Archives for August 2013
“Bac u kry”!
Nga Faik KRASNIQI/*
Pas këtij sllogani i cili po shihet dita-ditës se me të vërtetë është një gënjeshtër e pa menduar mirë ( ose një dëshirë e tyre, por dëshirat dhe ëndrrat Kombëtare nuk realizohen kur punohet vetëm për përfitime personale), sepse me ngecjet e Kosovës në tërë aspektet po e turpërojnë edhe figurën e Bacës, nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, nga ”miqtë” e Bacës, të gjitha këto të ngjajnë si në libra të ilustruara me ngjyrat bardhë e zi, si foto e viteve të komunizmit.
Ja sa kemi ecur rrugës për ta përmbushur vërtetë amanetin e Bacës. Në komunat ku udhëheq PDK-ja, kemi investime më të dukshme, por pa as një peshë për mirëqenien ekonomike- sociale të qytetarëve, pa dallime se a janë familje të dëshmorëve apo jo. Jemi në gjysmën e muajit gusht dhe akoma nuk kemi hasur në probleme me orë të tëra të energjisë elektrike, duke pasur parasysh se tek ne është “Festë” vetëm kur mbahen zgjedhjet, por festë tek ne nuk është kur janë festat kombëtare apo fetare që i kalojmë në errësirë.
Vitin tjetër kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, pritet prapë pushtetin ta ri-fitojnë horrat që tash e katërmbëdhjetë vite po e katandisin Kosovën si një fole e krimit të organizuar dhe korrupsionit, e duke u zotuar se këto dukuri negative janë duke u luftuar, e fakt këtë e dëshmojë ”Rasti Bllaca”, se si po luftohen dukuritë negative në vendin tonë.
Këta janë që e njollosën rrugën e Bacës dhe të gjithë Dëshmorëve të Luftës së fundit, këta janë ata që po njollosin politikën duke parë çdo ditë fakte që manipulojnë me taksat e qytetarëve, me donacionet nga jashtë për Kosovën, dhe zëdhënsat e tyre dalin arsyetojnë çdo ditë se nuk janë të vërteta ato fakte që shohim, këta janë ata që po mundohen të na bindin se e zeza është e bardhë, dhe nuk duhet diskutuar.
Jemi i vetmi vendë në botë pas Kubës, që analfabetat në krye tash e katërmbëdhjetë vite na udhëheqin shtetin. E gëzojmë një pavarësi e cila u bë pa dëshirën e popullit, por populli me vlera njerëzore festojë duke u besuar këtyre që thonë ”BAC U KRY”. Kemi një kushtetutë ku nuk na prezanton kombësinë, thjeshtë jemi qytetar të një shteti, ku në fakt me atë kushtetutë duhet të quhemi shtetëz.
Nuk janë ata që nuk kanë njohuri mbi protokolet që do na i servirë edhe në të ardhmen EULEX-i, por, si gjithmonë popullit liridashës dhe pro paqes ja servirin pjesët ku duket kopsht me lule.
Të gjitha këto ndodhin, përderi sa ne shqiptarët anë e mbanë trojeve shqiptare nuk krijojmë Këshillin Kombëtar, sepse sikur të kishim një Këshillë, për konsultim para se të nënshkruajmë pako e dhurata antishqiptare nuk do ishim të kanosur kështu siç jemi sot.
(Autori është publicist dhe redaktor në gazetën e përditshme ”Lajm”)
Përmet, ortodoksët sulmojnë policinë private, ‘zaptojnë’ me forcë Pallatin e Kulturës
PËRMET- Një grup besimtarësh ortodoksë mësohet se kanë hyrë sot forcërisht në Pallatin e Kulturës së Përmetit, i kthyer tashmë në një objekt sherri mes komunitetit Ortodoks në Përmet dhe Bashkisë së qytetit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për t’ja kthyer këtë godinë Bashkisë së Përmetit.
Nga Përmeti, raportohet se 40 besimtarë kanë hyrë forcërisht në këtë objekt duke sulmuar rojet private që ruanin godinën. Ata kanë thyer dyer e dritare dhe kanë hyrë forcërisht brenda, ndërsa mësohet se nga sulmi ka edhe roje të plagosur.
Sipas gazetarit Artan Hoxha, sulmi ka ndodhur rreth orës 11;00 të së hënës, kur persona me veshje fetare por edhe civilë, të organizuar nga Mitropolia e Gjirokastrës kanë hyrë me forcë në Pallatin e Kulturës, duke sulmuar me sende të forta rojet private.
Këta persona mësohet të kenë mbërritur në Përmet me dy autobusë, ndërsa besimtarët ortodoksë të Përmetit nuk janë bashkuar me ta.
Raportohet se me të hyrë nbrenda ambienteve të Pallatit të Kulturës këta persona të shoqëruar edhe nga priftërinj kanë mbajtur një meshë.
ALIMADHI: TE NDERHYJE POLICIA E SHTETIT
Kryetari i zyrës Përmbarimore në Përmet, Fatos Alimadhi në një intervistë në News 24 për gazetarin Denis Minga komenton situatën e krijuar sot në lidhje me pronësinë e Pallatit të Kulturës.
Alimadhi, shprehet se zyra e Përmbarimit nuk ka bërë gjë tjetër veçëse ka zbatuar një vendim gjykate me nxjerrjen e objekteve të kishës nga godina e Pallatit të Kulturës. Sipas tij, priftërinjtë janë lajmëruar paraprakisht për të liruar ambientet e kësaj ndërtese por, sic shtoi ai është përballur me refuzime dhe kërcënime nga ana tyre.
“Kemi shkuar personalisht për t’ju komunikuar priftërinjve vendimin e gjykatës, duhet të lironi godinën ditën e premte ju thamë, kundërshtimi ka qënë i rreptë, na kërcënuan edhe nga familja. Na thanë që sa të jetë Janullatos nuk e merrni dot kishën, ai ben ligjin në Shqipëri na thanë “, shprehet Alimadhi.
Ndërsa marrjen e sotme me dhunë të kësaj godine, nga ana e besimtarëve ortodoksë, Alimadhi e cilëson një akt që shkel ligjin në mënyrë flagrante.
“Marrja me dhunë e Pallatit të Kulturës është shkelje flagrante e ligjit. I bëj thirrje presidentit dhe qytetarëve që ta marrin vatrën e kulturës. U fol që nga Greqia do vijnë grupe për të marrë kishën dhe fjalët paskan qënë të vërteta. Athina zyrtare nuk ka punë të përzihet me punët e brendshme të Shqipërisë. Policia e Shtetit duhet të veprojë, të marrë masa për këta persona që kanë hyrë forcërisht në ambientet e kishës”, shtoi ai.
Alimadhi shtoi më tej se, ‘Pëermbaruesit mund të ndërhyjnë sërish vetëm nëse Bashkia e Përmetit bën një tjetër kërkesë”.
Godina dykatëshe, dikur krenaria e përmetarëve, ka heshtur së funksionuari në vitin 1997. Prej 16 vitesh objekti në fjalë është bërë “mollë sherri” midis Bashkisë së Përmetit dhe Kishës Orthodokse.Të dyja palët kanë pretenduar pronësinë, por Gjykata ka vendosur që kjo godinë t’i rikthehet bashkisë.
Pallati i Kulturës u ndërtua 51 vjet më parë, në vitin 1962. Pas Luftës së Dytë Botërore, në truallin ky është ngritur Pallati i Kulturës dhe lulishtja e qytetit, jetonin në baraka 30 familje. Në vitin 1958 u shpërngulën, pasi sistemi komunist hartoi një plan rregullues.
Në nëntor të vitit 1962 u inaugurua lulishtja e qytetit sëbashku me Pallatin e Kulturës. Gjykata Kushtetuese në vitin 2002 ka vendosur në favor të pushtetit vendor, por prej 11 vitesh ky objekt u mbajt forcërisht nga Kisha Ortodokse. Pallati i Kulturës funksionoi si objekt fetar prej 26 majit 1997, falë një vendimi të Komisionit të Pronave të rrethit të Përmetit. Pallati i Kulturës, me sipërfaqe rreth 6000 metra katror, figuron me nr. pasurie 16/9, ndërsa Zyra e Përmbarimit ka tentuar 15 herë të ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por fatkeqësisht janë penguar nga përfaqësuesit e Kishës.
Pak ditë më parë përmbaruesit të mbështetur dhe nga policia private kanë ndërhyrë me forcë, duke larguar nga Pallati i Kulturës, ikona të Kishës, këmbana, si dhe materiale të tjera. Përmbaruesit kanë hequr kryqin nga godina e Pallatit të Kulturës dhe kanë vendosur atje flamurin shqiptar, duke zbatuar kështu vendimin e gjykatës. Për largimin e objekteve të kishës dhe priftërishve nga kjo godinë ka pasur edhe reagime të Athinës zyrtare.(Kortezi news 24 & Balkanweb)
Nishani kërkon hetim penal për shantazhin
Kalimi i Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë si seli e Partisë Demokratike, duket se ka vënë në “kurs përplasje” mazhorancën e re me Presidentin e Rebublikës. Pas deklaratave të ashpra nga kreu i Shtetit vetëm dy ditë më parë, Presidenca ka dalë me një një tjetër deklaratë ditën e sotme, ku hedh poshtë pretendimet e përfaqësuesve të lartë nga e majta se familja e bashkëshortes së Presidentit është pronare e truallit ku atualisht ndodhet godina e selisë së Partisë Demokratike.
“Sot, përfaqësues të lartë të shumicës së re qeverisëse, në vazhdën e shpifjeve të neveritshme dhe të përsëritura të këtyre ditëve, kanë adresuar publikisht akuza të paqena ndaj familjes së Presidentit te Republikës për të ashtuquajturën lidhje në pronësi mbi truallin ku sot ndodhet godina e selisë së Partisë Demokratike. Institucioni i Presidentit të Republikës duke hedhur poshtë me përbuzje dhe neveri të tilla shpifje, deklaron me vendosmëri se familja e bashkëshortes së Presidentit nuk ka lidhje pronësie mbi truallin e godinës në fjalë. Ky akt i turpshëm shpifjeje dhe ky sulm i rëndë antikushtetues me ngjyrim të qartë politiko-propagandistik, synon të terrorizojë psikologjikisht familjen e Presidentit të Republikës dhe të ndalë ushtrimin e funksioneve kushtetuese nga ana e Kreut të Shtetit”-thuhet në reagimin e Presidencës.
Në këto rrethana, Presidenti i Republikës i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë procedurën e hetimit penal ndaj këtij shantazhi që po i bëhet Kreut të Shtetit shqiptar, ndërsa i bën thirrje lidershipit të majtë të ndalë urgjentisht këtë fushatë të ulët, të padrejtë dhe të padenjë, kundër Kreut të Shtetit.
“Presidenti i Republikës, lidhur me të njëjtin problem, i kërkon gjithashtu Zotit Edi Rama, Kryetar i Partisë Socialiste propozuar nga shumica e re për postin e Kryeministrit, ta ndalë urgjentisht këtë fushatë të ulët, të padrejtë dhe të padenjë, kundër Kreut të Shtetit.Ftoj me këtë rast cilindo shtetas shqiptar që çdo pretendim për shkelje të Ligjit nga ana e Presidentit të Republikës ta denoncojë normalisht në institucionet përkatëse të Drejtësisë. Institucioni i Presidentit të Republikës, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk duhet, nuk mund, dhe nuk është përfshirë kurrë në luftën politike mes shumicës dhe pakicës parlamentare” theksohet në deklaratë.
Në përfundim të deklaratës Presidenti i Republikës i siguron qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë se do të vazhdojë pa u ndalur asnjë çast të përmbushjen e detyrave kushtetuese, sado të rrejshme qofshin shpifjet, dhe sado të ulëta dhe të padenja shantazhet.
Vendimi për bojkot të zgjedhjeve, mban në jetë strukturat paralele
Vendimi i organeve paralele serbe nga veriu i Kosovës për të bojkotuar zgjedhjet e sivjetme lokale, do të ketë efekte në procesin elektoral dhe pjesëmarrjen e këtij komuniteti në zgjedhje, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike në Prishtinë.
Sipas tyre, vendimi i organeve paralele serbe për bojkot, mund të cenojë edhe një nga qëllimet e dialogut Prishtinë – Beograd, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për shuarjen e strukturave paralele dhe transformimin e tyre në kuadër të institucioneve të Kosovës.
Redaktori në gazetën “Tribuna”, Arben Ahmeti, vlerëson se me vendimin e lidershipit paralel serb në veri, është dëshmuar se strukturat paralele nuk po shuhen po se në veri po krijohen dy lloj strukturash politike serbe.
“Pas këtij vendimi, do të kemi dy lloj strukturash serbe në veri. Do të kemi serbët legjitimë edhe për Prishtinën, të cilët përmes listës së rekomanduar nga Beogradi, do të hyjnë në zgjedhje, por do të kemi edhe serbët paralelë, këta që gjithmonë e kanë mbajtur linjën e fortë të kundërshtimit të Prishtinës, e të cilët do të vazhdojnë të jenë funksionalë”, konsideron Ahmeti.
Ndërkohë, analisti Leon Malazogu thotë se efekti kryesor i vendimit të serbëve veriorë për bojkot, do të jetë në uljen e përqindjes së daljes së serbëve në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Megjithatë, ai beson se do të ruhet përqindja minimale e daljes në mënyrë që zgjedhjet të mund të fitojnë një lloj legjitimiteti.
Efekti i parë, së paku do të ketë një rënie të daljes në zgjedhje.
“Efekti i parë, së paku do të ketë një rënie të daljes në zgjedhje. Do të thotë që një pjesë e serbëve do ta dëgjojnë këtë thirrje dhe nuk do të dalin në zgjedhje. Pyetja është se sa do të ulet dalja. Është me rëndësi që të ketë së paku 15 – 20 për qind të daljes që të ketë një lloj legjitimiteti minimal të institucioneve që do të zgjidhen”, vlerëson Malazogu.
Malazogu beson se organi që veten e quan Kuvendi i Krahinës Autonome të Kosovës në veri, i cili vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhje, nuk ka peshë të madhe politike siç pretendon me paraqitjet e veta.
Andaj, sipas tij, këta liderë serbë më tepër kanë marrë një vendim sa për të shfajësuar vetveten pas refuzimit dhe rezistencës së vazhdueshme që i kanë bërë integrimit në institucionet e Kosovës.
“Minimum, ky vendim mund të quhet si shpëlarje e vetvetes dhe krijimit të një lloj pafajësie për vetveten për proceset që do të ndodhin. Do të shohim nëse ata do të shkojnë edhe përtej kësaj dhe në mënyrë më aktive do të mundohen t’i pengojnë edhe zgjedhjet, që për momentin është vështirë të vlerësojmë”, shprehet Malazogu.
Në anën tjetër, Arben Ahmeti thotë se procesi zgjedhor ishte menduar në kuadër të dialogut Prishtinë – Beograd, si një kurorëzim i fundit të strukturave paralele serbe. Duke u nisur nga vendimi i liderëve të komunave të veriut që të mos marrin pjesë në zgjedhje, Ahmeti mendon se dialogu po e humb qëllimin e vet kryesor.
Procesi zgjedhor nuk rrezikohet, sepse ai do të mbahet me apo pa paralelët në të. Mirëpo, humb efekti dhe planifikimi që është dashur ta ketë ky proces…
“Procesi zgjedhor nuk rrezikohet, sepse ai do të mbahet me apo pa paralelët në të. Mirëpo, humb efekti dhe planifikimi që është dashur ta ketë ky proces, e që ka qenë ndërtimi i jetës institucionale në gjithë territorin e Kosovës, pa pasur institucione paralele. Pra, pas këtij momenti, ne nuk mund të pretendojmë që dialogu do t’i shuajë paralelizmat në Kosovë”, vlerëson Ahmeti.Sidoqoftë, të premten përfaqësues të komunitetit serb nga komunat veriore u mblodhën për të shqyrtuar përfundimisht pjesëmarrjen apo bojkotimin e zgjedhjeve të 3 nëntorit në Kosovë dhe vendosën për bojkot. Vendimi i tyre pasoi takimin e së mërkurës në Beograd me kreun shtetëror të Serbisë.
Tani, mbetet të shihet nëse komuniteti serb nga komunat veriore do të veprojë sipas direktivave të Qeverisë së Serbisë që në këto zgjedhje të garojë me një iniciativë apo listë unike serbe, e cila pas zgjedhjeve lokale, sipas Marrëveshjes së Brukselit, do të formonte edhe Asociacionin apo bashkësinë e komunave serbe.(Kortezi:Zijadin Gashi- Evropa e Lire)
- « Previous Page
- 1
- …
- 33
- 34
- 35
- 36
- 37
- …
- 80
- Next Page »