ashtu siç lind dhe nuk zhvillohet; ose ndodh zhvillim i ngadalesuar. Shkenca mjeksore këto raste i konsideron të sëmure mendorë; pra substanca trunore nuk lind njësoj tek njerzit. Të gjitha pjesët e trupit të njeriut [me përjashtim të trurit] zhvillohen dhe rriten, në mënyre propocionale dhe kryesisht nuk varen nga ngacmimet njerzore. Truri i njeriut kondicionohet nga ngacmimet e jashtme njerzore. Truri rritet bashke me guackën e tij; por kurr nuk del jashte saj. A mund ta quajmë këtë tru të burgosur, të izoluar?! Megjithate, kjo gjendje nuk e ka penguar ate të bjerë në kontakt me botën e jashtme. Ai mendon, gjykon botën; e ka transformuar ate dhe do ta transformoje në të ardhmen.

Ne shpesh mërzitemi, sidomos kur jemi të vetmuar; pa punë, pa familje, pa fëmije, pa shoqëri.! Kjo mënyre e të jetuari dhe të menduari; e godit trurin në drejtim negativ, duke i shkaktuar probleme nervore të rrezikshme për jetën. Për t’ju shmangur situatave të tilla njeriu mundet dhe duhet t’i krijoje vehtes kushte për të jetuar normalisht duke menduar nje të ardhme optimiste. Konkretisht njeriu duhet të punoi, të studjoi, të marrë pjesë në të gjitha format, që ka krijuar ai vet, për nje jetë të bukur dhe të gëzueshme. Vetëm se ç’do proçes, që do të kryej, të jetë brenda masës së caktuar llogjike. Po të kalohet  kufiri i kësaj mase: në punë fizike, mendore, lojrave të ndryshme, etj., do të shkaktoi goditje në tru , ai do të filloi të mos funksionoi  normalisht dhe do t’i krijohen probleme nervore.

Ku qendron bukuria e njeriut?!

Bukuria trupore është e përkohshme! Historia shekullore ka treguar se në përgjithesi, tek njerezit normal, trupi deri tani paraqitet me përmasa normale dhe të pandryshueshme; me përjashtim të rasteve të rralla, që shperehen me anë të trupave gjigandë dhe trupave të vegjel, të quajtur xhuxha. Truri i njeriut prodhon të mirat dhe të këqijat në botën tonë. Po të presësh nje pjesë të trupit e shemton njeriun, por ai vazhdon të jetoi; madje dhe ambjentohet me këtë gjymtim. Kur truri i njeriut nuk funksionon normalisht ai e humb drejtimin në jetë, ç’orientohet dhe mund të kryej veprime, që e demtojnë shoqërinë njerzore. Eshtë truri ai, që ka zbuluar, po zbulon dhe do të zbuloje në të ardhmen sekretet e natyrës dhe të gjithësise, që do të mahnisnin dhe vete njeriun! Ishte truri ai, që i dha famë   Ainshtajnit  dhe Shekspirit, e të tjerëve. , dhe jo trupi i tyre!   Detyra më e vështirë e trurit  është të zhduke egoizmin dhe të krijoi  kushtet për vëllazërimin dhe bashkimin njerzor. Duhet jetuar në familje e shoqëri dhe jo në vetmi.Vetmia të çon në çmenduri;ajo është lëvizje negative dhe mund  të kalosh në vetvrasje.

. Jeta kalohet e kendshme në shoqëri. Shumë të rralla janë rastet kur nje njeri në vetmi arrin të realizoje zbulime fantastike!

Zhdukja e egoizmit duhet të konsiderohet shpikja  më elegante dhe më e madhe në historinë e njrezimit. A do të arrije truri, që ta zhdukë egoizmin, që  prodhon sundimin e njeriut  mbi njeriun e të sjellë vllazërimin dhe bashkimin njerzor?! Kryerja e kësaj detyre është e besueshme dhe duhet të jetë brenda kufirit të aftësise dhe zgjuarsise së tij! Vetëm krijimin ose lindjen e njeriut truri, kurr  nuk ka për ta zbuluar , mbasi është jashte kufirit  të zgjuarsise së tij [kufi i cili është përcaktuar nga fuqia e mbinatyrshme].

Shkalla e zhvillimit te trurit tek njerzit është e ndryshme. Ata me shkallën më të lartë të zhvillimit  duhet të jetojnë me të gjithë njerzit duke i shuar kontradiktat ndëmjet tyre. Këta njerëz me tru të zhvilluar duhet të gjejnë celesin për nje jetesë normale me çdo person, pavarësisht nga  shkalla e ulët e zhvillimit të tyre. Për të përdorur  me efektivitet shkallën e lartë të zhvillimit të trurit duhet të  marrin shembull nga luani, mbreti i kafshëve.Ai i pret me qetësi takimet me të gjitha kafshët, madje dhe me njerzit. Kjo ndodh sepse luani e ndjen forcën e tij të jashtzakonshme dhe nuk i trembet askujt, duke qenë i sigurt në fitore. Njerezit me shkallë të lartë të zhvillimit të trurit duhet të përdorin zgjuarsine dhe urtësinë në edukimin e njerzëve  të vështirë dhe me shkallë të ulët gjykues.

Bukuritë madhështore të natyrës paraqiten: si në formë dhe në përrmbajtje ; me llojet e zogjve, të kafshëve etj.; me lëvizjet e tyre fantastike dhe me ngjyrat e mahnitëshme. Bukuri spektakolare vërehen dhe tek lumejt, liqenet, oqeanet, etj. Bukuria e natyrës është e jashtëzakonshme. Trupi i njeriut është gjithashtu i bukur, por mbi të gjitha truri është bukuria  mbi bukuri e kësaj natyre! Truri studjon, analizon dhe transformon botën; veçse, në  rradhë të parë ai duhet të eleminoje egoizmin; burimin e të këqijave të kësaj bote. Njeriu dhe truri i tij mundet dhe duhet, jo vetëm ta luftoi, por ta zhduke këtë të keqe të njerzimit.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Hazbi shehu, natyra dhe njeriy, ne Manhattan, shetitje

ZOTI NUK ËSHTË QENDRA E FRIKËS POR BURIMI I DASHURISË

July 6, 2013 by dgreca

Mendime për librin autobiografik të profesor Sami Repishti” NË HIJEN E ROZAFËS”/

Nga KRISTAQ TURTULLI/

Shumë kush nga ne ka dëgjuar dhe lexuar mjaft për intelektualizmin dhe patriotizmin shkodran, të klerit katolik, mysliman dhe ortodoks. Sido që fqinjët tanë tradicionalë dhe pushtuesit, u përpoqën që tre fetë ti përdornin si pisha për të ndezur zjarre dhe përvëluar Shqipërinë. Këto tre fe kanë qene në shekuj në harmoni të mrekullueshme, si kudo në Shqipëri edhe në Shkodër.

Kemi lexuar dhe admiruar heroizmin e pashembullt të malësisë shqiptare që mbrojtën me thonj dhe gjak gjuhën, traditën, besën dhe fisnikërinë e lavdërueshme si rrallë në botë. Shumë kombe dhe popuj edhe pse kanë qenë shumë më të mëdhenj se populli shqiptar, në popullsi dhe hapësirë territoriale janë asimiluar, zhdukur, sikur nuk kanë ekzistuar kurrë, përgjatë tallazeve të pushtimeve, luftërave dhe shfarosjeve. Ne mbijetuam, e ruajtëm gjuhën, zakonet dhe traditat e respektuara si rrallë kush. Jo vetëm kaq, por bijtë më të mirë të mërguar, mbajtëm në këmbë, çliruan dhe udhëhoqën drejt civilizimit popuj e kombe të tjera. Ne shpërndamë dije dhe përparim, fqinjët tanë si lubi donin të na zhduknin, kur nuk mundën, na morën si hakmarrje, si shpagim; legjendat, gojëdhënat, doket, zakonet tona, deri sot e gjithë ditën.

Klerikë të ndershëm të arsimuar, të përkushtuar ndaj Zotit, drejtësisë dhe atdhedashurisë. Personalitete të mendimit dhe të përparimit. Heronj të heshtur, të pajisur me kulturë perëndimore dhe civilizim. Kolosë të mendimit intelektual: Qysh me të madhin Marin Barleti, i cili i përshkroi me madhështi dhe patriotizëm heroizmin e Skënderbeut dhe qëndresës së popullit shqiptar, kundër hordhisë turke, perandorisë më të madhe të kohës. Pal Engjellin, me formulën e pagëzimit, i dha besim dhe shpresë çdo familje shqiptari, ti jepte frymë jete dhe besimi fëmijës dhe të vazhdonte qëndresën. Burimorin, origjinalin Gjon Buzuku, ‘Meshari’ i tij qëndron në majë të malit si pishtar ndriçues në memorien dhe admirimin tonë. Pjetër Bardhin, Pjetër Bogdanin, Ndre Mjeda. Gjeniun, akademikun, epikun e madhërishëm Patër Gjergj Fishta. Patër Antoni Arapi. Patër Ndue. Patër Gjonin dhe plot të tjerë. Të gjithë këta kanë qenë patriotë të mëdhenj, shkrimtarë të shkëlqyer, historianë, kronikanë, lëvrues të gjuhës së bukur shqipe, pishtarë dhe fanarë të përparimit dhe mendimit shqiptar.

Shumë kush nga ne ka dëgjuar dhe lexuar mjaft për intelektualizmin dhe qytetarizmin shkodran. Të malësisë dhe të klerit, rezistencën shpirtërore kundër komunizmit. Shkodra, ky qytet e lashtë me tradita të merituara, qëndresë e hershme e identitetit iliro- shqiptar. Shkodra, vatër e zjarrtë e demokracisë dhe progresit Shqiptar.

Qysh në fillim të ardhjes së komunistëve në pushtet u munduan ta nëpërkëmbnin Shkodrën dhe malësinë. Në kuintat e ndyra u përgatit loja e sigurimit të shtetit,që të nëpërkëmbet Shkodra, në radhë të parë duhet të nëpërkëmbet besimi i saj. Krenaria dhe feja. U gjend menjëherë alibia, duhet të fajësohen klerikët, besimi fetar dhe me pas asgjësuar, sikundër edhe ndodhi. Intelektualët më të shquar, klerikë, u përballën me dinjitet me marrëzinë e kohës dhe nuk u përkulën. Prandaj u martirizuan egër prej komunizmit. Humbën në vite dhe vite neper burgje dhe birucat, u vranë, u pushkatuan, u zhdukën pa nam e nishan. Dhe nuk u përmenden. Ndoshta dikush prej tyre tani vonë fare pak. Dhe jo aq sa e meritonin dhe sa kishin sakrifikuar.

Shumë pak prej tyre, mund ti numërosh me gishtat e dorës, me kosoren dhe lakun në qafë arritën të çanin gardhin e hekurt. Tu shpëtonin plumbave dhe qenve te tërbuar, morën arratinë, shkuan në perëndim. Por me zemër të ndezur prej mallit dhe përkushtimit të pashuar atdhetar.

Një prej tyre është pa dyshim personaliteti, patrioti dhe shqiptari i madh, me kulturë dhe inteligjencë profesor Sami Repishti. Ai ka qenë pjesëmarrës aktiv për të drejtat e popullit Kosovar për vetëvendosje. Akademiku Sami Repishti si rrallë kush ka dëshmuar vazhdimisht, ka ngritur zërin me dinjitet dhe pa u tërhequr përpara Kongresit Amerikan, për të drejtat e shqiptarëve dhe kosovarëve. Ai ka mbajtur lidhje me Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, gjithmonë për çështjen shqiptare. Ka drejtuar Këshillin Kombëtar Shqiptar Amerikan për shumë vite me radhë. Ai ka botuar me qindra artikuj e studime mbi problemet shqiptare dhe te drejtat e njeriut ne shtypin shqiptar dhe te huaj. Sami Repishti është dekoruar disa here nga qeveritë shqiptare dhe amerikane, për merita te shquara dhe për veprimtari patriotike dhe akademike.

Ish profesori i nderuar i Universitetit Adelphi, Sami Repishti tani është në moshën tetëdhjetë e tetë vjeçare. Është një histori e gjallë e dhembjes dhe së vërtetës. Një libër i hapur, dëshmitar okular, për të ndriçuar llambën e së drejtës dhe të së vërtetës. Dhe na tregon se individi i vogël rritet, merr përmasa mbinjerëzore, dhe fisnikërohet nga madhështia e kauzës që i shërben.

Libri me vlera njohëse, përshkruese, informative, shpirtërore dhe edukative për brezat që vijnë: ‘Në hijen e Rozafës.’Përshkruhet qysh në faqen e parë deri në faqen përmbyllëse nga një ndjenjë e fuqishme për vendin, fëmijërinë, Shkodrën fisnike dhe patriotike. Kontradiktat e thella në gjirin e shoqërisë shkodrane, brumosjen e karakterit të tij, e cila i shkaktoi aq mundnim e persekutim. Vuajtjen, mbrojtjen e integritetit kundër vasalitetit jugosllav. Dashuria e pakufishme për nënën, respektin ndaj kujtimit të babait, klerik. Për shokët, miqtë edhe pse i prangosur dhe i torturuar deri në barbari. Në ferrin dantesk, nën presionin e tmerrshëm, si të gjithë të burgosurit e tjerë, viktima të pafaj, atij iu lëkund besimi tek zoti dhe humanizmi. Por përsëri i dalluar dhe i brumosur për karakter të fortë, nuk i humbi këto elemente të rëndësishme. Mbeti njeri, shkollar, intelektual, shqiptar, patriot si rrallë të tjerë.

Sami Repishti midis shumë veprave të botuara me karakter historik dhe librit me tregime:’ Pika loti,’ tregime nga burgu. Në vitin 2004 botoi librin e tij të merituar outobiografik:’ Në hijen e Rozafës.’ Narracion i hollë,dhembje ,mundim, kundërshti, luftë për dinjitet dhe sensibilitet. ‘Në hijen e Rozafës.’nuk është thjesht një libër që tregon jetën e një individi, por është një analizë e thellë e jetës politike dhe shoqërore shqiptare në harkun kohor njëzet e pesë vjeçar, midis viteve tridhjetë deri në mbarim të vitit 1959 të shekullit të kaluar. Në Shqipëri ndodhën ndryshime të mëdha siç ishte pushtimi fashist, lufta e popullit mbarë për rezistencë kundër okupatorit. Lufta civile, vëllavrasja, si dhe ardhja e komunizmit. Mënyra e egër e vendosjen së diktaturës së proletariatit .Intelektualët, patriotët e ndershëm e kuptuan dhe e përjetuan menjëherë, se nuk ish e vërtetë çka thuhej. Komunizmi që po aplikohej në Shqipëri ish një fasadë që do ti sillte popullit veçse mjerim, prandaj e kundërshtuan, u përballën me të dhe u kryqëzuan prej saj.

Si të gjithë të rinjtë dhe Sami Repishti u gjend që në fillim në udhëkryq. Kazani ziente. Ai duhej të merrte një vendim qoftë dhe me rrezikun e jetës. Të bëhej pjesë e rrjedhës të pashmangshme ku kish mbërthye euforia dhe çmenduria. Ta kundërshtonte atë dhe të përpiqej për një mundësi më të mirë? Ai me kthjelltësi dhe ndërgjegje i tha: ‘Jo’ diktaturës dhe morri rrugën që nuk kishte fund, një lundërtar në detin e gjerë, pa brigje. Akti i tij rebel pothuajse e vrau, por e çliroi njëkohësisht shpirtërisht dhe mundësisht.

Sami Repishti paraqitet një figurë komplekse në libër. Ai është dëshmitar okular i jetës në ferrin fashit dhe komunist në Shqipëri. Jo si ‘politikan’,apo ‘personalitet’ i makro politikës shqiptare, por si student dhe i ri, i cili u ndërgjegjësua për rolin e vet, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashuria për atdhe dhe dëshira për liri. Ne ato momente të vështira shohim një djalosh të ri me qëndrim të qartë, besnik i vetvetes, i jetës për të jetuar me dinjitet pa kompromis.

‘Gjatë udhës, thotë autori, takova dhe njoha ma mirë ‘njeriun,’ krijesën fisnike, të etur për liri, të djegur për vëllazërim e njëkohësisht të aftë për të zbritur poshtë, në botën ku mbretëron çnjerëzimi ma i plotë dhe vdekja e frikshme. Në këtë botë të nëntokës përqafova viktimën dhe e doja atë me pasion. Kjo dashuri për njeriun mundi dhe kërcënimin e vdekjes.

Sami Repishti lindi dhe hodhi shtat në hijen e kështjellës tremijë vjeçare së Rozafës. U ushqye dhe u frymëzua prej legjendën e dhimbshme, magjepse dhe e papërsëritëshme: Një murojë madhështore e pathyeshme ndërtuar mbi trupin e njomë të një nuseje, të një nëne që linte djalin jetim nga respekti i padiskutueshëm për besën, mbajtjen e fjalës dhe traditën. Ideja e sakrificës që kërkon jetë njerëzore në formën më të ashpër, ushqeu fantazinë e një populli, që mund dhe vdekjen. Më vonë mbretërit ilirë e kishin mbajtur dhe mbrojtur këtë kështjellë me një legjendë, dashuri nëne, bese dhe krenari si rrallë në botë: Bardhyli. Pleurati. Teuta. Agroni. Deri tek dorëzimi i mbretit Genci, i përcjellë në Romë me pranga floriri.

Në këto histori madhështore flijimesh, përpjekjesh, luftërash, qëndrese të kështjellës së Rozafës dhe qytetit të tij Shkodrës, u brumos karakteri i djaloshit të ri, birit të thjeshtë Sami Rapishti.

Në një pjesë të rëndësishme të librit autori përshkruan me dhimbje dhe revoltë pushtimin vendit prej Italisë fashiste. Si priti dhe e përjetoi populli i vuajtur Shqiptar këtë ditë të zezë. Shkodra si e gjithë Shqipëria ishte në tension e flakë. Trusninë e përjetuan dhe shkollarët, për të cilën e përshkruan dhe jetuar autori me aq patos dhe art. Himni kombëtar këndohej pa pushim. Shqetësim, dhimbje për nënën Shqipëri, gatishmërinë e të gjithëve për të shkuar dhe luftuar me armë kundër pushtuesit. Hija e rëndë e pushtimit. Por qëndrimi i popullit kundër pushtimit nuk u fashit, nuk reshtën demonstratat dhe lëvizjet mazive të organizuara. Si i gjithë populli ai vetë po ashtu dhe familja e tij u përfshinë në këtë lëvizje të madhe për liri dhe përparim.

Sami Repishti si patriot dhe intelektual i formuar, luftoi pa kompromis kundër çnjerëzimit, pavarësisht nga ngjyra.

Pikërisht në këtë lëvizje frontale ai u përfshi me idealizmin për një Shqipëri të vërtetë me vështrim demokratik perëndimor, duke futur brenda të gjitha trojet shqiptare të ndara padrejtësisht nga trungu i nënës Shqipëri. Ai u përball në të njëjtën kohë me komunizmin që ish ushqehej dhe shtyhej prej Jugosllavëve:

‘Me moton shkatërrimtare, o me ne, o kundra nesh.’

Sami Repishti edhe pse shumë i ri, nuk mund të pranonte një shoqëri që premtonte dhunë dhe urrejtje. Një shoqëri që nëpërkëmbte parimet morale, që ishin bazë e një qytetërimin tre mijë vjeçar. Komunistët nuk i kërkonin trojet shqiptare, as nuk e hapnin këtë kapitull. Ata kërkonin luftë pa kompromis kundër të gjithëve, pronës, fesë, duke shkulur nga rrënjët botën e vjetër, me ideologë të mëdhenj Titon dhe Stalinin dhe me militantë të brumosur me urrejtje.

Në kulmin e përfshirjes madhore të lëvizjes për çlirim, në mbledhjen e njësitit. Sami Repishti

ngihet dhe thotë:

‘Unë nuk jam komunist.’

Por ky deklarim burrëror dhe i sinqertë, nuk kaloi pa gjurmë. Pa vonesë ai e kuptoi se tashmë ishte përballë kundërshtarësh, deri tek Lili, vajzën që adhuronte aq shumë. E cila i tha:

‘Meqenëse nuk je i një mendje me ideologjinë komuniste dhe kushdo që nuk e pranon ose kundërshton këtë, është armik që duhet të urrehet dhe të luftohet pa mëshirë.’

Në këtë pështjellim njerëzor autori i thotë vajzës së zemrës:

‘Lili, ke humbur çka është fisnike tek ti, ke humbur çka është e jotja dhe vetëm e jotja…’

Sa bukur, sa njerëzore, sa e madhërishme. Samiu e kuptoi qysh në fillim zvetënimin e personalitetit të njeriut dhe ia tha me forcë dhe sinqeritet të dashurës së tij.

Interesant është gjithashtu debati me të kushëririn komunist. Ata kishin bindje të kundërta. Kushëriri kërkonte ndryshim dhe dhunë pa kompromis. Samiu i thoshte për tolerancë dhe mirëkuptim në interes të vendit. Në fund u ndanë të indinjuar me njëri tjetrin. Shikimi i kushëririt ishte tmerrshëm. Por vetëm dy ditë më vonë, nën errësirën e natës, kushëriri u hyri në shtëpi me hap të shpejtë dhe u tha:

‘Policia fashiste më ndjek. A mund ta kaloj natën këtu tek ju?’

I ati i Samiut, hoxha Hafis Ibrahim Repishti e pranoi pa hezitim në shtëpi edhe pse e dinte që komunistët ishin ateistë. Besa e shqiptarit është më e rëndësishme se gjithçka.

Në mesnatë fashistët shkatërruan derën në kërkim të kushëririt. Nëna e Samiut e nxori nipin nga dera tjetër. Në shtëpinë e tyre filloi bastisja. Oficeri kapi të atin nga krahu dhe e shtyu me forcë në dhomën tjetër, filloi të bërtiste. Për një klerik mysliman trajtim i këtillë ishte shumë i rëndë, pësoi hemorragji cerebrale, paralizë dhe mbas disa ditësh i ati vdiq. Babai i Samiut, kleriku i ndershëm hoxha Hafis Ibrahim Repishti, sakrifikoi jetën për nipin komunist. Ai mbrojti njeriun, të nipin, jo bindjet politike, apo fetare. Por sa vlerë kish kjo për të tjerët!

Erdhi çlirimi i vendit. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme dhe e rëndësishme për një popull dhe komb, shoqërohej nga frika e së panjohurës. Kush janë fitimtarët, partizanët, udhëheqësit e pakontestueshëm të rendit të ri që premtohej me aq zulmë e bujë? Mirëpo metodat e përdorura përgjatë përpjekjes për të ardhur në pushtet ishin të ashpra e diktatoriale. E liruar nga dy regjime, shoqëria shqiptare priste me padurim që të lindte më në fund një periudhë paqeje e sigurie.

Befas nëpër rrugët e shkatërruara dhe qytetet e Shqipërisë, u shfaqën si kërpudha pas shiut fqinjët e veriut të veshur me kostumin e ndihmëtarit dhe këshilluesit. Por psikologjia e masave të një qyteti si Shkodra që e kish pësuar vazhdimisht invazione nga fqinja e veriut, nuk lejonte pranimin pa kushte të një bashkëpunimi të ngushtë me jugosllavët, praninë dhe imponimin e instruktorëve serbë dhe malazezë në të gjitha sektorët e jetës së vendit.

Autori Sami Repishti na jep me art dhe vërtetësi pamjen e Shqipërisë në vitet e para të pas çlirimit të vendit, varfërinë, euforinë, pasigurinë. Në të njëjtën kohë po ngrinte kokë organizimi i shtetit mbështetur mbi forcën e zjarrit dhe të hekurit. Kudo dëgjoheshin krisma dhe thirrje të ekzaltuar të masave. Filluan të bëheshin ekzekutime publike sipas stilit fashist. Maskarada ish e tmerrshme, rreth të pushkatuarve, grupe partizanësh dhe partizane hidhnin valle, duke kënduar këngën:

‘Lule Sofo, lule djalë.’

Ishte mënyra përhapjes së ankthit dhe frikës që realizonte ekzekutimi që u bëhej,‘bashkëpunëtorëve të armikut,’ Por njëherësh qysh në fillim, tregonte mospërfillje për shtetin ligjor si dhe mospërfillje për ndjenjat qytetare.

Çdo ditë nëpër rrugët e qytetit dëgjoheshin të ulëritura e që e përsëritnin si në kor:

‘Plumbin ballit, plumbin ballit!Vdekje tradhtarëve!’

Gjithçka ishte llogaritur më së mirë, ardhja e komunizmit në radhë të parë duhet të krijojë atmosferën e frikës. Autori na je jep të saktësi sesi klasa shoqërore shkodrane dhe të malësisë së madhe, dikur e privilegjuar dhe e fuqishme, më vonë e dërmuar prej krizës ekonomike, ndryshimeve shoqërore e kataklizmave të luftës, po avullohej, burgosej, zhdukej, pa lënë trashëgimtarë për zëvendësim. Boshllëku i mbetur në traditën fisnike, shekullore ishte i madh dhe i frikshëm.

Në këtë trusni, terror, që po ngrihej përpara syve të inteligjencës së mirëfilltë shkodrane, humbje vlerash të çmuara të traditës dhe kulturës, u ndje nevoja për veprim.

‘Para meje, shkruan autori, ngrihej çdo ditë ma e madhe kërcënuese’ ndërtesa’ që më zinte frymën përgatiste murimin e përjetshëm, si varri i Rozafës viktimë. Ai ishte vetëm njëzet vjet dhe në luftë të brendshme shpirtërore. Për tu fisnikëruar dhe lartësuar. Dhe gjykonte se shoqëria e re, kish vrarë me dorën e vet, ambiciet e saj morale. ‘Njeriu i ri’ që po krijohej ish i përqendruar vetëm në një pikë: ‘urrejtje.’Tek ai ishte përqendruar një ndjenjë:’ hakmarrja.’ Tek ai, gjithçka ishte e frymëzuar nga një qëllim: etja e pangopshme për pushtet.’

Ndërkohë dy ngjarje të rëndësishme ndodhën në qytetin e Shkodrës. Në maj të vitit 1946 u zhvillua demonstrata e parë antikomuniste e qetë por e fuqishme, krejtësisht spontane, nën vëzhgimin e Sigurimit. Ishte funerali i arqipeshkvit katolik që vdiq, ndërsa mbahej në gjendje arresti, në shtratin e vdekjes. Ndërsa më 9 shtator 1946 ndodhi‘Lëvizja e Postribës’.Këto dy ngjarje u bënë shkak të ‘spastrohej’ i gjithë qyteti i Shkodrës me rrethe. Brenda një muaji qyteti kishte njëmbëdhjetë burgje të përkohshme dhe më shumë se njëmijë e dyqind të arrestuar. Hija e rëndë e ekzekutimeve ishte kudo.

Arrestimi i autorit të librit: ‘Në hijen e Rozafës,’ ndodhi në mbasdreken e 22 tetorit 1946. E flakën në qeli. Dhe qysh në momenti e parë u përplas me dhunën e egër dhe torturën e cila i vazhdoi për shumë muaj me radhë për të pranuar fajin e pakryer. Ai e mendoi shpesh vdekjen. I mbyllur, i torturuar shumë pranë hijes së kështjellës së Rozafës. Ardhja e nënës për të vizituar në burgun e spitalit dhe dhuna e egër e njërit prej rojeve ndaj nënës së vuajtur. Lotët e nënës së gjorë binin rrëke për të takuar djalin. Autori me shpirt në dhembë i thotë rojës:

‘Unë nuk do ta shkelmoja kurrë nënën tende.’

Më në fund mbërrin gjyqi, një farsë e zakonshme, turma të eksituar që bërtasin. Gjykatësit, prokurori, vetë flasin, paraqitin akuzat e rreme dhe vetë vulosin. Heshtje prej të akuzuarve, pastaj dënimi me pesëmbëdhjetë vjet burg, shumë të tjerë me pushkatim.

Më 28 nëntor 1947 e transferojnë në burgun e madh. Solidariteti i të burgosurve , të cilët heqin kapotën nga vetja dhe ja japin më të dobëtit. Aty autori ra gjithashtu në kontakt me klerikë dhe të njerëz shquar të burgosur padrejtësisht, të cilët ndihmuan në forcimin dhe vendosmërinë e karakterit. Më vonë puna kapitëse në kampet e punës. Shpirtligësia, harbutllëku, egërsia e gardianëve dhe rojeve të burgut nuk kish kufi. Po ju jap disa shembuj:

Një oficer duke u tallur urdhëroi heqjen e mjekrës së një imami shtatëdhjetë vjeçar. Imami i ulur në gjunjë dridhej prej dhembjes e turpit dhe lotët i binin rrëke. E tallura e oficerit vazhdoi:

‘ Hoxhë, a ndjehesh më mirë tani pa mjekër?

Imami plak u përgjigj me zë që dridhej prej dëshpërimit:

‘A nuk turpëroheni prej pleqërisë sime?’

Apo shehu plak nga Luma, një burrë fisnik i pa përkulur. Por i dërmuar prej plagëve dhe torturave për tu dhënë burgosurve të tjerë shpresë dhe besim thoshte shpesh:

‘Zoti nuk është qendra e frikës siç e propagandojnë këta, por burimi i dashurisë.’

Talljet e rojeve dhe gardianëve ishin të poshtra, të papërballueshme, të tejskajshme kundër priftërinjve të përgjakur dhe të munduar. Ata duke u zgërdhirë u thoshin:

‘Ore uratë, sikur të kisha atë Zotin tënd tani këtu, do ti a thyeja brinjët me këtë dru lisi, dëgjove ore?

Autori Sami Repishti takoi në burg dhe njohu nga afër klerikët e akuzuar padrejtësisht për fshehje armësh në kishë. Autori takoi gjithashtu dhe dëshmitarin okular, i cili e dinte mirë të vërtetën. E lojës së sigurimit të shtetit. Po të binte besimi, binte dhe Shkodra. Ata e akuzuan e besimin. Akusuan Shkodrën, u arrestuan bijtë më të mirë, u burgosën. Më pas të gjithë klerikët u pushkatuan dhe u flakën, humbën në rrëpirat ku frynin erëra të mëdha. Krahas punës së rëndë rraskapitëse, në baltë erë dhe të ftohtë vazhdonte tortura dhe marrëzia e rojeve.

Në protestën më të vogël:

‘Unë nuk jam kafshë pune,’ tha një i burgosur.

Ndëshkimi i sh mesjetar:

‘Je armik i poshtë o derr i derrit.’u tërbua roja dhe i vuri cigaren e ndezur në sy.

Viktima lëshoi britmë therëse dhe i tha:

‘ O, Aristidh Karrabeci. Edhe Zotin mund të harroj, por jo fytyrën dhe emrin tënd.’

Më në fund më 1 korrik 1956 Sami Repishti u lirua prej burgut. Por u përball menjëherë me vuajtjen e urinë e familjes, ata nuk kishin bukë ti nxirrnin. Varfërinë e një populli të tërë, të cilët jetonin me triska për një kile sheqer ose oriz. Si dhe propaganda e shfrenuar komuniste për mirëqenien e popullit të vet, heroik, luftarak dhe paqedashës.

Kështu ai doli nga një burg i vogël dhe u përball me burgun e madh,ku vuante një popull i tërë i indoktrinuar deri në marrëzi. Ndiqej, përgjohej ngado. Tehu i mprehtë i arrestimit të dytë rëndonte çdo minutë mbi kokën e tij. Çdo lëvizje që ndodhte në vend ose në botën matanë telave me gjemba, emri i tij ishte në listë për tu arrestua dhe ekzekutuar. Samiu ishte në dilemë të madhe. Ikja dhe mos ikja. Vetësakrifikimi dhe e drejta për të jetuar. Ai nuk ish si gjithë të tjerët. Mbasi nuk bëri asnjëherë kompromis me dinjitetin në kulmin e tmerrit, mundimit dhe të torturës. Atë e mundonte në të njëjtën kohë hakmarrja e pushtetit ndaj fatit të nënës dhe njerëzve të tij.

Me dhimbje dhe art ka përshkruar autori monologimin në varrin e të atit:

‘Kështu më deshe, besnik të vetvetes. Ti më mësove të luftoj për parime të drejta, që kërkojnë vuajtje dhe sakrificë. Të lutem babë falu për mue…’Kontrasti i filozofisë së jetës, mes babës dhe djalit ishte i plotë…

Gjendja e Samiut mori karakter tragjik. Çdo minutë ai ish i ndërgjegjshëm për arrestimin , burgosjen dhe ekzekutimin. Një jetë me vuajtje të padurueshme dhe të përhershme nuk është jetë. Vdekja me dinjitet është më e pranueshme. Le të goditej prej rojeve të kufirit në se zbulohej por nuk kish më kthim prapa.

Dhe ai më 23 gusht 1959 bëri arratisjen nëpërmjet lumit të Bunës.

Pse shkruaj? thotë autori në parathënien e librit. Jam viktimë e, denoncimi i krimit e kriminelit. Justifikon mbijetesën time. Zbulimi i dhimbjes se vuajtur e ngre viktimën në sferën e absolutes dhe hedh dritë mbi fajtorin e frymën e së‘keqes’. Drita këput vargonjtë e lidhur në errësirë. Drita sjell lirinë…

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Kristaq Turtulli, mendime, nen hijen e Rozafes, repishti

PROFETËSIA E NANË TEREZËS

July 6, 2013 by dgreca

Rinas 1997-Para çastit të largimit të fundit nga Atdheu Nanë Tereza, u tha gazetarëve në Rinas: “O Zot, hiqi mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”…/

* Me daten 23 Qershor 2013…Kryeministri S.Berisha ua dorzoi prap pushtetin komunistëve… me masken “socialiste”… A nuk asht aktuale prap sot lutja e Nanë Terezës:  “O Zot, hiqi mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”..?

Nga Fritz RADOVANI/ Melburne/

  Nuk na pelqente me e besue se Shqipnia e Gjergj Kastriotit, siç paralajmonin edhe të tjerë Profetë maparë: “Do të paguente shtrenjtë moskthimin në besimin e të Parëve të vet!” …

Porsa në horizontin e Saj duket një rreze drite që shndritë aty ku errësina nuk na ndahet per sa e sa kohë dhe shpresat fillojnë e ringjallen per një ditë ma të mirë, në qiellin tonë edhe sikur një rê e vetme të duket dikund larg, pa u errë nata fillon vransina, nxihet qielli, veton e bumbullon e nuk të sheh syni tjeter gja veç errsinen shekullore, që e ndjekë Shqipninë tash 545 vjet pa iu nda një çast.

Edhe kur dikush që e ka njoh me kohë një perpjekje të Shqiptarëve, mos me i ra mohit se të jenë jeta identitetit të vet Europjan, do të dalin një tradhëtar me prishë e rrenue gjithshka tue fillue nga gjurmët e para që t’ huejtë dashamirës mundohen me zbulue nder temelet e Tokës sonë.

Mbas ma shumë se 40 vjetësh kur në rruzullin toksor një rrufé kishte goditë një shtet nder ma të vegjlit per vdekje në vitin 1967, dhe Shqipnia “u shpall shteti i parë ateist në Botë”, çka nuk ishte pa e ndigjue nder 20 shekuj mbas Krishtit, një dorë u shtri me na nxjerrë nga balta; ishte dora e një gjermani që shihte ma larg se mund të shohin mjetet ma moderne të teknikës… Ishte Shtrausi! Edhe pse syni i Tij dallonte mirë mjegullen që sillej nder kybet e Kremlinit, me aq kjartësi dallonte në Shqipninë “ateiste” minaren shekullore të Tiranës anadollake, që “nuk ishte shembë” asnjëherë që nga viti 1468, kur Shqipnisë i kishte “vdekë” edhe Ora e Lirisë.

Kush mund t’ ishte perveç “mallkimit”, që ishte kaperthye mbrenda një kenjes së mbrapshtë që me hipokrizinë djallzore të një vrasësi kriminel e gjaksor të vllazenëve të vet, rrefuzoi një të mirë aq të madhe që një personalitet gjerman po i ofronte Shqipnisë së njohun prej shekujsh: “Mbrojtëse e qytetnimit Europjan per 25 vjet nen udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut” ?

– Vetem një perbindsh i quejtun Ramiz Alia, që mbas sa vitësh KGB sovjetike e dekoroi!

Ishte pikrisht ai terrorist që i mbështetun vetem tek krimi, lau me gjakun e Rinisë pafaj të gjitha piramidat e kufinit, të cilat, që në vitin 1944 bashkë me miqtë e tij, shovenistët sllavë nuk i kanë lanë me u tha asnjëherë. Ishte premtimi që Tito i dha Enver Hoxhës, me mbajtë kolltukun që në 1941 dhe me ushtrue atë të mnershmin Gjenocid që nuk asht pa asnjëherë kunder Atdhetarëve pa dallim feje, dhe kryesisht kunder Klerit Katolik Shqiptar dhe Popullsisë së Veriut.

E Populli Shqiptar vazhdonte Kalvarin… Muri i Berlinit ra! Po, na, vazhdonim rrugen tonë.

Me 14 Janari 1990 në Shkoder, demostrata per heqjen e bustit të diktatorit Stalin, shoqnue me disa qinda vetësh të arrestuem, ku kishte edhe shumë vajza të reja, u harrue! U vra dhe u harrue edhe djoloshi Trim Rin Monajka! E pa kalue as shtatë muej në vazhden e vrasjeve nder piramida, u vra një 17 vjeçar Pllumb Pllumbaj, që arkivoli i Tij solli një tjeter revoltë…Po, edhe Ajo u harrue!Anë e kand Shqipnisë, shetiteshin kufomat e të vramëve në kufi të lidhun me tela me ferra dhe, u harruen vrasjet e krimet e njenit prej terroristëve ma të mëdhaj të sunduesëve anadollakë të 47 vjetëve komunizem, tue vorrosë me një ceremoni ushtarake shtetnore gjaksorin perbindsh Ramiz Alia!

Me 14 korrik 1990 asht ky Ramiz Ali që porositë komunistët që po strukeshin si qejtë: “Nuk ka qytet tjetër ku vepron më tepër agjentura e armikut se sa Shkodra. Në Shkodër agjentura vepron shumë e organizuar, e ndërthurur. Atje ka agjenturë serbe, italiane, gjermano-perëndimore dhe franceze. Vatikani ka hedhur agjenturën e vet, prandaj, duhet ndenjur gjithmonë në tension dhe të rritet vigjilenca.”

Shumë interesant! Asnjë agjenturë turke, arabe as sovjetike, agjent i së cilës ishte ai vetë.

Në Shtator 1990 deklaron po anadollaku R. Alia: “Ndodhën ambasadat.  Aty hynë ca debilë.. kush ishin ata që ikën, ç’janë ata në Shkodër që çohen në demonstratë? Po këta nuk dolën tani, ata ishin, se baballarët e tyre nuk ua vramë tani, por ua kemi vrarë për 40 vjet.”

E me paturpësi ky kriminel u quejt “presidenti i parë demokrat”… dhe u vorros me ceremoni të organizueme nga shteti “islamik”, të cilit, i perkiste kufoma e qelbun e tij që me 2 Dhjetor 1992, atëherë, kur Shqipnia u kuadrue nga presidenti Sali Berisha në “Konferencen Islamike”…

Shqipnia e gjysëm miljoni viktima të komunizmit vazhdoi persëri sundimin nga sigurimi i shtetit që per 47 vjet e gjakosi dhe dhunoi me një Gjenocid të panjohun në Europen Lindore!

Po, u harruen edhe krimet e sigurimit të shtetit me bustin e terroristit Sabri Godo!..

Ishte 11 Nandori 1990 që i Madhi Don Simon Jubani, shpartalloi me Ungjillin e Krishtit, perfundimisht prangat e diktaturës në Vorret e Rrëmajit të Shkodres, tue Ringjallë Fenë dhe tue e hapë pa pikë frike Rrugen e Demokracisë në Shqipni, po edhe Ai Hero, vdiq… dhe u harrue!

Erdhi në Shqipni Nanë Tereza, dhe persëriti thanjen e Krishtit: “Dueni armiqët tuej!”, dhe Ajo vetë e para ndezi një qiri tek vorri i luciferrit… “Jo, vllavrasje!” persëriti, sa herë vinte këtu!

Erdhi Papa Gjon Pali II, dhe u ul perballë monumentit Skenderbeut… plot 20 vjet perpara,

Erdhi Ai Burrë, që tha: “Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tem Vëllaznor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashkjetojnë këtu prej shekujsh: Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilëve, u sjellë një përshëndetje të përzemërt…Kam ardhë për me i shfaqë çdo shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të kalimit historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore dhe shpirtnore…

Të dashtun Vëllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen u asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuaj… Ju keni vuajtë për Kombin Tuaj. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë. Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…Drama e Juaj Shqiptarë të dashtun zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Evropian e asht  e domosdoshme që Evropa mos t’ Ju harrojë.

Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë…Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vëllazën. Kështu, që Feja asht një kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar për një vëllaznim human. Liria  e vërtetë fetare i shpëton ngacmimëve të intolerancës dhe të sektarizmit dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv…

E si mos të kujtojmë tashti një Bijë të zgjedhun  të Popullit Shqiptar, Motren Tereza të Kalkutës, Nanë shumë e vorfën ndër ma të varfërit në Botë? Me zjarrin e Fesë në krahnor Kjo grue e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruan mbrenda Saj hovin e bujarisë së papërmbajtun dhe të pamposhtun të zemrës shqiptare…

Në emnin tand Popull Shqiptar,po i drejtohëm këtu edhe Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm. Vetëm kështu mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vëllavrasëse të ulta e të pakuptim…” (25 Prill 1993, në Sheshin “Skenderbeu”, Tiranë.)

Nenvizova ata rreshta që Shqiptarët Atdhetarë duhet të mos i harrojnë kurrë!

Ata janë çelsat e “Dyerëve të Europës Demokratike!”që na dhuroi Papa Gjon Pali II.

***

Me daten 23 Qershor 2013…Kryeministri S.Berisha ua dorzoi prap pushtetin komunistëve… me masken “socialiste”…

A nuk asht aktuale prap sot lutja e Nanë Terezës:

“O Zot, hiqi mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”..?

 Melbourne, 2013.

Filed Under: Analiza Tagged With: e Nane Terezes, Fritz radovani, profetesia

“HARRESA e MOSMIRATIMIT” TE REZOLUTES ÇAME

July 6, 2013 by dgreca

Nga Sali Bollati/ New York/

Problemi I Çamërisë Shqiptare është problem në rradhë të parë I mbrojtjes së të drejtave të njeriut: njohja e gjuhës, pronës, shtetësisë me të gjitha të drejtat e minoriteteve të miratuara ndërkombëtarisht..Por së pari duhet njohur nga institucionet greke Genocidi I ushtruar ndaj popullësisë së pafajshme Çame që mbas vrasjeve e masakrave u dëbua me dhunë të egër nga shtëpijat e vatrat e tyre etnike më 1944-1945.

Mbasi kombi grek të verë në vend padrejtësitë e ushtruara ndaj kësaj popullësie shqiptare që nga viti 1913 deri në spastrimin etnik të 1944-1945. do të krijohen ura bashkëpunimi dhe respekti reciprok midis fqinjëve që nga lashtësia.
Popullësia Çame në Shqipëri prej mbi 300.000 vetash, nuk kërkon ndryshime të kufijve ekzistues, ajo dëshëron të jetojë në shtëpijat dhe pronat etnike të sajë në miqësi me vëllezërit Çamë të besimit të krishterë dhe të gjithë popullin grek/

Nëpërmjet Parlamenteve dhe qeverive të dy shteteve të miratohen të drejtat e mohuara deri më sot për popullësinë Çame. Kështu do të vihen në zbatim edhe rekomandimet e Këshillit të Europës .
Zbatimi dhe respektimi I të drejtave themelore të njeriut midis fqinjëve do ti tregojë botës mbarë se Ballkani nuk është më një fuçi baruti.
Ashtu siç ka lënë amanetin edhe atdhetari ynë I nderuar F.Zeqiri: Pa lirinë Çame, s’ka qetësi Ballkani!

Nuk me hiqet asnjëherë nga mendja kultivimi i harresës kombëtare në popullin e shumë vuajtur shqiptar të zgjedhës komuniste enveriane
Kur punoja në një zyrë të Bashkisë së New Yorkut, mbaja mbi tavolinën e punës pranë Flamurit Amerikan edhe Flamurin Shqiptar. Vinin bashkëatdhetarë nga Kosova, Dibra ose nga Malësia Shqiptare e Malit Zi, entusiazmoheshin për Flamurin Kuq e Zi por edhe të çuditur më pyesnin se nga cila krahinë Shqiptare jam. Mbasi u tregonja se jam Çam; kur i pyesnja njëkohësisht në se e dinin ku bie Çamëria.
Dhe ata menjëherë përgjigjeshin të pezmatuar se Çamerine Shqiptare e kishte rrembyer greku i pa besë!
Ndërsa kur pyesnja shqiptarë nga Peshkopia, Librazhdi ose Gramshi, ata përgjigjeshin se Çamëria ështê andej nga Përmeti ose Gjirokastra!
Nga do e mësonin se ku shtrihej dhe se kujt I takonte Çamëria Shqiptare??!

Por sot, fatëkeqësisht, nuk çuditem aspak, kur ata me tru të larë nga antishqiptarizmi enverian, veprojnë edhe më keq se në ato kohëra për KËTË PROBLEM MBARËKOMBTAR.

Si mund të shpjegohet “HARRESA e MOSMIRATIMIT” të Rezolutës Çame të 2004 nga Kryetarja e Parlamentit te sotem, z. Jozefina Topalli bashke me kryeministrin z S.Berisha, kur ata së bashku u larguan nga Parlamenti(vetëkuptohet, me rekomandim të Janullatosit)
për të mos e votuar.Dhe pikërisht me mungesën e votave te Topallit e Berishës sëbashku me bashkëpuntorin tuaj të atyre viteve Besnik Mustafajin-

REZOLUTA NUK U MIRATUA??!

Po Kserën e “shkretë”, pse e sollët nga Gjirokastra, nga ku ndodhej shume afër me atë ide që ishte rritur dhe predikonte; dhe e prutë ne Tiranën ku fëmijtë e tij nuk kuptonin gjuhën shqipe. Me gjithëse Ksera ,krahas me pallaçollëqet e tjera, kishte future në listë pagesat e ministrisë “personale alla greke” ,Kalyvatisin -përfaqsuesin e rinisë VE, që s’kishte pse të vinte ne Tiranë sepse ishte I ngarkuar nga ministria “allagreke” të vazhdonte propagandën antishqiptare atje në Athinë??!

Dhe kjo ministri allagreke, edhe mbas humbjes së Kserës, jo për çudi, do i dorëzohet, si në vazhdimësi, grekut tjetër Dhules për të mos humbur lidhjet e krijuara prej dekadash me vëllezërit socialistë grekë. Atyre u jepet “e drejta” të punësojnë aty grekët e papunë

Ore Pari e Tiranës, siç ju thëret z. Sh.Rama, Çamëria është Shqiptare që nga lashtesia, dhe nuk është ndonjë lodër në duart tuaja që në ndryshim nga gjaku në kohën e komunizmit, janë mbushur me paratë, pronat dhe tokat e vjedhura. Dhe Heshtja e juaj konvergon me mohimin grek se sipas tyre Çështja Çame nuk ekziston, kështu qe nuk ju mbetet asgje me shumë se sa të ndiqni predikimet e shën kozmait të sotëm-janullatosit se Greqia vazhdon deri në Shkumbin??!!

Jo më kot,Naimi I Madh e quante

Gluhën Çame si Gluhë Perëndie.

Ndërsa Fan Noli I paharruar shkruante :

Në do bukë e bujari,
Në do Besë e Trimëri,
Shko në Çamëri!

Pra lashtesia e Gjuhes, Bujaria dhe Besa Çame, së bashku me këngët, vallet e kostumet Çame janë nga virtytet më të çmuara të Shqiptarizmës që ne Shqiptarët :

Prej Prevezet (dhe jo nga Priveza-siç e “njeh” berisha) m’Leqe t”Hotit,

Prej Tivari ne Manastir,

Edhe Flamuri I Shqipnise

Si flake mnijet e Perendise

Do t’valvitet ne Kacanik

Amaneti I të pavdekshmit At Gjergj Fishta.

Dhe këto fjalë të arta nuk janë nacionalizma, siç kanë zakon të na quajnë ata që nga fillimi I shtetit shqiptar e coptuan dhe ndanë trojet mijëra vjeçare dhe popullatën shqiptare që jetonte atje duke ja dhënë grekëve dhe serbëve.

Këto janë drejta të pamohueshme, konformë të gjitha legjislacioneve në fuqi, të sajuara dhe të miratuara po nga ato fuqi që e coptuan Shqipërinë mijëra vjeçare të Pirros, Gjin Bue Shpatës, Skënderbeut, Islam Pronjos dhe Marko Boçarit me Nënë Terezën dhe Adem Jasharin.

Dhe për fatin tonë, të mbarë Shqipërisë, PESË DEPUTETËT e PDIU-ATDHETARE, Duhet at gjejnë rrugën e BASHKIMIT me te gjithe ata që jo vetëm e mbajnë vehten, por që janë ME TË VËRTETË ATDHETARË, dhe të nisin rrugën për ta bërë të njohur botërisht këtë problem të ÇAMËRISË SHQIPTARE QË ENDE KULLON GJAK, dhe të kërkojnë ZGJIDHJEN KONFORMË MBROITJES SË TË DREJTAVE TË NJERIUT!

SALI BOLLATI New York, Korrik 2013.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: harresa e mosmiratimit, Sali bollati, te rezolutes came

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • …
  • 78
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT