• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

Hundëzakët – Leshkuqët e Aleksandrit të Madh

August 12, 2013 by dgreca

Ne Foto: femijet hundëzake/

Nga Fahri Xharra/

Aty ku piqen Afganistani, Pakistani, Taxhikistani dhe Kina, aty është Hundëza. Hundëza është mbi 2500 m mbi nivelin e detit dhe rrethohet me male 7 mijë metërshe të larta. Po në këtë lartësi mbidetare e krejtësisht malore prodhohen perimet, pemët dhe drithërat e ndryshëm, aty prodhohen dhe jetohet prej patateve, fasules, grurit, elbit, shalqirit, rrushit, qershisë, mollës, dardhës, pjeshkës dhe kajsisë.

Banorët janë arë-bërës(bujq) të mrekullueshëm dhe e kanë krijuar sistemin e vet të vaditjes dhe kullimit, kanalet kulluese që quhen KULLSE. Mali i lartë i mbuluar me akullnaja quhet RAKAPOSHI (ra kah poshtë) e furnizon luginën me ujë të pijshëm. Banorët që jetojnë në harmoni të plotë dhe kanë shëndet të mirë pa sëmundje të kohës janë të njohur në botë se rrojnë gjatë.

Hundëzakët jetojnë rreth 100- 40 vjet. Një djali të lindur nëna i jep gjinj deri në tre vjet, kurse vajzës vetëm dy. Në Hundëzë nuk ka ndarje të çifteve të martuara. E quajnë veten hundëzakë, sepse lugina mes malesh ku jetojnë e ka formën e hundës. Gjuha e folur prej tyre është BURRUSHASKI (burrërrishtja), gjuhë e cila nuk shkruhet. Burrat veshin SHALVARE (shal-vare), ndërsa gratë bluzën e tyre e quajnë KAMISHA. Vallet e tyre shoqërohen nga tupanët, fyejt apo pipëzat dhe valltarët kërcejnë të kapur dorë për dore në rreth. Në raste festash burrat veshin pelerinë leshi të quajtur çuka. Në tetor është festa e vërës (pijeve alkoolike). Gratë nuk janë të mbuluara me perçe.

Festa më e rëndësishme është ajo e Vitit të Ri Diellor. Ky festim quhet NA UROSH. Në një ditë të vetme të dhjetorit kryhen të gjitha martesat e vitit. Hundëzakët e tregojnë brez pas brezi historinë e tyre se si kanë mbetur aty që nga shekulli III p. e. s. dhe se e kanë prejardhjen që nga koha e Aleksandrit të Madh. Aristidh Kola, historian arvanitas në librin e tij , , Arvanitasit” shkruan. . . Aleksandri i madh, ilir nga nëna e tij e kishte rritur ushtrinë e tij me ushtarë të zgjedhur ilirë. Por pas vrasjes së Klitit nga ana e Lekës së Madh, atë periudhë e veçojmë se rreth 6 mijë ushtarë ilirë u ndanë nga ky i fundit dhe veçuan duke u pozicionuar të veçuar në Braktane deri sa u përqendruan në Qafirstanin e sotëm. . .

Pra, fjalën e kemi për një mori ilirësh ( e sot rreth 50 mijë sish) që kanë mbetur aty që nga koha e Lekës së Madh, nga koha e pushtimit të Mbretërisë së Persisë të Dariusit. Vendi i hundëzakëve u quajt Qafirstan për shkak se nuk e pranuan islamizimin. (Qafirstan –vend i jobesimtarëve). Hundëzakët jetuan me mijëra vjet si paganë deri në fillim të shekullit XIX, deri sa Emiri Abdur Rrahman Khan i konvertoi qafirët në islam. (1895-1896). Pas pushtimit të Emirit të Kabulit vendi u quajt Nuristan (Vend i Dritës) . Qafirstani ishte pushtuar shpesh edhe para Emirit dhe sigurisht që identiteti i tyre u degradua, ”priftat “ e tyre u vranë, qendrat fetare ishin djegur, të rinjtë ishin marrë me zor për ushtri, kurse vajzat për haremet e khanëve.

Çka është e rëndësishme që hundëzakët edhe sot e kësaj dite e pinë verën e përzier me ujë, si të parët tanë ilirët. Janë popull trupgjatë, me lëkurë të bardhë dhe mollëza të kuqe, shumica e tyre me sy të kaltër, të gjelbër dhe hiri, flokët e verdhë deri në ngjyrëkafe, gjë që i dallon nga afganët, tagjikët apo pakistanezët. Shumë prej tyre edhe leshkuq.

Lartë në male jeton fisi karakteristik i Kalashëve. Kalashët janë animistët e fundit të Azisë Qendrore. Si grup i vogël prej 5 mijë vetash e kanë një histori më ndryshe nga hundëzakët tjerë. Me kalimin e shekujve Qafirstani u nda në dy zona- ajo e qafirëve të zinj e që sot janë kalashët dhe qafirët e kuq, pasardhësit e tyre sot jetojnë në Nuristan e që iu nënshtruan xhihadit të Emirit të Kabulit. Qafiret e zinj jetojnë edhe sot me besimin e tyre Animist, me të cilin besohet se edhe druri ka shpirt. Me mijëra vjet kalashët e kanë ruajtur dhe mbijetuar kulturën e tyre unike, identitetin social dhe gjuhësor, por shekulli i ri i ka përballur me dy përballje të reja të fundamentalizmit fetar dhe ndryshimeve klimatike. Studimi i Hundëzës dhe hundëzakëve ka rëndësi të madhe për kulturën shqiptare , sepse kanë jetuar me mijëra vjet të veçuar nga rrethi dhe ashtu janë ruajtur tiparet popullore, gjuhësore dhe zakonore ilire-shqiptare.Është interesant që fqinjët tanë kanë guxim që të pathirrur të kërcejnë në dasmën tonë. . . Grekët me vite të tëra dërgojnë mësues, hapin shkolla greke dhe e bindin botën për prejardhjen e hhundëzakëve si grekë, kurse sllavo-maqedonasit që nga viti 1996 dërgojnë linguistë sllavë në vendin e kalashëve për të gjetur vazhdimësi gjuhësore në mes gjuhës sllavo-maqedone dhe asaj burrerrishte. Kurse ironia edhe më e madhe është ajo e vitit 2008 kur kryeministri i Fyromit, Gruevski thirri në vizitë princin hundëzakë Gacanfer Ali Khanin dhe princeshën Roni Atika, si pasardhës të Lekës së Madh e kjo vetëm për të treguar vazhdueshmërinë sllavo –maqedonase me hundëzakët(!). . . . . . . kurse ne shqiptarët dasmës sonë ia vëmë vellon e harresës dhe të mospërfilljes

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fahri Xharra, hundezaket

NË MINISTRINË E KULTURËS PËRBALLË FOTOS SË POETIT HAVZI NELA – FOTOT E ATYRE QË E VARËN POETIN

August 12, 2013 by dgreca

*Të kujtosh është e lehtë për ata që kanë memorie, të harrosh është e vështirë, për ata që kanë një zemër./
*Intervistë me z. BESIM NDREGJONI, President i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Pyetje: Zoti Ndregjoni sot ju kujtuat 25 vjetorin e varjes nga diktatura të poetit Havzi Nela, ky aktivitet ishte organizuar nga Ministria e Kulturës?
BESIM NDREGJONI: Pyetja e juaj me kujton thenien: …! |Gabriel Garcìa Màrquez| Të kujtosh është e lehtë për ata që kanë memorie, të harrosh është e vështirë, për ata që kanë një zemër.
Sot mbushen 25 vite qe ne qytetin e Kukesit diktatura komuniste do te ekzekutonte ne nje denim mesjetar, varje ne litar, Poetin disident, trimin zemerzjarrte, paqedashesin, martirin e lirise Havzi Nela… Nje denim qe kontinenti yne Europa e kishte hequr qe ne vitet 30… por diktatori i fundit komunist Ramiz Alia do ta vinte ne zbatim ne nje kohe kur sistemet komuniste po binin nje nga nje mbas shembjes se murit te Berlinit.
Ky akt i përbindshëm, i pashoq në llojin e tij, ndodhte në Shqipërinë e martirizuar vetëm një vit para përmbysjes së komunizmit në Evropën Lindore! Kujtimi ndaj Poetit disident per mua dhe shtresen qe perfaqesoj eshte obligim dhe detyrim moral per te kryer ndaj vepres heroike te tij, nderim dhe homazh.
Fatkeqesisht Ministria e Kultures vetem ka qene pjesëmarrëse dhe aspak kontribuese ne kete ceremoni… Ky aktivitet eshte bere nga une personalisht pa ndihmen e askujt!
Pyetje: Zoti Ndregjoni, pra shteti demokratik nuk organizoi asnjë lloj aktiviteti me rastin e 25 vjetorit të varjes së poetit?
BESIM NDREGJONI: Jo, shtetit demokratik shqiptar ne kete 25 vjetor nuk beri asnjë aktivitet ne kujtim te Havzi Neles. Por dhe kur i kam kremtuar 20 vjetorin e varjes ne litar, ne 10 gushtin e vitit 2008, qe ishin te ftuar Presidenti, Kryeparlamentarja, Kryeministri dhe ish Ministri Xhaferi, ata nuk muaren pjese dhe nuk dhane asnje kontribut ne kujtim te ketij heroi te fjales se lire… Vetem Kadareja dergoi nje mesazh shumë domethënës, dhe në mbyllje kujtonte: “Poeti i varun eshte i qete ne boten e amshuar, por shoqeria a e ka qetësinë e duhur!”
Gjate 23 viteve shteti dhe pushteti, te ashtuquajtur demokratik e kanë permendur Havzi Nelen vetem kur iu ka interesuar per lufte politike dhe aspak per vepren madhore qe kreu ndaj shoqerise duke sfiduar diktaturen.
Pyetje: Zoti Ndregjoni, në aktivitet merrnin pjesë edhe bashkëshortja e poetit, Lavdie Nela dhe i vëllai. Si familje e një martiri, a kanë përfituar të paktën mbështetjen e shtetit demokratik?
BESIM NDREGJONI: Regjimi diktatorial ka kryer denim makaber, siç është varja ne litar e poetit Havzi Nela e qindra krime monstruoze ndaj familjeve qe e kundershtuan ate regjim… Sigurisht qe kjo pjese e shoqerise nuk e kundershtoi diktaturen qe nje dite te demshperbleheshin per kundershtite e tyre, por per idealet e lirise dhe vuajtjet e sakrificat.Bashkeshortja e Havzi Neles, qe ka vuajtur vetë burg politik bashkë me poetin qe ne moshen 18 vjeçare, apo vellai i tij, apo nipi i tij nuk kanë perfituar asgje nga pushteti “demokratik”. Në ceremonine e 25 vjetorit me thjeshtesine qe e karakterizon bashkeshorten e poetit, Lavdie Nelen, ne fjalen e saj protestoi ndaj shtetit, ndaj politikes, duke iu drejtuar drejtuesve te ketij shteti e duke deklaruar se keta shtetare gjate 23 viteve e lanë pa pune, pa strehe, dhe bustin e Havzi Neles akoma dhe sot mbas 23 vitesh nuk e kanë vendosur në Kukes… Revolta e saj ishte e natyrshme, demshperblimin e burgut nuk e perfiton se ligjevenesi Ilir Rusmali dhe banda e tij e PD pretendonin se poeti Hero Havzi Nela është dënuar për vepër terroriste, dhe ne baze te ketij ligji ata nuk perfitojne as demshperblimin e te burgosurve politike, me gjithe kerkesat dhe protestat e vazhdueshme tonat ndaj ketij ligji diskriminues klasor qe behet gjoja ne emer te demokracise ne vendin tone. Kam njoftime se keto dite ne ikje e kanë kaluar dhe kete ngerç per demshperblimin. Lavdia foli me pasion ndaj padrejtësive qe i kanë bere te ashtuquajturit demokratë te cilëve ajo iu jepte voten. Ky eshte realiteti i mbeshtetjes se shtetit te ashtuquajtur demokratike ndaj familjes se martirit!
Pyetje: Ndoqa kronikën e aktivitetit tuaj në televizor, dhe pashë se si shkrimtari Agim Musta, i cili ka qenë i burgosur politik për 13 vite gjatë diktaturës shprehu indinjatën e tij se takimi për poetin e varur nga diktatura bëhej në Ministrinë e Kulturës, në muret e të cilës qëndrojnë të varur fotografitë e ekzekutorëve të regjimit komunist, kupola e diktaturës, si Ramiz Alia e Manush Myftiu, të them të drejtën, ky fakt m’u duk shumë rrënqethës, çfarë mendimi keni?
BESIM NDREGJONI: Po eshte e vertete, zoti Musta eshte jo vetëm nje figure e shquar e të përndjekurve politike, por dhe nje studjues i mirfillte ndaj krimeve te komunizmit, nje mik dhe nje historian qe gezon respektin e shumices se shqiptareve qe u perndoqen nga diktatura.
Foton e Havzi Neles e kisha vene ne krye te auditorit te akademise perkujtimores. Ne fund te salles të Ministrisë të Kulturës, ne nje stende te madhe ishin te gjithe ministrat e diktatures qe kishin drejtuar kulturen komuniste si Bedri Spahiu, diktatori Ramiz Alia, Kryetari i komision internimeve xhelati Manush Myftiu… dhe perballja ne salle e fotove ishte kriminelet qe varen poetin dhe heroi i lirise me bukurine tij e pamjen fisnike qe erresonte figurat e krimineleve komuniste.
Perballe fotos se poetit Hero qendronte fotoja e krimineleve vrases, ç’ kontraste hipokrizie te politikes postkomuniste e ashtuquajtur demokratike ne Shqiperi… Kjo tregon se e ashtuquajtura politike postkomuniste eshte vazhdimesi e pushteti diktatorial.
Pyetje: Zoti Ndregjoni, a jeni dakord me Ministrin e Kulturës, i cili është edhe vetë një ish-i burgosur politik, që shteti demokratik të tregojë humanizëm ndaj diktatorëve dhe kriminelëve, të cilët kanë persekutuar elitën e kulturës shqiptare ?
BESIM NDREGJONI: Realisht nuk eshte faji i Ministrit 2 mujor te Kultures ish i denuar politike poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti… Jo se Zhiti eshte dakort me ato foto, por nuk kishte fuqine qe t’i hiqte ata foto. Ai u be Minister per te fituar votat e te perndjekurve per PD, se ishin zgjedhjet paralamentare te 23 qershorit. Po te mos ishin zgjedhjet ai do te ishte nje nepunes i dobet i lene mbasdore ne Ministrine e Jashtme, siç e paten lene per 23 vite. Perkundrazi dua te shtoj se zoti Zhiti ka dhene nje kontribut te madh ne letersine shqiptare me veprat e tij, duke sfiduar letersine e realizmit socialiste. Ai dhe dje tha ne i sfidojme kriminelet jo me foto te vena por me moralin tone ndaj krimeve te tyre. Por fotografite e Ministrave kriminele komuniste jane ne çdo Ministri. Paskal Milo kur ishte Minister deshi te vinte edhe fotografine e diktatorit ne Ministrine e Jashtme. Por protestat tona e detyruan qe ta hiqte. Duhet te kuptojme dhe te jemi te vetedijtshem se kjo klase politike nuk eshte antikomuniste por vazhdimesi e diktatures dhe ka 23 vite qe e ruan statukone komuniste te padenuar..
Pyetje: Zoti Ndregjoni, ju jeni President i Unionit Mbarëkombetar të Integrimit të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, si ndihen të përndjekurit sot 23 vite pas rrëzimit të diktaturës?
BESIM NDREGJONI: Me lejoni t’iu jap bilancin tragjik te diktatures komuniste ne Shqiperi per 45 vite:
Te pushkatuar me dhe pa gjyqe 5577 burra dhe 450 gra
Te burgosur politike 26.000 burra e 7367 gra
Kanë vdekur ne burgje 1065 burra e gra
Kanë humbur aftesite mendore nga torturat 408 burra e gra
Internuar per motive politke 50.000 familje qe nga mosha 1 vjeç e deri ne moshen 90 vjeçare
Kanë vdekur ne internim 7022 qe nga femija nje mujorëshe sepse e jëma nuk kishe gji ua ushqente e deri tek plaku 90 vjeçar. E perserita kete bilanc tragjik ne intervisten me ju se dhe ju jeni pjese e ketij persekutimi. Po si ndihen te perndjekurit mbas 23 vitesh mbas rrezimit te diktatures do ta percaktoj me tri fjale: Trishtim, zhgenjim, shprese… Trishtim, se ne te perndjekurit politike shqiptare i besuam ne vitet 90 partise të parë opozitare PD dhe lidershipit te saje zotit Berisha e cila mori persiper te kryente misionin antikomunist. Kjo parti dhe ky lidership jo vetem qe nuk e kreu por e sabotoi ate ne menyre permanente, duke perdorur lojen e Kim Filbit, shaje komunizmin çdo dite, dhe pasuroje ne menyre marramendëse ate. Kjo PD shkatërroi te djathten, dhe forcoi ekonomikisht te majten. Nuk i denoi krimet e komunizmit, perkundrazi sot kriminelet dhe pinjollët e tyre krenohen me krimet qe kanë bere, dhe perbuzet viktima. Sot diktatori qe vari Havzi Nelen nderohet si President jo si diktator vrases, kurse Lavdia, bashkeshortja e Havziut, perbuzet nga keta politikanë qe e quajne veten antikomuniste. Ish superstruktura e komunizmit sot njihet si pronare qe u pasurua nga pushteti i Berishes, kurse pronaret e vertete quhen ish pronare. Nuk hapi dosjet, perdori ne menyre te ligë heshtjen ndaj viktimave te komunizmit. Po te ishte realizuar misioni antikomunist sot shoqeria shqiptare do te ishte e qete, pa konflikte, pa krime dhe do te ecte e sigurte drejt vendeve te demokracive europiane.
Zhgenjim. Kur beson dhe ajo force politike që t’i beson te tradheton. E voton per 23 vite rrjesht dhe ai te merr voten dhe qeveris me te majtet. Si mos me te kapë zhgenjimi kur shikon se si “antikomunisti” Berisha e filloi pluralizmin politike me studentet e dhjetorit dhe antikomunistet ish te perndjekur politike nga regjimi dhe gjate gjithë qeverisjeve te tij e ai qeverisi me Skender Gjimushin, Lufter Xhuvelin, djemte e bllokut me LSI dhe mbylli karieren e tij politike me Kastriot Islamin. Pra asnje dite qeverisje ai nuk i beri me antikomunistet, por vetem me ata qe i promovoi diktatori Ramiz Alia.. Shpresa.
Ne te perndjekurve politike shpresa na ka mbajtur gjalle gjate 45 viteve te diktatures, dhe i mbijetuam asaj diktaturës. Moren persiper trashgimtaret e diktatures qe te na sfidonin ne kohe paqje me pushtet dhe prape po deshtojne.. pra shpresa jone nuk mund te mposhtet nga horrat komunista qe jane shperndare neper partitë politike. Ne do te fitojme se ndjekim rrugen e drites se lirise, ata do te humbin se ndjekin rrugen e errësires komuniste.
Pyetje: Zoti Ndregjoni, politika ju ka lënë në mëshirë të fatit. Vjeshtën që shkoi një grup të përndjekurisht organizuan një grevë urie, e cila u nëpërkëmb nga institucionet, tani çfarë planesh keni?
BESIM NDREGJONI: Plani i Katovices qe e ndertoi Gorbaçovi me shume se Shqiperi nuk u zbatua kerkund ne vendet e Europes Juglindore, pra komunistet qe muaren persiper kete mision sot mbas 23 vitesh ata e shkatërruan pluralizmin politik duke e bere monopol te tyre..Kjo u pa dhe ne greven e urise qe bënë nje grup te perndjekurish politike per te drejtat e tyre. PD dhe zoti Berisha çdo dite hidhni mllefe ndaj te drejtes se tyre, kurse PS tregonte se po i ndihmonte. Kjo ishte aventura politike e ketyre dy forcave politike qe ndryshojne vetem nga emri se ideologjine e kanë te perbashket.. Edhe sot mbas nje viti nuk e kuptoi se perse Berisha luftonte nje grup njerzish te cilët nuk donin t’ja rrezonin qeverine, perkundrazi kerkonin te dialogonin me te. Dhe pergjigja e tij ishte: ata jane instrumente te PS. Shtronja pyetjen: po ne cilin vend demokratik opozita nuk ndihmon shtresa te caktuara sociale kundra qeverisjes. Megjithëse hipokrizia e PS u duk ne parlament kur u kerkua te mbahej nje minute heshtje per Lirak Bejkon dhe ajo veproi si PD duke mos e mbajtur heshtjen per BEJKON qe u dogj per te drejtat e tij e te shtreses qe perfaqesonte… Vetem Deputetet e PD duartrokitnin vdekjen e Bejkos se per djalin e Bilbil Klosit, Ardianin mbajtën zi. Kjo ishte urrejtja klasore e kesaj klase politike ndaj ish te perndjekurve politike kundershtare te regjimit komunist.
Plani i jone eshte te detyrojme këta qe kanë marre pergjegjesine e qeverisjes dhe jane trashgimtare te partisë komuniste te denojne krime e komunizmit. Kete jua kerkojme ligjerisht ne baze te Kushtetus se vendit dhe konventave nderkombetare. Denimi i krimeve te komunizmit eshte imperativ i kohes dhe nuk bëjme më leshime. Te hapen dosjet pa perjashtim. Te kthehen pronat pronareve, te integrohen familjet e perndjekura nga regjimi komunist si ne administrate shterore edhe ne institucionet e tjera kushtetuese të shtetit shqiptar. Asnjë të drejte ligjore të te perndjekurve politike nuk do ta lejojmë më qe te çohet ne kalendat greke por të zbatohen menjëhere, qe nga demshperblimi e deri tek trajtim social per ate qe jane ne nevoje e nuk kanë patur mundesi të krijojnë as familje. Do t’i kerkojme qeverise, shtetit shqiptar krijimin e institucioneve ne sherbim te rehabilitimit te perndjekurve dhe jo institucione ne sherbim te politikave!
Pyetje: Zoti Ndregjoni, të përndjekurit e Shqipërisë janë të ndarë e përçarë. Janë disa organizata, ku krerët fitojnë privilegje nga politika duke i tradhëtuar idealet dhe vuajtjet e të përndjekurve, çfarë planesh keni ?
BESIM NDREGJONI: Fatkeqësisht Misioni Antikomunist qe u sabotua nga Berisha ishte qe e djathta, e ne veçanti te perndjekurit te ishin ne shume organizata te perçara. Kjo ndodhte, pa u lodhur shume për t’u kuptuar, se ishte nje shtresë e lodhur dhe e rraskapitur nga diktatura, të cilën i ashtuquajturi pushteti demokratik, përdori edhe urine ndaj tyre duke i lene pa pune. Jo me larg se nje muaj, para zgjedhjeve te 23 qershorit, ata i hoqen nga puna te gjithe femijët tane qe kishin fituar statusin me konkurs per te punuar ne administrate. Dhe ne mes atyre dhjetëra ish te perndjekur qe u hoqen nga puna nga PD ishte dhe vajza ime, që e kishte fituar vendin e punes ne Ministrine e Brendshme me konkurs, e cila gezon disa trajtime europiane dhe eshte me dy fakultete. E gjithe kjo reprezalje ndaj nesh ishte urrejtja qe kishte lidershipi i PD ndaj atyre qe e kritikonin per problemet e te perndjekurve. Ne PD eshte futur fryma e urrejtjes ndaj atyre antikomunisteve qe nuk i shkonin mbas avazit te Bersishes.
Planet jane te shumta, por ne do t’i detyrojme keta politikanë, se ka marrë fund koha e heshtjes dhe shurdhememecerisë së tyre ndaj shtresës të goditur nga diktatura komuniste dhe se ata nuk mund te mposhtin klasen antikomuniste. Nga goja e viktimave bota mbare do te mesojë gjithçka qe ngjau ne Shqiperi per gjysem shekulli  diktaturë dhe per 23 vite heshtjeje në postdiktaturë ndaj nesh.
Pyetje: Zoti Ndregjoni, organizata që drejtoni ju, vjet mori një nismë shumë interesante, duke organizuar një ekspozitë me fotot e martirëve të vrarë nga diktatura, mbetur pa varr. Ekspozitën a e vizitoi ndonjë politikan ?
BESIM NDREGJONI: Ekspozita, të cilën e organizova me rastin e 100 vjetorit të pavaresise kushtuar 4500 te pushkatuarve me gjyqe dhe pa gjyqe ishte nje mesazh per shoqerine dhe ne veçanti per politiken..qe te kene idene e sakte te lartësisë morale te viktimes.. dhe degradimit te plote shnjerzor te xhelatit, e cila shkon paralele me indiferencën e tyre.. Ata sot nuk kanë një varr.. Kjo fotoekspozite tregonte se ndaj atyre njerëzve diktatura komuniste kishte kryer genocid dhe ato fotografi të atyre burrave dhe grave që sot nuk e kanë një varr ku të afërmit dhe populli t’u çojë nga një tufë lule ua hiqnin maskën politikës të ditës të këtyre 23 vite tranzicion. Do të vijë një ditë që shqiptaret e vertete do ta kuptojne rolin qendror te rezistences anti-komuniste, kur të shkruhet historia nga historianë, që bëjnë punën si shkencëtarë dhe që nuk janë shërbëtorë të politikës. Cili politikan do ta vizitonte ? Ajo fotoekspozite ishte 10 metra larg Kuvendit te Shqiperise dhe selise se Qeverise. Por nqs ndonje deputet apo zyrtar i lartë i shtetit do ta vizitonte, do te ndeshkohej nga udheheqesi i partisë. Shkrimtari i shquar Ismail kadare dërgoi telegram sepse nuk kishte mundësi të vinte. Adem Demaçi, Mandela i Kosovës erdhi dhe e vizitoi, edhe mijra shqiptarë, por politika jo.
Unë gjate këtyre 23 viteve kam punuar dhe ne gjetjen e eshtrave me familjaret e viktimave te komunizmit, dhe nje pjese i kemi gjetur… Te tjerat jo…
Pyetje: Zoti Ndregjoni, Shqipëria vendi që ka përjetuar një nga diktaturat më të egra staliniste, nuk ka asnjë muzeum të krimeve. Kush e ka fajin për këtë, dhe si do t’ja bëni, jemi komb pa kujtesë?
BESIM NDREGJONI: Kjo ka qene strategjia e PD dhe e Berishes qe krimet komuniste te futen ne harresë. Berisha krimet e komunizmit i permendte vetem kur donte te luftonte PS me retorikë. Por nuk lejoi as nuk dha asnje lloj ndihme per t’i memorizuar keto krime. Diskutohet ne letra te behet nje muze ne Spaç, dhe ate nuk e bejne e kanë vetem ne letra. Por une kam qene disa here ne Berlin ne konferencat qe organizonin gjermanet per të kujtuar krimet e komunizmit.. Ata kishin bere Ministrine e Brendshme muze te krimeve te komunizmit, m’u ne mes te Berlinit… Kurse ne Shqiperi dhe nje pllake qe vura ne sheshin Skenderbej, e hoqi Lul Basha se i prishte imazhin qendres… Ne kemi vene vetëm pllaka perkujtomore ne shume vende te Shqiperise, por keta jane bere vetem me financat tona familjare aspak nga shteti… Tirana, kryeqyteti i vendit me te persekutuar stalinist ne Europe nuk ka nje muze, por eshte luftuar qe te zhduken ato vende ku jane bere dhe gjyqe kundra antikomunisteve. Keshtu u prish ish kinemaja 17 Nentori ku u denuan ajka e elites shqiptare nga diktatura komuniste. Ne qe kemi bilancin me te madh te krimit komunist stalinist ne Europe per fryme, sot nuk kemi asnje muze per ta pasqyruar por perkundrazi harresa perdoret per ta fshire krimet e komunizmit… Te harrosh te kaluaren do te thote mos ndertosh dot te ardhmen. Nje nder pikat kryesore te organizates sone eshte dhe ngritja urgjente e nje muzeu ne Tirane te krimit komunist. Per kete do t’iu drejtohemi te gjithe bashkatdhetareve tane ne te gjithe boten qe te japin ndihmen e tyre! Komb pa kujtese nuk ka.
Pyetje: Zoti Ndregjoni, po të ishte gjallë sot Havzi Nela, si i burgosur politik, si mendoni se do të reagonte ndaj kësaj indiference kriminale të shtetit ?
BESIM NDREGJONI: Ja si i drejtohet poeti Hero Havzi Nela trupit gjykues ne sallen e gjygjit:
“Une i kam vu vetes per detyre te ruej nderin dhe dinjitetin tim si njeri, te ruej pastertine e shpirtit dhe te zemres dhe fytyren te paperlyeme, ashtu si dje jasht, edhe sot ketu mbrenda, te rroj dhe te vdes si njeri.”
Besoi se me dekleraten e tij ne sallen e gjyqit tregon se çfarë reagimi do te kishte heroi i fjales se lire kunder indiferences kriminale te ketij shteti!
Pyetje: Zoti Ndregjoni, ju ndërmorët inisiativën për dekorimin e martirit Havzi Nela nga Presidenti i Republikës.
BESIM NDREGJONI: Ishte viti 2008, viti i 20 vjetorit te varjes ne litar te Havzi Neles. Mora te dhena se çfarë dekorimi kishte poeti hero, dhe ai kishte nje medalje dhene nga ish Presidenti Berisha “Martir i Demokracise”ne vitin 1992… I bera kerkese Presidentit Bamir Topi për dekorimin e kater personaliteteve te vrare nga diktatura dhe kërkova që ky dekorim te behej me 10 maj Dita Kombetare e Drejtësise Shqiptare… Këto personalitete ishin:
1. Havzi Nela, poet i varur nga diktatura ne gusht te 1988 ne Kukes
2.Vilson Blloshmi, poet i pushkatuar nga diktatura ne korrik 1977 ne Librazhd.
3. Genc Leka, poet i pushkatuar nga diktatura ne korrik 1977 ne Librazhd.
4. Myzafer Pipa, publicist dhe Avokati i Pater Anton Harapit e elites kombetare, i vrare ne hetusi me tortura ne Shkoder ne vitin 1946.
Dhe Presidenti i dekoroi të katërt me medaljen e larte ”NDERI I KOMBIT”. Dhe sot ndihem krenar qe këto personalitete te letrave shqipte por dhe te qendreses antikomuniste morën nderimin qe iu takonte.
Faleminderit.
Elida Buçpapaj: Faleminderit ju i nderuari Besim Ndregjoni për këtë intervistë kaq të fortë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Havzi nela, Ndregjoni

MOSVDEKJA E MATISH PRENDUSHIT OSE KTHIMI NGA MËRGIMI I QIEJVE TË PAFUND

August 12, 2013 by dgreca

SHKRUAN: GËZIM LLOJDIA*/
 
Ikja e tij është si nëpër ëndërr . Erdhi si te gjithë në botën tonë . Iku artist i vërtetë . Iku nëpër qiej të Zotit  .Ikjen në gjuhën e përgjithshme i themi vdekje , mirëpo në gjuhët e besimeve do të mund të  quhet shtegtim , mërgim etj .Edhe për ikjen e Matishit koha kur flitet janë vitet ‘30 të shekullit të XX . Anton Mazreku duke përdor gjuhën tonë shprehet :” Ka vdekë Matish Prendushi .
Ndërsa pas 70 vjetësh do ta quaja ka shtegtuar Matishi ose ka mërguar shpirti i Matishit ,prej këtej nesh .
Anton Mazreku ka shkruar për Matish Prendushin . E ka njohur që në vogëli deri kur artisti bëri udhë në kryeqytet dhe komeditë transmetoheshin në radiostacionin shqiptar. Por Mazereku ne rrëfimin  e tij për Matishin sjell te dhëna me interes te panjohura deri me sot . Ndërkaq duhet shqyrtuar mundësia se Antoni e njihte Prendushin qysh në vegjëli të tij . Kur jeta e Prendushit ndërpritet , Antoni merr penën dhe shkruan :
 “Matish Prendushi ka vdekë i ri shkruan te gazeta ‘Drita’,viti 1937 , nuk ka qene më i madh se 32-33 vjec . Nëse do të gjendeshin rrethana më të mira ekonomike dhe gjendja e tij shëndetësore do të ishte ndoshta më e mirë  ndonëse talenti i tij ishte i jashtëzakonshëm .
Matishi cilësohet se nëse do të ishte gjallë do ti kishte dhënë ndoshta ne themi një frymëmarrje të gjerë asaj që ne e quajmë lëvizje teatrore. Mirëpo misioni i Prendushit mbyllet në një kohë kur talenti i tij ishte pikërisht në  kulmet pra ai kishte cekur maja dhe burimi shpirtëror .Ikja e një artisti me talent të padiskutueshëm është një e rëndë dhimbje për komunitetin që e ndjen në shpirt  . Pikëllimi për këtë ikje shpreh edhe autori . Ka vdekë, do të thotë Mazreku  ,trupi i Matishit ka shkuar në varreza atje ku bota është e shurdhër dhe moti pas moti trupi firon nën ftohtësinë e baltës . Konvertohet  një ditë në pluhur ,baltë .
Mbetet pas ,gjurma që ka lënë njeriu . Jemi të përkohshëm në këtë botë ,udhëtarë të saj dhe vetëm gjurma na bënë të dallojmë . Ndërkaq iku shpirti  , kënga e engjëjve do të mendohet kështu fatsjellëse. Madje ka gojë që thonë se me engjëjt udhëtojnë shpirtrat .
-Ke dëgjuar or mik kur thonë :jepe shpirtin or burrë se erdhi engjëlli për ta marrë! Dhe emri i këtij engjëlli që udhëton me shpirtrat nëpër hapësirë .  Duke folur për ikjen Mazreku ka shkruar Matishi ka vdekë tue qesh ose duke e shikuar si artistë jetën dhe vdekjen . Për fatin e artistit sa janë gjallë lozin me dynjanë, shprehet Antoni , dhe kur vdesin askush nuk i bie ndërmend për ta . Mirëpo gjurma që ka lenë Prendushi është gjurmë  e thellë . Bukurisht bukur është
Kështu një ditë jetës iku edhe Matishi artisti . Ai la gjurmë në teatrin tonë. Thuhet se ai iku pikërisht kur komeditë e radios kishin marrë dhenë .
Si e përshkruan Antoni,artistin që në vogëli të tij .E kam njohur qysh të vogël dhe kemi qenë shokë shkolle .Ishte shumë i zgjuar dhe kishte  një marëdhënie te çuditshme ishte ndër nxënësit më të mirë të klasës. Në një rrëfim që i sjell gazetës në fjalë Antoni shprehet për Prendushin :
E mbaj mend si sot ishte një ditë e ftohtë dimri .binte shi me rreshkë .Dikush ja kishte kallëzue punën e Matishit mësuesit tonë e mësues kishte ardhë me i pa nxënësit e vet tue lujtë theatër .Kishte zënë vend natyrisht në karrigen e nderit .Sall një odë e vogël për të mos thënë ishte mbushur plotë e përplotë me spektatorë .Tue vu re mësuesi si klasa e tij ishte kompmplet aty ai nuk mujt  me ndejë pa i thënë një prindi .Kish të më vijoshin edhe mue në shkollë si njëkështu si  ivijnë Matishit na kënaqtë e shkrinte së qeshuri i shkreti Matish .
Një plak që kishte zënë vend njatje në fund të odës ,në galerin popullore e që sksihet vecse një dhëmbë në gojë i thotë shoqes së vet :U këtij i raftë  pika vec.
Duke folur për artin që bënë Prendushi dhe karrierën në rritje të tij ,Antoni shprehet :”Matishi asht rrit e burnue nuk është më artisti i një grumbulli shokësh .Tash është artisti i turmave .Matishi tash lot në salla të vërteta . Sidomos ndër ato të kinemave të kryeqytetit ndërmjet të shfaqjes së parë dhe të dytë të një filmi .Talenti i tij admirohet prej të gjithëve .
Prendushi  është një artist që ka marr nga jeta brumin dhe frymëzim për komeditë e tij .Ai flet gjuhën e tij dhe si i këtillë ai kishte bërë shumë admirues dhe vend nëpër faqe të gazetave , që dilnin në Tiranë .Me ikjen  nga jetë të këtij artisti siç pohon edhe Antoni flitet për vitin 1937  dhe duhet kuptuar koha kur bënë fjalë , emri i tij ka pasur vend të nderuar . Ai i ka shërbyer teatrit në gjininë  e komedisë . Kur shpirti i hapërdahej qiellit të Zotit , mosha e artistit shkonte diku mes të 33 –ve . Nëse Matish Prendushi do të kishte jetuar më gjatë vepra e tij si artist do të ishte më e madhe . Mirëpo kufiri i tij përfundonte aty dhe më tej bëhej i pamundur .Ka një fakt që emrat e mëdhenj të artit , muzikës dhe letrave si për çudi apo një misteri të pa zbardhur ikin shpejt nga kjo botë . Apo ndoshta i fshihen asaj . Nëse Anton Mazreku , që kishte skicuar tek “Drita” këtë portret në vitin’ 37 pohonte : ”Ka vdekë Matish Prendushi duhet ti bëjmë pas 70 viteve një korrigjim të vogël besoj . Matishi nuk ka vdekë . Jeta është  e shkurtër por gjurma e Matishit është e pranishme . Diku emri i tij përmendet në gjininë ku ai luajti ndër zanafillë të  teatrit tonë . Mirëpo në kuptimin letrar thënia , ka vdekë mos duhet kuptuar thjeshtë është larguar nga kjo jetë Matishi , artisti që e deshëm ,që na shkrinte së qeshuri, artisti që rrojti pak dhe pa dha shumë . Antoni cek edhe dy faktorë si kushtet ekonomike dhe gjendja shëndetësore . Nëse do ti plotësonte këto atëherë Matishi do të ishte ndër jetë te ata artistë të viteve 30 , që i dhanë artit , letrave , shtypit një shkëlqim të ri . Mirëpo dihet se ajo që është shkruar në librin e jetës  ka shënjuar 33 vjet as edhe një më shumë dhe as më pak asaj . Kësaj nuk i është shmangur dot as artisti Prendushi . Ikja e Prendushit ngjau kur komeditë sapo kishin filluar të transmetoheshin në radio dhe atëherë dëgjuesit e kryeqytetit shqiptarë kishin filluar të ndjenin magjinë  e valëve që përhapte në eter, zëri i Matishit , kurse ikja e tij ishte humbje edhe për radiostacionin . Detaje që flasin për jetën e komikut nga   Xhahid Bushati e gjeta “Në: Humor shkodran. – Nr. 18, , shtator, 1995, f. 6.  Këtë libër nuk e kam lexuar nuk e di , a përfshihet këtu edhe krijimi i  Anton Mazrekut:” Ka vdekë Matish Prendushi “ në këtë libër për komikun shkodran.
Mirëpo mërgimi i  pafundme i Matishit nuk ka kthim .Mërgoi për atje nga ku erdhi shpirti i bardhë i dlirë dhe prej artisti i Matishit . Nuk ka udha e mbarë Matish ,por pas 70 vjetësh ,themi :”E morët vesh, Matishi u  kthye nga mërgimi i qiejve të pafund . Mirëserdhe Matish artisti .
 
*Msc.Anetar i Akademise Evropiane te Arteve

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, Matish Prendushi

FJALA, TOKA DHE GJUHA

August 12, 2013 by dgreca

Shkruan: Rrustem Geci – Dortmund/

Jeta është lum i pavarur për të gjithë lumejtë, për të gjithë detërat, për gjithë tokën ku mbjellim e jetojmë. Kot më del përpara me hijen tënde, jam vetja, vetvetja, fjala e parë e fjalës, fjala e bukur e jetës. Këtë ese më nxiti të shkruaj poema e botuar dje, në „Zërin e shqiptarëve“ me titull, „Ne e lamë fjalën të humbë“.
Nuk është e ndaluar të mos ëndrrojmë, të mos ndryshojmë, apo të mos dëshirojmë. „Mikja ime, Hije; ji e lirë me veten tënde. O e uruar, mos më dil përpara, shkruan Elida Buçpapaj, se fjalën e kam brenda, ajo është e zemëruar dhe mund të godas. Poezia e Elida Buçpapajt është poezi e pasionit, poezi e dalë nga shpirti, poezi e shkrimit të mirëfilltë shqip. Ujqit e fjalës, armiqtë e fjalës, horrat e së keqes, kudo janë shumëzuar, të bëjnë zap fjalën, të shkërmoqin fjalën ma të bukur, fjalën e shkruar. Po, po, ata duan fjalës t´ia marrin frymën dhe ta lënë pa afshin e frymëmarrjes.
Krijimtaria e shkrimtares, publicistes dhe kolumnistes, Elida Buçpapaj, është e gjerë dhe e thellë. Shkrimet e para Elida i bëri para 30 vjetësh. Ajo deri më tash ka botuar këto libra; 1. Vij , 2. Unë nuk jam e përjetshme 3. Rapsodia e Golgotës së Tranzicionit 4. Hiperbola dhe paralelizmi në Ciklin e Kreshnikvë 5. Tirania e tranzicioni 6. 7 .Traumat e tranzicionit, si dhe analiza e polemika. Njëherit, Elida Buçpapaj bën punë heroinash, duke përkthyer shkrimtarët më të vlerësuar të Elitës Botërore.
Elida, bijë e shkrimtarit të njohur, Vebi Skënderit, njëherit edhe bashkëshorte e shkrimtarit të njohur, Skënder Buçpapajt, përbëjnë një treshe shkrimtarësh të mirfilltë në letërsinë shqipe. Shkrimtarja Elida Buçpapaj nuk vjen në Letërsinë tonë të bukur, përmes librave të lexuar, por, përmes talentit dhe leximit të jetës. Shpërthimet e saj në poezi, publicistikë, në polemika dhe analiza, janë mënyra e shkrimtares Buçpapaj, për të bërë letërsi, O vetja ime e trazuar; Shqipëria është diell / është ëndërr / zgjandërr / është shi, breshër e borë / është furtunë e stuhi / është stuhi në gotë… Këto dhe qindra vargje të tjera, tregojnë për shtrirjen e saj në letërsi, dhe të bukurën e saj në poezi.
Motivet me Kosovës janë të pranishme tek kjo treshe shkrimtarësh. Fjala, toka dhe gjuha amë, lulëzojnë në qënien e vargjeve të shkrimtares. Në poezinë e Elida Buçpapajt, por edhe në poezinë e babait të saj , si dhe të bashkëshortit, Skënderit, janë së brendshmi tharmi i të bërit letërsi. Kosovë, shkruan shkrimtarja; Unë vij në Prekaz / mbi kalin e pikëllimit / prej plagosjes së natës /..këtu fjalët i ka zënë gjumi i madh / i tokës së skuqur / si flamuri nga gjaku/ … Unë vij në Prekaz / dhe ngrij palëvizur / si mermeri i varreve / nën harkune violinave të vajit / e të fijeve të barit që qajnë…
Harta poetike e Elida Buçpapajt është plotë maja poezish. Ngjyrat në krijimtarinë e Elidës janë nga ma të bukurat. Temat e saj shprehin çastin dhe kohën; Mirëmëngjez Paris / sot jemi gëdhirë në një shtrat / të dy të përgjumur nga mosfjetja /..Në një kafene buzë Senës / porosis një kafe me qumësht/..dhe filloj me llogaritë / Paris, unë banorja jote efemer / ndërsa ti dhe Sena eternel… Shkrimtarja Elida Buçpapaj, e lindur dhe e rritur në Tiranë, bashkë me prindërit, përjetoi gjenocidin e diktaturës Hoxha, kundër zërit të shkrimtarëve dhe inteleltualve. Idetë në letërsi shprehej Vebi Skënderi, (në një bisedë që pata me të dhe Agim Gjakovën, në vitin 1994 ) kontrolloheshin që në embrion të krijimit. Diktatura e Hoxhës e kishte bezdi zërin e shkrimtarëve. Në tërë ato rrethana ç´njerëzore, poezia e pati shumë të vështirë ta heq ujkun nga fjala.
Cenzorët në Shqipëri aso kohe, shprehej poeti Vebi Skënderi, ishin shndërruar në kafshë të këqija, dhe masakronin vargjet tona. Por, bija e shkrimtarit, shkrimtarja, Elida Buçpapaj, e di s´e është e ndaluar të mos krijosh; Jam shi në Tiranë / shi që bie rrëke / nëpër rrugët mbi pluhurin e harresës / janë shkërmoqur grimca-grimca / si fosile antike / ditët e mia…
Mbi këtë peisazh jete, kujtoj se fshihet bardhësia e ngjyrave të Tiranës, vetullat dhe balli saj, buzët pa të kuq të Onufrit. Jeta e shkrimtarëve më thotë Elida Buçpapaj, është kjo që e bëjmë. Mirëpo, poeti e ndien atë që s´shihet, dhe shkrimtari s´heq dorë nga asnjë ditë e kësaj jete. Mbushjet e mëdha shpirtërore janë burimet të artit të pashterrshëm. Jam Zana / Tanusha / jam dhi e egër / e pakapshme /shkreptimë…
Nuk ka titull më të lartë në jetën e një njeriu, shkruan Elida Buçpapaj, se sa të jesh, shkrimtare, nënë, bashkëshorte dhe gazetare. Poezia është në qenien time, dhe rron në qenien time!..Me këtë ese të shkurtër, i uroj shëndet dhe vepra të reja shkrimtares dhe gazetares, Elida Buçpapajt!..

Filed Under: Kulture Tagged With: Elida Bucpaj, Fjala, gjuha, Rrustem Geci, toka

LAMTUMIRE DRITA SILIQI!

August 11, 2013 by dgreca

Nga Betim Muço/

Të nderuar familjarë, miq e dashamirë,/

Jemi mbledhur sot këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit një gruaje që u lind larg prej këtij vendi por që kjo tokë bujare u bë dhe toka e saj për rreth 15 vitet e fundit të jetës. Përcjellja nga kjo jetë e njeriut të dashur është një rit aq i lashtë sa vetë njerëzit mbi dhe. Kurdoherë në këto raste për ta thuhen fjalë rë mira e lavdëruese shpesh herë edhe kur këto fjalë nuk janë merituar. Por kjo e fundit nuk ndodh e nuk ka sesi të ndodhë në këtë përcjellje mortore të Dritës sonë të dashur. Ç’fjalë të tjera mund të thuhen për të përveç kurajos e heroizmit që demonstroi në jetë, përveç inteligjencës e punës së palodhur, përveç mirësisë, fisnikërisë e dashurisë që ajo shpëndau aq bujarisht?

Drita Siliqi Shundi lindi e u rrit  në mesin e një familje të shquar për atdhedashuri e profesionalizëm, vendosur në Tiranë qysh në fund të shekullit të 17-të. Shumë djem e vajza nga kjo familje  përfunduan studimet universitare dhe gjatë shekullit të 20-të punuan si mësimdhënës të shquar nëpër shkolla të larta, nëpër qendra studimore e institucione të rëndësishme. Dashuria e lidhi atë me pinjollin e një familjeje tjetër të shquar nga Shkodra, Drago Siliqin, një shkrimtar, kritik e botues i ri  e premtues për kohën. Nuk dihet se si do të kishte qenë fati i Dritës në qoftë se i shoqi i saj i ri nuk do të kishte humbur jetën në aksidentin tragjik. Me talentin, temperamentin e iluminizmin e tij, vështirë se Drago Siliqi, njeriu që u dha një pranverë të vërtetë botimeve në vitet ’60 në Shqipëri  do të qe pajtuar me fushatat komuniste anti-kulturë që pasuan. Këtë ma ka thënë dikur me bindje miku i tij i asaj kohe, Ismail Kadare. Jam i sigurtë që gruaja e tij e dashur do ta kishte ndjekur atë burgjeve e internimeve. Po fati e solli ndryshe. Drita Siliqi rrojti shumë pakë me të dashurin e saj por e mbajti dashurinë e tij si yllin polar gjithë jetën. Me një heroizëm e kurajo të pashoqe ajo rriti e edukoi dy vajzat e saj, Laurën e Darinën duke qënë për to babë e nënë në të njëjtën kohë. Ndërkohë mëkoi me letërsinë breza nxënësish  e studentësh si mësuese në shkolla të mesme e pedagoge në universitet dhe punoi e palodhur në organet e shtypit. Ajo nuk e ndërpreu veprimtarinë letrare e botuese, që nga botimet e antologjive poetike, problemet e gruas shqiptare në shtypin e rilindjes, pavarësisë dhe luftës çlirimtare e deri te përkthimet siç ishin librat më të fundit nga Oriana Fallaçi. Vitet e fundit të saj u jetuan në trekëndëshin Amerikë-Kanada-Shqipëri. Këtu në kontinentin e ri ajo pa të rriten nipërit e mbesat, stërnipërit e stërmbesat. Jetoi mes dashurisë së vajzave të saj, të dhëndurëve Gjergjit e Arbenit dhe të gjithë atyre që e njihnin dhe e çmonin. Duke ikur, Drita e la pas dritën e saj për të gjithë të dashurit. Lum si ajo që la pas kaq dritë e dashuri dhe u kujtoftë përherë me mall sa qofshim gjallë.

*Fjala e lamtumires qe mbajti shkrimtari Betim Muço ne ditepercjelljen e se ndjeres Drita Siliqi 9 gusht, 2013

KUSH ISHTE DRITA SILIQI

Drita Siliqi Shundi (2 mars 1933-5 gusht 2013)

Drita Siliqi (Shundi) lindi në Tiranë, më 2 mars të vitit 1933, në një familje patriote tiranase. Babai i saj ishte Athanas Shundi, i cili ka qenë mësues në shkollën e parë shqipe të Tiranës dhe pas përfundimit të studimeve universitare për kimi dhe farmaci në Napoli, hapi farmacinë e tij në Tirane. Ai ishte delegat i Tiranës në Kongresin e Kishës Autoqefale që u mbajt në Berat në shtator të vitit 1922 dhe që vendosi që gjuha e liturgjisë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare të ishte gjuha shqipe. Nëna e Dritës, Kaliroi Spiru Shundi ishte nga nje familje tregtare nga Durrësi, që pati nxjerrë njerëz të njohur si Nako Spiru, por që u persekutua nga regjimi komunist. Shumë pjesëtare të familjes se saj vuajtën shtetëzimet, madje edhe burgjet e komunizmit.

Ndërsa ishte student në Tiranë, Drita u njoh me poetin e ri Drago Siliqi, me të cilin do të lidhte më pas jetën e saj. Pas përfundimit shkëlqyeshëm të studimeve universitare për letërsi, ajo punoi për shumë vite me radhë si arsimtare, fillimisht në Institutin Bujqësor të Kamzës e në Gjimnazin e Shkodrës, në shkollat e mesme Petro Nini Luarasi dhe Sami Frashëri të Tiranës, dhe me pas si pedagoge në Fakultetin e Histori Filologjisë, Katedra e Letërsisë. Më vonë, ajo do të punonte për disa vjet si kryeredaktore në revistën Shqiptarja e Re.

Në vitin 1957,  Drita u bë bashkëshortja e intelektualit të njohur  Drago Siliqi, poet, kritik letrar dhe publicist, i cili vdiq në një aksident ajror më 13 korrik të vitit 1963, duke e lënë pas Dritën me dy vajzat Darinën dhe Laurën.

Gjithë jetën e saj Drita Siliqi ja dedikoi vajzave të saj, nderimit të emrit të bashkëshortit Drago Siliqi si dhe një pune të palodhur intelektuale. Ajo botoi veprën e plotë të Drago Siliqit, u mor me studimin e jetës dhe veprës së Dora D’Istrias (Elena Gjika), përktheu librin “Rinia e nje shqiptareje” (viti 2002), botoi librin me studime “Gruaja shqiptare, probleme të gruas në shtypin e Rilindjes dhe pavarësisë” (viti 2003), përktheu nga italishtja librat “Seksi i shpërfillur”dhe “Intervistë me historinë” të gazetares dhe publicistes së njohur italiane Oriana Fallaci.

Në vitin 2000 ajo u vendos në Shtetet e Bashkuara pranë vajzës së saj.  Ajo la prapa prapa vajzat e saj Darina  Demiri (Siliqi) dhe Laura Konda (Siliqi) me bashkëshortët e tyre Arben Demiri dhe Gjergj Konda, mbesat Lora Carlessimo (Demiri) me familjen e saj dhe Stella Demiri, nipërit Tedi Konda dhe Martin Konda, si dhe një stërnmbesë e një stërnip.(Ne Foto Drita dhe Drago Siliqi)

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Betim Muco, Drita Siliqi, Lamtumire

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT