• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2013

Kalashët e hundëzakëve në rrezik nga zhdukja e përhershme

August 9, 2013 by dgreca

Shkruan: Fahri Xharra/

Qafirstani shihet si parajsë në tokë në Pakistanin Verilindor, me liqene të bukur, ujëvare mahnitise, pyje të paprekura të gjelbra, borë të përhershme dhe diell të butë. Por nuk është vetëm vendi që të magjepsë, por edhe femra e Qafirstanit, “femra kalashe me bukurinë e saj që e bën edhe mashkullin jo vetëm kalash të humbë edhe fenë e tij.” “Kur një grua kalashe pi ujë i shihet uji duke gjarpëruar teposhtë fytit e saj të gjatë e të bukur”, këto janë pershkrime të zakonshme që i bëhen bukurisë dhe butësisë së femrës Qafire. Ato besohet të jenë më të bardha se e bardha. ” Nga lëkura e saj shihen edhe venat nëpër trupin e saj të bardhë “.

Por kush janë qafirërët?

Këta janë trashëgimtarët ilirë të Aleksandrit të Madh, të mbetur atje, e që mbi 23 shekuj i bënë ballë islamizimit duke u ruajtur si grup i izoluar (i veçuar) etnik pagan. Gjatë sundimit anglez, historianët perëndimorë u befasuan kur e panë ngjashmërinë me vetveten, dhe një kohë të gjatë iu lejua praktikimi i veseve të tyre pagane si dhe pirja e alkoolit, venës së përzier me ujë, pije tipike e ilirëve. Por, momenti kritik i historisë së hundëzakëve ishte kah fundi i shekullit XIX kur iu desh që të islamizohen ose të “zhduken nga faqja e dheut”. Por, në këtë vazhdë ishte edhe ndërrimi i emërave paganë të fshatrave dhe çdo gjëje e të parëve të tyre.

Mediet pakistaneze filluan së pari të shkrujnë për këtë grup njerëzish gjatë viteve të 70-ta kur Qafirstani u ballafaqua me uri. Duke i falënderuar kryeministrit Zylfiqar Ali Bhutto ( i cili ishte me origjinë nga hundëzakët), u shpall tragjedia dhe paganët shpëtuan, ndërsa Ali Bhutto ishte hero i tyre.

Por, me ardhjen e deobandëve në fuqi dhe viti 1979 e shënoi fillimin e fundit të qafirëve (hundëzakëve).

Kush janë deobandët? Një version Wahabi i islamit, të cilët mëndojnë se vetëm ata dhe wahabitë duhet të ekzistojnë, sektet tjera fetare islame duhen të zhduken. Gjenerali Zija Ul Hak (edhe vetë pjesëtar i sektit Deobant) shkoi aq larg sa me anën e tablirrëve (tablirrët, rrjedhë e deobantëve) e islamizoi çdo skutë të

Vajza kalashe e hundëzakëve

Vajza hundezake e kampeve te talebaneve

Pakistanit. Si rrezultat i kësaj tablirret (talebanët) me forcë u futën në Qafirstan duke marrë mbi 70% të territorit dhe duke shkatërruar çdo gjë autoktone hundëzake dhe duke iu imponuar Islamin në mënyrat më të vrazhda.

Rrëmbimimi i femrave hundëzake –kalashe dhe martesat me dhunë për t’i konvertuar në islam ishin dhe janë një prej metodave të përdorura edhe sot e kësaj dite. Femrave të rrëmbyera dhe të martuara me dhunë nuk iu lejohej të shihnin të afërmit e tyre përderisa edhe ata nuk e merrnin islamin si fe të tyre. Por, nuk është as fsheftësi kur femrat edhe janë shitur me mënyrën “se kush paguan më shumë”. Hundëzakëve nuk iu lejohet bartja e armëve.

Verfëria e qafirirëve është po ashtu faktor tjetër i madh për përqafimin e tablirri-Islamit.

Qeveria nuk jep kredite pë qafirët, kurse policia dhe drejtësia shtetërore e Pakistanit nuk kundërvehet kurrë kur sulmohet prona e hundëzakëve. Tablirret luajnë edhe me një letër tjetër duke iu dhënë hundëzakëve para me fajde (që është kundër parimeve), dhe kur ata nuk mund t’i kthejnë më ato s’u mbetet gjë tjetër ose të islamohen ose të humbasin pronën. Uji i ujësjellësit dhe rryma elektrike është vetëm për myslimanët, kurse kalashët janë të privuar nga ato të mira. Dimri i Qafistanit është Siberik, e kushtet e jetës janë të papërshkruarshme. Xhamitë dhe mejtepet janë të ngrohta dhe me ujë nga ujësjellësi, kurse shtëpitë e kalashëve të mërdhijnë e bora duhet shkrirë për t’u pirë.

Bukuroshja kalashe e hundëzakëve

Gjatë dimrit kalashët flenë dhe jetojnë së bashku me shtazët e pakta shtëpiake që i kanë. S’ka spitale e as dispanzeri. Zërat me zmadhuese nga mejtepet ditë e natë lexojnë vargje kuranike, kurse shumë kalashë vdesin sepse iu mungon kujdesi edhe më elementar shëndetsor, bile së fundi edhe gjatë lindjës së grave.

Duke iu falënderuar tablirrëve kultura autoktone kalashe thuaja se nuk ekziston më. Në vitët e 80-ta flitej se gjerë në fund të shekullit XX do të vijë deri te shuarja e kalashëve, por ja që janë ende gjallë nja 2 deri 3 mijë sish.

Qeveria e Pakistanit e ka formuar “Fondacionin Kalash për shpëtimin dhe propagimin e kulturës Qafire. Por, faktet flasin ndryshe. Vizitorët e Luginës së kalshëve duhet të paguajnë mirë për t’i parë ato vende e ata njerëz.

Bileta që i jepet vizitorit quhet me nënçmim “biletë e kopshtit zoologjik”. Duke iu falënderuar këtij fondacioni kalashet janë shndërruar në artifakte antropologjike.

Për të qenë ironia më e madhe, shoqatat për mbrojtjen e kafshëve vajtojnë për zhdukjen e ndonjë lloji, kurse askush nuk e ngrit zërin në mbrojtje të tyre, e tablirrët e vazhdojnë shlyerjen e paganëve të fundit evropianë./

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xharra, kalashet e hundezakeve, ne rrezik nga zhdukja

NE E LAMË FJALËN ME HUMBË

August 9, 2013 by dgreca

Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ/

fjalës ia morëm shpirtin/

fjalës ia morëm frymën/

fjalën e lame/

bosh/

zbrazur/

pa ajër/

e lamë pa afshin/

e frymëmarrjes/

fjalën e lame/

pa ah/

pa oh/

fjalën e lamë të humbë/

fjalën e lame/

vetëm/

si kaktuset në shkretëtirë/

fjalën

e lamë të uritur

pa bukë

të etur

pa ujë

fjalën e lamë

veç asht e koc

veç skeletë

e lëkurë

prej hipokrizisë

fjalën e lamë

të thahet

të shterret në mitingje

e lamë

të digjet

as hi të mbetet

prej inkuicionit

të rrenës

nga politikanë

surrogato

që nuk dinë

t’i lidhin hiç dy fjalë

qofshim

në mileniumin e tretë

në vitin 2013

fjala

shenjtorja

kur sa

hapim sytë

mrekullinë e ardhjes

e shprehim

me

babë e nanë

prej fjalësh

dhe ata që ngjizim

riciklojnë

prapë të njëjtin

binom

hyjnor

fjalës ia kemi marrë shpirtin

ia kemi prishur shtëpinë në tokë

e kemi lënë pa strehë

ia kemi prerë të gjitha lidhjet

me njerëzit

ia kemi hequr të gjitha

koordinatat

pikat për t’u takuar me të

e kemi lënë

pa qendër rëndese

ne e dëbuam fjalën

e bëmë refugjate

në mënyrën

më pikëlluese

e lamë të mbytej

në det

apo në qiell

sepse e përjashtuam

si banore

e planetit tokë

 

tani prej goje

na dalin veç

të dala boje

sepse

fjalës

ia kemi hequr

sytë e ballit

që të shohë

e kemi lënë shurdh

e kemi lënë

memece fjalën

shumë barbare

e kemi lënë të shitet

fjalën

sepse fjala tani

i bie rrotull e rrotull

sepse fjala tani

i fshihet fjalës

i fshihet

syve të saj

vetvetes

kur Zoti

e krijoi

atë

të parën

fjalën

përpara

Adamit dhe Evës

përpara

gjithçkasë

gjithësisë

detit

ajrit

krijoi fjalën

sepse me të

si tulla ndërtohen

të gjitha

piramidat

e dashurisë

njerëzore

 

fjalën

që sot ia kemi marrë shpirtin

e kemi lënë më keq

se heshtja

e kemi bërë zero

sepse e themi

sa për të larë gojën

e themi si pallavër

sa të kalojmë rradhën

e bëjmë të pabesë

fjalën

e bëjmë me i mbyll veshët

me dyll

më mirë

mos me e dëgjuar

sepse ne e mashtrojmë

njëri-tjetrin me fjalët

të cilave

ua kemi hequr

të gjitha tingujt

e harmonisë

njerëzore

dhe i shqiptojmë

fjalët

si të jemi robotë

e fjalët robote të jenë

duke u parë sy më sy

pa na u dridhur qerpiku

ne po flasim me fjalë

robotësh

të kundërtën e asaj

që mendojmë

sikur po çajmë me to dërrasa

për t’i shurdhuar tupanët e veshëve

paçka se po rrëzohemi

prej fjalëve

se po vritemi

nga rrokullisjet

e gurëve të fjalëve

sepse fjalës

ia kemi hequr

magjinë

që na lë me gojë hapur

kur e dëgjojmë

s’ka më fjalë të tilla

që të bëjnë me krahë

të fluturosh

që të bëjnë ta marrësh detin

me vrap

prej besimit

jo fjalët

tani janë

gjepura

nonsense

sepse me to

tani rrejmë

njëri-tjetrin

e shajmë pas krahëve

njëri-tjetrin

me fjalën

që Zoti e krijoi

të parën

përpara nesh

që fjalën

ta kishim si dritën

e Zotit

për të ngrohur me fjalë

me shëruar me fjalë

me lindur prej fjalës

si atëhere

kur themi

për herë të parë

babë e nanë

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Elida Buçpapaj, Ne e lame fjalen me hume

