PËRMET- Një grup besimtarësh ortodoksë mësohet se kanë hyrë sot forcërisht në Pallatin e Kulturës së Përmetit, i kthyer tashmë në një objekt sherri mes komunitetit Ortodoks në Përmet dhe Bashkisë së qytetit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për t’ja kthyer këtë godinë Bashkisë së Përmetit.
Nga Përmeti, raportohet se 40 besimtarë kanë hyrë forcërisht në këtë objekt duke sulmuar rojet private që ruanin godinën. Ata kanë thyer dyer e dritare dhe kanë hyrë forcërisht brenda, ndërsa mësohet se nga sulmi ka edhe roje të plagosur.
Sipas gazetarit Artan Hoxha, sulmi ka ndodhur rreth orës 11;00 të së hënës, kur persona me veshje fetare por edhe civilë, të organizuar nga Mitropolia e Gjirokastrës kanë hyrë me forcë në Pallatin e Kulturës, duke sulmuar me sende të forta rojet private.
Këta persona mësohet të kenë mbërritur në Përmet me dy autobusë, ndërsa besimtarët ortodoksë të Përmetit nuk janë bashkuar me ta.
Raportohet se me të hyrë nbrenda ambienteve të Pallatit të Kulturës këta persona të shoqëruar edhe nga priftërinj kanë mbajtur një meshë.
ALIMADHI: TE NDERHYJE POLICIA E SHTETIT
Kryetari i zyrës Përmbarimore në Përmet, Fatos Alimadhi në një intervistë në News 24 për gazetarin Denis Minga komenton situatën e krijuar sot në lidhje me pronësinë e Pallatit të Kulturës.
Alimadhi, shprehet se zyra e Përmbarimit nuk ka bërë gjë tjetër veçëse ka zbatuar një vendim gjykate me nxjerrjen e objekteve të kishës nga godina e Pallatit të Kulturës. Sipas tij, priftërinjtë janë lajmëruar paraprakisht për të liruar ambientet e kësaj ndërtese por, sic shtoi ai është përballur me refuzime dhe kërcënime nga ana tyre.
“Kemi shkuar personalisht për t’ju komunikuar priftërinjve vendimin e gjykatës, duhet të lironi godinën ditën e premte ju thamë, kundërshtimi ka qënë i rreptë, na kërcënuan edhe nga familja. Na thanë që sa të jetë Janullatos nuk e merrni dot kishën, ai ben ligjin në Shqipëri na thanë “, shprehet Alimadhi.
Ndërsa marrjen e sotme me dhunë të kësaj godine, nga ana e besimtarëve ortodoksë, Alimadhi e cilëson një akt që shkel ligjin në mënyrë flagrante.
“Marrja me dhunë e Pallatit të Kulturës është shkelje flagrante e ligjit. I bëj thirrje presidentit dhe qytetarëve që ta marrin vatrën e kulturës. U fol që nga Greqia do vijnë grupe për të marrë kishën dhe fjalët paskan qënë të vërteta. Athina zyrtare nuk ka punë të përzihet me punët e brendshme të Shqipërisë. Policia e Shtetit duhet të veprojë, të marrë masa për këta persona që kanë hyrë forcërisht në ambientet e kishës”, shtoi ai.
Alimadhi shtoi më tej se, ‘Pëermbaruesit mund të ndërhyjnë sërish vetëm nëse Bashkia e Përmetit bën një tjetër kërkesë”.
Godina dykatëshe, dikur krenaria e përmetarëve, ka heshtur së funksionuari në vitin 1997. Prej 16 vitesh objekti në fjalë është bërë “mollë sherri” midis Bashkisë së Përmetit dhe Kishës Orthodokse.Të dyja palët kanë pretenduar pronësinë, por Gjykata ka vendosur që kjo godinë t’i rikthehet bashkisë.
Pallati i Kulturës u ndërtua 51 vjet më parë, në vitin 1962. Pas Luftës së Dytë Botërore, në truallin ky është ngritur Pallati i Kulturës dhe lulishtja e qytetit, jetonin në baraka 30 familje. Në vitin 1958 u shpërngulën, pasi sistemi komunist hartoi një plan rregullues.
Në nëntor të vitit 1962 u inaugurua lulishtja e qytetit sëbashku me Pallatin e Kulturës. Gjykata Kushtetuese në vitin 2002 ka vendosur në favor të pushtetit vendor, por prej 11 vitesh ky objekt u mbajt forcërisht nga Kisha Ortodokse. Pallati i Kulturës funksionoi si objekt fetar prej 26 majit 1997, falë një vendimi të Komisionit të Pronave të rrethit të Përmetit. Pallati i Kulturës, me sipërfaqe rreth 6000 metra katror, figuron me nr. pasurie 16/9, ndërsa Zyra e Përmbarimit ka tentuar 15 herë të ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por fatkeqësisht janë penguar nga përfaqësuesit e Kishës.
Pak ditë më parë përmbaruesit të mbështetur dhe nga policia private kanë ndërhyrë me forcë, duke larguar nga Pallati i Kulturës, ikona të Kishës, këmbana, si dhe materiale të tjera. Përmbaruesit kanë hequr kryqin nga godina e Pallatit të Kulturës dhe kanë vendosur atje flamurin shqiptar, duke zbatuar kështu vendimin e gjykatës. Për largimin e objekteve të kishës dhe priftërishve nga kjo godinë ka pasur edhe reagime të Athinës zyrtare.(Kortezi news 24 & Balkanweb)