STREHA E FUNDIT E HORRAVE

August 9, 2013 by dgreca

Shkruan: ISMAIL KADARE/

Gjatë gjithë vitit 1999, për herë të parë në jetën time, për shkak të luftës në Ballkan, kam mbajtur, në mënyrë të vijueshme, shënime. Nën titullin “Ra ky mort e u pamë”, shënimet, në trajtë ditari, janë botuar si libër më vete në shqip dhe në disa gjuhë europiane. Ditën e 31 majit 1999, në kulmin e bombardimeve të NATO-s, shënimi i ditës merret me një polemikë midis shqiptarësh në gazetën “Illyria” të Nju-Jorkut. Shkak është shkrimi “Skënderbeu e kishte nënën sllave” (me autor Fatos Lubonjën), botuar pak ditë më parë në “Courrier International” të Parisit. Autori shqiptar i shkrimit fajësohet me një gjuhë tejet të ashpër, për qëndrim antishqiptar e njëherësh antieuropian. Pra, është 31 maj i vitit të fundit të mijëvjeçarit të dytë. Shprehja “ora e keqe”, më shumë se metaforë, është përcaktim i saktë i kohës për Kosovën. Ajo mezi po merr frymë nën masakrën serbe, një nga më të egrat e shekullit. NATO-ja është duke bombarduar Serbinë, për shkak të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarët po paguajnë taksën. Shkurt, për ndëshkimin e Serbisë, NATO-ja ka vënë aviatorët dhe avionët më modernë të saj, kurse Kosova ka vënë gjënë më të vjetër në botë, në kësi rastesh: gjakun. Liria e kërkon se s’bën këtë karburant të vjetër, dhe shqiptarët e dinë këtë. Hakmarrja serbe është në kulmin e saj: grirje foshnjash, përdhunime vajzash e grash, djegie shtëpish, vrasje verbazi, shpërngulje, tmerr. E deshët ndërhyrjen e NATO-s! Ja NATO-ja! Gëzojuni asaj! Kosova është me shpirt ndër dhëmbë. Gati po jep shpirt. Dhe pikërisht mu midis makthit, në një nga revistat më ndikuese europiane, një rimohues shqiptar e boton këtë shkrim, për të cilin ndërgjegjja e tij, sipas fajësuesve, duhej të përgjigjej më pas. Shkrimi do të quhej, as më pak, as më shumë, thikë në shpinë kundër Kosovës.Ishte e ngutur një akuzë e tillë? Ishte ky shkrim një lajthitje e rastit, kapardisje antikombëtare, snobizëm, etje për t’u dukur modern? Ishte një përzierje e të gjithave, madje diçka më e rëndë? Shkrimi, para së gjithash, kishte të bënte me një polemikë nga më të ashprat në Shqipërinë paskomuniste. Në qendër të kacafytjes (një fjalë disi më e saktë në këtë rast), ishte Gjergj Kastrioti, por, siç ndodhte shpesh me zotin Gjergj K., kur hynte në skenë, gjithë çështjet madhore të kombit shqiptar, Rilindja, gjuha shqipe, zanafilla ilire e shqiptarëve, raportet e mitit me historinë, vetë çmitizimi dhe mitet e rrejshme shqiptare, do të ndërlikoheshin rreth tij. Dy grupimet që do të ndesheshin, “albanologët e rinj”, ose rimohuesit, siç u quajtën shkurt, dhe kombëtaristët, kundërshtarët e tyre, do të përdornin kundër njëri-tjetrit gjithë minierat e gjuhës shqipe, çka do të ishte një festë për përpiluesit e fjalorëve, nëse ende kishte të tillë.Thënia “patriotizmi, streha më e fundit e horrave”, ishte ajo që, më shumë se çdo tjetër, do të përdorej në kronikën shqiptare. Pavarësisht se autori i saj herë shpallej Xhefersoni, herë Sokrati, herë Nëna e Çërçillit, Volteri apo Xhon Lenoni, kjo nuk pengonte aspak që të bëhej thënia më e njohur në vend.Fajësimet e të dyja palëve, për nga mizoria, ngjanin si pika uji. Ndërsjelltazi, ashtu siç edhe pritej, u quajtën tradhtarë, reaksionarë parakë, kombëtaristë, antishqiptarë, fashistoidë, nënëterezistë, kanunorë, gjer te llaci-faci, shule, e natyrisht ylberistë, çka dihej ç’nënkuptonte. Në pranverë të vitit 1999, ndaj autorit të shkrimit të “Courrier International” do të përdoreshin së paku gjysma e këtyre cilësorëve. Për strehsat, të thoshe se nëna e Skënderbeut ishte serbe, e sidomos ta thoshe këtë pikërisht në maj të vitit 1999, ishte vërtetimi më i saktë se punoje për serbët. Në thelb, akuza tingëllonte groteske. Me nënë jo sllave ose sllave (çka mund të ishte e vërtetë për Vojsava Tribaldën, një sllave, me sa dukej, e martuar me Gjon Kastriotin, të atin e Gjergjit, sipas dokeve mesjetare, kur feudalët në krushqitë e tyre shkërbenin mbretërit), Gjergj Kastrioti mbetej po ai. Madje, edhe të atin ta kishte serb (do t’i vinte radha edhe këtij), përsëri nuk ndryshonte asgjë. Ai ishte heroi i parë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, i njohur nga gjithë bota si i tillë dhe vetëm si i tillë, dhe kjo nuk mund të ndryshohej kurrë në kurrfarë rrethanash nga kurrkush.

Por strehsat nuk dorëzoheshin lehtë. Ata e kishin kuptuar se do të ishte më mirë të përdornin më pak sharje e më shumë logjikë. Kështu, në vend që të kuptonin se po tronditnin botën, duke shpallur se sa skandaloze ishte amësia ose atësia e rreme e Skënderbeut, u vunë të zhbironin ca dokumente e ca arkiva, aq sa ua lejonte, natyrisht, vrulli i tepërt polemist. Së pari, e kuptuan se duhej t’u mbushnin mendjen të tjerëve, se pse ishte i keq shkrimi famëkeq në “Courrier International”, ditën e fundit të muajit maj, në vitin e fundit të mijëvjeçarit të dytë. Ata zbuluan se “çmitizuesi” shqiptar nuk ishte aspak origjinal, siç kishin kujtuar. Tezën e prindërve serbë të Skënderbeut, e kishte marrë nga dikush tjetër dhe ky dikush tjetër nuk ishte veçse famëkeqi, sipas tyre, Vuk Drashkoviç, një nga ministrat e Millosheviçit, rrjedhimisht një ndër përgjegjësit për plojën e Kosovës. Së dyti, se kjo tezë ishte botuar në vitin 1987, pra, dymbëdhjetë vjet përpara plojës, në gazetën franceze “Le Monde Diplomatique” dhe bënte pjesë në tezat që duhej të përgatisnin shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova. Së treti, se as Drashkoviçi nuk ishte origjinal, por përsëriste në shkrimin e tij teza të vjetra serbe, të Radonicit, 1942, e teza edhe më të vjetra të Vladan Gjorgjeviçit, të Grashaninit, të Çubrilloviçit, të Millosheviçit, që flisnin jo vetëm për zanafillën serbe të Skënderbeut, por, kryesorja, e lidhnin këtë zanafillë me këmbënguljen e tyre se Kosova kishte qenë e mbetej djepi i serbizmit, ndaj serbët nuk do ta lëshonin kurrë atë. Së katërti, strehsat zbuluan se shumicën e argumenteve, qoftë për Skënderbeun, qoftë për rrënjësinë e shqiptarëve në Ballkan, mohsat i kishin marrë nga famëkeqja, sipas tyre, Akademia serbe e Shkencave.

Kthim te “Courrier International”,

31 maj 1999

Është tmerr në Kosovë. Është kulm i krimit, i shpërnguljes, i përdhunimit të grave e të vajzave, shkurt, i hakmarrjes meskine serbe kundër shqiptarëve. Propaganda serbe, me frymën e fundit të saj, kërkon të përligjë masakrën, atë për të cilën po ndëshkohet nga Europa dhe Aleanca Atlantike. Ajo kërkon të përligjë sidomos famëkeqin “spastrim etnik”, sepse ky i fundit i kujton gjithë botës holokaustin kundër hebrenjve. I kanë shpenzuar të gjitha argumentet, ndaj bëjnë ç’bëjnë i kthehen më të vjetrit, atij prej të cilit kanë pasur gjithmonë fat: Kosova djep i Serbisë e i serbizmit. Kanë shpresë se edhe këtë herë kjo histori nuk do t’i lërë në baltë. Në mos i përligjtë plotësisht, së paku për të zbutur disi zemërimin europiano-amerikan, vetëm ajo mund të shërbejë, historia e djepit serb. Ninullat me djepe e me foshnja kanë qenë gjithmonë të përshtatshme për të ndjellë keqardhje. Ato i kujtonin gjithkujt se ishte e lehtë të bombardoje Serbinë, por duhej bërë një përpjekje për të kuptuar shpirtin e saj, brengën shekullore, kujtimet, ahtin e saj. Ishte e vështirë për ballkanasin të ndahej nga djepi historik. E aq më tepër për serbin. Ndaj dhe në ishin bërë gabime, për diçka që quhej e shenjtë ishin bërë, për kujtimet e vjetra, nostalgjinë, ahtin e madh. Dhe historia, e përmendur qindra-mijëra herë, përsëritet: Kosova ishte shpirti i pavdekshëm i serbizmit, kuptimi, simboli, Jerusalemi, dhimbja, triumfi, zia, shkurt, nyja ku gjithçka nis e po ashtu sos. Në shkrimin e tij, Vuk Drashkoviçi, shkrimtar dhe ministër i Jashtëm i Serbisë, flet për të gjitha këto. Autori i këtyre radhëve e ka një kujtesë më tepër për këtë tekst, për arsyen e thjeshtë se teksti I Drashkoviçit është shkruar në trajtë letre të hapur, drejtuar pikërisht “kolegut I. Kadare”. Pas daljes në shtypin serb më 1987, letra e hapur është botuar në “Le Monde Diplomatique”, në prag të festimit të gjashtëqindvjetorit të betejës së Kosovës, aty ku Millosheviçi lëshoi rrufetë kërcënuese kundër shqiptarëve. Ajo është ribotuar, në të njëjtën gazetë, dymbëdhjetë vjet më pas, më 1999, kur Kosova digjej në flakë, pikërisht nga këto rrufe. Drashkoviçi, në të dyja rastet, më drejtohej si kolegu kolegut, më kujtonte shenjtërinë e artit, më bënte thirrje të braktisja vegullitë kombëtariste shqiptare e të bashkohesha me të (për çështjen e djepit natyrisht) dhe këtë ma thoshte me zemër në dorë, duke pasur si dëshmitare Francën, në kryeqytetin e së cilës e shpallte këtë kumt ngashëryes.Duke qenë vetë lehtësisht i sulmueshëm, siç janë zakonisht shkrimtarët, Drashkoviçi më drejtohej me një keqardhje prej kolegu, duke më kujtuar, ndër të tjera, gjithë kronikën e “djepit”, historinë, kujtimet, manastiret, betejën e Kosovës e martirizimin e princ Llazarit, shkurt, gjithë shenjat dhe vulat tokësore dhe hyjnore, që dëshmonin, sipas tij, përkatësinë serbe të Kosovës. Ndërkaq, pikërisht në radhën e këtyre vulave, ai shtonte diçka që, ndonëse e përmendur edhe më parë aty-këtu, këtë herë merrte një ngarkesë simbolike të dorës së parë: zanafillën serbe të Skënderbeut. Me fjalë të tjera, jo vetëm që Kosova, bashkë me varret, manastiret, katundet, dhimbjet e gjithçka tjetër të epërme, ishte kryekrejet serbe, por dhe vetë kryeheroi i shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte i tillë. Thënë ndryshe, Kosova, përveç djepit, mëtonte tani edhe kurorën. Në letrën e tij, Drashkoviçi, pasi më hapte zemrën, siç ndodh midis kolegësh, më kujtonte se isha një përhapës i ideve antiserbe të Vatikanit dhe të Austrisë katolike, gjithmonë si kolegu kolegut, më shkruante me keqardhje se isha në anën e gabuar, domethënë, sipas tij, në anën e vrasësit të Arkimedit, të atyre që dogjën Xhordano Brunon, që i morën jetën në duel Pushkinit, madje që torturuan njëzet e tri herë rresht Kampanelën! Këtë tekst ka kopjuar çmitizuesi i vockël shqiptar F. Lubonja, në maj të vitit 1999, në kohën kur Kosova, për shkak të teksteve të tilla, digjej, masakrohej e përdhunohej. Shkrimi në “Courrier International”, për çdo kohë, por sidomos për kohën kur u shkrua, ishte, sipas strehsave, një dhuratë për serbët. Por historia e djepit nuk mbaronte me kaq.

Sipas strehsave, falë zellit serb dhe falë çirakëve vullnetarë shqiptarë, ndërhyrja e të cilëve kishte vlerë të veçantë, trillimi kundër Skënderbeut ishte bërë disa herë pjesë e pasioneve politike bashkëkohore në Europë. Për të dhënë vetëm një nga shembujt e shumtë, do të përmendej programi politik I kryetarit të FPO-së (Partisë Konservatore të skajshme austriake), Heinz-Christian Strache, mik i Serbisë dhe antishqiptar, ku, ndër të tjera, për çudi, flet për çështjen e Kosovës, duke e lidhur me kinse zanafillën serbe të Skënderbeut. “Kosova është rajon i stërlashtë serb… Përveç kësaj, heroi kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që ka jetuar nga 1403-i gjer më 1468, ka qenë në të vërtetë serb, me nënë dhe baba serb.” Këto fjalë thuhen në Vjenë, më 2008, kur Millosheviçi, xhelati i shqiptarëve, ai për të cilin ky fashist austriak derdh lot, ka kohë që ka vdekur. Por fjalët thuhen në të njëjtin vit, kur në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar, vlon një polemikë e ashpër pikërisht për Skënderbeun, për mitet që kinse janë krijuar për të, e që duhen çmitizuar, pra, rrënuar me ngut. E midis këtyre kinse miteve, ai që, siç u pa më lart, qëndron përbri çështjes së Skënderbeut është rrënjësia e shqiptarëve, ajo që në histori njihet si zanafillë e tyre ilire.

Kush janë horrat dhe cila është streha

Historia e re me Gjergj Kastriotin është më e vjetër se ç’duket. Ajo ka nisur fill pas rënies së komunizmit. Një roman i shkurtër, i titulluar “Mekami”, i një shkrimtari të quajtur problematik, K. Trebeshina, botuar në rrethana të dyshimta në Kosovën ende nën sundimin serb, shënon fillimin e fushatës së egër kundër personazhit. Në atë libër, heroi i parë i shqiptarëve, trajtohet as më pak, as më shumë si hajdut kuajsh dhe agjent i Italisë. Vetë autori, i përndezur prej sulmit të vet, e shpall veten turk.Ndërkaq, autori i librit mëton cilësimin si disident. Ndaj pyetjes, për ç’merita?, përgjigjja është e prerë: për një promemorie që i paska dërguar Enver Hoxhës, më 1953. Sipas saj, është ndoshta shkrimtari i parë në Shqipëri, që ka guxuar t’i shkruajë diktatorit: ti dhe shokët e tu jeni vrasës, që jo vetëm do të vrisni më pas njëri-tjetrin, por do ta mbytni vendin në gjak! Tingëllon disi e pabesueshme për cilindo, por sidomos për strehsat. Dyshimi për promemorien dyfishohet kur sillet ndër mend e kaluara letrare e personazhit: Shkrimtar si shumë të tjerë, me lavde për komunizmin dhe kulmi, pikërisht në mars të vitit 1953, pak kohë përpara promemories, me poemën më himnizuese, kushtuar Stalinit, në ditën e vdekjes së tij.Këto kujtime prekëse nuk e ndryshojnë aspak statusin e personazhit. Madje, ai nuk lëkundet as kur strehsat, këtë herë të zemëruar keq, zbulojnë se kinse disidenti, ose kinsi, siç do të quhej shkurt, jo vetëm s’ka qenë kundër regjimit, por ka qenë oficer i Ministrisë famëkeqe të Brendshme, pra, pjesë e thelbit gjakatar të shtetit. Që njeriu gëzonte mbrojtje të fshehtë, kjo ishte e qartë. I turbullt ishte shkaku. Mbrojtja shtrihej në të dyja regjimet: në komunizëm dhe në paskomunizëm. Nga të dy krahët e politikës: e djathta dhe e majta.Vetvetiu bëhej pyetja: disident kundër kujt kishte qenë në të vërtetë kinsi? Me ç’dilte, disidenca e tij më e qartë paskësh qenë kundër Skënderbeut. Ajo kundër regjimit mbetej për t’u vërtetuar. S’do të kalonte shumë kohë dhe, pas Kastriotit, do të hidhej hija e keqe për atë që quhej periudha më e ndritur e historisë shqiptare dhe bijë e drejtpërdrejtë e Iluminizmit europian Rilindjen Kombëtare. E pas saj, mbi gjithçka të shpallur si vlerë morale e kulturore e kombit: mbi gjuhën shqipe, mbi zanafillën ilire të saj dhe të gjithë shqiptarëve, mbi themeluesin e shtetit shqiptar më 1912, gjer mbi Nënë Terezën, që gjatë ceremonisë së çmimit “Nobel”, në Oslo, kishte treguar moselegancën të zinte ngoje zanafillën e vet shqiptare. Strehsat , merret me mend, e humbën çdo durim. Pas shpenzimit me tepri të epitetit “antishqiptar” e bënë disi më të larmishme listën e sharjeve. Iu kujtuan mohsave prejardhjen nomenklaturore, duke mos harruar t’i krahasonin me vezë të gjarprit, që donin të mbronin krimet e etërve të tyre, gjë që nuk u prit mirë prej opinionit publik. Një etikë e heshtur ishte bërë zotëruese, ndërkaq, në Shqipëri, që gjëra të tilla të mos kujtoheshin.(Marrë nga Dita)

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Ismail Kadare, Streha e fundit e horrave

Shorti:Skenderbeu perballe Chernomoretsit te Odesës, Kukesi- Trabzonspor

August 9, 2013 by dgreca

Goglat e shortit qe u hodh ne oren 13.00 vendosen qe korçarët do të përballen me Chernomoretsin e Odesës ukrainas, ndërsa verilindorët me skuadrën turke të Trabzonsporit. Në Nyon të Zvicrës është hedhur edhe shorti për UEFA Europa League në të cilën garë marrin pjesë edhe dy skuadrat shqiptare, ajo e Skënderbeut dhe skuadra e Kukësit të cilët do të luftojnë për një vend në fazën e grupit. Skuadra e FC Kukësit, e cila deri me tani ka pasur një ecuri të mirë në këtë ligë, përballë do ta këtë skuadrën turke të Trabzonspor AS vs FC Kukësi, që do të jetë një sfidë e madhe për skuadrën verilindore e cila deri me tani ka eliminuar disa kundërshtarë të fortë e që do të mundohet ta bëj këtë edhe kundër Trabzonsporit. Nga ana tjetër, skuadra nga Korça, Skënderbeu do të përballet me skuadrën ukrainase FC Chernomorets Odesa, një tjetër skuadër ukrainase që do të përballet me një skuadër shqiptare. Le te presim ndeshjet e para per te gjykuar mbi fatin e ecurise et metejshme te dy ekipeve shqiptar, ku vecanerisht KUkesi, ka hyre ne eliten e futbollit europian edhe pse e nisi modest konkurimin.

Filed Under: Sport

Mehmet Konica, një ndër dëshmitarët e ndarjes së kufijve

August 9, 2013 by dgreca

Ne Foto: Londer 1913. Mehmet Konica, një ndër dëshmitarët e ndarjes së kufijve /
*Më 15 janar 1913, mbi tryezën e Eduard Greit, kryetarit të konferencës, qenë vendosur pesë projektet mbi kufijtë në Ballkan, dy projekte bazë, ai rus dhe ai austro-hungarez dhe tri ndihmës. Projekti shqiptar, serbo-malazez dhe projekti grek.
* Konica i premtoi Greit një minierë floriri, projekti austro-hungarez me Kosovë e Çamëri. 
Shkruan Hyqmet ZANE/

Nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër deri tek vrasja e Gjeneral Telinit. Aventura për vendosjen e kufijve të Shqipërisë dhe humbja e gjysmës së territoreve. Historia e konsullit Haven dhe e mbështetjes që SHBA vendosi t’i japë qeverisë së Tiranës.
Eduard Grei, ministri i Jashtëm i Mbretërisë Britanike dhe kryetar i Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha për Ballkanin, kishte caktuar vetëm 15 minuta kohë për takimin me përfaqësuesin shqiptar në Londër, Mehmet Konicën. Mbi tryezën e tij qe shtrirë harta e madhe e Ballkanit dhe ministri e dinte fare mirë se Shqipëria e dobët ishte e humbura e madhe.
Kishte pak vullnet për të diskutuar me një shqiptar edhe pse, ndërmjetës të takimit ishin disa miq të përbashkët, aristokratë të vjetër, që kishin ruajtur gjithmonë lidhje me Orientin e largët.
Me fytyrë nga dritarja, Grei nuk denjoi të kthehej, kur ambasadori shqiptar hyri në sallë. I kërkoi atij vetëm të fliste, duke ndenjur gjithmonë me shpinë dhe duke ndjekur lëvizjet në rrugë. Një njohës i vjetër i Londrës dhe mik i disa prej lordëve më të fuqishëm në vend, Konica nuk përmendi asgjë për kufijtë. Me një zë të shtruar i tregoi ministrit që qëndronte me kurriz se, në Shqipëri ishte zbuluar një minierë e pasur floriri dhe se qeveria shqiptare e Ismail Qemalit kërkonte që mbretëria britanike të merrte koncesionin e saj. Grei u kthye dhe me mjaft delikatesë e ftoi të uleshin së bashku në tavolinë. Një minutë më vonë, me po aq elegancë, Mehmet Konica, i shpjegoi se kjo nuk ishte aspak e vërtetë, porse ai kishte dashur të shihte, se si do të ndryshonin interesat e Britanisë në një rast të tillë. Askush nuk e ka përshkruar më tej bisedën e tyre, por një gjë është e qartë. Grei i ka pranuar Konicës se Shqipëria do të dilte më e humbura në këtë histori, sepse kjo ishte një çështje interesash. Interesa nga ato që përcaktonin politikën afatgjatë të Fuqive të Mëdha dhe balancat midis tyre. Në fakt, ata biseduan gjatë dhe Mehmet Konica, vëllai i Faik Konicës, nuk foli më kurrë për këtë bisedë. Ai e përmendi vetëm vite më vonë, më 1949, në Firence, ndërsa kishte filluar t’i diktonte kujtimet e tij një gazetari italian. Vdekja ia la kujtimet përgjysmë dhe libri nuk u publikua kurrë. Familja e tij mori një kopje për kujtim dhe dorëshkrimi ndodhet sot në Siri, ku gjenden edhe trashëgimtarët e tij.
Mehmet Konica ishte, padyshim, një ndër të paktët dëshmitarë të tragjedisë shqiptare të kufijve. Ai e ndoqi atë nëpër disa etapa. Që nga viti 1913 deri më 1923, kur më së fundi, një delegacion ndërkombëtar, i kryesuar nga një gjeneral italian, vendosi në Shqipërinë e Jugut gurët që shënonin kufijtë shqiptaro-grekë. Gjenerali quhej Telini dhe ai nuk u kthye kurrë në Itali. E vranë bandat greke në afërsi të Delvinës dhe trupi i tij, i përcjellë çuditërisht nga Mehmet Konica, në emër të qeverisë shqiptare, u dërgua në Romë me nderimet ushtarake. Bashkë me të mori fund edhe aventura e kufijve. Një aventurë e gjatë, e cila ka sunduar vazhdimisht gjatë këtij shekulli gjithë mosmarrëveshjet në këtë anë të Ballkanit.
Konferenca e Ambasadorëve 1913
Kufijtë e Ballkanit ruajtën pothuajse gjatë këtij shekulli trajtën që iu dha atyre Konferenca e Ambasadorëve më 1912-1913, në Londër. Në të gjitha ndërmarrjet për ndryshimin e kufijve ballkanikë, ajo e Londrës, mbetet padyshim me deçizivja. Në të vërtetë, tek kjo flitet për Konferencën e Londrës pa folur më parë për kontekstin në të cilin zhvillohej ajo. Më 1912, perandoria turke, thuajse i kishte humbur të gjitha zonat e saj evropiane. Me përjashtim të Shqipërisë, ajo ruante ende sundimin në disa territore greke, mbi Selanik, të cilat i siguronin një lidhje tokësore me zonat e saj në Shqipëri. Por, nëse ekzistenca e mëtejshme e Turqisë ishte këtu vetëm çështje kohe, ndarja e këtyre territoreve nga fuqitë e reja ballkanike kishte vite që komentohej. Në të vërtetë, të gjitha fuqitë e reja ballkanike: Greqia, Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi, reflektonin në atë kohë interesat e Fuqive të Mëdha. Interesa, që bëheshin edhe më të mprehta, në prag të luftës së re botërore, që pritej të shpërthente. Vrulli i shteteve të rinj me orientim kryesisht pro rus, ishte ndalur vetëm nga interesat e Austro-Hungarisë dhe më pas të perandorisë gjermane, që nuk ishin dakord me një zgjerim të mëtejshëm të sllavëve në Ballkan. Pikërisht, këtij objektivi Austro-Hungarez ia dedikon ekzistencën e tij shteti i ri shqiptar, i cili pritej të shpallte pavarësinë në vitin 1912. Vendosmëria e Austro-Hungarisë dhe aleatëve të saj, krijoi kushtet për një pavarësi të mundshme shqiptare. Nuk është aspak e rastit, që Ismail Qemali në udhëtimin e tij drejt Vlorës, mori fillimisht bekimin dhe ndihmën e qeverisë rumune dhe më pas atë të Vjenës. Takimi i tij me ministrin e Jashtëm Berthold, qe akti i fundit që sanksionoi pavarësinë shqiptare. Por, ndërsa Ismail Qemali, lëvizte me vështirësi drejt Durrësit, Fuqitë Ballkanike të lidhura në një aleancë i shpallën luftë Turqisë. Në më pak se një muaj, trupat e tyre korrën fitore të ndjeshme dhe i larguan forcat e sulltanit nga Ballkani Perëndimor. Ato pushtuan pothuaj gjithë territoret shqiptare, duke lënë vetëm një trekendësh Vlorë-Lushnjë-Berat, nën juridiksionin e shtetit të ri shqiptar. Me hartat e reja ushtarake dhe me pretendimet e tyre historike dhe ekonomike, fuqitë ballkanike zbarkuan në dhjetor 1912 në Londër, ku qe mbledhur Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha për caktimin e kufijve të Ballkanit. Delegacioni shqiptar ishte i fundit që mbërriti në Londër. Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi dhe të tjerë arritën të kalojnë bllokadën detare greke vetëm falë këmbënguljes së Dukës së Orleanit, i cili i mori në jahtin e tij. Me t’u vendosur në Hotel “York”, Mehmet Konica, ambasadori shqiptar në Londër i informoi për konferencën dhe zhvillimin e saj. Ai tregoi se gjithë vendet ballkanike kishin paraqitur projektet e tyre dhe i ftoi që brenda 48 orësh të përgatisnin projektin shqiptar. Më 15 janar 1913, mbi tryezën e Eduard Greit, kryetarit të Konferencës, qenë vendosur pesë projektet mbi kufijtë në Ballkan, dy projekte bazë, ai rus dhe ai austro-hungarez dhe tre ndihmës. Projekti shqiptar, serbo-malazez dhe projekti grek.
Konferencës së Ambasadorëve iu deshën më shumë se tetë muaj diskutime për të vendosur mbi projektet dhe për të bërë rregullimet e nevojshme. Vështirësia qëndronte se projektet bazë qëndronin shumë larg njëri-tjetrit dhe kompromisi ishte kështu mjaft i vështirë. Ambasadori rus paraqiti një hartë të madhe ushtarake, në të cilën kufijtë e Shqipërisë përcaktoheshin në një hapësirë midis lumenjve Mat dhe Vjosë, duke i lënë dalje në det në Shëngjin ose në Durrës serbëve. Shkodra dhe rrethi i saj i jepeshin Malit të Zi; Dibra dhe një pjesë e madhe e Shqipërisë së Jugut, përfshirë dhe Pogradecin dhe Ohrin, Serbisë; ndërsa Korça, Gjirokastra, Delvina, Greqisë. Mbi të gjitha, projekti parashikonte që Shqipëria të mos ishte një vend i pavarur, por një provincë autonome, nën kujdesin e Turqisë.
Projekti Austro-Hungarez ishte krejt i ndryshëm. Ai linte jashtë Shqipërisë vetëm tokat që i kishin kaluar Malit të Zi në Kongresin e Berlinit, më 1878, por përfshinte brenda kufijve shqiptarë pjesën më të madhe të Kosovës, Ohrin, rrethinat e Shkupit, Manastirin, Janinën, Çamërinë deri në Prevezë. Projekti i Vjenës qe ndërtuar mbi parimin e vendosjes së kufijve në ato vende që banoheshin nga kombësi të ndryshme dhe duke pasur parasysh ndalimin e një shtrirjeje të sllavëve drejt Adriatikut. Ky projekt, veç Gjermanisë, u mbështet edhe nga Italia.
Projektet ndihmëse, që u shqyrtuan, qenë derivate të projekteve bazë. Serbët pretendonin gjithë tokat që mbanin ndërkohë të pushtuara, përfshi edhe Durrësin. Ata argumentonin se në këto vende qenë ngritur kisha të vjetra serbe dhe se banorët myslimanë të tyre qenë turq të shqiptarizuar. Mali i Zi pretendonte Shkodrën dhe sqaronte se toka e bukës rreth saj ishte jetike për ekzistencën e mbretërisë së vogël ballkanike. Sipas projektit të tyre, Shqipëria mund të shtrihej nga Vlora deri në Tiranë, duke lënë jashtë Durrësin dhe gjithë vijën bregdetare atje.
Projekti grek ishte më i sofistikuar. Veç argumenteve historike ai ngrinte edhe argumente ekonomike. Sipas planit të tyre: Thesalia, Janina, Çamëria duhej t’i bashkëngjiteshin Greqisë si toka të qytetërimit të vjetër grek. Por, delegacioni shtonte se brenda Greqisë duhej të përfshiheshin edhe Himara e Gjirokastra, pasi logjikisht këto zona ishin të lidhura ekonomikisht me Janinën dhe Korfuzin dhe furnizoheshin prej tyre. Po kështu, këto mund të shërbenin edhe si mburoja të dy zonave të para, në rast të një sulmi nga shqiptarët. I njëjti pretendim edhe në Juglindje, ku kërkohej Korça, si një vijim logjik i Follorinës.
Projekti i fundit ishte ai shqiptar, përgatitur me ngut nga delegacioni, por që kërkonte të hidhte poshtë argumentet e fqinjëve. Ideja e tij ishte ndarja e kufijve në bazë të kombësive dhe marrja parasysh e faktorëve gjeografikë dhe ekonomikë. Delegacioni shqiptar hidhte poshtë pretendimet se të krishterët e Jugut ishin grekë dhe shtonte se po të zbatohej varianti rus, Shqipëria mbetej e cunguar dhe pa asnjë burim ekonomik.

Filed Under: Histori Tagged With: mehmet konica, ne ndarjes e kufijeve, nje deshmitar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 80
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT